All posts by V.F.

Ju kujtohet se si funksionojnë firmat piramidale?…

Bujar OsmaniSa më lart je në piramidë, aq më pak dëmtohesh kur gjërat për të tjerët nuk ecin si duhet.

Nëse nuk të ecë karriera si politikan, i kthehesh mjekësisë. Kur je në majë të piramidës, herë je ministri më i mirë i jashtëm që ka parë njerëzimi, e herë je mjeku më i mirë që trajnohet për “kirurgji robotike për trajtimin e kancerit”.

Natyrisht, kur je në majën e firmës piramidës, nuk të mungojnë, as mjetet, as lidhjet për trajnim dhe punësim në institucionet në duart e partive piramidale konkurrente!

Sepse një fjalë e urtë popullore thotë: “Qeni qenin nuk e ha!”

Pse e them këtë? Sepse është koha që të këputet koka e sëmurë e piramidës, për të shpëtuar bazën e shëndoshë të piramidës!

Nëse ka një të tillë!

Afrim Fanda

NATO konfirmon mbështetjen për Ukrainën pas sulmit rus me raketë balistike

NatoVendet anëtare të NATO-s konfirmuan mbështetjen e tyre për Ukrainën të martën gjatë bisedimeve me zyrtarët e Kievit. Takimi u mbajt në përgjigje të sulmit rus me një raketë balistike eksperimentale, me rreze të mesme veprimi, javën e kaluar.
Ambasadorët që përfaqësojnë 32 vendet anëtare të NATO-s u informuan nga zyrtarë të lartë ukrainas pasi Kievi thirri një takim të forumit të bashkëpunimit midis NATO-s dhe Ukrainës.

“Shefi i zbulimit nga departamenti i mbrojtjes së Ukrainës dhe komandanti në detyrë i forcave ajrore iu bashkuan takimit përmes lidhjes me internet. Ata informuan aleatët mbi detajet e sulmit dhe pasojat e tij të mundshme”, tha në një deklaratë Nataliia Galibarenko, ambasadorja e Ukrainës në NATO.

“Ata informuan se ky sulm i egër ishte një demonstrim i hapur i forcës nga Rusia dhe një përpjekje e pafrytshme për të frikësuar aleatët”, shtoi ajo.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se Moska goditi një objekt ushtarak ukrainas me një raketë të re balistike hipersonike, me rreze të mesme veprimi, në përgjigje të vendimit të Uashingtonit dhe Londrës që Kievi të godiste territorin rus me armë të avancuara perëndimore.

NATO tha në një deklaratë pas bisedimeve se “sulmi, i cili kishte në shënjestër Dnipron, shihet si një përpjekje tjetër e Rusisë për të terrorizuar popullsinë civile në Ukrainë dhe për të frikësuar ata që mbështesin Ukrainën ndërsa mbrohet nga agresioni i paligjshëm dhe i paprovokuar i Rusisë”.

voa

Kryeministri australian e pranon me krenari: Jam shqiptar, kam rrënjë arbëreshe

kryeministri australianKryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka pranuar me krenari rrënjët e tij arbëreshe nga Barletta e Pulias, përpara ambasadorit shqiptar në Canberra dhe komunitetit shqiptaro-australian.

 

Qyteti i Barletës shtrihet në jug të Italisë, në rajonin e Pulias. Një komunitet i madh arbëreshësh jeton në aty, ku besohet se jetojnë rreth 100 mijë arbër dhe nga ky komunitet është edhe babai i kryeministrit australian.

“Diku në të kaluarën time, pa dyshim që kam një lidhje shumë të drejtpërdrejtë me Shqipërinë. Barletta ndahet vetëm nga uji me Shqipërinë”, u shpreh ndër të tjera Albanese ndërkohë që fliste gjatë ceremonisë së “Miqve shqiptarë të Parlamentit”.

Anthony Albanese është djali i një marinari, Carlo Albanese nga jugu i Italisë, por me një nënë australiane (me origjinë irlandeze).

Top Channel

Siguria e Gjermanisë nuk ka prioritet për Trumpin

TrapDonald Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Ai kërkon nga Europa investime më të mëdha për ushtrinë. Veçanërisht për Gjermaninë mund të nisin kohë të vështira në aspektin e politikës së sigurisë.

 

Qendrimi i paparashikueshëm i Donald Trump-it u krijon shqetësime të mëdha politikanëve gjermanë. A do të shprehë ai sërish kritika të ashpra ndaj Gjermanisë, ashtu si edhe gjatë mandatit të tij të parë presidencial? A do të ankohet ai kundër NATO-s, e veçanërisht kundër partnerëve të tij europianë, apo madje mos vallë do të kërcënojë me daljen e vendit të tij nga aleanca?

Të gjitha këto është e vështirë të parashikohen – dhe në Berlin kjo krijon një lloj shqetësimi. Kur ministrja e Jashtme Annalena Baerbock pas fitores në zgjedhje i ofroi Trump-it “partneritet dhe miqësi”, në të përfshihej edhe dëshira për besueshmëri në kohë të vështira.

 

Për Gjermaninë NATO është e domosdoshme

Që marrëdhëniet gjermano-amerikane qendrojnë mbi një bazament solid, për këtë askush nuk ka dyshim në asnjërën anë të Atlantikut. Presidenti demokrat, Joe Biden e ka theksuar shpesh, që SHBA në rast të një sulmi “do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s”. Për anëtarët europianë të NATO-s kjo ka qenë një garanci qetësuese. Në rast konflikti Gjermania me ushtrinë e saj, Bundeswehr, me rreth 180.000 ushtare dhe ushtarë dhe e armatosur jo mjaftueshëm do të ishte në varësi të mbrojtjes elementare nga aleanca mbrojtëse.

Por nën republikanin Donald Trump do të vijë një erë e re krejt ndryshe sa në kohën e transatlantikasit të bindur Biden. Jo vetëm, që Europa në botëkuptimin gjeopolitik të Trump-it luan një rol sekondar, shumë pas Kinës dhe rajonit të Indo-Paqësorit, por Trump e konsideron edhe mbrojtjen e Europës si një detyrë primare europiane, e jo amerikane.

 

Europa duhet të investojë më shumë për sigurinë e saj

Aktualisht SHBA paguan pjesën më të madhe në NATO dhe vë në dispozicion numrin më të madh të ushtarëve si dhe aftësitë thelbësore për zbulimin dhe logjistikën. Trump, që shpesh e ka cilësuar si shumë të kushtueshme për SHBA-në anëtarësinë në NATO-s, mund ta kufizojë ndjeshëm këtë angazhim.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, socialdemokrati Boris Pistorius reagoi menjëherë: “Ne europianët duhet të bëjmë më shumë për sigurinë tonë. Ne duhet të arrijmë të realizojmë një “burden sharing” (ndarjen korrekte të barrës)”, deklaroi ai pas fitores së Trump – duke u bërë thirrje kolegëve të tij nga Franca, Polonia, Britania e Madhe dhe Italia që të konsultohen për aftësitë mbrojtëse të Europës.

Për ta përmirësuar këtë pas fitores së Trump duket sot më emergjente se kurrë më parë – dhe Gjermania mund të luajë një rol drejtues në këtë drejtim. Por pikërisht tani Gjermania ndodhet në një krizë qeveritare, që po çon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 23 shkurt. Prej kohësh ekspertët e sigurisë kërkojnë, që Europa duhet të jetë në gjendje pa SHBA-në që të realizojë operacione ushtarake.

Trump është i fokusuar tek paraja, shumë para dhe tek “deals”, gjithçka mund të jetë çështje pazaresh – këtë stil politik ka ndjekur ai gjatë mandatit të parë (2017-2021). Qysh atëherë ai rregullisht vërente, se sipas tij, shpenzimet gjermane për mbrojtjen janë shumë të ulëta. Gjermania i ka borxh NATO-s “shuma gjigante”, pretendonte Trump. Ish-kancelarja kristiandemokrate, Angela Merkel, reagonte e irrituar.

 

Mbrojtje vetëm me para?

Që Trump do ta shtrojë sërish temën e shpenzimeve të mbrojtjes, kjo pritet. Edhe gjatë fushatës elektorale ai vazhdimisht i referohej kësaj teme. Kush nuk përmbush objektivin e NATO-s “dy përqind”, pra dy përqind të produktit bruto në vend si investime për mbrojtjen, nuk do të mbrohet nga SHBA, gjëmonte republikani përpara mbështetësve që e brohorisnin.

Të tilla deklarata, sipas ekspertes së sigurisë Ulrike Franke nga European Council on Foreign Relations, janë të rrezikshme: “Vetëm një deklaratë e tillë e nënvleftëson NATO-n jashtë mase, sepse kredibiliteti i  NATO-s bazohet tek besimi që në aleancë njeri i vjen në ndihmë tjetrit”, thotë ajo për DW.

Edhe Stefanie Babst, ish-shefe e strategjisë në NATO, sheh me shqetësim drejt mandatit të dytë presidencial të Donald Trump: “Trump nuk e konsideron NATO-n si aleancë vlerash, por si një shoqatë shërbimesh.” Kush paguan, merr mbrojtje – ky qëndrim është “vërtetë helm për NATO-n”. Nga përçarja në NATO përfiton në fund presidenti rus Vladimir Putin, nënvizon ekspertja.

 

A do të ketë së shpejti një boshllëk në buxhetin gjerman për mbrojtjen? 

A do ta humbiste Gjermania si një vend i ashtuquajtur “mosplotësues i detyrimit të pagesës” premtimin për mbrojtje nga SHBA nën administratën e re – pavarësisht se në të janë të dislokuara armët bërthamore amerikane për demonstrimin e forcës?

Sivjet qeveria gjermane për herë të parë pas dekadash shpenzoi dy përqind të produktit bruto në vend për mbrojtjen – duke e përmbushur detyrimin e vendeve anëtare të NATO-s. Megjithatë kjo u arrit vetëm falë të ashtuquajturit aset i veçantë (në fakt borxhe të reja) prej 100 miliardë eurosh për Bundeswehrin, që vuri në dispozicion qeveria pas sulmit rus ndaj Ukrainës.

Megjithatë: më 2026 ose 2027 ky fond do të jetë shpenzuar. Do të jetë detyrë e qeverisë së re për ta rritur afatgjatë buxhetin e mbrojtjes. Në rast të kundërt Gjermania sërish mund të bjerë nën kuotën e dy përqindëshit dhe të përballet me kritikën e aleatëve. Gjatë mandatit të parë presidencial Trump pati kërcënuar, se do të tërheqë një pjesë të trupave të SHBA-së të – si “sanksion” ndaj shpenzimeve të pakta për mbrojtjen, sipas tij.

 

Kërcënon fundi i mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën

Një temë tjetër, që u krijon kokëçarje europianëve, është ndihma ushtarake për Ukrainën. Edhe në këtë drejtim SHBA është donatori kryesor pasuar nga Gjermania. Deklarimet e Trumpit lidhur me këtë temë të bëjnë të druash, se nuk do të ketë më ndihma të mëtejshme të SHBA-së.

Që europianët mund ta kompensonin këtë mungesë, për këtë ka dyshime ekspertja e sigurisë Ulrike Franke. Sipas saj më pak para nuk është aq problem, se sa mungesa e furnizimeve me armë. “Problematika sipas mendimit tim janë pajisjet ushtarake. Ne keto dy vjet e gjysmë kemi parë se si janë zbrazur arsenalet tona. Ajo që ne nuk e kemi bërë mjaftueshëm, është rritja e prodhimit tonë industrial.” Gjermania ndonëse e ka rritur ndjeshëm prodhimin e saj të armatimeve që nga fillimi i luftës së Ukrainës, kjo u nis nga një nivel fare i ulët, si me prodhimin e municioneve.

 

Çfarë “deal-i” do t’i propozojë Trumpi Putinit?

Edhe deklarimi i zëshëm i Trumpit, se do t’i japë fund “në 24 orë” lufës në Ukrainë, shkakton irritime në Gjermani. Mund të ndodh, që Trump “të arrijë një deal të çfarë do lloji me Putnin – dhe europianët nuk do të jenë as unik sa duhet dhe as vërtetë në gjendje, që ta refuzojnë këtë deal”, tha Franke për DW. Ky është sipas ekspertes “një skenar horror”.

Nëse Trump përpiqet të arrijë një marrëveshje me Putin, me shumë gjasë Ukraina nuk do të jetë në tryezën e bisedimeve – dhe as Europa nuk do të jetë, hamendëson Thomas Kleine-Brockhoff, drejtor i Shoqatës gjermane për Politikën e Jashtme. Askush nuk do të dojë të pranojë, që të jetë i përjashtuar. Ndaj, propozimi i tij është, që vendet e mëdha europiane duhet të krijojnë një grup kontakti me Ukrainën, për të peshuar kushtet për një armëpushim – e kjo duhet bërë përpara se Trump të nisë mandatin më 20 janar.

dw

Pasivizimi i adresave në Luginë drejt Gjykatës së Strasburgut

pasivizimi adresaveGjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg do të jetë adresa e radhës ku do të drejtohet Safet Demiri nga fshati Banjë e Sijarinës në jug të Serbisë.

 

Ai pretendon se autoritetet e këtij vendi ia kanë pasivizuar pa të drejtë adresën në këtë fshat të Medvegjës qysh në vitin 2019.

Për plot pesë vjet, ai iu drejtua instancave të ndryshme gjyqësore në Serbi, derisa Gjykata Kushtetuese e vendit ia hodhi poshtë ankesën në mes të këtij muaji.

Rasti i tij nxiti reagimin e autoriteteve në Kosovë, por edhe në Bashkimin Evropian.

 

Pasivizimi i adresave në Serbi

Pasivizimi i adresave, që nënkupton fshirjen e qytetarëve nga adresat ku kanë qenë të regjistruar, përcaktohet me ligj në Serbi qysh në vitin 2011.

Në bazë të tij, policia i bën tri kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.

Në rast se ai nuk haset aty, adresa i pasivizohet.

Pasivizimi rezulton, pastaj, me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile, përfshirë atë për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Shumica shqiptare që jeton në komunat në jug të Serbisë – Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të njohura si Lugina e Preshevës – ankohet prej vitesh për pasivizimin e adresave.

Çështja u përmend edhe në Raportin e sivjetmë të Progresit për Serbinë, të hartuar nga BE-ja, si dhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.

 

Rasti i Safet Demirit

“Unë jam banor vendas. Nuk kam ardhur turist”, thotë Demiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai tregon se, prej vitesh, jeton dhe punon midis Austrisë dhe Serbisë.

Në Medvegjë, ku jetojnë prindërit e tij, thotë se ka të regjistruar një kompani telekomunikimi, ndërsa në Vjenë punon në ndërtim.

Adresa e tij në vendlindje është e pasivizuar qysh në vitin 2019.

“Ata [autoritetet] vetëm kanë thënë se unë nuk banoj aty. Ata nuk i kanë verifikuar dokumentet e mia, që i kam pronat, kam tokë aty, kam lindur aty”, shprehet 46-vjeçari.

 

Ai thotë se ka dëshmi që tregojnë se në ditën kur autoritetet serbe pretendojnë se e kanë vizituar adresën e tij dhe nuk e kanë gjetur, ai ka qenë në stacion policor për të marrë një dokument.

Shprehet i bindur se autoritetet serbe nuk e kanë vizituar adresën e tij, siç parashihet në ligj.

“Unë e kam të gjithë ndërtesën e mbuluar nga kamerat. Nënën dhe babanë i kam aty. Ata jetojnë aty 24 orë. Askush nuk ka qenë”, thotë Demiri.

Ai iu drejtua disa gjykatave në Serbi, të cilat ia refuzuan ankesën me arsyetimin se jeton jashtë vendit.

Më 14 nëntor, Gjykata Kushtetuese e Serbisë – institucioni i fundit ku u ankua – ia refuzoi po ashtu kërkesën për vërtetimin e fakteve.

Fatin e Demirit besohet se e ndajnë edhe mijëra njerëz të tjerë që jetojnë në komunat me shumicë shqiptare në Serbi.

Disa herë këtë vit, ata protestuan kundër pasivizimit të adresave, për njohje të diplomave të Kosovës, për integrim në institucionet shtetërore të Serbisë e të tjera.

 

I pyetur nga gazetarët se si i komenton këto pakënaqësi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “askush nuk po i rrah, nuk po i ngacmon, apo diçka tjetër. Serbia është shtet demokratik dhe ne do të vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë”.

Demiri thotë se adresë të radhës tani do ta ketë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe avokati i tij, Aleksandar Olenik.

“Do ta dërgojmë [ankesën] në dy muajt e ardhshëm. Zyra ime për aq kohë do ta përgatisë. Se sa do të zgjasë atje [në Gjykatën e Strasburgut] dhe kur do të nisë procedura [gjyqësore] nuk e di”, thotë Olenik, duke shtuar se ky do të jetë rasti i parë për këtë çështje që do të dalë para gjykatës evropiane.

 

Cilat janë gjasat e Demirit në Gjykatën e Strasburgut?

Dukagjin Leka, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Universitetin “Haxhi Zeka” në Gjilan, thotë se pas refuzimit të ankesës së Demirit nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë, ai i ka gjashtë muaj kohë ta parashtrojë rastin në Gjykatën e Strasburgut.

 

“Unë mendoj se pala në këtë rast, shqiptar në Serbi, me humbjen e adresës privohet nga një e drejtë elementare. Në këtë rast është shkelur Konventa [evropiane për të drejta të njeriut]. Mendoj se përfundimi i procesit gjyqësor në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut do të jetë pozitiv për personin që do ta dërgojë rastin atje”, thotë Leka për Radion Evropa e Lirë.

Vendimi në favor të Demirit do të reflektonte, sipas tij, edhe në rastet e personave të tjerë, të cilëve, ngjashëm, u janë pasivizuar adresat në Serbi.

Avokati Olenik shpreson, po ashtu, për një vendim në favor të Demirit nga Gjykata e Strasburgut. Por, nuk beson se rasti i tij do të shërbente si precedent gjyqësor për rastet e tjera të ngjashme.

“Sipas ligjit tonë [në Serbi], por edhe sipas ligjeve tuaja në Kosovë, ne nuk kemi sistem juridik të precedentëve, që një aktgjykim t’i obligojë edhe gjykatat tjera në procedurat e njëjta apo të ngjashme. Megjithatë, praktika gjyqësore ka një lloj ndikimi”, thotë Olenik.

Për të, çështja e pasivizimit të adresave në Serbi nuk është aspak ligjore, por politike dhe ka në shënjestër vetëm komunitetin shqiptar.

“Pasivizimi i adresave ekziston vetëm në jug të Serbisë dhe vetëm për shqiptarët. Në veri, në Vojvodinë, ku jetojnë hungarezët, kroatët, në Sanxhak ku jetojnë boshnjakët, nuk ka pasivizim të adresave”, sipas avoaktit Olenik.

 

Pse pasivizohen adresat?

Autoritetet e Ministrisë së Brendshme në Serbi nuk iu përgjigjën kërkesave të njëpasnjëshme të Radios Evropa e Lirë për komente.

Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi, të vitit 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si pengje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas raportit, çështja e pasivizimit të adresave “në thelb është formë e spastrimit etnik nëpërmjet metodave administrative”.

 

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se pasivizimi i adresave bëhet me urdhrin e autoriteteve serbe.

Ai vlerëson se, deri më tash, nuk ka ndonjë iniciativë serioze nga institucionet ndërkombëtare për t’ia bërë me dije Serbisë që ta ndërpresë praktikën e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë.

 

Sipas tij, ka shumë familje, adresat e të cilave janë pasivizuar dhe nuk kanë mundësi financiare të ushtrojnë padi në Gjykatën e Strasburgut.

Por, ai shton se në këtë pikë mund të ndihmojë faktori politik që i përfaqëson shqiptarët e këtij rajoni, duke krijuar një fond të veçantë për t’i ndihmuar ata që duan ta realizojnë të drejtën e tyre në Gjykatën e Strasburgut.

“Jo vetëm të lobojmë, por edhe të ndihmojmë, qoftë me gjetjen e avokatëve, qoftë me ndihmë financiare që ky proces të shkojë përpara”, thotë Kamberi.

Se sa adresa janë pasivizuar saktësisht, nuk ka të dhëna.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, duke përbërë pakicën e katërt më të madhe atje.

 

Shqiptarët e bojkotuan regjistrimin paraprak më 2011, për shkak të, siç u tha atëkohë, obligimeve të paplotësuara të shtetit serb ndaj tyre dhe kushteve diskriminuese.

Belgzim Kamberi, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Preshevë, thotë se pasivizimi i adresave “e ka lënduar edhe procesin e integrimit të shqiptarëve, i cili ka nisur në vitin 2001, me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare”.

Pas riaktualizimit të çështjes me rastin Demiri, javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë trysni Serbisë për t’i respektuar të drejtat e shqiptarëve në jug të vendit.

Në Bashkimin e Evropian thanë se janë në dijeni për shqetësimet e shqiptarëve në jug të Serbisë dhe se janë duke i ndjekur nga afër këto zhvillime.

rel

Kafeneja që u jep pak çaste shprese pensionistëve në Turqi

Pensionistet turqiInflacioni prek fort pensionistët në Turqi. Në Stamboll është hapur një “shtëpi pensionistësh”, ku shumë të moshuar shijojnë kontaktet sociale dhe pijet me fare pak para.

 

“Shtëpia e pensionistëve” quhet kafeneja në lagjen e Stambollit Beyoğlu. Ajo frekuentohet nga shumë pensionistë, sepse këtu të moshuarve u bëhen ulje çmimesh, pasi ndryshe ata nuk do të mund t’ia dilnin jetesës me pensionet që marrin. Selahattin Aydogan thotë, se preferon të vijë këtu, pasi nuk mund të paguajë një kafe në kafenetë e qytetit. Një kafe kushton 5 lira, rreth14 cent, një çaj kushton gati 4 cent.

 

Projekt i opozitës

Ky është një projekt i subvencionuar i kryetarit të minibashkisë. Ai i përket partisë së opozitës CHP dhe me kafenenë për pensionistët ai fiton pikë. Sepse pensionistët në Turqi janë në gjendje të vështirë, ndonëse presidenti Erdogan pretendon, se qëkurse ai është në pushtet, ka përmirësim të jetësesës për të moshuarit në Turqi.

Presidenti Erdogan në deklarimet e tij, thekson, se “në 21 vitet e fundit ne kemi ndërmarrë shumë masa për të përmirësuar cilësinë e jetesës së pensionistëve. Më parë pensionistët jetonin në një nivel shumë të mjerueshëm.”

Pak përpara zgjedhjeve vitin e kaluar Erdogan si dhuratë elektorale i rriti sërish pensionet. Por inflacioni i lartë, thotë pensionisti Syleyman Metinyurt, sërish krijon kushte të vështira financiare dhe rritja e pensionit nuk ndihet aspak. “12.500 lira është pensioni minimal, që paguhet aktualisht. Por çfarë mund të bësh me këtë shumë, rreth 330 euro? Besoj e dini sa janë qiratë në Stamboll. Kërkohen shuma astronomike.”

 

Pensionistët protestojnë

Gati 2 milion pensionistëve turq u duhet të kenë të ardhura shtesë mbi pensionin, ndaj ata punojnë, si Leyla Ermagen. Ajo shet kapuçë që i punon vet me shtiza. Por pa ndihmën e fëmijëve as këto të ardhura shtesë nuk do t‘i mjaftonin. Presidenti, thotë ajo, e ka humbur kontaktin me popullin e vet. Leyla Ermagen, thotë, se “Populli ka uri. Ai duhet të ushqejë popullin tonë e pastaj të mendojë për të shpëtuar vëllezërit e besimit tonë jashtë vendit.”

Leyla është e angazhuar në sindikatën e pensionistëve, sepse do të protestojë për rritjen e pensioneve. Sepse situata e tanishme, thotë ajo, na bën të ndihemi si qytetarët të klasit të dytë.

dw

Angela Merkel – multimilionere me botimin e kujtimeve

MerkelIsh-kancelarja gjermane, Angela Merkel bëhet multimilionere me publikimin e kujtimeve në autobiografinë e saj prej rreth 730 faqesh.

 

Interesim i madh si rrallëherë për një libër politik gjerman. Libri i ish-kancelares Angela Merkel me titullin “Liria. Kujtime 1954-2021” pushton jo vetëm tregun gjerman të librave, por edhe atë të rreth 30 vendeve perëndimore dhe jo perëndimore si Kina.

Libri me kujtimet e ish-kancelares Merkel ka rreth 730 faqe dhe përfshin vitet 1954-2021, nga fëmijëria dhe rinia në ish-Republikën Demokratike Gjermane, ribashkimi gjerman, deri te karriera e saj politike në Republikën Federale të Gjermanisë deri në përfundimin e mandatit të saj 16-vjeçar si kancelare në vjeshtën e vitit 2021. Libri botohet edhe si audiolibër. 70-vjeçarja Merkel do të bëjë edhe një turne në qytetet e mëdha evropiane për të prezantuar librin e saj.

Më 2 dhjetor Merkeli do të prezantojë në Uashington librin e saj në prani të ish-presidentit amerikan Barack Obama.

Nga disa fragmente të publikuara tashmë nga libri në disa media gjermane si dhe nga disa intervista që ka dhënë ish-kancelarja Merkel, merret vesh se në kujtimet e saj ajo trajton edhe çështje aktuale dhe të debatueshme politike. Ajo tregon për shembull për përvojën e saj me presidentin amerikan

Donald Trump (2017-2021), dominimin e burrave në politikën gjermane, pranimin e refugjatëve në Gjermani, gjë që ngjalli dhe vazhdon të shkaktojë debate të mëdha në Gjermani, politikën e saj ndaj Rusisë dhe Ukrainës, si dhe këndvështrimin e saj për Vladimir Putinin.

 

Merkeli, Putini dhe qeni i tij Koni

Fotografitë e Angela Merkel-it, Vladimir Putinit dhe qenit të tij labrador, Koni, u bënë të famshme në mbarë botën. Sepse kur kancelarja gjermane ishte për vizitë tek presidenti rus në Soçi në vitin 2007, Putini e lejoi qenin e tij t’i afrohej kancelares, edhe pse e dinte që Angela Merkel kishte fobi nga qentë.

Duke iu referuar këtij takimi në librin e saj, Merkel e përshkruan Putinin si “dikë që gjithmonë është vigjilent për ndonjë shenjë se dikush nuk e respekton, por që nga ana tjetër është gjithmonë i gatshëm të mos respektojë të tjerët, si për shembull loja e forcës me qenin apo duke i bërë të gjithë që ta presin.”

 

Honorar dyshifror në miliona

Siç është e zakonshme me libra të tillë, publikisht nuk dihet se me çfarë honorari do të marrë ish-kancelarja. Disa media në Gjermani kanë spekuluar ditët e fundit për këtë honorar. Gazeta “Kölner Stadt-Anzeiger” shkruante, pa cituar burime konkrete, se bëhet fjalë për një “shumë të jashtëzakonshme dyshifrore në miliona”. Kurse gazeta “Tagesspiegel” përmendi një shumë prej 12 milionë eurosh.

Askush nuk dyshon se ish-kancelarja Merkel do t’i bëjë këto para rrush e kumbulla. Gjatë një interviste për revistën “Spiegel”, pyetjes së gazetarëve se çfarë planesh ka  si “multimilionere e ardhshme” ish-kancelarja iu përgjigj duke ju referuat fondacionit të fuqishëm të ish-presidentit amerikan, Barack Obama, duke lënë të kuptohet se edhe ajo mund të themelojë një fondacion. “Nuk mund të bëj një gjë aq të madhe sa Obama. Por do të shohim,” tha ajo. Një fondacion i saji do të kishte përparësinë që ish-kancelarja Merkel të mos varej tani apo më vonë nga aparati i partisë CDU apo angazhimi i saj për fondacione, duke e ruajtur pavarësinë edhe në trashëgiminë e saj politike.

dw

“Ka një dramë e një komedi për mësuesin”, intervista e veçantë e Artan Fugës në “Top Story”: Kemi një “tradhti” të elitave

Artan FugaAi u shpreh se ka një dramë e një komedi për mësuesin, ndërsa shtoi se kanë ngelur në vitet ’80. Sipas Fugës, mësuesit nuk kanë mundësi që të ndjekin dijen, ndërsa shtoi se ata nuk kanë faj, por prodhojnë mediokritet.

 

Në Francë para 25-30 viteve donin të bënin në tekst filozofie për gjimnazin. Jacques Derrida (filozof) pranoi, por i shkon një nëpunës që i thotë që duhet të bëjë një manual. Ai e bëri atë tekst, nja 300-350 faqe, libri u bë ‘best seller’. Kur i thanë të bënte tekstin manual ai tha ’unë s’kam interes’. Ka një dramë dhe tragjedi mbi mësuesin, unë përpiqem ta ngacmoj mësuesin. Me gjithë dashurinë që kam për mësuesin.

Nuk ka njeri të shenjtë në këtë botë. Çfarë dua të them? Mësuesi nuk ka kohë të formohet më. Problemi është që ndonjëherë ndjej frazë, fjali të thëna nga ana e mësuesve që ua kanë thënë profesorët e tyre. Unë e ndjej në fjalën e tyre që ka një riprodhim të vetvetes. Për çfarë arsye?

Mësuesi ynë s’ka mundësi të ndjekë dijen, pse? Hallet e veta, ngarkesa e përditshme, përsëritja prej papagalli e një teksti. Pse e dhashë shembullin e Derridasë? Nëse nga jashtë sistemit të shkollës së mesme nuk vijnë goditje, ndriçime të tjera, ky mediokritet do jetë. A kanë faj ata? Jo! A e prodhojnë ata këtë mediokritet? Po! Sikurse janë një pjesë e politikanëve që krijojë probleme që duhet t’i zgjidhë politika. Në një farë mënyre, ne kemi një “tradhti” të elitave në misionit që ata kanë. Unë i respektoj shumë mësuesit, pa ta nuk bëhet. Edhe policët, pa ta nuk bëhet, por ka edhe policë që bëjnë gabime. Pa deputetët nuk bëhet, por ka deputetë të neveritshëm, ka pedagogë të neveritshëm, ashtu siç mund të këtë akademikë dhe bashkëbisedues të neveritshëm.”, u shpreh akademiku.

tch

Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në 10 vjet përballë ndryshimeve klimatike

raportiGrupi i Bankës Botërore publikoi sot Raportin për Klimën dhe Zhvillimin për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku për Shqipërinë theksohet se ajo është një nga vendet më të rrezikuara nga katastrofat natyrore në Europë.

 

Sipas Raportit, për këtë arsye Shqipëria duhet të investojë 6 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme për të mbrojtur në mënyrë sa më efektive qytetarët dhe pronat nga rreziku në rritje i përballjes me përmbytjet, zjarret në pyje, tërmetet dhe rrëshqitjet e dheut.

Raporti i Grupit të Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin vlerëson se “Shqipëria ka potencialin për të rritur qëndrueshmërinë e saj ndaj ndryshimeve klimatike” dhe për të shfrytëzuar mundësitë e reja ekonomike përmes investimeve dhe politikave strategjike, por “në mungesë të masave proaktive, dëmet ekonomike të lidhura me klimën mund të arrijnë në 7 për qind Prodhimit të Brendshëm Bruto së saj”.

Rreth 95 për qind e bashkive shqiptare janë prekur dy dekadat e fundit nga këto fatkeqësi natyrore dhe klimatike, të cilat janë shpeshtuar dhe ashpërsuar, theksohet në Raport, të tilla si tërmeti në nëntor 2019, që ishte më i forti në 30 vjet.

Po ashtu, energjia dhe bujqësia janë ndikuar ndjeshëm nga rreziqet klimatike për shkak të ndryshimit të ritmit të rreshjeve, çka sjell thatërsira me humbje të korrjeve në bujqsi dhe përgjysmim të prodhimit të energjisë elektrike, përmbytje, me humbje të mëdha në bujqësi dhe blegtori, thuhet në studim.

Sipas raportit, investimet në përshtatjen klimatike janë mëse të domosdoshme dhe mund të mbështesin zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, ku nga investimet tek përshtatja klimatike mund të përfitohet 10 herë më shumë prej uljes së humbjeve, prej përfitimeve sociale e mjedisore dhe mundësive ekonomike më të shtuara.

Ekspertët e Grupit vlerësuan se me aspiratën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në uljen e varfërisë dhe në ngushtimin e hendekut të të ardhurave me BE-në, duke u renditur mes vendeve me të ardhura të mesme e të larta.

Varfëria energjetike mbetet shqetësim dhe, sipas Raportit, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë i përballon me vështirësi shpenzimet e energjisë.

Shqipëria mbështetet në energjinë e rinovueshme të hidrocentraleve, pohojnë ekspertët në studim, por ajo përballet me sfida në menaxhimin e burimeve të veta ujore për bujqësinë dhe për prodhimin e energjisë, sidomos pas përmbytjeve dhe thatësirave, që sollën ndryshimet klimatike.

Shqipëria po redukton varësinë nga burimet hidrike duke zgjeruar tregtinë rajonale të energjisë, veçanërisht me Kosovën, për të rritur sigurinë e saj energjitike dhe për të sjellë më shumë burime të rinovueshme, vlerëson Raporti.

Investimet, sipas ekspertëve, pritet të diversifikojnë sistemin energjetik, të përmirësojnë efikasitetin, duhet të reduktojnë varësinë nga importet, si dhe të elektrifikojnë transportin dhe sistemin e ngrohjes.

Raporti përshkruan edhe një udhërrëfyes të masave të nevojshme për kalimin e Shqipërisë drejt një modeli rritjeje të qëndrueshme dhe rezistente ndaj klimës.

Udhërrëfyesi për Shqipërinë e qëndrueshme dhe rezistente ndaj klimës, i përfshirë në Raport, propozon investime të shpejta për zbutjen e ndikimit të katastrofave, zhvendosjen drejt energjisë së rinovueshme për dekarbonizimin afatgjatë, reforma në financat publike për të mbështetur nismat mbi klimën dhe nxitur investimet private, si dhe përmirësimin e kuadrit rregullator për të nxitur efikasitetin dhe inovacionin.

Grupi i Bankës Botërore pohoi se po punon me autoritetet shqiptare duke mbështetur projekte për ndërtimin e infrastrukturës së qëndrueshme, përmirësimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe të kanalizimeve dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë.

voa

Zgjedhjet në Rumani: Tronditje ekstremiste e djathtë TikToku

GorgescuCalin Georgescu fitoi papritur raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani. Ky person pa parti, i ekstremit të djathtë dhe prorus, ishte i pranishëm thuajse vetëm në TikTok.

 

“Befasi totale”, “tronditje”, “tërmet”, “fund me atak kardiak”: këto ishin disa nga thirjet e tmerruara që dilnin nga buzët e komentuesve të habitur në studiot televizive rumune mbrëmjen e së dielës, kur po aktualizoheshin rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Sepse: një fondamentalist i djathtë dhe i krishterë ortodoks, praktikisht i injoruar nga politikanët dhe mediat kryesore, i cili e admiron Putinin po aq sa legjionarët rumunë fashistë të periudhës mes luftërave, ka fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani dhe askush nuk qe në gjendje ta parashikonte.

Calin Georgescu, i lindur në vitin 1962, me profesion inxhinjer agronomie, i pavarur, por aktiv në skenën e ekstremit të djathtë të Rumanisë prej disa vitesh, mori rreth 23% të votave në zgjedhjet presidenciale të së dielës (24.11.2024). Në sondazhet para zgjedhjeve për një kohë të gjatë ai nuk kishte luajtur thuajse asnjë rol dhe kohët e fundit kishte marrë nga katër deri në shtatë për qind. Ai nuk bëri fushatë të vërtetë elektorale, nuk kishte parti apo organizatë pas vetes dhe thuajse nuk ishte prezente në mediat tradicionale.

Në vend të kësaj, javët e fundit ai tërhoqi vëmendjen para së gjithash me video në TikTok, të cilat janë shpërndarë qindra mijëra herë.

Në një thriller të vërtetë elektoral për vendin e dytë, kandidatja Elena Lasconi, e partisë reformiste liberale-progresive Bashkimi Shpëton Rumaninë(USR), mori 19.17% me një avantazh prej vetëm rreth 2000 votash.

Marcel Ciolacu, kryeministri aktual dhe kreu i Partisë Social Demokratike (PSD), ishte favorit në sondazhe dhe arriti në 19.15%. Është hera e parë që socialdemokratët paskomunistë, të cilët kanë dominuar peizazhin politik rumun që nga rënia e diktaturës dhe prej kohësh kanë tendencë të jenë populistë të krahut të djathtë, nuk kanë asnjë kandidat në një raund balotahi të zgjedhjeve presidenciale.

George Simion, president i partisë së ekstremit të djathtë Aleanca për Bashkimin e Rumanisë (AUR), doli në vendin e katërt me rreth 14%. Nacional-liberalët ranë në pak më pak se 9%. Në përgjithësi, sondazhet, praktikisht me përjashtim të rastit të disa kandidatëve të vegjël ishin tërësisht të pasakta.

 

“Sulmi ndaj Rumanisë ka filluar”

Komentatorët rumunë u treguan të tronditur natën e zgjedhjeve. Politologu i Bukureshtit Cristian Pirvulescu deklaroi në kanalin televiziv Digi24 se rezultati i zgjedhjeve tregoi hendekun e madh midis klasës politike rumune dhe shoqërisë rumune, pasi një e treta e votuesve kishin votuar për “kandidatët kundër sistemit”. Është një “moment që peshon rëndë për Rumaninë” dhe një “sinjal i rëndësishëm alarmi”. Rumania, sipas tij, është “gati të bjerë në humnerë”.

Nga ana e tij, eksperti kushtetues Ioan Stanomir foli për një “spirale protestash të paparashikueshme” nëse politika tradicionale  për shkak të “paaftësisë dhe mediokritetit” ua lë fushën të lirë personave jokonformistë. “Humbësit e globalizimit kanë marrë hak,” tha Stanomir. Gazetari Cristian Tudor Popescu, i njohur për formulimet e tij thumbuese, shkroi në Facebook të dielën në mbrëmje (24 nëntor 2024): “Sonte ka filluar pushtimi i Rumanisë nga Rusia”.

 

Deklarim në favor të tërheqjes nga BE dhe NATO

Kjo deklaratë nuk është aspak absurde, sa duket nëse i hedh një sy karrierës politike dhe deklaratave të Calin Georgescu-t. 62-vjeçari ka punuar për një kohë të gjatë në aparatin shtetëror rumun, përfshirë Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Jashtme. Pak më shumë se një dekadë më parë, ai shfaqej gjithnjë e më shumë në publik me botime dhe deklarata në të cilat përhapte pikëpamjet fondamentaliste kristian-ortodokse, të ekstremit të djathtë, antiperëndimore dhe proruse, si dhe teori konspirative.

Një periudhë kohe ai ishte anëtar i partisë së ekstremit të djathtë AUR, por u përplas me liderin e saj, George Simion, i cili fillimisht u konsiderua si favorit për raundin e dytë presidencial aktual. Georgescu ka qenë nën hetim penal që nga viti 2022 për glorifikim të Lëvizjes Legjionare profashiste, ortodokse dhe antisemite të periudhës mes luftërave dhe sepse e ka quajtur hero diktatorin rumun dhe aleatin e Hitlerit, Ion Antonescu. Në lidhje me Rusinë dhe luftën e saj kundër Ukrainës, Georgescu pohon se “Putini e do vendin e tij”, se SHBA e kishin planifikuar dhe provokuar luftën në Ukrainë prej një kohë të gjatë dhe se “mençuria ruse është mundësia e Rumanisë”. Georgescu deklarohet në favor të largimit të Rumanisë nga BE dhe NATO.

 

Mundësi të mira për kandidaten e moderuar

Në klipet e tij në TikTok, Georgescu përsërit slogane të tilla si: “Gjëja më e keqe nuk është se Rumania ka humbur tokë, pyje dhe industri. Ajo që i mungon më shumë Rumanisë është kulti i nderit dhe dinjitetit.” Kjo të kujton fjalimin e legjionarëve të periudhës midis luftërave. Natën e djeshme të zgjedhjeve, Georgescu iu drejtua votuesve të tij me një mesazh të shkurtër fondamentalist-nacionalist të krishterë: në “të dielën e 30-të pas Pashkëve”, populli rumun “qau për paqe” në një “klithmë vuajtjeje”. Populli rumun po përjetonte “rilindjen e guximit për të qenë rumun”, ai kishte votuar “të mos u gjunjëzuar, për të mos u pushtuar, për të mos u mënjanuar dhe për të mos u poshtëruar”.

Megjithatë, është e pasigurt nëse Georgescu do të fitojë raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale pas 14 ditësh: diskursi i tij është shumë ekstrem për shumicën e rumunëve dhe shumë votues mund të kenë votuar për të në raundin e parë thjesht në shenjë proteste dhe pa i njohur shumë nga pikëpamjet e tij.

Kandidatja e vendit të dytë, Elena Lasconi, kryetare e partisë Bashkimi Shpëto Rumaninë dhe kryetare bashkie e një qyteti të vogël në Rumaninë jugore, është ndoshta alternativa më e përshtatshme për shumë votues, pasi nga njëra anë ajo përfaqëson politikën e moderuar të majtë dhe konservatore dhe me pikëpamje djathtas qendrës, por nga ana tjetër, me partinë e saj USR, ajo përfaqëson gjithashtu një ndarje nga klasa politike e diskredituar dhe e rraskapitur rumune, e dominuar në dekadat e fundit nga socialdemokratët dhe liberalët nacionalë.

 

Zgjedhjet e para në botë në TikTok

USR lindi rreth një dekadë më parë si një parti protestuese progresive-liberale kundër korrupsionit dhe mungesës së reformave shtetërore në Rumani. Ka të ngjarë që Lasconi tani të përpiqet të paraqitet si “shpëtimtarja e Rumanisë” kundër një aventurieri politik që do ta zhyste vendin në kaos, në një mënyrë krejtësisht të paparashikuar bazuar në emrin e partisë.

Edhe pse shanset për këtë janë të mira, Rumania ndoshta do të analizojë për një kohë të gjatë trazirat historike të zgjedhjeve të së dielës. Sepse, ashtu si 35 vjet më parë, gjatë rënies së diktaturës së Çausheskut, Rumania përjetoi “tele-revolucionin” e parë në botë, revolucionin në televizor, tani mund të flasim për “zgjedhjet e para në TikTok” në botë. Është ende e paqartë se si janë shpërndarë qindra mijëra herë videot e Georgescut në TikTok në javët e fundit ose kush ka paguar për to.

 

Luftë hibride e humbur

Gazetari Florin Negrutiu ka deklaruar në televizionin Digi24 se është e nevojshme të sqarohet kjo çështje. Sipas Negrutiut, është e qartë se rezultati i zgjedhjeve është një “kombinim i tmerrshëm i disa faktorëve”: “një njeri që është një udhëheqës mesianik dhe një konservë e Putinit, algoritme të mediave sociale dhe fabrika të boteve”.

Rumania tani po pret me padurim zgjedhjet parlamentare të dielën e ardhshme (1 dhjetor 2024), për të cilat askush nuk guxon për momentin të bëjë parashikime të vlefshme përballë rezultateve të raundit të parë. Për publicistin Ion M. Ionita, megjithatë, një gjë është tashmë e qartë: “Politika tradicionale është fshirë tej praktikisht në Rumani. Ne jemi vendi i parë që kemi humbur luftën hibride të shpërthyer në rrjetet sociale.”

 

dw