Vuçiq pati takim sekret me kryekriminelin Radoiçiq në Kragujevc

Vucic Radoiciq

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në fillim të këtij muaji është takuar me kryekriminelin Milan Radoiçiq.

 

Sipas burimeve të RTK-së brenda organeve të sigurisë së Kosovës, takimi ka ndodhur gjatë vizitës që presidenti serb ka pasur në qytetin e Kragujevcit, në fillim të muajit korrik. Sipas burimeve, në këtë takim është diskutuar për tema të ndryshme, përfshirë mbështetjen e grupit kriminal të Milanit Radoiçiqit, për protestat e mundshme, për opozitën në Serbi si dhe shkaktimin e incidenteve/sulmeve në veri të Kosovës.

Sipas këtyre burimeve për shkak të presionit ndërkombëtar, takimi është tentuar të mbahet sekret. Vuçiq dhe Radoiçiq, janë pajtuar që me raste të kritikojnë njëri-tjetrin në qarqe të caktuara, për të kamufluar bashkëpunimin e afërt që e kanë.

Thuhet se Vuçiq i ka konfirmuar Radoiçiqit fuqizimin e mbështetjes së shtetit dhe të institucioneve të Serbisë për vazhdim të aktiviteteve të tyre, ndërsa Radoiçiq ka shprehur edhe një herë besnikërinë ndaj Vuçiqit.

Përndryshe, grupi paramilitar i Milan Radoiçiqit, kohët e fundit ka përqendruar aktivitetet e veta në zonën e Novi Pazarit, ku janë shtuar lëvizjet e tyre në lokacionet e afërta si Banja e Novi Pazarit, Vuçja Llokva, Ribariqi dhe Rogozna.

Gjithnjë sipas burimeve të RTK-së brenda institucioneve të sigurisë, Milan Radoiçiq së fundmi është takuar edhe me disa eprorë të Policisë së Serbisë, me të cilët ka diskutuar “tema të sigurisë” dhe ka kërkuar mbështetjen për grupin e tij, derisa vazhdon të ketë takime të rregullta edhe me zyrtarë të BIA-s serbe.

Do theksuar se institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare të sigurisë, në vazhdimësi kanë paralajmëruar mundësinë e provokimeve dhe sulmeve të tjera nga grupi i Milan Radoiçiqit, i cili po kryen trajnime të vazhdueshme dhe po strehohet në Serbi.

Të dielën, në afërsi të Liqenit të Ujmanit, pati një sulm me mjet shpërthyes, ku u dëmtuan dy automjete që ishin të parkuara. Ky sulm, sipas burimeve të RTK-së, kishte për qëllim kërcënimin dhe frikësimin e qytetarëve që po kalonin fundjavën në këtë liqen.

rtk

Zyrtarët demokratë dhe donatorët mbështesin zonjën Harris pas tërheqjes së zotit Biden nga gara presidenciale

Harris

Koha duket se është në anën e nënpresidentes amerikane Kamala Harris të hënën, pasi një numër i madh ligjvënësish demokratë, guvernatorësh dhe dhuruesish financiarë shprehën mbështetjen e tyre që ajo të jetë kandidatja presidenciale e partisë në zgjedhjet e nëntorit, pasi presidenti Joe Biden shpalli të dielën vendimin për t’u tërhequr nga gara.

 

Presidenti Biden pak pas njoftimit të befasishëm të dielën, i shprehu mbështetjen zonjës Harris si kandidate të partisë për t’u përballur me ish presidentin Donald Trump, kandidatin e Partisë Republikane.

Zonja Harris, e cila është 59 vjeçe, njoftoi shpejt se do të kërkonte emërimin. Ajo ishte senatore nga shteti më i populluar i vendit, Kalifornia, kur zoti Biden e zgjodhi në 2020 si kandidate për postin e nënpresidentes.

Vlerësimet rreth saj në anketat kombëtare kanë pasqyruar në masë të madhe ato për presidentin, por disa anketa të votuesve të mundshëm tregojnë se zonja Harris qëndron pak më mirë se zoti Biden përballë zotit Trump dhe në disa, ajo ka dalë përpara ish presidentit Trump.

Zonja Harris tha në një deklaratë se presidenti Biden, duke u tërhequr nga gara kundër zotit Trump, “po bën atë që ka bërë gjatë gjithë jetës së tij, duke vënë popullin amerikan dhe vendin tonë mbi çdo gjë tjetër”.

“Unë do të bëj gjithçka që është në dorën time për të bashkuar Partinë Demokratike dhe për të bashkuar kombin tonë, për të mposhtur Donald Trumpin”, tha ajo. “Kemi 107 ditë deri në ditën e zgjedhjeve. Së bashku, ne do të luftojmë. Dhe së bashku do të fitojmë”.

ActBlue, platforma kryesore e demokratëve për mbledhjen e fondeve, tha të dielën vonë se kishte mbledhur 46.7 milionë dollarë në donacione të vogla për fushatën e zonjës Harris vetëm gjatë ditës së djeshme. Kjo e dhënë paraqet një ndryshim të madh krahasuar me javët e zbehjes së mbështetjes për zotin Biden, veçanërisht midis dhuruesve kryesorë, pas paraqitjes së tij në një debat në fund të qershorit përballë zotit Trump.

Shumë zyrtarë ta lartë demokrat mbështetën zonjën Harris, përfshirë të paktën një anëtar të kabinetit të zotit Biden, Sekretarin e Transportit Pete Buttigieg, i cili tha se do të bënte “gjithçka që mundem” për të ndihmuar zgjedhjen e saj.

Nëse zonja Harris zgjidhet nga partia për të zëvendësuar zotin Biden, ajo do të ishte gruaja e parë i dhe gruaja e parë afrikano-amerikane dhe me origjinë nga Azia Jugore si kandidate presidenciale në historinë 248-vjeçare të Shteteve të Bashkuara.

Njoftimi i zotit Biden të dielën pasoi shtimin e thirrje brenda Partisë Demokratike që i kërkonin atij të “kalojë pishtarin” tek dikush tjetër, mes rënies së numrave në anketat kombëtare dhe shqetësimeve të ngritura pas paraqitjes së tij në debat me zotin Trump. Gjatë atij debati, presidenti 81-vjeçar shpesh dukej se humbiste fillin e mendimit, nuk arriti t’i kundërvihej me forcë 78 vjeçarit Donald Trump ose të mbronte mandatin e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Biden ngulmoi, duke theksuar se nuk do të hiqte dorë nga gara përveç nëse “Zoti i Plotfuqishëm” nuk e kërkonte një gjë të tillë, ose nëse do t’i tregoheshin numrat e anketave që tregojnë se nuk mund ta mposhtë Trumpin për herë të dytë ose nëse do të këshillohej nga mjekët e tij se nuk ishte fizikisht në gjendje të vazhdojë garën.

“Besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që unë të tërhiqem dhe të përqendrohem vetëm në përmbushjen e detyrave të mia si president për pjesën e mbetur të mandatit tim”, tha ai në një deklaratë të dielën. Mandati i tij përfundon në muajin janar.

Presidenti Biden tha se planifikon t’i drejtohet kombit lidhur me vendimin e tij, më vonë gjatë javës.

Ish presidenti Trump reagoi ndaj njoftimit duke sulmuar zotin Biden dhe zonjën Harris. Në një postim në median e tij Truth Social, ai tha se presidenti Biden “nuk është i përshtatshëm për të kandiduar për president dhe sigurisht që nuk është i përshtatshëm për të shërbyer (në këtë detyrë)”. Ai tha se zonja Harris është edhe më keq se zoti Biden.

“Harris do të jetë më e lehtë për t’u mposhtur sesa do të kishte qenë Joe Biden”, tha ish presidenti Trump për rrjetin CNN.

Shumë republikanë reaguan duke kërkuar që zoti Biden të jap dorëheqjen si president.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili është i dyti në linjën e pasuesve presidenciale pas zonjës Harris, i bëri thirrje presidentit Biden të japë dorëheqjen, duke pretenduar që nëse ai nuk është i përshtatshëm për të mbajtur gjallë kandidaturën e tij për një mandat tjetër katërvjeçar, nuk është gjithashtu i përshtatshëm për të qëndruar si president deri më 20 janar.

Nëse zoti Biden do të jepte dorëheqjen, zonja Harris do të betohej menjëherë si presidente, të paktën deri në inaugurimin e fituesit të zgjedhjeve të nëntorit.

Emra të demokratëve të tjerë të shquar janë përmendur si kandidatë të mundshëm përveç zonjës Harris, duke përfshirë disa guvernatorë shtetesh si Gretchen Whitmer nga Miçigani, Josh Shapiro nga Pensilvania, J.B. Pritzker nga Illinoisi dhe Gavin Newsom nga Kalifornia. Josh Shapiro dhe Gavin Newsom mbështetën zonjën Harris të dielën.

Ish presidenti Bill Clinton dhe zonja Hillary Clinton, e cila shërbeu si Sekretare e Shtetit në administratën e presidentit Barack Obama, mbështetën zonjën Harris në një deklaratë. Ish presidenti Obama, me të cilin zotin Biden shërbeu si nënpresident për tetë vjet, falënderoi zotin Biden për patriotizmin e tij, por nuk tregoi nëse ai do mbështeste zonjën Harris ose ndonjë pretendent tjetër të mundshëm.

Raportet e mediave në orët e para pas tërheqjes së zotit Biden, cituan burime të afërta me senatorin Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore, tani një i pavarur, duke thënë se ai po shqyrtonte ribashkimin me Partinë Demokratike në përpjekje për të zëvendësuar presidentin si kandidat i partisë.

Ka dy mënyra se si demokratët mund ta zëvendësojnë zotin Biden.

Njëra do të ishte një votim virtual i delegatëve të Kuvendit Kombëtar Demokratike, që do të përcaktonte një kandidat të ri në fillim të gushtit. Shanset janë që ky proces do të favorizonte zonjën Harris, për të shmangur konfliktin në Kuvendin që mbahet në Çikago nga 19 deri më 22 gusht.

Mënyra tjetër se si demokratët mund të zgjidhnin një kandidat të ri do të ishte një kuvend “i hapur” në të cilën disa kandidatë, përfshirë zonjën Harris, do të kërkonin emërimin presidencial, një skenar që partia nuk e ka përjetuar që nga viti 1968, kur presidenti Lyndon Johnson hoqi dorë nga planet e tij për të kandiduar përballë kundërshtimit të gjerë ndaj trajtimit të tij të luftës së Amerikës kundër Vietnamit të Veriut.

Disa demokratë po propozojnë që partia të mbajë shpejt një palë “mini zgjedhje paraprake” për të mundësuar që zonja Harris dhe kushdo tjetër, të konkurrojnë hapur.

 

*Disa pjesë të këtij artikulli u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters.

Kush do ta zëvendësojë Bidenin si kandidat i demokratëve?

Biden dw

Pas tërheqjes së Joe Biden nga gara për president, shtrohet pyetja se kë do të zgjedhin demokratët për të kandiduar kundër Trumpit.

 

Pasi presidenti amerikan Biden njoftoi tërheqjen e tij nga fushata zgjedhore, demokratët duhet caktojnë një kandidat tjetër për t’u futur në garë dhe për t’u përballur me Trumpin në muajin nëntor. Gjasat më të shumta i ka Kamala Harris, por ka alternativa të tjera.

 

Kamala Harris

59-vjeçarja, personi i dytë në hierarki pas Bidenit, është zgjedhja më e mundshme si kandidaturë e demokratëve. Në vitin 2020 ajo hyri në histori si gruaja e parë, personi i parë me ngjyrë dhe personi i parë me origjinë indiane që merr postin e zëvendëspresidentit amerikan.

Por gjatë qëndrimit të saj në Shtëpinë e Bardhë, Harris e ka pasur të vështirë të zerë vend si udhëheqëse politike e pavarur nga Bideni. Në ditët e hershme të administratës së Bidenit, ajo u ngarkua me drejtimin e përgjigjes që Amerika i jep migracionit masiv që vjen nga Amerika Latine.

Ajo dështoi krejtësisht në uljen e migracionit dhe fushata zgjedhore e Trumpit është duke e përdorur këtë gjë kundër saj.

Që nga viti 2023 Harris ka qenë duke krijuar profilin e saj si zë për të drejtat e riprodhimit, madje duke u kthyer në zëvendëspresidentin e parë në histori që viziton një klinikë aborti, vizitë që e zhvilloi marsin e këtij viti. Identiteti i saj gjinor dhe trashëgimia mund ta ndihmojë të sigurojë më shumë mbështetje nga votuesit femra, me ngjyrë, dhe nga Azia Juglindore. Në të njëjtën kohë, karriera e saj si prokurore në Kaliforni e bën atë të jetë e hapur ndaj sulmeve që vijnë nga një pjesë e të majtës, akuza që mund të përmblidhen më mirë nën slloganin “Kamala është një police”, akuza që e ndoqën gjatë kandidimit të saj në garën presidenciale të vitit 2019.

 

Gretchen Whitmer

Guvernatoja e Michiganit, Gretchen Whitmer është 52 vjeç dhe me pushtet legjislativ në Partinë Demokratike. Ajo ka vënë në jetë disa politika progresive në shtetin e saj, përfshirë kredi më të mëdha taksore për familjet me të ardhura të pakta, mbrojtje më të madhe për grupet LGBTQ+, disa masa për kontrollimin e armëve, dhe sigurimin e fondeve për t’i bërë më ekologjike firmat e automobilëve me bazë në Detroit.

Në vitin 2020, ajo u përball me një komplot të një grupi të krahut të djathtë, të cilët e rrëmbyen dhe e nxorrën para”gjyqit” për gjoja tejkalim kompetencash, në lidhje me masat e marra për vendosjen e shtetrrethimit gjatë COVID-19 në Miçigan.

Vetëm nëntë ditë pas arrestimit të komplotistëve, Trump mbajti një miting në Miçigan ku tregoi edhe një here qëndrimin e tij kritik ndaj politikës që Whitmerit ka përdorur gjatë pandemisë, duke u thënë mbështetësve të tij “futeni brenda”.

Whitmer ka ende popullaritet në Miçigan, një shtet ku të dy partitë kryesore kanë mbështetje gati të njëjtë, dhe pritet të kandidojë për presidente në vitin 2028. Duke ndjekur debatin aktual Trump- Biden, sipërmarrja mediatike, Politico citoi një burim që nuk e thotë emrin, sipas të cilit Whitmer është ankuar duke thënë se Bideni nuk do të jetë në gjendje të fitojë në Miçigan.

Whitmer e hodhi poshtë këtë pretendim si të gabuar. “Unë jam krenare të mbështes Joe Bidenin në kandidimin e tij dhe jam 100 përqind krah të tij në luftën për të mposhtur Donald Trumpin,” tha ajo në një deklaratë.

 

Gavin Newsom

Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom e mbrojti me shpejtësi Bidenin në debatet që pasuar dhe nuk u mor me thirrjet për të hequr dorë. “Ju nuk i ktheni kurrizin (kandidatit tuaj) për shkak të një aktiviteti. Çfarë lloj partie e bën këtë gjë?” i tha Newsom kanalit televiziv amerikan, MSNBC.

Sidoqë të jetë, Newsom përmendet shpesh si pasardhës i mundshëm nëse Bideni heq dorë. 56-vjeçari ka punuar në biznes dhe ka shërbyer si Kryetar Bashkie i San Franciskos, para se të zgjidhej dhe rizgjidhej guvernator i Kalifornisë, shtetit më të populluar dhe më të pasur të Amerikës.

Por lidhjet e biznesit të Newsomit dhe karriera politike mund të përdoren kundër tij nga fushata e Trumpit, sidomos për çështjen e rritjes së numrit të të pastrehëve në shtetin e tij dhe shtimin e vjedhjeve nëpër dyqane në San Francisko.

 

JB Pritzker

Guvernatori i Ilinoisit, Jay Robert “JB” Pritzker ka lindur në një nga familjet më të pasura të botës. 59-vjeçari është trashëgimtar i pasurisë së Hoteleve Hyatt dhe ka një rrjet me vlerë prej rreth 3,5 miliardë dollarësh (2.78 miliardë euro), siç vlerëson revista e bizneseve, Forbes.

Pritzker ka kohë që e përdor pasurinë e tij për të mbështetur Partinë Demokratike dhe fushatën e tij të kandidimit. Në vitin 2008, ai i diskutoi ambiciet politike në një bisedë telefonike me ish-guvernatorin e atëhershëm, tashmë të larguar të Ilinoisit, Rod Blagojevichin. Pritzker nuk pranon të ketë bërë ndonjë gabim në këtë çështje.

Miliarderi u bë guvernator i Ilinoisit në vitin 2018. Që nga ajo kohë ai ka punuar me politika progresive në kontrollimin e armëve, të drejtat e LGBTQ+, të drejtat e riprodhimit, imigracionin, dhe rrogën minimale.

Duke ndezur më shumë garën presidenciale midis Trumpit dhe Bidenit, Pritzker kritikoi ashpër kandidatin republikan, duke e goditur atë si “fajtor të dënuar, përdhunues që ka përfunduar në gjyq dhe si gënjeshtar të lindur.”

Pritzker e ka quajtur Trumpin po ashtu „racist, seksist, narcist mizogjen që kërkon të përdorë pushtetin për të pasuruar veten dhe për të goditur këdo që guxon të thotë një fjalë kundër tij.”

Trump u përgjegj me sjelljen e tij tipike fëmijërore duke e quajtur Pritzkerin “të lerosur” dhe “buf,” dhe tha se governatori i Ilinoisit ka qenë “emocional” në drejtimin e biznesit familjar.

 

Pete Buttigieg

Ministri aktual i Transportit, Pete Buttigieg ka qenë një figurë politike që nuk binte në sy para se të kandidonte për president në vitin 2022 dhe të siguronte më pas një vend në administratën e Bidenit. Por karriera e tij politike ka qenë më mbresëlënëse se kaq: Mbas përfundimit të studimeve në Harvard, Buttigieg vazhdoi studimet në Oksford, dhe punoi në kompaninë e këshillimeve, McKinsey. Karriera e tij tetëvjeçare me marinën e SHBA, përfshijnë gjashtë muaj në Afghanistan, si oficer i shërbimeve sekrete.

Ai u bë kryetar Bashkie në South Bend, një qytet i vogël në shtetin e Indianas, në vitin 2011 dhe u fut në kandidimin për president në 2019, për t’u larguar nga gara në favor të Bidenit. Ai ka qenë një nga kandidatët e parë gay që futet në garën për tu zgjedhur president.

Me moshën 42-vjeçare, ai është me diferencë të madhe kandidati më i ri i listës.

Josh Shapiro

Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro ka mbështetje të gjerë në shtetin e tij, i cili do luajë një rol të rëndësishëm në betejën kundër Trumpit, në nëntor. Shapiro ka treguar se është udhëheqës bipartizan, në favor të shkurtimit të taksave për korporatat, por edhe të rekrutimit të më shumë oficerëve të policisë. Gjatë pikut të pandemisë së COVID-19, Shapiro shtroi në pyetje disa nga masat e marra për maskat dhe vaksinat. Këto qëndrime mund të largojnë votuesit nga komunitetet më liberale.

Një pikë tjetër diskutimi mund të jetë mbështetja e madhe e Shapiros për Izraelin. Një pjesë në rritje e elektoratit ka qenë kritike ndaj mosdhënies së mbështetjes së Bidenit për fushatën ushtarake në Gaza, në të cilën janë vrarë mbi 38 mijë civilë duke e kthyer enklavën në prag të urisë. Kritikët i bëjnë thirrje presidentit amerikan të japë mbështetje financiare dhe ushtarake për Izraelin, në mënyrë që të ndalohen vrasjet.

Shapiro, ndërkohë ka akuzuar kolegët amerikanë se nuk kanë luftuar antisemitizmin në protestat pro-palestineze të zhvilluara në SHBA. Në maj ai tha se “ka kaluar koha” kur Universiteti i Pensilvanisë „shpërndau kampin” e studentëve protestues. Më parë, duke pasuar një valë të ngjashme protestash studentore në kampuset e SHBA, studentët e Universitetit të Filadelfias uzurpuan sipërfaqen e kolegjit prë të protestuar kundër luftës që Izraeli bën në Gaza.

Duke ndjekur debatin Trump- Biden, Shapiro pranoi se Bideni “kaloi një natë të keqe” duke vënë në dukje se Donald Trump ka qenë “president i keq”.

 

Michelle Obama

Ish-zonja e parë Michelle Obama është kandidatja e vetme në këtë listë që nuk ka mbajtur ndonjëherë ndonjë post politik dhe e vetmja që sondazhet e vendosin shumë para Trumpit, nëse ajo vendos të futet në garën elektorale.

Michelle Obama ka përsëritur disa herë se nuk është e interesuar të kandidojë për presidente. Por nëse politika e SHBA na ka treguar diçka javët e fundit, ajo ka qenë se asnjë rezultat elektoral nuk është aq i pamundur të arrihet, saqë dikush të vendosë të heqë dorë prej tij paraprakisht.

voa

Presidenti Biden tërhiqet nga gara: Çfarë ndodh tani?

Biden

Vendimi i Presidentit Joe Biden për t’u tërhequr nga gara për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të paeksploruar.

 

Presidenti Biden shprehu mbështetjen për nënpresidenten Kamala Harris si kandidate e Partisë Demokrate. Përpara se Presidenti Biden të merrte vendimin, Elaine Kamarck, një bashkëpunëtore e lartë në Institutin Brookings, anëtare e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe autore e një libri mbi procesin e emërimit presidencial, kishte shpjeguar për agjencinë Reuters se çfarë mund të ndodhë më pas.

ÇFARË NDODH TANI?

Presidenti Biden i ka kaluar muajt e fundit duke siguruar mbështetjen e afro 4000 delegatëve demokratë, pasi fitoi zgjedhjet brenda partisë.

Ata delegatë do të votonin normalisht për të si kandidatin zyrtar presidencial të partisë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokrate që do të mbahet më 19-22 gusht, por sipas rregullores ata tashmë nuk janë të detyruar ta bëjnë një gjë të tillë.

Delegatët mund të votojnë duke ndjekur ndërgjegjen e tyre, që do të thotë se mund t’ia japin votën dikujt tjetri. Me tërheqjen e tij, zoti Biden në mënyrë efektive po i lë të lirë delegatët e tij, ndoshta duke krijuar kushtet për një konkurrencë midis kandidatëve të tjerë demokratë për emërimin.

CILAT JANË ALTERNATIVAT PËR ZËVENDËSIMIN E PRESIDENTIT BIDEN SI KANDIDAT?

Disa zyrtarë demokratë mund të dëshirojnë të marrin pjesë në garë.

Nënpresidentja Kamala Harris është në krye të listës, por ajo ka patur problemet e saj pas një fillimi të vështirë në detyrë dhe një nivel jo të lartë mbështetjeje në anketime. Kushtetuta amerikane thotë se nënpresidentja mund të bëhet presidente, nëse presidenti vdes apo nuk është në gjendje të ushtrojë detyrën, por nuk parashtron një proces brenda partive për përzgjedhjen e kandidatit zyrtar.

Ndër emrat e tjerë që janë përmendur si zëvendësues të mundshëm janë guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom, guvernatorja e Miçiganit Gretchen Whitmer, guvernatori i Kentakit Andy Beshear dhe guvernatori i Illionit JB Pritzker. Deri më tani, ata kanë qenë mbështetës të presidentit Biden dhe kanë punuar për ta ndihmuar atë të rizgjidhej.

SI DO TË PËRZGJIDHET I EMËRUARI I RI?

Mund të ketë një proces të hapur për të gjithë mes zyrtarëve kryesorë demokratë që e dëshirojnë këtë rol.

Sipas Ballotpedia-s, pritet që për këtë vit të jenë rreth 4,672 delegatë, nga të cilët 3,933 janë delegatë dhe 739 të ashtuquajtur superdelegatë, që janë përgjithësisht zyrtarë të lartë të partisë.

Që të marrë emërimin, një kandidat duhet të fitojë shumicën, pra më shumë vota se të gjithë kandidatët e tjerë së bashku.

Nëse asnjë prej kandidatëve nuk arrin një shumicë të tillë, atëherë do të ketë disa raunde votimesh për të arritur këtë lloj shumice dhe që të dilet me një kandidat zyrtar të partisë. Një konventë e tillë e hapur është mbajtur në vitin 1952 dhe demokratët nuk arritën të përzgjedhin një kandidat me votimin e parë.

ÇFARË DO TË NDODHË ME FONDET E FUSHATËS?

Fushata Biden-Harris pati mbledhur rreth 91 milionë dollarë kontribute deri në fund të majit, por ekspertët për legjislacionin e financimit të fushatave elektorale kanë mendime të ndryshme se si mund të zhvendosen këto fonde.

Për shkak se emri i zonjës Harris shfaqet në dokumentacionin e paraqitur për regjistrimin e fushatës, shumë ekspertë besojnë se fondet mund të transferohen drejt saj, nëse ajo fiton emërimin si kandidate zyrtare e Partisë Demokrate. Por ka edhe debat nëse presidentit Biden do t’i duhej fillimisht të bëhej i emëruari zyrtar i partisë dhe në vazhdim të kryhej transferimi i fondeve.

voa

Shqipëri, reagime për turizmin në bregdetin jugor

Ksamil

Zhvillimet e turizmit në bregdetin jugor në Shqipëri po shoqërohen edhe këtë vit me reagime sidomos në rrjetet sociale. Rritja e çmimeve në disa shërbime turistike duket se ka ndikuar, sipas operatorëve, në disa zona, në uljen e frekuentimit të plazheve. Faktorët janë kompleksë, thonë sipërmarërsit në Ksamil, ndërkohë që në portin e Sarandës edhe këtë vit vihet re një rritje e ardhjes së vizitorvë nga ishulli grek i Korfuzit.

 

Qyteza e vogël e Ksamilit në jug të Shqipërisë ka qenë një nga epiqendrat e reagimeve të shumta lidhur me zhvillimet e turizmit këtë vit në bregdetin jugor nga Vlora në Sarandë.

Reagimet më të forta, sidomos në rrjetet sociale, vijnë për një rritje të çmimeve të shërbimeve turistike që nga hoteleritë deri tek plazhet që duket se ka ndikuar në uljen e frekuentimit krahasur me një vit më parë.

Përparim Ahmeti, një nga sipërmarësit e parë të hoteleve në Ksamil thotë se turizmi nisi që në prill dhe në maj me një prurje të lartë të vizitorëve.

“Në prill dhe në maj pati një prurje të lartë të turistëve dhe shumë biznese menduan se do të ishte një fluks i paparë dhe rritën çmimet jashtë kuotave që duheshin dhe shohim për momentin që korriku është jashtë pritshmërive. Flas në përgjithësi, pasi në biznesin tim unë kam rritje të turizmit krahasur me vitin e kaluar falë edhe investimeve që kam kryer së fundi me ristrukturimin e hoteleve”, thotë ai.

Ka një sërë faktorësh që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve, thotë më tej zoti Ahmeti.

“Faktori kryesor në rritjen e çmimeve është rënia e euros në kuota të paparashikuara. Po kështu rritja e pagës së punonjësve. Një sanitare tek unë paguhet 1300 euro, nuk flas për kuzhinierin dhe pozicione të tjera që janë paga shumë më të larta. Këtu ka një kosto tjetër të personelit pasi bizneset punëtorët i marrin nga rrethet e tjera dhe detyrohet tu krijojnë kushte ushqimi dhe strehimi përgjatë gjithë sezonit. Një arsye tjetër është edhe rritja e çmimeve bazike për hotelet dhe restorantet nga furnizuesit e shumicës”.

Ndryshe nga vitet e mëparshme këtë vit turizmi po mbëhteten më pak nga prodhimi vendas si bujqësor, por sidomos blegtoral.

Produktet dhe nënproduktet e e qumështit mbulohen kryesisht nga importet, ndërkohë që renia e sektorit blegtoral shtë më e dukshme në shume zona në jug të Shqipërisë dhe tregu turistik nuk arrin të furnizohet me prodhimet tradicionale shqiptare, sic ndodhte më parë.

Zoti Ahmeti që është edhe anëtar i këshillit të bashkisë së Sarandës thotë se në paketën fiskale të këitj viti ka pasur rritje të tatimit për bizneset . Si përfaqësues i opozitës ai thotë se e ka kundërshtuar këtë rritje pasi bizneset sipas tij duhen mbështetur.

“Në paketën fiskale gati janë dyfishuar taksat dhe detyrimet e bashkisë. Në mënyrë të padrejtë mendoj se janë rritur dhe si opozitë e kemi kundërshtuar këtë vendim-marrje”, thotë zoti Ahmeti.

Opozita thotë më tej zoti Ahmeti ka vlerësuar një seri investimesh në qytezën e vogël të kryera këtë vit në infrastrukturë, por ende mbeten problem sipas tij furnizimi me energji elektrike dhe me ujë.

“Në jemi opozitë në këshillon bashkiak por e kemi vlerësuar maksimalisht ndërhyrjen që është bërë në Ksamil me investimet në vitin 2024. Është bërë një rrugë këmbësorësh shumë e mirë, janë shtruar të gjitha rrugët e brendshme. Por ka përsëri mangësi si ajo me problemet e rrjetit të energjisë elektrike, mangësi ka me furnizimin me ujë, probleme kanë plazhet që shteti duhet të ndërhyjë për t`i zgjidhur”

Në plazhet e Ksamilit sipërmarrjet ofrojnë shërbime në një perimetër që duket se është mjaft i kufizuar në raport me ngarkesën e lartë të mbindërtimeve që Ksamili kë përjetuar dhe që vijojnë të shtohen dita ditës.

Rexhep Korbi thotë se prej 32 vitesh merret me turizëm duke ofruar shërbimet në një plazh që frekuentohet nga vizorë nga e gjithë bota. Sipas tij turizmi është në kuota optimale këtë vit.

“Turizmi është në rritje, aspak në rënie .Edhe sivjet që predikohet që s’ka turizëm unë jam në të kundërt asaj që thuhet. Turizmi është në kuotat optimale në Ksamil”.

Zoti Korbi flet për cilësitë e turzmit dhe sfidat, në këndvështrimin e tij.

“Ujë është shumë i pastër, rendi dhe siguria është shumë mirë dhe sivjet ka një cilësi më të madhe dhe janë shtuar edhe forcat e sigurisë. Edhe rojet kufitare i kanë sistemuar mjetet e vogla të lundrimit. Problem mbeten motorët e ujit që janë pak afër dhe shkaktojnë zhurmë të madhe dhe na janë ankuar turistët. Por sivjet është pak më mirë se vitet e tjera. Vjet ishte një probem me trafikun mjeteve në rrugën nga Saranda në Ksamil që vijon edhe këtë vit dhe pengon ardhjen normale të pushuesve, pasi radha e aotomjetve në pjesë të ditës bëhet e gjatë”

Një nga kërkesat e sipërmarrësit për autoritetet është rritja e perimetrit të sigurisë për mjetet e lundrimit.

“Mjetet e lundrimit të shpejtësisë së lartë duhet të jenë në një perimetër më të largët se ky që është tani, të paktën edhe 100 metër dhe ta zhvendosin aktivitetin në det të hapur. Kjo sepse Ksamili duke pasur ishujt afër, shumë pushues notojnë drejt tyre dhe mjetet e lundrimit përbëjnë kërcënim për jetën e tyre”

Zoti Korbi flet edhe për nevojën e shtimit të furnizimit me ujë pasi shumica e sipërmarrjeve në plazhe e blejnë çdo ditë ujin që përdoret për dushet, apo për nevojat e shërbimeve të tjera.

“Duhet të ketë më shumë ujë. Deri tani furnizimi me ujë është katër orë në mëngjes dhe një orë e gjysëm pasdite. Ne e blejmë ujin çdo ditë për nevojat e shërbimeve në plazh. Problem është edhe furnizmi me energji, janë bërë disa përmirësime me vendosje të kabinave të reja dhe është ndryshuar disi situata”.

Ndërkohë të dhënat e portit të Sarandës flasin se gjashtë muajt e parë të këtij viti prurjet turistike nga ishulli i Korfuzit vlersohen rreth 23 % më të larta se e njëjta periudhë e vitit të shkuar që konsiderohet si viti me i mirë turistik i Shqipërisë në dekadën e fundit.

Hatixhe Ismaili, specialiste në portin e Sarandës thotë se rreth 166 mijë pasagjerë u përpunuan nga janri në qershor nga rreth 135 mijë që ishte numri i pasagjerëve për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Zonja Ismaili thotë se një porti synon një projekt të ri për terminalin e udhëtarëve që duhet mbështetur me financime për shkak të rritjes vit pas viti të numrit të vizitorëve.

Rritja e numrit të pasagjerëve me tragetet turisitke ka çuar në domosdoshmërinë e zgjerimit të ambjenteve të përpunimit të pasagjerëve sepse të gjitha shërbimet tani bëhen në një terminal që u projektua 15 vite më parë.

Diskutimet dhe debatet si për rritjen e çmimeve edhe për numrin e vizitorëve pritet të jenë pjesë e zhviimit të sektorit turistik që sipas analistëve të turizmit është ende i pamaturuar në shumë zona në Shqipëri dhe ka nevojë sidomos për investime nga shteti në mjetet bazë si infrastrukturë, transport, ujë dhe energji.

voa

Metodë e re ndërtimi me blloqe balte të presuara

tulla blloqe

Një metodë e re e ndërtimit të shtëpive me blloqe balte të presuara, që e ka origjinën nga lashtësia, ofron mbrojtje nga zjarri, tërmetet, erërat e forta dhe përmbytjet. Këto lloj shtëpish janë miqësore me mjedisin dhe u rezistojnë kohërave. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Shelley Schlender nga qyteti Superior në shtetin Kolorado, sekreti i kësaj metode ndërtimi janë tullat e qerpiçit të ngjeshura me presion të lartë dhe armatura e hekurt.

Shtëpi të reja po ndërtohen kudo në qytetin Superior të Kolorados. Dy vjet më parë zjarret e përhapura nga erërat e forta dogjën mbi 1000 shtëpi. Shumica e ndërtimeve të reja përdorin materiale të zakonshme që digjen. Por kjo shtëpi e re është ndërtuar me tulla qerpiçi të presuara që nuk digjen. Lisa Morey është inxhiniere ndërtimi.
“Një klient më telefonoi dhe më tha se donte një shtëpi që u reziston erërave dhe zjarreve”, thotë për Zërin e Amerikës inxhinierja e ndërtimit.
Zonja Morey është themeluese e kompanisë “Nova Terra” që prodhon blloqe dheu të presuara me përbërje rëre dhe argjile. Për efekt ngjitje, ata shtojnë gur gëlqeror të bluar. Kjo përzierje kalon përmes një makinerie presimi dhe në anën tjetër dalin blloqet e baltës të cilat stazhionohen në ajër për një muaj para se të përdoren në ndërtim.
Në një kantier afër qytetit Longmont, ndërtuesit lënë një hapësirë bosh mes rreshtave të blloqeve ku vihet një material izolues. Armatura e hekurt në mure e bën ndërtesën të qëndrueshme ndaj tërmeteve.
“Kjo shtëpi do të qëndrojë në këmbë për qindra apo mijëra vjet”, thotë inxhinierja Lisa Morey.
Në qytetin Superior, Matteo Rebeschini pronar i një shtëpie të re me tulla qerpiçi, thotë se nuk do të harrojë kurrë sesi era e fuqishme shkundi shtëpinë e tij të ndërtuar me skelet druri. Më pas ra zjarr dhe ai vrapoi për të shpëtuar. Ai thotë se shtëpia e me blloqe dheu i jep siguri dhe mbrojtje.
“Shtëpitë e ndërtuara sipas kësaj metode nuk do të lëkunden dhe nuk e ndjen erën që fryn përjashta sado e fortë të jetë”, thotë Matteo Rebeschini.
Kjo metodë e re ndërtimi është bazuar në modernizimin e tullave prej qerpiçi dhe faktit që ato nuk digjen.
voa

Skandali me mikrokreditë/ Vetëvritet njëri prej të akuzuarve, u hodh nga pallati një ditë pas sekuestrimit të “Micro Credit Albania” dhe “Final”

urgjenca

Njëri prej të akuzuarve me skandalin e mikrokredive, Olsi Ibro është vetëvrarë këtë të shtunë.

Sipas informacioneve të para, ai është hedhur nga një pallat, duke gjetur vdekjen e menjëherëshme.

Kjo ngjarje ndodh një ditë pas sekuestrimit të dy shoqërive Micro Credit Albania dhe “Final”.

 

Një ditë më parë me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës gjykata aprovoi sekuestron preventive ndaj dy shoqërive Micro Credit Albania dhe “Final”, të dyshuara se kryen mashtrim me pasoja të rënda në dëm të mijëra qytetarëve si dhe pastruan para.

Dy shoqëritë e sekuestruara në bashkëpunim me ADCA dhe shoqëri përmbarimore krijuan një skemë për të vjedhur qytetarët në vlera disa milionë euro.

Ndërsa gjykata aprovoi sekuestrimin krimi ekonomiko financiar kreu inventarin e dosjeve në selitë e të dyja shoqërive.

Prokuroria thotë se përmes presionit psikologjik dhe përndjekjes qytetarët u detyruan të merrnin kredi të dyta.

Në maj  gjykata shpalli nëntë masa sigurie ndaj ish përmbaruesve dhe administratorëve pasi hetoi se si përmbi katër mijë kredi të këqija të blera nga një bankë e nivelit të dytë me një shumë prej gati 7 milionë euro, ishin shumëfishuar në dëm të interesave të debitorëve të cilëve ju ishin sekuestruar pasuri dhe llogari bankare.

Dhe ndërsa Ministria e Drejtësisë dorëzoi një kallëzim të dytë së fundmi, prokuroria thotë se shoqëritë dhe të hetuarit përdorën të dhënat personale të debitorëve për t’i kërcënuar për marrëveshjet e reja.

Deri më tani rezulton se dy shoqëritë bllokuan llogari bankare të debitorëve në kundërshtim me ligjin duke mos u lënë asnjë mundësi jetese debitorëve.

Pasuritë e përftuara dhe të  bllokuara në mënyrë të paligjshme  dyshohen se më pas  janë investuar  dhe ndaj akuzua po heton edhe për pastrim parash.

Më 30 qershor Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sekuestroi llogaritë bankare në një vlerë totale 10 milionë euro të dhjetë shtetasve dhe 3 subjekteve financiare mikrokredi nën akuzë për veprën penale ‘Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’, përfshirë edhe të Ibros.

Llogaritë bankare iu sekuestruan personave: Olsi Ibro, Arben Meskuti, Ernela  Cuberi, Elda Ibro, Albert Gega,Andis  Gjoka, Vasil  Bakallbashi, Alketa Goxha, Jordisa Metaj, Edmond Mato, dhe subjekteve financiare ADCA shpk., Final shpk dhe “Micro Credit Albania” sha.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, ata kanë investuar në letra me vlerë me interes vjetor maturimi nga 4% deri në 10.5%.

Top Channel

Veteranët e UÇK-së në Shkup kërkuan lirimin e menjëhershëm të Blerim Ramadanit

blerimi

Në protestën e sotme kundër arrestimit të Blerim Ramadanit, Mevludin Bajrami, veteran i luftës ka dënuar arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, dhe dërgimin e tij në paraburgim ekstradues nga policia e Maqedonisë së Veriut dhe gjykata vendore, duke e cilësuar këtë akt si të papranueshëm.
Veteranët dhe bashkëluftëtarët e Blerim Ramadanit kërkojnë lirimin e tij të menjëhershëm, tërheqjen e urdhër-arrestit të lëshuar nga regjimi i Vuçiqit dhe mospërsëritjen e veprimeve të autoriteteve policore dhe gjyqësore nën diktatin e Serbisë.
“Në emrin tim dhe në emrin tuaj i përshëndes të gjithë familjarët e dëshmorëve të luftës, invalidët e luftës. Dhe ish ushtarët e UÇK-së.
Arrestimi i ish ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadani dhe dërgimi në paraburgim ekstradues nga policia e Maqedonisë së Veriut dhe nga gjykata vendore është i papranueshëm. Ne veteranët dhe bashkëluftëtarët e Blerim Ramadanit kërkojmë lirimin e menjëhershëm, tërheqjen e urdhër-arrestit të regjimit të Vuçiqit, dhe mospërsëritjen e vlersimit të autoriteteve policore, gjygjsore nën diktatin e Vuçiqit dhe Serbisë nën diktatin e UÇK-së”, tha Bajrami.
Bajrami theksoi se ky akt, 25 vite pas luftës së drejtë të shqiptarëve për liri dhe barazi, është i papranueshëm dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të Ramadanit.
“Blerim Ramadanit i kanë caktuar masën 30 ditore të paraburgimit me vendim të Gjykatës Themeloe në Shkup. Blerim Ramadani është ndaluar në 17 korrik të 2024 në pikëkalimin kufitar Jazhincë bazuar në një flet-arrest të lëshuar nga gjykata e Beogradit përmes interpol Serbia, ky akt 25 vite pas luftës së drejtë të shqiptarëve për liri dhe barazi, demokraci dhe pavarsi është i papranueshëm dhe ne kërkojmë lirimine tij të menjëhershëm pa ansnjë vonesë dhe kthimin e tij në familjen e tij. Çdo ditë vonesë është tendesë për poshtërimin dhe ofendimin e luftës tonë të drejtë, dhe kjo mendësi dhe veprimtari nuk do të tolerohet”, tha Bajrami.
telegrafi

Ikjet nga burgu, lokalizimi dhe vrasja e Faton Hajrizit dhe pritjet për kthimin e trupit në Kosovë

Faton Hajrizi

I dyshuari për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në afërsi të Loznicës në Serbi, Faton Hajrizi u vra të premten nga forca policore serbe.

 

Lajmi për vrasjen e tij ishte konfirmuar nga zyrtarë të Serbisë.

 

Faton Hajrizi ishte arratisur nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës, institucion i tipit të hapur më 6 korrik.

Për Hajrizin, kjo ishte hera e nëntë që kishte arritur të largohet nga burgu dhe ikja e tij ishte konfirmuar edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

 

Si kishte përfunduar herën e parë në burg?

Tashmë i ndjeri, Faton Hajrizi në moshën 15 vjeçare, derisa ishte duke shkuar në shkollë ishte fjalosur me një ushtar rus, duke ia marrë armën dhe duke e vrarë.

 

Ai kishte thënë se vrasjen e kishte kryer pasi kishte parë që ushtari rus kishte sharë disa shqiptarë.

Hajrizi vite më parë, në një intervistë për Telegrafin kishte folur se si kishte rënë në burg si i mitur dhe se si e trajtonin në Burgun e Sigurisë së Lartë.

“Në fillim kam rënë për vrasje, vepër për të cilën nuk pendohem, pavarësisht që ka qenë pjesë e kontingjentit të ndërkombëtarëve, të NATO-s. Jam në burg që nga janari i vitit 2000 – me një ndërprerje prej katër muajsh – deri në vitin 2006. Mandej kam rënë në janar të vitit 2006 dhe jam dënuar me 25 vite për grabitje dhe vrasje në tentativë”, thoshte ai.

“Kam ikur në vitin 2000 nga burgu, sepse jam mbajtur nga 10 ditë me brekë të letrës, i zhveshur në qeli, si 15-vjeçar. Ka ndodhur që kanë hyrë natën policët e UNMIK-ut e më kanë rrahur. Rasti im ka qenë edhe pak rast politik. Ata mendonin që më ka shti dikush ta bëj atë vepër, por mua s’më ka shti askush. E kam bërë nga urrejtja kur e kam dëgjuar duke folur serbisht. Kam menduar që rusët mund të jenë njëjtë si serbët, gjë të cilën edhe sot e mendoj”, tregonte vite më parë historinë e tij Hajrizi.

 

Hajrizi tregonte se si me dokumente figuronte në Burgun e Lipjanit, e në të vërtetë siç thoshte ai “më mbanin me të mëdhenjtë në Burgun e Dubravës”.

“Ka ardhur një delegacion nga Suedia në vitin 2004, në Burg të Dubravës. Ata kishin menduar që unë jam në Burgun e Lipjanit ndaj kishin shkuar të më kërkonin. Mirëpo, atje i kishin thënë se këtu nuk është dhe se kurrë s’ka qenë. Unë me dokumente pesë vite e gjysmë jam mbajtur në Burg të Lipjanit. Ndërsa, e vërteta është se kam qëndruar në Burgun e Dubravës, me të mëdhenj. Ky është problemi im si Faton Hajrizi, që më ka vonuar në përmirësimin tim si njeri. Jam mbajtur tërë kohën me kriminelë që kanë dhunuar e që kanë vrarë, që kanë shitur lëndë narkotike. Non-stop, si 15-16-17-vjeçar unë kam qëndruar me ta”, thoshte Hajrizi.

 

Vrasja e policit në Serbi dhe plagosja e një tjetri

Pas arratisjes, Faton Hajrizi ishte shfaqur disa herë në TikTok. Madje, në njërën prej tyre kishte thënë se “nëse vjen puna me shku në burg do të konfrontohemi keq – dikush ka me pësu rëndë”.

Kapjen e shpejtë të tij e kishte paralajmëruar edhe ministri Xhelal Sveçla.

Megjithatë, Hajrizi, tashmë i ndjeri thoshte se nuk ndodhej në Kosovë. Në një thirrje telefonike në RTV Dukagjini, që pretendonte se është Hajrizi thoshte se nuk është në Kosovë e as në Ballkan.

Ai thotë se është në vendet perëndimore.

Por, një ditë pas, në orët e para të mëngjesit në Loznicë, qytet në perëndim të Serbisë, është vrarë një zyrtar policor dhe një tjetër është plagosur rëndë dhe se i dyshuari u tha se është shtetas i Kosovës.

Siç është bërë e ditur në kumtesën e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, policët rreth orës 00:55 gjatë kontrollit të një veturë në pikëkalimin kufitar Liniçka Shora në afërsi me Bosnje e Hercegovinën, kanë ndalur një veturë të markës “Mercedes” me targa të Tutinit, brenda të cilës gjendeshin dy persona, transmeton Telegrafi.

Gjatë daljes nga vetura, një person ka shtënë me revole, duke e goditur zyrtarin policor serb Nikolla Krsmanoviq (1990) në gjoks, kurse Vjekosllav Illiq (1974) gjithashtu zyrtar policor u qëllua në kraharor – ku më pas sulmuesi është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Në vendngjarje ishin gjetur dokumente të Artan Hajrizit, vëllait të Faton Hajrizit. Më pas u tha se Faton Hajrizi ia kishte marr dokumentet vëllait.

 

Sipas tij, Hajrizi po fshihej buzë lumit, duke kërkuar një mënyrë për ta kaluar atë.

Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artanit, të cilat janë gjetur në vendngjarje pas vrasjes së policit serb.

Ndërkohë, Artani është paraqitur para autoriteteve në Gjermani – ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën gjatë kësaj jave në Gjermani. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani.

Që nga 6 korriku, Faton Hajrizi, shtetas i Kosovës, kishte qenë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi ishte arratisur nga burgu i Smerkonicës.

 

 Artan Hajrizi konfirmon vrasjen e vëllait të tij, Fatonit

Artan Hajrizi ka konfirmuar se personi që u vra nga autoritetet serbe, në një fabrikë të braktisur në Loznicë është vëllai i tij, Faton Hajrizi.

Vëllai i të ndjerit gjatë një bisede me RTV21 ka akuzuar autoritetet e Kosovës për mënyrën se si u trajtua si rast.

 

Si ishte gjetur Faton Hajrizi nga policia serbe?

Serbia e kishte shpallur person në kërkim Faton Hajrizin, si i dyshuar për vrasjen e policit. I njëjti tashmë ishte në ndjekje nga Policia atje, të cilët madje kishin përdorë dronë dhe helikopterë.

Zyrtarë në Serbi deklaruan se ai është vrarë në vendin e quajtur Banja Kovilaça dhe se policia ka marrë një lajmërim nga një banor i fshatit Trbushnicë të cilit Fatoni i ka kërkuar ujë në gjuhë të huaj.

“Ishte fshehur dhe kërkonte një rrugë për të kaluar lumin në Bosnje dhe Hercegovinë. Kur erdhi policia, ai ka shtënë nëntë herë, domethënë të gjithë karikatorin në makinën e policisë. Policia u përgjigj, se një e shtënë e goditi atë dhe filloi të ikë nga rruga para se ta kapte policia. Policia e ka vrarë. Ai nuk e kishte ndërmend të dorëzohej”, ishte shprehur Ivica Daçiq, transmeton Telegrafi.

 

Lidhur me raportimet ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të cilët kanë kërkuar nga autoritetet serbe që të konfirmojnë identitetin e personit të vrarë, transmeton Telegrafi.

“Të nderuar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi pas raportimeve për vrasjen e një shtetasi të Republikës së Kosovës në Serbi, ka kërkuar nga Autoritetet serbe që të konfirmojnë identitetin e personit të vrarë”, thuhet në reagim.

 

A do t’ia dorëzojë Serbia trupin e Faton Hajrizit familjes, flasin juristë e ekspertë të sigurisë

Tani shtrohet pyetja se si do të veprojë shteti serb me kufomën e viktimës.

Avokati Arbër Jashari ka thënë se nuk ka ndonjë pengesë që trupi i Faton Hajrizit t’i kthehet familjes për procedura të varrimit.

 

“Kjo çështje është e rregulluar edhe me ligje të Serbisë, por edhe me norma ndërkombëtare për kthimin e trupit të tij në Kosovë. Procedurat e kthimit të trupit mund të bëhen edhe në mënyrë private nëse nuk bëhet me ceremoni shtetërore”, deklaroi Jashari në RTV Dukagjini.

Jashari thotë edhe faktori ndërkombëtar mund të reagojë për të kthyer trupin e Hajrizit në Kosovë.

“Kjo është e drejtë humanitare dhe njerëzore që familja të ketë trupin e të ndjerit që t’i bëhet varrimi sipas traditave të vendit. Kështu që unë nuk shohë ndonjë pengesë në këtë drejtim”.

Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj tha se situata aktuale është e palakmueshme edhe për faktin se Kosova e Serbia s’e njohin njëra tjetrën dhe se ekstradimi i kufomës së Hajrizit do të ketë edhe implikime të tjera. /Telegrafi/

Zgjedhjet në SHBA 2024: Rritet presioni ndaj Joe Biden

biden

Tani edhe COVID! Për t’i dhënë fund debatit mbi shëndetin e presidentit amerikan Joe Biden, disa demokratë po bëjnë thirrje për një emërim përfundimtar të kandidatit për zgjedhje.

Në mes të fushatës zgjedhore në radhët e demokratëve amerikanë ka shpërthyer një debat për kohën e emërimit të presidentit amerikan Joe Biden si kandidat për rizgjedhje në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Por gjendja po ndryshon – nga ajo e tensionuar e deri në dëshpërim.

Për Filippo Trevisan, profesor në Universitetin Amerikan në Uashington DC, Partia Demokrate është në një “ngërç”. “Një opsion do të ishte sigurisht gjetja e një kandidati tjetër (në vend të Bidenit). Por kjo do të ishte e mbushur me rreziqe. Një tjetër opsion do të ishte ndryshimi i narrativës së fushatës së Bidenit me propozime të reja radikale,” shpjegon ai në përgjigje të një DW. “Demokratët kanë nevojë për një temë të re në fushatë që mund të tërheqë vëmendjen e votuesve.”

Nominimi po, por kur?

Mosmarrëveshja për emërimin e hershëm të Joe Biden si kandidat presidencial demokrat, tregon se mbështetësit dhe kundërshtarët kanë qëndrime shumë të ndryshme mes vete. Disa po bëjnë thirrje që Biden të emërohet zyrtarisht sa më parë, pra përpara konventës së emërimit të Demokratëve nga 19 deri më 22 gusht në Çikago. Të tjerët duan patjetër ta parandalojnë këtë dhe të mos bëjnë asnjë ndryshim në orar. Ndërkohë republikanët kanë përcaktuar Donald Trump kandidat.

“Nuk ka asnjë arsye ligjore për një emërim të tanishëm, përmes një votimi virtual”, thuhet në një letër të disa demokratëve. “Një votë e tillë do të ishte kundërproduktive dhe do të minonte unitetin dhe kohezionin e partisë.”

“Një ide e tmerrshme”

Letra e diskutueshme nga kundërshtarët e nominimit të menjëhershëm u shkrua nga kongresmeni demokrat Jared Huffmann nga Kalifornia. Demokrati amerikan tashmë ka fituar shumë mbështetës. Drafti i letrës thotë se debatimi për ndryshimet në procedura është “një ide e tmerrshme”. Një emërim i hershëm i kandidatit presidencial demokrat do të vinte “në kohën më të keqe të mundshme”.

Sipas raportimeve të mediave, mbështetësit e një nominimi të hershëm gjithashtu kanë shkruar një letër. Kjo u drejtohet anëtarëve të komitetit të konventës së emërimit të Demokratëve, “Konventa Kombëtare Demokratike” (DNC). Ata i bëjnë thirrje partisë që të miratojë votimin e parakohshëm virtual.

Kryetari i Komitetit Kombëtar Demokratik Jaime R. Harrison sqaroi në X, dikur Twitter: “Ne do të përmbushim afatin e 7 gushtit dhe kandidati ynë do të jetë në fletën e votimit në Ohio në nëntor.”

Shtohet presioni ndaj Biden

Por nuk është e sigurt nëse do të ketë ndonjë epilog të shpejtë. Presidenti amerikan Biden ka qenë nën presion masiv prej javësh për shkak të moshës dhe dyshimeve për gjendjen e tij mendore.

Pas atentatit ndaj Trump më 13 korrik, frika për një fushatë zgjedhore të dështuar u rrit edhe më shumë te demokratët. Të mërkurën (17 korrik), Bidenit iu desh të anulonte sërish të gjitha aktivitetet e fushatës për shkak të një infeksioni COVID.

Dhjetëra politikanë demokratë, përfshirë ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i kanë bërë thirrje Biden të tërhiqet nga gara javët e fundit. Vetë Biden komentoi për herë të parë këtë çështje më 17 korrik në një intervistë me transmetuesin amerikan BET News: “Unë do të largohesha nga gara nëse doktori im më thotë se kam probleme serioze shëndetësore,” i tha ai reporterit Ed Gordon.

Biden kishte lavdëruar më parë Kamala Harris, pas një fjalimi të saj në organizatën e të drejtave civile të zezakëve NAACP në Las Vegas. “Ajo nuk është vetëm një zëvendëspresidente e mirë, ajo mund të jetë edhe presidente e SHBA-së”, tha Biden.

Duke pasur parasysh situatën e paparashikueshme, shkencëtari politik Trevisan dyshon se një emërim i menjëhershëm i Bidenit do t’i jepte fund debatit për shëndetin dhe moshën e tij të shtyrë. “Sa herë që Biden bën ndonjë gabim apo refuzon ndonjë intervistë e takim me gazetarë, do të ngrihen dyshime për shëndetin e tij,” shpjegon ai. Emërimi i tanishëm si kandidat zyrtar nuk do ta ndryshonte këtë.

Ekspertja amerikane Andrea Römmele nga Shkolla Hertie supozon “se Biden do të mbetet në garë”. Në një intervistë për kanalin televiziv gjerman ZDF, ajo pyeti: “Si duhet të profilizoni një kandidat të ri për një kohë kaq të shkurtër?” Biden nuk mund të fajësohet për faktin se ai është 81 vjeç. Tani është e rëndësishme që Biden të qëndrojë deri në vjeshtë dhe të fokusohet në sukseset ekonomike.

Strategu politik Trevisan kujton se ka pasur diskutime të ngjashme brenda partive edhe në të kaluarën – për shembull për Hillary Clinton në 2016. “Demokratët e SHBA-së kanë një spektër më të gjerë ideologjik se shumica e partive progresive në Evropë,” shpjegon ai. “Ky pluralizëm mund të kthehet ndonjëherë në një disavantazh strategjik.”

dw