Pas nënshkrimit të marrëveshjeve për strukturat e sigurisë dhe gjyqësorin në veri, Prishtina dhe Beogradi në një të ardhme të afërt pritet që të shtrojnë në tavolinën e dialogut çështjen e formimit të Asociacionit të komunave serbe.
Krijimi i kësaj bashkësie nga serbët e Kosovës dhe Beogradi zyrtar vlerësohet si prioritet i lartë, ndërkohë që Qeveria në Prishtinë ende nuk ka dhënë hollësi se si do të rrjedhë procesi.
Burime të besueshme të “Kohës Ditore” që kanë njohuri për dialogun që ndërmjetësohet nga Brukseli kanë bërë të ditur se palët ende nuk kanë arritur që t’i përafrojnë qëndrimet lidhur me legjislacionin për krijimin dhe funksionalizimin e Asociacionit.
“Serbia kërkon që Asociacioni të ketë sa më shumë kompetenca ekzekutive. Dhe kjo shkon në funksion të strategjisë së Beogradit që pas një kohe heqja e Kosovës si pjesë e saj nga Kushtetuta serbe të kushtëzohet me ndryshime kushtetuese edhe në Kosovë, ndryshime këto që do të njihnin sipas kërkesës serbe, tri territore me organizim të veçantë në Kosovë nën administrimin lokal të Asociacionit që Beogradi e quan bashkësi ose komunitet”, ka thënë ky burim. /koha/