Pse dështoi Lëvizja për Vetëvendosje në ish IRJM?

VLENPër t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, paraprakish do të duhej t’i përgjigjemi pyetjes se cilat ishin pritshmëritë që kishin shqiptarët në ish IRJM nga Lëvizja për VetëVendosje (LVV)!

Padyshim, imponimi i qëndrimeve konsistente nacionaliste, kritereve të interesit kombëtar në politikëbërjen e partive dhe parimit të Vetëvendosjes si parim dhe koncept politik i shpallur tabu temë në hapsirën politike shqiptare në ish IRJM, ishin prishmëritë dhe shpresat e shqiptarëve nga involvimi i LVV.
Por, këto shpresa u shuan që kur “liçenca e albinizmit”, e shpallur si liçencë e vetme e patriotizmit, iu dhurua (ca thonë ju shit) mercenarëve të Erdoganit, LSDM-së, VMRO-së dhe vazalëve të tyre, të cilët menjehere filluan të vringëllojnë me shpatën e “albinizmit”, për të friksuar jo vetëm rivalët e tyre për t’ua lënë vendin në pushtetin e VMRO-së në ardhje, por edhe ndaj gjithe shqiptarëve të tjerë që do të merrnin guximin për të menduar ndryshe dhe për t’u bërë pengesë në rrugën e tyre drejt karrigeve të pushtetit. Këtë krijese politike bizarre, pa ngjyrë të LVV, fillimisht e quajtën “LEN”, e më vonë shtuan atë “V-në”, për ta bërë të qartë patentën e mbrojtur të LVV-së mbi këtë krijesë.
Dhe pikërisht kjo “V-ja” e shtuar, i dha të drjetën kësaj përzierje erdoganistësh, hoxhallarësh, ish ministrash, ish deputetësh dhe funksionarësh të BDI…, të flasin gjithe kompetencë në emër të “albinizmit” duke vërshuar mediat e blera dhe rrjetet sociale me shkrime me tituj kërcënues të tipit “kush friksohet nga Albini!?”. Ashtu siç vite me rradhë, pikërisht të korruptuarit dhe të shiturit në krye të BDI dhe partive të tjera shqiptare flasin në emër të “amerikanizmit” dhe luftës kundër korrupsionit, ashtu edhe “albinistët” e rinj, funksionarë të deridjeshëm të BDI, u hodhën në sulm, për të “luftuar” korrupsionin dhe tradhëtinë, duke synuar linçimin dhe anatemimin e çdo mendimi ndryshe dhe të gjithe ata që guxonin të devijonin nga kjo “stuhi patriotike” që merrte përpara “gjithe armiqtë që ka bota”.
Fushata zgjedhore e VLEN u katandis në një teatër të neveritshëm, ku “albinistët” e “VLEN” në mitingjet e tyre kërkonin nga nënat dhe gjyshet e shqiptarëve, të luten ditë e natë që këta të zëvendësojnë ministrat e BDI në qeverinë në ardhje. Në qeverinë e atyre qe dje vrane femijet e tyre, e sot duan ta bëjnë “Maqedoninë” përsëri krenare duke kërcënuar përsëri shqiptarët dhe duke kërkuar të dënojnë ata që guxuan të luftojnë në luftën e vitt 2001. Në fjalimet e tyre patetike, llogari nga Ali Ahmeti për vrasjet e ish ushtarëve të UÇK, proceset e montuara, ekspeditat ndeshkuese policore dhe masakrat e Brodecit dhe Kumanovës, kërkonin pikërisht bashkëpuntorët e Ali Ahmetit, bashkëfajtorë dhe bashkëpërgjegjës me Ali Ahmetin për të gjihta këto krime ndaj shqiptareve.
Dhe në asnjë moment, në asnjë shkrim, në asnjë deklaratë, duke filluar që nga Albin Kurti e duke vazhduar me eksponenët e tjerë të “VLEN”, nuk ua bënë të qartë shqiptarëve tre detaje thelbësore për të fituar besimin dhe përkrahjen e tyre:
1. Çfarë të re solli LVV në oferten politike për shqiptarët në ish IRJM në përgjithësi, dhe krahasuar me BDI në veçanti, në këto zgjedhje presidenciale dhe parlamentare?
2. Cilat janë vijat e kuqe të qëndrimeve politike dhe kritereve për marrëdhënie me partitë “maqedonase” në lidhje me statusin kushtetues të shqiptarëve dhe të ardhmen e shtetit?
3. Çfarë do të përfitonin shqiptarët duke zëvendësuar një parti me një tjetër pa ndryshuar statusi I tyre kushtetues dhe karakteri unitar I shtetit?
Në vend të kësaj, roli i Albin Kurtit dhe krerëve të tjerë të LVV u katandis në rolin e sekserit që në kabinetin e kryeministrit Albin Kurti ndanin “miqve” të vjetër poste dhe funksione politike – kush do të bëhej president e kush dhe në cilën njësi zgjedhore, bartës liste të kandidatëve për deputetë. E derisa kritikonin BDI-në për kryeministrin Teknik të ish IRJM, duke krahasuar me postin e ish presidentit te RSFJ, Sinan Hasanin, uronin përzemërsisht Talat Xhaferin për postin, duke ju ofruar shqiptarëve pikërisht një “president shqiptar” kukull në Maqedoninë unitare, pa as të vetmen vëretje për kushtetutën, që shqiptarët I trajton akoma më keq se kushtetuta e ish Jugosllavisë.
Për fat të keq, tani po bëhet gjithnjë e më e qarte se ky qëndrim i LVV, buron nga paragjykimi dhe nënvlerësimi që LVV në përgjithësi dhe Albin Kurti në veçanti, kanë për shqiptarët në ish IRJM, duke i konsideruar si pakicë e praprambetur, fundamentaliste islamike, me paaftësi për të menduar, gjykuar dhe për të dalluar të mirën nga e keqja. Ndaj ishin të bindur se atyre duhet drejtuar me gjuhën e Erdoganit përmes anëtarëve të bordit këshilldhënës të Qendrës pë Civilizim Islam – Hysamedin Ferajt, Afrim Gashit, Bilall Kasamit, Izet Mexhitit… E duke qenë të bindur se problemi i vetëm i tyre është korrupsioni, zëvendësimin e BDI-së së korruptuar me parti të tjera “të pakorruptuara”, të përzgjedhura nga ata vet, e konsideruan si të mjaftueshëm për t’i kënaqur ata. Ndaj luftën kundër korrupsionit ia besuan Izet Mexhitit i cili per 18 vite në BDI, si nënkryetar i BDI, kryetar bashkie dhe deputet, nuk e ngriti as edhe një herë të vetme zërin kundër korrupsionit në BDI si dhe Lëvizjes Besa dhe Alternativa, të vetmet parti shiptare me mungesë të plotë të transparencës financiare, sipas raportit për transparencë për vitin 2023 të IRI (International Republican Institute). Gjithmonë duke injoruar faktin e pamohueshëm se është kushtetuta unitare ajo që pushtetin ua jep ekskluzivish partive sllave duke gjeneruar pafund shqiptarë të bindur, servilë dhe të korruptuar.
Ndaj, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, shqiptarët në ish IRJM, të cilëve LVV, për vite me rradhë u kërkonte t’i gëzohen herë fitores së LSDM-se, e here fitores së VMRO-së, ndërkohë që për ata nuk ndryshonte asgjë, u detyruan që t’ua bëjnë të qartë LVV në përgjithësi dhe Albinit në veçanti, se nuk janë “komunitet” siç i quajti ai , por pjesë e pandarë e kombit shqiptar, që kërkon po atë liri që Albini sot gëzon në Kosovë, e për të cilën u burgosën, luftuan dhe iu gëzuan edhe ata vet. Ashtu siç luftuan edhe për lirinë dhe pjesën e shtetit që u takon në ish IRJM, por nuk e gëzuan, sepse u tradhtuan, dhe u lanë në baltë. E duan lirinë po aq sa Albini dhe eksponentët e tjerë të LVV, por të braktisur, të zhgënjyer dhe të manipuluar gjatë githë kohës, kanë frikë ta kërkojnë atë! Ndaj e gjejnë më të lehtë të lejojnë të mashtrohen, për një vend pune, për të mbijetuar sot, duke u arsyetuar se këtë e bëjnë për fëmijët, e ardhmja e të cilëve është pikërisht çmimi që paguajnë.
Shqiptarët në ish IRJM e duan lirinë, por kanë nevojë për pak inkurajim per të këmbëngulur për te, duke këmbëngulur, jo për pjesë në qeveritë e LSDM ose VMRO, por për pjesën e shtetit që ju takon. Dhe e dinë, dhe e besojnë se edhe Albini e di, që kjo nuk bëhet, as me kryeministra kukull e as me presidentë kukull, por duke ndryshuar kushtetutën, e cila është burimi i korrupsionit të përfaqësuesve politikë shqiptarë, jo vetëm të BDI-së. Atyre nuk u mungojnë “liritë” individuale per t’u bërë presidentë, kryeministra, deputetë, ministra, drejtorë… në pushtetin në duart e VMRO dhe LSDM, por u mungojnë të drejtat kolektive, dhe shteti i barabatë për të dy grupet etnike shumicë. Të drejta të cilat mund t’i gëzojnë vetëm në pjesën e shtetit të tyre, duke ndryshuar karakterin unitar të shtetit, me te cilin kushtetuta ekzistuese “maqedonasit” i bën pronar të shtetit, ndërsa shqiptarë pakicë.

Ndaj shqiptarët nuk duhet të nxitojnë dhe të votojnë “të keqen me të vogël” duke mos ndëshkuar me votë çdo të keqe, sado e madhe apo e vogël të jetë, dhe duke mos dhënë kohë krijimit të një force të re politike, me shqiptarë nacionalistë, të pakorruptuar dhe të papërlyer, të cilët interesin kombëtar të shqiptarëve do ta kenë prioritetin e vetëm. E ndoshta edhe LVV dhe Albin Kurti do të kenë kohë për t’u vetëdijësuar se janë thjesht protagonistë, të cilëve rrota e historisë ju dha shansin për të bërë detyrën ndaj kombit dhe atdheut, duke mos u dehur nga pushteti dhe fama, dhe duke mos e konsideruar veten të gjithëdijshëm dhe të pagabueshem. Sepse Historia është e pamëshirshme ndaj atyre që ju rritet mendja duke abuzuar me mundësinë dhe pushtetin e dhënë, duke i flakur tej si lecke, ashtu siç ka flakur shumë të tjerë para tyre.

Afrim Fanda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>