Vendet e Ballkanit Perëndimor bien dakord për lëvizjen e lirë mes tyre

BerlinMinistrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pajtohen për udhëtimin pa viza midis tyre dhe për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, duke hedhur një hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kjo u bë e ditur nga ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalina Berbok Baerbock, gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të përfshira në Procesin e Berlinit, e cila theksoi se këta janë hapa historikë, që ndryshojnë jetën e njerëzve.

“Kjo do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre për të vazhduar studimet në Maqedoninë e Veriut dhe se një arkitekt nga Serbia mund të shkojë dhe të punojë në Mal të Zi. Fundja kjo është gjithçka me të cilën ka të bëjë tregu i brendshëm evropian”, tha zonja Baerbock.

 

Në takim u tha se përfitimin më të madh nga kjo marrëveshje do ta kenë qytetarët nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza.

Dokumenti përfundimtar pritet të nënshkruhet me 3 nëntori në Berlin, ku pritet të mbahet takimi i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor dhe të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, si dhe përfaqësuesve të Këshillit dhe Komisionit Evropian.

“Duke nënshkruar të marrëveshjet në takimin e ardhshëm në nëntor, ju po bëni një hap të rëndësishëm përpara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ju po e bëni jetën e qytetarëve tuaj më të lehtë dhe po ndihmoni kompanitë tuaja të nxisin tregtinë dhe rritjen ekonomike në të gjithë rajonin”, tha ajo.

 

Udhëheqësit e Kosovës kanë theksuar se procesi i Berlinit është një nismë gjithëpërfshirëse ku të gjitha shtetet janë të barabarta dhe kanë kundërshtuar cdo nismë që sipas tyre mund të shfaqet si alternative ndaj këtij procesi, përfshirë nismën Ballkani i Hapur që u hodh nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Shtetet e Bashkuara e mbështesin nismën për Ballkanin e Hapur dhe i kanë bërë thirrje Kosovës të bëhet pjesë e saj, por i dërguari për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka theksuar se ajo është një nismë ekonomike që mund të ketë sukses vetëm nëse do të përfshijë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor si të barabarta.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha të premten në Berlin se “nga Procesi i Berlinit, padyshim që presim një bashkëpunim të thelluar në rajonin tonë. Ne gjithashtu presim që Procesi i Berlinit të marrë një vrull dhe dëshirojmë t’i shprehim mirënjohjen tonë qeverisë gjermane për rifillimin e procesit. Integrimi i rajonit në BE dhe integrimi evropian-atlantik është shumë i rëndësishëm”, tha ajo.

Procesi i Berlinit i cili u ringjall nga kancelari gjerman Olaf Scholz, u hodh në vitin 2014 nga ish kancelaria gjermane Angela Merkel me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Durimi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë në pritje të anëtarësimit po mbaron dhe kritikët e ritmit të ngadaltë të zgjerimit të bllokut thonë se kjo u lë hapësirë Rusisë dhe Kinës për të zgjeruar ndikimin e tyre në rajon.

Ministrja e jashtme gjermane tha është përparësi e qeverisë së saj që të përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor në bllok për të siguruar qëndrueshmëri dhe përparim ekonomik, ndërsa bëri thirrje për përshpejtimin e reformave në vendet e rajonit.

Ministrja Baerbock, shprehu dëshirën e saj për normalizimin e “situatës së pazgjidhur” mes Kosovës dhe Serbisë, e cila tha ajo është “shkak i vazhdueshëm i tensioneve”.

Shefja e diplomacisë gjermane i bëri thirrje Serbisë “që të rrisë harmonizimin me politikën e përbashkët dhe të sigurisë të BE-së. Kjo ka të bëjë me sanksionet kundër Rusisë në veçanti; dhe ne presim hapa konkretë të Serbisë për të harmonizuar politikën e saj të vizave. Kontrabanda e njerëzve kërcënon jetën dhe sigurinë e njerëzve dhe marrjen e masave kundër është një qëllim që na bashkon të gjithëve”, tha ajo.

voa

Gjenerali që udhëhoqi bombardimet në Siri është fytyra e re e luftës ruse

Gjenerali Sergei SurovikinGjenerali Sergei Surovikin, që zbaton strategjinë e re ushtarake të presidentit Vladimir Putin në Ukrainë është i njohur për mizorinë e tij në bombardimin e civilëve sirianë nga Rusia.

 

Ai pati rol në vdekjen e tre protestuesve në Moskë gjatë grushtit të dështuar të shtetit kundër Mikhail Gorbaçovit në vitin 1991 që përshpejtoi rënien e Bashkimit Sovjetik.

Pa flokë dhe me pamje të egër, gjenerali Surovikin u vu në krye të forcave ruse në Ukrainë në 8 tetor, pasi në këto 8 muaj luftë, Moska është detyruar të bëjë një sërë tërheqjesh kaotike dhe zmbrapsje të tjera.

Presidenti Putin e vuri në krye të forcave të ushtrisë 56 vjeçarin, pas bombardimit të urës strategjike në Gadishullin e Krimesë që e vuri në pozitë të vështirë Kremlinin dhe krijoi probleme logjistike për forcat ruse.

Rusia u përgjigj me breshëri raketash në të gjithë Ukrainën, që zoti Putin tha se kishin për qëllim të rrëzonin infrastrukturën energjitike dhe qendrat e komandës ushtarake ukrainase. Sulme të tilla kanë vazhduar çdo ditë, duke goditur centrale dhe objekte të tjera me raketa dhe dronë të prodhuar nga Irani.

Gjenerali Surovikin ruajti detyrën e shefit të forcave ajrore, një pozicion që mund ta ndihmojë të koordinojë sulmet ajore me ndërhyrjet e tjera.

Gjatë bombardimeve më të fundit, disa blogerë rusë të luftës shpërndanë një deklaratë që i atribuohet atij, ku shprehej synimi për të vijuar sulmet me forcë të pandalshme, për të goditur qeverinë e Kievit deri në dorëzim të saj.

“Nuk dua të sakrifikoj jetët e ushtarëve rusë në një luftë guerile kundër grupeve fanatikë të armatosur nga NATO,” citohej ushtaraku në deklaratën e shpërndarë. “Ne kemi mjaftueshëm mjete teknike për të detyruar Ukrainën të dorëzohet.”

Edhe pse vërtetësia e deklaratës nuk mund të konfirmohet, duket se ajo pasqyron të njëjtën qasje të fortë që zoti Surovikin zbatoi në Siri ku ai mbikqyri shkatërrimin e qyteteve të tëra për të zhdukur rezistencën rebele pa i kushtuar shumë vëmendje popullsisë civile. Ky bombardim pa dallim, u dënua nga grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe disa media e kanë quajtur atë “Gjeneral Armagedoni”.

Presidenti Putin i dha gjeneralit Surovikin medaljen më të lartë të vendit, atë të Heroit të Rusisë, në vitin 2017 dhe e gradoi atë si gjeneral të përgjiithshëm.

Përkrahësit e Kremlinit vlerësuan emërimin e zotit Surovikin në Ukrainë. Yevgeny Prigozhin, një biznesmen milioner i quajtur “shefi i Putinit” i cili zotëron një kompani që ka marrë kontrata nga ushtria që luan një rol kyç në luftimet në Ukrainë, e vlerësoi atë si “komandantin më të mirë në ushtrinë ruse”.

Por edhe pse përkrahësit e vijës së ashpër prisnin që zoti Surovikin të shtonte raketat mbi Ukrainën, deklaratat e tij të para publike pas emërimit ngjanin më shumë si njohje e dobësive të ushtrisë ruse se sa kërcënime.

Në deklaratat e tij në televizionin shtetëror rus, zoti Surovikin pranoi se forcat ruse në Ukrainën jugore ishin në një “pozitë mjaft të vështirë” përballë kundër sulmeve ukrainase.

Në deklaratat e kujdesshme që zoti Surovinkin u pa t’i lexonte në teleprompter, ai tha se veprimet e mëtejshme në rajon do të varet ecuria e luftimeve. Vëzhguesit e interpretuan deklaratën e tij si një përpjekje për të përgatitur publikun për një tërheqje të mundshme ruse nga qyteti strategjik jugor Kherson në Ukrainën jugore.

Gjenerali Surovikin e filloi karrierën e tij ushtarake në ushtrinë sovjetike në vitet 1980 dhe, si toger i ri, u emërua komandant i njësisë. Më vonë ai u ngrit në postin e shefit të Forcave Ajrore, duke shkaktuar reagime të ndryshme në radhët e tyre, sepse ishte hera e parë që ky post iu dha një oficeri të këmbësorisë.

Ai ishte në qendër të një përplasjeje politike në gusht të vitit 1991, kur udhëheqja e vjetër e Partisë Komuniste organizoi një grusht shteti, duke rrëzuar përkohësisht udhëheqësin e atëhershëm Mikhail Gorbaçov dhe duke dërguar trupa në Moskë për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Gjenerali Surovikin komandoi një nga batalionet e mekanizuara të këmbësorisë që u futën në kryeqytetin rus.

Rezistenca popullore u rrit shpejt dhe në orët e fundit të grushtit të shtetit tre-ditor, protestuesit bllokuan një autokolonë të blinduar të udhëhequr nga gjenerali Surovikin dhe u përpoqën t’u vënë flakën disa prej automjeteve. Në një përleshje kaotike, dy protestues u qëlluan dhe një i tretë u shtyp për vdekje nga një automjet i blinduar.

Menjëherë pas dështimit të grushtit të shtetit gjenerali Surovikin u arrestua. Ai kaloi shtatë muaj në qeli në pritje të një hetimi, por përfundimisht u shpall i pafajshëm dhe madje iu dha grada major pasi hetuesit arritën në përfundimin se ai thjesht po u bindej urdhrave të eprorëve të tij.

Një tjetër moment i vështirë në karrierën e tij erdhi në vitin 1995, kur gjeneral Surovikin u dënua për mbajtje dhe trafik pa leje të armëve të zjarrit ndërsa studionte në një akademi ushtarake. Ai u dënua me një vit burg, por dënimi u anulua shpejt.

Ai u ngrit në mënyrë të qëndrueshme në karrierën e tij ushtarake, duke komanduar njësitë e dislokuara në ish-republikën sovjetike të Taxhikistanit, trupat e dërguara në Çeçeni dhe duke shërbyer në poste të tjera në të gjithë Rusinë.

Ai u emërua komandant i forcave ruse në Siri në vitin 2017 dhe shërbeu për një mandat të dytë atje në vitin 2019, ndërsa Moska u përpoq të mbështeste regjimin e presidentit Bashar Assad në përpjekjet për të rimarrë territorin mes një lufte civile shkatërruese.

Në një raport të vitit 2020, “Human Rights Watch” përmendi gjeneralin Surovikin, së bashku me Presidentin Putin, Presidentin sirian al-Asad dhe figura të tjera si përgjegjës për shkelje të të drejtave njeriut gjatë ofensivës siriane të viteve 2019-2020 në provincën e Idlibit.

Sipas mediave ruse, ai me sa duket ka një temperament që nuk është pëlqyer nga vartësit e tij. Një oficer që ka shërbyer nën komandën e gjeneralit Surovikin u ankua tek prokurorët se gjenerali e kishte rrahur pasi ishte zemëruar për mënyrën se si ai votoi në zgjedhjet parlamentare. Një tjetër vartës thuhet se ka qëlluar veten për shkak të një konflikti me gjeneralin Surovikin. Hetuesit nuk gjetën shkelje në asnjërin prej këtyre rasteve.

Historia e tij në Siri mund të ketë qenë një faktor që ka ndihmuar në emërimin e tij si komandant i forcave ruse në Ukrainë, ndërsa Presidenti Putin ka marrë vendime për të intensifikuar aksionet dhe për të përmbysur një seri humbjesh të mëdha në fushën e betejes.

Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov, i cili vazhdimisht ka bërë thirrje për shtimin e sulmeve në Ukrainë, e vlerësoi zotin Surovik si “një gjeneral të vërtetë dhe një luftëtar, me përvojë të mirë, largpamës dhe të fuqishëm që i jep përparësi patriotizmit, nderit dhe dinjitetit”.

“Grupi i bashkuar i forcave (në Ukrainë) është tani në duar të sigurta,” tha zoti Kadyrov, i cili ka mbështetjen e Kremlinit, duke shprehur besimin se ai do ta “përmirësojë situatën në terren”.

voa

Samiti i BE: Arrihet marrëveshja, por disa paqartësi mbeten!

brukselKrerët e 27 shteteve anëtare të BE kanë miratuar një kufi për çmimin e energjisë. Por shumë pikëpyetje mbeten sa i përket zbatimit.

 

Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, tha në Twitter të premten (21.10), se vendet e BE-së kanë rënë dakord në samitin e tyre të Brukselit për të “hartuar masat për kufizimin e rritjes së çmimeve të energjisë për familjet dhe kompanitë”. Edhe presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen theksoi pas konsultimit gati njëmbëdhjetë orësh se BE-ja ka arritur një marrëveshje të mirë.

Por si do të duket konkretisht zbatimi i kësaj marrëveshjeje nuk është ende e qartë në shumë aspekte. Sipas kancelarit federal Olaf Scholz, shtetet anëtare kanë rënë dakord për blerjet e përbashkëta të gazit, të cilat Komisioni i BE-së propozon t’i bëjë në një masë të vogël të detyrueshme. “Unë mendoj se ky është një përparim i mirë,” tha Scholz në Bruksel.

 

Përveç kësaj, në një takim në Luksemburg të martën e ardhshme (25.10), ministrat e energjisë të BE-së do të shqyrtojnë se si mund të parandalohen luhatjet e çmimeve të shkaktuara nga spekulimet në tregun e gazit. Qëllimi është “që të mos pamundësohet blerja e gazit”, tha kancelari.

 

Dyshimet rreth kufizimeve

“Ne do të prezantojmë një mekanizëm korrigjues të tregut për të kufizuar rritjen e çmimeve të tepërta të gazit,” tha presidentja e Komisionit von der Leyen. Tani do të përpunohen mekanizmat për zbatimin.

Deklarata përfundimtare e samitit përmend në mënyrë specifike një “korridor të përkohshëm dinamik të çmimeve” për tregtimin e gazit. Megjithatë, kjo nuk duhet të rrezikojë sigurinë e furnizimit, pra nuk duhet të rrezikojë mundësitë për blerjen e gazit. Përveç kësaj, tani duhet të përcaktohet edhe kufiri i çmimit për gazin e përdorur për të prodhuar energji elektrike. Çmimi maksimal nuk duhet të çojë në një rritje të konsumit të gazit.

“Ka ende shumë dyshime” në lidhje me pyetjen nëse një tavan evropian për çmimet e gazit, si në Spanjë dhe Portugali, është i mundur, tha Scholz. Vende si Gjermania dhe Danimarka u shprehën kundër tij. Prandaj, kancelari nuk përjashtoi një tjetër samit të BE-së.

 

Dallimet mes Gjermanisë dhe Francës

Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh i kënaqur për marrëveshjen: “Për mendimin tim, qëllimet e këtij samiti janë arritur”, tha ai pas diskutimeve, të cilat diplomatët i kishin cilësuar si të vështira.

Franca, së bashku me shumicën e vendeve, janë angazhuar për kufizimin e çmimit të gazit. Sipas Macron, BE-ja mund të ketë “mekanizma që mund të zbatohen nga fundi i tetorit ose fillimi i nëntorit”. Në Bruksel u dëgjuan mendime se Gjermania ishte e izoluar në qëndrimin e saj, por kancelari Scholz i ka hedhur poshtë këto pohime. “Kjo nuk është e vërtetë”, tha kancelari duke shtuar, se bashkëpunimi mes Gjermanisë dhe Francës është “intensiv” dhe i “suksesshëm”.

Macron tha se ai bashkë me presidentin e Këshillit të BE-së Michel kanë ndërmjetësuar për gjetjen e një kompromisi. Ndërsa javën që vjen Macron do të takohet me kanclarin Scholz, për të vazhduar procesin.

Berlini dhe Parisi kanë anuluar më parë një takim të parashikuar për këtë javë, për shkak të dallimeve rreth energjisë dhe politikës ndaj Rusisë.

Konsultimet në Bruksel do të vazhdojnë për politikën ndaj SHBA dhe Azisë.

bc/mak/wa (afp, dpa, rtr)

COVID-19, dyfishohet prania e varianteve të reja në SHBA; Evropa paralajmëron për rritje

Covid19Agjensitë rregullatore amerikane thanë të premten se varianti BQ.1 dhe BQ.1.1 janë përgjegjës për 16.6% të varianteve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, një nivel ky pothuajse i dyfishuar krahasuar me javën e kaluar, ndërkohë që Evropa mendon se këta do të jenë variantet dominuese brenda një muaji.

 

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha se variantet ka gjasa të rrisin rastet e infektimeve në javët dhe muajt në vazhdim në Evropë.

Këto dy variante janë pasardhës të variantit Omicron BA.5, i cili është më dominuesi në Shtetet e Bashkuara. Agjencitë rregullatore në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara kanë autorizuar rishtazi vaksina përforcuese për ta luftuar atë.

Nuk ka ende evidencë që BQ.1 të lidhet me ashpërsi të rritur të sëmundjes, krahasuar variantët BA.4 dhe BA.5, thanë zyrtarët evropianë, por paralajmëruan se ai mund të shmangë disa mbrojtje imunitare, duke cituar studime laboratorike të bëra në Azi.

“Këto variante (BQ.1 dhe BQ.1.1) mund të sjellin një valë shumë të keqe të sëmundjes këtë dimër në Shtetet e Bashkuara dhe kjo ka filluar tashmë të ndodhë në Evropë dhe Britani”, tha Gregory Poland, virolog dhe studiues i vaksinave në Klinikën Mayo.

Në Shtetet e Bashkuara, rastet e përjavshme ka rënë rishtazi, sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Niveli i koronavirusit i konstatuar në mostrat e ujërave të zeza të testuara nga kompania Biobot Analytics ka qëndruar në të njëjtën nivel në Shtetet e Bashkuara gjatë gjashtë javëve të fundit. Mostrat e ujërave të zeza parashikojnë shpesh rritjen e mundshme të COVID-19ës, përpara se të jenë përpiluar të dhënat e CDC-së.

Variantet e rinj monitorohen nga afër nga agjencitë rregullatore dhe prodhuesit e vaksinave për të parë nëse fillojnë të shmangin mbrojtjen që ofrojnë vaksinat aktuale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha këtë javë se BQ.1.1 po qarkullon në të paktën 29 vende.

CDC-ja tha të premten se BQ.1 dhe BQ.1.1 u vlerësuan javën e kaluar të përbëjnë 9.4% të varianteve që qarkullojnë.

voa

Escobar: S’ka afate për marrëveshjen Kosovë-Serbi, por duam progres

EscobarI dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, ka mohuar të ketë afate për një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, ai ka theksuar se është e rëndësishme për të bërë hapa në këtë drejtim, duke parë situatën nëpër të cilën po kalon Evropa pas agresionit rus në Ukrainë.

 

“Nuk jam në dijeni se propozimi evropian kërkon një zgjidhje urgjente në afat prej disa javësh, por sigurisht që kërkon përparim shumë të shpejtë në dialog”, theksoi Escobar.

Ai ka thënë se SHBA-të e mbështesin propozimin franko-gjerman dhe njohjen reciproke Kosovë-Serbi e shohin si zgjidhjen më të mirë për dialogun. Megjithatë, ka shtuar se dialogu e ka në thelb gjetjen e një zgjidhjeje që u përshtatet palëve.

“ SHBA mbështet njohjen reciproke. Mendojmë se kjo do të ishte më e mira për rajonin. Por thelbi i dialogut është që të dyja palët të gjejnë një zgjidhje që u përshtatet atyre. Nëse ka një zgjidhje që funksionon për të dyja palët”, deklaroi Escobar.

Sa i përket asaj nëse SHBA do ta mbështesnin një marrëveshje edhe pa njohje reciproke, ai theksoi: “Nëse të dyja palët bien dakord, po”.

I pyetur nëse SHBA do të bëjnë presion që kjo të ndodhë, ai u shpreh: “Po e përdorni fjalën ‘presion’ gjatë gjithë kohës. Nuk do ta quaja presion, por inkurajim. Ne duhet të gjejmë një rezultat përfundimtar shumë të qëndrueshëm që i përshtatet të dy vendeve. Qëndrimi ynë gjatë gjithë kohës ka qenë se njohja është ndoshta zgjidhja më e mirë, por nëse të dyja palët gjejnë një zgjidhje tjetër, ne do ta mbështesim atë. Megjithatë, ndërkohë duhet të mbetemi të angazhuar në dialog, duhet të parandalojmë çdo konfrontim dhe çdo lloj dhune mes dy palëve që do të destabilizonte të gjithë rajonin”.

Ai tutje ka sqaruar edhe deklaratën e dhënë në Kosovë, ku marrëveshja vlerësohej si çështje javësh.

“Thashë që ka një propozim franko-gjerman që ne e mbështesim. Është një propozim që duhet shqyrtuar dhe do të na ndihmojë të arrijmë progres në dialog shumë shpejt. Nuk kam vendosur asnjë afat për këtë dhe ai propozim është ende në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Së pari, nuk na takon neve të vendosim afate, por me sa di afate nuk kanë vendosur as evropianët”, sqaroi Escobar.

Ai ka thënë se propozimi franko-gjerman “duhet të shqyrtohet me shumë kujdes dhe të shikohet në kontekstin e asaj që po ndodh në Evropë”.

“Po, u përmendën javët, por mendoj se kjo do të thotë se ky propozim duhet të shqyrtohet me shumë kujdes dhe duhet parë në kontekstin e asaj që po ndodh në Evropë. Prandaj, ideja e progresit drejt krijimit të një situate të qëndrueshme në Ballkan është absolutisht e rëndësishme në këtë moment. Sa më shpejt të shqyrtojmë mundësitë për ta arritur këtë, aq më mirë”, tha ai.

Escobar tutje ka përgënjeshtruar shkrimet në media ku 24 shkurti përmendej si datë e nënshkrimit të marrëveshjes: “Nuk e di nga ka ardhur kjo, por kjo absolutisht nuk është e vërtetë”.

Ai ka thënë se nuk ka kurrfarë kërcënimesh për palët dhe se nuk janë planifikuar sanksione. “Nga këndvështrimi ynë, edhe Serbia edhe Kosova janë partnerë të rëndësishëm, konstruktivë dhe e gjithë kjo duhet të bëhet në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja”, nënvizoi Escobar.

Sa i përket kërkesës që BE-ja i ka bërë Kosovës për shtyrje të zbatimit të vendimit për targa për 10 muaj, ai tha se shpreson që afati të shtyhet në mënyrë që zbatimi të jetë më pak kaotik dhe të sigurohen kushtet për zbatimin e duhur.

“Gjatë atyre dhjetë muajve do të kërkohet që të bëjnë një fushatë informuese, të bëjnë më shumë konsultime me komunitetet që do të preken nga kjo dhe të kenë më shumë koordinim me bashkësinë ndërkombëtare”, tha ai.

Escobar shtoi se nuk ka afate për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, por se është “një obligim ekzistues që duhet përmbushur”.

“Dhe po, unë gjithmonë e ngre këtë çështje me autoritetet e Kosovës”, tha tutje diplomati amerikan.

rtk

Çfarë ka në 24 hektarët përreth Manastirit të Deçanit?

Manastiri i DecanitQë nga përfundimi i luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, Manastiri i Deçanit, i cili gjendet në pjesën perëndimore të vendit, kërkon marrjen në pronësi të një sipërfaqeje prej rreth 24 hektarësh.

 

Kjo tokë, që ndodhet përreth këtij manastiri, në kadastër është e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” - e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.

Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016.

Por, këtë vendim, autoritetet lokale të Deçanit nuk e zbatojnë as sot e kësaj dite, duke vlerësuar se kjo sipërfaqe u mor me dhunë në vitet ’90, nga regjimi i udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Nga Manastiri i Deçanit i thanë REL-it se në vitin 1997, manastirit, në fakt, iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, të cilët i janë marrë në vitin 1946 nga pushteti komunist i Jugosllavisë së atëhershme.

 

Çfarë ka në këtë sipërfaqe dhe pse është e rëndësishme për Deçanin?

Përveç tokës bujqësore dhe pyllit, në këta 24 hektarë ndodhen edhe dy objekte hoteliere, me rreth 10 objekte të vogla përcjellëse, si dhe objekti i një ndërmarrjeje që në kohën e paraluftës njihej për prodhim të mjaltit.

Radio Evropa e Lirë i vizitoi këto objekte, të cilat, me kalimin e viteve, u dëmtuan dhe shkatërruan.

 

Hotel “Iliria”, një objekt i shkatërruar në mes të malit

Rreth 500 metra larg Manastirit të Deçanit, i fshehur mes pishave të larta, ndodhet objekti i hotelit “Iliria”.

Ky hotel ishte ndër më të njohurit e kësaj ane në vitet e 70-ta dhe 80-ta.

Përveç që punësonte mesatarisht rreth 40 punëtorë, ai kishte fluks të madh vizitorësh, sidomos gjatë sezonit të verës.

Ky objekt – tani nën mëshirën e fatit – ndaloi së punuari në vitet ’90, kur regjimi i atëhershëm serb vendosi masa të dhunshme në Kosovë, duke mbyllur shumë institucione dhe ndërmarrje.

Inventari dhe gjërat e tjera përcjellëse u vodhën apo u dëmtuan në masë të madhe pas luftës, më 1999.

 

Hoteli tjetër që nuk i shihet fundi

Në skaj të hotelit “Iliria” ndodhet një kompleks tjetër hotelier.

Ndërtimi i tij nisi para luftës së viteve 1998-99, por punimet nuk u finalizuan.

Tensionimi i situatës politike atëbotë dhe fillimi i luftës bënë që punimet të ndërpriteshin.

 

Në hapësirat e brendshme vërehet se hoteli parashihej të kishte dhjetëra salla dhe një numër të madh dhomash.

Aty tani ka vetëm mbetje të ndërtimit.

Për këtë hotel nuk ka të dhëna për sipërfaqen, por ajo duket mjaft e madhe.

 

“Apiko”, një objekt i rrethuar që s’mund të vizitohet

Objekti i bletarisë “Apiko” është i boshatisur dhe i rrethuar me tela.

Aty ka vite që nuk ka shkelur këmbë punëtori.

Që nga viti 1999, objekti i kësaj ndërmarrjeje është nën kujdesin e trupave të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Hyrja në të është e ndaluar.

Për shkak të afërsisë me një pikë kontrolli të KFOR-it, fotografimi i objektit është i mundur vetëm nga një distancë e largët.

Këtu kanë punuar rreth 30 punëtorë deri në fillim të viteve të 90-ta.

Si shumë ndërmarrje të tjera, edhe “Apiko” ndaloi së operuari për shkak të tensionimit të situatës politike.

Të gjitha këto objekte dhe vetë objekti i Manastirit të Deçanit ndodhen brenda asaj që me ligj kualifikohet si Zonë e Veçantë e Mbrojtur dhe përfshin gjithsej 839 hektarë.

Kuvendi i Kosovës, në vitin 2008, miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb, si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.

Në zona të tilla nuk lejohen ndërtime e as zhvillim i projekteve infrastrukturore, por kjo s’e pengoi manastirin që të shtojë rrethoja guri dhe objekte të tjera përgjatë viteve.

 

“Humbjet janë të mëdha”

Përveç institucioneve komunale dhe atyre qendrore, pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë nuk e njohin as disa qytetarë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë.

Miftar Januzaj, 63 vjeç, nga fshati Isniq i Deçanit, i cili ka punuar 15 vjet në kompleksin e pushimores “Pishat e Deçanit”, thotë se bllokimi që i është bërë hapësirës dhe ndërmarrjeve pranë manastirit, ka shkaktuar dëme të mëdha për banorët.

“Manastiri i Deçanit është vend kulturor, por nuk do të thotë se ka të drejtë t’i marrë pronat që nuk i takojnë. As ne nuk i marrim të manastirit, por as manastiri të mos na i marrë tonat”, shprehet Januzaj.

Pushimorja e fëmijëve “Pishat e Deçanit” është në kuadër të Zonës së Veçantë të Mbrojtur. Ajo ruhet nga KFOR-i. Fotografimi i saj ishte i pamundur.

Por, siç shpjegon Janzuaj, pushimorja ka pasur një kapacitet të madh të akomodimit.

“Ka qenë një vend, ku kanë ardhur fëmijë nga e gjithë Kosova. Ka qenë një pushimore e të gjitha komunave. Ka qenë një pushimore me kapacitet prej 510 shtretërish. Ka qenë vend tejet piktoresk”, thotë Janzuaj.

Profesori dhe autori i librit “Resurset malore të Deçanit dhe turizmi”, Adem Lushaj, thotë se bllokimi i objekteve të kompleksit hotelier “Iliria” dhe fabrikës së mjaltit “Apiko” e ka penguar zhvillimin ekonomik të Komunës së Deçanit.

Ai është kundër vendimit që manastiri t’i marrë në pronësi 24 hektarët tokë përreth tij, pasi, siç thotë, të vetmit pronarë të asaj toke dhe objekteve përcjellëse janë dy ndërmarrjet: “Iliria” dhe “Apiko”.

“Humbjet janë të mëdha, si në aspektin e punësimit, ashtu edhe të gjenerimit të të hyrave, kur dihet se turizmi është një sektor i zhvillimit ekonomik – tejet i rëndësishëm për Komunën e Deçanit”, shprehet Lushaj.

Lushaj thotë se në kompleksin hotelier “Iliria”, në fabrikën e mjaltit “Apiko” dhe në pushimoren “Pishtat e Deçanit” kanë punuar rreth 100 punëtorë.

“Sipas një statistike që e kemi marrë, fabrika e mjaltit i ka pasur deri në 25 punëtorë, ndërsa kompleksi hotelier ‘Iliria’ ka qenë shumë i frekuentuar dhe ka pasur deri në 40 punëtorë”, thotë Lushaj.

Sipas tij, rreth 40 punëtorë të tjerë, varësisht nga sezoni, kanë qenë të angazhuar edhe në pushimoren e fëmijëve “Pishat e Deçanit”.

 

Historia e kontestit në pak rreshta

Komuna e Deçanit dhe drejtoritë përkatëse, përfshirë Kadastrën, refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër këta 24 hektarë.

Ato pretendojnë se kjo sipërfaqe u takon ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i kanë takuar asnjëherë Manastirit të Deçanit.

Jo vetëm institucionet lokale në Deçan, por edhe Qeveria e tanishme e Kosovës, si dhe disa qeveri të kaluara kanë shprehur haptas bindjen se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997, kur ai ka vendosur t’ia dhurojë atë pronë Manastirit të Deçanit.

Në një formë apo tjetër, këtë mendim e kanë shprehur edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, si dhe presidentja Vjosa Osmani.

Por, kërkesa të vazhdueshme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese – autoritetit përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës – ka nga shtetet e QUINT-it: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.

rel

 

Në Shkup, Ursula von der Leyen do të prezantojë një paketë për mbështetje energjetike për rajonin

Ursula von der LeyenPako për mbështetje energjetike nga Komisioni Evropian për rajonin javën e ardhshme në Shkup do ta prezantojë kryetarja e KE-së Ursula von der Leyen, njoftoi dje ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani. Vlera e paketës mbështetëse sipas njoftimeve, është një miliard euro.

 

Osmani u njoftua nga Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhey, për pakon e mbështetjes energjetike, e cila siç tha do të shpallet me ardhjen e kryetares të KE javën e ardhshme në Shkup, para së gjithash për tejkalimin e problemeve aktuale për sa i përket furnizimit me energji dhe çmimeve të larta për industrinë dhe familjet.

Në takimin me Varhejin, Osmani falënderoi Komisionin Evropian për punën e tij në planin për përballimin e krizës energjetike për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili pritet të propozojë fonde financiare urgjente për zgjidhjen e problemit, afatshkurtër, afatmesëm dhe nevojat afatgjata të rajonit tonë. Siç bën me dije Ministria e Jashtme, Varheji ka paralajmëruar një paketë financiare për rajonin në vlerë prej një miliardë eurosh për të zbutur efektet e krizës energjetike.

Më herët, më datë 19 të këtij muaji, ministri i Ekonomisë Kreshnik Beksheti ka nënshkruar letrën me kërkesa konkrete nga vendi për ndihmë nga Komisioni Evropian për përballimin e pasojave të krizës energjetike.

“Në letër kërkojmë që nga 1 janari të zgjerohet lista e kategorive të qytetarëve që marrin ndihmë për energji elektrike dhe kërkojmë bashkëfinancim të disa subvencioneve që tashmë do të fillojnë të realizohen me qëllim ndërtimin e termocentraleve fotovoltaike në çatitë e amvisërive dhe sipërmarrjeve mikro të vogla, si dhe subvencionim direkt për kompanitë që janë në tregun e hapur të energjisë elektrike dhe ato që janë në tregun e rregulluar për të ruajtur konkurrencën e tyre në nivel rajonal dhe evropian”, tha Bekteshi.

 

Në kërkim të kryeministrit të ri britanik: a do të ketë Johnsoni një shans të dytë?

Boris JohnsonPas muajsh kaosi, Partia Konservatore Britanike është sërish në kërkim të një kandidati për kryeministër. A do të ketë Boris Johnson një shans të dytë?

 

Pas dorëheqjes së kryeministres britanike Liz Truss, gara për ta pasuar atë ka marrë vrull. Brenda Partisë Konservatore po merr formë një mosmarrëveshje veçanërisht rreth kandidaturës së ish-kryeministrit dhe paraardhësit të Truss, Boris Johnson. Ish-ministri i Financave Rishi Sunak, Ministrja e Çështjeve Parlamentare Penny Mordaunt, si dhe Sekretarja e Brendshme Suella Braverman, e cila dha dorëheqjen vetëm të mërkurën e kaluar, u panë fillimisht si kryesues.

Në Londër po presim me padurim aplikimet zyrtare. Ministri i Ekonomisë i Britanisë, Jacob Rees-Mogg ishte anëtari i parë i kabinetit që doli në favor të kthimit të Johnson-it si kryeministër. “Unë mbështes Borisin” (“Unë mbështes Borisin”), shkroi në Twitter të premten ky mbështetës i vijës së ashpër të Brexit-it, i konsideruar ekscentrik. Ai gjithashtu e shoqëroi tweet-in e tij me hashtagun #BORISorBUST (në shqip: Boris ose thyej).

 

Johnson është ende nën hetim

Ka raportime se ish-kryeministri Johnson, i cili u largua nga detyra vetëm në fillim të shtatorit për shkak të skandaleve të shumta, është i interesuar për një kandidaturë të re. Pasardhësja e tij, Truss, e njoftoi dorëheqjen e saj të enjten, pas vetëm 45 ditësh në detyrë.

Fillimisht ishte e paqartë, megjithatë, nëse Johnsoni do të merrte mbështetje të mjaftueshme brenda grupit parlamentar. Për më tepër, aktualisht në Parlament po zhvillohet një hetim nëse Johnsoni gënjeu në lidhje me çështjen Partygate mbi festat e ndaluara gjatë mbylljes së pandemisë, në selinë e qeverisë në Downing Street 10.

Propozimet pranohen deri të hënën pasdite

Kreu i ri i qeverisë duhet të zgjidhet jo më vonë se 28 tetori. Për të hyrë në garë, kandidatët duhet të kenë mbështetjen e të paktën 100 deputetëve, siç njofton partia. Propozimet mund të dorëzohen deri të hënën (15:00 CEST).

Nëse më shumë se dy kandidatë e kapërcejnë këtë pengesë, votimi brenda grupit parlamentar do të vendosë ndërmjet kandidatëve. Nëse do të mbeten dy finalistë, baza e partisë mund të vendosë mes tyre gjatë javës me një votim online.

A do të marrë Johnsoni votat e nevojshme?

Por ka mundësi edhe që vendimi të merret më herët nëse njëri nga dy finalistët tërhiqet vullnetarisht. Kjo mund të funksionojë në favor të Johnson-it. Ish-ministrja e kulturës Nadine Dorries, një bashkëpunëtore e ngushtë e Johnson-it, e përshkroi ish-kryeministrin si fitues. Sky News citoi një anëtar të kabinetit të thoshte se Johnson-i ishte në gjendje të siguronte votat e nevojshme për të qëndruar.

Por ka edhe kundërshtarë të prerë të një rikthimi të Johnson-it. Deputeti i konservatorëve, Crispin Blunt, tha për Sky News se 58-vjeçari nuk ishte ai që do të rivendoste imazhin e partisë. Deputeti Roger Gale njoftoi se do të largohej nga partia nëse Johnsoni do të kthehej në Downing Street.

Liberalët bëjnë thirrje që Trussit të mos marrë kompensim

Dorëheqja e Truss-it u shkaktua nga trazirat e tregut për agjendën e saj radikale ekonomike, e cila gjithashtu solli kritika të rënda brenda radhëve të partisë së saj.

Udhëheqësi i Liberal Demokratëve të opozitës, Ed Davey, kërkoi që Trussi të mos merrte kompensimin prej 115.000 paundësh në vit, që është normë për ish-kryeministrat. “Të punosh 45 ditë nuk duhet të të japë një pension që është shumëfish i asaj që marrin njerëzit e zakonshëm atje pas një pune të tërë”, tha Davey për radio stacionin LBC.

aud (rtr, tgsch)

BE i kërkon Kosovës, 10 muaj afat shtesë për regjistrimin e veturave serbe

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter StanoZëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka konfirmuar se BE kërkon nga autoritetet kosovare, që për 10 muaj të shtyjnë afatin për regjistrimin e automjeteve me targa serbe.

 

Ndonëse e cilëson se vendimi i Kosovës për riregjistrimin  e targave është legjitim, sipas Stanos, është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani, të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët atje, dhe në përputhje me praktikat evropiane.

“Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për ri-regjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime. Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj”, ka pohuar Stano në një përgjigje me shkrim.

Kjo shtrirje, sipas tij, do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur.

Njëkohësisht, pohon Stano, kjo do t’i mundësonte Kosovës që të gjithë serbëve të Kosovës në veri t’u lëshohen letërnjoftime dhe patentë shoferi të Kosovës.

“Duhet të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe potencialisht, dhuna në veri të Kosovës. Kjo është e një rëndësie të veçantë në kontekstin aktual gjeopolitik, në funksion të ruajtjes së stabilitetit në rajon”, ka porositur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

rtk

 

Procesi i Berlinit, arrihen tre marrëveshje për Tregun e Përbashkët Rajonal

Ballkani perendimor BerlinMinistrat e jashtëm të BP kanë rënë dakord në Berlin për lëvizjen e lirë me karta identiteti mes shtetasve të rajonit, njohjen e diplomave universitare, dhe njohjen e kualifikimeve profesionale

 

Falë angazhimit diplomatik të qeverisë gjermane, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur të premten në Berlin të bien dakord për nënshkrimin e tre marrëveshjeve të reja në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Këtë e bëri të ditur të premten në Berlin, ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, në kuadër të ministerialit të ministrave të jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit.

 

Heqja e vizave mes Kosovës dhe Bosnjës 

Tri marrëveshjet parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të BallkanitPerëndimor, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët.

Ministrja gjermane e punëve të jashtme theksoi të premten gjatë fjalës hapëse në konferencë se përfitimin më të madh nga kjo marrëveshje e kanë njerëzit nga Kosova dhe Bosnja-Hercegovina, të cilët nuk do të kenë nevojë për vizë për të vizituar njëri-tjetrin. “Kjo do të thotë që të rinj kosovarë dhe bosnjakë do të vizitojnë njëri-tjetrin pa viza, gjë që  për ne evropianët është e zakonshme. Do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre bachelor për të punuar në Maqedoninë e Veriut, dhe që arkitektët nga Serbia të punojnë në Mal të Zi”. Baerbock tha se këto marrëveshje lehtësojnë rrugën për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal.

 

Heqja e tarifave për njohjen e diplomave dhe kualifikimeve

Krahas të dërguarit të posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për arritjen e marrëveshjeve ka punuar edhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, me qendër në Sarajevë. Sekretarja e përgjithshme e tij, Majlinda Bregu, sqaroi se falë marrëveshjes tani të diplomuarit nuk do të kenë nevojë të paguajnë më tarifa prej 200 deri 500 euro për njohjen reciproke të diplomave. “Me këtë marrëveshje, kjo kosto do të jetë zero. Për qytetarët ky është një fitim real”, tha ajo. Bregu tha se falë marrëveshjes së lëvizjes së lirë të njerëzve, bie edhe “muri i fundit i regjimit të vizave në Ballkanin Perëndimor, ai mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës”.

Duke kujtuar suksesin e parë të deritanishëm të Procesit të Berlinit, heqjen e tarifave roaming, Bregu tha se “tani ka ardhur koha që të hiqen tarifat roaming mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.”

 

Nënshkrimi përfundimtar pritet më 3 nëntor

Dokumenti përfundimtar do të nënshkruhet në samitin e 3 nëntorit në Berlin, në prani të gjithë liderëve të shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, si dhe përfaqësuesve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisionit të BE.

Marrëveshjet e arritura janë tre nga katër marrëveshjet, për të cilat liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kishin rënë dakord qysh në samitin e Sofjes, në nëntor të vitit 2020, asokohe nën ish-kancelaren Merkel. Por ato mbetën të paimplementuara për shkak të mungesës së vullnetit politik të Kosovës dhe Serbisë. Kosova ngulte këmbë që ajo të merrte pjesë në këto marrëveshje si Republikë e Kosovës, gjë që nuk e pranonte Serbia. Kompromisi i arritur, duket se i ka tejkaluar këto mosmarrëveshje. Qarqe diplomatike i dhanë DW se është zgjedhur një gjuhë diplomatike të atillë, me të cilën mund të jetojë si Kosova, ashtu edhe Serbia.

 

dw