Policia serbe tha se një grua përplasi makinën me një turmë protestuesish anti-qeveritare në Beograd duke plagosur një prej tyre, ndërsa një grevë e organizuar nga studentët çoi në mbylljen e bizneseve dhe tërhoqi dhjetëra mijëra njerëz në demonstrata në mbarë vendin.
Protestat mbarëkombëtare u zhvilluan në të njëjtën ditë kur presidenti Aleksandar Vuçiç, mbajti një tubim të madh pasdite me mijëra mbështetës në qytetin qendror të Jagodinës, fortesë e koalicionit të tij, për të kundërshtuar protestat e vazhdueshme antiqeveritare, që për gati tre muaj janë duke sfiduar kontrollin e tij mbi pushtetin.
Ai u tha mbështetësve të tij se vendi është “sulmuar si nga jashtë ashtu edhe nga brenda” me protestat antiqeveritare.
“Nuk është e rastësishme që ata e kanë sulmuar Serbinë nga jashtë”, tha Vuçiç, duke vënë në dukje marrëdhëniet miqësore të Serbisë me Rusinë dhe Kinën dhe refuzimin për të vendosur sanksione ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.
“Kjo është ajo që ata duan ta thyejnë, por ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Kjo është forca jonë”, i tha ai turmës që po brohoriste.
Vuçiç bëri thirrje gjithashtu për një dialog me studentët grevistë, të cilët kanë marrë mbështetje të gjerë nga të gjitha sferat e jetës në Serbi, duke dobësuar mbështetjen popullore për partinë e tij. Studentët i kanë refuzuar negociatat me Vuçiçin për kërkesat e tyre.
Demonstruesit kanë bllokuar trafikun çdo ditë në Serbi për të protestuar për vdekjen e 15 personave nga pasojat e shembjes së një çatie në stacionin e trenit në nëntor, për të cilin kritikët kanë fajësuar korrupsionin e qeverisë.
Policia në Beograd tha se ka arrestuar shoferen 24-vjeçare që u përplas me një turmë protestuesish në një pjesë të qytetit të quajtur Beogradi i Ri. E plagosura një 26-vjeçare është dërguar në spital dhe gjendja e saj është cilësuar si e qëndrueshme.
Një incident i ngjashëm ndodhi gjatë një bllokade javën e kaluar në Beograd, kur një makinë u përplas me studentët protestues, duke plagosur rëndë një grua të re.
Shumëkush në Serbi beson se çatia e rëndë e betonit në një stacion treni në qytetin verior të Novi Sadit, u rrëzua për shkak të punës së parregullt të rindërtimit, pasojë e korrupsionit.
Protestat në të cilat kërkohet përgjegjësi për aksidentin, janë më të mëdhatë që kur Presidenti Vuçiç mori pushtetin më shumë se një dekadë më parë. Ai është përballur me akuza për frenim të lirive demokratike pavarësisht se zyrtarisht kërkon anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Nuk ishte e mundur menjëherë të përcaktohej se sa njerëz dhe kompani iu përgjigjën thirrjes së studentëve për një grevë të përgjithshme njëditëshe, së cilës iu bashkuan restorante, bare, teatro, furra buke, dyqane dhe librari të ndryshme.
“Ta marrim lirinë në duart tona”, u thanë studentët qytetarëve në thirrjen e tyre për grevë.
Në tubimin e tij në Jagodinë, Vuçiç njoftoi formimin në mars të një lëvizjeje politike mbarëkombëtare në stilin e lëvizjes Rusia e Bashkuar e Presidentit rus Vladimir Putin, për të ndihmuar në sigurimin e dominimit të Partisë së tij Përparimtare Serbe të krahut të djathtë.
Presidenti dhe mediat pro qeveritare i kanë akuzuar studentët se punojnë nën urdhrat e shërbimeve të huaja të zbulimit për të përmbysur autoritetet, ndërsa banditë pro qeveritar kanë sulmuar vazhdimisht protestuesit.
Bllokimi 15-minutësh i trafikut të premten filloi në orën 11:52, kohën e shembjes së çatisë në Novi Sad.
Universitetet serbe janë bllokuar prej dy muajsh, së bashku me shumë shkolla. Një shoqatë avokatësh gjithashtu ka hyrë në grevë, por ishte e paqartë se sa punonjës të institucioneve shtetërore iu bashkuan grevës të premten.
Parakalime protestuese u mbajtën të premten në Beograd, Novi Sad dhe qytetin jugor të Nishit.
“Gjërat nuk mund të jenë më njësoj”, tha aktori Goran Susljik për televizionin rajonal N1. “Studentët na kanë ofruar një mundësi për një ndryshim”.
Prokurorët e Serbisë kanë ngritur akuza kundër 13 personave për shembjen e çatisë duke përfshirë një ministër të qeverisë dhe disa zyrtarë shtetërorë. Por ish-ministri i ndërtimit Goran Vesiç është liruar nga paraburgimi, duke nxitur dyshimet mbi pavarësinë e hetimeve.
Stacioni kryesor hekurudhor në Novi Sad u rinovua dy herë në vitet e fundit si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të punëve në infrastrukturë me kompanitë shtetërore kineze.
voa