Kategoritë: Nga këndi im

Nga këndi im

Hap një urë, e mbyll një tjetër mes shqiptarëve!

Elvis HoxhaBekim Qoku na mëson se tek shqiptarët në ish IRJM nuk ka qytetarë të lirë që mendojnë me kokën e vete, por vetëm mercenarë të BDI dhe VLEN!

Gjithashtu na mëson se është mirë të jesh mercenar i VLEN (LVV/VMRO), siç janë psh. Bekim Qoku, Elvis Hoxha, Arbër Zajmi…, të cilët udhëhoqën fushatën parazgjedhore presidenciale dhe parlamentare të VLEN, por është gabim të jesh mercenar i BDI (LSDM/VMRO).

Ali Ahmeti dhe të tjerët, bënë tradhti, kur të joshur nga pushteti, shitën gjakun e dëshmorëve dhe sakrificën e atyre që luftuan më 2001, duke nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit ku garantohej karakteri unitar i shtetit, e me këtë edhe pozita e pakicës për shqiptarët.

Por kur të njëjtën gjë tani e bën Albin Kurti (bashkë me Mickovskin), duke shitur interesat kombëtare të shqiptarëve në ish IRJM dy blerësve, Turqisë dhe Serbisë përmes VMRO – kjo nuk është tradhti.

 

Cila është e vërteta lidhur me rrezikun për ekstradimin e ish luftëtarit të UÇK-së Blerim Ramadani?

 

Në Maqedoninë e Veriut, vendimi për ekstradimin e individëve, përfshirë ish-ushtarët e UÇK-së nga Kosova, merret nga gjykatat, në bazë të kërkesave të parashtruara nga shteti kërkues. Procesi përfshin disa hapa dhe institucione:

  1. Gjykatat: Kur një shtet bën një kërkesë për ekstradim, çështja shqyrtohet fillimisht nga gjykata kompetente në Maqedoninë e Veriut. Gjykata vlerëson nëse janë përmbushur kushtet ligjore për ekstradim dhe nëse individi duhet të ekstradohet apo jo.

 

  1. Ministria e Drejtësisë: Pasi gjykata të ketë vendosur për ekstradimin, Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut luan një rol kyç në procesin ekzekutiv të ekstradimit. Ministria mund të miratojë ose refuzojë ekstradimin bazuar në faktorë politikë, ligjorë ose humanitarë.

 

  1. Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut: Në raste të caktuara, presidenti mund të ketë një rol në vendimmarrje, sidomos kur ka faktorë politikë ose të sigurisë kombëtare të përfshirë, megjithëse ky rol zakonisht është më i kufizuar.

 

Nëse një individ kërkohet për ekstradim për krime lufte ose vepra të tjera serioze, procedura mund të jetë më komplekse dhe të përfshijë edhe shqyrtime të lidhura me të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Afrim Fanda

Ish IRJM- dërrasa e kalbur ku shkeli Albin Kurti

“Të mira dhe të qëndrueshme” i cilësoi z. Kurti, marrëdhëniet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, dhe “të hapur, të sinqertë dhe serioz” takimin e para do ditëve me homologun maqedonas, në konferencën e përbashkët për shtyp,  me “partnerin e koalicionit të LVV ” në ish IRJM, z. Mickovski.

Por e vërteta është se ky takim ishte gjithçka tjetër përpos i sinqertë, e aq më pak miqësor!

Në konferencën për shtyp, Mickovski plasoi lajmin manipulues, ndaj të cilit i gjithë opinioni u shpreh mosbesues, përveç z. Kurti, i cili me heshtjen e tij e miratoi atë: “Kemi informacione që i kemi marrë nga disa kanale, se kjo udhëheqje e BDI-së, në përpjekje për ta mbrojtur kapitalin që e ka krijuar në 20-22 vitet e fundit, do të ndërmarrë hapa në drejtim të destabilizimit të shtetit”! Kjo deklaratë e Mickovskit, e cilësuar nga i gjithë opinioni publik si joserioze dhe me synim shpërqëndrimin e vëmendjes nga keqqeverisja i shërbeu atij për të përcjellë mesazhe kërcënimi për gjithë shqiptarët, në ish -IRJM, Shqipëri e në veçanti për ata në Kosovë.

Si Albini që heshti, ashtu edhe Mickovski, e dinë shumë mirë se është pikërisht “kapitali i krijuar”  që nuk e lë udhëheqësinë e BDI të ndërmarri aktivitete për të destabilizuar shtetin e ish- IRJM. Se lekët e korrupsionit mbrohen më së miri duke shërbyer pushtetit, tani në duart e VMRO, e jo duke e luftuar atë! Se Artan Grubi tani, ashtu si Izet Mexhiti deri dje, dhe shumica e të tjerëve në udhëheqësinë e BDI, të cilëve faktikisht Ali Ahmeti ua la në dorë BDI-në, nuk kanë luftuar dhe sakrifikuar ndonjëherë në jetën e tyre! Por përkundrazi, kanë shërbyer dhe akoma mund t’i shërbejnë shumë mirë pushtetit, tani në duart e Mickovskit.

Dhe ishte pikërisht ky mesazhi i parë i Mickovskit, dërguar udhëheqësisë së BDI: duke i shpallur publikisht armiq të shtetit që kërcënojnë “integritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë së Veriut”, ju dha atyre dy rrugë për të zgjedhur: o burgun, o t’i shërbejnë Mickovskit. E nuk do shumë mend për t’ja qëlluar se çfarë do të zgjedhi udhëheqësia e BDI!

Mesazhi i dytë i Mickovskit, përmes deklaratës drejtuar më shumë opinionit të jashtëm se sa atij të brendshëm: “Nuk përjashtohet mundësia që disa grupe të manipulohen në mënyrë të pandërgjegjshme dhe të sfidojnë integritetin territorial dhe sovranitetin”, kishte për qëllim diskreditimin dhe devalvimin e UÇK dhe luftës së drejtë të shqiptarëve më 2001. Pra, sipas Mickovskit dhe Albinit që heshti kur Mickovski e deklaroi këtë, luftën e 2001 nuk e bënë shqiptarë të vetëdijshëm për rrezikun për jetën e tyre, të detyruar për këtë hap për shkak të shkeljes së të drejtave të tyre njerëzore dhe kolektive, por  “disa grupe që u manipuluan në mënyrë të pandërgjegjshme”nga “kosovarët e këqij” të UÇK-së.

Mesazhi i tretë i Mickovskit, ishte kërcënimi drejtuar gjithë shqiptarëve: ata në ish- IRJM të mbyllin gojën për padrejtësitë, që sipas paralajmërimit të VMRO gjatë fushatës zgjedhore, tani do të vazhdojnë  me intensitet të shtuar, e ata në Kosovë, të mos guxojnë të përsërisin atë që bënë më 2001, duke ndihmuar vëllezërit e tyre në ish IRJM.  E sjellja e Albin Kurtit ishte modeli i pranueshëm shqiptarit, të cilin Mickovski e prezantoi në konferencën për shtyp.

“Një përvojë e rëndë për Vjosa Osmanin”, pra jo edhe për Albin Kurtin, shtetin e Kosovës dhe gjithë  shqiptarët – kështu e cilësoi ai incidentin në aeroportin e Shkupit, ku pushteti në duart e VMRO dha një mesazh të qartë shqiptarëve, përmes keqtrajtimit të presidentes dhe komandantit të forcave të armatosura të Kosovës.  Për Albin Kurtin ky incident nuk ishte fare provokim dhe poshtërim i shtetit të Kosovës, dhe me këtë i gjithë shqiptarëve, por si i tillë mund të jetë konsideruar nga “dikush prej qytetarëve”. Sepse ai “nuk e di” që ndonjë nga institucionet e shtetit ta ketë konsideruar këtë ngjarje si të tillë (“vetëm” presidenca e Kosovës). Me këtë sjellje, Albin Kurti, i shtyrë nga deliri i madhështisë tani gjithnjë më i dukshëm në sjelljet dhe veprimet e përditshme të tij, i dha vetes atributet e “mbretit” që nuk pyet as për parlament, as për presidencë. E me krisjet e fundit me Vjosa Osmanin, e posaçërisht me incidentin në aeroportin e Shkupit militantët dhe tifozët e Albin Kurtit, të cilët nuk mund ta imagjinojnë jetën e tyre pa kulte personaliteti, mbetën jetim, pa “nënën e kombit” – vetëm me “baba të kombit”.

Ndërkohë huni u thye përsëri në shpinën e Afrim Gashit. Nga joshja për para dhe pushtet u detyrua të bëhet fetar, pas incidentit me duanë në parlament u detyrua të bëhet sekularist, e tani për t’i shpëtuar përgjegjësisë për incidentin me truprojat e tij në aeroport, kushedi se çfarë do të jetë i detyruar të bëhet.

Përshkrimin më të sinqertë të realitetit politik aktual, qëndrimit të VMRO ndaj shqiptarëve dhe pozitës së shqiptarëve në ish- IRJM, e jep Petar Bogojevski, një ish funksionar i VMRO: “interesi kombëtar i Maqedonisë, kauza maqedonase, kërkon që Afrim Gashi (VLEN) për momentin të jetë, aty ku është…”.

Afrim Fanda

24 thëniet më të bukura nga personalitetet e huaj për origjinën e shqiptarëve nga ilirët

iliretA janë shqiptarët të vetmit pasardhës të ilirëve në trojet e tyre? Teoritë kundërshtuese dhe ato mbështetëse të kësaj teze, prej kohësh janë përplasur mes tyre.

Më poshtë po ju sjellim 24 thënie nga personalitete të ndryshme, lidhur me origjinën dhe vlerat e shqiptarëve.

 

1- Maurico Druon, sekretar i Akademisë frënge: “Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia. dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e Trojes, të udhëhequr nga Akili (në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)”.

2- Nikolla Jorga: “Populli shqiptar së bashku me baskët, janë më të vjetrit në Evropë”.

3- Maximilian Lambertz: “Historia e Vërtetë e njerëzimit do të jetë e shkruar, vetëm kur ajo do të shkruhet me pjesëmarrjen e shqiptarëve”.

4- Lamartini: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjve të të gjithë kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njejtës racë, të të njejtit gjak”.

5- M. Huacunthe Hecquard: “Në asnjë vend të botës femrat nuk janë më të respektuara dhe nuk ushtrojnë një veprimtari më të fuqishme se shqiptaret dhe disa nëna shqiptare kanë përzënë prej shtëpisë bijtë e vet pasi ata ishin larguar nga fronti i luftës. Ato i kishin kthyer në fushën e betejës”.

6-Lord Bajroni: “Shqiptarët me kostumet e tyre bëjnë një peizazh më të mrekullueshëm në botë… Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukur që ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre”.

7- Henry Noel Brailsford: “…Shqiptari ‘primitiv’, në fakt është ‘Mbinjeriu’ për të cilin Nietzsche ëndërronte”.

8- Gjusepe Katapangu: “Atllantida e cila është zhdukur para 12.000 vjetësh, ishte tokë e Ilirëve (pellazgëve), të cilët shpëtuan nga përmbytja e Atlantidës dhe filluan civilizimet e reja në të gjitha kontinentet, sidomos në Evropë, Afrikë dhe Azi të vogël”!

9- Agostino Ribeco: “Te drejtat mijëvjeçare të shqiptarëve, etnografike dhe gjeografike, shtrihen prej kohërave të vjetra në Iliri, Maqedoni dhe Thesali”.

10- Braisllav Nusic: “Shqiptarët janë autoktonë, të cilët gjatë të gjitha dyndjeve të popujve, e ruajtën tipin dhe karakterin e vet në mënyrë të theksuar. Ata u bënë ballë sulmeve të romakëve, mësymjeve të dendura të sllavëve, të cilët ua pushtuan të gjitha fushat, ultësirat, dhe lumenjtë”.

11- Dushko H. Konstantinov: “Shqiptarët janë banorë më të vjetër të Gadishullit Ballkanik dhe pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve të vjetër, të cilët kishin ndërtuar shtetin më të fuqishëm në Ballkan”.

12- Edvin Jasques: “Ilirët ose shqiptarët, këta bijë të paeupur, ishin luftëtar të shqipes, trashëgimtarë të denjë të Akilit, Filipit, Aleksandrit të Madh dhe Piros së Epirit…”.

13- Edvin Pears: “Shqiptarët janë pasardhës të racës më të vjetër të Gadishullit Ballkanik, gjegjësisht të racës arjane, duke e nxjerrë këtë fjalë nga dy rrënjët e fjalëve shqipe: Ar dhe Anë, që d.m.th. Njerëz të arit të pastër”.

14- Maks Myle: “Emrat e mjaft popujve të njohur rrjedhin nga fjala e vjetër shqipe ‘Ar’. Kjo vlen edhe për mjaftë vende të botës.”

15- Fanulla Papazogllu: “Dardania është njëra nga krahinat antike të Ballkanit ku popullata autoktone është ruajtur më së miri”.

16- Gos Xhen: “Origjina e shqiptarëve ngjitet deri te koha e pellazgëve dhe kanë origjinë parahelene”.

17- Gustav Majer: “Shqiptarët janë Ilir të rinj”.

18- Gjorgj Hahni: “Shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve, ndërsa ilirët janë pasardhës të pellazgëve… Shqiptarët janë stërnipërit e Pellazgëve”.

19- Haki Pasha: “Po doli në shesh historia e shqiptarëve, Perandorinë Osmane e merr lumi”.

20-Harold Whitehal: “Hieroglifet egjiptiane, të krijuara para 4.000 vjetësh kanë domethënie shqipe”.

21- Henri Braisford: “Në Maqedoni, vetëm shqiptarët janë popull autokton”

22- Johan Fon Han: “Shqipja rrjedh nga ilirishtja dhe ilirishtja nga pellazgjishtja”.

23- Jovan Cvijiq: “Sllavët e jugut, pas ardhjes në Ballkan, aty gjetën shqiptarët, të cilët nën trysninë e tyre (sllavëve) u tërhoqën jugu dhe në vendet më malore, ku i hasim edhe sot”.

24- Konstandin Paparigopulos: “Vetëm shqiptarët konsiderohen si pasardhës të racës ilire”.

A.H.

Athua më në fund e kuptoi Vjosa Osmani, këtë herë në lëkurën e saj, realitetin e hidhur të shqiptarëve në ish IRJM?

Vucic

Athua më në fund e kuptoi Vjosa Osmani, këtë herë në lëkurën e saj, realitetin e hidhur të shqiptarëve në ish IRJM?

Se shqiptarët nuk janë një pakicë e lumtur, e qeverisur nga miqtë e saj “maqedonas”. Pakicë që i shërben asaj dhe Albin Kurtit si “urë” mbi të cilët ajo dhe Albini shkelin sa herë që vijnë, te shteti mik, me të cilin kanë marrëdhënie “të shkëlqyera”. Por së paku 30% popullsi autoktone e shkelur dhe keqtrajtuar nga “miqtë” e tyre të cilët nuk ngurojnë të mavijosin trupin e foshnjës së njomë, vetëm sepse mamaja e saj “guxoi” të mos dinte “maqedonishten”?

E si të mos e keqtrajtojnë Vjosën, këta që nuk nguruan të dhunojnë foshnjën shqiptare, presidenten dhe komandanten supreme të forcave të armatosura të Kosovës, të “agresorëve nga veriu”, siç i quajti publikisht vet Mickovski jo më larg se para dy vitesh. Sepse Mickovski nuk harron… për Mickovskin, fajtorët kryesorë nuk janë shqiptarët e ish IRJM që luftuan më 2001, por ata “kosovarët” që i nxitën, i përgatitën dhe i ndihmuan në luftë, duke bërë agresion në “shtetin e tij”. Ashtu siç ishte për ata para Mickovskit Univesiteti i Prishtinës “çerdhe e nacionalizmit dhe irredentizmit”, që përgatiste pafund nacionalistë dhe irredentistë ndër shqiptarët “e urtë dhe të bindur” të ish IRJM.

Vetëm me Albin Kurtin Mickovski gjeti gjuhë të përbashkët, madje bënë dhe koalicion bashkëqeverisës në ish IRJM! Athua çfarë gjetën të përbashkët me njëri-tjetrin!?

Afrim Fanda

RITI “FETAR” NË PARLAMENTIN E ISH IRJM – LOJË E PISTË POLITIKE E VMRO-DPMNE DHE PARTIVE POLITIK ERDOGANISTE NË PUSHTET

IMG-20240715-WA0000Alija Izetbegoviq, Presidenti i Bosnjës dhe Hercegovinës, në fillimet e luftës së përgjakshme që zgjati pothuajse 4 vite, në disa intervista dhënë mediave të huaja, tentoi të alarmonte botën se qëllimshëm po i jepej ngjyra e konfliktit fetar luftës, duke u ankuar se nga pala kundërshtare bllokoheshin dërgesat e armëve të destinuara për forcat boshnjake, e në të njëjtën kohë lejoheshin luftëtarët muxhahidë të hynin në Bosnje.
Shqetësimi i Alija Izetbegoviq ishte i drejtë, sepse pikërisht nën këtë pretendim të “konfliktit fetar”, u krye gjenocidi serb ndaj popullsisë civile të pambrojtur boshnjake në Srebrenicë dhe masakrat e tjera nëpër gjithë territorin boshnjak. Pikësisht me pretendimin dhe mbulesën e “luftës kundër fundamentalistëve islamik në zemër të Evropës” nga ana e ushtrisë gjenocidale serbe u krye ajo që bota quajti “spastrim etnik sistematik dhe gjenocid mbi popullsinë boshnjake në bosnje dhe Hercegovinë”. Mbulesë që pothuajse legjitimoi masakrat e serbëve mbi popullsinë civile boshnjake, derisa vuri në pikëpyetje ndërgjegjen dhe moralin e shoqërisë perëndimore.
Sot, pas më shumë se 30 vite, i njejti skenar si ai i Millosheviqit në Bosnje dhe Hercegovinë po zbatohet edhe në ish IRJM. I njëjti skenar makabër që rezultoi me 907.207 civil boshnjak të vrarë e të zhdukur, duke u siguruar serbëve 52% të territorit të Bosnjës dhe Hercegovinës, frymëzoi preferencën e VMRO për partitë erdoganiste, dhe e këtyre të fundit për VMRO-në, që prodhoi dhe aleancën mes tyre dhe koalicionin qeveritar.
Përfitimi është i qartë dhe joshës për të dy palët. Të dy palëve u konvenon zhvendosja e vëmendjes nga të drejtat e munguara kolektive të shqiptarëve si grup etink i dytë në vend, në një “solidarizim” dhe përkatësi abstrakte në botën muslimane dhe identitetin po aq abstrakt musliman, që nuk e gjen as në vendet e vet botës arabe, por vetëm në territoret shqiptare. Me këtë skenar, VMRO para Evropës dhe SHBA paraqitet si zot shtëpie në ish IRJM, që paraqet garanci në luftën kundër shqiptarëve si “rezik i huaj i ekstremizmit dhe fundamentalizmit islamik”, duke fituar me këtë simpatinë dhe përkrahjen e perëndimit. Ndërsa jeniçerët e partive erdoganiste të Afrim Gashit, Bilall Kasamit, Arben Taravarit dhe Izet Mexhitit, i sigurojnë sulltanit të tyre, të tjerë “boshnjakë” pa identitet etnik por vetem me “identitet musliman” dhe territor shtesë “Rumeli” për perandorinë e tij neootomane.
Pjesë e këtij skenari, u vu në skenë pikërisht para pak ditësh në parlamentin e ish IRJM, në ditën e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë. Për të qenë më i besueshem, dhe për të nxjerë përfitimin e plotë për të dy palët, teatri u përgatit me dy akte. Në aktin e parë, partitë erdoganiste të cilët kurrë nuk treguan as më të voglin interesim për të përkujtuar rreth 90 viktimat e pafajshme civile të luftes së 2001-shit në Shkup, Tetove dhe Kumanovë, natyrisht, me lejen e Mickoskit, performuan teatrin e shtirur të ritit “fetar”në institucionin laik të shtetit, duke keqpërdorur për pikë politike, kujtimin për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës. Ndërsa në aktin e dyte, VMRO-DPMNE, përgjegjëse për vrasjen e rreth 90 civilëve shqiptarë, pa kërkuar kurrë falje për këtë, e “dënoi” këtë akt të aletatëve të tyre, duke theksuar se “kuvendi nuk është dhe nuk guxon të jetë vend për organizimin e ndonjë ceremonie fetare, sepse Maqedonia me Kushtetutë është e përcaktuar qartë si shtet laik. Me këtë procedurë nuk bëhet asnjë respekt për viktimat e Srebrenicës, por përkundrazi, kjo paraqet keqpërdorim të rëndë të kësaj tragjedie për të fituar pikë politike.”.
E cili ishte reagimi i opozitës shqiptare për gjithë këtë? Krerët e BDI bënë atë që kanë bërë gjatë gjithë jetës së tyre politike: heshtën në pritje se mos ndoshta Mickovski do të ndërron mendje dhe do të mëshirohet që ti ktherjë në qeveri! Ndërsa soliarizimi i Krenar Llogës me teatrin në parlament, sqaroi më së miri, se pse një pakurizor politik si Arben Taravari me kaq lehtësi shkërmoqi ASH-në!

Afrim Fanda

ZGJEDHJET PARLAMENTARE NE ISH IRJM – KUSH FITOI DHE KUSH HUMBI NË TË VËRTETË?

IluzioniKush më mire se VMRO-DPMNE mund të shprehte vullnetin politik të “maqedonasve”, të cilët shtetin e ish -IRJM e konsiderojnë prone të tyre ndërsa shqiptarët pakicë e cila duhet dënuar për guximin që kishin për të luftuar në vitin 2001? Ndaj, për ata që nuk harrojnë dhe nuk janë të prirur për të ushqyer iluzione, fitorja bindëse e VMRO-DPMNE tek pala “maqedonase” nuk ishte fare e papritur! Ajo në fakt ka qenë fituesja në të gjitha zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ndërkohë, në vendbanimet shqiptare në ish- IRJM, më 8 Maj tupanët gjëmonin gjithandej, duke festuar “fitoren” e partive të tyre, akoma pa përfunduar zgjedhjet parlamentare që mbaheshin bashkë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Festonin militantët e të gjitha partive shqiptare, të të dy fronteve rivale – Frontit Evropian, me në krye BDI-në, me mbi 20 vite në pushtet dhe VLEN, një grupim erdoganistësh, ish- deputetësh, ish- ministrash dhe ish- armiqsh, kohezionin e të cilëve e frymëzuan, mbështetën dhe siguruan shërbimet e Erdoganit dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Dhe vërtetë, të dyja palët “fituan”!
Fronti Evropian, në bazë të parimit jo kushtetues, ndaj dhe jo obligues për palën “maqedonase”, sipas të cilit fituesi tek blloku shqiptar fiton të drejtën për të “bashkëqeverisur” me fituesin në bllokun “maqedonas”, me 4 mandate deputetësh më shumë se pala rivale VLEN, fitoi “legjitimitetin” për të vazhduar mercenarizmin, korrupsionin dhe kriminalitetin brenda pushtetit, duke shërbyer, tani padronit të ri, gjegjësisht të vjetër – VMRO-DPMNE.
Ndërkaq, pala rivale VLEN edhepse humbëse në bllokun shqiptar, falë ndihmës së Erdoganit, Albin Kurtit, një ushtrie të tërë jeniçerësh të Qendrës për Civilizim Islam, Logosit, Shenjës… dhe preferencës së VMRO për këto parti, arriti t’ia zëri vendin BDI-së, për të vazhduar mercenarizmin, korrupsionin dhe kriminalitetin e përfaqësuesve shqiptarë në pushtetin, tani në duart e VMRO.
Por kush humbi në të vërtetë!?
Për fat të keq, humbësit e vërtetë janë qytetarët shqiptarë në ish- IRJM. Të shitur nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, të lënë në baltë, në mëshirën e shëbimeve të huaja dhe të brendshme, shqiptarët humbën për të satën herë rradhazi mundësinë që me rreth 30 mandate deputetësh, të kushtëzonin palën tjetër për ndryshime kushtetuese që do të avanconin statusin e tyre kushtetues, për t’u bërë plotësisht të barabartë me grupin tjeter etnik shumicë në shtet. Pse? Sepse, këto mandate deputetesh, ashtu si deri tani, përfaqësojnë interesa të ngushta të klaneve partiake, të shërbimeve të brendshme dhe të huaja… por për fat të keq, aspak interesat kombëtare të shqiptarëve në- ish IRJM!
Dhjetë ditë pas zgjedhjeve, respektivisht më 18 maj 2024, Zyra e Kryeministri Kurti njoftonte për takimin me përfaqësuesit e “VLEN”, me ç’rast kryeministri Kurti me paftyrësinë publike që nuk e kishim parë deri tani, ua uronte humbësve të zgjedhjeve “fitoren”, duke shkelur me të dy këmbët të gjitha parimet dhe të drejtat të cilat ai dhe LVV kishin proklamuar para shiptarëve, mes tyre atë më të rëndësishmen – të drejtën e shqiptarëve në ish IRJM për të vetëvendosur për fatin e tyre.
A ishte ky një veprim i papritur dhe per t’u befasuar i Albin Kurtit dhe LVV? E vërteta e hidhur është se jo! Është fakt se ata në asnjë moment nuk treguan as më të voglin interesim që fajin për nëpërkëmbjen e të drejtave kolektive të shqiptarëve në ish-IRJM, ta adresonin tek fajtori i vërtetë – kushtetuta unitare, e cila mirëmbahet nga përfaqësues politikë shqiptarë të korruptuar. Në vend të kësaj, zgjodhën të akuzonin anëtarësinë e një partie të tërë, dhe të anatemojnë më shumë se gjysmën e votuesve shqiptarë në ish IRJM. Pse? Sepse për fat të keq, motivi i vërtetë ishte ndërhyrja e njëanshme, preferenciale në zgjedhjet parlamentare në ish IRJM, në shërbim të partive erdoganiste të Afrim Gashit dhe Bilall Kasamit, për t’ua siguruar atyre pjesëmarrjen pa kushte në pushtet duke zëvendësuar BDI-në. Dhe, të themi të vërtetën, preferenca per këto parti nuk është e këtyre ditëve, e as është ideologjia dhe parimet që i bashkojnë LVV – në me këto parti.
Vizita e Albin Kurtit në Turqi pak ditë më parë dhe takimi i përzemërt me Erdoganin, prijësin famëkeq të diktaturës së islamit politik, vuri kapakun dyshimeve për motivet e mbështetjes kaq intenzive të VLEN. Me këtë rast, Albin Kurti shprehu mirënjohjen e thellë publike ndaj Rexhep Erdogan dhe shtetit turk për, siç deklaroi ai vet, “mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës”. E meqë në këtë botë asgjë nuk jepet falas, kundërshpërblimi që Albin Kurti i bëri Erdoganit, para se të takohej me te, ishte pikërisht mbështetja pa rezerva e VLEN, duke ia bërë shqiptarët e ish- IRJM dhuratë aleancës së islamit politik të Erdogan me ortodoksinë sllave të VMRO, në shërbim të Botës Serbe. Deliri i madhështisë i ushqyer nga nevoja e dëshpëruar e shoqërisë shqiptare për kulte personaliteti, në vend të kërkesës për llogaridhënie nga përfaqësuesit e saj politikë, dha “të drejtën” Albin Kurtit për të bërë pazare me territore shqiptare dhe për të vendosur se cila pjesë e kombit duhet të jetojë në liri, e cila duhet sakrifikuar, duke ia kthyer sullanit të Perandorisë Neootomane. E për këtë, kishte edhe arsyetimin dhe mbështetjen “shkencore” të këshilltarit më të afërt të tij, Hysamedin Feraj, i cili në librin e tij “Skicë e mendimit politik shqiptar”, kuptohet e botuar në LOGOS, masakrimin fizik, politik, ekonomik, arsimor, kulturor… të shqiptarëve nga ana e Perandorisë Osmane e përshkruan si periudhë lulëzimi për kombin shqiptar.
Por a do të kënaqet Erdogan me kaq? Mbetet të shohim!
Broçkullat e “luftës kundër BDI-së së korruptuar dhe kriminalizuar”, jo vetëm sa tentonin të mjegullonin dyshimet për motivin e vërtetë të Albin Kurtit dhe LVV, por ishin edhe dëshmia më konkrete e kapërcimit të atij kufiri moral, që ndan LVV-në parimore që në fillim luftonte hajdutërinë dhe tradhëtinë e krerëve të kriminalizuar të partive të dala nga lufta e UÇK, nga LVV-ja e katandisur sot në LVV-në që shpërfill, përbuz dhe përpiqet të defaktorizojë dhe luftojë çdo gjë, që jo vetëm përfaqëson, por edhe që ua kujton shqiptarëve luftën e drejtë të UÇK për liri dhe pavarësi. Ndaj, në vend se të inkurajojë dhe mbështesë anëtarësinë e BDI në luftën kundër krerëve të korruptuar, të kriminalizuar dhe të shitur, me zellin që “ndihmoi” Arben Taravarin për të përçarë ASH-në, Albin Kurti zgjodhi t’i godasë ata bashkë me një nga këta krerë të kriminalizuar, Izet Mexhitin, ish nënkryetarin e BDI, bosin e mafias urbane të Çairit. Zgjodhi t’i godasi bashkë me VMRO-në antishqiptare, e cila jo që nuk kërkoi kurrë falje për masakrat mbi popullsinë civile të shqiptarëve gjatë luftes së 2001-shit, por përkundrazi, premtoi elektoratit “maqedonas” edhe tribunal nderkombëtar për rigjykimin e luftëtarëv të UÇK-së. Pse? Sepse Afrim Gashit dhe Bilall Kasamit u duheshin Izet Mexhiti dhe Arben Taravari, për ta maskuar misionin e tyre të islamit politik të Erdoganit, me “kauzën” e frontit opozitar.
Nga ana tjetër, heshtja e anëtarëve të ndershëm të BDI, servilizmi, heqja dorë nga kerkesat dhe synimet e drejta të luftës së 2001, mosgatishmëria për kërkesë llogarie dhe për reformim të partisë për të vazhduar sot me luftë politike atë që ishte filluar me armë, e kishte shndërruar BDI-në në një bandë mercenarësh dhe mafiozësh, që pasuroheshin në kurriz të shqiptarëve, duke ju shërbyer politikave antishqiptare, here të LSDM-së, e herë të VMRO-së. Në mungesë të guximit, vetëdijes dhe gatishmërisë për reforma, shpresat ishin varur tek kulti i personalitetit i Ali Ahmetit, duke shpërndarë në rrjete sociale fotografinë e tij duke pirë “duhon” dhe humori primitiv i Artan Grubit.
E gjitha kjo, kishte ngjallur me kohë pakënaqësi dhe revoltë tek shqiptarët duke e bërë BDI-në pré të lehtë për partitë e islamit politik të Erdoganit, të ndihmuara nga LVV. Ndaj këto zgjedhje vetëm sa treguan se sa e sëmurë ështe BDI si parti – aq saqë u rezikua nga Afrim Gashi dhe Bilall Kasami. Zhvillimet e fundit në ish -IRJM, duhen parë si dëshmi se një politikë pa vizion dhe pa një strategji mbarëkombetare afatgjate sjell vetëm ndryshime kozmetike dhe nuk ofron zgjidhje afatgjate.
Koha e kultit të personalitetit, “mbinjeriut” të pakontestueshëm, të gjithdijshëm, të pagabueshëm, nuk gjen vend në politikën bashkëkohore të vendeve demokratike. Vetëm kërkesa e vazhdueshme e llogarisë prodhon përfaqësuese politikë që do t’i binden vullnetit politik të shqiptarëve dhe do të punojnë në shërbim të interesave të tyre.

Afrim Fanda

Maqedonia nuk është e ndaluar: Taravari nuk beson se Siljanovska ka thënë me vetëdije “Maqedoni”

Taravari„VLEN“ duhet urgjentisht te kërkojnë nga VMRO, që të jetësohet iniciativa e ish kandidatit të BDI – Bujar Osmani, për instalimin e postit të zëvendëspresidentit të „Maqedonisë së Veriut“!

Arben Taravari do të shkëlqente në këtë post, si zëvendës i Siljanovskës!

 

Maqedonia nuk është e ndaluar: Taravari nuk beson se Siljanovska ka thënë me vetëdije “Maqedoni”

 

Kryetari i komunës së Gostivarit, i cili ishte edhe kandidat për president, thotë se nuk është e ndaluar të përdoret publikisht emri Maqedoni pa “Republika” dhe “Severna”.

“Nuk është e ndaluar kur flasim publikisht. Unë them shpesh Maqedoni, as “Republikë” as “Veri”. Mendoj se zonja Davkova është ende në euforinë e zgjedhjeve. Nuk mendoj se e ka bërë me vetëdije. E ka bërë më deklarativisht për të treguar se ka njëfarë konsistence me fushatën zgjedhore”, tha Taravari.

Arben Taravari mbrëmë në një emision në TV21 tha se nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese brenda një periudhe 6 mujore do të mendohet për pjesëmarrjen e tyre në Qeveri.

“Duheshin 10 vite që VMRO-ja dhe BDI-ja, pa kushte, pa asgjë, të humbin, 10 vite që të bëhen pjesë e NATO-s. VREDI është garanci në Qeveri se në çdo kusht do të insistojë që negociatat me Bashkimin Evropian të fillojnë sa më shpejt dhe të bëhen ndryshimet kushtetuese. Është kusht”, tha Taravari.

AF

 

Pse dështoi Lëvizja për Vetëvendosje në ish IRJM?

VLENPër t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, paraprakish do të duhej t’i përgjigjemi pyetjes se cilat ishin pritshmëritë që kishin shqiptarët në ish IRJM nga Lëvizja për VetëVendosje (LVV)!

Padyshim, imponimi i qëndrimeve konsistente nacionaliste, kritereve të interesit kombëtar në politikëbërjen e partive dhe parimit të Vetëvendosjes si parim dhe koncept politik i shpallur tabu temë në hapsirën politike shqiptare në ish IRJM, ishin prishmëritë dhe shpresat e shqiptarëve nga involvimi i LVV.
Por, këto shpresa u shuan që kur “liçenca e albinizmit”, e shpallur si liçencë e vetme e patriotizmit, iu dhurua (ca thonë ju shit) mercenarëve të Erdoganit, LSDM-së, VMRO-së dhe vazalëve të tyre, të cilët menjehere filluan të vringëllojnë me shpatën e “albinizmit”, për të friksuar jo vetëm rivalët e tyre për t’ua lënë vendin në pushtetin e VMRO-së në ardhje, por edhe ndaj gjithe shqiptarëve të tjerë që do të merrnin guximin për të menduar ndryshe dhe për t’u bërë pengesë në rrugën e tyre drejt karrigeve të pushtetit. Këtë krijese politike bizarre, pa ngjyrë të LVV, fillimisht e quajtën “LEN”, e më vonë shtuan atë “V-në”, për ta bërë të qartë patentën e mbrojtur të LVV-së mbi këtë krijesë.
Dhe pikërisht kjo “V-ja” e shtuar, i dha të drjetën kësaj përzierje erdoganistësh, hoxhallarësh, ish ministrash, ish deputetësh dhe funksionarësh të BDI…, të flasin gjithe kompetencë në emër të “albinizmit” duke vërshuar mediat e blera dhe rrjetet sociale me shkrime me tituj kërcënues të tipit “kush friksohet nga Albini!?”. Ashtu siç vite me rradhë, pikërisht të korruptuarit dhe të shiturit në krye të BDI dhe partive të tjera shqiptare flasin në emër të “amerikanizmit” dhe luftës kundër korrupsionit, ashtu edhe “albinistët” e rinj, funksionarë të deridjeshëm të BDI, u hodhën në sulm, për të “luftuar” korrupsionin dhe tradhëtinë, duke synuar linçimin dhe anatemimin e çdo mendimi ndryshe dhe të gjithe ata që guxonin të devijonin nga kjo “stuhi patriotike” që merrte përpara “gjithe armiqtë që ka bota”.
Fushata zgjedhore e VLEN u katandis në një teatër të neveritshëm, ku “albinistët” e “VLEN” në mitingjet e tyre kërkonin nga nënat dhe gjyshet e shqiptarëve, të luten ditë e natë që këta të zëvendësojnë ministrat e BDI në qeverinë në ardhje. Në qeverinë e atyre qe dje vrane femijet e tyre, e sot duan ta bëjnë “Maqedoninë” përsëri krenare duke kërcënuar përsëri shqiptarët dhe duke kërkuar të dënojnë ata që guxuan të luftojnë në luftën e vitt 2001. Në fjalimet e tyre patetike, llogari nga Ali Ahmeti për vrasjet e ish ushtarëve të UÇK, proceset e montuara, ekspeditat ndeshkuese policore dhe masakrat e Brodecit dhe Kumanovës, kërkonin pikërisht bashkëpuntorët e Ali Ahmetit, bashkëfajtorë dhe bashkëpërgjegjës me Ali Ahmetin për të gjihta këto krime ndaj shqiptareve.
Dhe në asnjë moment, në asnjë shkrim, në asnjë deklaratë, duke filluar që nga Albin Kurti e duke vazhduar me eksponenët e tjerë të “VLEN”, nuk ua bënë të qartë shqiptarëve tre detaje thelbësore për të fituar besimin dhe përkrahjen e tyre:
1. Çfarë të re solli LVV në oferten politike për shqiptarët në ish IRJM në përgjithësi, dhe krahasuar me BDI në veçanti, në këto zgjedhje presidenciale dhe parlamentare?
2. Cilat janë vijat e kuqe të qëndrimeve politike dhe kritereve për marrëdhënie me partitë “maqedonase” në lidhje me statusin kushtetues të shqiptarëve dhe të ardhmen e shtetit?
3. Çfarë do të përfitonin shqiptarët duke zëvendësuar një parti me një tjetër pa ndryshuar statusi I tyre kushtetues dhe karakteri unitar I shtetit?
Në vend të kësaj, roli i Albin Kurtit dhe krerëve të tjerë të LVV u katandis në rolin e sekserit që në kabinetin e kryeministrit Albin Kurti ndanin “miqve” të vjetër poste dhe funksione politike – kush do të bëhej president e kush dhe në cilën njësi zgjedhore, bartës liste të kandidatëve për deputetë. E derisa kritikonin BDI-në për kryeministrin Teknik të ish IRJM, duke krahasuar me postin e ish presidentit te RSFJ, Sinan Hasanin, uronin përzemërsisht Talat Xhaferin për postin, duke ju ofruar shqiptarëve pikërisht një “president shqiptar” kukull në Maqedoninë unitare, pa as të vetmen vëretje për kushtetutën, që shqiptarët I trajton akoma më keq se kushtetuta e ish Jugosllavisë.
Për fat të keq, tani po bëhet gjithnjë e më e qarte se ky qëndrim i LVV, buron nga paragjykimi dhe nënvlerësimi që LVV në përgjithësi dhe Albin Kurti në veçanti, kanë për shqiptarët në ish IRJM, duke i konsideruar si pakicë e praprambetur, fundamentaliste islamike, me paaftësi për të menduar, gjykuar dhe për të dalluar të mirën nga e keqja. Ndaj ishin të bindur se atyre duhet drejtuar me gjuhën e Erdoganit përmes anëtarëve të bordit këshilldhënës të Qendrës pë Civilizim Islam – Hysamedin Ferajt, Afrim Gashit, Bilall Kasamit, Izet Mexhitit… E duke qenë të bindur se problemi i vetëm i tyre është korrupsioni, zëvendësimin e BDI-së së korruptuar me parti të tjera “të pakorruptuara”, të përzgjedhura nga ata vet, e konsideruan si të mjaftueshëm për t’i kënaqur ata. Ndaj luftën kundër korrupsionit ia besuan Izet Mexhitit i cili per 18 vite në BDI, si nënkryetar i BDI, kryetar bashkie dhe deputet, nuk e ngriti as edhe një herë të vetme zërin kundër korrupsionit në BDI si dhe Lëvizjes Besa dhe Alternativa, të vetmet parti shiptare me mungesë të plotë të transparencës financiare, sipas raportit për transparencë për vitin 2023 të IRI (International Republican Institute). Gjithmonë duke injoruar faktin e pamohueshëm se është kushtetuta unitare ajo që pushtetin ua jep ekskluzivish partive sllave duke gjeneruar pafund shqiptarë të bindur, servilë dhe të korruptuar.
Ndaj, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, shqiptarët në ish IRJM, të cilëve LVV, për vite me rradhë u kërkonte t’i gëzohen herë fitores së LSDM-se, e here fitores së VMRO-së, ndërkohë që për ata nuk ndryshonte asgjë, u detyruan që t’ua bëjnë të qartë LVV në përgjithësi dhe Albinit në veçanti, se nuk janë “komunitet” siç i quajti ai , por pjesë e pandarë e kombit shqiptar, që kërkon po atë liri që Albini sot gëzon në Kosovë, e për të cilën u burgosën, luftuan dhe iu gëzuan edhe ata vet. Ashtu siç luftuan edhe për lirinë dhe pjesën e shtetit që u takon në ish IRJM, por nuk e gëzuan, sepse u tradhtuan, dhe u lanë në baltë. E duan lirinë po aq sa Albini dhe eksponentët e tjerë të LVV, por të braktisur, të zhgënjyer dhe të manipuluar gjatë githë kohës, kanë frikë ta kërkojnë atë! Ndaj e gjejnë më të lehtë të lejojnë të mashtrohen, për një vend pune, për të mbijetuar sot, duke u arsyetuar se këtë e bëjnë për fëmijët, e ardhmja e të cilëve është pikërisht çmimi që paguajnë.
Shqiptarët në ish IRJM e duan lirinë, por kanë nevojë për pak inkurajim per të këmbëngulur për te, duke këmbëngulur, jo për pjesë në qeveritë e LSDM ose VMRO, por për pjesën e shtetit që ju takon. Dhe e dinë, dhe e besojnë se edhe Albini e di, që kjo nuk bëhet, as me kryeministra kukull e as me presidentë kukull, por duke ndryshuar kushtetutën, e cila është burimi i korrupsionit të përfaqësuesve politikë shqiptarë, jo vetëm të BDI-së. Atyre nuk u mungojnë “liritë” individuale per t’u bërë presidentë, kryeministra, deputetë, ministra, drejtorë… në pushtetin në duart e VMRO dhe LSDM, por u mungojnë të drejtat kolektive, dhe shteti i barabatë për të dy grupet etnike shumicë. Të drejta të cilat mund t’i gëzojnë vetëm në pjesën e shtetit të tyre, duke ndryshuar karakterin unitar të shtetit, me te cilin kushtetuta ekzistuese “maqedonasit” i bën pronar të shtetit, ndërsa shqiptarë pakicë.

Ndaj shqiptarët nuk duhet të nxitojnë dhe të votojnë “të keqen me të vogël” duke mos ndëshkuar me votë çdo të keqe, sado e madhe apo e vogël të jetë, dhe duke mos dhënë kohë krijimit të një force të re politike, me shqiptarë nacionalistë, të pakorruptuar dhe të papërlyer, të cilët interesin kombëtar të shqiptarëve do ta kenë prioritetin e vetëm. E ndoshta edhe LVV dhe Albin Kurti do të kenë kohë për t’u vetëdijësuar se janë thjesht protagonistë, të cilëve rrota e historisë ju dha shansin për të bërë detyrën ndaj kombit dhe atdheut, duke mos u dehur nga pushteti dhe fama, dhe duke mos e konsideruar veten të gjithëdijshëm dhe të pagabueshem. Sepse Historia është e pamëshirshme ndaj atyre që ju rritet mendja duke abuzuar me mundësinë dhe pushtetin e dhënë, duke i flakur tej si lecke, ashtu siç ka flakur shumë të tjerë para tyre.

Afrim Fanda

OPOZITA SOCIALDEMOKRATE E TURQISË: TURQIA ËSHTË LAIKE DHE DO TË MBETET LAIKE! PO PARTITË SHQIPTARE NË ISH IRJM, CILËN RRUGË DO TA NDJEKIN?

Salim SulejmaniMbrëmë turma festive e mbledhur në Ankara, në mbështetje të partisë laike të opozitës socialdemokrate (CHP) e cila po udhëhiqte me një milion vota diferencë në Ankara dhe në të gjithë vendin kundër Erdoganit dhe partisë së tij të djathtë islamike (AKP) brohoriste: “TURQIA ËSHTË LAIKE DHE DO TË MBETET LAIKE”. Ishte kjo një fitore e rëndësishme e sekularizmit turk të Ataturkut kundër diktaturës së islamit politik të Erdogan që zgjati mbi njëzet vite.

 

Ndërkohë, në po të njëjtën ditë, partitë e bashkuara erdoganiste shqiptare në ish IRJM paralajmëruan përmes mediave se Salim Sulejmani, magjistër i teologjisë dhe filozofisë islame (studimet dhe magjistraturën të përfunduara në Jordani) dhe ish myftiu i Strugës për 12 vite me radhë do të jetë bartës liste i Njësisë zgjedhore numër 5.

“Prurjen e re në ASH” dhe inkuadrimin e tij në VLEN, para pak ditësh e prezantoi Arben Taravari, kandidati i “opozitës” VLEN për president të ish IRJM, duke e prezantuar myftiun si një figurë e shquar, intelektual dhe veprimtar i dalluar nga Struga… i cili ka dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e jetës fetare, duke lënë gjurmë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore e shpirtërore në Strugë e jo vetëm.”

Do të ishte shumë me vlerë përgjigja në pyetjen, si dhe nga kush u inspirua dhe motivua myftiu që “derset” për “xhematin” ti vazhdonte përmes politikës e jo në xhami! Ashtu siç do t’ua bënte të qartë shqiptarëve përgjigja në pyetjen se pse krerët e Vetëvendosjes të cilët mbështesin këto parti erdoganiste, mendojnë se myftitë dhe hoxhallarët mund të kenë fjalë vendimtare në fitoren e VLEN kundër BDI në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në maj të këtij viti!

Ndoshta vet termi “komunitet” të cilin Albin Kurti përdori për shqiptarët në ish IRJM me rastin e urimit për zgjedhjen e “kryeministrit të pare shqiptar”, sqaron gjithçka… ose së paku shumëçka!?

https://x.com/dokuz8news/status/1774512494783950999…

VOTA PËR “OPOZITËN” NUK ËSHTË VOTË PËR “SHPËTIM” NGA BDI! AQ MË PAK ËSHTË VOTË PËR “NDRYSHIM”!


Zijadin Sela tradhtoi? Dakord, por cilën ide? Cilin parim? Kë tradhtoi Sela duke aderuar në “Frontit Evropian” në vend se në “VLEN”? Shqiptarët, apo Bilall Kasamin, Afrim Gashin, Izet Mexhitin, Arben Taravarin… apo Albin Kurtin?

Cili është dallimi në mes të “Frontit Evropian” dhe “VLEN”? Si, dhe ku është manifestuar dhe po manifestohet aktualisht “opozitarizmi” i të ashtuquajturës “opozitë”, sot “VLEN”, të cilën e “tradhtoi” Sela?

Duke votuar, bashkë me BDI-në, në vitin 2018, Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimet kushtetuese, ku shqiptaret u ridefinuan si pakicë e ardhur? Duke mashtruar shqiptarët se, si shpërblim, vendi do të anëtarësohet pas kësaj në BE?

Duke votuar, bashkë me BDI-në, po në këtë vit, Ligjin për përdorimin e gjuhëve (ligjin e famshëm 20%), që gjuhën “maqedonase” e definon si gjuhë zyrtare ndërsa shqipen si gjuhë pakicash të ardhur, të kushtëzuar me përqindje? Duke mashtruar shqiptarët se me këtë ligj gjuha shqipe bëhet zyrtare dhe e barabartë me gjuhën “maqedonase”?

Duke treguar, bashkë me BDI-në, gatishmërinë për të votuar ndryshimet kushtetuese për të futur bullgarët në kushtetutë, duke ridefinuar përsëri në kushtetutë, shqiptarët si pakicë e ardhur? Duke mashtruar përsëri shqiptarët, se pas kësaj vendi do të integrohet në BE?

Duke premtuar, bashkë me BDI-në, kryeministra dhe presidentë kukull shqiptarë, të sojit të Sinan Hasanit?


Duke ja kaluar edhe BDI-së, me kërkesën për “Jugosllavi të vogël” me “kushtetutë qytetare” ku shqiptarët do të definoheshin si “qytetarë” pakicë, në vend se grup etnik me të drejta kolektive, me njësinë e tyre shtetërore?

Duke instaluar në jetën politike të shqiptarëve Islamin Politik të dirigjuar nga Erdogan, që rrezikon indin kombëtar dhe të ardhmen evropiane të shqiptarëve?

Duke luftuar kazinotë, ne pritje të hyrjes në qeverinë e VMRO-së?

Ca miq të mi më thonë: “atëherë, trego zgjidhjen”… “cila është rruga, zgjidhja e drejtë”!?

Unë nuk mund t’ju bëj thirrje bashkëkombasve të mi, për të votuar njërën apo tjetrën, ose akoma më mirë, asnjërën parti shqiptare!

Por një gjë mund t’u them me bindjen e plotë: vota për ata që sot quajnë veten “opozitë”, nuk është votë për “shpëtim” nga BDI! Aq më pak votë për “ndryshim”!

Vet përvoja e viteve të fundit, na mëson që të mos votojmë një parti, vetëm e vetëm për të ndëshkuar një parti tjetër! Sepse gabimi paguhet shtrenjtë! Ashtu menduam, kur votuam PPD-në (jo se kishim për të zgedhur), vetëm e vetëm për të shporrur partitë sllave dhe pushtetin monist. Pastaj vuajtëm për të hequr PPD-në, që u bënë më zi se ata që “shporrëm”. Zgjodhëm PDSH-në vetëm e vetëm për të hequr PPD-në. Pastaj, bëmë luftë për të hequr PDSH-në, për ta zëvendësuar me BDI-në. Tani na thonë të votojmë ca mashtrues, që deri dje bashkëqeverisën me BDI-në në pushtet, vetëm e vetëm për të hequr BDI-në “të keqen më të madhe”. Që pas ca vitesh përsëri të bëjmë luftë për ti hequr këta mercenarë të tjerë, që mezi presin të lëshojnë rrënjë në pushtet!

 

IluzioniShqiptarët në ish IRJM nuk kanë nevojë të “shpëtojnë” nga BDI apo nga cilado parti tjetër shqiptare, por nga kushtetuta që i diskriminon duke i trajtuar si pakicë. Anëtarët e BDI, ashtu edhe gjithë shqiptarët e tjerë, anëtarë të partive tjera shqiptare, duhet të shpëtojnë nga injorantët, mercenarët, oligarkët, të shiturit… në krye të këtyre partive, që mbajnë peng të ardhmen e shqiptarëve duke përfituar nga ky diskriminim, të shpërblyer për heshtjen dhe miratimin e tyre.

Në vend të etiketimit si “radikal”, pa e ditur kuptimin shqip të fjalës “rrënjë, rrënjësor”, të kërkojmë ndryshime rrënjësore të statusit kushtetues të shqiptarëve në këtë shtet, duke kërkuar ndryshime rrënjësore të kushtetutës, duke kushtëzuar partitë shqiptare me votën tonë, si brenda, ashtu edhe jashtë këtyre partive.

Kjo është lufta për të ardhmen, për fëmijët tanë, që sot duhet ta bëjë çdo shqiptar në ish IRJM, qoftë anëtar i partive shqiptare, i iniciativave qytetare, apo qytetar i pavarur.

Afrim Fanda

 

Çka tha Arben Taravari në një intervistë në Plusinfo: 

Vlen të mendojmë për një “KUSHTETUTË QYTETARE” Arben Taravari propozon një ide të guximshme në prag të zgjedhjeve.

Disa zgjidhje në Kushtetutën e Maqedonisë nga viti 1974 ishin më liberale sesa zgjidhjet në Kushtetutën e tanishme” të sanuar”, tha në edicionin e ri të podcast-it Plusinfo, Arben Taravari, kandidat për president i koalicionit “VLEN”.

“Neve ndoshta na duhet një kushtetutë qytetare dhe duhet të mendojmë për këtë opsion”, tha Arben Taravari, kandidati presidencial i opozitës së bashkuar shqiptare, në një bisedë me gazetarin Branko Geroski, duke konfirmuar se kushtetuta qytetare do të thotë se Maqedonia definohet si shtet i të gjithë qytetarët që jetojnë në të.  (https://plusinfo.mk/vredi-da-razmislime-i-za-gra-anski-ustav-arben-taravari-predlaga-smela-ide-a-vo-presret-na-izborite/)

Sa për informim, politikanët maqedonas si Branko Cërvenkovski dhe Ljubomir Fërçkovski ishin ata që tentonin që të hiqen nacionalitetet nga kushtetuta dhe ishin ideatorët / përkrahësit e Kushtetutës Qytetare për Republikën e Maqedonisë ndërsa politikani si Arbër Xhaferi ishte kundër Kushtetutës Qytetare!