Ivo Vajgl është një eurodeputet slloven, por lidhjet me shqiptarët dhe Shqipërinë i ka të hershme. Pasi rrëfen këtë raport, në cilësinë e raportuesit për Maqedoninë në Parlamentin Europian, ai flet për ngjarjen e Kumanovës, ku nuk nguron të qortojë si Tiranën, edhe Prishtinën.
Ivo Vajgl, eurodeputet slloven: Me lopata, një nga një po shkojmë, për të çelur rrugën Kukës-Peshkopi.
Politikani slloven 72-vjeçar, Ivo Vajgl kujton ende këngën e brigadës shqiptare të vitit 1948. Ishte vetëm 5 vjeç, kur erdhi për të jetuar në Shqipëri.
Ivo Vajgl: Kur nëna më dërgonte për të blerë qumësht, e dija se duhet të thoja ‘një qumësht’, ose dy, 3 apo 4 sa më duheshin. Jetoja në Shqipëri kur isha fëmijë, pasi babai im ishte inxhinjer dhe punoi për ndërtimin e hekurudhës së parë ndërmjet Kukësit dhe Peshkopisë. Prandaj jetuam në Durrës për disa kohë, në një shtëpi, të cilën e rigjeta, megjithëse jo në ato kushte të mira, pas gati 60 vitesh, kur vizitova Tiranën me pozitë zyrtare.
Në vjeshtë të 2004-s daton vizita e parë zyrtare e tij, si ministër i Jashtëm i Sllovenisë në atë kohë. Në përfundim të këtij mandati u shpeshtuan udhëtimet drejt Shqipërisë, një vend i izoluar në rininë e tij, kur kujtonte këngët shqiptare me shokët e ushtrisë, që vinin nga Kosova.
Vajgl: Ishte shkrimtari i njohur shqiptar, Jusuf Buxhovi, dhe poeti për fëmijë, Vehbi Kikaj, me të cilin bëmë ushtrinë bashkë. Ai më citonte këngët shqiptare dhe disa prej tyre i mbaja mend. E kam vizituar disa herë Shqipërinë dhe i çmoj shumë shqiptarët. Ata janë mjaft të aftë, shumë inteligjentë dhe kanë një sens të gjerë për sipërmarrje. Jam mjaft i kënaqur me shpejtësinë e zhvillimit të Shqipërisë. Ka mjaft ritëm dhe pres me padurim vizitën e ardhshme drejt Tiranës. Kam dëgjuar se ka mjaft ndërtime të reja, rrugë e bulevarde, por do të doja gjithashtu, që Shqipëria të bënte më shumë për bukuritë e saj natyrore, veçanërisht për bregdetin. Ka pasur një zhvillim anarkik në bregdetin përreth Durrësit, por ju ende keni brigje të tjera tërheqëse dhe, për mua, Shqipëria duhet të jetë një ndër vendet më atraktive europiane në të ardhmen.
Eviton komentet për zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri, por raportuesi për Maqedoninë në PE nuk ngurron të qortojë rolin e Tiranës, e veçanërisht të Prishtinës, për ngjarjet në Kumanovë.
Vajgl: Është ende mister, ajo çfarë ndodhi në Kumanovë. Për të qenë i sinqertë nuk jam shumë i kënaqur me pozitën zyrtare të Kosovës dhe pyes gjithashtu veten se, cili qe arsyetimi zyrtar i Tiranës mbi ngjarjet atje. Unë mendoj se është ekstremisht e rëndësishme, që gjithësecili të luajë rolin e vet dhe se duhen respektuar të gjitha minoritetet shqiptare në vendet fqinje, të cilët duhet të mbajnë lidhjet e tyre me shtetin shqiptar, për traditat, kulturën e me radhë. Por, mendoj se çdolloj nisme me aromë irredentiste duhet dalluar, e parandaluar që në fillim. Për mua, ngjarjet në Kumanovë duhet të hetohen në mënyrë të plotë, për të parë se kush ishin ata njerëz atje, kush i organizoi dhe cilat janë arsyet, përse u bënë ato zhvillime të tmerrshme.
“Ballkani është i ndërlidhur dhe pjesë e Europës” për eurodeputetin slloven, i cili këshillon vendet e rajonit “të harmonizojnë planet e zhvillimit ekonomik dhe politikat e brendshme”, për një të ardhme të përbashkët më të mirë.
Përgatiti: Arta TOZAJ
/ Top Channel