Pretendimi për një dokument joformal që rizgjon debatet për kufijtë në Ballkan

Departamenti amerikan i Shtetit i tha programit të Zërit të Amerikës në gjuhën serbe se Shtetet e Bashkuara mbështesin tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës, respektimi i së cilës është përcaktuar me marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, që i dha fund luftës në atë vend.

Po të enjten, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë, shefat e misioneve diplomatike të vendeve anëtare të BE-së dhe komandanti i EUFOR-it lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën theksohet se “BE-ja është padyshim e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës”.

Komentet pasuan shkrimet e ditëve të fundit në Bosnjë dhe Kroaci për një dokument joformal (non-paper) me siç thuhet, propozimin për ndryshimin e kufijve ne Ballkan. Dokumentet e tilla janë joformale dhe shtrohen në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së.

Mediet kroate e boshnjake thanë se një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, i është dërguar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe në të propozohet ripërcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon.

Të enjten portali slloven “Necenzurirano.si” publikoi një dokument që pretendon se është kopje e dokumentit.

Sipas atij dokumenti propozohet ripërcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, mundësia e shkëputjes së Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina si dhe bashkimi i një pjese të Bosnjës perëndimore me Kroacinë.

Në Bashkimin Evropian thanë disa herë se nuk kanë njohuri për një dokument të tillë.

Kryeministri slloven, Janez Jansha, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, shkroi se pretendimet për një dokument të tillë janë veprime që synojnë “të dëmtojnë Slloveninë në BE”.

“Përndryshe, Sllovenia kërkon seriozisht zgjidhje për zhvillimin e rajonit dhe ardhmërinë evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa pikërisht shkrimet e tilla përpiqen ta pengojnë këtë qëllim”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Udhëheqësja e Socialdemokratëve të Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila ka shërbyer si deputete në Parlamentin Evropian, u paraqit të enjten në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë duke i bërë thirrje kryeministrit dhe ministrisë së Jashtme që të deklarohen rreth pozicionit të Sllovenisë ndaj vendeve të rajonit.

“Politika e jashtme e përgjegjshme sllovene duhet të deklarohet dhe të mbështesë perspektivën e qartë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë për të cilën unë i bëj thirrje Janshës që sa më parë, Ballkanit Perëndimor t’ia bëjë të qartë qëndrimin, veçanërisht Bosnje e Hercegovinës. Ne kemi një mundësi të jashtëzakonshme për të rivendosur besimin midis BE-së, Sllovenisë dhe rajonit gjatë presidencës sonë”, tha zonja Fajon.

Në Bosnjë pati shumë reagime nga myslimanët dhe kroatë ndaj çdo pretendimi për prekjen e kufijve, një çështje shumë e ndjeshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ende po bën përpjekje të ripërtërihet nga pasojat e luftërave të përgjakshme në fund të shekullit të kaluar.

Nuk pati ndonjë reagim në Kosovë ku në verën e vitit 2018 qenë ngritur diskutime rreth çështjes së shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një debat në kuadër të punimeve të forumit të Alpbachut në Austri, kërkuan mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që mund të arrihej në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.

Presidenti serb në atë kohë kishte shpallur si politikë të tij “vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, që nënkuptonte ndarjen e Kosovës, me veriun që do t’i bashkohej Serbisë, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi angazhohej për “korrigjim kufijsh” që do të nënkuptonte bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Idetë nxitën reagime të ashpra në Kosovë, por edhe në Serbi si dhe kundërshtimin e një pjese të vendeve të Bashkimit Evropian mes të cilave Gjermania ishte më e zëshmja.

Të premten, ministri gjerman i punëve të Jashtme, Michael Roth, shkroi në rrjetet sociale se “vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të ardhme vetëm si shoqëri shumetnike dhe shumfetare. Pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal është çelësi drejt paqes, demokracisë dhe përparimit. Vizatimi i kufijve të rinj është rrugë e rrezikshme”, shkroi ai.

Vëzhgues të pavarur në Kosovë thanë se publikimi i dokumentit të pretenduar slloven, mund të jetë një test i ri për opinionin publik në Ballkanin Perëndimor, aspiratat e të cilit për integrime evropiane ende rëndohen nga problemet e trashëguara.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>