Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Turqi -Greqi-Itali – itinerari i ri i refugjatëve drejt Europës

Pas mbylljes së itinerarit ballkanik, kontrabandistët gjejnë rrugë të reja për të sjellë refugjatët në Europë. Sipas gazetës gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” pritet të aktivizohet itinerari përmes Italisë.

varka me refugjatMediat gjermane njoftojnë se kontrabandistët po përgatisin rrugë të reja për sjelljen e refugjatëve në Europë. Sipas hulumtimeve të gazetës gjermane të së dielës, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” është në përgatitje e sipër një itinerar i ri në Mesdhe, ai përmes Italisë. Gazeta gjermane njofton se biznesi i kontrabandistëve në këtë itinerar pritet të fillojë në javën e parë të prillit dhe madje në mënyrë masive. Si pikënisje për eksodin e ri me varka të vogla peshkatarësh dhe anije të vogla do të jenë qytetet bregdetare, Antalya dhe Mersin në Turqi, pranë kufirit sirian, por edhe kryeqyteti grek, Athinë.

Refugjatët janë këshilluar të qëndrojnë të fshehur derisa anijet të arrijnë në ujërat ndërkombëtare, thuhet në njoftimin e agjencisë gjermane dpa, bazuar në hulumtimet e FAZ me kontrabandistë, numrat e celularëve të të cilëve janë të publikuara edhe në Facebook. Një udhëtim kushton për person 3000 deri në 5000 euro. Kontrabandistët duan të ofrojnë dy udhëtime në javë, njëri është shprehur se planifikon të ngjesë 200 persona në një anije. Udhëtimi me itinerarin e ri është shumë më i shtrenjtë, se ai nga Turqia në ishujt grekë. Por sipas marrëveshjes së BE-së me Turqinë kush mbërrin në ishujt grekë do të kthehet në Turqi. Sipas FAZ janë shtuar prej disa javësh kërkesat për itinerare të rinj drejt Europës. (dw)

Arrestime të reja në Bruksel

polici belgjikeGjatë bastisjeve në shumë pjesë të Brukselit janë arrestuar edhe gjashtë persona të tjerë. Gjithnjë e më e qartë se terroristët kishin në plan sulme shumë më të përgjakshme.

Seria e sulmeve në Bruksel, me qindra viktima, mund të kishte qenë edhe shumë më e përgjakshme. Televizionet VRT dhe RTBF njoftojnë se i arrestuari Salah Abdeslam, i vrari gjatë një bastisje Mohamed Belkaid dhe një person tjetër planifikonin një gjakderdhje edhe më të madhe. Abdeslam akuzohet për përgatitjen e sulmeve në Paris, ku janë vrarë në vende të ndryshme 130 persona.

Autoritetet belge njoftojnë për arrestime të tjera

Prokuroria belge ka kumtuar se janë arrestuar edhe gjashtë persona të tjerë. Siç thuhet, arrestimet janë bërë në disa pjesë, ku planifikoheshin sulme. Gjatë ditës së premte duhet të vendoset se çfarë do të ndodhë me të arrestuarit. Agjencia Belga njofton se në arrestime kanë marrë pjesë forca speciale të pajisura edhe me helikopterë. Tre persona janë arrestuar në afërsi të godinës së Prokurorisë në qendër të Brukselit.

Të martën në Bruksel janë vrarë si pasojë e disa shpërthimeve 31 njerëz dhe janë plagosur 300 të tjerë. Atentatori në metro Khalid El Bakraoui duket se nuk ka qenë vet. Kamerat për vëzhgime tregojnë edhe një person tjetër me një çantë në dorë. Është pak e besueshme që ky person të jetë vrarë gjatë shpërthimeve.

Ishin pesë vrasës?

Policia është duke hetuar edhe njerëz nga sfondi i sulmit në aeroport. Mendohet se ka pasur gjithsej pesër persona që kanë marrë pjesë në sulme. Tre atentatorët kamikazë kanë qenë shtetas belgë dhe kanë pasur lidhje me sulmet në Paris. Bëhte fjalë për vëllezërit Ibrahim (29) dhe Khalid (27) El Bakraoui dhe 24-vjeçarin Najim Laachraoui.

Khalid El Bakraoui është në kërkim nga dhjetori, sepse në Paris kishte marrë një banesë me emër fals, të cilën e kanë shfrytëzuar terroristët. Vëllai i tij Ibrahim El Bakraoui është arrestuar në korrik të vitit 2015 dhe është larguar nga Turqia për në Amsterdam. Asokohe ai nuk ishte në të dhënat holandeze dhe ndërkombëtare për terrorizëm, ndaj nuk është arrestuar.

Ibrahim El Bakraoui është dënuar në vitin 2010 në Belgjikë me një dënim të gjatë me heqje lirie, por është liruar para kohe. Në qershor të vitit 2015 është arrestuar në kufirin turko-sirian. Presidenti Recep Tayyip Erdogan thotë se Turqia ka paralajmëruar se ai ishte “një luftëtar terrorist”.

Dorëheqjet e ofruara

Por edhe pas kthimit në Belgjikë ai nuk arrestohet. Për shkak të lëshimeve të mundshme në rastin e Ibrahim El Bakraoui, ministri i Brendshëm Jan Jambon dhe ai i Drejtësisë Koen Geens kanë ofruar dorëheqjen. Por kryeministri belg Charles Michel i ka refuzuar këto dorëheqje.

Në Bruksel të enjten ka pasur bastisje të reja, por deri tani nuk njoftohet për arrestime. Ndërkohë është ulur prej katër në tre shkalla e rrezikut nga terrorizmi. Por fluturimet ndërkombëtare nga Brukseli janë shtyrë deri të dielën.

Shtohen masat e sigurisë në Frankfurt

Më aeroportin më të madh gjerman, në Frankfurt janë forcuar masat e sigurisë në javën e festave të Pashkëve. Por ekspertët thonë se deri tani nuk ka nevojë për shtyrje të ndeshjes Gjermani-Angli të shtunën në Berlin. Ndërsa ministri i Jashtëm amerikan John Kerry pritet të premten në Bruksel. Kerry dhe kryeministri Charles Michel do të takohen edhe me njerëz të rëndomtë, të cilëve do t’u shprehin ngushëllime për sulmet e fundit terroriste.(dw)

Sulmet në Belgjikë dhe të metat e zbulimit

robot minaKonfuzioni që pasoi sulmet terroriste në Bruksel e ka vënë sistemin belg të zbulimit në një pozitë shumë të vështirë, nën kritika nga e gjithë bota. Sulmet zbuluan të meta të shumta në grumbullimin dhe shkëmbimin e informacionit nga autoritetet e sigurisë.

Ndërkohë që u vunë në lëvizje të gjitha strukturat për të gjetur të dyshuarit për sulmet e Brukselit, autoritetet belge ishin nën presion të madh. Vetë ministri i brendshëm ofroi të jepte dorëheqjen:

“Nëse i analizojmë një nga një gjërat, mund të ngrihen pyetje të mëdha për një numër aspektesh, për departamentin e drejtësisë, për zhvillimet që pasuan si dhe për policinë”.

Autoritetet belge janë nën kritika nga mbarë bota. Presidenti turk tha se një nga të dyshuarit duhet të ishte nën mbikqyrjen e belgëve:

“E kishim informuar ambasadën belge me një notë diplomatike për deportimin e të dyshuarit më 14 korrik 2015. Autoritet belge e liruar personin”.

Kritika kanë bërë edhe disa zyrtarë amerikanë. Por edhe më shqetësuese për ta është fakti se këto probleme nuk janë asgjë e re për Belgjikën dhe vende të tjera evropiane dhe disa mangësi janë vërejtur që në sulmet e Madridit dhe Londrës në 2004 dhe 2005.

“Duhet të përshpejtojmë disa nga propozimet që kemi paraqitur për ndjekjen e fondeve, për të garantuar që terroristët nuk do të përdorin karta krediti dhe karta të parapaguara; për të ndjekur nga vijnë armët,”shprehet Zëvendës Presidenti i Parë i Komisionit Evropian Frans Timmermans.

Ka shpresa për përmirësim nga ngritja e Qendrës Evropiane për Kundër Terrorizmin, por zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm të anti terrorizmit thonë Evropa duhet të ishte zgjuar prej kohësh.

“Vetëm një numër i vogël nga miqtë tanë evropianë e luajnë këtë lojë në nivelin ku jemi ne; problemi qëndron tek shkëmbimi i informacionit,”thotë ish-drejtori i CIA-s, Michael Hayden.

Një tjetër shqetësim është fuqizimi i agjencive evropiane të sigurisë, për t’u dhënë atyre kapacitetet ligjore dhe teknologjike për të grumbulluar të dhënat e zbulimit në kohë.

“Parashikoj se do të krijojë stres të madh në Evropë kur secili nga vendet të fillojë ta kuptojë se duhet të gjejnë një baraspeshë të re mes të drejtave të qytetarëve për privaci dhe të drejtës për jetën,” shprehet zoti Hayden.

Bota është përballë një realiteti të ri; siç e përshkruan një zyrtar amerikan, Shteti Islamik “ka ndezur shkrepsen” që po i detyron agjencitë e sigurisë të rendin për t’i shpëtuar flakes. (voa)

Karaxhiç – fajtor për gjenocid dhe krime lufte

KaraxhixhIsh udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, u shpall fajtor nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës, lidhur me rolin e tij udhëheqës në fushatën e terrorit ndaj popullsisë civile, përfshirë masakrën e Srebrenicës, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Ai u dënua me 40 vjet heqje lirie.

Gjykata e shpalli fajtor për gjenocid për masakrën e Srebrenicës, që synonte vrasjen e “të gjithë burrave të aftë për luftë” dhe shfarosjen e komunitetit mysliman boshnjak në atë zonë në korrik të vitit 1995, pasi forcat serbe e morën nën kontroll qytetin që ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Radovan Karaxhiç u dënua për përndjekje, shfarosje, deportim, zhvendosje të dhunshme dhe vrasje – por u lirua na akuza për gjenocid lidhur me një fushatë për të përzënë myslimanët boshnjakë dhe kroatët nga fshatrat e pushtuara nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1992- 1995.

Radovan Karaxhiçi, është zyrtari më i lartë që përballet me Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, lidhur me luftën e para 21 vjetëve, në të cilën mbi 100 mijë veta humbën jetën.

Karaxhiç u arrestua në korrik të vitit 2008 në Beograd, pas 11 vjet arratisjeje.

Ish psikiatri 70 vjeçar, ende në gjendje të mirë shëndetësore, që dikur drejtonte të vetëshpallurën Republikë e Serbëve të Bosnjës, mbante titullin e komandantit suprem të forcave të saj të armatosura.

I vetmi zyrtar më i lartë që është përballur me Gjykatën e Hagës për krime lufte, ishte ish presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç,  cili vdiq në Hagë dhjetë vjet më parë para se të përmbyllej gjykimi kundër tij për krime lufte e gjenocid ne Bosnjë, Kroaci dhe në Kosovë.

Ratko Mladiç, gjenerali që komandonte forcat e serbëve të Bosnjës, është i fundit i të arrestuarve për masakrën e Sebrenicës dhe aktualisht është në proces gjyqësor në Gjykatën e Hagës.

Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, që ishin pjesë e akuzave kundër Karaxhiçit, ishin zhvillimet që kthyen botën kundër serbëve dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s që çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohios në Shtetet e Bashkuara, në nëntor të vitit 1995. (voa)

Në kërkim të një të dyshuari tjetër për sulmet në Bruksel

polic bruxelAutoritetet në Bruksel janë tani në kërkim të një të dyshuari tjetër në lidhje me sulmet vdekjeprurëse terroriste të së martës në aeroportin e Brukselit dhe në një stacion metroje afër selisë së Bashkimit Evropian. I dyshuari është parë në videot e survejimit duke mbajtur një valixhe të madhe pranë Kalid el-Bakravit, personit që kreu sulmin vetvrasës në stacionin e metrosë të Maelbeekut.

Përveç të dyshuarit të ri, policia vazhdon kërkimin e personit të tretë që duket në video duke ecur nëpër aeroport me vëllain e Kalid el-Bakravit, Ibrahim, dhe Naim Lakravin, të cilët vranë veten duke kryer sulmin në terminalin e nisjes në aeroportin Zaventem.

Zyrtarët e inteligjencës thonë se 25-vjeçari Lakravi ishte ndërtues bombash i grupit Shteti Islamik i cili ishte i përfshirë edhe me sulmet terroriste të nëntorit të kaluar në Paris. ADN-ja e tij u gjet të martën në një apartament të Brukselit, ku autoritetet besojnë se ndërtoheshin bomba.

Personi i identifikuar si i dyshuari kryesor në sulmet e Parisit, Salah Abdeslam, u arrestua të premten e kaluar gjatë një kontrolli në Bruksel. Avokati i tij tha se nuk do të përpiqet për ta penguar ekstradimin në Francë, ku ai do të përballet me akuza të mundshme për terrorizëm.

Televizioni publik belg, RTBF, njoftoi se shenjat e gishtave të Abdeslamit u gjetën në një apartament të marrë me qira nga Bakravi gjatë një kontrolli të kryer nga policia franceze dhe belge javën e kaluar në lidhje me sulmet e Parisit.

Ministrat e brendshëm dhe të drejtësisë nga i gjithë Bashkimi Evropian u mblodhën sot në Bruksel për të diskutuar kundërpërgjigjen ndaj sulmeve terroriste, nga të cilat u vranë të paktën 31 persona – 11 në aeroport dhe 20 në stacionin Maelbeek – si dhe u plagosën 300 të tjerë. Të paktën 60 prej të plagosurve janë nën kujdesin intensiv.

Ndërkohë, zyrtarët turq thonë se njëri nga personat e identifikuar si vetëvrasës me bombë në aeroportin e Brukselit, Ibrahim el-Bakravi, ka qenë ndaluar më parë nga Turqia. Pasi kthimit në Evropë, ai u lirua rreth tetë muaj më parë.

Recep Tayyip Erdogan President i Turqisë:

“Dëbimi u bë më 14 korrik 2015 dhe u regjistrua nga zyrtarët. Ambasadës në Bruksel iu dërgua një memo, dhe belgët e lanë këtë person të lirë.”

Zoti Erdogan tha se qeveria e tij i paralajmëroi autoritetet në Belgjikë për Bakravin, por Belgjika nuk mundi të idenfikojë ndonjë lidhje të tij me terrorizmin.

Ndërkohë, Kryeministri belg tha se sulmet e së martës ndaj kryeqytetit btë Bashkimit Evropian kishin në shënjestër “lirinë e jetës së përditshme” dhe lirinë mbi të cilën ishte ngritur projekti evropian.

Në një fjalim me tone emocionale drejtuar vendit përpara parlamentit, zoti Charles Michel bëri homazh për viktimat e sulmeve dhe të afërmit e tyre. (voa)

Përvjetori i bombardimeve të NATO-s

helikopteri natoShtatëmbëdhjetë vjet më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë rreth 5 mijë trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe prania e kësaj force pritet të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Shënimi i kësaj dite në Kosovë bëhet sipas përkatësisë etnike. Institucionet e Kosovës 24 marsin e vlerësojnë si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska.

Vlerësimet për 24 marsin ndërkaq janë krejt ndryshe tek komuniteti serb dhe zyrtarët e Beogradit të cilët e vlerësojnë Serbinë si “viktimë të agresionit të NATO-s”.

Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.(voa)

40 vjet burg për Karaxhiçin

Karaxhiçi gjendet fajtor për genocid. Ai u shpall fajtor për 10 pika të aktakuzës. Karaxhiçi do ta kalojë vendimin në apel.

Satrapi KaraxhixhIsh- udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç u dënua sot me 40 vjet heqje lirie. Tribunali i Hagës për Krime Lufte e shpalli atë fajtor në 10 pika të aktakuzës, për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Radovan Karaxhiç, gjyqi ju dënon me 40 vjet heqje lirie”, tha gjykatësi O-Gon Kwon. Gjykata e shpalli Karaxhiçin veç kësaj edhe “penalisht përgjegjës” për masakrën e Srebrenicës. Ish-psikiatri është sipas mendimit të Gjyqit njëri prej fajtorëve kryesorë të masakrës në zonën e mbrojtur të OKB-së në Srebrenicë. Njësitë serbe masakruan atje në korrik 1995 8000 meshkujt dhe djem myslimanë.

“Drejtësia në rastin e Karaxhiçit u shqiptua”, tha Prokurori i OKB-së. Pala e akuzës pati kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarin.

70 vjeçari ishte i pranishëm në sallën e gjyqit në Hagë. Avokati i tij tha se Karaxhiçi do ta kalojë dënimin në apel.

Karaxhiçi u arrestua vetëm në vitin 2008, pas 13 vjetësh në arrati. Procesi gjyqësor kundër tij zgjati gjashtë vjet e gjysëm. Procesi kundër tij nisi në vitin 2009.

Gjatë luftës në Bosnjë u vranë më shumë se 100.000 vetë dhe më shumë se 2,2 milionë të tjerë u detyruan të marrin arratinë. (dw)

Prodhuesi i bombave për sulmet në Paris – është vrarë në Bruksel

teroristetZyrtarët e shërbimeve të zbulimit, thanë të mërkurën se prodhuesi 25 vjeçar i bombave të grupit Shteti Islamik, i përfshitë në sulmet e Parisit në nëntor të vitit të kaluar, ishte njëri nga sulmuesit vetëvrasës në aeroportin e Brukselit.

Autoritetet thanë se Najim Laachraoui, i lindur në Marok, por i rritur në Bruksel, ishte identifikuar si një nga pjesëmarrësit kryesor në sulmet e Parisit, pasi që ADN-ja e tij ishte gjetur në njërin nga jelekët e përdorur nga sulmuesit vetëvrasës. ADN-ja e tij u gjet po ashtu të martën në një apartament në Bruksel, ku autoritetet besojnë se janë prodhuar bombat.

Personi tjetër i identifikuar si sulmues vetëvrasës në Bruksel, ishte arrestuar në Turqi dhe ishte deportuar, por ishte liruar nga autoritetet evropiane tetë muaj më parë, tha të mërkurën presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Ai tha se qeveria e tij ka paralajmëruar autoritetet belge për Ibrahim el-Bakraouin, i cili ishte ndaluar në Turqinë jugore afër vendkalimit kufitar me Sirinë, Gaziantep. Presidenti turk tha se el-Bakraoui ishte deportuar në korrik të vitit të kaluar ndërsa ishte liruar “me gjithë paralajmërimet tona se ai person është luftëtar terrorist”.

Erdogan tha se ata që e mbanin el-Bakraouin pas deportimit, “nuk kishin arritur të gjejnë lidhje me terrorizmin” she e kishin liruar 29 vjeçarin me shtetësi belge.

Autoritetet në Bruksel, ku viktimat e sulmeve u nderuan me një minutë heshtje të mërkurën, konfirmuan se el-Bakraoui hodhi vetën në erë në aeroportin kryesor të qytetit. I vëllai i tij, Khalidi, 27 vjeç, hodhi veten në erë në metronë e qytetit. Ata u identifikuan në bazë të gjurmëve të gishtërinjve.

Personi i katërt që shihet në një video në aeroport me dy sulmuesit e tjerë, është në arrati.

Ekstremistët e grupit Shteti Islami morën përsipër përgjegjësinë për sulmet që lanë pas vetes 31 të vrarë dhe 271 të plagosur. (voa)

Erdogan: një autor i sulmit i deportuar në Europë, ishte liruar

erdogan“Një nga personat e identikuar si autor sulmi vetëvrasës me bombë të sulmet terroriste në Bruksel ishte ndaluar nga Turqia dhe ishte deportuar në Europë, ku ishte liruar tetë muaj më parë”, – tha sot Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Zoti Erdogan tha se qeveria e tij i kishte paralajmëruar autoritetet në Belgjikë për Ibrahim el-Bakraouin, të cilin e kishin ndaluar në Turqinë jugore, pranë pikës kufitare me Sirinë, Gaziantep. Presidenti turk tha se  el-Bakraoui ishte deportuar korrikun e kaluar, por më pas atë e kishin liruar “megjithë paralajmërimet tona se ky person ishte luftëtar i huaj terrorist”, – tha ai.

Erdogan tha se autoritetet që e mbajtën të ndaluar el-Bakraouin pasi ai ishte deportuar, “nuk mundën të gjenin lidhje të tij me terrorizmin”, prandaj ata e liruan 29-vjeçarin belg. Presidenti turk tha se el-Bakraoui ishte deportuar në Holandë, me sa duket me kërkesën e tij dhe ai nuk shpjegoi se kur dhe si ai ishte dërguar nga Holanda për në Belgjikë.

Duke folur të mërkurën me gazetarët, Erdogan nuk e përmendi emrin eel-Bakraouit, por media turke mundi të marrë informacione, që e identifikonin terroristin, të cilin fillimisht e deportuan dhe pastaj e liruan. (voa)

Mediat belge: 34 të vrarë nga sulmet në Bruksel

AeroportiTransmetuesi publik belg VRT raporton se së paku 34 veta kanë humbur jetën nga sulmet e së martës në Bruksel dhe se mbi 170 janë plagosur. Sipas burimit të njëjtë, 20 njerëz janë vrarë nga shpërthimi në një stacion të metrosë së qytetit, ndërsa 14 të tjerë nga shpërthimet në aeroport.

Kryeministri belg, Charles Michel, ka thënë se shumë njerëz janë vrarë ose janë plagosur seriozisht në sulmet terroriste.

Shpërthimet kanë goditur aerportin Zaventem rreth orës 7:00 të mëngjesit, ndërsa stacionin e metrosë Maelbek një orë më vonë.

Qeveria nuk e ka konfirmuar ende numrin e viktimave. Zyrtarë të transportit në Bruksel kanë thënë se 15 veta kanë vdekur në Maelbek dhe 11 në aeroport.

Belgjika tashmë ka ngritur kërcënimin terrorist në nivelin më të lartë.

Sulmet vijnë katër ditë pasi Salah Abdeslam, i dyshuari kryesor për sulmet terroriste në Paris, është kapur në Bruksel.

Kryeministri belg, Michel, i ka cilësuar sulmet e fundit si terroriste, të dhunshme dhe frikacake.

“Kjo është një ditë e tragjedisë, një ditë e zezë… I ftoj të gjithë të tregojnë qetësi dhe solidaritet”, ka thënë ai.

Prokurori belg ka thënë se ka gjasa që në sulme të ketë qenë i përfshirë një sulmues vetëvrasës.

Agjencia e lajmeve Belga raporton se, përpara shpërthimeve në aeroport, janë dëgjuar të shtëna dhe brohoritje në gjuhën arabe.

Imazhet në mediat sociale kanë treguar njerëzit në panik, duke ikur nga aeroporti.

Të gjitha fluturimet janë devijuar. Kompania hekurudhore Eurostar ka anuluar të gjithë trenat për dhe nga Brukseli.

Siguria është rritur në aeroportet Gatwick dhe Heathrow të Londrës, ndërsa Zyra e Jashtme e Britanisë ka këshilluar qytetarët britanikë të shmangin zonat e mbushura me njerëz në Belgjikë.

Franca ka rritur po ashtu sigurinë. Presidenti Francois Hollande ka mbajtur një takim me kabinetin për të diskutuar sulmet në Belgjikë.

“Terrorizmi ka goditur Belgjikën, por është Evropa ajo që ka qenë shënjestër dhe secili është prekur. Duhet të kuptojmë se sa i madh dhe serioz është kërcënimi terrorist”, ka thënë Hollande.

Siguri shetësë është vendosur edhe në aeroportet e Holandës.

Nga një vizitë në Aman të Jordanisë ka reaguar edhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“Është një ditë shumë e pikëlluar për Evropën, sepse Evropa dhe kryeqyteti i saj po vuajnë të njëjtën dhimbje që ky rajon ka pasur dhe vazhdon ta ketë çdo ditë – qoftë në Siri, qoftë gjetkë”, ka thënë Mogherini.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se ndaj “sulmeve të neveritshme” duhet përgjigjur me “vendosmëri ndaj terroristëve”.

“Është një sulm kundër Evropës demokratike. Nuk do ta pranojmë kurrë që terroristët të sulmojnë shoqëritë tona të hapura”, ka thënë kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se presidenti rus,Vladimir Putin, “i dënon fuqishëm këto krime barbare”.

Por, Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se politikat e Perëndimit me “standarde të dyfishta” kanë çuar në sulme terroriste.

“Është për të ardhur keq që sot, në vitin 2016, me gjithë faktin se terrorizmi ka qenë i përhapur në gjithë botën për disa vite me radhë, ne përballemi me problemin shumë të dhimbshëm të politikës me standarde të dyfishta. Është e pamundur që terroristët të ndahen në të mirë dhe të këqij. Është e pamundur që të mbështeten në një rajon – në Lindjen e Mesme dhe në Kaukazin Verior – dhe, në të njëjtën kohë, të vazhdojmë të mendojmë se kjo sëmundje e tmerrshme e botës bashkëkohore nuk do të arrijë pjesët e tjera të globit. Kjo gjë është e pamundur”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, për televizionin rus Rossia 24.

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, ka thënë se populli i tij ndan ndjenjën e solidaritetit me qytetarët në Belgjikë.

“I dënoj këto sulme. Ajo çfarë ka ndodhur në Bruksel mëngjesin e sotëm, tregon edhe një herë fytyrën e terrorizmit global. I shpreh ngushëllimet e mia qeverisë dhe popullit të Belgjikës”, ka thënë Davutoglu.

Stacioni i metrosë, ku ka ndodhur sulmi, ndodhet pranë institucioneve të Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian, që është krahu ekzekutiv i BE-së, ka kërkuar nga punëtorët që të qëndrojnë brenda ose në shtëpi. Të gjitha takimet në institucionet e BE-së janë anuluar.

Aeroporti Zaventem ndodhet rreth 11 kilometra në verilindje të Brukselit. Vitin e kaluar, mbi 23 milionë njerëz kanë kaluar nëpër këtë aerport. (rel)