Kategoritë: Shqipëria

Lajmet nga Shqipëria

Serbia pret atmosferë të nxehtë në Elbasan

Ndeshja më e rëndësishme në kualifikimet për Kampionatin Evropian të futbollit do të mbahet në kushte shumë të nxehta. Mediat serbe njoftonë për provokime dhe incidente. Ndërsa lojtarët përpiqen të ulin tensionet.

incidenti ne fushe“Provokime të rënda në Tiranë, qëllohet me gurë autobusi i kombëtares së Serbisë”, “Tirana dhe Elbasani të mbyllura hermetikisht”, “Shqiponjat serbe të gatshme”, “Provokimet janë gati”, “Shqiptarët kanë premtuar se të gjitha do të jenë në rregull” – janë këto vetëm disa nga titujt e shumtë të mediave serbe, me të cilat përshkruhet atmosfera në Shqipëri në prag të ndeshjes më të rëndësishme për Shqipërinë në kualifikimet për Kampionatin Evropian.

tifozi serb ne fushePresidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Tomisllav Karaxhiq ka paralajmëruar se vazhdimi i incidenteve mund të rrezikojë mbajtjen e ndeshjes Shqipëri-Serbi. Ai ka paralajmëruar se ndeshja në “Elbasan Arena” nuk do të luhet nëse ndodh sërish ndonjë incident. Ndërsa Ministria e Jashtme në Serbi i ka dorëzuar një notë proteste ambasadorit shqiptar në Beograd, Ilir Boçka, lidhur me hedhjen e gurëve në drejtim të autobusit me lojtarë serbë. Por njoftohet se ambasadori shqiptar e ka refuzuar këtë notë.

Tema e sigurisë në rrugë dhe në stadium është tema më e rëndësishme për palën serbe. Madje më e rëndësishme se vet rezultati i ndeshjes, pasi kombëtarja serbe me kohë i ka humbur shanset për kualifikim të mëtejshëm. Gazeta serbe Blic njofton se për këtë ndeshje bileta kanë kërkuar më shumë se 150.000 shqiptarë. “Çmenduri!”, njerëzit janë të gatshëm të paguajnë edhe 500 euro për një biletë, shkruan gazeta, duke shtuar se brenda në stadium do të ketë madje 1500-2000 policë të gatshëm për ndërhyrje. Në stadium do të ketë edhe vëzhgues special të UEFA-s.

Lojtarët serbë: e dimë se çfarë nga pret

Lojtarët e kombëtares së Serbisë janë të vetëdijshëm se në Shqipëri i pret një atmosferë shumë e nxehtë. Kapiteni Branisllav Ivanoviq thotë se ata “nuk presin duartrokitje në këtë ndeshje, sepse një gjë të tillë nuk e ka përjetuar as kombëtarja shqiptare në Beograd. Tensionet janë të larta, ndërsa ne në këto kushte duhet të lë luajmë futboll”, pohon ai. Ndërsa Nemanja Matiq thotë, se ata janë të gatshëm për të gjitha provokimet në Elbasan dhe Shqipëri. “E dimë që stadiumi do të jetë i mbushur plot dhe me tifozë frenetikë, por ne jemi mësuar të luajmë në stadiumet me shumë shikues. Kjo do të na motivojë edhe më shumë”, thotë Matiq, i cili shton se kombëtarja e Shqipërisë ka shumë kualitet. “Nuk do t’u përgjigjemi provokimeve në stadium, me rëndësi është të fokusohemi tek ndeshja”, thekson ai. Një ndeshje shumë të nxehtë pret edhe Miralem Sylejmani, një goran i lindur në Beograd, por me origjinë nga Prizreni.

rama vucicVuçiq megjithatë nuk shkon në ndeshje

Kryeminstri i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka lënë të hapur mundësinë që të shkojë në këtë ndeshje deri sot në mëngjes. Por pas konstultimeve ka vendosur që të mos shkoj në Elbasan. Mediat serbe pnjoftojnë madje se “kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të ishte i gatshëm të kërkojë nga ministri i Jashtëm kosovar Hashim Thaçi, që të mos vijë në këtë ndeshje, vetëm për të siguruar pjesëmarrjen e Vuçiqit në ndeshje”. Por synimi kryesor i Ramës, sipas shtypit serb, është që ndeshja të kalojë në një atmosferë të qetë. Vuçiq i ka dërguar sot një letër opinonit serb dhe shqiptar ku thuhet se këto dy vende kanë punuar shumë gjatë një viti të kaluar për rivendosjen e mirëbesimit dhe kontakteve normale. Ai i uron kombëtares serbe që të fitojë në Elbasan dhe kërkon që të zbardhen indidentet e hedhjes së gurëve ndaj autobusit me futbollistët serbë. Kryeministri serb ka dënuar “shumë ashpër aktin huligan të sulmit ndaj futbollistëve të Serbisë”.

Gazeta bulevardeske “Kurir” shkruan madje se në Shqipëri ka pasur të dhëna për përgatitjen e një atentati të mundshëm ndaj kryeministrit serb Vuçiq. Gati të gjitha mediat serbe njoftojnë për arrestimin e Ismail Morinës, për të cilin dyshohet se ka përgatitur ndonjë aksion për këtë ndeshje. (dw)

 

Ekskluzive, çudit De Biasi: Ky është formacioni anti-Serbi

 

kombetarjaTrajneri i Shqipërisë, Gianni de Biasi, e ka ndarë mendjen për 11 futbollistët që do të jenë titullarë ndaj Serbisë.

Ai në seancën e sotme stërvitore ka caktuar lojtarët që do të luajnë nga minuta e parë.

Burime të Telegrafit brenda Kombëtares shqiptare kanë treguar se italiani ka lënë jashtë 11-shes së parë disa lojtarë që kanë shkëlqyer me klubet e tyre.

Çudia më e madhe është te lënia në bankë e Amir Abrashit që ka qenë fantastik me Freiburgun, apo Alban Mehës, Burim Kukelit, Herolind Shalës, Shkëlzen Gashit e Sokol Cikalleshit, transmeton Telegrafi.

Si duket forma e mirë në klube nuk i ka lënë përshtypje De Biasit, i cili ka rikthyer si titullar Migjen Bashën, Andi Lilën, Bekim Balajn e Ledian Memushajn.

Formacioni startues i Shqipërisë: Berisha, Hysaj, Cana, Gjimshiti, Agolli, Lila, Xhaka, Basha, Memushaj, Lenjani, Balaj. /Telegrafi/

Investitorët e huaj për klimën e biznesit

Sondazhi në Shqipëri, treguesi i besimit në nivele negative. Më shumë se gjysma e sipërmarrësve të huaj kanë pohuar se kushtet e të bërit biznes në Shqipëri nuk janë të favorshme

investitoret e huaj klimaTreguesi i besimit të sipërmarrjes së huaj që vepron në Shqipëri është në nivele negative, sipas një ankete të realizuar nga shoqata e investitorëve të huaj, e cila ka anëtare bizneset më të mëdha dhe më të rëndësishme nga vende të ndryshme të botës. Më shumë se gjysma e tyre kanë pohuar se kushtet e të bërit biznes në Shqipëri nuk janë të favorshme

Gjykatat, ndryshimet e shpeshta të kuadrit ligjor dhe procedurave për taksat, informalitetit dhe konkurrenca e paligjshme janë tre problemet kryesore të të bërit biznes në Shqipëri. Në anketën e zhvilluar nga shoqata e investitorëve të huaj, në periudhën mars-prill të këtij viti, e cila u bë publike sot, kompanitë e pyetura i kanë identifikuar ato si cështjet më madhore. Në një shkallë vlerësimi nga 0 në 100, ku 100 është ai më negativi, ato kanë marrë mbi 65 pikë.

Thuajse në të njejtat nivel nga 58 deri 60 pikë, renditen më pas si cështje po ashtu problematike edhe korrupsioni, mungesa e qartësisë së legjislacionit dhe procedurave të taksimit, apo dhe politikat stimuluese të investimeve. Ndërkohë, çështje si “Lejet e biznesit “, “Qasja në financim”, “Inspektimet për çështjet e Mjedisit”, “Rregulloret e punës” dhe “Qasja në Energji dhe Telekomunikacioni” nuk janë problematike për mjedisin e biznesit në Shqipëri. Ato janë vlerësuar me 16 deri në 30 pikë.

Më shumë se gjysma e atyre që u pyetën, 51 përqind, konsiderojnë se kushtet për të bërë biznes në Shqipëri nuk janë të favorshme, përkundrejt vetëm 18 përqind që mendojnë të kundërtën. Ndërsa 31 përqind, pret një përmirësim të këtyre kushteve në gjysmën e dytë të vitit. Sipas anketës, treguesi i besimit të biznesit, i cili tregon mesataren midis situatës aktuale dhe pritshmërive për të ardhmen e afërt, qëndron në nivele negative.

Sipas investitorëve të huaj, taksat dhe qasja me organet tatimore nuk është ajo e duhura. Perceptimi i tre, sipas anketës, është se vetëm më pak se gjysma e inspektimeve tatimore apo kontrolleve zhvillohen për shkaqe të arsyeshme ligjore. Sipas tyre kush përdor ryshfetin apo lidhjet politike arrin t’i shmangë kontrollet apo gjobat. Në rast të ankesave, ata theksojnë se shpesh bëhen objekt i inspektimeve. Sipermarrësit e huaj, arrijnë madje deri aty sa, sipas anketës, janë të gatshëm të paguajnë më shumë taksa nëse niveli i korrupsionit do të ishte më i ulët.

Në të njejtën kohë investitorët e huaj theksojnë se legjislacioni dhe procedurat tatimore janë shpesh të komplikuara dhe të paqarta, dhë ndërsa e vuajnë përshtatjen me normat fiskale, theksojnë se nuk kanë parë asnjë përfitim të dukshëm nga fakti që i paguajnë rregullisht taksat. Shumica dërrmuese e tyre madje theksojnë se vazhdojnë të kenë problem me rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. (voa)

Ballkani dhe emigrantët, konferencë e BE-së

Mogherini-FedericaPërfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, dhe Jean Asselborn, ministër i jashtëm, Azilit dhe Emigracionit të Luksemburgut, vendi që kryeson Unionin, organizojnë të enjten në mbrëmje një Konferencë të Nivelit të Lartë për të diskutuar mbi rëndësinë e korridorit të Ballkanit Perëndimor me rritjen e fluksit të emigrantëve qê vijnê nga Lindja e Mesme.

Për një qasje sa më gjithëpërfshirëse mbi këtë çështje, tryeza mbledh sëbashku ministrat e jashtëm dhe të brendshëm nga të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, homologët e tyre nga Turqia, Libani, dhe Jordania, si dhe prej vendeve (jo-anëtare të BE) pjesëmarrëse të marrëveshjes Schengen, si Zvicra, Norvegjia, Liechtenstein dhe Islanda. Për të paraqitur një tablo të situatës në terren janë ftuar përfaqësuesë të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit, UNHCR, Programit Botëror Ushqimor dhe agjencitë europiane për Azilin dhe menaxhimin e kufijve (FRONTEX).

Konferenca parashikohet të nis pas orës 18 dhe për dy orë, sipas agjendës, do të diskutohet mbi shkaqet e rrugëve të marra nga refugjatët dhe mbi mundësitë e zgjerimit të ndihmës financiare të BEsë tek vendet tranzite, ku synohet të ngrihen gjithashtu pika të ngjashme për pritjen, apo zhvendosjen e refugjatëve. Pas konferencës për shtyp të mbrëmjes, ministrat parashikohet të vijojnë bisedimet në njê format më informal gjatë një darkë pune.

Konferenca mbi shtegun ballkanik të refugjatëve mbahet në përfundim të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BEsë dhe takimit të përbashkët të tyre me vendet anëtare të Marrëveshjes Schengen.  Këshilli i BEsë pritet të miratojë atë ditë Listën Europiane të vendeve me origjinë të sigurtë, ku renditen deri tani Shqipëria, Bosnia, Kosova, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Turqia, bazuar në paketën e propozuar nga Komisioni.

17% e Azilkërkuesëve të regjistruar në BE rezultojnê nga këto vende të Zgjerimit dhe përfshirja e tyre në një listë të përbashkët synon të përshpejtojë proçedurat për aplikimet nga Ballkani e Turqia dhe të lehtësojë burimet administrative për anëtarët e Unionit. Ministrat Europianë diskutojnë këtë javë për rregullat e kthimit të emigrantëve, mbi  mundësinê e një agjencie të vetme vepruese azili në BE për trajtimin e të gjitha kërkesave dhe njohjen e mbrojtjes ndërkombëtare, si dhe mbi menaxhimin e kufijve të jashtëm të BEsê në të ardhmen.

/ Top Channel

Shqipëria rrezikon fondin e BE-së prej 66 mln eurosh

komisioni-i-integrimitNjë raport i hartuar nga Bashkimi Evropian, ka paralajmëruar autoritetet shqiptare se, Shqipëria rrezikon të humbasë një fond prej 66 milionë eurosh të BE-së, për shkak të mungesës së kualifikimit të administratës shqiptare.

Ky raport ishte pjesë e diskutimit të sotshëm në Komisionin e Integrimit, gjatë së cilit, përfaqësuesit e shumicës pranuan se administrata ka nevojë për përmirësim.

“Tani jemi në një situatë më të mirë sesa ku ishim për çështjen e administrimit. Jemi aty ku duhet? Sigurisht që jo”, u shpreh deputeti Taulant Balla.

Këtë shqetësim e referoi ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila theksoi se ky raport ka vënë në siklet administratën dhe qeverinë.

Komisioni pranoi edhe kërkesën e kreut të grupit parlamentar, Edi Paloka që në mbledhje të thirret për raportim ministrja e Integrimit Klajda Gjosha dhe ai i Energjisë, Damian Gjiknuri, lidhur me deklaratën e kreut të komitetit të energjisë në Vjenë, se Çekia kushtëzoi votën pro për statusin e kandidatit për Shqipërinë, me zgjidhjen e marrëveshjes me “CEZ”.

Mrekullia e harruar shqiptare

vithkuqNëse nuk do të ishte për rrugën, që duket sikur do të të drejtojë në ndonjë zonë të harruar a majë ndonjë mali të thellë, udhëtimi prej 26 kilometrash nga Korça drejt Vithkuqit do të ishte më shumë se i këndshëm.

Kjo, sepse natyra ka gjithçka për të thyer monotoninë e betontë të qyteteve të mëdha, por siç ndodh shpesh në realitetin shqiptar, pikërisht këto zona vuajnë nga një infrastrukturë e rënuar.

Nëse do të kishte gojë Vithkuqi, aq shumë i preferuar dikur nga piktorët korçarë për shkak të bukurive natyrore, do të kërkonte më shumë mbështetje, më shumë mundësi për të treguar atë që fsheh, vetëm pak kilometra nga qyteti i Korçës.

Në fakt, Vithkuqi mund të indentifikohet edhe si fshati i kishave e manastireve, për shembull, sepse dikur ka pasur më shumë se 24, e sot ka plot 14 të tilla. Të gjitha të veçanta, monumente kulture të shpërndara hijshëm, mes gjelbërimit që ofron pamje të rralla.

Vithkuqin mund ta quash edhe qytet, sepse pak kush e mban mend, por dikur ka qenë i tillë. Me rrënjët që në lashtësi, Vithkuqi ka arritur kulmin e tij në shekujt XVII-XVIII, me mbi 24 lagje e me një popullsi që ka shkuar deri në 15 mijë banorë.

Shumë herë e goditën Vithkuqin, e po kaq herë ai e rimori veten. Ka pasur hotel; ka pasur hidrocentralin e parë në Shqipëri, që në vitin 1936; ka pasur edhe taksi, emigracion e gjithçka tjetër; në kohëra kur gjithçka e tillë dukej e pamundur. E këto të gjitha, për të treguar se Vithkuqi, që hershëm është vlerësuar për bukuritë e tij natyrore, për burimet e pafundme, e mundësitë për një turizëm cilësor malor.

Ndryshe nga sot, kur Vithkuqi i Naum Veqilharxhit shpesh ka mbetur thjesht në radhët e librave e këtyre historive, që janë zverdhur bashkë me kohën.

“Vithkuqi duhej të ishte shumë më mirë në aspektin e investimeve e zhvillimit, që kërkon koha sot, si zonë që pretendohet turistike, ku burimet nuk mungojnë. Dua të shtoj diçka, që është edhe paradoks, kur u bë një guidë turistike. Vithkuqi nuk figuronte fare, madje figuronte në Gjirokastër. Ky është një banalitet. Vithkuqi një është”, thotë Petraq Shore.

Shkolla e mesme nuk funksionon më, për shkak të largimit të banorëve. Vetëm ajo 9-vjeçare ruan ende zëra fëmijësh. Përveç rreth 600 banorëve të sotëm, Vithkuqi duket i zbrazët, edhe pse mund të gjallonte nga turistët. Edhe në tërësi gjatë vitit, ata janë të paktë. Ndoshta një pjesë as nuk e njohin ekzistencën e një parajse të tillë, ose më mirë një vendi ku natyra është treguar e pakursyer, në të kundërt të qeverive, që kanë ardhur e shkuar pa kthyer kurrë sytë siç duhej nga ky vend.

“Nuk është kujtuar kush, hiç fare. Nuk ka vënë dorë njeri këtu në Vithkuq. Edhe pse është një vend shumë, shumë turistik, siç e shihni edhe vetë”, thotë Pandi Buba.

Problemet janë të shumta, nuk kanë lidhje thjesht me infrastrukturën, por edhe me pronat. Në mungesë të një projekti zhvillimor, që nuk ka sjellë asnjë rifreskim të pronave dhe gjendjes së tyre, banorët – të gjithë autoktonë – nuk kanë tapitë, cfarë deri më sot ka paralizuar plotësisht realizimin e investimeve. Askush nuk jep një zgjidhje. Duket absurde, por në Shqipëri ndodh edhe kështu. Të jesh pronar, por të mos jesh. Duket si një lojë fjalësh, por ky në fakt është realiteti i Vithkuqit.

“Fillesën e ka pikërisht nga problemi i shtëpive, nga hipotekimi, sepse njerëzit ende nuk e dinë se çfarë prone kanë, çfarë shtëpie kanë. Kjo ka krijuar edhe atë tkurrjen e fortë, si nga njerëzit këtu që nuk kanë bërë promocion, edhe nga pushtetarët”, thotë Altin Prifti.

E megjithatë ka plot banorë, që janë përpjekur të bëjnë diçka në Vithkuqin e tyre, duke i dhënë pamjen e një vendi që nuk është braktisur, e që mund të rimarrë jetë me turizmin malor.

“Mbështetje nuk kemi marrë, çdo gjë e kemi bërë me forcat tona. Me punën dhe sakrificën tonë, shumicën e gjërave e bëjmë vetë. Shumicën e punëve e bëjmë vetë, na ndihmojnë edhe fëmijët, pak a shumë është një biznes familjar”, thotë Ariola Qirici.

“Jo vetëm që nuk kemi marrë, por vazhdojmë edhe të japim për të mbajtur biznesin gjallë. Jo të përfitojmë, por ende kemi humbje, ende japim e jo të marrim”, thotë Llazar Shore.

Vithkuqi ka pafund bimë medicinale, ka pyje të pasura; që për fat të keq në këto mbi 20 vite janë dëmtuar jo pak nga abuzuesit e shumtë; ka liqenet, qoftë ai i Gjoncit apo edhe tjetri rrugës për në fshatin Shtyllë. Ka 3 kala, për të cilat askush nuk është kujdesur, ose më mirë që janë lënë si mall pa zot. Ka tumat e vjetra e sa e sa shumë vende të rralla për t’u vizituar. Jo më kot, ky fshat është përzgjedhur edhe si shesh filmash të vjetër shqiptarë, sepse Vithkuqi është një pasuri, por si e tillë nuk po trajtohet.

Rrugicat e Vithkuqit fshehin pas tyre sa ngjyrat shpërthyese të pemëve hijerënda, që shkrihen me kalldrëmet, po aq edhe realitetin e hidhur të një zone të lënë kaq dukshëm në vetmi. Është një vetmi mbytëse, për vetë vlerat që transmeton ky vend e mbështetjen që do të duhej të merrte.

“S’ka asnjë investim, asnjë projekt zhvillimi, qoftë nga ana turistike, edhe nga të tjerat. Në fushën e blegtorisë nuk besoj se është bërë ndonjë gjë”, thotë Fotaq Lena.

“Duhet të ketë më shumë gjallëri, më shumë ndihmë nga njerëzit dhe nga qeveria. Ta ndihmojnë pak, që njerëzit të jenë më të zhvilluar”, thotë Vangjeli Lena.

Kur flitet për turizëm nuk mjaftojnë fjalët. Ja ku është Vithkuqi, një vend i jashtëzakonshëm, me mundësi të jashtëzakonshme, me njerëz të mirë e mikpritës, me histori e natyrë, me legjenda e shumëçka, që do të duheshin ta kthenin në një vend, ku turistët duhet të iknin e të vinin papushim. Të kërkonin me muaj e muaj të tërë për të gjetur mundësinë, për të qenë qoftë një herë të vetme në këtë vend të mrekullueshëm, në këtë vend që edhe sot duket vërtet magjik.

/ Top Channel

Tremujori II, ekonomia rritet 2,53%

Instat publikon të dhënat. Rritjen më të madhe sektori i Ndërtimit, ndërsa Bujqësia shënon një rënie të lehtë

instatNë Shqipëri, Instituti i Statistikave njoftoi sot se ekonomia shënoi një rritje prej 2,53 përqind në tremujorin e dytë, duke qëndruar në këtë mënyrë brenda pritshmërive për Prodhimin e Brendshëm Bruto gjatë vitit 2015

“Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si Ndërtimi me 1,96 pikë përqindje, Industria, Energjia dhe Uji me 0,72 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me 0,46 pikë përqindje, Tregti Hotele dhe Restorante dhe Transporti me 0,15 pikë përqindje, Aktivitetet financiare dhe të Sigurimit me 0,08 pikë përqindje, Pasuritë e paluajtshme me 0,03 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me 0,01 pikë përqindje”, shpjegoi Gjergji Mano, drejtor në INSTAT.

Sipas Institutit të Statistikave degë të tjera të ekonomisë kanë dhënë një kontribut negativ, ku bie në sy Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi me -0,16 pikë përqindje. Ky sektor shënoi një rënie prej 0.76 përqind, ndonëse në tremujorin e parë të vitit, pavarësisht përmbytjeve, pati një rritje të aktivitetit të tij.

Sipas të dhënave, sektori më rritjen më të madhe ka qenë Ndërtimi me 24,49 përqind, i pasuar nga Grupi i Industrisë, Energjisë dhe Ujit me 6,28 %, ndërkohë që sektorët e tjerë kanë patur një rritje modeste.

Sipas të dhënave të sotme të INSTAT-it, konsumi i popullatës ka shënuar një rënie prej 3.16 përqind gjatë tremujorit të dytë.

Për vitin 2015, pritshmëritë janë për një rritje në nivelet e 2.7 përqind, ose 0,3 pikë përqindje më e ulët se parashikimi fillestar i autoriteteve. (voa)

 

Bushati: Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi? Jemi në rrugë të mbarë

Ditmir BushatiShqipëria dhe Greqia janë në rrugë të mbarë në zgjidhjen përmes dialogut të mosmarrëveshjeve që shqetësojnë të dyja vendet dhe kësaj fryme i shërbeu edhe takimi Rama-Tsipras në Nju Jork.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës, e vlerësoi këtë takim si të frytshëm.

“Ishte një takim i frytshëm, një takim njohës dhe u zhvillua në frymën e mirëkuptimit dhe besojmë që shtron mundësinë për një kontakt edhe më të thelluar në nivelin e dy kryeministrave, që është mjaft i domosdoshëm për të adresuar çështjet mes dy vendve”, tha Bushati.

Në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës ndodhen në mes çështje si kufiri detar dhe ligji i luftës.

“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë do t’i konsideroja të mira, por jo aty ku ne do të dëshironim që këto marrëdhënie të ishin. Besoj që është edhe një shqetësim i palës greke  për të identifikuar rrugët që do të përmirësonin edhe më shumë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Ka patur zhvillime pozitive gjatë kësaj periudhe, siç ishte adresimi i çështjes së toponimeve dhe riaktivizimi i komiteteve të përbashkëta”, thotë Bushati.

Ministri i Jashtëm shqiptar foli edhe për fluksin e emigrantëve. Ai tha se Shqipëria është një vend me kapacitete të kufizuara për pritjen e tyre, por shtoi se po punohet bashkë me organizata dhe shoqata ndërkombëtare për të gjithë skenarët e mundshëm, njëri prej të cilëve është edhe ai se me ardhjen e dimrit, vala e emigrantëve do të zhvendoset nga Ballkani Qendror drejt Perëndimit, ku moti është më i butë.

/ Top Channel

Krichbaum: „Shqipëria aktualisht shumë larg fillimit të bisedimeve për anëtarësimin”

Deputeti gjerman dhe kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, në një intervistë për Deutsche Welle e sheh dekriminalizimin si çështje kyç për ecjen përpara me procesin e integrimit.

Deputeti gjerman KrichbaumKreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum

Deutsche Welle: Z. Krichbaum, kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha vizitoi më 1 tetor Berlinin, ishte kjo një vizitë e planifikuar apo një reagim i zhvillimeve të ndezua kohët e fundit në Shqipëri?

Gunther Krichbaum: Vizita e Lulzim Bashës ishte e dyta brenda këtij viti në Gjermani. Ishte një vizitë e planifikuar kohë më parë, por natyrisht u prekën ngjarjet më të fundit në Shqipëri. Kemi folur hollësisht për valën e refugjatëve nga Shqipëria në Gjermani, e cila na preokupon mjaft neve këtu. Asnjë refugjat shqiptar nuk ka shans që t’i njihet azili, çdokush që merr rrugën drejt Gjermanisë duhet ta dijë, se ky udhëtim nuk do të kurorëzohet me sukses, dhe se se ai do të kthehet. Prandaj është detyra më e rëndësishme e qeverisë shqiptare t’i ofrojë popullatës perspektiva jetese në Shqipëri.

Cila është ndihma që presin demokratët shqiptarë nga një parti konservatore, dhe çfarë mund të bëjnë kristiandemokratët për partinë simotër që nuk arriti rezultate edhe aq të larta në zgjedhje së fundmi?

Më lejoni një ndërhyrje: CDU nuk është thjesht një parti konservatore, por një parti e qendrës, që ka rrënjë kristiandemokrate, konservatore dhe liberale. Së bashku me partitë e tjera të djathta e të qendrës në Europë, partive popullore europiane ne e mbështesim Partinë Demokratike me përvojën tonë. Këtë sigurisht ne nuk e lidhim me rezultate aktuale zgjedhore, sepse në demokraci një ngritje e rënie në zgjedhje është plotësisht normale.

Z. Krichbaum, procesi i dekriminalizimit në politikë është iniciuar prej muajsh në Shqipëri ai u ngrit nga opozita- megjithëse ajo nuk përfitoi shumë nga kjo në zgjedhjet e fundit- por procesi ende nuk është mbyllur, kjo do të thotë se elementë me të shkuar kriminale ende mbajnë poste, si e shikoni këtë?

Për ne është një kusht i panegociueshëm për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit që politika shqiptare të dekriminalizohet. Në këtë pikë Partia Demokratike ka bërë propozime të mira dhe unë shpresoj shumë që më në fund të kemi ujdinë mes qeverisë dhe opozitës. Por më lejoni të them hapur diçka lidhur me zgjedhjet vendore: Ato çfarë raportohen mbi zgjedhjet nga ODIHR-i, qendra e zgjedhjeve të OSBE-së janë për një vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian tërësisht të papranueshme.

Reforma në drejtësi po ashtu mbetet ende një çështje e hapur në Shqipëri. Opozita dhe qeveria grinden për reformën dhe kompromisi ende nuk është gjetur. A kishit ju këshilla për demokratët në mënyrë që reforma të marrë formën ligjore?

Ndërkohë ka shenja bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës në këtë çështje. Por miratimi i ligjeve është vetëm hapi i parë. Akoma më e rëndësishme është që këto ligje të jetësohen. Prandaj tani është shumë e rëndësishme eficienca e administratës, reforma në drejtësi dhe luftimi i vendosur i korrupsionit.

Skandalet korruptive në Shqipëri janë bërë si të zakonshme, skandali i radhës prek aferën e CEZ, që me gjasë i ka sjellë shtetit shqiptar shumë humbje. Opozita kërkon hetim ndërkombëtar për zbardhjen e aferës. Si mendoni ju?

Duke pasur parasysh situatën e ndezur politike në Shqipëri, unë e shoh si një propozim shumë të mirë pjesëmarrjen e hetuesve ndërkombëtare për zbardhjen e kësaj afere. Kjo sigurisht do të rriste besueshmërinë dhe pranueshmërinë e rezultateve të hetimit.

Progresraporti i Komisionit Europian për vendet kandidate pritet të publikohet pas dy javësh. Çfarë raporti prisni këtë herë për Shqipërinë dhe a është vendi gati për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit?

Bundestagu duhet të japë miratimin e tij para fillimit të bisedimeve të anëtarësimit. Ne në Komisionin e Bundestagut për Europën do të ndjekim me shumë vëmendje se çfarë përparimesh janë bërë në drejtim të dekriminalizimit të politikës, reformës në drejtësi, luftimit të korrupsionit dhe sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Por aktualisht Shqipëria, jo vetëm për shkak të parregullsive në zgjedhjet e fundit vendore, ndodhet ende shumë larg fillimit të bisedimeve të anëtarësimit për në BE. (dw)

Lulzim Basha: “Shqiptarët meritojnë llogaridhënie se ç’u bë me paratë e tyre”

Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha i ftuar në Bundestag, pas takimeve me deputetët gjermanë në intervistë me Deutsche Welle mbi skandalin e CEZ, ngecjen e dekriminalizimit e reformën në drejtësi.

Lulzim BashaDW: Zoti Basha ju vizituat papritur Berlinin më 1 Tetor: – ardhja juaj në Berlin ishte thjesht një vizitë e radhës, apo kishte ndonjë lidhje me zhvillimet e fundit të ndezura në Shqipëri?

Lulzim Basha: Vizita sot në Berlin është në kuadër të shkëmbimeve me partinë tonë simotër kristiandemokrate të kancelares Merkel dhe sigurisht gjatë vizitës janë diskutuar edhe zhvillimet shokuese në skenën politike shqiptare të dy javëve të fundit.

E cila është mbështetja që morët nga kristiandemokratët gjermanë?

Partia Demokratike po bashkëpunon ngushtësisht me kristiandemokratët gjermanë dhe me Fondacionin Konrad Adenauer për hartimin e alternativës së saj para votuesve shqiptarë, programin qeverisës të demokratëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në këtë kuadër ne vazhdojmë të marrim mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, nga partitë simotra dhe në veçanësi nga kristiandemokratët gjermanë si përsa i përket anës përmbajtësore të programit, ofertës sonë që kanë të bëjnë me aspektet e zhvillimit ekonomik, të ringjalljes së shpresës për një Shqipëri të zhvilluar mbi bazën e parimeve të konkurrencës së lirë, luftës kundër korrupsionit e mbi bazën e meritës, por po kështu edhe përsa i përket organizimit e riorganizimit të Partisë Demokratike për të pasur një përballje të suksesshme në sfidën elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme.

Aktualisht Shqipëria është tronditur nga një skandal i CEZ, ju e quani megaafera e CEZ – dhe i drejtoni akuzat si ndaj Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta ashtu edhe ndaj kryeministrit Edi Rama. Ju kërkoni hetim ndërkombëtar, pra doni që gjykatësit e huaj të hetojnë të dy krerët aktualë në qeverisje?

Akuzat ndaj Kryetarit të Kuvendit janë publikuar nga Rrjeti i Gazetarëve Investigativë të Ballkanit Perëndimor, BIRN, bazuar mbi dokumente zyrtare të avokatëve të qeverisë shqiptare e opozita ka bërë detyrën e saj duke mbajtur qëndrimin politik, të shpallur tashmë, kërkesën për dorëheqje të Ilir Metës dhe vënien e tij në dispozicion të një hetimi të plotë, të pavarur e të gjithanshëm. Po është bërë e qartë ana tjetër e kësaj afere, që ka të bëjë me 500 milionë euro, fatura e detyrime të njohura nga CEZ ndaj shqiptarëve, ndaj buxhetit të shtetit që u falën apo u ndanë në mënyrë misterioze përmes terminimit të papërgjegjshëm e jo transparent të arbitrazhit ndërkombëtar dhe një marrëveshje sekrete, për të cilën dëgjojmë lloj-lloj justifikimesh, por e vërteta vazhdon të mbetet e fshehur. Kush ka përfituar dhe sa ka përfituar nga kjo marrëveshje, ku kanë shkuar 500 milionë euro të shqiptarëve, këto janë pyetje legjitime, të cilat mund dhe duhet të marrin përgjigje përmes një hetimi ndërkombëtar. PD ka çuar në parlament draftligjin për këtë, në bazë të një përvojë të mëparshme, kërkesë e cila për fat të mirë, ka marrë edhe mbështetje nga brenda mazhorancës.

Por mazhoranca nuk është për një hetim ndërkombëtar, duke iu referuar institucioneve të drejtësisë shqiptare….

Përpjekjet për t’i ikur hetimit ndërkombëtar vetëm se demaskojnë përgjegjësinë e hapur të Edi Ramës si kundërshtar i vetëm deri më tani i propozimit tonë, për t’i ikur hetimit ndërkombëtar dhe për të mbuluar këtë skandal, këtë megaaferë, këtë vjedhje të shekullit. I bëj thirrje deputetëve socialistë që të ngrihen në lartësinë e ndërgjegjes dhe pritshmërisë që kanë edhe votuesit e tyre, paratë janë të shqiptarëve, nuk janë as të Edi Ramës, as të Lulzim Bashës, as të Ilir Metës, shqiptarët meritojnë llogaridhënie se ç’u bë me paratë e tyre. Është e njëjta drejtësi, të cilën Edi Rama e anatemon, e shantazhon, shan në një fjalor të papranueshëm, dhe tek e cila kthehet dhe bën avokatin, kur nuk i leverdis të zbardhet e vërteta. Unë dhe Partia Demokratike jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund, me çdo mjet demokratik deri në zbardhjen e së vërtetës e nxjerrjen e përgjegjësve para ligjit.

Por CEZ ka qenë aktive edhe në kohën që pushtetin e kishin demokratët, e ka shumë zëra që thonë se ka edhe demokratë që i kanë duart pis…

Sa herë që opozita dhe unë si kreu i saj drejtojmë gishtin bazuar mbi fakte, shifra e argumente ndaj Edi Ramës, ky kthehet jo me përgjigje ndaj akuzave, por me përpjekje për delegjitimim të opozitës. Ne jemi të hapur për një hetim të plotë e gjithëpërfshirës, për dy vjet me radhë qeveria e ka pasur pasur shansin ta bëjë këtë, jo vetëm nuk e ka bërë, por nuk ka ngritur asnjë akuzë. Tani që akuza të rënda rëndojnë mbi Edi Ramën për humbjen, abuzimin, vjedhjen, shpërdorimin e 500 milionë eurove të shqiptarëve, ai kujtohet të bëjë akuza kundër atyre që po i ngrenë këto çështje jo për interesin e tyre politik, por për interesin publik të shqiptarëve. Ne nuk kemi asnjë rezervim ndaj subjektit të hetimit.

Mediat kanë folur këto kohë për një takim Basha-Rama, duke nënkuptuar me këtë prapaskenat vepruese në politikë për koalicione të reja, sa të vërteta janë këto zëra?

Nuk ka asnjë takim sekret të Lulzim Bashës me asnjë nga bashkëpërgjesit e gjendjes ku është katandisur vendi, familjet, të cilat kanë marrë rrugën e eksodit si asnjëherë më parë në këto 20 vite. Por ka një përballje të fuqishme të Lulzim Bashës, Partisë Demokratike dhe opozitës me shkaktarët e kësaj gjendjeje, me Edi Ramën dhe Ilir Metën, me politikat e tyre të gabuara, me politikën e lakut në fyt, të kërbaçit për qytetarët e të korrupsionit e megaaferave për qeveritarët, me politikën e ndëshkimit të berberëve, por të lartësimit të ministrave të lidhur me narkotrafikun, siç është Ministri i Brendshëm. Në këto kushte është jo vetëm qesharake, por edhe e papranueshme, e refuzueshme, unë e refuzoj me përbuzje çdo insinuatë për pakte me ta.

Dekriminalizimi – një çështje që u ngrit dhe u ndërkombëtarizua nga opozita, por ende sot nuk është mbyllur- megjithë përpjekjet për një ligj e komision të posaçëm dekriminalizimi. Ku ngec kjo çështje?

Aktualisht po negociohet për draftin e opozitës, ne jemi të hapur për këtë, i cili kërkon konsesusin e dy palëve të tjera në parlament, ne jemi të vendosur të mos heqim dorë nga asgjë që dëmton thelbin e këtij ligji. Thelbi është ndalimi i kandidimit të personave me rekorde kriminale e largimi i menjëhershëm i këtyre personave nga zyrat publike që kanë okupuar vitet e fundit për shkak të përzgjedhjes së tyre enkas nga Edi Rama për të shërbyer si deputetë, kryetarë bashkish, duke poshtëruar popullin shqiptar, siç janë shprehur aleatët tanë, me kandidatura të padenja e kriminale që populli shqiptar nuk i meriton. Duke moskompromentuar thelbin e propozimit tonë ne jemi gati e presim bashkëpunim për kalimin e ligjit në parlament.

Po ju vetë jeni të sigurtë se njerëzit tuaj janë me kostum të papërlyer?

Sigurisht që jo, por unë jam i sigurtë në atë që kam thënë e dua ta përsëris sot se në Partinë Demokratike nuk ka vend për njerëz të tillë, se pavarësisht stadit në të cilin gjendet përpjekja jonë, ligji për dekriminalizimin, unë kam nisur iniciativën time për komisionin e përhershëm të integritetit në Partinë Demokratike të kryesuar nga Dr. Halim Kosova, detyra e të cilit do të jetë skanimi i çdo zyrtari të Partisë Demokratike në strukturat partiake, administrative apo shtetërore me qëllim shmangien e çdo personi me të shkuar kriminale dhe mosinfiltrimin e këtyre personave në strukturat e Partisë Demokratike. Partia Demokratike e ka dëshmuar jo me fjalë, por me vepra, se sa herë që janë evidentuar persona me rekorde të mundshme kriminale në gjirin e saj ka vepruar.

Drejtësia është ende thembra e Akilit në Shqipëri. Edhe kancelarja Merkel në vizitën e saj të parë e vuri theksin aty. Kërkohet një konsesus pozitë-opozitë për reformën, e cila ende nuk është arritur. Ju si demokratë çfarë do të ishit të gatshëm të ofronit që kompromisi të funksionojë – dhe reforma në drejtësi të marrë udhë?

Ne kemi ofruar 300 amendamente, nuk ka pasur asnjë forcë politike në historinë e pluralizmit që të jetë angazhuar kaq shumë për të kontribuar realisht në një reformë të drejtësisë. Ne e duam reformën në drejtësi, ne duam një drejtësi të pakorruptuar, të pastër nga korrupsioni, ku luftohet korrupsioni, ku hiqen e dërgohen para ligjit prokurorët e korruptuar, por ne nuk mund të pranojmë kurrë një drejtësi të kapur nga politika. Përpjekja për të rikthyer në sistemin e drejtësisë hetues, prokurorë, gjyqtarë të kohës së komunizmit, përpjekja për të larguar nga vendimmarrja faktorë kushtetues siç është Presidenti i Republikës apo për të zeruar kontributin e opozitës në kundërshtim me doktrinën që ka paraqitur Komisioni i Venecias, tregojnë se dyshja Rama-Meta më shumë se reformën në drejtësi është e interesuar në kapjen e drejtësisë. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për ta parandaluar këtë e në këtë beteje kemi si mbështetje edhe faktorin ndërkombëtar, pa të cilin kjo reformë nuk mund të realizohet.