All posts by V.F.

Kur Tetova ishte Shqipni!

Tetova, që gjatë historisë ka luftuar kundër pan-turqizmës dhe pan-sllavizmës, ndaj dhe është vizituar nga shumë udhëpërshkrues të huaj, ishte një qytet i vërtetë me djalërinë dhe organizatën “Besa”Mbase festave të fund-vitit më mirë do të shkonte ndonjë temë që lidhet me të tashmen që përmban tone optimiste e relaksimi. Që flet për të arriturat, sukseset, apo ngjashëm. Që të ishte më e këndshme për tu lexuar! Por, kujtoj se edhe rrëfimi në vijim, i cili flet për një të kaluar të pa diskutuar sa duhet deri më tani, mbase do të zgjoi interesin e lexuesit. Meqenëse, shënimi lidhet me periudhën kontroverse të Luftës së Dytë Botërore, besoi se do të shtonte kureshtjen mbi atë se si kanë jetuar shqiptarët e këtyre viseve atyre viteve. Pra, është koha e vendosjes së administratës së shtetit shqiptar nëpër viset shqiptare në Maqedoni të njohura si “tokat e lirueme” u bë edhe organizimi i ri administrativ, u formua Prefektura e Dibrës, nën juridiksionin e saj bëni pjesë gjashtë nënprefektura, siç ishin: Struga, Kërçova, Gostivari, Reka, Tetova, me pesë bashkësi dhe me dyzetenëntë komuna.

Për të qenë deri në fund i sinqertë, dua të shtoj edhe atë se, shkas u bë një informacioni që u aktualizua këtyre ditëve, nga i cili mësohet se, Tafil Boletini, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tetovës, kishte marrë nën mbrojtje institucionale hebrenjtë që ndodheshin apo kërkonin strehim gjatë luftës në Tetovë. Por, kjo është një temë në vete, për të cilën nevojiten informacionet e duhura, do të sjellim pamje se si frymonte Tetova gjatë atyre viteve.

Qytetit i vërtetë

“Por, neve kalimtarë të rastit, na intereson kryesisht Tetova e sotme. Dhe Tetova e sotme është qyteti më i madh dhe më i bukur i që ka Prefektura e Dibrës, dhe mund të vihet në radhën e Shkodrës dhe Korçës”, ka theksuar autori i reportazhit. “Kemi një shkallëzim ndështypjesh: Struga katund, – Kërçova gjysmë qytet, Tetova na del përpara qytet i vërtet. Tetova qytet Xhevahir i Dibrës”, thuhet ndër tjera në një reportazh të titulluar: “Tetova, një nga qendrat më aktive kundër pan-turqizmës dhe pan-sllavizmës” i huazuar nga gazeta “Tomori” me autor Vangjel Koça, të muajit tetor të vitit 1941 e cila botohej në Tiranë. Emocionet e shumta gazetareske të përcjella nëpërmjet një gjuhe pak më ndryshe se gjuha e normative shqipe, fjalive të drejta dhe të zhdrejta, të shfrytëzuara si citate, apo të përfolura, padyshim që nxitën edhe inspirimin interpretues.

“Brenda qytetit të Tetovës ka pasur 21.000 banorë. Qarku i Tetovës përbëhej nga 8 komuna me mbi 40 katunde. Më herët kjo nënprefekturë ka pasur 84.000 frymë. Por një pjesë i ka shfarosur ushtria serbe, kurse pjesa tjetër ka qenë e detyruar të shpërngulet nëpër vise të huaja. Kështu mbeti me 62.000 banorë, nga të cilët 50.000 janë shqiptar kurse 12.000 sllavë”.

“Rrugët në qytet janë shumë të mira. (—) Ujët shumë të mirë”. Tetova ka shtëpi dhe dyqane shumë të pashme. Hotele shumë të mira, të cilat mund të barazohen edhe me disa hotele të mira të Tiranës. Drita elektrike nuk mungon, bile, Tetova ka një Central Elektrik të madh e të fortë, i cili i jepte dritë edhe Shkupit. Tetova ka edhe rëndësi turistike, sidomos për ski. (—) Këtu vinin në dimër nga Jugosllavia shumë sportist për ski.

Nëse reporterit Vangjel Koça i ka interesuar Tetova e atëhershme, sigurtit që ne na intereson Tetova sot. Ndaj dhe përmbajtja e këtij reportazhi u bë shkak që t’ia bashkëngjis këtij evokimi një pyetje që shumë kohë më ka preokupuar, por, sigurisht jo vetëm mua. Si do ti bëhet puna me rrugën që çon deri te Fakulteti i Arteve të USHT-së në Reçicë të Vogël dhe me ujin e pijshëm të qytetit të Tetovës? Po bëhen njëmbëdhjetë (11) vite prej se puna më lidh me Tetovën, dhe sot e kësaj dite kurrsesi të zgjidhen këto dy nevoja i35te për qytetin. Sa premtime, sa vota, dhe sa zhgënjime kanë përjetuar qytetarët qendrës më universitare në vend, nga gjitha partitë shqiptar që kanë garuar dhe kanë qeverisur Tetovën. Për tu habitur!

Sidoqoftë, duke ruajtur edhe më tutje të drejtën e anterfilesë gazetareske, do ti kthehem temës së këtij shënimi duke shkoqitur dromca nga përmbajtja e reportazhit të vjetër, i cili në mënyrë të gjithanshme dhe objektive e përshkruan qytetin rrëzë shpeteve të Sharrit.

Rrëfime e udhëpërshkrues

Shumë udhëpërshkrues dhe studiues të huaj e kanë vizituar Tetovën, thuhet në reportazhin e . Udhëpërshkruesi më i vjetër që ka vizituar Tetovën ka qenë arabi Idris që në shekullin XI. Evlia Çelebiu nuk e zë në gojë, se nuk ka kaluar këndej. Ndër studiuesit evropian që kanë shkruar për Tetovën janë: Pouqevilje-i, Ami Bue, Dr. Prof. Gisebach, Gabriel Luis – Jery dhe Max Choubiler (ky i fundit është marrë gjerë e gjatë me Teqenë e Bektashinjve të Tetovës).

Në bibliografinë shqiptare Tetova është shfaqur e para nga të gjitha në “Ditërrfenjësin Kombiar” në vitin 1900 të Lumo Skendos. Ky “Ditërrëfenjës…” përmban një përshkrim gjeografik të Tetovës e të Gostivarit shkruar nga një Shefe Petriti. Ndërkaq, nga një studim që ka bërë intelektuali i ri tetovar, Shaip Kamberi, me profesion avokat dhe Sekretar politik i Partisë Fashiste në Tetovë, del se ky është një qytet ilir shumë i lashtë.

Në librin e tij “Shqiptarë e Sllavë” autori Lumo Skendo shkruan se , “qyteti i Tetovës dhe tërë kazaja e saj përgjithësisht kanë qenë një nga qendrat më aktive të propagandës nacionaliste shqiptare, ku u shfaq shumë shpejt vullneti për të luftuar kundër tendencave pan-turke dhe pan-sllave”. Këtë me rastin e festës së flamurit do ta konfirmonte edhe krye-bashkiaku Dr. Xhaferr Sulejmani, i cili në mes tjerash do të deklaroi: “(…) jemi tubuar t’ua bëjmë me dije të gjithë pushtuesve të huaj se s’kanë çka të kërkojnë në Tetovë, se ky qytet ka qenë dhe do të jetë i Shqipërisë”.

Djalëria dhe “Besa”

Me të vërtetë këtu ka një ndjenjë kombëtare më të gjallë e më të zhvilluar, me gjithë terrorismën tridhjetëvjeçare jugosllave. Këtë patriotismë shqiptare të pashuar e gjejmë te Djalëria e Tetovës. Nuk është shumë e madhe në numër kjo djalëri, vetëm 20 – 30 veta, por ato kishin themeluar shoqërinë e fshehtë “Besa”, të cilët ndonëse të paarsimuar, më shumë zanatçinj e tregtarë, ata nuk u kursyen për t’iu kundërvu përpjekjeve për ti dhënë karakter sllav, duke provuar se Tetova ka qenë dhe është shqiptare.

Organizata “Besa”, kishte formuar një çetë të armatosur të udhëhequr nga komandanti i tyre Kasam Polaku. Me iniciativën e organizatës “Besa” hapet shtëpia e rinisë. Kjo me kryetarin e parë të saj, Hysein Xhaferi, vunë në skenë dramën “Lulja e kujtimit” të Foqion Postolit, premiera e së cilës u dha më 28 Nëntor 1943 në Shtëpinë e Rinisë–Dita e Flamurit në Tetovë.

“Djalëria e Tetovës” na shfaqi dëshirën për të botuar një gazetë shqip në këtë qytet. Këtu ka tri shtypshkronja. Gjatë sundimit serb dilnin dy gazeta serbisht të përjavshme: “Glas Pologa” dhe (“Zeri i Pollogës”) dhe “Tetovska Novina” (Gazeta e Tetovës”. Pra, meriton të dalë edhe këtu një gazetë shqipe, qoftë edhe e vogël, e përjavshme. Kjo gazetë shqipe do të ndihmojë në zgjimin mendor dhe patriotik të këtyre viseve të Dibrës. Fjala është për gazetën “Zani i Sharrit” që dha një kontribut të madh në zgjimin mendor dhe patriotik të shqiptarëve të “tokave të lirueme”.

Qyteti ka katër shkolla fillore dhe një gjimnaz. Në këto shkolla dominonin serbët, kurse shqiptarët kanë qenë shumë pak. Nga 1000 nxënëse sa duhej ta ndiqnin shkollimin, nga shkaku i pengimeve jugosllave, prej tyre vetë 200 shkonin në shkollë. Vajzat shqiptare venin në shkollë akoma më pak, vetëm nja 5 apo 6 femra mësonin në shkollë. Në gjimnaz e Tetovës venin vetëm nja njëzet nxënës shqiptar, kurse, një vit më parë kishte hyrë vajza e parë shqiptare, dhe ajo një 12 vjeçare nga Gostivari. Sipas një statistike të përdorur në reportazh, analfabetizmi asokohe në nënprefekturën e Tetovës i kalonte mbi 85%, tek popullata sllave nuk i kalonte më shumë se 20%.

Arma në Uashington

Ndërsa në Strugë kemi bakallin e vogël, në Kërçovë bakallin e madh, këtu në Tetovë arrijmë të kemi edhe tregtarin shqiptar. Në këtë qytet tregtarët shqiptarë kanë kolonialin, tregtarët sllav kanë manifakturën. Burimet kryesore ekonomike të këtij qyteti janë në radhë të parë duhani, në radhë të dytë fasulet dhe misri. Qarku i Tetovës nxjerr edhe fruta shumë të mira. Janë të dëgjuara mollët e saj. Edhe gështenjat janë shumë të mira. Fusha e Tetovës është shumë pjellore. Kështu shënon edhe një udhëtar i huaj, që e vizitoi këtë vend këtu e një shekull më parë, Dr. Grisembach, Profesor i Botanikës në Universitetin e Gotingenit, që e gjen fushën e Tetovës fort pjellore, me drithë dhe oriz, me shumë pemë, gjë e cila tregon se klima e Tetovës është si ajo e Lombardisë.

Vendi prodhon edhe qiri e sapun, që dërgoheshin veçanërisht në Turqi. Në qytet punohen edhe sende të holla prej sermi (argjendi). Janë të njohura armët e Tetovës. Një armë e Tetovës e bërë në shekullin e shkuar (shek. XIX) sot ruhet në Muzeun e Uashingtonit, ka përkujtuar kronisti.

Por sot?

E këtillë ka qenë Tetova kur ishte Shqipni. Por sot…? Sot, nga kronika në fjalë shumëçka mungon. Dhe, para se gjithash qytetit të dy universiteteve i mungon një muze dhe një bibliotekë për së mbari. (lajm)

Temperatura prej -15 deri më -5 gradë

Moti sot në vendin tonë pritet të jetë kryesisht i vrenjtë dhe me reshje të dobëta të borës. Gjatë pasditës moti do të kthjellet dhe do të fryen erë e përforcuar nga veriu.Temperaturat pritet të sillen prej -15 deri më -5, ndërsa ajo e ditës prej -8 deri më -1 gradë celsius.

Shkupi pritet të ketë mot të ngjashëm dhe me temperaturë prej -8 deri më 4 gradë celsius. (alsat)

Renzi: Shqipëria është në Europë. Takimi me Ramën: Po punojmë për pensionet

Kryeministri italian, Matteo Renzi mbërriti në Tiranë në një vizitë zyrtare prej disa orësh. Ndalesa e parë e tij dhe e delegacionit që e shoqëronte ishte selia e Këshillit të Ministrave, ku u prit nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Të dy delegacionet zhvilluan një takim të përbashkët në të cilin, siç tha kryeministri Rama në konferencën për shtyp, u ra dakord për heqjen e një take 50-vjeçare për transportin mes dy vendeve.

Një vëmendje të posaçme në bisedime iu dha edhe çuarjes përpara nga pala italiane të njohjes së ndërsjelltë të pensioneve të emigratëve tanë në Gadishullin Apenin.

“Biseduam edhe për hapjen e negociatave për njohjen e pensioneve. Një punë e admirueshme e bërë nga ministri ynë i Mirëqënies Sociale, që ka sjellë në njohjen e pensioneve nga disa vende. Sot ne ramë dakord që projekti i vendosur në tavolinën e përbashkët të dy ministrave të kalojë në fazën e negociatave. Kjo, pasi nuk është vetëm pala shqiptare që kërkon njohjen e pensioneve, por edhe ajo italiane për rreth 20 mijë shtetas italianë që punojnë në Shqipëri”, deklaroi Rama.

Nga ana e tij, kryeministri Renzi e vuri theksin në rëndësinë që merr zgjerimi familjes europiane me vende të tjera.

“Pasi kemi punuar si kryebashkiakë, sot kemi ndryshuar punë dhe po ashtu duhet të ndryshojmë të dy vëndet tona, në mënyrë që të jenë të afta të ndërtojnë idealin europian. Po. Shqipëria është tashmë në Europë. Nuk bëhet fjalë thjesht për ta futur Shqipërinë brenda në Europë, pasi ajo është tashmë në Europë, por bëhet fjalë për ta zgjeruar familjen e madhe europiane. Duhet ta bëjmë këtë se është e drejtë dhe e dobishme. Para së gjithash, kjo i shërben Europës shumë më parë sesa t’i shërbejë Shqipërisë apo vendeve të tjera që kanë statusin e vendit kandidat. E pra, me këtë frymë ne sot po përfundojmë semestrin 6-mujor të Presidencës Italiane dhe zgjodhëm ta bëjmë këtë në Tiranë dhe jo në Romë, sepse kjo është si të thuash një copëz e tregimit të Europës që do të vijë një ditë. Ne jemi të kënaqur për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë, por na duhet të vrapojmë në mënyrë që negociatat të jenë të shpejta dhe është me rëndësi që populli shqiptar ta dijë se Italia do të jetë gjithmonë e sidoqoftë sponsori i parë dhe kryesor për këtë projekt të Shqipërisë”, deklaroi Renzi.

35 italiane u interesua të dinte më shumë detaje për zjarrin që përfshiu tragetin “Norman Atlantic”. “Natyrisht, ne jemi pranë familjeve të atyre që humbën jetën në tragetin “Norman Atlantic”. Ishte një e dielë e vështirë. Për sa përket shkaqeve për atë që ndodhi u takon organeve të drejtësisë të hedhin dritë mbi to. I jam mirënjohës kryeministrit Rama pasi bashkëpunimi ishte i menjëhershëm në ato orë të vështira”, u përgjigj kryeministri Renzi.

Ndërsa kryeministri Rama tha se ai i detyrohej shumë homologut Renzi për udhëheqjen e një operacioni të vështirë e në kushte të jashtëzakonshme që mund të krijonte një tragjedi.

Gjithashtu, Rama u shpreh se ndihej krenar për Forcat e Armatosura dhe ato të rendit që ishin në lartësinë e detyrës. Më pas, kreu i qeverisë italiane u takua me kryeparlamentarin Meta dhe presidentin e Republikës, Nishani. / Top Channel

Rama: Përmirësuam marrëdhëniet me Presidentin, me opozitën duhet të kishim qënë më të duruar

Kryeministri Rama e ka nisur me falenderime fjalimin e tij të fundit për vitin 2014. Nuk la njeri pa përmendur, nisi me aleatat e bashkëpuntorët, përmendi Presidentin, por nuk i kurseu falenderimet edhe për opozitën.Posaçërisht falenderoj Ilir Metën që më ndihmoi pa u kursyer në përpjekjen për të rikthyer shtetin në detyre, krerët e grupeve, Rucin e Vasilin. Falederoj Prseidentin për përmirësimin e marrëdhënieve pas një dekade, kemi ende mosdakordësi por nuk do na pengojnë të punojmë së bashku, vendosëm një shembull të ri mes dy institucioneve, tha Rama.

Rama u zotua se, “do ta përdor pushtetin për të bërë ndryshime dhe punët që nuk janë bërë në 20 vite. Nuk do zgjas qendrimin në pushtet duke u konsumuar nga pushteti deri në pikën që të bëhem si paraardhësi im, që iua solli në majë të hundës të gjithë shqiptarëve”

Ndërsa duke u ndalur tek opozita, Rama u shpreh se me të duhet të kishin qënë më të duruar. Ai nuk nguroi të kërojë ndjesë për atë që e quajtu sjelle të vjetër ndaj opozitës, e shfaqur përmes shumicës.

“Duhet të kishim qënë më të duruar, nuk e zgjedhim ne opozitën, e kemi sado e mbrapshtë të jetë. Ky ka qënë viti më i mirë i një qeverie dhe një shumice në këtë drejmtim por nuk mjafton. Mandati na është dhënë që të punojmë përditë si forca shtytëse e të mirës së këtij populli. Ndjesë, kur përmes nesh është shfaqur sjellja e vjetër ndaj opozitës. Do kisha dashur të ishte e para në falenderimet e mia, por do ishte hipokrizi, jo se nuk na ka ndihmuar me çoriditjen e saj, bërtet por nuk merr seriozisht as vetë atë që totë. Problemi i saj nuk është sip o ecën Shqipëria, por thjesht humbja e pushtetit me të cilën nuk arrin të pajtohet. Mirëpresim çdo denoncim për të pastruar administratën shtetërore të mbërthyer nga korrupsioni dhe të mbërthyer deri në palcë, faleminderit për propagandën e padenjë ndaj policisë së shtetit pas operacionit në Lazarat”.

Ndërsa nuk ka lënë pa falenderuar sa ambasadorin e SHBA-ve Aleksandër Arvizi në fund të mandatit të tij, Ram është shprehur se nuk është dakord me të kur thotë se Shqipëria duhet të ulë ritmin.

“Shqipëria vitin tjetër nuk duhet të ulë ritmin se punët e sotme i ka lënë për nesër, mjaft me këtë situatë, duke u kënaqur me pak dhe duke u varfëruar në aspirata”.

Rama fton: Më pyesni, sot në 12:30 ju përgjigjem në TV e rrjetet sociale
Kryeministri Rama do t’i përgjigjet direkt sot para 35ve, pyetjeve të dërguara nga qytetarët në rrjetet sociale, dërguar që nga data 22 dhjetor e në vazhdim, pasi ai hodhi ftesën në publik.

Në ftesën e 9 ditëve më parë e të rikujtuar herë pas here, Rama shkruante:” Të mërkurën, më 31 dhjetor, ora 12:30, konferenca e fundvitit LIVE në televizion, Twitter dhe Facebook. Dërgoni pyetjet që keni me hashtag ‪#‎PyetKryeministrin.

Ky ka qenë një vit i vështirë, i gjallë, i mbushur me sfida e përpjekje të mëdha. Le të bëjmë së bashku një bilanc të përmbledhur përmes bashkëbisedimit të fundvitit, ku do të mundohem t’i përgjigjem të gjitha pyetjeve tuaja…,”- përfundon Rama.

(ma.ar/ar.sh/BalkanWeb)

Shqipëria gjatë vitit 2014

Nga vjedhja në Bankën Qendrore te ndërhyrja ne Lazarat, nga tensionet politike te statusi kandidat në BE dhe vizita e Papës… ngjarjet që shënuan muajt që lamë pasViti 2014 ishte i ngarkuar me zhvillime te vrullshme në Shqipëri dhe jo vetëm politike. Një ngjarje e cila do të trondisë opinionin është ajo e vjedhjes në Bankën Qendrore.

VJEDHJA NË
BANKËN QENDRORE

Më 23 korrik përmes vetëm pak radhëve në faqen e saj online Banka e Shqipërisë njoftoi se dy ditë më parë kishte bërë kallzim ndaj dy punonjësve në departamentin e Emisionit, për përvetësim të vlerave monetare, duke saktësuar se informacioni i detajuar rreth ngjarjes është i klasifikuar. Por ngjarja ishte shumë e madhe për t’u mbajtur brenda mureve të Bankës
Të nesërmen u arrestuan dy punonjësit e akuzuar Ardian Bitraj dhe Mimoza Brusia. 5 ditë më vonë Banka do të konfirmojë se ishin vjedhur 713 milion lekë. Këshilli MBikqyrës dhe guvernatori Ardian Fullani do të këmbëngulin se të gjitha aktet dhe procedurat ishin të plota dhe sipas standarteve, ndonëse vjedhja kishte vazhduar për katër vite me radhë. Më 30 korrik guvernatori deklaroi se “ka ceduar personi, njeriu”.

Jehona e ngjarjes sa vjen e bëhet me e fortë. “Eshtë cënuar rëndë, imazhi I Bankës së Shqipërisë, dhe më tej edhe vetë imazhi I vendit”, u shpreh Erion Brace, kryetari i komisionit të Ekonomisë. Ai ishte i pari zyrtar që reagoi me forcë duke thirrur në seancë dëgjimore guvernatorin. Zoti Brace do të këmbëngulë në nxjerrjen e përgjegjësive të plota.
Qeveria do të shprehet publikisht vetëm dy javë pas ngjarjes, më 6 Gusht, me anë të një deklarate. Ajo flet për një akt kriminal dhe kërkon hetime të shpejta. Të njejtave tone të kujdesshme kryeministri Edi Rama, do i përmbahet edhe dy javë më pas: “Cështja e parë është të konkludojmë në mënyrë objektive dhe konstruktive se ku qëndrojnë problemet në sistem”.
Trysnia e publikut ndërkohë sa vjen e rritet dhe zërat për shkarkimin e guvernatorit apo dhe Këshillit ndjehen edhe brenda shumicës. Një valë arrestimesh prekën gjatë muajit gusht punonjës të ndryshëm të Bankës, përfshi edhe drejtorin e departamentit të Emisionit, Dorian Collaku. Ato do të kulmojnë në fillim të shtatorit me arrestimin e Guvernatorit Fullani dhe Inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi mbrëmjen e 5 Shtatorit.
Pas 24 orësh, Këshilli Mbikqyrës, i cili më parë kishte refuzuar shkarkimin, mblidhet këtë herë për të vendosur largimin e Guvernatorit. Katër ditë më pas jep dorëheqjen dhe anëtari Ardian Civici.
Zoti Fullani do të qëndrojë në qeli 10 ditë. Gjykata e Apelit do ta lerë në arrest shtëpie, ndërsa më pas Gjykata e Lartë do të caktojë për të vetëm detyrim paraqitje. “Unë jam i pafajshëm”, do të deklaronte më vonë zoti Fullani, në përfundim të njërës prej seancave të pyetjeve që Prokuoria zhvillon me të, ndërsa hetimet ndaj tij ende nuk janë mbyllur.
Ndërkaq skena politike vihet në lëvizje. Kryeministri Rama bisedon me Presidentin Nishani dhe takon stafin e Bankës së Shqipërisë për t’i dhënë mbështetje duke garantuar më pas se “stabiliteti financiar i vendit është tërësisht i pacënuar dhe i garantuar”, nënvizoi zoti Rama më 8 Shtator.
Lidhur me pasuesin e zotit Fullani, kryeministri deklaroi se ai nuk do të ishte nga politika, por një profesionit i fushës. Gjetja e Guvernatorit të ri do të rezultojë një procesi jo shkurtër. Presidenti Nishani hapi më 19 Shtator, një garë për kandidaturat, duke nxitur dhe një polemikë lidhur me procedurën, duke qenë se ligji parashikon zgjedhjen mes anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës. Megjithatë ai do t’i shkojë deri në fund idesë së tij dhe me 7 dhjetor do të propozojë emrin e Gent Sejkos, një emër me eksperiencë bankare dhe aktualisht nëndrejtor i bankës franceze Societe Generale. Rreziku i përplasjes me shumicën është i dukshëm. Kryetari I komisionit të Ekonomisë Brace deklaron se do të kërkojë interpretimin e Komisionit të ligjeve lidhur me dekretin e Presidentit.
Kompromiset politike do të shpëtojnë situatën. Më 19 dhjetor Këshilli Mbikqyrës e propozon zotin Sejko për anëtar të tijin në emër të kapërcimit të ngërcit dhe konsensusit politik, sic do të shpjegonte vetë Këshilli përmes një deklarate. Ai do të marë me shpejtësi aprovimin e Parlamentit së bashku me dy emra të tjerë, duke u zgjedhur kështu anëtarë të Këshillit Mbikqyrës. Zgjidhja e cështjes së guvernatorit mbylli vetëm një kapitull. Ndërsa fati i miliona dollarëve të vjedhur mbetet ende një mister.

AVIONI I DROGËS NE DIVJAKE
BIE MITI I LAZARATIT

Ndërsa në vend një seri atentatesh dhe shpërthimesh me eksploziv kishin ngritur shqetësime serioze mbi gjendjen e rendit, një fjali, e cila u duk sikur ishte hedhur aty thjesht si garniturë e nje polemike të fortë në parlament mes ish ministrit të Mbrojtes Arben Imami dhe pasueses së tij socialiste Mimi Kodheli, shënoi preludin një fronti të ri akuzash që do të zgjasin disa javë

“Infrastruktura ushtaraka e një ushtrie të Natos, po përdoret rregullisht në infrastrukturë të transportit të lëndëve narkotike”, deklaroi zoti Imami gjatë seancës së 10 Prillit.
Në ditët që do të pasojnë polemikat do të përqëndrohen vetëm në këtë pikë. Opozita do të shtrojë në mënyrë të përsëritur të njejtën pyetje. “Keni apo jo dijeni për përdorimin e strukturave të forcave të armatosura për transportin e lëndëve narkotike?”, pyet kreu i opozitës Lulzim Basha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat më 17 prill.
Një javë më pas në parlament kjo do të jetë tema e debatit. Por sipas ministres së MBrojtjes Mimi Kodheli “nuk ka asnjë provë, asnjë fakt. Zero”. Zoti Imami do të avancojë më tej duke folur për avion të ulur në bazën e Gjadrit: “Më 19 mars, një avion i bardhë, i cili vjen e ulet shpesh herë…” Gjithshka e ka burimin te një informacion i Shërbimit Informativ Kombëtar, i cili më vonë do të dalë e të sqarojë se nuk ka asnjë fakt të vërtetuar që të implikojë ushtrinë.
Sipas opozitës avionë janë ulur edhe në zona të tjera të vendit, në Gjirokastër apo dhe në Divjakë. Por në parlament kryeministri Edi Rama do të ironizonte duke thënë se “nuk janë avionë, janë mushkonjat, që janë kthyer si avionë të droguar që pickojnë azhdimisht opozitën”.
E ndërsa shkëmbimi i replikave vazhdoi, tre javë pas kësaj deklarate të kryeministrit, një avion i vogël, i bardhë, do të ngecë gjatë uljes në plazhin e Divjakës. Piloti është italian. Në zonë gjenden mbi 400 kilogram marijuanë në thaës. Arrestohet dhe një shqiptar.
Opozita i rikthehet më me forcë akuzave, ndërsa këmbëngulte se paralajmërimet e saj u vërtetuan. “Avioni iu ka rënë në prehër, droga ju ka mbetur në derë”, deklaron zoti Basha. Opozita kërkoi dhe dorëheqjen e kryeministrit e zhvilloi dhe protesta. Zoti Rama hodhi poshtë me forcë akuzat për përfshirjen e qeverisë në trafikun e drogës. Me kalimin e ditëve tensioni vjen e shuhet.
Pak javë më vonë, më 16 qershor, policia do të ndërmarrë një operacion të gjerë në Lazarat, një territor i konsideruar i paprekshëm për vite me radhë. Mbi 500 forca policie u angazhuan dhe mbajtën fshatin të rrethuar, duke fituar territor ditë pas dite, ndërsa nuk mungoi rezistenca e armatosur. “Mos mendoni kurrë se ka zot në tokë, që mund t’I dali zot atyre që qëllojnë kundër policisë”, u shpreh ministri Brendshëm Saimir Tahiri.
Opozita u shfaq dyshuese ndaj operacionit. “Ky aksion apo cdo aksion tjetër kundër narkotrafikut, të mos I lihet në dorë këtij kryeministri, apo atij që ka si ministër të Brendshëm”, than ë parlament kryetari I grupit parlamentar democrat, Edi Paloka. Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha do të akuzonte se “të gjithë bosët e drogës së Lazaratit, janë përjashtuar nga lista e kërkimit”.
Gjatë ndërhyrjes një polic dhe dy barinj u plagosën ndërsa një trupë e televizionit A1 Report u sulmua.
Më 19 qershor policia hyri në qendër të fshatit. Kontrollet shtëpi më shtëpi zbuluan arsenale të tëra armësh, mbi 130 mijë rrënjë cannabis sative, 70 ton hashash, e laboratore droge.
“Ajo republikë e turpit politik dhe shtetëror nuk ekziston më”, deklaroi kryeministri në përfundim të operacionit. Dy muaj më vonë një aksion i ngjashëm përfshiu dhe veriun e vendit, ku gjithashtu pati rezistencë të armatosur. Një helikopter i policisë u detyrua të bëjë edhe ulje emergjence pasi u qëllua.

DEBATI PËR REFORMAT
DHE STATUSI NË BE

Një ndër reformat më të rëndësishme ishte ajo e riorganizimit të ri administrative-territorial, një proces në të cilin opozita nuk mori pjesë. Qeveria ndërkohë ndërmorri reforma në sistemin universitar e të pensioneve si dhe nisi një ndërhyrje të fortë në sektorin e energjisë, me një operacion të gjerë kundër vjedhjeve. Ndërsa në muajt e fundit të viti mori jetë një tjetër process, ai i reformës në Drejtësi
Për ndarjen e re administrative shumica premtoi një komision dy palësh, ku opozitës i njihej e drejta “e bashkëkryesimit të komisionit, përfshirë edhe veton”, deklaroi kryeministri Edi Rama, më 22 janar.
Por për opozitën vetëm barazia në komision nuk ishte e mjaftueshme. “Ta implementojmë parimin e votës me konsensus në aulën e parlamentit”, u kundërpërgjigj kryetari demokrat Lulzim Basha, me në krah të gjithë aleatët e vet.
Komisioni parlamentar i miratuar në 23 Janar do të mblidhet për herë të parë pas dy javësh. Mungesa e opozitës do e shtyjë disa muaj punën. Kryeministri dhe kreu i opozitës shkëmbejnë letra publike, e ftesa për takime që nuk do të realizohen.
Në Prill shumica deklaron se nuk do të presë pa fund opozitën. Kjo e fundit paralajmëron protesta.Për të zhbllokuar punën e komisionit ndryshon përbërja e tij. Procesi i reformës ka marrë ndërkohë dhe mbështetjen dhe ekspertizën e disa organizmave dhë partnerëve ndërkombëtarë të vendit. Më 16 Maj, qeveria ofron 5 variante, me nga 30 deri 63 bashki në të gjithë vendin. Në fund, do të miratohet një tjetër model i rishikuar, me 61 bashki pasi plotësohen disa kërkesa të PDIU-së, e cila theu betimin e opozitës, duke i dhënë shumicës qetësinë e numrit të votave.
Opozita e cila në qershor bën disa propozime të saj vlerëson se “kjo ndarje nuk i shërben as vendit dhe as qytetarëve”, u shpreh zoti Basha. Reforma do të kalojë në seancën e fundit të sesionit parlamentar, ku në mungesë të opozitës i vetmi debat do të jetë për Himarën
Opozita e cilëson një hartë elektorale dhe të papranueshme. Ajo e con cështjen në gjykatën kushtetuese, ndërsa presidenti Nishani ja riktheu më parë parlamentit. Gjykata rrëzon ankimin e demokratëve më 15 dhjetor. Në të njejtën ditë Kreu i shtetit dekreton 21 qershorin 2015, si datën e zgjedhjeve vendore që do të mbahen sipas ndarjes së re. Demokratët nuk ndryshojnë qëndrim. “Partia demokratike nuk e pranon dhe nuk do ta pranojë kurrë këtë hartë të turpshme të dyshes Rama- Meta”, nënvizoi më 15 dhjetor kryetari I PD-së.

ENERGJIA
Në janar Qeveria vendosi ngritjen e një task-force për të vënë rregull në sektorin e energjisë, i dërrmuar ndër vite nga vjedhjet e shumta dhe mospagesat. “Historia se kush nuk paguan mund të vjedhë gjithnjë e më shumë, duhet dhe do të marrë fund”, paralajmëroi kryeministri.
Por vrulli i task-forcës zgjati vetëm pak javë. Ndërhyrja e vërtetë do të nisë vetëm në fund të tetorit, ndërsa më parë parlamenti kishte miratuar ndryshime dhe në kodin penal ku përvec dënimit me burg nuk ka më alternativë tjetër. “Kanë 5 ditë kohë, që të rikthehen në binarët e ligjit”, deklaroi kryeministri më 22 Tetor.
Qindra persona, mes të cilëve pronarë biznesesh të vogla, por dhe punonjës të operatorit të shpërndarjes u arrestuan. Qeveria ndërkohë ofroi mundësinë e pagesës me këste për faturat e vonuara. Sportelet u përballën me një dyndje njerëzish.
Që më herët qeveria kishte parlajmëruar një ndërhyrje të thellë në këtë seltor. Në qershor u mbyll me mirëkuptim mosmarrëveshja me cekët e CEZ. Opozita do flasë për një aferë korruptive, por sipas autoriteteve, sektorit ju hap rruga e investimeve. Në 3 nentor firmoset kredia 150 milion dollarëshe me Bankën Botërore, ndërkohë që debate të forta shkaktoi paralajmërimi për ndërhyrje në strukturën e cmimit përmes heqjes së fashës prej 300 kilowatësh me tarifë favorizuese. “Eshtë tek fasha që ne do të synojmë të celim rrugën e reformës”, shpjegoi zoti Rama. Por opozita kërkoi që “të ndalë cdo tentativë për rritjen e cmimit të energjisë elektrike”, deklaroi zoti Basha.
Më 26 Dhjetor Enti Rregullator I Energjisë cakton cmimin e ri fiks prej 9.5 lekësh.

DREJTËSIA
Drejtësia si gjithnjë ishte temë e debatit të zjarrtë. Deklarimeve të shumicës për nisjen e një reforme të drejtësisë Presidenti Nishani i parapriu më 16 janar, me paralajmërimet se “marrja e sistemit të drejtësisë nën kontrollin politik është forma më e lartë e korrupsionit”. Shumica asnjëherë nuk e fshehu mosbesimin ndaj tij. “Nuk besoj se ka njeri në këtë sallë se hamendëson se sot ne kemi një President të Republikës, që gdhihet e ngrys ditën duke u përpjekur të reformojë e për mirësojë me rrënjë sistemin e Drejtësisë”, deklaroi më 31 janar në parlament, kryetari i komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj.
Me radhë kandidaturat e tij për anëtarë të gjykatës së lartë do të rrëzohen përgjatë gjithë vitit, ndërsa përplasjet do të jenë të shumta, kurdoherë që do të paraqitet rasti.
Ministri i Drejtësisë Nasip Naco do të jetë në përplasje të përhershme me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. “sistemi i Drejtësisë në Shqipëri është kthyer në një rrjet ku gjyqtarët mbrojnë njëri-tjetrin në kundërshtim me ligjin”, u shpreh në 8 korrik ministri Naco. “Ministri gënjeu publikisht kur tha se nuk ka trasparencë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, u kundërpërgjigj në të njejtën ditë zëdhënësi I KLD-së.
Shumica ndërmerr ndryshime në ligjin për KLD-në, të cilat miratohen në fund të Korrikut. Në Shtator një grup deputetësh kërkojnë shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së Elvis Cefa dhe të anëtarit Lulzim Lelcaj. Më pas ngrihet një komision hetimor. Polemikat janë të shumta, por shumica pas një muaji, më 23 tetor do të votojë shkarkimin e tyre.
Ndërkohë duket se merr udhë dhe reforma në Drejtësi. Një tryezë e presidentit Nishani mbledh më 6 Tetor, të gjithë aktorët. “Në Shqipëri ka një korporatë e cila shet e blen Drejtësinë”, u shpreh zoti Rama. Ndërsa kreu i opozitës, nga e njejta tryezë do të kërkojë që “Qeveria të mbajë duart larg nga gjyqësori”.
Pas disa tryezave të tjera, në dhjetor do të ngrihet edhe komisioni parlamentar për reformën

STATUSI KANDIDAT
Pas katër refuzimesh radhazi qershori i 2014 ishte provimi i radhës për cështjen e statusit të vendit kandidat. Lëvizjet mes Tiranës dhe Brukselit do të jenë të shpeshta. Ndërsa kryeministri dhe ministrat e tij ndërmarrin një tur vizitash në kryeqytetet e vendeve të cilat dhjetorin e kaluar kishin shfaqur skepticizëm të hapur. Në Berlin, më 1 Prill, ai merr mbështetje të hapur nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
Në qershor nga Tirana, komisioneri Fyle rikonfirmon “rekomandimin se shtetet anëtare duhet t’i japin Shqipërisë statusin kandidat”. Këtë herë “është një rekomandim i pastër, pa asnjë presje pas PO-së”, nënvizon kryeministri Rama.
Vendimi pritet në fund të muajit. Në Paris kryeministri Rama merr dhe mbështetjen e Francës nga presidenti Francois Hollande.Më 24 qershor, pasi janë kapërcyer dhe pengesat e fundit me Spanjën dhe Cekinë, ministrat e jashtëm të vendeve anëtare konfirmojnë dhënien e Statusit.
Për vendin do të nisë një sfidë e re

DRONI DHE RAMA
NË BEOGRAD

Një nga meritat që Shqipërisë i është njohur gjithnjë, është roli i saj në Ballkan. Kryeministri Edi Rama i kushtoi një vëmendje të posacme rritjes së peshës së vendit në rajon. Në konferencën e udhëheqësve ballkanik, organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, ku Tirana ishte propozuesja e dokumentit bazë të takimit, zoti Rama njoftoi dhe vizitën e tij të ardhshme në Beograd, e para pas 68 vitesh

Por në Ballkan paqja ende nuk mund të merret si e mirëqenë. Ndeshja e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd rindezi nacionalizimin e egër. Në stadium thirrjet për të vrarë shqiptarët nuk rreshtën. Ndërsa loja ishte ndërprerë për shkak të objekteve të hedhura në fushë, shfaqja në qiellin e stadiumit, të një droni me simbole shqiptare e ktheu ndeshjen në një sulm të paprecedentë ndaj lojtarëve shqiptarë.
Propaganda serbe veproi me shpejtësi për ta përkufizuar gjithshka si një provokim për shkak të dronit, i cili madje sipas tyre ishte komanduar nga vëllai i kryeministrit. Për Zërin e Amerikës, nga Bostoni, zoti Rama tha se “ne jemi krenar që nuk kemi asnjë lidhje me cfarë u shfaq në formën e vet më të egër dhe më negative si një shëmbëlltyrë e së shkuarës, të cilën ne jemi të vendosur ta lëmë prapa”.
Dhe pavarësisht retorikës së rënduar serbe dhe shkëmbimeve të notave të protestave mes palëve, kryeministri nuk hoqi dorë nga vizita në Beograd. Ajo vetëm do të shtyhet me tre javë, pas trysnisë ndërkombëtare mbi kryeministrin serb.
Tensioni është në ajër në mjediset e pallatit Srbia, më 10 Nëntor, ku deklaratat e zotit Rama për Kosovën do të shfaqen si një dron i dytë për serbët. “Pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm. Cdo perceptim i ri i Serbisë lidhur me këtë cështje, është më shumë se sa i mirëpritur prej nesh”. Kryeministri Vucic, i skuqur në fytyrë deklaron se “dua të shpreh pakënaqësinë time të thellë për këtë provokim në këtë konferencë shtypi”.
Gjakrat do të zbuten me kalimin e orëve dhe në mbrëmje të dy kryeministrat do të darkojnë së bashku. Të nesërmen zoti Rama do të jetë në Preshevë ku shqiptarët e atjeshëm i rezervojnë një pritje tejet entuziaste, ndërsa në të gjithë trevat shqiptare në rajon, vizita në Serbi shihet gati si fitorja e një beteje.

BOJKOTI DHE
ZGJEDHJET NË PD

Por ndërsa zoti Rama i mëshon paqes së qëndrueshme në Ballkan, në shtëpinë e tij, paqja politike nuk është aspak e lehtë. Në pjesën e parë të vitit, opozita braktisi disa herë punimet e parlamentit, dhe nisi një bojkot të gjatë në korrik pasi deputeti i saj Gent Strazimiri u sulmua në korridoret e parlamentit nga dy deputetë socialistë.

Edhe fillimi i sesionit të ri parlamentar e gjen opozitën jashtë parlamentit. “Ne nuk do të shkojmë në një vend ku opozita, nuk dëgjohet, nuk replikohet por dhunohet fizikisht”, deklaron kreu democrat më 1 Shtator.
E djathta akuzon shumicën se ka përfshirë në parlament element me të kaluar kriminale dhe e kushtëzon rikthimin e saj dhe me cështje të tjera të ngritura prej kohësh si respektimi i vendimeve të gjykatës kushtetuese dhe ngritja e komisioneve hetimore të kërkuara prej saj. Kryeministri thotë më 29 Shtator se është i gatshëm për plotësimin e tyre “por vetëm askush të mos na kërkojë të bëjmë babysitterin e opozitës”.
Në tetor parlamenti do të miratojë ngritjen e komisioneve hetimore dhe bie dakort edhe për ndryshimin e rregullores, për kohën në dispozicion të opozitës.Por as kjo lëvizje nuk i bind demokratët të cilët kërkojnë garanci ndërkombëtare. Më 22 nëntor opozita do të organizojë një protest të madhe në Tiranë. “Kur shkelet kontrata me popullin, nuk është populli ai që bie, por jepet dorëheqja ose rrëzohet qeveria”, deklaron zoti Basha në fjalën e tij gjatë protestës.
Në dhjetor, për ndërmjetësimn mes palëve përfshihet parlamenti europian. Përfaqëuesit e dy grupeve kryesore vijnë njëri pas tjetrit në TIranë. Në fillim eurodeputeti Knut Fleckenstein, e pak ditë më pas Eduard Kukan, i cili i paraqet palëve dhe një propozim konkret, i cili përmban shqetësimet e ngritura nga opozita në këmbim të rikthimit të saj në parlament. Kur u duk se gjithshka ishte përmbyllur demokratët kërkojnë të bëjnë shtesa në tekst dhe vetëm në mesnatë e firmosin pa ndryshime.Të nesërmen opozita rikthehet në parlament, në limitet kohore për mosdjegien e mandateve.
Pati mjaft analiza sipas të cilave bojkoti i zgjatur ishte një mënyrë e kryetarit Basha për të mbajtur të shtrënguar radhët e partisë, ku zërat kundër po dilnin më hapur. Procesi i zgjedhjeve dhe rinovimit të strukturave zgjati gati një vit e gjysëm nga zgjedhja e tij si kryetar. Pas shumë shtyrjesh kuvendi i demokratëve u mblodh në shtator, ku u fol dhe për ndjesë ndaj gabimeve në vitet e pushtetit. “Një pjesë e përfaqësuesve tanë në qendër e në periferi u lodhën nga qeverisja”, tha zoti Basha.
Zoti Basha ndryshoi modelin e strukturave drejtuese, duke i zgjeruar në numër, ndërsa shtyu në kohë edhe zgjedhjen, më 30 Nëntor, të kryesisë së re, e re thuajse në të gjitha kuptimet, në formë dhe në emrat e përfaqësuar në të. Një përpjekje për të vendosur qartë gardhin rreth shtëpisë së cilës i ka dal për zot.

VIZITA E PAPES

Përtej debateve, ka një moment të vecantë gjatë 2014, vizita e Papa Francescut, I cili zgjedh të vijë në Shqipëri, në të parën vizitë të tij në Europë. Për 24 orë, Shqipëria do të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare

Ati i Shenjtë do të zbresë në tokën shqiptare mëngjesin e së dielës 21 shtator. Rruga nga aeroporti deri në qendër të Tiranës do të jetë e mbushur me njerëz, të të gjitha besimeve, të cilët kanë dalë për të parë nga afër dhe për të përshendetur Papa Franceskun.
Në bulevardin qëndror ku ai kalon janë vendosur portretet e 40 klerikëve të martirizuar nga regjimi komunist. Dëshmitë e dy të mbijetuarve nga tmerret e diktaturës do të përlotin Atin e Shenjtë.
Mes entuziasmit të mijërave shqiptarëve Papa bën dy herë xhiron e Sheshit Nënë Tereza ku ai do të mbajë më pas dhe meshën e së dielës. Ati i Shenjtë vlerëson tolerancën fetare në Shqipëri dhe duke iu referuar shqiponjës, simbolit të flamurit shqiptarë, u kujton shqiptarëve që ashtu si shqiponja të fluturojnë lart, ndërsa i uron atyre “Paqe në zemrat tuaja, Paqe në kombin tuaj. PAQE”. (voa)

Konfrontimi i rrënjëve të tatëpjetës së Kosoves

Gjashtë vite pasi “pavarësia e mbikqyrur” filloi në Kosovë dhe 15 vite pasi sulmet ajrore të NATO-s i dhanë fund luftës gjenocidiale në Kosovë, dhjetori i 2014 shënon një pikë kthese dëshpëruese në historinë më të re të Kosovës. Ngërçi gjashtë mujor në procesin politik të Kosovës që pasoi zgjedhjet e përgjithshme me 8 qershor dhe që mbaroi me ndarjen e koalicionit që kundërshtonte kthimin e Hashim Thaçit në pushtet si kryeministër dhe të partise së tij, Partisë Demokratike të Kosove (PDK), e ka thelluar deficitin demokratik të Kosovës. Me zgjedhjen nga Parlamenti i Kosovës me 8 dhjetor të Isa Mustafës si kryeministër, Hashim Thaçit si zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm, Kadri Veselit, ish kryetarit të shërbimit të dyshimtë sekret (SHIK) si Kryetar i Parlamentit, bashkë me emërimin e një numri të madh ministrash dhe zëvendësministrash, politika elite që e ka ndaluar Kosovën të lulëzojë e të përparojë gjatë dekadës së fundit është kthyer në pushtet. Përderisa Beogradi ka marrë çdo masë të mundshme që nga fundi i luftës për të mbajtur dominimin e tij mbi Prishtinën dhe për të destabilizuar Kosovën e rajonin, dhe përderisa Përëndimi ende ka për ti dhënë Kosovës sovranitet të plotë dhe ta pranojë atë në institucionet ndërkombëtare, shumica e elitës politike të Kosovës mban përgjegjësinë për përkeqësimin politik dhe ekonomik të vendit sepse ata kanë dështuar që të angazhohen seriozisht në shtet-ndërtim. Në vend se të mbështesin sundimin e ligjit, ata i kanë mbushur xhepat e tyre duke kërkuar haraç dhe duke emëruar në pozita të rëndësishme anëtarë të pakualifikuar të familjeve të tyre. Në vend se të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, aktivitetet e tyre privatizuese kanë çuar në projekte të diskutueshme që i kanë pasuruar ata dhe partnerët e tyre të huaj. Si rezultat, papunësia tani është të paktën 40% (është mbi 60% në grupmoshat 18-30 vjeç) dhe rinia kosovare po braktis vendin masovisht, kryesisht në mënyrë ilegale.

Në kundërshtim me deklaratat e tyre se ata nuk luajtën rol në dhënien fund të ngërçit politik të pas-zdhedhjeve, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ushtruan presion të madh mbi LDK-në, e cila fitoi 30 vende në zgjedhjet e fundit të Kosovës, që ta linte koalicioinin dhe të formonte koalicion me PDK-në, e cila fitoi 37 vende në Parlamentin me 120-vende. Perëndimi preferoi status-quo në mënyrë që të çonte përpara politikën e saj që ta paqësojë Serbinë, të cilën ata në mënyrë të gabuar e shohin si motorrin e ardhshëm të zhvillimit ekonomik dhe politik në Evropën Juglindore.

Bashkimi Evropian e ka dështuar popullin e Kosovës duke bërë retorikë të thatë për sa i përket dhënies fund të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, përderisa në të njëjtën kohë bëhet bashkë me anëtarët e korruptuar të elitave politike të Kosovës. BE-ja është bërë pjesë e problemit me zbulimin e kohëve të fundit nga një britaneze se gjykatësit dhe prokurorët që përfaqësojnë EULEX-in kanë mbrojtur politikanë të pushtetshëm duke mbuluar evidencë të korruptimit të tyre. BE-ja gjithashtu e ka kthyer Kosovën në “geton” e fundit evropiane duke e shpërblyer Serbinë e duke mos i dhënë Kosovës liberalizimin e vizave – diçka që Parlamenti i Kosovës duhet të shqyrtojë menjëherë.

Liberalizimi i vizave është thelbësor jo vetëm për zhvillimin ekonimik, por edhe për arsyen se izolimi i Kosovës i ka dhënë ngritje depërtimit të rrezikshëm e të paparë të islamit radikal. Përderisa kosovarëve nuk u lejohet të udhëtojnë për në Evropën Perëndimore apo Bashkimin Evropian, ata janë të lirë të udhëtojnë për në lindje në Turqi e më tej. Fundamentalistat islamikë nga bota arabe kanë qenë duke financuar lëvizje politike, ndërtuar xhami aty ku kurrë nuk ka pasur në Kosovë, dhe duke u dhënë para grave që jetojnë në varfëri si këmbim që ato ti veshin shamitë dhe ti dërgojnë bijtë e tyre në shkolla fetare. Për herë të parë që nga 1912 (kur okupimi 425 vjeçar i trojeve shqiptare nga Perandoria Turke Osmane u përmbys) fundamentalistat islamikë, të refuzuar gjerësisht nga shqiptarët në gjithë Ballkanin, ia kanë dalë që të infiltrojnë një popullsi laike muslimane, të cilët kanë jetuar krah për krah me fqinjët katolikë, të krishterët ortodoks, dhe hebrenjt në harmoni për vite e shekuj të tërë. Islami radikal është në kundërshtim me modelin shqiptar të islamit, thelbi i të cilit është toleranca ndërfetare, respekti, dhe mirëkuptimi.

Qeveria e SHBA-ve gjithashtu e ka dështuar popullin e Kosovës duke iu bashkuar BE-së në ngritjen elitave politike të korruptuara të Kosovës. Në këtë proces, Amerika e ka abuzuar fuqinë e saj tek shqiptarët, grupi etnik më pro-Amerikan e pro-demokraci në Evropën Juglindore. Duke ia dorëzuar pushtetin pas luftës pothuajse pa përjashtim atyre që do t’u bindeshin kërkesave të Perëndimit, Perëndimi dështoi që të shrytëzonte expertizën dhe shkollimin e shumë profesionistëve kosovarë. Duke qenë e dyta kundrejt Evropës, administrata e SHBA-ve i ka mundësuar Beogradit që të hyjë në vakumin e krijuar nga mungesa e unitetit dhe vendosshmërisë së 28 shteteve anëtare të BE-së, pesë nga të cilat refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet i pavarur.

Në të njëjtën kohë, shumë kosovarë e mendojnë vetveten si minoritet i shtypur, të nënshtruar ndaj tekave të Serbisë, Rusisë, dhe BE-së që konspirojnë kundër vendit më të ri në botë. Realiteti është që shqiptarët janë shumica dërrmuese e shtetit të ri dhe në vend se të vajtojnë rreziqet e vërteta e të imagjinuara ndaj egzistencës së Kosovës, zyrtarët e zgjedhur duhen të përqëndrohen në punë të qeverisjes, policisë, ofrimin e energjisë, ujit, shkollimin adekuat, dhe kujdesin shëndetësor për të gjithë qytetarët, dhe të paraqitjes së masave anti-korrupsion në çdo institucion publik, si lokal ashtu edhe në nivel qëndror.

Qeveria e Kosovës e ka fuqinë ta ndryshojë të ardhmen e bisedimeve Prishtinë-Beograd duke marr kontrollin mbi marrëdhëniet me serbët në Kosovën veriore. Gjithashtu, ajo ka fuqinë që ti rezistojë krijimit të gjykatës speciale për krime lufte për Kosovën, kur as shumë pak trupa serbë paramilitare e militare nuk janë sjellur para drejtësisë për okupimin 10-vjeçar të Kosovës, dëbimin e një milion kosovarëve, dhe vrasjen e dhunimin e mijërave pa u ndëshkuar fare prej 1998-1999. Qeveria e Kosovës mund të përqëndrohet në sjelljen e kësaj padrejtësie para vëmendjes ndërkombëtare. Kjo thjesht është çështje e vullnetit politik.

Kosova mund të jetë e suksesshme, por nuk do ta arrijë atë po qe se kosovarët nuk ngriten përballë problemeve dhe nuk bëhen zot të fatit të tyre. Përndryshe, Kosova do të vazhdojë të rrësqasë në një gjendje të limbos politike dhe ekonomike dhe ajo do jetë në mëshirën e fuqive të huaja. Ka ardhur koha që kosovarët, sidomos të rinjtë, ta shfrytëzojnë momentin dhe të nisin veprime jo të dhunshme që të sjellin vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj tatëpjetës që e ka marrë Kosova. Është po ashtu koha që burrat dhe gratë e afta në diasporën shqiptare – shumë prej të cilëve ia kanë kthyer shpinën Kosovës që kur pavarësia u deklarua me 2008 – ta ndihmojnë Kosovën që të dalë nga situatata dëshpëruese sociale dhe ekonomike në të cilën ajo gjendet. Përndryshe, Kosova do të vazhdojë të rrësqasë në një limbo ekonomike e politike, dhe do të jetë në mëshirën e vazhdueshme të fuqive të huaja. (Shirley Cloyes DioGuardi /AACL)

Kurti: Situata në Kosovë po shkon drejt shpërthimit

Kjo gjendje shpërthyese natyrisht do të duhej të jetë e orientuar me koncept të qartë dhe me organizim të mirëfilltë, thotë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë. ​Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, Kosova tashmë ka institucionet e reja, për formimin e të cilave keni qenë mjaft kritik. Por, duke pasur parasysh ngërçin prej gjashtë muajsh, është thënë se zgjidhje tjetër nuk ka pasur. Ju si mendoni?

Albin Kurti: Ka pasur zgjidhje tjetër dhe ajo ka qenë zgjidhje e vërtetë, shumica parlamentare t’i formojë institucionet e legjislaturës së pestë. Mirëpo, LDK-ja e udhëhequr nga Isa Mustafa, në momentet e fundit vendosi që t’i bashkohet Thaçit dhe kësisoji në Kosovë ta instalojnë vazhdimin e misionit të vjetër, që do të thotë rehati për politikanët që vishen me pushtet , mjerim për qytetarët të cilët që përballen më mbi jetesën dhe koncesione të mëtutjeshme Serbisë, së cilës i shtohen apetitet.

Ne, nuk besojmë që me këtë qeveri të re do të ketë të mira të reja për Kosovën. Përkundrazi, qeveria e Kosovës po e degradon Kosovën edhe në aspektin politik dhe atë ekonomik, politikisht po e bën vendin jofunksional si Bosnjën e pas luftës.

Ndërkaq, ekonomikisht po e bën atë të mjerë si Amerikën Latine në çerekun e fundit të shekullit të kaluar. Interesante është që në vitin e ardhshëm shënohet njëzet-vjetori i konferencës së Dejtonit, kurse në Kosovë po synohet të implementohet asociacioni i komunave më shumicë serbe që na bosnjëzon praktikisht. Pra, Bosnja pa të ardhme, paradoksalisht po shndërrohet në të ardhmen e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Ju, si Lëvizje keni “rezistencë” ndaj dialogut me Serbinë,i cili shihet si një prej detyrimeve parësore të institucioneve të Kosovës. Mendoni se kjo ka ndikuar që koalicioni qeverisës të marrë këtë formë që ka sot?

Albin Kurti: Shteti i Kosovës është “për tokë”. Nëse i bërtasin të veshi shtetit të Kosovës “dialog me Serbinë”, shteti i Kosovës mund të pësojë edhe infarkt. Ne do të duhej të ngrihemi në gjunjë një herë, mirëpo kjo nuk do të ndodh me koalicionin PDK-LDK, i cili është i vendosur që të vazhdojë gjurmëve të [qeverisë] Thaçi II. Pra, ne e kemi të domosdoshme që ta kthejmë dinjitetin, sovranitetin, integritetin territorial për Kosovën dhe kjo nuk bëhet duke i vazhduar pazaret e Thaçit me Serbinë, me ç’rast Thaçi personalisht mbetet larg burgut e Serbia si shtet i afrohet Bashkimit Evropian.

Nuk mendoj që arsyeja kryesore që është prishur VLAN-i ka qenë dialogu, por besoj që Mustafa ka pasur gatishmëri që të mos ndryshojë asgjë nga formati, karakteri dhe qëllimet e dialogut, ashtu siç e kanë zhvilluar në të kaluarën Thaçi dhe [Edita]Tahiri.

Radio Evropa e Lirë: A besoni në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Ky dialog pritet të rifillojë në janarin e vitit të ardhshëm…

Albin Kurti: Pas Luftës së dytë Botërore, shtetet e ndryshme evropiane i kanë normalizuar marrëdhëniet në kushtet kur nuk kishin më pretendime territoriale dhe kishin njohje reciproke. Si do të mund të normalizohen raportet me Serbinë kur ne nuk i kemi këto? Realisht edhe pas njohjes së Serbisë ne nuk do të kemi marrëdhënie normale me të, por pikërisht atëherë do të mund të thuhej që ai normalizim do të ishte normal.

Unë nuk besoj në normalizimin e marrëdhënieve më Serbinë, përderisa ajo i ka këto pretendime ndaj Kosovës, nuk ballafaqohet me të kaluarën dhe nuk na e pranon pavarësinë. Por, në anën tjetër e kemi parë që duhet të besojmë në normalizimin e marrëdhënieve të krerëve të institucioneve të Kosovës me ato të Serbisë.

Për herë të parë në Kosovën e pavarur jemi me një qeveri e cila i ka marrëdhëniet shumë më të mira me Beogradin se sa që i ka Shqipëria apo Qeveria e Shqipërisë marrëdhëniet me Beogradin.

Radio Evropa e Lirë: Keni kritikuar institucionet ndër të tjera për korrupsion, për nxitje të migrimit të paligjshëm dhe zhvillim të ngathtë ekonomik. Sa keni arritur ju të ndikoni në zvogëlimin e këtyre dukurive?

Albin Kurti: Besoj që Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë gjithmonë subjekti i cili ishte në ballë të luftës kundër korrupsionit. Dhe këtë e kemi bërë për shkak se besojmë se pa shtet të së drejtës nuk ka as ligj të respektuar prej qytetarëve dhe në të njëjtën kohë nuk ka as kredibilitet për vetë republikën tonë.

Natyrisht që ne pak kemi mundur të bëjmë si grup parlamentar opozitar. Çdo herë e kemi ngritur zërin kundër korrupsionit, veçse duhet theksuar që luftimin e korrupsionit e kemi dëshmuar si qeverisje në Prishtinë, prej ndërprerjes së ndërtimeve pa leje e deri të transparenca e plotë në punësim.

Radio Evropa e Lirë: Sa mendoni se do të mund të funksiononi si opozitë e mirëfilltë, duke qenë se partitë e koalicionit qeverisës gëzojnë një shumicë të qëndrueshme në Kuvend?

Albin Kurti: Ata është e vërtet që i kanë numrat, mirëpo ata kurrë nuk e kanë pas rejtingun më të ulët te populli i Kosovës. Praktikisht të dy partitë që po rrudhen e po vyshken me shpejtësi, u bën bashkë në rënie e sipër. Besoj se Lëvizja Vetëvendosje si opozita kryesore dhe prijëse do të arrijë që edhe me deputetët e tjerë opozitara të AAK-së dhe Nismas, t’i ketë gjithsejt 33 deputetë në Kuvendin e Republikës.

Duke pasur parasysh se janë edhe disa të pavarur edhe disa të tjerë të pakënaqur në PDK e LDK do të arrijmë ta kemi numrin prej 40 deputetësh,i cili është i nevojshëm për të bërë komisione hetimore parlamentare.

Në të njëjtën kohë do të arrijmë që të kemi seanca të jashtëzakonshme për tema të cilat nuk janë ngritur më herët. Gjithashtu ne synojmë që tëpengojmë dy të tretat e deputetëve t’i ngrejnë duart si makineri e votimit, në mbështetje të këtij regjimi.Pra, posa t’i arrijmë 41 deputetë, atëherë ata nuk do të mund t’i kenë dy të tretat dhe ky paraqet një ndër synimet tona. Mbi të gjitha ne nuk synojmë që të kufizohemi vetëm në Kuvend. Aksionet publike dhe tubimet anë e kënd Kosovës, protestat e demonstratat do të vazhdojnë të jenë mjet i zakonshëm i Lëvizjes Vetëvendosje edhe me tej.

Radio Evropa e Lirë: Përmendët demonstratat, si mendoni t’i mbani nën kontroll? A keni ndonjë mekanizëm?

Albin Kurti: Besoj se situata në Kosovë po shkon drejt shpërthimit. Ne kishim një rrije të ulët ekonomike prej realisht 2,5 % në këtë vit, e cila ishte e varur nga investimet publike dhe konsumi publik e privat i familjeve.

Paqja sociale gjithnjë e më e brishtë në Kosovë mbahet nga remitencat e mërgatës sonë. Dhe kjo gjendje shpërthyese natyrisht do të duhej të jetë e orientuar me koncept të qartë dhe me organizim të mirëfilltë. Të dyja këto i ka Lëvizja Vetëvendosje dhe unë mendoj që ata që duhet të frikësohen nga shpërthimi i situatës në Kosovës kurrsesi nuk janë qytetarët, por vetëm këta pushtetarë të korruptuar.

Radio Evropa e Lirë: Një nga sfidat më serioze përballë institucioneve të Kosovës është themelimi i Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte. Pse e kundërshtoni ju formimin e kësaj Gjykate?

Albin Kurti: Ne kemi nevojë për drejtësi universale, e jo për gjykata speciale. Le të mos harrojmë që nuk e dimë as statutin, as organizimin, as strukturën, as misionin, as përbërjen, as përmbajtjen dhe as financimin për këtë gjykatë speciale. Pra të thuash se je për Gjykatën Speciale do të thotë të japësh një çek bllanko, tërësisht të papërgjegjshëm; këto asnjëherë nuk janë bërë të ditura. Për më tepër më duhet të theksoj se për gjykatë të re ka nevojë Serbia, meqë ajo i zhvilloi katër luftëra dhe vrau 150 mijë jo serbë, ndërkohë që Gjykata Speciale atje për krime të luftës i ka në burg vetëm 160 serbë.

Ne e dimë që Kosova ka qenë shoqëri e viktimës dhe e dimë që Serbia ishte agresori, por e di gjithashtu se ka interes nga segmente të ndryshme ndërkombëtare që ta ndryshojnë ketë fakt, i cili është fakt historik. Për të gjitha krimet individuale në Kosovë do të duhej të kemi përgjegjësi individuale.

Kur EULEX-i është dashur të jap llogari për 1.5 miliardë euro të taksapaguesve evropianë, që i shpenzoi në këto 6 vite,atëherë dëshirojnë të formojnë edhe gjykata të reja; kjo është plotësisht e papranueshme. Dhe krejtësisht në fund mendoj që politikanët e Kosovës do të duhej të ishin në burg për krimet e paqes që i dijnë të gjithë ndërkombëtarët, e jo për krimet e luftës, të cilat i ka shpikur ndonjë ndërkombëtar. (rel)

TAP, 1 mld dollarë investime në Shqipëri

Shqipëria do të marrë 1 miliard dollarë investime për tre vitet e ardhshme nga ndërtimi i gazsjellësit Transadriatik. Drejtuesit e kompanisë shtetërore të gazit në Azerbajxhan, një nga aksionerët kyç të projektit, thonë se punimet në Shqipëri do të nisin vitin tjetër me ndërtimin e rrugëve. Por pjesa më e madhe e këtyre investimeve do të kryhet në periudhën 2016-2017. Top Channel intervistoi Ibrahim Idarov, drejtorin e gazsjellësit për Greqinë dhe Shqipërinë, i cili thotë se strategjia e kompanisë është që shumica e punimeve të nënkontraktohen nga kompani shqiptare.

TCH: Po flasim për një projekt të madh, i cili shpesh është cilësuar edhe si një investim që mund të bëjë ndryshimin në ekonominë shqiptare. Gazsjellësi TAP pritet të kushtojë në total mbi 40 miliardë dollarë. Sa nga këto para parashikohen që të investohen në Shqipëri?

Idarov: Ne besojmë se investimi total i drejtpërdrejtë ose indirekt në Shqipëri do të jetë rreth 1 miliard dollarë. Dëshira dhe strategjia jonë është që në këtë investim të angazhojmë sa më shumë kompani shqiptare që të jetë e mundur dhe për këtë i mirëkuptojmë plotësisht pritshmëritë e qeverisë tuaj. Megjithatë, në disa punime mund të ketë kufizime për kompanite vendase, që lidhen me teknologjinë e lartë që kërkohet. Por për ato punë të cilat nuk kërkojnë teknologji komplekse, strategjia jonë do të jetë kontraktimi plotësisht tek kompanitë vendase.

TCH: Ju keni deklaruar se në Shqipëri keni gati çdo gjë. Keni marrë të gjitha lejet dhe liçencat e nevojshme nga autoritetet. A kanë filluar punimet në terren dhe kur do të kryhen këto investime që ju përmendni?

Idarov: Gazsjellesi Transadriatik ka një program të përcaktuar ndërtimi dhe sipas këtij programi punët aktive në terren në të tre vendet Itali, Greqi dhe Shqipëri do të fillojnë vitin tjetër. Pjesa e parë e punimeve ka të bëjë me ndërtimin e rrugëve mbështetëse të projektit. Tenderi është duke u mbyllur dhe shumë shpejt në do të lidhim kontratat me kompanitë qe do fitojnë. Pra, në këtë sens, përsa i takon Shqipërisë, investimet e para do të vijnë që vitin tjetër, ndërsa pjesa më e madhe e shumës prej 1 miliard dollarësh parashikohet të kryhet në dy vitet e ardhshme, 2016 dhe 2017.

TCH: Cilat janë përfitimet që merr ekonomia shqiptare nga ky projekt?

Idarov: Unë do të thoja që përfitimi më i madh është që Shqipëria bëhet anëtar i një projekti paneuropian. Pra, vendi juaj shndërrohet në një lojtar aktiv në një vepër strategjike dhe shumë të rëndësishme për Europën. Ky është një nga elementët kyç. Por sigurisht ndërtimi i projektit do të ketë përfitime të tjera të rëndësishme për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë. Do të krijohen vende të reja pune, do të ketë kontrata për bizneset shqiptare dhe kompanitë tuaja do të përfitojnë njohuri teknologjike duke marrë pjesë në projekte kaq gjigande.

TCH: Kur do të përfundojë projekti? Pra, kur Europa do të marrë sasitë e para të gazit nga gazsjellësi Transadriatik?

Idarov: Ne besojmë se sasitë e para të gazit azerbajxhanas do të arrijnë kufijtë europianë në fillim të vitit 2020. Ne tani jemi duke punuar që edhe Shqipëria të ketë mundësi të përfitojë nga ky gaz. Me qeverinë tuaj sot firmosëm një meomrandum bashkëpunimi. Në thelb qëllimi i këtij memorandumi është që Shqipëria të mos jetë thjesht një vend tranzit i gazit, por të ketë mundësi ta përdore atë.

TCH: Zoti Idarov, faleminderit.
/ Top Channel

Të jesh shqiptarë i deklaruar ortodoks në Maqedoni, sakrificë dhe sfidë me rreziqe

Prof.dr. Branislav Sinadinovski, shqiptari ortodoks dhe rrëfimi i tij në intervistën për INA për shqiptarët ortodoks në Maqedoni.Prof.dr. Branislav Sinadinovski në një intervistë ekskluzive për agjencinë e lajmeve INA flet për të historinë e shqiptarëve ortodoks, rrugëtimin dhe golgotën e jetës së tyre drejt një asimilimi monstruoz, heshtja dhe heqja dorë nga origjina dhe identieti kombëtar dhe problemet e tjera. Por edhe për rikthimin tek identieti dhe guximi i brezave për t’u deklaruar shqiptarë etnik.

Intervistoi: Naser Pajaziti/Suat Saqipi

INA: Profesor, ju jeni një figurë e njohur publike në Maqedoni që përveç deklarimit tuaj si shqiptarë ortodoks, së fundi keni publikuar librin më të ri të titulluar “Shqiptarët Ortodoks në Maqedoni”. A mund të na përshkruani një historik të shkurtër për këtë komunitet që është përballur me sfida të ndryshme drejt asimilimit ?

Sinadinovski: Me publikimin e librit tim doja të tregoj se në Maqedoni jo vetëm dikur, por edhe sot jeton një numër i madh i komunitetit shqiptarë me fe ortodokse. Qendra e tyre e dikurshme ka qenë Reka e Epërme, por megjithatë jeta ka bërë që ata me kohë të braktisin këtë vend duke u shpërngulur në qytete tjera brenda vendit, por edhe pjesa tjetër duke marrë rrugën e mërgimit, drejt vendeve evroperëndimore, SHBA-ve dhe kontinete tjera.

Dua të theksojë se edhe pse shqiptarët ortodoks e braktisën këtë zonë, sot atje jeton vetëm një pjesë e vogël e popullsisë, edhe ate të moshës së thyer. Dhe herë pas here gjeneratat e tjera vijnë në vendin e tyre për vizitë. Edhe pse ata kanë braktisur vendin e tyre, por megjithatë ata janë shumë dhe ekzistojnë dhe janë këtu në Maqedoni.

Në fillim të shekullit 20, dokumente historike tregonin se në Rekën e Epërme jetonin mes 8 mijë deri 10 mijë shqiptarë ortodoks, që flisnin gjuhën shqipe me dialekt geg. Nëse atëherë ka pasur 8 – 10 mijë, atëherë mund të konkludojmë se në bazë edhe të natalitetit, sot kemi mbi 70 mijë shqiptarë ortodoks.

Shqiptarët ortodoks janë gjithmonë aty dhe ata janë autokton dhe kjo është e qartë. Të gjithë tjerët kanë ardhur pas neve si shqiptarë. Dhe kush ka ardhur dhe ka pushtuar këto territore, ka tentuar të asimilojë shqiptarët ortodoks, duke filluar nga turqit, serbët, bullgarët dhe të tjerët.

Megjithatë, libri im nuk është vetëm libër për shqiptarët ortodoks në Maqedoni, por për të gjithë shqiptarët ortodoks, që për shkak të padrejtësisë historike, sot jetojnë të shpërndarë në vende të ndryshme të botës.

INA: Cilat kanë qenë peripecitë dhe vuajtjet që ky komunitet ka përjetuar gjatë historisë, duke përfshirë edhe ate më të re ?

Sinadinovski: Ne si komunitet apo pjesë e popullit shqiptar kemi qenë historikisht nën presione të mëdha dhe tendenca të asimilimit. Golgota dhe tmerri i përjetuar në këtë zonë, ka qenë vrastar, por mund të përmenden edhe shumë faktorë dhe shkaqe që ka ndodhur kjo. Por, edhe përkundër kësaj fushate që ka ndodhur në vazhdimësi, popullata ortodokse shqiptare ka mbijetuar dhe ka ruajtur identitetin, duke u dëshmuar sot përmes këtij libri dhe shumë protagonistëve se ne jemi pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve.

Ne jemi popull që kemi rrënjë dhe kur nuk mundëm turqit dhe të tjerët të na asimilojnë, më së paku mund të na bëjnë sot të tjerët. Asimilimi ka vazhduar edhe pas krijimit të Jugosllavisë. Ky sistem nuk ka zgjedhur metoda për të asimiluar shqiptarët dhe nga ky presion kanë rënë disa shqiptarë. Një pjesë e madhe e patriotëve me ndjenja kombëtare ishin ndjekur nga UDB-ja, ndërsa kishte edhe nga ata që punonin kundër popullit tonë. Sot dihet se kush janë njerëzit e tillë, por është një fakt historik. Unë nuk dua të përmend emra, por juve si gazetarë nëse doni hulumtoni dhe zbuloni. Represioni ka qenë i egër dhe ishte mbjellë frika në palcë, por edhe diferencimi, në rast se do deklarohej dikush si shqiptarë ortodoks. Shumë familje brenda mureve të shtëpive flisnin gjuhën amtare, por jashtë shëndërroheshin në maqedonas.

INA: Sot është shqetësuese se ky komunitet po shkon drejt asimilimit kombëtar. Cili është ky realitet sipas jush ?

Sinadinovski: Gjeneratat e reja janë të vetëdijësuara se rrënjët e tyre janë shqiptare dhe se janë pjesë e popullit shqiptar në përgjithësi. Kjo dëshmohet me faktin se në promovimin e librit tim që u mbajt më 28 Nëntor në Shkup, me rastin e festës së Flamurit kishte mbi 120 të rinj shqiptarë ortodoks. Por siç ju thash edhe më lartë akoma nuk ka shpërthyer guximi dhe se disa nuk duan të bëjnë një hap të tillë, për shkak se ndoshta mund të ballafaqohen me probleme dhe sfida të ndryshme. Pra ka shumë që nuk guxojnë të deklarohen dhe të shprehin përkatësinë e tyre etnike, sepse e llogarisin ballafaqimin e tyre më pas me reagime dhe komplikime brenda familjare dhe lidhjeve e interesave të tjera. Ky komunitet kërkon mbështetje dhe mbrojtje më të madhe, solidarizim dhe promovim të vlerave të përbashkëta. Pra mbështetja duhet të vij nga të gjithë shqiptarët këtu në Maqedoni dhe jashtë saj.

Pas konfliktit të vitit 2001 ishte një vetëdijësim më i madh që shqiptarët ortodoks, të cilët përfituan një inkurajim dhe guxim për të rikthyer dinjitetin e humbur dhe duke rritur besimin se do të vijnë ditë më të mira edhe për ne. Andaj mund të them se në vitin 2001 ndodhën kthesa që kanë domethënie historike për të gjithë ne. Sepse ky vend sa i takon maqedonasve na takon edhe neve. Dhe ardhmëria e tij është vetëm si një shtet shumëetnik dhe shumëkulturor, sepse të gjithë kanë kontributin e tyre gjatë historisë dhe mbijetesës.

Kontributi i shqiptarëve për këtë vend është i madh dhe historikisht nuk duhet harruar se një nga njerëzit kryesor që kishte furnizuar VMRO-në gjatë luftërave historike me armë dhe barot ishte shqiptarë. Sekretari i parë i gjeneral të pushtetit të Repbulikës së Krushevës quhej Gjergj Çaçe dhe të tjerë që luftuan kundër turqve. Pra ka momente të rëndësishme historike për kontributin e shqiptarëve edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

INA: Problem faktik është edhe boshatisja e gjithë zonës së Rekës së Epërme. Sot tokat atje janë djerrë, po humben gjurmët dhe themelet e kullave dhe shtëpive. A besoni se do rikthehet fryma dhe fjala shqipe në këtë zonë që dikur ishte vatër e arsimimit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare ?

Sinadinovski: Reka e Epërme është një zonë e pasur me gjitha veçoritë dhe pasuritë e saj si vend piktoresk me vendbanime të pasura, male, ujra dhe pasuri tjera natyrore. Kemi mbi 20 fshatra, por që sot aty jeton vetëm një popullatë e vogël, kryesisht të moshuar. Kryesisht janë disa shtëpiza që shfrytëzohen për pushime verore dhe dimërore dhe se ato tani shpesh po vizitohen edhe nga gjeneratat e reja. Gjatë periudhës së ndërtimit të liqenit artificial të Mavrovës, me qëllim të përfitimit të energjisë elektrike, u përmbytën shumë zona, kullosa, përfshirë edhe shtëpi, përfshirë edhe një pjesë të fshatit Kiçinicë, që dikur bashkë me Beliçicën ishin qendrat e shqiptarisë dhe kultivitimit të traditave dhe trashëgimisë shqiptare. Në këtë mënyrë përveç që u zaptuan shumë toka dhe kullosa, u thanë edhe ujrat dhe burimet që vinin nga malet tona, duke u derdhur në Liqenin e Mavrovës. Toka tona sot aty janë dhe ato askush nuk mund t’i zaptojë dhe përvetësoj, ashtu siç nuk ka mundur askush ta bëjë këtë gjatë historisë.

INA: Por, ju kur vendosët të deklaroni publikisht origjinën tuaj shqiptare dhe rrënjët familjare dhe etnike. Cilat ishin arsyet e forta që morët një vendim të tillë ?

Sinadinovski: Unë e kisha amanaet nga babai im Jakim Sinadinovski që të ndërmarrë një hap të tillë. Babai im ishte një intelektualë i dalluar dhe profesor universitar me më shumë se 39 vepra apo libra shkencor dhe me më shumë se 500 punime shkencore dhe profesionale. Ai ishte një nga themeluesit e sociologjisë rurale në kuadër të Jugosllavisë. Ai ishte një demokrat liberal , që shpesh kritikonte pushtetin komunist. Ai në një kohë kishte filluar gjurmimet për rrënjët tona familjare dhe gjithnjë na thoshte se ne jemi shqiptarë. Unë para 4 viteve jam deklaruar hapur për përkatësinë time etnike shqiptare. Këtë e bëra me rastin e publikimit të librit për Josif Bagerin, pishtarin dhe kolosin e letrave nga Reka e Epërme.

INA: Por, këto deklarime publike kanë edhe koston e rreziqeve, problemet me të cilat mund të ballafaqoheni, reagimi i rrethit ku jetoni dhe fqinjëve, kur dihet se akoma në këtë vend kemi urrejte dhe padurueshmëri ndëretnike ?

Sinadinovski: Po sigurisht siç thoni kjo ka çmim dhe sfida të rrezikshme. Unë përveç reagimeve publike dhe linçimeve të ndryshme që kam përjetuar, së fundi jam ballafaquar edhe me sulme fizike. Me thënë të drejtën nuk kam pritur se do të sulmohem fizikisht dhe të kërcënohem me vdekje, edhe ate me porosi mizore.

Menjëherë pas promovimit të librit dhe deklarimeve të mija për themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Maqedoni, kam përjetuar një tmerrë të vërtetë. Jam sulmuar ditëve të fundit në shtëpinë time nga persona të panjohur. Fatmirësisht kam arritur që të mbyll derën dhe t’i shmangem këtij sulmi që ishte përgaditur për të më linçuar dhe terrorizuar. Gjatë konfrontimit dhe moslejimit të këtyre dhunuesve të hyjnë në shtëpinë time, unë kam arritur që të lajmëroj policinë, e cila ka mbërritur në shtëpinë time dhe kam dhënë deklaratën se si ka ndodhur ngjarja. Një rast i dytë është edhe një letër kërcënuese e lënë si porosi nën derën e shtëpisë sime, ku jepej një mesazh tmerrues dhe mizor se do më vrasin dhe therrin bashkë me familjen time.

INA: Opinioni është i njohur se janë shumë personalitete shqiptare, pra ortodoks me origjinë nga Reka që sot janë akademikë, profesorë universitar dhe specialist e personalitete në sfera të ndryshme shoqërore, institucionale dhe jeta publike. Por disa deklarohen, dhe disa heshtin. A mund që ju të thoni ndonjë emër të tyre ?

Sinadinovski: Po, ka shumë personalitete në sfera të ndryshme. Por unë nuk guxoj të përmend emra, për arsye të ndryshme dhe që disa janë përmendur edhe më lartë. Është me rëndësi se ka nisur procesi i vetëdeklarimit të disave. Nuk ka frikë dhe ditë për ditë kemi njerëz që po vetëdeklarohen. Ky proces ka nisur dhe askush nuk mund ta ndërpres. Çdo popull ka kaluar këtë proces. Kur maqedonasit thirren në origjinën e tyre duke shkuar edhe në antikitet, pse ne të mos deklarohemi për origjinën tonë. Kjo nuk është turp, por krenari dhe një mision i përmbushjes së amanetit të gjeneratave tona të vjetra, apo baballarëve e stërgjyshërve tanë.

INA: A mendoni të vazhdoni këtë rrugëtim të nisur fisnik dhe sfidues, duke nxjerrë të vërtetën për shqiptarët ortodoks në Maqedoni dhe rikthimin tek identiteti ?

Sinadinovski: Unë do të vazhdojë rrugëtimin e nisur deri sa të jem gjallë dhe të kam shëndet, dhe lus Zotin të mos më ndodhë diçka. Planifikojë të publikojë shumë libra nga historia dhe rrënjët tona që unë i takoj. Dhe në këtë mënyrë do ta plotësojë amanetin jo vetëm të babait tim, por edhe borxhin tim ndaj popullit shqiptar, për shkak se unë nuk di se si ndryshe të kontribohet për popullin tim. Dhe këtë e bëj përmes veprave të mija duke njerrë në dritë të vërtetën dhe historinë e popullit tonë, që ka dy nobelistë dhe shumë personalitete gjatë historisë. Asnjë popull tjetër në Ballkan nuk ka këtë. Më mirë është njeriu të shkruaj, ose të sulmohemi.

INA: Por, sot Reka është e boshatisur dhe se kemi hasur në banorë të pakët që thonë se dijnë shqip, por janë maqedonas dhe se shqipen e kanë mësuar nga prindërit. Por hezitojnë të deklarojnë origjinën e tyre duke thënë se janë maqedonas. Pse ndodhë kjo ?

Sinadinovski: Por, siç thash edhe më lartë, njerëzit akoma kanë rezervat e tyre dhe frikën e mbjellur. Ata frikësohen dhe ky është realiteti i krijuar me shekuj e dekada. Problemi është më i thellë siç thash. Unë kam parë që një familjar i Josif Bagerit thotë para mediave se është maqedonas, dhe nuk thotë të vërtetën. Ai që e deklaron ate nuk është e vërtetë. Duhet mirëkuptim nga shqiptarët në Maqedoni, por edhe nga maqedonasit.

INA: Por, ky rrugëtim ka edhe sfidat që thatë dhe ballafaqimin me një rezistencë të paparë. Cila është porosia e juaj kundër atyre që duan të pengojnë këtë rrugëtim apo mision fisnik dhe njerëzor ?

Sinadinovski: Unë do të vazhdojë kontributin tim për të nxjerrë të vërtetën historike të trungut dhe familjes sonë, përfshirë edhe populli tim. Kjo është e drejtë universale dhe nuk ka asgjë të keqe. Misioni im është për të forcuar bashkëjetesën, për të nxjerrë në sipërfaqe vlerat shumëetnike dhe shumëkulturore e fetare që ka ky vend ku jetojmë. Do të doja që të përcjellë një porosi tek maqeodnasit se ne jemi të dënuar për të jetuar bashkë dhe nuk kemi çka të ndajmë, jetojmë nën një qiell dhe në këtë copë toke dhe shteti. Andaj duhet dhe është imperativ i kohës që të njihemi më mirë mes nesh, sepse për fat të keq sepse akoma jetojmë në dy botë të ndara. Duhet thelluar miqësia midis dy popujve në çdo sferë shoqërore dhe vetëm në këtë mënyrë do të eliminojmë të keqen e së kaluarës. Kjo është porosia ime sidomos tek gjeneratat e reja, që të njohin njëri tjetrin dhe gjuhët e tyre dhe të ndërtojmë një vend të pasur dhe të zhvilluar dhe gjitha këto probleme do të ndërpriten.

INA: Ju keni nxitur edhe çështjen e kishës ortodokse shqiptare në Maqedoni. Si mendoni ta realizoni këtë projekt, për të cilin u sulmuat nga klerikë maqedonas të Kishës ortodokse maqedonase, duke u akuzuar si shovenist ?

Sinadinovski: Tani për tani kjo është një ide dhe ne nuk kemi asgjë për të bërë jashtë Kushtetutës dhe ligjit. Andaj askush nuk duhet frikësuar. Kjo nuk është kërkesë e imja e imagjinuar, apo siç thotë prifti Timotej projekt politik. Kërkesa për formimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Maqedoni është një shprehje e kërkesës së shqiptarëve ortodoks që të kenë kishën e tyre, t’ju mundësohet dëshira për të cilën ka luftuar edhe Josif Bageri qysh nga viti 1910 kur në Bullgari kishte tentuar të formojë Kishën Ortodokse Shqiptare. Formimi i kësaj kishe si pjesë e kishës amë, kurse kisha të tilla shqiptare ka edhe në Amerikë dhe disa vende tjera të botës, ne vetëm do të ndihmonim Kishën Ortodokse Maqedonase që të zgjidh problemin disa dekadësh me Kishën Ortodokse Serbe dhe ti sigurojë vetës njohje ndërkombëtare.

INA: Cila është porosia juaj dhe se a mendoni se një ditë ky komunitet do të ketë të gjitha të drejtat dhe liritë e deklarimit të lirshëm dhe kultivimit të vlerave kombëtare dhe fetare. Apo do të jetë vështirë, për shkak të gjeneratave të reja të asimiluara apo “frikësuara” ?

Sinadinovski: Ne jemi pjesë e popullit shqiptar dhe presim ndihmë dhe përkrahje nga të gjithë shqiptarët kudo që janë. Presim përkrahje dhe solidarizim edhe nga vëllezërit tanë të përkatësive tjera fetare, duke u mishëruar dhe kontribuar bashkërisht për projekte të ndryshme, jo vetëm kombëtare. Ne duam përfshirjen tonë më të gjërë dhe më solidarizuese. Qëllimi ynë është një mision fisnik për përgjegjësi të përbashkëta, për edukim dhe kultivim të vleraver të përbashkëta historike, kombëtare, letrare dhe fusha të tjera. Uniteti ynë duhet të jetë nën frymën e një unifikimi prosperues.(INA)

Akademik Rexhep Qosja ka reaguar ndaj ceremonisë së organizuar nga Hashim Thaçi për t’ia dorëzuar pozitën e Kryeministrit Isa Mustafës.

Qosja e ka quajtur vrasës Kryeministrin e ri të Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se Isa Mustafa është njeriu i cili udhëhoqi Prishtinën në kohën e Milloshevicit, shtypi dhe vrau protestuesit shqiptarë vetëm pse kërkon Republikë për Kosovën.

Madje, Qosja është marrë edhe me pozitën e Ministrit të Forcës së Sigurisë, duke thënë se kjo pozitë iu dha LDK’së, e cila sipas tij, ka bërë komprometim moral e politik mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.Lexojeni të plotë reagimin

U TMERROVA

U tmerrova të premten më 12 dhjetor, kur ish kryeministrin e Kosovës në detyrë, Hashim Thaçin, e pashë duke ia dorëzuar kryeministrinë, në tepih të kuq, kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës.

A e dinte Hashim Thaçi se kujt po ia dorëzonte kryeministrinë e Kosovës?

A e dinte Hashim Thaçi se Isa Mustafa ishte kryetar i Qeverisë së Prishtinës në kohën e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit!

A e dinte Hashim Thaçi se Isa Mustafa ishte Ministër i Qeverisë së Kosovës e cila në dhjetor të vitit 1989 e urdhëroi milicinë që të shuante tubimet protestuese të studentëve dhe të rinisë shqiptare, me ç’rast u vranë 32 protestues dhe u plagosën 70?

A e dinte Hashim Thaçi se kryeministrinë e Kosovës po ia dorëzonte njërit prej vrasësve të protestuesve shqiptarë, që po kërkonin Kosovën republikë?

A e dinte Hashim Thaçi se asnjë shtet i dinjitetshëm evropian nuk i bën kryeministra vrasësit e atyre që mbrojnë popullin prej dhunës së pushtuesit?

U tmerrova kur në Kuvendin e Kosovës u dëgjua se Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës iu dorëzua Isa Mustafës, partia e të cilit s’ka lënë mjet propagandistik pa përdorur me qëllim të komprometimit politik, moral e kombëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë Luftës e pas Luftës!

U tmerrova kur mendova se, paraardhësja e FSK-së, UÇK-ja, që u çua në luftë kundër pushtimit serb, kundër regjimit gjakatar të Sllobodan Millosheviqit, dhe shqiptarëve që ishin vënë në shërbim të tij, ndër të cilët ishte rreshtuar edhe zyrtari i lartë, Isa Mustafa, u tmerrova pra kur UÇK-ja e lavdishme iu dorëzua armikut të vet të dikurshëm, Isa Mustafës.

U tmerrova kur mendova se ish përfaqësuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, harroi se në këtë mënyrë po fyente rëndë UÇK-në e Luftës dhe po fyente rëndë Forcën e sotme të Sigurisë së Kosovës!

U tmerrova kur kryeministrin e porsazgjedhur të Kosovës, ish zyrtarin e Millosheviqit, Isa Mustafën, e dëgjova të thotë se detyra e parë e Kuvendit të Kosovës dhe e Qeverisë së tij është miratimi i ligjit për gjykatën e veçantë të Kosovës!

U tmerrova kur mendova se Hashim Thaçi duarhapur ia dorëzoi fatin e komandantëve të UÇK-së, në të vërtetë të krejt UÇK-së ish zyrtarit të Sllobodan Millosheviqit, kryeministrit të tanishëm të Kosovës, Isa Mustafës,

U tmerrova kur e dëgjova fjalimin programatik, mashtrues, të Isa Mustafës, në Kuvendin e Kosovës, në të cilin asnjëherë nuk e përmendi fjalën Shqipëri! Dhe si ta përmendte? Shqipërinë e futi shumë lehtë ai në thesin e tij politik me Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Greqinë, Bullgarinë – si vende të rajonit!

U tmerrova kur disa zyrtarë e jo zyrtarë i dëgjova duke thënë se Isa Mustafa s’duhet të jetë viktimë politike e jetëshkrimit të vet antikombëtar në kohën e terrorit më të madh të Millosheviqit!

U tmerrova se si të gjithë këta gojëtarë u pajtuan me viktimizimin politik të Fadil Hoxhës, të Veli Devës, të Xhavit Nimanit, të Ismail Bajrës, të Azem Vllasit e të shumë udhëheqësve të tjerë shqiptarë, që Milloshëviqi i qiti edhe prej Lidhjes së Komunistëve, sepse po trajtoheshin si nacionalistë shqiptarë, por s’po u pajtuakan me viktimizimin politik të zyrtarit të përkushtuar në regjimin e Rrahman Morinës, domethënë të Millosheviqit, Isa Mustafës!

A ka parimësi në gjykimet e këtyre njerëzve dhe a ka drejtësi në gjykimet e këtyre njerëzve?

Dhe, a mbrohet dinjiteti politik e shtetëror i Kosovës me gjykime të tilla? Jo, natyrisht.

U tmerrova kur mendova se asnjë anëtar i udhëheqjes së PDK-së dhe, sa më duket, asnjë anëtar i PDK-së, nuk e ngriti zërin kundër kësaj dhurate politike, fyese për Kosovën, që Hashim Thaçi ia fali Isa Mustafës!

Do të pajtohesha që çdo anëtar i LDK-së të bëhej kryeministër i Kosovës, por dinjiteti politik dhe shtetëror i Kosovës më bën të vendosur të mos pajtohem që kryeministër të jetë ish zyrtari i Rrahman Morinës, në të vërtetë i Sllobodan Millosheviqit, Isa Mustafa.

Ky njeri ia ka kthyer shpinën Kosovës në ditët më të rënda të popullit të saj shqiptar; ia ktheu shpinën Bllokut politik me të cilin gjatë gjashtë muajve shqiptoi aq fjalë komprometuese për PDK-në, kryetarin e saj dhe ish kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin.

A mos mendon Hashim Thaçi se ky njeri që ia ktheu shpinën Kosovës në ditët e saj më tragjike, që ia ktheu shpinën Bllokut me të cilin bëri betejë gjashtëmujore politike kundër tij, mos mendon, pra, Hashim Thaçi se ky njeri zëvendës i të cilit ka pranuar të bëhet, pas të cilit do ta shohim tani e tutje, s’do t’ia kthejë shpinën edhe atij.

Hashim Thaçi kishte zgjidhjen e dinjitetshme: kishte Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Jakup Krasniqin dhe Albin Kurtin, por Hashim Thaçi, sigurisht i këshilluar e i ç’këshilluar qysh s’duhet, u deklarua për zgjidhjen fatale!

Ai e harroi një të vërtetë që s’do të dëshiroja kurrë ta harronte: rënia e mjerë e zhvlerëson ngritjen e lavdishme!

Jam i tmerruar sot kur po i shoh të heshtur ish të burgosurit politikë, veteranët e Luftës, invalidët e Luftës, studentët e Universitetit Publik të Prishtinës – pasardhësit e studentëve të lavdishëm të vitit 1981 – të gjithë ata që Kosovës, me luftën e tyre çlirimtare, ia kthyen nderin e dinjitetin e humbur. Mos këta të merituar mendojnë se misioni i tyre ka marrë fund në vitin 1999?

Mos këta të merituar pajtohen me identitetin e tyre të sotëm – të ndryshuar!

Kam drojë, kam shumë drojë se këtë tmerrim do ta marr me vete përgjithnjë!