Lufta hibride: Gjermania përgatitet kundër ndikimit rus

Nancy FaeserMinistrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser paralajmëroi për përpjekjet e reja të Moskës për të ndikuar në opinionin publik. Çfare do te thotë ky paralajmërim?

 

Kërcënimi i Rusisë duke përdorur sulme kibernetike, propagandë dhe taktika të tjera për të ndikuar në opinionin publik në Gjermani është real dhe është në rritje, thotë ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser. “Rreziqet kanë arritur një nivel të ri”, tha Nancy Faeser për gazetën Süddeutsche Zeitung.

Paralajmërimi i saj vjen në kohën kur Gjermania përgatitet për zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor dhe për zgjedhjet në tri lande të Gjermanisë në shtator. Ekziston shqetësimi në rritje se Moska do të përpiqet të fitojë mbështetje për partitë pro-ruse si Alternativa për Gjermaninë (AfD). Gjermania ka qenë prej kohësh një objektiv i operacioneve të ndikimit rus. Që nga fillimi i pushtimit të përgjithshëm të Rusisë në Ukrainë në vitin 2022, shumë prej këtyre operacioneve kanë synuar minimin e mbështetjes për Ukrainën. “Tani bëhet fjalë për të treguar vendosmërinë dhe forcën përballë kësaj dhe ekspozimin se si vepron pala tjetër”, tha Rüdiger von Fritsch, një ish-ambasador gjerman në Moskë dhe ish-zëvendës president i BND, shërbimi i inteligjencës së jashtme gjermane.

 

Çfarë është lufta hibride?

Termi “luftë hibride” përshkruan një strategji komplekse që kombinon mjetet ushtarake me metoda jokonvencionale, duke filluar nga rritja e presionit ekonomik deri te përhapja e propagandës. Nuk është një fenomen i ri. Për shekuj me radhë, vendet kanë përdorur mjete joushtarake për të ndikuar në opinionin publik jashtë vendit.

Por gjatë dy dekadave të fundit, rritja e internetit dhe rrjeteve sociale u ka dhënë atyre një arsenal krejtësisht të ri armësh në internet: në ato që njihen si operacione “hack-and-leak”, hakerët fitojnë akses në informacione të ndjeshme ose konfidenciale dhe më pas e lëshojnë atë në mënyrë strategjike për publikun. Sulmet kibernetike mund të përdoren gjithashtu për të rrëzuar infrastrukturën kritike të një vendi, duke përfshirë makinat dhe softuerin e përdorur në zgjedhje. Në të njëjtën kohë, platformat e mediave sociale përdoren për të përhapur informacione të fabrikuara ose të gabuara. “Bota digjitale është një ëndërr e realizuar për shërbimet e inteligjencës”, tha von Fritsch për DW.

 

Si funksionon kjo luftë?

Lufta hibride shpesh përshkruhet si një formë e “luftës hije” që zhvillohet jashtë syve të publikut dhe nuk shpallet kurrë zyrtarisht. “Koncepti i luftës hibride është se në fillim nuk e vëreni se po ndodh,” tha për DW, Leslie Schübel, një eksperte për Rusinë në Fondacionin Körber me qendër në Hamburg.

Në janar, qeveria gjermane tha se kishte zbuluar një fushatë të koordinuar disinformimi rus në Platformën X, dikur Twitter. Gjatë kësaj fushate janë shpërndarë më shumë se një milion mesazhe përmes profileve të rreme, duke nxitur histori të rreme ose mashtruese, të tilla si ajo, se ndihma për Ukrainën e shkatërruar nga lufta po neglizhonte nevojat e qytetarëve të Gjermanisë.

Duke përhapur mesazhe të tilla në një numër të madh platformash online, Rusia dëshiron të realizojë synimet e saja dhe të nxisë një ndjenjë legjitimiteti rus. Qëllimi, thonë ekspertët, është thellimi i përçarjeve në rrjetet sociale, nxitja e zemërimit dhe mbjellja e mosbesimit në proceset demokratike dhe mediat. “Për Rusinë, përhapja e dyshimit është tashmë një sukses,” thotë Schübel.

 

Efektet e fushatës

Ndërsa shumica e formave të luftës hibride mbeten në hije, disa operacione bëhen publike qëllimisht. Në fillim të marsit, kreu i televizionit shtetëror rus RT publikoi një bisedë konfidenciale midis zyrtarëve të lartë ushtarakë gjermanë. Afera turpëroi ushtrinë gjermane dhe shkaktoi bujë diplomatike. “Por kjo çështje i shërben edhe Putinit,” thotë Maria Sannikova-Franck, e cila drejton programin e Rusisë në qendrën e mendimit të Berlinit, Zentrum Liberale Moderne.

Në një bisedë të përgjuar mes oficerëve gjermanë, zyrtarët mund të dëgjoheshin duke diskutuar skenarë të mundshëm të një lufte në Ukrainë. Pas publikimit të bisedës, media ruse pretendoi se kaseta zbuloi se ushtria gjermane kishte diskutuar plane të rëndësishme dhe specifike për të sulmuar territorin rus.

“Imazhi që ai (Putini) dëshiron të krijojë është se Gjermania dhe Perëndimi kërcënojnë Rusinë dhe se ai e ka zbuluar me sukses këtë kërcënim”, tha Sannikova-Franck për DW. “Ajo largoi me sukses edhe vëmendjen nga vdekja dhe varrimi i liderit opozitar Alexei Navalny,” thotë Sannikova-Franck.

Navalny, i cili ishte një nga kundërshtarët më të hapur të Putinit në Rusi, vdiq në mes të shkurtit në moshën 47-vjeçare në një burg. Ai u varros më 1 mars, në të njëjtën ditë kur u publikua biseda e përgjuar e oficerëve gjermanë.

 

Si të luftoni kundër luftës hibride

Përballimi i luftës hibride kërkon një qasje të shumëanshme, bien dakord ekspertët. Vendet duhet të sigurojnë që infrastruktura e tyre kritike, përfshirë teknologjinë e votimit, të jetë e mbrojtur në mënyrë adekuate kundër sulmeve kibernetike. Ekspertët nënvizojnë rëndësinë e informimit të qytetarëve për taktikat e dezinformimit dhe se si çdo informacion që ata hasin në internet mund të dizajnohet qëllimisht për t’i mashtruar dhe manipuluar ata.

“Është e rëndësishme të zbulohen mekanizmat e kësaj propagande – si funksionon, si ndikon tek ne, si ndikon në opinionin”, thotë Sannikova-Franck.

dw

 

Reagime pas vendimit për t’i hapur rrugën Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës

KE reagimeAutoritetet në Kosovë mirëpritën vendimin e një dite më parë të Komisionit për politikë dhe demokraci të Këshillit të Evropës për t’i hapur rrugën e anëtarësimit të Kosovës në këtë këshill, ndërsa po kritikohet ashpër nga autoritetet në Serbi.

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e cilësoi vendimin një arritje shumë të madhe për vendin.

“Tash qytetarët e Republikës mund ta kenë qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por përtej kësaj është tejet lajm i mirë për Evropën, për kombin shqiptar, për demokracinë që në këtë epokë gjeopolitike e historike, Federata Ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hynë brenda”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë përpjekjet për anëtarësim edhe në institucionet tjera euro-atlantike.

Por kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se hapja e rrugës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është meritë e punës së aleatëve të vendit.

“Është pozicion i qartë i aleatëve me avancu Kosovën, mendoj se përkundër pengesave që qeveria dhe kryeministri Kurti ua ka nxjerrë aleatëve, ata prapë se prapë arritën këtë rezultat, këtë sukses për Kosovën. Është krejtësisht punë e tyre”, tha zoti Haradinaj.

Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar edhe mundësinë e largimit të saj nëse Kosova bëhet anëtare, ndonëse në marrëveshjen e arritur një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër, të dyja palët zotohen se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Ministri i jashtëm në detyrë i Serbisë Ivica Daçiç tha se vendimi i Komisionit Politik të Këshillit të Evropës është shkelje e drejtpërdrejtë të interesave shtetërore dhe cenim i tërësisë tokësore të Serbisë. Ndërsa shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha në një deklaratë se anëtarësimi i Kosovës “do të ishte një gjest armiqësor ndaj Serbisë”.

Dy delegatë të Serbisë dhe një nga Bosnja e një nga Mali i Zi, votuan dje kundër rekomandimit të Komisionit për t’i bërë ftesë Kosovës për anëtarësim, ndërsa 31 votuan në favor të rekomandimit.

Me 18 prill Asambleja parlamentare pritet të votojë për këtë rekomandim ndërsa vendimi përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës pritet në muajin maj, në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës.

Komiteti tha pas votimit se mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës ndërsa nënvizoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës.

Komisioni tërhoqi vërejtjen për rrezikun e dhunës së mundshme në Kosovë ndërsa theksoi se siguria do të varet nga “mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në prill të vitit 2022.

Procesi ishte bllokuar për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pronave të Manastirit të Deçanit. Dy javë më parë qeveria e Kosovës njohu pronën prej rreth 24 hektarësh të manastirit, duke i hapur rrugën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

voa

Mali i Zi, kritika ndaj votimit të deputetes Vukiçeviç kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

KE voaVotimi kundër raportit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nga përfaqësuesja e Malit të Zi në Komisionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit për politikën dhe demokracinë, shkaktoi reagime të ashpra tek opozita në Malin e Zi.

 

“Vota e kryetares së delegacionit malazez Maja Vukiçeviç, e cila është përfaqësuese e partisë pro-ruse dhe pro-serbe, kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës mund të mbrohet me tezën se veprimi i çdo deputeti është i pavarur, por nuk mund të mbrohet nga fakti se një votim i tillë do të dëmtojë para ndërkombëtarëve reputacionin dhe politikën e jashtme të Malit të Zi”, tha deputeti i Partisë Social demokrate në opozitë, Milosh Gjuriçkoviç.

Zoti Gjuriçkoviç tha se një qëndrim i tillë shkakton shqetësim sepse vjen nga deputetja Vukiçeviç, e cila përfaqëson partinë e shumicës parlamentare dhe sipas paralajmërimeve së shpejti do të jetë pjesë e qeverisë.

Deputeti i opozitës Gjuriçkoviç, vuri në dukje se votimi kundër i deputetes Vukiçeviç, si dhe veprimet e kryetarit të parlamentit, Andrija Mandiç, dërgojnë mesazhin se Mali i Zi nuk është partner i besueshëm dhe se politika e jashtme e Malit të Zi nuk është më në përputhje me politikën e jashtme të BE-së.

Edhe Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjikanoviç ka reaguar ndaj votimit kundër të deputetes malazeze në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Përfaqësuesi i kësaj partie Milosh Nikoliç tha në platformën X tha se Ministria e Jashtme duhet të sqarojë qëndrimin e saj.

“A i mbështet qeveria këto pikëpamje dhe a ka Mali i Zi një politikë të jashtme të bashkuar?”, thuhet në postimin e tij.

Kjo sipas zotit Nikoliç dëshmon se partitë pro-serbe dhe pro-ruse janë ideologë të qeverisë së re dhe se ky gjest do të dëmtojë marrëdhëniet në rajon.

voa

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës

KEPas miratimit të raportit për Kosovën nga Komisioni për Politikë dhe Demokraci Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

 

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, miratoi të mërkurën (27.03.) raportin për Kosovën duke e afruar vendin një hap më tej drejt anëtarësimit të plotë në këtë Këshill. Anëtarët me 31 vota pro, katër vota kundër dhe një abstenim, miratuan raportin e raportueses për Kosovën Dora Bakojanis, dhe rekomanduan që Kosova të ftohet që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, sepse vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar i plotë. Hapi i radhës, do të jetë më 18 prill, kur ky raport do të hidhet në votim para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”, thuhet në raport të Komitetit për Politikë dhe Demokraci. Në raport po ashtu thuhet se “duke pasur parasysh numrin e vendeve anëtare të Këshillit, që nuk e njohin Kosovën si shtet, Komiteti bëri thirrje për diplomaci, dialog dhe kompromis”, dhe në këtë mënyrë i bëhet thirrje “Komitetit të Ministrave që të sigurohen që anëtarësimi i Kosovës të bëhet pa paragjykime ndaj qëndrimeve të shteteve individuale sa i përket shtetësisë së Kosovës”.

 

Ditë historike për Kosovën

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Kreshnik Ahmeti, shkroi në profilin e tij se “të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja, janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”.

 

Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedohet në Asamblenë Parlamentare më 18 prill dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, miratimin e raportit të sotëm për Kosovën nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KE-së, e cilësoi si një ditë historike për vendin.

“Ky hap pozitiv tregon se Kosova është gati dhe e aftë për të marrë pjesë në mënyrë të plotë në familjen e Këshillit të Evropës, duke ndarë detyrimet dhe përfitimet që vijnë me anëtarësimin”, shkroi presidentja Osmani.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022. Anëtarësimi i saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe presidenti serb  Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar edhe mundësinë e largimit të Serbisë nga Këshilli i Evropës, nëse Kosova bëhet anëtare. Procesi i anëtarësimit të Kosovës kishte stagnuar për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pronave të Manastirit të Deçanit. Ky vendim tashmë është zbatuar nga Kosova gjë që i hapi rrugën vendit për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës.

dw

BE: Facebook dhe TikTok të etiketojnë falsifikimet me AI

facbookKomisioni Evropian u kërkoi platformave të mëdha sociale si TikTok e Facebook të etiketojnë qartë reklamat politike dhe të pengojnë përmbajtje, të cilat kërcënojnë integritetin e zgjedhjeve evropiane, që të bëhen virale.

 

Në prag të zgjedhjeve evropiane që zhvillohen më 6-9 qershor Bashkimi Evropian u kërkoi Facebook-ut, TikTok-ut dhe platformave të tjera të mediave sociale që angazhohen dhe të ndërhyjnë për të penguar përhapjen e përmbajtjeve të falsifikuara përmes inteligjencës artificiale.

Parlamentarët evropianë miratuan në fillim të këtij muaji Ligjin për Tregjet Digjitale, i cili ndër të tjera merret edhe me çështjen e përmbajtjeve të gjeneruara përmes inteligjencës artificiale në platformat e mëdha të mediave sociale.

Në ligj identifikohen 22 platforma mediash sociale, ndër to Snapchat, Instagram, YouTube dhe platforma X, dikur Twitter, të cilat konsiderohen si platforma “shumë të mëdha”. Dispozitat e ligjit do të hyjnë në fuqi me disa faza. Shkelësit e ligjit mund të gjobiten që këtë vit. Komisioni Evropian publikoi edhe udhëzime për platformat e mëdha të mediave sociale, sepse Brukseli është mjaft i shqetësuar për ndikimin e “manipulimeve” dhe “dezinformacioneve” ruse ndaj zgjedhjeve evropiane.

Me këto udhëzimet ne po përdorim plotësisht të gjitha mjetet që ofron Ligji për Shërbimet Digjitale për të garantuar që platformat të përmbushin detyrimet e tyre dhe të mos keqpërdoren për të manipuluar zgjedhjet tona, duke ruajtur njëkohësisht edhe lirinë e shprehjes, tha komisioneri Thierry Breton.

 

BE: Përmbajtjet e krijuar me IA duhet të etiketohen

Komisioni i BE-së kërkon që platformat më të mëdha të mediave sociale duhet “të zbusin rreziqet specifike që lidhen me inteligjencën artificiale, për shembull duke etiketuar qartë përmbajtjen e krijuar nga IA (siç janë “deepfakes”).

Komisioni i BE-së rekomandoi që platformat e mëdha të mediave sociale të promovojnë informacionet zyrtare për zgjedhjet dhe “të reduktojnë monetizimin dhe mundësinë për t’u bërë virale të përmbajtjeve që kërcënojnë integritetin e proceseve zgjedhore” për të zvogëluar çdo rrezik.

Po ashtu Komisioni i BE-së njoftoi se reklamat politike “duhet të etiketohen qartë si të tilla”. Në vitin 2025 pritet të hyjë në fuqi një ligj më i ashpër lidhur me reklamat politike. Komisioni u bëri thirrje platformave të krijojnë mekanizma “për të zvogëluar ndikimin e incidenteve që mund të kenë një efekt të rëndësishëm në rezultatin ose pjesëmarrjen në zgjedhje evropiane.”

 

DW (Reuters, AFP)

E ardhmja e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor dhe fundi i vulosur i Vuçiç!

SpartakNga Spartak Ngjela

Nuk heqin dorë sllavët nga Bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

 

Se këtë e kanë një sëmundje të vjetër. E gjithë jeta e tyre nacionale ka qenë luftë kundër shqiptarëve, krim dhe genocid antishqiptar, dhe gjithmonë një kompleks inferioriteti në funksion të historisë dhe gjuhës shqipe.

Falsifikatorë historikë kundër historisë së Shqipërisë dhe botës shqiptare në Gadishullin Ilirik. Dhe mjeranë që i janë trembur jo vetëm historisë sonë me lavdi që nga Pirroja dhe prijësit e tjerë epiroto-ilirë, por sidomos gjuhës shqipe. Dhe duhet ta theksojmë gjithmonë që shqiptaria u rezistojë të gjithë tallazeve, derisa në Shekullin e XX dhe tani në Shekullin e XXl shqiptaria i ka trembur thellë pushtuesit greko-sllavë të territoreve shqiptare.

Koha po ecën drejt Arbërisë.

 

Prisni dhe shikoni…

 

I.

E gjithë historia e Serbisë është një ide fikse makabër kundër shqiptarëve, qëkurse sllavët kanë ardhur në Ballkan nga stepat e Azisë.

Nga një zbërthim psikoanalitik, ky është një kompleks shekullor inferioriteti. Dhe ky kompleks po i ha serbët ende së brendshmi, por tani, që nga viti 1997 ata janë në tmerrin që iu futi lufta për çlirimin e Kosovës, çlirimi i Kosovës dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 po iu tregon hap pas hapi, që ata kanë qenë të gënjyer me krijime fals në 1000 vjet rresht.

Dhe kjo është një dekadencë që po iu zvjerdh jetën pasi tani po kuptojnë që historia e tyre  ka qenë një investim në falsitet historik.

Kurse dekadenca e tyre pushtuese u gjeneron së brendshmi duke iu kujtuar vazhdimisht që në Ballkan sot janë dy shtete shqiptare dhe Maqedonia e Veriut që ata, me një torturë të brendshme, kanë filluar ta shohin si një shtet në ikje, sepse pritet që, Maqedonia e Veriut, të ndahet në një territor shqiptar prej 1.200.000 shqiptarësh me tendencën e bashkimit të saj me Kosovën, dhe një territor bullgarësh që mund të bashkohet me Bullgarinë.

 

II.

Por brenda kësaj tabloje gjendet edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili tani është i fundosur nga historia e vërtetë që po tregon se Serbia nuk ka më forcë historike. Dhe ajo, si shtet, po gjendet ende në tragjedinë e luftërave banditeske të Sllobodan Milosheviçit. Por dihet se një ish ministër i Millosheviçit ka qenë edhe Aleksandër Vuçiç.

Vuçiç, është një mediokër, që herë-herë duket si i dehur, dhe flet për forcën që do të ushtrojë për pushtimin e Kosovës.

Kuptohet se nuk ka fuqi të bëjë dot luftë, se në Kosovë është e pranishme NATO me trupat e saj.

Ëndrra në mes të diellit, janë këto hakërime fëminore të Vuçiçit.

Koha na ja treguar se ligësia pushtetarin e çon në momente delirante për të sunduar me pasionin, por shpesh ky pasion të çon edhe në delir. Dhe, po ta shohësh me vëmendje, ligësia Milosheviç nga e cila udhëhiqet në politikë Aleksandër Vuçiç, e ka çuar shpesh Vuçiçin nga deliri Milosheviç, në rënien shpirtërore që i sjell humbja.

Por, kur Vuçiç mbërthehet së brendshmi me peshën e humbjes, ai niset te Putini për të rimarrë sërish dozat e dëlirit. Kurse ngjarjet e fundit kuptohet se po e fusin në peshën therëse të humbjes dhe shpejt do të humbasë çdo shpresë.

Vuçiç kuptohet se është i prekur me sëmundjen e vjetër antishqiptare serbe që nuk iu del dot serbëve prej shekujsh. Dhe duhet të kujtohemi që serbët janë rritur dhe edukuar me një trajtim që u është servirur sikur Serbia të jetë një superfuqi, dhe prandaj qajnë tani që janë duke u prekur nga zhgënjimi i së vërtetës.

Serbët tani, më në fund, po kuptojnë dy gjëra: forcën e dy shteteve shqiptare në Gadishullin Ilirik, dhe vërtetimin absolut historik që shqiptarët kanë ardhur nga zhvillimi historik pellazgo-iliriko-albano- shqiptar.

Por, habia është se si ende nuk po e mbledh veten dhe ende po kërkon pushtim territoresh në Kosovë ky Aleksandër Vuçiç!

Ende nuk e ka mësuar ky lloj presidenti serb se mjeshtri kriminal i tij, Sllobodan Milosheviç, e hëngri kokën në Kosovë?!

Po Moska, a nuk e di këtë dhe, Vuçiç, nuk e di ndërkohë që Moska është në krizë?

Po çfarë e detyron Vuçiçin që të bredhë kuturu nëpër shtigje lufte kundër Kosovës, kur e di se nuk mund të bëjë dot një luftë kundër Amerikës?

Aaa, ja, këtu ka një diçka specifike: i çmenduri beson gjithmonë te realizimi i shpejtë i lakmisë së tij. Por, zhgënjimi shpesh i ka degdisur këta nëpër çmendina, por edhe në vetëvrasje.

Top Channel

Asnjë përparim në dialogun për çështjen e dinarit

Lajcak BislimiDelegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel paraqiten propozimet e tyre për dinarin, por nuk u dakorduan. Palët akuzuan njëra-tjetrën, ndërsa Lajçak tha se propozimet qartësuan shumë gjëra.

Dallime të mëdha në qëndrime kishin përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë në takimin e 25 marsit në Bruksel, ku u diskutua për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë. Ndërmjetësi i dialogut Mirosllav Lajçak, siç shkroi në platformën X, megjithatë shpreson që javën e ardhshme me 04.04, kur palët prapë do të takohen në Bruksel, të gjendet një zgjidhje për dinarin.

 

“Ne u ripajtuam që të takohemi prapë javën e ardhshme me ambicien që të gjejmë një zgjidhje”, shkroi Lajçak.

Të dyja palët në takimin e së hënës në Bruksel paraqiten propozimet  e tyre, diskutuan për to por nuk dhanë detaje. Palët kritikuan njëra-tjetrën, ndonëse Lajçak tha se propozimet qartësuan shumë gjëra.

 

Dallimet janë të mëdha

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se dallimet janë të mëdha, ndërsa propozimin e Kosovës ai e cilësoi si konstruktiv.

“Mendoj që pala jonë ka paraqitur një propozim shumë konstruktiv, i cili mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final. Por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e Bankës Qendrore (BQK) dhe korniza legjislative e vendit tonë, për arsye se fokusi ynë ka qenë qytetari për të cilin jemi të bindur se ka nevojë dhe duhet të ketë mundësi të pranojë edhe më tej mbështetjen financiare të cilin shteti i Serbisë e ka paguar deri më tani”, tha Bislimi. Sipas tij, “një zgjidhje për rregulloren e BQK-së, që parasheh euron si valutën e vetme për pagesa, është e mundur dhe lehtë e arritshme. Por kërkohet vullnet politik i të dyja palëve.

 

“Propozimi i palës nga Prishtina nuk ofron zgjidhje”

Të kundërtën pohon kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, sipas së cilit, propozimi i Prishtinës “nuk çon drejt një zgjidhje kompromisi”.

“Propozimi ynë është i balancuar, merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë dhe është bërë në marrëveshje me ekspertët tanë. Në anën tjetër, ishte  propozimi i Prishtinës, për të cilin nuk do të doja të flisja tani, por mjafton të them se ana tjetër nuk bënë as përpjekjen më të vogël që ajo letër të mund të quhet propozim, që shkon në drejtimin e një zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq. Sipas tij, ai nuk e di në cilin drejtim do të shkojë dialogu. Ai akuzoi Prishtinën zyrtare, se “nuk ka vullnet politik për të arritur një zgjidhje”.

“Pala serbe do të përpiqet që të vazhdojë funksionimin e bankës së Serbisë në Kosovë, përmes (Kursimores së Postës), në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër. Ky është thelbi i propozimit tonë”, tha Petkoviq.

 

Rregullorja në fuqi nga shkurti

Nga data një shkurt në Kosovë përmes një rregulloreje të BQK, u ndalua përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme. Nisja e zbatimit të kësaj rregullore nxiti reagimin e Beogradit dhe të komunitetit ndërkombëtar. Shtet e Quint-tit, i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur serb që të përshtaten me praktikën e re. Por qeveria e Kosovës vazhdon të refuzojë suspendimin e rregullores. Megjithatë ajo pajtohet që të gjenden mënyrat më të mira që qytetarët serb që jetojnë në Kosovë të marrin ndihma financiare nga Serbia, por vetëm në euro, e cila është valuta e vetme zyrtare në Kosovë.

dw

Kosova dhe Serbia – pa përparim në bisedimet për dinarin serb

dinari serb bisedimeI dërguari evropian Miroslav Lajçak tha se javën e ardhshme në Bruksel pritet vazhdimi i bisedimeve Kosovë – Serbi për çështjen e përdorimit të dinarit serb. Zoti Lajcak takoi të hënën kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar propozimet për gjetjen e një zgjidhjeje për personat e prekur nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme.

 

“Diskutimet tona të gjata ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme”, shkroi zoti Lajçak.

Takimi i sotëm ishte vazhdim i takimit të së martës së kaluar kur palët u zotuan të dalin më propozime të reja për zgjidhjen e situatës së krijuar pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.

Rregullorja që ka hyrë në fuqi me një shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi.

Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, tha se dallimi ndërmjet propozimeve të palëve është shumë i thellë, prandaj pati një pajtim për një takim të radhës për të parë nëse ka mundësi afrimi drejt një zgjidhjeje.

“Mendoj që pala jonë ka nxjerrë një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkoj te përdoruesi final pra pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e Bankës Qendrore dhe korniza legjislative e vendit tonë”, tha ai.

Zoti Bislimi tha se janë duke kërkuar një zgjidhje siç tha praktike që nuk ka simbolikë, në mënyrë që të mos dëmtohen qytetarët, ndërsa shprehu bindjen se një zgjidhje është e mundshme. “Mendoj që është shumë lehtë, vetëm duhet vullnet politik i të dyja palëve”, tha zoti Bislmi

Kryenegociatori serb Petar Petkoviç, tha se propozimi i Serbisë është i baraspeshuar dhe merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë ndërsa sipas tij Prishtina nuk bëri asnjë hap drejt kompromisit.

“Kjo është ajo që më shqetëson më shumë. Nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë dialogu. Më shqetëson pozita dhe e ardhmja e popullit serb në Kosovë, kur e shihni se nuk ka vullnet politik nga ana tjetër për të arritur një zgjidhje”, tha zoti Petkoviç duke nënvizuar se Serbia do të vazhdojë të negociojë me gjithë fuqinë e saj për të arritur një zgjidhje.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ruajtur paqen dhe popullin tonë në Kosovë, të cilit po i shkelen të drejtat e njeriut dhe pengohen të marrin pagat, pensionet dhe përfitimet sociale për shkak të Prishtinës dhe (Albin) Kurtit”, tha ai.

Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Kjo çështje është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

Qeveria e Kosovës ka përsëritur se rregullorja e Bankës Qendrore është e panegociushme ndërsa ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar qytetarët serbë që përballen me probleme për të marrë pagesat nga Serbia.

Kryetari i parlamenti të Kosovës Glauk Konjufca tha sot se qëndrimi i qeverisë është i qartë.

“Sa i përket kësaj se çfarë pasoja ka shkaktuar ajo, ato mund të adresohen secila në mënyrë të veçantë, sa i përket jetës praktike se si funksionon komuniteti serb atje, pagat, benefitet, pensionet, ato mund të gjendet ndonjë zgjidhje si të paguhen e kryhen këto, mirëpo a do të kthehet sërish dinari si çështje e valutës të transaksionit të Republikës së Kosovës unë nuk besoj që ka kthim mbrapa më”, tha zoti Konjufca.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien tha javën e kaluar se shpreson që qeveria e Kosovës do të marrë veprime në ditët në vijim që janë në përputhje me kërkesat e këtij komuniteti, përfshirë rregulloren e Bankës Qendrore për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa të gatshme në Kosovë ndërsa theksoi se miqtë e Kosovës duan që kjo rregullore të rishqyrtohet.

voa

Sulmi në Moskë: Kush qëndron pas ISIS-K?

sulmi ne MoskeÇfarë dihet për grupin terrorist që dyshohet se qëndron pas sulmit në sallën e koncerteve në Moskë? Ka akuza të ndryshme se kush qëndron pas sulmit…

 

Menjëherë pas sulmit në sallën e koncerteve Crocus City Hall në Moskë të Rusisë natën e 22 marsit, përgjegjësia për krimin u mor nga një degë e të ashtuquajturit Shteti Islamik, i cili e quan veten “Shteti Islamik Provinca e Khorasanit” (ISIS-K). Deklarata u publikua nga agjencia e lajmeve Amaq e lidhur me ISIS dhe u shpërnda në platformën e mesazheve Telegram.

 

Kush qëndron pas ISIS-K?

ISIS-K ka një reputacion si një nga degët më të dhunshme të IS. Grupi terrorist xhihadist transnacional ka vrarë mijëra njerëz në sulme në Afganistan dhe Pakistan që nga viti 2015.

Emri i grupit rrjedh nga Khorasan, një emër i lashtë për një zonë që përfshin pjesë të Iranit, Turkmenistanit dhe Afganistanit, megjithëse aktivitetet e tyre shtrihen përtej këtij rajoni.

ISIS-K u themelua në vitin 2014 nga një grup të larguarish talebanë dhe anëtarë të Al-Kaedës në Pakistan dhe Afganistan. Grupi mbron një interpretim të dhunshëm të xhihadizmit.

Në vitin 2015, grupi e përshkroi zyrtarisht veten si një degë e ISIS në rajonin e Khorasanit. Ashtu si ISIS, ISIS-K synon të krijojë një kalifat transnacional, një shtet për myslimanët që qeveriset nga interpretimi i tyre radikal i Islamit.

 

A ka kontakte me grupe të tjera xhihadiste?

Analistët i përshkruajnë si të ndërlidhura raportet midis anëtarëve të ISIS-K dhe grupeve të tjera terroriste, ku ka mospajtime dhe fraksione të ndryshme si Al-Kaeda dhe talibanët që shpesh dezertojnë nga këto grupe dhe kalojnë në ISIS-K.

Përpara se talebanët të rimerrnin pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, si SHBA ashtu edhe ish-qeveritare afgane luftuanm kundër ISIS-K në Afganistan dhe vranë shumë nga udhëheqësit e mesëm dhe të lartë të kësaj organizate.

Megjithatë, vakuumi i sigurisë i krijuar nga tërheqja e SHBA-së i dha këtij grupi një hapësirë të re. Kjo i mundësoi asaj të krijonte kampe të mëtejshme trajnimi dhe të zgjeronte rrjetet ndërkombëtare.

 

Raportet me talebanët

Talebanët thonë se po përpiqen të frenojnë aktivitetet e ISIS-K dhe pretendojnë se forcat e tyre të sigurisë kanë arrestuar mijëra anëtarë të grupit që kur talebanët u kthyen në pushtet.

Megjithatë, aftësia e talebanëve për të frenuar grupin është parë në raportet e mediave si joadekuate dhe joefektive pasi sulmet nga grupi ndaj pakicave etnike dhe fetare në Afganistan janë bërë më të shpeshta.

Kombet e Bashkuara kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin se grupe të tilla si Al-Kaeda dhe ISIS-K, përmes lidhjeve të tyre me anëtarët e talebanëve, mund të përfitojnë dhe të posedojnë armët më të avancuara të NATO-s, që kanë lënë pas vete trupat ndërkombëtare kur janë tërhequr nga Afganistani. Sipas OKB-së, vendi është kthyer në një strehë për ta për shkak të mungesës së mbikëqyrjes së sigurisë.

 

Aktivitetet e fundit të ISIS-K

ISIS-K mori përgjegjësinë për vrasjen e 95 njerëzve në qytetin iranian Kerman më 3 janar 2024. Agjencia raporton se, si në sulmin e fundit në Moskë, shërbimet sekrete amerikane paralajmëruan qeverinë në Teheran disa javë përpara për përgatitjen e një sulmi.

Që nga ringjallja e tij e fundit, grupi e ka përqendruar gjithnjë e më shumë vëmendjen e tij në Rusi. Në mars, zyrtarët e inteligjencës amerikane treguan se grupi ishte aktiv në Rusi dhe se po planifikonte sulme në Moskë.

Shërbimi rus i sigurisë FSB njoftoi se parandaloi sulmin e armatosur të grupit më 7 mars në një sinagogë në rajonin Kaluga pranë Moskës.

Sipas ekspertëve, një nga motivet e sulmeve terroriste ndaj Rusisë mund të jetë ndërhyrja ruse në luftën civile siriane. Moska, sipas ekspertëve, mbështet presidentin sirian Bashar al-Assad dhe ka kryer sulme ajrore në pozicionet e ISIS. Shumë udhëheqës të ISIS-it që atëherë e kanë akuzuar Putinin se ka gjakun e muslimanëve në duart e tij.

Propaganda e ISIS-K bazohet gjithashtu në historinë e pushtimit sovjetik të Afganistanit. Qeveria e Bashkimit Sovjetik e pati pushtuar vendin nga viti 1979 deri në vitin 1989.

Grupi po përpiqet të kryejë sulme terroriste edhe në Evropë. Policia gjermane ka arrestuar disa mbështetës të ISIS-K në vitet e fundit. Kohët e fundit, në mars, dy mbështetës të dyshuar të Shtetit Islamik u arrestuan në landin NRW. Ata u akuzuan për planifikimin e një sulmi në parlamentin suedez.

Pas sulmit në Moskë, ministrja gjermane e Brendshme Nancy Faeser deklaroi se ky grup aktualisht përfaqëson kërcënimin më të madh islamik në Gjermani dhe se rreziku i sulmeve terroriste në Gjermani mbetet i madh.

Pas sulmit në Moskë, Franca deklaroi ka shpallur gjendjen më të lartë të gatishmërisë kundër sulmeve terroriste. Gjendja më e lartë e gatishmërisë shpallet në Francë kur supozohet se ekziston një kërcënim i real për një sulm të menjëhershëm terrorist.

Udhëheqësit e ISIS-K kanë kërcënuar se do të ketë sulme hakmarrëse kundër Suedisë, Holandës dhe Danimarkës për shkak të djegies së Kuranit në këto vende.

dw