Fund i turit dimëror: Juncker e pa vetë se ku çalon Ballkani

JunckerKreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker përmbylli turin e tij ballkanik me takimin e krerëve ballkanikë në Bojanë, pranë Sofjes (01.03). Mesazhi i përsëritur ishte se „vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE.”

Turi ballkanik i presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i cili u përmbyll në Bojana pranë Sofjes të enjten (01.03), synonte dhënien e impulseve të reja për vendet aspirante dhe forcimin e perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor. Juncker i shoqëruar në këtë tur edhe nga e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini dhe komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn u takua në Bojana me krerët e qeverive të vendeve aspirante e kandidate në BE dhe kreun e qeverisë bullgare, që mban presidencën e radhës në BE, Boiko Borissow. „Këto shtete e kanë vullnetin për të inicuar reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE”, tha Juncker. Prandaj BE mbetet fort e angazhuar për perspektivën europiane të partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, theksoi Juncker në përfundim të udhëtimit të tij në gjashtë vende të Ballkanit. „Vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE.” Në një samit në  maj në Sofje synohet të zhvillohet një strategji se si do të përshpejtohet përfshirja e Ballkanit në BE dhe ndërtimi i një infrastrukture rajonale.

Asnjë vend nuk plotëson aktualisht kriteret e anëtarësimit

BE synon me prezantimin së fundmi të strategjisë për Ballkanin Perëndimor dhënien e impulseve të reja, por nuk do të bëjë lëshime në plotësimin e kushteve të anëtarësimit. Kjo u bë e qartë edhe nga Juncker, i cili pohoi në Sofje, se megjithë progresin e bërë asnjë nga këto vende për momentin nuk i plotëson kushtet e anëtarësimit. Kjo mund të „bëhet eventualisht në vitin 2025″, nëse përmbushen të gjitha kriteret. Juncker kërkoi që këto shtete të „zgjidhin konfliktet bilaterale territoriale para anëtarësimit.” Ndërsa kreu i qeverisë bullgare, Borissow u shpreh se „ajo që bëjmë ne nën drejtimin europian nuk është e drejtuar as kundër Rusisë dhe as kundër Turqisë.”

Për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor, BE pritet të investojë më shumë – vetëm në vitin 2018 janë planifikuar 1,07 miliardë euro të ashtuquajtura ndihma të përafrimit me BE, një shumë shtesë kjo e 9 miliardë eurove, që u vunë në dispozicion nga viti 2007-2017. Megjithatë vendet e Ballkanit janë ende larg jetësimit të reformave të kërkuara.

Juncker e pa vetë se ku çalon Ballkani

Në një analizë të agjencisë së lajmeve dpa, pas turit ballkanik të kreut të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, theksohet se Juncker e pati vetë mundësinë të shohë gjatë vizitës së tij, se në shumë nga këto vende ende punët çalojnë në gjëra shumë të rëndësishme. Në Shqipëri, nënvizon dpa, reforma në drejtësi nuk ecën përpara, po ashtu as lufta kundër kanabisit të përhapur. Në Kosovë po ashtu ka shumë probleme, „duket i gabuar modeli se ish-liderë rebelë mund të reformojnë vendin.” Në Kosovë, shkruan dpa, EULEX-i, misioni më i madh i BE jashtë, lufton vetë me probleme korrupsioni. Në Malin e Zi opozita bojkotoi parlamentin gjatë fjalimit të Junckerit në shenjë proteste kundër qeverisë. Gjashtë javë para zgjedhjeve presidenciale ende në këtë vend nuk një kandidat të qeverisë dhe opozitës për shkak të këtyre konflikteve. Në Bosnje-Hercegovinë rrezikon dështimi i zgjedhjeve parlamentare në tetor për shkak të grindjes për një ligj zgjedhor. Në Serbi parlamenti u dërgua për dy javë në pushim të detyruar, për të mos i ofruar platformë opozitës para zgjedhjeve të rëndësishme lokale në Beograd. Dpa citon një gazetë të njohur sllovene, e cila e përshkruan kështu gjendjen në Ballkan këtë javë të vizitës së Junckerit. „Vendet e Ballkanit bëjnë sikur ndërmarrin reforma, ndërsa BE bën sikur ua beson këtë.” (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>