All posts by V.F.

Liberalizimi i vizave për disa vende – shenjë pozitive me shumë pikëpyetje

Komisioni i BE ka rekomanduar heqjen e vizave për shtetasit e Ukrainës dhe Gjeorgjisë, por heqja e vizave nuk nënkupton detyrimisht liri të pakufizuar udhëtimi.

pasaporta ukrainaseNëse gjërat shkojnë sipas dëshirës së Komisionit të Bashkimit Evropian, për shtetasit e Gjeorgjisë dhe Ukrainës së shpejti duhet të bëhet liberalizimi i vizave. Por vendimin duhet ta marrin shtetet anëtare të BE. Dhe këtu ka rezistencë. Që para sinjalit pozitiv nga Brukseli, të premten e kaluar (11.12), ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Hermann deklaroi në një intervistë se ky është gabim. “Në vend të përsëritjes së gabimeve që kemi bërë me liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa duhet të mendojë më në fund seriozisht për sigurimin e kufijve të jashtëm”, tha ai për “Passauer Neuen Presse”.

Republika e Moldavisë si shembull

Në Gjeorgji dhe në Ukrainë janë bërë reforma, thuhet në vendimin e Komisionit të BE. Ngjashëm ka qenë vlerësimi edhe në vitin 2014, para liberalizimit të vizave për Republikën e Moldavisë. Ky vendim kishte një sfond krejt tejtër, sepse edhe politikanët e Kishinaut kanë qenë të bindur se këtë vendim e ka përshpejtuar kriza në Ukrainë. Ndërkohë që 300.000 shtetas të Moldavisë kishin kërkuar më parë edhe nënshtetësinë e Rumanisë, që do të thotë se janë pajisur me pasaporta të një vendi anëtar të BE.

Për shtetasit e tjerë të Republikës së Moldavisë – edhe për ata të cilët i takojnë rajonit seperatist pro-rus në Transnistri – heqja e vizave ka qenë një instrument i mirëseardhur, për t’u njohur me Evropën në mënyrë direkte. Ky ishte edhe një shkak tjetër pse Brukseli megjithë rezervat për reformat i ka dhënë dritën jeshile heqjes së vizave për këtë vend – që tëalidhë Moldavinë më ngushtë me unionin. Për vet qytetarët kjo do të thotë një trajtim më njerëzor dhe jo pritje e domosdoshme para kosullatave evropiane. Me orë e ndonjëherë edhe me ditë të tëra është pritur në radhët e gjata për një viztë. Vizat kanë qenë shumë të shtrenjta edhe në tregun e zi. Ka pasur madje edhe korrupsion me viza. Të gjitha këto tani i takojnë të kaluarës.

Pa ndonjë “liri të madhe”

Por edhe udhëtimet pa viza u nënshtrohen një varg rregullave në vendet e zonës Shengen. Moldavët duhet të kenë një pasaportë biometrike, të vlefshme me afat të paktën tre muaj para se të përfundojë një udhëtim. Rreth 800.000 shtetas të Moldavisë kanë një pasaportë biometrike, ndërsa rreth dy milionë kanë pasaportë të vjetër. Një pasaportë biometrike kushton rreth 200 euro, që do të thotë deri në 40 % të të ardhuave mesatare në këtë vend.

Moldavët nuk guxojnë të qëndrojnë më gjatë se 90 ditë brenda një gjysmë viti në territorin e BE. Për të vizituar disa vende, moldavëve edhe më tej u duhen viza, si për shembull, në Irlandë apo në Britaninë e Madhe. Para një udhëtimi të caktuar sugjerohet që të shihen me vëmendje rregullat e paraqitura në faqen e ambasadës së Gjermanisë atje. Këtu bën pjesë edhe informacioni që në kufi kërkohen dokumente shtesë, si për shembull, bileta kthyese, dëshmia e gjendjes financiare, apo ftesa për vizitë apo pejsëmarrje në ndonjë konferencë. Punësimi në shumicën e vendeve të BE nuk lejohet pa një leje pune as për periudhën më të shkurtër se tre muaj.

Sipas të dhënave nga CKishinau, brenda një viti (pril 2014-pril 2015) këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar gjysmë milioni moldavë – prej tyre 75.000 nga Transnistria. Ministrja e Jashtme Natalia Gherman shpjegon se “rreziku i migrimit të shtetasve moldavë në BE”, ka mbetur i ulët.

Gati pa pasoja politike

Qëllimi që liberalizimi i vizave të forcojë perpsektivën proevropiane të Moldavisë ka mbetur më shumë dëshirë e BE dhe e forcave reformatore në këtë vend. Procesi i reformave ka mbetur në vend, ndërsa Moldavia është futur prej muajsh në një krizë të rëndë ekonomike dhe politike. Paritë e ashtuquajtura proevropiane po grinden mes tyre dhe në të gjitha sondazhet, partitë proruse janë në epërsi. Vendi mbetet i përçarë, ndërsa gjenerata e re po largohet nga vendi. Me pasaportat rumune ata mund të fitojnë të drejtën e punës apo si turistë mund të shijojnë lirinë e lëvizjes. Shumë prej tyre kërkojnë edhe studime në vendet e BE, sepse nuk shohin ndonjë perspektivë në vendin e tyre. Se kur do të shijojnë këto të drejta edhe ukrainasit dhe shtetasit e Gjeorgjisë, ende nuk dihet. Por sipas Komisionit të BE, kjo duhet të ndodhë në verën e vitit 2016. (dw)

VETËVENDOSJE: VIJË E NGUSHTË NUK DO TË THOTË VIJË E SAKTË

harta demarkacioniLëvizja Vetëvendosje nuk është kundër përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi por se kërkojnë që nga ky proces të mos humbas asnjëra palë .

Për Lëvizjen Vetëvendosje deklarimet e Departamentit Amerikan të Shtetit se shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi është bërë pa gabime dhe se përputhet ngushtë me kufirin e definuar në Kushtetutën e vitit 1974, nuk nënkupton se është vijë e saktë dhe nuk dëshmon që Kosovës nuk po i merret pjesë e territorit.

Sipas anëtarit të Kryesisë së këtij subjekti Zgjim Hyseni, vijë e ngushtë ashtu siç përkufizohet në raportin e prezantuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit është një përkufizim mjaftë domethënës. Nëse kjo vijë e “ ngushtë” e thënë në këtë deklaratë nga larg shihet pak territor, për Kosovës sipas Hysenit do të thotë shumë.

“Vija e ngushtë që përmenden në këtë deklaratë është mjaftë signifikative, vija e ngushtë nuk do të thotë vijë e saktë dhe vija e ngushtë për kaq pak territor sa ka Kosova do të thotë shumë, megjithëse nëse ajo shikohet nga larg, lart mund të duket pak”, tha Hyseni përmes telefonit.

Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk është kundër përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi por se kërkojnë që nga ky proces të mos humbas asnjëra palë .

Hyseni tha se çështja e demarkacionit nuk është çështje e deklaratave politike por është në radhë të parë çështje e ekspertëve, ekspertë të cilët sipas tij tashmë kanë dëshmuar se kjo vijë kufitare cenon integritetin territorial të vendit.

“Profesionistët e kësaj fushe përfshirë edhe ata që vijnë nga radhët e koalicionit kanë ardhur në përfundim se përcaktimi i vijës kufitare e cenon integritetin territorial të vendit duke humbur mijëra hektar tokë të Kosovës”, theksoi Hyseni.

E deputeti Shpejtim Bulliqi që vjen nga radhët e LDK-së e që ka kundërshtuar vazhdimisht mënyrën se si është bërë shënjimi i kësaj vije kufitare tha për KosovaPress se ende nuk e ka parë deklaratën zyrtare për të parë se në cilat fakte është bazuar një deklaratë e tillë.

Sipas tij në rast se kjo deklaratë është bazuar në punën e Komisionit Qeveritar për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, atëherë është e kuptueshme të ketë këso deklaratash. Mirëpo ai në cilësinë e një profesionisti të kësaj fushe ka thënë se ai bashkë me të tjerë që kanë punuar për të zbardhur të dhëna dhe fakte lidhur me këtë proces i kanë ofruar ato për të dëshmuar se Kosova po dëmtohet në këtë proces.

“Nëse është mbështet në punën e komisionin dhe në versionin që ka dhënë Qeveria është përgjigje normale. Mirëpo ne po presim një komision për t’ia ofruar të gjitha faktet që kemi e që janë të bazuara shkencore dhe profesionale të marra nga institucionet e ish- Jugosllavisë. Derisa të mos bindemi me fakte, ne këto do t’i marrim për bazë”, tha Bulliqi përmes telefonit.

Sot gjatë ditës Departamenti i Shtetit Amerikan ka lëshuar një deklaratë ku përveç tjera ka thënë se vija e përcaktuar së voni përputhet ngushtë me kufirin e definuar në Kushtetutën e vitit 1974. “Kufijtë që ne i kemi përshkruar që nga viti 2008, përputhen detajisht me kufirin e propozuar në vitin 2015”, thuhet në raportin e DASH.

Rikujtojmë se përfundimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi është njëri nga kushtet për liberalizimin e vizave dhe përbën një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane. (rtk)

​Qeveria përshëndet deklaratën e DASH-it për Demarkacionin

 

PrishtinaQëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dëshmon se procesi i shënimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është kryer në përputhje me të gjitha aktet juridike.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohje për punën verifikuese dhe përshëndet deklaratën e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me Raportin për Demarkacionin e Kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

“Duke pasur parasysh përkrahjen e jashtëzakonshme e të gjithanshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe rishikimin e detajuar të vijës kufitare nga ana e Departamentit të Shtetit, Qeveria e Kosovës konsideron se qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dëshmon se procesi i shënimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është kryer në përputhje me të gjitha aktet juridike dhe realitetin faktik në terren”, thuhet në një komunikatë për media nga zyra e kryeministrit Isa Mustafa.

Duke pasur parasysh këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë përfaqësuesit politik që të punojnë për avancimin e proceseve dhe të perspektivës integruese euroatlantike të Kosovës, duke filluar nga liberalizmi i vizave që pritet të finalizohet së shpejti. Qeveria do të jetë e hapur për të diskutuar çdo vërejtje të mundshme të qytetarëve dhe të përfaqësuesve politikë lidhur me të gjitha proceset e rëndësishme për vendin.

Qeveria e Kosovës, me këtë rast, shpreh mirënjohjen e qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për mbështetjen e përhershme që SHBA-të po japin për Republikën e Kosovës, duke theksuar njëkohësisht përkushtim të plotë për fuqizimin e marrëdhënieve dhe partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve. (rtk)

Vjedhjen e BSH-së e paguan populli, KLSH: Banka duhet të rikuperojë paratë

klshKontrolli i Lartë i Shtetit është përplasur me Bankën e Shqipërisë duke i kërkuar asaj të anulojë vendimin që ia ngarkon koston e vjedhjes së 713 milionë lekëve qytetarëve shqiptarë.

Pas vjedhjes, Banka e Shqipërisë e ka kontabilizuar të gjithë shumën si humbje në bilancin e këtij viti. Ky veprim e hedh automatikisht koston e vjedhjes tek qytetarët duke ulur me 713 milionë lekë fitimin që Banka derdh në buxhetin e shtetit. Por në raportin e fundit të auditimit, KLSH thotë se kjo është e parregullt dhe përbën një shkelje të pastër të displinës financiare.

Sipas KLSH, përmes klasifikimit si humbje në bilanc, Banka e Shqipërisë praktikisht i ka vënë kapak cështjes së vjedhjes duke mbyllur ligjërisht edhe cdo përpjkeje për rekuperimin e shumës së plotë apo të pjeshme të parave që u vodhën.

KLSH thotë se zhdëmtimi i vjedhjes duhet ti ngarkohet personave të dënuar dhe Banka e Shqipërisë ka detgyrimit të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për rekuperimin e këtij dëmi. Sipas KLSH vetëm pasi të jenë ndërmarrë të gjitha këto hapa, humbja mund të klasifikohet si vjedhje. Por edhe për këtë duhet të ketë më parë një vendim gjykate.

Top Channel ka mësuar se mes dy institucioneve ka patur një debat të ndezur institucional. Banka e Shqipërisë pretendon se klasifikimi i shumës së vjedhur si humbje është sugjeruar nga fondi monetar ndërkombëtar. Por KLSH ka kërkuar dokumentat zyrtare mbi sugjerimet e fondit, të cilat Banka nuk ka mundur t’i vërë në dispozcion.

Kontabilizimi si humbje i shumës së vjedhur në Bankën e Shqipërisë e hedh koston e kësaj vjedhje drejpërdrejtë tek qytetarët përmes fitimit të munguar në buxhet, në një kohë që për këtë çështje ka ende procese të hapura gjyqësore.

Vjedhja, e cila përbën një nga skandalet më të mëdha financiare në historinë e vendit, u zbulua në korrik të vitit të kaluar dhe çoi në arrestimin e dhjetëra punonjësve në bankën qëndrore, përfshirë dhe ish guvernatorit Ardian Fullani.

/ Top Channel

Nishani dekreton dekriminalizimin

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dekretuar ligjin për dekriminalizmin dhe ndryshimet kushtetuese në funksion të këtij ligji, katër ditë pas miratimit të tyre në Kuvend.

Edhe pse dekretimi është bërë publik këtë të hënë, sipas dekretit, firma e kreut të shtetit është hedhur që në 18 dhjetor.

Sipas të dhënave në faqen zyrtare të Presidencës, thuhet se “Presidenti Nishani dekreton shpallje ligji dhe dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit”, për ndryshimet kushtetuese.

Presidenti ka hedhur firmën edhe mbi ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur gjerësisht si dekriminalizimi. (shekulli)

Shkup, pritet hapja e Universitetit “Nënë Tereza”, mësim edhe në gjuhën shqipe

shkupiQeveria e maqedonase ka sjellë vendim për hapjen e një universiteti të ri në Shkup që do të mbajë emrin e Nënë Terezës.

Sipas kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski mësimet në këtë universitet do jenë në tre gjuhë, atë maqedone, shqip dhe anglisht.

“Morëm vendim që të hapet edhe një universitet në Shkup, që do të quhet Universiteti ‘Nënë Tereza’. Do të jetë në tre gjuhë, në maqedonisht, shqip dhe anglisht. Do të ketë dimension serioz internacional, pasi do të ketë edhe profesorë dhe studentë shqiptarë, maqedonas, por edhe të huaj. Do të ketë profesorë të huaj, është e mundur të ketë dekan dhe rektor të huaj, pasi ligjin e lejon këtë gjë” u shpreh Gruevski.

Kryeministri maqedon gjithashtu ka paralajmëruar se  do të ndërtohen edhe tre shtëpi studentore, njëra prej të cilave do jetë për studentët e Universitetit të Tetovës.

/ Top Channel

Mali i Zi i gatshëm për rishikimin e kufirit me Kosovën

demarkacioni vjeneQeveria e Malit të Zi serish ka shprehur gatishmëri për rishqyrtimin e kufirit me Kosovën, ndonëse në muajin gusht në Vjenë u nënshkrua demarkacionin.

Këshilli Ligjvënës i Kuvendit të Malit të Zi mbështeti sot Marrëveshjen për kufirin shtetëror të Malit të Zi me Kosovën, si dhe Marrëveshjen për kufirin me Bosnjë e Hercegovinën (BeH), të cilat janë nënshkruar në Vjenë më 26 gusht.

Marrëveshja për kufirin me BeH-në është mbështetur njëzëri nga ana e anëtarëve të Këshillit, ndërsa për Marrëveshjen për kufirin shtetëror me Kosovën votuan shtatë anëtarë të Këshillit, ndërsa dy anëtarë ishin të përmbajtur.

Negociatat lidhur me kufizimin dhe vërtetimin e kufijve shtetërorë mes Malit të Zi dhe Kosovës filluan në nëntor të vitit 2012, ndërsa përfunduan sivjet. Në takimin përmbyllës të komisionit për kufijtë të Malit të Zi dhe Kosovës, më 8, 9 dhe 10 qershor të vitit 2015 në Prishtinë, u harmonizuan dhe parafuan të gjitha dokumentet kufitare lidhur me kufizimin dhe vërtetimin e kufijve në mes dy shteteve.

“Marrëveshja për kufirin shtetëror do të kontribuojë në implementimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara për vendkalimet kufitare, zbatimin e regjimit të përcaktuar të komunikacionit kufitar, bashkëpunimin tejkufitar policor dhe zbatimin e patrullimit të përbashkët në mbikëqyrjen e kufijve shtetëror dhe me rëndësi të veçantë është për shkatërrimin e të gjitha llojeve të krimit tejkufitar”, theksohet në Marrëveshjen e kufirit të Malit të Zi me Kosovën.

Përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë kundërshtojnë Marrëveshjen e propozuar për kufirin me Malin e Zi. Qeveria e Kosovës ftoi ekspertë nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për të kryer revidim të Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, shkruan Gazeta Express.

Qeveria e Malit të Zi kohë më parë shprehu gatishmëri për rishqyrtimin e kufirit me Kosovën, ndonëse në muajin gusht në Vjenë u nënshkrua demarkacioni.

Millan Paunoviq nga Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi, duke sqaruar Marrëveshjen për demarkacion me Kosovën, si dhe kyçjen potenciale të ekspertëve të BE-së dhe SHBA-ve në revidim të marrëveshjes, tha se në vetë aktin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në Vjenë “BE-ja ka dhënë qëndrimin lidhur me këtë çështje”.

“Kur janë në pyetje SHBA-të, presidenti Barack Obama tha se kjo është ‘marrëveshje historike’, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetëror John Kerry theksoi se ‘kjo marrëveshje duhet të mbetet’. Duhet pasur durim. Demokracia është proces i pjekurisë, doemos duhet pasur mirëkuptim”, tha Paunoviq.

Negociatat lidhur me demarkacionin, vendosjen e kufijve dhe përgatitjet për firmosjen e marrëveshjes ndërkombëtare mbi kufijtë shtetërorë ndërmjet Malit të Zi dhe BeH-së, filluan në tetor të vitit 2008, ndërsa përfunduan në maj të vitit 2014. Në takimin përmbyllës të komisionit për kufijtë të Malit të Zi dhe BeH-së më 26 dhe 27 maj të vitit të kaluar në Sarajevë, u harmonizuan dhe parafuan të gjitha dokumentet kufitare nga komisioni dhe grupi i ekspertëve.

Këshilli për marrëdhënie ndërkombëtare dhe emigrantë të Kuvendit të Malit të Zi gjatë muajit të kaluar mbështeti marrëveshjen për kufijtë të Malit të Zi me Kosovën dhe BeH-në. Këto dokumente duhet të verifikohen nga parlamenti malazez. (rtk)

DASH: Kufiri me Malin e zi – në pajtim me Kushtetutën e Kosovës

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se kufiri i Kosovës me Malin e Zi i përshkruar që nga viti 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë, përputhet me kufirin e propozuar në vitin 2015.

DASHDepartamenti Amerikan i Shtetit thekson se vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e përcaktuar nga Komisioni Shtetëror i Kosovës për shënimin e kufirit është në pajtim me dokumentet dhe hartat e përdorura që nga vitit 1940 e deri më sot.

Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Prishtinë, thuhet se “baza e Komisionit për shënimin e kufirit ka qenë Kushtetuta jugosllave e vitit 1974, e cila e ka definuar kufirin e Kosovës me anë të kufijve administrativë komunalë, që janë të ndarë në zona kadastrale. Kjo bazë e përcaktimit të vijës kufitare është përdorur edhe në Propozimin Gjithëpërfshirës të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisaarit dhe në Kushtetutën e vitit 2008 të Republikës së Kosovës”.

Në njoftim thuhet se pas një rishikimi të hartave që nga viti 1940 e deri më tani, përfshirë edhe ato që janë përdorur nga komisioni për përcaktimin e kufirit, Departamenti Amerikan i Shtetit “ka kuptuar se vija e përcaktuar së voni përputhet ngushtë me kufirin e definuar në Kushtetutën e vitit 1974. Kufijtë që ne i kemi përshkruar që nga viti 2008, përputhen në hollësi me kufirin e propozuar në vitin 2015”.

Në përfundim të njoftimit tërhiqet vëmendja se “përfundimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit është një kusht i BE-së për liberalizimin e vizave dhe është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane”.

Më 26 gusht, Kosova dhe Mali i Zi, nënshkruan marrëveshjen për shënimin e kufirit, e cila nxiti reagimet e partive opozitare në Kosovë, të cilat vlerësojnë se me të Kosova humbë rreth 9 mijë hektarë tokë.

Duke kundërshtuar këtë marrëveshje si dhe atë të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, partitë opozitare  bllokuan punën e parlamentit që nga 22 shtatori, duke hedhur gaz lotsjellës.

Ato i kërkojnë qeverisë të anulojë marrëveshjet apo t’i hedh ato në referendum, në të kundërtën sipas tyre vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Qeveria u ka bërë thirrje partive opozitare që të hapin dialogun, ndërsa është zotuar se do të pres dhe do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe, zbatimi i së cilës është pezulluar në pritje të këtij vendimi. Ajo është shprehur e gatshme që duke përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtarë, të diskutojë lidhur me shënimin e vijës kufitare më Malin e Zi.

Kriza politike bëri që edhe sekretari amerikan i shtetit John Kerry të bëjë thirrje kundër dhunës në parlament. Gjatë vizitës së dy dhjetorit në Prishtinë ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje “që do të kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat u hapën më 14 dhjetor, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor. (voa)

Blatter dhe Platini – tetë vjet jashtë futbollit

Presidenti i i FIFA-s, Sepp Blatter dhe udhëheqësi i UEFA-s, Michel Platini, janë pezulluar për një afat tetë vjeçar nga të gjitha veprimtaritë e futbollit

Blatter PlatiniKomisioni i Etikës i trupit qeverisës të futbollit FIFA, a ka ndaluar presidentit Sepp Blatter dhe të përkëdhelurit të tij përfshirjen në veprimtari sportive për tetë vjet.

Komisioni mori të hënën këtë vendim kundër zotit Blatter and Michel Platinit, shef i trupit qeverisës së futbollit evropian UEFA,  lidhur me një pagesë prej dy milionë dollarësh që Baltter i kishte bërë Platinit në vitin 2011. Prokurorët zviceran kanë hapur hetime penale lidhur me këtë pagesë.

Vendimi me siguri të pengojë përpjekjen e Platinit për të pasuar zotin Blater në postin e tij në zgjedhjet që mbahen në muajin shkurt. Të dy burrat, të cilët kanë mohuar çdo keqbërje, pritet të apelojnë në komisionin e ankesave të FIFA-s dhe në Gjykatë e Arbitrazhit për sport.

Blatter dhe Platini ishin pezulluar përkohësisht që prej tetorit për shkak të pagesës së diskutueshme.

FIFA u përfshi në një skandal pasi që 14 zyrtarë të saj u arrestuan në Cyrih në muajin maj dhe u akuzuar në Shtetet e Bashkuara me rreth 50 akuza për korrupsion, duke përfshirë shantazhin, mashtrimin dhe pastrimin e parave. Zyrtarët zviceranë kanë hapur edhe një hetim të veçantë penal që përfshinë përzgjedhjen Rusisë dhe Katarit nga ana e FIFA-s për të organizuar Kupën e Botës në vitin 2018, përkatësisht në vitin 2022. (voa)

Mbi 90 të zhdukur në një rrëshqitje dheu në Kinë

kine reshqitje dheuAutoritetet kineze thonë se 91 njerëz llogariten të zhdukur pasi që një rrëshqitje masive e dheut varrosi një park industrial të dielën në qytetin jugor Shenzhen në Guangdong.

Dëshmitarët thanë se “sasi të mëdha” balte përfshinë parkun industrial, duke shkatërruar ose dëmtuar 33 godina, përfshirë 14 fabrika, dy ndërtesa zyrash dhe tri konvikte. Më shumë se 1 mijë e 500 punëtorë të emergjencës janë përfshirë në përpjekjet e kërkimi – shpëtimit, duke punuar në një zonë prej 50 mijë metrash katrorë.

Në një deklaratë të ministrisë së burimeve thuhet se një mal prej 100 metrash të mbeturinave dhe mbetjeve ndërtimore që ishin varrosur në një gurthyes, rrëshqitën pas shirave të rrëmbyeshëm në zonë. Rrëshqitja shkaktoi edhe një shpërthim në një tubacion të gazit natyror aty pranë, në pronësi të PetroChina, prodhuesi kryesor i naftës dhe gazit të vendit.

Agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua, tha se në mesin e të zhdukurve janë 59 burra dhe 32 gra. Mbi 900 veta janë evakuuar nga zona para rrëshqitjes së dheut.

Kina është goditur nga një numër aksidentesh industriale, për shkak të standardeve të dobëta të sigurisë, mbikëqyrjes së dobët dhe korrupsionit. Afro 160 veta humbën jetën në muajin gusht pas disa shpërthimeve në një depo kimike në qytetin Tianjin. Autoritetet arrestuan 12 punonjës të kompanisë dhe 11 zyrtarë qeveritarë në lidhje me ato shpërthime. (voa)