Mësoni pse Hoxhaj e Rexhepi mbetën jashtë qeverisë!

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka thënë se emërimi i ministrave nga PDK-ja ka shkuar në atë mënyrë që emrat janë propozuar nga kryetari i partisë, Hashim Thaçi, ndërkaq, miratimi është bërë nga ana e Kryesisë së Partisë. Kuçi ka thënë se nuk ka pasur pakënaqësi me emërimet e ministrave. Ai ka dhënë detaje se përse Enver Hoxhaj e Bajram Rexhepi kanë mbetur jashtë qeverisë së Kosovës.I treti i PDK-së, Hajredin Kuçi në një intervistë dhënë për Gazetën Blic, ka treguar detaje interesante se si u arrit koalicioni me LDK-në, si do të emërohen zëvendësministrat e rinj, si do të themelohet Gjykata Speciale, për marrëveshjen me LDK-në, problemet me Listën Serbe.

Ndërkaq, Gazeta Blic fillimisht do ta botoj vetëm këtë pjesë të intervistës, ku Kuçi flet për emërimin e ministrave nga PDK dhe për mbetjen jashtë loje të dy njerëzve kyç, Enver Hoxhaj e Bajram Rexhepi.

Gazeta Blic: Kush vendosi në PDK për emrat e ministrave? Kadri Veseli e Hashim Thaçi, apo Kryesia e partisë?

Hajredin Kuçi: Propozimet kanë ardhur nga kreu i partisë, mirëpo miratimi ka qenë nga ana e Kryesisë së partisë, që është normale.

Gazeta Blic: Kishte befasi tek emrat. Z. Enver Hoxhaj dhe z. Bajram Rexhepi mbetën anash. Pse ndodhën këto befasi

Hajredin Kuçi: Për aq sa e di z. Hoxhaj e ka pasur një ofertë që të jetë ministër për çështje të dialogut, për arsye të ndryshme ka refuzuar që të jetë në atë pozitë. Ndërsa, për z. Rexhepi ndoshta ka qenë problem dikasteri, që ministria e Brendshme, por edhe ajo e Shëndetësisë i takoj dikujt tjetër. Por, unë mendoj që të dy janë kontributdhënës për partinë, dhe janë njerëz që jo vetëm që në të kaluarën kanë dhënë për partinë, por edhe në të ardhmen PDK mund të llogaris në ta dhe ata në PDK-në.

Gazeta Blic: Ju jeni ndër njerëzit kyç të PDK-së, cili ka qenë kriteri kryesor për emrat e ministrave? Ka qenë edhe performanca në të kaluarën? Ta zëmë në rastin e ministrisë që e ka drejtuar Bajram Rexhepi ka pasur shumë skandale. Mirëpo, hiq më mirë s’ka qenë as ministria e Jashtme e drejtuar nga Enver Hoxhaj…

Hajredin Kuçi: Janë shumë kritere për të zgjedhur një ministër. Kriteri profesional, afiniteti politik, partiak, afiniteti i bashkëpunimit partiak me partitë tjera që janë në koalicion, me afinitetin e bashkëpunimit me strukturat ndërkombëtare që janë në Kosovë. Dhe këta janë menuar që janë njerëzit adekuat. Me propozim të kryetarit dhe me miratim të kryesisë së partisë janë emëruar. A ka njerëz më të mirë në parti, me siguri që ka dhe nuk kam asnjë dilemë. A ka njerëz që e kanë merituar më shumë, me siguri që ka. Kjo është përzgjedhja aktuale dhe nuk do të thotë që është me tapi posti i ministrit të askujt. PDK në këto dy mandate, dhe tani në të tretin, ka pasur shumë të cilët kanë qenë ministra, janë ndërruar, pastaj janë bërë kryetar komune, janë kthyer përsëri deputet… Pozitat politike dhe kontributi për partinë dhe për vendin nuk është vetëm nga një pozicion, qoftë institucional apo partiak, por sipas afiniteteve. Në momente të caktuara nxjerr njerëz të caktuar.

Gazeta Blic: I kemi parë pakënaqësitë që u shfaqën edhe në PDK edhe me rastin e emërimit të ministarve. Znj. Margarita Kadriu u largua nga PDK. Nuk e tha publikisht se largohet pse nuk u bë ministre, mirëpo ashtu raportuan mediet. A mund të prisni pakënaqësi edhe tek zëvendësministrat?

Hajredin Kuçi: Mua më vjen keq që znj. Kadriu e ka lëshuar PDK-në. Ka qenë e mirëseardhur në PDK. Ka pasur nevojë PDK-ja ende. Natyrisht që ndryshimet edhe angazhimet që i kërkon një individ, janë synimet politike në kuptimin e stazave më të gjata, efektet nuk janë të menjëhershme dhe nuk është “shok- terapi” në politikë me veprime, por sido që të jetë, dhe pres që ajo ta jep kontributin e vetë dhe bashkëpunimin e kemi të mundur.

Gazeta Blic: A ju dëmtuan largimi i Margarita Kadriut, Shaip Mujës dhe Gëzim Kelmendit nga Grupi Parlamentar i PDK-së

Hajredin Kuçi: Absolutisht. Si jo? Çdo largim nga PDK është dëmtim për PDK-në. Dhe neve na vjen keq, dhe unë i ftoj në mënyrën më të sinqertë që t’i gjejnë format e bashkëpunimit, format e tolerancës politike, por jo duke prekur dinjitetin e tyre. Por, ata të dytë (Shaip Muja e Margarita Kadriu) janë që kanë kontribuar për PDK-në në forma nga më të ndryshmet dhe se ka hapësirë ende që të kontribuojnë, jo për PDK-në, por përmes PDK-së për vendin. Dhe unë nuk e ndjej veten mirë edhe si nënkryetar i PDK-së, por edhe si anëtarë, kur i kemi dy deputetë më pak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>