Ndiqni intervistën e realizuar nga Moderatorja Ermira Selami në TV KOHA – profili i kandidatit me Kandidatin për Kryetar të Komunës së Tetovës z. Afrim Ibrahimi Fanda.
Kategoritë: Nga këndi im
Nga këndi im
“Rruga drejt” TV Alsat nuk fton kandidatin e LDSH-së z. Afrim Ibrahimin-Fandën në debatin për Tetovën
Në faqen e tij të Facebook-ut, z. Afrim Ibrahimi-Fanda njofton që nuk ishte i ftuar në këtë emision, gjegjësisht sqaron mospjesëmarrjen e tij në emisionin “Rruga drejt” të TV Alsat në debatin për Tetovën.
Ja edhe shkrimi në origjinal:
Të dashur miq,
Të dashur bashkëqytetarë,
pas emitimit më datë 7.10.2021, në “Rruga drejt” TV Alsat, të debatit të katër kandidatëve shqiptarë për kryetarë komune, shumë qytetarë u befasuan dhe disa nga ata më pyetën se pse nuk isha pjesëmarrës në atë debat.
Me këtë njoftim, dua të informoj opinionin, se unë nuk jam kontaktuar nga TV Alsat dhe nuk jam ftuar në këtë debat.
Unë kuptoj shqetësimin e atyre që kërkojnë nga mediat të heshtin kandidimin tim, i cili çrregullon pazaret e ndarjes së pushtetit.
Por me këtë rast, për mua është akoma më me rëndësi, që të njoftoj përkrahësit e mi, se unë kurrë nuk do të marr pjesë në teatro të tilla neveritëse, me aktorë të dobët dhe të njohur për qytetarët, me role të ndara sipas marrëveshjes mes tyre, dhe të mësuara përmendësh.
Aktorë të dobët, por me entuziazëm për shpërblimet që u janë premtuar secilit – kush do te bëhet rektor, kush do të mbetet drejtor në drejtori të BDI-së, kush në pushtetin lokal e kush në qeveri!
Teatër që ka po të njëjtin regjisor, dhe me po të njëjtat premtime dhe mashtrime si në pazaret për pushtetin qendror.
Në këtë kohë krize energjetike dhe financiare të paralajmëruar në gjithë Evropën, kur gjithandej jepen mesazhe per qeverisje me kursime ekstreme, ky teatër i paskrupull nxjerr zbuluar shqetësimin dhe preokupimin e vetëm të këtyre subjekteve politike dhe marrëveshjen për fshehjen e keqpërdorimeve të bëra në qeverisjen e komunës, vazhdimësinë në pushtet, dhe vazhdimësinë e keqpërdorimeve dhe përfitimeve në kurriz të qytetarëve të Tetovës.
thuhet ne përfundimin e shkrimit të huazuar nga facebook-u https://www.facebook.com/afrim.fanda i z. Afrim Ibrahimi-Fandës.
Z. Afrim Ibrahimi Fanda: Pse refuzova TV Telma – debatin me kandidatët e tjerë për kryetarë komune të Tetovës
Dje (30 shtator 2021), TV Telma ftoi kandidatin e Lëvizjes për Shtet dhe Drejtësi, z. Afrim Ibrahimi Fanda, në një emision debati me kandidatët e tjerë për kryetarë komune të Tetovës.
Teksti i refuzimit të pjesëmarrjes, që kandidati ynë i’a nisi gazetares së TV Telma, nuk u lexua i plotë nga drejtuesja e emisionit, ndaj e gjeni në vazhdim:
Unë sinqerisht ju falënderoj për ftesën tuaj, por nuk gjej asnjë motiv për t’iu drejtuar bashkëqytetarëve të mi të grupit etnik që janë shikuesit tuaj, për arsyen e thjeshtë se ato vota tashmë janë premtuar dhe rezervuar publikisht – pjesë për kandidatin e BDI -së ose thënë më mirë LSDM, dhe pjesë për kandidatin e Aleancës së Shqiptarëve, ose thënë më mirë VMRO!
Prania në një panel me përfaqësues të partive të korruptuara, të cilët, si në raste të tjera të ngjashme, shtrembërojnë situatën reale dhe konkurrojnë me njëri tjetrin për të bërë premtime boshe, është në kundërshtim me të gjitha parimet e mia.
Unë jam i vetëdijshëm se bashkëqytetarët e mi joshqiptarë, në shikim të parë, kanë arsye për t’u besuar partive të tyre, të cilat kanë ekskluzivitetin e qeverisë qendrore, dhe sipas direktivës së tyre, ata tradicionalisht të orientojnë votën e tyre drejt përfaqësuesve të korruptuar shqiptarë që i shërbejnë kësaj qeverie. Por koha tashmë ka treguar se kjo është e gabuar në planin afatgjatë.
Pse?
Sepse, kur përfaqësuesit e dëgjueshëm të këtyre partive shqiptare duhet të shpërblehen për shërbimet e tyre, zakonisht me duar të lira dhe bashkëpunim në korrupsion dhe krim, ne kemi një qytet që nuk është i mirë për jetesë për askënd, pavarësisht nga përkatësia etnike: një qytet i ndotur, pa ujë të pijshëm, me spitale ku pacientët, në vend se të shërohen, digjen të gjallë, pa zona të gjelbëruara, pa parkingje, me kazino në çdo cep, …!
Qytetarët e Tetovës meritojnë një qytet me kushte më të mira jetese, por kjo sigurisht që nuk do të vijë nga burokratët partiakë dhe kryebashkiakët tashmë të sprovuar, të cilët mbijetojnë në saje të abuzimeve, thuhet në tekstin e dërguar nga Lëvizja Për Shtet Dhe Drejtësi.
Pse duhet të votoni për Afrim Ibrahimin – Fanda për kryetar të Tetovës? – Intervistë
Lëvizja për Shtet dhe Drejtësi (Parti më e re me seli në Tetovë ) bëri para disa ditësh publike kandidaturën e saj për kryetar të komunës së Tetovës, e ai është Afrim Ibrahimi – Fanda.
Afrim Ibrahimi – Fanda, është një figurë e pastër politike, me qëndrime korrekte politike tanimë të njohura për gjithë opinionin publik, i cili bashkë me LSHD, në këto zgjedhje lokale do t’i i sjelli qytetit një ofertë të re politike, me synimin për të kthyer komunën e Tetovës në shërbim të qytetarëve të Tetovës. Për më tepër lexoni intervistën e tij ku tregon se pse vendosi të kandidohet për kryetar të komunës dhe projektet e tij për Tetovën:
Kush është Afrim Ibrahimi – Fanda
Jam një qytetar i Tetovës, i lindur dhe rritur në Tetovë. Me profesion jam mjek-psikiatër. Kam punuar dhe akoma vazhdoj, si drejtues i përfaqësive të dy kompanive të njohura farmaceutike në Tiranë, ku fitova një përvojë të vlefshme menaxhuese. Vajtja ime në Tiranë ka qenë vazhdimësi e studimeve. Në Tiranë m’u mundësua përsosja profesionale dhe karrierë e pavarur nga politika, që në Tetovë qe, dhe vazhdon të jetë e pamundur. Kurrë nuk jam ndjerë i larguar nga Tetova, as fizikisht, as emocionalisht. Edhe këtu, si në Tetovë, kam qenë në vendin tim, dhe çdo zhvillim në Tetovë e kam ndjekur sikur të isha aty.
Disa më thonë: nuk të njohin në Tetovë! Nëse “të njohur” të bëjnë korupsioni, pasurimi i shpejtë në ministritë dhe drejtoritë e pushtetit të BDI (LSDM) dhe VMRO, makinat e shtrenjta me targa të Shkupit, – e vërtetë është, nuk më njohin, dhe kjo nuk më komplekson. Përkundrazi më bën krenar. Mua më njohin të gjithë ata që dinë historinë e sakrificave dhe kontributit tim dhe të familjes time. Më njohin të gjithë ata që kanë lexuar dhe vazhdojnë t’i lexojnë shkrimet e mia kritike ku shpalos vetëm të vërtetën për gjendjen e popullit tim. Disa më thonë se nuk jam prezent në fushatë, si rivalët e mi. Kjo, sepse nuk mendoj se bilbordet dhe videospotet e shtrenjta ku shiten gënjeshtrat si të vërteta, do t’u sjellin diçka të re qytetarëve. Për këtë jemi dëshmitarë të gjithë ne. Unë jam këtu për t’u ofruar të vërtetën, e cila nuk shitet dhe nuk blihet. Jam këtu për të zgjatur dorën bashkëqytetarëve të mi që bashkë të ndalojmë njëherë e mirë këtë keqpërdorim që i bëhet qytetit të Tetovës.
Pse vendoset të kandidoni për kryetar të komunës së Tetovës:
Me dekada jemi dëshmitarë të degradimit të qytetit nën qeverisjen e koalicioneve të partive shqiptare me VMRO edhe me LSDM, gjithmonë duke u nisur nga interesa të individëve dhe klaneve brenda këtyre partive. Madje, është vetë kryetarja aktuale që ka qeverisur me Tetovën, në koalicion edhe me VMRO fillimisht, edhe me LSDM në vazhdim. Pasojat janë të dukshme për të gjithë. Janë ofertat e pafytyra, arrogante dhe fyese për qytetarët e Tetovës, që vijnë nga po këto koalicione, tani të kombinuara ndryshe, që më bënë të kandidoj, me një alternativë të re, ndryshe nga të sipërpërmendurat.
Oferta e LSDM, e ambalazhuar me ngjyrën e “blertë” të BDI-së, i konsideron qytetarët e Tetovës për budallenj, duke kandiduar po të njëjtën kryetare të komunës, edhe pas masakrës së bërë qytetit gjatë dy mandateve të kaluara. Ndërkaq, edhe oferta e koalicionit VMRO/ASH/AAA është poaq kriminale dhe ofenduese. Është kriminale sepse tenton që të përfitojë nga fatkeqësia e qytetarëve të Tetovës, mu sikur pacientit t’i shesësh ilaçe falso. Është ofenduese, sepse janë po ata politikanë të ASH, të cilët në vitin 2017 ua paraqisnin shqiptarëve LSDM-në si shpëtimtare, që do t’i shpëtonte nga VMRO e korruptuar dhe kriminale, tani ua paraqesin VMRO-ne si shpëtimtare nga LSDM. E si t’u besojnë qytetarët e Tetovës këtyre politikanëve të cilët mendjen e kanë vetëm tek akomodimi në pushtetin qendror, herë me LSDM, e here me VMRO!?
Platforma ( Projekti ) juaj për Tetovën:
Të gjitha problemet që ka Tetova janë të zgjidhshme. Tetova nuk është e varfër, por i mungon qeverisje e mirë. Ndërprerja e keqpërdorimeve të thella me buxhetin e komunës dhe transparenca e plotë mbi buxhetin dhe shpenzimet është thelbësore, duke vijuar me vjelje të drejtë të taksave pa favorizime partiake; investime në projekte të përgaditura nga ekspertë jopartiakë; risistemimi i ndërmarrjeve publike, për t’i bërë ato funksionale në shërbim të qytetarëve; kthimi i të gjitha pronave publike të tjetërsuara në mënyrë mafioze dhe shndërrimi i tyre në oaza gjelbërimi; zgjidhja njëherë e mirë e problemit të ujit të pijshëm; ndërtimi i parkingjeve nëntoksore, kudo që është e mundur; risistemimi i trafikut, me rrugë njëkahëshe dhe kufizime trafiku për automjetet…etj
Mesazhi juaj drejtuar banorëve të komunës së Tetovës:
Shpresoj që tetovarët, në këto zgjedhje, t’u japin një leksion të mirë, këtyre dy koalicioneve joparimore, që herë vishen me petkun e patriotizmit, e herë të vëllazërim-bashkimit, por gjithmonë me një qëllim: të qenit në pushtet me çdo çmim, për interesa të veta, në dëm të qytetarëve.
Këtë herë ata kanë alternativën për të votuar për veten e tyre, për qytetin e tyre!
Mua më gjeni me Nr. 18!
Ju faleminderit.
ShqipMedia
Shqiptarët në ish IRJM – nga integrimi në BE përmes marrëveshjes së Prespës, në “minishengenin” e Serbisë!
“A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?” ishte pyetja e referendumit të organizuar me 30 shtator të vitit 2018. “Nga 1 tetori Maqedonia do të jetë pranë vendeve ku ne aspirojmë, pranë Bashkimit Evropian…” deklaroi me këtë rast kryetari i BDI, Ali Ahmeti. “Me votimin e sotëm Maqedonia do të shkëputet nga e kaluara për të ecur rrugës drejt vlerave evropiane e perëndimore” deklaroi kryetari i ASH, Ziadin Sela. “Me Marrëveshjen e Prespës, ne e kemi hapur derën dhe e kemi prekur me dorë integrimin euro-atlantik” deklaroi kryetari i AAA, Afrim Gashi. “Një mundësi për integrimin e vendit në BE dhe NATO dhe një mundësi më e mirë për faktorin shqiptar dhe për rolin e tyre shtetformues në Maqedoni” Deklaroi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Referendumi dështoi, duke mos arritur pragun prej 50% të trupit të përgjithshëm votues, por kjo nuk pengoi partitë shqiptare parlamentare, që të gjitha, pa përjashtim, më 11.01.2019, pa ASNJË KUSHTËZIM me avancimin e statusit kushtetues të shqiptarëve, të votojnë ndryshimet kushtetuese, duke kurorëzuar kështu procesin e Marrëveshjes së Prespës në shërbim të pazarllëqeve për identitetin “maqedonas”. Gjithmonë duke premtuar shqiptarëve si shkëmbim, integrimin në BE.
Por, më 29 korrik 2021 parlamenti i ish IRJM, me 95 vota “për”, përfshirë të gjithë deputetët e partive shqiptare, miratoi rezolutën e propozuar nga partia e opozitës VMRO-DPMNE e cila faktikisht përcaktoi vijat e kuqe për integrimin në BE, duke përcaktuar identitetin, gjuhën maqedonase dhe të kaluarën historike të përvetësuar, të pa negocijueshëm në kontestin me Bullgarinë, e cila ka vënë veton për hapjen e negociatave për ish IRJM. Me këtë, shpresat e Zaev për hapjen e negociatave, e njëkohësisht edhe premtimet e partive shqiptarëve për integrim në BE, mbështeten kryekëput në një ndryshim të politikës bullgare për të hequr veton e kushtëzuar me pranimin e autoriteteve të ish IRJM se gjuha dhe historia është e përbashkët me Bullgarinë. Por meqë në Bullgari nuk ka parti politike shqiptare, që do të votonin sipas urdhërit të Zaev, e edhe kryeministrit Rama nuk arriti ta bindi homologun e tij bullgar që të heqi dorë nga interesi kombëtar i Bullgarisë, shpresat për këtë, pothuajse nuk ekzistojnë, ndaj më 29.07.2021, kryeminstrat Zaev, Vuçiç dhe Rama, të deklaruar si të zhgënjyer nga BE, firmosën marreveshjen ndërshtetërore për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë, si karshillëk BE-së, fillimisht të quajtur “Minishengen”, e para pak ditësh të riemëruar në “Ballkani i Hapur”. “Mjaft pritëm BE-në… ndjehem i mashtruar nga BE për shkak të procesit të ngadalshëm të pranimit” arsyetoi nismën e “Minishengenit”, kryeministri Zaev. “Reagimet negative të Prishtinës, Sarajevës dhe Podgoricës për “Open Ballkan” janë të parëndësishme, sepse qëndrimet e qytetarëve sipas analizave janë pozitive, dhe për të bashkuar” shtoi ai duke kritikuar Albin Kurtin për qëndrimin kundër “Open Ballkan”. “Kur ata (lexo: BE) të jenë gati, të na thonë” ironizoi kryeministri Rama, duke e vënë në zbatim kërcënimin e tij, të deklaruar pak ditë më parë se: “Po qe se s’na pranoni ju, të tjerët do të na pranojnë, dmth aktorë të tretë do të vijnë tek ne”. “Ne do vijojmë të nxisim e nxisim dhe punojmë për ti bërë vendet tona si shtete me standarde europiane” shtoi kryeministri Rama.
Ndaj dhe bashke me kryeministrin Zaev krijuan “BE-në” alternative, atë të Serbisë, ku sipas mediave prestigjioze perëndimore, klani mafio-politik ka arritur deri në krye të institucioneve të shtetit, me në krye Vuçiçin, ish zyrtarin e Partisë Radikale Serbe gjatë luftës në Bosnje, e cila kishte formacionet e saj paramilitare në fushat e betejës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci dhe ish ministrin e Informacionit në qeverinë e Slobodan Millosheviçit, i cili deklaroi se për një serb të vrarë në Bosnje do të vriteshin 100 “muslimanë”.
Të dashur bashkëkombas të mi, ndjeheni të mashtruar dhe të tërhequr për hunde nga përfaqësuesit tuaj politik?
https://www.youtube.com/watch?v=pZRoxmvYHBw
Afrim Fanda
Milosh Çiriç: “Marshimi në Odën e Gëzimit”
Korrupsioni i përfaqësuesve politik të shqiptarëve, në shërbim të “stabilitetit të rajonit”!?
Politikanët e shitur, janë detyrimisht të korruptuar, dhe politikanët e korruptuar janë detyrimisht të shitur!
Përfaqësues politik të pakorruptuar të shqiptarëve, do ta rrezikonin seriozisht sistemin qeverisës unitar të ish IRJM, në kërkim të njësisë shtetërore që u takon si bashkësi e dytë më e madhe në shtet. E duke rrezikuar karakterin unitar të shtetit, do ta rrezikonin seriozisht projektin e identitetit të përvetësuar, i cili pas Marrëveshjes së Prespës, dhe vetos bullgare për integrim në BE, mbahet në këmbë vetëm në kurriz të shqiptarëve.
Pas refuzimit të dhënies së datës për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për fillimin e negociatave për integrim në BE, kryeministri Zoran Zaev dhe kryeministri Edi Rama, në Konferencën e Ohrit me temë “Forumi i Prespës për Dialog” akuzuan BE-në për këtë dështim. Për kryeministrin Zaev “problemi është vetë Bashkimi Europian”, siç u shpreh vet ai, sepse “nuk po arrin të gjejë një mënyrë për të siguruar integrimin e merituar të Ballkanit Perëndimor”. Ndaj dhe u dërgoi mesazh qytetarëve dhe politikanëve evropianë se “alarmi është i ndezur, thelbi dhe vlerat e Bashkimit Evropian janë në pikëpyetje”. Ngjashëm me “mikun, kolegun, shokun, vëllain…” e tij, por me një gjuhë shumë më vullgare, kryeministri Rama, pasi kishte folur me “Zoranin” dhe “Aleksandrin” shkoi akoma më larg, duke kërcënuar BE-në se “Po qe se s’na pranoni ju, të tjerët do të na pranojnë, dmth aktorë të tretë do të vijnë tek ne”. Këto deklarata arogante të kryeministrit Rama pasuan pas vizites së tij në Sofje, në qershor të këtij viti, ku ai u mundua të bindi homologun e tij bullgar, që të heqi dorë nga mbrojtja e interesave kombetare të Bullgarisë në ish IRJM, duke dhënë shembullin e tij personal. Miqësia e tij me “Zoranin” e kishte magjepsur kaq shumë kryeministrin Edi Rama, saqë harroi fare se në “shtetin e Zoranit”, jane, edhe sipas regjistrimit te popullsisë të para 20 viteve, mbi pesëqind mijë shqiptarë me status kushtetues prej pakice, interesat e të cilëve i takojnë atij per ti mbrojtur, si kryeminstër i Shqipërisë.
Ndihmës-sekretari i Shtetit të SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë Filip Riker (Philip Reeker), gjithashtu i pranishëm në këtë forum, nuk ishte i të njëjtit mendim me dy kryeministrat. Natyrisht, pozicioni prej diplomati nuk i’a lejonte atij që të ishte kaq i drejtpërdrejtë, sa për t’u thënë të dy kryeministrave se me çfar mendje akuzojnë BE-në për këtë dështim, në një kohë që vet kryeministri Rama këto ditë deklaroi se 70% e tenderave të organizuar nga qeveria që përfaqëson, janë abuzivë (korruptivë)! Ndërsa në një takim të para pak ditëve me drejtuesit lokal të policisë së shtetit, i akuzoi ata për “rastet e shpeshta të korrupsionit dhe bashkëpunimin me krimin”, duke folur për ndërtimet pa leje. E nëse në Shqipëri, me insistimin dhe ndihmën e pakursyer të SHBA dhe BE, u bë një punë kolosale për reformën në drejtësi, në ish IRJM është akoma po ai gjyqësor, i paprekur që nga koha e komunizmit. Shqiptarët viktima të komunizmit nuk u dëmshpërblyen kurrë, përkundrazi, diferencimi ideopolitik i shqiptarëve vazhdon edhe sot e kësaj dite, dhe është çelës i zbatuar rregullisht për punësimin e shqiptarëve në institucione shtetërore, pozicione partiake etj. Komisioni i Lustracionit u shndërua në një komedi, ndërkohë që bashkëpunëtorë të UDB-së, të njohur me emra dhe mbiemra, dhe të denoncuar publikisht nga dëshmitarë, sot i gjen në poste publike shtetërore, ministra, ambasadorë…. Prokuroria speciale Publike e krijuar për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta të politikës, dështoi në mënyrën më të turpshme, dhe u shuajt pas gjykimit për korrupsion të vet kryeprokurores speciale . Regjistrimi i popullsisë, i politizuar skajshmërisht, dështoi të realizohet për herë të dytë, edhe pas pothuajse 20 vitesh që nga regjistrimi i fundit. Ndërtimet pa leje të mundësuara nga zyrtarë të korruptuar të shtetit gëlojnë gjithandej, e korrupsioni është i shtrirë në çdo institucion të shtetit.
Ndaj dhe mesazhi i zotit Riker në konferencë, ishte më se i qartë: “…ish IRJM akoma duhet të bëjë hapat e domosdoshëm siç është vazhdimi i reformave, përforcimi i qeverisjes të së drejtës, lufta kundër korrupsionit, rritja e transparencës…”.
A mundet kryeministri Zaev të luftojë korrupsionin tek përfaqësuesit politik të shqiptarëve, në një kohë që ata janë faktori kyç për mbajtjen në këmbë të shtetit komb, unitar të ish IRJM!? Përfaqësues politik të pakorruptuar të shqiptarëve, do ta rrezikonin seriozisht sistemin qeverisës unitar të ish IRJM, në kërkim të njësisë shtetërore që u takon si bashkësi e dytë më e madhe në shtet. E duke rrezikuar karakterin unitar të shtetit, do ta rrezikonin seriozisht projektin e identitetit të përvetësuar, i cili pas Marrëveshjes së Prespës, dhe vetos bullgare për integrim në BE, mbahet në këmbë vetëm në kurriz të shqiptarëve. Ndaj dhe kryeministri Zaev refuzoi të ndiqte shembullin e R. Shqipërisë për reforma në drejtësi, duke refuzuar propozimin e BE për vettingun për gjyqtarët dhe prokurorët, me arsyetimin se “vendi i tij nuk duhet të përfundojë si Shqipëria ku institucionet e drejtësisë janë zbrazur dhe vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese”. Pra, kryeministri Zaev pranoi se sistemi i drejtësisë në ish IRJM është i tillë, që me aplikimin e vetingut, institucionet do ngeleshin të zbrazur! Ndaj në vend të reformave në drejtësi, ashtu si paraardhësit e tij, ai zgjodhi që sistemi i drejtësisë të vihet në shërbim të “intersave më të larta të shtetit” duke lejuar korrupsionin tek përfaqësuesit shqiptarëve, për të mbajtur në këmbë identitetin dhe shtetin komb të “maqedonasve”. Ndaj dhe prokuroria e pareformuar e ish IRJM vendosi për të mbyllur hetimin ndaj exponentëve të BDI, përfshirë këtu edhe hetimin ndaj zv. kryeministrit Bujar Osmani në rastin ‘Pacient’!? Pikërisht këtë politikan me përvojë në aktivitete të pamoralshme, kryeministri Zaev e zgjodhi për ministër të jashtëm për të vazhduar betejën e pamoralshme në mbrojtje të gjuhës dhe historisë, të përvetësuar nga bullgarët. Pikërisht përfaqësuesit e tillë të korruptuar të shqiptarëve, mundësuan formimin e qeverisë së LSDM, në shkëmbim të paprekshmërisë për veprat e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, të konsumuar në bashkëqeverisje me VMRO. Zyrtar të tillë të korruptuar votuan ndryshimet kushtetuese që dolën nga Marrëveshja e Prespës, pa e kushtëzuar këtë me statusin kushtetues prej shtetformuesi për shqiptarët në ish IRJM.
Por, si mund ta luftojnë shqiptarët korrupsionin në radhët e përfaqësuesve të tyre, pa ndihmën e shtetit në duart e partive sllave? E thjeshtë – duke luftuar politikanët shqiptarë të shitur do të luftojnë edhe korrupsionin. Sepse, politikanët e shitur, janë detyrimisht të korruptuar, dhe politikanët e korruptuar janë detyrimisht të shitur!
Afrim Fanda
Heshtja, e vërteta e pathënë deri në fund dhe zgjidhjet e pjesëshme politike
“Bashkimi mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të ishte gjë e mirë… jam i bindur që këto ide janë ide të individëve, se ata janë në pakicë dhe nuk do të kenë të ardhme…” deklaroi kryeministri Zoran Zaev, në intervistën e tij dhënë televizionit N1, pak ditë pasi Ali Ahmeti, vegla politike e tij, ishte deklaruar kundër bashkimit kombëtar, duke përdorur si kundërargument pikëristh rënien e murit të Berlinit, dhe bashkimin e Gjermanisë së ndarë pas luftës së dytë botërore!
Në fakt z. Zaev nuk është as i pari, as i fundit nga fqinjët tanë, me këtë qasje arrogante të imponimit të vullnetit të tyre politik. Në historinë e “re” të kësaj pjese të Gadishullit Ilirik, Serbia arriti që në vitin 1945 të shpikte kombin “maqedonas” dhe shtetin “Maqedoni”, duke ua imponuar me dhunë shqiptarëve shtetin dhe statusin e pakicës në këtë shtet. Greqia kontestoi një kohë të gjatë të drejtën e përdorimit të emrit “Maqedoni”, duke e përmbyllur me sukses projektin e saj të mbrojtjes së interesave greke përmes Marrëveshjes së Prespës. Marrëveshje ku shqiptarët u trajtuan, e për fat të keq edhe vet u sollën, thjesht si spektator, pa të drejtën e vendimmarrjes. Ndërkohë Bullgaria, priti me vetëbesim dhe durim, pesë minutat e saja për të mbrojtur interesat e saja në këtë shtet sajesë të Serbisë, duke ngritur me sukses çështjen e abuzimit shumëvjeçar me gjuhën dhe historinë e tyre.
Por cfarë është ajo që i dha guximin kryeministrit Zaev për këtë deklaratë kaq arrogante dhe ofenduese për shqiptarët, për tu dhënë atyre leksione publike se çfarë është mirë, e çfarë nuk është mirë për ta!? Për të imponuar publikisht, me arrogancë dhe paturpësi, vullnetin e fqinjëve mbi atë të shqiptarëve, me deklarimin se “bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk është e ardhmja që duan popujt në rajon”!?
Është pikërisht klasa politike shqiptare, e kapur dhe kriminalizuar, servile ndaj politikës zyrtare të BE dhe e nënshtruar ndaj politikave hegjemoniste të fqinjëve, me deklaratat e tyre për bashkimin kombëtar si “ide të tejkaluara”, vetëm e vetëm për të vazhduar të papenguar në veprimtaritë e tyre korruptive dhe kriminale në pushtet! Është loja e zgjidhjeve të pjesshme e partive shqiptare në pushtet dhe e atyre që synojnë (pa kushte) pushtetin, duke i paraqitur këto si kauza dhe të arritura të tyre në vend të zgjidhjes tërësore dhe përfundimtare të çështjes së shqiptarëve në ish IRJM. Ndaj të gjitha partitë shqiptare votuan ligjin mbi gjuhët, i cili shqiptarët i trajton si pakicë që duhet të plotësojë përqindjen 20% për të gëzuar të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Por kjo nuk i pengoi ata që para dhe pas votimit të këtij ligji, të krekosën para kamerave për “kauzën” dhe “të arriturën” e madhe, të cilën sot një pjesë e tyre e quajnë ligj diskriminues për shqiptarët. Lëvizja Besa, në marrëveshje me kryeministrin Zaev, lançoi kauzën e grafës së etnisë në letërnjoftimet e reja, duke e paraqitur atë si “të arriturën” më të madhe për shqiptarët. Kryeministri Zaev me vonë e hodhi poshtë këtë mundësi, por kjo nuk e pengoi LB të vazdonte e qete pjesëmarrjen në qeveri. “Kauza” e fundit, është propozim-ligji për shtetësi, i shpallur nga koalicioni Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativa, njëkohësisht edhe si kusht për pjesëmarrje në qeverinë e zgjëruar të kryeminstrit Zaev.
Pak ditë para deklaratave të kryeministrit Zaev, në media dhe rrjetet sociale shpërtheu revolte e ashpër e qytetarëve shqiptarë, e nxitur nga shqiptimi i dënimeve mesjetare në procese gjyqësore politike të montuara, dhe ofendimet e rradhës në tekstet mësimorë të historisë përplot falsifikime, nga ana e Ministrisë së Arsimit të ish IRJM. Madje u organizuan edhe protesta ndaj proceseve të montuara para qeverisë së ish IRJM, që përfunduan me shqiptarë të tjerë të burgosur.
Por, për fat të keq, ajo që karakterizon këto reagime dhe protesta, është po ajo qasje e pjesshme, si e partive politike. Është heshtja ose e vërteta e pathënë deri në fund për shtetin e definuar në kushtetutë si shtet komb i sllavëve të vetëquajtur “maqedonas” që ka nevojë për ekspeditat policore dhe proceset e montuara politike për shqiptarët, për të treguar se kush është “zot shpie”. Është heshtja ose e vërteta e pathënë deri në fund për identitetin, gjuhën dhe historinë e përvetësuar “maqedonase” që ushqehet me fasifikime të historisë dhe që të vërtetën mbi historinë dhe autoktoninë e shqiptarëve e konsideron kërcënim për shtetin dhe identitetin e ndërtuar mbi të pavërteta, përvetësime dhe mashtrime. Është prirja për të protestuar për padrejtësitë, një nga një, në vend të denoncimit të diskriminimit sistematik, në të gjitha institucionet e shtetit, të mundësuar nga vet kushtetuta. Ndaj dhe gjërat nuk ndryshojnë!
Gjërat do të fillojnë të ndryshojnë vetëm kur qytetaret dhe qytetarët shqiptarë, të vetëdijesohen dhe të mbledhin guximin për të shfrytëzuar të drejtën dhe përmbushur obligimin qytetar për të deklaruar pa frikë vullnetit e tyre politik, për të drejtën e pajetërsueshme për të jetuar të bashkuar si komb, ashtu si gjithë popujt në Evropë! Kur në vend të ligjeve gjysmake të këmbëngulin për rishikimin rrënjësor të kushtetutës, si burimin e diskriminimit të shqiptarëve si bashkësi etnike e jo si individë. Kur në vend të zgjidhjeve të pjesshme dhe afatshkurtra, të këmbëngulin për zgjidhje tërësore, përfundimtare dhe afatgjate të çështjes së tyre.
Deri atëherë do të jenë të tjerët që vendosin se cfarë është e mirë, e çfarë nuk është mirë për ta!
Afrim Fanda
Shqiptari i indoktrinuar dhe manipuluar përmes fesë në shërbim dhe synime POLITIKE të shteteve të treta
LIRIA DHE QYTETËRIMI
“LIRIA ËSHTË PRODUKT I NJË QYTETËRIMI TË PJEKUR”
QYTETËRIM m.
- Veprimi sipas kuptimeve të foljeve QYTETËROJ, QYTETËROHEM. Në rrugën e qytetërimit.
2. Tërësia e arritjeve në fushën e kulturës materiale e shpirtërore dhe në zhvillimin shoqëror, që karakterizojnë një formacion ekonomiko-shoqëror ose një popull a vend të caktuar; shkallë e lartë e këtij zhvillimi. Qytetërimet e lashta. Qytetërimi shqiptar. Lindja (shuarja, zhdukja) e një qytetërimi.
3. ek. Periudha e tretë e zhvillimit të shoqërisë së lashtë, pas egërsisë e barbarisë, në të cilën njeri e ngre në një shkallë më të lartë prodhimin dhe kulturën.
QYTETËROHEM vetv.
- Ngrihem në një shkallë më të lartë zhvillimi, duke marrë edukatë, arsim, kulturë etj., bëhem i qytetëruar.
2. Pës. e QYTETËROJ.
QYTETËROJ kal.
- E ngre në një shkallë më të lartë zhvillimi, duke i dhënë edukatë, arsim, kulturë etj.; e shpie drejt një mënyre jetese më të lartë e më të kulturuar.
QYTETËRUAR mb.
- Që ka arsim e kulturë dhe që di të sillet në shoqëri; i edukuar. Njeri i qytetëruar.
2. Që është në një shkallë të lartë zhvillimi shoqëror, kulturor e material. Komb i qytetëruar. Vend i qytetëruar. Popull i qytetëruar.
QYTETËRUES mb.
- Që sjell qytetërim, që përhap qytetërimin. Rol qytetërues. Veprimtari qytetëruese.
“LIRIA ËSHTË PRODUKT I NJË QYTETËRIMI TË PJEKUR”
Prandaj, jo rastësisht, Rilindasit, por edhe në vazhdimësi, gjeneratat e arsimtarëve dhe patriotëve, iu përkushtuan arsimimit, edukimit dhe qytetërimit të kombit tonë.
Por, automatikisht lind edhe pyetja, pse dështojmë në ndërtimin e shoqërisë shqiptare? A janë ose sa janë të qytetëruar udhëheqësit dhe vendimmarrësit e partive politike shqiptare në trojet shqiptare!?