Kategoritë: Kosova

Lajmet nga Kosova

Pa strategji, ekonomia e Kosovës po shkon drejt falimentimit

Në mungesë të një strategjie të zhvillimit, ekonomia e Kosovës ka hyrë në një krizë të thellë dhe para falimentimit, vlerësojnë ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë.Që nga përfundimi i luftës, autoritetet në Kosovë në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë kanë bërë përpjekje që të hartojnë strategji të zhvillimit, por që të gjitha kanë dështuar.

Vetëm për hartimin e strategjisë të punuar në vitin 2007, ishin shpenzuar 750 mijë euro. Ndërsa, për tri strategjitë tjera, thuhet se është dashur të paguhen me qindra miliona euro.

Synimi parësor i këtyre strategjie ishte zhvillimi i gjithëmbarshëm ekonomik, i bazuar në një koncept afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se zhvillimi ekonomik i Kosovës është duke u bërë në mënyrë parciale pa ndonjë strategji, vizon dhe me mungesë të profesionalizmit.

“Trendet ekonomike deri më tani nuk janë të mira përveç GDP-së, që ka trende pozitive të gjithë treguesit tjerë makro ekonomik kanë shenja negative, që tregon se efikasiteti i politikës së zbatuar ekonomike nuk është i mirë. Në Kosovë nuk ka politikë ekonomike, prandaj zhvillimi ekonomik më tepër bëhet në mënyrë stihike”, vlerëson profesor Limani.

Edhe dokumenti i Qeverisë së kaluar, i quajtur “Vizioni i zhvillimit ekonomik të Kosovës për periudhën 2011-2014”, sipas ekspertëve të ekonomisë nuk ka qenë një dokument serioz.

Rritja ekonomike deri në 10 për qind, ulja e varfërisë dhe shumë synime të tjera që ishin paraparë të arrihen gjatë kësaj periudhe, nuk ishin realizuar, pikërisht, siç thonë ekspertët, për shkak të mungesës së një plani konkret të veprimit.

Eksperti i ekonomisë Lekë Musa, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pa një strategji adekuate ekonomia e Kosovës nuk mund të zhvillohet.

“Qeveria e Kosovë duhet të ketë strategjinë e zhvillimit ekonomik i cili duhet të jetë një burim i premtimeve që janë dhënë gjatë fushatës elektorale, dhe kjo strategji duhet të zbërthehet në një plan nacional se si duhet të zbatohet strategjia dhe në çfarë afate të caktuara kohore”, thotë Musa.

Ai shton se pa pasur një strategji ku fokusi kryesor do të duhej të ishte krijimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, nuk mund të dihet se në çfarë drejtimi është duke lëvizur ekonomia e Kosovës.

Ndërkohë, profesori i ekonomisë Musa Limani thekson se strategjitë zhvillimore të cilat janë bërë deri më tani, e të cilat kanë dështuar janë bërë në mënyrë jo profesionale dhe nuk kanë përkuar me realitetin, por me dëshira.

Sipas tij, është koha që Kosova të ketë një strategji e cila do ta ketë një parashikim real dhe të zbatohet.

“Faza e parë e hartimit të një strategjie duhet të jetë që të bëhet një analizë e zhvillimit të deritanishëm të Kosovës në bazë të së cilës ne e shohim se çfarë niveli ka arritur Kosova, çfarë strukture ekonomik ka formuar dhe si kanë qenë trendët për të bazuar më pastaj prognozën për zhvillimin e mëtejme”, thekson ai.

Ndryshe, ekonomia e Kosovës gjatë viteve të fundit nuk ka pasur rritje ekonomike më shumë se tre për qind, derisa papunësia, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është mbi 30 për qind. (rel)

Funksionimi i (pa)mundshëm me Listën Serbe

Funksionimi i Qeverisë së Kosovës me Listën Serbe brenda saj si një eksponent politik i krijuar nga Beogradi zyrtar, parashihet nga njohës të zhvillimeve politike, me plot sfida.Analistë shqiptarë dhe serb nga Kosova, megjithatë ndajnë mendime të ndryshme rreth kësaj çështjeje.

Opinionisti Imer Mushkolaj, mendon se Qeveria e Kosovës nuk do të mund të funksionojë normalisht me një subjekt politik të formuar nga Beogradi zyrtar, për qëllime të caktuara.

Sipas tij, tashmë në qeverinë e Kosovës ka ministra që nuk e njohin shtetin e tyre, kështu që një qeveri e tillë, konsiderohet se nuk do të mund të funksionojë në rrethana normale politike.

“Ky subjekt politik nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Zyrtarët e Listës Serbe vazhdojnë të shkelin ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se idetë e tyre janë të qarta – ata kanë për qëllim dëmtojnë dhe sabotojnë sa më shumë që të munden shtetin e Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës”, ka theksuar Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, ish-deputeti serb nga Graçanica, tani në cilësinë e njohësit të çështjeve politike, Ranxhel Nojkiq vlerëson se funksionimi i Qeverisë së Kosovës me Listën Serbe brenda saj është i mundshëm nëse do të respektohen marrëveshjet e arritura ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Sipas tij, edhe kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq tashmë ka paralajmëruar se emocionet nuk do të mbizotërojnë arsyen kur janë në pyetje çështjet rreth Kosovës.

“Kryeministri Vuçiq ka adresuar mesazh shumë të qartë për të gjithë duke thënë se për çështjen e Kosovës duhet të punohet me kokë të ftohtë dhe se emocionet nuk duhet të mbizotërojnë arsyen për zgjidhjen e problemeve”, ka deklaruar Nojkiq për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Beogradi ka marrë tashmë rrugën e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, andaj edhe do të tregohet i kujdesshëm në këtë aspekt.

“Sidomos është me rëndësi pozicioni i Beogradit që ka të bëj jo vetëm me arritjen e qëllimeve në Kosovë, por edhe qëllimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Nojkiq.

Në anën tjetër, analisti Imer Mushkolaj thotë se deklaratat fyese të ministrit serb, Aleksandar Jabllanoviq ndaj familjarëve dhe të afërmit e personave të pagjetur të luftës nga rrethina e Gjakovës, ishin të mjaftueshme që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ta shkarkonte atë nga posti.

Një masë e tillë, sipas Mushkolajt do të tregonte edhe seriozitetin e qeverisë së Kosovës dhe kreut të saj.

“Ministrat e Listës Serbe po vazhdojnë ta sfidojnë qeverinë dhe shtetësinë e Kosovës dhe në anën tjetër nuk po shohim asnjë veprim që po ndërmerret nga kryeministri Mustafa në këtë rast. Pra, jemi në situatë kur ministrat e këtij subjekti politik, fatkeqësisht më parë i japin llogari kryeministrit serb në Beograd sesa kryeministrit Isa Mustafa në Prishtinë. Kjo është dhe do të mbetet problematike”, ka theksuar Mushkolaj.

Mbështetja e Qeverisë së Serbisë për Listën Serbe, pritet të rikonfirmohet edhe të mërkurën, kur kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq do të vizitojë disa vise të banuara me serbë në Kosovë.

Ndër tjera, ai do të takojë edhe njërin nga udhëheqësit e Listës Serbe, Vladeta Kostiq, kandidat për kryetar të komunës së Graçanicës në zgjedhjet e parakohshme për kryetar të kësaj komune që do të mbahen më 18 janar.

Veprime të tilla, Beogradi pati ndërmarrë edhe në zgjedhjet e kaluara duke i mbështetur vetëm kandidatët e Listës Serbe, të cilët arritën që në zgjedhjet lokale të fitojnë në 9 komuna, kurse në zgjedhjet parlamentare të sigurojnë 9 ulëse në Kuvend.

Ndërkaq shikuar në perspektivë, gjatë këtij viti, sfidat më të mëdha politike që i presin institucionet e Kosovës në raport me Listën Serbe, parashihen të jenë formimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës.

Për këtë të dytën, votat e deputetëve të Listës Serbe do të jenë të domosdoshme, kështu që analistët parashikojnë që kjo çështje të trajtohet dhe negociohen në Bruksel ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë. (rel)

Vuçiq në Kosovë – Takim me komunitetin serb me rastin e vitit të ri ortodoks

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i shoqëruar nga disa ministra të qeverisë së tij, po qëndron të martën (14.01.2015) në Kosovë, me rastin e siç thuhet, vitit të ri ortodoks.Vuçiq shoqërohet nga ministrat e qeverisë së tij, Bratislav Gashiq, Nikolla Selakoviq, Nebojsha Stefanoviq, Zlatibor Lonçar, Aleksandër Vulin, si dhe nga drejtori i Zyrës për Kosovë, në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq.
Ndalesën e parë kryeministri i Serbisë e bëri në fshatin Pasjan, i banuar me shumicë serbe, ku gjatë një fjalimi para qytetarëve u garantoi atyre për prani më të madhe të institucioneve të Serbisë në Kosovë. “Ky është djepi ynë dhe askush nuk do të na pengojë që këtu edhe më tej të lindin fëmijë”, tha Aleksandër Vuçiq, duke apeluar tek serbët që për asnjë çmim të mos t’i shesin pasuritë e tyre. “Nuk duam konflikt me askënd. Duam që problemet tona t’i zgjidhim në paqe, porse të kemi vendin tonë, të ruajmë vatrën tonë dhe të krijojmë të ardhmen për fëmijët tanë”. Dhe më tej: “Me shqiptarët, fqinjët tanë, duam të jetojmë mirë. Duam të jetojmë në paqe. Kjo paqe i sjell të mira edhe njërës palë, edhe tjetrës”, citohet të ketë thënë Aleksandër Vuçiq.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë vizitë së tij në Kosovë nuk do të takojë asnjë udhëheqës shqiptar të institucioneve të Kosovës, ndonëse këta të fundit kanë deklaruar se ai viziton Kosovën me lejen e institucioneve të Kosovës. Ministri i punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, vizitën e Vuçiq në Kosovë e ka cilësuar vizitë të natyrës “fetare dhe humanitare”. Vizitën e delegacionit të Serbisë në Kosovë të kryesuar nga kryeministri serb Aleksander Vuçiq, po e sigurojnë njësite të shumta të policisë së Kosovës bazuar siç thuhet, në një plan për sigurimin e vizitave të delegacioneve të huaja në Kosovë. Vuçiq, viziton edhe disa vendbanime të tjera me shumicë serbe.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pritet të takohen në fillim të muajit shkurt në kuadër të vazhdimit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. (dw)

Zhbogar në Prizren: Kosovën e pret një vit i vështirë

Përfaqësues ndërkombëtarë dhe vendorë ata nga kisha ortodokse, në Shatërvan të Prizrenit, uruan komunitetin ortodoks me rastin e fillimit të vitit të ri.Në koktejin e organizuar nga klerikët fetarë, mori pjesë edhe përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zhbogar dhe kryeministri, Isa Mustafa. Zhbogar këtë vit e quajti vit të vështirë, për Be-në dhe për Kosovën.
Përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka deklaruar se e gëzon fakti që Qeveria e re e Kosovës prioritet të vetin do ta ketë zhvillimin ekonomik, sepse sipas tij BE-në dhe Kosovën e pret një vit i vështirë përplot sfida.
“Mendoj se do të jetë një vit i vështirë. Do të ketë shumë sfida si për BE-në po ashtu edhe për Kosovën. Mendoj se do të ketë shumë gjëra që duhet të punojmë bashkërisht dhe më vjen mirë që Qeveria e Kosovës prioritet kryesor të saj do të ketë zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo do të ishte përgjigje në të gjitha pyetjet e shumë problemeve që janë të pranishme këtu. Sikur jemi mbledhur sot këtu së bashku në këtë fillimvit shqiptarët, serbët dhe bashkësia ndërkombëtare. Ne bashkërisht duhet t’i shikojmë mundësitë për të përmirësuar jetën e qytetarëve e cila është e vështirë që në fillim të këtij viti”.
Sipas përfaqësuesit special të BE-së, pritjet e qytetarëve janë të mëdha, dhe për këtë duhen veprime të menjëhershme nga institucionet, sepse largimet nga Kosova janë shqetësuese….
“Do të jetë vit i vështirë, sepse njerëzit në Kosovë presin ndryshime dhe këtë e bëjnë me arsye, që jeta e tyre të jetë më e mirë. Do të jetë shumë vështirë, sepse është kohë e shkurtër që Qeveria të tregojë rezultate për të ofruar ndonjë dritë shprese që jeta do të përmriësohet, e që do të ndikonte që njerëzit të qëndrojnë këtu për të jetuar e jo të kërkojnë një të ardhme më të mirë nëpërmjet rrugëve ilegale jashtë Kosovës. Ndryshimet pozitive nuk duhet përmendur, por kërkohet veprim konkret që një gjë e tillë të arrihet, ku njerëzit do të shihnin se ato ndryshime kanë filluar të jetësohen”. (rtk)

Migrimi i paligjshëm nga Kosova, shqetësim për BE-në

Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprimet konkrete për të adresuar çështjen e migrimit ilegal, tha presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në takimin e tetë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian.Ajo tha se duhet të bëhet gjithçka për të parandaluar këtë dukuri.

Presidentja Jahjaga, në këtë takim ku morën pjesë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, tha se viti 2015 nuk duhet të jetë vit i migrimit ilegal, pasi që Kosova dhe qytetarët, siç u shpreh ajo, kanë vizion tjetër.

“Trendet e migrimit ilegal janë shqetësues dhe ne duhet të ndërmarrim hapa të menjëhershëm për të adresuar faktorët shtytës. Është e qartë që ato janë probleme që shtrihen në dy kategori – mungesës së hovshme të zhvillimit ekonomik, që lidhet me nivelin e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë, dhe rrjeteve kriminale, që po shfrytëzojnë këtë pakënaqësi ekonomike për të përfituar nga qytetarët tanë”, tha Jahjaga.

Kosova duhet t’i përforcojë përpjekjet për të fuqizuar arritjet e deritanishme në dialogun e liberalizimit të vizave, tha presidentja e Jahjaga.

“Unë jam e bindur që përmbushja e këtyre kritereve jo vetëm që do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, por do të përmirësojë efikasitetin e sistemit, të cilin e kemi ndërtuar që një dekadë e gjysmë”, tha Jahjaga.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në këtë takim të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i luftojë grupet kriminale që po mundësojnë migrimin e paligjshëm.

“Unë mund të them se qeveria po punon me përgjegjësi për të parandaluar këtë dukuri dhe ne jemi po ashtu të përkushtuar që të vazhdojmë më dialogun me të gjitha palët e interesuara për të adresuar këtë çështje në mënyrën më të përshtatshme. Ministritë përkatëse, veçmas ajo e Punëve të Brendshme, po luftojnë grupet kriminale që abuzojnë me fatin dhe jetën e qytetarëve të Kosovës”, deklaroi kryeministri Mustafa.

Ai tha se qytetarët e Kosovës mund të kenë zgjidhje shumë më të mira në vend, se sa ta marrin botën në sy.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se migrimi ilegal nga Kosova është një shqetësim për BE-në dhe shtetet anëtare të saj.

Ai tha se vala e madhe e migrimit jo të rregullt dhe rritja e madhe e aplikacioneve për azil nga qytetarët e Kosovës në BE duhet të adresohen menjëherë dhe në mënyrë efikase nga Kosova.

“Sa i përket migrimit dhe dialogut për liberalizimin e vizave të Kosovës, nuk është në interes të Kosovës që të rritet numri i kërkesave për azil në BE nga qytetarët e Kosovës. Migrimi ilegal është një problem me shumë nivele, që nga aspekti ekonomik dhe social e deri te ai i sigurisë dhe humanitar, dhe zgjidhjet mund të gjenden në adresimin e të gjitha këtyre niveleve. Aspekti i parë dhe më i rëndësishëm para së gjithash, por jo vetëm, është ekonomia”, tha mes tjerash Zhbogar.

Ai tha se një aspekt i rëndësishëm në trajtimin e kësaj teme është natyrisht sundimi i ligjit dhe siguria.

“BE me shqetësim tërheq vëmendje për përfshirjen e grupeve trafikuese të organizuara dhe kriminale që kërkojnë të përfitojnë nga dëshpërimi, si dhe për hapat që disa kosovarë janë të gatshëm t’i ndërmarrin për të arritur në BE përmes kalimeve ilegale të kufijve, në mënyrë të veçantë përmes Serbisë në Hungari”, tha Zhbogar.

Kurse, ministri për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, ka përmendur rastin e fundit të vdekjes së një qytetari nga Kosova dhe me herët vdekjen e 15 qytetarëve të tjerë të cilët duke tentuar të migrojnë ilegalisht kanë humbur jetën në lumin Tisa që gjendet në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.

Ai tha se “është e dhimbshme, dëshpëruese dhe e pafalshme të lejohet që histori të tilla të përsëriten në Kosovë në vitin 2015”.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i personave të cilët kanë kërkuar azil në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian gjatë vitit të kaluar, është rreth 23 mijë.

Ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë kanë përsëritur se asnjë nga vendet e tyre nuk japin azil për kosovarët. (rel)

Nëse BE-ja nuk vepron, përdoret forca e ligjit

Institucionet e Kosovës, janë duke u koordinuar me Bashkimin Evropian, për të reaguar kundër ndërhyrjeve të Serbisë në emërimet e zyrtarëve komunal.Autoritetet serbe kanë emëruar kryetarin e ligjshëm të komunës së Shtërpces, në krye të komunës paralele të kësaj qyteze.

Ndërhyrje të ngjashme kanë ndodhur edhe në komunat në veri të Kosovës.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se nëse Bashkimi Evropian nuk vepron, institucionet e Kosovës “do të përdorin forcën e ligjit lidhur me këto raste”.

“Në parimin e bashkëpunimit tonë me Bashkimin Evropian, në kuadër të dialogut të Brukselit, ne kemi qasje që gjithmonë në fazën e parë të krijimit të problemit, kërkojmë një koordinim me Brukselin për hapat që do të ndërmarrim. Mirëpo, nëse Brukseli nuk do të japë përgjigje ose do të vonohet, ne do të jemi të detyruar të përdorim forcën e ligjit”, tha ministrja Tahiri.

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka njoftuar “Bashkimin Evropian në lidhje me vazhdimin e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë dhe shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit për normalizim”, me rastin e vendimit për vazhdimin e funksionimit të strukturave paralele.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, konsideron se në radhë të parë Kuvendi, deputetët më shumicë votash, do të duhej të miratojnë një dokument-vendim për shpalljen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë si të paligjshme.

Konjufca thekson se për të gjithë ata persona të cilët përfaqësojnë institucionet e paligjshme paralele, duhet të ngrihet padi.

“Duhet me masa konkrete të çmontohen këto struktura paralele, nëpërmjet organeve të sigurisë dhe të përndiqen penalisht të gjithë ata që bëjnë shkelje të tilla. Gjithmonë e kemi pas si njëlloj, le të themi, marrëveshje të heshtur apo gjentëllmene, që Serbia t’i vazhdojë strukturat e veta paralele, këto të paligjshme dhe të karakterit kriminal, kurse Kosova krejt çka po bën, po ankohet në Bruksel”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, Konjufca.

Duke mos vepruar ndaj rasteve të tilla, ai thotë se Kosova është duke u vendosur në një pozicion joserioz si shtet.

“E dimë prej përvojave të caktuara që kur një shtet e tregon veten të pafuqishëm në raport më struktura të tilla dhe nuk mund t’i anulojë, kurse ato vazhdojnë të funksionojnë, ato çështje zakonisht përfundojnë në procese të negociatave”, u shpreh Konjufca.

Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë se për rastet e tilla institucionet e Kosovës, duhet të veprojnë përkitazi me ligjet dhe kushtetutën.

“Në praktikë është jo ligjore, është anti- kushtetuese dhe nëse më të vërtet ai zyrtar pranon detyrën, ai ka shkelur Kushtetutën”, tha shkurt Rashiti.

Ndryshe, në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, thuhet se “nëse kryetari i komunës emërohet (zgjedhet) edhe përfaqësues i një organi tjetër të emëruar nga një shtet tjetër atëherë konsiderohet ndërhyrje në sistemin kushtetues të vetëqeverisjes lokale”.(rel)

Paqartësitë e kontratës kolektive

Kontrata kolektive, një marrëveshje e nënshkruar në mars të vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës, përfaqësuesit e bizneseve dhe punëtorëve, e cila do të duhej të hynte në fuqi më 1 janar të këtij viti, po del të ketë shumë paqartësi.Përfaqësuesit e bizneseve japin mendime të ndryshme rreth zbatimit të kësaj marrëveshjeje, e cila do duhej të rregullonte raportet në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe njëherësh të eliminonte shumë shkelje të të drejtave të punëtorëve.

Aleanca Kosovare e Biznesit, si nënshkruese e kësaj kontrate, ka përfaqësuar bizneset në këtë marrëveshje.

Agim Shahini kryetar i kësaj shoqate ekonomike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se kjo kontrate po zbatohet nga 70 për qind e bizneseve në Kosovë.

Sipas tij, zbatimi i kësaj kontrate do të ketë vështirësi në sektorin publik, pasi që siç thekson ai, sektori privat ka zbatuar disa nga nenet e kësaj kontrate edhe pa qenë në fuqi.

“Kjo marrëveshje kolektive e ka koston e vet edhe për sektorin privat edhe sektorin publik.Kjo kontratë do të shkojë në atë formë që nuk do të ndahen të gjitha fondet qysh në janar. Në muajin shkurt do të duhej të gjithë punëmarrësit të marrin nga 2 euro shujtën e cila e është e garantuar me këtë marrëveshje. Në të kaluarën kjo nuk ka qenë obligative, por që sektori privat, pra shumë kompani private e kanë bërë në baza vullnetare, por tani është obligative. Në sektorin publik mbi 90 për qind kjo nuk ka qenë e rregulluar” shton ai.

Ndryshe nga ajo se çfarë thonë në Aleancën Kosovare të Biznesit shprehen përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Ata kishin kundërshtuar në atë kohë nënshkrimin e kësaj kontrate, pasi që siç ishin deklaruar se është bërë në kohë të fushatës zgjedhore, dhe si e tillë iu kishte shërbyer synimeve populliste.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ka shumë paqartësi në marrëveshjen kolektive dhe si e tillë nuk është në harmonim me Ligjin themelor të punës.

“Ne besojmë që marrëveshja kolektive është në kundërshtim me ligjin themelore të punës më konkretisht me nenin 90.5 të ligjit të punë si cili thotë se kontratat kolektive duhet të zbatohet vetëm nga ato kompani të cilat marrin përsipër zbatimin e dispozitave të saj, që do të thotë se e le në diskrecion të kompanive që ato vetë të vendin në mënyrë vullnetare të zbatojnë ose jo marrëveshjen kolektive, derisa në anën tjetër marrëveshja kolektive thotë që ajo duhet të zbatohet detyrimisht nga të gjitha kompanitë në Kosovë”, shton Zeka.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka shtuar Zeka e kundërshton aprovimin e kontratës kolektive në fillim të këtij viti e për shkak edhe të procedurave të miratimit të një marrëveshje e cila ka implikime të mëdha për sektorin privat dhe se nuk ka qenë e rregullt, pasi që nuk janë përfshirë në konsultim të gjitha palët e biznesit.

“Duke pasur parasysh fazat e zhvillimit ekonomik nëpër të cilat po kalon Kosova dhe duke sfidat me të cilat ndërmarrjet në Kosovë ballafaqohen, kjo marrëveshje kolektive do të shtonte më tej presionin mbi sektorin privat, duke e ngadalësuar kështu rritjen e tij”, shton Zeka.

Për paqartësitë e kësaj kontrate ka reaguar edhe Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës.

Përmes një komunikate për 35, kjo shoqatë ka theksuar se kjo marrëveshje nuk është trajtuar me bizneset dhe nuk është diskutuar për mundësitë e tyre dhe për ngarkesat buxhetore te cilat do te reflektojnë ne afarizmin cilësor të bizneseve.

“Duke marrë parasysh se bizneset private, përfshirë këtu edhe bizneset e grave, punësojnë numrin më të madh të punësuarve në vend, kontrata kolektive rrezikon seriozisht zhvillimin ekonomik dhe punësimin e mëtejmë ne sektorin privat! Kjo marrëveshje e kontratës kolektive do të shkaktoje shkarkimin e bizneseve nga shtresa me e rrezikuar e të punësuarve”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, në një takim me përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit,sipas një njoftimi të lëshuar nga kjo shoqata citohet të ketë thënë se për marrëveshjen kolektive ka kërkuar sqarime nga zyra ligjore.

Kjo kontratë kolektive ishte nënshkruar në mars të këtij viti nga Qeveria e Kosovës, përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Aleancës Kosovare të Biznesit, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Këshillit Ekonomik Social.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës në atë kohë kishin theksuar se do të jenë garantues të zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe se do të sigurojnë përmbushjen e të drejtave, që iu takojnë punëtorëve. (rel)

Marrëveshjet e pa zbatuara, peng i politikës

Disa nga marrëveshjet e arritura në mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, vazhdojnë të mos zbatohen.Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, thonë se nga rreth njëzet marrëveshjet e arritura, pesë nga to nuk zbatohen fare.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, duke shprehur qëndrimin e saj lidhur me marrëveshjet e arritura, thotë se në Serbi nuk ka vullnet për zbatimin e tyre.

“Serbia po vazhdon me standarde të dyfishta, apo me një qasje hipokrite, sepse deri sa në Bruksel ka nënshkruar marrëveshjet për të cilat po flasim në praktikë, mungon vullneti i Serbisë për fqinjësi të mirë me Kosovën. Mungon edhe vullneti i Serbisë për të plotësuar obligimet zbatuese të marrëveshjeve të Brukselit”, tha Tahiri.

Marrëveshjet të cilat nuk zbatohen janë ajo për telekomin, njohja e diplomave, marrëveshja për drejtësi, ajo për import të produkteve medicinale, dhe e kadastrit.

Ministrja Edita Tahiri, vlerësoi se “zbatimi i marrëveshjeve të tjera është dinamik”…

“Një marrëveshje ka zakonisht disa variabla dhe disa variabla shkojnë mirë, disa jo. Nëse është fjala për IBM (Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit), janë çështjet edhe nënçështjet dhe nuk mund të flitet me prerje”, tha Tahiri.

Ndërsa sa i përket aspektit të sigurisë, ajo ka thënë se kjo çështje ka mbetur mbrapa në veri të Kosovës dhe se “forcat paramilitare serbe janë të pranishme ende në veri”.

“Ka ngecur çështja e shuarjes së strukturës paramilitare e ashtuquajtur mbrojtje civile”, tha Tahiri.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve Kosovës dhe Serbisë, nga Bashkimi Evropian është vënë edhe si një nga parakushtet e rrugëtimit të tyre në proceset integruese evropiane.

Tahiri thekson se e rëndësishme është që si Kosova ashtu edhe Serbia kërkojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe rrjedhimisht duhet të ketë zbatim të marrëveshjeve.

Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë se zhvillimet politike në Prishtinë dhe Beograd, kanë ndikuar në mos zbatimin e marrëveshjeve.

Ai konsideron se zgjedhjet në të dyja vendet kanë penguar në fillimin e zbatimit të disa marrëveshjeve.

“Dinamikat politike në Prishtinë dhe Beograd, përcaktojnë edhe dinamikën e procesit të normalizimit dhe implementimit të marrëveshjes se Brukselit. Natyrisht që ka pas mundësi që të dyja palët të bëjnë të njëanshme shumë gjera, në veçanti ana e Beogradit, që të përshpejtojë më shumë procesin e eliminimit të institucioneve serbe ne Kosovë, por kjo nuk ka ndodhur”, tha Rashiti.

Vazhdimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, është potencuar si një nga prioritetet politike, jo vetëm për Kosovën, por edhe Serbinë për vitin 2015.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Pas një periudhe dinamike të bisedimeve gjatë vitit 2013, në vitin 2014, kishte më pak takime për shkak të zgjedhjeve dhe formimit të institucioneve të reja si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë. (rel)

PE: Serbia duhet të harmonizojë politikën me BE-në

Parlamenti Evropian i bën thirrje Serbisë që të harmonizojë politikën me BE-në. Në veçanti politikën e jashtme dhe të sigurisë. Por në projekrezolutën e PE paraqiten edhe kushte të tjera.Serbia duhet të harmonizojë politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në edhe sa i përket raporteve me Rusinë. Kështu thuhet në projektrezolutën e përgatitur nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian (PE) lidhur me progresin e Serbisë në rrugën e integrimeve evropiane. Në këtë dokument sugjerohet që negociatat me Serbinë të fillojnë me hapjen e kapitujve 23, 24 i 35. Kapitulli i fundit parashikon normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta duhet të miratohet në mars të këtij viti. Por më parë do të debatohet edhe në komisionin e PE për Politikë të Jashtme, ku mund të paraqiten edhe amandamente.
“Parlamenti Evropian i bën thirrje Serbisë që të harmonizojë politikën e jashtme dhe të sigurisë me politikën e BE, duke përfshirë këtu edhe qëndrimet ndaj Rusisë”, thuhet në këtë dokument, ku shprehet shqetësim mbi faktin që “Serbia ende nuk e ka harmonizuar këtë politikë”, edhe pse disa herë i është bërë thirrje që t’u bashkohet masave të BE-së ndaj Rusisë.
Drejtimi i OSBE-së
Në këtë dokument përshëndetet marrja e drejtimit të OSBE-së prej Serbisë në vitin 2015 si dhe përcaktimi i prioriteteve, ku thuhet se Beogradi do t’i mbështesë angazhimet për zgjidhjen e problemeve me mjete paqësore. PE mbështet edhe vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani, për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. “Parlamenti Evropian nënvizon se krahas me dialogun duhet të zhvillohen edhe negociatat për kapitullin 35, për noramlizimin e raporteve Kosovë-Serbi”, thuhet në dokument ku nënvizohet se vitin e kaluar ëshë shënuar një ngecje në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, për shkak të zgjedhjeve në këto dy vende. Në projektrezolutë përshëndetet edhe qëndrimi konstruktiv i Serbisë në raport me vendet e tjera të rajonit, që mundëson thellimin e bashkëpunimit. Përshëndetet edhe takimi mes kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq në Beograd, më 10 nëntor 2014.
Serbia ka shprehur gatishmëri për vazhdimin e rrugës së integrimeve evropiane dhe zbatimin e reformave në këtë vend. Por vet zbatimi i tyre do të jetë kushti kryesor që do të vlerësohet në këtë rrugë. Serbisë i bëhet thirrje që të zbatojë të gjitha ligjet e duhura dhe të kryejë reformat e filluara. (dw)