All posts by V.F.

Dy shpërthime në qendër të Preshevës

Mbrëmë rreth orës 2, në qendër të Preshevës janë dëgjuar dy shpërthime, të cilat kanë ndodhur në zonën afër ndërtesës së Kuvendit komunal dhe tregut të gjelbër. Sipas njoftimeve të policisë së Serbisë, në dy shpërthimet e ndara nuk ka pasur të lenduar, përveç dëmeve të vogla materiale, përfshi edhe një veturë.
Policia ka thënë se po zhvillon hetimet lidhur me incidentin. (rel)

PRESHEVA ËSHTË KOSOVË!

Sot, me datë 16.1.2009, Lëvizja për Bashkim zhvilloi aksionin “PRESHEVA ËSHTË KOSOVË!”.
Grupi Nismëtar për themelimin e organizatës së të rinjve të Lëvizjes për Bashkim me këtë datë shpërndau 10000 fletëpalosje në të cilat shprehen qëndrimet e Lëvizjes për Bashkim në lidhje me trojet shqiptare të mbetura nën Serbi.
Qëllimi i këtij aksioni ishte përkrahja e vëllezërve tanë të pushtuar nga Serbia si dhe sensibilizimi i opinionit në lidhje me këtë çështje.PRESHEVA ËSHTË KOSOVË!

Presheva, Bujanoci e Medvegja janë Kosovë

Presheva, Bujanoci e Medvegja historikisht kanë qenë pjesë përbërëse e Kosovës.

Vetëvendosja

Populli shqiptar i cili jeton në trojet e veta në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë i ka të gjitha karakteristikat e kombit: ai është formuar historikisht në bazë të gjuhës së përbashkët, vazhdimësisë territoriale, formimit të njëjtë shpirtëror, si dhe kompaktësisë ekonomike me pjesët tjetra të kombit. Prandaj populli shqiptar në këto komuna e ka të drejtën e patjetërsueshme të vetëvendosjes së kombeve deri në shkëputje.

Rreziku i shpërnguljes

Presheva, Bujanoci e Medvegja aktualisht jetojnë në kushte pushtimi – nën dhunë, terror e militarizëm dhe nën tendencë të vazhdueshme për shpërngulje e asimilim.

Politika e gabuar

Politika e Qeverisë shqiptare, politika e Qeverisë së Kosovës, si dhe e spektrit politik të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës ndaj popullit shqiptar në këto komuna është thellësisht e gabuar. Në njërën anë, kjo çështje injorohet; në anën tjetër, populli shqiptar i këtyre komunave quhet dhe trajtohet si pakicë kombëtare (!). Dhe në këtë mënyrë fati i kësaj pjese të kombit shqiptar lihet në mëshirën e Serbisë.

Reciprocitet deri në vetëvendosje

Reciprociteti në zbatimin e të drejtave të barabarta në mes të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës (të banuara me shumicë shqiptare) dhe Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut (të banuara me shumicë serbe) do të ishte në këto rrethana rruga më e mirë drejt zgjidhjes së çështjes shqiptaro-serbe. Kjo do të ishte një rrugëzgjidhje bashkëkohore, paqësore dhe, në fund të fundit, njerëzore, sepse kështu do të shmangeshin tensionet, marrëdhëniet e këqija dhe mundësia e konflikteve. Njëkohësisht kjo do të çonte lehtë në zgjidhjen përfundimtare – vetëvendosjen e kombeve. (LËVIZJA PËR BASHKIM)

Viti 2008 ka qenë një vit shumë i mirë për marrëdhëniet gjermano-shqiptare

Bernd Borchardt, ambasador i RFGJ në Shqipëri thotë ekskluzivisht për DW shqip se marrëdhëniet bilaterale janë të shkëlqyera. Gjermania ka dyfishuar fondet për bashkëpunimin. Ai ndalet në vërejtjet e KE për Shqipërinë.Zoti ambasador, fillimisht në një vlerësim të përgjithshëm: Si ka qenë viti 2008 për marrëdhëniet mes Gjermanisë e Shqipërisë?

Viti 2008 ka qënë një vit shumë i mirë për marrëdhëniet gjermano-shqiptare. Në radhë të parë dua të përmend takimet e nivelit të lartë midis krerëve tanë politikë: Kryeministri Berisha vizitoi Berlinin në tetor të këtij viti me ftesë të Kancelares gjermane Merkel, Presidenti i Bundestag-ut Gjerman Dr. Lammert ishte në Shqipëri për disa ditë në maj të këtij viti. Të dy vizitorët theksuan: marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyera, Gjermania do të vazhdojë të mbështesë reformat në Shqipëri. Kjo u konfirmua edhe në tetor 2008 me vendimin e rëndësishëm të qeverisë federale të Gjermanisë: ne i dyfishuam fondet për bashkëpunimin dypalësh për zhvillim. Këtë vit Gjermania ka vënë në dispozicion të Shqipërisë mbi 90 milionë EUR për projekte të përbashkëta zhvillimi. Projekte veçanërisht të rëndësishme janë ndërtimi i një linje të tensionit të lartë për në Kosovë dhe rehabilitimi i rrjetit të furnizimit me energji elektrike në Jug të Shqipërisë. Në fushën e kulturës u realizua sërish një “Tetor Gjerman”, në kuadër të së cilit ne prezantuam edhe një herë kulturën gjermane, por edhe eksperiencën tonë me kapërcimin e së kaluarës komuniste. Vizita në Shqipëri e drejtueses së Zyrës Gjermane për Administrimin e Dosjeve të STASI-it në ish RDGJ pati një jehonë të madhe dhe gjallëroi diskutimin në Shqipëri.

Cilat mbeten fushat prioritare të mbështetjes së Gjermanisë për Shqipërinë?

Gjermania e mbështet zhvillimin e Shqipërisë me konsulencë dhe asistencë në investime. Investimet përqendrohen në sektorin energjitik, të cilin unë e përmenda si dhe në furnizimin me ujë të pijshëm, kanalizime dhe përpunimin e mbetjeve të ngurta. Projektet në fushën e furnizimit me ujë të pijshëm jemi duke i realizuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë: Korçë, Pogradec, Shkodër, Krujë, Kavajë, Berat, Kuçovë. Ndihma me konsulencë është e përqëndruar ata sektorë të cilët janë të nevojshëm për përafrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE: lufta kundër korrupsionit, reforma e sistemit të drejtësisë, por edhe në integrimin e ekonomisë shqiptare në shkëmbimin ekonomik evropian.

Zoti ambasador, gjatë këtij viti Shqipëria shënoi një hap të rëndësishëm duke fituar ftesën për të hyrë në NATO, ndërkohë që në Samitin e radhës të Aleancës në vitin tjetër pret dhe anëtarësimin me të drejta të plota. Ambicie ka dhe për aplikimin në 2009 për të qenë një vend kandidat për në BE. Në këndvështrimin tuaj, si ju duket situata politike dhe angazhimi për realizimin e reformave për të konkretizuar këto dy objektiva madhore?

Para rreth një muaji Komisioni Evropian prezantoi Raportin e Progresit 2008 për Shqipërinë. Raporti konstaton progrese të mëtejshme në fushën e reformave të Shqipërisë, si p.sh. në implementimin e Marrëveshjes Interim me BE-në. Kjo marrëveshje trajton para së gjithash çështje që lidhen me tregtinë. Një tjetër sektor pozitiv janë reformat politike të arritura me një konsens të gjerë mes partive si p.sh. reforma elektorale, dhe një ligj i parë për reformën në drejtësi. Një kusht thelbësor që vendi juaj të shkojë përpara për të realizuar aspiratën e tij për të hyrë në BE, do të jetë realizimi i zgjedhjeve të drejta dhe të ndershme vitin e ardhshëm. Jo vetëm BE-ja, por edhe NATO-ja, anëtare e së cilës do të bëhet Shqipëria do të vëzhgojnë me shumë kujdes ecurinë e zgjedhjeve. Fatkeqësisht raporti nënvizon edhe shqetësimet tona lidhur me zhvillimin në Shqipëri , duke renditur pjesërisht edhe disa probleme të mëdha. Po përmend disa shembuj: një sistem drejtësie që funksionon keq, të cilit i mungon pavarësia, përgjegjësia dhe transparenca; një administratë, së cilës i mungon pavarësia dhe eficienca e duhur dhe ku nëpunësit ndërrohen vazhdimisht; në luftën kundër krimit të organizuar janë shënuar progrese në një nivel të kufizuar, ndërsa në Shqipëri ende mungon aftësia për realizimin e operacioneve afatgjata kundër krerëve të krimit të organizuar. Edhe në fushën e luftës kundër pastrimit të parave Shqipëria është ende në hapat e parë. Këta janë sektorët të cilat ende na shqetësojnë veçanërisht. Edhe në sektorë të tjerë ka ende reforma të domosdoshme.

Gjatë vitit 2008 nga vendet e BE-se filloi zbatimi i lehtësimit të procedurave për vizat për një kategori të caktuar vizakërkuesish. Duke ju referuar Ambasadës gjermane në Tiranë, si ishte fluksi i aplikimeve për të lëvizur drejt Gjermanisë apo në destinacione të tjera në BE-se gjatë këtij viti, krahasuar me një vit më parë?

Viti 2008 ende nuk është përmbyllur, prandaj edhe unë nuk mund t”ju jap një shifër përfundimtare lidhur me numrin e aplikimeve për vizë që janë bërë në ambasadën gjermane brenda këtij viti. Në tërësi ne kemi përshtypjen, se numri është rritur ndjeshëm, por nuk bëhet fjalë për një rritje drastike. E rëndësishme është që Marrëveshja për Lehtësimin e Vizave po zbatohet: ne pothuaj e kemi trefishuar numrin e vizave të cilat mundësojnë shumë kalime në Gjermani. Aktualisht rreth ¼ e vizave i përkasin kësaj kategorie. Veç kësaj rreth 40% e aplikueseve e përfitojnë vizën pa pagesë. Pjesa tjetër, 60% , paguajnë tarifa të ulëta. Këto janë lehtësi të rëndësishme, që bazohen në Marrëveshjen e Lehtësimit të Vizave.

Jemi në prag të festave të fundvitit, cili është mesazhi për dëgjuesit e Radios Deutsche Welle?

Dëshiroj t”u uroj dëgjuesve tuaj, të cilët festojnë Krishtlindjet, një festë të gëzuar Krishtlindjesh, ndërsa të gjithë dëgjuesve një Vit të Ri 2009 sa më të mbarë. Për vitin 2009 shpresoj për Shqipërinë, që këtu të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të drejta dhe që procesi i reformave të vijojë në mënyrë energjike. Ne e dimë, se këto reforma janë pjesërisht të vështira dhe pjesërisht edhe të mundimshme. Por Shqipëria mund të ketë besim në mbështetjen e mëtejshme të Gjermanisë dhe partnerëve të tjerë të saj në BE. (dw)