BE: Për herë të parë sanksione ndaj kolonëve izraelitë

BorellBE-ja do të vendosë sanksione të mëtejshme ndaj Hamasit dhe për herë të parë edhe sanksione kundër kolonëve të dhunshëm izraelitë në Bregun Perëndimor të lumit Jordan.

 

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së ranë dakord në një takim në Bruksel për planet përkatëse për të vendosur për herë të parë sanksione kundër kolonëve radikalë izraelitë në Bregun Perëndimor të lumit Jordan. Sikurse konfirmuan disa diplomatë këto plane do të zyrtarizohen në ditët në vijim. Hungaria njoftoi se nuk do ta bllokojë më këtë proces.

Masat përfshijnë ndalimin e hyrjes në vendet e BE-së dhe ngrirjen e aseteve për individë të caktuar.

Shkak i planeve për sanksionet janë aktet e dhunshme të kolonëve ekstremistë izraelitë kundër palestinezëve – veçanërisht pas masakrës së Hamasit në Izrael më 7 tetor. Sulmet si dhe ndërtimi i vendbanimeve, shihen si një nga pengesat për përpjekjet për të gjetur një zgjidhje afatgjatë të paqes në konfliktin e Lindjes së Mesme.

Me sanksionet BE-ja po ndjek shembullin e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe. SHBA ka vendosur tashmë masa ndëshkuese që drejtohen kundër kolonëve ekstremistë izraelitë. SHBA-ja i akuzon ata ndër të tjera për pjesëmarrje në dhunën kundër civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor të lumit Jordan.

 

Ashpërsim i sanksioneve ndaj Hamasit

Nga diplomatët mësohet po ashtu se BE-ja do të shtojë sanksionet e mëparshme të vendosura ndaj Hamasit. Diplomatët thanë se ato do të hyjnë në fuqi fillimisht me kërkesën e anëtarëve si Gjermania, të cilët dëshirojnë të bëjnë të qartë se nuk po i krahasojnë Hamasin dhe kolonët izraelitë.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se ka rëndësi thelbësore që Gjermania ta bëjë të qartë se veprimet e të dyja palëve nuk janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

BE-ja vazhdon të jetë e ndarë në dy grupe: vendeve anëtarëve që mbështesin fuqishëm Izraelin dhe atyre që simpatizojnë më tepër me palestinezët.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili është më afër grupit të fundit, tha të hënën (18.03) se lufta në Gazë është kthyer në një “varrezë për shumë nga parimet më të rëndësishme të së drejtës humanitare”.

dw

Strategjia e re e Ukrainës: Gërmo, mbahu, gjej ushtarë, shpreso në armatim amerikan

UkrainaRusët po përparojnë. Ukrainasit po gërmojnë.

Disa javë pasi e arritën fitoren më të madhe në fushëbetejë pas gati një viti, pushtimin e qytetit industrial Avdivka, forcat ruse po çajnë përpara – në disa vende ngadalë, e në disa të tjerë me shpejtësi.

Komandantët ukrainas po nxitojnë për të ndërtuar vija mbrojtëse të frontit – llogore, bunkerë, pengesa me gjemba kundër tankeve dhe mina fushore. Por, disa ekspertë thonë se këto vija mbrojtëse është dashur të ndërtoheshin muaj më parë.

Ndërkohë, oficerët e logjistikës dhe rekrutuesit ushtarakë po bëjnë përpjekje të mëdha për të gjetur më shumë burra për t’i rifreskuar njësitë e dërrmuara dhe të asgjësuara.

Gjendja në fushëbetejë është e zymtë për Ukrainën, thonë ekspertët, dhe mungesa e furnizimit me armatim nga Shtetet e Bashkuara po e bën gjendjen edhe më të zymtë. Rusia gëzon tani një përparësi dhe asgjë nuk ka mundësi ta ndryshojë atë në të ardhmen e afërt, paralajmërojnë analistët ushtarakë.

“Për forcat ukrainase, gjendja mbetet e vështirë, si pasojë e shumë faktorëve, siç janë: përpjekjet e vonshme për mobilizim, ndërtimi i fortifikatave të pamjaftueshme, hapat e gabuar gjatë luftimeve më 2023, dhe më e rëndësishmja, dështimi vendimtar i partnerëve për ta dhënë municionin e premtuar, me gjithë zotimet e mëhershme”, sipas një oficeri rezervë, i cili e udhëheq një organizatë të inteligjencës që është e lidhur me ushtrinë ukrainase, dhe i cili nuk mund të flasë publikisht për shkak të kufizimeve ushtarake.

“Është goxha keq, në të vërtetë”, tha Konard Muzyka, një analist i mbrojtjes nga Polonia, i cili i vizitoi disa vende në Ukrainë në afërsi të vijave të frontit javën e kaluar.

“Ukrainasit nuk janë në gjendje ta frenojnë dukshëm përparimin e rusëve”, tha ai për Radion Evropa e Lirë (REL).

“Rusët do të pushtojnë fshatra dhe vendbanime të reja ngadalë, por sigurt. Nuk do të jetë një fitore e shpejtë. Por, mendoj se mund të thuash se, tani për tani, ukrainasit nuk kanë qenë më të dobët se sot mbase prej verës së vitit 2022”, tha ai.

Rënia e Avdivkës

Në një anë të pushtimit rus, Ukraina ka pasur sukses të jashtëzakonshëm: në Detin e Zi.

Në fushëbetejë është shumë më ndryshe.

Arritjen më të madhe në fushëbetejë Ukraina e shënoi në disa muaj në vitin 2022, kur e çliroi rajonin e Harkivit në verilindje, dhe rajonin e Hersonit, në bregun perëndimor të lumit Dnejpër, në jug.

Vitin e kaluar, komandantët ukrainas – të udhëzuar nga këshilltarët perëndimorë, trajnuesit perëndimorë dhe inteligjenca perëndimore – synim parësor e patën ndërtimin e një strukture të re të forcës, e cila do t’i printe një kundërofensive ndaj trupave ruse.

Forcat ukrainase e nisën ofensivën në qershor të vitit të kaluar me urdhër të gjeneralit Valeriy Zaluzhniy, komandanti kryesor i ushtrisë së vendit në atë kohë, duke carë përpara në tri vende përgjatë vijës së frontit 1.200 kilometra të gjatë.

Kundërofensiva nuk shkoi mirë.

Mbrojtja e Rusisë u dëshmua shumë më e fortë dhe më e sofistikuar sesa që kishin parashikuar komandantët ukrainas.

Kah fundi i vitit 2023, trupat ukrainase ngecën, siç pati sugjeruar Zaluzhniy në një shkrim të publikuar në The Economist.

Tetorin e kaluar, ndërkohë, në Avdivkës, forcat ruse filluan të çajnë përpara për ta pushtuar qytetin e fortifikuar dukshëm, në mënyrë që të mos i lejonin forcat ukrainase të kërcënonin në kryeqytetin rajonal të Donjeckut, më pak se 20 kilometra në jug. Përpjekjet fillestare për t’i rrethuar forcat ukrainase, dështuan.

Kah janari, forcat ruse u riorganizuan dhe në javën që pasuan, me përdorim të shtuar të avionëve luftarakë dhe armëve të rënda, duke mos u lënë trupave ukrainase mundësi të mbrohen.

Madje edhe njësi elitare ishin zhvendosur atje për të ndihmuar në vijën e mbrojtjes, por më 17 shkurt, komandantët ukrainas njoftuan se qyteti u pushtua dhe i tërhoqën forcat nga atje.

“Një vit pa ndërtimin e vijave mbrojtëse të frontit”

Prej se ra Avdivka, forcat ruse kanë carë përpara në perëndim, duke lëvizur me shpejtësi në ditët e para, por së fundmi, janë ngadalësuar.

Ekspertët thonë se mbrojtja e ukrainase po organizohet dhe se forcat ruse po varen dukshëm nga sulmet e këmbësorisë, për shkak të humbjeve të mëdha të automjeteve të blinduara gjatë pushtimit të Avdivkës; disa vlerësojnë se Rusia i humbi më shumë se 600 pajisje të rënda si, tanke, automjete të blinduara për bartjen e personelit dhe transportues të këmbësorisë.

“Deri tani, armiku nuk ka qenë në gjendje t’i thyejë vijat e mbrojtjes në drejtim të Avdivkës. Por, ata po përpiqen vazhdimisht të çajnë përpara. Mbi të gjitha, ata tani po luftojnë kundër vendbanimit Orlivka. Këtu, ata po pësojnë humbje të mëdha, por prapëseprapë po vazhdojnë të luftojnë ditë e natë”, tha Maksym Zhorin, nënkomandant i Brigadës së Tretë Sulmuese të Ukrainës.

 

fortifikataTë dhënat deri më 12 mars tregojnë se Orlivka, e cila shtrihet në veriperëndim të Avdivkës, është mposhtur nga forcat ruse.

Forcat ruse po u bëjnë trysni ukrainasve edhe në Robotine, në rajonin e Zaporizhjas, në afërsi të Kupianskit në pjesën lindore të rajonit të Harkivit dhe në perëndim të Bahmutit.

Stabilizimi i vijës së frontit

Rreth një javë para rënies së Avdivkës, komanda kryesore e Ukrainës u trondit kur presidenti Volodymyr Zelensky e shkarkoi Zaluzhniyn. Ai u zëvendësua nga komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, gjenerali Oleksandyr Syrskiy.

Syrskiy e dha urdhrin përfundimtar për t’u tërhequr nga Avdivka.

Zëvendësuesi i Syrskiyt si komandant i forcave tokësore, gjenerallejtënant Oleksandr Pavlyuk sugjeroi javën e kaluar se forcat ukrainase mund të jenë në gjendje ta kryejnë edhe një ofensivë këtë vit.

“Detyra jonë është ta stabilizojnë vijën e frontit, të shkatërrojmë sa më shumë, gjë që po e bëjmë, dhe ta rimarrin veten sa më shumë dhe t’i rifreskojmë njësitë, në mënyrë që ta krijojmë një grup sulmues dhe të kryejmë kundërofensiva këtë vit”, tha Pavlyuk.

Nuk dihet nëse do të jetë e mundur një kundërofensivë e re, sidomos duke e ditur se autoritetet ukrainase po nguten për të ndërtuar vija të reja mbrojtëse, të cilat është dashur të ndërtoheshin muaj më parë, sipas ekspertëve.

Nëntorin e kaluar, Zelensky njoftoi për fillimin e ndërtimit të një sërë fortifikatave në perëndim të Avdivkës dhe në vende të tjera.

“Ukraina nuk ka vija të mira dytësore, nuk ka diçka sikur Vijat Surovikin që rusët i ndërtuan vitin e kaluar”, tha Michael Kofman, një analist veteran ushtarak nga Carnegie Endowment për Paqe Ndërkombëtare.

Ku janë armët?

Një tjetër telash me të cilin forcat ukrainase përballen është furnizimi me armë nga Perëndimi dhe SHBA-ja.

Derisa më herët trupat ukrainase ishin në gjendje të shtyheshin me forcat ruse për qitje artilerie, tani shkalla e qitjes është dukshëm në të mirë të Rusisë: së paku pesë kundër një, dhe madje sipas disa vlerësimeve, 10 kundër një në të mirë të rusëve.

Zyrtarët amerikanë thanë më 12 mars se i kanë grumbulluar 300 milionë dollarë për një paketë të re armatimi, e cila përfshin raketa kundërajrore, predha artilerie të kalibrit 155 milimetra, municion për sistemet HIMARS dhe municion thërrmues.

Por, drejtori i CIA-s, William Burns, tha para Senatit më 11 mars se Ukraina do të humbë “terren të madh” pa armatim dhe pajisje të reja amerikane.

Ai tha se Ukraina ka mundësi të mbahet gjatë vitit 2024 deri në vitin e ardhshëm, por jo edhe më gjatë.

“Pa ndihmë ushtarake nga Perëndimi dhe pa ndryshime të mëdha në strategjinë e Kievit, pozita e Ukrainës në fushëbetejë do të vazhdojë të përkeqësohet derisa ta arrijë një pikë krize, mbase në verë”, tha Dara Massicot, eksperte për ushtrinë ruse nga Carnegie Endowment.

rel

Borrell: Do të vazhdojmë trysninë mbi Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e marrëveshjes së normalizimit

Borrel trysniShefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi të hënën shtimin e trysninë mbi Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e marrëveshjes së arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, zoti Borrell shprehu keqardhjen për moszbatimin e marrëveshjes për të cilën palët u pajtuan me 18 mars të vitit 2023 në Ohër.

“Më vjen shumë keq që kjo marrëveshje që u arrit me vështirësi nuk është zbatuar. Do të vazhdojmë trysninë mbi të dyja palët që të ecin përpara, por një vit me pas zbatimi nuk është i tillë çfarë kam pritur”, tha zoti Borrell.

Me 27 shkurt të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u pajtuan për një marrëveshje normalizimi mbi një plan i cili qe bërë i njohur si nisma franko gjermane.

Me 18 mars në Ohër ata u pajtuan për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjes e cila kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

 

Çfarë përmban udhërrëfyesi për zbatimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

- Aneksi është një pjesë integrale e Marrëveshjes.

- Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, shpejt dhe në mirëbesim.

- Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, që do të pasqyrojnë detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi. Agjenda e Grupit të Posaçëm të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë detyrimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks.

- Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

- Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një shkallë të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.

- Palët bien dakord për krijimin e një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.

- Për të zbatuar nenin 9-të, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

- Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

- Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon rendin e zbatimit të tyre.

- Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos e bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

- Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

- Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i detyrimeve nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të deritashëm, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Marrëveshja u mirëprit nga diplomacia perëndimore dhe pati një shkallë optimizmi se zbatimi i saj do të fillojë menjëherë. Por, kjo nuk ndodhi dhe palët kaluan periudha tensionesh të larta që kulmuan me 24 shtator kur një polic i Kosovës u vra gjatë një sulmi serbësh të armatosur.

Më 21 tetor të dërguarit amerikanë dhe evropianë u dorëzuan palëve një dokument për zbatimin e marrëveshjes, pjesë e së cilës ishte edhe një propozim për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

Me 26 tetor udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, presidentin francez, Emannuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se ishte i gatshëm të nënshkruante projektin e ofruar nga diplomacia perëndimore për themelimin e Asociacionit duke akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç se e refuzoi atë.

Presidenti serb tha se nuk është shtruar çështja e nënshkrimit apo mosnënshtrimit gjatë bisedimeve, ndërsa e cilësoi propozimin e 21 tetorit si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen.

Me 27 tetor presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një deklaratë të përbashkët i kërkuan Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.

Por procesi i themelimit të Asociacionit ende nuk ka filluar, ndërsa Serbia tha se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që çojnë në njohjen de facto apo de jure të Kosovës.

Të dielën zoti Borrell tha se Bashkimi Evropian u rikujtoi palëve vazhdimisht se “marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar dhe çdo mungesë zbatimi rrezikon integrimin evropian të tyre”

Por, ndonëse është paralajmëruar disa herë që marrëveshja do të shndërrohet në pjesë të kuadrit negociues të Serbisë për anëtarësim në bllok dhe hapave të Kosovës drejt integrimeve, nuk ka pasur një vendim nga Bashkimi Evropian.

Të hënën, kryeministri shqiptar Edi Rama shkroi se ndërsa afrohet takimi i Këshillit Evropian që do të mabhet me 21 mars, është thelbësore të kujtohet se zbatimi i Marrëveshjes së vitit të kaluar “është i një rëndësie të madhe për ruajtjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor”.

Nuk mjafton vetëm pohimi se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme, shkroi ai duke theksuar se për të siguruar përparim ajo duhet të përfshihet zyrtarisht si pjesë përbërëse të proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.

“Çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-në. Dhe status quo-ja në lidhje me këtë çelës strategjik për një fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben sigurisë së vetë Evropës”, shkroi kryeministri Rama.

Zbatimi i marrëveshjes pritet të diskutohet të martën në takimin e kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë që pritet të takohen në Bruksel. Por takimi pritet të mbetet në hijen çështjes së përdorimit të dinarit serb, që është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e perëndimit për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Serbia.

Diplomatët perëndimor i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë këtë rregullore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

voa

Pa progres – Një vit nga Marrëveshja e Ohrit Kosovë-Serbi

oherKreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell shprehu keqardhjen që përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së, si Kosova edhe Serbia kanë bërë përparim shumë të kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

 

Në 1-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë një epokë të re evropiane. Borrell iu bëri thirrje të dy palëve t’u japin fund krizave e tensioneve.

 

Moszbatimi i marrëveshjes dëmton reputacionin e Kosovës dhe Serbisë

Vitin e kaluar më 18 mars Kosova dhe Serbia u pajtuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut me aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, por sipas Josep Borrell zbatimi deri tani ka qenë i kufizuar. “BE rikujtoi vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar, prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm. Është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re evropiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, shkroi Borrell.

Në shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje normalizimi. Kjo marrëveshje nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, ku përfshihen njohja e dokumenteve dhe simboleve dhe respektim i sovranitetit dhe tërësisë tokësore të dy vendeve. Po ashtu marrëveshja parasheh që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë.

“Në kohën e një lufte të pashembullt në kontinentin tonë, arritja e një marrëveshjeje që premton paqe, qëndrueshmëri dhe marrëdhënie të mira fqinjësore ishte një arritje historike. Për herë të parë gjatë bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, palët u pajtuan për parametra të qartë që përcaktojnë trajektoren e procesit për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Kjo Marrëveshje dhe zbatimi i saj do të tregojnë qartë se e ardhmja e të dy partnerëve është në Bashkimin Evropian”, shkroi shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell.

 

Kërkesa e BE për Asociacionin – e pandryshuar

Bashkimi Evropian vazhdimisht i kërkon Kosovës themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që është një ndër pikat kryesore të marrëveshjes Kosovë-Serbi. Autoritetet e Prishtinës nuk kanë filluar punën për themelimin e Asociacionit. Qeveria e Kosovës ngul këmbë që marrëveshja e arritur një vit më parë duhet të nënshkruhet. Serbia nuk ka pranuar ta nënshkruajë marrëveshjen.

Kërkesat e Bashkimit Evropian janë të qarta edhe ndaj Serbisë. Ajo duhet të përmbushë pikat e marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ të Kosovës. Serbia, në një letër që dërgoi në BE, ka thënë se nuk do të zbatojë asgjë që çon në njohjen e Kosovës. Për këtë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, tha se pret “vetëm lajme të këqija për vendin e tij dhe se Serbia do ta ndryshojë qasjen në bisedimet me Kosovën”.

“Unë do të shpjegoj se si na mashtruan, ku dhe si na kanë gënjyer disa të ashtuquajtur miq, e shumë të tjerë, dhe kjo ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Vuçiq duke ritheksuar qëndrimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndonëse Marrëveshja e Ohrit e thotë qartë që “palët nuk duhet ta pengojë njëra tjetrën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.

 

Takim i ri në Bruksel

Të martën më 19 mars, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, do të takohen në Bruksel për të biseduar lidhur me zbatimin e marrëveshjes, por theks të veçantë do të zërë aty edhe çështja e përdorimit të dinarit serb. Sipas një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës ndalohet përdorimi i dinarit serb për pagesa të gatshme në Kosovë. Me këtë rregullore nuk pajtohet Beogradi dhe as komuniteti ndërkombëtar. Diplomatët perëndimorë, sidomos SHBA i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë këtë rregullore dhe t’i japë  kohë qytetarëve serbë të prekur nga rregullorja për t’u përshtatur me situatën e re.

dw

Putin feston fitoren e bën thirrje për unitetin e vendit

PutinRezultati i zgjedhjeve presidenciale në Rusi ishte i pritshëm. Putin do të jetë sërish presidenti i Rusisë edhe për gjashtë vjet të tjera. Njerëzit nuk kishin alternativë, zgjedhjet nuk ishin as të drejta e as të lira.

 

Në televizionin rus, interpretimi i zgjedhjeve ishte i qartë: Shoqëria ruse bashkohet rreth presidentit Putin. Këtë e thanë si moderatorët në televizionet ruse ashtu edhe tre politikanët konkurres pa asnjë shans për fitoren, të cilët ndodheshin të shkruar si emra në fletët e votimit. Me më shumë patetikë u shpreh kandidati i Partisë Komuniste, Nikolai Charitonov. “Populli është sot më i bashkuar se kurrë më parë dhe beson në fitoren tonë prandaj edhe konsolidimi rreth presidentit Putin” , tha Charitonov. “Në kufijtë e vendit tonë vdesin njerëz. Shpresa është e madhe dhe Partia Komuniste me presindentin në fuqi bën gjithçka që të fitojë mbi fashizmin në Ukrainë.”

Putin bën thirrje për bashkim

Presidenti rus, Vladimir Putin arriti një rezutat me më shumë se 87% të votave, sipas Komisionit Zgjedhor. Në mbrëmjën e vonë të dielën ai doli para kamerave dhe u përbetua edhe njëherë për unitetin e vendit. “Para nesh qëndrojnë detyra të mëdha. Por nëse ne qëndrojmë të bashkuar, besoj se këtë e kanë kuptuar të gjithë, atëherë nuk mund dhe nuk do të na frikësojë dhe shtypë askush. Kjo nuk ka ndodhur kurrë, nuk ndodh dhe nuk do të ndodhë. Të gjitha planet tona madhështore do të realizohen pa dyshim dhe qëllimet do të arrihen patjetër.”

Autoritetet bënë fjalë për një pjesëmarrje 74% në zgjedhjet presidenciale, më e larta e shënuar ndonjëherë në historinë ruse. Kremlini ka akuzuar perëndimin për përzierje nga jashtë në këto zgjedhje, drejpërdrejt Ukrainën dhe SHBA për sulme kibernetike. Me gjasë që nga fillimi i vitit ka pasur më shumë se 8 milionë sulme kibernetike kundër faqeve të Komisionit Zgjedhor rus. Sipas palës ruse nuk pati pengime serioze të zgjedhjeve.

Vëzhguesit e pavarur rusë të organizatës “Golos”, sipas të dhënave të veta kanë regjistruar 1600 parregullsi në zgjedhje. Në zonat ukrainase u zhvilluan po ashtu zgjedhje, një votim që konsiderohet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ende pa u mbyllur qendrat e fundit zgjedhore u bënë të ditura rezultatet e para. Pikërisht nga një rajon në lindje të Ukrainës, nga zona e pushtuar Donjeck u njoftua, se 95% e qytetarëve aty kanë votuar për presidentin Putin.

 

 

la/ag

Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë: Shtetet e Bashkuara duhet të mbesin të angazhuara në Ballkanin Perëndimor

Philip HughesKëshilli i Ambasadorëve Amerikan ka botuar këto ditë një raport pas vizitës fakt-mbledhëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Philip Hughes, përfaqësuesi i këtij grupi që mbledh rreth vetes ambasadorë jo të karrierës, thotë se këto tre shtete të Ballkanit kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por ato vazhdojnë të përballen me sfida nga ndërhyrjet politike të fqinjëve të tyre apo në rastin e Shqipërisë nga kriminaliteti dhe korrupsioni dhe mungesa e një demokracie të mirëfilltë. Zoti Hughes po ashtu foli për vendimin e Shteteve të Bashkuara për ta shpallur person non-grata ish Presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha.

Zëri i Amerikës: Këshilli i Ambasadorëve amerikanë, ishte për një vizitë fakt-mbledhëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Cilat janë gjetjet tuaja?

Philip Hughes: Na ka bërë përshtypje të thellë përparimi që Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë bërë që nga shpallja e pavarësisë së tyre dhe përparimin që ka bërë Shqipëria, që nga përmbysja e regjimit brutal të Enver Hoxhës dhe rilindja si shtet demokratik. Njëkohësisht, na bëri përshtypje ndikimi i madh i fqinjëve në politikat e këtyre tre shteteve – rolin e madh që Serbia luan në skenën politike të Kosovës, rolin e madh që Bullgaria luan në skenën politike të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria e cila, siç e kuptuam, ka detyrim kushtetues të përkujdeset për mirëqenien e shqiptarëve jashtë kufijve të saj. U befasuam me aspiratën e këtyre shteteve për t’u bërë pjesëmarrës të plotë të komunitetit Euro-Atlantik dhe përparimit që kanë bërë për të realizuar këto qëllime. Njëkohësisht, në secilin rast, ato kanë pengesa për integrim në BE dhe në rastin e Kosovës edhe në NATO. Në rastin e Shqipërisë, çështjet e korrupsionit dhe kriminalitetit në njërën anë dhe problemet me një qeverisje të mirëfilltë demokratike nga anën tjetër, janë pengesa të shkaktuara nga vetë klasa politike e , Shqipërisë, që ky vend duhet t’i tejkalojë.

Zëri i Amerikës: Duke patur parasysh këto sfida, si duhet të angazhohen hartuesit e politikave amerikane me rajonin?

Philip Hughes: Duhet të provojmë të vazhdojmë dialogun e ngushtë me të gjitha palët në rajon dhe natyrisht ta vazhdojmë praninë e forcave amerikane atje. Ne vizituam Kampin Bondsteel dhe jemi thellësisht të impresionuar me profesionalizmin e ushtrisë tonë dhe kontributin që ajo jep në rajon… Nxisim qeverinë e Shqipërisë që të vazhdojë përpjekjet për të tejkaluar dy sfidat që i përmenda. Është vështirë për një qeveri që ka avantazhet siç i ka qeveria e Kryeministrit Rama, avantazhet e krijuara për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve të mëparshme nga Partia Demokratike, që ka një pozitë të tillë komanduese në aspektin elektoral, të nxisë garë të vërtetë demokratike dhe t’i japë hapësirë palës tjetër. Mungesa e garës së vërtetë demokratike do të shndërrohet në pengesë për Shqipërinë nga ata që hezitojnë ta pranojnë vendin në Bashkimin Evropian për arsye të ndryshme dhe nuk u duhen dhënë arsye të tjera.

Zëri i Amerikës: Një nga çështjet kundërthënëse të viteve të fundit është vendimi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të shpallur ish Presidentin e Shqipërisë Sali Berisha, persona non-grata. Në raport e konsideroni këtë vendim të padrejtë. A mund të na shpjegoni përse?

Philip Hughes: Kjo që thoni është paksa një lexim i gabuar i asaj që ne po përpiqemi të themi në raport. Është vështirë të gjykojmë rastin e Sali Berishës, sepse nuk kemi qasje tek faktet. Nuk e dimë se çfarë dëshmish i janë paraqitur Departamentit të Shtetit, apo çfarë provash kishte Sekretari Blinken kur bëri përcaktimin. Ajo që po përpiqemi të themi në raportin tonë, ajo që po përpiqemi të nënvizojmë, është se ky mund të jetë një rast, ku një nga ligjet tona po praktikohet në mënyrë shumë të përgjithshme, pa vëmendjen e duhur të Kongresit, duke sjellë pasoja të padëshiruara. Kjo është situatë në kundërshtim me traditat tona ligjore në Shtete të Bashkuara, ku njerëzit duhet të kenë qasje ndaj dëshmisë kundër tyre, në mënyrë që të kenë mundësinë për të kundërshtuar provat dhe të argumentojnë për të mbrojtur veten. Dhe kjo nuk është e mundur me mënyrën se si këto rregullore për shpalljen (non-grata) janë hartuar. Ajo që u përpoqëm të theksojmë është se kemi të bëjmë me diçka që bie ndesh me traditat ligjore amerikane dhe ndoshta duhet shqyrtuar. Ndoshta ka qenë e padrejtë, nuk e di, sepse nuk i kam faktet për rastin e Sali Berishës. Por është e sigurt se ai nuk ka qasje ndaj fakteve dhe nuk ka patur mundësinë që të mbrohet nga shpallja e vendimit apo të argumentojë në mbrojtje të vetes. Kjo nuk është mënyra se si ne i bëjmë gjërat në aspektin ligjor, në përgjithësi në SHBA, ndonëse ai natyrisht është shtetas i huaj.

Zëri i Amerikës: Shpallja, megjithatë, është mbështetur në një ligj të Kongresit, si një mjet politik për të luftuar korrupsionin dhe përcaktimet publike kanë filluar në vitin 2018 me prokurorin Adriatik Llalla. Dua t’iu pyes për kornizën kohore të këtij vendimi, sepse ju thoni se është vendim i administratës së Presidentit Biden, i Sekretarit Blinken. A mund të ketë filluar procedura nga administrata e mëparshme?

Philip Hughes: Qeveria amerikane, para zgjedhjes së Presidentit Biden më 2020, mund të ketë patur prova apo të dhëna nga Shqipëria, nuk e di. Ambasada u tregua e gatshme të na takonte por nuk na dhanë asnjë informacion, nuk hynë në asnjë nga faktet e rëndësishme që çuan te vendimi. Prandaj nuk e di se kur qeveria amerikane mund t’i ketë siguruar fillimisht të dhënat që mund të kenë çuar në vendimin e Sekretarit Blinken. Të gjitha diskutimet u përqëndruan në vendimet e marra gjatë administratës së Presidentit Biden.

Zëri i Amerikës: Dhe së fundmi, sa i rëndësishëm mbetet rajoni i Ballkanit?

Philip Hughes: Mendoj se mbetet shumë i rëndësishëm, sepse është një rajon që po bën përparim demokratik dhe ekonomik. Shpresoj që edhe Kosova një ditë të kalojë pragun dhe të anëtarësohet jo vetëm në BE, por në NATO për ta plotësuar praninë e aleancës në këtë pjesë të botës. Por nga përvoja ime, Shteteve të Bashkuara shpesh u duhet të përballen me çështje urgjente, dhe kjo shkakton vonesa në trajtimin e çështjeve të tjera të rëndësishme. Gjatë viteve ’90, konfliktet në Ballkan ishin kriza të menjëhershme. Tani ato nuk janë të tilla, por mund të bëhen sërish pjesë e një krize të menjëhershme, nëse konflikti në Ukrainë ka një përfundim të keq për ukrainasit, ose nëse Rusia vazhdon agresionin, apo në rastin ekstrem, synon të vërë në provë Nenin 5 të traktatit të NATO-s, në përpjekje për të thyer aleancën. Prandaj ky rajon duhet të ketë vëmendje politike të vazhdueshme dhe përparësi nga Shtetet e Bashkuara.

voa

Borrell: Kosova dhe Serbia t’i japin fund periudhës së tensioneve dhe të fillojnë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit

BorellShefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u bëri thirrje të dielën Kosovës dhe Serbisë që t’u japin fund krizave e tensioneve, dhe të fillojnë një epokë të re evropiane, duke zbatuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

 

Zoti Borrell i bëri këto komente në një komunikatë në prag të përvjetorit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër me 18 mars të vitit 2023.

“Në kohën e një lufte të pashembullt në kontinentin tonë, arritja e një marrëveshjeje që premton paqe, qëndrueshmëri dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, ishte një arritje historike”, shkroi ai, duke nënvizuar se për herë të parë gjatë bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, palët u pajtuan “për parametra të qartë që përcaktojnë trajektoren e procesit për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Kjo Marrëveshje dhe zbatimi i saj do të tregojnë qartë se e ardhmja e të dy partnerëve është në Bashkimin Evropian”.

Zoti Borrell shkroi se është për keqardhje që përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur përparim shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja.

“BE rikujtoi vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar. Prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm”, shkroi ai duke nënvizuar se “është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re evropiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”.

Me 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe me 18 mars në Ohër Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje normalizimi e cila nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

 

Çfarë përmban propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Palët kontraktuese;

Të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës;

Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes;

Të përkushtuara të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin e frytshëm rajonal në Evropë;

Të vetëdijshme se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi e tërësisë tokësore dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushtet themelore për paqen;

Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim midis palëve për të mirën e qytetarëve, janë pajtuar që:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do t’i njohin dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe tërësisë tokësore të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në rrafshin ndërkombëtar apo të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë vlerat e përmendura në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa marrëveshja aktuale paraqet një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët pajtohen të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhjeve, marrëdhënieve në drejtësi dhe të zbatim të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Hollësitë do të jenë pjesë e marrëveshjeve shtesë në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja.

Neni 7

Të dyja palët janë të përkushtuara për arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse të qeverive.

Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët vënë në dukje angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për ta krijuar një paketë të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhjeve, tranzicionin e gjelbër dhe në fusha të tjera thelbësore.

Neni 10

Palët do ta krijojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të arritura në bisedime, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Palët angazhohen të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

 

Vjeshtën e kaluar Bashkimi Evropian i kërkoi Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që nënkupton më shumë autonomi për këtë komunitet, ndërsa Serbisë përmbushjen e pjesëve të marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ të Kosovës.

Në dhjetor Serbia, përmes një dokumenti tha se nuk do të zbatojë asgjë që çon në njohjen e Kosovës. Të dielën presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha se “vetëm lajme të këqija” për vendin e tij dhe se Serbia do ta ndryshojë qasjen në bisedimet me Kosovën

“Unë do të shpjegoj se si na mashtruan, ku dhe si na kanë gënjyer disa të ashtuquajtur miq, e shumë të tjerë, dhe kjo ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha ai, duke ritheksuar qëndrimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Prishtina ndërkaq ende nuk ka filluar punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ngulë këmbë që marrëveshja e arritur një vit me parë të nënshkruhet.

Të martën me 19 mars, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel për të biseduar lidhur me zbatimin e marrëveshjes, por edhe çështjen e përdorimit të dinarit serb, që është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e perëndimit për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Serbia.

Diplomatët perëndimor i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë këtë rregulloren dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive dhe kanë paralajmëruar Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.

Presidenti serb Vuçiç, i akuzoi autoritetet e Kosovës për zbatimin me forcë të vendimit të Bankës Qendrore.

“Mund të zbatosh gjithçka me force, por duhet të pranosh që e ke zbatuar me force. A do të duhet të pranojmë ndonjëherë, është e mundur, por do të jetë e qartë se nuk ka një pajtim për këtë dhe se e keni zbatuar me force. Do të flasim në një mënyrë tjetër. Jemi gjithmonë të gatshëm të bisedojmë, por tani me një qasje tjetër”, tha të dielën ai duke mos dhënë hollësi për “qasjen e re” ndaj bisedimeve.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të premten në Vjenë, se dialogu i lehtësuar nga BE-ja “është i vetmi mekanizëm i qëndrueshëm dhe e vetmja rrugë e qëndrueshme përpara” për Kosovën dhe Serbinë.

“Na duhet të shohim mirëbesim, përpjekje konstruktive nga Kosova dhe Serbia për të stabilizuar marrëdhëniet dhe që të ndërmarrin masa drejt asaj rruge. Të mos ngrenë tensione, të rrisin bashkërendimin, të rrisin transparencën me partnerët ndërkombëtarë dhe t’i zbatojnë të gjitha angazhimet që dalin nga dialogu”, tha ai.

voa

Shqipëria mirëpret projektet turistike të propozuara nga kompania e Jared Kushnerit

Bregdeti shqiptarNë Tiranë kryeministri Edi Rama mirëpriti sot planet e kompanisë amerikane Affinity Partners e sipërmarrësit Jared Kushner për të investuar në turizmin shqiptar.

 

Zoti Kushner, dhëndri i ish presidentit Donald Trump, publikoi në rrjetin X pamje nga projektet, që ai synon të realizojë në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit. Por për këtë të fundit, ministria shqiptare e Turizmit deklaroi se nuk ka ende dijeni.

Ndërsa i bëri jehonë zhvillimit të sektorit të Turizimit në vend, veçanërisht pas ecurisë gjatë vitit të shkuar, duke folur në Asamblenë e Partisë Socialiste e cila u mbajt sot në një nga zonat e bregdetit të Durrësit, kryeministri Edi Rama, foli dhe për planet e shpallura publikisht nga sipërmarrësi amerikan Jared Kushner.

“Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndrri i ish presidentit Trump,shpalli pulbikisht ambicjen për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri. Po ata që na tregonin Malin e Zi për zhvillimin e turizmit dhe investimet e huaja direkte, sot na flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe”, tha zoti Rama.

Edhe pse përmendi dy projekte, kryeministri, u ndal në fakt vetëm të plani për ishullin e Sazanit.

Dy ditë më parë, në një intervistë për Bloomberg News, dhëndri i ish presidentit Donald Trump bëri të ditur se po planifikon të shndërrojë ishullin e Sazanit në një eko-resort luksoz.

Ai shtoi gjithashtu se kompania e tij Affinity kërkon të zhvillojë zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës, duke planifikuar ndërtimin e disa resorteve me afro 10 mijë dhoma hotelesh dhe vila. Zoti Kushner publikoi në rrjetin social X disa pamje ilustruese të të dy projekteve për të investimit në bregdetin e Shqipërisë.

Në komentet për Zërin e Amerikës, ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ndërsa konfirmoi aplikimin e kompanisë së zotit Kushner për projektin në ishullin e Sazanit, tha se nuk ka dijeni mbi një projekt për Zvërnecin.

Njoftimi i zotit Kushner, përkon me ndryshimet që shumica socialiste miratoi pak javë më parë, mbi një variant të qeverisë për “Zonat e Mbrojtura”, të cilat i hapin rrugë ndërtimit në to, të hoteleve apo projekteve të tjera që konsiderohen si investime strategjike.

Zoti Rama foli me ironi ndaj atyre që shohin një lidhje direkte mes këtyre ndryshimeve dhe projekteve të shpallura nga zoti Kushner, i cili vitin e kaluar kishte vizituar Shqipërinë, në shoqërinë e ish ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell.

Ekspertë të mjedisit vërejnë se trualli i ishullit të Sazanit është zonë ushtarake, por nuk bën pjesë në zonat e mbrojtura natyrore, ndërsa perimetri ujor rreth ishullit është pjesë e Parkut Kombëtar Detar Sazan – Karaburun.

Ndërsa Zvërneci, theksojnë ata, është zonë e mbrojtur e kategorisë 5, pjesë e pejsazhit të mbrojtur Vjosë – Nartë, dhe aty nuk lejohet ndërtimi, sepse është pjesë e zonës qendrore.

Në ndryshimet e fundit ligjore, sipas tyre, qeveria ka hequr nën-zonimet nga pejsazhet e mbrojtura, duke u hapur rrugën ndërtimeve në zonat e mbrojtura, ndërsa me ligjin e mëparshëm, nuk lejohej ndërtimi në asnjë zonë të mbrojtur.

Këto ndryshime ligjore janë kundërshtuar me forcë nga organizatat mjedisore, nga opozita, që i shohin këto si ligje me porosi. Për ndryshimet e fundit në këtë ligj pritet qëndrimi i Presidentit të Republikës, nëse do t’i miratojë ato, apo nëse do t’i kthejë për rishikim në Kuvend.

Socialistët duken të vendosur për të ecur përpara me investimet në sektorin e turizmit, duke tërhequr kapitalet private. Kryeministri Rama, nuk hezitoi të sulmonte Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme për shkak të bllokimit të një kontrate për një investim të dy kompanive shqiptare në bazën detare të Limionit në Sarandë, ndonëse publikisht është shprehur në mënyrë të përsëritur se nuk komenton vendimet e institucioneve të Drejtësisë apo të ushtrojë trysni ndaj tyre. “Absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro preventive në emër të NATO-s një investim me rëndësi strategjike, afro 200 milionë euro, në Limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka patur plan zhvillimi për marinë turistike”, tha zoti Rama.

Baza e Limionit, u vu nën sekuestro preventive një vit më parë, duke ndërprerë investimet në zonë, pasi sipas Prokurorisë “disponimi i kësaj prone nga subjektet private cënon gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës Detare”.

voa

Jostabiliteti në Bosnje “ka efekt vargua” në Kosovë dhe më gjerë

eufor BosnjeNë vitin 2021, udhëheqësi nacionalist i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, shkaktoi krizën më serioze politike që nga lufta e viteve 1992-95, kur tha se do ta tërheqë rajonin serb, të njohur si Republika Sërpska, nga institucionet shtetërore të Bosnjës: gjyqësori, sistemi i taksave dhe forcat e armatosura.

 

Të tria këto përfaqësojnë shtyllat kryesore të shtetit, i cili pas luftës u nda në dy rajone autonome: Republika Sërpska dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët.

Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, tha atëkohë se plani i Dodikut është i barasvlershëm me ndarje.

“Perspektivat për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm janë shumë reale. Bosnja mund të përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial që nga paslufta, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk merr masa për t’i ndaluar separatistët serbë”, tha Schmidt.

Edhe pse vazhdimisht përsëriti kërcënimet për ndarje, Dodik nuk bëri ndonjë hap në praktikë, duke thënë se do të presë për një moment më të përshtatshëm gjeopolitikisht.

Por, inteligjenca amerikane tha se ai, në fakt, po merr hapa për shkëputjen de facto të Republikës Sërpska.

Në një raport të Zyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare të SHBA-së, që u bë publik këtë javë, u tha se “udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, po ndërmerr hapa provokues për të neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnje dhe për të siguruar shkëputjen de facto të Republikës Sërpska”.

“Veprimi i tij mund t’i shtyjë udhëheqësit e popullsisë boshnjake që t’i forcojnë kapacitetet në mbrojtje të interesave të veta, dhe të çojë ndoshta në konflikte të dhunshme, që mund t’i mposhtin forcat paqeruajtëse”, tha po ashtu inteligjenca amerikane.

Dodik, i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për shkak të “aktiviteteve destabilizuese”, tha se Republika Sërpska “nuk planifikon ndarje apo rrezikim të paqes dhe stabilitetit”.

Në një postim në platformën X, pas publikimit të raportit të inteligjencës amerikane, Dodik tha se “Amerika do një vatër të re të nxehtë, në të cilën njëri prej presidentëve më të pasuksesshëm në historinë e Amerikës [Joe Biden] do të mund të fitonte ndonjë pikë, përpara zgjedhjeve”.

Ai tha, po ashtu, se “nuk do të lejojë të rrezikohet siguria e njerëzve”.

Por, sipas vëzhguesve, Perëndimi duhet të ketë “qasje më vigjilente” ndaj asaj që ndodh në Bosnje e Hercegovinë, sepse situata mund të dalë shpejt “jashtë kontrollit”.

Ata thonë se paralajmërimet për Dodikun nuk janë një gjë e re, por se vijnë në një moment të ri gjeopolitik – në njërën anë të botës lufta në Ukrainë, në anën tjetër lufta në Gazë.

Vesko Garçeviq, profesor i Praktikës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Nëse diçka ndodh në Bosnje e Hercegovinë, nëse Dodik ndihet i inkurajuar për të organizuar referendum për pavarësi dhe për ta shpallur Republikën Sërpska shtet të pavarur, një gjë e tillë ka të ngjarë të çojë në një reaksion zinxhiror në rajon. Atëherë, mund të presim diçka të ngjashme, ose jostabilitet dhe përshkallëzim të situatës edhe në Kosovë”.

Dodik është aleat me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Prej se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022, Dodik ka takuar katër herë Putinin – herën e fundit muajin e kaluar.

Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, thotë se Rusia nuk ka synime specifike strategjike në Ballkanin Perëndimor, por se është e vetëdijshme se, praktikisht, “pa përpjekje” mund ta pengojë integrimin e tij euroatlantik.

Vogel thotë se forca paqeruajtëse e BE-së në Bosnje, EUFOR Althea, nuk ka as njerëz, as pajisje, për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate dhunës së mundshme në Bosnje.

Sipas tij forcimi i këtyre forcave është parakusht për zgjidhjen e problemeve të tjera në këtë vend.

“Nëse trupat e EUFOR-it do të dislokoheshin në Bërçko [që është njësi administrative vetëqeverisëse], ato do të dërgonin një sinjal se çfarëdo që të bëni, çfarëdo lëvizjeje secesioniste që të bëni, ne jemi këtu dhe do ta ‘përgjysmojmë’ Republikën Sërpska. Do të ishte e pamundur fizikisht që Republika Sërpska të shkëputej”, thotë Vogel për REL-in.

Vogel thotë se BE-ja nuk ka “oreks” për t’i forcuar ndjeshëm këto forca, edhe pse, sipas tij, paralajmërimet e SHBA-së do të duhej të shërbenin si “thirrje zgjimi” për të.

Ai nuk mendon se përparimi i Bosnjës drejt integrimit evropian, do ta ndryshonte sjelljen e Dodikut. Sipas tij, BE-ja është fajtorja kryesore për situatën aktuale në Bosnje.

“BE-ja ka qenë lojtarja dominuese ndërkombëtare në Bosnje për gati dy dekada. Fakti që SHBA-ja, pas një periudhe kaq të gjatë, ngre alarmin për kërcënimet secesioniste, flet për dështimin e BE-së për të ndërtuar paqe konkrete”, thotë Vogel.

Por, ndryshe nga Vogel mendon Garçeviq. Sipas tij, integrimi i përshpejtuar në BE do ta ulte rrezikun e përshkallëzimit të situatës.

“Së dyti, do të duhej vigjilencë edhe ndaj sigurisë dhe inteligjencës, si dhe lidhje më e afërt me Ballkanin. Idetë ekstreme mund të çojnë në situata ekstreme. Nëse nuk i trajtojmë në mënyrë parandaluese, atëherë mund të përshkallëzohen në diçka që nuk duam ta shohim”, thotë Garçeviq.

Dodik, në disa paraqitje publike, ka shprehur mbështetje për rikthimin e Donald Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë. Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen në nëntor.

Nëse Trump fiton kundrejt presidentit aktual, Joe Biden, Vogel thotë se nuk pret ndryshime të rëndësishme në marrëdhëniet e SHBA-së me Bosnje e Hercegovinën, por se pret rikthimin e “tendencave të rrezikshme për t’i parë diktatorët si miq”.

Vogel thotë se Trump nuk ka ideologji apo strategji të qarta, por se ka, sipas tij, mbështetjen e autokratëve të ndryshëm – në mesin e tyre Putin dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Garçeviq thotë se tendencat e Trumpit për zgjidhje pragmatike dhe radikale mund të përkthehen edhe në praktikë, jo vetëm në Bosnje e Hercegovinë, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor, sipas tij.

“Nëse Trump kthehet në zyrë në SHBA, nuk mund të presim që SHBA-ja të vazhdojë të punojë në sienergji me BE-në, ashtu siç ka qenë rasti me administratën e Bidenit. Ajo që mund të presim është që SHBA-ja, për shembull, të dalë me planin e vet për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Një prej ideve, që është hequr nga tryeza disa vite më parë, por mund të kthehet në agjendë, është shkëmbimi territorial midis Kosovës dhe Serbisë”, thotë Garçeviq.

Në rast se ky skenar realizohet, shton ai, ndarja e Republikës Sërpska do të bëhej shumë e mundshme, dhe efekti vargua do të niste edhe në vende të tjera të rajonit.

Inteligjenca amerikane, në raportin e publikuar këtë javë, kujtoi se përleshjet “midis nacionalistëve serbë dhe autoriteteve të Kosovës” kanë çuar “në vrasje dhe plagosje, përfshirë edhe plagosjen e paqeruajtësve të NATO-s, në vitin 2023”.

“Ballkani Perëndimor ka gjasa të përballet me një rrezik në rritje të dhunës së lokalizuar ndëretnike, gjatë vitit 2024”, tha inteligjenca amerikane.

Në janar, Dhoma e Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar kërkoi nga Qeveria e këtij vendi që ta rishikojë qasjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor.

Ajo tha se tensionet në këtë rajon janë përshkallëzuar dhe përmendi përleshjet e dhunshme në veri të Kosovës dhe protestat antiqeveritare në Serbi. Për Dodikun në Bosnje tha se ka intensifikuar retorikën e tij secesioniste, duke vënë në rrezik paqen.

Ndër rekomandimet që i bëri Qeverisë britanike ishin: t’i bëhet presion Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë obligimet e dala nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, si dhe të rivlerësohet mundësia për t’iu ribashkuar misionit paqeruajtës të BE-së në Bosnje.

Tash për tash, është e vështirë të shihet se si situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor mund të përmirësohet dukshëm në një të ardhme të afërt. Megjithatë, aktorë të fuqishëm, me vullnet të mjaftueshëm politik, mund ta pengojnë ndoshta rajonin që të rrëshqasë sërish në dhunë.

NATO-ja, në raportin e saj vjetor të publikuar këtë javë, tha se prania e aleancës ushtarake në Kosovë është kyçe për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian këmbëngul se e ardhmja e vendeve të këtij rajoni është në BE. Ai ka ndarë një paketë prej 6 miliardë eurosh për t’i ndihmuar ato në reforma, por se kur do të jetë gati për t’i hapur dyert për to, nuk dihet.

rel

Vuçiq: Pres lajme të këqija për ne, do ta ndryshojmë qasjen në dialog

VucicPresidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se pret “vetëm lajme të këqija” për vendin e tij dhe se Serbia do ta ndryshojë qasjen në dialog me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).

 

“Unë do të shpjegoj se si na mashtruan, ku dhe si na kanë gënjyer disa të ashtuquajtur miq, e shumë të tjerë, dhe kjo ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE)”, tha Vuçiq.

Vuçiq, duke folur për anëtarësimin e Kosovës në KE, tha se “ne u thamë atyre se çfarë do të ndodhte nëse kjo do të ndodhte. Sepse mendojnë se kanë të drejtë ta interpretojnë marrëveshjen në mënyrë të rreme, jo në mënyrë të gabuar apo si të duan, por në mënyrë të rreme”.

“Do të jetë shumë e vështirë për ne, sepse synimi i dikujt është që ta shtyjë popullin serb sa më larg Kosovës”, shtoi ai.

Në marrëveshjen e arritur në fillim të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbisë i kërkohet, ndër të tjera, edhe të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kosova shpreson se do të mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pasi më 13 mars Qeveria e Albin Kurtit i kërkoi Agjencisë Kadastrale t’i transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Kryeministri Kurti tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses për tokën do të ishte vendimtar për pranimin e Kosovës në KE, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Në rast se Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare, atëherë fjalën e fundit duhet ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës – gjë të cilën Qeveria e pret të ndodhë në muajin maj.

Në atë rast është e mundur që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të kushtëzohet edhe me çështje të tjera.

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha për Radion Evropa e Lirë të premten se janë disa vende evropiane që po i kërkojnë edhe dy kushte për anëtarësimin e Kosovës.

“Njëri ka të bëjë me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, tha ai.

Vuçiq, po ashtu, paralajmëroi ndryshime në qasjen e shtetit të tij në dialog.

“Nuk do të jetë e lehtë, para së gjithash për popullin tonë në Kosovë. Por do të ketë ndryshime në doktrinën dhe qasjet tona. Nuk do te na sjellin më përpara një akti të përfunduar dhe na thonë se kanë rënë dakord të behet pagesa këtu, pastaj të paguhet atje, dhe pastaj të konvertohet nga dollarë në euro, dhe nga euro në të tjera”, theksoi ai.

Të martën, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruskel për të biseduar në kuadër të dialogut çështjen e dinarit serb, përdorimin e të cilit autoritetet kosovare e ndaluan përmes një rregulloreje të re për valutën që hyri në fuqi në shkurt.

Escobari tha për REL se nuk arriti ta bindë kryeministrin Kurti gjatë vizitës së tij në Prishtinë këtë javë, që pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe në Kosovë, derisa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

Vuçiq – shteti i të cilit ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë – i akuzoi autoritetet kosovare për zbatimin me forcë të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, i cili përcakton që vetëm euroja të përdoret për pagesa me para të gatshme.

“Mund të zbatosh gjithçka me force, por duhet të pranosh që e ke zbatuar me force. A do të duhet të pranojmë ndonjëherë, është e mundur, por do të jetë e qartë se nuk ka një pajtim për këtë dhe se e keni zbatuar me force. Do të flasim në një mënyrë tjetër. Jemi gjithmonë të gatshëm të dialogojmë, por tani me një qasje tjetër. Ne nuk jemi më budallenj”, theksoi Vuçiq.

rel