Kategoritë: Kosova

Lajmet nga Kosova

Kos për REL: Normalizimi me Serbinë, parakusht për procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE

KosKomisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë është parakusht që Kosova të mund të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e anëtarësimit në BE.

 

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, dhe tani ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.

“Ne po presim për [formimin e] qeverisë së re. Jam në kontakt me politikanët atje, dhe ata pretendojnë se janë shumë të favor të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, çka është parakusht që të mund të nisë procesi i negociatave ose të jepet statusi i kandidatit”, tha Kos, në një intervistë të dhënë për Radion Evropa e Lirë.

Ajo tha se është shumë e rëndësishme që qeveria e ardhshme e Kosovës të plotësojë disa parakushte “që duhet të pëmbushen”, pa përmendur se cilat janë ato.

Kosova po udhëhiqet nga një qeveri në detyrë pasi që legjislatura e re ende nuk është konstituuar, as më shumë se një muaj pas certifikimit të rezultateteve të zgjedhjeve parlamentare që ishin mbajtur më 9 shkurt.

Procesi i anëtarësimit të një vendi në BE merr kohë, pasi që vendi kandidat duhet t’i përmbushë disa kritere, t’i përshtatë ligjet e veta me ato të BE-së, si dhe të presë ratifikimin e traktatit për anëtarësim në parlamentet e secilit vend anëtar të BE-së.

Kosova ende është në fazat fillestare të anëtarësimit, pasi ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat. Për këtë gjë, fillimisht Komisioni Evropian duhet ta japë pëlqimin për aplikimin për anëtarësim e pastaj Këshilli Evropian duhet ta konfirmojë unanimisht statusin si vend kandidat.

“Nuk kam marrë asnjë sinjal nga shtetet anëtare ose nga presidenca daneze [e Këshillit Evropian] se kjo gjë [marrja e statusit gjatë presidencës daneze] mund të ndodhë. Por, mendoj se do të ishte shumë mirë të nisim”, tha ajo.

Edhe më parë këtë muaj, shefja e politikës së jashtme të bllokut evropian, Kaja Kallas, kishte thënë se as Kosova, e as Serbia nuk mund të ecin përpara në rrugën drejt BE-së pa normalizim të marrëdhënieve.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to.

Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.

Pikërisht këto tensione në veriun e Kosovës kishin bërë që BE-ja, më 2023, t’i vendosë disa masa ndëshkuese Kosovës dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

Me gjithë kërkesat e liderëve të Kosovës për heqjen e këtyre masave, Kos theksoi se aktualisht jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë të gatshme për heqjen e masave në këtë fazë.

“Ne ende nuk e dimë. Jemi e duke diskutuar këtë. Nëse shtetet anëtare do të jenë për heqjen e tyre, sigurisht që do ta bëjmë këtë. Por, për momentin, jo të gjitha shtetet anëtare janë për heqjen e masave”, u shpreh ajo.

Gjatë intervistës së dhënë për REL-in, Kos tha se ajo do ta cilësonte si një dështim nëse gjatë mandatit të Komisionit aktual nuk do të kishte anëtarë të rinj në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, ajo u shpreh optimiste, duke theksuar se nga pikëpamja teknike “mund të përfundojmë me Malin e Zi [si anëtar] deri në fund të vitit 2026” dhe “mund të përfundojmë me Shqipërinë [si anëtar] deri në fund të vitit 2027”.

E pyetur nëse Mali i Zi dhe Shqipëria do të bëhen anëtarët e 28-të dhe 29-të të BE-së, ajo u përgjigj se mund të ketë edhe vende të reja.

Duke folur për Serbinë, vendin që ajo do ta vizitojë këtë javë, Kos tha se “Serbia duhet vërtet të japë rezultate”.

“Fjalët nuk mjaftojnë. E shoh misionin tim ose vizitën time atje si një përpjekje të madhe për ta rikthyer Serbinë në rrugën evropiane”, tha Kos.

Ajo shtoi se kërkesat e protestuesve, të cilët po protestojnë prej muajsh në Serbi – pas vdekjes së 16 personave nga rrëzimi i një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad – janë të njëjta me ato të Komisionit Evropian.

“Është shteti i së drejtës, është lufta kundër korrupsionit, është prokurimi publik, është legjislacioni për mediat, është legjislacioni për zgjedhjet. Serbia ka premtuar shumë në dhjetor në të ashtuquajturin ‘non-paper’ [dokument joformal”, tha Kos, duke shtuar se tani “duhet të kontrollojmë nëse po i zbatojnë ato që kanë premtuar”.

“Dhe në fakt, më pëlqen të them që unë jam mbështetësja më e madhe e protestuesve, sepse nëse Serbia është serioze për rrugën drejt BE-së — dhe ata më thonë se janë — atëherë do të duhet të japin rezultate”, tha Kos.

Ndërkohë, zyrtarja e BE-së tha se është e vështirë të punohet me liderë si presidenti i entitetit të Republika Sërpska (RS) së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Ajo tha se “është e vështirë të merresh me dikë që nuk vepron në të mirën e vendit të tij, Bosnje e Hercegovinës” dhe që shkon “kundër integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues”.

Tutje, Kos theksoi se kjo është një nga arsyet pse Bosnje e Hercegovina, edhe pse ka status kandidati, ende nuk ka hapur negociatat me BE-në.

Në lidhje me sanksionet potenciale ndaj Dodikut, ajo shtoi se “shtetet anëtare nuk janë të bashkuara” për t’i vendosur ato.

Dodik, së bashku me kryetarin e Parlamentit të RS-së, Nenad Stevandiq, dhe kryeministrin Radovan Vishkoviq, akuzohen për sulm ndaj rendit kushtetues, dhe ndaj tyre është lëshuar një fletarrestim qendror në Bosnje dhe Hercegovinë, pasi nuk janë përgjigjur thirrjes së Prokurorisë së Bosnjës për t’u paraqitur në marrje në pyetje.

rel

Dështimi i tetë për konstituimin e Kuvendit

Konstituimi i kuvenditPër të tetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca konstituive do të vazhdojë të enjten, në ora 10:00.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të gjashtë herë nuk mori mbështetjen për postin e kryeparlamentares.

Kësaj radhe, ajo mori 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, për të kishin votuar 57 deputetë – por kësaj radhe disa deputetë të LVV-së munguan.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ.

Pas përfundimit të seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se si kompromis kanë ofruar që partia e tij, së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës të pajtohen që të votohen në paketën kryeparlamentare dhe tri nënkryetarët.

“Ajo që kemi ofruar si kompromis është një dakordim politik, një konsensus politik që të tri partitë më të mëdha, që u takon të propozojnë kandidatë për nënkryetarë, përveç përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë në Kuvend, të mblidhen, të dakordohen [të votohen] në paketë emri i kandidates për kryeparlamentare Albulena Haxhiu si dhe emrat e nënkryetarëve, në mënyrë që të vazhdohet tutje dhe të kemi dakordim që t’i votojmë”, tha ai.

Murati hodhi poshtë akuzat e partive se LVV-ja po kërkon që Haxhiu “të votohet me zor”, duke shtuar se disa deputetë të partive, që legjislacionin e kaluar ishin në opozitë, kanë shprehur “dëshirë që të dalin nga kjo situatë”, por shtoi se partitë e tyre nuk kanë ndryshuar qëndrim, andaj ata nuk po mund të votojnë për Haxhiun.

LVV-ja, përsëriti ai, nuk është e interesuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por është e gatshme për votime të reja, nëse ky mbetet opsioni i vetëm për daljen nga situata e krijuar.

Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se LVV-ja ka “mentalitet të imponimit”, pasi që kjo parti ka të drejtë të propozojë kryeparlamentarin, por jo të imponojë se si votojnë të zgjedhurit e popullit.

Ai akuzoi LVV-në se “me qëllim po mban të bllokuar” procesin e krijimit të institucioneve të reja, teksa shtoi se kishte tri mesazhe për partinë fituese të zgjedhjeve.

“E para, demokracia funksionon me shumicë, e jo me imponim. E dyta, institucionet janë të popullit, nuk janë të asnjë partie politike të veçantë. Dhe e treta, duhet ta kuptojnë të gjithë se koha e sundimit njëpartiak dhe e monizmit ka përfunduar. Sa më parë që t’i kuptojë LVV-ja këto tri çështje, aq më mirë për vendin”, tha Krasniqi.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se insistimi i LVV-së për të propozuar Haxhiun për postin e kryeparlamentares e ka shndërruar Kuvendin “në një cirk”.

“LDK është për gjetjen e një zgjidhjeje kushtetuese që respekton Kushtetutën dhe rezultatin e zgjedhjeve. Ne e njohim të drejtën e të parit për të propozuar, por kjo nuk do të thotë se ne e bartim votën te një subjekt duke votuar sipas kërkesave të tyre”, tha ajo, duke shtuar se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ndërkaq, para nisjes së seancës, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se LVV-ja nuk do të marrë votën e partisë, nëse insiston në kandidimin e Haxhiut.

“Nëse ndryshohet kandidati [për kryeparlamentar], sot do të votohet. Por, si duhet do të jemi në situatë të njëjtë”, tha ai për gazetarët para nisjes së seancës.

Në anën tjetër, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se i takon LVV-së që të bëjë përpjekje maksimale për të formuar një shumicë parlamentare.

“Shumica parlamentare nënkupton koalicion qeverisës edhe për Kuvend dhe Qeveri, kështu ka ndodhur edhe herën e kaluar”, tha ai.

Nisma, sipas Limajt do të kontribuojë që të evitohen zgjedhjet e reja, “por jo me çdo kusht”.

“Nëse nuk ka zgjidhje, ka zgjidhje tjetër, e ato janë zgjedhjet”, tha ai para nisjes së seancës.

Partitë që legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë kanë thënë më herët se mosvotimi i kryeparlamentarit tregon se partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk i ka votat në Kuvend as për kryeparlamentaren, e as për formimin e ekzekutivit të ri.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar Haxhiun si figurë përçarëse, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të japë votë për çdo emër të propozuar nga LVV-ja.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar që LVV-ja të propozojë një emër tjetër për postin e kryeparlamentarit, një person, që sipas tyre, është figurë unifikuese, në mënyrë që t’i marrë votat e deputetëve të tyre.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.

Vetëm pas votimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve, procesi i legjislaturës së re do të konsiderohej i përmbyllur.

Me konstituimin e Kuvendit do t’i hapej rruga formimit të ekzekutivit të ri.

LVV-ja i ka fituar zgjedhjet me 42 për qind të votave, apo 48 ulëse në Kuvend. Por, edhe për formimin e Qeverisë asaj i duhen të paktën 61 vota të deputetëve.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Konstituimi i kuvendit

Sa ka marrë kohë konstituimi i Kuvendit pas zgjedhjeve të kaluara?

Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit nuk është i paprecedent – mosbetimi i deputetëve është. Pas zgjedhjeve të vitit 2014, procesi i konstituimit kishte zgjatur plot gjashtë muaj 

rel

Kallas: Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten

KallaShefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten, andaj kërkoi që të vazhdojë procesi i zgjerimit të bllokut.

 

“Ne shohim se po rriten tensionet dhe definitivisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit dhe kjo është diçka e prekshme dhe vërtetë na duhen histori suksesi”, tha Kallas para takimit të Këshillit për Punë të Jashtme që mbahet në Luksemburg.

Kallas nuk përmendi shtetet, që sipas saj po rriten tensionet. Por, së voni në Bosnje e Hercegovinë, autoritetet në entitetin e Republikës Sërpska kanë ndërmarrë disa veprime, që kanë rritur shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për shkëputjen e mundshme të këtij entiteti serb nga Bosnja.

NATO ka thënë se nuk do të lejohet që të rrezikohet paqja në Bosnje, ndërkaq Shtetet e Bashkuara kanë thënë se po shqyrtojnë disa opsione veprimi, duke theksuar se nuk duhet të ndodhë “shpërbërja e vendit dhe një konflikt i ri”.

 

Po ashtu, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë – që dialogojnë për normalizim të raporteve që nga viti 2011 në Bruksel – janë të larta qysh në vitin 2023, kur kryetarët shqiptarë morën drejtimin e katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Tensionet kulmuan në shtator të po atij viti, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Ndërkaq, kryediplomatja evropiane tha po ashtu se një natë më parë ka pasur “darkë shumë të mirë me miqtë tanë” nga Ballkani Perëndimor.

Në këtë darkë, Kosova është përfaqësuar nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Përveç pjesëmarrjes në darkë, Gërvalla dhe Kallas kanë zhvilluar edhe një takim të ndarë.

Kryediplomatja Gërvalla tha se i ka kërkuar Kallasit që të trajtohet si “partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese”.

Në një periudhë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, roli i Bashkimit Evropian është më i rëndësishëm se kurrë, jo vetëm për të ruajtur stabilitetin, por për të ofruar vizion dhe drejtësi për të gjithë.

 

Me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, znj. Kaja Kallas, pata një shkëmbim të hapur mbi domosdoshmërinë që Republika e Kosovës të trajtohet si një partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese.

Theksova se mbështetja për Kosovën nuk duhet të mbetet në nivel deklarativ, ajo duhet të përkthehet në hapa konkretë: përmbylljen e procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, avancimin e aplikimit për BE dhe largimin e masave që cenojnë parimet e partneritetit.

E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën, dhe mbështetja për vendin tonë është mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar. Prania dhe angazhimi ynë i fuqishëm në rajon janë burim stabiliteti dhe sigurie për gjithë kontinentin.

Tani është koha për vendime të guximshme dhe vizion të përbashkët.

 

Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – Kosova është e fundit sa i përket rrugëtimit të saj drejt BE-së.

“E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën, dhe mbështetja për vendin tonë është mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar. Prania dhe angazhimi ynë i fuqishëm në rajon janë burim stabiliteti dhe sigurie për gjithë kontinentin”, tha Gërvalla përmes një postimi në Facebook.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Por, ky aplikim ende nuk është shqyrtuar nga autoritetet në Bruksel. Kosova po ashtu është e vetmja në rajon që nuk e ka statusin e shtetit kandidat.

 

rel

A e ka arritur LVV-ja numrin prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë?

Ndertesa-e-QeveriseDy ditë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, partia fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë indikacione se ka shumicën parlamentare prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë së re, thonë analistët politikë.

Sipas tyre, përveç deklaratave politike, nuk ka asnjë dëshmi se partia e Albin Kurtit ka arritur ndonjë koalicion me partitë shqiptare dhe komunitetet jo shumicë. Në anën tjetër, nga partia Guxo, pjesë e listës së përbashkët zgjedhore të LVV-së thonë se ky koalicion do të formojë qeverinë e ardhshme.

Mirëpo, ata potencojnë rrezikun, që sipas tyre, Serbia po tenton të ndërhyjë te deputetë të caktuar të komuniteteve jo shumicë për të krijuar vakum në formimin e institucioneve të reja.

 

Një gjë të tillë nuk pranon ta komentojë për KosovaPress deputeti i zgjedhur nga komuniteti egjiptian Veton Berisha. Megjithatë, ai thotë se është në pritje të një ftese të dytë nga lideri i LVV-së, për të diskutuar rreth kërkesave të tij.

Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, rrjedhimisht do t’i ketë 48 deputetë. PDK-ja është e dyta me 20.95 për qind, përkatësisht 24 deputetë, LDK-ja e treta me 18.27 për qind apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind, respektivisht 8 deputetë.

Ulëse në Kuvend kanë fituar 10 deputetë nga minoritetet jo serbe, ndërkaq, serbëve u takojnë gjithashtu 10 ulëse. Sipas rezultateve, një ulëse e ka fituar politikani serb dhe ministri në detyrë në Qeverinë Kurti 2, Nenad Rashiq dhe 9 ulëse Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë e cila financohet nga Beogradi.

Këto rezultate sipas politologut, Arton Muhaxhiri, e determinojnë nevojën e arritjes së një koalicioni qeverisës mes partive shqiptare.

Pas refuzimit të LDK-së për konsulta për formimin e qeverisë së re, Muhaxhiri thotë për KosovaPress se Lëvizjes Vetëvendosje e vetmja rrugë i mbetet dakordimi me tre deputetët e Nismës dhe përmbushja e kërkesave të komuniteteve jo shumicë. Mirëpo, ai shton se deri më tani nuk ka asnjë shenjë se Kurti mund ta arrijë një gjë të tillë.

“S’ka koalicion dhe s’ka një dëshmi se kryeministri Kurti i ka 61 deputetë. Mirëpo, opsioni i vetëm është që t’i arrijë këto vota me Nismën. Me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, i ka shembur urat e bashkëpunimit, prandaj nëse eventualisht formohet qeveria të martën, atëherë kjo do të bëhet vetëm me një koalicion të LVV-së dhe Nismës dhe pakicës.

Por ekziston mundësia që njëherë të zgjidhet kryeparlamentari dhe pastaj të shfrytëzohet hapësira e nevojshme nëse kryeministri Kurti ka nevojë për të… Është e pamundshme që kryeministri Kurti të krijojë një qeveri të re dhe stabile. S’ka potencial dhe mundësi realiste për ta bërë këtë. Në fakt, ai përveç, një kompromisi të madh që mund ta bëjë me Nismën, asnjë mundësi tjetër nuk e ka që të qëndrojë në pushtet. PDK, LDK dhe AAK në asnjë mënyrë nuk po dëshirojnë që të bashkëpunojnë me të. Prandaj, e vetmja rrugë është bashkëpunimi me Nismën ose kalimi në opozitë”, deklaron ai.

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Guxo, pjesë e listës së LVV-së, Haxhi Avdyli, thotë për KosovaPress se qeveria e ardhshme do të formohet nga LVV-ja, por pa treguar se me kënd do të jenë në koalicion qeverisës.

Sipas tij, komunitetet jo shumicë në Kosovë, veçmas ato jo serbe duhet të tregojnë shembullin e mirë të respektimit të shtetit sikurse në të kaluarën.

Megjithëse nuk pranon të komentojë se kush prej deputetëve jo shumicë është kontaktuar nga Serbia, siç është thënë javën e kaluar në një komunikatë nga Qeveria e Kosovës pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ai thotë se Serbia është interesuar për vakum në krijimin e institucioneve.

Ai, po ashtu, thotë se fqinji verior i Kosovës është i interesuar edhe për një lidership të dobët për të rritur interesin politik dhe ekonomik.

Sidoqoftë, ai shton se kërkesat nga komunitetet jo serbe, veçmas nga deputetët nga komuniteti boshnjak janë legjitime dhe duhet të respektohen, dhe në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të gjendet një zgjidhje.

“Serbia është shumë e interesuar për destabilizimin e situatës në Kosovë. Është e interesuar për krijimin e vakumeve institucionale. Është e interesuar për udhëheqësi të dobët në Kosovë që të rrisë interesin ekonomik dhe politik. Gjithsesi, ne i dimë qëllimet e Serbisë dhe mendoj se në këtë drejtim ne jemi një hap para tyre. Nuk besoj se Serbia do të mund të arrijë qëllimin në bllokimin e krijimit të institucioneve dhe krijimin e krizës institucionale. Ndërsa, për partitë e pakicave jo serbe mendoj se kanë qenë akterë pozitivë edhe në historinë e Kosovës dhe qeveritë e kaluara dhe qeverinë Kurti 2.

Kanë dhënë një shembull të mirë të respektimit të shtetit, Kushtetutës dhe janë njerëz të respektuar nga ana jonë. Besoj se edhe Kurti ka treguar mundësinë që ka Kosova për t’i ofruar për ata. Mendoj se në këtë drejtim jemi gati të pajtuar dhe ata janë shumë pro vazhdimit të punëve të mira të qeverisë Kurti. Diskutimet, të cilat kanë dalë nga Duda Balje apo Rasim Demiri dhe Emilia (Rexhepi) janë kërkesa legjitime që ne i respektojmë. Në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve tona, ne do të mundohemi të gjejmë zgjidhje për të gjitha kërkesat”, thekson Muhaxhiri.

Përkitazi me këtë, analisti politik Arton Muhaxhiri thotë se akuzat ndaj deputetes së zgjedhur nga komuniteti boshnjak Duda Balje, janë vetëm një populizëm dhe në momentin e përafrimit të saj me LVV-në, ankesat dhe fajësimet ndaj saj do të zhduken.

“Sa i përket ankesave ndaj zonjës Balje, unë mendoj se këto janë vetëm një populizëm dhe se s’ka asnjë fakt konkret. Është vetëm një arsyetim për mos arritjen e marrëveshjes me të dhe tentim të njollosjes e stigmatizimit politik të saj. Por, në momentin që zonja Balje do të përafrohet me kryeministrin Kurti, atëherë të gjitha këto ankesa dhe fajësime do të zhduken. Kjo ka ndodhur në të kaluarën”, thekson Muhaxhiri.

Pas takimit me liderin e LVV-së, njëherësh kryeministrin në detyrë Albin Kurti, deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak Duda Balje ka paraqitur disa kushte për votimin e qeverisë së re. Ajo e ka konsideruar të nevojshme formimin e një komune të re boshnjake në Kosovë.

Për këto çështje dhe pozicionin e saj politik, KosovaPress ka kontaktuar deputeten Balje, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

 

Krahas kësaj edhe deputeti i zgjedhur nga komuniteti egjiptian Veton Berisha ka paraqitur disa kërkesa karshi Kurtit për formimin e qeverisë së re, mes tjerash edhe marrja e përgjegjësisë në kabinetin qeveritar.

Berisha thotë për KosovaPress se janë në pritje të një ftese tjetër nga Kurti për të diskutuar mbi formimin e qeverisë së re, para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit.

“Po e presim ftesën e takimit të dytë që ne e kemi lënë nga takimi i parë. Po e presim ftesën për takim… S’kemi pasur takim dhe s’ka ndonjë gjë më shumë sesa takimi i parë… Ne kemi diskutuar, kemi dhënë hapësirën dhe mundësinë. Jemi të gatshëm për bashkëpunim, s’kemi asnjë pengesë, por kemi kërkesat tona që duhet diskutuar… S’kam asnjë koment”, tha ai.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës mbahet më 15 prill. Për përgatitjen e kësaj seance është mbajtur një takim këtë javë nga kryetari i Kuvendit në detyrë Glauk Konjufca me liderët e partive politike. Të enjten dhe të premten, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë janë regjistruar në ambientet e Kuvendit.

kp

Çetnikët me veshje kombëtare shqiptare dhe kalimi ilegal i kufirit

Luftëtarë çetnikë në vitin 1908Megjithatë edhe pse në raportin e 16 majit 1907, Rakiq pozicionohet kinse kundër depërtimit të bandave çetnike në Vilajetin e Kosovës, ato tashmë ishin realitet dhe paraqisnin rrezik serioz për popullatën vendore. Hyrjen e njësiteve çetnike në Kosovë në verën e vitit 1907 e kishin evidentuar edhe diplomatët e huaj. Kështu në një raport të konsullit austro-hungarez Llukes nga Shkupi thuhej qartë se “kalimi i kufirit në relacionin Vranjë – Kozjak, që zyrtarisht është i ndaluar, ka ndodhur, bile gjatë kalimit ilegal të kufirit, çetnikët ishin të veshur me veshje kombëtare shqiptare“

Duke parë si rrezik të vazhdueshëm prezencën e faktorit të Austro-Hungarisë brenda Lëvizjes Shqiptare në njërën anë dhe pamundësisë së  futjes së ndikimit brenda strukturave të shqiptarëve, midis konsujve serbë në Prishtinë më 1907 vërehet njëfarë nervozizmi. Bile konsullata në Prishtinë as që kishte ndërmarrë diçka rreth vendosjes së kontakteve me shqiptarët autoritativë. Në radhë të parë shkaku i kësaj iniciative ishte te ndërrimi  i shpeshtë i konsujve. Në ndërkohë prej Beogradi ishte provuar që nëpërmes shoqatave të ndryshme “patriotike“ të vendoseshin lidhjet politike me shqiptarët madje edhe pa pjesëmarrjen e konsullatës, ishin mendimet që më së shpeshti dëgjoheshin midis konsujve serbë që shërbenin jo vetëm në Prishtinë por edhe në tokat shqiptare.

“Nevojiten para për ta shtrirë ndikimin mbi krerët e shqiptarëve”

Edhe pse nuk shihej si alternativë e vetme, zëvendëskonsulli Milan Rakiq në Prishtinë prapë iu kthye çështjes së organizimit të Lëvizjes Çetnike dhe organizimit të saj në Vilajetin e Kosovës.
“Më duhet ta pranoj se deri më tani nuk ka të dhëna të mjaftueshme, në bazë të të cilave do të mund të vlerësohej me besueshmëri se çfarë pasojash do të kishte prej veprimtarisë çetnike në këto zona dhe a është e mundshme që të organizohet një veprimtari e tillë, pasi në këtë drejtim së pari mungon përvoja por edhe nuk është punuar aq. Duke i marrë parasysh rrethanat por edhe numrin e serbëve, unë mendoj se veprimtaria çetnike do t’u shkaktonte këtyre më shumë probleme dhe e kam frikën se këtu nuk do të mbetej asnjë serb”.

Elaborimin e tij të gjatë në raportin dërguar Beogradit, Rakiq e ka përmbyllur me propozimet si në vijim: “Afrimi me krerët shqiptarë është i domosdoshëm dhe marrëveshja eventuale me ta përveç në nahinë e Pejës dhe të Prizrenit, duhet të zgjerohet edhe në krahinat ku nuk ka serbë, si në Llap e Drenicë. Është krejtësisht e panovejoshme të paraqiten arsyet për një përpjekje të tillë në Llap, sepse mjafton të përmendet se Llapi është në kufirin tonë dhe pikësëpari do të hasim në këtë krahinë dhe më pastaj do të vazhdonim tutje. Më pastaj zgjerimi i marrëveshjes në Drenicë do të mund të na bënte shumë punë, sidomos me pjesëmarrjen (e përfaqësuesve serbë S. L.) në kuvendet dhe tubimet publike të krerëve shqiptarë, me ç’rast krerët drenicas shumë më lehtë do të bënin propozime në dobi të serbëve dhe për këtë nuk do të ngriheshin dyshime pasi në Drenicë nuk ka serbë. Tani për tani do të mjaftonte që për këto çështje të përcaktohej një kredi prej nga do të shpërndaheshin shuma të caktuara parash, për çdo rast të veçantë dhe për të cilat konsullata në Prishtinë do ta sqaronte dhe do të afronte arsyetime para Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka përfunduar Rakiq.

Konsulli serb në Prishtinë: “Ju lutem ua jepni dhjetë pushkë”

Megjithatë edhe pse në raportin e 16 majit 1907, Rakiq pozicionohet kinse kundër depërtimit të bandave çetnike në Vilajetin e Kosovës, ato tashmë ishin realitet dhe paraqisnin rrezik serioz për popullatën vendore.

“Që prej kur çetat kanë filluar të kalojnë nëpër kazanë e Gjilanit, konsullata gjithnjë ia ka tërhequr vërejtjen ministrisë dhe këshillave (çetnike) për pasojat e rënda dhe me këmbëngulësi ka qenë kundër dërgimit të çetave nëpërmes kazasë së Gjilanit. Këtë mendim e mbështes edhe unë. Duke i pasur parasysh rrethanat ia kam lejuar Stojan Dajiqit (mësues në Gjilan) që të veprojë sipas kërkesave tuaja. Dajiqi do t’i dërgojë njerëzit për të marrë armë. Ju lutem ua jepni dhjetë pushkë”, ka urdhëruar konsulli serb nga Prishtina.

Hyrjen e njësiteve çetnike në Kosovë në verën e vitit 1907 e kishin evidentuar edhe dipolomatët e huaj. Kështu në një raport të konsullit austro-hunagrez Llukes nga Shkupi thuhej qartë se “kalimi i kufirit (të  pjesëtarëve të Lëvizjes Çetnike – S. L.) në relacionin Vranjë – Kozjak, që zyrtarisht është i ndaluar, ka ndodhur, bile gjatë kalimit ilegal të kufirit, çetnikët ishin të veshur me veshje kombëtare shqiptare“.

Lidhja e besës në krahinën e Gjilanit dhe mosrespektimi i saj

Ndonëse njëra prej nahive më të rrezikuara të Vilajetit të Kosovës nga depërtimi i pjesëtarëve të Lëvizjes Çetnike ngelej ajo e Gjilanit, sa për shkak të viseve që shtriheshin përgjatë kufirit serb, por edhe për shkak të ngritjes së Komitetit të Lëvizjes Çetnike në Vranjën fqinje, megjithatë mund të thuhet se mbetet anakronik bashkëpunimi shqiptaro-serb në këtë nahi edhe atë mu në kohën kur qarqet diplomatike i mbikëqyrnin lëvizjet rreth kufirit në këtë zonë.

Në  një raport diplomatik të gjysmës së qershorit të vitit 1907 thuhej se që prej Shën Gjergji në nahinë e Gjilanit ishte arritur “lidhja e besës“ dhe përkundër paralajmërimeve se nën të do të përfshihej edhe pakica serbe, megjithatë në të u përfshinë vetëm serbët e nahisë së Kamenicës që përbëhet prej shtatëdhjetë fshatrave. Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, sa i përket besës ishin rregulluar si në vijim: shqiptarët e kishin gjyqin e tyre ku i zgjidhnin mosmarrëveshjet midis vete, po ashtu edhe serbët e kishin gjyqin e tyre. Por, nëse mosmarrëveshja apo konflikti ishte midis shqiptarëve dhe serbëve, atëherë të dy gjyqet – shqiptare dhe serbe e hetonin rastin dhe nëse serbi ishte fajtor atëherë ai i dorëzohej gjyqit serb. Në të njëjtën mënyrë veprohej nëse shqiptari ishte fajtor. Megjithatë në fund fajtori qoftë shqiptar apo serb i dorëzohej gjyqit shtetëror.

Pra, shihet qartë që promovues dhe përkrahës i idesë së arritjes së besës dhe gjyqeve të ndara ishte vetë pushteti, mirëpo duket se organizimi i gjyqeve në këtë mënyrë nuk iu ka pëlqyer edhe aq ndërkombëtarëve, prandaj në frymën e reformave ata ndoshta qëllimisht e kanë evidentuar ekzistencën dhe punën e Gjykatës Penale në Prishtinë përgjatë vitit 1907.

Kështu zbatimi i marrëveshjes së besës në nahinë e Gjilanit vazhdoi tërë verën e vitit 1907, madje nuk munguan as rezultatet e arritura.

“Në nahinë e Gjilanit ‘Gjyqet e Besës’ janë duke vepruar pa kurrfarë pengesash. Paqja që ka mbisunduar prej Shën Gjergjit dhe liria që e gëzojnë njerëzit tanë (serbët) por edhe shqiptarët, janë duke ndikuar edhe më tepër mbi udhëheqësit e kësaj lëvizjeje dhe jo vetëm se pritet që besa të respektohet, por një marrëveshje e tillë do të zgjerohet edhe në zona tjera. Siç u kam thënë, me marrëveshjen e besës tani janë duke u rregulluar çështjet civile dhe penale. Në fakt gjyqet e besës e kanë peshën e gjyqeve shtetërore. Në fillim kur u arrit kjo marrëveshje nuk besohej se ajo do të merrte përmasa kaq të mëdha. Më pastaj do të informoj edhe se si gjykojnë gjyqet e besës në kazanë e Gjilanit: në fshatin Berivojcë, një shqiptar i ka thënë fqinjit të vet se ai nuk ishte turk. Gjyqi shqiptar e dënoi atë me therjen e një lope dhe ai dënim u ekzekutua menjëherë”, raportohej më 4 korrik të vitit 1907.

Fatkeqësisht në të njëjtin raport të tij, konsulli Milan Rakiq ka shkruar nga Prishtina për kalimin e një bande çetnike pikërisht në kazanë e Gjilanit, gjë që ai e ka afruar një argument shtesë se të gjitha elaborimet rreth “Gjyqeve të Besës” dhe arritjes së bashkëpunimit me shqiptarët ishin të kota dhe ato e minonin projektin e zgjerimit territorial!

koha

Masakra e Tivarit, raporti i Haxhi Lleshit dhe dëshmitarët

tivar“Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar ilegalisht në masë si gjatë luftës dhe pas luftës. Në këto masakra ka marrë pjesë dhe agjenti i Qeverisë jugosllave në gjirin e Qeverisë shqiptare, tradhtari Koci Xoxe”, shkruhet në dokumentin e Sigurimit të Shtetit që akuzon Koçi Xoxen për Masakrën e Tivarit. Gjithashtu në dosjen hetimore depozitohet një raport i Ministrit të Mbrojtjes Haxhi Lleshi ku i raportohet Qeverisë Shqiptare vrasja e 1000 kosovarëve nga forcat e OZNA-s në territorin shqiptar. Dëshmi e gjallë është ajo e Azem Hajdinit. Dëshmitë e qytetarëve të Tivarit japin detaje të mizorisë së ushtruar nga popullsia serbo-malazeze në përkrahje të masakrës. Akte të tilla si Masakra e Tivarit nuk kanë zënë vend në Historinë e Shqipërisë, mbasi shkrimi i historisë shtetërore është trajtuar si akt ideologjik dhe kundër historisë kombëtare

Raporti i Haxhi Lleshit

Mbi Masakrën e Tivarit nisja e kolonave nga Kosova me 4000 rekrutë të paarmatosur nisi në datat 17 dhe 18 mars 1945, njoftimet e para të kësaj ngjarjeje vijnë kryesisht nga dëshmitarët okularë si narrativë e burimeve gojore.

Në gjyqin e Koçi Xoxes 1949-1950 do të jepeshin dëshmi nga disa ish-drejtues të Sigurimit të Shtetit mbi karvanët e drejtuara nga veriu i Shqipërisë për në Tivar. Gjithashtu në dosjen hetimore depozitohet një raport i Ministrit të Mbrojtjes Haxhi Lleshi ku i raportohet Qeverisë Shqiptare vrasja e 1000 kosovarëve nga forcat e OZNA-s në territorin shqiptar.

Dokumenti i Sigurimit të Shtetit që akuzon Koçi Xoxen për Masakrën e Tivarit të 30-31 marsit të vitit 1945, në atë kohë Ministër i Brendshëm ishte Haxhi Lleshi. Ndërsa Koçi Xoxe, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit – akronimi përkthim i OZNA-s jugosllave.

 

Haxhi Lleshi, dokumenti 19 shtator 1950

“Tepër sekret”, Drejtoria e Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë: “E frymëzuar nga ndjenjat nacionaliste dhe shoviniste, Qeveria jugosllave ka terrorizuar në mënyrën më barbare pakicat nacionale dhe veçanërisht, popullsinë shqiptare të Kosovës dhe Metohisë të përbërë prej 1 000 000 shqiptarësh. Kjo popullsi shqiptare është masakruar me metoda shumë më të egra dhe barbare nga ato të përdorura nga kralët e Serbisë dhe Gestapoja hitleriane. Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar ilegalisht në masë si gjatë luftës dhe mbas luftës. Në këto masakra ka marrë pjesë dhe agjenti i Qeverisë jugosllave në gjirin e Qeverisë shqiptare, tradhtari Koci Xoxe, i cili me cilësinë e tij si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, në fillimin e vitit 1945, autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm” (AMPB, F. 1, Hetimor-Gjyqësor, Dosja e hetimit dhe Procesi kundër Koçi Xoxes, 1949, fl.1-2)

raporti

Raporti i Islam Kadeshit, shifrant i Komiteti Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë për masakrat e Tivarit

Në Artikullin “Për Masakrat e Tivarit faji është edhe i KQ të PKSH”, botuar në revistën “Zëri” të Prishtinës, më 16 dhjetor 1995, Islam Kadeshi gjatë detyrës së tij të shifrimit pranë UNCL, në Kosovë jep dëshminë e tij për dhënien e informacionit Komandës së Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë për plojën e Tivarit, të fundmarsit dhe fillimit të prillit 1945.

“Atë ditë erdhi një telegram, një shifër nga komisari i Divizionit të Pestë, Ramiz Alia, i cili njoftonte se sot herët në mëngjes, një turmë e madhe disa mijëra njerëzish, shqiptarë të Kosovës, pasi u grumbulluan në mes të dy kodrave, në një luginë, u pushkatuan dhe u likuiduan që të gjithë. Në momentin kur unë e dorëzova këtë telegram, në zyrë e gjeta Koçi Xoxën dhe Enver Hoxhën. Ua dhashë telegramin në shifër të përkthyer. Isha i tronditur, sepse tjera gjëra kishin thënë, e tjera dolën, që u bënë me popullin shqiptar të Kosovës. Për këtë ngjarje u hesht. Turp dhe krim i madh për ta. Më vonë, në një tubim të ngushtë, u mor vesh për këtë masakër. Popullit nuk iu dha asnjë njoftim, nuk dihej se sa ishin vrarë, në ç’rrethana, ku dhe sidoqoftë fakt ishte se 8 000 shqiptarë u vranë me miratimin e krerëve të Partisë Komuniste të Shqipërisë.”

 

Raporti Zyrtar i Ushtrisë Jugosllave mbi Masakrën e Tivarit

Në dokumentin shkruar në serbisht për Masakrën e Tivarit, shënohet ndërprerja e masakrës nga ardhja e disa forcave të misionit ushtarak amerikan pajisur me makina “Jeep”.

Raporti Zyrtar i Shtabit të Divizionit të 46-të të Serbisë, datë 8. 4. 1945, dërguar Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi, lidhur me depërtimin e Eshalonit të dytë në Tivar

“…nga të gjitha anët binin bombat, shtihej nga të gjitha armët, kurse në qitje kanë marrë pjesë edhe këshilltarët, infermierët me një fjalë, të gjithë ata të cilët rastësisht në atë çast u gjenden aty dhe të cilët kishin armë. Qitja u ndërpre atëherë kur asnjëri nga turma e njerëzve nuk u ngrit ose nuk lëvizte. Në gjithë këtë ishin të pranishëm edhe komandanti dhe komisari i brigadës X dhe gati të gjitha entet ushtarake dhe civile, të cilat gjendeshin në Tivar. Shumë prej tyre kanë marrë pjesë aktive në këtë pushkatim të njerëzve. Sipas fjalëve të dëshmitarëve ngjarja ishte më tepër se trishtuese … Që kjo të jetë edhe më keq, në çastin e qitjes ka ardhur një xhip automobil me amerikanë deri në afërsi ku ka ndodhur e tërë ngjarja. Fatmirësisht disa nga udhëheqësit tanë janë gjetur aty dhe i kanë kthyer në drejtim të Ulqinit. Janë parë edhe disa civilë të cilët gjithë këtë e kanë fotografuar, por më vonë janë tretur në këtë rrëmujë, prandaj për gjithë këtë janë duke u bërë hetime ( dr. Hakif Bajrani. Arkivi i Kosovës, Vjetar XVII XIX, Prishtinë, 1994)

 

Dëshmitë e gjalla: Azem Hajdini pohon se janë 4310 shqiptarë të zhdukur

Dëshmitë e qëmtuara janë dy llojesh; dëshmi aktuale, marrë në kohën e ngjarjes (1945) dhe botuar postume në vepra të veçanta si te vepra e Prenk Grudës, (Eurorilindja, 1997), dëshmi okulare të Veli Arifit dhe të Azem Hajdini-Xani: në librin e botuar nga shqiptarët e diasporës politike në Gjermani më 1991 “The Bar Tragedy”. Në botimin e dytë Prishtinë 1998, Azem Hajdini – viktimë dhe protagonist i dëshmisë më të qartë të Masakrës së Tivarit, i mbijetuar i Eskalionit të dytë të nisur nga Prizreni për në Tivar jep këtë statistikë për numrin e rekrutëve të nisur nga Kosova në Tivar dhe numrin e viktimave sipas tre Eskalioneve (kolonave me rekrutë kosovarë të nisur për në frontin e Kroacisë për të luftuar nazifashistët).

“Pas numërimit një nga një gjatë hyrjes në ndërtesë është konstatuar se të gjallë kemi mbetur vetëm 810 veta, kurse sa i përket numrit që janë nisur nga Kosova oficeri më          regjistër në dorë na ka komunikuar se nga Kosova jemi nisur 4.700 veta, gjë që do të thotë se gjatë rrugës dhe në plojën e Tivarit janë mbytur, vrarë, masakruar dhe zhdukur 3.890 shqiptarë të Eshalonit {Kolonës} të dytë,

420 të Eshalonit të parë; gjithsej 4310.

Edhe pse gjakatarët e kishin në plan likuidimin e të gjithëve, në mënyrë që nga kjo plojë të mos mbetej asnjë dëshmitarë i gjallë për të dëshmuar, për fat këta 810 të rinj shqiptarë e mbijetuan plojën. Nga likuidimi i përgjithshëm shpëtuam në sajë të disa vëzhguesve amerikanë, që në atë çast, me një xhip u dukën atypari, afër vendit të ngjarjes, si dhe të disa njerëzve të paidentifikuar civilë, që u dukën dhe e fotografuan tërë ngjarjen. Nga frika se do të zbulohet krimi, ata u detyruan ta ndërprisnin plojën. Nga njerëzit që kanë mbetur gjallë nga kjo tragjedi dhe sipas asaj që kam vërejtur vetë, mbi 90 për qind kanë shpëtuar ata që kanë qenë brenda në ndërtesë, sepse mundësitë për shpëtim në oborr dhe shesh kanë qenë minimale. I gjallë ka mbetur aty-këtu ndonjëri që është fshehur ndër kufoma dhe vetëm pse nuk kanë arritur t’i transportojnë para territ. Natën, ata që kanë qenë të plagosur, kanë mundur më lehtë të dalin nga kufomat dhe të ikin në drejtime të ndryshme. Ka raste që edhe në shesh kanë shpëtuar, por ato janë shumë të rralla”.

Dëshmitë e qytetarëve të Tivarit japin detaje të mizorisë së ushtruar nga popullsia serbo-malazeze në përkrahje të masakrës, institucionet lokale morën pjesë në goditjen me armë të rekrutëve shqiptarë dhe gjatë transportit të të vrarëve nga oborri i fabrikës së Monopolit të Duhanit u krijuan grumbuj kufomash që digjeshin në shkëmbinj. Gjithashtu raportohet se mjaft kufoma ishin hedhur në det dhe plisat e bardhë pluskonin me ditë të tana nëpër valë.

Akte të tilla si Masakra e Tivarit nuk kanë zënë vend në Historinë e Shqipërisë, mbasi shkrimi i historisë shtetërore është trajtuar si akt ideologjik dhe kundër historisë kombëtare. Masakra e Tivarit ndonëse përmendet në gjyqin kundër Koçi Xoxes viti 1949, nuk është trajtuar nga historianët tanë deri në vitin 1990.

Pas vitit 1990 me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri dhe në Kosovë, trajtohet gradualisht. Në shtypin e Shqipërisë shkrimet e Zef Grudës u botuan nga shtëpia botuese “Eurorilindja” më 1997 dhe në gazetën “Rilindja”, botimi i Tiranës. Vetëm në vitin 2010 do të botohej monografia “Masakra e Tivarit” nga Uran Butka.

Ky libër është përfshirë për herë të parë në listat e “Literaturës së përzgjedhur ndihmëse” hartuar nga bordi i Ministrisë së Arsimit në vitet 2011-2013.

 

“Po harroni turqishten”, Erdogan batuta me Osmanin – presidentja i përgjigjet në turqisht “më duhet të praktikoj me ju”

Vjosa ErdoganPresidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka qëndruar në Turqi ku mori pjesë në Forumin e Diplomacisë në Antalia.

Osmani pati edhe një takim miqësor me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Madje në një video të publikuar nga TRT Balkan Albaian, shihet se presidenti turk i drejtohet në turqisht presidentes Osmani teksa i shtrëngojnë duart njëri-tjetrit, duke i thënë “Po mësoni turqisht, pastaj po e harroni”.

E presidentja Osmani i përgjigjet gjithashtu në turqisht me fjalët “Po mësoj, më duhet të praktikoj me ju”.

Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Erdogan është një mik i dëshmuar i Kosovës dhe një zë i fuqishëm për të drejtën.

“Presidenti Erdoğan është lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfide e në çdo sukses. Ai është një zë i fuqishëm i miqësisë dhe vizionit të përbashkët”, shkroi Osmani.

Edicioni i 4-të i Forumit të Diplomacisë në Antalia, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë, nën kujdesin e presidentit Erdogan, ka filluar të premten dhe do përfundojë sot.

Telegrafi

Sudani e njeh pavarësinë e Kosovës, thotë Osmani

Vjosa SudaniPresidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, takohet me ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, në Antalia, Turqi, 12 prill.

 

Sudani, vend në verilindje të Afrikës, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shtunën, njoftoi presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Në një njoftim në X, Osmani tha se Kosova dhe Sudani janë pajtuar për të lidhur marrëdhënie diplomatike.

“Ky është fillimi i një partneriteti madhështor”, shkroi Osmani.

Njohja nga Sudani është e dyta brenda javësh për Kosovën, pasi një shtet tjetër afrikan, Kenia e njohu atë në fund të marsit.

Në një video përkrah ministrit të Jashtëm të Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, në Forumin e Diplomacisë në Antalia të Turqisë, Osmani tha se u njoftua nga ai për vendimin e presidentit të Sudanit për ta njohur Kosovën dhe për të lidhur marrëdhënie mes dy vendeve.

Njohjet nga Kenia dhe Sudani vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.

Sudani është bërë tani shteti i 119-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet.

Serbia e dënoi vendimin e Kenias për ta njohur Kosovën dhe tha se ai mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Beogradit me shtetin afrikan.

Një ekspert kishte paralajmëruar për Radion Evropa e Lirë në fund të marsit se njohja nga Kenia do të nxiste edhe shtete të tjera afrikane ta marrin të njëjtin vendim.

Gëzim Visoka, autor i librit “Çnjohja e shteteve”, tha për REL-in më 29 mars se, nëse institucionet angazhohen, kjo mund të jetë një “pikë kthese në favor të Kosovës”.

“Njohja nga Kenia paraqet një mundësi të mirë për Qeverinë e Kosovës, por edhe për aktorët e tjerë të angazhuar, që të rikthejnë vrullin dhe të punojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe strategjike për të përmbyllur procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës”, tha Visoka asokohe.

Sudani e njohu Kosovën rreth tri javë më vonë.

Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, parashikoi se Kosova duhet të synojë 10 deri në 12 njohje brenda vitit.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte shprehur druajtjen e tij se njohja nga Kenia mund të nxiste një trend të njohjeve të Kosovës.

Më shumë rreth Sudanit

Sudani është duke u përballur me krizën më të madhe humanitare në botë, si pasojë e një luftë pothuajse dyvjeçare.

Ai është bërë vendi i vetëm afrikan që po përjeton uri ekstreme, sipas Kombeve të Bashkuara.

Pothuajse 25 milionë njerëz – gjysma e popullsisë së Sudanit – përballen me uri ekstreme, ndërsa njerëzit po vdesin në zonat e goditura nga uria në Darfurin Perëndimor, sipas OKB-së.

Konflikti në Sudan nisi më 15 prill 2023, kur tensionet e kamotshme midis udhëheqësve ushtarakë dhe atyre paraushtarakë shpërthyen në kryeqytetin Kartum dhe u përhapën në rajone të tjera, përfshirë zonën e gjerë të Darfurit Perëndimor.

Prej atëherë, thuhet se të paktën 20.000 njerëz janë vrarë, megjithëse numri ka mundësi të jetë shumë më i lartë.

Në fund të muajit të kaluar, ushtria sudaneze e rimori kontrollin mbi Kartum, një fitore e rëndësishme simbolike në luftë. Por, grupi paraushtarak rival, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), vazhdon ta kontrollojë pjesën më të madhe të Darfurit dhe disa zona të tjera.

 

rel

PE për heqjen e masave ndaj Kosovës, Kearns: Thirrjet të merren parasysh

KernsKomiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar dje draft-rezolutën për Kosovën, në të cilën, mes tjerash, kërkohet heqja e menjëhershme e masave të BE-së.

 

Deputetja britanike, Alicia Kearns, e ka cilësuar këtë hap si një lajm i vonuar, por jashtëzakonisht i mirëpritur.

“Lajm i vonuar dhe jashtëzakonisht i mirëpritur – ekuilibri duhet të kthehet në botë, dhe veçanërisht në qasjen e BE-së ndaj Ballkanit, shpresoj që këto thirrje të merren parasysh”, ka shkruar ajo në platformën ‘X’.

Riho Terras, raportues i këtij institucioni për Kosovën, ka porositur se vendi i Kosovës është në BE.

Ndryshe, në këtë dokument mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE dhe ftohen vendet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë pa vonesa të tjera.

Parlamenti Evropian mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe pas aprovimit në Komitetin për Politikë të Jashtme, ky dokument gjatë muajve të verës do të votohet në seancë plenare kur do ta marrë edhe versionin e Rezolutës së Parlamentit Evropian.

rtk

SHBA-ja, Gjermania dhe Britania: Presim nga Qeveria e re e Kosovës koordinim dhe përparim në dialog

USA DEBesimi i ndërsjellë, koordinimi dhe bashkëpunimi, si dhe përparimi në dialogun me Serbinë janë disa nga pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar nga Qeveria e re e Kosovës.

 

Këto tri shtete, së bashku me Italinë dhe Francën, bëjnë pjesë e grupit të shteteve që njihen si QUINT. Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Ambasadën e Italisë dhe Francës lidhur me pritjet e tyre nga ekzekutivi i ri i Kosovës, por këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.

Më 15 prill do të mblidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, gjatë së cilës deputetët do të japin betimin. Në rendin e ditës, në seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, është edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

Konstituimi i Kuvendit do t’i hapë rrugën për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është e para që ka të drejtë të tentojë ta formojë ekzekutivin e ri. Megjithatë, Kurti ende nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë.

 

Departamenti amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se SHBA-ja për një kohë të gjatë e ka mbështetur Kosovën në rrugën e ndërtimit të një shteti sovran, demokratik, multientik dhe prosperues.

“Presim të punojmë me Qeverinë e re të Kosovës për të mbështetur stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë tha se pret që më 15 prill të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, duke hapur kështu rrugën për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Ambasada gjermane deklaroi se pret gjithashtu “vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Kosovën dhe qeverinë e saj të ardhshme”, duke shtuar se do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë aktive për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.

“Për ta arritur këtë, nevojitet besim i ndërsjellë dhe bashkëpunim i vazhdueshëm. Gjermania mbetet e bindur se qeveria e ardhshme do të forcojë koordinimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe do të punojë për përparim të dukshëm në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke ndihmuar në realizimin, sa më shpejt, të perspektivës evropiane të Kosovës”, tha Ambasada gjermane.

Gjermania shtoi se afrimi i mëtejmë i Kosovës me BE-në është “qëllimi ynë i përbashkët, forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit si dhe përparimi thelbësor në dialogun për normalizim me Serbinë, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit me anekset përkatëse, janë çështje që duhen arritur”.

 

Ambasada britanike në Prishtinë deklaroi se shpreson që Qeveria e ardhshme e Kosovës të adresojë nevojat e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe përparimin sa i përket integrimit të serbëve dhe angazhimin e fuqishëm në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.

“Mbretëria e Bashkuar e mbështet pa asnjë rezervë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe shpreson që ajo të mund t’i përmbushë sa më shpejt kërkesat e të tjerëve”, tha Ambasada britanike në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë pengesa kryesore për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Qeveria Kurti ka qenë hezituese për formimin e Asociacionit, duke shprehur frikën se mund të minojë sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Thirrje për përparim në dialog u bënë edhe në mbledhjen e 8 prillit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kur Kosova dhe Serbia shkëmbyen akuza ndaj.

 

Kosova e akuzoi Serbinë për përpjekje të vazhdueshme për destabilizimin e demokracisë në vend, “jo vetëm përmes retorikës, por edhe përmes veprimeve konkrete dhe të dhunshme që rrezikojnë paqen dhe sigurinë në rajon”.

Ndërsa Serbia e akuzoi Kosovën se situata e serbëve në Kosovë po “përkeqësohet” pasi sipas saj, “është përshkallëzuar fushata për shkatërrimin sistematik të institucioneve serbe në gjithë Kosovën”.

Edhe shtetet aleate të Kosovës kanë qenë kritike ndaj Qeverisë së Kosovës për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara në veri të vendit, ku autoritetet kanë mbyllur institucionet serbe.

 

Autoritetet e Kosovës filloi mbylljen e institucioneve serbe për Kosovën në fillim të vitit 2024, me arsyetimin se ato nuk kanë leje për të vepruar dhe se funksionimi i tyre është i paligjshëm.

 

rel