All posts by V.F.

Arrestime dhe reagime pas një incidenti me flamurin maqedonas ndërsa opozita shqiptare reagon për flamurin kombëtar shqiptarë.

flamurjt

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka arrestuar tetë persona lidhur me djegien e flamurit shtetëror, që nxiti reagime në shkallë të gjerë.
Incidenti ndodhi në lagjen Bit Pazar të komunës së Çairit në Shkup, gjatë kremtimeve me rastin e 112 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, që shqiptarët e kremtojnë edhe si festën e Flamurit Kombëtar.

Ministria e Brendshme tha se në mesin e të arrestuarve është një i mitur ndërsa të tjerët janë nga 18 deri 21 vjeç. Katër prej tyre dyshohen për veprën “nxitje e urrejtjes ndëretnike, racore dhe fetare, dhe grindje e mosdurim”, e dënueshme deri në një vit heqje lirie.

Pamjet e transmetuara në rrjetet sociale të incidentit nxitën reagime të ashpra të partive politike në vend.

VMRO-DPMNE në pushtet bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë, ndërsa vlerësoi se, siç thuhet, ngjarja ka prapavijë politikë dhe kishte për qëllim nxitjen e ndarjeve dhe tensioneve etnike.

Lidhja Social Demokrate në opozitë, akuzoi pushtetin dhe Ministrin e Rendit, Pançe Toshkovski për “mungesën e veprimeve për parandalim, kontroll dhe të ndërhyrjes së shpejtë për pengimin e incidenteve”, ndërsa kërkon dorëheqjen e ministrit. Edhe koalicioni VLEN i partive shqiptare, që është pjesë e qeverisë, e dënon incidentin ndërsa akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim se në këtë mënyrë po përpiqet “ta destabilizojë vendin”.

Ndërkohë partitë shqiptare të opozitës, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, duke e dënuar incidentin, njoftuan për një incident të djegies së flamuri shqiptar dhe shprehën shqetësim për, siç thanë, “qasjen selektive dhe të njëanshme të policisë”, e cila ka marrë masa vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë të përfshirë në incidente.

BDI thotë se ishte policia ajo që nxiti incidentin duke bllokuar rrugët dhe ndaluar pjesëmarrjen e shqiptarëve në festën e mbrëmshme në sheshin Skënderbe të Shkupit.

voa

Ndërsa Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës ka dënuar djegien e flamurit të Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht ka kërkuar që të vihen para drejtësisë edhe autorët e djegies së flamurit kombëtar shqiptarë.

“I bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të veprojë me urgjencë dhe ashtu siç veproi me zbulimin e autorëve të flamurit shtetëror, me të njëjtën urgjencë të veprojë edhe ndaj atyre që dogjën flamurin shqiptar.

Nëse ky veprim do të mungojë atëherë do të sillet edhe një herë në pah se ligji dhe organet ligjzbatuese janë selektive në këtë shtet dhe se ato veprojnë vetëm kur duhet të ndëshkohen shqiptarët.

 

Ju bëjmë thirrje edhe humbësve në Qeveri, koalicionit vlen, që të angazhohen një herë të vetme në favor të shqiptarëve, në mbrojtje të flamurit kombëtar dhe në sjelljen e drejtësisë dhe barazisë së qytetarëve në vend. Është skandaloz reagimi i tyre ku nga fillimi deri në fund nuk nuk guxojnë as të përmendin djegien e flamurit kombëtar shqiptar. A thua vallë reagimet ua shkruan dikush tjetër dhe ata vetëm i përkthejnë!?

Sjellja e këtillë selektive e institucioneve vetëm ndaj një bashkësie etnike, duke toleruar e priviligjuar një bashkësi tjetër i shërben vetëm thellimit të hendekut ndëretnik, rritjes së mosbesimit të qytetarëve ndaj shtetit dhe diskriminimit institucional”, thuhet në reagimin e ASH-së

Si funksionon lufta hibride e Rusisë?

Sulme KibernetikeQë nga pushtimi rus i Ukrainës, shërbimet sekrete perëndimore e kanë akuzuar gjithnjë e më shumë Moskën për luftë hibride. Fenomeni nuk është i ri, metodat po bëhen më të sofistikuara.

 

Një aeroplan posteqë  i përket koncernit gjerman të paketave postare, DHL rrëzohet në Lituani, dy kabllo komunikimi u dëmtuan në Detin Baltik. Në Rumani,  një ekstremist pro-rus i krahut të djathtë arrin çuditërisht deri në balotazhin e zgjedhjeve për presidencën. Të treja njoftimet janë të kësaj jave, gjë që të bën të mendohesh.

Edhe pse asgjë nuk është vërtetuar ende, disa politikanë perëndimorë dhe shërbime sekrete dyshojnë se pas të gjitha këtyre ngjarjeve fshihet e njëjta forcë shtytëse: Rusia.  Rreziqet që vijnë nga e ashtuquajtura “luftë hibride” me origjinë tek Kremlini nuk janë të reja; Por ekspertët paralajmërojnë se ato janë rritur në mënyrë kërcënuese që kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022.

“Lufta hibride” është zgjerimi i operacionit të pastër luftarak me mjete të shtuara të spiunazhit, sabotimit, sulmeve kibernetike, ndërhyrjeve në zgjedhje, propagandës ose fushatave dezinformuese me qëllim dobësimin dhe destabilizimin e armikut nga brenda. Rusia, paralajmërojnë ekspertët, ka zgjeruar vazhdimisht arsenalin e saj të aftësive të luftës hibride në vitet e fundit. Një përmbledhje:

 

Spiunazhi

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës,  shtetet evropiane kanë dëbuar rreth 500 diplomatë rusë. Shërbimi sekret britanik MI5 klasifikon të paktën 400 prej tyre si spiunë. Në shumë ambasada dhe konsullata të përgjithshme ruse thuhet se është instaluar teknologji moderne e komunikimit dhe spiunazhit. Kjo nuk mund të vërtetohet plotësisht, ndërtesat e ambasadave konsiderohen si territor sovran rus dhe gëzojnë statusin e mbrojtjes diplomatike. Shërbimi sekret holandez paralajmëroi gjithashtu se Rusia po u siguronte spiunëve dokumente false dhe po i kontrabandonte në institucionet perëndimore të maskuar si biznesmenë.

Rregullisht ka njoftime, ku Rusia akuzohet për spiunazh. Qofshin këto bisedimet e përgjuara bisedat e Bundeswehr-it për sistemin e mbrojtjes raketore Taurus, dronët e dyshuar rusë mbi bazat ajrore evropiane dhe zonat industriale apo anijet e supozuara kërkimore që lundrojnë në detet e Evropës Veriore dhe dyshohet se kanë lokalizuar aty infrastrukturën kritike në shtratin e detit për akte të mundshme sabotimi.

 

Sabotazhi

Javët e kaluara, thuhet se një anije mallrash kineze e drejtuar nga një kapiten rus me gjasë ka dëmtuar dy kabllo nën det me një spirancë të zvarritur përgjatë shtratit të detit. Ky rast i kësaj jave të kujton një incident të ngjashëm në tetor 2023. Muajin e kaluar pati një sulm me zjarr në një magazinë në Londër që ruante ndihma për Ukrainën. Në korrik, një paketë që supozohej të dërgohej me avion shpërtheu në flakë në qendrën logjistike të DHL në Leipzig.

Në këto dhe shumë raste të tjera dyshohet për sabotim rus. Megjithatë, asgjë nuk është vërtetuar ende. Por shërbimet evropiane të inteligjencës paralajmërojnë se numri i akteve të sabotimit dhe zjarrvënieve në BE dhe Britaninë e Madhe është rritur në mënyrë dramatike gjatë vitit të kaluar.

 

Sulme kibernetike

Zyra Federale për Sigurinë e Informacionit paralajmëron se situata kërcënuese në hapësirën kibernetike është “më e lartë se kurrë”. Spiunazhi dhe sabotazhi lulëzojnë në internet. “Para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, grupet sulmuese të lidhura me Rusinë ishin veçanërisht aktive në Gjermani me spiunazh kibernetik dhe sulme të motivuara financiarisht me ransomware. Që nga lufta e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, spektri i kërcënimeve është zgjeruar”, thotë BSI.

Për shembull, “numri i sulmeve DDoS nga haktivistët pro-rusë” është rritur ndjeshëm: faqet e internetit ose serverët institucionalë goditen me viruse të dëmshme deri sa arrijnë në atë pikë sa nuk mund të veprohet më për shkak të mbingarkesës. Edhe sulmet e hakerëve që synojnë të depërtojnë në rrjetet e mbrojtura të kompanive apo institucioneve janë gjithashtu në rritje.

 

Disinformim dhe propagandë

Një fushë tjetër kryesore e veprimtarisë së luftës hibride është përpjekja për të ndikuar në opinionin publik në vendin e vënë në shënjestër. Për këtë qëllim, shpërndahen informacione të rreme dhe narrativa pro-ruse apo anti-ukrainase, qoftë nëpërmjet të ashtuquajturave fabrika trollësh në mediat sociale apo përmes mediave të huaja ruse.

Në fillim të vitit 2024, Ministria e Jashtme zbuloi 50,000 llogari të rreme të përdoruesve që përhapnin raportime të rreme dhe opinione pro-ruse në rrjetet sociale dhe më pas të lidhnin me faqe interneti të rreme, disa prej të cilave ishin shumë të ngjashme me ato të mediave të njohura të lajmeve – veç që edhe aty përhapeshin lajme të rreme.

 

Ndërhyrja në zgjedhje dhe procese politike

Një qëllim kryesor i këtyre fushatave dezinformuese është të ulin mbështetjen popullore për Ukrainën. Një tjetër është të minojë stabilitetin politik në vendin e synuar (demokratik) duke forcuar partitë ekstreme dhe kandidatët e tyre. Kjo ndodh, për shembull, përmes mbështetjes financiare.

Në prill, inteligjenca çeke zbuloi një faqe interneti propagandistike të quajtur “Zëri i Evropës” që dyshohet se financohej nga Moska dhe që përdorej për t’u paguar ryshfet deputetëve të ndryshëm evropianë. Ndër të tjera, eurodeputeti i AfD-së, Petr Bystron, dyshohet se ka pranuar pagesa të tilla. Ai vetë i mohon akuzat.

Në duzina zgjedhjesh në Evropë dhe Amerikën Veriore dhe Jugore, shërbimet sekrete perëndimore akuzojnë Rusinë për ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në zgjedhje. Transmetuesi i huaj rus RT thuhet se ka prodhuar video gjatë fushatës zgjedhore presidenciale në SHBA mbi tema të diskutueshme në opinion si ndihma për Ukrainën, migracioni apo ekonomia, të cilat nga ana e tyre u shpërndanë nëpërmjet blogerëve të krahut të djathtë amerikan.

Të ashtuquajturat sulme hack-and-leak janë gjithashtu pjesë e repertorit të luftës hibride: politikanët apo partitë hakohen posaçërisht dhe dokumentet konfidenciale, ndonjëherë edhe të përziera me dokumente të tjera të falsifikuara, publikohen pak para zgjedhjeve. Kjo ndodhi, për shembull, në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 ose në fushatën e zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit 2017.

 

Vrasje të qëllimshme

Vrasjet me qëllim të liderëve nga opozita, janë po ashtu pjesë e luftës hibride. Fakti që presidenti rus Putin nuk i shmanget as sulmeve jashtë vendit, e tregoi edhe vrasja në kopshtin zoologjik në Berlin e një ish-komandanti çeçen, i cili thuhet se ka luftuar kundër Moskës në luftën e dytë çeçene – ose sulmet e kryera në Britaninë e Madhe kundër kritikut të Kremlinit, Alexander Litvinenko në vitin 2006 ose agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia në vitin 2018.

Deri më tani, ishin qytetarët rusë kryesisht viktima të sulmeve të tilla. Megjithatë, në korrik 2024 u bë e ditur se pas një atentati të planifikuar kundër Armin Papperger, drejtorit ekzekutiv të kompanisë gjermane të armëve Rheinmetall, fshihej Rusia. Kremlini i mohoi të gjitha akuzat. Rheinmetall furnizon Ukrainën ndër të tjera me tanke Leopard II.

 

Çfarë mund të bëhet?

Rusia aktualisht po godet në forma të ndryshme në Evropë, thekson Sönke Marahrens, oficer i Bundeswehr-it dhe ekspert për sigurinë hibride, në një intervistë për tagesschau.de. “Operatorët rusë po provojnë gjëra shumë të ndryshme në shumë vende evropiane që madje bëhen të përshtatura individualisht për secilin vend: masat hibride që funksionojnë në Poloni nuk funksionojnë në Gjermani; ajo që funksionon në Gjermani nuk do të funksiononte në Finlandë.” Prandaj, duhet “pritur një spektër shumë i gjerë sulmesh edhe në të ardhmen”, është i bindur Marahrens. Por edhe fleksibiliteti me të cilin duhet të reagohet ndaj sulmeve të tilla duhet të jetë përkatësisht i lartë.

dw

Atlasi i qelizave të trupit të njeriut

qelizatShkencëtarët kanë krijuar një atlas që përshkruan disa nga 37.2 trilionë qelizat e trupit të njeriut. Studiuesit përdorën teknika të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, për t’iu afruar objektivit për të krijuar një atlas gjithëpërfshirës me të gjitha llojet e qelizave njerëzore, që do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë se nga çfarë përbëhet trupi ynë.

 

Imazhet janë aq të mahnitshme, saqë mund të ngatërrohen me vepra arti.

Por, këto janë qeliza njerëzore – të regjistruara si pjesë e një projekti ambicioz për të hartuar një atlas të të gjitha llojeve të qelizave njerëzore.

Puna kërkimore në kuadrin e iniciativës Atlasi i Qelizave Njerëzore, e publikuar nga revista Nature, përdori të dhëna të avancuara dhe mjete analitike, përfshirë inteligjencën artificiale, për të krijuar një hartë të hershme të detajuar të disa prej 37.2 trilionë qelizave të trupit të njeriut.

“Atlasi i qelizave njerëzore është një hartë e qelizave të indeve dhe organeve tona, dhe teknologjitë kryesore janë gjenomika me një qelizë të vetme dhe gjenomika hapësinore, që janë të integruara në një hartë të vetme, duke përdorur të dhënat shkencore dhe metodat e inteligjencës artificiale. Atlasi është në thelb një hartë me rezolucion të lartë e shtrirjes së plotë molekulare të çdo qelize. Dhe janë këto teknologji që na mundësojnë ta arrijmë këtë rezolucion të lartë”, shpjegon Sarah Teichmann, bashkëthemeluese dhe bashkëdrejtuese e e iniciativës Atlasi i Qelizave Njerëzore.

Zonja Teichmann dhe bashkëpunëtorët e saj u përqendruan në organe të caktuara – tek qelizat në gojë, stomak dhe zorrë, si dhe qelizat që përcaktojnë zhvillimin e kockave.

Studiuesit kanë prodhuar gjithashtu një atlas organoid të trurit që zbulon aspekte të zhvillimit të trurit.

“Ka disa pamje të bukura, përfshirë një që më pëlqen e placentës. Ka gjithashtu për zhvillimin e skeletit dhe të gjymtyrëve. Përparimet e tjera të mëdha janë në studimet integrale të sistemeve, si p.sh. sistemi gastrointestinal. Pra, ku ne integrojmë studime të shumta dhe më pas përparojmë drejt një grupi të dhënash më gjithëpërfshirëse”, thotë zonja Teichmann.

Shkencëtarët shpresojnë që atlasi me rezolucion të lartë dhe i disponueshëm për të gjithë – i konsideruar si një variant fillestar – do t’i ndihmojë studiuesit të luftojnë sëmundjet që dëmtojnë qelizat njerëzore.

“Ka rëndësi për sa i përket përfitimit të një botëkuptimi gjithëpërfshirës themelor shkencor, të mënyrës se si funksionojnë trupat tanë. Ka edhe aplikime të gjera biomjekësore, për sa i përket zbulimit të treguesve biologjikë, zbulimit të objektivit të ilaçeve, kategorizimit të pacientëve etj.”, thotë zonja Teichmann.

E themeluar në vitin 2016, Iniciativa “Atlasi i Qelizave Njerëzore”, ka tashmë mbi 3600 anëtarë nga 102 vende.

Shkencëtarët e kësaj iniciative po krijojnë gjithashtu atlase të tjera, që mund t’i ndihmojnë të mësojnë më shumë rreth shkaqeve themelore të sëmundjeve dhe shëndetit në pjesë të veçanta të trupit.

voa

28 Nëntori – dita e Flamurit, festë kombëtare, ditë e bashkimit për të gjithë shqiptarët.

flamuriMe 28 Nëntor 1443, Skënderbeu në Kështjellën e Krujës e ngriti Flamurin Kombëtar.

Me 28 Nëntor 1912, Ismail Qemaili në Vlorë e ngriti Flamurin kombëtar dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë.

 

Himni i Flamurit

Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë me një qëllim,
Të gjithë Atij duke u betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një Dëshmor.

Në dorë armët do ti mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s’i ndajmë,
Këtu armiqtë s’kanë vend.

Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhè,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne.

 

Asdreni

Britania: Rusia mund të kryejë sulme kibernetike me IA

AIQeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka paralajmëruar për rrezikun e sulmeve kibernetike me ndihmën e Inteligjencës Artificiale. Gjatë një konference të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, Britania njoftoi se po krijon një laborator të ri për t’iu kundërvënë sulmeve të tilla nga vende armiqësore, përfshirë Rusinë.

Megjithatë, disa ekspertë nuk pajtohen me këtë duke thënë se ekzistojnë shumë boshllëqe që hakerët mund t’i shfrytëzojnë nëpërmjet metodave tanimë të provuara. Ata thonë se paralajmërimet për sulme me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, mund të jetë të ekzagjeruara.

Bota mund të ndeshet me sulme më të rënda kibernetike përmes Inteligjencës Artificiale.

Ky paralajmërim u bë nga ministri britanik Pat McFadden, gjatë një fjalimi në Konferencën e Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, në Londër.

Qeveria britanike veçoi Rusinë si një burim të mundshëm të këtyre sulmeve. Londra po krijon një laborator për t’u përballur me, siç e quajti ministri McFadden, këtë “garë të re armatimi me ndihmën e Inteligjencës Artificiale”.

Faqet e internetit të qeverisë ukrainase, në vitin 2022, u përballen me sulme kibernetike për të cilat shërbimet e sigurisë fajësuan Rusinë.

Megjithatë, disa ekspertë nuk janë të bindur se Britania e Madhe do të përballet së shpejti me një valë sulmesh kibernetike të fuqizuara nga Inteligjenca Artificiale.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për Inteligjencën Artificiale sikur të ishte një ndryshim i madh në natyrën themelore të operacioneve kibernetike. Përkundrazi, mendoj se ne ende po përballemi me të njëjtat probleme që i kishim dhjetë vjet më parë. Ne ende po luftojmë për t’u marrë me probleme të njëjta”, thotë James Sullivan nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara.

Qeveria britanike thotë se Inteligjenca Artificiale mund të “përforcojë kërcënimet ekzistuese kibernetike”, por gjithashtu thotë se paraqet mundësi për t’u mbrojtur kundër tyre.

Eksperti James Sullivan pajtohet.

“Inteligjenca Artificiale mund të analizojë sjelljen e përdoruesit dhe madje edhe reagimin ndaj incidentit. Unë mendoj se kjo është e rëndësishme. Mund të automatizojë proceset e reagimit ndaj incidentit, sepse ne kurrë nuk do të mund të mbrohemi nga këto incidente gjatë gjithë kohës”, thotë ai.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po i kërkon NATO-s që t’i përshtatet këtij kërcënimi të ri, siç ka bërë gjatë historisë së saj prej shtatë dekadash.

Por, disa ekspertë thonë se kërcënimi i sulmeve kibernetike që nuk shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale është ende “shumë i madh”.

“Unë dëgjoj gjatë gjithë kohës për mashtrime që kryhen duke shfrytëzuar Inteligjencën Artificiale. Më pas e kuptojmë se mashtrimet nuk kryhen fare ashtu. Miliarda dollarë përfitohen në mënyrë të jashtligjshme pa shfrytëzuar fare Inteligjencën Artificiale”, thotë Rob Pritchard, ekspert i sigurisë kibernetike.

Eksperti Pritchard shton se Inteligjenca Artificiale mund të zëvendësojë vetëm atë që arrin të bëjë njeriu dhe për këtë arsye, nuk e ka ndryshuar ende situatën rreth sigurisë kibernetike.

“Nuk shoh ndonjë gjë veçanërisht të rëndësishme. Momentalisht nuk egziston mundësia që të japësh urdhër dhe Inteligjenca Artificiale të kryejë sulme kibernetike”, thotë ai, duke shtuar se Britania momentalisht po has në vështirësi të përballet me sulmet kibernetike që kryhen pa ndihmën e Inteligjencës Artificiale.

 

voa

A do të luftojnë së shpejti ushtarë nga Jemeni në Ukrainë?

JemenitSipas gazetës “Financial Times” Rusia do të angazhojë edhe ushtarë nga Jemeni në luftën në Ukrainë. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk mendon se rreziku i një “lufte globale” është “serioz dhe real”.

 

Në luftën e saj agresore kundër Ukrainës, Rusia po përdor jo vetëm dronë luftarakë nga Kina dhe Irani, por edhe raketa balistike nga Pheniani. Rusia ka angazhuar edhe ushtarë nga Koreja e Veriut dhe së shpejti në luftë mund të marrin pjesë edhe ushtarë nga Jemeni. Sipas “Financial Times” milicia islamike Huthi po rekruton mercenarë për të shërbyer në ushtrinë ruse. Fjala është për disa qindra mercenarë jemenas që janë dërguar në Rusi përmes një sistemi të dyshimtë “trafikimi qeniesh njerëzore”.

Duke cituar persona të prekur, gazeta shkruan se disa prej meshkujve i kishin joshur në Jemen me perspektivën për punë në Rusi dhe për marrjen e nënshtetësisë ruse. Në momentin që kishin mbërritur në Rusi, ata i kishin rekrutuan me forcë në forcat e armatosura ruse dhe i kishin dërguar menjëherë në front në Ukrainë.

Rekrutimi nga një politikan huthi

Rekrutimi në Jemen kryhet nga një kompani e themeluar nga një politikan i shquar huthi. Gazeta “Financial Times”  ka në dispozicion një kontratë rekrutimi nga e cila merret vesh se meshkuj jemenas janë rekrutuar për ushtrinë ruse që nga muaji korrik. Milicia Huthi e mbështetur nga Irani ka sulmuar vazhdimisht cisternat perëndimore në zona të tilla si Gjiri i Adenit që prej fillimit të luftës në Lindjen e Mesme rreth një vit më parë.

Paralajmërim për një “luftë globale”

Nëse këto lajme janë të vërteta, “kjo është jashtëzakonisht shqetësuese”, thotë Ministria e Jashtme në Berlin. Rreziku i një “lufte globale” është “serioz dhe real”, paralajmëron kryeministri i Polonisë, Donald Tusk. Po a ekziston rreziku i ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të luftës?

Apo mos vallë ky është tashmë një realitet? Valeriy Zalushnyi, ish-kreu i forcave të armatosura të Ukrainës, tani ambasadori i Ukrainës në Britaninë e Madhe, thotë se beson se Lufta e Tretë Botërore tashmë ka filluar – sepse në konflikt janë përfshirë prej kohësh shumë vende.

Ajo që duket e qartë është se sipas vlerësimeve të fundit, Rusia ka humbur tashmë 700,000 ushtarë, për shkak se janë vrarë ose plagosur në luftën në Ukrainë. Kjo është ndoshta një nga arsyet pse rreth 12,000 ushtarë nga Koreja e Veriut, të cilët sundimtari Kim Jong Un i dërgoi në Rusi, po luftojnë aktualisht, sidomos në rajonin e Kurskut.

Rusia ka probleme të mëdha me burimet

Në një intervistë për DW, Roderich Kiesewetter, ekspert për politikën e jashtme në grupin parlamentar të partisë CDU, tha se ky lajm nuk e habit, sepse “Rusia ka pasur probleme të mëdha me burimet prej disa kohësh, si në aspektin material në fusha të caktuara dhe atë njerëzor. Rusisë i duhet tani të paguajë shuma të larta parash për të mobilizuar ushtarët rusë dhe po josh tani ushtarë me falje borxhesh.”

Presidenti Putin ka kohë që ka punuar ngushtë me grupin terrorist islamik Hamas ose me milicët huthi, të cilat që të dyja mbështeten nga Irani: “Prandaj nuk është për t’u habitur që tani po rekrutohen ushtarë nga Jemeni. Thuhet se nuk janë terroristë Huthi, por shtetas nga Jemeni që i joshin në Rusi me premtime të rreme dhe më pas i rekrutojnë praktikisht me forcë.”

dw

Hyn në fuqi armëpushimi Izrael-Hezbollah në Liban

armepushimiNjë armëpushim midis Izraelit dhe grupit militant Hezbollah me seli në Liban hyri në fuqi të mërkurën herët në mëngjes, duke çuar në ndalimin e luftimeve që udhëheqësit amerikanë dhe francezë thanë se mund të hapin rrugën për një armëpushim edhe në Rripin e Gazës.

 

Ndërsa armëpushimi hyri në fuqi, një valë makinash po shkonin drejt Libanit jugor, ku disa muaj luftimesh të ngjeshura dhe urdhrat izraelitë për evakuim i detyruan banorët të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Ushtria izraelite paralajmëroi banorët të qëndrojnë larg fshatrave në të cilat kishte urdhëruar më parë evakuime.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me Francën, luajtën një rol thelbësor në ndërmjetësimin e zgjidhjes, të cilën Kabineti i Sigurisë i Izraelit e miratoi të martën vonë.

Presidenti amerikan Joe Biden e quajti armëpushimin “një hap kritik … për t’i dhënë fund dhunës” në Lindjen e Mesme. Ai tha se Irani dhe përfaqësuesit e tij, Hezbollahu në Liban dhe militantët e Hamasit në Gaza, “kanë paguar një çmim të rëndë” në më shumë se një vit luftime ndaj forcave izraelite.

Ai tha se marrëveshja “është hartuar për të siguruar një ndërprerje të përhershme të armiqësive”.

Por, Presidenti Biden paralajmëroi që “nëse Hezbollahu ose dikush tjetër thyen marrëveshjen dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për Izraelin, atëherë Izraeli ruan të drejtën për vetëmbrojtje në përputhje me ligjin ndërkombëtar, ashtu si çdo vend, në përballjen me një grup terrorist që synon shkatërrimin e atij vendi”.

Udhëheqësi në largim i SHBA-së, me më pak se dy muaj të mbetur në mandatin e tij katërvjeçar, tha se tani kur Hezbollahu ka rënë dakord për t’i dhënë fund sulmeve të tij ndaj Izraelit, “Hamasi ka një zgjedhje për të bërë. E vetmja rrugëdalje e tyre është lirimi i pengjeve (që po mban në Gaza), përfshirë qytetarët amerikanë”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai mbështet një armëpushim me Hezbollahun, në mënyrë që Izraeli të përqendrojë vëmendjen e tij në kërcënimin më të gjerë që paraqet Irani, të rifreskojë forcat e tij dhe të izolojë Hamasin në luftën e tij të vazhdueshme kundër Izraelit në Gaza.

Kryeministri Netanyahu u zotua se nëse Hezbollahu ripërtërinë sulmet e tij ndaj Izraelit ose riarmatoset, Izraeli do të rifillojë menjëherë bombardimet ndaj militantëve në Liban.

Lëvizja e kryeministrit Netanyahu drejt përfundimit të luftimeve gati 14 muajshe me Hezbollahun, pasoi një ditë sulmesh izraelite ndaj objektivave militantë në Liban.

Sulmi izraelit kishte në shënjestër 20 ndërtesa për të cilat ushtria tha se ishin fortesa të Hezbollahut, duke paralajmëruar banorët civilë që jetonin atje të largoheshin dhe të mbanin një distancë prej të paktën 500 metrash. Ky ishte numri më i madh i ndërtesave të shënjestruara në një ditë të vetme.

Sulmet dukej se ishin një përpjekje e fundit e Izraelit për të siguruar përparësi në luftën e tij me Hezbollahun. Militantët filluan të sulmojnë Izraelin në tetor të vitit 2023 në mbështetje të militantëve të Hamasit, që luftojnë me Izraelin në Gaza.

Marrëveshja e armëpushimit, e ndërmjetësuar nga diplomatët amerikanë dhe francezë, përfshin një ndërprerje luftimesh dhe një periudhë 60-ditore gjatë së cilës Izraeli dhe Hezbollahu do të tërhiqen nga Libani jugor.

Sipas marrëveshjes, forcat izraelite janë të detyruara të tërhiqen në jug të kufirit Liban-Izrael, ndërsa Hezbollahu të lëvizë në veri të lumit Litani. Plani kërkon që ushtria libaneze, e cila nuk është e përfshirë në luftimet Izrael-Hezbollah, të patrullojë rajonin midis dy palëve ndërluftuese.

Luftimet në Liban kanë shkaktuar një krizë humanitare, duke zhvendosur qindra mijëra njerëz.

Të hënën, Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara njoftoi se ka ofruar ndihmë urgjente për më shumë se gjysmë milioni njerëz në Liban që nga fillimi i konfliktit.

Në sulmin e tetorit 2023 ndaj Izraelit që shkaktoi luftën në Lindjen e Mesme, militantët e Hamasit vranë 1200 njerëz dhe kapën rreth 250 pengje. Izraeli thotë se beson që Hamasi po mban ende 101 pengje, duke përfshirë 35 që ushtria thotë se janë të vdekur.

Kundërsulmi i Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 44,235 palestinezë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të territorit, e cila nuk bën dallim midis luftëtarëve dhe civilëve në numërimin e saj. Ushtria izraelite thotë se numri i të vdekurve përfshin mijëra luftëtarë të Hamasit, ndërsa ministria e Shëndetësisë thotë se më shumë se gjysma janë gra dhe fëmijë.

Hamasi dhe Hezbollahu janë cilësuar si grupe terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera perëndimore.

voa

Para dhe pas çlirimit (prej lirisë)!

Banda frymore e qytetit të TetovësBanda frymore e qytetit të Tetovës 1942  

Vetëm, brenda 3-4 viteve të administratës shqiptare, shqiptarët nën ish-Jugosllavi përjetuan rilindjen kombëtare në çdo fushë të jetës së tyre, e veçanërisht në arsim dhe kulturë, frytet e së cilës sot e kësaj dite i gëzojmë, edhe atë falë administratës të shtetit shqiptar dhe arsimtarëve të dërguar nga Ernest Koliqi si dhe më vonë edhe nga vetë gjenerata e arsimtarëve që ishin produkt shqiptar, të cilët  pas periudhës së çlirimit (prej lirisë) prej 1945- e deri më sot 2024, me moton avash-avash, nga pushteti sllav  u izoluan, u paralizuan dhe u shpërngulën !

Fatkeqësisht shqiptarët nën Maqedoni, ende nuk janë në gjendje të krijojnë institucione të mirëfillta, sepse nuk ka interes dhe mbështetje nga shtetit unitar i Maqedonisë.

Nën pushtetin e sulltanit shqiptarët duhet të jenë zotë të Shqipërisë

Foto e Konakut të Pashës në Tetovë 1915

Foto e Konakut të Pashës në Tetovë, 1915

“Shqipëria duhet t’u përkasë shqiptarëve edhe nën sundimin e sulltanit të largët, qoftë që ata të jenë shqiptarë katolikë apo myslimanëve. Prandaj është e natyrshme që paratë e padishahut shkojnë për myslimanët (shqiptarë), por ato para duhet dhe është e pranueshme që të shkojnë edhe për katolikët (shqiptarë), por ama askush nuk duhet të përzihet shumë në punët shqiptare, askush nuk duhet ta pengojë shqiptarin që ai të jetojë si të dojë, në të kundërt do të ketë krisma armësh!”, shkruante autori francez, Max Choublier, i cili ka qëndruar në tokat shqiptare për tetë vjet, gjegjësisht prej vitit 1904 deri më 1912

Max Choublier

 

Bektashiu shqiptar dhe shqiptari i varfër më tepër e preferojnë që ta kenë mbi njëfarë kujdestari (në origjinal është mjeshtri, S.L.) që nuk i mërzit ata, që nuk vjel taksa, që i lë ata të veprojnë të lirë dhe si të duan. Edhe ashtu në vendin  e tyre mjaftojnë bejlerët e mëdhenj me agjitacionet e ngritura të tyre, pasi dihet  qartë se për të bërë pasurinë, të mëdhenjtë me shumë dëshirë i vënë të vegjlit në situata fatkeqe. Këta bejlerë të mëdhenj do të ishin të aftë, për më tepër, t’i jepnin Shqipërisë sundimtarë, por Shqipëria duhet t’u përkasë shqiptarëve edhe nën sundimin e sulltanit të largët, qoftë që ata të jenë shqiptarë katolikë apo myslimanëve. Prandaj është e natyrshme që paratë e padishahut shkojnë për myslimanët (shqiptarë), por ato para duhet dhe është e pranueshme që të shkojnë edhe për katolikët (shqiptarë), por ama askush nuk duhet të përzihet shumë në punët shqiptare, askush nuk duhet ta pengojë shqiptarin që ai të jetojë si të dojë, në të kundërt do të ketë krisma armësh!

Nuk duhet harruar se në shekujt e mëhershëm bektashinjtë lulëzuan duke qenë të këndshëm ndaj (popujve)  vendor. Ata dhuruan bamirësi ashtu siç u ka hije njerëzve të mirë, ishin të dashur në sjellje me popujt ballkanikë etj. Ata shpesh e theksonin si detyrë supreme bamirësinë, sepse sipas Kur’anit: “Ata që nuk ua dhanë kurrë ushqimin e tyre të varfërve do të shkojnë në ferr….“. Ali Baba, do të thoshte dhe besoj se fraza nuk është e tij “se parajsa vjen si shpërblim; por lumturia është para së gjithash të jetosh ashtu siç duhet”. Me pak fjalë, bektashinjtë e Tetovës nuk dalloheshin aspak prej një bashkësie morale dhe të mirë, me emër fetar, por në radhë të parë ata ishin të preokupuar me realizmin e një ideali me karakter kombëtar e demokratik. Ata padashur dhe në mënyrë indirekte ndihmuan në ndarjen e fesë myslimane dhe pushtetit osman, sepse në “udhëkryqin” e Maqedonisë kishte veprime dhe reagime të gjalla ose dëshira dhe ide të cilat u përplasën mes vete. Megjithatë, duhet theksuar veçmas se aspirata e tyre për një ideal kombëtar kishte përparësi ndaj idealit fetar islam. Kujtimet e mia për bektashinjtë e Tetovës datojnë nga vjeshta e vitit 1905.

 

Vrasja e bektashinjve në Tetovë dhe jeniçerët shqiptarë

Dhjetë vjet më vonë, luftërat ballkanike e kishin trazuar Rumelinë; ushtritë serbe kishin marrë Tetovën, krerët e teqesë, ishin rrahur keq me shkopinj, ishin hedhur në rrugë ose ishin vrarë. Ali Baba kishte vdekur dhe këndi simpatik ku këndonin bilbilat nuk ekzistonte më. Në formën e saktë në të cilën e pashë të jetonte në Rumeli, rendi i vjetër i bektashinjve u zhduk, por prej tyre u ruajt një mënyrë e jetesës në Shqipërinë e pavarur. Shqipëria u përpoq t’i përshtatej rrjedhës aktuale të gjërave, por njëkohësisht duke e ruajtur mënyrën e jetesës bektashiane, prandaj u arrit që të ruhej një pjesë e tipareve thelbësore bektashiane… Vitin e kaluar në një komunikim verbal i krahasova bektashinjtë e parë me dervishët rebelë, ndoshta pasardhës të largët të karmatëve, të cilët e vunë në rrezik fronin perandorak në vitin 1410, si dhe të atyre që në vitin 1525, nën nxitjen e njëfarë Kalender Oglu, që pretendonte se ishte pasardhës i Haxhi Bekteshit, morën pjesë në revoltën e Karamanisë. Nëse nuk mund të administrohet prova dokumentare e disa filiacioneve, kujtesa e këtyre ngjarjeve duhet të mbetet e lidhur në studimin e bektashinjve dhe traktateve më të vjetra si dhe më të fundit që ne i njohim për barazinë shoqërore dhe sinkretizmin fetar. Të unifikuar në veprimtarinë e tyre me sulltanin, në të njëjtën kohë me shtimin e numrit të teqeve, bektashinjtë u bënë  kapelanë të jeniçerëve, domethënë të një trupe ushtarësh gjysmë- heretikë. Ata ruajtën një pjesë të frymës së tyre të lashtë të rendit mendor, mistik dhe revolucionar dhe në të njëjtën kohë u përparuan në një forcë dhe pasuri, duke zhvilluar autonominë e tyre në dëm të pushtetit qendror dhe duke e ndjekur procesin e përgjithshëm që më vonë e atakoi fuqinë e Perandorisë Osmane. Pikërisht gjatë kësaj periudhe që shtrihet nga Sulejmani I deri te Sulltan Mahmudi II u formua grupi shqiptar i urdhrit jeniçer. Ligji për ekuivalencën e feve dhe ideali egalitar i bektashinjve e favorizuan rendin e tyre por edhe përhapjen e doktrinave të tyre në Shqipërinë indiferente ndaj Islamit, por njëkohësisht ky vend ishte një terren pjellor për ushtarët që konvertoheshin vetëm për të hyrë në shërbim (jeniçer). Kur nga Sulejmani I, jeniçerëve aktivë iu shtuan pensionistët, amelmantët dhe oturakët dhe u formuan trupa të vërteta profesionale dhe më pas u emëruan jeniçerë nderi, fitues të prerogativave që i bashkëngjit titullit, në Shqipëri lindën qytete të vërteta jeniçerësh. Jeniçerët, gjysmë jeniçerët dhe të afërmit e tyre, thuajse të gjithë ishin të lidhur me rendin bektashi; shumë jeniçerë pas largimit nga shërbimi aktiv morën betimet e tyre. Kështu, në të njëjtën kohë kur shqiptarët myslimanë po konvertoheshin në bektashizëm, teqetë bektashiane të Rumelisë u populluan nga vendas dhe ato e fituan një frymë kombëtare të panjohur për ata (jeniçerët) të Turqisë aziatike. Gjatë shekujve XVII dhe XVIII jeniçerët dhe bektashinjtë në Rumeli u shndërruan në një ingranazh të rëndësishëm të feudalizmin mysliman, feudalizmit demokratik të zbutur nga marrëdhëniet e besimit të vërtetë midis liderit dhe vasalit, madje edhe të feve të ndryshme pasi siç është e njohur, shqiptari ka qenë gjithmonë shqiptar edhe përpara se ai të ishte katolik apo mysliman.

 

Për bektashinjtë shqiptarë atdheu është mbi të gjitha  

Shkatërrimi i njëkohshëm i jeniçerëve dhe bektashinjve nga Sulltan Mahmudi, sidomos heqja e pasurisë së këtyre të fundit, vetëm sa i afroi ata në avantazhin e popullit shqiptar. Kur unë i takova për herë të parë bektashinjtë shqiptarë ishin të tillë, përfaqësues të një borgjezie të moderuar, patriotike, të vogël dhe të pajisur me ideale humanitare. Dr. Norbert Jokl përktheu në gjermanisht një himn (lutje), të poetit kombëtar shqiptar Naim bej Frashër për bektashinjtë. Naim bej lartëson mirësinë, bamirësinë, vëllazërinë, urtësinë e bektashinjve, dhe mbi të gjitha e bën fenë e tyre morale për të cilën Zoti është sinonim i dashurisë: dashuria për Zotin, dashuria për njerëzit etj. Në këtë himn (lutje) thuhet se ai që e ndjek gjithmonë rrugën e dashurisë është një bektashi i vërtetë dhe për më nuk ka nevojë shumë. Ata (bektashinjtë) si shpirti i duan të gjithë burrat myslimanë dhe të krishterë… por mbi të gjitha, ata e duan atdheun e tyre dhe miqtë e atdheut të tyre, sepse Atdheu është më i miri prej të gjitha të mirave. Tendenca e këtij himni (lutjeje) është më shumë se ajo vetë për t’u mbajtur mend. Ajo pasqyron shpirtin bektashian. Nga thellësia e prejardhjes islame del koncepti fetar dhe shoqëror se jeta e tyre në Rumeli u dyfishua me nacionalizmin shqiptar dhe bektashinjtë shqiptarë mbetën të tillë dhe padyshim se ata do të mbeten ashtu deri në shpërbërjen përfundimtare ndaj të së cilës sot kërcënohen. Historia e tyre është leksion në vete dhe projeksion i një të shkuare të largët në të tashmen, sepse ata janë pjesë dhe në të njëjtën kohë shpjegim i një fakti më të përgjithshëm…

 

Kaosi ballkanik në vitet  1900 – 1915

Por, në kaosin e tmerrit kur nga viti 1900 deri në vitin 1915 popujt ballkanik u goditën nga vuajtjet deri në shfarosje thuajse të plotë, në këtë anarki ku turqit, bullgarët, serbët, grekët, shqiptarët shkëmbenin goditje aq të ashpra mes vete, çështjet fetare në ndjenjat e njerëzve të paktën, edhe pse vazhdimisht shtroheshin nga palët ndërluftues, kurrë nuk kanë pasur ndikim por çështjet fetare e kanë pasur  më tepër një rol shumë të fshehur dhe të padukshëm. Ndoshta edhe kishat që ishin të përfshira në kauza kombëtare, të nënshtruara ndaj veprimeve politike, u tretën në një veprim që nuk ishte në rendin e tyre, sepse u pa qartë që nuk është mirë që besimi të përzihet në çështjet laike. Dhe kjo ishte e vërtetë jo vetëm për grekët ortodoksë, bullgarët ekzarkistë, shqiptarët katolikë, myslimanë apo bektashinj, por edhe për turqit myslimanë. Maqedonia, vendtakimi i të gjitha feve të Lindjes Mesdhetare dhe që u bë matricë e kombësive, ishte në fakt vendi i zgjedhjes së lëvizjes kombëtare turke, e cila nga Selaniku u përhap në të gjithë perandorinë. Ndërsa nuk duhet harruar se shumë nga udhëheqësit e saj kanë lindur në këtë mjedis relativisht indiferent ndaj çështjeve të fesë…

 

Autori francez, Max Choublier, gjatë qëndrimit të tij në tokat shqiptare prej vitit 1904 deri më 1912, në vjeshtën e vitit 1905 kishte vizituar Teqenë e Tetovës dhe me këtë rast nuk mungojnë as imazhet nga vizita dhe mikpritja që i është bërë atij në këtë qendër me ndikim në atë kohë. Shkrimi i Max Choublier “Bektashinjtë e Rumelisë” u botua në revistën “Revue des Etudes İslamiques” në vitin 1927. Ky version – pjesë e tretë e shkrimit – është i shkurtuar, ndërsa tituj dhe nëntitujt janë Skënder Latifit që e ka përgatitur këtë shkrim

koha

Ju kujtohet se si funksionojnë firmat piramidale?…

Bujar OsmaniSa më lart je në piramidë, aq më pak dëmtohesh kur gjërat për të tjerët nuk ecin si duhet.

Nëse nuk të ecë karriera si politikan, i kthehesh mjekësisë. Kur je në majë të piramidës, herë je ministri më i mirë i jashtëm që ka parë njerëzimi, e herë je mjeku më i mirë që trajnohet për “kirurgji robotike për trajtimin e kancerit”.

Natyrisht, kur je në majën e firmës piramidës, nuk të mungojnë, as mjetet, as lidhjet për trajnim dhe punësim në institucionet në duart e partive piramidale konkurrente!

Sepse një fjalë e urtë popullore thotë: “Qeni qenin nuk e ha!”

Pse e them këtë? Sepse është koha që të këputet koka e sëmurë e piramidës, për të shpëtuar bazën e shëndoshë të piramidës!

Nëse ka një të tillë!

Afrim Fanda