Përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimorë dhe të dërguarit amerikan dhe evropianë për rajonin, diskutuan të hënën në Budva të Malit të Zi për luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në strukturën e sigurisë së rajonit.
Përgjatë debatit me temën “Lufta në Evropë:ndikimi në Ballkan”, të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan nga Shtetet e Bashkuara, u theksua nevoja e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe institucioneve ndërkombëtare për të shmangur cdo mundësi destabilizimi, mes shqetësimeve se lufta në Ukrainë mund të ndikojë në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, theksoi se është jashtëzakonisht i rëndësishëm bashkëpunimi në rajon drejtë qëllimit të përbashkët të të gjitha vendeve, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
“Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin gjatë rrugës. Prej kohësh ky rajon ka vuajtur pasojat e politikave të papërgjegjshme. Më në fund, ka ardhur koha që të përqendrohemi në bashkëpunim në vend të politikës së mosmarrëveshjeve. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është një kujtesë e madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Është detyrim i çdo vendi në Ballkanin Perëndimor që të kontribuojë në ruajtjen e paqes, të dërgojë mesazhin se lufta nuk mund të jetë mjet i pranueshëm në shekullin e 21-të”, tha kryeministri Abazoviq.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, theksoi se është “shumë optimist për perspektivat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë anëtarë të BE-së” dhe u zotua se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen e tyre në këtë drejtim.
“Kjo krizë na tregon vërtet se politika e zgjedhur dhe e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara – mbështetja, angazhimi dhe promovimi i Ballkanit Perëndimor po jep rezultate”, tha zoti Escobar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se lufta në Ukrainë paraqet një kërcënim për strukturën e sigurisë në rajon, ndërsa e vlerësoi me rëndësi debatin e sotëm për të dërguar një mesazh të qartë dhe për të përsëritur qëndrimin lidhur me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.
“Kosova dënon fuqishëm luftën në Ukrainë dhe solidarizohet me popullin e Ukrainës. Edhe një herë, si në Ballkan në vitet e 90-ta, paqja do të mbizotërojë”, tha presidentja Osmani, duke theksuar se është e rëndësishme që Ballkani Perëndimor të respektojë plotësisht sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
“Deri më tani Mali i Zi, Kosova dhe disa vende të tjera të rajonit kanë qenë ndër të parat që i kanë vendosur këto sanksione, por jo të gjithë, për fat të keq. Prandaj edhe një herë i bëj thirrje BE-së që të dërgojë një sinjal shumë të qartë për ata që nuk dënojnë dhe që e ndihmojnë apo i japin frymëmarrje artificiale (Rusisë)”, tha presidentja Osmani.
Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak tha se rajoni nuk është i vetëm dhe se BE-ja qëndron në krah të Ballkanit Perëndimor.
“BE-ja është këtu me ju dhe BE-ja do t’ju ndihmojë të përballeni me pasojat e luftës që lidhen me refugjatët, efektet ekonomike dhe sociale dhe sigurinë. BE-ja ka një plan për të ndihmuar vendet e rajonit”, tha Lajçak.
Zoti Lajçak, vuri në dukje se efektet e luftës e bënë të gjallë politikisht procesin e zgjerimit.
“Procesi i zgjerimit bazohet në vlera të përbashkëta dhe është shumë e rëndësishme që vendet e rajonit të tregojnë se ndajnë këtë sistem vlerash. Rajoni nuk mund të presë. Kjo tragjedi është një mundësi për rajonin dhe i takon rajonit ta shfrytëzojë atë”, tha Lajçak.
I dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, tha se vendi i tij mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor përballë përpjekjeve për të nxitur destabilizim, ndërsa theksoi se lufta në Ukrainë nënvizon rëndësinë e sigurisë kolektive, si dhe të sundimit të ligjit.
“Ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë vende me një politikë të fortë rezistence dhe sundimi të ligjit, duhet të përballemi me situatën në të cilën ndodhemi. Ne e dimë se Rusia dëshiron të krijojë një problem këtu dhe ne jemi me ju”, tha zoti Peach.
Zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçik, tha se agresioni rus nxiti të gjitha vendet e rajonit që të mbajnë qëndrim për vlerat e përbashkëta.
“Maqedonia e Veriut është një nga vendet e para që respekton plotësisht politikën evropiane të sigurisë dhe vendosjen e sanksioneve. Është një situatë e padëshirueshme për të gjithë, por është edhe një zgjedhje morale për vendin. Zgjedhja jonë për të dënuar agresionin dhe për të qëndruar pranë Ukrainës nuk është vetëm një detyrim, por edhe një zgjedhje morale e vlerave”, tha ministri Mariçik.
voa