Kategoritë: Sport

Majlinda Kelmendi fitoi “Everestin”

MajlindaMajlinda Kelmendi ka fituar çmimin “Xhudistja më e mirë e sotme” (Best Female Judoka Today) nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos. Çmimi është si “topi i artë” në futboll!

Majlinda Kelemdi (kampione olimpike nga Kosova) është nderuar në Budapest të Hungarisë me çmimin më të madh në karrierën e saj – një natë para fillimit të Kampionatit Botëror në xhudo, i cili zhvillohet nga sot 28 gusht deri më 3 shtator. Edhe në këtë kampionat Majlinda Kelmendi konsiderohet si kandidatja kryesore për titullin e më të mirës.  Ajo theksoi se çmimi Best Female Judoka Today është më i madhi në karrierën e saj.

Majlinda Kelmendi falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugën e saj shumë të vështirë deri tek sukseset më të mëdha për shtetin e ri – Kosovën. Ajo falënderoi edhe kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, për të cilin tha se mbështetja e tij që i ka mundësuar suksese xhudos kosovare.

“Është një nder i madh të jem këtu, ndaj dua të them disa fjalë. Fillimisht dua të uroj presidentin për mandatin e ri. Faleminderit që e keni mbështetur Kosovën. Ju jeni arsyeja që Kosova është pranuar në Komitetin Olimpik. Falë jush më është mundësuar të përfaqësoj Kosovën në Rio (në Lojërat Olimpike Verore). Falë jush Kosova e ka fituar edhe medaljen olimpike. Faleminderit nga zemra”, theksoi Majlinda, duke falënderuar Marius Vizer.

Por Majlinda falënderoi në mënyrë të veçantë edhe trajnerin Driton Kuka dhe familjen e saj. “Të gjithë e njihni storien time. E kam nisur karrierën në Kosovë dhe kam fituar gjithçka. Por ky çmim sot është ‘Everesti’ i të gjitha fitoreve”, theksoi Majlinda Kelmendi.

Ndërsa trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka tha se çmimi që mori Majlinda Kelmendi është i rëndësishëm sikurse “Topi i Artë” në futboll. (dw)

ZBARDHET KALENDARI, JA DITA DHE ORA E NDESHJEVE TË SKËNDERBEUT

uefa grupi bSkënderbeu do ta nisë fushatën kualifikuese në Grupin B në një transfertë. Më konkretisht, më 14 shtator, skuadra e Ilir Dajës do të jetë mysafire në Ukrainë, për t’u ndeshur me Dynamo Kyiv.

Kjo sfidë do të luhet në orën 19:00. Ndeshja e dytë për kuqebardhët tanë juglindorë është planifikuar të luhet në “Elbasan Arena”, më 28 shtator, ora 21:05, ndaj Young Boys të Zvicrës. Duhet nënvizuar fakti se dueli i parë me serbët e Partizanit të Beogradit është vendosur të zhvillohet në Elbasan, më 19 tetor, ora 21:05, ndërsa ai i kthimit në Beograd, më 2 nëntor, ora 19:00. Nëse korçarët e nisin këtë raund të Ligës së Europës në transfertë, edhe do ta mbarojnë jashtë fushës së tyre. Ballafaqimi i fundit në grup për Skënderbeun do të jetë më 7 dhjetor, në Zvicër, në fushën e Young Boys. Më poshtë, ja tabela e ndeshjeve të Skënderbeut në Grupin B të Ligës së Europës.
14.09.2017   Dynamo Kyiv          19:00  Skënderbeu Korçë

28.09.2017   Skënderbeu Korçë  21:05  Young Boys

19.10.2017    Skënderbeu Korçë  21:05  Partizan Beograd

02.11.2017    Partizan Beograd     19:00  Skënderbeu Korçë

23.11.2017    Skënderbeu Korçë    21:05  Dynamo Kyiv

07.12.2017    Young Boys              19:00   Skënderbeu Korçë

Usain Bolt mbyll karrierën individuale

Usain BoltUsain Bolt, sprintieri i famshëm xhamajkian që ka dominuar garat e shpejtësisë në atletikë prej afro një dekade, ka kapërcyer vijën e finishit të karrierës së tij.

Bolt mori pjesë dje në garën e fundit individuale 100 metra për meshkuj në kampionatin botëror të atletikës në Londër. Një karrierë e shkëlqyer u mbyll dje me një rezultat mediokër, ose zhgënjyes për një atlet të kalibrit të Usain Bolt. Ai doli i treti në garë. Fitues ishte amerikani Gaitlin.

Usain Bolt ka thyer rekorde olimpike e botërore në 100 dhe 200 metra dhe gjatë karrierës ai ka fituar epitetin “lightning bolt”, frymëzuar nga mbiemri i tij Bolt, që përkthehet ‘goditja e rrufesë’. Ai e ka përqafuar me entuziazëm këtë epitet, duke bërë pozën e rrufesë në përfundim të çdo gare ku dilte fitues.

Ai i solli Xhamajkës një mori medaljesh si në gara individuale, ashtu edhe në stafeta. Megjithë rezultatin zhgënjyes dje, ai mbetet një ndër konkurrentët më impresionues në pistën e atletikës. (voa)

Roger Federer për herë të 8-të kampion i Wimbledon-it

FedererZvicerani Roger Federer fitoi për herë të 8-të titullin e kampionit në kampionatin e tenisit të Wimbledon-it, duke mundur në të treja setet kroatin Marin Cilic me rezultatet 6-3, 6-1, 6-4.

“Kjo është për mua një arritje fantastike. Në se ke besim të vazhdueshëm, mund të arrish shumë në jetë”, tha Federer.

35-vjeçari Federer, e dominoi garën me kroatin Cilic gjatë të gjithë kampionatit.

Kjo është hera e parë që një lojtar arrin një sukses të tillë, që nga viti 1976, me fitoret e tenistit Bjorn Borg.

Smajlaj kampion Europe, fiton në kërcim së gjati në Beograd

Izmir smajlajIzmir Smajlaj është shpallur kampion Europe në kërcim së gjati, duke thyer edhe rekordin kombëtarë me kërcimin e tij 8.08.

Në Europianin e sallave që po zhvillohet në Beograd, atleti shqiptar ka mundur të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit duke mbajtur premtimin dhe duke i dhënë shansin për herë të parë në histori vendit tonë që të ketë një kampion Europe në mbretëreshën e sporteve, atletikë.

Nga 6 tentativat që kishte në dispozicion, Smajlaj nuk plotësoi vetëm dy dhe me avantazhin e më shumë provave të sakta arriti të lë pas suedezin Mishel Torneus që gjithashtu kërceu 8.08 dhe ukrainasin Serhi Nikiforov, i cili kërceu 8.07.

Ky është suksesi i dytë brenda pak ditëve për Smajlajn pikërisht në Beograd, ku përpara Europianit u zhvillua edhe Ballkaniada.

Menjëherë pas këtij suksesi historik për vendin tonë, Izmir Smajlaj tregon emocionet e para në një intervistë për Top Channel.

“Gara ishte e fortë. Objektivi im ishte medalja. Në kërcimin e fundit mora më shumë korajë, pasi kisha siguruar edhe një vend në podium. Këtë arritje dua t’ja dedikoj familjes dhe në veçanti babait tim. Prej tij e kam vazhduar sportin”, tha Smajlaj për Top Channel.

Ndërkohë, atletja tjetër shqiptare Luiza Gega u rendit në vendin e pestë në garën e saj të 1500 metrave, një pozicion të cilin deri diku e kishte paralajmëruar me pritshmëritë e saj të ulëta në këtë disiplinë që nuk është më e saja, duke qenë se gjithë përgatitjet i ka bërë për garën e 3000 metrave me pengesa. Në këtë disiplinë do të marrë pjesë në Botërorin e këtij viti që do të zhvillohet në Mujin gusht në Londër.

Ndërkohë, ceremonia e medaljeve për Izmir Smajlaj do të zhvillohet ditën e diel, në ditën e mbylljes së këtij Europiani.

/ Top Channel

Kombëtarja ndryshon fanellën

fanella albPërfaqësuesja shqiptare e futbollit do të vazhdojë eliminatoret e këtij Botërori me një tjetër imazh. Duke filluar nga ndeshja e ardhshme kundër Italisë në Palermo, kuqezinjtë do të kenë një uniformë të re.

Fanella vazhdon të ruajë identitetin e simbolit shqiptar, që është shqiponja. Gjithçka është dizenjuar nga e njëjta kompani shqiptare që kishte dizenjuar edhe modelin e mëparshëm, Pik Kreativ. Imazhi ballor i uniformës është një imitim i ndërthurjes së pendëve të shqiponjës, janë ruajtur një sërë elementësh, përfshirë këtu edhe moton “Ti Shqipëri më jep nder”.

Sa i përket uniformës së quajtur “Triumf” dhe që ishte një model i veçantë vetëm për finalet e Europianit, sipas FSHF-së ka patur një sukses shumë të madh në shitje dhe kjo jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe në skajet më të largët të globit, si Singapori apo Hong Kongu.

Megjithatë, me këtë fanellë të re pritet që dhe kombëtarja jonë të ketë një tjetër marsh për eliminatoret e Botërorit, të cilat kanë filluar larg pritshmërive.

“Unë nuk jam supersticioz sepse besoj në punë. Megjithatë, kur i bën të gjitha, ndoshta na duhet edhe fati që uroj të na e sjellë kjo uniformë”, deklaroi Armand Duka, presidenti i FSHF-së.

Uniforma e re e përfaqësueses së Shqipërisë ka dalë që në ditën e mërkurë në dyqanet zyrtare të FSHF-së dhe do të ketë të njëjtin çmim, prej 79 eurosh.

/ Top Channel

Ndërron jetë legjenda e peshëngritjes shqiptare, Ymer Pampuri

ymer pampuriPeshëngritja shqiptare humbet legjendën e saj, Ymer Pampurin, të ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare për shkak të një ataku kardiak.

I lindur në 30 prill të vitit 1944, Ymer Pampuri ka bërë historinë e kësaj disipline sportive në vendin tonë, pasi në 29 gusht të vitit 1972 ai u shpall kampion bote duke thyer edhe rekordin olimpik të japonezit Mijake me 127.5 kg.

Ymer Pampuri në moshën 20-vjeçare u shpall kampion i vendit teksa ngriti peshën 120 kg. Në 1972 ai përfaqësoi Shqipërinë edhe në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes në Rumani, ku ngriti 125 kg për t’u renditur në vendin e dytë për shkak të peshës trupore.

Ymer Pampuri është nderuar edhe me çmimin “Mjeshtër i Madh i Punës” dhe me urdhrin “Naim Frashëri”. Në vitin 2006, në moshën 63-vjeçare, Pampuri mori pjesë në një turne botëror së bashku me peshëngritës të tjerë që ishin tërhequr, aktivitet ky që u mbajt në Francë.

/ Top Channel

Shqiptarët kanë vetëm një Kombëtare

shqiponja

Nga Rudina Xhunga

Unë nuk jam tifoze futbolli dhe  këtë dua ta them qysh në krye të  shkrimit, për të mos u keqkuptuar nga tifozët.

Por e kam mbajtur zemrën në dorë, kur luante Kombëtarja në Beograd dhe kam qarë si fëmijë, kur fëmijët poshtë pallatit brohorisnin “Shqipëri, Shqipëri”, për golin e Kombëtares në Kampionatin Evropian.

Tani që po flitet për largime te djemve nga Kosova drejt Kombëtares së tyre, ndihem e prekur, pse nuk do mund të përjetoj më emocione të ngjashme. Sepse tani, mbase do të jemi dy skuadra, por jo dot, dy Kombëtare.

Kombëtarja është e Kombit dhe Kombi nuk kuptohet pa Kosovën.

Kombëtare janë Tifozët Kuq e Zinj dhe ata nuk arrij t’i shoh, tek lënë shpirtin në një klithmë tifozërie për  Kombëtaren e Shqipërisë. Dhe nuk di a mund të ndiqet një ndeshje pa tifozët e Kosovës?

Ne u kthyem në imazh të Kampionatit Evropian pikërisht se ishim bashkë,  se kishim tifozërinë më të bukur kuq e zi.

Nuk kam mëri ndaj djemve që do të ikin, madje i kuptoj, ata mezi pritën ditën të jenë të pavarur, por të pavarura nga Serbia jo nga Shqipëria. Çfarë do të thotë të pavarësohesh nga vetja?

Ai stadium që do të ribëhet, te ish Qemal Stafa, pa çunat nga Kosova, do të ketë kulla, por jo lojtare, do të ketë luks, por jo zemër, as zemërim për një gol që nuk bëhet dot.  Ai stadium do të jetë bosh pa ju çuna, që sollët bashkimin e shqiptarëve.

Kombëtarja është bashkimi ynë real, i natyrshëm. Kombëtarja është prova se vetëm bashkë bëjmë të pamundurën te mundur.

Unë nuk besoj te fuqia e mbinatyrshme e lidershipit, e De Biazit, në këtë rast, por besoj te forca e bashkimit. Bashkë bëmë histori.

Kemi qenë bashkë vetëm në Kombëtare dhe vetëm aty shkëlqyem. Sepse një trupi që i mungon një dore, një këmbë, një sy, një vesh, nuk është më një trup, por një gjysmëtrup,i paralizuar, i parealizuar. Bashkë bëjmë trupin që mund të lëvizë dhe malin.

As qe e mendoj se mund t’ia dalim veç e veç, është e pamundur, irracionale. Nëse e prishim Kombëtaren,  do t’i rikthehemi punëve tona bërë lokalisht, provincialisht, që nuk kanë treg, që nuk kanë sukses, që nuk kane duk. Vetëm nuk mund të shkëlqejë asnjë prej nesh, vetëm i prishim punë njëri tjetrit dhe të tërës, e vrasim atë që lindi të na bëjë të lumtur qoftë edhe në 90 minuta ndeshje.

Në mund të mësonim prej kësaj mundësie të rrallë bashkimi që solli shkëlqim, duhet  ta merrnim shembull dhe ta përdornim eksperiencën prej saj, në arsim, biznes, turizëm.

Shifrat me të cilat mburren Ministritë e Turizmit ne Shqipëri, janë thjesht hyrje -dalje ne shumicë të shqiptarëve të Kosovës. Ata popullojnë plazhet tona, restorantet tona, ata janë turizmi ynë, kosovarët që vijnë  me pushime, si në shtëpi, në shtëpinë buzë detit.

Trafiku i verës që të mban peng në rrugët tona të pambaruara, është për shkak të tyre që mësyjnë bregdetin nga Rruga e Kombit. Kur i sheh bashkë dy policitë nga Kukës në Lezhe, kupton se kemi mësuar prej tyre të mos parakalojmë në trafik, të mos dalim para tjetrit, siç e kemi zakon ne të Shqipërisë.

Krahasoni Morinën me Qafë Thanën, dhe e kuptoni ndryshimin.

Çdo përfitim, çdo euro e hyre në vere, është për shkak të Kosovës.

Nuk me ka ndodhur të ulem në një plazh dhe të mos kem afër dikë nga Kosova apo diaspora e saj në botë. E kam plot e -malin me urime kosovaresh që kanë shkuar në vendet e panjohura të Shqipërisë së bukur që kam treguar në Vizion Plus dhe më falënderojnë, apo çojnë foto si nga Rehova këtë verë. Javën e shkuar më erdhi një letër e 30  kosovarëve që jetojnë në Suedi e Finlandë dhe kanë blerë shtëpi të dytë ne Sarandë. Ata më rreshtonin gjithë propozimet e tyre, si do të donin të zhvillohej Saranda dhe për çfarë ndërhyrjesh kishte nevojë urgjentisht, që të kthehej nga një qytet vere, në Mbretëreshën e Arbërve.

Kur shoh pallatet e Vlorës nga Lungomare te Plazhi i vjetër e deri në hyrje të qytetit, të gjitha bosh e të pashitura, më vjen t’i them Kryetarit të Bashkisë; po mirë e bëtë qytetar nderi Rexhep Qosjen, po si nuk i dhuroni një shtëpi, të kalojë verën në Vlorë?

Bëjeni me disa personalitete të Kosovës, se bashkë me ta do të vijë besimi  që në Vlore mund të bësh pushime e të blesh shtëpi, për të kaluar dy muaj vere e shumë fundjava dimri,  se Vlora ka vend për gjithë Kosovën. Besimi do t’i mbushe pallatet e Vlorës. Do t’i mbushë me kosovare, që do të ndryshojnë dhe përmirësojnë jetën e qytetit, do të sjellin bukën e Gjakovës dhe djathin e Sharrit dhe do te ndajnë bashkë mishin e Labërisë , do i shndërrojnë  fshatrat e Lumit  të Vlorës, (që tani i ka marrë lumi) në destinacionet magjepse të verës që vjen.

Unë besoj aq fort te fuqia e bashkimit  me Kosovën në një treg, sa te asnjë politikë dhe politikan. Besoj se vetëm bashkë mund të bëjmë trupin që ecën vetë, tregun që prodhon portokalle në Xarrë dhe i shet në Prishtine, djathin  ne Këlcyrë dhe e shet në Vushtri, domatet e shalqinj në Lushnje që i shet në Prizren.

Mandej Kosova do të sjellë gjithë ç’nuk mundemi ne të bëjmë këtu, dhe ka sa të duash, që ata e bëjnë më mirë, por kam nevojë për  Enver Robellin të tregojë pjesën tjetër.

Sepse Valbona është plot, ka ardhur koha të shkojmë edhe në Brezovicë, ka ardhur koha të njohim Rugovën,  te njohim më mirë të bukurën që na ndan, sepse ajo do të na bashkojë.

Jo patriotizmi, por përfitimi. Do të përfitojmë të gjithë nga bashkimi. Do të jemi më të pavarur, sepse do jemi më të mirëqenë.

Nuk na pavarëson ndarja nga vetvetja, por njohja e vetvetes. Bashkimi do te na pavarësojë nga varfëria, nga pasiviteti, nga inferioriteti, nga adhurimi ndaj të huajit. Se nuk njohim dhe duam veten, ndaj i bëjmë duva barit të fqinjit, që nuk është më i gjelbër, por është më i madh, ndaj dhe më i pasur.

Ne do të bëhemi shumë shpejt të tillë. Kur të bëhemi një trup, një treg, do të bëhemi më të mëdhenj, më të pasur, do të heqim dorë nga lufta e patateve dhe të bëjmë Kombëtaren tonë të Biznesit, Kombëtaren tonë të Letrave, Kombëtaren tonë të Diplomacisë. E ndërsa kemi rrugë përpara,  të paktën kemi mundur të krijojmë Kombëtaren tonë të yjeve të Futbollit.

Si mund ta prishim këtë themel, mbi të cilin do të ngremë Pallatin e Ëndrrës sonë Mbarëkombëtare?’ / dritare.net

 

Usain Bolt, ende njeriu më i shpejtë në botë

Usain BoltSprintieri xhamajkian Usain Bolt mbetet njeriu më i shpejtë në botë. Ai fitoi garën e 100 metrave për të tretën Olimpike radhazi, gjë që nuk e ka arritur asnjë atlet tjetër më parë.

Xhamajkiani Bolt kaloi amerikanin Justin Gatlin tek 80 metërshi, duke arritur vijën e finishit në 9.81 sekonda.

Ishte një ndër garat më të pritura të atletikës, por edhe të mbarë Olimpikeve të Rios. Ndërsa në vendlindjen e tij, xhamajkianë entuziastë që e ndiqnin përmes televizorit në kryeqytetin e vendit, Kingston, shpërthyen në brohoritje kur ai arriti fitoren.

Por Bolt nuk e mbyll me kaq konkurrimin në Rio. Ai ka ambicje të fitojë edhe garën e 200 metrave dhe stafetën 4X100 metra për herë të tretë.

“Vazhdoni të më ndiqni, do të ketë të tjera,” tha ai të dielën. “Dikush tha se mund të bëhem i pavdekshëm. Edhe dy medalje dhe pastaj e mbyll. I pavdekshëm!”

Po dje, sprintieri afrikano-jugor Wade van Niekerk hyri në histori me fitoren në 400 metra, duke thyer edhe rekordin botëror me 43.3 sekonda, të vendosur në 1999 nga amerikani Michael Johnson.

Van Niekerk ishte në një pozicion disavantazhi, pasi ishte në korsinë e jashtme të pistës, kështu që nuk i shihte sa larg prej tij ishin konkurrentët e tjerë.

“Gjatë gjithë kohës vrapova si i verbër. Mendoja se dikush mund të ishte duke më zënë, s’e dija si po shkonte gara, por isha i motivuar dhe vazhdova me vrull,” tha pas fitores atleti.

Van Niekerk fitoi me një diferencë prej mbi 7/10 të secondës nga Kirani James i Granadës, i cili mori medaljen e argjendtë. LeShawn Merrit i Shteteve të Bashkuara doli i treti me medalje të bronxtë.

Tifozët brazilianë shpërthyen në brohoritje entuziaste gjatë konkurrimeve të gjimnastikës, kur u paraqit gjimnasti i tyre Hypolito Diego. Ai mori medalje të argjendtë në konkurrimet e dyshemesë, ndërsa braziliani tjetër Mariano Arthur mori të bronxtën. Britaniku Max Whitlock fitoi medaljen e artë në konkurrimet e dyshemesë, si dhe në konkurrimet në kaluç.

Ndër garat e gjimnastikës për femra, amerikania Simone Biles e çimentoi dominimin e saj duke marrë medaljen e artë në kërcimin e kaluçit, e treta medalje e artë në këto lojëra. Ajo mundi rusen Marika Paseka dhe zvicerianen Giulia Steingruber. Sot Simone Biles do të përpiqet për një medalje tjetër në traun e ekuilibrit.

Rusja Aliya Mustafina fitoi dje në konkurrimet në paralele, ndërsa amerikania Madison Kocian mori medaljen e argjendtë dhe gjermania Sophie Scheder të bronxtë.

Golfi u rikthye pas 104 vjetësh në Olimpike. Britaniku Justin Rose mori medaljen e artë, pasuar nga suedezi Henrik Stenson me të argjendtën, në vend të tretë amerikani Matt Kuchar.

Në tenis, britaniku Andy Murray mori medaljen e artë në garat teke për meshkuj duke mundur argjentinasin Juan Martin del Potro.

Keniania Jelagat Sumgong fitoi maratonën për femra me kohën 2:24:04, me një diferencë prej nëntë sekondash nga Eunice Kirwa, me orgjininë keniane, e cila përfaqësoi Bahrenin. Etiopiania Mare Dibaba doli e treta.

Sot zhvillohen konkurrime në unaza dhe kërcim kaluçi në garat e gjimnastikës për meshkuj.

Në atletikë, zhvillohen finalet në 400 metra dhe 3000 metra vrapim me pengesa për femra, si dhe 800 metra për meshkuj.

Po sot zhvillohen gjysmëfinalet e futbollit për femra, ku Brazili do të ndeshet me Suedinë dhe Gjermania me Kanadanë. (voa)

Cana s’ndryshon qëndrim: Kombëtarja? Kemi vetëm një

cikaQë prej të dielës, “Kuqezinjtë” janë vendosur në Bad Waltersdore në Austri për fazën përgatitore për Europianin francez.

Në konferencën e parë për shtyp nga Austria, kapiteni i kombëtares, Lorik Cana foli për fazën përgatitore, sfidën më të rëndësishme dhe kundërshtarin më të fortë.

Cana thotë që pjesëmarrja në këtë event kaq të rëndësishëm bën krenarë jo vetëm futbollistët, por të gjithë shqiptarët. Ai shpreh bindjen në një përfaqësim dinjitoz.

“Jemi rritur shumë dhe niveli i futbollit tonë është rritur. Sot ka shumë talente shqiptare dhe ne kemi dëshirën që të kemi akoma më shumë talente si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova”, thotë Cana.

Ndeshja më e rëndësishme?

“Ndeshja e parë është më e rëndësishmja dhe ajo e para është që ne jemi përqendruar me një kundërshtar të vështirë. Ne jemi rritur dhe ajo përballje do të jetë ndeshja më e rëndësishme e kompeticionit tonë”, shton kapiteni “kuqezi”.

Kur vjen puna tek një apo dy “kombëtare”, Loriku nuk ka ndryshuar qëndrim.

“Të gjithë e dinë mendimin tim dhe kam vite që e them. Që nga krijimi i FSHF, Shqipëria ka patur gjithmonë përfaqësuese dhe asnjëherë kombëtare. Kemi vetëm 4 vite që kemi një kombëtare mbarëshqiptare me lojtarë nga Kumanova, Presheva, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe diaspora. Është hera e parë që e kemi këtë kombëtare të bashkuar dhe shihet që të bashkuar arrijmë gjëra të mëdha”, thotë ai.

Për kapitenin e Kombëtares njohja e Kosovës nga FIFA dhe UEFA ka më shumë rëndësi për të rinjtë që luajnë atje futboll, që tashmë e kanë një të ardhme, sesa fakti që Kosova do të ketë një përfaqësuese të veten.

“Kam qenë me mendimin që elita duhet të qëndrojë me kombëtaren shqiptare. Kam qenë i mendimit që lojtarët më të mirë të rrijnë me kombëtaren shqiptare. Ndoshta në të ardhmen mund të bashkohen federatat, por kjo nuk i takon brezit tonë”, shtoi ai.

Sezoni që la pas ka patur sfidat e veta, sidomos sa i takon aspektit fizik. Megjithatë, Loriku thotë se ka luajtur mjaftueshëm për të qenë i gatshëm për Europian.

“Kam patur probleme me mesin, por tashmë jam në kushtet më të mira për të luajtur këtë Europian. Të gjithë do të jemi gati për në Europian”, thotë ai.

/ Top Channel