Vuçiç: Franca dhe Gjermania kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB

VucicPresidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha të shtunën se Franca dhe Gjermania kanë paraqitur një dokument me të cilin kërkojnë që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por pa e njohur pavarësinë e saj, ndërsa në shkëmbim Serbisë do t’i ofrohet përshpejtimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

 

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë në Beograd gjatë së cilës tha se “pozicioni i Serbisë po bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar sepse perëndimi po përpiqet të zgjidhë çështjen e Kosovës me anëtarësimin e saj në OKB, meqë mendon se me këtë do t’i marrë argumentet nga duart presidentit rus Vladimir Putin”.

Ai theksoi se propozimi i Gjermanisë dhe Francës është një çështje për të cilën duhet biseduar dhe menduar, meqë siç u shpreh “nuk mund ta hidhni nga dritarja propozimin që vjen nga dy nga vendet më të fuqishme, por nuk jam i sigurt që mund ta pranojmë”.

Presidenti serb tha se “thelbi i dokumentit është që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara. Serbisë, ndonëse nuk është saktësuar, do t’i përshpejtohej anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe do t’i ofroheshin përfitime të rëndësishme ekonomike”.

Ai ritheksoi se për Serbinë është e papranueshme që Kosova të jetë në OKB dhe kjo do të ketë pasoja, ndërsa nënvizoi se “nuk do të na kërkohej njohja por që të dërgojmë sinjalin se pajtohemi”.

Por, tha ai. “aktualisht nuk ka vullnet ne udhëheqjen serbe për pranimin e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB”.

Presidenti serb tha se Serbia ka gabuar kur ka pranuar që Bashkimi Evropian të drejtojë bisedimet me Kosovën. “Pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel, nuk kemi qenë në gjendje të fusim në rend dite formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Presidenti serb akuzoi Prishtinën për siç tha provokime të përditshme duke dërguar njësitë e policisë në veriun e Kosovës të banuar me shumice serbe, ndërsa, kritikoi edhe praninë ndërkombëtare në Kosovë.

“Amerikanët po shtojnë praninë ushtarake me 300 trupa dhe është sinjal i qartë për ne dhe serbët në Kosovë që të mos ëndërrojnë për respektimin e vendimeve të OKB-së përfshirë Rezolutën 1244”, tha ai, ndërsa paralajmëroi se Këshilli i Evropës mund të fillojë procedurën për pranimin e Kosovës.

Serbia e cila mbështetet në përkrahjen e Moskës, kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e vendeve kryesore perëndimore. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovës është kusht për integrimin e saj në Bashkimin Evropian dhe të dyja vendet janë përfshirë në bisedime që nga viti 2011 por me pak përparime.

Në fillim të muajit shtator kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron angazhuan këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa u bënë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç që “të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Të dy këshilltarët vizituan Prishtinën dhe Beogradin gjatë muajit shtator dhe pas asaj vizite u përfol një propozim i tillë si ai që paraqiti sot presidenti serb.

Autoritetet në Kosovë nuk e konfirmuan ekzistimin e një dokumenti të tillë, duke theksuar se zgjidhja e vetme është njohja e ndërsjellë.

As Parisi dhe as Berlini nuk e kanë konfirmuar ekzistencën e një oferte të tillë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron, i takuan ndarazi të enjten në Pragë presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç, në margjinat e takimit përurues të Komunitetit Politik Evropian, përgjatë të cilit u vu theksi tek izolimi i Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk i ka vënë sanksione Moskës për shkak të agresionit rus në Ukrainë, me gjithë kërkesën e BE-së që të harmonizojë politikat e saj me ato të bllokut.

Presidenti serb tha të shtunën se asgjë nuk ka ndryshuar në qasjen e Serbisë ndaj kësaj çështjeje.

voa

Teknologjia kundër dronëve mbron objektet e rëndësisë së veçantë

dronNdërsa dronët ushtarakë dhe civilë po bëhen gjithnjë e më të pranishëm, ka shqetësime në rritje se disa prej tyre mund të rrezikojnë aeroportet, burgjet apo rrjetin energjitik.

 

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, njofton rreth një kompanie që prodhon teknologjinë kundër dronëve, e cila mund të identifikojë dhe të ndalë dronët e rrezikshëm.

Në vitin 2013, Kancelarja gjermane Angela Merkel po merrte pjesë në një aktivitet në mjedise të jashtme, kur një dron që po qëndronte mbi zonë u ul papritmas pranë saj, duke ndërprerë shkurtimisht edhe aktivitetin që po zhvillohej.

Askush nuk u lëndua, por incidenti ngriti shqetësime për sfidat e sigurisë nga dronët në zona të ekspozuara, ndërkohë që këto mjete të telekomanduara sapo kishin filluar të zinin vend në treg.

“Nuk ndodhi asgjë, por ishte një dron që tërhoqi vëmendjen. Mund ta imagjinoni se çfarë mund të ndodhte në një situatë të tillë pa masat e duhura mbrojtëse”, thotë Mary-Lou Smulders, drejtuese e marketingut në kompaninë “Dedrone”.

Incidenti u bë shkak për krijimin e kompanisë “Dedrone”, e cila është shndërruar tashmë në një ndër kompanitë kryesore për teknologjinë kundër dronëve dhe ka klientë në mbi 35 vende të ndryshme.

“E pikasim dronin kryesisht nëpërmjet sinjaleve të frekuencave të radios që kapen nga sensorët tanë. Mund të mbledhim edhe të dhëna nga sensorë të tjerë, si radarë, sensorë akustikë dhe madje edhe me kamera”, thotë zonja Smulders.

Klientët e kompanisë “Dedrone” instalojnë programe vëzhguese që lajmërojnë personelin e sigurisë kur një dron i dyshimtë ndodhet në hapësirën e tyre ajrore.

Nëse një dron konsiderohet i rrezikshëm, pajisjet monitoruese…i mundësojnë personelit të sigurisë të gjejë edhe vendndodhjen e drejtuesit të dronit.

Në rrethana ekstreme, si në rast lufte, klientët kanë mundësinë që ta çaktivizojnë vetë dronin me një “armë” që bllokon frekuencat.

“Quhet DroneDefender, dhe është një transmetues me frekuenca radiofonike. Kur e kemi pikasur dronin, ia drejtojmë armën, tërheqim këmbëzën dhe kështu ndërpritet sinjali mes dronit dhe kontrolluesit të tij”, thotë John Knag, zëvendëspresident për teknologjinë në kompaninë “Dedrone”.

Industria e teknologjisë kundër dronëve po rritet së bashku me industrinë e prodhimit të dronëve, thonë ekspertët.

“E konsiderojmë teknologjinë kundër dronëve si një pjesë shumë integrale të ekosistemit të dronëve komercialë. Na nevojitet teknologjia kundër dronëve për të mbrojtur objekte të posaçme, dhe që kështu të vazhdojë të rritet edhe industria e dronëve komercialë”, thotë Miriam McNabb, nga kompania “Dronelife”.

Ndërsa vazhdon të shtohet përdorimi i dronëve, po kështu do të rriten edhe përpjekjet për të mbrojtur hapësirat e ekspozuara ndaj atyre që kanë qëllime keqdashëse.

voa

SHBA: Projekt-rezolutë në Kongresin amerikan për sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë

shbaBashkëkryetarët e grupit të çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan, paraqitën sot në Dhomën e Përfaqësuesve një projekt-rezolutë ku dënohen me forcë sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë .
Projekt-rezoluta e hartuar me nismën e ligjvënësit nga Nju Jorku Ritchie Torres kërkon vazhdimin e mbajtjes para përgjegjësisë për ata që organizuan sulmet si edhe bën thirrje për forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë.

“Është thelbësore që të dënojmë sulmin e shumëfishtë kibernetik iranian ndaj Shqipërisë. Irani në mënyrë metodike u përpoq të minonte Shqipërinë kur ndërmori akte të rrezikshme kibernetike. Irani është një regjim i rrezikshëm që do të vazhdojë përpjekjet për të minuar dhe shkatërruar Shqipërinë nëse nuk frenohet”, thotë ligjvënësi Torres në një deklaratë për Shqipërinë.

Projekt-rezoluta, tekstin e së cilës e ka parë Zëri i Amerikës, inkurajon bashkërendimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë për t’u siguruar që mekanizmat e saj për sigurinë kibernetike të jenë të afta për t’u mbrojtur kundër ndërhyrjeve dhe sulmeve të ardhshme të mundshme kibernetike.

Përveç zotit Torres projekt-rezoluta ka si autorë tre bashkëkryetarët e tjerë të Grupit të Kongresit për Çështjet Shqiptare, ligjvënësi tjetër demokrat Jim Himes dhe republikanët Lisa McClain dhe Robert Aderholt.

Më 7 shtator, Shqipëria akuzoi Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik që goditi më 15 korrik sistemet e teknologjisë së informacionit të qeverisë , duke paralizuar për disa ditë të gjithë shërbimet online.

Kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet, për shkak të këtij sulmi.

Po atë ditë, Shtetet e Bashkuara dënuan sulmin kibernetik ndaj aleatit të NATO-s dhe thanë se kishin arritur në përfundimin se pas tij qëndronte Irani.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Adrienne Watson, u shpreh në një deklaratë se “Shtetet e Bashkuara mbështesin thirrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që Irani të mbahet përgjegjës për sulmin e paprecedentë kibernetik”.

Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej në deklaratë, do të marrin masa të tjera ndaj Iranit për sulmin që kërcënon sigurinë e një aleati të Shteteve e të Bashkaura, si dhe për precedentin e rrezikshëm që krijon për sulmet kibernetike.

Më 9 shtator, Shtetet e Bashkuara njoftuan për vendosjen e sanksioneve ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë dhe ministrit të saj Esmail Khatibi për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, përfshirë sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

“Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e veprimeve të përgjegjshme shtetërore në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, ku përfshihet norma për të mos dëmtuar infrastrukturën kritike që ofron shërbime për publikun,” tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian E. Nelson.

“Ne nuk do të tolerojmë aktivitetet kibernetike gjithnjë e më agresive të Iranit që vënë në shënjestër Shtetet e Bashkuara ose aleatët dhe partnerët tanë”, shtoi ai.

Irani goditi sërish një prej sistemeve të rëndësishme informatike, atë të regjistrimit të hyrje-daljeve nga vendi, i njohur si sistemi TIMS, siç konfirmuan autoritetet e Shqipërisë një ditë më pas.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken shprehu mbështetjen për Shqipërinë në një telefonatë me kryeministrin Edi Rama dhe tha se

“Uashingtoni nuk do të tolerojë sulmet kibernetike që synojnë SHBA-të apo aleatët e tyre në NATO”.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendës Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Teknologjinë Kibernetike dhe atë në Zhvillim, Anne Neuberger tha se sanksionet e menjëherëshme ndaj Iranit ishin pjesë e një strategjie për të vënë para përgjegjësisë aktorët e papërgjegjshëm në hapësirën kibernetike.“Kjo është arsyeja që kur pamë sulmin iranian ndaj Shqipërisë, që ndërpreu shërbimet e qeverisë shqiptare për qytetarët e saj, ne dhe vendet e tjera e denoncuam për të vënë para përgjegjësisë Iranin, për ta bërë të qartë që pas tij ishte Irani, dhe për të imponuar pasoja”, tha ajo.

voa

 

Mbyllja e Kolegjit turk, Komiteti i Helsinkit ngre pikëpyetje mbi vendimin e sotëm të Gjykatës

Seanca në Gjykatën AdministrativeKomiteti shqiptar i Helsinkit ngriti pikëpyetje mbi vendimin e sotëm të Gjykatës së Administrative të Tiranës, e cila rrëzoi kërkesën e kolegjit turk Mehmet Akif për pezullimin e vendimit të qeverisë për mbylljen e këtij institucioni arsimor privat, deri në shyrtimin në themel të rastit.

 

Gjykata rrëzoi kërkesën “pa arsyetuar në mënyrë të përmbledhur shkaqet që justifikonin zbatimin e kuadrit ligjor të cituar në shpalljen e vendimit të ndërmjetëm”, shpjegoi në një deklaratë Komiteti i Helinikit, përfaqësuesit e të cilit monitoruan dy seancat e zhvilluara në Gjykatën Administrative për këtë çështje.

Gjykata nuk mori parasysh argumentat e Kolegjit sipas të cilit, vendimi kishte qenë një masë ekstreme, duke qenë se, siç u shpreh gjatë seancës dhe avokati mbrojtës, shkeljet dhe problematikat e konstatuara kishin qenë të një natyre të vogël dhe jo aq shqetësuese. Sipas avokatit të Kolegjit, vërejtjet nga ana e inspektorëve të ministrisë së Arsimit kishin patur të bënin me këndin e dritës në katër klasa, dhe me disa ndërhyrje në palestër.

Përfaqësuesit e Ministrisë nga ana e tyre, pretenduan se Kolegji kishte patur kohën e mjaftueshme për të plotësuar kriteret e kërkuara, por se nuk kishte ndërhyrë, dhe ndërkohë kishte nisur vitin e ri shkollor pa marrë miratimin e ministrisë.

Ekspertët e Komitetit shqiptar të Helsinkit nga ana e tyre thanë se “hetimi gjyqësor ishte i kufizuar dhe nuk u thellua në mënyrë substanciale në sqarimin e çdo momenti procedural mbi dokumentacionin e paraqitur nga palët, me vlerën e provës”, duke shpjeguar se “në funksion të një hetimi gjyqësor të plotë, të gjithëanshëm dhe objektiv, gjykata nuk e shqyrtoi të nevojshme që, në kuptim të dëmit të rëndë dhe të pariparueshëm të referuar, të hetonte dëmin që mund t’i shkaktohet nxënësve të Kolegjit, për të vlerësuar cënimin e interesit më të lartë të fëmijëve (nxënësve) nga mbyllja e Kolegjit Mehmet Akif”.

Po ashtu, në deklaratën e Komitetit të Helsinkit mbi monitorimin e procesit, vihet në dukje se “sjellja dhe mënyra se si u formuluan pyetjet për palët nga gjyqtarja, krijuan pikëpyetje sa i takon parimit të paanshmërisë dhe kontradiktoritetit. Palët që në fazën e legjitimimit të tyre dhe në vijimësi të paraqitjes së parashtrimeve dhe provave, nuk u vendosën në pozita të barabarta në sytë e publikut dhe u vërejtën elementë të njëanshmërisë”.

Për këtë, ekspertët e Komitetit të Helsinkit sollën disa shembuj: “gjyqtarja nuk ndoqi të njejtin standart, në verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga palët”; disa ndërhyrje të gjyqtares që “nënkuptonin qëndrimin e Gjykatës karshi Fondacionit (Kolegjit ndr) që nuk duhet të kishte transferuar veprimtarinë arsimore në godinën e re”; apo dhe fakti se “përgjatë procesit të pyetjeve, pati edhe elementë sugjestionues në pyetjet drejtuar palëve”.

Kolegji është pjesë e fondacionit Gulen, që i përket klerikut turk Fetulla Gulen, i konsideruar nga Ankaraja si organizator i grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2006. Turqia ka kërkuar në mënyrë të përsëritur mbylljen e aktiviteteve të financuara prej tij. Dhe vendimi për mbylljen e Kolegjit është parë si një rezultat i kësaj trysnie, ndonëse autoritetet shqiptare kanë këmbëngulur se vendimi i tyre lidhet rreptësisht me zbatimin e ligjit.

Por edhe për vendimin e mbylljes së Kolegjit, Komiteti shqiptar i Helsinkit, pas verifikimit të dokumentacionit, kishte arritur në përfundimin se “procedurat e autoriteteve për mbylljen e Kolegjit Turk “Mehmet Akif Ersoy” nuk përmbushin standardet e procesit të rregullt, duke rezultuar me dhënien e një masë të ashpër, të nxituar, jo proporcionale dhe me pasoja të dëmshme”.

voa

Annie Ernaux është fituesja e çmimit Nobel në letërsi ndërsa Nobeli i Paqes shkon për mbrojtës të të drejtave të njeriut nga Bjellorusia, Rusia dhe Ukraina

Annie ErnauxAnnie Ernaux është fituesja e çmimit Nobel në letërsi

 

Këtë radhë nuk ishte surprizë: Shkrimtarja franceze ishte një nga kandidatet kryesore për çmimin prestigjioz.

 

Akademia Mbretërore Suedeze informoi për fituesen e çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2022. Ajo është shkrimtarja franceze Annie Ernaux. 82-vjeçarja konsiderohet si nëna e autofiksionit. Ajo u bë e njohur në Francë me romanin e saj “Les Années” (Paraardhësit) në vitin 2008.

Ernaux rrëfen histori familjare, nga e përditshmja, të ndërthurura me ngjarje historike. Janë ngjarje private, si shkollimi, aborti, por të vëna si rastësisht në kontekstin politiko – social, me barrierat klasore dhe patriarkale, ato bëhen politike. Në argumentimin e saj Akademia e vlerësoi shkrimtaren për “kurajën dhe mprehtësinë klinike me të cilën ajo zbulon rrënjët, të huajën dhe kufijtë kolektivë të kujtesës individuale.”

Ernaux është një nga shkrimtaret më të njohura franceze në botë dhe është përkthyer në shumë gjuhë. Lexuesi shqiptar e njeh atë nga “Kujtime vajze”,  “Pasioni i thjeshtë” dhe “Vendi i Babait” , të sjella në shqip nga Margarita Skenderaj dhe Klara Lagji përmes Botimeve Dudaj.

Çmimi Nobel në letërsi këtë vit nuk ishte surprizë. Shkrimtarja franceze ishte në krye të listës së disa fejtoneve. Ndryshe nga një vit më parë kur ai iu dha shkrimtarit me origjinë nga Zanzibari, Abdulrazak Gurnah

Java e çmimeve Nobel vijon të premten, më 7 tetor me fituesin në Ekonomi dhe mbyllet të hënën në Oslo me shpalljen e fituesit të Çmimit Nobel të paqes. Ceremonia e shpërndarjes së çmimeve do të bëhet në 10 dhjetor në Stokholm.

Bjellorusi Ales BialiatskiNobeli i Paqes shkon për mbrojtës të të drejtave të njeriut nga Bjellorusia, Rusia dhe Ukraina

 

Çmimi Nobel për Paqe 2022 nderon bjellorusin Ales Bialiatski dhe organizatat joqeveritare “Memorial Internacional” (Rusi) dhe “Qendra për Liritë Civile” (Ukrainë)

 

Fituesit e çmimit Nobel për Paqe 2022 janë një individ dhe dy organizata: Aktivisti bjellorus për të drejtat e njeriut Ales Bialiatski, organizata ruse të të drejtat e njeriut “Memorial” dhe organizata ukrainase e të drejtave të njeriut “Qendra për Liritë Civile (Center for Civil Liberties)

 

Fituesit e çmimeve të këtij viti përfaqësojnë shoqërinë civile në vendet e tyre të origjinës, tha kryetarja e komitetit Berit Reiss-Andersen në ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Për shumë vite ata kanë bërë fushatë për të mbrojtur të drejtat themelore të qytetarëve dhe të drejtën për të kritikuar ata që janë në pushtet. Fituesit e çmimit kanë bërë përpjekje të veçanta për të dokumentuar krimet e luftës, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe abuzimin me pushtetin. Së bashku ata demonstrojnë rëndësinë e shoqërisë civile për paqen dhe demokracinë, tha Andersen.

Ales Bialiatski u arrestua në Bjellorusi më 14 korrik 2021, së bashku me një duzinë aktivistësh të tjerë të të drejtave të njeriut dhe është dënuar me 12 vjet burg. Qysh në vitin 2011 ai ishte dënuar me katër vjet e gjysmë internim, tre prej të cilave i kaloi në burg.

Organizata ruse e të drejtave të njeriut “Memorial International” u shpërbë me forcë nga një gjykatë në Moskë më 28 dhjetor 2021, kinse se ka shkelur “ligjin e agjentëve”.

Organizata joqeveritare ukrainase “Qendra për Liritë Civile” u themelua në vitin 2007 për të promovuar vlerat e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe solidaritetin në Ukrainë dhe Euroazi dhe për të forcuar parimin e dinjitetit njerëzor. Organizata aktualisht po përpiqet të zbulojë dhe dokumentojë krimet ruse të luftës kundër popullsisë civile ukrainase. Sipas Komitetit të Çmimit Nobel, qendra synon t’i çojë kriminelët para drejtësitë.

 

Çmim prestigjioz, por edhe i debatuar

Çmimi Nobel për Paqen është çmimi më prestigjioz politik në botë. Çmimi i jepet nga Komiteti Norvegjez i Nobelit një personi ose institucioni që ka bërë “punën më të madhe ose më të mirë për vëllazërim midis kombeve, për heqjen ose zvogëlimin e ushtrive të përhershme dhe për organizimin dhe promovimin e kongreseve të paqes” në të kaluarën.

Për çmimin e këtij viti ishin nominuar paraprakisht 343 kandidatë: 251 individë dhe 92 organizata, ndër të to Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), aktivistja për klimën Greta Thunberg, opozitari rus Alexei Navalny si edhe Jacinda Ardern, kryeministre e Zelandës së Re.

Vitet e fundit, Komiteti i Oslos, pesë anëtarët e të cilit emërohen nga parlamenti norvegjez, është bërë pre kritikash për zgjedhjen e laureatit. Një nga laureatët më të diskutueshëm ishte Barack Obama në vitin 2009, ish-presidenti amerikan, ushtria e vendit të të cilit ishte përfshirë në dy luftëra në kohën kur jepej çmimi. Edhe Abiy Ahmed, laureat i vitit 2019, është një laureat tejet i përfolur.  Kryeministri etiopian është pjesërisht përgjegjës për luftën civile në Tigray, e cila filloi vetëm një vit pasi Ahmed kishte marrë çmimin.

Java e çmimeve Nobel filloi të hënën me çmimin për mjekësi, pasuar të martën me dhënien e çmimit të fizikës. Fituesi i çmimit Nobel në Kimi u caktua të mërkurën, ndërsa të enjten ai i Çmimit Nobel në Letërsi. Çmimi Nobel në Ekonomi pason të hënën.

dw

dw

Osmani për Asociacionin: Mbështes çdo iniciativë që s’ka kompetenca ekzekutive

OsmaniPresidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konsideron se mësimdhënësit në Kosovë duhet të paguhen, nëse ka një premtim për kompensimin e planit mësimor të humbur gjatë grevës në muajin shtator.

 

Gjatë një interviste në Pragë për Radion Evropa e Lirë, presidentja e Kosovës flet edhe për përfitimet e Kosovës nga Bashkësia Politike Evropiane, një platformë për koordinim politik e zyrtarizuar në Pragë, më 6 tetor.

Osmani tregon se pse ende nuk është duke u formuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke shtuar se ajo e “mbështet çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Ajo flet edhe për dialogun me Serbinë, ndërsa për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, thotë se është “optimiste e kujdesshme”.

Sa i përket moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit, Osmani thotë se ai vendim bazohet “në vendime diskriminuese të kohës së Millosheviqit” dhe shton se Kosova duhet të jetë “e kujdesshme për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë”.

 

Radio Evropa e Lirë: Zonja presidente, ndodheni në Pragë, ku keni marrë pjesë në Samitin inaugurues të Bashkësisë Politike Evropiane, pjesë e së cilës është ftuar të bëhet edhe Kosova. Çfarë përfiton Kosova nga ky komunitet?

Vjosa Osmani: Kjo është një platformë e re e të gjitha shteteve të kontinentit evropian që ka për qëllim të nxisë edhe më shumë dialogun politik ndërmjet shteteve, të cilat marrin pjesë si të barabarta. Në njëfarë mënyre, të gjitha së bashku, pa marrë parasysh a janë shtete të mëdha apo të vogla, a janë anëtare të Bashkimit Evropian apo jo, e kanë një lloj pronësie mbi këtë iniciativë. Pra, është një përpjekje e përbashkët. Dhe, sipas vetë presidentit Macron, i cili është ideator i kësaj iniciative, kjo platformë është një diskutim, apo një dialog mes të barabartëve. Ky është shpjegimi më i mirë i asaj që synohet.

Është një iniciativë e re, ku diskutohen sfida të përbashkëta, gjenden zgjidhje përpara, por edhe arrihet dakordim për veprimet, me të cilat ne do t’i zgjidhim ato sfida me të cilat ballafaqohemi si kontinent. Dje [6 tetor] ishte vetëm takimi i parë. Rrjedhimisht, diskutimet kanë qenë të fokusuara në pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë, pastaj [te] çështja e ekonomisë dhe energjisë, paqja dhe siguria në kontinentin evropian.

Secili shtet ka pasur mundësinë që të japë kontributin e vet, t’i paraqesë kërkesat e veta. Përveç platformës së përbashkët, ku të gjithë kemi diskutuar me njëri-tjetrin, ka qenë edhe një mundësi e shkëlqyeshme, sidomos për ne si Kosovë, që të takojmë shumicën dërrmuese të liderëve edhe në baza bilaterale, dhe të shtyjmë përpara çështje që janë në interes nacional të Kosovës, siç është çështja e liberalizimit të vizave, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare – sidomos tani në Këshillin e Evropës që është prioriteti i parë i Kosovës… sa u përket sfidave ose të ardhmes multilaterale, por edhe tema të tjera që janë të interesit dypalësh.

Pra, ishte një mundësi e shkëlqyeshme, ku Kosova është e barabartë edhe me 43 shtete të tjera pjesëmarrëse në këtë forum. Besoj që do të jetë një platformë e mirë, ku do të dëgjohet zëri ynë, ku do të mund t’i paraqesim shqetësimet tona, por edhe kontributin tonë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, e rrjedhimisht në gjithë kontinentin evropian.

Optimizëm i kujdesshëm për vizat

 

Radio Evropa e Lirë: E përmendët liberalizimin e vizave. Në BE duket se tani ka një disponim pozitiv për ta çuar përpara këtë proces. A keni marrë garanci se nuk do të bllokohet?

Vjosa Osmani: Ashtu siç ju kam njoftuar edhe me datën 23 qershor, kur isha prezente në Samitin e Bashkimit Evropian, mendoj se kthesa ka qenë pikërisht në atë takim. Aty kam pasur mundësinë të diskutoj me shumicën dërrmuese të liderëve të Bashkimit Evropian, përfshirë ata që deri në ato momente ishin hezitues. Nuk ka pasur asnjë lider të vetëm që ka shprehur ndonjë shqetësim, apo qëndrim kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kjo, në masë të madhe, është edhe [për faktin] se është krijuar një momentum i ri në Evropë – ku BE-ja dëshiron t’i kryejë detyrat e veta, sa u përket shteteve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së dhe e sheh këtë edhe si interes strategjik të vetë saj – por, mbi të gjitha, për shkak të reformave që janë ndërmarrë në këtë një vit e gjysmë në fushën e sundimit të ligjit. Pra, të gjitha këto përmenden si argumente kryesore përse BE-ja dëshiron që të japë një sinjal pozitiv, një dritë të gjelbër në raport me Kosovën në veçanti, por edhe me rajonin në përgjithësi.

Edhe në takimet e djeshme që kisha – diku me mbi 25 liderë, shumë prej të cilëve janë edhe në BE dhe kanë rol determinues për çështjen e vizave – nga të gjithë kam marrë përkrahjen e plotë për çështjen e liberalizimit të vizave. Natyrisht, ka pasur shtete që e kanë pritur konfirmimin e ri nga ana e Komisionit Evropian. Ky komision e ka rikonfirmuar çështjen e përmbushjes së kritereve dje.

 

Përveçse ka konfirmuar që kriteret janë përmbushur që nga viti 2018, ka treguar se çfarë reformash të rëndësishme janë ndërmarrë nga institucionet e Kosovës këtë një vit e gjysmë si një, do të thosha, shtysë pozitive për shtetet anëtare. Të gjithë me të cilët kam biseduar, që kanë pasur hezitime më herët, e kanë përmendur pikërisht çështjen e reformave këtë një vit e gjysmë si faktin që i ka bindur ata që tani ta përkrahin Kosovën.

 

Radio Evropa e Lirë: E di se janë disa hapa për t’u kryer [deri te hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave]. Ju, jeni optimiste se do të finalizohet gjatë Presidencës çeke [të BE-së]?

Vjosa Osmani: Jam optimiste e kujdesshme, sepse e dimë që nganjëherë burokratët brenda shteteve anëtare mund të gjejnë rrugë për të bllokuar procese, mirëpo unë e shoh vullnetin politik tani te liderët e BE-së që të mos bllokohet një gjë e tillë. Prandaj, optimizmi është aty, por duhet ta kuptojmë që procedurat pastaj mund të marrin pak kohë.

Është me rëndësi që takimi më 13 tetor të shkojë mirë dhe pastaj hapat tjerë, që nënkuptojnë edhe miratimin politik të vendimit të 13 tetorit – të grupit punues për vizat – të ndodhin sa më parë.

 

Presidenca çeke është jashtëzakonisht përkrahëse. Kjo është shumë me rëndësi, që përveç institucioneve të BE-së, shteti që ka presidencën, të jetë një shtet që e shtyn përpara, me shumë zell, një temë të caktuar, që të bëhet pjesë e agjendës së vendimmarrjes. Këtë po e bën Presidenca çeke. Dua të falënderoj kryeministrin [çek Petr] Fiala dhe ministrin e Jashtëm, Jan Lipavsky, por edhe ministrat e tjerë që janë të angazhuar, zyrtarët e tjerë që janë të angazhuar. Kanë një përkrahje të jashtëzakonshme në raport me çështjen e liberalizimit të vizave.

Kërkesa që dialogu të intensifikohet

 

Radio Evropa e Lirë: E përmendët që keni zhvilluar disa takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme evropiane, përfshirë takimin trepalësh me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Tashmë e keni bërë të ditur se temë e diskutimeve ka qenë edhe dialogu me Serbinë. A ka diçka konkrete që ju është kërkuar nga Scholz dhe Macron?

Vjosa Osmani: Natyrshëm që kjo është një prej temave që ne e diskutojmë me aleatët tanë, sepse përkrahja e Bashkimit Evropian në këtë proces ka qenë fundamentale, në mënyrë që të kemi sukses përgjatë rrugës sonë. Kërkesë themelore e presidentit Macron dhe e kancelarit Scholz është që ky proces të intensifikohet.

Ne nuk jemi kundër intensifikimit të dialogut, për shkak se mendojmë se është jo vetëm në interes të Kosovës, por edhe gjithë rajonit dhe paqes e stabilitetit afatgjatë që dialogu me Serbinë të përmbyllet. Natyrisht, Serbia është e interesuar që ta zvarrisë këtë përgjithmonë dhe të mos ketë zgjidhje afatgjate që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon, sepse është shtet që ka qëllim destabilitetin. Ashtu edhe mbijeton, duke destabilizuar të tjerët, që është fat i keq për gjithë rajonin tonë.

Pra, angazhimi tejet i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë i presidentit Macron dhe kancelarit Scholz në nivele të tilla të larta është shumë i rëndësishëm dhe pozitiv për Republikën e Kosovës. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë të plotë që të angazhohemi me ta jo vetëm në baza mujore, por edhe në baza ditore në qoftë se është nevoja. Kemi shprehur, po ashtu, përkushtimin e plotë që Kosova të vazhdojë qasjen konstruktive dhe të ofrojë përpara zgjidhje që vetëm kontribuojnë për paqe e stabilitet.

 

Radio Evropa e Lirë: Keni thënë disa herë se dialogu duhet të përmbyllet me njohjen reciproke. Duket se Serbia, tash për tash, nuk pajtohet me një gjë të tillë. Çfarë do të ndodhte me atë rast?

Vjosa Osmani: Serbia nuk pajtohet, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të heqim dorë nga synimi ynë që dialog të përmbyllet me njohje reciproke. Natyrisht që përgjatë kësaj rruge do të ketë shumë çështje të tjera, të cilat mund të zgjidhen ndërkohë.

Një prej tyre ka qenë çështja e energjisë, siç e dini, marrëveshje kjo që u nënshkrua (apo udhërrëfyes në qoftë se mund ta quajmë), para disa muajsh, por për fat të keq, Serbia nuk po e zbaton, përkundër obligimeve të qarta që dalin nga ky udhërrëfyes.

Pastaj një çështje tjetër që mund të sqarohet ndërkohë është çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, të cilën ne po e shtyjmë përpara, që do të duhej urgjentisht të nënshkruhej sepse krijon pastaj obligime për Serbinë që t’i hapë arkivat dhe të tregojë se ku janë mbi 1.600 të zhdukur me dhunë, që akoma nuk i kemi gjetur dhe familjet e tyre jetojnë në ankth qe 23 vjet.

Ka edhe çështje të tjera që ne i kemi propozuar, siç është një pakt për mosagresion apo që do ta parandalonte Serbinë ta sulmojë Kosovën.

Pra, ka çështje të cilat mund të përmbyllen edhe më herët, sepse janë në interes të Kosovës, janë në interes të paqes dhe stabilitetit.

“Komunat mund të bashkohen në OJQ”

 

Radio Evropa e Lirë: Partnerët ndërkombëtarë po ashtu i kërkojnë Kosovës formimin e Asociaconit të komunave me shumicë serbe. A do ta formoni?

Vjosa Osmani: Partnerët ndërkombëtarë, natyrisht, që si parim të përgjithshëm e kanë që çfarëdo që është nënshkruar në Bruksel të zbatohet dhe ju e dini që në vitin 2013 është nënshkruar një marrëveshje, por në vitin 2015 ka pasur një marrëveshje dedikuar në mënyrë të veçantë Asociacionit të komunave serbe. Kjo marrëveshje është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe aty është e qartë që diku 23 nene të Kushtetutës sonë janë shkelur me atë që është dakorduar në Bruksel.

Prandaj, si udhëheqës të Republikës së Kosovës ne i obligohemi Kushtetutës sonë.

 

Radio Evropa e Lirë: A po ndërmerrni hapa të veproni në bazë të kërkesave të Kushtetueses?

Vjosa Osmani: Gjykata Kushtetuese ka treguar qartë që nuk mund të ketë Asociacion të komunave që krijon një entitet njëetnik, nuk mund të ketë Asociacion të komunave me kompetenca ekzekutive dhe nuk mund të ketë Asociacion, i cili krijon një shtresë të re apo të ndërmjetme të qeverisjes ndërmjet komunave dhe nivelit qendror, sepse të gjitha këto do të ishin në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Prandaj, pak a shumë, e ka trasuar rrugën përpara. Gjykata lejon që të formohen asociacione pa kompetenca ekzekutive, që nuk janë njëetnike. Pra, janë bashkim komunash që bashkohen për çështje të caktuara ose agjenda të caktuara dhe lobojnë për to tek institucionet qendrore.

 

Radio Evropa e Lirë: A po punoni ju që këtë marrëveshje t’ua përshtatni kërkesave të Gjykatës Kushtetuese?

Vjosa Osmani: Ajo çfarë kërkon Gjykata Kushtetuese tashmë ekziston në Ligjin e Kosovës për vetëqeverisje lokale, pra nuk është që Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë hap.

 

Radio Evropa e Lirë: Pse nuk formohet Asociacioni, atëherë?

Vjosa Osmani: Sepse vetë komunat nuk po e ndërmarrin një iniciativë të tillë.

 

Radio Evropa e Lirë: Ju e mbështesni formimin e Asociacionit?

Vjosa Osmani: Unë mbështes çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ.

Atë të drejtë e kanë me Ligjin për vetëqeverisje lokale, i cili ekziston qysh nga themelimi i Republikës së Kosovës, pra është një prej ligjeve që buron nga Pakoja e Ahtisaarit. Atë të drejtë e kanë, atë që ua jep Gjykata Kushtetuese, atë tashmë e kanë. Pra, nuk kërkohen hapa shtesë nga Republika e Kosovës, sepse ata hapa tashmë janë ndërmarrë dhe janë përligjur. Janë pjesë e ligjeve aktuale në Republikën e Kosovës.

Në qoftë se dikush dëshiron që t’i bashkojë komunat rreth agjendave të caktuara për të shtyrë përpara interesa, për të lobuar për ato interesa ashtu siç është edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, pra e regjistruar si një OJQ, ato gjëra nuk iu ndalohen.

Por, në qoftë se dikush kërkon kompetenca ekzekutive, kërkon që të shkojë përtej Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, natyrisht që gjëra të tilla nuk lejohen dhe ne nuk mund të shkojmë përtej Kushtetutës sonë.

 

Radio Evropa e Lirë: Në bazë të kësaj që thoni, nuk ka asnjë pengesë për formimin e Asociacionit?

Vjosa Osmani: Ligji për vetëqeverisje lokale parasheh që komunat mund të bashkohen në OJQ për të shtyrë përpara, për të lobuar për interesa të caktuara, por pa kompetenca ekzekutive. Pra, ligji ekziston dhe atë ligj nuk e kemi miratuar ne. Ai ligj ka ekzistuar për shumë vite me radhë dhe i parasheh pikërisht ato që i ka potencuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese.

 

Radio Evropa e Lirë: Meqë jemi te Gjykata Kushtetuese, si e komentoni faktin që Kosova nuk është duke e zbatuar vendimin për tokën e Manastirit të Deçanit?

Vjosa Osmani: Aty kemi të bëjmë me një vendim që bazohet në vendimet diskriminuese të kohës së Millosheviqit dhe këtu është e gjithë përgjigja. Madje, edhe në vitin 1999 kur Kosova administrohej nga Kombet e Bashkuara, rregullorja e parë e UNMIK-ut në Kosovë lidhur me ligjet e aplikueshme në Kosovë pati paraparë që vendimet dhe ligjet e kohës së Millosheviqit nga marsi i vitit 1989 deri në qershor 1999 janë të pazbatueshme në Kosovë për shkak të natyrës së tyre diskriminuese.

Mos harroni që Millosheviqi ka dhënë e ka marrë toka në vitet ‘90 pa asnjë kriter, pa asnjë vendim, pra komplet mbi baza diskriminuese. Dhe, madje, këtë e ka bërë edhe gjatë viteve 1998-‘99, kur kemi qenë në luftë, kur kryente gjenocid kundër popullit të Kosovës. Pra, ky është problemi themelor sa i përket këtij vendimi.

 

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, ekziston një vendim i instancës më të lartë gjyqësore. Atëherë, si pritet të shkojë, si pritet të zgjidhet kjo çështje?

Vjosa Osmani: Unë mendoj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë, sepse pastaj institucionet e Kosovës nuk mund të thonë ne po e zbatojmë një vendim, i cili buron nga koha e Millosheviqit, por jo edhe qindra e mijëra të tjerë.

Pra, do të krijonte probleme marramendëse në Republikën e Kosovës. Askush në Republikën e Kosovës nuk është kundër kishave ortodokse. Ne e shohim multietnicitetin dhe shumëllojshmërinë e religjioneve në Kosovë si vlerë, si pasuri. Askush nuk e sulmon Kishën Ortodokse Serbe. Përkundrazi, Kosova ka ligje për zonat e veçanta ku kishat dhe pronat e tyre i konsideron si zona të mbrojtura – ligje që nuk ekzistojnë në asnjë vend të Evropës. Pra, ne kemi shkuar përtej standardeve evropiane dhe ndërkombëtare sa i përket mbrojtjes që ofrojmë për kishat dhe Kishën Ortodokse në Republikën e Kosovës. Pra, është vlerë.

Burimi i mbrojtjes së atyre kishave, në qoftë se shkojmë mbrapa në histori, është pikërisht te populli shqiptar. Shqiptarët i kanë mbrojtur këto kisha, përfshirë Manastirin e Deçanit në të kaluarën. Pra, ato nuk janë në rrezik, ato mbrohen nga institucionet e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me KFOR-in. Nuk i sulmon askush, askush nuk ndërton në pronat e tyre. Pra, nuk ka asnjë arsye askush për t’u brengosur për sigurinë e kishave, qofshin ato ortodokse apo katolike, apo për sigurinë e xhamive apo çfarëdo monumenti tjetër kulturor apo fetar në Republikën e Kosovës. Në fakt, Kosova është shembull për mbrojtjen e trashëgimisë së saj kulturore dhe fetare.

 

Radio Evropa e Lirë: SHBA-ja e mbështetë Ballkanin e Hapur, Bashkimi Evropian e mbështetë. Pse Kosova nuk është pjesë e tij?

Vjosa Osmani: Unë nuk do të thosha me aq siguri që SHBA-ja apo Bashkimi Evropian e mbështesin Ballkanin e Hapur. Ne e kemi pasur një takim me sekretarin e Shtetit [Antony Blinken] dhe kjo çështje as nuk është ngritur as nuk është kërkuar nga ana jonë. Në anën tjetër, në deklarata të disa zyrtarëve të Departamentit të Shtetit është thënë që parakusht për mbështetjen e plotë të kësaj iniciative nga ana e Shteteve të Bashkuara është që ajo t’i përfshijë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Dhe, ju e dini, është një iniciativë me tri shtete, jo me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Rrjedhimisht, parakushti themelor i SHBA-së, pra gjithëpërfshirja, akoma nuk është përmbushur. Të njëjtën gjë e kemi dëgjuar edhe nga zyrtarët e Bashkimit Evropian. Pra, nuk ka zyrtar të lartë të BE-së që neve na ka kërkuar që të hyjmë në Ballkanin e Hapur.

Përkundrazi, në takimet tona të mbyllura shprehet një dozë e madhe e skepticizmit nga ana e zyrtarëve të Bashkimit Evropian në raport me këtë iniciativë.

Ne kemi shprehur shqetësimet tona që kanë të bëjnë me mungesën e gjithëpërfshirjes që nga lindja e iniciativës, që është parakusht, dhe mungesën e trajtimit të barabartë të të gjithëve. Kosova nuk hyn në nisma, në të cilat nuk trajtohet si e barabartë. Dhe, unë besoj që në ato nisma në të cilat Serbia ka rol kyç, ne as nuk mund të presim që të trajtohemi si të tillë.

Shqetësimet tjera kanë të bëjnë me çështje të integrimit evropian që mund të keqpërdoren si një dhomë pritjeje afatgjate. Pastaj kemi shqetësime nga aspekti i ekonomisë dhe i sigurisë dhe të gjitha këto ua kemi bërë të ditura të gjithë partnerëve tanë dhe ata e respektojnë këtë qëndrim.

 

Radio Evropa e Lirë: I dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, megjithatë e ka thënë se kjo është një nismë më ekonomike dhe jo politike dhe do të ishte mirë të bashkoheshin.

Vjosa Osmani: Asgjë në Ballkanin Perëndimor nuk mund t’i ikë atij lensit politik. Gjithçka, në fakt, është politike sidomos bëhet edhe më shumë politike kur Serbia ka rol kyç në të. ​

Për raportet me Ramën: Ai i quan krimet në Kosovë thjesht “spastrim etnik”

 

Radio Evropa e Lirë: Dua të ndalem pak te marrëdhëniet tuaja me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ku është krijuar çarja?

Vjosa Osmani: Nuk ka çarje që ka të bëjë me raporte ndërpersonale, sepse ato janë tërësisht të parëndësishme dhe do të jenë gjithnjë të parëndësishme. Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë dhe do të kenë gjithnjë raporte vëllazërore dhe kjo nënkupton që ne e përkrahim kudo që mundemi dhe Shqipëria na përkrahë neve si Republikë e Kosovës kudo që mundet.

 

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë gjithçka është në rregull me kryeministrin Rama? Keni pasur rastin ta takoni dje? ​

Vjosa Osmani: Jo, sepse natyrisht që fokusi im ka qenë që të marr përkrahjen e shteteve, të cilën [përkrahje] nuk e kemi akoma dhe jo përkrahjen e shteteve të cilën e kemi. Dhe, natyrisht që përkrahjen e Shqipërisë, sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ne e kemi të qartë.

Nuk kam nevojë unë ta bind Shqipërinë që të votojë pro Kosovës, ta zëmë në Këshillin e Evropës, por kam nevojë që t’i bindi shumë shtete të tjera që janë anëtarë të Këshillit të Evropës që të na përkrahin në këtë proces të anëtarësimit dhe fokusi i takimeve bilaterale ka qenë aty. Sa i përket çështjeve, të cilat na ndajnë, ne jemi pajtuar për të mos u pajtuar, sa i përket çështjes së Ballkanit të Hapur dhe pastaj ka çështje të tjera të cilat unë, thjesht, nuk kam nevojë t’ju tregoj juve se çfarë qëndrimi ka Shqipëria, sepse ai qëndrim është publik.

Është publik qëndrimi i kryeministrit Rama sa i përket Serbisë dhe mund ta gjeni në fjalimet e tij. Është publik qëndrimi i tij ku i quan krimet në Kosovë thjesht spastrim etnik, kurse ato në Bosnje gjenocid kur në fakt ju e dini shumë mirë se edhe gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ICTY-në, kanë vendosur që në Kosovë janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Dhe, ne jemi të bindur që do të dëshmohet shumë shpejt edhe gjenocidi i kryer në Kosovë, sepse qëllimi i Serbisë nuk ka qenë thjesht t’i dëbojë kosovarët, qytetarët shqiptarë nga Kosova. Qëllimi ka qenë shfarosja e popullit të Kosovës.

Mjafton të shihni se si janë kryer disa nga masakrat më makabre, përfshirë [ato]në Gjakovë, në Poklek të Drenasit… në Prekaz, në Mejë të Gjakovës, në Reçak e shumë vende të tjera, për ta kuptuar se qëllimi ka qenë shfarosja dhe jo vetëm dëbimi.

Pra, të reduktohet kjo thjesht në dëbim është dëm i madh ndaj gjithë sakrificës së popullit shqiptar.

Natyrisht, këto nuk janë çështje që unë kam nevojë t’i them, por meqenëse po pyesni, po e sqaroj se në qoftë se dikush - pavarësisht kush është, në Kosovë, në Shqipëri, madje edhe në SHBA dhe Evropë – thotë që në Kosovë është kryer vetëm spastrim etnik, natyrisht se përgjigja jonë është që edhe vetë NATO-ja kur ka ndërhyrë në Kosovë ka dhënë deklaratë zyrtare që po ndërhyn për ta ndalur gjenocidin që po ndodhte në Kosovë.

Kancelari [Olaf] Scholz, në konferencë për media me Putinin e tha që në Kosovë ka qenë duke ndodhur gjenocid, prandaj kemi ndërhyrë. Pra, në fytyrë ia tha Putinit që në Kosovë ka qenë duke ndodhur gjenocid. Presidenti [Joe] Biden e ka thënë këtë punë në Senat në atë kohë kur ishte senator përgjatë luftërave në Bosnje dhe në Kosovë, prandaj e tëra që ne kërkojmë është që të thuhet e vërteta dhe vetëm e vërteta.

Nuk kemi nevojë të shpikim, sepse e vërteta është mjaftueshëm e tmerrshme rreth asaj se çfarë i ka ndodhur popullit shqiptar në Kosovë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Është me rëndësi për ne – sidomos tani që Serbia udhëhiqet nga ministri i propagandës së Millosheviqit – që ta themi të vërtetën për popullin shqiptar në Kosovë dhe për sakrificat, si dhe për krimet e tmerrshme që janë kryer kundër nesh, në mënyrë që të kemi mundësi që të trasojmë rrugën drejt drejtësisë, sepse viktimat në Kosovë meritojnë drejtësi.

Mijëra gra të dhunuara, meritojnë drejtësi, familjet e të zhdukurve meritojnë drejtësi. Fëmijët e vrarë, të masakruar e të djegur madje për së gjalli – kemi numrin më të madh nga të gjithat luftërat në ish-Jugosllavi – ata meritojnë drejtësi dhe për të kërkuar drejtësi, për të qenë të suksesshëm në drejtësi, ne duhet ta themi të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

E vërteta e Kosovës është që kundër popullit që unë përfaqësoj është kryer gjenocid.

Spastrimi etnik ka qenë vetëm një element, andaj të reduktohet në të është diçka që kërkon që secili prej nesh në Republikën e Kosovës ta ngritë zërin.

 

Radio Evropa e Lirë: Zonja presidente, një çështje tjetër ku dua të ndalem është edhe greva, greva e sektorit publik në Kosovë, edhe pse për nga rëndësia që ka në publik me siguri që do të duhej ta përmendja edhe më herët. A duhet të paguhen mësimdhënësit? ​

Vjosa Osmani: Natyrisht se është një kohë shumë-shumë e vështirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, edhe për shkak të inflacionit, edhe për shkak të krizës energjetike, të gjitha këto probleme globale, me të cilat po ballafaqohet secili vend në Evropë.

Prandaj, jeta nuk është e lehtë tani për qytetarët e Republikës së Kosovës. Unë i kam takuar sindikatat në kohën kur e filluan grevën, e kam takuar Këshillin e Prindërve, Këshillin e Nxënësve. Kam biseduar vazhdimisht me ministritë përkatëse rreth një zgjidhjeje, sipas së cilës të gjithë do të mund të ndaheshin të kënaqur, edhe pse natyrisht situata është shumë e rëndë që t’i kemi që të gjithë të kënaqur.

Tani duhet ta kemi parasysh që në njërën anë Qeveria është duke u përballur me një situatë tepër të rëndë sa i përket krizës energjetike dhe duhet të sigurohemi që kemi buxhet të mjaftueshëm për të blerë energjinë që këtë dimër ta kalojmë në mënyrën sa më të lehtë të mundshme.

E dyta, në anën tjetër duhet të sigurohemi që mësimdhënësit, por edhe të gjithë punëtorët, të gjithë qytetarët në Kosovë e kalojnë pak më lehtë këtë inflacion.

Prandaj, është propozuar Pakoja e inflacionit që iu ndihmon të gjithë zyrtarëve publik, jo vetëm me 50 euro në pagë, por edhe me subvencionim të energjisë edhe pastaj me ndihma për pensionistët në secilën familje, për studentët në secilën familje. Pra, pak a shumë, në qoftë se shikohet se çfarë u kanë ofruar institucionet e Kosovës sindikatave të arsimit dhe sindikatave të tjera, është gati se po mbërrijmë tek ai 100 eurosh për familje, edhe pse ndoshta jo për secilin mësues, por për secilën familje po. Kjo është ndihma që është ofruar.

Unë mendoj se greva është dashur të ndërpritet menjëherë kur është ofruar kjo pako që ka qenë në fillim të shtatorit, sepse as nuk do të dëmtoheshin nxënësit, as nuk do të dëmtoheshin mësimdhënësit dhe shoqëria jonë, në përgjithësi.

Tani që greva ka rezultuar me humbje të madhe për fëmijët, e kemi një ligj, Ligjin për grevat, i cili ka një diskrepancë, nenin 13 në njërën anë që nuk lejon që të dëmtohen në aspektin material mësimdhënësit dhe e kemi nenin 18, në anën tjetër, që e obligon Qeverinë që të mos i paguajë në rast të grevave. ​

 

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, këtu ka dallim. Mësimdhënësit nuk janë paguar [deri në orët e pasdites të së premtes]. Pjesa tjetër e sektorit publik, që po ashtu ka qenë në grevë, është paguar. A duhet të paguhen mësimdhënësit, nuk kanë marrë paga në shtator?

Vjosa Osmani: Unë mendoj që në momentin që kompensohen, në qoftë se ka një premtim për kompensim, absolutisht duhet të paguhen. Pra, duhet të arrihet një dakordim për kompensim të orëve ndërmjet Ministrisë së Arsimit në këtë rast dhe mësimdhënësve drejtpërdrejt dhe në momentin që ka dakordim për kompensim të orëve, por ai kompensim duhet të bëhet në mënyrë që nuk i dëmton fëmijët, nuk i dëmton familjet, nuk i dëmton prindërit.

Në momentin që ka dakordim për kompensim, duhet në avans që të paguhen pagat e shtatorit. Kompensimi, nuk do të thosha i orëve, por i planit mësimor sepse duhet të sigurohet secili mësues që plani mësimor vjetor të përputhet me orët që ata i mësojnë nxënësit, sepse nuk mund të mbetet plani mësimor vjetor në gjysmë.

Pra, duhet të dakordohen për këtë plan dhe pastaj në avans të jepen pagat e shtatorit – gjithnjë duke gjetur një interpretim ligjor. Kjo, sepse siç e përmenda, për momentin ekziston një diskrepancë ligjore për aq sa është analizuar nga ekipi im ligjor për këta muaj, në fakt, jo vetëm tash së fundi, por besoj se një zgjidhje duhet të gjendet urgjentisht në mënyrë që të mos dëmtohen mijëra familje në këtë situatë të rëndë.

 

Nga Praga dërgohet mesazh i qartë për Rusinë

liderët e 44 vendeve evropianeKomuniteti Politik Evropian me 44 shtete dërgon sinjal të qartë se Rusia është e izoluar në Evropë. Edhe vendtakimi i ardhshëm i samitit është sinjal drejt Moskës.

 

Në Pragë të Çekisë u mblodhën liderët e 44 vendeve evropiane për t’i dërguar një sinjal të qartë Rusisë se Evropa është e bashkuar dhe pa të. Emanuel Macron, ideatori i  Komunitetit Politik Evropian, tha nga Praga se samiti përurues i Bashkësisë Politike Evropiane  “tregon unitetin e kontinentit evropian, teksa ai po përballet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë”. Sipas tij synimi, pikë së pari, është “të këmbehen pikëpamjet për situatën në  Evropë, por po ashtu për të ndërtuar një strategji të përbashkët”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi rëndësinë e takimit për të demonstruar unitet në rrethanat e Luftës së Rusisë në Ukrainë: “Ata që po takohen këtu e dinë se sulmi rus ndaj Ukrainës është shkelje brutale e rendit të sigurisë dhe paqes që kemi pasur në Evropë në dekadat e fundit. Është e rëndësishme që ky sulm të mos pranohet, ne nuk pranojmë që pjesë të fqinjit tonë të aneksohen”, tha Scholz.

 

Scholz: KPE nuk do të jetë institucion me administratë

Ndërsa, sa i përket Samitit Kancelari i Gjermanisë tha se duhet pasur kujdes që forumi i Komunitetit Politik Evropian të mos shndërrohet në një institucion të ri ndërkombëtar. “Nuk kemi të bëjmë me krijimin e një institucioni të ri me administratë dhe burokraci. Ky takim duhet të na shërbejë për të biseduar me njëri-tjetrin për gjëra konkrete”.

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell tha se “Komuniteti synon të krijojë një strukturë të re sigurie, por pa Rusinë”. Borrell tha se Komuniteti Politik nuk do ta përjashtojë Rusinë përgjithmonë, por “kjo Rusi, Rusia e Putinit, nuk ka vend këtu”.

Komuniteti Politik Evropian, sipas Presidencës Çeke të radhës së Bashkimit Evropian nuk do të jetë zëvendësuese  e procesit të zgjerimit, sidomos me vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

Osmani: Integrimi euroatlantik garanci për paqe

Në Samitin e Pragës, krahas shteteve anëtare të BE-së, ishin të pranishëm edhe 16 shtete jo anëtare, ndër to edhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ritheksoi “orientimin strategjik të Kosovës për integrimin euroatlantik si garancia më e mirë për paqen dhe sigurinë në rajon.” “Shtetet evropiane duhet të qëndrojnë të bashkuara në qëndrime dhe veprime kundër synimeve hegjemoniste dhe destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve saj në Evropë dhe në rajonin tonë në veçanti. Ky unitet duhet të tregohet përmes bashkëpunimit për çështje të sigurisë, ekonomisë, energjisë, luftimit të propagandës dhe sulmeve kibernetike,” ka thënë Presidentja Osmani.

Ndër shtetet e ftuara ishte edhe Serbia e cila është një nga vendet që nuk pranon t’u bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Para Samitit, zyrtarë evropianë thanë se ata presin që ky takim të jetë një mundësi ku Beogradit zyrtar do t’i kërkohet sërish të respektojë politikën evropiane të sanksioneve kundër Rusisë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq u tha gazetarëve se “nuk ka frikë nga ata që kërcënojnë Serbinë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe se përgjigja ndaj liderëve evropianë do të jetë e denjë, e përgjegjshme, serioze dhe e gjerë”.

 

Takime të ndara

Në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian po zhvillohen takime të ndara, mes të cilave edhe takimi i përbashkët i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Takim të ngjashëm me liderët gjermanë dhe francezë do të mbajë edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuҫiq.

Komuniteti Politik Evropian, Samiti i parë i së cilit po mbahet në Pragë, është një platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron. Mbi këtë platformë janë bashkuar liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe liderët e 16 vendeve të tjera evropiane, por janë lënë jashtë Rusia dhe Bjellorusia.

 

Samiti i radhës në Moldavi

Një sinjal për izolimin e Rusisë dërgoi takimi edhe me shpalljen e vendtakimit të ardhshëm: pikërisht në Moldavi, e cila ndodhet në presion të vazhdueshëm të Rusisë. Gëzohemi që do të presim në pranverën e vitit të ardhshëm në kryeqytetin Chisinau krerët e shteteve evropiane, tha presidentja e Moldavisë Maia Sandu. Takimet e mëpasshme do të vijojnë në Spanjë dhe Britaninë e Madhe.

Komuniteti Politik Evropian, është një platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron. Mbi këtë platformë janë bashkuar liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane, por janë lënë jashtë Rusia dhe Bjellorusia. Sipas presidentit francez, Macron, nisma synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

dw

Komuniteti Politik Evropian mblidhet për një “rend të ri” pa Rusinë

gas i pergjakshem i putinitUdhëheqësit e 44 vendeve evropiane mblidhen të enjten në Pragë për takimin përurues të Komunitetit Politik Evropian, në një shfaqje që synon të nxisë rrisë sigurinë dhe përparimin në kontinentin e goditur nga krizat.

 

Kritikët pretendojnë se është e paqartë se çfarë synohet me këtë forum dhe nëse ai mund të shërbejë më shumë si një frenues i zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Një nismë e presidentit francez Emmanuel Macron, komuniteti mbledh 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe 17 vende të tjera, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor si dhe Britaninë e Madhe e cila në vitin 2016 votoi për t’u larguar nga blloku.

Në takimin e sotëm do të diskutohen sfidat kryesore me të cilat përballet Evropa; siguria, energjia, klima, situata e rëndë ekonomike dhe migrimi.

Diplomatët evropianë thanë se mbledhja e kaq shumë udhëheqësve në Pragë do t’i dërgojë “një sinjal shumë të fortë” kundërshtimi presidentit rus Vladimir Putin për agresionin rus në Ukrainë.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell shkroi se “kjo nuk nënkupton se duam ta përjashtojmë përgjithmonë Rusinë, por nuk ka vend për Rusinë e Putinit”.

Bashkimi Evropian i ka vendosur disa rrathë sanksionesh Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë dhe u ka bërë thirrje edhe vendeve që aspirojnë anëtarësimin të harmonizojnë politikat e tyre me bllokun.

Serbia një kandidate Serbia, një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, varet nga Rusia për furnizimet e saj me gaz natyror dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës. Kjo pritet të jetë ndër temat e diskutimeve ndërmjet zyrtarëve evropianë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç përgjatë punimeve të takimit të sotëm në Pragë.

Nisma për Komunitetin Politik Evropian pasoi trysninë politike në rritje për t’i mundësuar Ukrainës anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa Rusia ka hyrë në muajin e tetë të agresionit kundër fqinjit të saj.

Kritikët kanë ngritur shqetësime se Komuniteti Politik Evropian mund të bëhet një “biletë e klasit të dytë” për t’u bashkuar me bllokun duke pasur parasysh ritmin pothuajse të ngrirë të bisedimeve për anëtarësim vitet e fundit.

Disa vende të Ballkanit kanë pritur rreth dy dekada dhe ndodhen në faza tyë ndryshme të proceseve integruese. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, u ulen në muajin korrik të këtij vitit në të njëjtën tryezë me vendet anëtare të BE-së, në Konferencën e parë ndërqeveritare, duke shënuar kështu nisjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim, pas një kalvari të gjatë pritjeje, zvarritjesh dhe pengesash.

Zgjerimi i mundshëm i BE-së mund të përfshijë gjashtë vende të Ballkanit, dhe mbase Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë në të ardhmen. Ndërkohë shpresat e Turqisë janë në pritje.

voa

Borrell: Në Pragë po krijojmë një rend të ri pa Rusinë

BorrellLiderët e 44 vendeve evropiane, më 6 tetor, do të dërgojnë një sinjal të qartë nga Praga për izolimin e Rusisë dhe do të përpiqen të krijojnë një rend të ri pa të, tha përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.

 

“Në takim do të bëhen përpjekje për të krijuar një rend të ri pa Rusinë. Kjo nuk do të thotë se ne duam ta përjashtojmë Rusinë përgjithmonë, por kjo Rusi, Rusia e Putinit, nuk ka vend”, u tha Borell gazetarëve në Pragë.

“Ky është sinjali që duam të dërgojmë, se fatkeqësisht nuk mund të ndërtojmë një rend sigurie me Rusinë. Rusia është e izoluar… Nuk keni vend, të gjithë të tjerët janë këtu”, theksoi Borell.

Kryeministri i Republikës Çeke, e cila kryeson Bashkimin Evropian, Petr Fiala paralajmëroi për samitin e parë të 44 krerëve të shteteve në Evropë – të gjithë përveç Rusisë dhe Bjellorusisë – si një mundësi për diskutime më joformale mbi çështjet e sigurisë dhe paqes, krizës ekonomike dhe energjetike, si dhe synimet e mbrojtjes së mjedisit.

“Presidenca çeke e BE-së po përballet me sfida dhe kriza të mëdha nëpër të cilat po kalon Evropa dhe të cilat do të jenë temë e diskutimeve të para të bashkësisë politike evropiane, qoftë paqja dhe siguria, energjia, mjedisi, ekonomia”, tha nikoqiri i samitit, Fiala.

“Qëllimi nuk është që të arrihen konkluzione me shkrim, ndonjë përfundim me shkrim. Qëllimi është që të diskutohet dhe të krijohet një lloj marrëveshjeje kornizë lidhur me veprimet e mëtejshme të vendeve evropiane në ato fusha”, shtoi ai.

Ndër ata që do të takohen në kështjellën historike të Pragës më 6 tetor janë liderët e Shqipërisë, Armenisë, Azerbajxhanit, Bosnjës, Gjeorgjisë, Islandës, Kosovës, Lihtenshtajnit, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Norvegjisë, Serbisë dhe Zvicrës.

Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, do të marrë pjesë personalisht, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky do të bashkohet me video-lidhje.

Republika Çeke, si mikpritëse e samitit, fillimisht ishte skeptike ndaj nismës së re politike të presidentit francez. Madje në Pragë e quajtën hapur si “kurthi i Macronit”, pasi këshilltari i kryeministrit çek Tomas Pojar, nga frika se vendet e BE-së që nuk janë të interesuara për anëtarë të rinj – përfshirë Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – mund të përdorin këtë format për të vonuar zgjerimin e BE-së.

“Vendet skeptike si Franca mund t’u ofrojnë vendeve kandidate Bashkësisë Politike Evropian (KPE) dhe ta bëjnë atë një dhomë pritjeje të përjetshme për hyrje në BE-në”, tha eurodeputeti Aleksandar Vondra, ish-ministër i Mbrojtjes në qeveritë e Partisë Demokratike Qytetare.

Bashkësia Politike Evropiane nuk do të jetë zëvendësues i procesit të zgjerimit dhe anëtarësimit në BE, në radhë të parë të Ballkanit Perëndimor, është thënë edhe nga zyrtarët çekë në prag të samitit, për të cilët, pavarësisht nga ana e spektrit politik, zgjerimi për këtë rajon është një prioritet i vazhdueshëm i politikës së jashtme.

“KPE-ja nuk është gjë tjetër, përveç se që të mendojmë se si BE-ja, në këto kohë të vështira kur kemi një luftë në Ukrainë, mund të krijojë një bashkëpunim më të ngushtë me një sërë vendesh jashtë BE-së, qoftë Britania e Madhe, Norvegjia apo Zvicra. Natyrisht edhe Ukraina dhe Turqia, sepse Parlamenti Evropian po zhvillon një sërë debatesh rreth asaj se çfarë mund t’i ofrojë BE-ja Ukrainës dhe Turqisë”, tha eurodeputetja çeke Dita Haranzova.

rel

Si do të ndikojë tek inflacioni ulja e prodhimit të naftës nga OPEC-u?

karburanttiVendet kryesore të prodhimit të naftës, të udhëhequra nga Arabia Saudite dhe Rusia, kanë vendosur të ulin sasinë e naftës me të cilën furnizojnë ekonominë globale.

 

Dhe mekanizmi i tregut që funksionon bazuar tek kërkesa dhe oferta sugjeron se kjo mund të nënkuptojë vetëm një gjë: pritet rritje e çmimeve për karburantin krudo, si dhe për naftën, benzinën dhe vajin për ngrohje, të cilat janë të gjitha nënprodukte hidrokarbure.

Vendimi nga OPEC+ për të ulur prodhimin me 2 milionë fuçi më pak në ditë, fillon të zbatohet muajin e ardhshëm, ndërsa vendet aleate perëndimore po përpiqen të vendosin kufizime ndaj fondeve që përfiton nga nafta makineria luftarake e Moskës që nga momenti kur filloi sulmin në Ukrainë.

Le t’i hedhim në vazhdim një vështrim më të gjerë vendimit të OPEC-ut dhe se çfarë mund të nënkuptojë ky vendim për ekonominë dhe për nivelin e çmimit të naftës.

 

PËRSE PO UL OPEC-u PRODHIMIN?

Ministri i energjisë i Arabisë Saudite, Abdulaziz bin Salman, thotë se OPEC-u po tregohet proaktiv duke përshtatur furnizimin për t’i paraprirë një rënieje të mundshme të nivelit të kërkesës, pasi ekonomisë globale që po ngadalësohet do t’i duhet më pak karburant për udhëtimet dhe për industrinë.

“Po kalojmë një periudhë pasigurish të ndryshme që mund të na dalin përpara; është një re që po ngryset”, tha ai, dhe shtoi se OPEC-u po përpiqet t’u paraprijë zhvillimeve. Ai e cilësoi rolin e këtij grupi si “një forcë moderuese, për të sjellë stabilitet”.

Çmimet e naftës kanë rënë, pas një vere me çmime të larta. Krudoja ka rënë me 24%, krahasuar me mesin e qershorit, kur shitej me çmimin 123 dollarë për fuçi. Tashmë është në nivelin 93.5 dollarë.

Një arsye e madhe për rënien është frika se pjesë të mëdha të ekonomisë globale po shkojnë drejt recensionit, ndërsa çmimet e larta të energjisë (për naftën, gazin natyror dhe elektricitetin) po nxisin inflacionin dhe po ua pakësojnë konsumatorëve fuqinë blerëse.

Një tjetër arsye: Rritjet në verë ndodhën për shkak të frikës se tregu do të humbiste pjesën më të madhe të naftës të prodhuar në Rusi, për shkak të luftës në Ukrainë.

Ndërsa kompanitë perëndimore i qëndronin larg naftës ruse edhe pa filluar sanksionet, kompanitë në Indi dhe Kinë i blenë këto fuçi me ulje të mëdha, dhe kështu efekti tek furnizimi nuk ishte aq i keq sa ç’pritej.

Prodhuesit e naftës i ruhen një rënieje të papritur në çmime nëse ekonomia globale fillon të bjerë me shpejtësi më të madhe se ç’pritej. Kjo është ajo që ndodhi gjatë pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe gjatë krizës financiare globale në 2008-2009.

 

SI PO E KUFIZON PERËNDIMI NAFTËN RUSE?

Shtetet e Bashkuara dhe Britania vendosën ndalime që ishin përgjithësisht simbolike pasi asnjë prej tyre nuk importon sasi të mëdha nafte ruse. Shtëpia e Bardhë nuk i ushtroi presion Bashkimit Evropian për të vendosur ndalim të importeve, pasi vendet e BE-së merrnin rreth një të katërtën e naftës nga Rusia.

Në fund të ditës, unioni prej 27 vendesh vendosi të bllokojë më 5 dhjetor naftën ruse që sillet me anije, ndërkohë që do të ruajë një sasi të vogël furnizimi me naftësjellësa, tek të cilët mbështeten shumë prej vendeve evropiane.

Përtej kësaj, Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore demokratike të Grupit të Shtatëshes po qartësojnë detajet e vendosjes së një tavani çmimi për naftën ruse. Kjo do të ndikonte tek kompanitë e siguracionit dhe të tjera që ndihmojnë transportimin e naftës nga Rusia drejt vendeve të tjera. BE-ja miratoi një legjislacion të ngjashëm këtë javë.

Shumë nga këto kompani i kanë selitë në Evropë dhe atyre do t’u ndalohet veprimtaria me naftën ruse nëse çmimi do të jetë mbi tavanin e caktuar.

 

SI DO TË PËRPLASEN ULJA E PRODHIMIT, TAVANET E ÇMIMIT DHE EMBARGOT?

Ideja për vendosjen e një tavani në çmim synon që ta lejojë transportimin e naftës ruse drejt tregjeve botërore, por me çmime më të ulëta. Kjo mund të largojë më shumë naftë ruse nga tregu dhe mund t’i rrisë çmimet më tej.

Kjo mund të rrisë edhe çmimin e karburantit për individët.

Çmimet e karburantit në Shtetet e Bashkuara që arritën një rekord prej 5.2 dollarë për gallon në mesin e qershorit, ranë rishtazi, por kanë rifilluar të rriten, duke krijuar kështu probleme politike për Presidentin Joe Biden një muaj përpara zgjedhjeve të mesmandatit.

Presidenti Biden, ndërsa përballet me nivele rekord inflacioni të 40 viteve të fundit, kishte përmendur si arritje çmimet në rënie të karburantit.

Gjatë javës së kaluar, çmimi mesatar në mbarë vendin u rrit me 9 centë për gallon, në nivelin 3.87 dollarë. Kjo është 65 centë më shumë se ç’paguanin amerikanët një vit më parë.

“Është një zhgënjim, dhe po shqyrtojmë se çfarë alternativash kemi”, u tha Presidenti Biden gazetarëve në lidhje me vendimin e OPEC-ut.

 

A DO TA PËRKEQËSOJË INFLACIONIN ULJA E PRODHIMIT TË NAFTËS NGA OPEC-u?

Duket se po. Nafta krudo duket se do të arrijë në 100 dollarë për fuçi në dhjetor, thotë Jorge Leon, zëvendës president në kompaninë Rystad Energy. Ky është çmim më i lartë se çmimi prej 89 dollarësh që ishte parashikuar fillimisht.

Një pjesë e uljes së prodhimit me 2 milionë fuçi në ditë reflektohet vetëm në letra, pasi disa prej vendeve të OPEC-ut nuk janë në gjendje të arrijnë kuotën e tyre të prodhimit. Pra mund të bëhet një ulje realisht me vetëm 1.2 milionë fuçi në ditë.

Kjo do të ketë sidoqoftë një efekt domethënës në çmime, thotë zoti Leon.

“Çmimet më të larta të energjisë do të shtojnë pashmangshmërisht dhimbjen e inflacionit, të cilin po e luftojnë bankat qendrore, dhe çmimet më të larta të naftës do të ndikojnë tek vendimi nëse duhen rritur më tej normat e interesit për të ngadalësuar ekonominë”, shkruan ai.

Kjo do të rëndonte krizën e energjisë në Evropë, që lidhet më së shumti me pakësimin e furnizimit nga Rusia me gaz natyror dhe elektricitet, si dhe në uzina, dhe gjithashtu do të rriste çmimet e karburantit në mbarë botën. Ndërsa kjo nxit inflacionin, njerëzit do të kenë edhe më pak të ardhura për të shpenzuar për gjëra si ushqime dhe qera.

Faktorë të tjerë do të ishin luhatjet e çmimit të naftës, niveli i goditjes së një recensioni të mundshëm në Shtetet e Bashkuara apo në Evropë, si dhe jetëgjatësia e masave të Kinës ndaj COVID-19, të cilat kanë ulur kërkesën për karburant.

 

ÇFARË DO TË THOTË KJO PËR RUSINË?

Analistët thonë se Rusia, prodhuesja më e madhe ndër vendet jo anëtare të aleancës së OPEC-ut, do të përfitonte nga çmimet e ngritura përpara vendosjes së një tavani. Nëse Rusisë do t’i duhet të shesë naftë me ulje, të paktën ulja do të fillojë nga një nivel më i lartë çmimesh.

Çmimet e rritura të naftës më herët gjatë këtij viti balancuan pjesën më të madhe të humbjeve që pësoi Rusia nga kompanitë perëndimore që filluan të shmangin produktet e saj. Rusia gjithashtu arriti të riorientojë gati 2/3 e shitjeve që i bënte Perëndimit, drejt vendeve si India.

Por, në vazhdim Moska përjetoi rënie të të ardhurave nga nafta, nga 21 miliardë dollarë në muajin qershor, në 19 miliardë dollarë në korrik, dhe 17.7 miliardë në gusht, ndërsa binin çmimet dhe volumi i shitjeve, sipas Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë. Një e treta e buxhetit të Rusisë vjen nga të ardhurat e naftës dhe gazit, dhe vendosja e tavanit të çmimit do t’i hiqte asaj një burim kyç të të ardhurave.

Ndërkohë, pjesa tjetër e ekonomisë së Rusisë po zvogëlohet për shkak të sanksioneve dhe tërheqjes së bizneseve dhe investimeve të huaja.

voa