Joseph: Tensionet në veri janë të dirigjuara nga Beogradi

Joseph

“Tensionet janë të një lloji të kontrolluar, janë shumë tensione të kontrolluara dhe gjerësisht të manipuluara e të dirigjuara”, ka thënë Joseph. “Ka përgjegjësi shtetërore në këto lloje të incidenteve dhe ne jemi këtu në Beograd. Kur flasim për veriun, për këto incidente, ka një përgjegjësi shtetërore pikërisht këtu”

 

Analisti i politikave të jashtme, Edward P. Joseph, ka thënë se tensionet në veri të Kosovës janë të dirigjuara nga Beogradi.

Në një intervistë për KOHËN, profesori i Universitetit Johns Hopkins ka folur për raportet Kosovë-Serbi dhe tek ka komentuar prapësimin që Serbia ia ka bërë zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi pak para se të mbërrinte në Beograd, ka thënë se ky veprim ishte dizajnuar për ta turpëruar Kosovën. Këtë e ka kualifikuar si gabim të dytin më të madh të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, brenda pak muajve.

Në këtë intervistë të dhënë në Beograd, Joseph ka komentuar edhe sjelljen e Serbisë në raport me Rusinë dhe ka thënë se Vuçiqi po i ofron miqësi dhe përkrahje armikut të tërë Perëndimit.

 

KOHA: Z. Joseph, e kemi parë së fundmi që administrata amerikane i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë zbatimin e vendimit për targat për 10 muaj. Çfarë mendimi keni për këto çështje?

Joseph: E dini, kam një eksperiencë të gjatë në çështjet e rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën, ku isha me misionin e OSBE-së. Ne të gjithë kemi eksperiencë të gjatë me këto tensione dhe çështja kryesore është që rrallë, shumë rrallë këto tensione janë spontane. Ka një kontroll të fortë shtetëror, në kuptim të aparatit shtetëror në veri, që nuk është i ligjshëm dhe duke mos respektuar sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës. Kështu që, tensionet janë të një lloji të kontrolluar, janë shumë tensione të kontrolluara dhe gjerësisht të manipuluara e të dirigjuara. Kjo është çështja e parë. Pra, që ka përgjegjësi shtetërorë në këto lloje të incidenteve dhe ne jemi këtu në Beograd, e kur flasim për veriun për këto incidente, ka një përgjegjësi shtetërore pikërisht këtu.

 

KOHA: Së fundmi kemi edhe çështjen e targave dhe që ka shkaktuar tensione. Si i shihni tensionet e fundit?

Joseph: Mënyra se si e shoh këtë është që kjo nuk është çështje unike. Është një nga pikëpyetjet jetëgjata këtu në Beograd: se a do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe ta njohin Prishtinën si një kryeqytet të një shteti të pavarur. Ky është në funksion të gjithë problemit. Dhe në kuptim të tensioneve të tanishme dhe kërcënimit që paraqitet nga Qeveria e Kosovës se do ta zbatojë vendimin për targat e t’i largojë ato që nuk janë RKS, që nuk janë në pajtueshmëri me ligjin, dhe rezultatet që do të prodhonin, që do të kishte menjëherë vendosje të barrikadave dhe i kam parë me sytë e mi këto barrikada në vitin 2011. Më kujtohen. Më kujtohen edhe tensionet, madje në atëkohë kishte edhe gjuajtje armësh ndaj KFOR-it. Më kujtohet që një polic gjerman ishte plagosur atëbotë. Dhe një pjesëtar special i Policisë ishte vrarë. Kështu që më kujtohen ato tensione.

Ju e dini porosinë e SHBA-së dhe vendeve të QUINT-it. SHBA-ja po thotë që Kosova ka të drejtën e saj për ta zbatuar vendimin, por po i bën thirrje Kosovës që ta shtyjë zbatimin e vendimit. Dhe ky është qëndrimi im rreth kësaj teme: Është e kuptueshme të kërkosh shtyrje të vendimit, por jo pa kërkuar nga Serbia diçka dhe duke lëvizur në veri në linjë me sundimin e ligjit. Pra, s’mund ta pyesësh Kosovën ta shtyjë një vendim të ligjshëm, në përputhje me ligjin dhe të mos bësh asgjë për paligjshmërinë në veri.

Nuk mund të kërkosh njërën e jo tjetrën, në opinionin tim. Çfarë do të bëja, po të isha vendimmarrës nuk do të kërkoja vetëm tërheqje nga zbatimi, por do të kërkoja avancim të sundimit të ligjit në veri, sepse ky është në interes të serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës. Kjo nuk është një dhuratë për vetëm njërën palë.

Sundimi i ligjit është për të gjithë dhe e di nga bisedat me serbët e Kosovës që nuk janë të kënaqur me situatën në veri dhe shumica e di se ky është një veprim kriminal se çfarë po ndodh. Kjo është çështja. Pra, jo duke i thënë njërës palë: “Ndaluni ju, mos e zbatoni këtë vendim që prodhon një krizë”. Por çfarë po bëni për të avancuar sundimin e ligjit?

Dhe, do të ndërmerrja një hap konkret në këtë drejtim. Do të insistoja, duke kërkuar nga presidenti serb këtu në Beograd: “Ju duhet të lëvizni me sundimin e ligjit në veri” dhe një veprim konkret do të ishte: “Na tregoni se kush e vrau Oliver Ivanoviqin në veri të Kosovës”. Ai ishte vrarë në vitin 2018. Ishte qartazi një goditje politike për të frenuar ndonjë zë opozitar, ndonjë zë të moderuar në veri dhe për ta mbajtur kontrollin në veri.

Kjo të paktën do të ishte një hap që do t’i duhej t’i kërkohej Beogradit përderisa i kërkon diçka Prishtinës. Beogradit duhet t’i kërkohet diçka konkrete në drejtim të sundimit të ligjit. Jo koncesion Kosovës, sepse kjo çfarë po bën është çështje e sundimit të shtetit ligjor dhe Oliver Ivanoviq ishte një serb, familja e tij meriton drejtësi dhe në pikëpamjen time nuk është e mundur që Serbia nuk e di se kush është përgjegjës për këtë. Fakti që nuk kanë lëvizur për të ndriçuar këtë rast është se nuk ka sundim të ligjit. Kjo është shenjë dhe mesazh, kjo është masa që do të doja të ndërmerrej. Dhe jo vetëm t’i thuhet Kosovës: shtyjeni ju vendimin, por le të lëvizim ngadalë derisa të lëvizim me sundimin e ligjit në veri”. Kjo është përgjigjja ime.

 

KOHA: Një çështje tjetër është kthimi mbrapa nga ana e Serbisë e zëvendëskryeministrit të Kosovës, z. Besnik Bislimi. Çfarë porosie jep ky veprim për bashkëpunimin rajonal?

Joseph: Shiko, kjo është një porosi shumë e keqe. Është një porosi e tmerrshme, sepse është një porosi e dizajnuar për të poshtëruar Kosovën.

Dhe në një mënyrë, kundër zëvendëskryeministrit Bislimi, të cilin e njoh dhe e respektoj, dhe më e rëndësishmja, të cilin serbët e njohin dhe po shpresoj që serbët e respektojnë, sepse takohen me të rregullisht në Bruksel.

Këtë e dinë se është një figurë serioze me të cilin kanë bërë progres në një numër çështjesh sikurse çështja e energjisë e të tjera. Kështu që, në pikëvështrimin tim ishte një hap shumë i keq nga presidenti Vuçiq , të cilin natyrisht duhet ta mbajmë përgjegjës për këtë dhe shpresoj ambasadat perëndimore e kuptojnë mesazhin poshtërues dhe të pushtetit që ka pasur për qëllim ky veprim.

Mbajeni mend si mund të shkonte. Nëse pozicioni i presidentit Vuçiq do të ishte: “Shikoni, nuk po e lejoni Petkoviqin të hyjë në Kosovë kur ai dëshiron, apo ndonjë tjetër zyrtar”. Mirëpo sa më kujtohet, kryeministrja Ana Bërnabiq e ka vizituar Kosovën, kohë më parë. Ajo ishte lejuar ta vizitojë Kosovën. Po të thoshte Vuçiqi se “nuk po e lejojmë Bislimin sepse na i kanë ndaluar vizitat”, edhe mund ta bënte këtë që bëri, por Kosova nuk e ka bërë këtë.

Serbia lejoi Bislimin të hyjë dhe të vozisë drejt Beogradit e të afrohet afër kryeqendrës për 120 kilometra dhe pastaj e kthyen mbrapsht. Dhe për mua, me të vërtetë shpresoj që Ambasada e SHBA-së, ambasadat e QUINT-it ta kuptojnë shëmtinë e këtij mesazhi. Ky ishte një mesazh i një poshtërimi dhe shfaqje e fuqisë. Në kontekst të raporteve Kosovë-Serbi, kjo sjell një histori të shëmtuar: “Ne ju sundojmë juve, ne ju tregojmë juve, ju jeni nën ne”. Mendoj se ky është mesazh i shëmtuar dhe mendoj se për presidentin Vuçiq ky ishte gabimi i dytë serioz që e ka bërë në dy muajt e fundit. I pari ishte nënshkrimi i marrëveshjes me Lavrovin. Këto janë dy prova të realitetit të Aleksandar Vuçiqit.

 

KOHA: Një aspekt negativ që e përmendët është marrëveshja e Serbisë me Rusinë, duke pasur në mendje luftën në Ukrainë dhe krizën. Çfarë mesazhi dërgon Serbia te bota dhe vlerat demokratike me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje?

Joseph: Mendoj se mund ta lidhim këtë me prapakthimin e zëvendëskryeministrit Bislimi. Ai ishte një mesazh për ta poshtëruar Kosovën. Marrëveshja e Serbisë me Rusinë në New York ishte për të poshtëruar Shtetet e Bashkuara. Kështu që shohim në një interval dy mujor, shtator e tetor, e shohim Aleksandar Vuçiqin, duke ndërmarrë dy hapa poshtërimi: duke poshtëruar Kosovën me këtë plan të mirëmenduar për ta kthyer Bislimin kur ai arriti afër Beogradit dhe një tjetër plan të qartë: për të poshtëruar Shtetet e Bashkuara. Dhe mos të harrojmë, kjo nuk ndodhi spontanisht. Vuçiq e takoi Jack Sullivan, këshilltarin kombëtar të presidentit Biden për siguri e pastaj Viktoria Nulandin, e cila është një nga figurat më të larta në Departamentin e Shtetit dhe pastaj pasi takoi këto dy figura kyç, ai nuk tha asgjë për marrëveshjen me Lavrovin.

Ai pastaj befasoi pavarësisht fjalëve të mira që iu tha Sullivan e Nullandit, pastaj befason me një lajm bombë duke nënshkruar një marrëveshje, pra ministri i Jashtëm serb, Selakoviq, me ministrin e Jashtëm rus, në Shtetet e Biskuara të Amerikës, në selinë e Kombeve të Bashkuara. Pra kjo nuk ndodhi në Moskë, por ndodhi në tokën amerikane përballë gjithë botës.

Dhe, s’ka rëndësi se cila ishte përmbajtja e marrëveshjes, s’ka rëndësi se çka u pajtuan, por kjo ishte një shenjë para syve të botës për legjitimitetin e Rusinë. Kjo ishte një dhuratë nga Serbia për Rusinë, në tokën amerikane, në OKB, para gjithë botës, duke legjitimuar Rusinë dhe legjitimuar madje edhe Lavrovin që është një person i tmerrshëm e i cili po iu nënshtrohet sanksioneve. Lavrovi personalisht është sanksionuar në vazhdën e sanksioneve të tjera kundër Rusisë.

Kështu që, shikoni, kjo nuk është një gjë që ndodhi rastësisht dhe vërtet s’ka rëndësi përmbajtja e marrëveshjes. Kjo marrëveshje ishte për ta legjitimuar Rusinë dhe për ta poshtëruar SHBA-në. Dhe për mua, këto janë prova se kush është Vuçiqi dhe me kë po përballemi. Dhe, vetëm shpresoj që administrata amerikane e kupton këtë se nuk është vetëm çështje e ballkanike, e vështirësive me Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi apo të tjera. Kjo përfshin gjëra serioze dhe Aleksandar Vuçiq nuk është vetëm një djalosh që vetëm po vallëzon pak, por është një njeri që aktivisht po promovon interesat e Rusisë, që është armike e perëndimit. Vuçiqi po i ofron miqësi dhe përkrahje armikut të tërë Perëndimit. Kjo është çështje shumë serioze dhe hap alarmues për çfarë po flasim këtu.

 

KOHA: Duke pasur parasysh marrëdhëniet Kosovë-Serbi, një i ashtuquajtur propozim franko-gjerman po qarkullon: Çfarë mendimi keni – a është e mundur një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit duke pasur në mendje përvojat nga e kaluara?

Joseph: Do t’i përgjigjem në dy pjesë pyetjes kur bie fjala te propozimi franko-gjerman. Por dua të them diçka më shumë për demokracinë dhe Kosovën. Ne mund të shohim këtu në Serbi, siç e tha kryeministri Kurti dhe ka pasur të drejtë kur e tha: “Serbia nën Vuçiqin nuk është një demokraci dhe ka bërë prapakthim”.

Edhe unë e kam thënë të njëjtën dhe po të njëjtën e ka thënë kryeministri Kurti, që është një poentë e saktë. Por, dua të flas për gjendjen e demokracisë në Kosovë po ashtu. Në tërë botë duke përfshirë edhe shtetin tim, SHBA-në, e shohim se demokracia është duke u sfiduar. Dhe brenga dhe thirrja ime për të gjithë faktorët në Kosovë, duke përfshirë kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani, është që gjithnjë punoni për ta avancuar demokracinë në Kosovë, pavarësisht se çfarë bën Serbia.

Puna në demokratizim kurrë nuk ndalon. Dhe thirrja ime për Qeverinë Kurti është që Qeveria të punojë në avancimin e demokracisë në Kosovë dhe shoqërinë e saj, duke unifikuar dhe jo duke qeverisur, duke përçarë. E shohim atë rrezik e kërcënim në SHBA nga liderë republikanë që duan të përçajnë dhe kështu duke fituar pushtet nga ndasitë që krijojnë dhe shpresa ime është që Kosova nuk e zgjedh atë rrugë.

Dhe faktorët që e ndërtojnë demokracinë sikurse media e lirë, shprehja e lirë, shoqëria civile dhe dhënia e përgjegjësisë nga lidershipi, të vazhdojë. Ajo gjithnjë do ta tregojë dallimin nga autokracia aktuale e Serbisë. Ne të gjithë e duam Serbinë demokratike dhe unë shpresoj që Kosova ta vazhdojë rrugën progresive të demokracisë sepse kjo është shumë e rëndësishme. E tash t’i kthehemi pyetjes suaj: Propozimin franko-gjerman. Dukshëm Prishtina e ka këtë plan në dorë. Dukshëm edhe Serbia e ka atë. Nuk është bërë publik. Raportimet e mediave mund të jenë krejtësisht të pasakta. Kjo është gjëja kryesore për mua. E kemi shkruar në një raport në John Hopkins, ku e kemi sqaruar në një mënyrë të qartë.

Çështja kyç nuk është një plan franko-gjerman që ‘Serbia bën këtë, e Kosova bën atë”. Një lloj të plani të mrekullisë. Planet dihet. Ka vetëm një zgjidhje për këtë – që sovraniteti, integriteti territorial dhe funksionaliteti i Kosovës duhet të ruhen. Për këtë duhet flasim. Me mbrojtje të plotë dhe aftësi të komunitetit serb për të marrë pjesë të barabartë në shoqërinë e Kosovës: në qeveri, në ekonomi, në shoqëri. Kjo është qenësore. Për këtë duhet të flasim. Një shtet multietnik, brenda kufijve, pa bashkim me Shqipërinë apo ndarje. Për këtë po flasim. Pra jo për ndonjë plan të mrekullisë që “ju bëni këtë dhe atë”.

Ne e kemi sqaruar në këtë raport në muajin janar, që ky është çelësi për këtë çështje dhe për rajonin dhe Serbinë. Nuk është e komplikuar. Është njohja nga vetëm katër vende të BE-së: Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia. Vendet mosnjohëse është çështja kyç. Jo që Serbia do ta bëjë këtë, Kosova këtë, Asociacioni apo të tjera. Këto gjëra të gjitha mund të zgjidhen duke përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mund të zgjidhen të gjitha, jam besimplotë për këtë, por pasi këto vende ta njohin Kosovën. Sepse edhe nëse ka një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, nëse nuk keni njohje nga 4 këto shtete, Serbia do të vazhdojë të bllokojë, sepse Kosova nuk do të ketë rrugëtim për në NATO apo BE pa njohjen e këtyre shteteve.

Kjo është qenësore. Çfarëdo plani franko-gjerman që e ka këtë apo atë e që nuk e përfshin marrëveshjen paraprake që Spanja, Rumania, Greqia e Sllovakia ta njohin pavarësinë e Kosovës paraprakisht, do ta vazhdojë gjendjen e tanishme.

Siç e kemi parë marrëveshjen e 2013-s, mund të keni marrëveshje pa sukses, marrëveshje që vazhdon tensionet e konfliktet për çështjen e targave, letërnjoftimeve apo çështje të tilla që vetëm do të ripërsëriten.

Shiko, Bosnjë-Hercegovina ka një marrëveshje paqeje, por tensionet vazhdojnë. Ju duhet të keni marrëveshje të mira, e jo që kenë të meta thelbësore sikurse ajo që kemi në Marrëveshjen e Dejtonit. Këtu është çështja. Njohja e Kosovës nga katërshja mosnjohëse. Me arritjen e kësaj, gjithçka është e mundur. Duke përfshirë një të ardhme të ndritur për serbët e Kosovës që serbët e Kosovës të ndihen plotësisht pjesë e Republikës së Kosovës. Që Kosova është shteti i tyre. Dhe kjo është e mundur me njohjen e katërshes sepse me njohjen e katërshes e zhbllokon rrugën për në NATO, çështje sigurie, dhe Serbia pastaj është në një tjetër lojë dhe në atë pikë Aleksandar Vuçiq nuk ka më interes për të vazhduar me Rusinë dhe Kinën dhe në atë pikë situata do të ndryshonte krejtësisht për të dhe fqinjët e saj, për Kosovën. Kjo është çështja dhe këtë e kemi sqaruar në raportin tonë të publikuar në janar.

koha

Qeni leh aty ku ha, thotë populli…

BilliQeni leh aty ku ha, thotë populli. Për ata që financojnë dhe mbështesin islamin politik, me të cilin janë brumosur themeluesit e “Lëvizjes Besa”, të gjitha vajzat dhe gratë e pambuluara janë “kurva” që “dëgjojnë muzikë të zhurmshme, pinë alkool dhe bëjnë pornografi”. Ndaj dhe Bilall Kasami, në shenjë besnikërie ndaj vijës politike të “sulltanit”, kryen me zell detyrën e “policisë së moralit”

Por problemi nuk është tek Bilall Kasami, dhe jeniçerët e “Lëvizjes Besa” e as tek “Aleanca për Shqiptarët” që bashkë me VMRO i dhanë Lëvizjes Besa fuqinë e pushtetit lokal për të vënë në zbatim islamin politik të Erdoganit. Problemi është se këta djem dhe këto vajza për të cilët flet Bilall Kasami, zgjedhin rrugën më të lehtë, apolitike, për t’u përballur me realitetin kryekëput politik: veshët në lesh, symbyllur në ndonjë vend pune, më së miri në ndonjë OJQ… dhe të kënaqur në gjumë. Problemi është sa sa here që realiteti i hidhur ua nxjerr gjumin, vazhdojnë e vazhdojnë të habiten me realitetin e hidhur politik që i rrethon!

https://www.youtube.com/watch?v=f9NJSBiMyto…

Afrim Fanda

Putini do të forcojë bashkëpunimin me Iranin

Iran Russia TurkeyPas sulmit terrorist në Shiraz, presidenti rus e siguron Iranin për mbështetjen në luftën kundër terrorizmit. Por çfarë do të thotë kjo për protestat masive aktuale në vend?

 

Presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar se dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Iranin në luftën kundër kërcënimeve terroriste. “Dua të rikonfirmoj gatishmërinë e palës ruse për të zhvilluar më tej bashkëpunimin me partnerët tanë iranianë në drejtim të luftës kundër terrorizmit”, thuhet në një telegram të Putinit drejtuar presidentit iranian Ebrahim Raisi. Ai u publikua të enjten në faqen e internetit të Kremlinit.

Putin shprehu ngushëllimet e tij për liderët e Teheranit pas sulmit në qytetin e Shirazit. Milicia terroriste e Shtetit Islamik (IS) mori përgjegjësinë për sulmin e së mërkurës. Të paktën 15 persona u vranë. Është e paqartë nëse akti lidhet me protestat aktuale masive kundër qeverisë në Teheran.

Shtetet e Bashkuara kishin shprehur së fundmi drojën se Rusia mund të ndihmonte Iranin të shtypte protestat masive në vend. “Ne e dimë se ata mund të shqyrtojnë një lloj mbështetjeje për aftësinë e Iranit për të vepruar kundër protestuesve dhe për fat të keq Rusia ka përvojë me këtë,” tha drejtori i komunikimit i këshillit për sigurinë kombëtare, John Kirby. I pyetur nga gazetarët, ai tha se nuk ishte e qartë nëse kjo mbështetje e supozuar kishte filluar apo jo.

Në Bruksel, Bashkimi Evropian dënoi masat ndëshkuese të shpallura nga Irani kundër politikanëve, gazetarëve dhe institucioneve evropiane. Në vend që të fokusohet në hakmarrje, Irani duhet të garantojë liritë themelore të popullit të vet, tha Përfaqësuesi i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell. Regjimi islamik dëshiron në veçanti të sanksionojë seksionin e gjuhës persisht të Deutsche Welle-s dhe kryeredaktorët e gazetës “Bild” Johannes Boie dhe Alexandra Würzbach. Ai i akuzon ata për “mbështetje të terrorizmit”.

Protestat në Iran, të shkaktuara nga vdekja e një të reje pasi ajo u arrestua nga policia e moralit, kanë tronditur vendin prej javësh. Udhëheqësit e Teheranit i quajnë këta protestues terroristë.
aud (dpa, dlf)

Presidenti gjerman bën thirrje për unitet në fjalimin për gjendjen e kombit

Frank-Walter SteinmeierFrank-Walter Steinmeier paralajmëroi për “vite më të vështira” përpara Gjermanisë. Ai gjithashtu bëri thirrje për veprim kundër ndryshimit të klimës dhe u zotua për mbështetjen e tij për Ukrainën.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier mbajti fjalimin e tij për gjendjen e kombit të premten në rezidencën e tij zyrtare, Pallatin Bellevue. Tema e fjalimit të tij ishte “Ajo që na lidh, na bën më të fortë”.

Fjalimi erdhi në një kohë pasigurie për Gjermaninë dhe Presidenti Steinmeier preku shumë nga çështjet që rëndojnë në mendjet e shumë njerëzve në Gjermani. Ai përmendi veçanërisht krizën dhe koston e jetesës, inflacionin galopant dhe mungesën e energjisë, si dhe luftën në Ukrainë.

 

Steimeier premton mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën

Steinmeier e hapi fjalimin me përshkrime të gjalla të tmerreve të luftës, duke theksuar se ajo kishte shkaktuar “krizën më të thellë” që ka njohur Gjermania e ribashkuar. Ai paralajmëroi se “vite më të vështira dhe me vështirësi më të mëdha janë përpara”.

“Një gjë është e qartë: duhet të pranojmë disa kufizime financiare gjatë viteve të ardhshme. Shumica e njerëzve e kanë ndjerë këtë për një kohë të gjatë. Të gjithë duhet të kontribuojnë sipas mundësive të tyre. Kjo krizë kërkon që ne të rimësojmë të jemi modestë”, tha ai në një kohë që shkalla e varfërisë po fillon të rritet në Gjermani

Ai theksoi se bëhej fjalë për t’u kërkuar atyre që janë në gjendje të bëjnë sakrifica ta bëjnë këtë. Steinmeieri e siguroi publikun se shteti do t’i ndihmojë me aq sa mundet ata që kanë më shumë nevojë.

Duke iu referuar kritikave të fundit se Gjermania po merr vendime që e vendosin atë përpara aleatëve të saj evropianë, siç është paketa e fundit e shpëtimit për energjinë, Presidenti tha: “Unë i siguroj partnerët tanë: Gjermania merr përgjegjësitë e saj, brenda NATO-s, në Evropë. Kjo tregohet nga vendimet e politikës së sigurisë të marra nga qeveria gjermane që nga kthesa historike e 24 shkurtit”.

 

Steinmeier bën thirrje për veprim ndaj ndryshimeve klimatike

Steinmeieri foli edhe për sfidat e ardhshme të Gjermanisë, duke përfshirë ndryshimet klimatike.

“Pa luftën kundër ndryshimeve klimatike, e gjithë kjo është kot. Kjo betejë kërkon të gjithë forcën tonë. Le ta dëshmojmë forcën tonë duke ndryshuar tani! Le t’ua mundësojmë fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve të jetojnë mirë në planetin tonë! Kjo është në dorën tonë!”

Një sfidë tjetër aktuale dhe e ardhshme, tha ai, është mbrojtja e demokracisë, kundër sulmeve të brendshme dhe të jashtme.

“Demokracia nuk funksionon pa kohezion. Dhe kohezioni nuk ndodh vetë. Duhet të praktikohet. Është fryt i punës së njerëzve, i ndjeshmërisë, i përgjegjësisë dhe i bamirësisë. Hedhja poshtë e idesë se thjesht nuk është i nevojshëm angazhimi social nuk është një përgjigje ndaj sfidave të kohës sonë, “tha presidenti.

 

Kancelari dhe kabineti mungonin

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të organizatave të ndryshme qeveritare, si dhe OJQ dhe të rinj nga e gjithë Gjermania. Mungesa e kancelarit Olaf Scholz, anëtar i Partisë Socialdemokrate (SPD) të presidentit Steinmeier, megjithatë u vu re në Pallatin Bellevue. Asnjë anëtar i kabinetit Scholz nuk ishte i pranishëm dhe as Presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas, gjithashtu anëtare e SPD-së.

Fjalimi i Steinmeier erdhi menjëherë pas vizitës së tij të parë në Kiev që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt. Në fillim të luftës, Steinmeierin e kritikuan për qëndrimin e tij të butë ndaj Moskës dhe mbështetjen e gazsjellësit të diskutueshëm Nord Stream 2.

Presidenti ka shprehur që atëherë keqardhjen për ato pozicione dhe ka thën se presidenti rus Vladimir Putin duhet të gjykohet për krime lufte. Gjatë vizitës së tij në Kiev, ai tha se Gjermania “do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, ekonomikisht, politikisht dhe gjithashtu ushtarakisht”.

es/rt (AFP, dpa)

Kurti: Vendimi i Qeverisë për targat mbetet në fuqi

Albin KurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media ka deklaruar se vendimi i Qeverisë  për targat të mbetet në fuqi, megjithatë janë bërë disa ndryshime.

 

“Vendimi për targat ilegale në Kosovë ku në mbledhjen e qeverisë e pas konsultimeve të vazhdueshme me institucionet e sigurisë, kemi bërë vendimin që u miratua ku nuk ndryshojmë vendimin tonë, zbatimi nis nga 1 nëntor dhe kemi një sekuensim e shkallëzim për moszbatueshmërinë e ligjit e të vendimit qeveritar”, tha Kurti

Kryeministri tha se nga 1 nëntori deri me datën 21 nëntor do të jetë në fuqi masa e qortimit. Pastaj nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes.

Nga 21 janari për dy muaj do të ketë targa provuese dhe pas 21 prillit 2023 nuk do të ketë targa të tilla.

“Targat për KM, GL janë targa ilegale. Qeveria e Kosovës përmes vendimit ka obliguar ata që ti kthejnë në targa RKS”, tha Kurti.

 

Qeveria miraton buxhetin për vitin 2023

 

Kreu i qeverisë, Albin Kurti, ka thënë që buxheti për këtë vit do të jetë mbi 3 miliardë e 212 milionë euro.

“Buxheti për vitin 2023 do të jetë mbi 3 miliardë e 212 milion euro. Për sa i përket projekteve specifike kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektorat. ” tha ai.

Ndërsa, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë deri në fund të vitit parashihet rritje ekonomike nga 3.8 deri në 4.1 për qind, kurse vitin 2003 mbi 5 për qind.

rtk

SHBA rithekson kërkesën për shtyrjen e konvertimit të targave të makinave në veriun e Kosovës

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit Derek CholletKëshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet tha se i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, shtyrjen e zbatimit të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, në një përpjekje për të shmangur tensionet në veri, ndërsa përfaqësuesit e serbëve ne zonë kanë paralajmëruar veprime për kundërshtimin e këtij vendimi.

 

Bisedova sot me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të rregullave të reja për targat, pa konfiskim apo gjoba. Gjithashtu diskutuam për partneritetin tonë dhe synimet e përbashkëta për çuarjen përpara të integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, shkroi zoti Chollet në Twitter.

Duke i bërë jehonë postimit të zotit Chollet, ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier, shkroi se “është e rëndësishme të shmangen tensionet dhe të shtyhet zbatimi i vendimit për targat. Po ashtu, ne dënojmë veprimet frikësuese apo hakmarrëse ndaj tyre që kanë konvertuar targat e tyre”, shkroi ambasadori Hovenier, duke ju referuar incidenteve në veriun e Kosovës ku gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar tri raste të djegies së makinave dhe dëmtimit të pronave të qytetarëve serbë, që kanë konvertuar targat e makinave.

Të hënën më 31 tetor skadon afati i vendosur nga qeveria e Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesit e serbëve paralajmëruan bllokimin e rrugëve nëse siç thanë, autoritetet ndërmarrin veprime për konfiskimin e makinave me targa serbe.

Kërkesa e zotti Chollett për shtyrjen e afatit është në linjë me kërkesën e javës së kaluar të të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se bashkë me diplomatët evropianë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të zgjasin afatin për dhjetë muaj.

Të martën kryeministri Kurti, tha se afati është shtyrë një herë dhe data e fundit do të jetë 31 tetori, por theksoi se qeveria e tij i trajton seriozisht dhe me kujdes këshillat e partnerëve ndërkombëtarë.

“Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja edhe siguria. Prandaj edhe kur aleatët, partnerët e miqtë tanë ndërkombëtarë na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë më kujdes”, tha kryeministri Kurti, ndërsa nënvizoi se është në bashkërendim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe Departamentin amerikan të Shtetit.

Të enjten Bashkimi Evropian u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që në ditët në vijim të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të çojnë në përshkallëzim të situatës

“Ajo për të cilën më së paku kanë nevojë Serbia dhe Kosova në këtë moment është të ketë më shumë tensione. Ato kanë nevojë për më shumë përparim në mënyrë që ta çojnë dialogun përpara. Siç kemi thënë, ato duhet të punojnë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në dialog për normalizimin e marrëdhënieve Ne po punojmë me partnerët tanë, jo vetëm ne si BE, por edhe partnerët tjerë, si dhe me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të parandalohet çfarëdo përshkallëzimi”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

voa

KE: 80 milionë euro ndihmë Shqipërisë për krizën energjetike

Rama UrsulaPresidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen gjatë vizitës në Tiranë: “Shqipëria po ecën vërtet përpara në mënyrë të vendosur në rrugën e saj drejt BE-së.”

 

Komisioni Europian (KE) do t’i japë qeverisë së Shqipërisë një ndihmë buxhetore emergjente prej 80 milion eurosh për të përballuar krizën energjetike, të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Këtë e bëri të ditur vetë presidentja e KE, Ursula von der Leyen, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, të mbajtur gjatë vizitës zyrtare që ajo zhvilloi në Tiranë, të enjten, (27.10). Kjo ndihmë do t’i vihet në dispozicion qeverisë pas dy muajve, në janar 2023. Presidentja e KE, vuri në dukje që “Rusia po përdor energjinë si armë, po manipulon tregjet dhe energjia elektrike që vjen në Shqipëri ndikohet nga trazirat në treg dhe çmimet e larta stratosferike”. “Ne, në BE, kemi vendosur që e vetmja përgjigje që mund të japim është me anën e unitetit dhe solidaritetit. Me krizën energjetike do të përballemi të gjithë sëbashku, kjo do të thotë unitet dhe solidaritet edhe me Shqipërinë. Ne jemi pjesë e një unioni për energjinë, prandaj ne po propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor për të ndihmuar në zbutjen e çmimeve të larta të energjisë për bizneset, familjet dhe qytetarët. Fjala është për një grant prej 80 milionë eurosh, që do të vijë në janar. Pjesa e dytë e mbështetjes do të jetë afatmesme dhe afatgjatë. Po flasim për 500 milionë euro grante për investime në infrastrukturën energjetike në të gjithë rajonin”, tha Ursula von der Leyen në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar Rama , të zhvilluar në Tiranë. Presidentja e KE bëri me dije që BE “ka diversifikuar në mënyrë të suksesshme larg nga Rusia burimet e energjisë me furnitorë si SHBA, Norvegjia etj. dhe ka mbushur magazinat, depot me një sasi gazi mbi 92 përqind për gjithë BE-në. Por nga këto depozitime do të përfitojmë të gjithë”. “Kjo na jep tashmë sigurinë që ne do t’ia dalim gjatë këtij dimri dhe jemi shumë më të përgatitur tani nga ç’kemi qenë në fillim të luftës në Ukrainë. Kemi një situatë, që është e qendrueshme që do të thotë se mund të shohim edhe ndërhyrjet në treg, si për shembull mekanizmin e korrigjimit të tregut. Mbështetje financiare të drejtpërdrejtë, investime në energjinë e rinovueshme dhe infrastrukturën energjetike dhe së fundi një qasje e strukturuar me ndërhyrje në treg për të zbutur çmimet. Ky është trekëndëshi që BE po përdor për këtë krizë,” theksoi Ursula von der Leyen në Tiranë.

Hapja e negociatave me BE-në sukses i Shqipërisë

Presidentja e KE theksoi që hapja në korrik të këtij viti e negociatave të pranimit me BE “është një sukses i Shqipërisë.” “Është rezultati i shumë viteve plot me përpjekje, me punë të madhe që ka bërë Shqipëria dhe qytetarët e Shqipërisë. Ju keni ruajtur një vëmendje shumë të fortë tek procesi e integrimit në rrugëtimin drejt integrimit europian dhe keni treguar përherë përkushtim ndaj vlerave të BE dhe kjo ka çuar në hapjen e negociatave. Angazhimi i plotë i Shqiërisë në linjë me përgjigjen e BE-së ndaj luftës brutale dhe agresore të Rusisë kundër Ukrainës është shembullore. Shqipëria në formë aktive ka mbrojtur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregullat në Këshillin e Sigurisë së OKB-së dhe ju falenderoj për këtë përkushtim të qartë. Shqipëria po ecën vërtet përpara në mënyrë të vendosur në rrugën e saj drejt BE,” dekaroi presidentja e KE.

Pritshmëri nga samiti BE-BP 2022 që do të zhvillohet në Tiranë

Kryeminisri i Shqipërisë Rama bëri me dije që samiti i vendeve anëtare të BE dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, (BP) do të mbahet në Tiranë, më 6 dhjetor të këtij viti. Ai e cilësoi zhvillimin e samitit “një ngjarje të jashtëzakonshme për Shqipërinë kur për herë të parë në histori të gjithë liderët europianë dhe ata të BP do të vijnë në Tiranë.”

“Pritshmëritë tona nga ky samit janë diskutimet për situatën gjeo-politike. Në qendër të tyre do jetë lufta e tmerrshme që Rusia po bën në Ukrainë dhe sesi mund të mbështesim më tej Ukrainën. Jemi shumë të qartë që ne do qëndrojmë krah Ukrainës për aq kohë sa të duhet dhe mendoj që edhe energjia do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këto diskutime. Do kemi dhe tema të tjera si për shembull infrastruktura, por edhe se si do të vijojmë të trajtojmë krizën energjetike,” theksoi presidentja e KE, Ursula von der Leyen. Ajo zhvilloi bisedime edhe me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj gjatë vizitës së saj prej disa orësh në Tiranë. Ursula von der Leyen mbërriti në Tiranë pas vizitave në Shkup dhe Prishtinë, të premten, (28.10) ajo do të vazhdojë turin e saj në Ballkanin Perëndimor duke qëndruar në Beograd dhe Sarajevë. Stacioni i fundit pritet të jetë Podgorica, të shtunën, më 29 tetor.

dw

 

Von der Leyen: Evropa nuk është e plotë pa Kosovën

Ursula VjosaPresidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, tha në Prishtinë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe ajo personalisht është e angazhuar që kjo të ndodhë sa më parë.

 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha në Prishtinë se Evropa nuk është e plotë pa Kosovën brenda. Prandaj në këtë linjë ajo përsëriti se vendi i Kosovës është në Bashkimin Evropian. Von der Leyen tha pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës se ajo do ta mbështesë Kosovën në rrugëtimin drejt integrimit evropian.

“E di që vendi juaj vazhdon të demonstrojë përkushtim shumë të madh në rrugëtimin evropian. Keni treguar vlerat tuaja drejt integrimit evropian. Dhe i jeni bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Jeni duke bërë reforma ambicioze, ju uroj për këtë. Kjo punë e zellshme që ka bërë Kosova është reflektuar edhe në raportin e fundit të progresit që është pozitiv për Kosovën”, tha Von der Leyen. Presidentja e Komisionit Evropian theksoi në Prishtinë që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe ajo personalisht është e angazhuar që kjo të ndodhë sa më shpejtë.

“Ju kam dëgjuar qartë për aspektin e liberalizimit të vizave dhe dijeni se edhe unë jam aleatja juaj në këtë drejtim. Kosova e meriton liberalizimin e vizave, e di sa e rëndësishme është kjo për ju. I keni përmbushur të gjitha standardet. Ishte vlerësim i joni që kjo të bëhet në korrik, tanimë e kemi konfirmuar se i keni plotësuar të gjitha kriteret. Detyra jonë është të bindim tërë Këshillin Evropian. Mund të llogarisni te ne në Komision sepse ne do të bëjmë gjithçka për t’ju ndihmuar në rrugëtimin tuaj”, tha Von der Leyen. Presidentja e Komisionit Evropian po viziton Kosovën vetëm pak ditë kur skadon afati me 31 tetor për konvertimin e targave të makinave serbe dhe ku shumë akter ndërkombëtar kërkuan që ky afat të shtyhet edhe për 10 muaj.

 

Problemi me targat

“Shumë shkurt dhe shumë qartë: Unë mendoj  se është e domosdoshme që rregullat të respektohen në çdo shtet.  Nëse ka periudhë transitore, ajo duhet të jetë përfshirëse dhe të shkojë ashtu siç duhet”, tha Von der Leyen, kur u pyet për çështjen e targave. Presidentja e Komisionit Evropian nga Prishtina udhëton për në Serbi vend i cili akoma nuk i ka vendosur snaksione Rusisë, megjithë thirrjen e Bashkimit Evropian. Von Der Leyen, tha se Rusia po e shfrytëzon energjinë si armë duke i manipuluar edhe tregjet ndërkombëtare.

“Ju siguroj që BE-ja nuk do të dorëzohet para këtij shantazhi të Rusisë”, tha Von der Leyen.

Sidoqoftë, kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në skadimin e afatit të dhënë nga qeveria e Kosovës kur qytetarët serb të Kosovës do të mund të qarkullojnë me targat në veturat e tyre që  mbajnë inicialet e qyteteve nga koha e paraluftës. Ka një refuzim nga serbët e veriut, por edhe nga Beogradi, i cili kërkon që kjo çështje të jetë pjesë e negociatave në Bruksel. Data 31 tetor është afati i fundit për konvertimin e targave dhe kjo situatë duket se ka alarmuar bashkësinë ndërkombëtare për mundësinë e tensionimit të gjendjes sidomos në veri të Kosovës. SHBA-të dhe Bashkimi Evropian kërkuan nga qeveria e Kosovës që edhe për 10 muaj të shtyjë afatin për targat. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se  SHBA-ja mbështet  dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa duke folur për çështjen e targave, ai tha se “shpreson që kjo të zgjidhet në mënyrë paqësore”.

 

SHBA mbështet dialogun

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë konsistente dhe përkrahëse për dy vendet. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë dialog të BE-së. Ne do të vazhdojmë të jemi partnerë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë me shpresën se do ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim”, tha Ned Price.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se qeveria e tij i merr shumë seriozisht sugjerimet e aleatëve, por ka për obligim respektimin e ligjit. Sipas tij,  Kosova e ka bërë një shtyrje të afatit për targat nga 31 korriku deri më 1 nëntor. Ka kohë edhe pak ditë që të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviqit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS, thotë Kurti.

“Këto nuk janë masa kundër serbëve, por për serbët. Jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë. Nuk është as hakmarrje, as inat, e as urrejtje. Por zbatim i ligjit. Kur aleatët e partnerët tanë na japin sugjerime ne i marrim ato shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, thotë Kurti. Sipas tij, moskonvertimi i targave ilegale në ato të Kosovës origjinën e ka tek “fushata negative e Beogradit dhe aktet kriminale të dhunës në veri që po e vështirësojnë fushatën për konvertim të targave”.

 

10.000 vetura me traga të vjetra?

Sipas të dhënave të Ministrisë së Rendit të Kosovës besohet se afër 10.000 vetura me targa me akronime serbe të qyteteve të Kosovës, qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Lista Srpska që ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe e cila po kundërshton afatin e dhënë nga qeveria e Kosovës për çështjen e targave, zhvilloi takim në Beograd me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit ka thirrur takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, pikërisht për afatin e dhënë nga qeveria e Kosovës që pas datës 31  tetor të mos lejojë qarkullimin e targave ilegale serbe. Kryetari i listës Srpska, Goran Rakiq, në një konferencë për media në Beograd, tha se “nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe, atëherë do të ketë bllokim të rrugëve”.

 

Kërcnënimet me bllokime

“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, tha Rakiq. Sipas tij, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i është thënë se nëse “Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon të konfiskojë pronën tonë, e pronat tona janë pikërisht targat që janë arsyeja e takimit, ne do të përdorim të gjitha mjetet në mënyrë demokratike dhe paqësore, për të rezistuar dhe do të jetë rezistenca e popullit”, tha Goran Rakiq.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, pikërisht për kërcënimet për bllokim rrugësh në veri, fajësoi siç tha “bandat kriminale” dhe politikën në Beograd.

“Serbia është shtet që kërcënon me masa antiligjore pse Kosova po e zbaton ligjin. Krejt kjo shpjegon gjithçka. Serbia kërcënon me dhunë pse Kosova po e zbaton ligjin. Kjo është ajo piktura e madhe që vazhdimisht insistojmë që të gjithë ta shohin, është çështje e zbatimit të ligjit. Respektim i parimeve e standardeve më të larta. Po e zbatojmë ligjin”, tha presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.

dw

Bilall Kasami akuzoi organizatën Social-Cultural Space Tetova për “Aktivitete pornografike”!!!

space BillallNGA SPACE: PËR KËTË SHPIFJE DO TË DREJTOHEMI TEK ORGANET KOMPETENTE LIGJORE

Nga Komuna e Tetovës në pres për mediat dolën me deklaratë lidhur me çështjen e organizatës për të rinj Space ku kërkohet që të lirojnë objektin e ish radio Tetovës.

Kryetari i komunës se Tetovës nder tjerat akuzoi organizatën Social-Cultural Space Tetova,  se po i manipulon edhe shoqatat tjera dhe se po tenton në mënyrë të padrejtë që të përvetësojë këto hapësira me tendencën e krijimit të monopolit kundrejt shoqatave tjera.

“Duke llogaritur në ankesat e drejtuara deri në komunën e Tetovës nga prindër të cilët janë ankuar se aty për aktivitete të natyrës së ndryshme që nuk kanë të bëjnë aspak me vlera kulturore por përdoren nxënës të shkollave të mesme që faktikisht janë nën moshën 18 vjeçare, ne si komunë obligohemi për mbrojtjen e pronës dhe interesit publik, duke mbajtur përgjegjësi në çdo lloj fatkeqësie që mund të ndodhë dhe të njëjtën përgjegjësi nuk e kemi kaluar me asnjë dokument tek ndonjë autoritet tjetër” – tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

E në deklaratën e Kasamit ku tha se aty behën aktivitete të natyrës së ndryshme që nuk kanë të bëjnë aspak me vlera kulturore, e në pyetjen e gazetareve se për çfarë aktivitetesh konkretisht behet fjalë kryetari i komunës së Tetovës tha.

“Ankesat nga prindit janë për të rinjtë nën moshën 18 vjeçare, ku behën aktivitete ku realisht duhet të jenë për moshat mbi 18 vjeçare dhe një pjese e atyre aktiviteteve kanë qenë në publik të prezantuara edhe nga vetë shoqata, por ankesa te tilla kam edhe unë personalisht nga prind të nxënësve të shkollës fillore. Për çfarë aktivitete konkretisht? Aktivitete pornografike” – deklaroi Kasami.

Nga organizata Social-Cultural Space Tetova reaguan menjëherë lidhur me këtë akuzë duke e quajtur të pa bazë dhe jo të vërtete.

“Kryetari në detyrë i qytetit të Tetovës Bilall Kasami në pres konferencën e sotme për media përveç shpifjeve dhe qasjeve të gabuara të zakonshme për komunitetin dhe hapësirën tonë dhe të rinjtë që kanë krijuar, mirëmbajtur dhe frekuentuar atë për 4 vite, sot pa asnjë turp publikisht na akuzoi për organizim të aktiviteteve pornografike në hapësirat tona, ne jemi të shokuar nga kjo deklaratë thellësisht fyese e në veçanti qe ajo vjen nga hapësirat e komunës së qytetit, tempulli i cili do të duhej të ishte ndihma e parë për përmirësimin e kushteve të qytetareve dhe të rinjtë” – tha Muhamer Mustafa.

Nga shoqata space shtuan se për ketë dezinformatë dhe shpifje të rëndë do të drejtohen tek organet kompetente ligjore në vend. /Klan/

Digjet vetura në Leposaviq pas konvertimit të targave

jarinjeNjë veturë në Leposaviq të Kosovës, që sapo kishte konvertuar targat në RKS (Republika e Kosovës) është djegur, thanë nga Policia e Kosovës.

 

Zëvënedësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kush ia vuri flakën veturës.

“Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes për detyrat e tyre, por sidoqoftë mbetet të punohet në drejtim të hetimit të mëtutjeshme për akterët e mundshëm të këtij akti kriminal”, tha Hoti.

Djegia e veturës në fshatin Krajkovë të Leposaviqit të banuar me shumicë serbe, sipas raportit 24-orësh të policisë, ka ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit.

Ky incident vjen disa ditë para se të përmbyllet procesi i riregjistrimit të makinave nga targat e lëshuara nga Serbia, në targat RKS.

Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë kanë raportuar për djegie të veturave të personave që i kanë konvertuar targat në RKS.

“Nuk kemi ndonjë informacion në këtë fazë, sepse nuk është vetura e vetme që është djegur, janë disa vetura që në këtë periudhë kohore që janë djegur dhe qytetarët janë dëmtuar në pronat e tyre, sidoqoftë mbetet të hetohet më tutje”, tha Hoti.

Po ashtu, në shtator ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte shkruar në Twitter se “edhe një zyrtar serb i Policisë së Kosovës u sulmua nga strukturat paralele që dogjën veturën e tij me targa legale RKS. Kjo është thirrje e hapur për të luftuar institucionet e Kosovës”.

Më 31 tetor, autoritetet në Kosovë kanë thënë se skadon afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.

Targat me akronime serbe për qytetet e Kosovës – sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme – konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës.

Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – kanë paralajmëruar për bllokim të rrugëve, nëse Kosova konfiskon veturat dhe targat. Qeveria e Kosovës, më herët kishte thënë se pas 31 tetorit, makinat me targa serbe, nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës.

rel