Lora Fanda rrëfen për rrugëtimin e saj drejt suksesit në sferën e inxhinierisë biomjekësore

LoraBëhet fjalë për Lorën, një vajzë me plot ambicie dhe e përkushtuar maksimalisht në profesionin e saj, e cila vendosi të ndiqte rrugën e saj drejt suksesit duke udhëtuar fillimisht drejt Amerikës për të përfunduar shkollën e mesme e më pastaj edhe universitetin.

 

E bindur që do të mund të vazhdoj për studime master të inteligjencës artificiale dhe të arrinte synimet e saj, ajo udhëtoi dhe u zhvendos në Zvicër ku dhe përfundoi studimet me sukses, ajo aktualisht vazhdon për studime të doktoraturës në aplikimin e inteligjencës artificiale në sëmundjen e epilepsisë në një nga Qendrat e vetme në botë që punon me monitorimin e epilepsisë me elektrodë të implantuar, me shpresë që një ditë këto njohuri t’i shfrytëzoj në vendlindje dhe të krijoj një qendër të ngjashme për trajtimin e epilepsisë.

 

Ndonëse ende shumë e re në moshë ajo mban mbi supe një karrierë të shkëlqyer si inxhiniere dhe shkencëtare në fusha klinike. Në një intervistë për Telegrafi Maqedoni, Lora rrëfen për gjithë rrugëtimin e saj profesional, për synimet dhe arritjet e saj në karrierë dhe jetë.

 

LoraFandaKush është Lora për ata që se njohin?

Në jetën personale, unë jam sportiste dhe artiste. Më pëlqen të kaloj kohë duke luajtur volejboll, skijuar, vrapuar por dhe te luaj piano, të pikturoj, të lexoj, dhe të mësoj gjuhë të reja. Në jetën profesionale, jam inxhinier dhe shkencëtare në fusha klinike. Udhëtimi im profesional filloj ne Bachelor në Inxhinieri Biomjekësore në Case Western Reserve University (CWRU), me specializim në pajisjet mjekësore dhe inxhinieri sistemesh. Ndërkohë kam punuar në Philips Healthcare si “Verification Engineer”. Më pas punova ne Qendrën Mjekësore Langone NYU si shkencëtare të dhënash me pacientet epileptik dhe investiguar procesimin e vazhdueshëm te gjuhës natyrale me anë të një projekti ne bashkëpunim me Universitetin e Princeton dhe Google. Në Zvicër, mora diplomë Masteri në Inteligjencë Artificiale (AI) nga Instituti Kërkimor Idiap (Idiap Research Institute), ku përdora teknika të “Machine Learning” për të interpretuar dhe klasifikuar vetitë e EEG (Elektroencefalografi).

 

Ju keni jetuar dhe studiuar në Amerikë, ndërsa jeni zhvendosur në Zvicër për studimet master dhe studimet e doktoratës, pse pikërisht vendosët të vazhdoni studimet e juaja në Zvicër dhe jo në Amerikë ku keni jetuar?

Unë kam jetuar në Tetovë dhe jam zhvendosur në Amerikë për shkollë të mesme dhe universitet. Mbasi mbarova universitetin, desha të vazhdoj studimet në degën e inteligjencës artificiale (IA) dhe aplikova në një Master në temën e AI në Zvicër për të përdorur njohuritë e reja në analiza të të dhënave klinike. Mbasi mbarova masterin, gjeta një oportunitet të shkëlqyeshëm për të vazhduar studimet në formë të doktoraturës në aplikimin e inteligjencës artificiale në sëmundjen e epilepsisë. Qendra mjekësore ku punoj si kandidate e doktoraturës është një ndër qendrat e vetme në botë që punojnë me monitorimin e epilepsisë me elektrodë të implantuar për pacientët epileptikë. Ky mjedis unik ishte një faktor shumë i madh që unë të vendos të punoj në temën e doktoraturës me të cilën jam duke punuar aktualisht. Me kalimin e kohës shpresoj të transferoj njohuritë e mia që të krijohet apo pasurohet një qendër epilepsie në Tetovë. Unë vazhdoj të ruaj marrëdhëniet me miqtë dhe kolegët që kanë të njëjtin qëllim në mendje. Shpresojmë të kthejmë dukshëm më shumë nga sa kemi marrë.

 

Aktualisht jeni duke punuar në një spital të fëmijëve në Zvicër, si e arritët këtë dhe çfarë mund të thoni rreth kësaj përvoje?

Ndërsa punoja në masterin tim në inteligjencën artificiale, punova në një spital në Lozanë në një projekt për fëmijë dhe të rritur me ambliopi të mbetur. Tani po punoj në spitalin e Gjenevës me pacientë me epilepsi. Gjithmonë e kam udhëhequr punën time me kuriozitet dhe deri tani më ka dhënë rezultat. Është e nevojshme, veçanërisht si emigrant, të punoni më fort dhe të keni rezultate të mira në punën tuaj, pasi kjo dëshmon përpjekjet tuaja. Unë jam mirënjohës për mbikëqyrjen në Qendrën Mjekësore të NYU Langone dhe mentorin tim aktual të doktoraturës që vazhdoi të ushqejë kureshtjen time dhe të më mësojë teknikat që do të bëj gjatë gjithë karrierës sime.

 

lora familjaTregoni një nga përvojat e juaja që ju ka ofruar një mësim për jetën?

Një nga mësimet më të mira të karrierës ka qenë nga mentori im në NYU, Adeen Flinker. Si një studiues i motivuar dhe kurioz, unë po merrja shumë projekte për të cilat ai shqetësohej se do të mbipunoja veten. Si dhuratë ndarjeje për Zvicrën, ai më dha një origami të personazhit mitik të Icarus. Shkurt, Icarus ishte djali i mjeshtrit, mjeshtër Dedalus, i cili bënte krahë nga puplat dhe dylli për t’i ndihmuar ata të shpëtonin nga burgimi. Icarus, megjithatë, fluturoi shumë afër diellit, duke shkaktuar shkrirjen e krahëve të tij dhe përfundimisht duke çuar në rënien e tij tragjike në det. Adeen më kujtoi të mos fluturoja afër diellit në mënyrë që të mos shkrija krahët e mi, por të mos fluturoja kurrë aq poshtë sa të prekem nga pemët dhe malet. Megjithëse synimet e tij ishin të më ndihmonte të gjeja një ekuilibër të mirë në akademi, mësimin e tij e kam zbatuar edhe në jetën time personale. Për t’iu përkushtuar plotësisht njerëzve për të cilët kujdesemi, duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur midis kujdesit për të tjerët dhe kujdesit për veten. Mendoj se kjo është një sfidë e veçantë brenda kulturës sonë, në të cilën ne po përmirësohemi (edhe pse shumë ngadalë) për të mirën e komunitetit tonë.

 

A mendoni të ktheheni dhe të kontribuoni në atdhe ndonjëherë?

Jeta është e çuditshme dhe nuk dihet ku dhe kur vijnë oportunitetet. Kontributi për qytetin tim dhe për njerëzit në nevojë është një nga prioritetet e mia më të mëdha. Nuk mund të parashikoj se kur dhe ku do të arrihet, pasi jam ende një student ekspert në fushën time, por tashmë kam folur me miq të fushave të ngjashme për të menduar për metodat më të mira për t’i kontribuar atdheut tonë. Unë jam e etur për të ardhmen kur mendoj se çfarë mund të arrijmë së bashku. Mbasi ekspertiza ime është në Inteligjencën Artificiale, Neuroshkencën, dhe Inxhinierinë, do provoj të sjelli njohuritë që mungojnë në atdheun tim të paktën në formë të lektyrave dhe informatave tjera.

 

Çfarë do i kishe sugjeruar gjithë rinisë?

Nuk kam ende përvojë të mjaftueshme për të sugjeruar diçka të rëndësishme. Por, unë do të ndaj me ju sugjerimet që kam marrë nga familja ime. “Puno shumë kur je i ri, që më vonë, puna e vështirë të jetë e lehtë dhe ta ndash atë me të tjerët të jetë ende më lehtë” dhe “Ndaj me të tjerët më shumë se sa mund të marrësh”. Këto kanë qenë sugjerime që më kanë funksionuar shumë mirë dhe i kanë dhënë jetës sime qëllim dhe qartësi.

Aroma Aliti/ Telegrafi

Tensione në veriun e Kosovës – grupe qytetarësh serbë përplasen me policinë

ZvecanGrupe qytetarësh serb u përplasën të premten me policinë e Kosovës e cila tha se po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.

 

Policia hodhi gaz lotsjellës në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë turmën e cila hodhi shashka dhe gurë mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine të policisë.

Në një njoftim të policisë thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve. Sipas policisë janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por ende nuk dihet vendi i saktë.

 

Mediat në Serbi thanë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç nënshkroi një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë së Serbisë në nivelin më të lartë dhe ka urdhëruar lëvizjen e njësive në drejtim të vijës kufitare me Kosovën.

Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv në Beograd tha se është urdhëruar një lëvizje urgjente e trupave, meqë sipas tij, “është e qartë se terrori ndaj komunitetit serb në Kosovë po ndodh”.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier shkroi se Shtetet e Bashkuara i dënojnë veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë, shkroi ai.

Senatori amerikan Chris Murphy, duke shpërndarë postimin e ambasadori Hovenier tha se ka biseduar në telefon me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet për zhvillimet në veriun e Kosovës.

“Në takimin tim të hënën në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti, ai nuk përmendi një plan për qasje në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës jam kapur tërësisht në befasi dhe ai duhet t’i japë fund këtij provokimi menjëherë. Po, këto komuna janë pjesë e Kosovës dhe nën juridiksionin e Prishtinës. Këta zyrtarë kanë të drejtën ligjore teknike për të hyrë në këto ndërtesa. Por pikërisht në këtë moment, me situatën kaq të tensionuar në veri, është një hap qëllimisht provokues dhe i panevojshëm”, shkroi senatori Murphy.

Kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të këtij viti, u betuan një ditë më parë nëpër shkolla e ndërtesa të tjera publike në këto komuna, për shkaqe sigurie.

Një muaj më parë autoritetet e Kosovës organizuan zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri me gjithë refuzimin e subjekteve politike serbe që të marrin pjesë në proces pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës dhe zyrtarët në Beograd kundërshtojnë rezultatin e këtij procesi zgjedhor.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.

Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta.

Marrëveshja Kosovë – Serbi, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe ata për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

voa

Varhelyi: BE-ja çmon pozicionin e Kosovës ndaj Rusisë

Varhelyi KurtiKomisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, që vizitoi edhe pjesën veriore të Kosovës, bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi.

 

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha në Prishtinë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Gjatë një vizite që realizoi në Kosovë dhe takimeve që pati me udhëheqësit e lartë politikë, Komisionari Varhelyi, tha se nuk erdhi në Prishtinë që t’ua rikujtojë, “por se të gjitha palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet që kanë rënë dakord, përfshirë ato të vitit 2013 e 2015 për themelimin e Asociacionit”.

“Mendojmë që është bërë progres vitin e kaluar. Tash është e domosdoshme që të dyja palët t’i ofrojnë dhe t’i zbatojnë të gjitha obligimet pa vonesa, sepse duhet ta shfrytëzojmë momentin. Të ecim para me zbatimin e marrëveshjes sa më parë dhe të zbatohen pa kushte”, tha Vahelyi, duke i cituar konkluzat e Këshillit Evropian ku thuhet se “të dyja palët nxiten që t’i zbatojnë plotësisht dhe pa kushte të gjitha obligimet për të cilat janë zotuar”.

 

Kosova duhet të vazhdojë reformat

Komisioneri i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe Zgjerim, tha se Kosova duhet të vazhdojë reformat dhe ato duhet të zbatohen, duke lavdëruar vendin për pozicionin e saj ndaj zhvillimeve të luftës në Ukrainë dhe saksioneve ndaj Rusisë.

“Nëse ka një mesazh të qartë që vjen gjithmonë nga Prishtina është se Kosova është shumë e përkushtuar sa i përket përafrimit me BE-në. Keni treguar angazhim dhe mbështetje në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Diskutuam çështjen e reformave, dhe arritjet në gjashtë vitet e fundit. Reformat duhet të jenë të vazhdueshme dhe të zbatueshme, duhet një regjistër i tyre. Përshëndesim angazhimin e qeverisë për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit. Duhet luftimi i nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kosova është në fazë të hershme sa i përket adresimit të këtyre çështjeve. Kosova është vend strategjik për tërheqjen e bizneseve por, për këtë duhet krijuar kushtet e volitshme. Po ashtu dhuna ndaj mediave e presionet duhet të ndalen”, tha Varhelyi duke dhënë një sërë mesazhesh për Kosovën, gjatë një konference të përbashkët me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo e fundit, tha se “Kosova mbetet e përkushtuar për të ecur drejt integrimit në Bashkimin Evropian” dhe sipas saj, “po punohet përditë që Kosova t’i afrohet këtij qëllimi”.

“Përkushtimi për ta ofruar vendin tonë në BE mbetet i palëkundur. Aplikimi për anëtarësim është rikonfirmim i kësaj. Kosova po e forcon çdo ditë sundimin e rendit e ligjit duke u koordinuar me BE-në”, tha Presidentja Osmani, duke shtuar se “Kosova vazhdon të qëndrojë përkrahë aleatëve për ta mbrojtur demokracinë e vlerat qe na bashkojnë”.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me komisionarin Oliver Varhelyi, tha se  ata “bashkë, diskutuan për gjetjet në Raportin e Vendit për këtë vit, i cili konfirmon se Kosova ka shënuar progres në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe ka intensifikuar aktivitetet legjislative, si dhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën e përshpejtimit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian”.

 

Varhelyi viziton pjesën veriore të Mitrovicës

Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, vizitoi edhe pjesën veriore të Mitrovicës të banuar me shumicë serbe dhe Urën mbi Lumin Ibër që ndanë qytetin në dy pjesë,  ai e kaloi në këmbë, Urë kjo e cila tash e disa vjet vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullimin e makinave.

Vizita e Komisionarit Varhelyi në pjesën veriore të Mitrovicës  dhe takimi me përfaqësuesit e listës Srpska, ndodhi në të njejtën ditë kur tre kryetar shqiptar të tri komunave veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveҫan, dhanë betimin pas zgjedhjeve të 23 prillit të cilat u bojkotuan masivisht nga serbët lokal. Serbët lokal nuk i njohin kryetarët shqiptar të komunave veriore përfshirë edhe atë të Mitrovicës së veriut.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një reagim të tij, tha se “me betimin e kryetarëve të rinj në komunat në veri të Kosovës, është zyrtarizuar pushtimi i katër komunave”.

“Pushtimi nuk ka qenë kurrë situatë e përhershme në histori, andaj nuk do të jetë as në katër komunat në veri të Kosovës, dhe do të përfundojë së shpejti, megjithatë, populli serb, më shumë se pushtimin e  Kurtit, do ta mbajë mend mënyrën e turpshme sesi demokracitë e rreme e kanë dhënë dritën e gjelbër për diçka të tillë”, tha ne reagimin e tij Petar Petkoviq.

dw

Mijëra veta priten në Beograd për tubimin e organizuar nga presidenti serb Vuçiç

BeogradDhjetëra mijëra njerëz pritet të mblidhen në kryeqytetin serb të premten për një tubim të madh në mbështetje të presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili po përballet me një revoltë të pashembullt kundër sundimit të tij autokratik, mes krizës së shkaktuar nga dy raste te vrasjeve ne masë, që tronditën kombin.

 

Duke iu përgjigjur thirrjes së presidentit Vuçiç për atë që ai e quajti “tubimi më i madh në historinë e Serbisë”, mbështetësit e tij po udhëtonin me autobus për në Beograd nga i gjithë vendi ballkanik.

Atyre që punojnë në kompani dhe institucione shtetërore iu tha të merrnin një ditë pushimi nga puna për të marrë pjesë në tubimin para ndërtesës së parlamentit.

Zyrtarët serbë thanë se tubimi do të nxis “unitetin dhe shpresën” për Serbinë.

Në tri protesta të mëdha antiqeveritare të mbajtura në fillim të këtij muaji në Beograd, demonstruesit kërkuan rrëzimin e presidentit Vuçiç si dhe dorëheqjen e dy zyrtarëve të lartë të sigurisë.

Ata kërkuan gjithashtu tërheqjen e licencave të transmetimit për dy stacione televizive pro presidentit Vuçiç, që promovojnë dhunën dhe shpesh ftojnë kriminelë të dënuar lufte dhe figura të tjera të krimit.

Protestuesit opozitarë fajësojnë Vuçiçin për krijimin e një atmosfere dëshpërimi dhe ndarjeje në vend që sipas tyre çoi në mënyrë indirekte në të shtënat në masë me 3 dhe 4 maj, që lanë pas vetes 18 të vrarë dhe 20 të plagosur, shumë prej tyre nxënës shkolle që u vranë nga një nxënës 13 vjeçar.

Presidenti Vuçiç ka mohuar me forcë çdo përgjegjësi për të shtënat, duke i quajtur organizatorët e protestave të opozitës “grabitqarë” dhe “hiena” që duan të shfrytëzojnë rastet për të provuar të marrin pushtetin me forcë dhe pa zgjedhje.

“Ata nuk janë kundër dhunës, duan kokën time”, tha ai.

Analistët besojnë se duke organizuar tubimin masiv, presidenti Vuçiç, i cili ka udhëhequr vendin për më shumë se 10 vjet me një kontroll të fortë mbi pushtetin, po përpiqet të lërë nën hije protestat e opozitës me numrin e madh të pjesëmarrësve.

“Për herë të parë, Vuçiçi ka një problem”, tha analisti politik Zoran Gavriloviç.

“Ata e kanë kuptuar qartë se nuk kanë problem me opozitën aq sa kanë me shoqërinë, pra me publikun që është zgjuar”, shtoi ai.

Gjatë tubimit, Vuçiç pritet të njoftojë largimin nga drejtimi i Partisë Përparimtare Serbe të krahut të djathtë dhe do të formojë “një lëvizje” që do të bashkojë të gjitha “forcat patriotike” në vend.

Ai gjithashtu mund të kërkojë zgjedhje të reja parlamentare për muajin shtator, diçka që nuk ka gjasa të pranohet nga opozita në kushtet aktuale ku ai ka kontroll të plotë mbi të gjitha shtyllat e pushtetit, duke përfshirë median kryesore.

Aleksandar Vuçiç, një ish-ultranacionalist pro-rus, i cili tani pretendon se dëshiron ta fusë vendin në Bashkimin Evropian, pretendoi se “shërbimet e huaja të zbulimit ” qëndrojnë pas protestave të opozitës.

Ai tha se e kishte marrë informacionin nga agjencitë “simotra” të spiunazhit “nga lindja”, domethënë nga Rusia.

Ekziston frika e përhapur se incidente të dhunshme mund të ndodhin gjatë tubimit të premten, që më pas mund të përdoren si pretekst për shtypjen e protestave të ardhshme të opozitës, përfshirë atë që është planifikuar të mbahet të shtunën në Beograd.

Tubime të ngjashme të mëdha u mbajtën në Serbi në fillim të viteve të 90-ta, kur ish udhëheqësi serb Sllobodan Millosheviç mbajti fjalime të zjarrta që paralajmëruan shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë dhe nxiti masat për luftërat që pasuan.

 

voa

Murphy: Serbia duhet të qëndrojë përkrah SHBA-së dhe BE-së e jo Rusisë

Murphy USASenatori amerikan, Chris Murphy, tha të enjten në Beograd se nuk është në dobi të asnjë vendi të mbështesë regjimin e Vladimir Putinit dhe Serbia duhet të harmonizohet me perëndimin në qasjen ndaj Rusisë.

 

Senatori Murphy anëtar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit i bëri këto komente gjatë vizitës në Beograd në kuadër të një vizite në rajonin e Ballkanit Perëndimor bashkë me senatorin Gary Peters, anëtar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura.

Marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë janë të një rëndësie thelbësore. Shtetet e Bashkuara mbështeten në Serbinë si partner ekonomik dhe politik. Sa herë që jam këtu, kam nevojë të theksoj se partneriteti ynë ekonomik është duke u forcuar, ne po forcojmë partneritetin tonë në fushën e diversifikimit të burimeve të energjisë dhe sigurisht që dëshirojmë që Serbia t’u bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por ne e vlerësojmë që Serbia votoi me ne në Kombet e Bashkuara”, tha senatori Murphy pas takimeve me udhëheqësit serbë.

 

Senatori Murphy tha se shpreson të vazhdojnë bisedimet me zyrtarët serbë për harmonizimin e politikave lidhur me sanksionet kundër Rusisë, duke nënvizuar se “e ardhmja e Serbisë është me SHBA-në dhe BE-në, jo me Rusinë”.

I pyetur nga gazetarët për të komentuar vizitën e shefit të Shërbimit serb të Zbulimit Aleksandar Vulin në Moskë, senatori Murphy tha se “nuk mendon që është në dobi të ndonjë vendi të mbështesë regjimin e Vladimir Putinit“.

Serbia një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë dhe vazhdon të ruajë lidhjet e ngushta me Kremlinin në radhë të parë për shkak të qëndrimit të Moskës kundër pavarësisë së Kosovës, që Beogradi vazhdon ta kundërshtojë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë shtuar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë në hijen e luftës në Ukrainë. Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta.

Senatori Murphy tha se të dyja palët duhet të hedhin hapat për zbatimin sa më parë të marrëveshjes.

E di që përqendrimi këtu është në Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, por është e nevojshme që të dyja palët të hedhin hapa drejt zbatimit në të njëjtën kohë. Ne besojmë se Serbia duhet të përmbushë pjesën e saj të punës dhe Kosova duhet të përmbushë pjesën e saj. Në Kosovë kam thënë që duhet ta përmbushin detyrimin e tyre dhe të formojnë Asociacionin e Komunave Serbe dhe se mund ta bëjnë këtë në përputhje me Kushtetutën e tyre”, tha senatori Murphy duke theksuar se nuk duhet humbur kohë.

 

 

Nuk mendoj se duhet të kalojë edhe një vit për ta kuptuar si të krijohet Asociacioni, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Nuk duhet të kalojë edhe një vit që Serbia t’i përmbushë detyrimet dhe ta lejojë Kosovën që t’u bashkohet organizatave ndërkombëtare”, tha zoti Murphy.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe ata për themelimin e Asociacionit.

 

 

Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në muajin gusht të vitit 2015 për parimet e tij. Po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Beogradi akuzon Kosovën për mospërmbushje të marrëveshjeve, ndërsa Prishtina akuzon Serbinë për shkelje të marrëveshjes së Ohrit, për shkak të qëndrimeve të saj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

voa

Miliarda për të ulur me 2 gradë nxehtësinë vdekjeprurëse

thatesiraMe ndryshimet aktuale që po bëhen në politikën për klimën po jepen miliarda për përballimin e nxehtësisë vdekjeprurëse. Ndërkohë një rrjet botëror ekspertësh për klimën po merren me këtë problem në qytetet e tyre.

 

Rreth 2 miliardë njerëz do të jetojnë në fund të këtij shekulli në kushte temperaturash të larta dhe të rrezikshme, nëse politikat për klimën vazhdojnë me trajektoret aktuale, thotë një studim i ri publikuar në revistën Nature Sustainability. Shifra do të përbëjë 23 përqind të popullsisë që mendohet të ketë bota në atë kohë.

Nëse klima ngrohet më shumë se sa mendohet, një skenar i mundshëm ky mes politikave aktuale, atëherë jo 2 por 3,3 miliardë njerëz do të përballen në fund të shekullit me temperatura ekstreme.

Studimi i kryer nga shkencëtarë të Universitetit të Exeter-it në Britaninë e Madhe dhe Universitetit Nanjing në Kinë, thotë se 60 milionë njerëz jetojnë qysh tani në nivele të rrezikshme temperaturash, që karakterizohen nga mesatarja 29 gradë celsius (84,2 gradë Fahrenheit) ose më shumë.

 

Si e dëmtojnë temperaturat e larta shëndetin e njeriut? 

Nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë një seri sëmundjesh si dhe vdekje, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Kjo ka të bëjë me goditjet nga të nxehtit dhe hiperthermia. Temperaturat e larta keqësojnë po ashtu sëmundjet kronike dhe kanë efekt direkt në transmetimin e sëmundjeve, cilësinë e ajrit dhe infrastrukturën jetike.

Të moshuarit, foshnjat dhe fëmijët, gratë shtatzëna, punonjësit që punojnë jashtë dhe kryejnë punë krahu, atletët dhe të varfërit janë veçanërisht të rrezikuar nga temperaturat e larta.

Sipas këtij studimi, ulja e temperaturave të synuara nga marrëveshja e Parisit, me 1,5 gradë Celsius mbi nivelin e temperaturave të periudhës paraindustriale do të lerë në fund të shekullit ende 400 milionë njerëz të ekspozuar në temperatura të niveleve të rrezikshme.

Njerëzit që jetojnë në Indi, Sudan dhe Nigeri do të jenë në ndikimin e madh të temperaturave të larta edhe me uljen 1,5 gradë, kurse ulja me 2,7 gradë e temperaturave do të ketë ndikim të madh për vendet si Filipine, Pakistan dhe Nigeri.

 

Llogaritja e kostove njerëzore të ndryshimit të klimës

Shkencëtarët thonë se studimi i tyre shënon moment kthese në tendencën për ta parë ndikimin e klimës më shumë në aspektin ekonomik se sa në aspektin njerëzor. “Këto tendenca shkatërrojnë në mënyrë pakthyeshme vlerat duke i larguar nga jeta njerëzore dhe duke i përqëndruar tek pasuria,” i tha Deutsche Welles Ashish Ghadiali, një aktivist në mbrojtje të klimës dhe bashkëautor i studimit, që shton se krijimi i modeleve që fokusohen tek ekonomia “ka më shumë vlerë për jetën në Nju Jork se sa për jetën në Bangladesh.”

Pjesa më e madhe e modeleve të tjera të studimit e vendosin prioritetin tek popullsia në ditët aktuale dhe jo tek popullsia në ditët e ardhshme, dhe pabarazitë në ngrohjen globale do të jenë kështu “të përhapura si globalisht, ashtu edhe të transmetuara nga njëri brez tek tjetri,” thotë Ghadiali.

“Në thelb këto modele i japin vlera më të mëdha jetës sime, se sa të fëmijëve të mi dhe sigurisht jetës së nipërve dhe mbesave,” thotë ai. Nëse sheh se si ndikojnë vende të caktuara në nivelet e larta të nxehtësisë, shkencëtarët thonë se emisionet aktuale të dioksidit të karbonit të prodhuara nga 1,2 qytetarë të zakonshëm amerikanë, mjaftojnë për ta dënuar njeriun e ardhshëm të jetojë në nxehtësi ekstreme.

Pavarësisht nga emetimi joproporcional i dioksidit të karbonit, popullsia e SHBA është më pak e rrezikuar nga temperaturat e rrezikshme.

 

Si mund të mbrohen njerëzit nga temperaturat e larta? 

Studimet e mëparshme kanë treguar se qytetet janë shumë më të prekura nga rritja e temperaturave, për shkak të “efektit të ishujve të ngrohjes”. Ndërtesat, rrugët dhe infrastruktura e absorbojnë dhe rrezatojnë nxehtësinë e diellit më shumë se sa ambienti natyror si pyjet dhe ujrat, duke shkaktuar rritje të temperaturave urbane nganjëherë deri 15 gradë Celsius më shumë se sa temperaturat e zonave rurale.

Qytetet në vende të ndryshme të botës janë duke përcaktuar role të reja për ekspertët që merren me ngrohjen, duke i dhënë detyrë që të luftojnë rritjen e pashmangshme të temperaturave. Një prej tyre është Cristina Huidobro, e cila e ka marrë këtë detyrë për kryeqytetin e Kilit, Santiago, në mars të 2022. “Shumë qytete të botës përballen me ngrohjen ekstreme, por zgjidhjet dhe mënyra se si merren ato me këtë problem janë shumë, shumë lokale,” i tha Huidobro Deutsche Welles.

Megjithatë, thotë Huidobro, të gjitha qytetet ndjekin gjerësisht strategjinë me tri pika: përgatitjen, ndërgjegjësimin dhe adaptimin.

Përgatitja ka të bëjë me kategorizimin e valëve të nxehtësisë në të njëjtën mënyrë që bëhet për katastrofat e tjera natyrore, ose krijimin e sistemit të alarmit për të rritur përgjegjësinë e qytetit.

Huidobro thotë se ndërgjegjësimi është pjesë përbërëse e këtij roli. “Kujdesi për veten gjatë nxehtësive ekstreme është shumë i thjeshtë, pi ujë, shko në hije dhe pusho,” thotë ajo. “Askush nuk duhet të vdesë nga nxehtësia ekstreme.”

Pika e tretë është adaptimi i qyteteve me realitetin e ri, me temperaturat e larta, duke krijuar më shumë hapësira të gjelbërta në qytet.

Santiago sapo ka filluar një projekt për ripyllëzimin urban, gjatë të cilit do të mbillen 30 mijë pemë në gjithë qytetin dhe do të zhvillohen strategji që e trajtojnë pemën si pjesë të infrastrukturës urbane.

“Pemë, pemë, pemë kudo. Ato sjellin më shumë gjelbërim në qytet,” thotë Huidobro.

Po mbjellja e pemëve nuk është aq e lehtë sa mendojnë njerëzit. “Ne jemi duke futur pemët në rrugë vërtet të ngjeshura, si përshembull në rrugët kryesore të qytetit që janë mbushur me beton. Ju duhet të gërrmoni një gropë dhe të bëni ca punë civile për të mbjellë pemët.”

Po ashtu kjo nuk është zgjidhje e shpejtë e çështjes së nxehtësisë urbane, sepse pemët duan kohë të rriten.

“Ideja është që të mbillet pema që do të bëjë hije pas 20 ose 30 vjetësh,” thotë Huidobro.

 

Qytetet amerikane luftojnë nxehtësinë ekstreme  

Shtetet e Bashkuara, ku sipas studimeve të mëparshme 12 mijë vetë vdesin në vit nga nxehtësia, kanë emëruar tre ekspertë që do të merren me të nxehtin në Phoenix, në Majami dhe në Los Angeles.

Qyteti kalifornian i Los Angelesit, i cili është vlerësuar si shumë i ndjeshëm ndaj katastrofave natyrore përfshirë edhe valët e nxehtësisë, nisi kohët e fundit një fushatë për të krijuar më shumë “resilience hubs”, kabina për të marrë veten duke gjetur hije dhe freski, sidomos në qytetet e vlerësuara si me rrezik të lartë. Aty ekziston ndërkohë një rrjet qendrash freskimi ngritur kryesisht në biblioteka, kur njerëzit mund të shkojnë për t’i shpëtuar të nxehtit.

Aty po punohet po ashtu për krijimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm për valët e nxehtësisë.

Phoenix, një qytet në qendër të shkretëtirës Sonoran, është duke punuar me disa adaptime, përfshirë ndërtimin e trotuareve freskuese që lyhen me një material ngjitës që reflekton diellin. Materiali ngjitës i bën rrugët disa gradë më të freskëta dhe e mban ajrin natën të freskët.

Qyteti i Majamit në Florida ka bërë plane për fushata mbjelljeje pemësh urbane dhe ka shpenzuar miliona dollarë për krijimin e njësive të ajrit të kondicionuar për banorët që jetojnë në ndërtesa publike, ndërkohë që ka dhënë ndihma sociale familjeve me të ardhura të pakta, për t’i ndihmuar të paguajnë faturat e energjisë.

Por Huidobro e Santiagos thotë, se ajri i kondicionuar është në përgjithësi zgjidhja e fundit për të bërë adaptimin, për shkak të pasojave që ka për klimën. Santiago kërkon të mbjellë “33 xhepa pyjorë”, që mund të përdoren për strehim gjatë krizave të klimës, sidomos pranë shkollave dhe qendrave të shëndetit. Ato janë alternative ndaj qendrave freskuese me ajër të kondicionuar dhe janë zhvilluar në SHBA dhe Europë. “Gjatë valëve të nxehta njerëzit mund të shkojnë brenda këtyre qendrave freskuese me bazë natyrore dhe të gjejnë aty hije, të pushojnë dhe pijnë ujë,” thotë Huidobro.

dw

SHBA lejon testimin e çipit në tru

MuskNë SHBA, së shpejti mund të implantohen çipe (chips) në trurin e njeriut. FDA ka hapur rrugën për provat e para klinike prej kompanisë Neuralink të Elon Musk-ut. Më parë, ishin ngritur shqetësime për sigurinë.

 

Ato synohet të bëjnë të mundur që njerëzit e paralizuar të ecin dhe të trajtojnë sëmundjet neurologjike: çipat kompjuterikë të implantuar në trurin e njeriut. Testet përkatëse mund të fillojnë së shpejti në SHBA – autoritetet amerikane me sa duket kanë dhënë dritën e gjelbër për studime klinike te njerëzit. Kjo u raportua nga start-up Neuralink, i themeluar nga shefi i Twitter-it, Elon Musk.

“Jemi të kënaqur të njoftojmë se kemi marrë lejen e FDA-së për të inicuar provën tonë të parë klinike me njerëzit”, shkroi kompania në Twitter. Sipas saj, ky autorizim është një hap i parë i rëndësishëm që një ditë t’i ndihmojë njerëzit. Rekrutimi për studimin ende nuk ka filluar, por kompania tha se do të nxjerrë më shumë informacione së shpejti.

 

Premtime të bujshme

Miliarderi Musk njihet për vendosjen e ambicieve të larta për bizneset e tij, disa prej të cilave nuk realizohen kurrë dhe të tjera me vonesë të konsiderueshme. Edhe me Neuralink, fillimisht ai ishte prapa planit: Musk kishte njoftuar në korrik 2019 se do të ishte në gjendje të kryente testet e para te njerëzit vitin e ardhshëm.

Musk kishte thënë në dhjetor, gjatë një prezantimi të startup-it të tij, se implantet e bëra nga Neuralink do të bënin të mundur komunikimin drejtpërdrejt me anë të mendimit me kompjuterët. “Sigurisht, ne duam të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të sigurohemi që të funksionojë përpara se të vendosim ndonjë pajisje te njerëzit”, tha ai në atë kohë.

 

 

Musk donte të fillonte testimin shumë më herët. Por aplikimi i kompanisë për një provë klinike njerëzore fillimisht u refuzua nga FDA në fillim të vitit 2022 për arsye sigurie. Autoriteti kishte dyshime për baterinë e litiumit të çipit dhe telat e implantit. Ishte gjithashtu e paqartë se si mund të hiqej pajisja pa dëmtuar indet e trurit.

 

Prototipe vetëm te kafshët

Deri tani, prototipet me madhësinë e monedhës janë implantuar vetëm te kafshët. Gjatë prezantimit të Neuralink, majmunët u shfaqën duke “luajtur” video lojëra të thjeshta ose duke lëvizur kursorin në një ekran duke përdorur çipin e trurit.

Duke përdorur këto pika kontakti, Musk dëshiron të kurojë sëmundjet neurologjike. Startup aktualisht po zhvillon implante të tjera që do të vendosen në palcën kurrizore ose në sy për të rikthyer lëvizshmërinë ose shikimin. Sipas Musk-ut, implantet e trurit mund të kurojnë gjithashtu sëmundje të tilla si obeziteti, autizmi, depresioni dhe skizofrenia, si dhe të mundësojnë shfletimin në internet dhe telepatinë. Në fund të vitit të kaluar, ai bëri bujë kur tha se ishte aq i bindur për sigurinë e këtyre pajisjeve sa ishte i gatshëm t’i implantonte ato tek fëmijët e tij.

Neuralink nuk është kompania e vetme që punon për pikat e kontaktit tru-kompjuter. Në korrik, konkurrenti i saj Synchron njoftoi se ishte kompania e parë që kishte implantuar një çip të tillë në trurin e një pacienti amerikan.

aud (rtr, afp, tgsch)

Neuralink i Elon Musk-ut merr miratimin e FDA për studimin klinik të implanteve të trurit tek njerëzit

Elon Musk's Neuralink shows monkey with brain-chip playing videogame by thinking.Kompania e Elon Musk-ut për implantet e trurit, Neuralink, tha të enjten se kishte marrë miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të nisur studimin e parë klinik tek njerëzit.

 

Disa herë që nga viti 2019, miliarderi Elon Musk kishte parashikuar se kompania e tij e çipave të trurit do të siguronte së shpejti miratimin e FDA-së për provat njerëzore. Por aplikimi i kompanisë u refuzua në fillim të vitit 2022 dhe kompania po punonte lidhur me shqetësimet e agjencisë mbi sigurinë e implantit eksperimental.

“Ky është rezultat i punës së jashtëzakonshme nga ekipi i Neuralink-ut në bashkëpunim të ngushtë me FDA-në dhe përbën një hap të parë të rëndësishëm që një ditë do të lejojë teknologjinë tonë të ndihmojë shumë njerëz”, tha kompania Neuralink përmes një postimi në Twitter të enjten.

Neuralink shtoi se kompania nuk është ende e hapur për një provë klinike.

Neuralink po zhvillon një implant truri që shpreson se do të ndihmojë njerëzit e paralizuar të ecin përsëri dhe të kurojë sëmundje të tjera neurologjike.

voa

Qeni leh atje ku ha

“Xhamitë janë kazermat tona, kupolat janë helmetat tona, minaret janë bajonetat tona dhe besimtarët janë ushtarët tanë.”... kështu u shpreh Taip Erdogan në një intervistë në vitin 1997, duke cituar poetin, filozofin dhe politikanin e njohur turk, Ziya Gökalp (1876-1924), i njohur ndryshe edhe si “babai i nacionalizmit turk” dhe “Mjeshtri i madh i turqizmit”, autor i librit “Parimet e turqizmit”. Kjo shkelje, në atë kohë të kufijve të rrepta të sekularizmit të Republikës Turke, i kushtoi atij  postin e kryetarit të bashkisë dhe katër muaj burg, duke i dhënë njëkohsisht edhe statusin e heroit mes votuesve konservatorë.

 

Por, në fakt, Taip Erdogan në këtë intervistë vetëm se zbuloi një të vërtetë shekullore: përdorimin e Islamit si një mjet shumë efikas në shërbim të interesave të perandorisë osmane dhe në vazhdim, të shtetit turk, për nënshtrimin e popujve të tjerë.

26 vite më vonë, “besimtarë/ushtarë” të tillë shqiptarë, për të cilët fliste Erdogan në intervistën e tij, do të shkonin në Stamboll për të shprehur hapur, para kamerave, besnikërinë e tyre ndaj Taip Erdogan, Turqisë dhe turqizmit. “Unë jam djalë dëshmori, i burgosur politik dhe të njëjtën kohë, përkrahës i të gjitha etniteteve të cilët i takojnë një besimi të përbashkët i cili është i yni, ai islam. Kam kryer historinë, dhe mbi baza të historisë e shoh që të gjitha luftrat janë fetare dhe nuk janë kombëtare, dhe unë uroj që fitorja juaj t’i dridh të gjithë armiqtë që janë vërsul Turqisë dhe konkretisht liderit tuaj (Erdoganit)… uroj që fitorja juaj të sjellë fitore në të gjitha vendet ku jetojnë dhe punojnë muslimanët”. Kështu u prezentua dhe këtë deklaroi nënkryetari i Partisë “lëvizja Besa”, Fatmir Limani, i ndodhur në kuadër të një delegacioni të kësaj partie në selinë e partisë së Erdoganit (Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit) në Stamboll, në përkrahje të rikandidimit të tij për president, në zgjedhjet presidenciale ne Turqi.

Me këtë deklaratë, për të fituar simpatinë e “sulltanit” dhe partisë së tij, Fatmir Limani shiti dhe përbalti gjakun e të jatit, një nga organizatorët e luftës së UÇK, të vrarë nga policia e ish IRJM në vitin 1998, ashtu si dhe burgun e tij, duke e paraqitur atë dhe veten e tij si “shehidë” të njëfarë lufte kundër jobesimtarëve. Pasi, sipas vetë fjalëve të tij, të gjitha luftrat janë fetare dhe nuk janë kombëtare!

Në planin politik, kombëtar, ideatorët, krerët dhe financuesit e Lëvizjes “Besa” përmes thirjes për mosdurim fetar dhe luftë vëllavrasëse nga ana e nënkryetarit të tyre, dëshmuan dhe dokumentuan dyshimet e arsyeshme të shqiptarëve për rolin mercenar, destruktiv, përçarës dhe luftënxitës në shërbim të shteteve të huaja, të kësaj partie. Agjenda e islamit politik, e fshehur nën petkun e nacionalizmit të rejshëm shqiptar, e kësaj partie, ua servir në pjatë partive sllave në ish IRJM shqiptarët ortodoksë, për të vazhduar të qetë me asimilin e tyre, çvendos vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm nga të drejtat kolektive të munguara të shqiptarëve si grup etnik më i madh në ish IRJM dhe  jep argumentin e gatshëm të gjithë fqinjëve agresor dhe grabiqtar, për të arsyetuar agresionin, terrorin dhe krimet mbi shqiptarët, si “luftë kundër terorizmit islamik”,

Njoftimi i para pak ditëve të organeve të rendit në ish IRJM për arrestimin e tre shqiptarëve në Shkup, për pjesëmarrje në luftën në Siri dhe për armë dhe municione të gjetyra në shtëpitë e tyre gjatë bastisjes, duhet të na vetëdijësojë për rezikun real që u kanoset shqiptarëve nga individë dhe parti të cilët kanë në agjendën e tyre përhapjen e islamit politik, për llogari të shteteve të treta.

E gjitha kjo sqaron edhe heshtjen dhe mosreagimin e institucioneve të shtetit të ish IRJM në duart e partive sllave. Por çfarë sqaron heshtjen, mosreagimin e partive shqiptare për këtë skandal politik të rezikshëm?

Qeni leh atje ku ha, është një fjalë e urtë popullore që, në mënyrë metaforike, përshkruan dikë që mban pa të drejtë anën e atij, nga i cili ka përftime. Dhe mjerisht, në realitetin tonë politik, përsëri në mënyrë metaforike, përshkruan me saktësi rolin, dhe sjelljen e eksponentëve dhe klaneve udhëheqëse të partive shqiptare në ish IRJM.

Por, asgjë nuk sqaron indiferentizmin e institucioneve të shtetit shqiptar dhe të Kosovës ndaj militantizmit fetar të rezikshëm që përhapin partitë e tilla. Dhe akoma më shumë  faktin shqetësues se kjo parti me agjendë të hapur të islamit politik, për një kohë të shkurtër, arriti të fitojë përkrahjen zyrtare të  tre institucioneve më të rëndësishme të shtetit të Kosovës:  kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Presidentit të Republikës,  dhe Kreut të qeverisë! Është çështje e mosnjohjes së thellë të rrethanave politike të shqiptarëve në ish IRJM, moskokëçarje për fatin e një milion shqiptarëve autoktonë që jetonjë në një territor po aq sa Kosova, apo diçka tjetër!?

Afrim Fanda

BE-ja gjobit me 1.2 miliardë euro kompaninë Meta, dënimi më i lartë në histori

metaBashkimi Evropian gjobiti të hënën kompaninë Meta, pronare e rrjetit social Facebook, me një shifër rekord prej 1.2 miliardë eurosh, për shkelje të privatësisë dhe e urdhëroi atë të ndalojë transferimin e të dhënave të përdoruesve evropianë përtej Atlantikut, deri në tetor.

 

Beteja ligjore dhjetëvjeçare u nxit nga frika mbi mundësinë e qasjes së paautorizuar të Shteteve të Bashkuara tek të dhënat personave apo kompanive evropiane.

Beteja ligjore nisi më 2013, kur avokati austriak dhe aktivisti i çështjeve të privatësisë, Max Schrems, u ankua për mënyrën se si Facebook-u, mbronte të dhënat e tij, pas informacioneve që bëri publike ish-punonjësi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Edward Snowden, mbi përgjimet që bënte agjencia amerikane e sigurisë.

Gjoba prej 1.2 miliardë eurosh nga Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave në Irlandë, është më e madhja që nga hyrja në fuqi e rregullave të rrepta të mbrojtjes së privatësisë në BE, pesë vjet më parë, duke tejkaluar gjobën prej 746 milionë eurosh ndaj kompanisë Amazon më 2021, po për shkelje të privatësisë.

Mbikëqyrësi irlandez është rregullatori kryesor i privatësisë së firmës Metës në bllokun prej 27-vendesh, sepse qendra evropiane e gjigantit teknologjik është e regjistruar në Dublin.

Kompania Meta, e cila kishte paralajmëruar më herët se shërbimet për përdoruesit e saj në Evropë mund të ndërpriteshin, tha se do ta apelojë vendimin dhe kërkoi nga gjykatat që ta pezullojnë atë menjëherë.

“Nuk ka ndërprerje të menjëhershme të Facebook-ut në Evropë”, tha kompania.

“Vendimi është i gabuar, i paarsyeshëm dhe përbën një precedent të rrezikshëm për shumë kompani të tjera, që transferojnë të dhëna midis BE-së dhe SHBA-së”, thanë zyrtarët e Meta-s.

Ky rast nxjerr në pah dallimet midis Uashingtonit dhe Brukselit mbi rregullat e rrepta të Evropës mbi çështjet e privatësisë dhe masave të dobëta në Shtetet e Bashkuara, në mungesë të një ligji federal mbi privatësinë.

Një marrëveshje mbi transferimet e të dhënave midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, e njohur si Mburoja e Privatësisë, u shfuqizua më 2020 nga Gjykata e Lartë e BE-së, me arsyetimin se ajo nuk ishte e mjaftueshme për të penguar qasjen e qeverisë amerikane tek të dhënat e përdoruesve.

Ndërkohë, Brukseli dhe Uashingtoni nënshkruan një marrëveshje të re privatësie vitin e kaluar, që Meta mund ta përdorë.

Marrëveshja e rishikuar është në pritje të vlerësimit të zyrtarëve evropianë, nëse ajo është e mjaftueshme për mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve.

Këtë muaj, institucionet e BE-së dhe ligjvënësit e bllokut kërkuan përmirësime, duke thënë se masat mbrojtëse nuk janë mjaft të forta.

Zyrtarët thanë se masa e re për mbrojtjen e të dhënave mund të jetë gati në korrik, por Meta ka paralajmëruar se ka gjasa që ajo të mos jetë gati në kohë.

Kompania e mediave sociale mund të detyrohet të bëjë një rishikim të kushtueshëm dhe të ndërlikuar të operacioneve të saj, nëse detyrohet të ndalojë dërgimin e të dhënave të përdoruesve përtej Atlantikut.

Sipas faqes së saj të internetit, 17 nga 21 qendrat e të dhënave të kompanisë Meta ndodhen në Shtetet e Bashkuara.Tre janë në Danimarkë, Irlandë dhe Suedi, ndërsa një është në Singapor.

voa