Hasani në Berlin: Të mos zvarritet procesi i zgjerimit

HasaniMinistri i Jashtëm i Shqipërisë ishte ftuar në Berlin në Hertie School of Governance për të folur për sfidat e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt BE.

Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Igli Hasani paralajmëroi në Berlin për ngecjen e negociatave me Shqipërinë. Gjatë një diskutimi në Hertie School në Berlin, Hasani tha:  “Për Shqipërinë nuk ka patur asnjë vendim pozitiv në vitin 2023. Procesi u shty pavarësisht vlerësimeve pozitive, duke treguar se imperativi gjeopolitik mund të mos jetë aq i qëndrueshëm, sa menduam dhe shpresuam.” Ai paralajmëroi se nëse procesi ngec, atëherë rajoni mund të bëjë hapa prapa. “Nëse nuk vazhdojmë të punojmë, do të humbasim një vit dhe humbja e një viti në jetën e një shoqërie mund të ketë shumë ndikim për të ardhmen e saj”, tha Hasani.

Sfida kryesore: Vetoja greke 

I pyetur nga moderatori në lidhje me veton greke kundër Shqipërisë për çeljen e kapitullit të parë të negociatave, ai kujtoi se kjo nuk është në frymën e krijimit të Bashkimi Evropian. “Gjithmonë kam menduar se BE u krijua për të lënë pas të gjitha çështjet historike, që kishin mes tyre Franca dhe Gjermania”, tha Hasani dhe shtoi: “Por tani ka një tendencë të re për të përdorur çështje dypalëshe dhe historike për të bllokuar rrugën e vendeve kandidate. Ne shqiptarët po përballemi me këtë situatë prej një viti. Për një individ, një kandidat për kryetar bashkie që është kapur duke blerë votadhe që tani është në burg”, tha Hasani,

Hasani vuri në dukje edhe njëherë se çështja Beleri “po trajtohet nga një sistem gjyqësor që është krijuar me vullnetin e lirë të popullit shqiptar, me ndihmën e madhe të Bashkimit Evropian” dhe shtoi se “nuk ka mundësi ndërhyrjeje nga qeveria shqiptare apo qeveri të tjera”, për shkak pavarësisë së këtij institucioni.

Marrëdhëniet me Greqinë të “shkëlqyera”

Ngecja  e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE ka të bëjë me Fredi Belerin, i cili është dënuar në Shqipëri për vjedhje votash. Megjithëse doli fitues i zgjedhjeve lokale në bashkësinë e Himarës, ai nuk mundi ta ushtronte detyrën e tij. Pala greke këtë rast e quan shkelje të të drejtave civile, dhe kryeministri aktual grek Kyriakos Mitzotakis e ka vënë Belerin kandidat për Parlamentin Evropian. Gjermania në të kundërt e ka bërë të qartë se çështja Beleri është dypalëshe, dhe nuk ka vend në procesin e zgjerimit.

I pyetur nga DW për marrëdhëniet greko-shqiptare megjithatë Hasani i quajti ato ‘të shkëlqyera': “Një rast i veçantë nuk mund të bllokojë marrëdhëniet midis dy vendeve shumë të rëndësishme, dy shoqërive shumë të rëndësishme, dy popujve shumë të rëndësishëm”, argumentoi Hasani.

Ftesa në Hertie School 

Në panelin e Hertie School, Igli Hasani ishte i shoqëruar nga Besa Shahini, analiste politike dhe ish-ministre e Arsimit në Shqipëri, si dhe Johannes Lindner, bashkëdrejtues i Qendrës Jacques Delors, i cili e moderoi diskutimin.

Hertie School është një universitet i njohur për politikë publike dhe qeverisje, me seli në Berlin, që synon të formojë liderët e ardhshëm dhe të kontribuojë në debatin publik për politikat evropiane dhe ndërkombëtare.

dw

“Belerizimi” i marrëdhënieve greko-shqiptare dhe pasojat

Alb GreMes 42 kandidatëve për euro-deputetë të partisë “Demokracia e Re” është dhe kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, që aktualisht vuan dënimin prej 2 vitesh për blerje votash gjatë zgjedhjeve lokale 2023.

Prillin e këtij viti, kohë kur debati për dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri ishte në pikun e tij, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe partia që ai përfaqëson “Demokracia e Re” propozuan zyrtarisht emrin e Belerit si kandidat për euro-deputet. Lajmi ngjalli debate në të dyja anët e kufirit, ku mes fqinjëve ekziston teknikisht ende Ligji i Luftës që nga viti 1940. Mitsotakis u kritikua lidhur me këtë kandidim edhe nga partia më e madhe opozitare e vendit të tij, SYRIZA. Kjo është hera e parë që një kandidat për në Parlamentin Europian ndodhet në qeli.

“Beleri” – Pro dhe kundër

“Ky është një akt i paprecedent, i cili nuk ka ndodhur më parë dhe nuk besoj se do të sjellë ndonjë rezultat në pritshmëritë e zotit Mitsotakis për të zgjuar votat e fjetura nacionaliste greke e aq më tepër për të realizuar lirimin e zotit Beleri nga burgu. Në qoftë se një pjesë e opozitës bëri gabim kur e kandidoi Belerin për kryebashkiak të Himarës, Mitsotakis po bën një gabim të dytë edhe më të madh, duke e kandiduar atë për deputet të Parlamentit Europian. Ky akt politik mund t’i kthehet në bumerang. Ka qindra figura të tjera të nderuara që kanë shtetësi shqiptare dhe greke, të cilët mund të përzgjidheshin si kandidatë dhe do ta ndihmonin më shumë zgjerimin e bazës elektorale të kësaj partie, sesa një personazh problematik si Beleri” – thotë për DW Arben Çejku, ish-ambasador, drejtues i “Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë”.

Për Marin Sulin, përfaqësues i Omonia-s, kandidimi i Belerit është një lajm i mirë. “Kandidimin e zt. Beleri për euro-deputet e shoh si një qasje pozitive në raport me demokracinë e mohuar në Shqipëri. Po ashtu, e shikoj si një proces normal brenda nje vendi demokratik dhe evropian siç është Greqia, kandidim i cili buron nga propozimi dhe kalimi nëpër filtrat e seleksionomit të kandidaturave brenda Demokracisë së Re dhe lexim i qartë i sondazheve paraprake, sondazhe të cilat e nxjerrin zt. Beleri fitues, madje me një numër të madh votash. Në kundërshtim me ata që janë skeptikë, unë besoj që kjo zgjedhje është një lajm i mirë në radhë të parë për opozitën, por edhe për popullin shqiptar në përgjithësi”.

Braka: Beleri po përdoret nga partia e kryeministrit grek

Panajot Barka ka punuar prej vitesh si korrespondent nga Shqipëria për Agjencinë Greke të Lajmeve. Qëndrimi personal për çështjen Beleri i ka kushtuar vendin e punës. “Beleri si individ dhe i paraqitur si mbrojtës i të drejtave të minoritetit etnik grek, përdoret nga partia e kryeministrit grek për të krijuar një mburojë penguese të rrjedhjes së votave të kësaj partie drejt së djathtës ekstreme. Pra, një çështje e cila u promovua si një “aset kombëtar grek”, përdoret për qëllime të brendshme politike dhe ideologjike. Kjo ka ndezur një debat të fortë politik në Greqi. Ka një pasojë të dyfishtë edhe për minoritetin grek në Shqipëri. Së pari, si ai, ashtu edhe grupimi politik që përfaqëson, nuk kanë mbështetjen reale të këtij minoriteti. Por edhe sikur ta pranojmë këtë, atëherë mbrojtja e këtyre të drejtave ndodh këtu, pranë këtij minoriteti. Pra e kërkon atë këtu dhe jo duke e eksportuar jashtë tij, qoftë edhe në Parlamentit Evropian. Së dyti, qëllimi i publikuar i Demokracisë së Re për kandidimin e tij, e identifikon Belerin me ekstremin e djathtë, madje me ndikim të rëndësishëm atje. Kjo e dëmton shumë minoritetin!” – thotë Barka për Deutsche Wellen.

Christopoulos: Beleri nuk doli nga hiçi

Për ekspertin e shkencave politike, të drejtave të njeriut dhe pakicave, Dimitris Christopoulos, njëkohësisht dekan i fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin “Panteion” në Athinë, shprehja: ‘Duhen dy vetë për të kërcyer tangon’, i përshtatet më së miri kësaj situate.

“Sigurisht që Mitsotakis mban përgjegjësitë e veta personale për përzgjedhjen e Belerit për në Parlamentin Europian, por ky vendim duhet parë në kontekstin e veprimeve të mëhershme të të dyja palëve. Nëse Beleri nuk do të ishte në burg, ai nuk do të ishte kurrë kandidat. Pra, nëse duam të jemi të drejtë për këtë çështje, atëherë askush nuk është i pafajshëm. Edhe pse të ndash përgjegjësitë nuk nënkupton që të dyja palët kanë të njëjtën dozë përgjegjësie. “Belerizimi” i marrëdhënieve greko-shqiptare është kryesisht nismë e Athinës. Dhe nëse duam të kuptojmë me të vërtetë se çfarë po ndodh sot në rajon, duhet të lexojmë në mënyrë të paanshme dhe pa pasione kombëtare se çfarë ka ndodhur në Himarë gjatë shekullit të kaluar dhe veçanërisht pas mbarimit të Luftës së Ftohtë. Himara u shndërrua në fushë-betejën e përplasjeve të nacionalizmit grek dhe atij shqiptar. Këtë po e paguajmë sot. Shqipëria duhet të pranojë që ka grekë në Himarë që kërkojnë pronat e tyre. Kjo nuk i vjen në ndihmë planit për ta kthyer Himarën në një parajsë mega-turistike, por nuk është fundi i botës. Beleri nuk doli nga hiçi. Nëse duam vërtet të kuptojmë se kush e bëri atë një figurë të fortë politike, atëherë themi të dyja palët, pala greke dhe pala shqiptare”.

Deutsche Welle kontaktoi edhe me përfaqësues të qeverisë dhe të opozitës greke për këtë çështje, por ata nuk iu përgjigjën kërkesës sonë për koment.

Gjyq juridik apo politik?

Që nga çastet e para pas arrestimit të Fredi Belerit në Himarë, nga vetë ai por dhe përfaqësues të pakicës greke në Shqipëri, është pretenduar për një proces të montuar politik. Këto pretendime janë hedhur vazhdimisht poshtë nga kryeministri Rama, i cili ka këmbëngulur se çështja “Beleri” i përket vetëm gjyqësorit.

“Ne tashmë nuk kemi më pretendime, por kemi prova shkresore dhe shkencore të dhëna nga vetë SPAK-u, që zt. Beleri është viktimë e një procesi politik të montuar dhe të manipuluar nga zt. Rama” -thotë Marin Suli. Sipas tij prokuroria ka falsifikuar dokumente dhe ka shkelur hapur ligjin. Besimi i vetëm që ata kanë, sipas Sulit, është gjykata e Strasburgut.

“Nëse kryeministri shqiptar do të donte që bota të besonte se kjo është një çështje gjyqësore, ai duhet të përmbahej me deklaratat që thoshte në televizion kundrejt Belerit, pak ditë para se Beleri të arrestohej. Unë nuk jam në pozitën për të ditur se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, por ajo që di është se praktika të tilla për të cilat u burgos kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, nuk janë të rralla në Shqipëri. Le flasim seriozisht … unë jam i fundit që do të thosha që kryetari i Bashkisë Himarë është i pafajshëm. Sidoqoftë në Shqipëri ka shumë të tillë që janë ende të lirë dhe të suksesshëm. Ky është problemi. Nga ana tjetër, Athina mban një përgjegjësi madhore për promovimin e një personi të tillë për të mbrojtur interesat e pakicave. Faji i dytë madhor i diplomacisë greke është pritshmëria që Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i respektojnë pretendimet e Athinës për këtë çështje. Por kjo nuk është kështu dhe tashmë jemi në një ngërç” – analizon profesor Christopoulos.

Për ish-diplomatin Çejku, akuza për blerje votash duhet hetuar e dënuar, por ai heq paralele me të kaluarën, kur personazhe të mazhorancës aktuale qeverisëse janë akuzuar për blerje votash në përmasa edhe më madhore, por nuk janë dënuar. “Mos vallë ai u kap pikërisht sepse “bleu pak vota”, ndërkohë që personazhe të tjera të mazhorancës “kanë blerë shumë vota” dhe ndoshta për këtë “meritë” as nuk hetohen as nuk dënohen? Në anën tjetër, gjykoj se Greqia u nxitua në përfshirjen dhe ndërhyrjen e saj, duke paragjykuar që në fillim hetimet dhe procesin gjyqësor. Athina duhej të mjaftohej me monitorimin e procesit dhe në fund, bazuar mbi fakte, të hartonte një raport mbi të gjitha pretendimet. Por, me reagimet e shpeshta emocionale, deklaratat politike në distancë, hetimi dhe gjykimi ndaj zt. Beleri ra në kurthin e një procesi juridik të paragjykuar e të politizuar. Se kush e politizoi më shumë këtë, do të jenë të tjerë që do ta analizojnë në të ardhmen, por ndërhyrjet pa takt të Athinës zyrtare nuk sollën asnjë dobi as për Belerin dhe as për klimën e marrëdhënieve mes dy vendeve”.

Ngërç i (pa) zgjidhshëm?

Për Panajot Barkën zgjedhja e Belerit do t’i ndërlikonte akoma më shumë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, sidomos në raport me Bashkimin Europian. “Beleri me tri dënime penale, dy për çështje etnike në të dy anët e kufirit dhe një tani për korrupsion zgjedhor, krijon njëhandikap ose një ngërç, jo lehtësisht të kapëcyeshëm”.

“Unë mendoj se çdo akt që minon demokracinë, lirinë e të drejtave të njeriut dhe Kushtetutën e vendit, vështirëson rrugën evropiane të Shqipërisë. Në rastin konkret janë të përfshira dhe shkeljet e rënda të një pjese të popullsisë që gëzon dy-shtetësinë, atë shqiptare dhe greke” – argumenton Marin Suli.

Megjithatë kryeministri Rama u shpreh i vendosur pak kohë më parë, kur u pyet për pengesat që Greqia mund të vendosë sërish për anëtarësimin e vendit në BE. “Nuk besoj se do të vazhdojë shqetësimi i Greqisë deri në 2030-ën dhe nëse do të mbetet kjo punë te Beleri, nami u bëftë, mos hyfshim kurrë në BE”.

“Gjatë viteve të fundit, sjellja greke ndaj shqiptarëve në Greqi dhe pakicës greke në Shqipëri ka provokuar dhe kultivuar një mungesë besimi tek pala shqiptare. Nuk hezitoj të them se Athina mbart një peshë më të lartë përgjegjësie në këtë përshkallëzim, duke qenë më e fortë dhe ajo nga e cila pritet më shumë maturi. Tashmë, pala shqiptare ndjen se ka fuqinë për të reaguar përmes krenarisë kombëtare. Unë e kuptoj, megjithatë duhet t’u kujtoj të dyja palëve se një krenari kombëtare me qëllim të mirë mund të shndërrohet lehtësisht në nacionalizëm dhe arrogancë të ashpër. Dhe këto nuk janë “këshillues” të mirë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Greqia dhe Shqipëria kanë gjithnjë e më shumë arsye të mira për të gjetur marrëveshje dhe për të nisur një kapitull të ri. Ka gjëra shumë më tepër të rëndësishme për t’u marrë në të ardhmen” – përfundon Christopoulos.

dw

 

Koalicioni VMRO-LVV – “nis ndryshimin”

Siljanovska SrebrenicaKoalicioni VMRO-LVV – “nis ndryshimin” me këndvështrimin e ri mbi rezolutën e Kombeve të Bashkuara që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

 

Rezoluta e Sebrenicës, Vuçiç i zhgënjyer nga Maqedonia e Veriut: Vota e saj më goditi fort, Greqia tregoi se është më shtyllë se Shkupi

Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se është zhgënyer nga mbështetja që Maqedonia e Veriut i dha rezolutës për Masakrën e Sebrenicës në mbledhjen e zhvilluar të enjten në Asamblenë Kombëtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sipas Vuçiç, vota “pro” që dha Maqedonia e Veriut në Asamble e ka goditur më fort, dhe diçka e tillë nuk ishte e drejtë, pasi sipas tij ai ka investuar më shumë në marrëdhëniet me vëllezërit maqedonas, ndërsa shton se Greqia tregoi se ishte më shumë shtyllë se Shkupi.

“Maqedonia e Veriut më goditi fort. Unë kam investuar më së shumti në marrëdhëniet me vëllezërit tanë maqedonas, por kjo nuk ishte e drejtë. Doli që Greqia ka më shumë shtyllë se Shkupi”,- tha presidenti Vuçiç.

Kujtojmë se të enjten e 23 majit, Asambleja e OKB-së votoi “pro” njohjes së rezolutës së Sebrenicës, e cila njeh 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Viktimave të Masakrës së Sebrenicës.

Rezoluta e Sebrenicës u miratua me 84 vota pro, 19 vende votuan kundër, ndërkohë që 68 abstenuan votën e tyre.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë. Për gjenocidin e kryer u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

 

 

Paga mesatare në Maqedoni, ndër më të ulëtat në rajon

denarPaga mesatare neto për muajin mars ishte 40.496 denarë. Ndërsa paga mesatare bruto ka arritur në 60.803 denarë. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, indeksi i pagës mesatare mujore neto e paguar për punonjësit në muajin mars, krahasuar me marsin e viti 2023, është rritur për 16%.

“Kjo rritje vjen kryesisht si rezultat i rritjes së pagës neto për punonjësve në sektorët: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (21.9%), Administratë publike dhe mbrojtje; sigurimet shoqërore të detyrueshme (21,3 %) dhe arsimi (20,5 %). Rritje e pagës mesatare mujore neto për punonjës, krahasuar me muajin e mëparshëm, është vërejtur në sektorët: miniera dhe gurore (7.8%), Objektet hotelierike dhe e shërbimit ushqimor (7.3%) dhe industria përpunuese (6.2%)”, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Por ku jemi ne me pagat në krahasim me vendet e rajonit. Statistikat thonë se jemi të fundit, por le ti referohemi shifrave, të cilat kanë publikuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë
Në Slloveni paga minimale 1,254 euro, ndërsa mesatarja 1,477euro;
Në Kroaci paga minimale 677 euro, ndërsa mesatarja 1,094 euro;
Në Bosnje paga minimale 317 euro, ndërsa mesatarja 1,046 euro;
Në Serbi paga minimale 432 euro, ndërsa mesatarja 797 euro;
Në Mal të Zi paga minimale 450 euro, ndërsa mesatarja 821 euro;
Shqipëri paga minimale 386 euro, ndërsa mesatarja 568 euro;
Në Maqedoni paga minimale 367 euro, ndërsa mesatarja 658 euro

Sipas të dhënave zyrtare, në vendin tonë ka 687,459 të punësuar përfshirë sektorin publik dhe atë privat. Në Entin për punësim figurojnë si kërkues aktiv, por pa punë 102,980 qytetarë. Nëse e kthejmë në përqindje numri i të papunëve të masës vitale të popullsisë arrin në 13%. alsat

Sot do të mbahet seanca konstituive e përbërjes parlamentare 2024-2028 në RMV

parlamentiSot në orën 11:00 në Kuvend duhet të fillojë seanca në të cilën duhet të konstituohet përbërja e re parlamentare. Në rendin e ditës të seancës janë katër pika, përkatësisht zgjedhja e Komisionit Verifikues, Verifikimi i mandateve të deputetëve të rinj, zgjedhja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, si dhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit. Seanca konstituive, sipas Rregullores së re, zgjat maksimumi tri ditë dhe Kuvendi konstituohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas njoftimeve për kryetar të Kuvendit do të propozohet Afrim Gashi nga Alternativa, pjesë e koalicionit Vlen.

Kuvendi do të ketë 120 deputetë, por në seancë pritet të marrin pjesë vetëm 118 për shkak se mandatet e tyre tashmë janë konfirmuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe atyre u janë lëshuar certifikatat. Procedurat e ankimimit janë ende në vazhdim për dy mandate që u rivotuan të mërkurën e kaluar.

Në përbërjen e re parlamentare

koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga OBRM-PDUKM ka  – 58 deputetë,

koalicioni Për një të ardhme evropiane të udhëhequr nga LSDM ka 18 deputetë,

koalicioni i Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI ka 18 deputetë .

koalicioni Vlen ka 14 deputetë ,

partia e Majtë 6 deputetë  dhe

ZNAM 6 deputetë.

“Politikanët e korruptuar mbrojnë grupet kriminale shqiptare”, çfarë zbuluan dokumentet e Home Office në gjyqin ndaj Berishës, The Times publikon detajet e operacionit britanik

SalaNjë operacion sekret britanik për të ndaluar bosët shqiptarë të krimit që veprojnë në Britaninë e Madhe po tenton të ekspozojë politikanët e korruptuar në vendin ballkanik.

Projekti i koduar Crime State Nexus (CSN) u lançua nga Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për të synuar politikanët ballkanikë me lidhje me krimin e organizuar, sipas The Times.

Qëllimi i projektit është të godasë kërcënimet nga grupet e krimit të organizuar dhe të mbrojë interesat e Britanisë në rajon.

Një dokument ligjor i Home Office përshkruan grupet shqiptare të krimit të organizuar si një “kërcënim akut” për Britaninë.

Sipas medias britanike, ata vlerësohen të jenë aktorë të rëndësishëm në tregun e kokainës në Mbretërinë e Bashkuar dhe krimin e rëndë e të organizuar në Britani, duke përfshirë trafikun e qenieve njerëzore dhe prostitucionin.

Në dokument statistikat tregojnë se shqiptarët përbëjnë një në tetë kriminelëve të huaj në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.

Projekti sekret është zbuluar në dokumentet e gjykatës nga një betejë ligjore mbi vendimin e qeverisë për të ndaluar ish-presidentin shqiptar Sali Berisha nga Britania e Madhe.

Sali Berisha, 79 vjeç, po apelon vendimin e marrë nga Priti Patel, kur ishte ministre e Brendshme, për ta përjashtuar atë nga Britania e Madhe në Komisionin Special të Apelimit të Emigracionit, me një vendim që pritet muajin e ardhshëm.

Dokumenti thotë se lidhjet midis politikës dhe krimit në Ballkanin Perëndimor krijojnë një “mjedis lejues në të cilin grupet kriminale shqiptare mund të veprojnë dhe të përfitojnë nga mbrojtja politike e politikanëve të korruptuar nga aktivitetet e zbatimit të ligjit”.

Kjo mbrojtje politike u ofron grupeve kriminale të krimit të organizuar rrugë shtesë për të pastruar paratë dhe u mundëson atyre të përdorin Shqipërinë si një “strehë të sigurt nga e cila mund të operojnë”, theksohet në dokumentin e Home Office.

Në këmbim, grupet kriminale do të ndihmojnë një politikan gjatë zgjedhjeve duke blerë vota dhe duke frikësuar votuesit, shtohet në dokumente sipas The Times.

Projekti synon të prishë këto lidhje duke koordinuar veprimet e MB-së kundër personave të ekspozuar politikisht (PEP) në politikën shqiptare.

“Kjo mund të sjellë ekspozimin e PEP-ve të korruptuar në mënyrë që të zvogëlohet besueshmëria e tyre midis publikut dhe elitës politike shqiptare, gjë që do të “demonstrojë pasojat ndërkombëtare dhe të brendshme të tolerimit të korrupsionit brenda partive politike”, tha Home Office.

Në dokument shtohet se: “Duke rritur kostot politike të përfshirjes në korrupsion, objektivi është të dekurajohen politikanët shqiptarë nga ofrimi i mbrojtjes politike për OQQ-të. Mbrojtja e reduktuar politike duhet t’i bëjë OCG-të më të cenueshme ndaj veprimtarisë së zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe të prishë modelin e tyre të biznesit.”

Qëllimet e tjera të CSN janë të forcojë demokracinë në Ballkanin Perëndimor, të zvogëlojë “perceptimin se kriminelët mund të veprojnë pa u ndëshkuar” dhe të forcojë reputacionin dhe besueshmërinë e Mbretërisë së Bashkuar si një partner në trajtimin e korrupsionit.

Berisha shërbeu si president i Shqipërisë midis 1992 dhe 1997 dhe më pas si kryeministër midis 2005 dhe 2013.

Ai është kreu i Partisë Demokratike kryesore të opozitës, por në dhjetor, një gjykatë shqiptare vendosi që ai duhet të dënohej në arrest shtëpie, ndërkohë që ai hetohej për keqpërdorim të detyrës për privatizimin e tokës publike për ndërtimin e 17 apartamenteve në dobi të dhëndrit të tij.

Berisha i ka mohuar akuzat dhe thotë se është një rast i politizuar i orkestruar nga Edi Rama, kryeministri aktual. Ai gjithashtu ka mohuar akuzat në Mbretërinë e Bashkuar për lidhje me

Duke mbrojtur vendimin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të përjashtuar Berishën nga vendi, Lisa Giovannetti KC, që përfaqëson Zyrën e Brendshme në këtë çështje në Komisionin Special të Apelit të Emigracionit, tha: “Sekretari i Shtetit kishte të drejtë të arrinte mendimin se aplikanti ‘ka qenë i përfshirë në krim të rëndë të organizuar dhe korrupsion dhe ka përdorur lidhjet e tij me grupet e krimit të organizuar dhe ata të përfshirë në kriminalitet për përfitimin e tij”.

Ajo shtoi: “Krimi i organizuar i rëndë në Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti në Shqipëri , ka pasur dhe vazhdon të ketë një ndikim negativ në Mbretërinë e Bashkuar. Vlerësimi taktik i Agjencisë Kombëtare të Krimit shpjegon se kapja shtetërore e institucioneve shqiptare minon aftësinë e saj për të luftuar krimin e rëndë të organizuar”.

Top Channel

Cilin drejtim po merr politika e BE për Lindjen e Mesme?

BorelNë BE ka pak zgjidhje të praktikueshme dhe të reja në lidhje me gjendjen në Izrael apo në territoret palestineze. A ndihmon njohja e një shteti të Palestinës nga gjithnjë e më shumë anëtarë të BE?

 

Që të arrihet paqja në Lindjen e Mesme, BE i mbetet besnike në plan afatgjatë zgjidhjes “me dy shtete”, pavarësisht luftës aktuale mes Hamasit dhe Izraelit. BE me këtë zgjidhje ka parasysh shtetin e Izraelit nga njëra anë dhe në anën tjetër shtetin palestinez në kufijtë, që u përcaktuan në vija të trasha para më shumë se 30 vjetësh në të ashtuquajturën ujditë e Oslos.

Josep Borrell, i ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme në takimin e ministrave të Jashtëm të BE të hënën (27.05. 2024) kujtoi edhe njëherë, se BE vërtet zyrtarisht i qëndron “zgjidhjes me dy shtete”, por kjo zgjidhje nga dita në ditë po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe ne duhet të flasim për këtë. “Kriza humanitare në Rripin e Gazës ka tani prioritet, tha kryediplomati i BE, por “nëse ne duam një zgjidhje afatgjatë politike, duhet që të angazhohemi më shumë.”

Rritet në 11 numri i njohjeve

Të gjitha vendet anëtare të BE e njohin shtetin e Izraelit. Territoret palestineze i njohin vetëm 9 vende. Nga e marta (28.05.) edhe Spanja dhe Irlanda e njohin një shtet palestinez, të përbërë nga Jordani Perëndimor, Jeruzalemi Lindor dhe Rripi i Gazës. Megjithatë nuk ka një qeveri të njësuar në këto rajone. Në Rripin e Gazës deri më tani ka sunduar Hamasi, që kategorizohet nga BE, SHBA, Gjermania e mjaft vende si organizatë terroriste.

Malta dhe Sllovenia kanë bërë të ditur, se duan të njohin si shtet Palestinën, sapo të jetë momenti i duhur. Belgjika vendosi që eri në një moment tjetër të mos i njohë si shtet territoret palestineze, bëri të ditur ministrja e Jashtme, Lahbib. Shumica e vendeve të tjera anëtare të BE, po ashtu si Britania e Madhe dhe SHBA nuk e njohin shtetin palestinez. Vendet lindore, anëtare të BE, nga Polonia deri tek Bullgaria e kanë njohur Palestinën si shtet që në fund të viteve 80-të, kur ishin pjesë e bllokut lindor, që ndodhej në anën propalestineze. Edhe RDGJ e kishte njohur Palestinën si shtet me të drejta të plota. Me fundin e Republikës Demokratike Gjermane më 3 tetor 1990 dhe bashkimin me Republikën Federale kjo njohje u shua.

 

Gjermania, Franca, Italia presin

Shumica e vendeve të BE, mes tyre edhe Gjermania duan të njohin një shtet palestinez, kur të sundojë paqja dhe kur këtë hap ta bëjë edhe Izraeli. Një hap që duket gjithnjë e më shumë i pamundur. Qeveria e kryeministrit, Benjamin Netanjahu, e refuzonte që para luftës aktuale kundër Hamasit një zgjidhje me dy shtete. Grupi terrorist i Hamasit nga ana e tij e refuzon plotësisht shtetin e Izraelit dhe ka shpallur si qëllim shfarosjen e shtetit hebre.

“Ne e mbështesim krijimin e një shteti palestinez, por shteti palestinez duhet të njohë Izraelin dhe të njihet nga Izraeli. Me siguri nuk mund të ketë shtet palestinez që drejtohet nga Hamasi, që është një organizatë terroriste”, tha ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, që drejton aktualisht edhe grupin e shtatë vendeve më të industrializuara, G7.

Ministrat e Jashtëm të BE ishin të një mendimi në takimin e Brukselit, se para së të fillojë angazhimi serioz për zgjidhjen me dy shtete, duhet të marrë fund konflikti i përgjakshëm mes Hamasit dhe Izraelit. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock kërkoi sërish një ndërprerje humanitare të luftimeve në Gaza, “për t’i dhënë fund vuajtjes së pengjeve të marra, për t’i dhënë fund vuajtjes së njerëzve në Gaza.” Pas sulmit terrorist të Hamasit kundër Izraelit, gjatë të cilit Hamasi vrau 1200 vetë, dhe mori 250 pengje, ushtria izraelite filloi një aksion shumë të zgjeruar ushtarak, për të shkatërruar pozicionet e Hamasit në Rripin e Gazës.

Injorim i udhëzimit të gjykatës – çfarë nënkupton kjo?

Por një ndërprerje e luftimeve është ende larg. Hamasi ka qëlluar sërish me raketa nga Rripi i Gazës në Tel Aviv. Ushtria izraelite bombardoi në Rafah ku u godit edhe një kamp refugjatësh, me pasojë vdekjen e 35 vetëve sipas të dhënave palestineze. “Të dyja palët nuk i respektojnë udhëzimet e Gjykatës Ndërkombëtare”, tha i ngarkuari i BE për politikën e Jashtme, Borrell. “Kjo është një dilemë e vërtetë. Çfarë mund të bëjë bashkësia ndërkombëtare që vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të zbatohen?” Me këtë pyetje Borrell iu drejtua ministrave të Jashtëm të BE. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës të premten me kërkesë të Afrikës së Jugut, kërkoi nga Izraeli të ndalojë menjëherë oparacionin ushtarak në Rafah dhe të lejojë më shumë ndihma humanitare.

 

Ministrja e Jashtme e BE, Baerbock flet për shumë vende anëtare kur thotë. “Masat e përkohshme të Gjykatës Ndërkombëtare janë të detyrueshme, dhe duhet natyrisht që të vihen në zbatim. Ne po shohim të kundërtën. Ka pasur goditje të tjera me raketa nga Hamasi. Në të njëjtën kohë shohim, se nuk sjell asnjë lloj përfitimi për sigurinë e Izraelit, kur asnjë nga pengjet nuk lirohet dhe kur njerëzit digjen në çadra.”

Baerbock iu referua me këtë sulmit të Izraelit në Rafah të dielën, ku u godit edhe një kamp refugjatësh. Rastin po e shqyrton tani edhe Prokuroria e Izraelit. “E drejta ndërkombëtare vlen për të gjithë. Kjo vlen edhe për luftimet izraelite”, tha Baerbock. Ministri i Jashtëm italian, Tajani kujtoi se edhe Hamasi e shkel të drejtën ndërkombëtare, duke i fshehur pozicionet e veta në mesin e popullsisë civile. Hamasi i instrumentalizon njerëzit në Rafah. “Izraeli duhet të tërhiqet në një grackë mediale.”

“Jo antisemitizëm i kryeprokurorit”

I ngarkuari i BE për politikën e Jashtme, Josep Borrell ushtroi kritikë të ashpër ndaj qeverisë izraelite. Njoftimi, se nuk do të respektohen aspak udhëzimet e Gjykatës Ndërkombëtare nuk pranohet, tha ai. Borrell kërkoi që të trajtohet me respekt jo vetëm Gjykata Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara, që është përgjegjëse për shtetet, por edhe Gjykata Ndërkombëtare që është përgjegjëse për persona të veçantë.

 

 

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë ndër të tjera ka aplikuar për urdhërarrest edhe kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu për dyshimin për krime lufte. “Ne duhet të lemë gjykatën të vendosë, pa fyerje, se çfarë mendon për kërkesën e kryeprokurorit. Për fat të keq ky nuk është rasti. Kryeprokurori fajësohet për antisemitizëm, gjë ndodh gjithmonë, kur ka diçka që qeveria e Nentanjahut nuk e pëlqen. Akuza e antisemitizmit kundër prokurorit këtu nuk mund të pranohet aspak,” tha Borrell.

dw

Bashkimi Evropian dhe Izraeli, luftë fjalësh në prag të njohjes së shtetit palestinez nga Spanja dhe Irlanda

PalestinaMarrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Izraelit u përkeqësuan të hënën, në prag të njohjes së shtetit palestinez nga vendet anëtare të BE-së, Irlanda dhe Spanja dhe këmbënguljes të Madridit që ndaj Izraelit të vendosen sanksione pas sulmit të përgjakshëm në Rafah.

Si kundërpërgjigje ndaj këtij propozimi, ministri i Jashtëm izraelit Israel Katz njoftoi autoritetet spanjolle se nuk do të lejojë më ofrimin e shërbimeve për palestinezët në konsullatën spanjolle në Jerusalem.

Ndërkohë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell përkrahu plotësisht Gjykatën Ndërkombëtare Penale, prokurori i së cilës kërkon lëshimin e një urdhër-arresti për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe persona të tjerë, përfshirë udhëheqësit e grupit militant Hamas.

“Prokurori i gjykatës është shantazhuar dhe akuzuar për anti-semitizëm – si gjithnjë kur dikush ndërmerr ndonjë veprim që nuk i pëlqen qeverisë së Netanyahut,” deklaroi zoti Borrell. “Fjala antisemitizëm është shumë e rëndë. Është shumë e rëndësishme”.

Fjalë të rënda u shkëmbyen të hënën. Ministri izraelit Katz akuzoi Spanjën se “po shpërblen terrorizmin” duke njohur shtetin palestinez dhe duke thënë se “ditët e Inkuizicionit kanë marrë fund”. Ai iu referua një politike famëkeqe spanjolle të shekullit 15 që i detyroi hebrenjtë dhe myslimanët të largoheshin nga Spanja, të konvertoheshin në katolicizëm, apo në disa raste të përballeshin me vdekjen.

“Askush nuk do të na detyrojë të konvertojmë fenë tonë apo të kërcënojë ekzistencën tonë – ata që na dëmtojmë, do t’i dëmtojmë”, tha zoti Katz.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares i kritikoi këto komente dhe tha se homologët e tij nga Irlanda dhe Norvegjia, që nuk është anëtare e BE-së, “ishin pre e provokimeve plotësisht të pajustifikuara dhe të papranueshme nga kolegët izraelitë” për shkak të planeve të tyre për ta njohur shtetin palestinez.

“Uniteti i evropianëve është thelbësor për të dërguar një mesazh shumë të fuqishëm përballë atyre që duan të na përçajnë përmes propagandës shantazhuese”, tha ai.

Ndonëse BE-ja dhe shtetet anëtare të saj e kanë dënuar fuqishëm sulmin e Hamasit më 7 tetor kur u vranë 1,200 njerëz dhe u morën peng 250 persona, blloku po ashtu ka kritikuar njësoj edhe ofensivën e Izraelit si kundërpërgjigje ndaj sulmit, që ka lënë mbi 35,000 palestinezë të vrarë, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, që nuk bën dallimin midis civilëve dhe personave të armatosur.

Ministri spanjoll Albares tha se Spanja dhe shtetet e tjera kanë kërkuar nga zoti Borrell “listën e masave që BE-ja mund t’i zbatojë” për ta shtyrë Izraelin që të respektojë vendimin e GJND-së dhe të shpjegojë se çfarë ka bërë në situata të ngjashme në të kaluarën “kur kishte shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar”.

Spanja, Irlanda dhe Norvegjia planifikojnë ta bëjnë zyrtar vendimin e tyre për ta njohur shtetin palestinez të martën. Vendimi i tyre i përbashkët për një hap të tillë nxiti një kundërpërgjigje të ashpër nga Izraeli, duke thirrur ambasadorët e këtyre vendeve në Ministrinë izraelite të Punëve të Jashtme në Tel Aviv, ku ata u filmuan ndërkohë që po shikonin pamjet e sulmit të Hamasit me 7 tetor dhe rrëmbimin e pengjeve.

Ndonëse dhjetëra vende e kanë njohur shtetin palestinez, asnjëra nga fuqitë perëndimore nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe mbetet e paqartë se sa do të ndikojë në praktikë vendimi i tre shteteve. Njohja, megjithatë, është një arritje e rëndësishme për palestinezët, të cilët besojnë se ky veprim i jep legjitimitet ndërkombëtar betejës së tyre.

Ministri Albares kritikoi trajtimin e ambasadorëve evropianë nga ana e Izraelit. “Kundërshtojmë diçka që nuk është pjesë e kortezisë diplomatike dhe rregullave të Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike”, tha ai.

“Por njëkohësisht duhet të pajtohemi që nuk do të biem pre e provokimeve që na largojnë nga qëllimi ynë”, shtoi ai. “Qëllimi ynë është të njohim shtetin e Palestinës nesër, të bëjmë të gjitha përpjekjet për të arritur një armëpushim të përhershëm sa më shpejt që është e mundur dhe që gjithashtu, në fund, të arrijmë paqen e plotë”.

voa

Stoltenberg: Sulmi i Rusisë në Ukrainë, në shkelje të ligjit ndërkombëtar

StoltenbergSekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se Rusia shkeli ligjin ndërkombëtar duke sulmuar Ukrainën dhe se Kievi ka të drejtën të vetëmbrohet dhe vendet e NATO-s kanë të drejtën ta ndihmojnë atë. Zoti Stoltenberg foli gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Bullgarisë, ku po mbahet sesioni i pranverës i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

“Sulmi i Rusisë në Ukrainë është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar. Sipas ligjit ndërkombëtar, Ukraina ka të drejtën të mbrohet. Vetëmbrojtja është e sanksionuar në Kartën e OKB-së, vetëmbrojtja sanksionohet në ligjin ndërkombëtar. Pra, Ukraina ka të drejtën të mbrohet nga sulmi rus. Ne kemi të drejtën si vende aleate në NATO që ta ndihmojmë Ukrainën të ushtrojë të drejtën për vetëmbrojtje”, tha zoti Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s gjithashtu tha se qeveritë e vendeve të NATO-s duhet të rishikojnë kufizimet që i kanë vendosur Ukrainës për përdorimin e armatimeve që i dërgojnë.

“Disa nga aleatët i kanë hequr kufizimet, të tjerët jo. Mesazhi im është se mendoj që duhet t’i rishqyrtojmë këto kufizime, pasi duke patur kufizime të tepruara po ua lidhim njërën dorë forcave ukrainase. Kufizimet ulin kapacitetet që të mbrohen. Sërish, këto janë vendime të vendeve anëtare dhe jo të NATO-s dhe ka kufizime të ndryshme për lloje të ndryshme armësh. Nuk them se nuk duhet të ketë fare kufizime në të ardhmen, por them se duhet t’i rishqyrtojmë kufizimet në veçanti duke patur parasysh luftimet që po bëhen tani në rajonin Kharkiv, ku rusët mbrohen duke qëndruar pas vijës së kufirit që është pothuajse i njëjti me vijën e frontit”, tha zoti Stoltenberg.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjendet ndërkaq në një vizitë në Spanjë. Ky vend do të angazhohet nëpërmjet një marrëveshje dypalëshe sigurie që ta furnizojë Ukrainën me armatime me vlerë 1.23 miliardë dollarë.

Zoti Zelensky u bëri thirrje më herët vendeve partnere që dënimi ndërkombëtar i sulmeve vdekjeprurëse të Rusisë në Kharkiv të sjellë edhe pasojat e duhura për forcat ruse.

“Është e rëndësishme që partnerët tanë të kenë vendosmërinë e duhur për mbrojtje parandaluese ndaj terroristëve rusë, njësoj siç do të godisnin çdo terrorist tjetër – duke i shkatërruar përpara se të fillojnë të marrin jetë njerëzish”, tha ai.

Presidenti ukrainas duket se iu referua kufizimeve të vendosura nga vende aleate si Shtetet e Bashkuara, që ia ndalojnë Ukrainës përdorimin e armëve amerikane për të goditur objektiva brenda territorit të Rusisë.

voa

Blloqet e baltës ‘bateri ‘që magazinojnë nxehtësi

bateriNjë firmë në Kaliforni thotë se mund të ndihmojë në uljen e ndotjes nga dioksidi i karbonit në fushën e manifakturës duke përdorur atë që e quan bateri prej balte. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Matt Dibble, njofton se në vend që të ruajë energji elektrike, e ashtuquajtura bateri e rrallë, ruan nxehtësi.

Energjia e ripërtëritshme po bëhet më e lirë se energjia e përftuar nga lëndët fosile. Por përparimet në fushën e energjisë së pastër kanë ngecur në një fazë ku mund të ndihmojnë më së shumti, në manifakturë.

Faza e prodhimit kërkon ngrohje të vazhdueshme, në disa raste për 24 orë në ditë, thotë për Zërin e Amerikës John O’Donnell, shef i firmës Rondo Energy.

“Sektori i prodhimit zë vendin e parë për konsumin e energjisë në botë. Nxehtësia e përdorur për prodhimin e sendeve është sa një e katërta e të gjithë qymyrit, naftës dhe gazit natyror në botë”.

Energjia elektrike e përftuar nga era dhe dielli tjetërsohet në nxehtësi të qëndrueshme në atë që kompania e zotit O’Donnell, e quan bateri të nxehtësisë. Këto blloqe balte kanë brenda tyre rezistenca sikurse furnelat elektrike.

“Na lindi ideja se si mund ta shfrytëzojmë këtë material të përdorur për 200 vjet dhe ta ndërthurim me materiale të shekullit të 19 që të ndërtojmë një infrastrukturë energjetike për shekullin e 21-të”, thotë zoti O’Donnell.

Kjo furnelë elektrike gjigande nxeh format komplekse të blloqeve në mënyrë të barabartë dhe kjo nxehtësi magazinohet për ditë të tëra.

“Ky bllok ruan po aq energji sa bateria e makinës Tesla X. Me rreth 3 mijë blloqe formojmë një bateri të vetme ngrohje”.

Këto blloqe të nxehta mund ta ngrohin ajrin në mbi 1000 gradë Celsius dhe mund të përdoren nga kompanitë që prodhojnë ushqime, karburant etj. Bateria e parë e nxehtësisë u përdor në vitin 2023 nga një fabrikë biokarburantesh në Kaliforni.

“Zëvendësimi i djegies me erën dhe diellin përgjysmon emetimet e karbonit në procesin e prodhimit të biokarbureve”, thotë zoti O’Donnell.

Blloqet prodhohen në shkallë të gjerë në një fabrikë në Tajlandë.

Me planet për të ndërtuar fabrikën më të madhe në botë të baterive të këtij lloji, dhe një marrëveshje me prodhuesin kryesor të energjisë së ripërtëritshme EDP, për të siguruar ngrohje industriale me zero karbon, blloqet e firmës Rondo mund të jenë gati të shkëlqejnë.

voa