Kategoritë: Ballkan

Serbia sfidon kërcënimin me sanksione amerikane për shkak të armëve ruse

arme ruseMinistri serb i Mbrojtjes, tha të premten se Serbia do të vazhdojë të blejë armë nga “shtetet mike” pavarësisht kërcënimeve me sanksione amerikane në rast se Beogradi vazhdon të pranojë dërgesa armësh nga Rusia.

“Serbia nuk është koloni” dhe do të vendosë vetë për “fuqizimin dhe pajisjen e forcave të saj të armatosura“, deklaroi ministri serb Aleksandër Vulin.

Zyrtarët amerikanë kanë folur hapur për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë në rast se Moska i shet më shumë armë, veçanërisht armatime që mund të rrezikojnë sigurinë e vendeve fqinje anëtare në NATO.

Serbia ka blerë së fundmi një sistem të sofistikuar kundërajror nga Rusia, e cila i ka siguruar vendit Ballkanik edhe avionë, helikopterë dhe mjete të blinduara.

Ministri Vulin, i cili njihet për qëndrimin e tij pro-rus, tha se dërgesat e fundit janë për qëllime mbrojtëse. Ai tha se nuk ka asnjë arsye për sanksione nga “çdo vend që respekton të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e Serbisë për të vendosur në mënyrë të pavarur” se si të armatoset.

Armatosja e Serbisë nga Rusia shihet me shqetësim nga Perëndimi, në një periudhë tensionesh në rritje në Ballkanin që u përfshi në luftërat shkatërruese në vitet 90-të. NATO ndërhyri kundër Serbisë në vitin 1999 për t’u dhënë fund mizorive ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, udhëheqja populiste e Serbisë ka forcuar më tej lidhjet e ngushta politike dhe ushtarake me aleaten sllave Rusinë, si dhe me Kinën.

Serbia është zotuar të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të politikave të saj në Ukrainë.

((Materiali është mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press))

Vendet e Quintit kundërshtojnë Dodikun

DodikMe kërkesë të DW, Ministria e Jashtme gjermane jep një deklaratë të përbashkët të vendeve të Quintit për gjendjen në Bosnjë-Hercegovinë. SHBA, Britania e Madhe, Italia, Franca, Gjermania kërkojnë stabilitet në këtë vend.

“Qeveria gjermane e mbështet një Bosnjë-Hercegovinë stabile dhe funksionale, ku respektohen parimet e shtetit juridik dhe integriteti territorial”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme, të lëshuar në emër të vendeve të Quintit. Elementi më i rëndësishëm i stabilitetit në këtë vend, sipas këtyre vendeve, është Marrëveshja e Dejtonit, me të gjitha aspektet e veta. “Retorika secesioniste, sikur edhe bllokadat dhe ultimatumet, e kthejnë këtë vend mbrapa. Bosnje-Hercegovina ka nevojë për institucione funksionale dhe reforma që e përshpejtojnë shkuarjen e këtij vendi në drejtim të Bashkimit Evropian”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme dhe nënvizohet: “Respektimi i parimeve të shtetit juridik është elementi kyç, ndërsa Gjykata Kushtetuese institucioni më i lartë në vend, i cili duhet të respektohet.”

Përfaqësuesit e pesë vendeve më të zhvilluara industriale perëndimore mendojnë se Bosnjë-Hercegovina gjendet para sfidave të mëdha. Institucionet juridike të emëruara së fundi nga Gjykata Evropiane duhet të respektohen dhe kanë një detyrë shumë të rëndësishme.

Gjykata Kushtetuese

„Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe detyruese, si edhe Kushtetuta e vendit. Ndaj mendojmë se vendimi i Milorad Dodikut, për të bllokuar tregtinë dhe funksionimin e institucioneve të vendit, me synim kontestimin e institucioneve si dhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës është shumë i dëmshëm jo vetëm për këtë vend, por edhe për afrimin e vendit me Bashkimin Evropian. Ndaj të domosdoshme janë reformat dhe sundimi i ligjit si dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike në vend. Çëshja e zgjedhjeve lokale në Mostar duhet të zgjidhet sa më parë”, thuhet në reagimin e këtyre vendeve, dërguar DW.

Kërcënimet e Dodikut

Dodiku më parë ka kërcënuar se do të insistojë për ndarjen dhe shkëputjen e Republikës Serpska nga Bosnje-Hercegovina. ‘Goodbye BiH, welcome RS-exit’, deklaroi së fundi Dodiku. Analistët thonë se ai në këtë mënyrë cënon drejtpërdrejt themelet e shtetit dhe cënon Marrëveshjen e Dejtonit. Ata kujtojnë se një projekt i këtillë ka ekzistuar edhe në vitin 2011 kur akademikët e atëhershëm Dobrica Qosiq dhe Lubomir Tadiq kanë hartuar një dokument me të cilin kërkohej ndarja e RS. Në këtë dokument thuhej se B-H nuk mund të funksionojë dhe se institucionet e saj janë antiserbe. Ndaj kërkohej ndarja e serbëve nga ky vend. Në media kujtohet edhe Memorandumi II, i vitit 1986 i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, ku kërkohej bashkimi i trojeve serbe. Ndërkohë që presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk është distancuar qartë nga deklaratat e fundit të Dodikut. dw

Virusi Korona nuk ndalet

MilanoVazhdon përhapja e virusit Korona. Krahas Italisë që njoftoi 283 raste infektimi, edhe Austria e Kroacia njoftuan rastet e para të infeksioneve. Në Romë mblidhen ministrat e Shëndetësisë të vendeve fqinje me Italinë.

Lajmet për përhapjen e shpejtë të virusit Korona ndryshojnë me orë. Së fundmi bëhet e ditur, se edhe zëvendësministri i Shëndetësisë së Iranit është i infektuar me virusin Korona. Më parë Austria kishte njoftuar dy  raste ntë infektimit në Tirol. Edhe Kroacia ka njoftuar për rastin e parë të infektimit, sipas kryeministrit, Andrej Plenkovic. Turqia ka izoluar 132 vetë në bordin e një avioni të ardhur nga Irani për shkak të dyshimit për persona të infektuar. Në një hotel në Tenerifa në Spanjë janë izoluar disa qindra vetë për shkak të dyshimit për raste të infeksioneve me virusin Korona. Në Itali krahas më shumë se 280 rasteve të infektimit në veri, është konfirmuar edhe një rast infeksioni në Sicili. Italia ka reagur me masa drakoniane duke izoluar disa zona në veri për të penguar përhapjen e virusit.

Ndërkohë në Romë zhvillohet të martën mbasdite një takim krize i ministrave të Shëndetësisë të disa vendeve të BE që janë afër Italisë. Italia ka ftuar në këtë takim për të koordinuar veprimet për përhapjen kaq të shpejtë të virusit në Europë. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn është shprehur, se virusi nuk ndal në kufijtë e vendeve. Spahn pret raste të tjera të virusit Korona edhe në Gjermani, ku aktualisht janë regjistruar 16 vetë të infekuar.

Ndërkohë një virolog ka kritikuar në mediat gjermane mënyrën e veprimit të qeverisë gjermane. Alexander Kukele tha për Deutschlandfunk, se ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn e nënvlerëson rrrezikun në përhapjen e virusit Korona dhe e paraqet shumë më pak të rrezikshëm se një grip. Por nëse vdekshmëria tek gripi është 0,1% në rastet e virusit Korona është më e lartë, 0,5-1,5%. „Kjo do të thotë, se për ata që infektohen, virusi është 10 herë më i rrezikshëm”, ka thënë Kukele. Virusi Korona mund të jetë vdekjeprurës jo vetëm për pleqtë, si në rastin e gripit, por edhe për njerëzit në moshën e mesme.

la/afp,dpa

Zgjidhja e konfliktit të kufirit gjermano-danez – model për Ballkanin?

Prof dr Stefan Troebst100 vjet u mbushën këto ditë nga vendosja e kufirit gjermano-danez, që shihet si model për zgjidhjen e konflikteve të kufijve e pakicave që jetojnë aty. Pse pati sukses ky model dhe a mund të vlejë ai edhe për Ballkanin?

Deutsche Welle: T’i vendosësh kufijtë me referendum – si erdhën zhvillimet deri këtu dhe si u vendos vija e demarkacionit, që sot krijon kufirin mes Danimarkës dhe Gjermanisë?

Prof. Stefan Troebst: Në Konferencën e Parisit, 1919/1920 që pasoi Luftën e Parë Botërore, fuqitë fituese i dhanë një rëndësi të veçantë parimit etnik. Ai merrte në konsideratë referendumet popullore. Kështu parashikohej edhe në Marrëveshjen e Paqes së Versajës me Gjermaninë e mundur në vitin 1919 në disa rajone të përziera enike kufitare po kështu edhe për Belgjikën, Francën, Poloninë dhe Danimarkën, e në ish-principatën e Schleswig, pra plebishite për të ardhmen e përkatësisë shtetërore. Në vitin 1920 shumica e popullsisë me të drejtë vote në Schleswigun e jugut vendosën për perandorinë gjermane, veriu për Mbretërinë e Danimarkës. Kufiri i ri shtetëror u vendos përgjatë zonave të votimit I (Schleswigu verior) dhe II (Schleswigu i mesëm). Përjashtim përbënte këtu pjesa veriore e qarkut Tondern, në gjuhën daneze Tønder që vendosi për Danimarkën.

Çfarë parametrash e kthyen megjithatë në model vendosjen e kufirit gjermano-danez?

Fillimisht asnjë, sepse përgjatë gjithë kohës mes luftërave botërore u zhvillua një luftë e ashtuquajtur kufitare e ashpër mes Gjermanisë dhe Danimarkës, që çoi në tensione të mëdha etnopolitike mes shumicës dhe pakicës në të dyja anët e kufirit të ri. Pushtimi i Danimarkës nga trupat gjermane në vitin 1940 e keqësoi edhe më tej marrëdhënien ndëretnike. Këtu nuk ndryshoi gjë as krijimi i landit Schleswig-Holstein në vitin 1946. Vetëm Deklarata e Kielit në vitin e themelimit të Republikës Federale 1949, në të cilën si danezëve dhe frizonëve në pjesën e Landit Schleswig iu siguruan të drejtat bazë, e përmirësoi situatën e tyre ligjore në mënyrë graduale. Pikë kthese në marrëdhëniet bilaterale e në marrëdhënien mes shumicës e pakicës në të dyja anët e kufirit u bënë Deklaratat e Bonn-Kopenhagenit të vitit 1950 para hyrjes së gjermanëve në NATO, të cilat përmirësuan si statusin ligjor të danezëve dhe frizonëve në pjesën Schleswig të landit më verior gjerman edhe të gjermanëve në pjesën daneze të Schleswigut verior.

Si pasojë Gjermania pati mundësinë që të mbështeste financiarisht pakicën gjermane në Danimarkë, që pasoi nga ana e Danimarkës me mbështetjen e pakicës daneze për shkollimin, kulturën, mediat e shoqërinë për këtë pakicë. Më vonë qeveritë në Kopenhagë dhe Bonn ndërmorën përpjekje në nivel europian që marrëdhëniet e rirregulluara në zonën kufitare gjermano-daneze t’i paraqesnin si model që mund të shërbente edhe për zgjidhjen e konflikteve të tjera kufitare apo të pakicave. Jo rastësisht Gjermania dhe Danimarka themeluan në vitin 1996 Qendrën Europiane të Çështjeve të Minoriteteve (ECMI) në Flensburg, aktiviteti shkencor dhe praktik për parandalimin e konflikteve i së cilës është i orientuar sidomos në Europën Juglindore dhe hapësirën postsovjetike dhe Kaukazin.

Çfarë mësimesh janë nxjerrë nga politika e referendumeve për vendosjen e kufijve?

Mësimi është që në zonat kufitare me pakica në konflikt, tensionet mund të ulen, nëse këtë e mundësojnë konstelacione politike me rang më të lartë. Sepse anëtarësimi i Republikës Federale në NATO varej nga miratimi i Danimarkës, anëtare themeluese e aleancës. Përtej kësaj si shembull është edhe afrimi gjermano-francez që në vazhdën e zhvillimit të tij solli edhe zgjidhjen e problemit të landit Saar në vitin 1955, apo marrëveshjet e kushtëzuara nga viti epokal 1989 të Gjermanisë së bashkuar apo edhe si me Poloninë dhe Çekosllovakinë në vitet 1990 e 1992. Edhe shkëputja e Jugosllavisë nga blloku lindor mund të përmendet e mundësuar me zgjidhjen politike të çështjes së Triestes në marrëdhënien me Beogradin në Romë, nga ana e së drejtës ndërkombëtare pastaj në vitin 1975.

A mund të përdoret ky parim edhe sot? Edhe në debatin për mundësi të “korrigjimit të kufijve” mes Serbisë dhe Kosovës diskutohet për referendume…

Jo, edhe pse në vështrim të parë mund të kesh disa paralele mes pjesës veriore të banuar me serbë në Kosovë dhe pjesës së banuar me shqiptarë në jugperëndim të Serbisë. Por kaloi gati një shekull nga Lufta Gjermano-Daneze në vitin 1864 deri tek Deklaratat e Bonn-Kopenhagenit, përkundër kësaj regjimi serb i aparteidit në Kosovë bashkë me terrorin e pushtimit dhe pastrimit etnik në Kosovë mori fund vetëm para 21 vjetësh. Në fjordet e Flensburgut nuk ka luftëtarë dhe as viktima civile të atëhershme, ndryshe është në Fushë Kosovë dhe Sumadije. Por arsyeja më kryesore, pse ky i ashtuquajtur model nuk mund të merret as në drejtim të Ballkanit, dhe as në vend tjetër në botë lidhet edhe me atë se standardi i jetesës së rajonit kufitar gjermano-danez me pakicat e veta ka qenë jashtëzakonisht i lartë në nivel global, madje edhe në nivelin europian. Nëse do mund të eksportohej ky nivel të ardhurash dhe shteti social së bashku me të pretenduarin si “karakter model”, atëherë konflikti serbo-kosovar me gjasë mund të zgjidhej në një periudhë prej dy ose tre brezash. Ky është mësimi i vërtetë nga historia e konfliktit të tejkaluar me sukses mes danezëve dhe gjermanëve.

 

Prof. Dr. Stefan Troebst është historian dhe publicist për çështjet e Europës Juglindore. Ai është profesor në Institutin e Sllavistikës të Universitetit të Leipzigut.

 

Intervistën e zhvilloi Adelheid Feilcke

Palmer: Rusia e do Ballkanin me një element kaosi në të

PalmerI dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha se Rusia dëshiron që ky rajon të jetë “i përçarë, kundër vetes dhe me një element kaosi në të”.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në Sofje, Palmer tha se SHBA-ja është e shqetësuar për qëllimet dhe aktivitetet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

“Nëse i identifikoj disa, do të veçoja përpjekjet e Rusisë për të zvogëluar mbështetjen për Marrëveshjen e Prespës midis Shkupit dhe Athinës. Ato janë shembull i aktivitetit malinj të shtetit rus”, tha Palmer.

Sipas tij, rusët duan që Ballkani Perëndimor të jetë një zonë, ku ata “mund të çojnë poshtë-lart nivelin e tensioneve”.

Me Marrëveshjen e Prespës, Shkupi është dakorduar për ndryshimin emrit të shtetit – nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut – gjë që i ka hapur rrugë përparimit të tij në rrugën e integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, vitin e kaluar, Këshilli Evropian ka dështuar t’i ndajë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë datën e negociatave për anëtarësim në BE.

Por, Palmer, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se shpreson shumë që për këtë çështje të vendoset në muajin mars dhe që përgjigjja të jetë “po”.

“Ne mendojmë se të dyja vendet kualifikohen me meritë. Mendojmë se është një sinjal i rëndësishëm që duhet t’i dërgohet rajonit. Mendojmë se është thelbësore që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të kenë rrugë të qartë evropiane dhe perspektivë evropiane”, tha Palmer.

Ai tha se SHBA-ja ka një vizion për Ballkanin Perëndimor dhe se ai është një vizion pozitiv.

“Një vizion për një rajon në paqe me veten, në paqe me fqinjët, i qëndrueshëm, i begattë dhe i integruar në familjen evropiane të kombeve. Ky nuk është vizioni i Rusisë”, tha Palmer.

Rusia është fajësuar edhe për mbështetjen e një përpjekjeje për grushtshtet në Mal të Zi në vitin 2016.

Rusia mbështet ushtarakisht Serbinë dhe ka lidhje të ngushta me presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar Departamenti amerikan i Mbrojtjes në një raport të parë nga Radio Evropa e Lirë në nëntor të vitit të kaluar.

Palmer është emëruar i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor në gusht të vitit të kaluar.

Pak muaj më vonë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zgjedhur ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Grenell ka realizuar disa vizita në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i shtyrë palët drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Palmer, në një intervistë për një televizion të Serbisë në muajin dhjetor, ka thënë se SHBA-ja dëshiron të shohë normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte njohje të ndërsjellë.

Prishtina dhe Beogradi “duhet të ulen në tryezë, të arrijnë marrëveshje dhe bashkë të përcaktojnë rrugën kah e ardhmja evropiane”, ka thënë atëbotë Palmer.

REL/Përgatiti: Valona Tela

Evropa Greqi: Dhunë e re e ekstremistëve të djathtë

Thomas JacobiGazetari i DW-s, Thomas Jacobi pas sulmit

Sulmi i fundit ndaj gazetarit të Deutsche Welles, Thomas Jacobi në Athinë e bën të qartë: Në Greqi ekstremistët e djathtë vazhdojnë të mbeten mbeten një rrezik latent.

Më kot ta kërkosh qendrën e partisë neonaziste greke, “Agimi i Artë” në bulevardin Mesogeion, të ngarkuar me trafik në veri të Athinës. Vila e dikurshme pompoze sot është bosh, në godinat përreth njëri-pas tjetrit hapen dyqane me çmime të leverdisshme, ekstremistët e djathtë ka kohë që janë larguar. Arsyeja: Që nga dështimi në zgjedhjet e kaluara në korrik, “Agimi i Artë” nuk është më i përfaqësuar në Parlamentin e Athinës, burimet financiare kanë shteruar, paratë nuk mjaftojnë as për të paguar qiranë e zyrave.

Në kohë krize neonazistët u ngjitën në forcën e tretë politike në Greqi, por ndërkohë duket se partisë po i vjen fundi, jo vetëm sepse disa krerë të saj duhet të përgjigjen para drejtësisë për “krijimin e një organizate kriminale”. Procesi filloi në vitin 2014, pasi një anëtar i kësaj partie qëlloi me thikë muzikantin Pavos Fyssas në Pire. Prokurorja e Athinës në fund të vitit 2019 është shprehur, se nuk ka prova të mjaftueshme për akuzën e “organizatës kriminale”, por kjo nuk do të thotë, se autorët do të mbesin pa ndëshkuar. Sipas qëndrimit të prokurorisë bëhet fjalë për akte të veçuara penale. Në një kohë që ka zëra kritikë ndaj këtij qëndrimi, kreu i partisë, Nikos Mikaloliakos gëzohet për gjoja rehabilitimin. Menjëherë në kalendarin e vitit 2020 të “Agimit të Artë” është vendosur mbishkrimi; “Ne po kthehemi, dhe toka do të dridhet.” Të dielën (19.01) vërtet që esktremistët e djathtë u kthyen, duke demonstruar kundër politikës së refugjatëve të qeverisë hreke. Pikërisht këtë ditë sulmohet edhe gazetari gjerman, Thomas Jcobim që punon për media franceze dhe Deutsche Wellen. Një “comeback” i djathtistëve?

Agresorët ende kërkohen

Duket se nuk ka dyshime, që ishin ekstremistë të djathtë ata që e sulmuan gazetarin, Thomas Jacobi. Por nëse ata kanë qenë edhe anëtarë të “Agimit të Artë”, kjo nuk është e qartë, për shkak se policia nuk ishte në gjendje të ndërhynte menjëherë dhe të kapte autorët. Thomas Jacobi i tha Deutsche Welles, se një grup djemsh e kanë sulmuar duke i thënë, se e kanë njohur, që ishte ai, që ka xhiruar një dokumentar për “Agimin e Artë”. Bëhet fjalë për filmin “Agimi i Artë –  një çështje personale”, film që është nderuar edhe me çmim. Së bashku kolegen franceze, Angelique Kourounis, Jacobi e ka xhiruar filmin për t’i bërë publike strukturat kriminale të partisë. Aktualisht ata punojnë për ta vazhduar këtë dokumentar.

“Agimi i Artë” ndryshon taktikën

A po marshojnë në Greqi ata që jetojnë përjetësisht me të shkuarën? Politologja, Vasiliki Georgiadou që hulumton mbi ekstremizmin e djathtë thotë për DW, se “nuk ka të dhëna që flasin për një forcim të Agimit të Artë.” Por kjo parti është ende forca dominuese brenda lëvizjeve ekstremiste të djathta. Ka një spektër të gjerë të pozicioneve ekstremiste të djathta, që nuk përfaqësohen nga “Agimi i Artë”. Zakonisht këta aktorë janë në konkurrencë me njëri-tjetrin, pro kjo nuk përjashton vendosjen e kontakteve, shpjegon Georgiadou. Së bashku me studiuesit kostas Roumanias dhe Lambrini Rorri ajo ka dokumentuar aktivitetet e grupimeve ekstremiste të djathta në Greqi. Konkluzioni: “Pika kulmore e dhunës ekstremiste të djathtë u arrit në vitin zgjedhor 2012, kur “Agimi i Artë” për herë të parë arriti të hyjë në parlament. Menjëherë pas fillimit të procesit gjyqësor në vitin 2014, ra dukshëm numri i akteve të dhunës ekstremiste të djathtë, por në vitet e mëvonshme shënojmë një rritje  tjetër të këtyre akteve të dhunës dhe në mënyrë të vazhdueshme deri në vitin 2018.”

Shqetësuese është rritja e dhunës esktremiste të djathtë në disa ishuj të Egjeut, ku mbërrijnë refugjatë dhe migrantë. Për identitetin e saktë të autorëve të këtyre akteve vetëm mund të spekulohet. Vitet e kaluara, “Agimi i Artë” ka bërë thirrje të hapur për dhunë. Kjo ka ndryshuar tani “Në disa raste mediat lokale raportojnë për simpatizantë të “Agimit të Artë” që veprojnë kundër refugjatëve”, thotë Georgiadou. Por vetë partia hesht për këto sulme. Sipas ekspertes, “ose në spektrin e djathtë janë aktive grupime të reja ekstremistësh, ose anëtarët e “Agimit të Artë” duan ta fshehin identitetin e tyre.”

dw

Filloi edhe një vit “vendimtar” i BE në raport me Ballkanin

Komisioni per zgjerimKomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi është optimistë, sa i përket procesit që duhet të drejtojë. Por shkaqe për optimizëm nuk ka, sepse rezistenca ndaj zgjerimit të BE është e madhe.

Viti 2020 është paralajmëruar në Bruksel si një vit “vendimtar” për fatin e Ballkanit Perëndimor. Komisioni Evropian ka parlajmëruar se në janar do të propozojë një metodologji të re për zgjerimin. Brukseli planifikon që deri në samitin e majit në Zagreb të hartojë një plan efikas për procesin e zgjerimit.

Nga ana tjetër, vendet si Franca dhe disa të tjera, hezitojnë të mbështesin pa rezerva këtë proces, për shkak të problemeve të brendshme politike.

Fillimi i këtij procesi “efikas” vjen në periudhën kur Britania e Madhe do të largohet (në fund të janarit) nga Bashkimi Evropian dhe kur shumë gjëra janë të panjohura. Ndërkohë që zgjedhjet po afrohen në Serbi, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, e ndoshta edhe në disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ndaj mendohet se ndonjë afrim tepër i madh i BP me BE nuk është i mundur në këto kushte.

Mbështetja e procesit më të shpejtë?

„Qëllimi im është që vitin e ardhshëm dhe gjatë mandatit tim pesëvjeçar të përshpejtohet procesi i afrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe të forcohet perspektiva e anëtarësimit“, deklaroi në dhjetor për Deutsche Wellen, komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi.

Ai pohon se Komisioni Evropian do të mbështesë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Me rëndësi është që vendimi pozitiv të merret shumë kohë para samitit të Zagrebit në maj”, pohon Oliver Varhelyi.

„Së pari, fuqimishëm do të përshpejtojmë reformat në të gjitha vendet e rajonit. Këto reforma duhet të manifestohen në terren dhe të mundësojnë zhvillimin ekonomik dhe një jetë më të mirë për qytetarët, që mundëson edhe afrimin me BE”, pohon komisioneri hungarez.

Së dyti, sipas tij, procesi duhet të jetë më objektiv, për të hequr shqetësimet e disa vendeve. Por duke mos ndryshuar rregullat e lojës.

Dhe pika e tretë e rëndësishme, sipas komisionerit hungarez, është mbështetja e zhvillimit ekonomik të këtij rajoni, nga fondet për investime. “Ambicia ime është që të nxisim zhvillimin ekonomik dhe që deri në fund të mandatit tim, të paktën një prej këtyre vendeve të mund të anëtarësohet në BE. Ndërsa të tjerat të shkojnë shumë larg në këtë proces të negociatave“, konstaton Oliver Varhelyi në deklaratën e tij për DW.

“Vitet vendimtare“

Përfaqësuesit e institucioneve evropiane kanë bërë të ditur se në pranverë mund të hapen negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me shpjegimin se “ky do të ishte korrigjim i gabimit historik“. Por Franca ende ka rezerva dhe pohon se procesi mund të hapet vetëm nëse më parë arrihet marrëveshje për reformën e procesit për anëtarësim.

Kjo temë duhet të trajtohet në samitin e BE në mars, por është pikëpyetje e madhe nëse të gjitha vendet anëtare të BE do ta mbështesin procesin për hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin. Nga ky vendim varet në masë të madhe edhe suksesi i samitit të Zagrebit, në maj të këtij viti. Në Zagreb pritet që vendet anëtare të BE dhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të përcaktojnë kornizat e zhvillimeve dhe procesit të zgjerimit të BE në dhjetë vitet e ardhshme.

Por ata që përcjellin zhvillimet në Ballkan e dinë se perspektiva e këtij rajoni për anëtarësim është hapur që në vitin 2003 në Selanik. E ky premtim është realizuar vetëm në Kroaci, e cila është anëtarësuar në vitin 2013. Samiti i mbajtur në vitin 2018 në Sofje, është vlerësuar si “vendimtar”, por ishte ky samiti ku presidenti francez Macron për herë të parë publikisht kërkoi që para zgjerimit të bëhet reforma e brendshme e BE.

Në strategjinë e publikuar në vitin 2018 thuhej se Serbia dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen në BE deri në vitin 2025. Me kalimin e kohës po shtohen dyshimet se kjo do të realizohet.

Problemet më të mëdha në rajon

Nga vet rajoni i Ballkanit Perëndimor thonë se ndërkohë nuk dihet fare se në ç’drejtim duhet të shkojnë dhe sa do të zgjasë kjo rrugë. Mali i Zi dhe Serbia, të cilat konsiderohen si lidere në këtë proces, këtë vit do të përballen me zgjedhjet parlamentare. Jo të gjitha forcat politike në këto vende i mbështesin reformat. Në vitin 2019 Mali i Zi nuk e ka hapur kapitullin e fundi të mbetur në negociata, ndërsa Serbia ka hapur vetëm dy kapituj.

Të dyja këto vende kanë probleme të mëdha me sundimin e ligjit – që theksohet në të gjiha raportet e progresit.

Komisioneri Oliver Varhelyi dhe shefi i ri i diploacisë evropiane Josep Borell kanë paralajmaruar se do të angazhohen fuqishëm për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Por qeveria në Kosovë ende nuk është krijuar, gjë që ka detyuar Borellin të anulojë vizitat e parashikuara në Prishtinë dhe Beograd.

Borrel pohon se përveç dialogut Beograd-Prishtinë, një nga prioritetet në punën e tij do të jetë edhe gjendja në Bosnjë-Hercegovinë. Brukseli ka kërkuar krijimin e Këshillit të Ministrave në Sarajevë, me shpejgimin se viti 2020, do të jetë shumë i rëndësishëm edhe për shkak të zgjedhjeve lokale në këtë vend.

Të gjitha këto procese duhet të zhvillohen në kohën kur Britania e Madhe do të largohet nga BE, e kjo me siguri që nuk do ta  thjeshtësojë procesin e afrimit të BP me BE.

dw / Marina Maksimovic

Kroaci: Milanoviç – fituesi i raundit të parë të zgjedhjeve

Kitarovic MilanovicSocialdemokrati Zoran Milanoviç doli fitues i raundit të parë në zgjedhjet presidenciale të dielën në Kroaci para Kolinda Grabar-Kitaroviçit. Në janar kroatët vendosin në balotazh për presidenten apo presidentin e ri.

Socialdemokrati opozitar Zoran Milanoviç doli fitues i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Kroaci të dielën (22.12) duke fituar afër 30% të votave pas numërimit të gati të gjitha votave, bëri të ditur Komisioni Zgjedhor në Zagreb në orët e vona të natës. Presidentja aktuale, Kolinda Grabar-Kitaroviç renditet e dyta. Kandidatja e partisë konservatore të djathtë, që qeveris aktualisht vendin, HDZ arriti vetëm 27% të votave. Për shkak se asnjëri nga kandidarët nuk ka arritur më shumë se 50% të votave në raundin e parë, më 5 janar pritet të zhvillohet balotazhi mes dy konkurrentëve, shkruan agjencia e lajmeve dpa.

Në shumicën e sondazheve, Kitaroviç kryesonte, por me një distancë të vogël kundrejt socialdemokratit, Milanoviç. Në vend të tretë u rendit kandidati i pavarur dhe i njohur si këngëtar, Miroslav Skoro me 24%.

Kitaroviç ende shpreson

Kreu i shtetit në Kroaci ka më shumë kompetenca ceremoniale përfaqësuese, megjithatë zgjedhjet konsiderohen si një tregues i fuqisë në elektorat të kampeve të majtë e të djathtë. Anëtarja më e re e BE-së, Kroacia merr kryesinë e radhës së BE më 1 janar. Në fushatën zgjedhore tema si drejtimi joefektiv i qeverisë dhe largimi masiv i njerëzve nga vendi luajtën një rol të madh. Grabar-Kitaroviç hyri në garë me avantazhin e presidentes.

Vëzhguesit janë të mendimit, se Grabar-Kitaroviç në balotazh mund t’ia dalë të rikonfirmohet edhe njëherë në postin e presidentes, për shkak se votuesit e kandidatit të tretë në renditje, Skoros, shihen si votues të spektrit konservator, që votën mund t’ia japin kandidates së partisë konservatore, HDZ. Kritikët e presidentes Grabar-Kitaroviç shprehen, se gjatë mandatit të parë, presidentja kroate u shfaq si një figurë e zbehtë dhe pa substancë politike.

 

la/(dpa,rtr)

 

Shipoli: Ballkani të jetë i kujdesshëm me Turqinë

ShipolliAnalisti i çështjeve të Ballkanit në Uashington, Erdoan Shipoli, thotë se Turqia është një aktore e rëndësishme në Ballkanin perëndimor, por këto vende duhet të kenë kujdes nga sistemet paralele që ajo përpiqet të krijojë atje. Në një intervistë me kolegun Ilir Ikonomi, zoti Shipoli flet edhe për vizitën e Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Shtetet e Bashkuara dhe çështje të tjera.

Zëri i Amerikës: Është e qartë se në marrëdhëniet Amerikë-Turqi janë shfaqur tashmë probleme të shumta, që nga ato ushtarake e deri tek të drejtat e njeriut. A prisni që vizita e Presidentit Erdogan në Uashington t’i përmirësojë marrëdhëniet?

Erdoan Shipoli: Vizita e Presidentit turk në Uashington ka ardhur në një kohë shumë të veçantë në lidhjet mes Turqisë dhe Amerikës. Sot në Kongres janë duke diskutuar për sanksione ose për një deklaratë kundër Turqisë dhe operacionit turk në Siri. Por gjithashtu dihet që Turqia me strategjitë e fundit, përmirësimin e lidhjeve me Rusinë ose edhe të gjitha problemet me Bashkimin Europian, këto kanë qenë të dëmshme në lidhjet mes Turqisë dhe Amerikës. Kështu që, unë nuk pres shumë nga kjo vizitë. Kjo vizitë është si një karrotë që Presidenti amerikan i ka dhënë Presidentit turk për përmirësimin e lidhjeve, sepse këtë vizitë vetëm Erdogani do të mund ta përdorë dhe ta shesë në Turqi si një rezultat që “unë shkoj në Amerikë, kam lidhje të mira me Presidentin amerikan edhe pse Kongresi po më nxjerr probleme”.

Zëri i Amerikës: Nga një pikëpamje gjeostrategjike, si i shpjegoni hapat e Turqisë për t’u afruar me Rusinë dhe për të krijuar të çara në marrëdhëniet me NATO-n?

Erdoan Shipoli: NATO-ja sipas meje është aleanca më e rëndësishme në Turqi, në të gjithë historinë e Turqisë. Por, ne duhet edhe ta dimë që Turqia si shtet, strategjia shtetërore e sigurisë, e regjimit turk të Presidentit Erdogan, ndonjëherë nuk janë të njëjta. Domethënë, Erdogani ka menduar që mund të luajë lojë të dyfishtë edhe me Rusinë, edhe me NATO-n ose Amerikën, dhe është munduar t’i përdorë të dyja kundër njëra-tjetrës. Dhe për këtë, regjimi i Erdoganit është afruar aq shumë me Rusinë sa e ka të pamundur tani të shkëputet prej saj. Kjo do të sjellë më shumë përçarje në NATO. Është e rëndësishme që edhe shtetet aleate të NATO-s, edhe Bashkimi Evropian, por edhe Amerika në bisedimet bilaterale t’i tregojnë Turqisë se deri kur ata munden të presin, ose deri kur mundet që Turqia të vazhdojë me këtë politikë.

Zëri i Amerikës: Ka vite që zoti Erdogan përpiqet të rrisë ndikimin e Turqisë në Ballkan. Sa sukses ka patur ai në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje dhe çfarë natyre ka ndikimi që ai përpiqet të arrijë?

Erdoan Shipoli: Turqia është aktor shumë i rëndësishëm në Ballkan, edhe historikisht, edhe tani. Dmth është ndër vendet më të mëdha, me ekonominë më të madhe në rajon. Por, Turqinë e bën më të rëndësishëm aleanca me NATO-n, rrugëtimi i saj në Bashkimin Evropian, lidhjet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara. Sa kohë që Turqia t’i vazhdojë këto lidhje ose ta ketë politikën e zhvillimit të marrëdhënieve drejt Bashkimit Evropian, atëherë ajo është shumë më e rëndësishme për Ballkanin. Por, nëse në një rrugë të përbashkët drejt Bashkimit Evropian, edhe pse BE-ja jo gjithmonë e pranon që ne të Ballkanit e kemi vendin aty, nëse dikush prej atyre partnerëve që ecin bashkë, e kthen destinacionin nga Rusia, nga Lindja e Mesme, ose nga Euroazia, atëherë ky partner jo vetëm që nuk është më partner i yni, por është edhe partner i rrezikshëm. Dmth, Turqia në Ballkan e ka rritur ndikimin. Ka pasur gjithmonë ndikim, por sidomos në Ballkan ne duhet t’i ndajmë shtetin e Turqisë, si Turqi, dhe regjimin. Të gjitha shtetet në Ballkan, sidomos Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja-Hercegovina duhet të kenë marrëdhënie të mira me Turqinë, por duhet të kemi gjithashtu kujdes me sistemet paralele që nuk kanë lidhje me punën e Turqisë që regjimi i Erdoganit i sjell me mënyra të ndryshme, përmes ekonomisë, energjisë, partive politike, organizatave të ndryshme që ata financojnë etj.

Zëri i Amerikës: Fakti që Bashkimi Evropian po tregon një humbje të entuziazmit për të shpejtuar integrimin e Ballkanit Perëndimor, a është ky një shans për zotin Erdogan që të shtojë përpjekjet drejt këtyre vendeve?

Erdoan Shipoli: Për fat të keq po. Por jo vetëm për Presidentin Erdogan, por edhe një shans për Rusinë, ose për vende të tjera. Sidoqë të jetë, ne si popuj, sidomos shqiptarët në Ballkan, nuk duhet të heqim dorë nga integrimet evropiane, euro-atlantike, sepse nuk kemi opsione më të mira dhe nuk ka opsione të ndryshme. Kur vjen puna e Turqisë, po, ata e përdorin këtë, e përdorin edhe rritjen e islamofobisë në Evropë. I përdorin edhe të gjitha problemet e brendshme që ka Evropa, ose problemet që ne kemi për shkak të ngecjeve në integrimet evropiane, ose p.sh. siç shihet në Kosovë për liberalizimin e vizave. Një kosovar, për shembull, e ka shumë më të lehtë të shkojë në Turqi se sa në Greqi, në Itali, apo gjetiu në Evropë.

Zëri i Amerikës: Në rastin e Shqipërisë dhe Kosovës, çfarë prirjesh shihni ju, sa të gatshme kanë qenë ato për të lejuar një ndikim më të madh të Turqisë në vendet e tyre?

Erdoan Shipoli: Nëse analizojmë se si punon regjimi në Turqi, atëherë shohim që ata së pari hyjnë në një vend me mjete ekonomike. Pastaj, ata dëshirojnë të marrin disa sektorë që janë të rëndësishëm në ato shtete, p.sh. sektorin e energjisë, telefoninë, bankat, por pastaj hyjnë në arsim, ose në punët fetare. Unë sidomos i shoh shumë të rrezikshme prirjet e regjimit turk që në Kosovë dhe në Shqipëri të influencojnë sistemin arsimor dhe sistemin fetar.

Zëri i Amerikës: Po këto vende, qeveritë e këtyre vendeve, sa të gatshme kanë qenë për t’i lejuar prirjet e Turqisë?

Erdoan Shipoli: Unë mendoj se kanë lejuar pak më shumë se ç’iu duhet. Dhe do të ketë shumë më tepër presion, që të lejojnë më shumë. Vetëm duhet me qenë shumë të kujdesshëm. Së fundi, siç e shohim në Maqedoninë e Veriut, ose në Bosnjë-Hercegovinë, regjimi në Turqi financon parti politike. Në Kosovë dhe në Shqipëri, qeveritë ende nuk kanë lejuar diçka të tillë. Megjithatë, ky do të jetë qëllimi i tyre i ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Zyrtarët e SHBA kanë thënë se e mirëpresin rolin e Turqisë në Ballkanin Perëndimor, nëse ai është një rol konstruktiv. Turqia ka investuar në infrastrukturën e disa prej këtyre vendeve dhe ka ndërtuar apo rindërtuar disa xhami. Sa konstruktiv mendoni se ka qenë ky rol?

Erdoan Shipoli: Unë mendoj që roli i Turqisë deri tani, historikisht, ka qenë shumë i mirë, shumë konstruktiv. Unë kam qenë ndër avokatët e tyre që mendoj se Ballkani Perëndimor duhet të ketë lidhje më të mira me Turqinë. Por, ne atëherë flisnim për një Turqi që ka destinacion Bashkimin Evropian, integrimin në BE, dhe që është aleate e çmueshme e Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar…

Erdoan Shipoli: Ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar totalisht. P.sh. çështja e financimit të xhamive. Njerëzit në Shqipëri dhe në Kosovë që janë fetarë, janë fetarë. Shumica nuk janë praktikantë. Nëse ka nevojë të bëhet një xhami, të bëhet. Nuk ka problem. Derisa ato të jenë nën kontrollin e mekanizmave në shtetet përkatëse. Por, siç e shohim në Gjermani, në Hollandë, në Danimarkë, këto shtete kanë hapur hetime kundër imamëve që janë dërguar nga Turqia, sepse ata kanë bërë punë inteligjence, dmth kanë mbledhur të dhëna për njerëzit që janë kundërshtarë, ose kritikë, të regjimit në Turqi. Nëse këto gjëra do të ndodhin në Kosovë dhe në Shqipëri, atëherë do të ketë një efekt negativ, jo vetëm për kritikët e Erdoganit, siç ka ndodhur në Kosovë, por edhe për të gjithë shtetin e Kosovës ose Shqipërisë. Për ne si shtete që duam të integrohemi në Bashkimin Evropian, që ndihemi mirë se kemi mbrojtur të drejtat e njeriut, kemi luftuar për të drejtat e njeriut, atëherë operacione si ato që kanë ndodhur në Kosovë, ose operacione inteligjence që imamët turq kanë kryer në Gjermani, Hollandë, apo Danimarkë do të jenë shumë negative për neve.

Zëri i Amerikës: Disa nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor kanë mbajtur marrëdhënie speciale me Presidentin Erdogan, mes tyre është kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. A shihni një përpjekje të zotit Erdogan për t’i kthyer këta udhëheqës në njerëz të bindur që u shërbejnë interesave të tij në këto vende?

Erdoan Shipoli: Nëse analizojmë historinë e Erdoganit, ai ka patur marrëdhënie personale me njerëz të ndryshëm, që sot i quan terroristë apo njerëz kundër Turqisë. Pra, ai përpiqet të krijojë relata shumë personale dhe të mira me ata që ai mendon se mund t’i përdorë, apo që mund të jenë në interes të tij. Por kjo do të ishte diçka shumë negative për Shqipërinë, jo vetëm për zotin Edi Rama por edhe për presidentët e shteteve të tjera, si Presidenti Thaçi, Izetbegoviçin në Bosnje, të cilët kanë marrëdhënie personale. Unë do të dëshiroja që këto të ishin marrëdhënie shtetërore, sepse dy shtete duhet të bashkëpunojnë. Por kur vjen puna te marrëdhëniet personale, aty nisin konsipiracionet që nesër mund të jenë problematike për shtetin dhe për popullin që ata qeverisin.

Zëri i Amerikës: Një rast mjaft i debatuar ka qenë memoriali turk i ngritur në Tiranë për grushtin e shtetit në Turqi, që habiti mjaft njerëz për nga fshehtësia me të cilën u bë. Ju si e shihni?

Erdoan Shipoli: Unë nuk habitem nga fshehtësia, sepse Turqia aktualisht bën veprime të tilla të fshehta kudo në botë. Unë habitem se si është lejuar diçka e tillë. Deri më sot, askush nuk mund të thotë se kush e bëri grushtshtetin në Turqi. Ka konspiracione dhe hetime të ndryshme. Nëse nesër del se ka qenë një grushtshtet për show, atëherë çfarë duhet të bëjmë? Ç’duhet të bëjmë me memorialin? A duhet ta heqim atë? Ky memorial nuk ka të bëjë fare me njerëzit që humbën jetën. Ai është një memorial politik, që Erdogani e përdor për konsum vendor. Edhe në rastin e rrëmbimit të gulenistëve në Kosovë, kjo u përdor për konsum të brendshëm. Për shembull, zëdhënësit e presidencës së Turqisë apo njerëzit e Erdoganit, dalin çdo ditë nëpër televizione ku thonë: Ne jemi shtet i fortë sepse më shumë se 100 kritikë të regjimit me operacion të paparë i kemi sjellë në Turqi nga vende të ndryshme.

Zëri i Amerikës: Një pjesë e komunitetit mysliman në Shqipëri dhe Kosovë e shohin Presidentin Erdogan si mbrojtës të myslimanëve. A është ky një rol që vetë zoti Erdogan përpiqet ta promovojë? A është kjo një politikë e tij?

Erdoan Shipoli: Është shumë interesante. Erdogani promovon çdo gjë që është në interesin e tij. Nëse e shikon me interes që të promovojë veten si udhëheqës i myslimanëve, ai e bën këtë edhe këtu në Amerikë me organizata të ndryshme islamike. Nëse e sheh me interes ta promovojë veten si demokrat, siç bëri në 10 vitet e para të qeverisjes së tij, ai e bën edhe këtë. Erdogani është islamist dhe e sheh veten si njeriu i vetëm i drejtë kur vjen puna te marrëdhëniet me Islamin. Ai nuk e ka problem të jetë udhëheqës i myslimanëve, por i myslimanëve që e mbështesin atë. Sepse edhe kurdët që po vriten në Siri janë myslimanë, Guleni gjithashtu është mysliman.

Modeli norvegjez – trumcaku në dorën e Ballkanit Perëndimor apo pëllumbi në degë?

Ballkani NorvegjezZgjerimi i BE ka vdekur me kohë, Macron vetëm e ka varrosur, thotë njëra palë. Politikë shkatërrimtare, thonë të tjerët. Tani po ravijëzohet ideja e një „modeli norvegjez“ për BP. Çfarë është kjo e a mund të ketë sukses?

Gerald Knaus duhet ta dijë se ç’ po ndodh. Ai është drejtor i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, një “think tank” me shumë ndikim në Bruksel. Knaus ka qenë ideatori kryesor i marrëveshjes mes BE dhe Turqisë për refugjatët, që uli ndjeshëm valën e refugjatëve në Ballkan. Në tekstin e publikuar javën që shkoi Knaus e quan veton, me të cilën Emanuel Makron bllokoi fillimin e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën – që në fakt ngriu gjithë procesin e zgjerimit të BE, dhënie fund të torturës (coup degrâce). Sikur afrimi i Ballkanit Perëndimor të kishte qenë një dem, shkruan Knaus, atëherë pikadorët e shumtë ndër vite e kanë vrarë kafshën pak nga pak. Makron u shfaq si matador për t‘i dhënë fund mundimit.

BE do të duhej t‘u ofronte të gjitha shteteve të BE mundësinë e aderimit në një treg të përbashkët, si Norvegjia apo Islanda“, shton analisti me ndikim.

Macron e ndërpreu lojën

Knaus nuk është i vetmi. Po shtohen zërat, që thonë se ka rënë ora zero e politikës evropiane në Ballkan, momenti që të varroset koncepti i vdekur prej kohësh i zgjerimit dhe të gjëndet diçka e re. Diçka më pak se zgjerimi, por joshëse sa duhet për t‘i mbajtur shtetet e vogla të Ballkanit në oborrin e BE.

Gazeta Večernje Novosti, duke iu referuar burimeve anonime, informoi se Parisi dhe Berlini janë duke përgatitur ofertën për në pranverë. Në maj liderët e shteteve të rajonit do të mblidhen në samitin e BE në Zagreb. A do të jetë modeli norvegjez mbi tryezë? „Vetoja e Makronit e ka torpeduar të gjithë procesin e zgjerimit. Mendoj se ky ishte qëllimi i tij“, thotë Andreas Ernst, gazetar me përvojë i Neue Züricher Zeitung, i cili për vite me rradhë ka qenë korrespondent i kësaj gazete në Beograd. „Por e mira e kësaj është, se është bërë evidente natyra e gënjeshtërt e marrëdhënieve të BE dhe Ballkanit Perëndimor.“

Makron qe i gatshëm të ndërmarrë rolin e matadorit. Disa thonë, sepse i druhet forcimit të Marin Lepen në vendin e tij – 58 përqind e francezëve e kundërshtojnë zgjerimin e BE. Të tjerë mendojnë, se Makron po e merr Ballkanin Perëndimor peng, derisa të realizojë vizionin e tij për Evropën.

Mes rreshtave lexohet se presidenti francez dëshiron një BE të disa shpejtësive apo qarqeve koncentrike. Bërthama do të rëndonte rreth boshtit Paris-Berlin, jashtë do të ishin vendet e integruara ne treg, dhe krejt jashtë vendet e asociuara, mes tyre ndoshta Ballkani Perëndimor.

Makron nuk është vetëm. Ai mori mbështetje diskrete nga Hollanda dhe Danimarka. Kritikat nga Berlini për Makronin vijnë me një të shkelur syri – është dashur t‘i lejojmë Shkupit e Tiranës të hapin bisedimet, gjithsesi ata nuk do të hyjnë në BE për të paktën dhjetë vjet. Kjo loja gjermane, thotë Ernst, është edhe më perfide.

Rregullat, thotë gazetari zviceran, janë prej vitesh të tilla: BE bën sikur dëshiron të pranojë vendet ballkanike si anëtare, dhe udhëheqjet e këtyre vendeve sikur zbatojnë reformat. „Kjo do të kishte mundur të zgjaste edhe dhjetë vite të tjera ose përgjithmonë. I gjithë ky teatër dhe gjuha politike për ‘perspektivën evropiane’ dhe ‘vlerat evropiane’ kanë marrë tani goditje të rëndë dhe është mirë kështu“, shton ai për DW. „Tani duhet të vijë oferta e re dhe ajo duhet të jetë e mirë.

Justifikim për pushtetarët e Ballkanit?

Kur dy dekada të rrugëtimit evropian me sa duket po përfundojnë në qorrsokak, nuk është e lehtë ta kuptosh atë brenda natës. Të gjitha karrierat politike, skenat e organizatave joqeveritare dhe analistëve kanë qëndruar mbi idenë se rruga drejt Bashkimit Evropian është e vetmja e mundshme dhe nëse të gjithë bëjmë përpjekje, ajo përfundon me anëtarësimin e plotë. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq përdori një analogji futbolli: gjyqtari ndryshon rregullat gjatë lojës, terreni është i rrëshqitshëm e duhet ndryshuar taktika, por qëllimi strategjik mbetet i njëjti – hyrja në BE. Homologu i tij maqedonas Stevo Pendarovski kërkoi madje një samit rajonal, në të cilin „të gjitha alternativat ndaj integrimit evropian do të refuzoheshin“.

Ky është momenti i ngazëllimit të nacionalistëve dhe euroskeptikëve në të gjithë rajonin në stilin: A ju kemi thënë se BE nuk na do.

„Nuk ndjehem i tradhëtuar“, thotë për DW Vladimir Paviçeviq, njeriu i cili në dy shtete ka mbrojtur politikën e hyrjes në BE. Fillimisht ka qenë nënkryetar dhe deputet i partisë së Re në Serbi dhe tani në Podgoricë është lider i partisë së vogël Crnogorska. „Askush nga BE nuk ka thënë se nuk do të pranohemi, nëse i plotësojmë të gjitha kriteret. Iluzionin se BE sillet në mënyrë të pandershme, mundohen ta krijojnë strukturat qeverisëse, që të fshehin simulimet e reformave dhe të justifikojnë mungesën e suksesit në procesin e bisedimeve“ pohon Paviçeviq.

Me këtë pajtohet edhe Andreja Stojkovski, analist politik nga Shkupi. Ai nervozohet sidomos, kur politika e zgjerimit shpallet e „dështuar“. „Në Ballkanin Perëndimor ka shtete, që janë të vendosura për të bërë reforma, disa që kryejnë herë pas here reforma dhe ato, që herë pas here thonë se po bëjnë diçka“, shton Stojkovski për DW.

Paviçeviq dhe Stojkovski arrijnë në përfundimin se do të ishte fatale të hiqej dorë nga premtimi, që BE u ka dhënë vendeve ballkanike në Selanik në vitin 2003 – që BE nuk është i plotë pa Ballkanin. „Vetëm procesi i pranimit i sjell kësaj hapësire stabilitet dhe perspektivën e vendosjes së rregullit, ndërsa Evropës forcim të mëtejshëm. Gjithçka tjetër do të ishte një eksperiment i pamatur“, shton Paviçeviq.

Megjithatë duhet theksuar se Makron nuk e justifikoi veton me mungesën e reformave, por me problemet e brendshme të BE. Sipas kritereve tashmë të rrepta të Komisionit Evropian, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë merituar të hapin bisedimet, ashtu siç e ka merituar prej kohësh Kosova liberalizimin e vizave. Në vend që të ecet në shtigjet e çelura nga Bullgaria, Rumania apo Kroacia – që patën kritere shumë më të zbutura – tani Ballkanit Perëndimor i ofrohet diçka, për të cilën mediat janë ende në kërkim të emrit më të mirë. Flitet për partneritet të privilegjuar, për zgjerimin “light”, por më shpesh për modelin norvegjez.

“Nuk është një model humbës”

Çfarë është modeli norvegjez? Vendi nordik është krahas Islandës dhe Lichtenshteinit anëtar i Hapësirës Ekonomike Evropiane (EEA), një mekanizëm i krijuar në vitin 1992, në të cilin bëjnë pjesë të gjithë anëtarët e BE-së. Një opcion është, që kur Britania e Madhe të largohet përfundimisht nga BE, të mbetet prapë pjesë e EEA. Tregu është i hapur, ekziston liria e lëvizjes, nuk ka dogana – përveçse për ushqimet dhe pijet, prodhime që subvencionohem shumë në BE, kështu që Norvegjia nuk do që t‘ua hapë krejtësisht dyert. „Pasaporta e Kosovës do të kishte në EEA të njejtën vlerë si ajo norvegjeze dhe shljivovica serbe do të kishte të njëjtin akses në tregun evropian si brandy zvicerian“, shkruan publicisti kosovar Veton Surroi për Koha Ditore. „Një investitor belg do të kishte të njëjtën siguri juridike në Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, si në Islandë.“

„Ky nuk është aspak një model humbës për Ballkanin“, thotë edhe gazetari Andreas Ernst. „Është më mirë që në një afat të shkurtër të bëhen hapa të vegjël integrimi, se sa të shpresosh për anëtarësim në BE dhjetë apo njëzet vjet”. Gerald Knaus në tekstin për Iniciativën Evropiane për Stabilitet propozoi që shtetet ballkanike të integrohen gradualisht në fondet evropiane. P.sh. nëse Serbia do ta rregullonte në mënyrë shembullore sektorin e peshkimit, atëherë në këtë fushë mund të trajtohej thuajse si pjesë e BE. Dhe anasjelltas – nëse gjendja përkeqësohet, mund të përjashtohet përsëri nga ky sektor. Këto janë joshje, që mund ta bënin Makronin dhe qeveritarët në Balkanin Perëndimor të dalin me një propozim të tillë. Vuçiqi dhe fqinjët, momentalisht të zënë me planet e Shengenit të Vogël, do të fitonin perspektivë për të futur shpejt vendet e tyre në tregun e një gjysëm miliard njerëzve. Nga ana tjetër presidenti francez do të kishte rast ta ngrinte nën zero historinë e zgjerimit klasik të BE, së paku deri në një rast më të përshtatshëm. Lajtmotivi i kritikave të shumta në drejtim të Makronit është se po ia lë në dorë rajonin Rusisë, Kinë, Turqisë. „Nga gjeopolitike është e pamundur ta kalosh pa e parë betejën në Ballkanin Perëndimor“, tha Anna Wieslander nga Këshilli Atlantik për New York Times. „Franca ose nuk e sheh, ose kjo është e pranueshme për të.”

“Gazetari zviceran Andreas Ernst është i bindur se modeli zviceran është i mjaftueshëm, që BE të mos ia lërë Ballkanin lojtarëve të tjerë. „Aksesi në EEA është esenciali – këtu është aksesi në fondet e infrastrukturës, është një instrument që i bën më pak tërheqëse për shembull projektet kineze të infrastrukturës apo marrëveshjen me Unionin Euroaziatik. Pra kjo i jep BE pushtet dhe ndikim“, thotë ai për DW.

Llogaritja ka shumë të panjohura. A është e gatshme Gjermania të pranojë? Si do t‘ua shesin këtë histori qytetarëve stabilokratët ballkanas? A është më mirë për Ballkanin Perëndimor të ketë trumcakun në dorë apo pëllumbin në degë?

Sidoqoftë statusi quoja është prishur, por vakuum në politikë nuk ka. Diçka e re po vjen. Një njohës i rajonit kujtoi këto ditë fjalët, që i atribuohen Churchillit: „Është gjynah ta çosh dëm një krizë të mirë.”