Kategoritë: Ballkan

Të gjithë duan të vijnë në Gjermani

20.000 vende pune në vit do të ofrojë ministrja gjermane e Punës Andrea Nahles për njerëz nga Ballkani Perëndimor. Interesi është i lartë.

Ballkan20.000 vende pune në vit! Për njerëzit në vendet e Ballkanit Perëndimor kjo tingëllon si një thirrje për t’u nisur për në “Tokën e Premtuar”. Sepse në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Shqipëri mbrizotëron në shumë vende ideja se Gjermania është një vend ku mund të gjesh një jetë më të mirë.

Në Kosovë, prej nga kanë ardhur muajt e fundit shumica e refugjatëve nga Ballkani në Gjermani, njoftimi i ministres gjermane është kuptuar si një impuls pro-evropian. Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka theksuar se në qoftë se Berlini e vë në jetë një ide të tillë, kjo do të ketë efektet pozitiv për kosovarët. “Kjo do të përfshijë mesazhin që ne i përkasim Evropës”, thotë Gërxhaliu. “Por do të ketë gjithashtu edhe një dimension ekonomik. Nëse nuk ka investime të drejtpërdrejta në Ballkan, të paktën mund të lehtësohen apo të përshpejtohen në këtë mënyrë disa nga proceset në rajon.” Situata ekonomike në Kosovë nuk është e mirë dhe aty ka gjithnjë e më pak investime të huaja. Mundësia e punësimit në Gjermani do të jetë për shumë të rinj nga Kosova një dritëz shprese, thotë Gërxhaliu.

“Kush largohet një herë, nuk kthehet më kurrë”

Jo kaq pozitivisht e sheh këtë, profesorja e ekonomisë nga Maqedonia Marija Zarezankova-Potevska. Ajo paralajmëron prej pasojave negative të iniciativës së ministres Nahles për vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe pse migrimi i drejtpërdrejtë i punës do të thotë një relaksim afatshkurtër, sepse do të largohen edhe punëtorë të pakualifuar dhe të papunë, nga ana tjetër, kështu mund të ndryshojë edhe struktura demografike, “sepse vendet e Ballkanit nuk janë vende të mëdha”. Nëse i lejojmë njerëzit e shkolluar të largohen: duhet gjithashtu të jemi të vetëdijshëm se ata nuk do të kthehen përsëri. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme, që në perspektivë afatgjatë për këta njerëz “të gjehen zgjidhje në vendet e tyre”.

Fakti që Andrea Nahles dëshiron tani të vërë në dispozicion çdo vit vende pune për 20.000 vetë nga Ballkani Perëndimor është një vendim logjik, thotë Erol Mujanovic, ekspert i tregut të punës nga Bosnja dhe Hercegovina. Punëtorët emigrantë nga vendet e Ballkanit kanë dëshmuar se janë të zellshëm; në Gjermani ata janë gjithashtu të integruar shumë mirë. Punëtorët nga Ballkani Perëndimor do të thotë “një fitim i plotë” për ekonominë gjermane, mendon Mujanovic.

Edhe ai është i vetëdijshëm se largimi i punëtorëve të rinj do të thotë humbje për vendet e tyre të origjinës “por patjetër është më mirë që ata të shkojnë në Gjermani për të punuar, në vend të të qenit i papunë në Bosnjë dhe Hercegovinë.” Mujanovic thotë se ata sjellin para në vendlindjen e tyre dhe këto nxisin ekonominë.

Larg nga “Ballkani i çmendur”

Vlerësimi i Mujanovićit ndoshta pasqyron mendimin e shumicës së popullsisë. Për vite të tëra vendet e Ballkanit vuajnë nga papunësia e lartë. Në deri në 50 për qind vlerësohet se është shkalla e papunësisë së të rinjve në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kosova ende renditet ndër vendet më të varfra në Evropë dhe perspektivat për të rinjtë në Maqedoni, Shqipëri apo Serbi janë gjithashtu të zymta.

Kjo duket edhe nga përgjigjet ndaj idesë Nahles në internet. Kështu një student nga Sarajeva shkruan në Facebook, ai do të largohej menjëherë po të kishte mundësi, vetëm “për të mos parë më politikanët tanë. Unë dua të largohem nga ky “Ballkan i çmendur “. Të tjerë e konsiderojnë idenë e një kuote të caktuar si “të marrë” dhe theksojnë se duhet në një mënyrë apo tjetër të përpiqesh për të gjetur punë në Gjermani.

Rrjetet sociale përhapin lajme

Në rrjetet sociale, megjithatë gjen gjithashtu edhe komente për përvojat personale për gjetjen e një pune në Gjermani. Ajo që vihet shpesh në dukje është se punësimi në Gjermani lidhet me shumë kushte. Informacioni për iniciativën e ministres Nahles i botuar në faqen e DW serbisht në Facebook u nda më shumë se 100 herë. Kurse mediat në vendet e Ballkanit deri tani reagojnë me ngurrim për njoftimet nga Gjermania. Informacioni është botuar në portalet më të mëdha në internet, por nuk ka komente. Ndoshta njerëzit presin që të shohin se çfarë vendimi do të marrë në këtë drejtim Berlini.

Megjithatë, çfarëdo vendimi të merret për iniciativën e Andrea Nahles, duke pasur parasysh numrin e madh të të rinjve që dëshirojnë të emigrojnë prej Ballkanit Perëndimor, ky proces është ndoshta i pandalshëm. Gjermania është zgjedhja e tyre e parë. Nëse kjo nuk funksionon, shumë të rinj duan ta provojnë fatin e tyre diku tjetër. Kryesisht në Perëndim dhe larg nga Ballkani. (dw)

Daçiq: Rusia njihet me hapat kundër pranimit të Kosovës në UNESCO

Ambasadori rus BeogradMinistri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka njoftuar sot ambasadorin e Rusisë në Beograd, Alexandar Cepurin, për hapat që Serbia po i ndërmerr lidhur me nismën për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Ministri Daçiq ka theksuar rëndësinë e shqyrtimit të nismës së ardhshme për pranimin e Kosovës në UNESCO, për të cilën ai thotë se është e papranueshme për Serbinë.

Mëtutje, siç ka njoftuar Ministria e jashtme e Serbisë, është biseduar edhe për hapak praktikë që do të ndërmerren, gjatë kohës së mbledhjes së Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s në Paris, që mbahet në muajin tetor në Paris. (rel)

Koment: Ballkani Perëndimor mbetet i përjashtuar

Në Vjenë takohen kryeministrat nga e gjithë Europa në Konferencën e dytë për Ballkanin Perëndimor. Një takim i prapambetjes me arrogancën e pushtetit, mendon Dragoslav Dedoviç.

samiti vjene“Ballkani Perëndimor” është një term teknik, që BE-ja e përdor që prej 17 vjetësh. Ai përfshin shtetet e dala nga ish-Jugosllavia. Meqënëse Sllovenia u përjashtua nga ky raund si një vend shumë perëndimor dhe me shumë mirëqenie, atij iu shtua edhe një vend tjetër tipik ballkanik – Shqipëria.

Ky përkufizim ka në Gjermani dhe në Perëndim një konotacion të keq, pikëkirsisht ashtu si edhe emërtimi kryesor Ballkan. E si kompensim edhe Perëndimi nuk has vetëm në tifozë në rajon. Kjo ka një parahistori të gjatë, e cila ka çuar në klishetë e sotme: një parambetje e vazhdueshme në Ballkan dhe një arrogancë cinike e vazhdueshme pushteti në Perëndim.

Në Vjenë të paktën në aspektin retorik “prapambetja” dhe “arroganca e pushtetit” do të përjashtohen. Të gjithë do të bëjnë sikur takimi është një përsëritje rutinë e formatit të krijuar para një viti në Berlin, qëllimi i të cilit është afrimi i shpejtë i rajonit në BE dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal.

Aspak dëshirë për Ballkanin Perëndimor

E vërteta është: Gjermania & Co. nuk kanë dëshirë, që në një afat të parashikueshëm t’i pranojnë në BE-në gjysmë të papërfunduar shtetet e varfëra gjysmë të dështuara. Askush nuk do ta thotë këtë sinqerisht. Në vend të kësaj do të përsëritet në formën e një rituali lutjeje formula e samitit të BE-së në Selanik më 2003: “E ardhmja e shteteve të Ballkanit është në Bashkimin Europian”.

Prej kohësh në kryeqytet perëndimore druhen, se tek e fundit në BE do të futen vende me një displinë të dyshimtë buxhetore të llojit helenik. Apo madje t’i pranojë ato në Eurozonë! Përveç kësaj ka drojë, se ndër kandidatët për në BE ka edhe disa vende, minoritet e të cilëve – si sot shumë romë nga Rumania e Bullgaria që preferojnë të jetojnë në Dortmund – margjinalizohen dhe janë ekstrem të varfër.

Imazhet e vjetra të armikut në Ballkan

E vërteta është edhe se marrëdhëniet bilaterale mes Serbisë nga njëra anë dhe Kroacisë e Bosnjë-Hercegovinës nga ana tjetër në dymbëdhjetë muajt e fundit janë përkeqësuar edhe më tej. Kjo ka të bëjë me paaftësinë e elitave të atjeshme politike, për t’i pranuar faktet nga vitet nëntëdhjetë të luftës dhe për t’i integruar ato në kuluturën e tyre të kujtesës. Imazhi i armikut kësisoj mbetet i aktivizueshëm në shoqëri.

Marrëveshja e mbivlerësuar e Brukselit, që arritën Serbia dhe Kosova në vitin 2013 me ndërmjetësimin e BE-së, deri më sot në shumë pika nuk është zbatuar. Eshtë paradoksale, por e vërtetë: BE-ja investon përmes EULEX-it për shtetin ligjor në protektoratin e vet Kosovë, ndërkohë që shumë qytetarë të Kosovës kërkojnë të drejtën e tyre për të aplikuar për azil në Gjermani.

Gjendje katastrofale ekonomike

Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk e ka arritur sërish nivelin e zhvillimit ekonomik të vitit 1989. Madje në anëtaren e re të BE-së, Kroaci, ekonomia nga viti 2009 është në tkurrje. Atje ku shifrat ekonomike duken disi më mirë, si në Maqedoni e Mal të Zi, e paralizon jetën politike një strukturë pushteti që e konsideron veten të pagabueshme. Nëse sheh Bosnjë-Hercegovinën sot, shtron pyetjen, se çfarë ka bërë në fakt Perëndimi si fuqi mbrojtëse që prej dy dekadash atje. Ky vend është i paqendrueshëm si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.

Diçka nuk shkon, e kjo në të dyja drejtimet – duket sikur vërtetë në takimin mes Perëndimit dhe Ballkanit Perëndimor arroganca e pushtetit dhe paprapambetja kërcejnë një vals që nuk do të përfundojë kurrë.

Panine të vogla dhe shumë refugjatë

Por për këtë nuk flitet. Do të shkëmbehen komplimenta. Do të piqen panine të vogla dhe ato do të shiten si një histori suksesi. Grupet e punës do të numërojnë kjelltas premtimet e papërmbushura që nga takimi i kaluar. Do të krijohen nëngrupe pune nëpër ministri. Lista e nismave të dështura dhe e projekteve të varrosura në heshtje është pothuajse po aq e gjatë sa edhe lista e nismave të përpiluara me optimizëm para një viti në Berlin. Si do të ndryshohet kjo? Pala organizatore nuk ka asnjë ide, e po ashtu as të ftuarit.

Në vend të kësaj tema dominuese edhe pas kuintave do të jetë rritja e numrit të refugjatëve. Përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit do të tërheqin vëmendjen ndaj kushteve të këqia të “korridorit” mes Greqisë dhe Hungarisë si dhe ndaj faktit, që refugjatët e luftës nga vendi i BE-së Greqia në vendin e BE-së Hungari udhëtojnë përmes vendeve të BE-së Maqedoni dhe Serbi. Deri më sot e lënë në baltë nga Brukseli Greqia nuk i mban më refugjatët. Hungaria – do t’i pengojë ata me një gardh – të sponsorizuar nga Brukseli. Çfarë do të thotë kjo për shtetet e Ballkanit?

Berlini do të kundërvihet me një tjetër fakt. Mbi 40 përqind e azilkërkuesve në Gjermani vijnë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kështu s’mund të vazhdohet më.

Zemra në kuletë

Pavarësisht se çfarë do të rezultojë nga ky vallëzim disproporcional në Vjenë: Ballkani Perëndimor nuk do të marrë impulse të mjaftueshme ekonomike. Sepse një studim i Universitetit të Nisës e vlerëson nevojën rajonale për investime deri në vitin 2020 me rreth 110 miliardë euro. Për një “paketë shpëtimi” të këtij niveli në Perëndim nuk ka mazhorancë politike. Kësisoj macja kafshon bishtin e vet sipas motos: nëse ti nuk investon tek unë, vij unë tek ti!

Nëse zemra rreh e trembur në kuletë, atëherë gjërat shihen të deformuara. Në këtë drejtim ndihmon një përvojë jugosllave: eksperti jugosllav i ekonomisë Branko Horvat qysh në vitin 1968 konstatoi, se Kosovës për të barazuar nivelin e jetesës i nevojitet një rritje ekonomike dy herë më shumë se Sllovenia. Gjithçka tjetër vetëm do ta vononte arritjen e barazisë ekonomike mes popujve të Jugosllavisë. Si rrjedhojë do të vihen para një sprove të vështirë ndjenjat kombëtare, argumentonte Horvat. Çfarë mësojmë prej kësaj? “Solidariteti socialist” i vendosur me dekret partiak dështoi në realitetin ekonomik dhe Jugosllavia u shpërbë në fillim të viteve nëntëdhjetë prej sprovës së vështirë të parashikuar nga Branko Horvat. Ndërkohë kostoja e pasojave është edhe për Perëndimin më e lartë se sa investimet që nevojteshin asokohe. Edhe sot Kosova është vendi i varfër i Europës, ndërkohë që Sllovenia ekonomikisht e politikisht është shumë më afër Austrisë se sa Kosovës.

Dështim i modernizimit neoliberal

Vendet e dobëta, të cilët kanë një mjedis të fortë ekonomik, kanë nevojë për modernizimin. Vetëm ato nuk mund t’ia dalin. Kjo kushton shumë.

Vërtetë, që Gjermania dhe BE-ja janë të zhgënjyera tek konstatojnë, se paratë që ato i investojnë ndërkohë në Ballkanin Perëndimor, nuk kanë efekt në përmirësimin e shpresuar. Mos vallë është investuar gabim? Mos vallë është investuar shumë pak? Mos vallë u është besuar njerëzve të gabuar? Apo janë dërguar vallë njerëzit e gabuar? Mos vallë një takim vjetor është formati i gabuar? Mos vallë duhet përveshur punës në vend që të merresh me çikërrima?

Sigurisht që demokracitë e ekonomisë së tregut në Perëndim nuk mund t’i akuzosh për mungesë përpjekjesh. Në fakt miliarda janë derdhur në këtë rajon. Por disa prej tyre janë kthyer sërish në drejtim të Perëndimit. Kaq shumë para në qarkullim e kaq pak përparim. Këtu nis dallimi mes së mirës dhe qëllimit të mirë. Prej gati dy dekadash Perëndimi është aktor kryesor në aspektin ekonomik dhe politik në Ballkan. Tani pas dështimit të Jugosllavisë në të njëjtin rajon po konturohet një tjetër dështim europian. Ky është një dështim i paralajmëruar. Për fat të keq një diskutim i tillë nuk do të zhvillohet në Vjenë. Por dikur kjo duhet diskutuar. (dw)

Zhduket Drashkoviq, i dyshuar për vrasjen e Enver Hadrit

Andrija DrashkovicZhdukjen e Andrija Drashkoviqit nga një hotel në qytetin bregdetar kroat Split e ka konfirmuar një gjykatës. Supozohet se i dyshuari për shumë krime iku ditën që duhej të ekstradohej në Split.

Andrija Drashkoviq, një biznesmen mjaft i përfolur serb për lidhjet e tij në botën e krimit të organizuar, ishte arrestuar në Split të Kroacisë më 24 qershor me kërkesë të Belgjikës. Drejtësia e këtij vendi dyshon se Drashkoviq mund të jetë i përzier në vrasjen e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri. Krimi kishte ndodhur në vitin 1990 në Bruksel. Pas ndalimit nga autoritetet kroate Drashkoviq dha një garanci prej 100 mijë euro dhe pastaj atij iu lejua të qëndrojë në një hotel në Split derisa të kryhet procedura e ekstradimit në Belgjikë.

Siç njoftojnë gazetat “Jutarnji list” e Zagrebit dhe “Politika” e Beogradit Drashkoviq është zhdukur nga hoteli ku ishte i vendosur. “I kemi telefonuar Drashkoviqit në apartamentin ku ishte i vendosur, por ai nuk është lajmëruar. Duke pasur parasysh se ka qenë i obliguar të lajmërohet në çdo thirrje të gjykatës, garancia i është hequr, ka deklaruar gjykatësi Damir Romac. Me rastin e arrestimit në aeroportin e Splitit Drashkoviqit i ishte konfiskuar edhe pasaporta. Sipas gjykatësit Ramac ekstradimi i Drashkoviqit ishte planifikuar të bëhej të mërkurën, transmeton dialogplus.ch.

Avokati i Drashkoviqit, Velko Delibashiq, ka thënë për “Politikën” e Beogradit se nuk e di ku gjendet klienti i tij. Drashkoviq ka dalë nga burgu i Mitrovicës së Sremit në fund të vitit 2013, ku ka vuajtur dënimin për vrasjen e një personi të quajtur Zvonko Pleçiq.

Drashkoviq ishte i dënuar me nëntë vjet burg për këtë vrasje, por i vuajti vetëm dy vite. Më 2007 ai ishte arrestuar në Frankfurt dhe ekstraduar në Itali pas hetimeve antimafioze rreth tregtisë me cigare dhe drogë. Ikja e Drashkoviqit nga Spliti është padyshim njëri prej skandaleve më të mëdha në drejtësisë kroate. Pas arrestimit të këtij vrasësi të supozuar nuk kishte reaguar asnjë institucion i Republikës së Kosovës, për të cilën u angazhua aq shumë Enver Hadri.

Drashkoviq nga mediumet serbe dhe kroate është përmendur edhe në kontekst të vrasjes së kriminelit Zhelko Razhnjatoviq (Arkan). Të dy dyshohet se kanë qenë vrasës me pagesë të shërbimit sekret jugosllav, i cili me gjasë qëndron pas rreth 70 vrasjeve të disidentëve para së gjithash kroatë dhe shqiptarë në Perëndim. Mes tyre figurat më prominente janë Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gervalla, Enver Hadri, Stjepan Gjurekoviq dhe Bruno Bushiq. (rtk)

HRW: Liria e medias në Ballkanin Perëndimor – në rrezik!

Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch tha të mërkurën se gazetarët në Ballkanin Perëndimor janë të detyruar të punojnë në një mjedis armiqësor

HRWOrganizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, u bëri thirrje autoriteteve në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi e Serbi që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të krijuar një mjedis të sigurt për veprimtarinë e mediave dhe t’i japin fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve.

Në një raport të kësaj organizate të publikuar të mërkurën, thuhet se gazetarët në Ballkanin Perëndimor janë të detyruar të punojnë në një mjedis armiqësor, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në aftësinë e tyre për të zhvilluar një gazetari kritikuese dhe të pavarur, pjesë thelbësore kjo e një shoqërie demokratike.

Raporti prej 69-faqesh “Një profesion i vështirë: Liria e medias nën sulm”, dokumenton sulme fizike dhe kërcënime, duke përfshirë edhe kërcënime me  vdekje, ndëshkime në formën e padive në gjykata dhe fushata përgojimi kundër gazetarëve në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi.

Raporti mbështetet në intervista me 86 gazetarë, të cilët raportojnë mbi çështje më të ndjeshme siç krimet e luftës dhe korrupsioni.

Human Rights Watch dokumentoi edhe disa raste sulmesh nëpërmjet Internetit kundër mediave online që kanë mbajtur qëndrime kritike ndaj qeverive. Në asnjërin nga këto vende nuk janë duke u hetuar apo ndjekur sulmet kundër gazetarëve në fjalë, theksohet në raport.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë theksuar me zhurmë përparimin e tyre drejt demokracisë në këto dy dekada, por kërcënimet dhe sulmet mbi gazetarët e njollosin këtë demokraci” tha Lydia Gall, studiuese për Ballkanin dhe Evropën Lindore në Human Rights Watch. “Bashkimi Evropian duhet të nxisë vendet e Ballkanit Perëndimor t’u japin fund kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe të ndjekin penalisht krimet kundër tyre, si pjesë e procesit të negociatave për anëtarësim në BE.”

Autoritetet në vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë detyrim mbrojtjen e gazetarëve dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, ku ata të mund të raportojnë të lirë dhe pa ndërhyrjen e qeverisë, thuhet në raport. Kjo është veçanërisht thelbësore, në një rajon të brishtë si kjo pjesë e Ballkanit, me historinë e tij të luftërave të dhunshme, ku autoritetet përdorën mediat si mjete propagandistike.

Shtefica Galiç, kryeredaktore e një agjencie lajmesh në internet në jug të Bosnjë Hercegovinës, u sulmua dhunshëm në rrugë në vitin 2012 ndërsa po përgatitej të shfaqte një dokumentar për burrin e saj të ndjerë, bashkë me të cilin kishte shpëtuar myslimanë boshnjakë nga deportimi nëpër kampet e përqendrimit gjatë luftës. Para sulmit, Galiç kishte marrë kërcënime me vdekje, por policia i kishte kërkuar që të mos i merrte ato seriozisht.

Autoritetet e hetuan sulmin, vetëm pas ndërhyrjes së organizatave ndërkombëtare. Një grua e punësuar në qeverisjen lokale u dënua në tetor të vitit 2013, dhe iu shqiptua një masë pezullimi prej tre muajsh. Rasti është në fazën e apelit. Galiç vazhdon të marrë kërcënime.

Human Rights Watch dokumentoi një model të vepruari, në Bosnjë Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi, të zyrtarëve të lartë, duke përfshirë edhe kryeministrin Milo Gjukanoviç, dhe presidentin Milorad Dodik të Republika Srpskas në Bosnjë Hercegovinë, që përfshinë paditjen e gazetarëve dhe mediave për përgojim në gjykatën civile. Këto masa duken një përpjekje për të ndëshkuar financiarisht mediat kritikuese dhe për të mbajtur gazetarët në gjykatë, duke mos i lënë të dalin jashtë për të kryer punën e tyre, thuhet në raport.

Gazetarët që kanë raportuar mbi çështje të ndjeshme u janë nënshtruar fushata të përgojimeve nga mediat pro-qeveritare. Një gazetë e përditshme pro-qeveritare akuzoi një gazetare nga Kosova si spiune serbe pasi që ajo kishte raportuar mbi zbatimin apo jo të premtimeve zgjedhore nga ana e qeverisë lokale.

Gazetaret kanë qenë në shënjestër  të artikujve ofendues. Një gazetë pro-qeveritare në Malin e Zi, e  cilësoi një gazetare si “prostitutë”.

Katër vendet e Ballkanit perëndimor janë në faza të ndryshme negocimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për t’u anëtarësuar, ato duhet të përmbushin disa kritere, ku përfshihet edhe respektimi i lirisë së shprehjes.

“Nëse Bashkimi Evropian i merr seriozisht kriteret e veta të anëtarësimit, duhet ta kthejë në përparësi respektimin e lirisë së mediave gjatë negociatave me Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë” tha Gall. (voa)

Problemet që e presin kancelaren Merkel në Ballkan

Cilat do të jenë mesazhet e kancelares Merkel në Shqipëri, Serbi dhe Bosnje? Analistët mendojnë se më vështirë ajo do ta ketë në Sarajevë, por probleme të mëdha ka dhe në Beograd dhe Tiranë.

ballkaniadaPapunësia e lartë, korrupsioni i gjërë dhe elitat autoritare politike – janë disa nga gjërat e përbashkëta të Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë. Në sondazhe thuhet se Bashkimi Evropian po humb atraktivitetin në këto vende. Kjo ka të bëjë edhe me paralajmërimet nga Brukseli se në pesë vitet e ardhshme nuk do të ketë anëtarësime të reja në BE.

Loja gjeopolitike?

Ballkani me shekuj të tërë konsiderohet si një fuçi baroti. Kjo metaforë fiton në peshë në kohët e tanishme të tendosjeve të shtuara mes Perëndimit dhe Rusisë. Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel ka për synim ndër të tjerash edhe kufizimin e influencës ruse në Ballkan, mendon Gunther Krichbaum, Kryetar i Komisionit të BE në Bundestag. “Vendet duhet të vendosin vet se në ç’drejtim duan të shkojnë. Vlerat të cilat i respektojmë ne në BE dallojnë nga ato të cilat i respekton Rusia dhe qeveria e zotit Putin”, thotë Krichbaum.

Me këtë vizitë kancelarja Merkel do të dëshmojë “rëndësinë e Ballkanit për Gjermaninë dhe BE”, mendon Dusan Reljic, drejtues i Zyrës së Fondacionit gjerman për Shkencë dhe Politikë, në Bruksel. Merkel do t’u tregojë “lojtarëve të mëdhenj” në Lindje – para së gjithash Rusisë, por edhe Kinës dhe Turqisë se Bashkimi Evropian edhe më tej është spiranca e këtij rajoni. Reljiq mendon se për shkak të krizës në Greqi, i gjithë rajoni i Ballkanit mund të shndërrohet në një vend “turbulent” për investime. Kancelarja Merkel me këtë vizitë mund të zbutë këtë përshtypje.

Afërsia me Brukselin

Serbia është kandidate për anëtarësim në BE që tre vjet, por ky status është vënë nën akull për shkak të përparimit tepër të ngadalshëm të negociatave me Kosovën. Kosova e ka shpalluar pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi nuk e njeh këtë shtet. Me 2013 është nënshkruar Marrëveshja e Brukselit, e cila i mundëson Kosovës liri të mëdha për vendosje në fushat e drejtësisë dhe administrimit dhe garanton të drejtat e serbëve në rajonet ku ata përbëjnë shumicë në Kosovë. Por shumë pjesë të kësaj Marrëveshjeje nuk janë zbatuar deri tani.

“Këtu duhet të veprohet”, mendon pilitikani i CDU, Krichbaum. Në BE nuk dëshiron askush të ketë “një Qipro tjetër”, pra një vend me probleme territoriale. “E di që në Serbi flitet shumë se cilin kapitull duhet hapur të parin në negociatat për aëntarësim në BE”, thekson Krichbaum. Por ajo që është me rëndësi, është që vendi të përgatitet mirë për anëtarësim në BE.

Problemet e vjetra dhe të reja

Edhe në Bosnje-Hercegovinë ka probleme shumë të mëdha në raport me BE-në. Në mars është futur në fuqi një Marrëveshje për stabilizimin e vendit, me të cilin duhet të krijohen disa instrumente për partneritet më të fuqishëm ekonomik dhe politik mes BE dhe Sarajevës. Por kushti kryesor për funksionimin e tyre janë reformat kushtetuese – të cilat deri tani nuk janë kryer. “Realiteti nuk është edhe tepër premtues”, pohon Krichbaum.

Politikanët dhe administrata në Bosnje ende është e ndërtuar mbi bazat e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në këtë vend para dy dekadash. Marrëveshja parashikon që vendimet e rëndësishme të merren me konsensus mer Federatës boshnjako-kroate dhe Republikës Serpska. Kjo ka shkaktuar bllokada të shumta në vendmimmarrje.

Vëzhguesit thonë se Kancelarja Merkel në Tiranë do ta ketë më lehtë se në Sarajevë apo Beograd. Nga këndvështrimi i Perëndimit, Shqipëria “është një faktor stabiliteti në Ballkan”, thotë Dushan Reljiq. Ai pret që Merkel të kërkojë në mënyrë diskrete nga Kryeministri Edi Rama që të mos deklarohet më për Shqipërinë e Madhe dhe projektet e ngjashme nacionaliste, të cilat përfshijnë Shqipërinë, Kosovën dhe disa pjesë të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

“Berlini me siguri që do të kërkojë edhe ndonjë zgjidhje për numrin e shtuar të azilkërkuesve nga Shqipëria”, mendon Reljiq. Partia CSU dhe disa politikanë të tjerë kanë kërkuar kaherë që edhe Shqipëria të renditet në radhën e vendeve me prejardhje të sigurt, që do të thotë se personat nga këto vende nuk kanë kurfarë shansi për azil në Gjermani. (dw)

AI: Refugjatët në Ballkan – të rrahur nga policia, të harruar nga Evropa

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, vë në pah keqtrajtimin e refugjatëve e migruesve në Ballkan dhe kritikon politikat e strehimit në BE

AIMijëra refugjatë, strehimkërkues dhe migrues, përfshirë fëmijë, që po marrin rrugën e rrezikshme nëpër Ballkan, po pësojnë dhunë dhe zhvatje nga autoritetet dhe bandat kriminale dhe janë braktisur turpshëm nga sistemi i dështuar i strehimit dhe migrimit të Bashkimit Evropian i cili i ka lënë ata të kurthuar e pa mbrojtje në Serbi dhe Maqedoni, thuhet në raportin e ri të organizatës Amnesty International.

Dhuna ndaj migruesve dhe refugjatëve në Maqedoni, Serbi e Hungari, dëshmon se një numër në rritje i njerëzve në nevojë, janë lënë në harresë në një boshllëk ligjor gjithandej Ballkanit. Situata është përkeqësuar nga kthimet dhe dëbimet në çdo kufi, qasja e kufizuar në strehim dhe mungesa e rrugëve të sigurta e ligjore në BE.

“Refugjatët që ikin nga luftërat dhe përndjekjet, e bëjnë këtë rrugë nëpër Ballkan me shpresën se do të gjejnë siguri në Evropë, për ta gjetur veten si viktimë të dhunës e shfrytëzimit dhe në mëshirën e një sistemi të dështuar të strehimit”, tha Gauri van Gulik, zëvendësdrejtor i Amnesty International për Evropën dhe Azinë qendrore.

“Serbia dhe Maqedonia janë shndërruar në një batak të vërshimit të refugjatëve dhe migruesve të cilët duket se askush në BE nuk është i gatshëm t’i pranojë”.

Raporti është mbështetur në katër misione hulumtuese në Serbi, Hungari, Greqi e Maqedoni ndërmjet korrikut të vitit 2014 e marsit të vitit 2015 dhe intervistimit të mbi 100 refugjatëve dhe migruesve. Dëshmitë e tyre zbulojnë kushtet tronditëse me të cilat përballen ata që udhëtojnë nëpër rrugët e Ballkanit perëndimorë – që ka tejkaluar rrugën nëpër Mesdhe duke u shndërruar në rrugën më të ngarkuar të kalimit drejt Bashkimit Evropian.

Numri i njerëzve të kapur vetëm në kufirin Serbi – Hungari është rritur për 2 mijë e 500 për qind që nga viti 2010, përkatësisht nga 2 mijë e 370 në 60 mijë e 602.

Rruga që marrin refugjatët dhe migruesit nëpër det nga Turqia në Greqi dhe pastaj në rrugë tokësore nga Maqedonia në Serbi dhe në Hungari, është më pak vdekjeprurëse sesa rruga detare nga Libia, por është e mbushur me rreziqe e pengesa. Që nga janari i vitit 2014, 123 refugjatë, strehimkërkues dhe migrues janë mbytur duke provuar të kalojnë në Greqi nëpërmjet Detit Mesdhe dhe 24 kanë humbur jetën në hekurudha.

“Nga vdekja vijmë  – në vdekje shkojmë”

Ata që arrijnë në ishujt grek – përfshirë fëmijët – përballen me kushte të tmerrshme të pranimit dhe shumica udhëtojnë drejt Athinës, para se të provojnë të kalojnë në Maqedoni, për të vazhduar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Në kufirin e Maqedonisë me Greqinë dhe në atë të Serbisë me Maqedoninë, refugjatët dhe migruesit zakonisht janë subjekte të dënimeve të paligjshme dhe keqtrajtimeve nga policia kufitare. Shumë prej tyre detyrohen të paguajnë ryshfete. Një dëshmitar i tha Amnesty International se policia kufitare serbe afër kufirit me Hungarinë, kërcënoi se do të kthejë mbrapshtë gjithë grupin nëse nuk paguajnë secili nga 100 euro.

Një refugjat afgan i tha organizatës se ishte pjesë e një grupi që u kthye mbrapsht në Greqi nga policia maqedonase. “E pashë një njeri të rrahur keq. Ata rrahën djalin tim 13 vjeçar. Ata më rrahën edhe mua”, tha ai.

Disa nga të intervistuarit thanë se janë kthyer prapa edhe nga 10 herë në operacione që janë kryer shpesh në thellësi të territorit të Maqedonisë.

Migruesit, refugjatët dhe strehimkërkuesit thanë se janë shtyrë, qëlluar me pëllëmbë, shqelmuar e rrahur nga policia kufitare serbe në afërsi të kufirit me Hungarinë dhe një refugjat afgan tha se “një grua shtatzënë në muajin e pestë është rrahur”.

Refugjatët dhe migruesit janë të pambrojtur nga zhvatjet financiare nga trafikuesit dhe sulmet e bandave kriminale. Dy nigerian i thanë organizatës se ishin ndaluar në Maqedoni. “Nëntë veta na sulmuan me thika. Në shkuam në polici të kërkojmë ndihmë… por ata na arrestuan”.

“Nëse vdisni këtu – askush nuk do t’ju kërkojë”

Shumë refugjatë dhe migrues janë burgosur arbitrarisht nga autoritetet. Me qindra, përfshirë familje, gra shtatzëna dhe fëmijë të pashoqëruar, janë mbajtur në periudha të gjata në Qendrën maqedonase për Pranimin e të Huajve – e njohur si Gazi Baba – pa asnjë masë mbrojtëse ligjore apo mundësi për të kërkuar strehim. Shumë syresh janë mbajtur në mënyrë të paligjshme për muaj të tërë në kushte jonjerëzore dhe fyese për të shërbyer si dëshmitar të organeve maqedonase të ndjekjes kundër trafikuesve.

“Në Gazi Babë, ishin mbi 400 apo 450 veta kur arritëm ne…Njerëzit po flinin edhe nëpër shkallë dhe mbipopullimi ishte i tmerrshëm. Kishte dyshekë në dysheme dhe në korridore”, i tha organizatës një refugjat sirian.

Ish të arrestuarit i thanë organizatës Amnesty International se ata ishin rrahur ose ishin dëshmitarë të rrahjeve nga oficerët e policisë në Gazi Babë dhe njeri rrëfeu se si kur disa sirianë kërcënuan me grevë urie, një polic u tha “nëse vdisni këtu, askush nuk do t’ju kërkojë. Në do të hedhim kufomat tuaja përjashta”.

Sistemi i dështuar i strehimit

Individët që provuan të kërkojnë strehim në Serbi apo Maqedoni, u përballën me pengesa të ashpra. Në vitin 2014, vetëm 10 strehimkërkuesve ju sigurua statusi i refugjatit në Maqedoni dhe vetëm njërit në Serbi. Të shkurajuar nga përparimi i ngadalshëm i shqyrtimit të kërkesave, shumë strehimkërkues vazhduan udhëtimin për në Hungari, ku u përballën me shkelje të tjera të të drejtave të tyre.

Ata që zbuloheshin se kanë hyrë në Hungari në mënyrë të parregullt, zakonisht janë burgosur, shpesh në kushte të mbipopullimit, ose janë keqtrajtuar nga oficerët e policisë. Në vitin 2014, Hungaria u dha strehim vetëm 240 personave, një numër i vogël në krahasim me kërkesat për strehim.

Ndonëse shumica e strehimkërkuesve të burgosur, janë lënë pastaj në qendra të hapura të pranimit, ata që vlerësohej se mund të provonin të arratiseshin kanë mbetur në qendra të paraburgimit. Ata që donin të kërkonin strehim në Hungari, që ishin një numër i atyre që shpresonin për strehim në vende tjera të BE-së, kryesisht janë dëbuar në Serbi dhe në disa raste madje edhe më tej, në Maqedoni. Aty ata janë lënë pa status ligjor, mbrojtje apo mbështetje dhe të ekspozuar ndaj shkeljeve të mëtejshme të të drejtave të njeriut.

Politikat e mangëta të migrimit në BE

Numri gjithnjë në rritje i migruesve dhe refugjatëve që marrin rrugët e Ballkanit, është rrjedhojë e dështimit të politikave të migrimit dhe strehimit në Bashkimin Evropian, mbi të cilat Serbia dhe Maqedonia nuk ushtrojnë kontroll. Duke i lënë përgjegjësinë e trajtimit të kërkesave për strehim në kurriz të vendit të parë hyrës në BE dhe duke kufizuar rrugët e sigurta e ligjore të hyrjes, kanë vënë një barrë të madhe në supet e shteteve periferike të BE-së dhe vendeve fqinje.

Në vend që t’i jap përparësi përmirësimit të sistemit të strehimit përgjatë rrugës Ballkanike, Bashkimi Evropian ka investuar në përpjekjet për të forcuar sistemin e “menaxhimit te kufijve”.

“Serbia dhe Maqedonia duhet të bëjnë shumë më shumë për të respektuar të drejtat e migruesve dhe refugjatëve. Por, është pamundur të ndash shkeljen e të drejtave të njeriut atje nga trysnia e gjerë e rrjedhës së migruesve dhe refugjatëve në dhe përgjatë BE-së dhe sistemit të dështuar të migrimit në BE”, tha Gauri van Gulik.

“Derisa një numër në rritje i migruesve, strehimkërkuesve dhe refugjatëve po mbeten të kurthuar në “tokën e askujt” nëpër Ballkan, trysnitë mbi Serbinë dhe Maqedoninë po rriten. Kjo vë në pah faktin se sikundër në Itali dhe Greqi, kjo çështje mund të zgjidhet nëpërmjet shqyrtimit më të gjerë të politikave të migrimit dhe strehimit në BE”. (voa)

Power: Ekziston konsensus global për Srebrenicën

SrebrenicaAmbasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara thotë se pret miratimin e një rezolute që përkujton 20 vjetorin e masakrës së Srebrenicës gjatë luftës në Bosnje, edhe pse Rusia ka propozuar një kundër-masë që nuk e quan gjenocid këtë ngjarje.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, ambasadorja Samantha Power tha se ekziston “konsensus i gjerë global” në lidhje me atë që ndodhi në Srebrenicë në korrik 1995, kur më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë muslimanë u vranë sistematikisht nga forcat serbe për shkak të besimit të tyre fetar.

“Kjo është e qartë,” tha znj. Power, “për arsye politike, njerëzit mund të dëshirojnë të shmangin vëmendjen dhe kjo është për fat të keq ajo që ne merremi në botë. Por një nga gjërat që është pasqyruar në negociatat tona në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është vetëm se si ka ndodhur rrjedhja e fakteve mbi atë që ka ndodhur në Srebrenicë. Ne presim që rezoluta të pasqyrojë faktet dhe nuk do të pranojmë asgjë më pak.”

Britania ka qarkulluar një projekt-rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënon fuqishëm gjenocidin në Srebrenicë dhe ata që e mohojnë atë. Propozimi vë në dukje se Gjykata e OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kanë përcaktuar se masakra ishte gjenocid. Gjithashtu ajo bën thirrje për përgjegjshmëri për autorëve dhe nxit edukimin e brezave të ardhshëm për të parandaluar përsëritjen e krimeve të tilla.​

Rezoluta britanike “përçarëse”

Zyrtarët rusë kanë qarkulluar propozimin e tyre që nuk përmend Srebrenicën me emër. Në vend të kësaj, propozimi rus “dënon në mënyrën më të ashpër krimet më të rënda që shqetësojnë komunitetin ndërkombëtar në tërësi të kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi kundër personave me prejardhje të ndryshme etnike dhe fetare.”

Rusia, e cila ka lidhje të ngushta fetare me Serbinë dhe është një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e ka përshkruar propozimin britanik si “përçarës”, duke thënë se përqëndrohet  shumë ashpër në shkeljet e kryera nga serbët e Bosnjes.

“Ajo përqëndrohet vetëm në një aspekt të konfliktit,” tha zv/ambasadori rus Petr Iliichev.

Ambasadorja amerikane Power,  në një ngjarje përkujtimore të mërkurën në Kombeve të Bashkuara se ata që mohojnë gjenocidin e Srebrenicës vetëm “turpërojnë dhe të poshtërojnë” veten.

“Le të themi se mohuesit gjenocid, nuk merren me realitetin”, i tha ambasadorja Powers Zërit të Amerikës. “Ata janë duke u përpjekur për të shtrembëruar faktet historike që janë të dokumentuara për më shumë se 20 vjet. Të gjithë ju duhet të shkoni dhe të shihni gërmimet e varreve që do të kryhen përsëri këtë vit. Unë i kam parë ato në 5-vjetorin, 10-vjetorin, dhe 15-vjetorin. Unë isha përsëri në Srebrenicë dhe pashë ato familje ende brengosura për shkak se nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë eshtrat e të dashurve të tyre. Njerëzit mund të përpiqen të pretendojnë se kjo nuk ishte ajo që ishte, por askush nuk i mbështet, kështu që ata turpërojnë veten ”

“Kohë Torturuese”

Ambasadorja Power, e cili ishte një gazetare e re në Ballkan, kur ndodhi masakra dhe më vonë shkroi një libër për gjenocidin, që fitoi çmimin Pulitzer, tha se tragjedia nuk do të harrohet.

“Mesazhi im për popullin e Bosnjës është se ne kurrë nuk do të harrojmë,” tha ajo. “Ne do të ndjekim drejtësinë deri në fund të Tokës, dhe mendoj se e kemi provuar këtë. Nuk ka asnjë të paditur nga Gjykata Ndërkombëtare  Ndërkombëtar për krimet e Srebrenicës që të jetë lënë i lirë. Ka ende ndjekje penale, sigurisht, qëcndodhin brenda sistemit të Gjykatës së Bosnjës. Ne do të mbështesim përpjekjet e brendshme të drejtësisë, por në thelb mesazhi im kryesor është; Më vjen keq për ju. Më vjen keq për familjet tuaja.  Kjo duhet të jetë një kohë e torturuese. ”

Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të miratojë një rezolutë në fillim të javës së ardhshme për të përkujtuar 20 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë. (voa)

Gjermania tërheq Ballkanin, Bieber dhe Partosh komentojnë vizitën e Kancelares Merkel në rajon

Florian Bieber nga Qendra e Studimeve për Europën Juglindore në Universitetin e Grazit në Austri, i cili ndodhet në Tiranë, në një intervistë për Top Channel jep këtë opinion për vizitën e 8 korrikut të Kancelares Angela Merkel në Tiranë.

Bieber-Partosh-analistet“Mendoj se kjo vizitë lidhet me ripërfshirjen e Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor. Tani ne shohim një interes të shtuar të Gjermanisë, e cila i vlerëson si tejet të rëndësishme marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit. Gjermania tashmë e ka kuptuar rëndësinë e Ballkanit dhe dinamikën pozive të rajonit”, thotë Florian Bieber.

Top Channel: Por përse pikërisht tani ky interes në rritje nga Gjermania për rajonin e Ballkanit?

Florian Bieber: Mendoj se kjo bazohet më së shumti në të kuptuarin se zgjerimi BE-së nuk është duke funksionuar siç duhet për momentin. Dhe për këtë ne shikojmë disa vende antare që përfshihen në këtë çështje. Kështu, disa vende janë duke marrë rol udhëheqës. Një prej tyre është Gjermania, që ka kuptuar se nuk është e rëndësishme vetëm çuarja përpara e procesit të zgjerimit, por gjithashtu se ka edhe lojtarë të tjerë në këtë histori, siç është Rusia. Ne e dimë që marrëdhëniet e BE-së me Rusinë janë përkeqësuar dhe se Rusia mund të luajë një rol negativ në rajon dhe është nevoja në dërgimin e një sinjali të qartë se, me reforma dhe një bashkëpunim më të mirë rajonal këto vende mund të avancojnë rrugën e tyre drejt Unionit Europian dhe se nuk ka alternativa të tjera. Gjermania dhe BE-ja duan që rajoni të jetë në BE. Europa nuk e shikon me shqetësim pse investitorë rusë i afrohen Ballkanit. Problemi lidhet me frikën e aplikimit të modelit autoritar rus në rajon, të cilin ne e kemi parë në Maqedoni, ku Rusia është duke mbështetur qeverinë aktuale. Jo se ata janë pro Rusisë, por se duken më afër atij lloj autoritarizmi në Rusi. Prandaj, në këtë këndvështrim roli Rusisë në rajon shihet si negativ.

Ndërsa Gabriel Partosh, analist për rajonin në “The Economist Intelligent Unit” në Londër, jep këtë përkufizim për ardhjen e Merkel në rajon.

“Rëndësia e kësaj vizite të Kancelares Merkel lidhet me faktin se Gjermania tani është duke marrë një rol më pro-aktiv në Ballkanin Perëndimor. Këtë ne e pamë me Konferencën e Berlinit vitin e shkuar. Gjermania është duke dhënë inkurajimin e duhur për reformat në këto vende të rajonit për të përshpejtuar hapat e antarësimit në BE. Prandaj, mendoj se kjo vizitë, përfshihet në të tilla përpjekje që parashtrova më sipër që Gjermania tani është duke marrë një rol aktiv e të shtuar në rajon”, thekson Gabriel Partosh.

Top Channel: Përse ky rol aktiv dhe i shtuar nga Gjermania pikërisht tani?

Gabriel Partosh: Sepse askush në Europë nuk e ka vullnetin ta bëjë një gjë të tillë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshira me zhvillimet në Lindjen e Mesme. Unioni Europian është i tejmbushur me problemet e brendshme, si Greqia apo edhe Britania me referendumin. E gjithë kjo situatë e largon vëmendjen nga Ballkani përveç gjermanëve, të cilët edhe ata kanë probleme me BE-në, por të paktën tregojnë se kanë energji të merren me Ballkanin. Por përse dhe përse tani? E veçanërisht që prej vitit të shkuar. Mendoj se kjo lidhet me rrezikun që i kanoset BE-së, e në veçanti integrimit të vendeve aspirante, duke humbur shpejtësinë siç ndodhi me Maqedoninë, një vend që pret e pret pafundësisht, pasi ka 10 vite që është vend kandidat. E kështu, gjermanët mendojnë se ky mbase është rasti për t’u dhënë fund zvarritjeve të BE-së, duke u siguruar se progresi të paktën për Kosovën mund të arrihet. Prandaj Merkel do të vizitojë edhe Beogradin, dhe Tiranën, e në këtë rast merr rëndësi të posaçme. Merkel kërkon të sigurojë mbajtjen e premtive nga serbët dhe ata kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve. Nga ana tjetër, Shqipëria duhet të luajë një rol të përgjegjshëm në lidhje me shqiptarët e Kosovës, ata në Maqedoni dhe rajon.

Top Channel: Ardhja e Merkel në Tiranë e çon në tre numrin e takimeve me Ramën në harkun kohor të një viti. A mendoni se Merkel është duke kërkuar një lider për rajonin dhe se Edi Rama a mund ta përmbushë një rol të tillë?

Gabriel Partosh: Ajo nuk ka shumë zgjedhje në këtë rast. Qartësisht Edi Rama potencialisht mund të jetë një prej udhëheqësve. Natyrisht për Gjermaninë dhe rajonin, Serbia është padiskutim me rëndësi, është një prej vendeve më të forta, i cili është parë në citimet ruse me një lloj flirtimi në distancë. Merkel kërkon siguri që Serbia mos të dalë nga rrugëtimi europian. Vuçiç shihet si një kryeministër pragmatist. Unë nuk do t’i vendosja të gjitha paratë në një bast për Edi Ramën, për atë që ju më pyesni, por natyrisht për Merkel, Rama shihet si një figurë e rëndësishme në rajon, sëbashku me kryeministrin Vuçiç.

/ Top Channel

Freedom House: Përparim i pamjaftueshëm i demokracisë në Ballkan

freedom houseDemokracia në vendet e Ballkanit vazhdon të jetë e brishtë dhe në disa raste ka pësuar rënie, sipas raportit të organizatës Freedom House “Vendet në Tranzicion”, të botuar sot.

Asnjë nga vendet e Ballkanit nuk ka një demokraci të konsoliduar, thuhet në raportin që mbulon zhvillimet e vitit 2014 dhe 4 nga 7 vendet e përfshira pësuan rënie.

Sipas Freedom House, krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka shënuar përparim, Kosova nuk ka ndryshim dhe Maqedonia ka pësuar rënie.

Raporti arrin në përfundimin se në 29 vendet e analizuara në Evropë dhe Euroazi, përpjekjet për demokratizim po përballen me sulme të reja dhe gjithmonë e më agresive.

Kategorizimi i regjimeve sipas nivelit të demokracisë

Shqipëria dhe Maqedonia vazhdojnë të jenë pjesë e grupimit të regjimeve tranzicionale dhe hibride, ku bëjnë pjesë edhe Bosnja, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina. Maqedonia ra vitin e kaluar në këtë kategori.

Në kategorinë e vendeve me demokraci gjysmë të konsoliduar, një vlerësim më i lartë se sa ai i regjimeve hibride, këtë vit bëjnë pjesë Serbia dhe Mali i Zi, por edhe vende të BE-së, si Bullgaria, Kroacia, Hungaria dhe Rumania.

Kosova bën pjesë në kategorinë e regjimeve gjysmë autoritare, së bashku me Armeninë dhe Kirgistanin. Asnjë nga vendet e Ballkanit nuk është mes regjimeve autoritare, ku hyn Rusia dhe ku në nivelin më të ulët është Uzbakistani.

Vendet me nivelin më të lartë të demokracisë, hyjnë në grupin e demokracive të konsoliduara, ku përfshihen Sllovenia – me vlerësimin më pozitiv – Estonia, Letonia, Polonia, Republika Çeke, Lituania dhe Sllovakia.

Shqipëria përmirësim, por ende prapa në radhitjen e rajonit

Freedom House thotë se Shqipëria ishte i vetmi vend në Ballkan që shënoi përmirësim në nivelin e demokracisë në përgjithësi në krahasim me vitin e mëparshëm, falë ndërmarrjes së disa reformave dhe hapave paraprakë në luftë kundër korrupsionit nga qeveria që u zgjodh në vitin 2013. Megjithatë në renditjen e përgjithshme të 7 vendeve të Ballkanit vetëm Bosnja dhe Kosova mbeten pas saj.

Sistemi gjyqësor ende nuk ka demonstruar se merr përsipër ndjekje penale të nivelit të lartë. Gazetaria hetimore është e dobët, pasojë edhe e krimit të organizuar që vazhdon të mbetet shumë i përhapur. Raporti përmend faktin që Shqipëria mori në vitin 2014 statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, pas tri refuzimeve të mëparshme.

Kosova, vlerësimi i pandryshuar por ulje dhe ngritje në dy kategori

Vlerësimi i përgjithshëm për Kosovën nuk ka ndryshuar nga viti i kaluar, por vendi ka shënuar rënie në kategorinë e kuadrit dhe pavarësisë së gjyqësorit.

Në kategorinë e pavarësisë së medias është shënuar  përparim, falë shtimit të organeve të pavarura të medias dhe gazetarisë investiguese në mediat elektronike.

Megjithatë media në vend vazhdon të vuajë nga problemet që i kanë edhe shumica e vendeve të tjera në rajon, siç janë njëanësia pro-qeverisë në radio-televizionet publike, autocensura e shkaktuar nga presioni editorial nga udhëheqësit politikë dhe pronarët dhe ngacmimet ose sulmet ndaj gazetarëve që zakonisht nuk ndëshkohen.

Vazhdon rënia për Maqedoninë

Maqedonia, është mes vendeve që ka vazhduar të ketë rënie në nivelin e demokracisë, ashtu si edhe një vit më parë, veçanërisht në kategoritë e procesit elektoral dhe shoqërisë civile.

Zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohëshme parlamentare të prillit 2014 u shoqëruan nga njëanshmëria pro-qeveritare nga ana e medias dhe abuzimi me burimet administrative, duke sjellë si rezultat një tjetër bojkotim afatgjatë të parlamentit nga ana e opozitës.

Qeveria, thuhet në raport vazhdoi të zbatonte një numër reformash institucionale të kërkuara nga Bashkimi Evropian, por zhvillimet shqetësuese të viteve të fundit kanë vënë në pikëpyetje përkushtimin e partisë në pushtet ndaj pluralizmit politik dhe demokracisë.

Gjatë gjithë vitit 2014, grupet e shoqërisë civile dhe lëvizje spontane popullore u përpoqën pa sukses të kundërshtonin propozimet problematike qeveristare dhe, përfshirë legjislacion që minon pavarësinë e universiteteve.

(Shënim i redaktorit: Analiza e raportit nuk i përfshin zhvillimet e këtij viti). voa