Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Si mund ta dëmtojnë Evropën tarifat e Trumpit?

reciprocitetNjoftimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 2 prill, për rritjen e tarifave në shkallën më të lartë në mbi 100 vjetët e fundit, ka tronditur tregjet e aksioneve dhe ka shkundur ekonominë globale.

 

“Kjo gjë nuk është parë në një shekull sa i përket shkallës së tarifave, numrit të vendeve të prekura dhe thjesht shkallës së lartë të këtyre tarifave”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Emily Kilcrease, hulumtuese në Qendrën për Siguri të Re Amerikane (CNAS).

“Mendoj se do të shohim tronditje që nuk mund t’i parashikojmë plotësisht, sepse nuk kemi parë kurrë një nivel kaq të lartë tarifash në epokën e globalizimit”, theksoi ajo.

Kjo goditje globale mund të prekë veçanërisht fort Bashkimin Evropian, thanë ekonomistët për REL-in.

Ndikimi i drejtpërdrejtë i tarifës së Trumpit prej 20 për qind ndaj produkteve të BE-së ka nxitur frikën për inflacion të mundshëm dhe të ardhmen ekonomike të prodhuesve të goditur brenda bllokut me 27 vende, të cilët tashmë po vuajnë nga tarifat amerikane për makinat dhe çelikun.

Ekspertët thonë se edhe sektorë të tjerë të mëdhenj, si industria farmaceutike e Evropës që eksporton shumë në tregun amerikan, mund të preken rëndë.

“Këto kompani farmaceutike do të përpiqen të shesin sa më shumë që munden në SHBA”, tha për REL-in Reid I’Anson, ekonomist në firmën e inteligjencës tregtare, Kpler.

 

Sa i fuqishëm do të jetë ndikimi i tarifave të Trumpit për Evropën?

“Ato mund t’i ulin pak çmimet për të mbetur konkurruese, por ka shumë gjasa që kërkesa në SHBA për mallrat evropiane të bjerë. Kjo do të reflektohet në një ambient më të dobët ekonomik në Evropë”, nënvizoi ai.

Tarifat janë në thelb taksë që paguhet nga importuesit dhe zakonisht u ngarkohet shpërndarësve, tregtarëve me shumicë dhe me pakicë, dhe në fund konsumatorëve.

Rreth 60 vende që kanë suficit më të madh tregtar me SHBA-në – përfshirë aleatë kyç si BE-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut – tani përballen me tarifa shtesë më të larta se tarifa bazë prej 10 për qind, me dhjetëra vende të tjera që mund të përballen me tarifa që arrijnë deri në 50 për qind ose më shumë në total.

Gjatë njoftimi, Trump tha se tarifa bazë prej 10 për qind për pothuajse të gjitha vendet hyn në fuqi më 5 prill, ndërsa tarifat më të larta të ashtuquajtura “reciproke” do të fillojnë në fuqi më 9 prill.

Derisa ekonomistët thonë se regjimi i ri tarifor i shpallur nga Trumpi pritet t’i bëjë më të shtrenjta mallrat në SHBA, ai gjithashtu do të ndikojë në industritë në Evropë dhe gjetkë, të cilat varen nga eksportet në tregun amerikan.

“Eksportuesit evropianë, që shesin mallra në Shtetet e Bashkuara, do të duhet të paguajnë kosto më të larta, të cilat më pas u ngarkohen konsumatorëve amerikanë, por gjithashtu do të ndikojë në aftësinë e tyre për të shitur dhe do të humbasin pjesë tregu”, tha për REL-in Matthew Goodman, drejtor në Qendrën Greenberg për Studime Gjeoekonomike në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë.

Brukseli dhe qeveritë evropiane veç e veç ende po vendosin se si do të reagojnë. Negociata të mëtejshme mund të ndodhin, por perspektiva e tarifave hakmarrëse ndaj produkteve amerikane është reale.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se blloku “po përgatitet për kundërmasa për t’i mbrojtur interesat dhe bizneset tona nëse dështojnë negociatat”.

Goodman tha se çdo hakmarrje nga Evropa do ta rrisë koston për konsumatorët evropianë dhe gjithashtu do të shtyjë përpara inflacionin dhe ngadalësimin ekonomik në SHBA.

 

“Kjo ka pasoja të mëdha për të gjithë botën, sepse [SHBA] është ekonomia më e madhe në botë dhe nëse ekonomia jonë ngadalësohet, atëherë të gjithë goditen”, tha ai.

Kilcrease nga CNAS, ish-zëvendëspërfaqësuese amerikane për tregti, tha se tarifat e Trumpit mund të kenë edhe efekte të mëtejshme për Evropën, përfshirë rritjen e çmimeve dhe humbjen e vendeve të punës në industritë kyçe.

“Unë do të isha mjaft e shqetësuar për ndikimin në punësim dhe në investime, sepse thjesht nuk e ke më atë klient, ose do të jetë shumë më e vështirë të shesësh në atë treg me një tarifë prej 20 për qind”, tha ajo.

 

Si do të ndikojë ndikimi global i tarifave të Trumpit në Evropë?

Tarifat e reja amerikane mund të kenë gjithashtu pasoja globale, duke ndikuar çmimin e produkteve kyçe që varen nga zinxhirët globalë të furnizimit dhe duke e riorientuar tregtinë ndërkombëtare në mënyra të papritura.

 

Çmimi i një iPhone-it, për shembull, mund të rritet për 30 deri në 40 për qind në Shtetet e Bashkuara, sipas projeksioneve të firmës financiare, Rosenblatt Securities.

Modeli më i lirë i iPhone 16 aktualisht kushton 799 dollarë, por mund të arrijë deri në 1.142 dollarë, nëse Apple vendos t’ia bartë kostot konsumatorëve. Një iPhone 16 Pro Max më i shtrenjtë, që aktualisht shitet për 1.599 dollarë, mund të arrijë në gati 2.300 dollarë. Rritje të ngjashme përqindjeje parashikohen edhe për tregjet e tjera.

“Kjo do të ketë efekte zinxhirore dhe do të ndikojë në shumë gjëra që hyjnë në një iPhone – nga gjysmëpërçuesit e prodhuar në Tajvan, te qelqi që prodhohet në Japoni dhe montimi i tij në Kinë”, tha Goodman.

“Të gjitha këto do të goditen nga tarifat, dhe kështu çmimi përfundimisht do të kalohet te konsumatorët, si në Evropë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara”, shtoi Goodman.

Lufta tregtare në rritje e Uashingtonit me Pekinin gjithashtu do të sjellë pasoja globale që do ta godasin Evropën drejtpërdrejt dhe tërthorazi.

Kina njoftoi më 4 prill se do të vendosë tarifa shtesë prej 34 për qind për importet nga Shtetet e Bashkuara, si kundërpërgjigje për tarifat e të njëjtit nivel të shpallura nga Trump. Tarifa “reciproke” e vendosur ndaj Kinës pason tarifën prej 20 për qind që tashmë është në fuqi nga administrata Trump.

 

Trump gjithashtu shenjtëroi vendet përmes të cilave kompanitë kineze kanë devijuar produktet drejt tregut amerikan, përfshirë Vietnamin, i cili tani përballet me një tarifë të re prej 46 për qind.

Siç shpjegon I’Anson nga Kpler, Shtetet e Bashkuara përbëjnë rreth 25 për qind të eksporteve kineze, por me atë treg tani të ngarkuar me tarifa, eksportuesit kinezë do të duhet të ulin çmimet dhe të riorientojnë produktet drejt tregjeve të tjera.

Kjo mund të çojë në një përmbytje të importeve kineze me çmime të ulëta në mbarë botën, diçka që Brukseli ka thënë se tashmë po e ndjek dhe po përgatit masa kundërpërgjigjeje për të mbrojtur prodhuesit evropianë.

“Është shumë e mundur që mund të kemi një përmbytje të mallrave që hyjnë në Evropë në një mënyrë që shkakton probleme të vërteta ekonomike për evropianët”, tha Kilcrease.

“Kjo mund të krijojë një tjetër barrë për konkurrueshmërinë e kompanive evropiane që prodhojnë mallra të ngjashëm”.

 

rel

Kina vendos tarifa kundërbalancuese për produktet e SHBA-së

KinaKina kundërpërgjigjet në luftën tregtare ndaj tarifave të Presidentit të SHBA-së Donald Trump. Pekini vendos tarifa kundërbalancuese prej 34% për produktet amerikane.

Sipas Ministrisë Kineze të Tregtisë, tarifat shtesë për produktet nga SHBA do të hyjnë në fuqi më 10 prill. Përveç kësaj, do të vendosen kontrolle për eksportin e shtatë tokave të rralla, siç sqarohet nga Ministria e Tregtisë. Këto përfshijnë gadoliniumin, i përdorur në tomografinë e rezonancës magnetike dhe ittriumin, i përdorur në pajisjet elektrike. Elementët e Tokave të rralla janë thelbësorë për shumë produkte të teknologjisë së lartë, të tilla si telefonat celularë, dhe gjithashtu në industrinë e armatimit.

Përveç kësaj, Pekini ka futur në listën e zezë njëmbëdhjetë kompani amerikane, duke e bërë de fakto të pamundur që kompanitë e prekura të vazhdojnë tregtimin në Kinë ose me kompanitë kineze. Qeveria kineze gjithashtu planifikon të paraqesë një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) për tarifat e SHBA.

Rënie në bursë

Bursat kanë reaguar menjëherë ndaj njoftimit për kundërmasat kineze. Bursa e Frankfurtit vazhdoi tendencën e rënies dhe në orën 13:30 ishte 5.61% nën nivelin e mëparshëm. Në Paris, kuotat ranë me 4.66%, në Londër me 4.24%. Madje në Milano dhe Madrid u regjistruan rënie prej 7.74% dhe 6.29% që nga fillimi i ditës.

Donald Trump fillon luftë tregtare me tarifat amerikane

Presidenti amerikan Donald Trump të mërkurën në mbrëmje vendosi tarifa të reja doganore kundër Kinës me vlerë 34%. Së bashku me tatimet e mëparshme të importit, tarifat shtesë doganore të vendosura ndaj Kinës që nga ardhja në post e Trumpit në janar arrijnë në 54%. Kina është vendi me të cilin SHBA kanë deficitin më të madh tregtar.

Kanadaja vendos tarifa kompensuese për disa automjete

Pekini i dënoi tarifat si “akte ngacmuese” që “nuk janë në përputhje me rregullat e tregtisë ndërkombëtare dhe minojnë seriozisht të drejtat dhe interesat legjitime të Kinës”, sipas një deklarate të Komisionit Doganor të Këshillit Shtetëror Kinez.

Kina kishte reaguar më parë me kundërmasa ndaj shtesave të importit të SHBA-së dhe vendosi tarifa të reja doganore prej 10 dhe 15 për qind për një sërë produktesh bujqësore nga SHBA si soja dhe meli, si dhe produktet e energjisë .

Kanadaja po reagon gjithashtu në luftën tregtare me Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe vendosi tarifa doganore kundërbalancuese për disa importe automjetesh nga Shtetet e Bashkuara. Kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi se vendi i tij do të vendosë tarifa 25% të importit për të gjithë automobilët që nuk janë prodhuar sipas Marrëveshjes së Tregtisë të Amerikës së Veriut (USMCA).

Shtetet e Bashkuara nuk janë më partnere mike për Kanadanë

Masat duhet të shkaktojnë dëme maksimale në ekonominë amerikane, por të ruajnë ekonominë kanadeze në masën e mundshme. Carney theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk janë më partnere mike për Kanadanë dhe se vendi do të mbrojë interesat dhe sovranitetin e tij. Vende të tjera dhe Komisioni Evropian kanë përgatitur gjithashtu kundërmasa.

aud (pg,dpa, rtr, afp)

I dërguari i Kremlinit përfundon bisedimet në Uashington

Kirill Dimitrijev, shef i Fondit Shtetëror rus për Investimet direkte

Për herë të parë që pas fillimit të luftës në Ukrainë më 2022 Moska dërgoi në Uashington për bisedime Kirill Dmitrijevin, i ngarkuari i posaçëm i Vladimir Putinit për bashkëpunimin ekonomik me vendet e tjera.

Ukraina prej kohësh kërkon garanci sigurie. Një i dërguar i posaçëm i Moskës gjatë vizitës në Uashington të paktën nuk i përjashtoi opcionet për këtë. Megjithatë zëdhënësi i Kremlinit Peskov e frenoi debatin.

Pas bisedimeve në kryeqyetin e SHBA-së, Uashington, negociatori rus Kirill Dmitrijev nuk i përjashtoi garancitë për sigurinë. I besuari i presidentit rus Vladimir Putin, tha në intervistë për Fox News, se u fokusua tek ekonomia dhe se mund të fliste vetëm në mënyrë hipotetike për këtë temë. “Por mendoj, se – sikurse tha presidenti ynë – nuk është e mundur që Ukraina të hyjë në NATO.” “Disa garanci sigure mund të jenë të pranueshme në një farë forme”, shtoi ai. I pyetur nëse Moska do të verë si kusht për armëpushimin shfuqizimin e sanksioneve, Dmitrijev, që është shef i Fondit Shtetëror rus për Investimet direkte, tha, se Rusia ndërkohë nuk ka kërkuar ndonjë shfuqizim.

Peskov: Garancitë për sigurinë pjesë e bisedimeve

Zëdhënësi i Kremlinit Dimitrij Peskov nuk deklaroi asgjë të re duke i frenuar deklarimet lidhur me garanci të mundshme për sigurinë. Kjo është një temë shumë e vështirë, tha zëdhënësi i Kremlinit, sipas agjencisë ruse të lajmeve Tass. “Kjo është pjesë e bisedimeve dhe konsultimeve.” Por tani për tani nuk është e mundur të flitet për diçka konkrete në këtë kontekst. Dmitrijev ishte i pari i dërguar i Kremlinit për bisedime në Uashington që nga fillimi i luftës më 2022. Sipas mediave në SHBA për këtë vizitë u pezulluan përkohësisht sanskionet, që janë vendosur ndaj të dërguarit të posaçëm të Putinit për bashkëpunimin ekonomik me shtetet e tjera.

dw

Serbi: Studentë protestues me biçikleta drejt Strazburgut

drejt strasburgutMe brohoritje dhe lot në sy dhjetra studentë nga Novi Sadi kanë nisur udhëtimin dyjavor me biçikleta drejt Strazburgut, ku duan të tërheqin vëmendjen e BE-së për luftën e tyre kundër korrupsionit në Serbi.

Serbia prej javësh është përfshirë nga një valë protestash në mbarë vendin kundër korrupsionit në nivelet e larta të institucioneve. Vala e protestës mori shkas nga rrëzimi i çatisë së betonit në stacionin e trenit në Novi Sad nëntorin e kaluar (2024), ku si pasojë humbën jetën si pasojë 16 vetë.

Indinjata publike për tragjedinë në Novi Sad ka të bëjë me përgjegjësinë për këtë fatkeqësi që bie ndaj figurave drejtuese, që nuk ndërmarrin sa duhet kundër korrupsionit dhe që nuk janë kujdesur për mbikëqyrjen e duhur të projekteve të ndërtimit.

Studentët janë angazhuar masivisht me përkushtim në protesta duke gjetur vazhdimisht forma paqësore por intensive proteste për të sensibilizuar mbi problemet. Turi me biçikleta drejt Strazburgut synon sensibilizimin e BE-së për problemet e Serbisë.

Studentët: BE duhet të angazhohet me shumë

Me helmeta në kokë dhe xhaketa fluoreshente si dhe të mbështjellë me flamurin e Serbisë, rreth 80 studentë nisën pedalimin nga korpusi i Universitetit të Novi Sadit deri në destinacionin 1.800km larg në perëndim. Gjatë udhëtimit studentët do të kalojnë nëpër disa metropole të BE-së, Budapest, Bratislavë, Vjenë, Mynih, ku ata krahas Evropës duan të senisibilizojnë edhe diasporën serbe në këto vende. Nga banorët e Novi Sadit studentët u përcollën me brohoritje me fjalët pumpaj, pumpaj, një nga sloganet e protestës (pompoje).

Serbia është një vend kandidat për t’u antarësuar në Bashkimin Europian dhe Brukseli i ka kërkuar që të ndërmarrë masa për promovimin e lirisë së medias, luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e sistemit elektoral. Por një pjesë e protestuesve mendojnë, se Europa nuk mban qëndrim si duhet dhe është shumë e butë kundrejt qeverisë në Beograd.

Tur protestash edhe brenda Serbisë

Studentët dhe qytetarët protestues kanë zhvilluar tur më këmbë edhe brenda vendit duke ecur prej ditësh në mes të marsit në drejtim të kryeqytetit të Serbisë.Dhjetëra protesta e incidente kanë ndodhur vetëm gjatë javës. Presidenti Aleksandar Vuçiq dhe pushteti i tij deri më tani nuk dorëzohen lehtë. Ai thotë, se protestave u ka ardhur fundi, ndërsa studentët thonë se këtë e vendosin ata dhe jo presidenti.

Protestat çuan deri te dorëheqja e kryeministrit, Millosh Vukçeviq. Studentët thonë, se protestat nuk do të ndalen dhe se fundi i tyre nuk do të vijë kur ta thotë presidenti, por kur të thonë ata se janë plotësuar kushtet.

dw/afp

Scholz për tarifat amerikane: Ky është “sulm”

ScholzPas hyrjes në fuqi të paketës doganore të Trump kanë shpërthyer kritikat nga Evropa. Presidentja e Komisionit të BE-së von der Leyen foli për “goditje serioze të ekonomisë globale”.

Paketa e re me dogana ndëshkuese e presidentit të SHBA-së,  Donald Trump godet ndjeshëm shumë vende, nga ajo preken edhe vendet anëtare të BE-së. Presidentja e Komisionit të BE-së,  Ursula von der Leyen u shpreh me tone kritike. Ajo foli për një “goditje serioze për ekonominë globale”. Tarifat do të sjellin pasoja të rënda për miliona njerëz në botë, tha von der Leyen gjatë një vizite në qytetin Uzbekistan të Samarkandit.

BE po punon për një “paketë të re” kundërmasash” për të mbrojtur interesat tona dhe kompanitë tona, nëse negociatat dështojnë”, tha presidentja e Komisionit. Në të njëjtën kohë, von der Leyen sinjalizoi gatishmërinë e saj të vazhdueshme për të zhvilluar bisedime të mëtejshme me qeverinë amerikane. “Ka një rrugë alternative,” tha von der Leyen, që vuri në dukje se komisioneri i tregtisë i BE-së Maros Sefcoviç është “në kontakt të vazhdueshëm” me homologun e tij amerikan Howard Lutnick. “Ne do të përpiqemi të zvogëlojmë pengesat, jo t’i rrisim ato.”

Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz (SPD) i ka kritikuar tarifat e vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump si “tërësisht të gabuara” dhe një “sulm” ndaj rendit global të tregtisë. “Qeveria amerikane po merr një rrugë në fund të së cilës do të ketë vetëm humbës”, tha kancelari të enjten në Berlin. “Ky është sulm ndaj një rendi tregtar që ka krijuar prosperitet në të gjithë globin.”

“Arbitraritet”

Kurse presidenti i Këshillit të BE-së,  António Costa bëri thirrje që të zgjerohen marrëdhëniet tregtare me vendet e tjera. Tani është koha për të ratifikuar marrëveshjet e reja të planifikuara të tregtisë së lirë me shtetet e Amerikës së Jugut Mercosur dhe Meksikën, tha Costa në margjinat e një takimi të nivelit të lartë me krerët e shteteve dhe qeverive të shteteve të Azisë Qendrore në Uzbekistan.

Kryetari i Komisionit të Tregtisë në Parlamentin e BE-së, Bernd Lange nga SPD, foli në “tagesthemen” për “arbitraritet” që është “plotësisht i papranueshëm”. Njoftimet janë si “shpallje lufte”. Dëme për BE-në, sipas tij mund ë jenë në miliarda dyshifrore.  Megjithatë, ne jemi të përgatitur dhe do të përgjigjemi me kundërmasa, tha Lange.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i cilësoi tarifat amerikane si “të gabuara”. Por ajo shpreson në bashkëpunimin mes SHBA-së dhe Evropës për të shmangur një luftë tregtare, sipas saj, sepse kjo do ta dobësonte Perëndimin.

Manfred Weber, kreu i Partive Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, e sheh Evropën të gatshme të mbrojë interesat e saj në mosmarrëveshjen tregtare me SHBA-në. “Për miqtë tanë amerikanë, sot nuk është një ditë çlirimi, por një ditë e hidhërimit”, shkroi politikani i CSU në platformën X. Tarifat e Donald Trump dëmtojnë të dyja anët e Atlantikut. “Evropa qëndron e bashkuar, e gatshme për të mbrojtur interesat e saj dhe e hapur për bisedime të drejta dhe vendimtare.”

Pasoja për Gjermaninë

Presidenti i Dhomës së Tregtisë së Jashtme për Gjermaninë, Dirk Jandura pret mjaft pasoja negative për ekonominë gjermane. “Do ta them hapur: ne do ta ndjejmë këtë,” tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters. “Do të na duhet t’i përkthejmë tarifat në rritje çmimesh, dhe në shumë raste kjo do të thotë rënie në shitje. Për kompanitë më të vogla që tashmë janë shfaqur të dobësuara nga vitet e fundit të vështira, kjo mund të nënkuptojë gjithashtu fundin. E kjo prek edhe punonjësit e tyre.

Presidentja e Shoqatës Gjermane të Industrisë së Automjeteve (VDA), Hildegard Müller, e përshkroi vendimin e SHBA si kthesë themelore në politikën tregtare. “Ky është largimi i SHBA-së nga rendi global tregtar i bazuar në rregulla – dhe si rrjedhim largimi nga baza për krijimin e vlerës globale dhe rritjen dhe prosperitetin përkatës në shumë rajone të botës. Kjo nuk është Amerika e para, kjo është vetëm Amerika”, theksoi Müller.

Shoqata gjermane e Industrisë Kimike (VCI) po ashtu shprehu keqardhje për vendimin e qeverisë së SHBA. “Tani është e rëndësishme që të gjithë të përfshirë të ruajmë gjakftohtësinë”, tha Drejtori Menaxhues i VCI, Wolfgang Große Entrup. “Një spirale përshkallëzimi vetëm do të shtonte dëmet. Vendi ynë nuk duhet të bëhet peng i një lufte tregtare në përshkallëzim.”

la/ag

Marco Rubio: SHBA janë të përkushtuara ndaj NATO-s

MarcoSekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio ka bërë një deklaratë para takimit në Bruksel.

Sipas Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, SHBA janë të përkushtuara ndaj NATO-s. Kjo nuk ka ndryshuar, tha Rubio në Bruksel përpara dy ditëve konsultime me krerët e departamenteve nga 32 vendet anëtare.

Presidenti amerikan Donald Trump e ka bërë të qartë se ai mbështet NATO-n. “Ne do të mbetemi në NATO,” tha Rubio në Bruksel të enjten. Sipas Rubios, Shtetet e Bashkuara janë edhe “më aktive se kurrë” në NATO. “Histeria dhe ekzagjerimi” që keni parë në mediat ndërkombëtare dhe në disa media amerikane për këtë çështje janë të pajustifikuara. “Por ne duam që NATO të jetë më e fortë.”

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se NATO duhet të forcojë aftësitë e saj për t’u përgatitur për kërcënimet ekzistuese. Për këtë qëllim, ai konsideron të përshtatshme shpenzime të mbrojtjes në pesë përqind të prodhimit të brendshëm bruto. Rubio pranoi se SHBA nuk e kanë arritur ende këtë objektiv.

E vetmja mënyrë për ta bërë këtë është “që partnerët tanë (…) të kenë më shumë aftësi”, “Ne duam që NATO të jetë më e fortë. Ne duam që NATO të jetë më efikase. Dhe e vetmja mënyrë që NATO të jetë më e fortë dhe më efektive është që partnerët tanë (…) të kenë më shumë aftësi,” tha Rubio.

Investimet në sigurinë kombëtare ndoshta jo popullore

Rubio tha se e kupton se, pas dekadash të ndërtimit të sistemeve gjithëpërfshirëse të sigurimeve shoqërore, mund të jetë jopopullore të devijosh prej tyre dhe të investosh më shumë në sigurinë kombëtare. Por ngjarjet e viteve të fundit, duke përfshirë luftën aktuale në zemër të Evropës, janë një kujtesë se një fuqi e fortë mbetet e nevojshme si pengesë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka hedhur poshtë frikën për një tërheqje të shpejtë të trupave amerikane nga Evropa. Nuk ka plane për këtë, tha ai në Bruksel. Ai vazhdon t’i konsiderojë SHBA një partner të besueshëm. Muajt e fundit, Presidenti i SHBA Donald Trump e ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje klauzolën e mbrojtjes reciproke të NATO-s, parimin e mbrojtjes kolektive dhe ka kërkuar që partnerët të rrisin buxhetet e tyre të mbrojtjes.

dpa

Tarifat doganore të SHBA-së – frikë nga një luftë tregtare

reciprocitetNë atë që e quajti “Dita e Çlirimit” Presidenti i SHBA Donald Trump vendosi tarifa të reja doganore kundrejt disa vendeve. Trump akuzoi BE-në se po ia “hedh” SHBA-së.

 

Pas rritjes në shkallë të gjërë të tarifave doganore nga presidenti amerikan Donald Trump, Bashkimi Evropian do të diskutojë se si të përgjigjet. SHBA-ja shpalli tarifa prej 20 për qind ndaj mallrave nga BE-ja. Udhëheqja e BE-së deklaroi se synon të përgjigjet me kundërmasa.

Me deklaratën për tarifat e reja doganore nga 10 deri në 49 për qind për partnerë tregtarë në mbarë botën, të cilat hyjnë në fuqi nga sot (03.04).

Importet nga Bashkimi Evropian do t’u nënshtrohen tarifave shtesë prej 20 për qind, kurse ato nga Kina prej 34 për qind.

Gjermania veçanërisht e prekur

Presidenti Trump përsëriti se evropianët po “e mashtrojnë dhe po ia hedhin” SHBA-së.

Tarifat e reja doganore amerikane prej 25 për qind për makinat nga BE-ja prekin veçanërisht Gjermaninë ku prodhohen makinat e markave Volkswagen, BMW dhe Mercedes-Benz.

Të prekur janë edhe prodhuesit e furgonëve, të motorëve, të baterive me litium dhe të pjesëve të tjera për automjete si gomat apo amortizatorët.

Rilindja e industrisë së Amerikës

Gjatë fjalimit në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë Trump tha se vendimi për tarifat doganore shënon ditën “e rilindjes së industrisë së Amerikës” duke shtuar se plani i tij “do ta bëjë Amerikën përsëri të pasur”. Trumpi e quajti planin për tarifat doganore “deklaratë të pavarësisë ekonomike”.

Trump i akuzoi partnerët e ngushtë tregtarë se me politikën e tyre doganore “plaçkitin dhe dhunojnë” SHBA-në.  Presidenti pretendoi se tarifat shtesë do të krijojnë vende pune në SHBA dhe do të stimulojnë ekonominë vendase.

“Ata e bëjnë këtë ndaj nesh, ne e bëjmë ndaj atyre”, tha Trump-i, duke shpjeguar se SHBA po mbrohet vetëm nga tarifat e vendosura në industritë e saj.

Trump kritikoi edhe vende si Tajlanda, India, Bashkimi Evropian, Koreja e Jugut dhe Japonia për keqtrajtimin ekonomik të SHBA-së.

dw

“A jeni gati për luftë”, si po armatoset Gjermania nga frika se Rusia mund të nisë sulmin brenda katër viteve

tankuNjë lëshues raketash ngre një re pluhuri të kafenjtë në ajër ndërsa përshkon me shpejtësi një fushë drejt vijës së qitjes. Disa çaste më vonë, një ushtar numëron mbrapsht nga pesë deri te “Zjarri!”, përpara se një raketë të shpërthejë drejt qiellit.

Shpërthimet dhe gjëmimet nga stërvitjet ushtarake janë aq të shpeshta saqë banorët e qytetit të vogël Munster aty pranë mezi i vënë re më. 

Por jeta këtu pritet të bëhet edhe më e zhurmshme.

Ushtria gjermane, Bundeswehr, së fundmi mori dritën jeshile për një rritje masive të investimeve pasi parlamenti votoi për përjashtimin e shpenzimeve për mbrojtjen nga rregullat strikte të borxhit.

Gjenerali më i lartë i vendit i ka thënë BBC-së se kjo mbështetje financiare është urgjente, pasi ai beson se agresioni rus nuk do të ndalet me Ukrainën.

“Ne jemi të kërcënuar nga Rusia. Ne jemi të kërcënuar nga Putini. Duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta penguar këtë,” thotë Gjenerali Carsten Breuer. Ai paralajmëron se NATO duhet të përgatitet për një sulm të mundshëm brenda katër viteve.

“Nuk ka të bëjë me sa kohë më duhet mua, por më shumë me sa kohë na jep Putini për t’u përgatitur,” thotë shefi i mbrojtjes në mënyrë të prerë. “Dhe sa më shpejt të jemi gati, aq më mirë.” 

Kthesa

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka ndryshuar thellësisht mendësinë në Gjermani.

Për dekada, njerëzit këtu janë rritur me një refuzim të fuqisë ushtarake, të vetëdijshëm për rolin e kaluar të Gjermanisë si agresor në Evropë.

“Ne kemi nisur dy luftëra botërore. Edhe pse kanë kaluar 80 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ideja që gjermanët duhet të qëndrojnë larg konflikteve është ende e rrënjosur në ADN-në e shumë njerëzve,” shpjegon Markus Ziener nga Fondi Gjerman Marshall në Berlin.

Disa ende mbeten skeptikë ndaj çdo gjëje që mund të shihet si militarizëm edhe sot, dhe forcat e armatosura kanë qenë kronikisht të nënpërgatitura.

“Ka zëra që paralajmërojnë: ‘A jemi vërtet në rrugën e duhur? A është vlerësimi ynë për kërcënimin i saktë?’”

Sa i përket Rusisë, Gjermania ka ndjekur një qasje specifike.

Ndërsa vende si Polonia dhe shtetet Baltike paralajmëronin kundër afrimit me Moskën – dhe rritën shpenzimet e tyre për mbrojtjen – Berlini, nën kancelaren e atëhershme Angela Merkel, besonte në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare.

Gjermania imagjinonte se po sillte demokratizim. Por Rusia mori paratë dhe pushtoi Ukrainën gjithsesi.

Kështu që, në shkurt të vitit 2022, një Olaf Scholz i tronditur shpalli një ndryshim të madh në prioritetet kombëtare, një “Zeitenwende”.

Në atë moment, ai premtoi një buxhet gjigant prej 100 miliardë eurosh (108 miliardë dollarë; 83 miliardë paund) për të forcuar ushtrinë e vendit dhe për të frenuar “luftënxitësit si Putini”.

Por Gjenerali Breuer thotë se kjo nuk mjaftonte.

“Ne mbushëm pak nga gropat,” kujton ai. “Por situata është vërtet e keqe.”

Në të kundërt, ai tregon për shpenzimet e mëdha të Rusisë në armë dhe pajisje, si për rezervat ashtu edhe për vijën e frontit në Ukrainë.

Ai gjithashtu përmend luftën hibride të Rusisë: nga sulmet kibernetike deri te sabotazhet, si dhe dronët e paidentifikuar mbi bazat ushtarake gjermane.

Shtoni kësaj retorikën agresive të Vladimir Putinit dhe Gjenerali Breuer sheh “një përzierje vërtet të rrezikshme.”

“Ndryshe nga bota perëndimore, Rusia nuk mendon në ndarje të qarta. Nuk ka një vijë mes kohës së paqes dhe luftës; është një vazhdimësi: fillon me metoda hibride, pastaj e përshkallëzon, pastaj rikthehet. Kjo është ajo që më bën të mendoj se po përballemi me një kërcënim real.”

Ai argumenton se Gjermania duhet të veprojë shpejt. 

‘Shumë pak nga gjithçka’

Vlerësimi i ashpër i shefit të mbrojtjes për gjendjen aktuale të forcave të tij përputhet me një raport të fundit për parlamentin. Bundeswehr-i, përfundonte raporti, kishte “shumë pak nga gjithçka”.

Autorja e raportit, komisionerja e forcave të armatosura, Eva Högl, zbuloi mungesa të rënda që varionin nga municionet te ushtarët, deri te kazermat e rrënuara. Ajo vlerësoi buxhetin për punimet e rinovimit në rreth 67 miliardë euro (72 miliardë dollarë; 56 miliardë paund).

Heqja e kufirit të borxhit, duke i lejuar ushtrisë të marrë hua – teorikisht, pa kufi – do t’i japë asaj akses në një “vijë të qëndrueshme” financimi për të filluar adresimin e këtyre problemeve, thotë Gjenerali Breuer.

Lëvizja historike u ndërmor nga pasardhësi i pritshëm i Scholz-it, Friedrich Merz, me një ngut që ngriti disa dyshime. Ai e dorëzoi propozimin në parlament pak para se ai të shpërndahej pas zgjedhjeve të shkurtit.

Parlamenti i ri, me një të majtë antimilitariste dhe një të djathtë pro-ruse, mund të kishte qenë më pak i prirur ta mbështeste atë.

Por “kthesa” që Gjermania nisi në vitin 2022 mori vrull të ri këtë vit.

Një sondazh i fundit i YouGov tregoi se 79% e gjermanëve ende e shohin Vladimir Putinin si një kërcënim “shumë” ose “mjaft” të madh për paqen dhe sigurinë në Evropë.

Tani, 74% thanë të njëjtën gjë për Donald Trump.

Anketa erdhi pas një fjalimi në Mynih, ku nënpresidenti i tij, JD Vance, kritikoi ashpër Evropën dhe vlerat e saj.

“Kjo ishte një sinjal i qartë se diçka ka ndryshuar në mënyrë themelore në Shtetet e Bashkuara,” thotë Markus Ziener.

“Nuk e dimë se në ç’drejtim po shkon SHBA-ja, por e dimë se besimi se mund të mbështetemi 100% te mbrojtja amerikane për sigurinë tonë – ai besim tani ka humbur.” 

Largimi nga historia

Në Berlin, kujdesi tradicional i gjermanëve ndaj çështjeve ushtarake duket se po venitet me shpejtësi.

Tetëmbëdhjetëvjeçarja Charlotte Kreft thotë se pikëpamjet e saj pacifiste kanë ndryshuar.

“Për një kohë shumë të gjatë, ne menduam se mënyra e vetme për të shlyer mizoritë që kemi kryer në Luftën e Dytë Botërore ishte të siguroheshim që ato të mos ndodhnin më kurrë […] dhe menduam se duhej të çmilitarizoheshim,” shpjegon Charlotte.

“Por tani jemi në një situatë ku duhet të luftojmë për vlerat, demokracinë dhe lirinë tonë. Duhet të përshtatemi.”

“Ka shumë gjermanë që ende ndihen të çuditshëm për investime të mëdha në ushtrinë tonë,” bie dakord Ludwig Stein. “Por mendoj se, duke pasur parasysh ngjarjet e viteve të fundit, nuk ka një opsion tjetër real.”

Sophie, një nënë e re, mendon se investimi në mbrojtje tani është “i nevojshëm në botën ku jetojmë”.

Por Gjermania ka nevojë për trupa po aq sa për tanke, dhe ajo nuk është aspak entuziaste për idenë që i biri të rekrutohet. 

‘A jeni gati për luftë?’

Bundeswehr-i ka vetëm një qendër të përhershme rekrutimi, një njësi të vogël e vendosur mes një farmacie dhe një dyqani këpucësh pranë stacionit Friedrichstrasse në Berlin.

Me manekinë të veshur me uniforma kamuflazhi në vitrinë dhe slogane si “cool dhe spicy”, ajo synon të tërheqë burra dhe gra për të shërbyer, por në të vërtetë vetëm disa persona hyjnë aty çdo ditë.

Gjermania tashmë ka humbur objektivin e saj për të shtuar 20,000 ushtarë – nga 183,000 në 203,000 – dhe për të ulur moshën mesatare nga 34 vjeç.

Por ambiciet e gjeneralit Breuer janë shumë më të mëdha.

Ai na tha se Gjermanisë i duhen edhe 100,000 trupa shtesë për të mbrojtur veten dhe krahun lindor të NATO-s në mënyrë adekuate – një total prej 460,000 trupash, duke përfshirë rezervistët. Prandaj ai insiston se rikthimi i shërbimit ushtarak është “absolutisht” i nevojshëm.

“Nuk do ta arrijmë këtë numër prej 100,000 trupash shtesë pa ndonjë model të rekrutimit të detyrueshëm,” tha gjenerali.

“Nuk kemi pse të përcaktojmë tani se cili model do t’i sjellë ata. Për mua, e rëndësishme është vetëm që t’i kemi ushtarët.” 

Kjo debat sapo ka filluar.

Gjenerali Breuer po e pozicionon qartë veten në krye të përpjekjes për të çuar përpara dhe më shpejt “kthesën” e Gjermanisë.

Me një stil të thjeshtë dhe tërheqës, ai pëlqen të vizitojë bashkitë e qyteteve dhe t’u bëjë audiencave një pyetje sfiduese: “A jeni gati për luftë?”

Një ditë, një grua e akuzoi atë se po e trembte. “I thashë: ‘Nuk jam unë ai që po ju tremb, është ai tjetri!’” kujton ai përgjigjen e tij.

Ai i referohej Vladimir Putinit.

Alarmi i dyfishtë – kërcënimi nga Rusia dhe një Amerikë izolacioniste e tërhequr – po bie fort për Gjermaninë, argumenton gjenerali, dhe nuk mund të injorohet.

“Tani është e qartë për secilin prej nesh se duhet të ndryshojmë.”

Sarah Rainsford/ BBC

Kanadezët bashkohen kundër Donald Trump

trump kanadaPër kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney, marrëdhënia e dikurshme me SHBA-në i përket historisë. Është bërë e qartë se SHBA-të nuk janë më një partner i besueshëm, tha ai.

 

Kur Donald Trump tha se do ta “gëlltisë” Kanadanë si shtetin e 51 federal, u pa fillimisht si shaka pa kripë. Por Donald Trump e përsëriti kërcënimin aq shpesh sa qytetarët në vendin e dytë më të madh në botë, Kanada u desh të reagonin. Përgjigja ndaj Trump: një valë e paprecedentë solidariteti mes kanadezëve.

Nën moton “Bërrylat lart”, (Elbow up) kanadezët po mbrohen kundër politikave të presidentit të SHBA. Shumë qytetarë anulojnë pushimet në Florida e Arizona. Vetëm në muajin shkurt, në kufi janë regjistruar 500 mijë hyrje më pak në SHBA sesa një vit më parë. Hera e fundit që shifrat ishin kaq të ulëta ishte në kohën e pandemisë Corona. Edhe produktet amerikane bojkotohen. Në supermarkete shënohen dukshëm produktet me etiketën “Made in Canada” dhe hiqet nga raftet verërat kaliforneze.

 

“Kjo na zgjoi ne kanadezët dhe na bëri të mendojmë se çfarë do të thotë të jesh kanadez”, i tha një qytetare portalit gjerman “tagesschau”. Shumë kanadezë janë tani të shqetësuar për të ardhmen duke vënë re varësinë e madhe nga SHBA. “Ardhja e Donald Trump në detyrë dhe kërcënimi me tarifa ndëshkuese e bëri të qartë se sa e cenueshme është Kanadaja”, thotë një qytetare tjetër për “tagesschau”.

Carney: Nuk ka kthim prapa

Kanadaja dhe SHBA-ja – para rikthimit të presidentit Donald Trump ishin dy vende mike me ekonomi të ndërthurura ngushtë. 70 për qind e të gjitha eksporteve kanadeze shkojnë në SHBA. Po për kryeministrin e ri të Kanadasë Carney, marrëdhënia e dikurshme me SHBA-në i përket historisë. Është bërë e qartë se SHBA-të nuk janë më një partner i besueshëm, tha ai. Por Carney ka theksuar, se do të vazhdojë të flasë me presidentin amerikan Trump. Një telefonatë është planifikuar në ditët në vijim.

 

Trump ndryshon marrëdhënien mes dy vendeve mike

Politika agresive doganore e presidentit amerikan Donald Trump shihet si një pikë kthese në marrëdhëniet e Kanadasë me SHBA-në. Kërcënimi për vendosjen e tarifave të mëtejshme ndëshkuese ndaj Kanadasë shkakton frikë dhe zemërim. Duket se një epokë po merr fund. “Marrëdhënia e vjetër që kishim me Shtetet e Bashkuara, e cila bazohej në integrimin e thelluar të ekonomive tona dhe bashkëpunimin e ngushtë në sigurinë dhe fushën ushtarake, ka përfunduar,” u tha Carney gazetarëve në Otava. Me deklaratat e tij, Trump ka ndryshuar përgjithmonë marrëdhëniet mes vendeve fqinje.

 

Në të njëjtën kohë, Carney njoftoi, se nuk do të negociojë me qeverinë amerikane për çështjet tregtare për sa kohë që presidenti nuk tregon “respekt” për Kanadanë. Në javët e fundit, Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të aneksojë vendin fqinj verior dhe është tallur me paraardhësin e Carney, Justin Trudeau si “guvernator” të një “shteti të 51-të” të ardhshëm të SHBA-së. Carney u betua si kreu i qeverisë më 14 mars, por nuk ka folur me Trump që nga marrja e detyrës, kohë jashtëzakonisht e gjatë për dy vendet historikisht të afërta aleate.

Mark Carney e bëri të qartë gjithashtu, se vendi i tij do të përgjigjet me kundërmasa ndaj tarifave të importit për automjetet, të vendosura nga SHBA të mërkurën. “Përgjigja jonë ndaj këtyre tarifave të fundit është të luftojmë, mbrojmë, ndërtojmë”, shtoi ai. Kundërpërgjigja kanadeze do të kishte si synim “ndikimin më të madh të mundshëm në Shtetet e Bashkuara dhe efektin më të vogël të mundshëm në Kanada”.

dw

Çfarë ndodh tani me Marine Le Penin dhe partinë e saj të ekstremit të djathtë?

le penPolitikania franceze e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen është shpallur fajtore për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropian për një periudhë 12-vjeçare.

 

Përmes një vendimi që ka shkundur politikën franceze dhe atë evropiane, gjykata në Paris ka thënë se ajo nuk mund të garojë për asnjë pozitë politike publike – që nënkupton se ajo duket që do të jetë jashtë garës për zgjedhjet presidenciale, të cilat duhet të mbahen më së largu në pranverën e vitit 2027.

Ajo është larguar nga seanca gjyqësore pa bërë asnjë koment. Ndonëse mund të apelojë vendimin – çdo hap mund të marrë vite – ka shumë mundësi që ky do të jetë fundi i karrierës së saj politike.

Le Pen, e cila ka garuar kundër presidentit aktual, Emmanuel Macron më 2017 dhe 2022, konsiderohej figura favorite për t’u bërë gruaja e parë presidente e Francës.

Më 2022, ajo pati fituar 41.5 për qind të votave në rundin e dytë, duke shënuar rezultatin më të mirë të një kandidati të së djathtës ekstreme në garën presidenciale të Francës.

Meqë Macronit i ndalohet të garojë për një mandat të tretë, Le Pen konsiderohej figura më e njohur për zgjedhjet e ardhshme, dhe sondazhet e hershme sinjalizonin që ajo do të mposhtte kandidatët tjerë nga e majta dhe e djathta.

 

Zbardhja e fytyrës së Frontit Kombëtar

Le Pen është ngjitur në krye të Frontit Kombëtar më 2011 dhe e ka ribrenduar partinë në Tubimi Kombëtar, si dhe ka tentuar të zbardhë fytyrën e partisë duke e distancuar atë dhe veten nga disa deklarata raciste dhe antisemitike të babait të saj Jean-Marie Le Pen në të kaluarën.

Ajo vazhdon të ketë qasje shumë kritike ndaj imigrimit dhe Islamit dhe dëshiron të nxjerrë Francën prej Komandës së integruar ushtarake të NATO-s.

Megjithatë, ajo është tërhequr nga deklaratat paraprake për të larguar vendin nga Bashkimi Evropian dhe Eurozona.

Partisë së saj i është garantuar një kredi e përfolur shumë nga një bankë ruse, më 2014, dhe ndonëse ka qenë mbështetëse e Moskës në të kaluarën dhe i ka kritikuar sanksionet e BE-së kundër Kremlinit, ajo e ka mbështetur Francën në vendimin për t’i pranuar refugjatët ukrainas.

Pas vendimit të 31 marsit, Kremlini ka thënë se i vjen keq për “shkeljen e normave demokratike”.

Zyrtarët evropianë, duke folur në kushte anonimiteti, kanë shpresuar se ajo do të ecte përpara në marrjen e ndonjë detyre, ndoshta duke ndjekur hapat e kryeministres italiane të së djathtës, Giorgia Meloni, e cila përshkruhet në Bruksel si kompetente dhe bashkëpunuese.

Megjithatë, ata kanë folur me doza kujdesi, duke thënë se Tubimi Kombëtar e ka pozicionuar veten gjithnjë nga ekstremi i djathtë dhe që partia është themeluese kryesore e partisë Patriotët e Evropës, bashkë me partinë hungareze në pushtet, Fidesz, lideri i së cilës, Viktor Orban, ka shprehur menjëherë mbështetje për Le Penin.

Ajo që nuk dihet tani është se çfarë do të ndodhë me partinë e saj.

Tetë ish-anëtarë të Parlamentit Evropian, pjesëtarë të Tubimit Kombëtar, janë dënuar bashkë me Le Penin për shfrytëzim të fondeve në vlerë të miliona eurove të Parlamentit Evropian për të paguar stafin në Francë në periudhën 2004-2016, duke ngritur pikëpyetje nëse lëvizja mund t’i mbijetojë kësaj goditjeje.

 

Çfarë do të ndodhë me të djathtën ekstreme të Francës?

Jordan Bardella – i cili është emëruar lideri zyrtar i Tubimit Kombëtar më 2021 dhe është konsideruar pasardhësi i Le Penit – vazhdon të mbetet i panjollosur nga skandali, të paktën drejtpërdrejt.

Por, a mundet Bardella të ketë të njëjtën fuqi tërheqëse sikurse Le Peni? Duke qenë vetëm 29 vjeçar, ai konsiderohet shumë i ri dhe pa ndonjë përvojë.

Ndonëse Tubimi Kombëtar ka arritur të dalë i pari në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershorin e vitit të kaluar, dështimi i partisë për të përsëritur atë sukses në zgjedhjet parlamentare të mbajtura po atë verë, pati ngritur dilema lidhur me qëndrueshmërinë.

Mbetet të shihet se si do të përgjigjet elektorati ndaj vendimit.

Shumë politikanë janë tronditur nga kritikat e bëra prej nënpresidentit amerikan JD Vance më herët gjatë vitit për anulimin e rezultatit të rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë, pas dyshimeve për ndërhyrje ruse në emër të kandidatit të pavarur, Calin Georgescu, i cili pati befasuar të gjithë kur ka dalë i pari.

“Ne mund të presim goditje të ngjashme edhe këtë herë, pasi shumë pjesëtarë nga e djathta populiste do ta quajnë këtë ‘aferë ligjore’ kundër politikanëve që nuk konsiderohen të zakonshëm, dhe Marine Le Pen sapo është bërë kthyer në ‘kauzën e tyre të famshme’, e cila mund t’i shtyjë ata të fitojnë edhe më shumë popullaritet”.

rel