Kategoritë: Ballkan

Vuçiç: Perëndimi po kërkon njohjen e Kosovës, sanksione kundër Rusisë

VucicPresidenti serb Aleksandar Vuçiç akuzoi të shtunën perëndimin se po ushtron trysni mbi Serbinë për të njohur Kosovën, për t’i vënë sanksione Rusisë dhe për të vendosur siç tha, një regjim “kukull” në vendin ballkanik.

 

Ai i bëri këto komente në një konferencë shtypi në Beograd, pak orë para se Partia e tij Përparimtare Serbe të shpallte vendimin për zgjedhje të reja në kryeqytetin serb, të cilat janë përcjellë më shqetësime të thella për keqpërdorime. Presidenti serb i bëri thirrje qeverisë së tij të zbatojë menjëherë rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-ut për zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit në Serbi.

Në raport thuhet se zgjedhjet u mbajtën në kushte të padrejta dhe u “dëmtuan nga retorika e ashpër, anshmëria në media, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.

Opozita ngulë këmbë se asaj iu vodh fitorja në Beograd dhe i gjithë procesi zgjedhor ishte i parregullt.

Presidenti serb tha se në kuadër të trysnisë perëndimore për njohjen e Kosovës përfshihet edhe kërkesa që Serbia të heq dorë nga mbështetja për Republikën Serbe në Bosnje. Ai tha se zhvillimet në Ukrainë nuk po rrjedhin sipas pritjeve të perëndimit dhe Rusia mund ta përdorë Kosovën si precedent.

“Meqë këtë e dinë në perëndim, është me rëndësi që të mbulohet kjo çështje dhe do të rritet trysnia mbi Serbinë, por jo edhe mbi (kryeministrin e Kosovës Albin) Kurtin. Atij do t’i bëhet trysni vetëm sa të mos krijohet një situautë kur Serbia duhet të reagojë, e këtë nuk e duam as ne”, tha presidenti serb, duke theksuar se në ditët në vijim “do të detyrohemi të marrim vendime të ndryshme me të cilat do të gjejmë zgjidhje alternative për të dërguar paratë, që janë paga e pensione për njerëzit tanë në Kosovë”.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi, por edhe për tensionet ndërmjet palëve.

Presidenti serb tha se mbi vendin e tij ushtrohet gjithnjë trysni për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, gjë që Serbia ka refuzuar ta bëjë. Beogradi nuk e mbështeti as deklaratën e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian lidhur me vdekjen e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny. Përmes deklaratës së 16 shkurtit BE-ja fajësoi presidentin rus, Vladimir Putin, për vdekjen e kritikut të Kremlinit.

Zëdhënësi i BE-së Eric Mamer tha se harmonizimi i politikës së jashtme me atë të blloku është pjesë e procesit të anëtarësimit të atyre që aspirojnë integrimet evropiane.

“Qartë ka pasoja në rast të mosharmonizimit me qëndrimet e BE-së pasi është kërkesë themelore që një vend duhet të harmonizohet me këto qëndrime për t’u bërë vend anëtar i BE-së. E Serbia është shprehur se anëtarësimi në BE është një qëllim strategjik i saj”, tha ai.

Ndonëse formalisht synon integrimet evropiane, Serbia ruan lidhje të ngushta me Moskën e cila mbështet pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen perëndimore.

voa

Kipred: Rusia nuk dëshiron që dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me sukses

KipredNë një studim të publikuar nga Instituti i Kosovës për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) theksohet se Rusia nuk e sheh të izoluar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pasi që ka synime gjeopolitike në rajonin e Ballkanit dhe për pengimin e integrimit të rajonit në institucionet euro-atlantike.

Raporti me titull “Ndikimi i Rusisë në Dialogun Kosovë-Serbi”, thekson se Rusia nuk dëshiron që dialogu të përfundojë me sukses dhe në pajtim me projektet e vendeve perëndimore.

“Mungesa e unanimitetit përbrenda komunitetit euro-atlantik ndaj Kosovës, me pesë vende të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka krijuar më shumë hapësirë manovruese për Rusinë për t’i penguar përpjekjet perëndimore dhe për t’u angazhuar me këmbëngulje në rrënimin e themeleve të shtetësisë së Kosovës dhe për destabilizimin e rajonit”, thuhet në studim.

Sipas studimit, Rusia e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, synon të rrënojë themelet e shtetësisë së saj, t’i zhvlerësojë politikat perëndimore ndaj dialogut Kosovë–Serbi dhe ta zhvendos mundësisht dialogun në Kombet e Bashkuara.

“Kjo e nënkupton ri-fitimin e drejtpërdrejtë të një roli aktiv të Moskës në këtë proces. Ta forcojnë rolin e Rusisë në Ballkan, dhe posaçërisht përmes mbajtjes së ndikimit rus në Serbi, dhe në mesin e aktorëve anti perëndimorë në rajon. Të grumbullojë përfitime në Ukrainë dhe në Gjeorgji, përmes politikave transaksioniste në të cilat Kosova do të përdoret si një monedhë shkëmbimi”, thekson studimi i Institutit Kipred.

Sipas studimit , që nga fillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2011, Moska zyrtare është përpjekur në disa raste të gërryej rolin e Bashkimit Evropian në lehtësimin e tyre dhe ka shprehur mbështetje të vazhdueshme për Serbinë.

“Ballkani mbetet e vetmja hapësirë gjeopolitike e Evropës që nuk është e integruar në tërësi në strukturat perëndimore dhe që ende e ka një potencial të heshtur destabilizues për tërë arkitekturën e sigurisë euroatlantike. Në këtë sfond, agresioni ushtarak që Putini e ka nisur kundër Ukrainës e ka shkaktuar një tendosje të pashembullt midis Federatës Ruse me SHBA-të dhe vendet e mëdha evropiane. Ndërkaq, ndezja e një rivaliteti kaq të fuqishëm midis Rusisë dhe fuqive perëndimore pashmangshëm e ka një pasqyrim tejet të madh edhe në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në studim.

Beogradi i mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, mirëpo është përfshirë në dialog për noromalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan një vit më parë për një marrëveshje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, por pa nënshkrim të saj. Në marrëveshje nuk përfshihet njohja e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.

voa

Kryediplomatët e shtatë vendeve të BE-së letër krerëve të Unionit: Koha për përparim në procesin e zgjerimit, urgjent caktimi i një afati për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor

letraNë të njëjtën ditë kur në Tiranë mbahej Samiti BE- Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes Ekonomike, figura të rëndësishme politike të vendeve kryesore të BE-së i kanë dërguar një letër krerëve të Unionit ku kërkojnë përshpejtim të procesit të Zgjerimit.

 

Zv.kryeministri italian, Antonio Tajani dhe ministrat e Jashtëm të Greqisë, Çekisë, Kroacisë dhe Austrisë i kanë dërguar një letër Charls Michel, Presidenti i Këshillit Europian, Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian dhe Roberta Metsola Presidente e Parliamentit Europian, që të angazhohen personalisht “për të finalizuar me prioritetin më të lartë negociatat ndërinstitucionale për ‘Lehtësimin e Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor’ përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian”.

 

LETRA

 

Të nderuar Presidentë/Të nderuar kolegë,

 

Në konkluzionet e tij të 14-15 dhjetorit 2023, Këshilli Evropian ripohoi angazhimin e tij të plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe bëri thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të tyre, duke përfshirë avancimin e integrimit gradual midis Bashkimit Evropian dhe Rajonit.

Kanë kaluar më shumë se dy dekada që kur Këshilli miratoi Deklaratën e Selanikut. Ka ardhur koha për përparim vendimtar në procesin e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Një kohë e qartë dhe e arsyeshme për pranimin e tyre është më urgjente se kurrë.

Në këtë kontekst, ne mirëpresim dhe mbështesim Planin e ri të Rritjes të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Ky plan ofron një mundësi konkrete për ta afruar rajonin me tregun e vetëm të BE-së, për të thelluar integrimin ekonomik rajonal dhe për të përshpejtuar reformat themelore. Nëse zbatohet me sukses, ai do të kontribuojë në nxitjen e konvergjencës socio-ekonomike, duke trajtuar ikjen e trurit nga rajoni, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij dhe duke mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE.

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, siç nënvizohet në deklaratën e tyre të përbashkët të datës 22 janar 2024, kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për objektivat e Planit të Rritjes dhe gatishmërinë e tyre për ta zbatuar atë. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Ky ishte edhe përfundimi i përbashkët i takimit të Ministrave të Jashtëm të “Miqve të Ballkanit Perëndimor” me partnerët e Ballkanit Perëndimor në Romë më 5 shkurt 2024.

Prandaj, ne bëjmë thirrje për angazhimin tuaj personal për të finalizuar me prioritetin më të lartë negociatat ndërinstitucionale për “Lehtësimin e Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor” përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.

Koha është thelbësore. Çdo vonesë do të dëmtojë besueshmërinë e BE-së dhe do të ketë një ndikim negativ në procesin e integrimit evropian të rajonit.

 

Sinqerisht,
Antonio Tajani, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane

Jan Lipavský, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke

Alexander Schallenberg Ministër Federal për Evropën dhe Çështjet ndërkombëtare të Republikës së Austrisë

Gordan Grliq Radman, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë

Juraj Blanar, Ministër i Çështjeve me Jashtë dhe Evropiane i Republikës së Sllovakisë.

George Gerapetritis, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Greke

Tanja Fajon, Ministër i Çështjeve me Jashtë dhe Evropiane të Republikës së Sllovenisë

Top Channel

BE: 6 miliardë euro për integrimin e Ballkanit Perëndimor

samiti tiraneVendet e Ballkanit Perëndimor duhet të japin prova se mund të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në mënyrë që të vjelin fondin prej gjashtë miliardë eurosh, të vendosur në dispoziocion nga BE-ja për periudhën 2024-2027.

 

Qëllimi i kësaj ndihme në bllok është përshpejtimi i integrimit europian në këtë rajon. Nga samiti ‘Bashkimi Europian– Ballkani Perëndimor” që u mbajt në Tiranë, Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, kërkoi nga gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor që të prodhojnë rezultate në katër fusha të ndryshme.

 

Treg i përbashkët rajonal për Ballkanin Perëndimor

“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor” synon krijimin e një tregu të përbashkët rajonal mes Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë, i cili do të integrohet gradualisht me atë të BE-së. Sipas komisionerit Varhelyi plani është tejet ‘’ambicioz”, pasi krijon shanse për dyfishim të gjashtë ekonomive ballkanike në dhjetë vitet e ardhshme. Por që plani të jetë funksional, para vendeve të Ballkanit Perëndimor parashtrohet detyra për të aplikuar reformat dhe kriteret e kërkuara.

‘’Kemi gjysmën e kohës për ta vënë në zbatim, kemi besim të plotë se do të mund t’i merrni përfitimet që sjell ky plan” – tha Varhely. ‘’ Ju mund të bëheni pjesë e tregut (të BE -së), edhe para se të bëheni shtete anëtare” – shtoi komisioneri.

E vetmja pengesë për zbatimin e këtij plani sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, është “mendësia” e shteteve të rajonit. ‘’Integrimi evropian shkon përmes integrimit rajonal. Plani i ri e vulos këtë. Të gjitha gjepurat që kemi dëgjuar për Ballkanin e Hapur janë tashmë qartësisht të ekspozuara si gjepura”, tha kryeministri Rama. Ky i fundit kërkoi nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që të angazhohen pa asnjë rezervë.

‘’Ose e bëjmë së bashku, ose dështojmë së bashku, pasi ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë të njëra-tjetrës” – shtoi Rama.

 

Investime dhe reforma në katër fusha

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon përshpejtimin e reformave dhe kryerjen e investimeve, që të gjashta vendet të avancojnë me procesin e zgjerimit drejt Bashkimit Evropian. Gjatë konferencës për media të mbajtur pas samitit, komisioneri Varhelyi tha se fusha e parë ku priten të ndërmerren reforma është ajo e sistemit të pagesave në zonën euro – SEPA. Sipas tij kjo nuk duhet të jetë e vështirë pasi bankat europiane operojnë në të gjithë rajonin.

Nëse kjo do të arrihet, tha kryeministri shqiptar, ulen me 6 herë tarifat e qytetarëve shqiptarë që ndodhen jashtë për të dërguar pagesa në Shqipëri. ‘’Vetëm duke bërë këtë, mund të kursejmë afro gjysmë bilioni euro në xhepat e njerëzve në të gjithë Ballkanin Perëndimor” – u shpreh Rama.

 

Procedurat doganore

Fusha e dytë ka të bëjë me korsitë e gjelbra që lidhet me uljen e pritjes në pikat kufitare. ‘’Do të rregullohen procedurat doganore në mënyrë që të përshpejtohen kalimet në kufi në të gjithë rajonin” – sqaroi komisioneri Varhelyi, që do të sjellë sipas tij edhe uljen e kostove për bizneset.

Komisioneri shtoi se fusha e tretë ka të bëjë me punën kërkimore shkencore, për të sjellë një brez tjetër të industrive të ndryshme në rajon. Ndërsa fusha e katërt lidhet me ndërtimin e rrjetit falas të internetit në hapësirat publike në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Plani i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian më 8 nëntor të vitit 2023. Ai bazohet ne katër shtylla kryesore që përfshijnë forcimin e integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së, forcimin e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal, përshpejtimin e reformave thelbësore, si dhe rritjen e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

 

Marrëveshje për Kolegjin e Europës

Në kuadër të Samitit Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, u nënshkrua edhe marrëveshja për hapjen e Kolegjit të Europës në Tiranë. Kjo marrëveshje u firmos nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini dhe Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha.

Rektorja e Kolegjit të Evropës tha se në këtë kolegj do të ketë 31 studentë, të zgjedhur nga 241 aplikantë nga 41 kombësi të ndryshme. Viti akademik do të nisë në shtator me një program të nivelit master për transformimin dhe integrimin evropian me fokus të veçantë në Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor.

dw

 

BE-Ballkani, takim në Tiranë për Planin e rritjes për rajonin

BE BallkanTakimi në Tiranë BE- Ballkani Perëndimor për Planin e rritjes

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesë të Komisionit europian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, janë mbledhur sot në Tiranë për të diskutuar rreth Planit të rritjes që Komisioni europian ka ofruar për rajonin. Bëhet fjalë për 6 miliardë euro të vëna në dispozicion për të sjellë disa prej përfitimeve të anëtarësimit në BE në rajon përpara anëtarësimit, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përshpejtuar konvergjencën shumë të nevojshme socio-ekonomike mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit europian. Qëllimi është që në thelb, t’u mundësohet vendeve të Ballkanit Perëndimor, që të përshpejtojnë reformat dhe investimet për të zmadhuar shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre.

Siç deklaroi dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, zbatimi i Planit të rritjes, “ka mundësi që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e BP në 10 vitet e ardhshme”. Nga ana e tij kryeministri shqiptar Edi Rama solli një shembull konkret të përfitimeve të rajonit, ndërsa vuri në dukje se “nëse përmbushim të gjitha kriteret për zonën e përbashkët të pagesave, zonës evropiane të përbashkët të pagesave, do të ulim me gjashtë herë tarifat e qytetarëve tanë që ndodhen jashtë për të dërguar para në shtëpi, duke qenë se do të ulë 6 herë koston e të gjitha transaksioneve të biznesit me vendet e BE-së. Vetëm duke bërë këtë, ne në Ballkanin Perëndimor mund të kursejmë afro gjysmë miliard euro në xhepat e njerëzve”.

Zoti Varhelyi, theksoi se “për të ecur përpara, rajoni vetë duhet të ecë me shpejtësi, të ketë rezultate për ato reforma që e bëjnë këtë plan funksional. Dhe ky plan, bëhet funksional nëse zbatoni rregullat e BE-së, në rast se i pranoni të gjitha këto rregulla, dhe të mund të bëheni pjesë e tregut përpara se të bëheni anëtarë”.

Kryeministri Rama kërkoi angazhimin e të gjithë vendeve të rajonit në mënrë që siç u shpreh ai, të mos humbet kjo mundësi. “Me planin e ri të rritjes tashmë në fuqi domosdoshmëria është e qartë, ose do të ndërmarrim hapat e nevojshme për të ecur më pranë BE-së e njëri-tjetrit ose të rrezikojmë të dështojmë për të zënë një vend në tryezën e BE-së e për t’u dhënë ekonomive e qytetarëve tanë një siguri për nevojat e tyre për vitet që vijnë. Ose e bëjmë së bashku ose dështojmë së bashku. BE është tanimë me e gatshme se kurrë të na ndihmojë që të bëhemi pjesë e konstelacionit të saj. Duhet të jemi ne tashmë më të gatshëm se kurrë të ndihmojmë veten për të mos e humbur këtë dritare të re të hapur mundësie”, u shpreh zoti Rama.

Në një rajon ku konfliktet dypalëshe kanë qenë ato që kanë diktuar më së shumti të ardhmen, kryeministri shqiptar drejtoi thirrjen që “t’i lëmë mënjanë këto dallime për një punë bashkëpunuese e jetike që kemi përpara me synim për të transformuar rajonin e vendet tona. Sigurisht çështjet dypalëshe mbeten por duhen zgjidhur përmes bashkëpunimit e dialogut dypalësh dhe jo të ndërhyjnë në këtë ushtrim të ri shumëpalësh”.

Në takimin e sotëm, Kosova nuk ishte e pranishme. Për shkak të angazhimeve të marra më herët, kryeministri Albin Kurti nuk ardhi në Tiranë, por ai iu drejtua samitit me një videomesazh. Po ashtu, kryeministri malazez, Milojko Spajiç, pjesmarrës në takimin e djeshëm “Ukrainë-Europa juglindore”, u largua, ndonëse kishte konfirmuar praninë dhe në takimin e sotëm.

voa

 

Zelenski: Thirrje për bashkëprodhim armësh në Ballkan

Volodymyr Zelenski, në samitin Ukrainë - Evropa Juglindore TiranëPresidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, në samitin “Ukrainë – Evropa Juglindore” në Tiranë

 

Presidenti i Ukrainës Zelenski kërkon në Tiranë ndihmë financiare dhe furnizime ushtarake për të përballuar agresionin rus dhe bën thirrje për bashkëprodhim armësh me vendet e Ballkanit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, që mori pjesë në samitin “Ukrainë – Evropa Juglindore” që zhvillohet në Tiranë kërkoi që të mos ketë vonesa në dërgimin e armëve në mënyrë që Ukraina të mbijetojë. “Sa më shumë që Putin sheh mungesat tona, aq më shumë mund të mendojë që mund ta sfidojë Evropën dhe Perëndimin”, – tha Zelensky.

 

Bashkëprodhim municionesh me vendet e Ballkanit dhe partnerët e Ukrainës

Duke shprehur shqetësim mbi ofertën e municioneve, presidenti i Ukrainës shprehu interesi për bashkëprodhimin e municioneve me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët e Ukrainës. ‘’Ne propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes ndërmjet Ukrainës dhe Ballkanit, qoftë në Kiev apo në ndonjë nga kryeqytetet tuaja” – tha Zelensky.

 

Përkrah liderit ukrainas, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, u bëri thirrje shteteve të rajonit të vazhdojnë të mbështesin financiarisht dhe ushtarakisht Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022. “S’duhet ta lëmë Rusinë të fitojë dhe Ukrainën të humbasë! Mbijetesa e saj varet nga mbështetja financiare dhe ushtarake” – u shpreh kryeministri shqiptar.

 

Rusia rrezik për destabilizimin e Ballkanit

Presidenti i Ukrainës i paralajmëroi po ashtu vendet e Ballkanit  Perëndimor që të jenë të kujdesshme prej destabilizimit nga Rusia. Sipas Zelenskit Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën.

“Rusia nuk do të ndalë. Ajo nxjerr përfundime nga gabimet që ka bërë në territorin e Ukrainës dhe do të destabilizojë edhe më tej, do të përdorë taktika të tjera” – theksoi Zelenksi gjatë konferencës për shtyp të mbajtur pas samitit. Ndaj presidenti ukrainas kërkoi që shtetet e Ballkanit të bëhen bashkë për t’i bërë ballë këtij rreziku.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pranoi se ekziston një rrezik i qartë për Ballkanin për shkak të agresionit rus. “Ju e keni parë në rajon se si ndikimi rus ka mbjellë destabilitet në një vend a në një tjetër” – tha Rama duke shtuar se ndihma për Ukrainën nuk duhet të përdoret për çështje të brendshme politike nga shtete të ndryshme. ‘’Shohim me shqetesim që kjo mbështetje ngec, sepse Ukranina kthehet në çështje politike mes një vendi apo tjetri”.

 

Ballkani Perëndimor duhet të qëndrojë bashkë dhe i palëkundur

Kryeministri shqiptar theksoi më tej nevojën që kanë shtetet e Ballkanit Perëndimor për të qëndruar bashkë dhe të palëkundur në aspiratën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në një deklaratë të përbashkët të liderëve të Evropës Juglindore Liderët e Europës Juglindore, të pranishëm në Samitin e Paqes në Tiranë, ata rikonfirmuan qëndrimin e tyre pro Ukrainës.

Në deklaratën që përmban 12 pika, liderët e rajonit, mes të cilëve edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ranë dakord në qëndrimin e tyre kundër agresionit rus dhe aneksimit të Krimesë. ‘’Ne i bëjmë thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtar që të rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj të vazhdueshme për liri, pavarësi dhe integritet territorial” – thuhet në deklaratën e përbashkët.

Lufta ndaj disinformimit, duke përfshirë narrativat e rreme rreth luftës, sfidat e sigurisë kibernetike, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e komunitetit ndërkombëtar, ishte një tjetër pikë e deklaratës.

 

Traktat Miqësie e Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Ukrainës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkruan në Tiranë edhe një “Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi mes Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”. Të dy vendet ranë dakord të zhvillojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, përfshirë tregtinë, kulturën, arsimin, mjedisin, kujdesin shëndetësor, median, sportin dhe turizmin.

‘’Traktati i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë” – thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat.

Ndërsa në platformën sociale X presidenti Volodymir Zelenky tha se kjo marrëveshje ‘’do të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe pozitën e Ukrainës në Ballkan”.

Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009 dhe kandidate për anëtarësim në BE, është renditur që në krye të herës përkrah vendeve mbështetëse të Ukrainës. Në kuadër të kësaj mbështetjeje janë miratuar disa vendime, që u mundësojnë shtetasve të Ukrainës hyrjen dhe qëndrimin pa leje në Shqipëri për një periudhë njëvjeçare. Si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në dy vitet e fundit, Shqipëria iu bashkua SHBA-së në inicimin e rezolutave kundër pushtimit rus të Ukrainës.

dw

Zelensky ftesë vendeve të Ballkanit për të bashkëprodhuar municione

Zelensky RamaPresidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ftoi sot vendet e Ballkanit për një bashkëpunim të mundshëm për prodhimin e municioneve, për të cilat Ukraina ka nevojë në përballjen e saj me agresionin rus. Ai e bëri këtë propozim në samitin e mbajtur në Tiranë, ku morën pjesë vendet e Europës juglindore. Deklarata e përbashkët, e miratuar në fund të takimit, i bënte ndërkohë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën

 

I mbërritur në Tiranë, pak para mesnatës, presidenti ukrainas Zelensky e nisi ditën me një takim me kryeministrin Rama. Një bisedë kokë më kokë mes të dyve e më pas me delegacionet respektive, u përmbyll me firmosjen e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes dy vendeve.

Shqipëria është ndër vendet e para që mbështeti pa hezitim Ukrainën, duke ofruar dhe ndihma, si dhe u rreshtua me vendet e tjera për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Ajo ishte po ashtu bashkëpenëmbajtëse me Shtetet e Bashkuara për çështjen e Ukrainës gjatë mandatit të saj dyvjeçar si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Për të gjitha këto arsye, presidenti Zelensky nderoi sot kryeministrin Rama me “Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti” një nga titujt më të lartë të Ukrainës.

Në një postim në rrjetin social X, pas takimit me zotin Rama, presidenti ukrainas shkroi se së bashku kishin diskutuar “ndër të tjera dhe për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve”.

Një ide të cilën ai e hodhi më pas si një ftesë drejtuar vendeve të rajonit, pjesëmarrëse në samitin e sotëm, ndërsa theksoi nevojën e mbështetjes së vendit të tij në luftën kundër agresionit rus. “Ne shikojmë probleme me furnizimin me municione, të cilat ndikojnë situatën në fushën e betejës dhe prandaj jemi të interesuar në bashkëprodhimin e municioneve me ju dhe me partnerët tanë. Ekipi ynë qeverisës, do të prezantojë të gjitha detajet dhe ne propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes ndërmjet Ukrainës dhe Ballkanit qoftë në Kiev apo në ndonjë nga kryeqytetet tuaja”.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në hapje të takimit, pati një thirje për vendet më të mëdha e më të pasura të bashkësisë demokratike “për të njohur rolin e tyre. Jetesa e Ukrainës si një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik e si bastion i lirisë së Europës në tërësi varet nga mbështetja financiare dhe ushtarake që ata së pari mbi të gjitha ofrojnë. Kjo mbështetje nuk duhet të jetë peng i politikave të brendshme ditëshkurtra, apo i vonesave demokratike. Mos u gaboni! Ukraina nuk po lufton veç për veten, por për gjithçka në ne cilën besojmë, qëndrojmë dhe punojnë”.

Edhe deklarata përfundimtare e takimit përmbante po ashtu thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtar që të rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj. Teksti u dakortësua pas tratativave të gjata me Serbinë e cila, kundërshtonte një formulim që përmendte 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak të Kosovës. Dhe zgjidhja duket se ishte ajo e renditjes nominale të të gjithë pjesmarrësve në hapje të tekstit të deklaratës. Sipas mediave serbe një pikë tjetër kishte qenë dhe një pasazh që lidhej me sanksionet ndaj Moskës, të cilat Beogradi nuk i ka përkrahur. Në tekstin përfundimtar në fakt, termi sanksion nuk përmendet.

Nga ana tjetër të gjitha vendet pjesmarrëse përkrahën plotësisht Planin e Paqes së propozuar nga presidenti Zelensky dhe konfirmuan pjesmarrjen në Samitin e Paqes që Ukraina synon të organizojë në Zvicër.

Më herët gjatë ditës, u zhvillua dhe një takim mes ministrave të jashtë të të dy vendeve. “Shqipëria mbështet Planin me 10 Pika të Presidentit Zelensky, si mundësia më realiste për t’i dhënë fund luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Së bashku me aktorë dhe vende të tjera, kemi marrë tashmë angazhimin për bashkëpunim në realizimin e Pikës 5 që ka të bëjë me “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”, si një nga objektivat më imediatë të përfundimit të luftës”, deklaroi pas takimit ministri shqiptar Igli Hasani.

Shqipëria është ndër vendet e para që mbështeti pa rezerva Ukrainën si dhe u angazhua për të kontribuar drejtpërsëdrejti me ndihma. Ministri Hasani tha se edhe gjatë takimit të sotëm “kemi folur për ndihmën ekonomike e financiare që Shqipëria mund të ofrojë për përballimin e situatës në Ukrainë, por edhe për rindërtimin e saj, që shpresojmë të ndodhë sa më parë, pa asnjë vonesë”.

Brenda muajve të ardhshëm, siç njoftoi ministri i Jashtëm shqiptar, pritet të hapet në Kiev dhe ambasada e Shqipërisë. “Jemi në fazën e përgatitjeve teknike”, shpjegoi zoti Hasani.

Nga ana e tij shefi i diplomacisë ukrainase Dmytro Kuleba falenderoi Shqipërinë për mbështetjen e ofruar në shumë drejtime, duke u ndalur veçanërisht në rolin e saj gjatë mandatit dy vjeçare si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria po ashtu vlerësohet nga Kievi dhe si një anëtare e Nato-s, ku Ukraina kërkon të bëhet anëtare. “Pritshmëritë tona janë që me të tjerash, një prej rezultateve të samitit të Uashingtonit të jetë një hap më përpara drejt anëtarësimit të Ukrainës, që më në fund, do ta bëjë këtë pjesë të Europës, më të sigurt”, u shpreh ministri Kuleba.

voa

Serbia aleate e Moskës godet rusët kundër luftës që jetojnë në vendin ballkanik

Elena KoposovaKur Elena Koposova nënshkroi një letër të hapur kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë, ajo nuk priste një reagim në shtetin e saj të ri, Serbinë.

 

Fundja, Serbia po kërkon formalisht të anëtarësohet në Bashkimin Evropian duke pranuar të gjitha vlerat demokratike që shkojnë së bashku me anëtarësimin, mendoi ajo. Tani, ajo e sheh se kishte gabuar.

Dy vjet pas nënshkrimit të letrës, 54 vjeçarja ruse po apelon një urdhër dëbimi pasi u shpall si kërcënim për sigurinë kombëtare të Serbisë dhe iu hoq leja e qëndrimit. Përkthyesja e letërsisë tha se e vetmja arsye që mund ta mendonte është peticioni kundër luftës që e kishte nënshkruar.

“Unë nuk jam aktiviste, por firmosa një letër kundër luftës kur sapo filloi agresioni rus në Ukrainë”, tha ajo në një intervistë. “Edhe duke mos qenë aktiviste, nuk mund të heshtja për këtë. Ndaj, unë vetëm vendosa emrin tim në letrën e hapur ku thuhej se lufta është krim dhe duhet të bashkohemi të gjithë për t’i dhënë fund asaj”.

Zonja Koposova nuk është e vetmja. Serbia hapi kufijtë e saj në vitet e fundit për dhjetëra mijëra rusë që ikën nga qeveria e presidentit Vladimir Putin dhe nga lufta në Ukrainë. Aktivistët rusë pro-demokracisë në vendin ballkanik, tani thonë se së paku një duzinë kohët e fundit u përballën me ndalim të hyrjes ose iu hoqën lejet e qëndrimit, me arsyetimin se paraqesin kërcënim për sigurinë e Serbisë.

Të paktën tetë të tjerë kanë frikë të flasin publikisht për problemet e tyre ligjore me autoritetet serbe, nga frika se kjo mund të rrezikojë mundësinë e tyre për të qëndruar në Serbi së bashku me familjet e tyre, thonë veprimtarët rusë kundër luftës.

“Ishte shumë e papritur, shumë tronditëse”, tha Koposova duke përshkruar ditën kur mori urdhrin e dëbimit, i cili nuk shpjegon arsyen e masës, por vetëm pohon se ajo paraqet “kërcënim për sigurinë kombëtare” dhe duhet të largohet nga vendi. brenda 30 ditësh.

Ajo dhe burri i saj kanë ndërtuar një shtëpi moderne në një copë tokë në një fshat jashtë Beogradit, ku jetojnë me dy fëmijët, të moshës 6 dhe 14 vjeç, të cilët ndjekin shkollat lokale.

Veprimtarët për të drejtat e njeriut thonë se problemet me lejet e qëndrimit tregojnë për një marrëdhënie të ngushtë midis presidentit gjithnjë e më autokratik të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe presidentit Putin, pavarësisht kërkesës formale të Serbisë për anëtarësim në BE. Presidenti Vuçiç ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër aleatit tradicional sllav, ndërkohë që ka lejuar mediat propagandistike të Moskës si RT dhe Sputnik të përhapin rrëfimin e tyre në gjithë Ballkanin.

“Autoritetet në Beograd dhe ato në Moskë janë politikisht shumë të afërt”, tha Predrag Petroviç, nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, një institut i pavarur që ka kërkuar një shpjegim nga Ministria e Brendshme për masat kundër rusëve.

“Kritikët e regjimit të Putinit paraqesin një kërcënim të madh për regjimin në Moskë”, tha zoti Petroviç. “Kjo është arsyeja pse këta njerëz janë në shënjestër të autoriteteve serbe”.

Zyrtarët serbë deri më tani nuk kanë komentuar në lidhje me rastet e raportuara që përfshijnë shtetas rusë dhe ministria e Brendshme e Serbisë nuk i është përgjigjur një kërkese të agjencisë së lajmeve Associated Press për një intervistë, ose një koment për këtë çështje.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë dy vjet më parë, shumë rusë erdhën në Serbi sepse nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në shtetin mik ballkanik, një pikënisje për një emigrim të mundshëm në të ardhmen në perëndim. Shumë po i shmangeshin rekrutimit, ndërsa të tjerët, si familja Koposova, e cila erdhi më herët, thjesht ishin ngopur me qeverinë e presidentit Putin dhe kërkuan një jetë më të mirë diku jashtë Rusisë.

Peter Nikitin, një nga themeluesit e Shoqërisë Demokratike Ruse, kaloi dy ditë në aeroportin e Beogradit verën e kaluar kur iu hoq leja e hyrjes, megjithëse ai e ka gruan serbe dhe ka jetuar në Serbi për shtatë vjet. Peter Nikitin më vonë u lejua të hynte në vend, por një procedurë ligjore në lidhje me dokumentet e tij të qëndrimit është në vazhdim e sipër.

“Nuk kam asnjë dyshim se kjo po bëhet me urdhër të drejtpërdrejtë nga Rusia, qoftë nëpërmjet ambasadës ose drejtpërdrejt nga Moska”, këmbëngul zoti Nikitin, grupi i të cilit ka organizuar gjithashtu protesta kundër luftës në Ukrainë dhe demonstrata që kërkojnë liri për të burgosurit politikë, përfshirë Alexei Navalnyn, një udhëheqës i opozitës ruse dhe një kritik i Putinit, i cili vdiq më 16 shkurt në një burg në Rusi.

Zoti Nikitin tha se në mesin e veprimtarëve kundër luftës që u përballën me masat e autoriteteve serbe është edhe bashkëthemeluesi i grupit RDS, Vladimir Volokhonsky, i cili tani jeton në Gjermani.

Nën sanksione ishin gjithashtu Yevgeny Irzhansky, i cili organizoi koncerte me grupet kundër Putinit në në Serbi dhe që atëherë është zhvendosur në Argjentinë me gruan e tij, si dhe Ilya Zernov, një i ri rus të cilit iu ndalua të kthehej në Serbi pasi u sulmua nga një nacionalist serb i së djathtës ekstreme kur u përpoq të fshinte një pikturë murale që bënte thirrje “Vdekje Ukrainës”, në qendër të Beogradit.

Nikitin tha se qëllimi i këtyre masave është frikësimi i veprimtarëve kundër luftës.

“I vetmi shpjegim për këtë është se ata duan t’i trembin të gjithë”, tha ai. “Sepse nëse nuk mund të nënshkruani një letër kundër luftës, atëherë nuk mund të bëni asgjë”.

“Çështja është se rusët që janë kundër luftës nuk po protestojnë këtu kundër askujt në Serbi”, tha z. Nikitin. “Ne jemi të shqetësuar vetëm për vendin tonë dhe për vendin tonë fqinj, i cili po vuan nga vendi ynë tani”.

Marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë datojnë prej shekujsh dhe të dyja vendet ndajnë gjithashtu një origjinë të përbashkët sllave dhe besimin e krishterë ortodoks. Rusia mbështet pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen perëndimore.

Serbia dhe Rusia mbajnë gjithashtu lidhje të ngushta midis shërbimeve të tyre të sigurisë.

Ish shefi i sigurimit shtetëror serb, Aleksandar Vulin, i cili u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara për ndihmë Rusisë për veprimtari keqdashëse në rajonin e Ballkanit, së fundmi mori një dekoratë nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë për bashkëpunim të ngushtë midis dy agjencive të spiunazhit. Vulini thuhet se ishte i përfshirë në përgjimin e veprimtarëve të shquar të opozitës ruse që u takuan në Beograd në prag të luftës në Ukrainë dhe që më vonë u burgosën në Rusi.

Për zonjën Koposova, vendimi i autoriteteve serbe për ta dëbuar nga vendi do të thotë se ajo dhe familja e saj mund të humbasin gjithçka, nëse ankesa e saj refuzohet.

Familja nuk mund të kthehet në Rusi sepse ka shitur të gjithë pronën e saj, është e shpallur si veprimtare kundër Putinit dhe burri i saj mund të rekrutohet për të luftuar në Ukrainë, tha zonja Koposova.

“Kjo është shtëpia jonë e vetme, e vetmja shtëpi që kanë fëmijët tanë”, tha ajo me lot në sy.

voa

Dezinformimi dhe ndikimet e huaja keqdashëse në rajonin e Ballkanit

DezinformimiJason Steinhauer, ekspert nga Shtetet e Bashkuara mbi dezinformimin në rrjetet sociale, tha të enjten në një bisedë me Zërin e Amerikës se rreziku më i madh për Kosovën dhe Ballkanin nga dezinformimi është nxitja e përçarjes në shoqëri.

 

“Mendoj se shumë nga këto narrativa dezinformuese kanë për qëllim të ndajnë grupe kundër njëra tjetrës, qofshin ato grupe etnike, fetare, kombëtare apo të tilla si Perëndimi kundër Lindjes, Bashkimi Evropian kundër Rusisë. Mendoj se synimi përfundimtar i fushatave të tilla është krijimi i ndasive të cilat shpesh mund të çojnë në dhunë dhe dëme të vërteta”, tha ai.

Zoti Steinhauer ishte pjesë e diskutimeve në kuadër të Samitit të Ballkanit për Dezinformim që po zhvillon punimet sot në Prishtinë nën organizimin e platformës The Geopost, e cila ka tre vjet që punon kundër dukurisë së përhapjes të lajmeve me përmbajtje të pasaktë.

Ekspertë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor që morën pjesë në samit, ngritën shqetësimin për ndikimet e huaja keqdashëse nëpërmjet dezinformimit në rajon që siç thanë, vjen kryesisht nga Rusia.

“Rusia është një shtet terrorist dhe autoritar. Nuk do të flas për hollësitë se çfarë është duke ndodhur atje, por koncepti i pushteteve të përbashkëta na shpjegon se kur bëhet fjalë për demokraci të reja dhe të cenueshme si ato në Ballkan, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që shtetet autoritare janë duke u përpjekur të depërtojnë në mjediset e tyre informative dhe këtu nuk po flas vetëm për mediat, po flas për librat e historisë, rrjetet sociale dhe të tjera. Një segment tjetër është që për shembull një nga mjetet që Rusia përdor është ‘Vëllazëria Ortodokse Sllave’ dhe ndikimi nëpërmjet Kishës Ortodokse”, tha Rosana Aleksoska nga Maqedonia e Veriut.

“Si faktor thelbësor i cili shërben si ombrellë është Kisha Ortodokse Serbe e cila sipas anketave në tri vitet e fundit është institucioni më i besueshëm në Malin e Zi dhe kjo nuk është gjë e mirë. Propaganda e tyre bazohet në rishikimin e historisë me rrëfime se Mali i Zi nuk ekziston pa Serbinë, malazezët janë serbë ose gjuha malazeze nuk ekziston por është gjuhë serbe. Ky model është përdorur nga Rusia në Ukrainë me pretendimin se ukrainasit janë njësoj si rusët, një model që është ekzekutuar me sukses atje tani ka përpjekje të ekzekutohet në vendin tim”, tha Milan Jovanoviç nga Mali i Zi.

Zoti Steinhauer thotë se kjo dukuri më së miri luftohet nëpërmjet sistemit të edukimit.

“Ka shumë nevojë për edukim medial, shkathtësi të mendimit kritik, për edukim mbi historinë. Kemi shumë për t’u mësuar njerëzve mbi atë se si dhe pse platforma të caktuara veprojnë në mënyrën si veprojnë, përse informacione të caktuara qarkullojnë në mënyrë të caktuar. Tërë kjo kërkon të rimendohet gjerësisht sistemi i edukimit dhe të investohet masivisht në mënyrën se si edukohen dhe trajnohen jo vetëm rinia por gjithë shoqëria”, tha ai.

Udhëheqësi i platformës The Geopost, Gynen Venhari i tha Zërit të Amerikës se Kosovës i mungon edhe një strategji shtetërore që do të shërbente si udhërrëfyes dhe urë lidhëse për të gjitha nismat që synojnë luftimin e kësaj dukurie.

“Sepse ka shumë iniciativa, ka shumë organizata të cilat punojmë aty për aty dhe me vetiniciativë, shpesh herë kemi bashkëpunim më të mirë me rajonin dhe botën se sa që kemi ne ndërmjet vete dhe kjo luftë kërkon koalicion të gjerë, jo vetëm brenda”, thotë zoti Venhari.

Pjesëmarrësit në samit theksuan se lufta kundër dezinformimit dhe ndikimeve të huaja në rajonin e Ballkanit kërkon marrëdhënie më të mira ndërshtetërore dhe vullnet të vërtetë politik, duke nënvizuar se pa këto elemente nuk mund të ketë një përgjigje efektive kundër kësaj dukurie.

voa

Shtuni: Konfliki në Lindje të Mesme po përshkallëzon polarizimin në Ballkanin Perëndimor

ShtuniKonflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, që filloi me sulmin terrorist të grupit militant palestinez dhe po vazhdon me kundërpërgjigjen e përgjakshme ushtarake izraelite në Gazë, ka shkaktuar polarizim global. Ky konflikt, sipas ekspertëve, po lë gjurmë edhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor në aspektin e sigurisë dhe tek përdorimi në rritje i gjuhës së urrejtjes. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, studiuesi Adrian Shtuni, që studion fenomenin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, paralajmëron se polarizimi social dhe politik që ekziston sot në shtetet e rajonit, i nxitur nga gjuha e urrejtjes lidhur me konfliktin në Lindje të Mesme mund të përshkallëzojë situatën e brishtë veçanërisht në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Shtuni, si studiues i ekstremizmit të dhunshëm, grupeve terroriste dhe njohës i dinamikave në Ballkanin Perëndimor, së fundmi keni paralajmëruar për ndikimin e konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Ballkanin Perëndimor. Si po manifestohet ky konflikt?

Adrian Shtuni: Ky është një konflikt mjaft i rëndësishëm. E kemi parë nga vëmendja e gjerë që kërkon, nga konsumi, nga ana e publikut, i informacionit në lidhje me konfliktin dhe në vetvete, si konflikt, ka shumë ndikim edhe në aspektin humanitar edhe në atë të sigurisë, sepse ka edhe një lidhje më të afërt me popullin e Palestinës dhe problemin e Palestinës në Ballkanin Perëndimor edhe për arsye fetare.

Në aspektin e sigurisë kemi disa lloj trendesh, të cilat janë të dukshme. Një nga këto trende kryesore është frika për një valë të re refugjatësh dhe migrantësh të paligjshëm të cilët mund të kalojnë nëpërmjet Ballkanit Perëndimor, që është një nga rrugët kryesore për kalimin e migrantëve, refugjatëve për në Bashkimin Evropian. Siç është parë edhe gjatë krizës së Sirisë dhe Irakut, në këto lloj valësh të migrantëve janë infiltruar elementë terroristë, që pastaj kanë kryer aktivitete, akte terroriste në Evropë.
Një shqetësim tjetër është ai i gjuhës së urrejtjes. Kemi parë shtim të gjuhës së urrejtjes sidomos në mediat sociale, që është e lidhur me konfliktin. Kemi parë një valë po ashtu shqetësuese të keqinformimit dhe dezinformimit.

Dhe e katërta është pikërisht radikalizmi që vjen nga kombinimi i faktorëve të mësipërm dhe që çon pastaj së bashku me polarizimin social në fenomenet e tjera shumë të rrezikshme, që mund të çojnë deri në sulme terroriste, apo aktivitetet të tjera. Dhe mobilizim, që mund të jetë i ngjashëm me atë që kemi parë gjatë luftës në Siri dhe Irak, nga e cila vetëm nga Ballkani kanë shkuar mbi 1,000 individë, që i janë bashkuar kryesisht organizatave terroriste.

Zëri i Amerikës: Megjithatë për çështjen e rekrutimit të luftëtarëve të huaj, ju thoni, në raportin tuaj të fundit, se rreziku është i ulët për këtë çështje. Por theksin e keni vënë te dinamikat rajonale. Për çfarë dinamika e keni fjalën?

Adrian Shtuni: Ne e pamë, sulmi i Banjskës, ishte një sulm që shkon përtej terrorizmit, ishte një sulm paramilitar me qëllim destabilizimin e Kosovës, jo vetëm në veri, por që ka edhe një dimension rajonal, sepse ky destabilizim nuk mund të përmbahet thjesht në Kosovë nëse arrin të jetë i suksesshëm. Kemi një problem të jashtëzakonshëm me polarizimin brenda Kosovës por edhe të Bosnjës. Unë në raport fokusohem më tepër në Kosovë. Kemi një polarizim social, një polarizim politik. E shikojmë në diskursin e përditshëm, kemi tendenca përplasjeje ndëretnike. Nuk ka qenë vetëm sulmi i Banjskës; ka pasur edhe incidente të tjera të shpeshta dhe kemi në një situatë të tillë, që është mjaft e tensionuar dhe mundet të kalojë shumë kollaj në përplasje fizike, kemi probleme të tensionit të shtuar që ndërlidhen me konfliktet tjera.

Në këtë rast me konfliktin e Palestinës, ku kemi një konflikt me tre dimensione – konflikt për territor, konflikt me bazë etnike, por edhe me një lloj baze fetare. Të njëjtat gjëra i kemi parë edhe në Ballkan gjatë kohës së luftës në vitet ’90 si në Bosnje dhe në Kosovë, ku ka qenë një luftë për territor, por edhe luftë e fokusuar tek marrëdhëniet ndëretnike dhe ka pasur një komponent të qartë fetar. Mos të harrojmë që në luftën e Kosovës mbi 200 xhami janë dëmtuar ose shembur. Në njëfarë mënyre edhe në krahun tjetër dhjetëra kisha ortodokse po ashtu janë dëmtuar ose janë sulmuar. Dhe kur shikojmë një ngjashmëri midis të dyja konflikteve, shikojmë sensitivitetin e publikut dhe këtë valë qoftë të dezinformimit, qoftë të gjuhës së urrejtjes, shumë kollaj mund të kalohet në radikalizëm të përshpejtuar, i cili pastaj çon akoma më tepër në polarizim dhe në aktivitete potencialisht shumë të rrezikshme për situatën e sigurisë brenda në Kosovë dhe në rajon. Këto janë të ndërlidhura, nuk mund të shikohen veçmas, sepse janë duke ndodhur në të njëjtën kohë. Nuk mund ta mbash situatën të izoluar nga faktorë të tjerë që ndikojnë për shkak të rezonancës në popull, për shkak të ndjeshmërisë që ka ndaj këtij konflikti, që është duke u zhvilluar në Gazë dhe që fatkeqësisht ka qenë shumë i përgjakshëm.

Zëri i Amerikës: Megjithatë ju thoni se rajoni qëndron më mirë se vendet tjera të Evropës sa i përket dhunës ose incidenteve anti-semite dhe incidenteve të tjera që lidhen drejtpërdrejt me konfliktin. Gjetët që gjuha e urrejtjes ka shënuar rritje, sikur që ka shënuar rritje edhe dezinformimi, e thatë edhe tani, si dhe keqinformimi. A bëhet fjalë për faktorë të jashtëm që nxisin këto fenomene, apo janë reagim ndaj situatës?

Adrian Shtuni: Është një pyetje jashtëzakonisht e mirë që kërkon hulumtim të vazhdueshëm dhe kërkon sidomos rritje të vigjilencës nga autoritetet përgjegjëse për sigurinë në Ballkan. Ne kemi parë më përpara dhe e kam thënë që pas luftës së Kosovës, kemi pasur një infiltrim të shoqërisë nga elementë shumë problematikë që kanë sjellë një ideologji radikalizuese, të tipit ekstrem, që më prapa është materializuar edhe me atë valën e luftëtarëve të huaj që kemi parë, që kanë shkuar në Siri dhe Irak dhe që fatkeqësisht akoma kemi qytetarë të vendeve të Ballkanit që vazhdojnë të luftojnë në Siri. Kjo nuk ka ndodhur aksidentalisht, nuk ka ndodhur brenda natës. Ka ndodhur falë një pune që ka qenë e dedikuar, e mirë financuar nga jashtë, që ka ardhur fatkeqësisht edhe si mungesë e njohurive nga autoritetet vendore se çfarë ishte kjo ideologji dhe ku mund të çonte.

Kështu që deri tani ne nuk kemi parë elemente të cilat do të na bënin të mendonim se është duke u përgatitur një valë e re luftëtarësh të huaj për të luftuar nga Ballkani në Gaza për një sërë arsyesh – arsye gjeografike, Gaza është vend mjaft i izoluar, nuk është kollaj të arrish atje, edhe për arsye ideologjike, sepse nuk është e njëjta gjë. Shteti Islamik dhe Hamasi kanë diferenca në ideologji, kanë qasje taktike të ngjashme, sikur e pamë në sulmet terroriste që u bënë në Izrael. Por kanë një ideologji që është e ndryshme. Ndërkohë që Shteti Islamik ka një ideologji për të krijuar një Kalifat dhe që është një synim që kalon përtej nacionalizmit vendor, Hamasi është një lëvizje që ata e konsiderojnë çlirimtare, është një lëvizje nacionaliste, pavarësisht se e ka elementin islamik në mes.

Sa i përket gjuhës së urrejtjes, kam përshtypjen se është një kombinim. Unë e kam ndjekur nga afër çfarë është duke ndodhur edhe gjatë protestave. Kemi parë thirrje të cilat janë anti-semite, si për shembull “Mbani botën të pastër” duke përdorur simbolet e shtetit të Izraelit, të hedhura në një kosh plehrash, apo thirrje që të ketë “Nga lumi deri në det vetëm një Palestinë” që do të thotë të fshihet nga harta shteti i Izraelit. Këto janë thirrje problematike, por nuk janë thirrje të cilat e kanë origjinën në Ballkan. Këto i kemi parë edhe në vende të tjera dhe kjo tregon që ka njëfarë ekoje të narrativave që nuk janë autentike dhe nuk janë të lindura në Ballkan, por reflektojnë njëfarë solidariteti fatkeqësisht që i bën jehonë gjuhës së urrejtjes. Nuk kemi parë sulme të drejtuara ndaj komunitetit qoftë izraelit, apo palestinez, gjë që është pozitive në këtë moment.

Por, sa i përket pastaj dezinformimit, keqinformimit këtu unë kam vërejtur që ka elemente që mua më shqetësojnë. Për shembull, kam vënë re në mediat sociale që ka shumë llogari të cilat nuk janë të identifikuara, janë anonime dhe përdorin një gjuhë që duket sikur është përkthyer me ‘Google translate’. Kam përshtypjen, pavarësisht se nuk e kam bindjen, sepse duhet që ta studioj më thellë fenomenin, por kam përshtypjen, që ka instanca që ndoshta janë duke përdorur këtë konflikt për të infiltruar narrativa problematike, që çojnë tek përplasjet ndëretnike, ndërfetare, që çojnë tek gjuha e urrejtjes, çojnë tek manipulimi i opinionit publik dhe duhet që të ketë vëmendje të shtuar sepse ka mangësira nga platformat e mediave sociale në menaxhimin e këtyre lloj informacioneve, në pastrimin e tyre, heqjen e tyre dhe kjo vjen për shkak se fokusin e kanë kryesisht tek gjuhët kryesore, tek anglishtja, tek frëngjishtja, tek spanjishtja, por nuk ka një vëmendje të posaçme tek gjuhët e Ballkanit si shqipja apo serbishtja.

Zëri i Amerikës: Duke marrë parasysh rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara në dy konflikte globale, konfliktin e Ukrainës dhe konfliktit e Izraelit me Hamasin, a mendoni se kanë vëmendje të mjaftueshme për të arritur me sukses një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës këtë vit?

Adrian Shtuni: Unë mendoj që sa më tepër kriza akute të sigurisë të jenë në botë, aq më shumë është e nevojshme që kriza midis Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet për shkak se vëmendja fatkeqësisht është e limituar, resurset janë të limituara dhe në qoftë se ka zjarre më të mëdha, që janë duke u djegur me dimensione akoma më të mëdha rajonale, fatkeqësisht mund të mos ketë nivelin maksimal të impenjimit, sidomos kur ky impenjim është frustruar nga një qasje jo bashkëpunuese. Prandaj duhet që të ketë një shtim të impenjimit real, jo thjesht me fjalë, për të zbatuar marrëveshjet e arritura në mënyrë që të shkohet drejt normalizimit të marrëdhënieve. Përndryshe kam frikë se me gjithë këto konflikte, në Ukrainë, në Gaza, sulmet e grupeve si Houthi po edhe në vendet e tjera, kam frikë se nëse vazhdohet në këtë mënyrë mund të kemi destabilizim potencial në veri të Kosovës, por edhe në rajon. Dhe këtu pikërisht është edhe shqetësimi, prandaj duhet të ketë më tepër vëmendje dhe më tepër impenjim për gjetjen e një zgjidhjeje.

Kemi një vend mjaft të polarizuar. Po t’i hapim gazetat qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Serbi, qoftë në Bosnjë, kryefjala e titujve është luftë. Në qoftë se njerëzit hapin televizorin shikojnë luftë, në Gaza, në Ukrainë. Hapin gazetat lexojnë për luftë, luftë lokale, luftë brenda komuniteteve të tyre dhe në qoftë se shkojnë në media sociale dhe gjëja kryesore që shikojmë është që nuk ka durim për debat, por ka vetëm sharje dhe kërcënime, atëherë të gjitha këto kombinohen me njëra tjetrën për të krijuar një situatë, e cila është shumë problematike dhe nga polarizimi social, polarizimi politik, sepse nuk kemi vetëm polarizim ndëretnik, kemi edhe polarizim politik brenda etnik. Në Kosovë, po ta shikojmë, nuk ka dialog midis palëve politike, partive politike, jo dialog konstruktiv, sidomos në një kohë krize. Kjo është e pashpjegueshme. Të gjitha këto shtojnë tensione dhe ky polarizim i shtuar, bashkë me faktorët që vijnë nga jashtë, shton stresin, shton ankthin, shton edhe radikalizimin dhe në qoftë se kemi radikalizëm të shtuar për shkak të polarizimit, atëherë mund të kemi dhe dhunë politike, që ne faktikisht e kemi parë. Dhunë politike në Banjska, që ka qenë jashtëzakonisht e rrezikshme dhe që akoma nuk është zgjidhur, sepse akoma dhe sot Radoiçiç dhe ata që e kanë kryer atë akt janë duke ecur të lirë, nuk janë përballur me asnjë lloj drejtësie. Kjo akoma më tepër na shqetëson sepse sjell edhe komponentin tjetër, që ka shtete dhe jo vetëm grupacione që janë të interesuar për destabilizim në rajon.