Komisioni federal amerikan i Tregtisë njoftoi të hënën se po heton lidhur me praktikat e kontrollit të privatësisë nga ana e gjigandit të medias sociale, Facebook. Vendimi vjen pas raportimeve se të dhënat personale të dhjetëra miliona përdoruesve të Facebook-ut u kompromentuan nga kompania britanike e profilizimit të votuesve “Cambridge Analytica”.
Njoftimi i agjencisë së konsumatorëve i uli çmimet e aksioneve të Facebook-ut me 2 për qind të tjera, pasi një rënieje prej 14 për qind javën e kaluar që e uli vlerën në treg të kompanisë me 90 miliardë dollarë.
Agjensia federale normalisht nuk i njofton hetimet e saj, por ajo e konfirmoi nisjen e hetimit pas disa raporteve në shtyp javën e kaluar.
Shefi i përkohshëm i zyrës së mbrojtjes së konsumatorit Tom Pahl tha se: “Agjencia federale është plotësisht e përkushtuar të përdorë të gjitha mjetet e saj për të mbrojtur privatësinë e konsumatorëve. Në krye të tyre qëndron zbatimi i veprimeve kundër kompanive që dështojnë të respektojnë premtimet e tyre lidhur me privatësinë, ose që angazhohet në akte të padrejta që shkaktojnë dëmtime të konsiderueshme për konsumatorët”, tha ai.
Praktikat e privatësisë në Facebook janë vënë në pikëpyetje në të dy anët e Atlantikut, pas zbulimeve se kompania “Cambridge Analytica” kishte marrë informacion të fshehtë rreth përdoruesve të Facebook-ut nga studiuesi britanik Alexsandr Kogan, i cili ishte autorizuar nga gjigandi i medias sociale për të mbledhur të dhënat si pjesë e një studimi akademik.
Zoti Kogan krijoi një aplikacion në të cilin 270 mijë përdorues të Facebook-ut ofruan informacione rreth vetes së tyre. Në tërësi, për shkak të lidhjeve të gjera të miqve në facebook dhe bashkëpunëtorëve të 270,000 përdoruesve të faqes së internetit, 50 milionë përdoruesve të Facebook-ut mund t’ju jenë komprometuar të dhënat e tyre personale.
Britania ka hapur një hetim ndaj kompanisë “Cambridge Analytica” si dhe ka konfiskuar të dhëna nga selia e saj në Londër.
Ministrja gjermane e drejtësisë Katarina Barley u takua të hënën me zyrtarë të Facebook-ut. Ajo bëri thirrje për rregulla dhe ndëshkime më të rrepta për kompani si Facebook-u.
Vetë gjigandi i medias sociale tha të hënën se mbetet “tejet i vendosur” për të mbrojtur informacionet e njerëzve dhe se do t’i përgjigjet pyetjeve të Komisionit amerikan Federal të Tregtisë.
Të dielën shefi i Facebook-ut Mark Zuckerberg u kërkoi falje përdoruesve për “shkeljen masive të besimit” nga kompania e tij. (voa)