Mbi 3700 të vdekur nga pasojat e tërmetit në Turqi dhe Siri

termetiNjë tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi të hënën Turqinë dhe Sirinë, duke shkaktuar vdekjen e mbi 3 mijë e 700 personave.

 

Mijëra të tjerë janë plagosur, ndërsa një numër i madh njerëzish kanë ngelur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Qeveri të ndryshme dhe organizata të shumta ndërkombëtare kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar përpjekjet e kërkim-shpëtimit.

Presidenti amerikan Joe Biden tha se ekipe amerikane kërkim-shpëtimi “po dislokohen me shpejtësi për të filluar mbështejen e operacioneve kërkimore të Turqisë dhe për të ndihmuar me nevojat e të lënduarve dhe të zhvendosurve nga tërmeti”.

Presidenti Biden foli të hënën me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për t’i shprehur ngushëllimet dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë të gjithë ndihmën e nevojshme, njoftoi Shtëpia e Bardhë nëpërmjet një deklarate.

John Kirby, koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, tha se Shtetet e Bashkuara po dërgojnë dy ekipe prej 79 anëtarësh për operacionet e kërkim-shpëtimit në zona urbane dhe se Pentagoni dhe USAID-i po koordinohen me homologët turq për ndihma të mëtejshme.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i tha homologut të tij turk, Ministrit të Jashtëm Mevlut Cavusoglu, se mjafton të shprehë nëpërmjet telefonit çfarë iu nevojitet dhe se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë ç’të munden për të ndihmuar, njoftoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Pjesa qendrore e Turqisë dhe veriperëndimi i Sirisë mëngjesin e së hënës u tronditën nga një tërmet i fuqishëm që shkaktoi qindra e qindra viktima dhe plagosi mijëra të tjerë.

Tërmeti me magnitudë 7.8 shembi një numër të madh ndërtesash, ndërsa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja.

Ky është tërmeti më i fuqishëm që godet Turqinë në këtë shekull. Dridhjet janë ndjerë edhe në Egjipt, Qipro dhe Liban.

Epiqendra e tërmetit ishte afër Gazientepit, qytetit industrial pranë kufirit Turqi-Siri. Në qytetin Mersin një banor i tha Zërit të Amerikës se lëkundjet zgjatën rreth një minutë.

“U zgjuam nga dridhjet. Pjesë të rrënojave po binin nga oxhaku dhe hapësirat boshe të ndërtesës. Ishte shumë e frikshme”, tha ai.

Qeveria turke shpalli alarmin e shkallës së 4-të, që do të thotë se po kërkon ndihmë ndërkombëtare.

“Nuk mund ta parashikojmë rritjen e numrit të viktimave dhe të plagosurve ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë. Shpresojmë të rikuperohemi nga kjo tragjedi me sa më pak jetë të humbura”, tha presidenti turk.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se pret që numri i viktimave të jetë shumë më i madh. Ministria e Brendshme e Turqisë tha se tërmeti u pasua me mbi 20 pasgoditje. Të paktën një nga to ishte me magnitude 7.5.

Qeveria turke shpalli alarmin e shkallës së 4-të, që do të thotë se po kërkon ndihmë ndërkombëtare.

Organizata “Shoqëria Mjekësore Siriano-Amerikane” tha se spitalet janë të mbingarkuara me pacientët që kanë mbushur korridoret.

 

Mbështetje ndërkombëtare

Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha se presidenti Joe Biden udhëzoi Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe partnerët e tjerë federalë “të vlerësojnë mundësitë e reagimit amerikan për të ndihmuar më të prekurit”.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga raportet për tërmetin e sotëm shkatërrues në Turqi dhe Siri. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë të nevojshme, “tha zoti Sullivan në një deklaratë.

Bashkimi Evropian tha se po dërgonte ekipe shpëtimi në rajon, me njësitë nga Holanda dhe Rumania “tashmë në rrugë e sipër”.

Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Rishi Sunak, thanë se qeveritë e tyre ishin të gatshme për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.

“Greqia po mobilizon burimet e saj dhe do të ndihmojë menjëherë”, shkroi në Twitter kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ekipet e kërkim-shpëtimit, si dhe ndihma mjekësore, do të dërgohen në Turqi në përgjigje të një kërkese nga qeveria turke.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ofroi gjithashtu mbështetjen e qeverisë së tij, “Jam i tronditur me vdekjet dhe plagosjet e qindra njerëzve si pasojë e tërmetit në Turqi”, shkroi presidenti Zelenskyy. “U shprehim ngushëllimet tona familjeve të viktimave dhe të plagosurve u urojmë shërim të shpejtë. Në këtë kohë, ne qëndrojmë pranë popullit mik turk dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme”.

 

Shqipëria dhe Kosova, dërgojnë njësi të kërkim-shpëtimit në Turqi

Autoritetet në Shqipëri dhe Kosovë nisën njësitë e kërkim shpëtimit për të ndihmuar Turqinë, për t’u përballur me pasojat e tërmetit.

“Një skuadër shqiptare prej 53 trupash të kërkim-shpëtimit dhe ndihmës shëndetësore, bashkë me mjetet e nevojshme u nisën drejt Turqisë mike, në një mision solidariteti vëllazëror përkrah të gjitha skuadrave të tjera aleate, për të bashkuar forcat në përballimin e plagëve të hapura të tërmetit tragjik”, shkroi kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Edhe nga Kosova për në Turqi është nisur një njësi për operacione humanitare e Forcës së Sigurisë.

“Solidarizohemi dhe i qëndrojmë pranë popullit dhe shtetit turk në këto kohë të vështira. Shpresojmë dhe urojmë që kjo tragjedi të kalojë me sa më pak viktima”, shkroi kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Turqia është në një nga zonat më aktive të tërmeteve në botë.

Në vitin 1999, 17,000 njerëz humbën jetën kur një tërmet me magnitudë 7.4 – më i rëndi në dekada goditi në veriperëndim të vendit.

Në tetor të vitit 2022, një tërmet me magnitudë 7.0 goditi Detin Egje duke vrarë 116 persona dhe duke plagosur mbi 1 mijë. Përveç dy viktimave, të gjithë të vdekurit ishin nga qyteti i Izmirit.

* Mbështetur në agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

voa

Pse ishte kaq i rëndë tërmeti në Turqi e Siri?

Tërmeti me magnitudë prej 7.8 ballësh që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e së hënës, ka të ngjarë të jetë një nga më vdekjeprurësit këtë dekadë, thanë sizmologët, me një thyerje prej më shumë se 100 kilometrash (62 milje) midis blloqeve të Anadollit dhe Arabisë.

Këtu është ajo që shkencëtarët thanë se ndodhi nën sipërfaqen e tokës dhe ajo se çfarë duhet të prisni pas kësaj: 

Ku ishte epiqendra e tërmetit?

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 26 kilometra në lindje të qytetit turk Nurdagi, në një thellësi prej rreth 18 kilometrash në Rripin e Anadollit Lindor. Tërmeti u përhap drejt verilindjes, duke shkaktuar shkatërrime në Turqi dhe Siri.

Gjatë shekullit XX, Rripi i Anadollit Lindor tregoi aktivitet pak më të madh sizmik.

“Nëse do të shkonim, thjesht, nga tërmetet (të mëdha) që u regjistruan nga sizmometrat, do të dukej pak a shumë bosh”, tha Roger Musson, një bashkëpunëtor nderi i kërkimit në Shërbimin Gjeologjik Britanik.

Që nga viti 1970 në këtë zonë, janë regjistruar vetëm tri tërmete me magnitudë mbi 6.0 ballësh të shkallës së Rihterit, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së. Por, më 1822, një tërmet prej 7.0 ballësh goditi rajonin, duke lënë të vdekur rreth 20.000 njerëz. 

Sa i rëndë ishte ky tërmet?

Mesatarisht, më pak se 20 tërmete mbi 7.0 ballësh ndodhin në çdo vit, duke e bërë ngjarjen e së hënës të rëndë.

Krahasuar me tërmetin prej 6.2 ballësh që goditi Italinë qendrore në vitin 2016 dhe vrau rreth 300 njerëz, tërmeti Turqi-Siri lëshoi 250 herë më shumë energji, sipas Joanna Faure Ëalker, drejtuese e Institutit të Kolegjit Universitar të Londrës për Reduktimin e Rrezikut dhe Fatkeqësive.

Vetëm dy nga tërmetet më vdekjeprurëse nga viti 2013 deri në vitin 2022 ishin të së njëjtës magnitudë me tërmetin e së hënës. 

Pse ishte kaq i ashpër?

Rripi i Anadollit Lindor është një rrip ku ndodhin lëvizje të shtresave shkëmbore.

Në to, pllakat e ngurta shkëmbore shtyhen kundër njëra-tjetrës përgjatë një linje prishjeje vertikale, duke krijuar presion derisa njëra më në fund rrëshqet në një lëvizje horizontale, duke u liruar nga tendosja e madhe që mund të shkaktojë një tërmet.

Rripi i San Andreas në Kaliforni është ndoshta rripi më i famshëm i lëvizjes së shtresave shkëmbore në botëku shkencëtarët paralajmëruan të ndodhte një tërmet kohë më parë. Thyerja fillestare për tërmetin Turqi-Siri filloi në një thellësi relativisht të cekët.

“Lëkundja në sipërfaqen e tokës do të ketë qenë më e rëndë se sa për një tërmet më të thellë të së njëjtës magnitudë në burim”, tha David Rothery, një gjeo-shkencëtar planetar në Universitetin e Hapur në Britani. 

Çfarë lloje tjera të goditjeve mund të priten?

Njëmbëdhjetë minuta pas tërmetit fillestar, rajoni u godit nga një tjetër tërmet me magnitudë prej 6.7 ballësh. Një tërmet me magnitudë 7.5 ballësh ndodhi disa orë më vonë, i ndjekur nga një tjetër spazmë me magnitudë 6.0 ballësh pasdite.

“Ajo që po shohim tani është se aktiviteti po përhapet në rripat fqinj”, tha Musson. “Presim që lëvizjet sizmike të vazhdojnë edhe për një kohë”.

Pas ngjarjes vdekjeprurëse të 1822-shit, të tjera lëkundje vazhduan edhe vitin e ardhshëm. 

Cili mund të jetë numri i përgjithshëm i vdekjeve?

Tërmetet me magnitudë të ngjashme në zonat e populluara kanë vrarë mijëra njerëz. Tërmeti i Nepalit me magnitudë 7.8 ballësh në vitin 2015 mori gati 9.000 jetë.

“Nuk duket se do të jetë mirë”, tha Musson.

“Do të jenë mijëra, mund të jenë dhjetëra mijëra”.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>