All posts by V.F.

Mal i Zi: konfiskohen pasuritë e bandave kriminale dhe të familjeve të tyre

Autoritetet malazeze kanë nisur me zbatimin e ligjit penal, të miratuar një vit më parë. Ato kanë nisur edhe aksionin e konfiskimit të pasurive të shefave të bandave kriminale dhe anëtarëve të familjeve të tyre.Ligji i ri penal është miratuar para një viti dhe ka nisur të aplikohet vetëm pas kritikave të shumta të qarqeve perëndimore, për mungesë lufte të mirëfilltë kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në Mal të Zi. Për të ndihmuar autoritetet malazeze, në Podgoricë kanë ardhur edhe ekspertë amerikanë për luftë kundër drogës. Kjo bëri që të ngrihet edhe aktpadia e parë kundër bosit të heroinës Safet Kaliq dhe bashkëshortes dhe vëllaut të tij. Ndërkohë që aktpadia është ngritur edhe kundër Dushko Shariqit, vëllait të bosit të kokainës Darko Shariq, si dhe partnerit të tij afarist Jovica Lonçar. Ata dyshohen për larjen e parave të pista në vlerë prej rreth 30 milionë euro të fituara nga shitja e drogës.

Pasuria e kriminelëve më shumë se 100 milionë euro
Por pasuria e tyre në Mal të Zi llogaritet me më shumë se 100 milionë euro. Ata kanë me qindra hektarë tokë, objekte afariste, objekte banimi, hotele dhe diskoteka shumë të bukura dhe aksione në sipërmarrjet e shtetit. Për pasurinë e konfiskuar të klaneve Shariq dhe Kaliq do të kujdeset tani drejtoria për pasurinë shtetërore në Mal të Zi, respektivisht ekipet e specializuara që merren me këto punë.
Ish ministri i Drejtësisë në Mal të Zi Dragan Shoq thotë se procedura e konfiskimit të pasurisë do të zgjasë me muaj të tërë, sepse gjykatat duhet të dëshmojnë se kjo pasuri me të vërtetë është arritur përmes aktiviteteve kriminale dhe punëve të pista. Për Deutsche Wellen ai thotë se është shumë me rëndësi që ligji të aplikohet edhe ndaj anëtarëve të familjeve të kriminelëve.
“Masat tani po aplikohen ndaj shumë personave. Duhet shikuar se çfarë ka bërë Serbia kur është në pyetje pasuria e Shariqëve, por edhe në rastet e mëparshme”, pohon Shoq.

Duhet shikuar përvojat e Serbisë
Përvoja e Serbisë ka dëshmuar se për luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar nuk mjafton vetëm dënimi me heqje lirie i kriminelëve dhe anëtarëve të bandave, në qoftë se nuk bëhet konfiskimi i pasurisë së tyre. Organizatat kriminale e shtojnë influencën e tyre ekonomike dhe politike pikërisht përmes parave dhe pasurive. Për shembull, hotelet e Safet Kaliqit, i cili në Mal të Zi deri vonë është trajtuar si një biznismen i shquar, janë hapur prej ministrave në kabinetin qeveritar të Millo Gjukanoviqit. Prej 4 gushtit Kaliqi kërkohet prej Interpolit, ndërkohë që Darko Shariqi kaherë është në listën e të kërkuarve.
Autoritetet e Malit të Zi tani po përpiqen të bindin Brukselin se janë duke luftuar në mënyrë të denjë kriminalitetin, me qëllim që të fillojnë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shefi i Këshillit për buxhet dhe financa në Kuvend, Aleksandar Damjanoviq thotë se Mali i Zi e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë: “Ne nuk duhet të presim që dikush të na shtyjë drejt Evropës. Duhet të shkojmë vet në këtë drejtim. Ne po përpiqemi që këtë ta bëjmë me vepra dhe me sjellje të përgjegjshme ndaj obligimeve që kemi.”
Damjanoviq pohon se vullneti dhe gatishmëria e autoriteteve malazeze më së miri mund të dëshmohen me vazhdimin e luftës kundër bosëve të krimit të organizuar. Tani duhet shikuar aktivitetet e paligjshme që janë bërë në privatizimin e kombinatit të aluminit në Podgoricë dhe fabrikës së metaleve në Nikshiq. (Mustafa Canka / Bahri Cani)

Përzgjidhen 5 studiot e huaja për Xhaminë e Tiranës

Sot në Tiranë u zhvillua faza e dytë e Konkursi ndërkombëtar për projektin e xhamisë së re dhe muzeut për bashkëjetesën dhe harmonin fetare në Tiranë.
Për projektin ka pasur një interes të madh për studiot e projektimit ku sot u mesua se kanë garuar 100 studio projektimi te huaja dhe janë përzgjedhur 5 prej tyre qe do të marrin pjesë në konkursin për të drejtën e ndërtimit të xhamisë së re të Tiranës. Studiot jane, “Andreas Pere Ortega Madrid”, “Architecure, studio Paris”, “Big Copenhagen”, “Serach Amsterdam” dhe “Zaha Hadid Architecht”.Kryetari i Bashkisë së Tiranës i pranishëm në përzgjedhje vlerësoi sot se 5 kompanitë e përzgjedhura nga Danimarka, Spanja, Holanda, janë 5 idetë më të mira nga 100 studio të arkitekturës nga mbarë bota që morën pjesë në konkursin që kishte shpallur Tirana. Rama gjatë prezantimit të pesë studiove, deklaroi se te perzgjedhurat janë në të njëjtin nivel.
Sipas Ramës, studioja që do të fitojë projektin ne baze te vleresimit nga nje juri dhe komuniteti do të ruajë me fanatizëm historinë e godinës së Xhamisë si dhe do të jetë simboli i bashkëjetesës fetare në Shqipëri.
“Jam i kënaqur që ftesës sonë të dërguar në mbarë botën e arkitekturës iu përgjigjën 100 studio dhe besoj së në përzgjedhjen e jurisë ndërkombëtare kemi zgjedhur të duhurën, atë studio që do tu përcjellë brezave një vepër që do tu flasë brezave që do vijnë historinë e Tiranës, për pasurinë e këtij qyteti që është harmonia dhe bashkëjetesa fetare, në harmoni brenda një trekëndëshi që do të plotësohet mes 3 komuniteteve të mëdha, ku 2 katedrale dhe nje xhami përqafojnë qëndrën e Tiranës për ti përcjellë botës një mesazh, tërësinë e komuniteteve që bashkëjetojnë në një popull me unitetin e qëllimeve të larta të të gjitha feve dhe parimeve dhe vlerave të këtyre 3 feve.”

Rama theksoi se komuniteti musliman kishte nevojë për një projekt të tillë, pasi komuniteti katolik e ka godinën e tij të re, dhe ata ortodoksë tha Rama po e finalizojnë atë. Sipas tij, tani kjo veper do te kthehet dhe ne interes te vizitoreve te huaj.
“Kemi një kryeqytet të shek të ri, të një komuniteti që vuan mungesën e kësaj hapësire të besimit fetar. Mungesën e kësaj xhamie të re që ne jemi të bindur që falë këtyre arkitekteve të ketë praninë e të gjithë vizitorëve. Do të kemi besim se kjo arkitekturë bashkëkohore, do te bëjë që vizitorët të nisen drejte Tiranës për të parë këto vepra” tha Rama”.

Projekti për xhaminë e re do t’u japi mundësinë besimtarëve mysliman që të kryejnë ritet fetare normalisht dhe jo në rrugë siç i kryejnë sot e kësaj dite. Ndërsa muzeu i bashkëjetesës fetare do të jetë i pari i llojit të vet për vendin tonë.

PROJEKTI
Sipas të dhënave teknike, xhamia do të ketë lartësi të njëjtë me Pallatin e Kulturës. Minareja mund ta kalojë këtë lartësi maksimale, por duhet të mbetet më e ulët se minareja e Xhamisë së Et’hem Beut dhe se Kulla e Sahatit.

Në veri dhe lindje të saj nuk do të ketë ndërtesa ngjitur, ndërsa në perëndim do të jetë një ndërtesë me të njëjtën lartësi.
Në veri xhamia do të ketë përballë hotelin “Tirana International”. Në jug të xhamisë do të jenë një varg kullash me lartësi katër kate dhe kulla parashikuar të ndërtohet në vendndodhjen aktuale të Teqes së Helvetinjve.
Xhamia e re do të ketë një sipërfaqe totale ndërtimi prej 17 135 m2 brenda një trualli prej 2930 m2 dhe arrin t’u shërbejë mbi 2500 besimtarëve. Janë 9 nivele, 4 tokësore dhe 5 nëntokësore, që janë të parapara në gjithë këtë hapësirë.
Elementët kryesorë të xhamisë do të jenë holli i faljes, biblioteka, salla shumë funksionale, salla e mbledhjeve, mjediset e shërbimit dhe parkimi nëntokësor. (d.b/BalkanWeb)

Rezolutë Hillari Klintonit për të ndihmuar çështjen shqiptare

Gjendja politike pas trazirave në Shqipëri edhe më tej është e tensionuar. Diaspora Shqiptare e Amerikës, (Illinois) thotë se është duke ndjekur me vëmendje të veçantë dhe me shqetësim të madh gjendjen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e më gjerë.Sipas tyre, subjektet kryesore politike nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për tejkalimin e tensioneve dhe të rivalitetit të ndërsjellë politik. “E gjithë kjo traumë politike e ka rënduar gjendjen e përgjithshme në Atdhe, me pasoja të izolimit ndërkombëtar dhe të proceseve të filluara me BE-në dhe me raportet me SHBA”, ka vlerësuar Diaspora Shqiptare e Amerikës, njofton korrespodentin i agjencisë së lajmeve INA në Nju Jork.

Për këtë qëllim, shoqatat dhe organizatat Shqiptare në Illinois dhe Winsconsin kordinuan një të aktivitet përbashkët për organizimin e një tryeze të rrumbullakët tematike të shtunën, në Qendrën e Kulturore Shqiptare në Çikago. Për këtë nismë kombëtare të SH.SH.A, Diasporës Shqiptaro-Amerikane (A.A.D) dhe Organizatës Shqiptaro-Amerikane Çamëria (A.A.O.C) për situatat në Atdhe morën pjesë dhjetra përfaqësues nga të gjitha trevat etnike shqiptare, njofton INA.

Në këtë tryezë, Diaspora tha fjalën e vet me zërin racional dhe të asnjëanshëm: SHQIPËRIA NUK VRITET DHE NUK I PREHET UDHA E DEMOKRACISË! Atdheu na thërret që në këto çaste aktuale të jemi të bashkuar.

Pas shumë bisedimeve dhe sugjerimeve nga të gjithë përfaqësuesit, në fund të kësaj mbledhjeje të veçantë është vendosur dhe u përgatitur një rezolutë e cila iu drejtua Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton dhe duke iu lutur Departamentit të Shtetit dhe Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të përdorin mekanizmat diplomatike për të qetësuar situatën e krijuar në Shqipëri. (INA)

TEKSTI I REZOLUTËS
Diaspora Shqiptare e Amerikës ka një histori të gjatë të avancimi dhe ruajtjeje të paqes dhe demokracisë në Ballkan.
Ne dënojmë korrupsionin, dhunën dhe kriminalitetin në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, duke theksuar mbrojtjen e institucioneve shtetërore.
Ne dënojmë shprehjet e fundit nacionaliste të përfaqësuesve diplomatik grek në Shqipëri dhe greko-amerikanin, përkatësisht z. Nicholas Gatzoyianis që përpiqen të prishin ekuilibrin paqësor, duke rritur tensionet etnike, në rajonin e Ballkanit.
Ne jemi të shqetësuar me gjendjen e shqiptarëve nga rajoni i Çamërisë në Greqinë veriore të cilët po përballen me presione politike dhe ekonomike nga shteti grek që u mohon atyre të drejtën e gjuhës, pronës dhe lirinë e fjalës.
Diaspora Shqiptare e Amerikës mbështet vazhdimisht institucionet Euro-Atlantike, përkrah zhvillimet demokratike në rrafsh global të normave të përgjithshme demokratike, duke përdorur një fjalor konstruktiv dhe pozitiv.
Prandaj, ne jemi të bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Departamenti i Shtetit do të përdorë fuqitë diplomatike për të ndihmuar shqiptarët në këtë drejtim.
Komiteti i Posaçëm
Albanian American Diaspora
Xhavit Limani
Iliaz Kadriu
Skënder Karaçica
Ilir Ademi
Rasim Bebo
Dalan Luzaj

William Walker “pro bashkimit me Shqipërinë”

Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker kritikon qeverinë e deritanishme të Kosovës se nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Ai po kështu kritikon misionin për sundimin e ligjit, EULEX, se nuk ka punuar në forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë. Por jo vetëm kaq, në një intervistë për Top Channel, diplomati amerikan që alarmoi botën për masakrën e Reçakut, kritikon komunitetin ndërkombëtar se për dhjetë vjet nuk ka qenë në gjendje të ushtrojë kontroll mbi veriun e vendit.
Walker kësaj radhe kthehet në Kosovë për një qëllim të veçantë, si mbështetës i Albin Kurtit, por edhe për të monitoruar votën e qytetarëve të Kosovës, tani që mundësitë e reja po u vijnë përpara.
“Mendoj se qeveria të cilën e humbën, pati dy vjet kohë të tregojë se çfarë mund të bëjë për shtetin dhe unë jam i zhgënjyer për atë çfarë kanë bërë ata. Shumë çështje me rëndësi për qytetarët e Kosovës nuk kanë përparuar”, ka deklaruar Walker, i cili ka përmendur edhe sektorët ku ekzekutivi i Hashim Thaçit sipas tij ka dështuar.
“Po e them që s’kam parë asnjë progres në sektorin e energjisë, nuk kam parë progres në sektorin e shëndetësisë, janë këto çështje për të cilat njerëzit me të vërtetë shqetësohen. Qeveria e Kosovës ka investuar në infrastrukturë, por janë shumë para të cilat do të mund të investoheshin
në gjëra të tjera, kështu që jam shumë i zhgënjyer. Dhe është në duart e qytetarëve nëse këta njerëz do të fitojnë edhe një shans”, ka nënvizuar Walker.
Por çfarë mendon ky diplomat amerikan për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, një çështje kjo për të cilën Albin Kurti ka kohë që është deklaruar se e ka pikësynim.
“Nganjëherë mendoj se është ide e mirë, nganjëherë nuk jam shumë i sigurt. Mendoj se njerëzit kanë një arsye që të merren me këtë çështje, të flasin e të diskutojnë. A kam unë një opinion tani? Nuk kam, por me të vërtetë mendoj se ka arsye të mëdha pse qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë duhet të flasin për të ardhmen e tyre të përbashkët dhe nëse ata vijnë në përfundimin që bashkimi është diçka që mund të funksionojë, atëherë le të bëhet”, është shprehur Walker.
Ish-ambasadori amerikan shpreh opinionin e tij edhe përsa i përket bisedimeve me Serbinë, por edhe privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Ai shprehet se këto janë dy procese që dallojnë nga njëra-tjetra, por që asnjëra nuk është mirë të ndodhë tani.
“Përpara se Kosova të hyjë në një valë të re bisedimesh, Beogradi duhet të kërkojë falje për atë çfarë ka bërë para dhe gjatë vitit 1999″, ka thënë ish-ambasadori.
Sa i përket privatizimit të postës, ai shprehet i vetëdijshëm që ky proces tani nuk mund të ndalohet, por kërkon nga qeveria e re transparencë të plotë. /tch/

Albin Kurti: Vetëvendosje nuk do të jetë pjesë e bisedimeve Kosovë-Sërbi

Udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti e ka cilësuar krizën aktuale institucionale në Kosovë si krizë të nxitur nga interesat e politikanëve.Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai shpalos përgatitjet për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare ndërsa ka hedhur poshtë çdo mundësi të përfshirjes së tij në bisedimet e paralajmëruara me Serbinë. Në intervistën dhënë korrespondentit Besim Abazi, zoti Kurti thotë se do të angazhohet për ri përcaktimin e rolit të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, Kosova ndodhet në një gjendje krize institucionale. Si e shihni ju këtë krizë dhe rrugëdaljen prej saj?
Albin Kurti: Kriza institucionale është krizë e shkaktuar nga politikanët për interesa të politikanëve. Mendojmë që kjo krizë nuk ka të bëjë me qytetarët dhe interesat e tyre. Qytetarët që prej shumë vitesh ndodhen në krizë politike e të sigurisë dhe po ashtu në krizë socio ekonomike. Dyzet e pesë për qind e popullsisë jetojnë me më pak se 2 dollarë, ndërsa 18 për qind janë në varfëri ekstreme dhe jetojnë me më pak se një dollar në ditë, që do të thotë se janë të uritur për çdo ditë meqenëse nuk marrin kaloritë e mjaftueshme që i nevojiten organizimit të njeriut. Mbi 60 për qind është papunësia dhe mendoj që gjithë këta njerëz kur në ekranet televizive shohin në vend të një figure prej politikani, U.D i presidentit në vend të presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mendoj se kjo ia shton shumë krizës së jetës së tij të përditshme. Por, mendoj që partitë që janë në koalicionin qeveritar me këto manipulime që po i bëjnë, janë të interesuara që t’ia rrisin pazarin vetes së tyre para njëri tjetrit dhe e gjithë kjo sajesë është tërësisht për interesat e krerëve të partive që janë në koalicionin qeveritar dhe nuk ka të bëjë me qytetarin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Dhe kjo që ju e quajtët sajesë e partnerëve të koalicionit qeverisës po e çon përfundimisht vendin në zgjedhje madje edhe të jashtëzakonshme. Ju keni vendosur të merrni pjesë në këto zgjedhje. A jeni të përgatitur për një gjë të tillë?
Albin Kurti: Ne po përgatitemi maksimalisht, meqenëse lëvizja Vetëvendosje, përveç që ka një ide dhe koncept të fuqishëm, gjithnjë e më shumë po e ka edhe një organizim të fuqishëm në terren dhe jemi të interesuar që me këtë organizim të fuqishëm të luajmë një rol unifikues në popullin e Kosovës dhe t’i bashkojmë të pakënaqurit ti vetëdijesojmë si shumicë që janë dhe t’i prodhojmë ndryshimet të cilat janë të domosdoshme. Vetëm nga energjia e pakënaqësisë nuk vijnë ndryshimet. Kjo energji duhet të shndërrohet në fuqi të organizimit dhe besoj që nuk do të mungojnë as rezultatet. Bindja ime është që politikanët të cilët i kryesojnë partitë në koalicionin qeveritar, janë politikanë që po përpëliten në njërën anë para zemërimit në rritje të qytetarëve dhe në anën tjetër para projekteve të dëmshme që duan t’ia imponojnë Kosovës e këto janë negociatat e paralajmëruara me Serbinë si dhe privatizimi neo liberal i gjithçkaje që është publike.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, kur jemi tek negociatat, ato janë paralajmëruar të vazhdojnë nëse jo më herët, menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë. Çfarë prisni nga këto bisedime dhe a do të jeni pjesë e tyre nëse arrini të jeni pjesë e institucioneve?
Albin Kurti: Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që nuk është pjesë e kurrfarë bisedimeve me Serbinë dhe nuk do të jetë asnjëherë, por ajo mendon që është absurde që të bisedohet për çfarëdo qoftë me Serbinë, përderisa ajo nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, nuk e ndërron kushtetutën e saj ku shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë, nuk na kërkon falje për krimet e kryera, nuk na i dorëzon kriminelët e luftës, nuk na i dorëzon trupat e pajetë të të pagjeturve të zbuluar në varrezat masive ose informatat për ta, nuk ka i kthen librat kadastral dhe fondin pensional dhe nuk na i paguan dëmet për shkatërrimet e mëdha në Kosovë e nuk i ndërpret po ashtu edhe financimin e strukturave paralele. Prandaj, këta po shkojnë të negociojnë me Serbinë për veten tonë në kohën kur qëndrimi i tyre fillestar do të jetë plani i (Martti) Ahtisaarit, me ç’rast do të bëjnë edhe koncesione të reja. Prandaj mendoj që kjo elitë politike që kemi sot thjeshtë po druhet që t’i lërë zgjedhjet të jenë të rregullta për vitin e ardhshëm. Dëshiron që sa më parë t’i bëjë ato në mënyrë që të shpëtojë votat që mund të shpëtojë për veten e saj dhe kësisoj të nxirret prej ndëshkimit të qytetarëve para se të fillojnë negociatat me Serbinë ku ata falin territor dhe para se të fillojë privatizimi i PTK-së, KEK-ut e Trepçës, ku ata falin pasuri të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, por dialogu me Serbinë është një detyrim tashmë shtetëror i marrë nga institucionet e Kosovës. Ju thoni se nuk do të jeni kurrë pjesë e këtij dialogu, por premtimet u janë dhënë edhe faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtar që llogariten edhe aleatë të Kosovës. Si do të dilni nga kjo situatë nëse ju do të udhëhiqni institucionet e vendit? Do të përballeni me gjithë botën?
Albin Kurti: Përkundrazi. Ne mendojmë që nuk janë vetëm dy rrugë të mundshme me faktorin ndërkombëtar. Pra, nuk është i mundshëm vetëm serviliteti ose armiqësia. Ne jemi për një qasje krejt tjetër të bashkëpunimit më faktorin ndërkombëtar e ky është partneriteti. Politikanët tanë për shkak të korrupsionit të tyre enorm dhe për shkak të shantazheve që i kanë për këtë korrupsion, nuk kanë mundësi tjetër përveçse servilitetit. Mendojmë që një elitë e re politike, e cila është e domosdoshme që të ndryshojë gjendja, do të ishte ajo e cila do të bënte marrëdhënie partneriteti me ndërkombëtarët dhe nuk do të kishim nevojë që më me Serbinë të negociojmë për veten tonë. Faktorëve ndërkombëtar politikanët e Kosovës kurrë nuk ua kanë shpjeguar siç duhet pse ne nuk duhet të bisedojmë me Serbinë për Kosovën dhe nuk e kanë shpjeguar se si Serbia jo vetëm që e ka të kaluarën kriminale në Kosovë, por i ka edhe projektet për Kosovën, kriminale.

Zëri i Amerikës: Dhe ju mendoni se ju jeni ndryshimi i kësaj situate dhe kësaj qasjeje që kanë institucionet e Kosovës?
Albin Kurti: Ne mendojmë se gjendjen në Kosovë do ta ndryshojë populli i Kosovës, qytetarët e Kosovës. Dhe për dallim nga partitë politike që kanë luajtur një rol përçarës për pushtetin e tyre, ne dëshirojmë që të luajmë një rol unifikues për shtetin e Kosovës. Ka ardhur koha që zhgënjimi qytetar të mos lejojmë që të degjenerojë në dëshpërim të përgjithshëm ku krijohen vetëm dy mundësi: ose të marrësh valixhet e të lëshosh këtë vend, ose t’i nënshtrohesh regjimit në fuqi i cili e trashë pushtetin në llogari të zvogëlimit të shtetit. Por, mendojmë që ky zhgënjim duhet të shndërrohet në një shpresë të re dhe për këtë po përpiqemi maksimalisht.

Zëri i Amerikës: Për të bërë këto ndryshime duhet të hyni në zgjedhje për çfarë ju tashmë keni vendosur. A ka hapësirë të mjaftueshme për zgjedhje të lira e të mira në Kosovë, me infrastrukturën aktuale ligjore?
Albin Kurti: Sigurisht që në Kosovë, partitë të cilat nuk kanë lejuar që zgjedhjet edhe në të kaluarën të jenë të lira e demokratike, nuk mund të llogarisim që këto parti do të ndryshojnë kësaj radhe. Ne besojmë që ndryshimi në Kosovë vjen prej atyre që kanë interes për ndryshim. E këta janë popullsia e Kosovës, shumica dërmuese e të cilës janë ose të varfër ose të papunë, e zakonisht, të dyja këto. Ndërkaq, ata që nuk kanë interes për ndryshime sepse janë pasuruar në mënyrë enorme në Kosovën e varfër, prej tyre nuk mund të presim as drejtësi, as mëshirë, pra, as zgjedhje të lira e demokratike. Por, ne duhet të ballafaqohemi, e ballafaqimi nënkupton punën në terren përmes krijimit të strukturave të forta organizative dhe përmes mobilizimi, organizimit të të pakënaqurve, që dëshirën e tyre për ndryshime në ditën e zgjedhjeve ta shndërrojnë edhe në vullnet për ndryshime.
Zëri i Amerikës: A do të ketë mundësi Albin Kurti që të kandidohet në këto zgjedhje duke pasur parasysh telashet e tij me drejtësinë në Kosovë?
Albin Kurti: Unë besoj që kam të drejtë të kandidohem dhe do të kandidohem. Sigurisht që regjimi jo vetëm mua, por edhe të tjerëve por edhe lëvizjes në përgjithësi do të mund të përpiqet që të bëjë pengesa e vështirësi të ndryshme. Por, është e qartë se ata kanë vështirësi edhe brenda vetes që të na vendosin edhe neve pengesa, sepse ka kundërthënie midis ligjeve të ndryshme, kodit penal, kushtetutës e kështu me radhë. Por, besoj që në kohën e duhur, lëvizja Vetëvendosje do të prezantojë listën e kandidatëve të saj dhe aty do të jenë aktivistë të Vetëvendosjes, por edhe shumë personalitete të tjera që na janë bashkuar në ndërkohë e do të na bashkohen në vijim.

Zëri i Amerikës: Kur folëm me herët për marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare, thatë se do të angazhoheni për partneritet. A nënkupton ky partneritet edhe praninë aktuale civile ndërkombëtare në Kosovë, kam parasysh edhe EULEX-in me të cilin ju keni një histori përplasjesh?
Albin Kurti: Ne në politiken e jashtme të Kosovës, mendojmë që të mos i trajtojmë njësoj organizmat ndërkombëtar dhe shtetet që na kanë pranuar me ata që nuk na kanë pranuar. Ne jemi të interesuar që të vendosim marrëdhënie shumë të mira me ata që e njohin pavarësinë e Kosovës për dallim prej atyre shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ne mendojmë se në Kosovë ka nevojë të ri definohet prezenca e Bashkimit Evropian dhe ne jemi për një prezencë që na këshillon, na ndihmon në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë. Por, mendojmë që nuk ka vend një prezencë e tipit të EULEX-it e cila sundon ne Kosovë përmes njerëzve që kanë imunitet prej ligjit dhe kanë fuqi ekzekutive mbi institucionet tona, ndonëse nuk i ka zgjedhur askush. Ne dëshirojmë që Kosova të jetë një shtet normal që krahasohet me shtetet perëndimore, demokratike me sovranitet, pra me shtetet normale, e jo të jemi një shtet që krahasohemi me vatrat tjera të krizës, sikurse Afganistani, Iraku apo madje edhe Bosnja.

Zëri i Amerikës: Nëse vini në pushtet, a do të kërkoni largimin e EULEX-it?
Albin Kurti: Ne do të kërkojmë ri definimin e prezencës ndërkombëtare dhe do të bisedojmë me Brukselin që Kosova në njërën anë ta ketë të drejtën për t’u integruar në BE dhe në anën tjetër BE-ja të na ndihmojë që të zhvillohemi si Kosovë e jo vetëm të na shoh si mjet për sigurinë e stabilitetin rajonal. (voa)

Dy shpërthime në qendër të Preshevës

Mbrëmë rreth orës 2, në qendër të Preshevës janë dëgjuar dy shpërthime, të cilat kanë ndodhur në zonën afër ndërtesës së Kuvendit komunal dhe tregut të gjelbër. Sipas njoftimeve të policisë së Serbisë, në dy shpërthimet e ndara nuk ka pasur të lenduar, përveç dëmeve të vogla materiale, përfshi edhe një veturë.
Policia ka thënë se po zhvillon hetimet lidhur me incidentin. (rel)

PRESHEVA ËSHTË KOSOVË!

Sot, me datë 16.1.2009, Lëvizja për Bashkim zhvilloi aksionin “PRESHEVA ËSHTË KOSOVË!”.
Grupi Nismëtar për themelimin e organizatës së të rinjve të Lëvizjes për Bashkim me këtë datë shpërndau 10000 fletëpalosje në të cilat shprehen qëndrimet e Lëvizjes për Bashkim në lidhje me trojet shqiptare të mbetura nën Serbi.
Qëllimi i këtij aksioni ishte përkrahja e vëllezërve tanë të pushtuar nga Serbia si dhe sensibilizimi i opinionit në lidhje me këtë çështje.PRESHEVA ËSHTË KOSOVË!

Presheva, Bujanoci e Medvegja janë Kosovë

Presheva, Bujanoci e Medvegja historikisht kanë qenë pjesë përbërëse e Kosovës.

Vetëvendosja

Populli shqiptar i cili jeton në trojet e veta në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë i ka të gjitha karakteristikat e kombit: ai është formuar historikisht në bazë të gjuhës së përbashkët, vazhdimësisë territoriale, formimit të njëjtë shpirtëror, si dhe kompaktësisë ekonomike me pjesët tjetra të kombit. Prandaj populli shqiptar në këto komuna e ka të drejtën e patjetërsueshme të vetëvendosjes së kombeve deri në shkëputje.

Rreziku i shpërnguljes

Presheva, Bujanoci e Medvegja aktualisht jetojnë në kushte pushtimi – nën dhunë, terror e militarizëm dhe nën tendencë të vazhdueshme për shpërngulje e asimilim.

Politika e gabuar

Politika e Qeverisë shqiptare, politika e Qeverisë së Kosovës, si dhe e spektrit politik të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës ndaj popullit shqiptar në këto komuna është thellësisht e gabuar. Në njërën anë, kjo çështje injorohet; në anën tjetër, populli shqiptar i këtyre komunave quhet dhe trajtohet si pakicë kombëtare (!). Dhe në këtë mënyrë fati i kësaj pjese të kombit shqiptar lihet në mëshirën e Serbisë.

Reciprocitet deri në vetëvendosje

Reciprociteti në zbatimin e të drejtave të barabarta në mes të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës (të banuara me shumicë shqiptare) dhe Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut (të banuara me shumicë serbe) do të ishte në këto rrethana rruga më e mirë drejt zgjidhjes së çështjes shqiptaro-serbe. Kjo do të ishte një rrugëzgjidhje bashkëkohore, paqësore dhe, në fund të fundit, njerëzore, sepse kështu do të shmangeshin tensionet, marrëdhëniet e këqija dhe mundësia e konflikteve. Njëkohësisht kjo do të çonte lehtë në zgjidhjen përfundimtare – vetëvendosjen e kombeve. (LËVIZJA PËR BASHKIM)

Viti 2008 ka qenë një vit shumë i mirë për marrëdhëniet gjermano-shqiptare

Bernd Borchardt, ambasador i RFGJ në Shqipëri thotë ekskluzivisht për DW shqip se marrëdhëniet bilaterale janë të shkëlqyera. Gjermania ka dyfishuar fondet për bashkëpunimin. Ai ndalet në vërejtjet e KE për Shqipërinë.Zoti ambasador, fillimisht në një vlerësim të përgjithshëm: Si ka qenë viti 2008 për marrëdhëniet mes Gjermanisë e Shqipërisë?

Viti 2008 ka qënë një vit shumë i mirë për marrëdhëniet gjermano-shqiptare. Në radhë të parë dua të përmend takimet e nivelit të lartë midis krerëve tanë politikë: Kryeministri Berisha vizitoi Berlinin në tetor të këtij viti me ftesë të Kancelares gjermane Merkel, Presidenti i Bundestag-ut Gjerman Dr. Lammert ishte në Shqipëri për disa ditë në maj të këtij viti. Të dy vizitorët theksuan: marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyera, Gjermania do të vazhdojë të mbështesë reformat në Shqipëri. Kjo u konfirmua edhe në tetor 2008 me vendimin e rëndësishëm të qeverisë federale të Gjermanisë: ne i dyfishuam fondet për bashkëpunimin dypalësh për zhvillim. Këtë vit Gjermania ka vënë në dispozicion të Shqipërisë mbi 90 milionë EUR për projekte të përbashkëta zhvillimi. Projekte veçanërisht të rëndësishme janë ndërtimi i një linje të tensionit të lartë për në Kosovë dhe rehabilitimi i rrjetit të furnizimit me energji elektrike në Jug të Shqipërisë. Në fushën e kulturës u realizua sërish një “Tetor Gjerman”, në kuadër të së cilit ne prezantuam edhe një herë kulturën gjermane, por edhe eksperiencën tonë me kapërcimin e së kaluarës komuniste. Vizita në Shqipëri e drejtueses së Zyrës Gjermane për Administrimin e Dosjeve të STASI-it në ish RDGJ pati një jehonë të madhe dhe gjallëroi diskutimin në Shqipëri.

Cilat mbeten fushat prioritare të mbështetjes së Gjermanisë për Shqipërinë?

Gjermania e mbështet zhvillimin e Shqipërisë me konsulencë dhe asistencë në investime. Investimet përqendrohen në sektorin energjitik, të cilin unë e përmenda si dhe në furnizimin me ujë të pijshëm, kanalizime dhe përpunimin e mbetjeve të ngurta. Projektet në fushën e furnizimit me ujë të pijshëm jemi duke i realizuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë: Korçë, Pogradec, Shkodër, Krujë, Kavajë, Berat, Kuçovë. Ndihma me konsulencë është e përqëndruar ata sektorë të cilët janë të nevojshëm për përafrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE: lufta kundër korrupsionit, reforma e sistemit të drejtësisë, por edhe në integrimin e ekonomisë shqiptare në shkëmbimin ekonomik evropian.

Zoti ambasador, gjatë këtij viti Shqipëria shënoi një hap të rëndësishëm duke fituar ftesën për të hyrë në NATO, ndërkohë që në Samitin e radhës të Aleancës në vitin tjetër pret dhe anëtarësimin me të drejta të plota. Ambicie ka dhe për aplikimin në 2009 për të qenë një vend kandidat për në BE. Në këndvështrimin tuaj, si ju duket situata politike dhe angazhimi për realizimin e reformave për të konkretizuar këto dy objektiva madhore?

Para rreth një muaji Komisioni Evropian prezantoi Raportin e Progresit 2008 për Shqipërinë. Raporti konstaton progrese të mëtejshme në fushën e reformave të Shqipërisë, si p.sh. në implementimin e Marrëveshjes Interim me BE-në. Kjo marrëveshje trajton para së gjithash çështje që lidhen me tregtinë. Një tjetër sektor pozitiv janë reformat politike të arritura me një konsens të gjerë mes partive si p.sh. reforma elektorale, dhe një ligj i parë për reformën në drejtësi. Një kusht thelbësor që vendi juaj të shkojë përpara për të realizuar aspiratën e tij për të hyrë në BE, do të jetë realizimi i zgjedhjeve të drejta dhe të ndershme vitin e ardhshëm. Jo vetëm BE-ja, por edhe NATO-ja, anëtare e së cilës do të bëhet Shqipëria do të vëzhgojnë me shumë kujdes ecurinë e zgjedhjeve. Fatkeqësisht raporti nënvizon edhe shqetësimet tona lidhur me zhvillimin në Shqipëri , duke renditur pjesërisht edhe disa probleme të mëdha. Po përmend disa shembuj: një sistem drejtësie që funksionon keq, të cilit i mungon pavarësia, përgjegjësia dhe transparenca; një administratë, së cilës i mungon pavarësia dhe eficienca e duhur dhe ku nëpunësit ndërrohen vazhdimisht; në luftën kundër krimit të organizuar janë shënuar progrese në një nivel të kufizuar, ndërsa në Shqipëri ende mungon aftësia për realizimin e operacioneve afatgjata kundër krerëve të krimit të organizuar. Edhe në fushën e luftës kundër pastrimit të parave Shqipëria është ende në hapat e parë. Këta janë sektorët të cilat ende na shqetësojnë veçanërisht. Edhe në sektorë të tjerë ka ende reforma të domosdoshme.

Gjatë vitit 2008 nga vendet e BE-se filloi zbatimi i lehtësimit të procedurave për vizat për një kategori të caktuar vizakërkuesish. Duke ju referuar Ambasadës gjermane në Tiranë, si ishte fluksi i aplikimeve për të lëvizur drejt Gjermanisë apo në destinacione të tjera në BE-se gjatë këtij viti, krahasuar me një vit më parë?

Viti 2008 ende nuk është përmbyllur, prandaj edhe unë nuk mund t”ju jap një shifër përfundimtare lidhur me numrin e aplikimeve për vizë që janë bërë në ambasadën gjermane brenda këtij viti. Në tërësi ne kemi përshtypjen, se numri është rritur ndjeshëm, por nuk bëhet fjalë për një rritje drastike. E rëndësishme është që Marrëveshja për Lehtësimin e Vizave po zbatohet: ne pothuaj e kemi trefishuar numrin e vizave të cilat mundësojnë shumë kalime në Gjermani. Aktualisht rreth ¼ e vizave i përkasin kësaj kategorie. Veç kësaj rreth 40% e aplikueseve e përfitojnë vizën pa pagesë. Pjesa tjetër, 60% , paguajnë tarifa të ulëta. Këto janë lehtësi të rëndësishme, që bazohen në Marrëveshjen e Lehtësimit të Vizave.

Jemi në prag të festave të fundvitit, cili është mesazhi për dëgjuesit e Radios Deutsche Welle?

Dëshiroj t”u uroj dëgjuesve tuaj, të cilët festojnë Krishtlindjet, një festë të gëzuar Krishtlindjesh, ndërsa të gjithë dëgjuesve një Vit të Ri 2009 sa më të mbarë. Për vitin 2009 shpresoj për Shqipërinë, që këtu të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të drejta dhe që procesi i reformave të vijojë në mënyrë energjike. Ne e dimë, se këto reforma janë pjesërisht të vështira dhe pjesërisht edhe të mundimshme. Por Shqipëria mund të ketë besim në mbështetjen e mëtejshme të Gjermanisë dhe partnerëve të tjerë të saj në BE. (dw)