Ulutas: KFOR-i vazhdon përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim, i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide

Ozkan UlutasKomandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, e vlerëson të qetë por ende të brishtë situatën e sigurisë pas tensioneve të vitit të kaluar në veri të Kosovës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Ulutas tha se KFOR-i po vazhdon përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim ndërsa mbetet i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide që mund të ndodhë. Ai tha se sulmi i 29 majit mbi trupat e KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri ishin të paprovokuara dhe të papranueshme, duke bërë thirrje që autorët e një dhune të tillë të mbahen përgjegjës.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Ulutas së pari faleminderit për kohën tuaj dhe mundësinë për të realizuar këtë intervistë. Do të doja fillimisht të ju pyes për vlerësimin tuaj mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe cilat janë sfidat kryesore për misionin e KFOR-it këtë vit?

Ozkan Ulutas: Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne jemi duke ndjekur nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, duke përfshirë veriun e Kosovës dhe posaçërisht në disa komuna atje, përmes një pranie të dukshme dhe fleksibile, që përfshin patrullime të rregullta dhe angazhim me komunitetet lokale. Pas rritjes së tensioneve vitin e kaluar, NATO-ja ka vendosur qindra trupa shtesë. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe zonën përgjatë vijës administrative të kufirit. Misioni ynë aktualisht numëron rreth katër mijë e 600 trupa, nga 28 vende kontribuuese, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni i KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Një nga përparësitë tona është të ndërtojmë marrëdhënie dhe të përpiqemi të kuptojmë shqetësimet e banorëve lokalë dhe perceptimin e tyre mbi sigurinë. Ky është çelësi për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe për të kontribuar në qëndrueshmërinë e rajonit. KFOR-i gjithashtu vazhdon të krijojë kornizën e nevojshme të sigurisë që dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi sfidave të mundshme, duke përshtatur praninë tonë sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë. Ne vazhdojmë të veprojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, me të cilët ne bashkëpunojmë dhe bashkërendohemi në mënyrë të rregullt.

Zëri i Amerikës: Zoti Ulutas, shumë udhëheqës dhe ekspertë nga rajoni janë duke folur mbi rrezikun nga përshkallëzimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si i komentoni ju këto shqetwsime?

Ozkan Ulutas: Si komandant i KFOR-it, unë i marr shumë seriozisht shqetësimet e tyre. Ne jemi duke vëzhguar nga afër çdo zhvillim të sigurisë në rajon. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Ne kemi një marrëdhënie të gjatë tashmë me të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë zonë. Ne angazhohemi me ta në baza të rregullta. Ne e dimë se të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dëshirojnë dhe meritojnë paqe dhe siguri të qëndrueshme. Siç tha edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, nëntorin e kaluar, “qëndrueshmëria në rajon varet nga të gjitha palët që duhet të zgjedhin diplomacinë mbi dhunën. NATO-ja mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Të dyja palët duhet të angazhohen në mirëbesim. Kjo është e vetmja mënyrë për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

Zëri i Amerikës: Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, paralajmëroi në dhjetor të vitit të kaluar se aleanca po shqyrton shtimin e një pranie të përhershme të trupave në Kosovë. Ju si e shihni këtë, a rekomandoni një rritje të përhershme të numrit të trupave dhe cili do të ishte qëllimi i tyre?

Ozkan Ulutas: Misioni jonë aktualisht përbëhet prej rreth katër mijë e 600 trupash, nga 28 vende, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Megjithatë, ne vazhdimisht rishqyrtojmë praninë tonë dhe jemi gjithmonë të gatshëm ta ndryshojmë atë sipas nevojës ose sido që të jetë e përshtatshme. Pas tensioneve vitin e kaluar, NATO vendosi rreth një mijë trupa shtesë në Kosovë. Vendosja e këtyre trupave shtesë ishte një hap i kujdesshëm i ndërmarrë për të siguruar që ne mund të vazhdojmë të zbatojmë mandatin tonë për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, vitin e kaluar pati shumë tensione, sidomos në pjesën veriore të Kosovës. Cili është vlerësimi juaj mbi atë që ndodhi në Banjskë shtatorin e kaluar dhe cili ishte synimi i këtij sulmi sipas këndvështrimit të KFOR-it?

Ozkan Ulutas: Para së gjithash, sulmi i 29 majit mbi trupat e KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri të Kosovës kundër Policisë së Kosovës ishin të paprovokuara dhe të papranueshme. Autorët e një dhune të tillë duhet të mbahen përgjegjës. Ne u kemi kërkuar autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që të kryejnë hetimet e nevojshme ligjore për të vërtetuar faktet dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë. Të gjitha këto qëndrime u shprehën shumë qartë edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë udhëtimit të tij në rajon nëntorin e kaluar. Nën hijen e dhunës, NATO vendosi rreth një mijë paqeruajtës shtesë dhe armatim më të rëndë në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë dhe kjo tregon se NATO-ja është e gatshme të ruajë paqen.

Zëri i Amerikës: Komandant Ulutas, në tetor të vitit të kaluar pati një grumbullim trupash serbe pranë kufirit me Kosovën, që nxiti reagime të shumta. Ju keni komunikim të vazhdueshëm me ushtrinë serbe, cila ishte përgjigja e tyre dhe cilat janë gjasat për një përshkallëzim të ri?

Ozkan Ulutas: Unë e kam bërë përparësi timen nxitjen e komunikimit dhe bashkërendimit të bazuar në besim. Si komandant i KFOR-it, kam takime të rregullta me shumë njerëz, duke përfshirë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe organizatave të sigurisë së Kosovës, shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, shefin e misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit dhe përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe komunitetin diplomatik. Nuk do të spekuloj për ndonjë skenar të ardhshëm, por ajo që mund të them është se ne jemi plotësisht të përqendruar në misionin tonë, nën një mandat të qartë të Kombeve të Bashkuara. Përpjekjet tona janë thelbësore për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për qëndrueshmërinë rajonale. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të punojmë ngushtë me të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe vendorë të përfshirë, për të ulur gjasat e një përshkallëzimi tjetër të tensioneve. Siç tha Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg, kur vizitoi rajonin nëntorin e kaluar, “qëndrueshmëria varet nga të gjitha palët që duhet të zgjedhin diplomacinë në vend të konfliktit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim dialogun Beograd-Prishtinë duke ofruar kornizën e nevojshme të sigurisë që diplomacia të ecë përpara. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Beogradi dhe Prishtina duhet të ndërmarrin hapa konkret për të shtensionuar situatën dhe të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe qëndrueshmërinë në rajon.

Zëri i Amerikës: Zoti Ulutas, cili është mendimi juaj mbi përfshirjen e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit?

Ozkan Ulutas: Serbia është një partnere afatgjatë e NATO-s, nëpërmjet dialogut politik dhe bashkëpunimit praktik, duke respektuar plotësisht politikën e deklaruar nga Serbia për neutralitet ushtarak. Bashkëpunimi shtrihet në veçanti në fusha të ndryshme, duke përfshirë atë ushtarake dhe shkencore. Për më tepër NATO-ja dhe Serbia kanë zhvilluar ushtrime të përbashkëta ushtarake në të kaluarën. Ne presim të forcojmë edhe më tej bashkëpunimin tonë. Nga këndvështrimi im, si komandant i KFOR-it, do të doja të veçoja kanalin e rregullt të komunikimit që kam me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Mojsiloviç. Ky është çelësi për të siguruar transparencë të ndërsjellë, ndërgjegjësimin për situatën si dhe për të identifikuar paralajmërimet e hershme që na lejojnë të shmangim tensionet e mundshme. Ne jemi duke monitoruar nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë në rajon. KFOR-i ka një prani të shkathët, fleksibile dhe të dukshme në mbarë Kosovën. Ne mbetemi syhapur dhe të përqendruar në zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të mandatit tonë. Ne jemi të pajisur mirë dhe të gatshëm për të përballuar çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe ne vazhdojmë të operojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për Sundimit të Ligjit, (EULEX).

Zëri i Amerikës: Zoti Ulutas, agjencitë amerikanë të zbulimit kanë paralajmëruar në raportin e fundit se ky vit mund të sjellë përplasje të reja ndëretnike në Kosovë. Cili është vlerësimi juaj për tensionet ndëretnike dhe a ka ndërmarrë KFOR-i masa shtesë për të rritur shkallën e sigurisë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë?

Ozkan Ulutas: Siç thash ne mund të përshtatemi me çdo zhvillim të situatës në terren, por qëllimi ynë kryesor është të parandalojmë çdo rrezik për ripërtëritje të dhunës, si dhe të konsolidojmë një kuadër sigurie të favorshëm për dialogun dhe bashkëjetesën paqësore midis të gjitha komuniteteve. Në këtë drejtim, aktivitetet e përditshme të kryera nga njësitë tona patrulluese, ekipet tona të Monitorimit Ndërlidhës dhe personeli ynë i bashkëpunimit civilo-ushtarak janë thelbësore. Pas incidentit të dhunshëm të 24 shtatorit kundër Policisë së Kosovës, tensionet janë shtuar në rajon dhe për pasojë NATO-ja ka vendosur forca rezervë me kapacitete shtesë. Tani jemi duke zhvilluar më shumë aktivitete, veçanërisht në veri të Kosovës. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Zëri i Amerikës: Si e shihni ju përgatitjen ushtarake në Serbi dhe blerjet e bëra së fundmi nga Kosova? A jeni të brengosur se kjo mund t’i vendosë trupat e KFOR-it në mes?

Ozkan Ulutas: Ne mbikëqyrim nga afër çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe qëndrueshmërinë rajonale. Unë dhe të gjitha trupat që shërbejnë nën misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, jemi të përqendruar të kryejnë mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara, të sigurojmë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide që mund të ndodhë, duke përshtatur praninë tonë sipas nevojës dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, të cilët janë reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë.

Investimi 1 miliard dollarë i dhëndrit të Trump në Sazan, Rama flet për herë të parë: Ishulli kthehet në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe

RamaKryeministri Edi Rama ka folur sot për herë të parë edhe mbi projektin e paraqitur nga dhëndri i ish-Presidentit Trump lidhur me investimin e rreth 1 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.

 

Teksa i drejtohej asamblesë socialiste, ai tha se ishulli ku do të investojë një nga firmat më prestigjoze të hotelerisë në botë, kthehet në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe.

 

Edi Rama: Këto ditë Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndri i ish-Presidentit Trump shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy sipërmarrje të mëdha në Shqipëri. Po ata që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm dhe investimet e huaja direkte, sot flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe. Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës që prisnin me dylbi zbarkimin e flotës së shtatë amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë pastaj me rregull treshi se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura. Hija e ish-Presidentit amerikan dhe frika provinciale në fakt nga zemërimi i tij, ju kujtohet si thoshin atëherë për mua kur u zgjodh, po ja ku jam këtu sot, i pengon ata më gojështhururit që t’i bashkëngjiten këtyre zërave dhe të shohin rrufetë e akuzave dhe të shpifjeve në këtë rast, për mua djalin e paudhë që doli nga thesi i parave të Soros që kam hyrë në një mega aferë korruptive për djalin për shpirt të armikut më të betuar të Soros.

E vërteta që ka rëndësi në këtë mes nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, e cila ka ndërtuar një dyzinë strukturash në zonat përrallore të UNESCO-s, në Azi dhe Lindjen e Mesme. E vërteta që ka rëndësi në këtë mes është që Shqipëria kampione e turizmit në rajon në 2030 nuk është një slogan për të ushqyer iluzionin e një të nesërme të ndritur, por një projekt gjeopolitik dhe ekonomik që po formësohet me plane dhe masa konkrete që krijojnë hapësirën e mundur për këtë zhvillim historik.

Top Channel

Kushner, dhëndri i Trump-it, projekt turistik për Sazanin

Bregdeti shqiptarKompania amerikane Affinity Partners, e sipërmarrësit amerikan Jared Kushner, dhëndri i ish presidentit Donald Trump, synon të realizojë dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri, së bashku me një tjetër në Beograd, vlera e përbashkët e të cilëve mund të kalojë 1 miliard dollarët.

 

Sipas një artikulli të botuar sot nga Bloomberg News, kompania e investimeve e zotit Kushner me qendër në Majemi, planifikon të transformojë ishullin e Sazanit, i përdorur deri më vetëm si një baze ushtarake, në një eko-resort luksoz të markës Aman. Ai tha për Bloomberg-un, se “ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacënuara dhe unike që kam parë parë kudo në botë”.

Kompania e tij Affinity kërkon gjithashtu të zhvillojë zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës, duke planifikuar ndërtimin e disa resorteve me afro 10 mijë dhoma hotelesh dhe vila.

Për Bloomberg-un, zoti Kushner ka shpjeguar se duke hulumtuar me miqtë e tij Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i SHBA në Gjermani gjatë administratës Trump, dhe Asher Abehsera, partner i tij biznesi, ai u tërhoq nga një nga zonat turistike me rritje më të shpejtë në botë.

Projekti i tij i tretë në Beograd, synon transformimin e tre blloqeve të braktisura, në zemër të kryeqytetit serb, në një hotel luksoz me hapësirë komerciale dhe më shumë se 1,500 rezidenca. Zona historike ka qenë e zbrazët që nga bombardimi i NATO-s në prill 1999 ndaj ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes të ish-qeverisë së atëhershme.

Zoti Kushner ka shërbyer si këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Pasi la punën e tij në qeveri, ai krijoi kompaninë Affinity Partners, e cila, sipas Bloomberg-ut, zotëron asete prej 3.1 miliardë dollarësh. Kompania pati mbështetjen e investitorëve nga vendet e Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite. Ai po shikon gjithashtu mundësi për të investuar në energjinë e rinovueshme, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.

Lidhur me projektet e tij në Shqipëri, Ministria shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit i tha Zërit të Amerikës se kompania e zotit Kushner ka paraqitur një aplikim pranë Agjencisë së Zhvillimit të investimeve “për një projekt turistik në ishullin e Sazanit, si shumë aplikime që bëhen nga investitorë të huaj, dhe lajmi i mirë është që tanimë turizmi ka hyrë në sektorët e interesit të investitorëve të huaj, jo vetëm të shqiptarëve. Por sipas ligjit, projekti duhet të kalojë në disa shkallë shqyrtimesh, para se të merren vendime, por gjithsesi, deri sot, një projekt i tillë nuk ka ardhur ende në Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit”.

Në shpjegimin e saj, Ministria shprehet se “ka pasur edhe më parë interesime e kërkesa për zhvillim turistik në ishullin e Sazanit, çka padiskutim përkon në parim me ambicien tonë për ta kthyer ishullin në një xhevahir të kurorës së turizmit mesdhetar, por i kemi refuzuar, sepse objektivat zhvillimore të të interesuarve nuk i kemi konsideruar në perputhje me vizionin e një turizmi miqësor me mjedisin dhe natyrën, ekuilibër i domosdoshëm për Shqipërinë turistike të vizionit 2030”.

Për rastin e Zvërnecit, ministria tha se nuk ka dijeni për një projekt të tillë, duke shtuar se “çdo propozim e përpjekje për të investuar në Shqipëri është i mirësardhur. Qeveria shqiptare nuk e ka fshehur ambicien për nxitjen dhe lehtësimin e investimeve cilësore në turizmin e ekselencës dhe të hotelerisë me 5 yje, me standarte ndërkombëtare. Çdo investitor serioz që vjen, për më tepër nga vende aleate strategjike të Shqipërisë siç janë edhe SHBA-të, e ka derën të hapur për të kontribuar në rritjen cilësore të turizmit dhe të standarteve të larta në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit”.

voa

 

Media gjermane e përshkruan Shqipërinë si destinacionin e duhur për turizëm, Rama: Vitin që shkoi na vizituan 300 mijë gjermanë

gjermanet shqiperia turizmiPromovimi turistik i Shqipërisë nga mediat e huaja vijon.

Më i fundit është artikulli i medias gjermane të udhëtimeve dhe turizmit “Reise Reporter”, që e përshkruan Shqipërinë si destinacionin e duhur për përvoja të turizmit natyror mes bukurisë së alpeve, pyjeve, liqeneve, kanioneve e plazheve.

Në artikull janë përzgjedhur shtatë mrekullitë natyrore më të bukura dhe spektakolare që Shqipëria ka për të ofruar. Duke e nisur me alpet shqiptare, për të cilat shkruajnë se janë një parajsë për adhuruesit e ecjes, veçanërisht në muajt e verës. E duke vijuar me Parkun e Llogarasë, Syrin e Kaltër, Luginën e Vjosës në Jug apo dhe Grykën e Osumit.

Media gjermane e cilëson Shqipërinë si destinacionin e ëndrrave për të gjithë të apasionuarit mbas natyrës, duke iu sugjeruar lexuesve se  përveç plazheve të mrekullueshme dhe qyteteve emocionuese,  në Shqipëri mund të zbulojnë parqe kombëtare unike dhe bukuri natyrore në të gjithë vendin ballkanik.

Artikullin e ka shpërndarë dhe kryeministri Rama dhe thotë se është një ftesë e parfumosur me të gjitha shijet e ndjesitë e Shqipërisë për vizitorët gjermanë të cilët për vitin që shkoi na vizituan mbi 300 mijë.

tch

Rusi, votuesit i bashkohen opozitës në protestën “Mesdita kundër Putinit”

zgjedhjet RusiZgjedhës rusë u grumbulluan pranë qendrave të votimit, në ditën e fundit të zgjedhjeve presidenciale tre-ditore, me sa duket, duke iu përgjigjur thirrjes së opozitës për të protestuar kundër presidentit Vladimir Putin.

Opozita ruse tha se ajo që u cilësua si “Mesdita kundër Putinit” ishte një protestë paqësore, por politike kundër rizgjedhjes së tij.

Vladimir Putin pritet të zgjasë sundimin e tij edhe me gjashtë vjet të tjera, në një proces zgjedhor që vjen pas sulmeve të ashpra të Kremlinit ndaj kundërshtarëve politikë.

Bashkëpunëtorë të ish udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalni u kishin bërë thirrje atyre që janë të pakënaqur me Putinin dhe luftën në Ukrainë që në mesditë të dilnin në qendrat e votimit, strategji të cilën e njoftoi vetë Navalni, disa ditë para se të vdiste në burg, muajin e kaluar.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, mijëra vetë dolën në qendrat e votimit në mbarë Rusinë të dielën, në atë që opozita ruse tha se ishte një protestë paqësore, por politike kundër rizgjedhjes së Presidentit Vladimir Putin.
Nën moton “Mesdita kundër Putinit”, sipas opozitës, rusët dolën në qendrat e votimit të dielën në mesditë për ta hedhur si të pavlefshme fletën e votimit, ose për të votuar për një nga tre kandidatët kundër Putinit.

Përpara vdekjes së tij, ish udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalni pati ofruar mbështetjen për këtë nismë nëpërmjet një mesazhi në mediat sociale. Më pas e veja e tij dhe ekipi vijuan me këtë formë proteste.

Nuk ka të dhënë të pavarur se sa nga 114 milionë votuesit e Rusisë morën pjesë në protestat e opozitës, në mes të sigurisë jashtëzakonisht të rreptë që përfshinte dhjetëra mijëra policë dhe zyrtarë të sigurisë.

Gazetarët e agjencisë Reuters panë një rritje të fluksit të votuesve, veçanërisht të rinjve, në mesditë në disa qendra votimi në Moskë, Shën Petersburg dhe Yekaterinburg.

Disa thanë se po protestonin, edhe nuk kishin ndonjë shenjë të dukshme për t’i dalluar nga votuesit e zakonshëm.

“Ne nuk presim asgjë të re, megjithatë nuk doja të qëndroja në shtëpi dhe erdha këtu”, thotë Nikita, një banore në Moskë.

“Unë do të doja të shikoja ndryshim. Nuk e di nëse kjo do të ndodhë apo jo, por besoj se zëri im mund të bëjë një ndryshim”, thotë një tjetër banore nga Moska.

Denisi, një banor po në kryeqytetitn rus mbërriti në qëndrën e votimit fiks në orën 12 me orën lokale dhe tha se ishte i lumtur që shikonte kaq shumë njerëz, veçanërisht të rinj, që prisnin në radhë.

“Më vjen mirë që shoh kaq shumë të rinj, më vjen mirë që njerëzit po grumbullohen duke dashur të marrin pjesë në zgjedhje”, thotë ai.

Protestat më të mëdha të rusëve kundër presidentit Vladimir Putin u zhvilluan nëpër ambasadat e Rusisë në botë. Kur e veja e Navalnyt, Julia, u shfaq në ambasadën ruse në Berlin, ku rusët prisnin të votonin, disa nisën të brohorisnin emrin e saj.

Mbështetësit e Navalnyt në mërgim transmetuan pamjet e protestave në YouTube.

Presidenti i Rusisë pritet të zgjasë sundimin e tij edhe me gjashtë vjet të tjera, në një proces zgjedhor që pason një goditje të pashembullt të Kremlinit ndaj kundërshtarëve.
Votimi tre ditor për zgjedhjet presidenciale që mbyllet këtë të dielë mbahet në kushtet e një kontrolli të fortë. Nuk lejohet asnjë kritikë publike ndaj Presidentit Putin dhe luftës që ai ka nisur ndaj Ukrainës.

Zgjedhjet janë fiktive dhe nuk përbëjnë sfidë për presidentin 71-vjeçar, pasi kundërshtarët politikë të tij janë në burg, ose në mërgim dhe kundërshtari më i ashpër i tij, Alexei Navalny vdiq në burg.

Tre kandidatët e tjerë në fletëvotim janë politikanë të profilit të ulët nga partitë opozitare që ndjekin vijën e Kremlinit.
Zoti Putin, i cili erdhi në pushtet në vitin 1999, pritet të sigurojë mandatin e tij të pestë, dhe nëse e arrin këtë, ai do t’ia kalonte Josef Stalinit dhe do të bëhej udhëheqësi më jetëgjatë i Rusisë që prej 200 vitesh. Sipas autoriteteve vendase, në Rusi është shënuar pjesëmarrje e lartë në zgjedhje. Udhëheqësit perëndimorë i kanë cilësuar zgjedhjet në Rusi si fyerje për demokracinë.

voa

Premtimi “i fundit” i Erdoganit: Vërtet?

Taip ErdoganPërpara zgjedhjeve më të rëndësishme lokale, presidenti turk Erdogan premton të tërhiqet nga politika. Vërtet do të tërhiqet?

 

“Po punoj me të gjitha forcat sepse kjo është finalja për mua, me ligj këto zgjedhje do të jenë të fundit.” Kjo fjali e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan shkaktoi një stuhi në Perëndim, agjencitë e lajmeve raportuan: “Erdogan po mendon për largimin” ose “Erdogan shpall tërheqjen”. Megjithatë në Turqi u prit me tallje. “Ai po heq dorë përsëri”, shkruan përdoruesit e shumtë, duke spekuluar në rrjetet sociale se sa herë e kishte parashikuar largimin e tij: dy, tre apo me shume herë?

Sipas Dr. Sipas Hakki Tas, një shkencëtar politik në Institutin Gjerman për Studime Globale dhe Zona (GIGA), njerëzit janë me të drejtë skeptikë sepse kanë dëgjuar tashmë deklarata të ngjashme nga Erdogan. “Ai foli për zgjedhjet e tij të fundit në vitin 2009. Në vitin 2012 tha se do të kandidonte për herë të fundit në krye të partisë, në vitin 2023 premtoi se do të kërkonte mbështetjen e votuesve për herë të fundit dhe më pas do të dorëzonte stafetën brezit të ri”, kujton Tas. Tani, thotë Tas, dëgjojmë të njëjtat deklarata se zgjedhjet e ardhshme lokale do të jenë të fundit për të.

Në të njëjtën kohë, Erdogan zbatoi qëllimet e tij pas çdo zgjedhjeje dhe zgjeroi kompetencat e tij pas çdo fitoreje. Sot ka më shumë kompetenca se kurrë më parë. Ai është kreu i parë i shtetit, nën autoritetin e të cilit është qeveria. Ai është gjithashtu kryetar i partisë AKP.

Kjo është arsyeja pse Tas beson se deklarata e Erdoganit është më shumë një lëvizje taktike. Ai përdor lidhjen emocionale të votuesve të tij dhe kërkon edhe një herë besimin e tyre për t’i mobilizuar ata.

Në pushtet për 22 vjet

Erdogan, i cili njihet si një politikan islamik-konservator, ka qenë në pushtet për 22 vjet. Së pari si kryeministër, e pastaj nga viti 2014 si president. Megjithatë, zgjedhjet e ardhshme lokale të 31 marsit janë shumë të rëndësishme për të. Në dhjetë vitet e fundit, vendi ka përjetuar kaq shumë referendume, zgjedhje parlamentare, zgjedhje lokale dhe zgjedhje presidenciale – politika, shoqëria dhe ekonomia ishin vazhdimisht në modalitetin e fushatës zgjedhore.

Pas zgjedhjeve lokale, të cilat mbahen në fund të marsit, fillimisht situata do të jetë më e qetë. Nëse nuk caktohen zgjedhje të parakohshme parlamentare ose presidenciale, Erdogan do të sundojë edhe për katër vjet të tjera. I përforcuar nga fitorja në zgjedhjet lokale, ai do të dëshirojë të zgjerojë edhe më tej pushtetin e tij, ndoshta të ndryshojë kushtetutën dhe të mendojë për pasardhësin e tij. Për këtë, atij i duhen veçanërisht metropolet e forta ekonomikisht si Stambolli, Ankaraja, Izmiri dhe Antalia, sepse ato përbëjnë pothuajse gjysmën e prodhimit ekonomik të vendit.

 

Në rreshtin e parë qëndron metropoli 17 milionësh i Stambollit. Sondazhet atje parashikojnë se do të ketë një luftë për çdo votë. Që nga viti 2019, qyteti ka qenë në duart e partisë më të madhe opozitare CHP. Kryebashkiaku Ekrem Imamoglu dëshiron të rizgjidhet. 52-vjeçari është i njohur në të gjithë Turqinë dhe deri më tani ka pasur një fushatë të suksesshme zgjedhore.

Murat Kurum, kandidati i partisë në pushtet AKP, nga ana tjetër, nuk ka sjellë ndonjë vrull real në fushatën zgjedhore dhe deri më tani është dëshmuar të jetë një figurë joemocionale dhe e zbehtë. Ndonëse ka qenë ministër i Mjedisit, Urbanizmit dhe Klimës për pesë vjet, ai është relativisht i panjohur. Që nga futja e sistemit presidencial, qytetarët nuk dinë as emrat e anëtarëve të qeverisë, sepse vetëm Erdogani është gjithmonë në plan të parë.

Kandidati i Erdoganit, Turgut Altinok, nuk ka fituar ende një garë në kryeqytet, Ankara. Pavarësisht parullave të ashpra nacionaliste-fetare, ai nuk grumbulloi shumë pikë. Sondazhet tregojnë se presidenti aktual Mansur Yavas i partisë opozitare CHP ka një epërsi të ngushtë.

Kështu, Erdogan edhe një herë e ndjeu se ishte detyrë e tij të përfshihej vetë në fushatën zgjedhore. Për ditë të tëra, 70-vjeçari kalonte nga një ngjarje e madhe në tjetrën, duke mbajtur fjalime dhe duke brohoritur sikur të ishte vetë në fletën e votimit.

 

Ai është i vetëdijshëm për rolin që luan Stambolli në politikën e vendit. Edhe karriera e tij filloi në Stamboll. Erdogan ishte kryebashkiak atje nga viti 1994-1998. Stambolli është ekonomikisht i fortë. Jo më kot thonë në Turqi: “Kush fiton në Stamboll, fiton në vend”.

Aq më tepër që metropolet janë në thelb burime të rëndësishme të ardhurash për Erdoganin për të qëndruar në pushtet. Pas ndryshimit të qeverisë në shumë këshilla bashkiake në vitin 2019, doli në dritë se AKP kishte vite që punësonte kuadro pranë partisë në administratat e qytetit. Prej andej shkonin edhe porosi të shumta të mëdha për sipërmarrësit besnikë ndaj partisë. Ata gjithashtu u dhanë privilegje vëllazërive nacionaliste dhe islamike.

Tas beson se një fitore në zgjedhjet e ardhshme do të rriste vetëbesimin e partisë në pushtet. Qeveria, thotë ai, do ta interpretojë çdo fitore si mbështetje për linjën e saj politike dhe do të vazhdojë me një kurs edhe më të ashpër.

Djali i presidentit Erdogan, Bilal ErdoganKush mund të jetë pasardhësi i Erdoganit?

Edhe pse shumë nuk besojnë realisht se Erdogani mund të tërhiqet vërtet tani, kohët e fundit është folur shumë për një pasardhës të mundshëm. Erdogani së fundmi ka mbushur 70 vjeç. Kohët e fundit po shfaqen gjithnjë e më shpesh foto dhe inçizime me shëndet të dobët.

Në këtë rast, kush do të vijë në karrigen e Erdoganit? Pas dështimit të dhëndrit të tij të madh Berat Albayrak si ministër i Financave, shumë supozuan se ai do të mbështeste ose djalin e tij Bilal Erdogan ose dhëndrin e tij më të vogël, prodhuesin e armëve Selcuk Bayraktar, si pasardhës të tij.

A do të jenë në gjendje këta kandidatë të mundshëm të vazhdojnë ta udhëheqin partinë me aq sukses sa Erdogani? “Në thelb, nuk ka më një parti që zhvillon politika dhe mobilizon njerëzit,” përgjigjet shkencëtari Hakki Tas. Në fakt, që nga futja e sistemit presidencial, ekziston vetëm Erdogani.

Gazetari turk Ragip Soylu beson se shumë gjëra mund të ndodhin përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Në platformë, X ai shkroi se 2028 është larg. Deri atëherë, Erdogani mund të ndryshojë mendje disa herë apo edhe mund të përpiqet të ndryshojë kushtetutën, shkroi ai.

Fakti është se AKP po punon për t’i dhënë mundësi Erdoganit të ketë një mandat tjetër. Atij aktualisht i mungojnë pothuajse 40 vota për ndryshimin e kushtetutës apo për zgjedhjet e parakohshme. Aktualisht është e pasigurt nëse Erdogani mund të bëjë për vete ndonjë nga partitë opozitare për qëllimet e tij.

Dw/ Elmas Topcu

Biden apo Trump? Cilin kandidat do të preferonte Kina?

KinaNdërsa fushata zgjedhore në Shtetet e Bashkuara intensifikohet, si presidenti Joe Biden ashtu edhe rivali i tij i mundshëm, Donald Trump, premtojnë se do të mbajnë një qëndrim të ashpër ndaj Kinës. Po çfarë mendojnë në Kinë për zgjedhjet amerikane? Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo pyeti banorët e Pekinit se çfarë përshtypjesh kanë për dy kandidatët.

 

Marrëdhënia SHBA-Kinë është cilësuar si më e rëndësishmja në botë. Ajo është shpesh e tensionuar.

Me afrimin e zgjedhjeve në SHBA, tensionet mund të rriten. Për të mësuar se si i shohin kinezët këto marrëdhënie, Zëri i Amerikës shkoi në Pekin. Është hera e parë që një gazetar i Zërit të Amerikës lejohet të shkojë në Kinë në katër vitet e fundit, për shkak të pandemisë dhe tensioneve mes dy vendeve. Por çfarë mendojnë banorët e Pekinit për kandidatët Biden dhe Trump?

“Kur mendoj për vendin tim, cilido të zgjidhet, nuk do të jetë i mirë për ne”, thotë Sun, një banore e Pekinit.

“Nga pozita e një studenti të thjeshtë kinez, preferoj Trump-in. Edhe pse ai e ekzagjeron shpesh, të paktën ai po e bën këtë për të mirën e vendit të tij”, thotë Alani.

Politika e zotit Trump për Kinën ishte e paparashikueshme – duke u luhatur mes sulmeve të ashpra dhe diplomacisë së bujshme personale.

“Dikur kishte shumë tension mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Tani është një marrëdhënie e ngrohtë”, shprehej zoti Trump në tetor të vitit 2019.

Në Kinë, përshtypja për ish-presidentin Trump është se duke dëmtuar imazhin global të SHBA-së, ai në të vërtetë po ndihmon Kinën.

“Është interesante – shumë nga gjërat që ai bën, në fakt përputhen me interesat e Kinës”, thotë Tao.

“Ai është shumë i drejtpërdrejtë. Dhe ndonjëherë vepron në mënyrë të tillë që duket se e ndihmon Kinën” , thotë Huang.

Zoti Trump vendosi tarifa të larta që goditën ekonominë e Kinës. Por ai gjithashtu tensionoi marrëdhëniet me shumë aleatë të SHBA-së. Ai u tërhoq ose vuri në shënjestër shumë organizata në qendër të rendit global të udhëhequr nga SHBA. Ndërsa zoti Biden ka forcuar aleancat e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në Azi – duke nervozuar Pekinin.

“Ai ka një qasje më tradicionale. E vë theksin tek aleancat dhe nxit vlerat ideologjike. Ai për shembull mbajti një samit për vlerat e demokracisë kundër autokracisë”, thotë për Zërin e Amerikës Wang Huiyao, president i Qendrës për Kinën dhe Globalizimin.

Pavarësisht fërkimeve, lidhjet janë stabilizuar nën presidentin Biden – një zhvillim i mirëpritur nga shumë në Kinë.

“Nuk duam të shohim një përkeqësim të lidhjeve siç kemi pasur më parë. Sepse nëse ndodh një gjë e tillë, mund të jetë shumë e rrezikshme jo vetëm për SHBA-në dhe Kinën, por për gjithë botën.”

Me afrimin e zgjedhjeve në SHBA, ka shumë pasiguri për këtë marrëdhënie.

voa

Çfarë tregon historia amerikane për ripërballjen Biden-Trump

Shtepia e bardheTashmë që presidenti Joe Biden dhe ish presidenti Donald Trump e kanë pothuajse të sigurt emërimin si kandidatë zyrtarë të partive të tyre për zgjedhjet e nëntorit, shumë njerëz i kthejnë sytë nga historia e Shteteve të Bashkuara. Herën e fundit që të njëjtët persona janë përballur dy herë për presidencën, ka ndodhur në vitin 1956 dhe në të gjithë historinë amerikane kjo ka ndodhur shumë rrallë.

 

Një përsëritje e zgjedhjeve të vitit 2020 është përgatitur në Shtetet e Bashkuara, ndërsa presidenti dhe pararendësi i tij e kanë pothuajse të sigurt marrjen e emërimit si kandidatë zyrtarë për president të partive të tyre.

“Tashmë që presidenti Biden dhe ish presidenti Donald Trump e kanë pothuajse të sigurt emërimin nga Partia Demokrate dhe Republikane, shumë njerëz po kthejnë sytë nga historia amerikane për të parë nëse ka shumë shembuj të ngjashëm me këtë, por nuk janë shumë”, thotë profesori i shkencave politike Cal Jillson.

Një ripërballje e tillë ka ndodhur për herë të fundit në vitin 1956, kur presidenti republikan Dwight D. Eisenhower mundi sërish të njëjtin kundërshtar demokrat të katër viteve më parë, Adlai Stevenson. Ai fitoi madje herën e dytë me një diferencë edhe më të madhe.

“E mundi dy herë pasi ishte Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe publiku e dashuronte. ‘Më pëlqen Ike’, ishte një parullë shumë e famshme e fushatës elektorale dhe kështu Eisenhower fitoi dy herë me lehtësi ndaj Adlai Stevensonit. Por në fund të procesit, Stevenson ishte gjerësisht i respektuar… Rasti i tanishëm mund të jetë më pak frymëzues. Por do të shohim si do të zhvillohen gjërat në tetë muajt në vazhdim, tashmë që i kemi të qartë kandidatët…”, thotë profesor Jillson.

Grover Cleveland është i vetmi president në historikun e Shteteve të Bashkuara që shërbeu për dy mandate jo të njëpasnjëshme. Ai u bë presidenti i 22-të dhe 24-t i Shteteve të Bashkuara. Zoti Cleveland fitoi zgjedhjet në vitin 1884 dhe 1892, duke arritur atë çfarë synon të arrijë ish presidenti Trump, rimarrjen e Shtëpisë së Bardhë nga rivali që e mundi.

“Ekziston shembulli i viteve 1880 dhe fillimet e viteve 1890 kur dy emra jo shumë të mirënjohur për ne sot, Grover Cleveland dhe Benjamin Harrison, patën një lloj ripërballjeje. Në të gjithë historinë amerikane janë gjithsej gjashtë herë të tjera kur të njëjtët persona janë përballur dy herë për presidencën. Pra, kjo është shumë e rrallë”, thotë profesor Jillson.

Në përballjet e mëhershme pati emra të mirënjohur si John Adams dhe Thomas Jefferson, që morën pjesë në garat e para elektorale që pasuan për të zgjedhur drejtuesin e vendit pas presidentit të parë amerikan, Uashingtonit.

“Mund ta imagjinoni se nëse e keni shijuar njëherë Shtëpinë e Bardhë, ose nëse iu afruat shumë, është një shije që nuk do ta harronit kurrë, një dëshirë që nuk largohet ndonjëherë. Prandaj do të përpiqeshit sërish, shpesh dy herë apo edhe më shumë. Pra mund të mendoni për njerëz si Thomas Jefferson-i, që hartoi Deklaratën e Pavarësisë, i adhuruar në kohën e tij, konkuroi për presidencën që në vitin 1796, por fitoi vetëm në vitin 1800. Dhe më pas pa fqinjët e tij ta fitojnë presidencën, James Madison dhe James Monroe”, thotë profesor Jillson.

John Quincy Adams dhe Andrew Jackson është një tjetër rast ripërballjeje për presidencën. Ata u përballën fillimisht në vitin 1824, kur fitoi John Quincy Adams dhe për herë të dytë në vitin 1828, kur zoti Jackson fitoi ndaj presidentit në detyrë.

voa

Stambolli “kryeqendra e botës”!

BilallPër Bilall Kasamin, kryeqendra e botës është Stambolli, sepse siç deklaroi ai vet para pak ditësh në Stamboll, identitetin prej shqiptari e gjeti tek para 1 apo dy vitesh, kur u bë shok me Lulzim Jasharin! Por në fakt, e vërteta është se identitetin e tij, ai e kishte gjetur vite më parë, por jo atë shqiptar! E kishte gjetur në Stamboll, aty ku nënkryetari i tij u betua se do të luftojnë për fe e jo për komb, ndaj dhe Stambollin e ndjejnë si kryeqendrën e botës.

 

Sepse kur Bilall Kasami duhej të frymëzohej nga emri dhe sakrificat e nacionalistëve shqiptarë, të burgosurve të Goli Otokut, Mehmet Gegës, Rafi Halilit e shumë të tjerëve, tanimë ai e kishte identitetin “jugosllav” dhe shkruante poezi për Titon. Kur në Kosovë Adem Jashari dhe shumë heronjë të tjerë vriteshin për liri, ai qetë qetë po kryente studimet për ekonomi në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, duke vazhduar me identitetin “jugosllav”. Vazhdoi me po këtë identitet edhe kur po bëheshin pregaditjet dhe po zhvillohej lufta e shqiptarëve në ish IRJM, i akomoduar në Drejtorinë e doganave të “Maqedonisë së Veriut” (2000-2004). Për të vazhduar si kuadër i BDI në postin e sekretarit shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë (2005-2006) e për t’u rikthyer përsëri në Drejtorinë e doganave ku qëndroi deri në vitin 2008.

Identitetin e tij të ri “kombëtar, musliman”, do ta gjente pas vitit 2009 deri në vitin 2014 kur filloi punën si profesor në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik i themeluar në vitin 2006 nga Fondacioni për Arsim dhe Kulturë “ÜSKÜP. Vazhdoi ta përforconte këtë identitet më 2013, kur u zgjodh anëtar i Bordit Këshillëdhënës të Fondacionit “Qendra e Civilizimit Islam” (FOCIC), duke themeluar nga këtu, më 2014 Lëvizjen BESA, dhe duke u zgjedhur kryetar i parë i saj.

Po, për Bilall Kasamin dhe të tjerët si ai, kryeqendra e botës është Stambolli. Sepse për të tillët Gjergj Kastrioti – Skenderbeu ishte “kaur” që luftonte “kryeqendrën e botës”. Ndërsa shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 ishte “gabimi” më i madh i shqiptarëve, I cili duhet korrigjuar tani përmes partive të islamit politik.

E pamë që edhe për Xhelal Sveçllën, ministrin e brendshëm të Albin Kurtit, Stambolli është kryeqendra e botës. Po për Albini Kurtin?

“E keqja më e vogël” si shpëtim nga e “keqja më e madhe”? Jo faleminderit!

Sepse patjetër do të vijë dita kur shqiptarët në ish IRJM do ta heqin qafe gjithe këtë të keqe, qoftë e madhe, qoftë e vogël, siç thot veterani I luftës, Ali Jonuzi “… Edhe mos ndodhtë me këtë klasë politike që është sot, ka me lind një klasë politike. Ka me lind një pararojë që ka me terheq popullin pas vetes, drej bashkimit kombëtar…”

A.F.

Escobar: Kurti më premtoi se do të shqyrtojë disa nga propozimet e mia për dinarin serb

escobarI dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shfaqi shpresën të enjten se qeveria e Kosovës do të gjejë një zgjidhje lidhur me përdorimin e dinarit serb, ndërsa theksoi se sfidat në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve po sfidohen nga trajtimi i pakicës serbe në Kosovë.

 

Pas një takimi mëse dy orësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, zoti Escobar tha se Shtetet e Bashkuara mbeten partneri më i qëndrueshëm dhe më i përkushtuar i Kosovës.

“Por, më duhet të pranoj se kjo marrëdhënie ka disa sfida tani. Dhe sinqerisht, këto sfida janë për shkak të trajtimit të pakicës serbe. Dhe është për të ardhur keq që ne duhet të kalojmë nëpër këtë. Vendimi i Bankës Qendrore ka shkaktuar një vështirësi reale për disa nga qytetarët e këtij vendi dhe ne jemi shumë të shqetësuar”, tha zoti Escobar duke nënvizuar se kjo është një çështje humanitare në zhvillim që duhet trajtuar menjëherë.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Serbia.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërsa kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkroi në rrjetet sociale se e ka falenderuar zotin Eskobar për mbështetjen amerikane dhe ka theksuar siç tha nevojën për t’i kërkuar llogari Serbisë për sulmin në Banjskë. “Gjithashtu e informova atë për hapat që ka ndërmarrë qeveria jonë për të mbështetur tranzicionin e Bankës Qendrore dhe gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet në vazhdim”.

Më herët gjatë ditës zoti Escobar tha se dëshiron që të punojë me qeverinë e Kosovës me shpresën për të gjetur një zgjidhje urgjente për çështjen e dinarit serb pasi sipas tij, nga ky vendim po vuan komuniteti serb. Në një deklaratë për median lokale në gjuhën serbe “Gorazhdec”, zoti Escobar tha se qeveria amerikane dëshiron që serbët të jetojnë në Kosovë në kushte të sigurta dhe të dinjitetshme ndërsa theksoi se “qeveria e Kosovës ka përgjegjësinë për ta realizuar këtë dhe Shtetet e Bashkuara do t’a mbajnë përgjegjëse për këtë”.

Ai tha pas takimit me kryeministrin Kurti se askush nuk mund të mos preket kur dëgjon se si pjesa më e cenueshme e shoqërisë nga komuniteti serb po ndikohet nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës.

“Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shqyrtojë disa nga propozimet që ia paraqita sot”, tha Escobar, por pa dhënë hollësi se çfarë propozimesh ka ofruar.

Zoti Escobar hodhi poshtë pohimet për qasje të pabarabartë të Shteteve të Bashkuara kundruall Kosovës.

“Gjithçka që kemi bërë në vitin e fundit ka qenë në favor të Kosovës. Pra, menjëherë pas Ohrit, ne mbështetëm kandidaturën tuaj për Këshillin e Evropës. Ne i kemi mbështetur proceset tuaja demokratike, përfshirë zgjedhjet në veri. Ne ju qëndruam pranë pas sulmeve të 24 shtatorit dhe morëm një vendim për t’ju ndihmuar në sigurimin e armëve Javelin. Pra, më shpjegoni se si kjo është e pabalancuar. Në të vërtetë nuk është. Në ndërkohë, ne shpresojmë se Kosova mund të dëgjojë shqetësimet tona. Dhe nuk duhet të jetë shumë e vështirë. Këta janë shtetas të Kosovës”, tha zoti Escobar.

I dërguari amerikan, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë qëndroi edhe në Manastirin e Deçanit, një ditë pasi qeveria në Prishtinë vendosi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për pronat e Manastirit të Deçanit, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë mospajtimesh me diplomacinë perëndimore rreth kësaj çështjeje.

Shtetet e QUINT-it kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për pronën e Manastirit të Deçanit.

Ai e mirëpriti këtë vendim të cilin diplomatët e vendeve kryesore perëndimore cilësuan të enjten si “hap të rëndësishëm përpara të autoriteteve të Kosovës në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike”.

Zoti Escobar diskutoi edhe me partitë politike opozitare dhe përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës mbi zhvillimet e fundit.

Udhëheqës të partive opozitare vunë theksin te marrëdhëniet aktuale ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë së Kosovës.

“Në atë që na u tha, qartë dhe zëshëm, nuk kanë qenë në një nivel kaq të ulët se sa që janë sot. Mungesa e bashkërendimit të ngushtë me aleatët tanë kryesor, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sjell pasoja për integrimin euro-atlantik të Kosovës dhe kjo gjendje është shqetësuese për të gjithë ne natyrisht”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Besoj që po shihet se tash jemi në atë periudhën ku po dënohemi për qasjen, për mënyrën si i kemi menaxhuar këto marrëdhënie, obligimet e marra nga plani franko-gjerman i mbështetur prej amerikanëve, kanë mundur me na dërgu përpara drejt NATO-s. Meqenëse (Albin) Kurti është kthyer mbrapa, pra po gjen tema me rrit populizmin, me rrit emrin e vet, po shihet që është e qëllimshme me e dënu Kurtin”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Diplomatët amerikanë kanë paralajmëruar Prishtinën se mungesa e bashkërendimit pengon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike. Zoti Escobar tha se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s kalon nëpër pesë vendet që nuk e njohin pavarësinë e saj dhe të gjitha ato duan të shohin përparim në çështjet që janë në pajtim me dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

voa