Keqpërdorimi për fushatë elektorale partiake – Përdhosja më e shëmtuar që mund ti bëhej emrit të Mehmet Gegës

Axha Mehmet 2Si një nacionalist me parime dhe qëndrime të palëkundura, rrethi ku sillej axha Mehmet, siç e quanim ne në Tetovë, ishte i ngushtë. Ai vetë nuk honepste njerëzit me karakter të dobët, dyfytyrësh, servilë dhe spiunë, e nga ana tjetër, një pjesë e tetovarëve kishin frikë për pasoja nga pushteti, të duken në praninë e tij.

 

Një ndër shtëpitë ku ai ndjehej i mirëseardhur ishte shtëpia jonë – e shokut dhe bashkëmendimtarit të tij, Nijazi Fandës. Ky ishte fati dhe privilegji që kishim ne si fëmijë në atë kohë por edhe më vonë, të dëgjonim dhe frymëzoheshim nga goja e tij për përjetimet dhe veprimtarinë e tij patriotike. Një nga këto përjetime të tij, i viteve 80, m’u kujtua këto ditë kur dëgjova për “Akademinë përkujtimore për jetën dhe veprën e Mehmet Gegës”, të organizuar nga partitë e Bilall Kasamit dhe Izet Mexhitit: një korrier i një institucioni të “Republikës Socialiste të Maqedonisë”, i shkon një ditë Mehmet Gegës në punë (një shitore frutash dhe perimesh ku ai punonte, pasi e kishin hequr nga puna si arsimtar), për t’ia dorëzuar vendimin për pension veterani të “luftës nacionalçlirimtare të Jugosllavisë” . Me të dëgjuar arsyen se pse kishte ardhur, axha Mehmet, i egërsuar, i sulet korrierit të tmerruar, me çfarë kishte në dorë, duke i bërtitur: “Më morët ushtar me dhunë, të lidhur, duke më tërhequr zvarrë, më torturuat, burgosët… e tani, ju xhelatët e keni dhe guximin t’më ofroni pension lufte…”. Mu kujtua , sepse pikërisht kështu do të reagonte Mehmet Gega po të ishte gjallë, edhe ndaj këtyre “korrierëve” të VMRO, hienave që kërkojnë të përfitojnë nga sakrificat e Mehmet Gegës, për të mashtruar votuesit shqiptarë dhe për të vazhduar qëndrimin në pushtet.

“Pa vatan, nuk ka iman” ishte thënia e tij e preferuar, të cilën ai e përsëriste shpesh. Mehmet Gega, përndryshe një besimtar i devotshëm, e kishte kuptuar që herët se vatani i tij ishte i rrezikuar nga “imani” në duart e “shejtanëve”, i vetëdijshëm se nxitja e shqiptarëve për t’u shpërngulur në Turqi, bëhej pikërisht nëpër xhamia, nga kleri i mobilizuar nga UDB-a. Ishte i vetëdijshëm për marrëveshjen në mes të Jugosllavisë (Serbisë) dhe Turqisë, për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre. Ndaj e nisi pa hezituar betejën për të bindur shqiptarët për të mos u shpërngulur në Turqi, duke shpërndarë fletushka të shkruara me dorën e tij. Ndaj pushteti e dënoi me 10 vite burg në vitin 1955.

Janë të njëjtët “shejtanë” të cilët duke përdorur “imanin” vazhdojnë ta realizojnë me sukses talibanizimin e Tetovës, për të përhapur ideologjinë neo-otomane në shërbim të interesave ekspansioniste turke, të cilët sot keqpërdorin emrin e Mehmet Gegës, për të fituar vota dhe pushtet, përmes të cilit do të vazhdonin të luftojnë vatanin e Mehmet Geges, të cilin ai e deshi kaq shumë dhe për të cilin ai sakrifikoi kaq shumë.

Nuk ka përdhosje më të shëmtuar për emrin e Mehmet Gegës, se sa kur sot keqpërdoret për fushatë zgjedhore nga Izet Mexhiti, që nga viti 2005 kryetar komune i Çairit, që nga viti 2008 e deri në korrik të këtij viti nënkryetar i BDI në pushtet, i cili vazhdoi të shijojë pushtetin gjatë gjithë kohës pa reaguar as me gjysmë fjale për shqiptarë e pafajshëm të procesit të montuar të Sopotit, të mbajtur në burg deri në vitin 2018; për masakrën kundër shqiptarëve në Brodec në vitin 2007; kur në vitin 2012 partia e tij në koalicionin bashkëqeverisës me VMRO dënoi shqiptarë të pafajshëm në rastin “Monstra”, për të paraqitur shqiptarët si fundamentalistë islamik të rrezikshëm; kur në vitin 2015 policia e shtetit të cilin e qeveriste partia e tij në koalicion me VMRO, rrethoi lagjet e shqiptarëve në Kumanovë dhe ushtroi dhunë policore/ushtarake ndaj popullsisë së pafajshme… Pothuajse për 20 vite në funksione politike në BDI nuk u kujtua në asnjë moment për të kërkuar të nderohen shqiptarët që sakrifikuan jetën dhe vite burg për kauzën shqiptare, mes tyre edhe për Mehmet Gegën.

Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi janë përfaqësues tipik të klasës politike mercenare të shqiptarëve në ish IRJM, që vazhdon të heshti si gjatë sistemit “sllavo-komunist”, ashtu edhe pas themelimit të PPD me 1990, para fakteve historike për krimet makabre të pushtetit të krijuar me vendimet e “ASNOM-it” ndaj shqiptarëve: ekspozimin e kokës së prerë të Xhemë Hasës në qendër të Gostivarit; masakrën e Monopolit në Tetovë, mbushjen e shkollave me shqiptarë të burgosur dhe ekzekutimet pa gjyq, Goli Otokun, burgjet e mbushura edhe sot e kësaj dite me të rinj shqiptarë. Akoma më shumë, kjo klasë politike pranon si të mirëqenë, pa asnjë kundërshtim kushtetutën diskriminuese për shqiptarët, me “ASNOM-in” në themelet e saj. “Nderimi” i atyre që sakrifikuan për çështjen kombëtare, sipas përzgjedhjeve dhe nevojave elektorale partiake, duke “harruar” periudhën e luftës së dytë botërore, krimet, masakrat dhe burgosjet e viteve 1944-1945, bashkë me dëshmorët dhe martirët e kësaj periudhe, tregon më së miri qëllimet jo të sinqerta dhe abuzive të këtyre partive, duke i bërë të padenjë për të nderuar kujtimin e tyre.

Afrim Fanda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>