Kategoritë: Ballkan

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi

mali i ziPartitë e ish Frontit Demokratik pro-rus dhe Partia Boshnjake, u bënë pjesë e qeverisë së Malit të Zi, pasi parlamenti malazez miratoi të martën me shumicë votash riorganizimin e saj, mes shqetësimeve të Shteteve të Bashkuara, kundërshtimit të presidentit të vendit dhe të opozitës.

 

Partitë pro-ruse dhe pro-serbe do të kenë dy poste zëvendëskryeministrash dhe tri ministri, ndërsa boshnjakët një post zëvendëskryeministri dhe pesë ministri.

Qeveri do të ketë 24 poste ministrash dhe 7 poste zv/kryeministrash, gjë që e bën atë më të madhen në historinë e parlamentarizmit në Malin e Zi.

Në fjalën e tij para deputetëve, kryeministri Milojko Spajiç vuri në dukje rëndësinë e qeverisë për të ardhmen e vendit.

“Kjo qeveri është një garantuese i qëndrueshmërisë dhe pjekurisë. Ne jemi shembull se si serbët dhe shqiptarët, serbët dhe boshnjakët, serbët dhe malazezët – të gjithë mund të jetojnë dhe punojnë së bashku. Ne do të jemi një fanar për gjithë Ballkanin”, tha kryeministri malazez.

Riorganizimi i qeverisë u kritikua nga partitë opozitare malazeze, të cilat thanë se hyrja e partive pro-ruse, nënkupton një qeveri që do të drejtohet nga Moska dhe Beogradi.

“Koka dhe truri janë në Moskë. Shefi i kësaj qeverie është (kryetari i parlamentit) Andrija Mandiç dhe në të nuk ka asnjë përfaqësues nga kombi malazez”, tha Andrija Nikoliç nga Partia Demokratike e Socialistëve.

Sipas opozitës këto parti “mbrojnë heqjen e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtarë të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebernicë dhe mbështesin kriminelët e luftës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç të dënuar në Hagë”.

Ky është riorganizimi i parë i qeverisë malazeze e cila u formua në fund të tetorit të vitit të kaluar, duke lënë në opozitë pas gati tre dekadash Partinë Demokratike të Socialistëve të ish presidentit Milo Gjukanoviç.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht se partitë dhe udhëheqësit që kundërshtojnë vlerat euroatlantike të mos jenë pjesë e pushtetit. Një qëndrim të ngjashëm kanë shprehur edhe institucionet evropiane.

Të martën, ambasada amerikane në Podgoricë shprehu shqetësimin e saj me përbërjen e re të qeverisë.

Jemi të shqetësuar për përfshirjen në qeveri të partive dhe udhëheqësve që nuk e dënojnë agresionin rus në Ukrainë, kundërshtojnë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe veprimet e të cilëve janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore“, tha ambasada amerikane në një përgjigje për Zërin e Amerikës.

Si aleat dhe partner i ngushtë i Malit të Zi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin dhe njohin veprimet konstruktive të parlamentit dhe qeverisë, duke vënë në dukje aktivitete që janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike dhe rrezikojnë përparimin e prekshëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane, duke u bërë thirrje qeveria dhe deputetëve të qëndrojnë të përqendruar në qëllimin e përbashkët të anëtarësimit në BE dhe të shmangin çështjet që nxisin përçarje.

Para seancës së parlamentit, presidenti malazez Jakov Milatoviç, tha se “Mali i Zi sot është viktimë e tregtisë më primitive politike dhe papërgjegjshmërisë që kryeministri vazhdimisht e demonstron ndaj drejtimit të vendit”.

Në një postim në platformën e medieve sociale X, presidenti shkroi se “kur menduam që asgjë nuk mund të na befasojë më, sot jemi dëshmitarë të një tjetër mashtrimi dhe fyerjeje ndaj mendjes së shëndoshë të qytetarëve të Malit të Zi. Pasi u bë e qartë për qytetarët se ideja e ndryshimit është tradhtuar, rrënimi i jetës politike dhe i proceseve demokratike vazhdon. Mostransparenca, mungesa e parimeve dhe tregtia me interesat shtetërore, arrijnë kulmin me votimin e qeverisë më të madhe në historinë e Malit të Zi, qëllimi i së cilës është mbrojtja e interesave individuale, e jo përmirësimi i shoqërisë sonë dhe rruga evropiane e vendit”.

Mali i Zi, një vend anëtar i NATO-s që nga viti 2017, konsiderohej si vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim.

Por, për shkak të krizës politike dhe institucionale, që nga dhjetori vitit 2021 Mali i Zi nuk ka pasur një konferencë ndërqeveritare me BE-në, për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit.

voa

Sekreti i madh i BIA-s së Vuçiqit: Çfarë fshehu presidenti serb nga Scholz

Vucic Scholz

E përditshmja sarajevase “Slobodna Bosna” ka bërë një hulumtim i cili sipas tyre zbulon qëllimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, para dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së rëndësishme me kancelarin gjerman Olaf Scholz, që lidhet me prapaskenën e gërmimit të litiumit nga ana tjetër e Drinës.

“Që litiumi serb është një shkak i mundshëm i konflikteve të reja në Serbi dhe rajon, dhe rrjedhimisht edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, e kanë konfirmuar bashkëbiseduesit tanë, por edhe burime afër regjimit të Vuçiqit. Nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet BE-së dhe Serbisë për partneritetin strategjik për lëndët e para të qëndrueshme, ose shkurt ‘Memorandumi për litiumin’, duhet të shihet nga dy aspekte, ekonomike dhe politike”, thuhet në artikullin e “Slobodna Bosna”.

 

“Nëse marrëveshja e fundit do të ishte nënshkruar nga përfaqësuesit e Serbisë, politika e të cilës është plotësisht në harmoni me politikën e BE-së, nëse Serbia do të kishte vendosur sanksione ndaj Rusisë, nëse Serbia do të kishte respektuar çdo marrëveshje që ka nënshkruar me Kosovën, do të kishte njohur pavarësinë dhe do të ishte një partner i fortë i Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në OKB dhe të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, nëse Serbia dhe Kosova do të shkonin së bashku drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, nëse Serbia si një partner i rëndësishëm i BeH-së do të mbronte interesat e saj dhe jo të mbështeste shkëputjen e Republikës Serbe, nëse Serbia do të ishte një partner i fortë i Malit të Zi dhe jo një faktor përçarës i brendshëm që me ndihmën e klanit kriminal të Shkaljarëve mbështet zgjerimin e madh serb me qëllim të shkaktimit të trazirave në Malin e Zi, nëse Serbia nuk do të mbështeste një Kishë Ortodokse Serbe paramilitare dhe nëse Aleksandar Vuçiq nuk do të kishte qenë nënshkrues i memorandumit për litiumin, nuk do të kishte asgjë të diskutueshme dhe unë do të kisha mbështetur fuqishëm nënshkrimin e atij dokumenti dhe nismën ekonomike”, tha ekonomisti Boban Bogdanoviq për ‘Slobodna Bosna’.

Është krejtësisht logjike dhe në përputhje me interesat ekonomike të çdo vendi në botë, përfshirë edhe Serbinë, që të kryejë kërkime minerare dhe shfrytëzim të mineraleve në përputhje me kushtet më të sigurta dhe më moderne ekologjike. Megjithatë, që nga fillimi i ardhjes së kompanisë Rio Tinto në Serbi, që nga viti 2001, ka nisur korrupsioni më i madh sistematik i regjistruar deri më tani në botë, thekson për “Slobodna Bosna” disidenti politik serb Boban Bogdanoviq.

Bogdanoviq, i cili për pak shpëtoi nga likuidimi i shërbimeve të regjimit dhe më pas mori azil në një nga vendet evropiane, nga një vend sekret për “Slobodna Bosna” foli për qëllimet e Vuçiqit dhe regjimit të tij, si dhe për atë që fshihet pas nënshkrimit të marrëveshjes me Scholz-in.

“Rio Tinto priti me durim ardhjen në pushtet të Aleksandar Vuçiqit në mënyrë që përveç të drejtës hetimore, të siguronte edhe të drejtën e shfrytëzimit për gërmimin e litiumit, pa e kryer kurrë më parë këtë veprimtari. Pak kush e di këtë që do të them tani, mbështetjen kyçe në realizimin e korrupsionit sistematik të kryesuar nga Aleksandar Vuçiq, në vitin 2017 e dhanë: Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin. Siç dihet, pjesën më të madhe në Rio Tinto e kanë kinezët me një pjesë të kapitalit rus”, tha Bogdanoviq.

Ai ka folur edhe për atë që po bën opozita në Serbi. “Fragmentet e opozitës po udhëhiqen nga ide dhe slogane populiste dhe askush nuk ka marrë përgjegjësinë të angazhohet që nëse do të ndodhë gërmimi i litiumit, do të japin dorëheqje dhe do të tërhiqen nga jeta publike. Sa i përket opozitës që identifikohen si euroatlantistë, kemi vetëm disa politikanë që janë shumë të rezervuar ndaj gjithçkaje, gjë që është shumë mirë. Ata konsiderojnë, ashtu si edhe unë, që litiumi është një mundësi zhvillimi për Serbinë, por që nuk duhet të bazohet në atë që bazohet tani”, tha Bogdanoviq.

Sipas tij shkaku për nënshkrimin e marrëveshjes së Uashingtonit ishte pikërisht garancia që iu dha Vuçiqit.

“Trump i premtoi Vuçiqit ndarjen e Kosovës dhe mos ndërhyrjen e Amerikës në çështjet e brendshme të Serbisë, si dhe mbështetjen e plotë për Milorad Dodik dhe për të rrëzuar Milo Gjukanoviqin në vitin 2020 në Malin e Zi. Në këmbim, Vuçiq u zotua që Rio Tinto do të merrte të drejtën e shfrytëzimit të litiumit dhe që dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, do t’i mundësohej ndërtimi i hoteleve në vendin e shtabit të përgjithshëm të ish-ushtrisë jugosllave. Gjithashtu, Vuçiq u zotua që do të lejonte miliarderin Elon Musk të hapte fabrikat e tij në Serbi për prodhimin e baterive të litiumit. Për të sjellë fakte, e provon vetë Milorad Dodik, i cili nuk mundi të përmbahej deri në fund të gjithë lojës pa deklaruar dëshirën e tij për një takim me Elon Musk, pasi të gjithë janë pothuajse të sigurt për fitoren e Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Amerikë. Ashtu si miliona qytetarë të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe unë mes të gjithëve, e urrej Aleksandar Vuçiqin dhe veprimtarinë e tij politike që nga viti 1993 e deri më sot, e cila ka marrë dhjetëra mijëra jetë në të gjithë ish-Jugosllavinë. Të gjithë e dimë mirë se kush është Aleksandar Vuçiq dhe në vend që si patriot serb dhe euroatlantist të mbështes nënshkrimin e memorandumit për litiumin, për shkak të paqes në rajon, nuk mund ta bëj këtë pikërisht për të gjitha pikat e përmendura në fillim të intervistës sonë. Ata që besojnë ende në Vuçiqin, dhe nuk janë pjesë e trupit të tij politik, shpresojnë se ky memorandum do ta mbrojë Serbinë nga një katastrofë ekologjike dhe se pikërisht ky memorandum është një garanci që Rio Tinto nuk mund të marrë të drejtën e shfrytëzimit, sepse ligjet e rrepta të BE-së e mbrojnë këtë. Madje edhe unë isha i prirur që fillimisht të besoja në partneritetin e sinqertë të BE-së dhe në një përfundim të tillë, por duke njohur Vuçiqin dhe të gjitha dobësitë e kancelarit Scholz, jam i sigurt se nga kjo nuk do të dalë asgjë”, tha tutje Bogdanoviq.

Sipas informacioneve të “Slobodna Bosna”, regjimi i Vuçiqit, pas Malit të Zi dhe Kosovës, është në ekspansion kur bëhet fjalë për “gllabërimin” e mediave të papërshtatshme në rajon.

“Slobodna Bosna” shkruan se pas ‘aksioneve’ në Malin e Zi, radha ka ardhur për sulmin mediatik në Kosovë. Sipas kësaj gazete pretendohet se një portal në Kosovë është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiq, ndërsa një portal tjetër ka pranuar transaksion milionësh, me qëllim të publikimit të shkrimeve kritike për qeverinë e Albin Kurtit.

Gjithashtu, siç mëson “Slobodna Bosna”, nën vëzhgimin e Vuçiqit janë edhe mediat në Federatën e BeH.

“Sipas njohurive tona, përveç një medie të njohur në Sarajevë, emrin e së cilës nuk do ta zbulojmë ende, në radarët e Vuçiqit është edhe ‘Slobodna Bosna’. Sipas një skenari të mirëpërgatitur, një ushtri botësh ka për detyrë të rrëzojë serverët dhe të kryejë sulme ndaj portalit dhe rrjeteve sociale, gjë që deri tani kemi qenë dëshmitarë të panumërt të sulmeve të tilla, dhe nëse ai plan nuk arrin, fillohet me përpjekjet për të marrë nën kontroll median. Detajet e mëtejshme rreth mediave që ka marrë nën kontroll regjimi i Vuçiqit do t’i lexoni së shpejti në vazhdimin e hetimit tonë”, thekson tutje Slobodna Bosna.

Sipas “Slobodna Bosna” në 12 vitet e fundit BE-ja ka një qëndrim selektiv ndaj Vuçiqit dhe Serbisë, por se a është kjo e mirë për qytetarët e Serbisë, përgjigjet Bogdanoviq: “Kur analizoj me kujdes, shoh se nacionalizmi i krishterë amerikan i udhëhequr nga Trump dhe kleronacionalizmi serb i Aleksandar Vuçiqit janë dy barazi dhe mbështetje të ndërsjella që mbështeten në korpusin fashist rus të Vladimir Putinit dhe komunizmin liberal të Xi Jinping-ut. Kjo është pikërisht një nga arsyet kryesore pse të drejtën e shfrytëzimit nuk do ta marrë kompania amerikane Albemarle ose Livent, të cilët janë liderë në botë në shfrytëzimin e litiumit në përputhje me kushtet më të rrepta ekologjike dhe mbrojtjen e mjedisit”.

Bogdanoviq tutje përmendi dobësitë e kancelarit Scholz dhe politikës së jashtme gjermane ndaj Serbisë. “ Me nënshkrimin e memorandumit për litiumin, kancelari Scholz ka hequr dorë nga strategjia e diplomacisë gjermane të udhëhequr nga ministrja e Jashtme Annalena Baerbock, e cila para së gjithash insistonte në sundimin e ligjit dhe përmbushjen e standardeve të BE-së në Serbi. Deputetët gjermanë të Bundestagut dhe politikanët kryesorë në Gjermani, si dhe shumë prej nesh në rajon, janë të shqetësuar për mbështetjen e heshtur të Scholz-it ndaj politikës nacionaliste revizioniste të Aleksandar Vuçiqit sepse është gjithashtu mbështetje për deklaratën e kuvendit gjithë-serb dhe doktrinës naziste ‘Bota Serbe’. Fatkeqësisht, kancelari Scholz nuk e sheh ose nuk dëshiron ta shohë se si mbështetja e tij po çon rajonin tonë drejt destabilizimit. Me nënshkrimin e memorandumit për litiumin, kancelari Scholz duket se i ka dhënë Putinit kontrollin e plotë mbi Serbinë dhe mundësinë që Putini të dobësojë dhe ndajë Evropën”, ka shtuar ai.

Sipas “Slobodna Bosna” Vuçiq ka mësuar nga Putini një leksion shumë të rëndësishëm, se është e mundur të joshësh kundërshtarët dhe t’i bësh ata të varur nga vetja.

“Vuçiq, jam i sigurt, do ta përdorë këtë fuqi ekonomike mbi Gjermaninë për të shtyrë me sukses interesat e projektit kleronacionalist ‘Bota Serbe’, dhe e gjithë Evropa do të shikojë përshkallëzimin e konfliktit dhe unë që sot frikësohem nga shpërthimi i mundshëm i një luftë civile në Serbi”, tha tutje Bogdanoviq.

Ai paralajmëron gjithashtu se regjimi i Vuçiqit po kërcënon të përdorë forcën kundër qytetarëve të Serbisë dhe se ai ka informacione se më shumë se një milion qytetarë serbë janë të gatshëm të mbrojnë malet Cer dhe luginën e Jadrës me armët dhe jetën e tyre.

“Qytetarët e Serbisë sigurisht që nuk e dëshirojnë zbatimin e këtij memorandumi dhe jam i sigurt se as shumica e qytetarëve të BE-së, e të mos përmend edhe popujt e ish-Jugosllavisë. Scholz me vetëdije abuzoi me pozitën e tij si kancelar dhe bëri një gabim të madh me këtë mbështetje për Vuçiqin, të njëjtin gabim si BE-ja dikur me Putinin. Kam frikë se me nënshkrimin e memorandumit për litiumin është shpërdoruar mundësia për zgjidhje përfundimtare dhe ndërprerjen e të gjitha konflikteve në Ballkan, veçanërisht në BeH, Kosovë dhe Mal të Zi. Flakadani i Vuçiqit për fat të keq po digjet dhe së shpejti ai zjarr mund të bëhet një element i zjarrtë që do të përpijë shumë jetë. Scholz ka treguar dhe vërtetuar se nuk ka karakter dhe politika e tij e paaftësisë do të shkatërrojë gjithçka që u ndërtua në BE pas vitit 1945, që është mbi të gjitha paqe, liri dhe demokraci në BE. Ky memorandum për litiumin paraqet një kërcënim të madh për të gjithë ne”, tha në fund Bogdanoviq për ‘Slobodna Bosna’.

Linku i artikullit të “Slobodna Bosna”

https://www.slobodna-bosna.ba/vijest/366941/ekskluzivno_najveca_tajna_vuchiceve_sr_bia_e_i_sta_je_predsjednik_srbije_zatajio_scholzu_i_zasto_se_dodik_nije_mogao_suzdrzati.html

Alexander Kasanof, zv/ndihmës sekretar amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor

Departament of State A

Departamenti amerikan i Shtetit, bëri të ditur se Alexander “Sasha” Kasanof është emëruar zëvendës ndihmës i sekretarit për Ballkanin Perëndimor, një post që deri në muajin maj e mbante ish i dërguari për rajonin, Gabriel Escobar.

 

Sipas njoftimit të publikuar në faqen e DASH-it në internet, zoti Kasanof është edhe zëvendës ndihmës i sekretarit për Media dhe Diplomaci Publike në Byronë për Çështje të Evropës dhe Euroazisë.

Në njoftim thuhet se zoti Kasanof kishte shërbyer si asistent ekzekutiv i ish nënsekretares për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass.

Ai ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë. Për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën amerikane në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit dhe më agresionit rus në Ukrainë, kishte fituar çmimin James Clement Dunn, një çmim i themeluar në vitin 1980 për të njohur punën e mirë të diplomatëve të karrierës në Departamentin e Shtetit.

Në njoftim thuhet se në Uashington ai ka shërbyer si drejtor i Zyrës për Politika Globale dhe Programe në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, drejtor i Zyrës për çështje të Evropës Lindore dhe zëvendësdrejtor i Zyrës për çështje të Kaukazit dhe konflikteve rajonale.

Alexander “Sasha” Kasanof, thuhet në njoftim, ka përfunduar studimet në Kolegjin Kombëtar të Luftës, në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Johns Hopkins dhe në Kolegjin Hamilton. Ai flet frëngjisht, italisht, rusisht dhe spanjisht.

voa

Tendencat islamiste në Ballkanin Perëndimor

imami

A po shkakton lufta në Gaza një valë të re radikalizimi në Ballkanin Perëndimor? Tentativa e sulmit ndaj një rojeje në ambasadën izraelite në Beograd lë vend për shqetësime.

 

Islamizmi në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në rajonin e Sanxhakut në jugperëndim të Serbisë konsiderohet kozmopolit dhe tolerant. Këtu myslimanët sunitë kanë jetuar prej shekujsh me të krishterët dhe hebrenjtë dhe kanë krijuar formën e tyre të islamit evropian. Por që nga vitet 1990 ky islam ka qenë vazhdimisht nën ndikimin e presioneve të jashtme. Një sulm ndaj një rojeje të ambasadës izraelite në Beograd me 29.06.2024 shton drojën, se mund të krijohet një valë e re radikalizmi.

 

Para luftës në Bosnjë (1992-1995) në Ballkan nuk kanë ekzistuar salafistë apo vehabistë, thotë Vedran Dzihic nga Instituti Austriak për Politikë Ndërkombëtare në Vjenë. “Ata nuk i kanë rrënjët në Ballkan.” Deri sot grupet radikale janë një pakicë e vogël ndër muslimanët.

 

Para luftës në Bosnjë (1992-1995) në Ballkan nuk kanë ekzistuar salafistë apo vehabistë

Ndikimi i grupeve radikale gjatë luftës në Bosnjë

Gjatë luftës në Bosnjë boshnjakët muslimanë morën mbështetje të konsiderueshme ushtarake veçanërisht nga vendet islamike dhe së bashku me luftëtarët e huaj, në vend hynë edhe rryma radikale të islamit, të cilat nuk u zhdukën prapë me përfundimin e luftës. Ata përbëjnë “bazën e islamizmit politik” në Bosnjë-Hercegovinë, shkruan Karsten Dümmel në një analizë për Fondacionin Konrad-Adenauer (KAS). Dümmel ka qenë drejtues i zyrës së KAS në Sarajevo nga 2014 deri 2018.

Rreth 4000 muxhahedinë nga vendet arabe luftuan në atë kohë në anën boshnjake, shumë prej tyre qëndruan aty pas marrëveshjes së Paqes së Dayton-it në vitin 1995. Me ndihmën e hapur nga Arabia Saudite grupimet radikale u etabluan që nga fundi i viteve 1990-të në disa rajone të Bosnjë-Hercegovinësdhe Sanxhakut. Me paratë saudite u ndërtuan xhamitë salafiste dhe u mirëmbajtën institucionet kulturore.

Gjatë luftës në Siri dhe Irak shteti islamik shërbeu si orientim për të rinjtë, që ishin të frustruar nga shoqëria dhe që shkuan të luftonin për xhihadin në Siri dhe Irak, thëtë politologu Dzihic. Bosnjë-Hercegovina ishte në atë kohë një nga vendet evropiane me numrin më të madh të luftëtarëve të IS-it në raport me numrin e popullsisë. Këta simpatizantë të IS-it vinin kryesisht nga disa fshatra salafistë të mbikqyrur mirë në Bosnjë. Pas rënies të IS në Siri dhe në Irak në vitin 2019 kjo formë radikalizimi u zbeh sërish; që atëherë nuk ka pasur më sulme islamiste në Ballkanin Perëndimor.

 

Tërheqja e sauditëve

Por organizatat radikale vazhdojnë të ekzistojnë, megjithëse Arabia-Saudite i ka reduktuar ndihmat e saj financiare. Autori në Beograd, një serb i konvertuar, sipas mediave u radikalizua prej tyre. Ai jetonte kohët e fundit në qytetin me shumicë muslimane të Novi Pazarit në rajonin Sanxhakut në Serbinë jugore.

Në janar 2020 princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman bëri të ditur, se nuk do të ndihmojë më për ndërtimin e xhamive jashtë vendit. Në një fjalim televiziv në vitin 2021 sundimtari de-fakto i vendit e cilësoi “interpretimin ultra-konservator të islamit si të kapërcyer”.

Këtu u shemb në fakt një shtyllë e ekstremizmit, por faktorët e rinj luajnë një rol të konsiderueshëm. Lufta e vazhdueshme në Lindjen e Mesme mund të bëhet një shtytje e re për radikalizim. “Deri tani ka pasur vetëm pak ndikime të luftës së Gazës në Ballkan”, mendon Giorgio Cafiero, ekspert për Ballkanin në think tank-un amerikan Gulf State Analytics. “Por sa më shumë të zgjasë situata në Gaza, aq më shumë shtohet rreziku.” Lufta në Gaza është duke kontribuar më shumë se çdo konflikt në botë për radikalizimin e muslimanëve të rinj. “Në botën arabe dhe islame kemi emocione të forta për shkak të vdekjeve të shumta në Gaza, që ndodhin çdo ditë.” Kjo mund t`i shtyjë shumë të rinj në duar të forcave radikale.

 

Radikalizim nga lufta në Gaza?

Edhe politologu Vedran Dzihic mendon se ngjarjet aktuale në Lindjen e Mesme mund të krijonin një valë të re radikalizimi, edhe pse se sa është numri i radikalëve të rinj nuk mund të thuhet saktësisht. Në Ballkanin Perëndimor lufta në Gaza përceptohet si një fushatë mbarëbotërore kundër muslimanëve.

“Perëndimi vajton fëmijët e vdekur në Ukrainë, për Gazën heshtet.” Kjo çon në hidhërim, në ndjenja antiperëndimore dhe antisemitizëm.

Edhe politika e Serbisë perceptohet si ambivalente. Nga njëra anë vendi mbështet shqetësimet e palestinezëve, nga ana tjetër ai furnizon me armë edhe Izraelin që nga 7.1.2023.

 

Pabarazia sociale dhe pakënaqësia

Shumica e muslimanëve në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Sanxhak i refuzojnë tendencat ekstreme si një abuzim me fenë e tyre. Bashkësia islame u distancua qartë nga sulmi terrorist në Beograd. Por krahas luftës në Gaza, pabarazia sociale dhe premtimi i pambajtur për një të ardhme më të mirë pas fundit të luftës në Bosnjë përbën terren radikalizmi.

“I gjithë rajoni në vitet 1990 përjetoi një rënie të madhe sociale dhe ekonomike”, thotë Vedran Dzihic. “Shpresat për një ‘proces përmirësimi” nuk janë plotësuar.” Ajo që ka përfituar është vetëm një elitë e vogël, e afërt me regjimet. Masa e madhe e boshnjakëve lufton me margjinalizimin, varfërinë dhe me një standart të ulët jetese gati në kufirin e varfërisë. Ndër të rinjtë ka një pakënaqësi të madhe për gjendjen e tyre. Me qindra largohen çdo vit nga rajoni.

“Kjo situatë shkakton pakënaqësi dhe ushqen terrenin për ideologjitë ekstreme, jo vetëm ato islamiste, por edhe për nacionalizmin serb.” Muslimanët në Sanxhak e shohin veten edhe të pafavorizuar dhe të diskriminuar nga serbët. Pas sulmit në Beograd rreziku i ndjenjave antimuslimane në Serbi po rritet. Kjo nga ana tjetër do të nxiste më tej spiralen e zhgënjimit dhe të radikalizimit.

Autore: Claudia Mende

Serbia do të bëhet qendër e furnizimit evropian me litium

litium Vucic

Serbia pret të ardhura në miliarda, kurse BE-ja shpreson të pakësojë varësinë nga Kina. BE dhe Serbia do të bashkëpunojnë për shfrytëzimin e një prej depozitave më të mëdha të litiumit në Evropë.

 

Serbia pret të ardhura në miliarda, kurse BE-ja shpreson të pakësojë varësinë nga Kina. BE dhe Serbia do të bashkëpunojnë për shfrytëzimin e një nga depozitave më të mëdha të litiumit në Evropë.

Serbia do të bëhet qendër e furnizimit evropian me litium dhe me bateri. Kancelari gjerman Olaf Scholz, nënpresidenti i Komisionit të BE-së, Maros Sefcovic, dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç nënshkruan në Beograd një marrëveshje bashkëpunimi për shfrytëzimin e lëndëve të para dhe për prodhimin e baterive, veçanërisht për makinat elektrike.

Marrëveshja mes Serbisë dhe BE-së ka një vlerë prej disa miliardë eurosh.

Ambientalistët: Projekti rrezikon ujin e pijshëm

Kjo marrëveshje do të mundësojë nxjerrjen litiumit, një metali i rrallë dhe jashtëzakonisht i kërkuar, nga një minierë në Luginën e Jadarit në Serbinë Perëndimore.

Për Serbinë ky është investimi i drejtpërdrejtë më i madh nga investitorë të huaj në historinë e vendit. Qëllimi i qeverisë në Beograd është që të ndërtojë një zinxhir vlerash për elektromobilitetin që nga nxjerrja e lëndëve të para deri tek prodhimi i baterive.

Ambientalistët serbë po bëjnë rezistencë masive ndaj projektit. Ata kritikojnë ndër të tjera se minierat e litiumit ndotin ujërat nëntokësore me metale të rënda dhe gjë që përbën një kërcënim për furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve.

Kancelari Scholz siguroi se gjatë nxjerrjes së metalit të rrallë do të zbatohen “standardet më të larta” të mbrojtjes së mjedisit. “Ne do ta mbështesim këtë gjë dhe do të bëjmë pjesën tonë për të siguruar që zbatimi i standardeve të bëhet realisht.”

Litiumi e sjell Serbinë më pranë Evropës

Edhe Kina bëri përpjekje për të shfrytëzuar rezervat në Serbi, madje presidenti Xi Jinping ishte për vizitë në Beograd në muajin maj. Fakti që mundësia për shfrytëzimin e rezervave të litiumit iu dha evropianëve, konsiderohet nga pala gjermane si sukses i madh, sepse ky projekt mund të shërbejë ndoshta si shembull për projekte të tjera për lëndët e para.

Nënpresidenti i Komisionit të BE-së, Maros Sefcovic, tha se kjo është një “ditë historike” dhe e konsideroi marrëveshjen si një hap të Serbisë drejt BE-së.

dw

Çfarë pritet nga vizita e Scholzit në Beograd?

Vucic

Kancelari gjerman, për habinë e shumë njerëzve, po udhëton drejt Beogradit. Pritet nënshkrimi i një kontrate me rëndësi. Sa do të përfitojë Serbia?

 

Publiku gjerman u befasua disi kur të mërkurën në mëngjes, zëdhënësi i qeverisë federale, Steffen Hebestreit, njoftoi se kancelari gjerman Olaf Scholz do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në fund të kësaj jave në Beograd. Njoftimet e tilla afatshkurtra të udhëtimeve ndërkombëtare të kancelarit janë shumë të pazakonta, udhëtimet dhe aktivitetet koordinohen me javë përpara udhëtimit.

Arsyeja e vërtetë e vizitës së Scholzit

Në njoftim thuhet se Scholz do të diskutojë për “marrëdhëniet dypalëshe” me Aleksandar Vuçiqin, si dhe për çështje që lidhen me “politikën evropiane dhe ndërkombëtare”. Pra, informacionet janë shumë të përgjithshme. Asnjë fjalë për ftohjen e fundit të marrëdhënieve mes Berlinit dhe Beogradit për shkak të rezolutës së OKB-së për Srebrenicën, e cila u iniciua kryesisht nga Gjermania dhe që i shërbeu Vuçiqit për sulmet e shumta ndaj Berlinit, të cilat shkuan aq larg sa u fol për një “paradoks”. Vuçiqi dhe Serbia thoshin madje se është tepër paradoksale që Gjermania flet për gjenocid, “pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore”.

Në raportet mes tyre ka probleme të mëdha edhe për shkak të procesit të ngrirë në normalizimin emarrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili nuk po shkon mirë, pavarësisht angazhimit të Gjermanisë. E ka dhe tema të tjera shumë të diskutueshme, siç është raporti i Serbisë me Rusinë.

Megjithatë kjo vizitë e papritur tregon se Beogradi dhe Berlini nuk duan të gërmojnë në plagët e hapura, por duan të flasin për raportet dypalëshe.

“Të dy shtetarët, pas bisedimeve dypalëshe, do të marrin pjesë në ‘Samitin kritik të lëndëve të para’. Në mesin e pjesëmarrësve do të jetë edhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviq, si dhe përfaqësues të ekonomisë. Si pjesë e samitit, Serbia do të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi me Bashkimin Evropian për një partneritet strategjik në lidhje me lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e furnizimit me bateri për makinat elektrike,” u bë e ditur. Konferenca në Beograd u emërua zyrtarisht me emrin “Serbia, roli i saj në të ardhmen e gjelbër të botës.”

Kuban: „Serbia zgjidh problemet“

Të pyetur nga DW, përfaqësuesit e partive të përfaqësuara në Bundestag kanë reagime të ndryshme ndaj lajmit për udhëtimin e paralajmëruar afatshkurtër të Scholzit në Beograd, me qëllim sigurimin e lëndëve të para të rëndësishme. Përfaqësuesi i grupit parlamentar të Demokristianëve (CDU/CSU) për Serbinë, Tilman Kuban, i cili së fundmi vizitoi Beogradin, është i kënaqur me këtë iniciativë. Si përfaqësues i opozitës parlamentare, ai padyshim që kritikoi kancelarin gjerman, sepse, thotë ai, “i ka injoruar për një kohë të gjatë vendet e Ballkanit Perëndimor”. Por ai shton se është mirë që tani po merr sërish iniciativën “në interes të ekonomisë gjermane”.

“Me këtë projekt Serbia tregon se dëshiron t’i zgjidhë problemet në Evropë, jo t’i krijojë ato. Kushdo që dëshiron të zgjerojë përdorimin e resurseve të rinovueshme të energjisë dhe më shumë elektromobilitet, nuk duhet të pengojë shfrytëzimin e litiumit. Sepse ne evropianët mund të afirmojmë veten në konkurrencën gjeopolitike vetëm me lëndët tona të para”, theksoi Kuban për DW.

Juratoviq: Vuçiq do ta shesë marrëveshjen si fitore ndaj Gjermanisë

Anëtari i komisionit parlamentar për çështjet evropiane të Partisë liberale (FDP) Thomas Hacker është më pak euforik se kolegu i tij kristiandemokrat. “Ne do të monitorojmë me kujdes udhëtimin e planifikuar të kancelarit Scholz në Serbi. Në të kaluarën, presidenti Vuçiq vazhdimisht u paraqit si partner i zotit Orban dhe zotit Putin, duke rrezikuar kështu afrimin e qëndrueshëm me Bashkimin Evropian”, tha Hacker për DW.

Ai vuri në dukje përkeqësimin e situatës me gjendjen e demokracisë në Serbi, si dhe procesin e ngrirë të afrimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. “Kancelari duhet t’i trajtojë qartë këto çështje gjatë udhëtimit të tij. Bashkëpunimi i rëndësishëm ekonomik nuk guxon ta lërë në hije bashkëpunimin politik”, ka përfunduar përfaqësuesi i FDP-së, partia në pushtet e cila normalisht shihet si mbrojtëse e interesave të ekonomisë.

Më kritikuesi i udhëtimit të Scholz në Beograd është Josip Juratoviq, një deputet i vjetër i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) në pushtet dhe një njohës i situatës në Evropën Juglindore. “Vuçiq me gjasë do ta shesë këtë marrëveshje në Serbi, sipas modës së vjetër, si fitoren e tij të madhe politike ndaj Gjermanisë. Në realitet, megjithatë, është turp për politikën e tij në Serbi që për të shmangur presionin nga rruga, ai duhet të sigurojë standarde nga jashtë”, tha Juratoviq në një deklaratë që u raportua edhe nga media të tjera.

Juratoviq beson se për këtë shpejtësi në marrjen e iniciativës duhet falënderuar fakti që Vuçiq tashmë “i ka futur kinezët në lojë”. “Është e qartë se BE-ja nuk mund ta lërë shfrytëzimin e litiumit në Serbi në standardet kineze. Për të garantuar vende pune në Gjermani dhe BE, dhe në të njëjtën kohë për të arritur qëllimet klimatike që i kemi vendosur vetes, ne duhet të sigurojmë burime jashtë BE-së, por në të njëjtat kushte ekologjike dhe sociale”, përfundoi Juratoviq.

Traktati i Litiumit – një hap i rëndësishëm në afrimin me BE-në

Mediat gjermane shkruajnë se kancelari gjerman po udhëton drejt “mikut të Putinit dhe Orbanit”, i cili kohët e fundit është “pak a shumë i izoluar ndërkombëtarisht” pikërisht për shkak të miqësisë së hapur me kundërshtarët e deklaruar të BE-së. Por për përfaqësuesit e ekonomisë, me rëndësi është se me çfarë do të kthehet Scholz në shtëpi: kontrata për furnizimin e lëndës së parë më të rëndësishme për industrinë e automjeteve që për momentin është në vështirësi.

Matthias Wechter, drejtor i departamentit të bashkëpunimit ndërkombëtar të Shoqatës Gjermane të Industrialistëve (BDI), beson se nënshkrimi i një marrëveshjeje për lëndët e para ndërmjet BE-së dhe Serbisë do të ishte një hap shumë i rëndësishëm drejt qëllimit të diversifikimit të industrisë gjermane dhe evropiane. Ai citon të dhënat (të mbështetura nga kompania Rio Tinto) që çdo vit mund të shfrytëzohen 58.000 tonë litium në luginën e Jadrës, që do të mbulonte 17 për qind të nevojave evropiane.

Vechter konkretisht thekson pse marrëveshja me Serbinë do të ishte një plus i madh për industrinë evropiane, mbi të gjitha, automobilistike. “Deri më tani, industria gjermane ka blerë litium, i cili është i rëndësishëm për bateritë, kryesisht nga Amerika e Jugut dhe Australia. Problemi qendror është varësia nga Kina për përpunimin e mëtejshëm të litiumit. Në këtë kontekst, është shumë e mirëseardhur që një pjesë e madhe e përpunimit të mëtejshëm të bëhet drejtpërdrejt në Serbi, dhe për rrjedhojë në Evropë”.

Një nga drejtuesit e BDI beson se Serbia mund të përfitojë edhe politikisht nga kjo marrëveshje ekonomike. “Do të ishte gjithashtu një hap i rëndësishëm për afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian. Bashkëpunimi në fushën e lëndëve të para do të ishte një sinjal i fortë”, përfundon Vechter.

Aleksandar Vuçiq dhe Javier Milei

Anja Quiring, drejtoreshë e Departamentit për Evropën Juglindore në Komitetin Ekonomik Gjerman për Evropën Lindore (Ost Ausschuss), në një intervistë për DW, shpreh shpresën se kancelari do ta shfrytëzojë këtë vizitë për thellimin e marrëdhënieve politike dhe përshpejtimin e procesit të afrimit me Bashkimin Evropian, pra se do të jetë një lloj përgatitjeje për samitin e Procesit të Berlinit.

“Ne supozojmë se kancelari do të përgatisë gjithashtu një samit në bisedimet e tij në Beograd dhe mbi të gjitha do të theksojë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik,” thotë Quiring. Ajo shtoi se përveç marrëdhënieve dypalëshe, është i rëndësishëm edhe bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet vendeve të rajonit dhe kjo është diçka për të cilën Procesi i Berlinit po punon për dhjetë vjet.

Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Handelsblat”, Vuçiq tha se Kina nuk do të ketë qasje në litiumin serb. “Ne i jemi besnikë Evropës”, ​​tha presidenti i Serbisë.

Kancelari Scholz ka treguar tashmë një herë, disa javë më parë, se është gati të kapërcejë hijen e tij dhe të pranojë bisedimet me politikanë të diskutueshëm kur bëhet fjalë për sigurimin e litiumit për industrinë e automjeteve. Së fundi ai priti në Berlin edhe presidentin e ri të Argjentinës, Javier Milea. Si Argjentina ashtu edhe Serbia kanë depozita të mëdha të këtij metali të çmuar.

dw

Mali i Zi, shtohen masa e sigurisë për ish presidentin Gjukanoviç pas informacioneve për atentat të mundshëm ndaj tij

gjukanovic

Drejtoria e Policisë së Malit të Zi njoftoi të dielën se pas marrjes së informacionit nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare “që ende po verifikohet” për kërcënimet për vrasjen e ish-presidentit Milo Gjukanoviç, ka vendosur të forcojë sigurinë e tij.

 

Pas njoftimit për media, Drejtoria e Policisë ka marrë informacionin e duhur nga Agjencia. Theksojmë se besueshmëria e informacionit është ende duke u kontrolluar nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare”, tha Drejtoria e Policisë. .

Të shtunën mediat malazeze, duke cituar burime jozyrtare nga zyra e ish-presidentit, njoftuan se një grup kriminal nga një shtet fqinj, së bashku me shërbimin e inteligjencës nga një shtet tjetër fqinj, po planifikojnë të vrasin zotin Gjukanoviç.

Milo Gjukanoviç është themeluesi dhe udhëqësi për një kohë të i Partisë Demokratike të Socialistëve, partisë që ishte në pushtet në Mal të Zi për afro tre dekada.

Partia e tij humbi zgjedhjet e vitit 2020 dhe pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2023 nga Jakov Milatoviç, zoti Gjukanoviç u tërhoq nga politika.

voa

Senatorët amerikanë rikonfirmojnë përkushtimin e SHBA-së ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

SenatoretBashkëkryetarët e Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senat, demokratja Jean Shaheen dhe republikani Thom Tillis shprehën të martën përkushtimin dypartiak ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe disktuan për mënyreat se si Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin aspiratat e vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

 

Dy senatorët i shprehën qëndrimet e tyre në një njoftim për median, pas një takimi dypartiak në Kapitol me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe ministrin e jashtëm të Malit të Zi, Filip Ivanoviç të cilët ndodhen në Uashington për takimin e nivelit të lartë të NATO-s.

Senatorët vlerësuan kontributet e këtyre vendeve në NATO, mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe rolin e tyre ndaj stabilitetit rajonal.

“Ne kemi mundësinë të demonstrojmë përkushtimin tonë ndaj Ballkanit Perëndimor duke mbështetur përparimin e secilit nga këto vende drejt anëtarësimit në BE, gjë që do të ndihmonte që aleanca jonë transatlantike të arrijë stabilitet rajonal dhe global”, tha Senatorja Shaheen.

“Uniteti ynë i palëkundur është një shprehje e qartë e vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara për të mos frenuar përpjekjet për të minuar paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha ajo.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është kritik për sigurinë e Evropës, dhe si bashkëkryetarë të Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senat, ne e bëmë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’iu kundërvënë regjimeve totalitare, në mënyrë të veçantë në kushtet kur Rusia vazhdon luftën e paligjshme kundër Ukrainës dhe kërcënon aleatët tanë të NATO-s”, tha Senatori Tillis.

Në takim morën pjesë edhe senatorët republikanë Mike Rounds, Jerry Moran dhe Pete Ricketts.

Si bashkëkryetarë të Grupit Vëzhgues të NATO-s, Senatorët Shaheen dhe Tillis kanë drejtuar përpjekjet dypartiake në Senat në mbështetje të Aleancës transatlantike.

Ata kanë bërë thirrje për një rikonfirmim të angazhimit të SHBA-së ndaj NATO-s.

Këtë javë në Uashington po mbahet takimi i nivelit të lartë të aleancës, që shënon 75 vjetorin e nënshkrimit të Traktatit për themelimin e saj, një përvjetor që vjen mes sfidave jetike për aleancën.

voa

Bosnje-Hercegovinë: Parada e ushtarëve serbë ndez polemikat

parada bosnjeMe rastin e 82-vjetorit të Betejës së Kozarës, kadetët e Ushtrisë Serbe parakaluan nëpër Prijedor. Reagime të ashpra nga Federata e B-H për “hyrjen e ushtrisë së një vendi tjetër në territorin e tyre pa leje.

 

Rreth 30 kadetë dhe 20 oficerë të Akademisë Ushtarake në Beograd parakaluan nëpër rrugët e qytetit të Prijedorit për të shënuar 82 vjetorin e Betejës së Kozarës. Por tetë dekadat e luftës antifashiste mbetën nën hijen pikërisht të kësaj ngjarjeje, duke shkaktuar reagime të ashpra nga zyrtarët e Bosnjë-Hercegovinës, nga të cilët nuk është kërkuar leje për këtë parakalim të ushtarakëve serbë. Ata kërkojnë shpjegim se si pjesëtarët e ushtrisë së një vendi tjetër pa miratimin e askujt mund të hyjnë në territorin e Bosnjë-Hercegovinës (B-H). Menjëherë kanë reaguar dy anëtarë të Presidencës së B-H, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, të cilët kanë paralajmëruar se pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Serbisë nuk kanë leje nga Presidenca për të hyrë në territorin e B-H.

 

Reagimi i dy anëtarëve të Presidencës së B-H

“Parada e Ushtrisë Serbe në Prijedor, qyteti ku popullata joserbe u shënua me shirita të bardhë para se të dërgohej në kampet e përqendrimit të vdekjes, paraqet një tjetër njoftim për fillimin e zbatimit të projektit të Serbisë së Madhe dhe qëndrimeve antidejton të Vuçiqit, i miratuar më 8 qershor në Beograd”, tha Beqiroviq. Në fakt, ai paralajmëroi për deklaratën e miratuar së fundmi në Parlamentin Gjithëserb, e cila, sipas kryetarit të Presidencës së B-H, në thelb minon parimet themelore të Bashkimit Evropian. Kjo është arsyeja pse për sot (8 korrik) ka caktuar një takim me Përfaqësuesin e Lartë Chistian Schmit.

As Komshiqi nuk u tregua më i butë, duke kërkuar nga institucionet e B-H që menjëherë të hetojnë se kush e ka lejuar hyrjen e ushtrisë së një vendi tjetër në territorin e B-H, pa ndjekur procedurat.

“Pyetja e parë dhe themelore është kush e miratoi hyrjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Serbe në Bosnjë-Hercegovinë? Presidenca e B-H nuk e bëri këtë. A e bëri këtë Ministria e Mbrojtjes? Kjo duhet të përcaktohet menjëherë. Nëse nuk është as Ministria e Mbrojtjes, atëherë është një akt klasik agresioni”, tha Komshiq.

Ministria e Mbrojtjes së Bosnjë-Hercegovinës thotë se nuk kanë dhënë asnjë pëlqim për hyrjen e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura Serbe në Bosnjë-Hercegovinë. Ministri përgjegjës Zukan Helez ka kërkuar edhe kontrolle të brendshme në Ministri për këtë rast.

Por autoritetet e Serbisë thonë se i kanë njoftuar institucionet e Bosnjë-Hercegovinës për hyrjen e kadetëve të Ushtrisë Serbe në kuadër të përkujtimit të Betejës së Kozarës. Për çdo gjë është informuar Policia Kufitare, Ministria e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe Drejtoria për Koordinimin e Organeve Policore të Bosnjë-Hercegovinës. Nga letra e Ambasadës së Serbisë në B-H drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, shihet se MPJ-ja është njoftuar se në kuadër të përkujtimit të përvjetorit të Betejës së Kozarës, në Bratunac dhe Prijedor, studentët dhe kadetët e Akademisë Ushtarake në Beograd, së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, do të qëndrojnë në Bosnjë-Hercegovinë.

 

„Nuk janë ushtarë të vërtetë”

“Në ceremoni do të vishen uniforma zyrtare dhe asnjë prej tyre nuk do të ketë armë. Ambasada kërkon që organet kompetente të Bosnjë-Hercegovinës të sigurojnë kalim të papenguar, kontrolla të përshpejtuara në pikat kufitare”, thuhet në letrën e Ambasadës së Serbisë në Bosnjë- Hercegovinë. Më vonë edhe portalet kanë konfirmuar se këtu bëhet fjalë për kadetë dhe jo ushtarë të vërtetë.

“Sipas njohurive të mia, këta nuk janë ushtarë të vërtetë, por kadetë të Akademisë Ushtarake nga Serbia. Bëhet fjalë për kadetë, nuk është ushtri, por janë nxënës në mësime”, tha Helez.

Mirëpo, për shumicën e opozitës në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, ky shpjegim nuk ndryshon asgjë sepse, siç thonë ata, bëhet fjalë për pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë, pavarësisht nëse kanë qenë kadetë apo ushtarë.

“Ata janë një komponent i Forcave të Armatosura Serbe dhe kjo përpjekje për të justifikuar nuk mban ujë.” Kam përjetuar një tronditje si çdo qytetar. Kjo na tregon se gjithmonë mund të bëhet më keq”, tha Edin Ramiq (SDA).

 

“Më në fund”

Nga ana tjetër, në Republikën Serpska nuk shohin asgjë të diskutueshme. Përkundrazi, presidenti i RS-së, Milorad Dodik, ka komentuar shumë shkurt parakalimin në rrjetin social X.

“Më në fund”, ka shkruar shkurt Dodik gjatë parakalimit, ndërsa më pas ka thënë se “as herën tjetër nuk do t’i kërkojë leje Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës”. Ai thotë se Komshiqi dhe Beqiroviqi kanë standarde të dyfishta dhe udhëheqin politikë kundër Republikës Srpska.

“Ata shqetësohen nga një duzinë djem që janë anëtarë të akademisë, të paarmatosur, sepse ngjarja rreth Kozarës është një vend i vrasjeve të mëdha të popullit serb. Në vend që të thonë një fjali rë mirë për këtë temë, ata shqetësohen nga djemtë dhe vajzat që krenohen me uniformën që mbajnë”, tha Dodik.

Shoqata e Nënave të Srebrenicës kërkon reagimin e Përfaqësuesit të Lartë lidhur me hyrjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Serbe në territorin e Bosnjë-Hercegovinës. Ata shqetësohen për sigurinë, veçanërisht pasi e gjithë kjo po ndodh disa ditë para përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

 

Vulin: Nderim i paraardhësve

“Ushtria e Serbisë gjendet në territorin e Bosnjë-Hercegovinës sovrane. Ndërsa ne si në vitin 1995, duhet të presim në pragun e shtëpisë sonë që të na vrajnë, përndjekin e përdhunojnë, përderisa e gjithë bota hesht. Kërkojmë reagim urgjent nga institucionet kompetente dhe komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në këtë shoqatë.

Kanë reaguar edhe autoritetet serbe: Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, përmes një deklarate ka thënë se kadetët me uniformë po tregojnë respekt për të gjithë paraardhësit e famshëm, e që nga viti 2015 kjo po bëhet edhe në Kozarë dhe Donja Gradina. Ai shtoi se problemi nuk janë kadetët e Akademisë Ushtarake, por problemi që “serbët po përkujtojnë se ustashët kroatë kanë kryer gjenocid”. “Unë thjesht nuk e kuptoj se çfarë lidhje ka anëtari boshnjak i Presidencës së B-H-së, Zheljko Komshiq me kroatët. Ndërsa për lighjet me ustashët e kam të qartë”, tha Vulin.

dw

Analistët: Veprimet e Qeverisë rrezikojnë të ardhmen e Malit të Zi

PodgoricaAnalistët vlerësojnë se qeveria aktuale në Malin e Zi, me disa veprime, politikisht po ofrohet me politikën zyrtare të Beogradit dhe Moskës. Ata thone se konfrontimi i fshehtë dhe i qetë fillimisht po bëhet me fqinjët e saj e më pas me Perëndimin.

 

Këtë, sipas tyre, e dëshmon edhe miratimi i rezolutës për gjenocidin në Jasenovac në parlamentin e Malit të Zi, iniciuar nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse.

Analistet theksojnë se koncepti aktual i një pjese të shumicës qeverisëse në Malin e Zi, e cila është politikisht e afërt me Beogradin dhe Moskën zyrtare, është në konfrontimin gradual dhe të qetë fillimisht me fqinjët e saj e më pas me Perëndimin.

Këtë e dëshmon sipas tyre edhe miratimi i rezolutës për gjenocidin në Jasenovac, në parlamentin e Malit të Zi, e iniciuar nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse.

Analisti i njohur Xhevdet Pepiq këtë veprim e sheh si një mënyrë për t’i ikur problemeve të shumta aktuale të shoqërisë duke iu kthyer të së kaluarën.

“Përmes rezolutës për Jasenovacin tentohet të merremi me të kaluarën. Jemi një shoqëri ku më së shumti ngatërrohemi me të vdekurit se sa me të gjallët. Kroacia e sotme nuk ka lidhje me atë ngjarje tragjike, por më lehtë është të akuzosh tjetrin për krime të luftës”, thotë Pepiq.

Edhe analisti dhe publicisti Gjokë Dukaj shpreh qëndrimin e ngjashëm se me aktualizimin e së kaluarës nuk mund të ecet përpara drejt integrimit evropian të Malit të Zi.

“Miratimi i rezolutës për ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac ka shkaktuar një tronditje të thellë brenda spektrit politik këtu në Malin e Zi. Është interesante se strukturat politike të cilat merren kryesisht me të kaluarën insistojnë gjithnjë në aktualizimin e shumë çështjeve nga e kaluara edhe pse të vetëdijshëm se me qëndrime të tilla nuk mund të ecet përpara,” tha zoti Dukaj.

Analisti Dukaj thotë se këto veprime të shumicës parlamentare bëhen me qëllim që Malit të Zi të ngecë në rrugën e integrimeve evropiane . Zoti Pepiq, vë në dukje, se me këtë rezolutë bëhet instrumentalizimi i viktimave për qëllime politike.

“Ne po merremi më shumë me rezoluta se sa me çështjet jetike për shoqërinë tonë dhe me të ardhmen. Duke u marrë me të kaluarën po instrumentalizohen të vdekurit për qëllime politike duke sjellë përçarje të reja në rajon”, thotë analisti Pepiq.

Analistët vlerësojnë se shumica qeverisëse po i dëmton interesat kombëtare të Malit të Zi ku ndër të tjera, mund të ndalojë rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian.

Ata vlerësojnë se rezoluta është një mashtrim, për faktin se askush nuk e konteston gjenocidin në Jasenovac.

Jasenovac përkujtohet si një kamp përqendrimi i krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Kroacisë. Në Jasenovac u vranë dhe u dhunuan me dhjetëra mijëra vetë, shumica e cilëve ishin serbë, romë dhe hebrenj.

voa