Kurti-Escobarit: E nevojshme që t’i kërkohet Serbisë llogari për Banjskën

escobar kurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar për takimin me emisarin amerikan, Gabriel Escobar.

Përmes një postimi në platformën ‘X’, Kurti falënderoi Escobarin për angazhimin dhe mbështetjen e ShBA-së, ndërsa shtoi se ekziston nevoja që t’i kërkohet llogari Serbisë për sulmin në Banjskë.

Ai theksoi se e ka informuar Escobarin lidhur me hapat që ka ndërmarrë qeveria për çështjen e dinarit.

“Fantastike të takohesh me Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar. E falënderova për mbështetjen e ShBA-së dhe nevojën që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin e Banjskës. Gjithashtu e informova për hapat që qeveria po ndermerr për të mbështetur tranzicionin e rregullores së BQK-së, si dhe gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet aktuale, ka shkruar Kurti në X.

rtk

Escobar: SHBA ka punuar në favor të Kosovës dhe ajo duhet të dëgjojë

Escobar rtkEmisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka përfunduar takimin me kryeministrin e vendit, Albin Kurti. Ai në këtë takim ishte i shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

 

Escobar pas përfundimit të takimit tha se vendimi i BQK-së ka shkaktuar vështirësi për disa qytetarë të këtij vendi dhe Qeveria duhet të merret me këtë sfidë dhe ta diskutojë këtë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin partneri më i përkushtuar i Kosovës, por duhet të them se raportet kanë disa sfida, dhe këto sfida vijnë për shkak të trajtimit që po i bëhet komunitetit serb tani. Vendimi i BQK-së ka shkaktuar vështirësi për disa qytetarë të këtij vendi. Jemi të shqetësuar, do të vazhdojmë të punojmë në këtë çështje, është një çështje emergjente humanitare që duhet të adresohet menjëherë dhe shpresoj që qeveria të jetë e gatshme, të jetë fleskibile në diskutimet e veta në dialog të martën”, tha Escobar.

Ai shtoi se ka përgëzuar kryeministrin për vendimin për pronat e Manastirit, që ishte një vendim i vështirë, por i domosdoshëm.

“Kishim një diskutim shumë të mirë, kryeministri ka premtuar se do të merr disa vendime për propozimet që i kemi ofruar”, shtoi ai.

Ecobar ka thënë se çdo gjë që ka bërë SHBA-ja ka qenë për Kosovën. Ai shtoi se pas Ohrit, SHBA e ka përkrahur kandidaturën e Kosovës për Këshill të Evropës, i ka përkrahur proceset demokratike, përfshirë edhe zgjedhjet në veri.

“Çdo gjë që kemi bërë, ka qenë për Kosovën dhe do ta vazhdojmë ta bëjmë këtë. Në ndërkohë shpresojmë që Kosova të dëgjojë shqetësimet tona”, tha Escobar.

rtk

BE paralajmëron takim në nivel kryenegociatorësh në Bruksel më 19 mars

Lajcak - Besnik Bislimi dhe Petar PetkoviqBashkimi Evropian ka thirrur një takim të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve.

 

Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës, dhe Petar Petkoviq i Serbisë, pritet që të takohen më 19 mars, në Bruksel.

Këtë takim e ka konfirmuar edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar sonte pas takimit me kryeministrin Kurti.

“Shpresoj që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile në diskutimet në dialog të martën, sa i përket rregullores së BQK-së”, tha Escobar, pas takimit të sotëm me kryeministrin Albin Kurti.

Në takimin e së martës në Bruksel pritet të diskutohet për planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për çështjen e dinarit serb.

rtk

Ambasadori amerikan paralajmëron Hungarinë për lidhjet “e ngushta” me Rusinë

amb shbaAmbasadori amerikan në Budapest, tha të enjten se aleatët e NATO-s po paralajmërojnë Hungarinë për rreziqet e marrëdhënieve të saj “të ngushta dhe në zgjerim” me Rusinë dhe nëse kjo është zgjedhja e politikës së Budapestit, “ne do të duhet të vendosim se si të mbrojmë më mirë interesat tona të sigurisë”.

 

Marrëdhëniet midis Budapestit dhe Uashingtonit janë acaruar për shkak të zvarritjes së ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO, që u miratua përfundimisht nga Budapesti muajin e kaluar dhe gjithashtu për shkak të lidhjeve të ngrohta të kryeministrit nacionalist Viktor Orban me Moskën, pavarësisht agresionit rus në Ukrainë.

“Këto shqetësime të ligjshme të sigurisë të 31 aleatëve të Hungarisë, nuk mund të shpërfillen”, tha ambasadori amerikan David Pressman, në një fjalim me rastin e 25 vjetorit të anëtarësimit të Hungarisë në aleancën ushtarake të NATO-s.

Ambasadori Pressman tha se Hungaria është një aleate “që sillet ndryshe nga të tjerët”.

“Ky fjalim ka të bëjë me një qeveri që etiketon dhe trajton Shtetet e Bashkuara si një “kundërshtar”, ndërsa bën zgjedhje politike që e izolojnë atë gjithnjë e më shumë nga miqtë dhe aleatët. Ky fjalim ka të bëjë me një mik dhe aleat prej kohësh që thotë dhe bën gjëra që dëmtojnë besimin dhe miqësinë”, tha ai.

Tensionet midis qeverisë së kryeministri Orban dhe administratës së presidentit amerikan Joe Biden, janë përkeqësuar në javët e fundit pasi zoti Orban mbështeti hapur kandidaturën e zotit Donald Trump për postin e presidentit amerikan, pas një takimi në Florida. Zoti Orban e vlerësoi zotin Trump si kandidatin e vetëm presidencial që mund t’i jepte fund luftës në Ukrainë, duke ndërprerë ndihmën ushtarake për Kievin.

Budapesti kundërshton agresionin rus në Ukrainë, por kryeministri Orban ka refuzuar t’i dërgojë armë Kievit dhe ka kritikuar vazhdimisht sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Qeveria e tij ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Moskën, pjesërisht për shkak të varësisë së vazhdueshme energjetike të Hungarisë nga Rusia.

Ambasadori Pressman tha se Hungaria po i bën hapur thirrje SHBA-së dhe aleatëve të tjerë që t’i japin fund mbështetjes ushtarake për Ukrainën në mënyrë që ta detyrojnë në një armëpushim të menjëhershëm dhe negociata paqeje.

“Shtetet e Bashkuara duan gjithashtu paqen. Ne duam që kjo luftë të përfundojë. Por propozimi hungarez nuk përkon me realitetin”, tha ai.

voa

Reuters: operacion sekret i CIA-s në Kinë, i urdhëruar nga ish presidenti Trump

ciaNë vitin e tij të dytë në detyrë, ish presidenti Donald Trump autorizoi CIA-n (Agjencinë Qendrore të Zbulimit) të fillonte një fushatë të fshehtë në mediat sociale kineze me synim kthimin e opinionit publik në Kinë kundër qeverisë, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters ish zyrtarë amerikanë me njohuri të drejtpërdrejta të këtij operacioni tepër sekret.

 

Tre ish zyrtarë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se CIA krijoi një ekip të vogël operativësh, të cilët përdorën identitete të rreme në internet për të shpërndarë lajme negative për qeverinë kineze të drejtuar nga Xi Jinpingu, si dhe duke shpërndarë paralelisht të dhëna denigruese nëpër mediat ndërkombëtare. Për këtë fushatë të filluar në vitin 2019 nuk është raportuar ndonjëherë në media.

Gjatë dekadës së fundit, Kina ka zgjeruar me shpejtësi praninë e saj ndërkombëtare, me pakte të reja ushtarake, marrëveshje tregtare dhe partneritete biznesi me vendet në zhvillim.

Ekipi i CIA-s përhapi akuza se anëtarë të Partisë Komuniste në pushtet po fshihnin jashtë vendit para të përfituara në rrugë të paligjshme dhe se iniciativa e Kinës “Një Brez një Rrugë” ishte e korruptuar dhe një shfrytëzim i vendeve në zhvillim, përmes financimit të projekteve të infrastrukturës.

Megjithëse zyrtarët amerikanë nuk dhanë detaje konkrete për këto operacione, ata thanë se informacioni denigrues kishte baza të vërteta, megjithëse injektohej në mënyrë sekrete nga operativë të zbulimit me identitet të rremë. Operacioni synonte të mbillte frikë në radhët e drejtuesve të lartë kinezë, si dhe të detyronte qeverinë kineze të dedikonte burimet e saj për të gjurmuar ndërhyrjet në internetin e kontrolluar rreptësisht nga Pekini, thanë dy nga ish zyrtarët amerikanë. “Donim që të viheshin në kërkim të fantazmave”, tha njëri prej këtyre zyrtarëve.

Chelsea Robinson, zëdhënëse e CIA-s, nuk pranoi të komentojë për ekzistencën e programit, për objektivat e tij, apo rezultatet që ai pati.

Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze tha se njoftimi për këtë iniciativë të CIA-s tregon se qeveria amerikane përdor “hapësirën e opinionit publik dhe platformat e mediave si mjete për të përhapur dezinformim dhe për të manipuluar opinionin publik ndërkombëtar”.

Operacioni i CIA-s ishte një përgjigje pas viteve të tëra përpjekjesh agresive të fshehta të Kinës që synonin rritjen e influencës së saj globale. Gjatë presidencës së tij, zoti Trump kërkoi një përgjigje më të ashpër ndaj Kinës se pararendësit e tij. Fushata e CIA-s shënon një rikthim tek metodat që karakterizuan përpjekjet e Uashingtonit ndaj ish Bashkimit Sovjetik. “Lufta e Ftohtë është rikthyer”, tha Tim Weiner, autor i një libri për historinë e luftës politike.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti të zbulojë efektin e këtyre operacioneve sekrete, apo nëse administrata e presidentit Joe Biden e ka vazhduar këtë program të CIA-s. Kate Waters, zëdhënëse për Këshillin e Sigurisë Kombëtare, nuk pranoi të komentojë për ekzistencën e programit, apo nëse ai vazhdon të jetë aktiv. Dy historianë të aktiviteteve të zbulimit i thanë agjencisë Reuters se kur Shtëpia e Bardhë autorizon CIA-n për një veprim të caktuar të fshehtë, urdhri shpesh vazhdon të jetë në fuqi gjatë administratave të ndryshme.

Ish presidenti Trump, tashmë kandidati kryesor republikan për president, ka sugjeruar se do të ketë një qasje edhe më të ashpër ndaj Kinës, nëse rizgjidhet president në nëntor. Zëdhënësit e tij, si dhe dy persona që kanë punuar si këshilltarë të tij për sigurinë kombëtare gjatë vitit kur u nënshkrua autorizimi për operacionin sekret, John Bolton dhe Robert O’Brien, nuk pranuan të komentojnë.

Operacioni kundër Pekinit shoqërohej me rreziqe të mëdha për përshkallëzimin e tensioneve me Shtetet e Bashkuara, duke patur parasysh fuqinë ekonomike të Kinës dhe hapësirat e saj për t’u kundërpërgjigjur nëpërmjet tregtisë, tha Paul Heer, ish analist kryesor për Azinë Lindore në CIA. Ai vetë e mësoi ekzistencën e këtij operacioni nga njoftimi i agjencisë së lajmeve Reuters. Një shembull i ngjashëm ishte rasti i Australisë që bëri thirrje në vitin 2020 për një hetim brenda Kinës për origjinën e pandemisë COVID-19. Në kundërpërgjigje, Pekini bllokoi miliarda dollarë nga tregtia me Australinë, nëpërmjet tarifave bujqësore.

Urdhri i ish presidentit Trump në vitin 2019 u dha pas vitesh paralajmërimesh nga komuniteti amerikan i shërbimeve të zbulimit dhe nga njoftimet në media, se si Kina po përdorte ryshfetin dhe kërcënimet për të fituar mbështetjen e vendeve në zhvillim të përfshira në mosmarrëveshje gjeopolitike, ndërkohë që bënte edhe përpjekje për të mbjellë përçarje në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet organizatave fasadë.

Ministria e Jashtme kineze tha se Pekini ndjek “parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe nuk ndërhyn në çështjet e brendshme të Shteteve të Bashkuara”.

Një vit më herët, ish presidenti Trump i dha CIA-s kompetenca të zgjeruara për të bërë operacione kibernetike ndaj kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara, pas sulmeve të shumta kibernetike ruse dhe kineze ndaj organizatave amerikane, njoftoi faqja e lajmeve Yahoo News. Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti ta konfirmojë këtë në mënyrë të pavarur.

Ish zyrtarët e përshkruan urdhrin e vitit 2019 si më ambicioz. Urdhri e autorizonte CIA-n të ndërmerrte veprime jo vetëm në Kinë, por edhe në vende të tjera në mbarë botën, ku Shtetet e Bashkuara dhe Kina konkurrojnë për ushtrimin e influencës. Katër ish zyrtarë amerikanë thanë se operacioni kishte si objektiv opinionin publik në Azinë Juglindore, Afrikë dhe rajonin e Paqësorit Jugor.

“Ndjesia ishte se Kina po na vërsulej me shkopinj bejzbolli prej çeliku dhe ne mbroheshim me shkopinj të drunjtë”, tha një ish zyrtar i sigurisë kombëtare me njohuri të drejtpërdrejta për këtë autorizim.

Tre ish zyrtarë thanë se teksti i autorizimit u hartua nga Matt Pottinger, zyrtar i lartë në atë kohë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Teksti përmendte akuzat për përdorimin nga Pekini të influencës keqdashëse, të vjedhjes së pronësisë intelektuale dhe rritjen e pranisë ushtarake, si kërcënime për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, tha njëri prej ish zyrtarëve amerikanë.

Zoti Pottinger i tha agjencisë së lajmeve Reuters se nuk komenton për “saktësinë apo pasaktësinë e pretendimeve për aktivitetet e zbulimit të Shteteve të Bashkuara”, duke shtuar se “nuk do të ishte e drejtë të thuhej se do të kisha ndonjë njohuri konkrete për operacionet e zbulimit të Shteteve të Bashkuara”.

Përçimi i fshehtë i mesazheve u mundëson Shteteve të Bashkuara të përhapin idetë në vende ku censura mund të ndalë daljen në dritë të informacionit, apo në zona ku audienca nuk do t’i jepte shumë besueshmëri deklaratave të qeverisë amerikane, tha Loch Johnson, shkencëtar politik në Universitetin e Xhorxhias, që studion përdorimin e taktikave të tilla.

Fushatat e fshehta të informacionit ishin të zakonshme gjatë Luftës së Ftohtë, kur CIA shpërndante 80 – 90 artikuj në ditë kundër Bashkimit Sovjetik, tha zoti Johnson. Siç mësohet nga dokumentet tashmë të deklasifikuara, në vitet 1950 për shembull, CIA çeli një revistë për astrologjinë në Gjermaninë Lindore, për të publikuar parashikime të zymta për udhëheqësit komunistë.

Fushata e fshehtë propagandistike ndaj Pekinit, mund të sjellë rezultate të kundërta, thotë ish analisti i CIA-s, Paul Heer. Kina mund ta përdorë evidencën për fushatën e influencimit të CIA-s për të përforcuar akuzat e saj të hershme prej dekadash për përpjekjet e errëta për diversion të Perëndimit, duke e ndihmuar kështu Pekinin të fitojë më shumë mbështetje në vendet në zhvillim që e shohin me dyshim Uashingtonin.

Mesazhi do të ishte: “Shikoni se si Shtetet e Bashkuara ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe refuzojnë parimin e bashkekzistencës në paqe”, tha zoti Heer. “Dhe ka vende nëpër botë ku ky mesazh do të zërë vend”.

Operacionet amerikane të influencimit mund të rrezikojnë gjithashtu disidentët, grupet opozitare që kritikojnë Kinën dhe gazetarët e pavarur, që mund të paraqiten me pa të drejtë si vegla të CIA-s, tha Thomas Rid, profesor në Universitetin Johns Hopkins, i cili ka shkruar një libër për historinë e luftës politike.

voa

Basha: 21 janari, nuk kam asgjë për të fshehur, nuk kam dhënë asnjë urdhër

BashaKryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kritikon përpjekjen e fundit për normalizmin e punimeve të parlamentit mes deputetëve të shumicës socialiste dhe krahut mbështetës të ish kryeministrit Sali Berisha, si një bashkëpunim Rama Berisha që do të dëmtojë kryerjen e reformës zgjedhore.

 

Në intervistën për Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, zoti Basha ndalet edhe në problemet e brendshme të ndarjes në Partisë Demokratike, si dhe në vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, që çështja e 21 janarit të hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Zoti Basha thotë se urdhëri për të qëlluar ndaj protestuesve nuk ka dalë nga ai.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, për çfarë jeni këto dito ditë këtu në Uashington?

Lulzim Basha: Jam këtu si raporter i Këshillit të Evropës në një mision do të thoja historik për të bashkërenduar midis Këshillit të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për konfiskimin e aseteve ruse dhe vendosjen e tyre në dispozicion të rindërtimit të Ukrainës.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, këto ditë ka patur një përpjekje për dakordësi mes shumicës socialiste dhe shumicës së deputetëve demokratë që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha për të rikthyer normalitetin në jetën parlamentare. Cili është komenti juaj, reagimi juaj për këtë zhvillim të ri?

Lulzim Basha: Për çdo zhvillim në Shqipëri, standarti i ri i një kulture të re politike, që ne si Parti Demokratike aspirojmë ta ndërtojmë në dialog me gjithë shoqërinë është përgjigja ndaj një pyetjeje: A i shërben shqiptarëve dhe si u shërben shqiptarëve? Nisur nga zhvillimet e fundit në Shqipëri, mund të them që paralajmërimet tona prej kohësh kanë treguar që zoti Rama dhe zoti Berisha bashkëpunojnë për interesat e tyre, por kundër intetesave të shqiptarëve.

 

Zëri i Amerikës: Kundër cilave interesa në këtë rast?

Lulzim Basha: Reformës zgjedhore, në veçanti. Ne kemi një kohë të gjatë që kemi paraqitur në komisionin e reformës zgjedhore propozime, të cilat shkojnë përtej interesave partiake, por janë në interes të qytetarëve. Të tillë janë propozimi për listat e hapura; që qytetarët të zgjedhin vet se cilin do të dërgojnë në parlament dhe jo kryetarët e partive. Kjo është zhbërja ‘de facto dhe de jure’, nëse propozimi do të adoptohej, i ndryshimeve kushtetuese Berisha – Rama të vitit 2008. Po kështu është propozimi ynë për barazinë e votës, sepse sot në Shqipëri, falë këtij sistemi është e qartë se nuk ka barazi vote. Me 8 mijë e 500 vota zgjidhet deputeti në Vlorë, por duhen 13 mijë e 500 vota për të zgjedhur deputetin në Kukës. Të dy këto lidhen me dy propozime të tjera që kanë të bëjnë me vendime të Gjykatës Kushtetuese si vota e diasporës, vota e shqiptarëve jashtë Shqipërisë,

 

Zëri i Amerikës: Megjithatë, partia juaj ka qenë pjesë e komisionit të reformës zgjedhore prej një kohe të gjatë dhe ka një vit e gjysmë që ky komision nuk ka arritur përparim. A mban përgjegjësi partia juaj për këtë mungesë përparimi? Vetëm kohët e fundit ju keni kërkuar që të ecet me reformën zgjedhore, ndërsa në një vit e gjysmë nuk u bë asgjë.

Lulzim Basha: Përgjegjësia e Partisë Demokratike është nëse ka një rol aktiv apo jo. Kam kënaqësinë të them se përfaqësuesi i Partisë Demokratike, bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, e njëkohësisht sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, zoti Alibeaj, bashkë me ekipin e ekspertëve, ka kontribuar gjatë gjithë këtij një viti e gjysmë në dy blloqe të mëdha. Blloku i parë ka qenë blloku i propozimeve për të luftuar dukuritë e shitblerjes së votës, përdorimit të administratës publike, presionit ndaj votuesve, përdorimit të administratës shtetërore dhe të aseteve shtetërore. Blloku i dytë i propozimeve ka që në nëntor në komisionin e reformës zgjedhore dhe përmban katër propozime: listat e hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore, votimi elektronik dhe numërimi elektronik, si dhe vota e diasporës. Sigurisht që duhet vullneti i palës tjetër.

 

Zëri i Amerikës: Komisionit më 21 mars i mbaron mandati. Çfarë do të ndodhë më tej?

Lulzim Basha: Nuk na takon ne që të themi se çfarë do të ndodhë më tej. Ajo që na takon ne është që ne do ta vazhdojmë betejën për këto parime, për këto vlera, për këto standarte, të cilat janë pjesë e vizionit tonë me koherencë dhe me kohezion me gjithë ato komponentë të opozitës pro-perëndimore dhe euro-atlantike, për të vendosur në Shqipëri në shinat proceset zgjedhore, që kanë kohë që kanë dalë prej shinave. Mund të themi me gojën plot që Partia Demokratike ka pjesë të përgjegjësisë për këtë, qoftë me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, dhe pasojat e këtyre ndryshimeve. Prandaj them me gojën plot që pyetja e vetme që duhet t’i përgjigjet çdo politkan është: A i shërben kjo Shqipërisë? Qartësisht ajo që po ndodh nuk është në interes të qytetarëve shqiptarë, por është në interesat personale të zotit Rama dhe të zotit Berisha.

 

Zëri i Amerikës: Pas shpalljes non-grata të zotit Berisha ju e përjashtuat atë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por ju nuk arritët të mbanit partinë të bashkuar. Si e shpjegoni faktin që sot shumica e Partisë Demokratike mbështet zotin Berisha?

Lulzim Basha: Unë nuk do të futem në një debat numerik, i cili gjithësesi bazohet mbi perceptimet e një pale, apo një tjetre. Dua të them se të luftosh për të vërtetën, të luftosh për të drejtën vjen me sakrifica dhe me kosto të mëdha. Por të mos luftosh për to është krimi më i madh kur je në shërbim publik, në shërbim të qytetarëve, kur je në politikë, sepse praktikisht dëmton interesat e tyre, varros shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë. Kjo është ajo që ka ndodhur në Shqipëri. Politikanët kryesorë në një teatër të sinergjizuar me njëri tjetrin, faktikisht kanë vrarë shpresën në Shqipëri, dhe problemi kryesor i shqiptarëve është që sot ata nuk besojnë tek institucionet demokratike dhe tek proceset zgjedhore. Ndaj misioni ynë kryesor është që të kthejmë besimin tek politika, si një instrument ndryshimi për të mirë, tek politika me fytyrë njerëzore, tek politika që mbron dhe promovon interesat e njerëzve dhe jo të një grushti politikanësh, që kanë 34 vjet, që nga rënia e komunizmit që urdhërojnë shqiptarët dhe vendosin për fatet e tyre.

 

Zëri i Amerikës: Megjithatë, shifrat nuk mund të anashkalohen lehtë. Numri i deputetëve, që iu mbështetin ju është më i vogël se numri i deputetëve, që mbështesin zotin Berisha. Siç u pa edhe me zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri, numri i votave për këtë krah të Partisë Demokratike ishte më i madh se pjesa tjetër…

Lulzim Basha: Prandaj nuk dua të futem në debate numrash, sepse në rastin e Partisë Demokratike, ajo nuk kandidoi në 51 bashki…

 

Zëri i Amerikës: Pyetja është …

Lulzim Basha: … ndërkohë që përsa i takon numrit të deputetëve, ata janë individë, që janë aty, sepse kanë qenë në një listë të mbyllur emërore të renditur nga kryetari i partisë, prandaj mendoj që t’i ikim debatit mbi numrat.

 

Zëri i Amerikës: Zgjedhjet e përgjithshme po afrojnë. Ato janë vitin e ardhshëm. Cila është oferta juaj për mbështetësit?

Lulzim Basha: E para dhe kryesorja është që të heqim dorë nga kjo telenovelë e shëmtuar që luhet në kurriz të shqiptarëve. Ditë për ditë shikojmë një teatër me akuza e kundërakuza, që pastaj natën shuhen apo kthehen në pazare. Kjo është mënyra e vjetër e të bërit politikë dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve u ka kushtuar shumë. Hapja e një dialogu të drejtpërdrejtë me qytetarët për ne do të thotë në radhë të parë, jo thjesht që të tregojmë me gisht se çfarë po ndodh në kurriz të tyre, sepse këtë shqiptarët e provojnë vet, por çfarë ofrojmë ne dhe a është kjo një ofertë e besueshme, dhe a ka një rrugë të besueshme për ta realizuar këtë? Që nga sistemi i taksave, i cili po rëndon gjithmonë e më shumë mbi sipërmarrjen e ndershme, mbi profesionistët, tek gjendja e fermerit shqiptar, e cila është më e rënda se e çdo fermeri në Ballkan, më e keqe se fermeri në Kosovë apo në Maqedoni të Veriut për shkak të mungesës së subvencioneve, investimeve dhe për shkak të mungesës së aksesit në treg. Gjendja e rinisë, ku lidhet gjithçka me situatën në arsim, në universitete, në tregun e punës. Gjendja e pensionistëve shqiptarë, që është më e dobëta nga gjithë pensionistët e Ballkanit perëndimor. Pra, një ofertë realiste, sepse do të bazohet mbi realitetin dhe mundësitë që ka Shqipëria dhe një ekip të besueshëm, që ta realizojë këtë program, pra të mos mbetet në një program elektoral, por të kthehet në një program qeverisës.

 

Zëri i Amerikës: Ju kritikuat udhëheqësit politikë, që janë aty për një kohë të gjatë, por edhe ju vet jeni në politikën shqiptare për shumë vite. Që nga përjashtimi i zotit Berisha nga grupi parlamentar i PD-së, ju keni kërkuar ndjesë për gabimet tuaja, por nuk keni përmendur konkretisht se për çfarë. A mund të ndani me elektoratin tuaj dhe me ne disa nga ato gjëra, që sot do t’i bënit ndryshe?

Lulzim Basha: Në gjithë rastet që kam patur, së fundi edhe në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, e kemi shteruar se çfarë është bërë gabim. Kurrë nuk duhet të kemi hezitim për të kërkuar ndjesë për atë që është bërë gabim, por e rëndësishme për shqiptarët është se çfarë ofrojmë ne sot. Pse ata duhet të drejtojnë sytë nga Partia Demokratike? Dhe unë ju them se ka dy arsye: E para sepse ajo është e vetmja forcë politike, që ka hartuar një program të qenësishëm, jo parrulla elektorale, jo diçka për t’iu përgjigjur shijes apo kërkesave të momentit, por një program, i cili bazohet në një njohje të thellë të realitetit, të problemeve, që Shqipëria ka, si dhe të mundësive për t’u dhënë zgjidhje këtyre problemeve. Ky program është produkt i një ekipi ekspertësh, jo politikanësh, me asistencë nga ekspertë perëndimorë, evropianë dhe të SHBA-ve. Arsyeja e dytë, të cilës po i afrohemi me shpejtësi; nuk jemi ende aty, është ekipi i Partisë Demokratike, i cili do të përbëhet nga njerëz me reputacion, të kenë besim në komunitet, jo njerëz që e shohin politikën si një profesion për veten e tyre, por si një shërbim ndaj njerëzve. Jam i bindur se me përfundimin e porcesit të riorganizimit të Partisë Demokratike, shumë shpejt në një dialog, në një debat, jo në kulisa, do t’u japim shqiptarëve një ekip prej 140 kandidatesh dhe kandidatësh, të cilët do të jenë një pasqyrë e më të mirës, ku shqiptarët të kenë vërtet besim se do të përfaqësohen dhe mbrohen interesat e tyre dhe jo interesa klaneshm, tarafesh apo personash të caktuar.

 

Zëri i Amerikës: Të ndalemi tek një zhvillim tjetër i po këtyre ditëve në Shqipëri. Gjykata e Lartë urdhëroi Prokurorinë e Posaçme, që të regjistrojë një proces penal për ngjarjet e 21 janarit dhe na kallëzim është edhe emri juaj. Në atë kohë ju keni ministër i brendshëm. A i druheni hetimeve për këtë rast?

Lulzim Basha: Aspak. Unë kam kërkuar prej fillimit një hetim të plotë dhe transparent. Sigurisht nuk komentoj asnjë vendim gjykate. Kanë kaluar 13 vite dhe është qartë besoj edhe për familjet e viktimave, që rasti është përdorur për politikë, për përfitime të ngushta politike. Mund të shohim madje edhe njerëz që janë akuzuar natën e 21 janarit, por që pastaj u graduan nga Partia Socialiste si kryetarë degësh apo kryetarë bashkish të Partisë Socialiste. Është një lojë e pistë edhe me gjakun e këtyre katër viktimave të pafajshme.

 

Zëri i Amerikës: Megjithatë, viktimat u vranë nga plumbat e ardhur nga ndërtesa e kryeministrisë, në kohën që ju ishit ministër i brendshëm.

Lulzim Basha: Dhe për këtë kam kërkuar prej ditës së parë një hetim të plotë dhe transparent, sepse unë personalisht nuk kam asgjë për të fshehur, apo për t’iu trembur dhe besoj se në këtë rast, si në çdo rast tjetër, drejtësia duhet të veprojë e papenguar nga politika dhe nga deklaratat politike dhe e pashfrytëzuar nga politika.

 

Zëri i Amerikës: Ju e përjashtoni çdo mundësi që një urdhër apo udhëzim të ketë dalë nga ju atë ditë?

Lulzim Basha: Pa diskutim.

 

Shkon në falimentim kompania që duhej të ndërtonte fabrikë për prodhimin makinave elektrike në Tetovë

eGoKompania gjermane “NEkst e.go”, e cila duhej të ndërtonte fabrikë në Tetovë për prodhimin e makinave elektrike dhe që u paralajmërua si investim i familjes Destani, ka dorëzuar kërkesë për falimentim.

 

Kompania njoftoi se vendimi për të dorëzuar kërkesë për falimentim është sjellë për shkak të ngjarjeve negative dhe sfidave në industrinë e makinave elektrike, si dhe jostabilitetit të kapitalit të tregut.

Në një njoftim, “E.Go” ka shkruar se ka dorëzuar kërkesë për falimentim në gjykatën e qarkut në Ahen të Gjermanisë. Ndërsa të premten, rreth 320 të punësuar në kompani janë informuar për situatën dhe hapat e radhës.

Ndryshe, edhe drejtoria për Zonat e Zhvillimit Industrial Teknologjik (ZZHIT), si përfaqësues i Qeverisë së RMV-së në Marrëveshjen për dhënien e ndihmës shtetërore me kompaninë “e.Go” njoftoi se ka pezulluar zbatimin e Marrëveshjes dhe çdo procedurë e parashikuar për ndarjen e fondeve publike.

“Pezullimi i dhënies së ndihmës shtetërore vjen pas marrjes së informacionit publik në lidhje me kërkesën e paraqitur për falimentimin e kompanisë “mëmë” në Gjermani. Kërkesa është dorëzuar në gjykatat kompetente në këtë vend. Me këtë, Drejtoria për ZZHIT, si përfaqësuese e Qeverisë, aktivizon mekanizmat mbrojtës në kontratën e nënshkruar, të cilat parashikojnë edhe këto rrethana (falimentim, likuidim), si parakusht për ndalimin e dhënies së ndihmës shtetërore”.

“Duke marrë parasysh interesin e qytetarëve, informojmë gjithashtu se pavarësisht kërkesave të parashtruara nga investitori, deri më tani nuk i janë ndarë fonde kompanisë”, njoftuan nga drejtoria e ZZHIT.

Sot “Dita e Verës”/ Çfarë simbolizon festa pagane e ballokumeve dhe kuptimi i verores

BallokumeDita e Verës është një festë pagane me origjinë të lashtë. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë pikërisht në 14 mars.

Ballokumja është gatimi tradicional që e karakterizon këtë festë. Ndërsa në disa zona të Shqipërisë ndizen edhe zjarre.

Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores” një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.

Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet në qytetin e Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve.

Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”).

Rituali i Ditës së Verës

Festa pagane ka ritualin e saj. Ritet janë trashëguar brez pas brezi ndoshta për 24 shekuj me radhë. Dikur dedikimet i kushtohen perëndisë Diane, sot ato praktikohen për një jetë më të mirë, të mbushur me gëzim, dashuri dhe begati. Studiuesi dhe muzikologu i njohur Thanas Meksi e ndan në katër faza Festen e Ditës së Verës.

Faza e parë është faza përgatitore qe nis me grumbullimin e zaireve që janë të nevojshme për Ditën e Verës. Faza e dytë është nata e Verës që nis me 13 mars me zjarrin, faza e tretë mëngjesi i Ditës së Verës që nis me 14 mars dhe së fundi pikniku i Ditës së Verës në mesditën e 14 marsit.

Në vigjilje të natës se Ditës së Verës, çdo shtëpi është e mbushur me një gëzim të veçantë, është një ndjesi që i pushton njerëzit fare pa e kuptuar. Ndoshta nga ndikimi i diellit, gjelbërimit apo shpërthimit të farës dhe sytheve që janë shprehje e begatisë dhe vazhdimësisë. Shtëpia mbushet plot me gjëra të mira dhe me bollëk.

Porta zbukurohet me lule dhe lastarë të gjelbër, te cilët simbolizojnë futjen e mirësisë dhe natyrës. Gjatë kësaj nate të afërmit, por edhe shokë e miq të ardhur nga viset e tjera, këndojnë këngë te vjetra te shoqëruar me kuzhinën me nam te Elbasanit.

Disa nga gjellët, qe nuk i gjen ne vend tjetër, janë tava me pistil, tava e kosit, kabunia, çomleku, gjeli i detit etj. Gjate kësaj nate fillon te ndahet edhe hiseja e nesërme për njerëzit me te afërm. Mëngjesi është i gëzuar dhe festiv. Elbasanasit zgjohen herët me 14 mars dhe me një përkushtim të veçantë hapin derën që të futet e mira dhe të dalë e liga. Top Channel

Dhoma e Përfaqësuesve miraton ligjin kundër pronësisë kineze të TikTok-ut

tiktokDhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan, miratoi sot një projekt-ligj, sipas së cilit aplikacioni i njohur TikTok ose duhet të shkëputet nga kompania kineze ByteDance që e ka në pronësi, ose të shesë versionin amerikan të tij, që të vazhdojë të lejohet të përdoret në Shtetet e Bashkuara.

 

Projekt-ligji dypartiak i jep TikTok-ut gjashtë muaj kohë për t’u shkëputur nga kontrolli i huaj, përfshirë daljen nga pronësia e kompanisë ByteDance.

Sipas ligjvënësve amerikanë, kompania ByteDance kontrollohet nga qeveria kineze, e cila mund të kërkojë në çdo kohë të ketë qasje tek të dhënat e konsumatorëve të TikTok-ut në SHBA në çdo kohë që dëshiron.

Ky shqetësim i ka bazat tek një sërë ligjesh të sigurisë kombëtare kineze, sipas së cilave kompanitë janë të detyruara të ndihmojnë në mbledhjen e informacionit të zbulimit.

Megjithëse Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projekt-ligjin, fati i tij në Senat është i pasigurt.

Përse TikTok-u është vendosur në qendër të vëmendjes?

“Shqetësimi është se TikTok-u mund t’i transferojë të dhënat personale tek kompania mëmë ByteDance, e cila do t’ia kalonte ato qeverisë kineze”, i tha Zërit të Amerikës Caitlin Chin-Rothmann, studiuese në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ajo thotë se shqetësimet e disa prej anëtarëve të Kongresit për mundësinë e kontrollit nga Partia Komuniste Kineze të algoritmit të TikTok-ut për qëllime propagandistike nuk janë provuar ende.

“Kjo nuk do të thotë se nuk ka rrezik që në të ardhmen qeveria kineze të ushtrojë presion”, tha ajo.

Çfarë thotë TikTok-u për këtë legjislacion?

Kompania TikTok e quajti të hënën ligjin një masë ndalimi dhe ka mohuar vazhdimisht akuzat ndaj saj. Në një deklaratë të bërë javën e kaluar në rrjetin X, kompania tha se “legjislacioni ka një rezultat të paracaktuar: ndalimin e plotë të TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara”.

Cilat kanë qenë pikëpamjet e ligjvënësve për këtë legjislacion?

Projektligji pati mbështetje të fortë nga ligjvënësit demokratë dhe republikanë, megjithëse zyrat e Kongresit kanë marrë telefonata të shumta nga amerikanë të shqetësuar për mundësinë e humbjes së këtij aplikacioni të mediave sociale.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson u tha gazetarëve javën e kaluar se “është një masë e rëndësishme me mbështetje dypartiake ndaj Kinës, kundërshtarit tonë më të madh gjeopolitik, që po dëmton në mënyrë aktive ekonominë dhe sigurinë tonë”.

Si do të pritet në Senat?

Projektligji mund të ketë shumë më tepër vështirësi për t’u miratuar në Senatin me shumicë demokrate, ku drejtuesi i shumicës Chuck Schumer ka thënë se do të shqyrtohet nga komisionet përkatëse.

“Do të dëgjoj pikëpamjet e tyre për ligjin dhe do të vendos për mënyrën më të mirë”, tha zoti Schumer në një deklaratë.

Disa senatorë demokratë, ndër ta Mark Warner, kryetar i Komisionit të Senatit për Zbulimin, kanë shprehur dyshime për ligjshmërinë e të veçuarit të një aplikacioni të caktuar të mediave sociale në një projektligj. Ai ka sugjeruar legjislacion më të gjerë për aplikacionet që mbledhin të dhëna personale.

Por senatori Warner i tha të dielën kanalit CBS News, se TikTok-u është një shqetësim serioz për sigurinë kombëtare.

“Nëse nuk mendoni se Partia Komuniste Kineze mundet ta transformojë algoritmin që t’i përshtatet dhënies së lajmeve që reflektojnë pikëpamjet e tyre, atëherë nuk mendoj se e njihni siç duhet natyrën e këtij rreziku”, tha senatori Warner.

Çfarë mendojnë për këtë ligj kandidatët kryesorë për president?

Shtëpia e Bardhë tha se e mirëpret këtë legjislacion të ri, megjithëse zyrtarët e fushatës elektorale të presidentit Biden bashkuan rishtazi forcat me TikTok-un, në kuadrin e përpjekjeve për të përçuar mesazhin tek votuesit e moshave të reja.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve se ligji garanton që “pronësia të mos jetë në duart e atyre që dëshirojnë të na dëmtojnë”.

Ish presidenti Donald Trump, i cili pati bërë thirrje fillimisht për ndalimin e këtij aplikacioni në vitin 2020, ka ndryshuar tashmë qëndrim dhe ka thënë se do të fuqizohej Facebook-u nëse TikTok-u nuk do të ishte më i disponueshëm.

“Ka shumë gjëra të mira dhe shumë të këqija me TikTok-un. Por ajo që nuk më pëlqen është se pa TikTok-un, do të bëhet Facebook-u edhe më i madh”, i tha ai këtë javë kanalit CNBC gjatë një interviste me telefon.

Çfarë ndodh pas miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve?

Krahas shqetësimeve kushtetuese për pengimin e ushtrimit të lirisë së shprehjes së shtetasve amerikanë, ligji do të haste gjithashtu vështirësi në zbatimin e tij dhe do të përballet me sfida në gjykatat amerikane.

“Ligjet kineze për kontrollin e eksporteve mund të ndalojnë shitjen e algoritmit të TikTok-ut”, tha zonja Chin-Rothmann. “Shkëputja e kësaj kompanie do të ishte në përgjithësi shumë e vështirë nga pikëpamja logjistike. TikTok-u është një ndër kompanitë më të mëdha në botë. Kështu që një blerës i mundshëm duhet të jetë gjithashtu një blerës i madh. Duhet të kenë një interes strategjik për ta blerë TikTok-un, dhe blerja duhet të mos ngrejë shqetësime për krijim monopoli në Shtetet e Bashkuara”.

voa

Qeveria e Kosovës: Manastirit të Deçanit t’i kalohen tokat

Qeveria KurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se qeveria e Kosovës i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës, që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që tokat përreth manastirit të Deçanit t’i barten këtij manastiri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  tha se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit është përcaktuar si një nga kushtet kryesore që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

“Megjithëkëtë për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara, më herët ne duhet të bëjmë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran. Andaj, sot i kemi thënë Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Kurti në një mbledhje të qeverisë.

Kryeministri tha, se tashmë ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.

Autoritetet e komunës së Deçanit disa herë janë deklaruar se refuzojnë të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për t’i lejuar Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll. Shkaku është se ata  mendojnë që kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se ajo nuk i ka takuar asnjëherë manastirit. dw

DecanÇfarë ka në 24 hektarët përreth Manastirit të Deçanit?

Që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, Manastiri i Deçanit, I cili gjendet në pjesën perëndimore të vendit, kërkon marrjen në pronësi të një sipërfaqeje prej rreth 24 hektarësh. Kjo tokë, që ndodhet përreth këtij manastiri, në kadastër është e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” – e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.

Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016. Por, këtë vendim, autoritetet lokale të Deçanit nuk e zbatojnë as sot e kësaj dite, duke vlerësuar se kjo sipërfaqe u mor me dhunë në vitet ’90, nga regjimi i udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Përveç tokës bujqësore dhe pyllit, në këta 24 hektarë ndodhen edhe dy objekte hoteliere, me rreth 10 objekte të vogla përcjellëse, si dhe objekti i një ndërmarrjeje që në kohën e paraluftës njihej për prodhim të mjaltit.  t

Rreth 500 metra larg Manastirit të Deçanit, i fshehur mes pishave të larta, ndodhet objekti i hotelit “Iliria”. Ky hotel ishte ndër më të njohurit e kësaj ane në vitet e 70-ta dhe 80-ta.

Përveç që punësonte mesatarisht rreth 40 punëtorë, ai kishte fluks të madh vizitorësh, sidomos gjatë sezonit të verës.

Ky objekt  ndaloi së punuari në vitet ’90-ta, kur regjimi i atëhershëm serb vendosi masa të dhunshme në Kosovë, duke mbyllur shumë institucione dhe ndërmarrje. Gjithçka brenda saj është e dëmtuar.

Veç saj, në qoshe të hotelit “Iliria” ndodhet një kompleks tjetër hotelier.

Ndërtimi i tij nisi para luftës së viteve 1998-99, por punimet nuk përfunduan, krejt kjo pasi situate në Kosovës u përkeqësua. Hoteli kishte salla të mëdha e dhoma të shumta, por gjithçka mbetur si ndërtim i vrazhdë.

Objekti i bletarisë “Apiko” është i boshatisur dhe i rrethuar me tela. Këtu kurrë më nuk punoi askush. Që nga viti 1999 këtë objekt e ruan KFOR-I, dhe hyrja në të është e ndaluar. Këtu dikur kishin punuar rreth 30 punëtor deri në fillimin e viteve të ’90-ta.

Të gjitha këto objekte dhe vetë objekti i Manastirit të Deçanit ndodhen brenda asaj që me ligj kualifikohet si Zonë e Veçantë e Mbrojtur dhe përfshin gjithsej 839 hektarë.

Në zona të tilla nuk lejohen ndërtime e as zhvillim i projekteve infrastrukturore, por kjo s’e pengoi manastirin që të shtojë rrethoja guri dhe objekte të tjera përgjatë viteve. rtk