Masakra e Tivarit, rrëfimet e historianëve: Titoja i kërkonte vazhdimisht Enver Hoxhës të dërgonte formacione të ushtrisë shqiptare në Kosovë dhe…

Masakra e Tivarit1941-Pushtimi i Mbretërisë serbo- kroato sllovene

Në prill të vitit 1941, Mbretëria e Jugosllavisë u pushtua nga Gjermania naziste dhe fuqitë e tjera të Boshtit. Takimi në Vjenë, më 21 prill të këtij viti i ministrave të jashtëm italian dhe atij gjerman, çoi në vendimin që shumica e pjesëve të banuara me shqiptarë të Kosovës duhet të viheshin nën kontrollin italian dhe të gjitha ato territore të bashkoheshin me Shqipërinë. Pas kësaj, Komandanti i divizionit gjerman, gjenerali Eberhardt, u takua në Mitrovicë me liderët shqiptarë, mes të cilëve edhe Xhafer Devën duke zyrtarizuar kështu pushtetin në duart e shqiptarëve.

Edhe pse shumica e udhëheqësve shqiptarë të Kosovës ishin kundër pushtimit të forcave të Boshtit, populli i Kosovës ishte i kënaqur. Për shumicën e shqiptarëve atje, pushtimi italian dhe gjerman ishte, në fund të fundit, shumë më i mirë se sundimi serb. Italianët, lejuan dhe promovuan arsimin në gjuhën shqipe, i cili ishte ndaluar rreptësisht nën administratën e vjetër jugosllave. Ata hapën rreth 170 shkolla fillore në gjuhën shqipe në Kosovë dhe Maqedoni.

 

Shtator 1943 -Kapitullimi i Italisë Fashiste dhe pushtimi nga Gjermania

Për forcat e djathta shqiptare, gjermanët kishin mbërritur në territoret shqiptare vetëm përkohësisht. Ata mendonin se nuk kishin pse t’i bënin rezistencë një fuqie botërore si Gjermania dhe në të njëjtën kohë të mbroheshin edhe kundër serbëve. Qëllimi i tyre ishte të mbronin dhe të administronin Shqipërinë e madhe. Kjo ishte një ngjarje e madhe historike për Kosovën dhe që atyre u kish ndodhur për herë të parë në histori.

 

Pranverë – vjeshtë 1944

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore raportet do të ndryshonin. Gjermanët dhe aleatët e Boshtit fashist po e humbnin luftën. Me disfatë ushtarakisht por dhe politikisht ata po tërhiqeshin nga tokat e pushtuara të mundur. Kjo do të sillte një reaksion të brendshëm brenda territoreve ku ata qeverisnin me regjencën dhe nacionalistët shqiptarë në të ashtuquajturën Shqipërinë e madhe. Çfarë pritej të ndodhte me projektin e tyre tani që gjermanët humbën? Çfarë planesh kishin forcat komuniste serbe me në krye Titon? Cila do të ishte lëvizja e radhës për të dyja palët?

Për të kapërcyer rezistencën e pritur të nacionalistëve në Kosovë, në mars 1944 dhe më pas në 26 gusht të këtij viti, Tito i bëri thirrje Ushtrisë Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët shqiptarë që të hynin në Kosovë për të luftuar armikun dhe reaksionin shqiptar në trojet e Kosovës.

 

Uran Butka, studiues: Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë nacional-çlirimtare të Jugosllavisë, i kërkonte vazhdimisht Enver Hoxhës që të dërgonte formacione të ushtrisë shqiptare në Kosovë dhe Jugosllavi, për të luftuar kundër armikut, gjermanëve dhe reaksionit kosovar.

 

Qerim Lita, historian: Kjo çështje për jugosllavët nuk ishte shumë e lehtë për arsye se në këtë periudhë shqiptarët e Kosovës dhe të trevave lindore, ishin fuqishëm që qëndronin pas organizatave kombëtare shqiptare, siç ishte Balli Kombëtar, Lidhja e Prizrenit, pastaj Besa Kombëtare, Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare. Dhe këto organizata faktikisht e mbanin në duar tërë situatën politike ushtarake në ato vise që në vitin 1941 iu bashkangjitën Shqipërisë.

Dhe në vjeshtën e ’44 ushtria nacionalçlirimtare ju bashkua kushtrimit të Titos. Kjo ishte gracka më e madhe që Tito u ngriti shqiptarëve të Kosovës. E bashkë me të, edhe historisë së Shqipërisë. Nga fundi i nëntorit, e gjithë Kosova ra në duart e formacioneve të përbashkëta ushtarake; shqiptare dhe jugosllave gjithashtu. Me shumë gjasë siç edhe ndodhi, asaj, po i kthehej sundimi serb. Një plojë e madhe po përgatitej në sfond. Do të quhej Masakra e Tivarit.

 

Uran Butka : Masakra e Tivarit, mars-prill 1945, u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav për ripushtimin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi. Platforma politike e kësaj masakre u bë projekti famëkeq shovinist i ultra-nacionalistit serb Çubriloviç, botuar në 1937 dhe pastaj u ribotua në nëntor të vitit 1944 në prag të kësaj masakre dhe si një nxitje për këtë masakër.

Populli shqiptar, i gjendur pa dëshirën e tij nën darën e autoriteteve shtetërore të quajtur Jugosllavi shpresonte se gjendja do të ndryshonte rrënjësisht në krahasim me kohën para luftës. Por në vend që të gëzonte lirinë e fituar, regjimi serb kishte planifikuar masakra masive kudo. Cili do të ishte projekti i radhës? Çfarë shënohej në platformën e historianit dhe politikanit jugosllav me origjinë boshnjake Vaso Çubrillovic që mbante titullin “Dëbimi i shqiptarëve”?

 

Uran Butka: Dhe tekstualisht këtu thuhet: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve, t’i zhdukim dhe t’i shpërngulim që në kohën e luftës nga trojet e tyre”. Gjithashtu, thekson ai, “në vend të tyre, të shqiptarëve të shpërngulur, të vendosen kolonët serbë, malazezë dhe maqedonas”. Ky ishte dhe thelbi i platformës së Çubrilloviçit, që u bë dhe platforma e Partisë Komuniste Jugosllave dhe ushtrisë jugosllave që realizoi këtë masakër.

Cubrillovic ishte këshilltar i regjimit monarkist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në Beograd. Memorandumi i tij “Dëbimi i shqiptarëve” që iu paraqit qeverisë mbretërore të Stojadonoviç-it më 7 mars 1937, ka shërbyer si platforma kryesore për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë deri kur ajo fitoi pavarësinë. Masakra e Tivarit ishte vetëm njëra dëshmi.

 

Si nisi ngjarja? Dimër 1944- 1945

Në dhjetor të vitit 1944, pas marrjes së pushtetit nga komunistët, u ndërmorën hapa për të mobilizuar me forcë shqiptarët e Kosovës në Ushtrinë Jugosllave. 30,000 deri në 50,000 burra shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia u rekrutuan për t’u dërguar në front gjoja për nevojat e forcave të armatosura jugosllave në Serbi, Vojvodinë, Bosnjë, Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni. Por qëllimi ishte krejt ndryshe.

 

Qerim Lita (historian): Duhet theksuar se në këto rrethana, Tito me bashkëpunëtorët e tij, bënin një lojë politike që ripushtimin e Kosovës ta bëjë me ndihmën e brigadave të atëhershme shqiptare, me në krye partinë komuniste shqiptare, domethënë Frontin Nacional – Çlirimtar të Shqipërisë.

Kjo u bë jo vetëm për të forcuar radhët për Ushtrinë Jugosllave por dhe për të evituar çdo rezistencë të mundshme antikomuniste në Kosovë duke larguar sa më shumë të rinj nga vendi.

 

Mars – Prill 1945

Dhe kolonat u nisën. Grupi i parë prej 3,700 vetash u nis më 24 Mars 1945. Grupi i dytë me 4,700 vetë u nis me 26 mars dhe marshoi për katër ditë në vijën Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar. Ushtarët gjatë rrugës u rrahën e në disa raste edhe u vranë për shkaqe te pabesueshme si në rastet kur dilnin nga kolona për të shuar etjen.

 

Qerim Lita (historian): Pas mbarimit të luftës së Drenicës, kur forcat jugosllave në fund të shkurtit arritën ta pushtojnë Drenicën, vendosën që gjatë muajit mars, të bëjnë mobilizimin e dhunshëm të popullsisë civile në Kosovë dhe në trevat lindore shqiptare. Dhe si rrjedhojë e kësaj, në pjesën e dytë të marsit, në Prizren u mobilizuan mbi 13.500, rekrutë shqiptarë.

Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosën me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga. Atyre u tha se kur të mbërrinin në front do të pajiseshin me armë moderne angleze. Që këtej u nisën për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe, ku në Tivar do të stërviteshin para se të shkonin në front. Ata ishin të zbathur, të zhveshur dhe të paarmatosur.

 

Qerim Lita (studiues): …Këta eshalona u nisën nga Prizreni për në Kukës, Shkodër dhe në kufirin që ishin me jugosllavët ranë në duart e njësive të atëhershme malazeze, me qëllim që do të dërgohen në frontin e Adriatikut apo Triestes kundër gjermanëve, në kohën kur në atë kohë gjermanë nuk kishte asnjë.

Shumë prej tyre, të gatshëm për të shkuar në tokën mëmë, ku e shihnin si toka e shpëtimit, u dorëzuan me dëshirë. Në Prizren tani ishin mbledhur plot 7.700 burra. Të detyruar të flinin në dyshemetë e ftohta të kazermës, mes tyre shpërtheu tuberkulozi. Kjo ishte dhe pika e fillimit të sagës, e cila u bë e njohur si ngjarja e rëndë e Tivarit.

 

Qerim Lita (historian): Këto janë disa dokumente, disa burime që kanë filluar që nga prilli i vitit 1944 kur Peka Dabcivic i shkroi një letër shtabit të përgjithshëm të ushtrisë Nacional – Çlirimtare të Shqipërisë dhe kërkoi që fronti Nacional – Çlirimtar me njësitë e veta, t’u bashkangjitet njësive ushtarake të LNÇJ dhe bashkarisht ta përmbysin reaksionin shqiptaromadh në Kosovë që i prin Lidhja e Prizrenit dhe Lëvizja Nacional-Demokratike Shqiptare.

Po pse ju desh ushtrisë partizane jugosllave ndihma dhe mbështetja e shqiptarëve të Kosovës? Dhe përse pikërisht forcat e djathta u kërkuan të merrnin pjesë me insistim në këtë kushtrim të Titos?

 

Uran Butka (studiues): Pra, i thirri për të shtypur atë që ai e quante reaksioni shqiptar, pra qëndresa shqiptare. Dhe pikërisht Enver Hoxha si një vasal i bindur ose puthador i Jugosllavisë në atë kohë, ju bind urdhrit e kërkesës së Titos dhe gjeneralëve të tjerë dhe dërgoi fillimisht në fillim të nëntorit të ’44-ës, brigadën e tretë dhe të pestë, me porosinë që i jepte që të mos tregohet ky inkursion dhe në mënyrë të veçantë anglezëve të mos ju thuhet objektivi i brigadës së pestë dhe të tretë që do të shkojnë në Kosovë. Pra, ai e ruante jo vetëm nga shqiptarët dhe politika, por dhe nga politika evropiane… Urdhrat që jepnin ata, i zbatonin me përpikmëri… ushtria shqiptare, kuptohet për qëllimet e veta.

Një dokument i gjetur nga studiuesi Butka citon:

Komandës së Përgjithshme të Armatës Jugosllave në Beograd

Brigadat e divizioneve tona vazhdojnë të jenë të vendosura në vendet e mëparshme të Kosovës. Brigadat janë bërë për ndjekje dhe rrethime të popullsisë gjithnjë me sukses. Stop. Elementët e arratisur, sidomos ata që kanë më pak faj, do të dorëzohen, repartet tona janë bërë, etj… Të gjitha këto veprime bëhen duke iu përgjigjur urdhrave të shtabit tuaj.

Për shtabin operativ të divizionit të gjashtë

Komisari politik

Enver Hoxha

Komandanti nënkolonel

Gjin Marku

Po përse kolonat me rekrutët shqiptarë, në mars dhe në prill të vitit 1945 kaluan përmes Shqipërisë për të shkuar në Tivar dhe Trieste, kur mund të kishin kaluar shumë lehtë në Jugosllavi apo edhe përmes Kroacisë? A kishte një prapavijë tjetër ky projekt? Cili ishte qëllimi?

 

Uran Butka (studiues): …Vetë fakti që e plotëson këtë gjë, ishte se në këto tre kolona që ishin 30 mijë e ca rekrutë, nuk kishte asnjë jo shqiptar, pra as serbë, as maqedonas. Pra ishte qëllimisht e gatuar kështu që të vriteshin vetëm shqiptarë. Qeveria shqiptare dhe në mënyrë të veçantë Ministria e Brendshme, e lejuan që kolonat me rekrutë të kalonin nëpër Shqipëri, nga një shtet në një shtet tjetër. Nuk u kontrolluan, përkundrazi u ndihmuan nga ushtria shqiptare, në mënyrë të veçantë nga repartet e mbrojtjes së popullit (sigurimit të shtetit). Këto merreshin me prapavijën, arrestonin reaksionarë, arrestonin të arratisur dhe ndihmonin ushtrinë jugosllave në këtë udhëtim mortor.

Ushtria shqiptare e gjeti veten në dispozicion jo vetëm të synimeve të ushtrisë jugosllave, por dhe kushteve në të cilat u realizua masakra e Tivarit. Të gjithë ushtarët shqiptarë që ishin rekrutuar në brigadat partizane të ushtrisë jugosllave dezertuan. Ata u larguan për t’iu bashkuar formacionit të ushtrisë partizane shqiptare sepse ishin në kërkim të shpëtimit të vetes dhe Kosovës.

 

Uran Butka (studiues): Fatin e kësaj beteje e përshkruan në mënyrë të hollësishme rekruti i mbijetuar Azem Hajdini në promemorien që ai i drejton qeverisë. I pari që e ka denoncuar është Azem Hajdini. Dhe po e citoj: “Në rrugëtimin nëpër Shqipëri humbën jetën 800 shqiptarë të kolonës së parë. Kur hymë në territorin e Shqipërisë u gëzuam pa masë, duke menduar se tash e tutje do të jemi në përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë. Se nuk do të përjetonim mizoritë që kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët. Shumë shpejt u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat dhe vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës. Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish.”

Por autoritetet ushtarake të Titos që të bëheshin të besueshëm shpikën një tjetër mashtrim; kësaj here atyre u thanë se do të dërgoheshin në Shqipëri sepse i kishte thirrur Enver Hoxha. Shumë vullnetarë nga Kosova, ju bashkuan ushtrisë shqiptare me besimin se po viheshin në krah të vëllezërve të tyre. Por a ishte kjo e vërteta?

 

Uran Butka (studiues): Për fat të keq, ushtria shqiptare i dorëzonte tek divizioni 27 dhe këta natyrisht i ndëshkonin, i vrisnin e me radhë… Këtu kemi një dokument të Enver Hoxhës që thotë ‘të gjithë ata të dezertuar dhe vullnetarë që bashkohen me ushtrinë shqiptare, t’i dorëzohen divizionit 27’. Pra ishte një bashkëpunim i plotë midis ushtrisë jugosllave dhe ushtrisë shqiptare.

Rrugëtimi i kolonave me rekrutët shqiptarë ishte i pamëshirshëm dhe shumë i rëndë. Në dokumentet e kohës përshkruhet qartazi bashkëpunimi mes dy autoriteteve ushtarake të kohës, ushtrisë nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe asaj që drejtohej nga Josip Broz Tito.

 

Uran Butka (studiues): Por po ilustroj vetëm me raportin e shtabit të armatës së katërt të Jugosllavisë, më 8 prill ’45. Po e citoj: “Eshaloni i parë shkoi mirë deri në Kukës, në afërsi të Kukësit ndodhi një incident kur u hodh një bombë mbi rojen tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe në këtë rrëmujë arriti të arratisej një grup prej 10 shqiptarësh. Kështu, duke ikur hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare e cila i ndaloi dhe i bëri thirrje të dorëzoheshin. Ndaj kësaj thirrje ata nuk u përgjigjën por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë dy persona, dy të tjerë i plagosën, në të cilën edhe ata vdiqën.” Pra bashkëpunim ushtarak midis dy ushtrive, siç shihet qartësisht edhe nga ky dokument i arkivave jugosllave; asgjesimi i rekrutëve shqiptarë nëpër Shqipëri u bë në bashkëpunim me forcat edhe të ushtrisë jugosllave edhe të Shqipërisë. Dhe ç’është e keqja brenda territorit të Shqipërisë.

Rrugëtimi vazhdoi drejt veriut. Edhe pse të gjithë të tubuarve nga anë të ndryshme të Kosovës dhe Maqedonisë u ishte premtuar se do të deportoheshin me statusin e luftëtarit për të ndjekur armikun në vijën e frontit në veriperëndim të Adriaktikut, nga momenti i parë në Prizren u kuptua se çdo gjë do të ishte tërësisht ndryshe.

 

Uran Butka (studiues): Duke vazhduar ngjarjet në Kukës: “54 rekrutë të rraskapitur nga ecja dhe nga infektimi i sëmundjeve të ndryshme, u pushkatuan nga ushtarët serbë sepse nuk mund të vazhdonin më udhëtimin. Në Fushë -Arrëz ku fjetëm për t’u shplodhur, i pushkatuan në gjumë 126 rekrutë shqiptarë dhe i hodhën në një hendek dhe i mbuluan me gjethe. Në Pukë, ata pushkatuan para kolonës tre të rinj kosovarë që ishin veshur me rroba kombëtare dhe në prani të forcave shqiptare. Në urën e Gomsiqës, të shkatërruar, e humbën jetën 50 rekrutë sepse ishte prishur rruga dhe u këput teleferiku dhe të gjithë ranë dhe u mbytën. Në Vaun e Dejës, në Drin dhe në lumin Buna por dhe në kazermat e ushtrisë në Shkodër, humbën jetën 124 rekrutë shqiptarë”.

Gjatë rrugës rekrutëve shqiptarë u ndalohej dalja nga kolona për të pirë ujë apo për të kryer nevoja fiziologjike. Kush kishte guxim të vepronte ndryshe e pësonte me jetën. Prej një sjelljeje të tillë tani u kuptua qartë se ata nuk ishin më luftëtarë por robër lufte. Pas kalimit të Shkodrës, u vranë me dhjetëra shqiptarë të tjerë. Në një dokument të papublikuar të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Butka rrëfen se këto të dhëna janë marrë nga arkivat jugosllave. Dëgjojmë se c’thuhet në to:

 

Uran Butka (studiues): “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq nga organet e UNÇSH. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë dhe Koçi Xoxe”.  Në fakt ai ishte koka e turkut, se ishin të tjerë, në fillim të ’45, kur në cilësinë e Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UNÇSH që të pushkatoni ilegalisht dhe pa gjyq në tokën shqiptare më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm. Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, është një font i caktuar. Pra edhe ata e pranojnë që në Shqipëri u vranë më shumë se 1000 shqiptarë të Kosovës. Këtë e ka deklaruar edhe prokurori i përgjithshëm i asaj kohe, Bedri Spahiu, në një prokurë që është bërë për dënimin e koloboracionistëve, duke ia ngarkuar natyrisht Koçi Xoxes.

 

NË TIVAR, Prill 1945

Me të arritur në Tivar u pa një mobilizim i madh i popullatës vendase ku me ta së bashku ishin edhe njësitë ushtarake të Brigadës së Dhjetë Malazeze, të armatosur në çdo aspekt.

 

Uran Butka (studiues): … Por më në fund arritën me mjaft dëmtime deri në Tivar, ku i priti brigada e dhjetë malazeze e komanduar nga Gorzha Markoviç, i cili vuri ushtrinë malazeze dhe aty u vranë 420 prej tyre. …

Azem Hajdini, njëri nga dëshmitarët e mbetur gjallë nga Masakra e Tivarit, e kujton kështu ngjarjen e krijuar pas një provokimi të ushtarëve serbo- malazese ndaj ushtarëve shqiptarë:

“…na kanë urdhëruar të ngrihemi në këmbë dhe të qëndrojmë në vend me duar të lidhura mbi kokë. Pas ca na drejtuan dhunshëm të ecim drejt një ndërtese të madhe 3 katëshe, i ashtuquajtur “Monopol i duhanit. Në të hyrë të oborrit, ishin 10-15 ushtarë të cilët me shufra hekuri godisnin në kokë, gjoks apo në shpinë çdo njërin prej nesh… dhe nga këto goditje mbetën të shtrirë për vdekje rreth 100-150 veta. Pas futjes së shqiptarëve brenda në ndërtesë, rreth 1000 veta, dhe brenda oborrit, 2.200- 2.500 veta, rreth orës 14.00, ata shtinë nga të katër anët. Me te gjitha llojet e armëve të zjarrit, me pushkë automatike, mitralozë, mortaja dhe bomba dore. Kështu që brenda një ore, gjithë masa e grumbulluar në ato hapësira nuk mbeti në këmbë. Oborri dhe sheshi u shndërrua në lumë gjaku që i ngjante një kataklizme të vërtetë, ndërsa ndërtesa u shndërrua në gërmadhë me qindra kufoma shqiptarësh brenda saj. Kësaj masakre makabre arritën t’i shpëtojnë kryesisht ata që u gjendën në ndërtesë dhe ndonjëri, që kishte rënë në tokë para se të fillonte sulmi. Kufomat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar mizorisht gjatë natës së 1 duke u gdhirë 2 prilli, u bartën me qerre dhe u hodhën në det për t’u zhdukur nga vendi i krimit”.

 

Qerim Lita (historian): Burimi më i saktë është që diku rreth 1670 janë masakruar vetëm në Tivar. Ndërsa gjatë rrugëtimit kemi rreth 700 – 800 që janë masakruar, sidomos kjo masakra më e madhe pas Tivarit është masakra e Dubrovnikut.

 

Uran Butka (studiues): Më tej, në Trogil, një qytet në Kroaci, hipën në një anije por që u përmbush plot e përplot dhe nga pesha u nda në dysh dhe deti u mbush me plisat e bardhë. Vdiqën me qindra e qindra rekrutë shqiptarë në Trogil të Kroacisë.

Ngjarja e rëndë e Tivarit është cilësuar si një krim shtetëror me përmasa ballkanike. Viti 1945, është viti i vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri dhe në Kosovë. Në Kosovë ky vit cilësohet dhe si viti i pushtimit jugosllav të Kosovës me ndihmën e divizioneve të Shqipërisë për të realizuar të ashtuquajturin projekt të Cubrilovicit, mbi spastrimin etnik të shqiptarëve dhe bashkimin e Kosovës me pjesët e tjera të Serbisë.

 

Uran Butka (studiues): Dua të theksoj për këtë një saktësim të profesorit historian Zekarie Cana, i cili ka shkuar dhe i ka zbuluar kufomat më vonë atje dhe thotë: “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar në rrugën e vdekjes, e quajtur Golgota e madhe shqiptare”.

 

Uran Butka (studiues): Për shembull, në arkivin e Kosovës, është një dokument në fondin OKMM, kutia 10/29, viti ’45, kam gjetur dokumentin i cili thotë …që komandantët e ushtrisë jugosllave janë urdhëruar që të vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë në këto troje, e citoj siç është. Pra menjëherë pas projektit të Çubriloviçit, më 8 shkurt të vitit 1945, nga Titoja u vendos regjimi i pushtimit, apo siç quhet regjimi ushtarak në Kosovë dhe nisi në një mënyrë apo në një tjetër dhe shpërngulja masive e shqiptarëve, ‘gjuetia e shtrigave’ në Kosovë dhe në vise të tjera.

Rreth 13,000 rekrutë shqiptarë u dëbuan me forcë nga Kosova dhe Maqedonia dhe u dërguan të paarmatosur në Frontin e Adriatikut në mars dhe prill të vitit 1945. Statistikat ushtarake jugosllave tregojnë se 2,543 prej tyre vdiqën, por shifra reale është shumë më e lartë.

 

Uran Butka (studiues): Nëse përpiqemi, sipas pyetjes suaj, që të konkludojmë numrin e të vrarëve në masakrën e Tivarit dhe në rrugëtimin nëpër Shqipëri, unë kam studiuar dokumentat e kohës dhe ka rezultuar një numër prej 2933 të masakruar në Tivar, Trogil, Dubrocnik – se një pjesë e atyre që shpëtuan vazhduan rrugëtimin gjoja për në Trieste që do luftonin kundër gjermanëve. Po t’i shtosh këtij numri edhe 1000 shqiptarë të vrarë që u deklaruan nga qeveria shqiptare, rezulton shuma prej 3933 shqiptarësh të vrarë, të mbytur dhe të helmuar në tragjedinë e quajtur të Tivarit. Por kjo është vetëm pjesa e dukshme e ajsbergut, ajo e dokumentuara sepse pjesa tjetër e padokumentuar, e thënë, e dëshmuar nga vetë qytetarët e Kosovës për bijtë e tyre është shumë e madhe. Kështu që masakra e Tivarit i kalon 4000 – 4500 të vrarë.

E vërteta është se i gjithë ky aksion i përbashkët i të dy ushtrive partizane, jugosllave dhe shqiptare, në dëm të shqiptarëve të Kosovës të cilët u asgjësuan me jetë, u mbajt i fshehtë. Asnjë raport nuk ju dërgua forcave anglo- amerikane se çfarë qëllimi kish dhe çfarë po ndodhte në të vërtetë. Të paktën burimet arkivore të luftës kështu thonë. Këtë, e thonë gojarisht dhe të mbijetuarit e ngjarjes. Por a patën ata burime të tjera informimi?

 

Uran Butka (studiues): Shteti komunist jugosllav dhe shqiptar e mbajtën të fshehur dhe të pa hetuar këtë masakër… 90 vjet përpara e deri më sot qëllimisht për të fshehur krimin se ishte masakër ndërshtetërore, për të fshehur fajin dhe përgjegjësitë që kishin në këtë tragjedi me përmasa ballkanike sepse nuk ishte vetëm shqiptare.

 

Qerim Lita (historian): Janë shumë burime të tjera që flasin, por në masakrat që ndodhën, në masakrën e Tivarit dhe të Dubrovnikut, ka qenë i informuar dhe kryetari i misionit ushtarak britanik, gjenerali Hotson, i cili ai merr një letër, promemorje nga kryetari i Besës Kombëtare, profesori Met Berisha, diku në tetor të vitit 1945 dhe e njofton për krimet dhe masakrat që kanë bërë brigadat jugosllave në atë kohë në Kosovë.

E dukshme është se në vitet e mëvonshme as komunistët jugosllavë të Titos dhe as komunistët shqiptarë të regjimit të Enver Hoxhës, të cilët bashkëpunuan mes tyre, nuk do të ishin aspak të interesuar të hapnin marrëveshjet kriminale që kishin bërë në kurriz të rekrutëve të pafat kosovarë. Shumë masakra të tjera, në shkallë edhe më të tmerrshme, ndodhën në Jugosllavi në vitet 1944-1945, aq sa ngjarja tragjike e Tivarit u zbeh me kohën.

 

Uran Butka (studiues): Heshtja dhe mosdënimi i krimit solli që masakra të tjera ndaj shqiptarëve të përsëriteshin në mënyrë tragjike, si përshembull ato të fundit si masakra e Reçakut ose gjenocidi serb i Milosheviçit në 1999 ndaj shqiptarëve në Kosovë. E vërteta, vetëm e vërteta mund të shërojë plagët dhe të kapërcejë urrejtjen dhe konfliktet, jo vetëm midis njerëzve por edhe midis popujve.

Në Jugosllavinë komuniste në vitet e mëvonshme, diskursi publik i tragjedisë së Tivarit mbeti një tabu për dy arsye kryesore; së pari, hapte plagë të vjetra mes komunistëve dhe jokomunistëve dhe, së dyti, sepse kërcënonte destabilizimin e marrëdhënieve shpeshherë të dobëta etnike mes shqiptarëve të Kosovës dhe malazezëve që jetonin shumë ngushtë me njëri-tjetrin. Në Shqipëri, akoma dhe më keq. Regjimi stalinist i Enver Hoxhës i kaloi ngjarjet në heshtje të plotë për të shmangur kështu çdo dyshim për përfshirje të saj. Sepse mesa duket përfshirje ka pasur.

Top Channel

 

JO propozimit të Taravarit dhe Mickoskit për “Kushtetutë qytetare” dhe fshirjen e shqiptarëve nga Kushtetua

ASHDënojmë në formë të prerë deklaratat e nxitura fillimisht nga VMRO-DPMNE dhe të plasuara së fundmi edhe nga Arben Taravari për Kushtetutë “qytetare” dhe për fshirjen e bashkësive etnike nga Kushtetuta.

 

Ky propozim na kthen 25 vjet pas, fshin shqiptarët dhe të gjitha të drejtat e garantuara me Kushtetutë, shfuqizon Marrëveshjen e Ohrit, ndryshimet Kushtetuese për barazi të shqiptarëve, Ligjin për përdorimin e gjuhëve, mekanizmin e Badenterit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe shumë të drejta të tjera të fituara në dy dekadat e fundit.

Taravari me deklaratat e këtilla dëshiron të bëjë me shtetin, atë që nuk arriti të bëjë me Aleancën për Shqiptarët kur propozonte që ta riemërtojë si Aleanca për Qytetarët.

Në ndryshimet kushtetuese të vitit 2018 ishte kusht i Aleancës për Shqiptarët heqja e termtit “qytetarët që jetojnë” sepse i bënte shqiptarët banorë të përkohshëm, por fatkeqësisht sot dëgjojmë propozim për rikthim të këtij termi pikërisht nga ish bashkëpartiaku jonë.

I bëjmë thirrje edhe një herë që të heq dorë nga skenarët e rrezikshëm të Mickoskit dhe VMRO-së dhe të mos ven dorë në të drejtat e shqiptarëve për të arritur qëllime karrieriste personale.

Aleancën për Shqiptarët

Turizmi rural dhe bukuritë natyrore shqiptare në fokusin e medias gjermane

detiITB Berlin News, media zyrtare e panairit të Berlinit i ka kushtuar një artikull ofertës së turizmit rural në Shqipëri, si një destinacion i pasur me potenciale të mëdha për vizitorët në kërkim të aventurave natyrore.

Gjatë këtij panairi, u organizua paneli me temë “Quo Vadis, rural destinations?” me pjesëmarrjen e ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro e cila prezantoi modelin e Shqipërisë në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në zonat e mbrojtura dhe diversitetin e ofertës turistike shqiptare nën sloganin e prezantuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, “Albania All Senses”.

Shkrimi i plotë i ITB Berlin News

Bukuritë rurale të Shqipërisë, një vend ku natyra ka shumë për të ofruar

Përtej bregdetit magjepsës dhe pasurisë së thesareve historike e arkeologjike, Shqipëria ka një numër të madh zonash të mbrojtura natyrore që e bëjnë atë një destinacion ideal të turizmit rural.

Në fjalën e saj në panelin e ITB Berlin me temë “Quo Vadis, rural destinations?” ministrja e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë Mirela Kumbaro tërhoqi vëmendjen me faktin se një e treta e territorit të Shqipërisë përbëhet nga male, lumenj dhe pyje. Shqipëria priti 10.1 milionë vizitorë vitin e kaluar dhe i nisi dy muajt e parë të 2024-ës me 55% më shumë turistë të huaj se e njëjta periudhë e vitit 2023.

Megjithatë, kur zonja Kumbaro i pyeti pjesëmarrësit në panelin e disktuimit nëse e kishin vizituar Shqipërinë, pak duar u ngritën lart. “Kjo do të thotë se Shqipëria është një destinacion për t’u zbuluar”, konfirmoi ajo. Duke nënvizuar qasjen e veçantë të Shqipërisë si një destinacion i turizmit rural, zonja Kumbaro përmendi jo vetëm territorin e pasur me hapësira natyrore dhe zona të mbrojtura, por theksoi gjithashtu shembuj të tillë si lumi Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë që u shpall Park Kombëtar.

Me një përqindje të konsiderueshme të Zonave të Mbrojtura në territorin e saj, Shqipëria ofron potenciale të mëdha për turistët që kërkojnë aventura natyrore si hiking dhe rafting në lumë. Por siç vuri në dukje zonja Kumbaro, turizmi urban dhe ai rural nuk po konkurrojnë me njëri-tjetrin. “Ne nuk po e ndajmë turizmin shqiptar në qytete dhe zona rurale. Ata duhet të bashkëjetojnë”, tha ajo.

Kombinimi i llojeve të ndryshme të atraksioneve dhe lëvizja midis qyteteve, bregdetit dhe zonave natyrore nuk është e vështirë në një vend ku asgjë nuk është shumë larg. “Nuk keni nevojë të udhëtoni me orë e ora nga njëri destinacion në tjetrin”, pohoi ministrja. “Ju mund të arrini nga maja e një mali të mbuluar me borë në një nga plazhet më të bukura të Shqipërisë vetëm për gjysmë ore”.

Duke theksuar se sa e rëndësishme është mbrojtja e zonave natyrore për Shqipërinë dhe se si mund të zhvillohet atje turizëm, ministrja Kumbaro vuri në dukje faktin se ministria e saj mbulon të dy fushat, mjedisin dhe turizmin. “Është si një instrument për kontrollin dhe vendosjen e eikulibrave”, pohoi ajo, për t’u siguruar që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm. Vendosja e ekuilibrit të duhur mes një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare dhe mjedisit është “një kusht absolut për një vend të vogël si Shqipëria”, u shpreh ajo, duke vënë në dukje se së bashku me energjinë 100% të rinovueshme, vendi është një shembull i praktikave të qëndrueshme. Për të zhvilluar ofertën e saj të turizmit rural, Shqipëria është orientuar nga Italia, tha zonja Kumbaro, “jo për të kopjuar ndonjë prej modeleve të saj, por për t’u frymëzuar prej praktikave më të mira”.

Duke përmbledhur diversitetin që ky vend ofron, zonja Kumbaro krahasoi ofertat e larmishme turistike të Shqipërisë, përfshirë këtu mundësitë e mëdha të turizmit rural duke e krahasuar me një tryezë plot me pjata të shijshme ku është e vështirë të zgjedhësh. “Gjithçka për të cilën keni nevojë, e gjeni këtu në Shqipëri”, u shpreh ajo.

 

Albania All Senses

Agjencia Kombëtare e Turizmit të Shqipërisë prezantoi sloganin e saj “Albania All Senses”, shpjegoi Zonja Kumbaro, pasi ndoqi me kujdes komentet në mediat sociale nga vizitorët e Shqipërisë vitin e shkuar. “Të gjithë po flasin për një eksperiencë të re dhe ndjesitë”, tha ajo, dhe kështu një destinacion i tillë zgjodhi një slogan që i fton vizitorët ta përjetojnë vendin me të gjithë shqisat e tyre. Zonja Kumbaro identifikoi në mënyrë të veçantë sensin e të shijuarit duke përmendur pijen kombëtare, rakinë, çajin shqiptar të malit dhe mungesën e plotë në Shqipëri të asaj që ajo e quajti “ushqim për turistët”: “Ne kemi vetëm ushqim të vërtetë vendas shqiptar”.

Shqipëria nënshkruan marrëveshjen për të qenë Vendi Zyrtar i Nderit për ITB Berlin në vitin 2025

Duke u përgatitur për edicionin e vitit të ardhshëm,

Shqipëria nënshkroi një marrëveshje me ITB Berlin për të qenë Vendi Zyrtar i Nderit për ITB Berlin 2025 më 6 mars. Marrëveshja u nënshkrua mes Ministres së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, znj. Mirela Kumbaro dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Messe Berlin, Dr Mario Tobias.

rtsh

Në Bruksel bisedohet sot për dinarin serb në Kosovë

Bruksel dinariAutoritet ndërkombëtare i kërkojnë Kosovës që ta ndryshojë mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK për dinarin. Sot do të bisedohet për këtë çështje në Bruksel.

 

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, takohen këtë të hënë në Bruksel në raundin e dytë brenda një jave për ta diskutuar çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit në Kosovë nga autoritetet dhe hapat për marrëveshjen bazë për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në takimin që u zhvillua më 19 mars, sipas ndërmjetësit Mirosllav Lajçak, diskutimet ishin përqendruar rreth çështjeve që përfshinë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës dhe zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Autoritet ndërkombëtare po i kërkojnë Kosovës që ta ndryshojë mënyrën e zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës e cila e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë.

“Siç tha kolegu im javën e kaluar, Gabriel Escobar ne jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë në popullatën e cenueshme dhe mendoj që është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit, ndaj bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë”, thotë ambasadori amerikan në Kosovë Jeffry Hovenier, shteti i të cilit është më i zëshmi që i kërkon qeverisë Kurti ndryshimin e mënyrës së zbatimit të rregullores së BQK-së.

 

SHBA për marrëveshjen

Departamenti Amerikan i Shtetit DASH, ka kërkuar që diskutimet për çështjen e përdorimit të dinarit të Serbisë në Kosovë të vazhdojnë me urgjencë.

“E mirëpresim takimin e mbajtur në Bruksel brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përfshirë diskutime për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Besojmë se këto diskutime duhet të vazhdojnë me urgjencë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është kanali adekuat për të zgjidhur këto çështje të ndërlidhura me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë,” tha një zëdhënës i DASH-it, Vedant Patel.

Palët, Kosova dhe Serbia kishin afat deri të premten e javës së shkuar të paraqisnin propozimet  e tyre rreth përdorimit të dinarit serb në Kosovë. Propozimet e tyre nuk janë bërë publike, por për të cilat shpresohet që të arrihet një kompromis. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, megjithatë nuk lëvizë nga qëndrimi i tij se Kosova “nuk do të pranojë propozime që dalin jashtë kornizës rregulluese të BQK-së”.

 

“Është një proces që po vazhdon dhe ka disa propozime. Por nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së”, tha kryeministri Kurti.

 

Asociacioni

Pala serbe sipas kryenegociatorit Petar Petkoviq, në takimet që po zhvillohen në Bruksel vazhdimisht insiston në themelimin nga pala kosovare të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar një pikë kryesore diskutimi që mbetet të zgjidhet.

Ndërsa  kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se Serbia nuk po pranon ta nënshkruajë marrëveshjen bazë të Ohrit, marrëveshje kjo për normalizim dhe me këtë, sipas Bislimit, “Serbia po dëshmon qasjen destruktive”. Sipas tij, Kosova po e vazhdon angazhimin “duke shfaqur konstruktivitet e duke qenë palë aktive përmes ofrimit në vazhdimësi të propozimeve në dialog”.

“Rryma në veri, ka filluar të paguhet për herë të parë, e po ashtu dhe targat ilegale u larguan nga qarkullimi. Rendi dhe ligji mbizotërojnë tashmë në çdo cep të vendit. Procesi i dialogut u kthye drejt rrugës së normalizimit dhe njohjes reciproke, por të cilën fqinji ynë verior vijon ta refuzojë, siç po e dëshmojnë me Marrëveshjen Bazike të Brukselit dhe Aneksin Implementues të Ohrit. U demaskua qasja e tyre destruktive, por ne vijuam angazhimin tonë, duke shfaqur konstruktivitet e duke qenë palë aktive, përmes ofrimit në vazhdimësi të propozimeve e ideve në çështjet rreth dialogut”, shkroi Bislimi në facebook një ditë para takimit të sotëm në Bruksel, ku çështja e dinarit serb pritet të zë vend kryesor në takim.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në miliona euro për komunitetin serb në Kosovë, duke u paguar atyre përmes një sistemi paralel në dinar, rrogat, pensionet dhe ndihma sociale.

dw

Kosova dhe Serbia diskutojnë sërish në Bruksel për dinarin serb

Bruksel Lajcak-BislimiKryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë po takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

 

Takimi i sotëm është vazhdim i së martës së kaluar kur palët u zotuan të dalin me propozime të reja për zgjidhjen e situatës së krijuar pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Rregullorja që ka hyrë në fuqi me një shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.

Asnjëra parë nuk ka dhënë ndonjë hollësi rreth propozimeve që mund të kenë bërë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Kjo çështje është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien tha javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara janë mbështetës i fuqishëm i synimeve të Kosovës për t’u bërë pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe shpresojnë që qeveria e Kosovës do të marrë veprime në ditët në vijim që janë në përputhje me kërkesat e këtij komuniteti, përfshirë rregulloren e Bankës Qendrore për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa të gatshme në Kosovë. Zoti O’Brien tha se miqtë e Kosovës duan që kjo rregullore të rishqyrtohet.

voa

E hëna, dita e së vërtetës për pasurinë e ish Presidentit Trump

TrumpIsh presidenti Donald Trump, që i dha trajtë imazhit të tij politik si një miliarder i suksesshëm i pasurive të patundshme, përballet të hënën me një bilanc financiar që mund të tregojë se nuk e zotëron shumën e parave për të cilat i ka folur publikut amerikan.

 

Kandidati i pritshëm republikan për president në zgjedhjet e nëntorit, përballet me afatin për të paguar gjobën prej 454 milionë dollarësh, ose të vërë një garanci në formë kolaterali nga pasuritë e tij të patundshme. Kjo do t’i mundësonte atij të vazhdojë apelimin e vendimit të dhënë muajin e kaluar që e gjobiti për mashtrim ndër vite me fryrjen artificiale të pasurive të tij, për të përfituar kushte më të mira për biznesin e tij.

Nëse ai nuk siguron dot fondet apo garancinë, prokurorja e Nju Jorkut Letitia James duket e prirur të fillojë procesin e sekuestrimit të disa prej godinave të larta në pronësi të tij në qytetin e Nju Jorkut, ndoshta një rezidencë luksoze që ai zotëron jashtë qytetit, paratë në llogaritë bankare dhe investimet në bursë, madje edhe avionin e tij personal që ai e quan Trump Force One.

 

Avokatët e zotit Trump kanë thënë se sigurimi i garancisë do të ishte “praktikisht i pamundur”, pasi ai do të duhej të vinte në dispozicion rreth 550 milionë dollarë në llogari bankare dhe investime për një kompani të tretë private që do të ofronte garancinë për gjykatën. Avokatët kanë thënë se deri më tani 30 kompani të tilla kanë refuzuar kërkesën e zotit Trump.

Në një postim javën e kaluar në median sociale Truth Social, zoti Trump tha se ka rreth 500 milionë dollarë në llogaritë e tij bankare, që do t’i përdorte për fushatën e tij elektorale dhe që prokurorja James “kërkon t’ja marrë”.

Por avokati i tij, Chris Kise, i tha kanalit CNN se:

“E ka fjalën për paratë e raportuara në formularët e deklarimit të të ardhurave në kuadër të fushatës elektorale, për paratë që ai ka mbledhur ndër vite nëpërmjet drejtimit të bizneseve të suksesshme”, tha zoti Kise. “Këto janë paratë që Letitia James dhe demokratët kanë në objektiv”.

Gjatë gjithë procesit gjyqësor për padinë civile vitin e kaluar, ish Presidenti Trump sulmoi prokuroren James për ngritjen e kësaj padie, duke thënë se pronat e tij kanë vlera edhe më të mëdha se ato të pasqyruara në raportet financiare për të cilat prokurorja James thoshte se ishin të mbivlerësuara.

Zoti Trump ka thënë se gjithsesi shumat e caktuara në aplikimet për kredi nuk kishin në thelb ndonjë rëndësi, pasi bankat bënin kontrollet e tyre dhe se në fund të fundit, ai ka shlyer plotësisht kreditë në fjalë duke mos shkaktuar kështu dëm financiar për asnjë nga palët.

Ish Presidenti Trump sulmoi gjithashtu gjykatësin e Nju Jorkut, Arthur Engoron, gjatë konferencave të improvizuara për shtyp përpara se të hynte në seancat gjyqësore ku dëshmitarët u dëgjuan për shtatë ditë. Zoti Trump e cilësoi gjobën prej 454 milionë dollarësh një “shifër tronditëse”.

 

Të dielën, ish Presidenti Trump kritikoi prokuroren James dhe gjykatësin Engoron në median sociale Truth Social. Ai e shkruajti gabim emrin e saj dhe pastaj akuzoi me gërma kapitale se ajo “ka një historik të tmerrshëm në lidhje me kriminalitetin e dhunshëm në Nju Jork si prokurore e përgjithshme. Por të paktën ajo po i qepet Trump-it që nuk ka bërë asnjë shkelje!”.

Ish Presidenti Trump e quajti gjykatësin Engoron “jashtëzakonisht të paaftë dhe të korruptuar! Nuk duhet të kisha asnjë lloj gjobe”.

Në një tjetër çështje gjyqësore po në Nju Jork, gjykata mund të caktojë datën e gjyqit, ndoshta që muajin e ardhshëm, për një ndër katër çështjet penale ndaj zotit Trump, për të cilat janë ngritur 91 akuza të ndryshme.

Në këtë rast, ish Presidenti akuzohet për fshehjen e 130 mijë dollarëve që u paguan pak përpara kandidimit të tij të suksesshëm për president në vitin 2016. Pagesa synonte të siguronte heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë në lidhje me një marrëdhënie të saj me zotin Trump rreth një dekadë më parë.

Zoti Trump ka mohuar se ka qenë në një marrëdhënie me të dhe ka refuzuar të gjitha akuzat penale që janë ngritur ndaj tij.

voa

Gjen. Clark: Shkëputja e Kosovës u diktua nga veprimet serbe, tani dy vendet të gjejnë rrugën për të ecur përpara

Gjen Klark25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, gjenerali Wesley Clark thotë se është krenar për operacionin që ai udhëhoqi dhe se rrjedha e ngjarjeve që kulmoi me pavarësinë e Kosovës, u diktua nga brutaliteti i forcave serbe. Gjenerali Clark thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës me rastin e këtij përvjetori, se sot është e padrejtë që ka më shumë trysni ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë, por thekson se dy vendet duhet të gjejnë udhën për të bashkëjetuar. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, ai thotë se shumë nga qëndrimet e Perëndimit janë të përcaktuara nga ajo që po ndodh mijëra kilometra larg, në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

 

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, ka kaluar një çerek shekulli që kur NATO-ja ndërhyri në Kosovë për të ndaluar spatrimin etnik. Ju ishit komandant i lartë i NATO-s në atë kohë, (drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999), cilat janë reflektimet tuaja tani, pas 25 vjetësh?

Gjeneral Wesley Clark: Jam krenar për veprimet që ndërmori NATO-ja në atë kohë për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës. NATO veproi duke përdorur minimumin e forcës, duke marrë çdo masë parandaluese për të shmangur lëndimin e civilëve të pafajshëm dhe megjithatë e përmbushi synimin për t’i dhënë fund spastrimit etnik.

 

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, në atë kohë pati shumë debat në rang ndërkombëtar, pasi ndërhyrjet humanitare nuk ishin diçka që ndodhte shpesh. Në një vështrim retrospektiv, si e shihni sot këtë lloj ndërhyrjeje në përgjithësi, si çështje e marrëdhënieve ndërkombëtare?

Gjeneral Wesley Clark: Do të thosha se ishte një ndërhyrje e nevojshme e cila u krye në mënyrë rigoroze (posaçërisht) për qëllime humanitare dhe e përmbushi misionin e saj.

 

Zëri i Amerikës: Kur e shihni sot Kosovën, a është ashtu siç e kishit imagjinuar para 25 vjetësh se do të ishte?

Gjeneral Wesley Clark: Ajo që dinim në fillim të fushatës, ishte se do të angazhonim forcat e NATO-s. Në atë kohë nuk e dinim që serbët do të largoheshin plotësisht. Nuk ishte kurrë synimi ynë që të ndanim Kosovën, në asnjë lloj mënyre, apo të ndikonim që ajo të bëhej e pavarur.

Por veprimet e ushtrisë dhe policisë serbe gjatë fushatës, vrasja e pamëshirshme e civilëve, përpjekjet për të shkatërruar pronat e shqiptarëve të Kosovës, sjellja brutale e fqinjit kundër fqinjit në këtë fushatë, e bëri realisht të pamundur që serbët të qëndronin.

Prandaj NATO-ja e bëri si një nga prej objektivave të saj, që forcat serbe duhet të largoheshin. Më pas Kosova u mbikqyr nga ndërkombëtarët, nën drejtimin e OKB-së dhe pastaj vendosi se duhet të ishte e pavarur.

Por të them të vërtetën, gjendja në rajon vazhdon të jetë e papranueshme, sepse Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, vazhdon të ndërhyjë brenda saj dhe trysnia politike ndaj Kosovës, si një vend më i vogël, është shumë e rëndë dhe e vështirë.

 

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, të flasim mbi situatën aktuale të cilës juve iu referuat dhe veçanërisht marrëdhënies mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Kosova ka qenë një prej vendeve më pro-amerikane dhe kjo në masë të madhe edhe falë ndërhyrjes që juve drejtuat atëherë. Por tani, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, ose së paku mes dy qeverive, janë në pikën më të ulët. Cili është mendimi juaj për këtë? Pse kanë arritur në këtë moment dhe çfarë mund të bëhet për të tejkaluar këtë situatë?

Gjeneral Wesley Clark: Unë i shoh gjërat nga jashtë, nuk jam në brendësi të tyre, ndaj është pak e vështirë të komentoj mbi këtë. Por është e rëndësishme të kuptohet se dy shtete që janë krah më krah, Kosova dhe Serbia, nuk mund t’i çojnë përpara marrëdhëniet nëse vazhdojnë të përfshihen në konflikt mes tyre. Serbia i ka shtrirë krahët e saj të gjatë brenda Kosovës për një kohë të gjatë, në veri të lumit Ibër. Edhe kur isha komandant i NATO-s pati një fushatë spastrimi etnik nga serbët kundër shqiptarëve në veri të lumit Ibër. Ishte e gabuar. Por vazhdoi. Duket qartë që ndërhyrja serbe vazhdon ende.

Por kur Shtetet e Bashkuara u kërkojnë palëve të bashkëpunojnë, mendoj se trysninë më të lartë duhet ta ushtrojnë mbi zotin Vuçiç në Serbi. Arsyeja për këtë është se Serbia është vendi më i madh, më i fuqishëm dhe që ka mundësinë më të madhe për fleksibilitet në këtë rast, mundësitë më të mëdha për kompromis. Duket qartë se Serbia ende nuk e ka pranuar që Kosova është e pavarur sot. Dhe duhet bërë paqe me këtë ide. Është një pasojë historike e të gjithë tensioneve dhe një armiqësie të gjatë.

Nuk kam për ta harruar kurrë, kur isha me Presidentin Millosheviç në nëntor të vitit 1998 dhe po firmosnim marrëveshjen përfundimtare të nëntorit ’98 e cila parashihte tërheqjen e forcave të tepërta serbe nga Kosova, të cilat Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkonte që të largoheshin nga Kosova.

Presidenti Millosheviç tha në mënyrë të prerë: “E di unë se si të merrem me këta shqiptarë. E kemi bërë dhe më parë”, tha ai. E pyeta, se si keni vepruar. Ai më tha “i vrasim të gjithë”.

Në këtë kuptim, i vetmi rezultat për këto tensione historike me rrënjë të thella, ishte ndarja në dy shtete. Dhe tani, dy shtetet, duhet të gjejnë udhën për të bashkëjetuar, për të përparuar, për të bashkëpunuar me qëllim përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve të tyre. Kjo është një sfidë, është një sfidë shumë e vështirë që duhet të kapërcehet. Kujtimet janë ende të freskëta për të dyja palët dhe mendoj se kjo është diçka që nuk mund të bëhet e sforcuar, duhet të vijë natyrshëm.

Problemi është se veprimet e Rusisë ndaj Ukrainës e kanë vështirësuar edhe më tej situatën, sepse gjithkush e kupton se Serbia ka një lidhje historike me Rusinë dhe Rusia po e përdor Serbinë për të përgatitur terrenin që nëse shënon sukses në Ukrainë, të shkaktojë kaos më të madh përsëri në Ballkanin Perëndimor. Kjo dihet.

Zoti Vuçiç duket i dyzuar mes dy alternativave: Të rreshtohet në krah të Perëndimit apo të mbajë marrëdhënien historike vëllazërore me Rusinë. Mesa duket ai po përpiqet t’i ketë të dyja. Së paku kështu duket nga jashtë. Po duke e parë nga jashtë, duket se populli i Kosovës, një vend më i vogël, varet nga mbështetja e huaj, nga Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë për të mbijetuar dhe për të përmirësuar gjendjen ekonomike. Në një fare mënyre duhet të tregohemi të duruar. Duhet të vazhdojmë përpjekjet mbi këtë situatë. Duhet të kuptojmë se zgjidhja e çështjes së kufirit mes Kosovës dhe Serbisë nuk është e pavaruar nga rezultati i luftës mes Ukrainës dhe Rusisë.

 

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, ju përmendët kontekstin e ri gjeopolitik pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Duke marrë parasysh se ka kritikë të cilët thonë se është pikërisht kjo arsyeja se përse po bëhet më shumë trysni ndaj Kosovës, në mënyrë që të mos shtohen sfidat, cili është mendimi juaj. A bini dakord me këto qëndrime?

Gjeneral Wesley Clark: Mendoj se trysnia ndaj Kosovës nisi gjatë administratës së Presidentit Trump, ku të dërguarit e Shteteve të Bashkuara në Ballkan donin të shënonin një sukses diplomatik. Dhe pikërisht aty nisi trysnia. Tani, me luftën (në Ukrainë), sigurisht që është normale dhe e natyrshme që Perëndimi kërkon ta shohë të zgjidhur këtë çështje, ta shohë Serbinë plotësisht në kampin e Perëndimit dhe të lidhur me Bashkimin Evropian në mënyrën më pozitive të mundshme. Por pikërisht për shkak të tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës kjo ka pak gjasë që të ndodhë. Problemet mes Kosovës dhe Serbisë janë të lidhura me atë që ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës. Dhe këto probleme pasqyrojnë tensionet më të mëdha gjeopolitike në rajon.

 

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, ju e njihni ambasadorin amerikan në Serbi, Chris Hill prej një kohe të gjatë, që nga koha e ndërhyrjes (së NATO-s). Dy ditë më pare ai tha se tani “Serbia është më afër me NATO-n sesa Kosova. Kemi patur stërvitje të përbashkëta dhe shumë gjera më ushtrinë serbe. Tani punojmë shumë më shumë së bashku (me Serbinë) sesa me UÇK-në apo çfarëdo që ka dalë prej saj”. Cili është mendimi juaj për këtë deklaratë?

Gjenerali Wesley Clark: Mendoj se ambasadori Hill është një diplomat i shkëlqyer. E marr atë që thotë ashtu siç e thotë.

 

Zëri i Amerikës: A mund të shpreheni më konkretisht?

Gjenerali Wesley Clark: Mendoj se ajë që thotë ai është absolutisht e vërtetë.

 

Zëri i Amerikës: Që Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie më të mira me ushtrinë serbe se sa me Kosovën?

Gjenerali Wesley Clark: Nuk mund të flas me detaje sepse nuk jam pjesë e asaj marrëdhënieje. Unë i shoh gjërat nga jashtë. Por ambasadori Hill duket se ka bërë një punë të mirë për të forcuar këtë marrëdhënie dhe për të çuar përpara raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Dhe kjo është detyra e tij si ambasador. Nëse kjo është (një marrëdhënie) më e fortë apo më e dobët se sa marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, këtë nuk mund ta them, sepse i shoh gjërat nga jashtë.

 

Zëri i Amerikës: Por kjo në fakt bie ndesh me qëndrimin e vetë Beogradit që nuk ka shprehur gatishmëri për të qenë anëtar i NATO-s ose për të qenë më pranë aleancës, apo jo?

Gjenerali Wesley Clark: Mendoj se kjo është një përpjekje për ta çuar Beogradin në drejtimin e duhur. Shpresoj që ambasadori të arrijë sukses në atë që po bën, sepse është shumë e rëndësishme, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme.

 

Zëri i Amerikës: Të kthehemi pak tek qëndrimi i qeverisë së Kosovës. Ju thatë se po ushtrohet më shumë trysni ndaj Kosovës, por a mundet që Kosova dhe veçanërisht drejtuesit e saj të jenë më konstruktivë, përsa u takon përpjekjeve për të bashkëpunuar drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve?

Gjeneral Wesley Clark: Si dikush që i sheh këto çështje nga jashtë, nuk mund të jap një mendim të detajuar. E vlerësoj dhe është nder që më kërkoni një koment mbi këtë, por nuk mundem. Nuk mund të jap asnjë koment të dobishëm mbi këtë sepse nuk jam në brendësi të këtyre diskutimeve dhe do të ishte e gabuar që të guxoja të jepja një opinion.

 

Zëri i Amerikës: Në raportin e fundit të komunitetit amerikan të zbulimit mbi rreziqet globale, për Ballkanin, përmendet pikërisht situata mes Kosovës dhe Serbisë si edhe Bosnje-Hervegovina si pika ku mund të shpërthejnë konflikte. Kjo në mesin e tensioneve që u acaruan vitin e kaluar, pas sulmit në veri të Kosovës. Si i shihni ju këto shqetësime mbi gjendjen e sigurisë duke mbajtur parasysh ato që kanë ndodhur në këto muajt e fundit?

Gjenerali Wesley Clark: Mendoj se është një situatë që duhet ndjekur me kujdes. Jam i sigurt që ambasadori Hill po bën gjithçka që mundet që ta shohë situatën nga perspektiva amerikane. Shpresoj që NATO-ja po bën gjithçka që mundet për të qenë në gatishmëri dhe për të marrë masat për të parandaluar çdo lloj përshkallëzimi në anën e Kosovës. Sikurse e thashë këto tensione ndizen nga përpjekjet ruse. Rusia kërkon të ndezë mosmarrëveshje dhe kaos në rajon dhe e gjitha puna që kemi bërë në Ballkan nuk do të ketë rezultat të frytshëm nëse nuk trajtojmë çështjen mes Ukrainës dhe Rusisë.

 

Zëri i Amerikës: A mendoni se në këtë rast, është e nevojshme që të ketë ndryshim të taktikave dhe strategjisë lidhur me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi në përgjithësi qasen ndaj Kosovës dhe Serbisë?

Gjenerali Wesley Clark: Mendoj se tani nuk e kam të mundur të bëj komente mbi strategjinë aktuale. Nuk është e mundur sepse nuk jam aq pranë sa të jap një koment të dobishëm. Mendoj se cilado strategji që ne zbatojmë, përsëri është peng i asaj që po ndodh 1600 apo 1300 kilometra në lindje të Ukrainës, në rajonin e Donbasit, ose në zonën e konfliktit dhe cilat janë synimet e Rusisë. Kjo është ajo që përcakton qëndrimet e Evropës, nga njëra anë po e shtyn Europën që të dojë të zgjidhë krizën mes Serbisë dhe Kosovës dhe nga ana tjetër duke ia bërë më të vështirë arritjen e një gjëje të tillë.

 

Zëri i Amerikës: A mendoni se kjo është e drejtë për të ardhmen e procesit ndërmjet dy vendeve?

Gjenerali Wesley Clark: Mendoj se procesi do të vazhdojë për një farë kohe dhe mensoj se është e rëndësishme që ky proces të mbahet gjallë dhe të vazhdohet me dialogun. Nëse do të kishim një përparim të rëndësishëm, do të ishte e mrekullueshme, por nuk parashikoj një gjë të tillë. Prandaj, sikurse e thashë, kjo është një çështje dytësore në Evropë dhe në shumë aspekte varet nga ajo që do të ndodhë mes Rusisë dhe Ukrainës.

 

Zëri i Amerikës: Më parë ju përmendët historinë. Ka një prirje, zakonisht, mes diplomatëve dhe politikanëve për të harruar historinë, ose për ta lënë atë pas krahëve, kur duan të zgjidhin një çështje aktuale.

Duket se kjo po ndodh edhe me Kosovën dhe Serbinë dhe me diplomatët që janë përfshirë më shumë në përpjekjet për të zgjidhur çështjen që kanë në tryezë, jo duke e harruar, por në një fare mënyre duke injoruar apo neglizhuar kontekstin historik A është e mundur të ketë zgjidhje të çështjeve, pa trajtuar problemet e së shkuarës?

Gjeneral Wesley Clark: Jam i sigurt se ka këndvështrime të posaçme rreth asaj që po më pyesni. Nëse do jepja një përgjigje të përgjithshme, do thoja se duheshin trajtuar aspekte speficike mbi marrëveshje specifiike që janë mbi tryezë. Por sigurisht që nuk dua të jap një përgjigje të përgjithshme për këtë. Historika ka rëndësi. Sigurisht, edhe ndjeshmëria e njërzëve ka rëndësi. Humbja e njerëzve të dashur, poshtërimet që kanë vuajtuar, frika, çdo gjë ka rëndësi. Por është detyrë e diplomatit, që aq sa ka mundësi, të gjejë interesin e përbashkët dhe të shohi drejt së ardhmes, për të shtyrë përpara këto interesa. Dhe jam i sigurt se askush, në shërbimin diplmatik amerikan, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë më mire se sa ambasadori Chris Hill.

voa

25 vjet nga ndërhyrja e NATO-s: Rrëfimi i pilotit amerikan që bombardoi forcat serbe në Kosovë

Piloti Phil HaunNjëzetepesë vite më parë, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara, NATO-ja ndërmori ndërhyrjen e parë ajrore të shkallës së gjërë për të ndalur spastrimin etnik të popullatës shqiptare nga forcat serbe, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të ndalur luftën në Kosovë. Fushata ajrore, që filloi më 24 mars, zgjati 78 ditë dhe përfundoi me tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e Kosovës në një protektorat ndërkombëtar për një dekadë deri në bisedimet që çuan në pavarësinë e saj. Njëzetepesë vite më vonë, Zëri i Amerikës sjell kujtimet e një piloti amerikan që bombardoi objektivat e forcave serbe në Kosovë. Piloti Phil Haun, i cili u rikthye në Kosovë për të vlerësuar ndikimin e sulmeve të tij, i tha koleges Garentina Kraja se nga aspekti moral ndërhyrja në Kosovë ishte vendimi i duhur.

 

Piloti Phil Haun e mban mend në detaje fluturimin e tij të parë mbi Kosovë, 25 vjet më parë, me avionin luftarak A-10.

Misioni i tij: goditja e objektivave ushtarake serbe për të shpëtuar popullsinë civile dhe spastrimin etnik, që në vitin 1999 e kishin shndërruar Kosovën në një fushë vdekjeje.

Ishte fillimi i prillit të vitit 1999 dhe suksesi i NATO-s, do të varej jo vetëm nga uniteti i brishtë politik i aleancës perëndimore, që për herë të parë po ndërmerte një operacion ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, por edhe nga moti.

“Ishte misioni i parë. Qielli ishte i kthjellët ato ditë të para të prillit. Po fluturonim mbi pjesën perëndimore të Kosovës. Pamë disa makina serbe dhe ishte hera e vetme që i pamë makinat ushtarake serbe në rrugë. I goditëm me sukses. Pas kësaj, ata filluan të përdorin makina civile”, tregon ai për Zërin e Amerikës.

Rrafshit të Dukagjinit, parë prej qiellit nga nga avioni si pjesë e ‘Skuadrës 81’, ishte prezantimi i tij parë me Kosovën. Disa mijra kilometra poshtë, forcat serbe po përshkallëzonin sulmet, pasi përpjekjet shumëvjeçare diplomatike nuk arritën ta bindnin Serbinë të mos zgjeronte luftën në Kosovë.

Gjatë javëve kur piloti Haun bombardonte nga ajri objektivat ushtarake, forcat serbe në tokë po dëbonin rreth 1 milionë shqiptarë nga Kosova drejt Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Me një skenar të përsëritur në mbarë Kosovën, nga Gjakova në Pejë, nga Krushë e Madhe dhe e Vogël në Izbicë e Mejë, për 78 ditë, forcat serbe ekzekutuan rreth 10,000 civilë, shumica burra.

 

Zëri i Amerikës: A mendoni se vendimi për të ndërhyrë ishte vendim i duhur?

Piloti Phil Haun: “Është e vështirë për mua ta them. Ende punoj për Departamentin e Mbrojtjes dhe më duhet të them se këto janë pikëpamjet e mia dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet e Pentagonit. Kam menduar shumë për këtë gjë. Nga aspekti moral, ishte vendim i duhur, duke marr parasysh atë që po ndodhte në Kosovë. Unë jam angazhuar në shumë konflikte, në Irak, në Bosnjë, Afganistan dhe Kosovë. Për mendimin tim, përdorimi i forcës asnjëherë nuk është zgjidhja e dëshiruar, apo që të bën të ndihesh mirë. Por më duhet ta pranoj, ajo që bëmë mbi qiejt e Kosovës, më bën të ndihem shumë mirë për përdorimin e forcës ushtarake.”

Ai thotë se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë e ka formësuar në mënyra të ndryshme.

Në njërin nga fluturimet mbi Kosovë, më 1 maj të vitit 1999, siç shihet në këtë simulim të realizuar nga një studio grafike, avioni i pilotit Haun u godit nga forcat serbe me një raketë ruse tokë-ajër. Ai bëri një ulje të detyruar në Shkup.

Në vitin 2010, piloti Haun u kthye në Kosovë – këtë herë për ta parë atë nga toka dhe për të parë nga afër ndikimin e sulmeve që kishte kryer.

“Pas luftës pati shumë diskutime rreth dobisë së forcës së NATO-s dhe doja të shkoja të shihja ku kisha goditur dhe të flisja me njerëzit atje. Edhe në vendet ku bombat kishin shkaktuar dëm, njerëzit në Kosovë ishin aq dashamirës dhe vazhdimisht më falenderonin për angazhimin e NATO-s. Më bëri përshtypje sa mirënjohës ishin… Shkova në Kosovë në pranverën e vitit 2010. Mora me vete hartat dhe identifikova ato që i konsideroja goditje të mira të objektivave, që do të thotë se kisha qëlluar objektiva ku mendoja se kam shkaktuar dëme të konsiderueshme. Dhe pastaj ato që i konsideroja si sulme të mundshme të këqija, ku shqetësohesha nëse kam shkaktuar dëme të paqëllimshme dhe më duhej të kuptoja se çfarë ishin ato. Në Kosovë më bëri përshtypje aspekti njerëzor. Nga qielli nuk e ke atë ndjenjë, të jetës së njeriut, je lart dhe sheh poshtë, njësoj si sheh nga dritarja e një aeroplani, është vështirë të shohësh njerëz. Andaj të shohësh njerëzit dhe të kuptosh se çfarë ke bërë ka patur ndikim pozitiv në jetën e të tjerëve, kjo ishte fija që lidh këtë rrëfim. Në kolegjin ushtarak mësojmë se forca përdoret për të arritur objektiva politike dhe se forca nuk duhet përdur asnjëherë pa patur një qëllim politik. Sot, ku shikoj pavarësinë e Kosovës dhe rezultatin politik, më ndihmon të mbyll këtë kapitull të jetës time”, tregon piloti Phil Haun.

Që nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, piloti Haun ka kryer misione luftarake në Irak dhe Afganistan. Fushata ajrore kundër objektivave ushtarake në ish-Jugosllavi ka lënë gjurmë profesionale, duke u shndërruar në një nga shtyllat kryesore të angazhimit të tij akademik.

Ai vazhdon të shkruajë dhe të ligjerojë për fuqinë ushtarake ajrore në programin e sigurisë në universitetin e njohur amerikan MIT dhe në Kolegjin e Luftës të Forcave Detare në shtetin Rod Ajlend. Ndërhyrja në Kosovë është një shembull konkret që studiohet dhe diskutohet me studentët. Ndërhyrjen ajrore e NATO-s konsiderohet si një pikë kthese dhe mësimet nga ajo janë të vlefshme për forcat ajrore amerikane dhe strategjinë e përgjithshme të luftës për arritjen e qëllimeve politike.

voa

“Kemi pasur kërkesa edhe më parë”, projekti për ishullin e Sazanit, Rama: Do ta ngremë stekën në një nivel të paimagjinueshëm. Aplikimi nga një grup jashtëzakonisht i njohur

RamaKreu i qeverisë, Edi Rama, gjatë një podkasti me disa të rinj sipërmarrës në fushën e turizmit, është ndalur te projekti turistik i Sazanit.

Rama u shpreh se Sazani është pika ku mund të shkruajmë në kartëvizitën e Shqipërisë dhe sipas tij,  ngremë stekën në një nivel që disa vite më parë nuk mund të imagjinohej.

Sipas kreut të ekzekutivit, jemi në kohën kur Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump propozon një projekt për ndërtimin e resorteve luksoze në Sazan.

“Natyrisht është një aplikim serioz nga një grup jashtëzakonisht i njohur”, tha Rama mes të tjerash.

“Karaburuni është delikat shumë sepse është një pjesë që i shërben Vlorës si një sfond, peizazh i virgjër dhe nga biodiversiteti është gioxha i pasur, mund të them që për sa më takon mua Sazani është pika ku ne mund të shkruajmë kartëvizitën e Shqipërisë, në mes të Mesdheut dhe mund tju themi të githëve pa përjashtim, ‘të gjithë tigrat luanët e elefantët e industrisë së turizmit në botë. Italia ka 70% të trashëgimisë botërore, kthe sytë nga të duash ke arsye për të shkuar për turizëm. Me Sazanin, nëse bëjmë gjënë e duhur, vëmë kartëvizitën atje dhe themi “Ne jemi Shqipëria!’ dhe ngremë stekën në një nivel që disa vite më parë nuk mund të imagjinohej.

Kam dashur që në fillim, dhe jemi përpjekur, se kjo punë shkon me kontakte, me biseda, por po ju them një gjë që në 5 – 6 vitet e para mund të ulesha me njerëz të rëndësishëm, investitorë dhe u thosha investoni në turizmin në Shqipëri, e ndjeja se nuk thonin jo, por kuptoja që kjo nuk ndodh. Duhet Shqipëria t’i bëjë të vijnë, nuk mund të vijnë këta se po i flas unë. I gjithë angazhimin me rilindjen urbane që e quanin këta fasada, fasada, filloi të hapte sytë… Sot bëhet nami!

Sot jemi në kohën kur Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump propozon një projekt për ndërtimin e resorteve luksoze në Sazan.

Sot jemi në kushtet që kemi një aplikim nga Sazani. Të shohim! Natyrisht është një aplikim serioz nga një grup jashtëzakonisht i njohur. Se këta janë dhe të çuditshëm…

Këto proceset e investimeve kërkojnë kohë e negociata. Kemi pasur kërkesa për Sazanin, 3- 4. Kanë ardhur shumë për të parë, por kur na kanë treguar me prezantime çfarë kanë dashur të bëjmë, jo, nuk është kjo.

Ne aty nuk duam të ndërtojmë një gjë që e gjen në çdo vend në Shqipëri. Duam të jetë një destinacion ku natyra të jetë aseti dhe arsyeja kryesore, dhe zhvillimi të jetë aq i cilësisë së lartë, sa të krijojë një model turizmi që sjell shumë të ardhura e të funksionojë dhe si tërheqje për turizmin.

Dikush tjetër më tha një gjë të bukur…. Miku im amerikan më mori e më tha është e vërtetë. Ore dhe po nuk erdhën. Zhurma që është bërë në media dhe fama që kanë ata do të sjellë shumë njerëz. Të gjitha këto nuk i paguan dot me miliona reklamë. Sepse nuk je ti që çon një reklamë siç patëm bërë dikur reklama ‘Shqipëria, Shqipëria!’ Harxho lekë kot! Mbi të gjitha një investim I tillë në Sazan ose investime të tilla fuqizojnë të gjithë”, deklaroi Rama mëngjesin e sotëm.

Top Channel

Byrnes: Shtetet e Bashkuara duhet t’i bëjnë më shumë trysni Serbisë në raport me Kosovën

ByrnesPara vendimit të NATO-së për të ndërhyrë ndaj forcave serbe për t’i dhënë fund fushatës së dëbimit të shqiptarëve nga Kosova 25 vjet më parë, ishin bërë përpjekje të shumta diplomatike për të frenuar konfliktin. Në mesin e tyre ishte edhe një mision diplomatik amerikan, i njohur si K-DOM, që po vëzhgonte situatën në Kosovë krahas vëzhguesve të OSBE-së dhe atyre evropianë dhe rusë. Në një intervistë të rrallë, ish drejtuesi i këtij misioni, Shaun Byrnes, diplomat amerikan me përvojë të gjatë në Ballkan, tani në pension, i tha Zërit të Amerikës se situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet e brishtë, me mundësi të rindezjes së incideneteve. Ai thotë se hezitimi i Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave serbe është real për shkak të qasjes armiqësore të Serbisë ndaj saj.

 

Zëri i Amerikës: Në këtë përvjetor të 25 të ndërhyrjes së NATO-s, duke marrë parasysh të kaluarën, por edhe duke parë nga e ardhmja, si e vlerësoni situatën në Kosovë? A ishte ai vendim i duhur?

Shaun Byrnes: Ndërhyrja ishte një prej hapave. Ndoshta në atë kohë ka pasur edhe mundësi të tjera, por për atë kohë, ishte vendim i arsyeshëm. Asnjëra nga palët e angazhuara nuk donin më luftë, asnjëra palë nuk deshi ta bombardonte Serbinë, askush nuk deshi të përdorte forcë ushtarake dhe të ndërhynte në Kosovë për t’i dhënë fund luftës. Ishte një zgjidhje e përkohshme, për të blerë kohë, nëse kjo do të funksionte, do të blinte kohë për arritjen e një zgjidhjeje politike… Ishte e rëndësisë kritike të ndaloheshin luftimet për t’iu mundësuar të dyja palëve një zgjidhje politike.

 

Zëri i Amerikës: Si e vlerësoni situatën e tanishme? Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara luhaten. Cili është vështrimi juaj se si janë zhvilluar marrëdhëniet ndër vite?

Shaun Byrnes: Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me vendosmëri me Kosovën. Kemi miqësi të fortë dhe kemi punuar shumë për të ndihmuar Kosovën që të bëhet një vend ku mbretëron rendi e ligji dhe ekonomia e tregut të lirë. Ka pasur ngritje dhe rënie, ka pasur dëshpërim në anën tonë dhe në Prishtinë, por është bërë përparim i madh në ngritjen e standardit të jetesës, ndërtimit të infrastrukturës. Problemet që i kemi tani, me qeverinë e Albin Kurtit, siç i kuptoj unë, kanë të bëjnë me dialogun që po zhvillohet që nga viti 2013, që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe në thelb kjo përpjekje nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Për mendimin tim, udhëheqësit e Serbisë nuk kanë vullnet për njohje. Andaj ajo çfarë kemi parë është një teatër. Çështja tjetër është çështja e të drejtave të popullatës së mbetur serbe në Kosovë dhe një prej çështjeve që lidhet me të është krijimi i Asociacionit të komunave serbe dhe kompetencave që do të kishte ky asociacion. Udhëheqësit e Kosovës, qoftë zoti Thaçi në kohën e tij, apo zoti Kurti tani, po ashtu edhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, të gjithë kanë rezerva serioze për të rënë dakord për themelimin e Asociacionit për shkak të mundësisë që ai të bëhej një hap drejt krijimit të një Republike Serbe të dytë.

 

Zëri i Amerikës: A mendoni se shqetësimet e tyre kanë bazë?

Shaun Byrnes: Po, mendoj se po, duke marr parasysh sjelljen e Serbisë. Ndoshta një ditë kur në Serbi të jetë një regjim me të vërtetë demokratik dhe Serbia të shndërrohet në një vend ku mbretëron ligji, me media të lira dhe të pavarura, krijimi i Asociacionit do të jetë i mundur, por shqetësimet në Prishtinë mendoj se janë reale dhe legjitime për krijimin e Asociacionit serb. Më duket se një ide e tillë vetëm sa legjitimizon strukturat paralele të tanishme të Serbisë, që në shumicën e rasteve i kanë rezistuar integrimit të institucioneve të qeverisëse të Kosovës.

 

Zëri i Amerikës: Ekspertë të shumtë të rajonit kanë paralajmëruar për mundësinë e rindezjes së konfliktit. Si mendoni ju, a ka gjasa të ketë rindezje të konfliktit?

Shaun Byrnes: Fatkeqësisht, nga pikëpamja ime mendoj se ka mundësi dhe më duhet t’i referohem incidentit së fundi në Banjskë si shembull. Është e qartë që (Presidenti serb) Vuçiçi po ruhet nga nacionalistët serbë të vijës së ashpër, të cilët kundërshtojnë ashpër çdo kompromis me Kosovën. Ky është problem për të dhe nuk di sa ka në dorë të ndikojë, por është e qartë, që ai druhet të ecë përpara dhe me shpejtësi. Dhe kjo hap mundësinë, që më së paku, të ketë sërish provokime.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Byrnes, duke patur parasysh këto sfida, si mendoni se duhet të angazhohen Shtetet e Bashkuara me Kosovën dhe Serbinë?

Shaun Byrnes: Shtetet e Bashkuara duhet të dërgojnë sinjale të qarta se mbështesim Kosovën pavarësisht ndryshimeve në dinamikat tona të brendshme politike. Ne mbesim miq dhe duhet të vazhdojmë të nxisim udhëheqësit në Kosovë që të vazhdojnë dhe të shtojnë përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe të ndërtojnë një shoqëri që respekton rendin dhe ligjin. Kjo është çështja më e rëndësishme për Kosovën, që të bëhet një shtet ku mbretëron sundimi i ligjit sepse do të zgjidhte shumë probleme dhe do t’i ndihmonte drejt njohjeve të tjera. Ndërkaq sa i përket Serbisë, mendoj se duhet të bëjmë më shumë trysni ndaj saj që të tregojë më shumë gadishmëri për kompromis në çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën. Thënë sinqerisht, mendoj se duhet të jemi më të rreptë me Serbinë, sepse vazhdon të ketë qasje armiqësore ndaj Kosovës. Serbia duhet ta kuptojë që Kosova nuk është më pjesë e Serbisë, ka fituar pavarësinë e saj me forcën e armëve dhe i duhet ta pranojë këtë gjë. Ka patur një arsye reale që Kosova dhe popullata e saj vendosën të ndahen nga Serbia dhe serbët thjesht duhet ta pranojnë këtë gjë, por shumica e tyre nuk kanë vullnet ta pranojnë.