Në Shqipëri jetohet më mirë se në Maqedoni, Serbi e Greqi

Instituti amerikan i studimeve Cato në një raport të publikuar për “Indeksin e mjerimit” në 108 vende në botë ka renditur mes tyre edhe Shqipërinë.Por ajo që vihet re është se sipas Cato Institute vendi ynë ka standarde jetese më të mirë se vendet fqinje si Serbia, Greqia apo edhe Maqedonia.

Radhitja si vende më të mjerueshme nis nga numri 1, ndërsa në këtë listë Maqedonia radhitet lartë, duke qenë vend i varfër dhe që popullata e saj jeton në mjerim. Sipas kësaj liste Maqedonia radhitet në vendin e 12, afër Sudanit, Kirgistanit, Afrikës Jugore. Serbia konsiderohet edhe si vend edhe më i mjerueshëm duke u radhitur në vendin e 8.

Ndërsa Kosova, shteti më i ri i Ballkanit nuk është i përfshirë në listën e 108 shteteve.

Pesë vendet më të mjerueshme në botë në fund të 2014 janë: Venezuela, Argjentina, Siria, Ukraina, dhe Iran.

Pesë më pak të mjerët janë: Brunei, Zvicra, Kina, Tajvani dhe Japonia.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 95, që e bën atë kombin e 14-të më pak të mjerueshëm nga 108 vendet që janë përfshirë në studim.

Cato ka cilësuar në paraqitjen e këtij raporti se të dhënat i ka marrë nga Banka botërore dhe se vendet që nuk janë përfshirë në këtë listë, janë sipas Bankës Botërore vende të cilat nuk kanë pasur rezultate të kënaqshme për vitin që lamë pas. (INA)

Rasti “Puç”, mediet greke: Gruevski po sillet si diktator

Mbështetje për Zoran Zaev dhe akuza ndaj kryeministrit Nikolla Gruevskit është ajo që dominon në 35t greke në tentimin për puç në Maqedoni, informoi raportuesi i Netpress nga Athina.Kërcënimet e Zaev nuk e kanë prishur sigurinë e vendit, ndërsa kryeministri Gruevski është një diktator, këto janë disa pjesë të konstruksioneve që mund të lexohen në Greqi me rastin e skandalit që ndodhi në Maqedoni.

Magazina online për diplomaci dhe strategji ‘ Via diplomacy’ në mbrojtje të Zaevit, komenton se kryeministri Gruevski i ka shfrytëzuar gjyqësinë dhe policinë për ta involvuar liderin opozitar në rastin ‘ Puç ‘.

“ Ky opsion a do ti shërbej kryeministrit të vendit fqinj, do të shihet në ditët në vijim sipas reagimeve të SHBA-ve dhe anëtarëve të Parlamentit Evropian të cilat më herët e mbështetnin Nikolla Gruevski, i cili tash është i akuzuar se sjell vendime të karakterit totalitar”, shkruan magazina.

Edhe portali grek ‘ Defence point’ doli në mbrojtje të Zoran Zaevit.

“ Si të mos ishte e mjaftueshme që politikisht e margjinalizoi vendin dhe e shndërroi Shkupin në cirk për shkak të ëndrrave irredentiste maqedonase, i pa parashikueshmi Nikolla Gruevski duke sjell si diktator, tash po e padit oponentin politik”, shkruan portali. (lajm)

Flekenshtajn dhe Hovit: Deklaratat e Gruevskit dhe Jankullovskës kundërthënëse

Nënkryetari i socialistëve në Parlamentin europian, Knut Flekenshtajn dhe ish raportuesi për Maqedoninë në BE, Ricard Hovit thonë se po i ndjekin ngjarjet në Shkup me shumë vëmendje. Ata mbeten të shqetësuar me ndikimin në proceset gjyqësore dhe me drejtësinë selektive në Maqedoni, transmeton “Lajmpress”.“Ne kërkojmë hulumtim transparent për akuzat, duke e pasur parasysh përforcimin e sundimin e së drejtës, që janë shënuar edhe në raportin e progresit nga ana e KE-së. dëgjuam deklarata kundërthënëse të kryeministrit dhe Ministres për punë të brendshme. Njëri thotë se personi është i akuzuar, tjetri thotë se prokuroria ende po mendon a ta bëjë atë”, thonë ata.

Flekenshtajn dhe Hovit shtojnë më tutje se asnjë medie, siç thonë ata, e kontrolluar nga qeveria, nuk e ka transmetuar konferencën e shtypit të Zoran Zaev, ku ai iu përgjigjet akuzave. Andaj kërkojnë nga Qeveria të sigurojë përfshirje transparente të akuzuarit gjatë procesit.

“Është minimum që mund ta bënë Qeveria, që të mbrohet nga publiku”. (lajm)

Ulet niveli i ujit, por ende mbi 5000 hektarë janë të përmbytura

Niveli i ujrave në shumë nga zonat e përmbytura është ulur, por ende nuk ka një përmirësim të dukshëm të situatës. Tokat dhe banesat janë përmbytur ndërkohë që banorët në mëngjes u rikthyen në pjesen më të madhe të tyre për të shpëtuar atë çfarë mund të ketë mbetur pa u shkatërruar nga ujrat.Banorët e Novoselës, një zonë e goditur rëndë nga përmbytjet, kërkojnë që të marrin ndihmë nga shteti për të larguar sa më parë ujin nga shtëpitë e tyre, si dhe të dëshmpërblehen për humbjet që kanë pësuar sidomos në bagëti.

Fermerët dhe blegtorët e kësaj zone, por jo vetëm, nuk i kanë braktisur banesat dhe tokat e tyre, pavarësisht rreziku që i kanoset prej vërshimeve të ujit. Ata po përpiqen të shpëtojnë çfarë të munden nga pushtimi i ujit, por barinjtë thonë se humbjet në dhen janë në masë të madhe. Ende nuk ka një shifër për humbjet në bagëti, ndërsa problem mbetet prania e kafshëve të ngordhura në zonat e përmbytura.

Mesditen e së martës, Ministria e Brendshme njoftoi se një sipërfaqe prej 5 mijë hektarësh në mbarë vendin ndodhet nën ujë për shkak të përmbytjeve të ditëve të fundit. Me anë të një njoftimi për 35t, bëhet e ditur se janë evakuuar 420 familje dhe se ka nisur shpërndarja e ushqimeve për familjet në zonat më të goditura, kryesisht në fshatin Novoselë të Vlorës. Po ashtu ndihma do të ketë për familjet në Levan të Fierit dhe Urën Vajgurore, një zonë po ashtu e përfshirë nga përmbytjet.

Ministria e Brendshme siguron se gjendja është nën monitorim, ndërkohë që lumi i Semanit ka arritur në nivele kritike për shkak të prurjeve të shumta.

Vjosa ka më pak prurje dhe gjendja po shkon drejt normalizimit, ndërsa probleme hasen në aksin rrugor Vlorë-Selenicë, ku disa segmente janë ende nën ujë.

Në qarkun e Beratit janë dëmtuar mjaft sera, por ende nuk është bërë përllogaritja e dëmit të shkaktuar. / Top Channel

Migrimi ilegal fundos liberalizimin e vizave

Numri i madh i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian do të vështirësojë edhe më shumë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës, thonë se pavarësisht punës së bërë deri më tash në zbatimin e kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, zhvillimet e fundit në vend, migrimi ilegal, do të bëjnë që Komisioni Evropian ta ketë të vështirë që të rekomandojë heqjen e vizave për Republikën e Kosovës.

Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë politik në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se migrimi ilegal edhe në vitin 2014, por edhe në muajin e parë të këtij viti ka shënuar rritje, dhe sipas tij, një situatë e tillë do ta dëmtojë punën e bërë nga institucionet e Kosovës për liberalizimin e vizave.

“Pa dyshim se numri i madh i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian, po e dëmton edhe ketë proces dhe do të vonojë vendimin eventual të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të hequr vizat për qytetarët e Kosovës. Ne po punojmë ngushtë me këto vende dhe me Komisionin Evropian për të adresuar edhe çështjen e migrimit jo të rregullt”, tha Rexhepi.

Rexhepi tha se secili qytetar i Kosovës ka të drejtë të kërkojë dhe të gjejë një jetë më të mirë kudo, por jo në formën e migrimit të parregullt.

“Ne vazhdimisht ju kemi bërë thirrje qytetarëve që të mos migrojnë në këtë formë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, sepse është një rrugë me rrezik për ta dhe për familjet e tyre”, tha Rexhepi.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar para pak kohësh pati deklaruar se migrimi ilegal nga Kosova është një shqetësim për BE-në dhe shtetet anëtare të saj.

Ai ka thënë se vala e madhe e migrimit jo të rregullt dhe rritja e madhe e aplikacioneve për azil nga qytetarët e Kosovës në BE duhet të adresohen menjëherë dhe në mënyrë efikase nga Kosova.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, kanë përmendur krijimin e një trask-force për t’u marrë me migrimin ilegal, mirëpo deri më tash, një mekanizëm i tillë nuk është krijuar.

Avni Mazreku, profesor i së Drejtës Evropiane, thotë se migrimi jo i rregullt i kosovarëve do t’i shkaktojë problem Kosovës, kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave.

“Lëvizjet kaq të mëdha të njerëzve, përkatësisht migrimi ilegal i njerëzve është diçka që shkon në dëm të procesit të liberalizimit të vizave, sepse liberalizimi i vizave apo shtetet që pretendojnë të jenë në zonën Shengen, duhet të konsiderohen vende të sigurta, ku ka stabilitet politik, ekonomik dhe juridik. Një lëvizje e tillë nuk mund të jetë pozitive, është e kundërta, mund të ndikojë negativisht”, tha Mazreku.

Migrimi jolegal mund të parandalohet vetëm me zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve për punësim, thotë Mazreku.

“Elementi i parë në fakt që duhet Kosova ta ketë është politika konstruktive që shkon drejt zhvillimit ekonomik të vendit. Mendoj se arsyet kryesore pse njerëzit dalin nga Kosova është mungesa e perspektivës ekonomike”, tha Mazreku.

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ende nuk ka ndonjë të dhënë për migrimet e qytetarëve të Kosovës këtë vit.

Ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë, janë duke përsëritur në vazhdimësi se asnjë nga vendet e tyre nuk japin azil për qytetarët e Kosovës. (rel)

Kompensimi i dëmeve, Qeveria mund të detyrohet të ndryshojë buxhetin

Dëmet e mëdha materiale të shkaktuara nga vërshimi i lumenjve në jug të vendit mund të detyrojnë Qeverinë të ndërhyjë në buxhet. Burime nga Ministria e Financave thanë për Top Channel se deri më tani shpenzimet për të asistuar familjet e prekura nga përmbytjet po përballohen nga fondi rezerve prej 50 milionë lekësh i Ministrisë së Brendshme.

Por këto janë vetëm shpenzimet për nevojat emergjente si akomodimi i banorëve të evakuar dhe furnizimi i tyre me ushqime apo veshmbathje. Fatura më e madhe vjen më pas, kur uji të tërhiqet dhe të nis vlerësimi i dëmeve në terren.

Qeveria ka një fond rezervë në buxhet prej 1.5 miliardë lekësh. Burime nga financat thonë se ky do të jetë fondi bazë për kompensimin e dëmeve. Por fatura e saktë e tyre do të mësohet vetëm pasi të ketë përfunduar vlerësimi në terren, dhe pasi Qeveria të ketë vendosur se deri në ç’masë do i kompensojë dëmet. Një ditë më parë, Kryeministri deklaroi se banorët e prekur do të dëmshpërblehen.

Nëse masa e kompensimit do të dalë më e lartë se fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, Qeverisë do t’i duhet të gjejë burime të tjera për dëmshpërblimin. Por edhe nëse fatura do të jetë më e vogël se 1.5 miliardë, sërish prekja fondit rezervë që në muajt e parë të vitit, do e linte buxhetin zbuluar përballë ngjarjeve të tjera të papritura deri në fund të vitit.

Ndaj në të dy rastet, gjendja e jashtëzakoshme në jug të vendit mund të çoje në rishikimin e detyruar të buxhetit, i cili mund të shmanget vetëm nëse Qeveria do të sigurojë grant nga ndërkombëtarët. / Top Channel

Qeveria, marrëveshje me BERZH për 18 milionë euro

Ministria e Financave dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim nënshkruan marrëveshjen e grantit 18 milionë euro që kjo bankë ka akorduar për ndërtimin e bypass-it të Vlorës. Eshte pjesa e fundit qe kompleton te gjithe paketen 53 milione euro per ndertimin e 29 kilometrave rruge të kesaj nyje te rendesishme, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

“Brenda marsit fillon ndertimi ne terren dhe punimet do te zgjasin 30 muaj”, tha ministri i Transporteve, Emond Haxhinasto.

Përfaqësuesi i BERZH deklaroi se ndërtimi i kësaj nyje është një projekt i rëndësishëm me përfitime të mëdha për ekonominë

“Ky seksion ne shqiperi eshte shume i rendesishem pasi do te lidhi edhe rruge te tjera te financuara nga Banka Europiane per Ndertim dhe Zhvillim. Rendesia e ketij projekti nuk eshte vetem permiresimi i cilesise dhe i sigurisë së rrugëve në këtë zonë, por edhe në përfitimet e gjera ekonomike që ka ndertimi i nje rrjeti transporti modern dhe eficent’, thotë Holger Muent.

Bypass-i i Vlores ka nje gjatesi prej 29 kilometer dhe kushton ne total rreth 50 milione euro. / Top Channel

Kurti: Jablanoviçi dhe Trepça- pika neuralgjike për Kosovën

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i tha Zërit të Amerikës se ministri Aleksandër Jablanoviç paraqet një koncept serbomadh ndërsa Trepça një shans për zhvillim të KosovësNë Kosovë, qeveria dhe opozita po këmbejnë kritika pas protestave të së martës që u përfshinë nga dhuna, e cila la pas vetes dhjetëra të lënduar dhe shumë dëme materiale. Qeveria thotë se ato ishin përpjekje për të marrë pushtetin me dhunë, ndërsa opozita mohon një gjë të tillë duke theksuar se synimi i tyre ishte në fakt forcimi i shtetit. Autoritetet ndërkombëtare po bëjnë thirrje për dialog politik dhe shmangie të veprimeve të dhunshme në protestat e paralajmëruara për javën që vjen me kërkesat për shkarkimin e një ministri serb në qeverinë e Kosovës dhe sqarimin e fatit të kompleksit të minierave Trepça.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se këto dy çështje këto janë dy pika neuralgjike: ministri Aleksandër Jablanoviç si koncept serbomadh dhe në anën tjetër Trepça, si shans për zhvillim të Kosovës. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ai thotë se synim i Serbisë nuk është okupimi i Kosovës, por bosnjëzimi i saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, protestat e organizuara prej jush dhe rrjedha e tyre kanë rritur tensionet në Kosovë. Si mund të shtendoset kjo gjendje?

Albin Kurti: Ka tri javë që kanë filluar protestat në Kosovë. Fillimisht me kërkesën për shkarkimin e Jablanoviçit nga qeveria e Kosovës dhe më pas edhe me mbrojtjen e Trepçës, nëpërmjet një ligji të veçantë që e bën Trepçën ndërmarrje publike të veçantë. Dhe këto protesta kulmuan në ato dy të fundit në Prishtinë, e para më 24 janar, të shtunën që shkoi, ndërkaq tjetra të martën më 27 janar. Në protestën e fundit kishte një intervenim brutal e mizor të policisë, me ç’rast ata na trajtuan neve ashtu siç ishte deklarata e Jablanoviçit, pra si egërsira. Fillimisht na i vendosën barrierat metalike në sheshin Skënderbeu, duke mos na lejuar që të kemi lirinë e qarkullimit dhe grumbullimit paqësor dhe më pas në rrugët e Prishtinës kanë gjuajtur me pushkë të gjata, me plumba gome, me ç’rast ka pasoja prej kalimtarëve të rastit me këmbë të thyer e deri te një protestues 29 vjeçar, të cilit nuk dihet nëse do t’i shpëtojë syri, për shkak se është goditur me plumb gome në sy. Kjo ka qenë për neve e papritur, sepse nuk kemi menduar që kaq gjatë dhe kaq shumë do ta mbrojnë Jablanoviçin i cili na e mohon historinë dhe na e nëpërkëmbë dinjitetin nga pozicioni i ministrit të qeverisë së Republikës.

Zëri i Amerikës: Por, zoti Kurti në dhunën që shpërtheu posaçërisht të martën, numri më i madh i të lënduarve ishte nga radhët e policisë?

Albin Kurti: Policia rregullisht e rritë numrin e të lënduarve të saj dhe nuk ka mundësi të bëjmë kurrfarë barazimi këtu, meqenëse policia kishte pajisje të shumta dhe ishte e armatosur deri në dhëmbë, ndërkohë që përballë saj ndodheshin rinia kosovare përgjithësisht, kishte edhe të moshuar, por kryesisht ishin rini që ishin tërësisht të paarmatosur. Madje edhe gurët që u hodhën mbi policinë pas intervenimit të policisë me gaz lotsjellës dhe me shufra gome e me autoblinda, edhe ata gurë, ishin gurë që gjendeshin aty. D.m.th. merrnin gurët që tashmë ishin në rrugë. Nuk kishte askush që kishte ardhur atë ditë në protestë më gurë. Por, unë nuk mendoj që duhet ta problematizojmë reagimin qytetar të 27 janarit, por duhet ta problematizojmë faktin që prania e ministrit të Listës serbe, Jablanoviç në qeverinë e Kosovës, është dhunë e përditshme, edhe më 27 janar edhe secilën ditë para 27 janarit dhe secilën ditë pas 27 janarit. Është dhunë mbi nënat gjakovare, është dhunë mbi historinë tonë kombëtare dhe është dhunë mbi institucionet e Republikës.

Zëri i Amerikës: Për shumë kë ministri Jablanovic dhe Trepça ishin vetëm njëfarë “casus belli”, njëfarë preteksti për protestat. Pse është kaq me rëndësi ministri Jablanoviç?

Albin Kurti: Ne kemi pasur ministra serb edhe në qeveritë e mëhershme. E kemi pasur Nenad Rashiçin, ministër të punës dhe mirëqenies sociale, mirëpo ai asnjëherë nuk ka thënë që në Kosovë Serbia nuk ka bërë krime, nuk ka kryer masakra. Ai asnjëherë nuk i ka quajtur shqiptarët egërsira. Përkundrazi, e ka pranuar pavarësinë e Kosovës dhe ka dashur gjithmonë dhe me gjithë mend të kontribuojë në integrimin e serbëve në institucionet kosovare edhe në shoqërinë kosovare. Jablanoviçi është diçka tjetër. Ne nuk kemi problem me Jablanoviçin pse është serb. Ne nuk kemi fare problem me serbët civil. Problemi me Jablanoviçin është sepse deklarata e tij, përveç se është e palejueshme, në të njëjtën kohë, ajo është shprehje e Serbisë brenda Kosovës. Pra misioni i kreut të Listës serbe, qartazi është që me deklarata të llojit të Milosheviçit e Sheshelit, ta dobësojë edhe Kosovën për nga funksionimi përbrenda edhe karshi Serbisë. Prandaj, unë besoj që tash është momenti që Jablanoviçit t’i tregohet vendi. E vendi i tij duhet të jetë jashtë qeverisë së Republikës. Pra, nuk duhet shtyrë kjo punë më vonë. Jablanovici është mbiemri i përveçëm i një ministri, por në të njëjtën kohë edhe emri i një koncepti të përgjithshëm serbomadh në Kosovë. Pra, nuk është Jablanoviçi vetëm një person i veçantë, një person i posaçëm, por në të njëjtën kohë ai është shumë më tepër se kaq. Është vet Serbia brenda Kosovës e cila po tenton të na bosnjëzojë.

Zëri i Amerikës: Në kohën kur ju ishit pjesë e bllokut politik bashkë me LDK-në AAK-në dhe Nismën për Kosovën, e dinit që nëse krijoni qeverinë këtë do ta bëni edhe me Listën serbe, Ku është problemi tani me këtë listë?

Albin Kurti: Në muajin korrik të vitit 2014, Jablanoviçi pat deklaruar qe ai nuk ka problem me Vetëvendosjen, por Vetëvendosja ka me Serbinë. Pak ditë pas kësaj deklarate e thirrën në Beograd komplet Listën serbe dhe që prej atëherë ata filluan të thonë që ata nuk hyjnë në qeverinë e Republikës nëse është Vetëvendosje aty. Dhe filluan ta luftojnë Vetëvendosjen sikurse dikur UÇK-në. Me të njëjtin fjalor dhe me të njëjtin diskurs në përgjithësi. Tash Jablanoviçi e tha këtë deklaratë nga pozita e ministrit të qeverisë së Republikës së Kosovës. Nuk e tha nga pozita e deputetit. Kur u bë ministër e tha kësisoj, prandaj kjo është e patolerueshme. Dhe Lista serbe është formuar nga marrëveshja (Hashim) Thaçi – (Ivica) Daçiç e Brukselit, me ç’rast, Daçiçi na e pat caktuar edhe datën e zgjedhjeve lokale të fundit, 3 nëntorin e vitit 2013. Pra, Lista serbe është njëlloj formacioni që doli nga marrëveshja Thaçi – Daçiç, e cila në njërën anë e sajoi këtë formacion dhe në anën tjetër do të orvaten që ta sajojnë edhe asociacionin e komunave me shumicë serbe si një lloj entiteti i veçantë brenda Kosovës. Çështja është se nuk kishim iluzione për listën serbe. Mirëpo, ne në të njëjtën kohë kemi mundur që ta kemi sërish Nenad Rashiçin sërish ministër e jo Jablanoviçin. Sidomos, jo një ministër serb i cili na quan egërsira dhe të njëjtën kohë mohon masakrat e Serbisë. Unë kurrë nuk e kam takuar Jablanoviçin. Sa kemi bashkëpunuar me bllokun opozitar, unë nuk e kam takuar asnjëherë Jablanoviçin. Nuk e di të tjerët kush sa herë e ka takuar, por e di që e kanë takuar. Unë nuk e kam takuar asnjëherë. Unë e kam takuar në një takim të përbashkët me Mustafën edhe Haradinajn dhe Nenad Rashiçin, i cili e mbaj mend shumë mirë, pat thënë që mua më pëlqen ideja e Vetëvendosjes, dialog me serbët e Kosovës për zhvillim. Pra ai vet pat thënë kësisoj. Pra, nuk i fus unë të gjithë serbët në një thes, ashtu qysh nuk i fus as të gjithë shqiptarët në një thes. Ju po e shihni që disa prej kundërshtarëve të Vetëvendosjes dhe njerëzit që më së shumti hedhin gurë e dru ndaj meje, janë pikërisht shqiptarë.

Zëri i Amerikës: A nuk po humbet shumë energji në çështjen Jablanoviç, që fundi i fundit me deklarata e tij do t’i kushtonte më shumë qeverisë sesa juve?

Albin Kurti: Veçse ka disa themele të popullit dhe të institucioneve që janë të padiskutueshme. Nuk mundet dikush të na thotë neve tash që këtu s’paska pasur masakra. Sepse ai po e përgatitë shtegun për ta kthyer Serbinë në Kosovë me këto deklarime. Ne e dimë që edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, një ndër argumentet kryesore, në fakt kryesori që është përdorur prej të gjithë atyre që morën anën e Kosovës me rastin e shpalljes së pavarësisë, ishte pikërisht krimet e Serbisë. Dhe tash ky vjen edhe godet aty.

Zëri i Amerikës: Por, ky nuk mund ta ndryshojë historinë zoti Kurti. Mendoj që është deklaratë shumë e fortë që ai po e kthen Serbinë në Kosovë?

Albin Kurti: Jo, ai po e hap shtegun për një synim të Serbisë, e cila nuk do tash ta okupojë krejt Kosovën, por ta bosnjëzojë atë. Nuk po them që qëllimi është që Serbia ta okupojë krejt Kosovën. Serbia dëshiron që ta bosnjëzojë Kosovën me një entitet të veçantë, ku thuhet, krime ka pasur nga të dyja palët në fund të fundit. Por, para se të thuhet se krime ka pasur nga të dyja palët, së pari sulmohen krimet e Serbisë në Kosovë, duke tentuar së paku të minimizohen ato. Natyrisht që ne të gjithë e dimë që ka pasur krime të Serbisë në Kosovë dhe natyrisht që Jablanoviçi nuk ja ndryshon askujt mendjen me deklaratën e tij. Por, kjo është asfaltim për synimet hegjemoniste të Serbisë. Besoj që të gjithë qytetarët e kanë parë që mos shkarkimi i Jablanoviçit nga Mustafa, është papërgjegjësi e jashtëzakonshme e Mustafës, meqenëse kryeministri nuk është përgjegjës vetëm kur vepron, por edhe atëherë kur nuk vepron e do të duhej. Unë nuk e kuptoj bash tërësisht, si bëhet që Mustafa e merr ne mbrojtje Jablanoviçin, si bëhet që ai e minimizon deklaratën e Jablanoviçit dhe në të njëjtën kohë, si bëhet që Mustafa nuk e kupton që duke e mbrojtur Jablanoviçin, u jep leje Jablanoviçëve që ta përsërisin atë deklaratë. Me vet faktin që ti nuk reagon ndaj një deklarate të tillë, përmes shkarkimit si kryeministër, kjo shndërrohet në leje për deklarata të tilla në të ardhmen. Prandaj, ky është momenti kur duhet ndalur njerëzit e tillë.

Zëri i Amerikës: Hipotetikisht ta zëmë që qeveria shkarkon Jablanoviçin dhe kësisoj nxit reagimin e Listës serbe e cila mund të tërhiqet nga qeveria dhe ta çojë vendin në një situatë kur ai do të detyrohej të shkojë në zgjedhje të reja. Kush mendoni se do të fitonte zgjedhjet? Çfarë nëse do të kishte sërish një situatë të njëjtë politike?

Albin Kurti: Besoj që ka gjëra për popullin, shoqërinë, kombin, shtetin tonë më të rëndësishme sesa mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Nuk po të mbetet Republika as në letër nëse tolerohet deklarata e Jablanoviçit dhe vazhdon të sulmohet Trepça. Pra, këto janë dy pika neuralgjike: Jablanoviçi si koncept serbomadh dhe në anën tjetër, Trepça, jo vetëm si krenari e popullit tonë, por edhe si shans për zhvillim në të ardhmen. Këto janë tejet më të rëndësishme se çfarëdo zgjedhjesh për të cilat unë tash as nuk dua të flas as të mendoj.

Zëri i Amerikës: A po synoni në njëfarë mënyre, siç ka thënë edhe qeveria, që ta merrni pushtetin nëpërmjet rrugës që sigurisht do të nënkuptonte rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja?

Albin Kurti: Ata nuk janë në gjendje të mendojnë më shumë dhe përtej pushtetit të tyre, andaj edhe tash po e mbajnë pushtetin me dhunë dhe duke e mbajtur pushtetin me dhunë, dëshirojnë që të na fajësojnë neve se po duam t’ua marrim atë. Askush nuk po dëshiron t’ua marr pushtetin. Ne po duam që të mos lejojmë që ministër në qeverinë e Republikës së Kosovës edhe më tutje të jetë Jablanoviçi dhe që të na e kthejnë ligjin për Trepçën që e bën Trepçën ndërmarrje publike, sepse pa Trepçën ne nuk e kemi shansin për zhvillim industrial të ekonomisë dhe vendit tonë.

Zëri i Amerikës: Por qeveria thotë se tashmë e shpëtoi Trepçën nga falimentimi me ligjin për ndërmarrjet dhe pasuritë e tyre dhe tash duhet ligj i veçantë por i cili kërkon kohë?

Albin Kurti: Këta e sollën ne seancën e 19 janarit një projektligj, mirëpo e tërhoqën për shkak të diktatit të (Aleksandër) Vuçiçit. Ishte Vuçiçi i cili menjëherë deklaroi kundër projektligjit të tillë i cili bëri që Mustafa në seancë të jashtëzakonshme, që e thirri vet si kryeministër, sepse ka të drejtë në bazë të rregullores së punës së kuvendit, ta tërheqë atë dhe ta sjellë një tjetër që sjell një lloj moratoriumi 18 muajsh, që nuk është zgjidhje, sepse asetet e Trepçës, vazhdojnë që të rrënohen…

Zëri i Amërikës: Por a nuk krijon hapësirë për zgjidhje zoti Kurti?

Albin Kurti: Po, pse jo ai ligji i parë menjëherë?. Trepça ka nevojë urgjente për t’u zhvilluar. Këta nuk shpëtojnë asgjë. Ne mendojmë që duhet t’i shpëtojmë qytetarët prej kësaj qeverie e cila nuk e shkarkon Jablanoviçin dhe vazhdon ta mbajë Trepçën të pazhvilluar. Tash, ju e dini që kryeministri Mustafa ka thirrur disa seanca të jashtëzakonshme të kuvendit. Mirëpo, në javën kur kemi pasur dy protesta shumë të fuqishme, me 24 janar dhe me 27 janar, nuk thirrën seancë kuvendi. Në njërën anë thonë që dialogu duhet të jetë në kuvend, e në anën tjetër ata komunikojnë me neve përmes dhunës policore.

Zëri i Amerikës: Por, ju e nxorët debatin në rrugë, sipas qeverisë, zoti Kurti?

Albin Kurti: Po, kryeministri Mustafa ka mundur të thërras seancë të jashtëzakonshme pas protestës masive të 24 janarit. Të hënën më 26 janar, para protestës së 27 janarit, kemi mundur të kemi seancë kuvendi. Pse nuk e thirri? Jo, sepse ai po dëshiron që me neve të komunikojë përmes dhunës policore.

Zëri i Amerikës: Ju thoni se dëshironi ta shpëtoni qytetarin nga kjo qeveri. Si?

Albin Kurti: Shikoni. Me këto protesta paqësore, ne rrugët e Prishtinës po i shndërrojmë në sheshe, për shkak se sheshi është bërë rruga në të cilën e mbrojmë edhe Republikën, edhe historinë edhe dinjitetin edhe Trepçën edhe qytetarin e republikës i cili është në shesh tashmë. Pra, kur institucionet e mbajnë dhe e mbrojnë deklaratën fashiste, raciste të përfaqësuesit të Serbisë kundër shqiptarëve, natyrisht që ato institucione bëhen të pamjaftueshme. Dhe po e them edhe njëherë, në javën që shkoi nuk thirrën seancë të jashtëzakonshme, ndërkohë që kryeministri ka mundur ta bëjë këtë. Ndërkaq ne si opozitë nuk i mbledhim dot 40 nënshkrime, meqenëse Vetëvendosje edhe kur t’i bashkohen deputetët e AAK-së dhe Nismës, i ka 33 deputetë.

Zëri i Amerikës: Moratoriumi që u vendos mbi Trepçën nuk e ndryshon gjendjen e saj që është tash e 16 vjet e njëjta. Pra Trepça nuk doli sot. Pse pikërisht tash është shndërruar në pretekst?

Albin Kurti: Besoj se kjo vjen për shkak se Serbia dëshiron ta hapë si temë në bisedimet e Brukselit. Dhe ky është momenti që në aspektin legal juridik, ta vulosim Trepçën si ndërmarrje publike të Republikës së Kosovës dhe ta lidhim me Kuvendin e Republikës me një shumicë prej 80 votash për çfarëdo ndryshimi të saj. Trepça ka nevojë që t’i shtohet vlera përmes investimeve. Në bazë të ekspertëve të Vetëvendosjes, nëse investohen në Trepçë, është një kalkulim i gjatë, 177 milion euro, atëherë nga eksporti i metaleve të përpunuara dhe gjysmë të përpunuara qysh në vitin e parë do të mund të merrnim 450 milion euro, sipas çmimeve të tregut botëror që janë sot. Është absurde që ne të flasim për borxhet e Trepçës në kohën kur nuk kemi marrë pjesë në sukcesionin e ish Jugosllavisë, kur plani i (Martti) Ahtisaarit na ven pjesë të borxhit të jashtëm të Serbisë, që është e padrejtë dhe kur Serbia nuk na i ka paguar dëmet e luftës. Ndërkohë që janë këto tri padrejtësi, të flitet për borxhet e Trepçës, është e padrejtë. Dhe mos harroni që vlera e Trepçës është shumëfish më e lartë se çfarëdo borxhi i pretenduar, me ç’rast shumica e atyre pretendimeve në fakt janë false. Siç e ka thënë edhe eksperti i Vetëvendosjes, Nazmi Mikullovci, ne nuk kemi pse t’i frikohemi gjykatave dhe ligjit, sepse me to do të fitojmë duke dëshmuar që Trepça është e jona.

Zëri i Amerikës: Çështja e dëmeve të luftës, e trashëgimisë së ish Jugosllavisë janë çështje që duhet të diskutohen në një tryezë bisedimesh dhe kjo pritet të ndodhë pikërisht në bisedimet që aktualisht zhvillohen me ndërmjetësimin e BE-së, që ju vazhdoni t’i kundërshtoni. Përse zoti Kurti?

Albin Kurti: Dialogu i deritashëm që është zhvilluar me Serbinë ka qenë pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës. Rrjedhimisht rezultati nuk ka mundur të jetë i drejtë. Ne nuk jemi kundër dialogut si të tillë, por jemi kundër këtij dialogu i cili e bën Kosovën temë e Serbinë përcaktuese të agjendës. Serbia duhet të plotësojë një mori kushtesh para se të kualifikohet për të dialoguar me neve. Dhe ne pa e konfirmuar kësisoj subjektivitetin politik dhe sovranitetin shtetëror, besoni Serbia do të bëhet gjithnjë e më e keqe dhe situata në Kosovë gjithnjë e më e rënduar.

Zëri i Amerikës: Për javën e ardhshme keni paralajmëruar sërish protestë. A jeni të gatshëm të punoni për të shmangur dhunën dhe të distancoheni prej saj, sepse jeni kritikuar që nuk po e bëni këtë?

Albin Kurti: Ne kërkojmë që policia të mos vendosë barriera metalike në sheshin Skënderbe. Ne e dimë që qeveria e ka ndarë veten nga Skënderbeu nëpërmjet grilave. Nuk ka nevojë që të na vendosë barriera metalike të na ndajë edhe neve nga Skënderbeu dhe ta gjymtojë sheshin. Sheshi është i qytetarëve. Tash, ka sheshe pa republikës, por nuk ka republike pa shesh. Dhe atë ditë më 4 shkurt, të mërkurën e ardhshme pra, në do të grumbullohemi tek përmendorja e Zahir Pajazitit në ora 12 dhe do të marshojmë drejt sheshit Skënderbe, me ç’rast do të kemi kujdestarët tanë që do të kujdesen që protesta të jetë tërësisht paqësore. Mirëpo, shpresojmë që policia nuk do t’i sjellë ato barriera metalike dhe nuk ta sjell atë armatim në shesh, të cilin qartazi më 27 janar nuk e solli për ta ekspozuar, por për ta përdorur.
(voa)

GJND: Kroacia dhe Serbia nuk kanë kryer gjenocid

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mori sot vendimin se as Kroacia dhe as Serbia nuk kanë kryer gjenocid gjatë luftrave të viteve ’90 në Ballkan, kur Kroacia fitoi pavarësinë nga ish-Jugosllavia.Anëtari i gjykatës së Kombeve të Bashkuara Peter Tomka, duke shpallur vendimin tha se forcat e të dy vendeve kryen shumë krime, por asnjera prej tyre nuk arriti të provojë se pala kundërshtare kreu gjenocid gjatë konfliktit, që shkaktoi 20 mijë viktima.

Kroacia ngriti aktpadi ndaj Serbisë në vitin 1999, duke thënë se një numër i madh kroatësh u vranë, u torturuan, u zhvendosën, ose u ndaluan në qendra izolimi, pasi forcat serbe dhe trupat e ushtrisë jugosllave morën kontrollin e qytetit të Vukovarit dhe zonat përreth.

Në vitin 2010, Serbia u kundërpërgjigj, duke ngritur edhe ajo padi ndaj Kroacisë, duke thënë se mbi 200 mijë serbë u dëbuan gjatë kundërofensivës kroate në një prej betejave përfundimtare të konfliktit në vitin 1995.

Të dy vendet kanë thënë se do ta pranojnë vendimin e gjykatës, që synon të qetësojë mosmarrëveshjet mes tyre. Ka patur shqetësime se vendimi mund të shkaktojë tensione politike. (voa)

Përmbytjet, Qeveria: Situata është kritike

Shqipëri, autoritetet kërkojnë ndihmë dhe nga Brukseli pas gjendjes dhe dëmeve të shkaktuara në Jug. Pritet rikthimi i shirave të rrëmbyeshëm ditën e mërkurë. Në Veri, hidrocentralet e kaskadës së Drinit vihen në punë me të gjithë kapacitetin.Në Shqipëri qeveria deklaroi mbrëmë se situata e krijuar për shkak të kushteve të këqija të motit, me rreshje të dendura që cuan në përmbytje massive vecanërisht në jugun e vendit, është kritike. Pas një mbledhjeje të thirrur jashtë radhe, për të vlerësuar gjendjen, zëvendëskryeministri Niko Peleshi, së bashku me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ministrin e Bujqësisë Edmond Panariti folën për kushte të jashtëzakonshme “me daljen e lumenjve nga shtrati, siç është rasti i lumit të Vjosës, i cili ka pasur prurje që nuk janë riregjistruar që nga viti 1964, si rezultat i reshjeve të jashtëzakonshme brenda një harku kohor të shkurtër”, u shpreh zoti Panariti.

“Janë me mijëra hektarë tokë nën ujë. Janë me qindra familje që janë me prezencë uji në oborre dhe në shtëpi. Nga forcat e emergjencave civile, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura janë evakuuar mbi 300 familje”, deklaroi ministri i Brendshëm Tahiri.

Përfaqësuesit e qeverisë thanë se të gjitha strukturat shtetërore vazhdojnë të jenë në gatishmëri, ndërsa paralajmëruan se sipas parashikimeve, gjatë ditës së mërkurë pritet të rikthehen reshjet e dendura, të cilat mund të vazhdojnë deri në fundjavë. Ata i bënë thirrje banorëve në zonat e rrezikuara që t’i përgjigjen thirrjeve të autoriteteve për evakuim, ndërsa kërkuan që ata të cilët janë larguar tashmë të mos rikthehen në banesa në zonat që janë potencialisht të rrezikuara për përmbytje.

Zëvendëskryeministri Peleshi shpjegoi se kanë nisur kontaktet dhe me Brukselin për të kërkuar ndihmë nga Bashkimi europian. “Kemi pasur një kontakt që në orët e para të mëngjesit, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Integrimit, me partnerët tanë, Bashkimin Europian, me komisionerin për Ndihmat Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, si dhe me komisionerin për Fqinjësinë e Mirë dhe Zgjerimin. I kemi njohur me situatën e përmbytjeve të fundit, kemi kërkuar gjithashtu mbështetje. I kemi informuar paraprakisht për situatën në të cilën ndodhemi dhe do të shfrytëzojmë edhe këtë mundësi, edhe këtë kanal mbështetjeje, i cili mbështet emergjencat në dy faza, në fazën e parë me një ndihmë të shpejtë dhe pastaj, në varësi edhe të dëmeve të shkaktuara dhe të raporteve që do të gjenerohen nga strukturat e emergjencave civile, planifikohen edhe mbështetje të tjera”, nënvizoi zoti Peleshi.

Rreshjet e dendura mund të krijojnë situata problematike edhe për hidrocentralet për shkak se basenet e tyre po mbushen me shpejtësi duke arritur kuotata kritike. Korporata energjitike shqiptare zhvilloi një mbledhje të Sekretariatit Teknik të Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave në Kaskadën e Drinit, dhe deklaroi se “situata aktuale paraqitet nën kontroll dhe nuk ka probleme”. Sekretariati kërkoi arritjen e prodhimit maksimal në të gjithë kaskadën nëpërmjet shfytëzimit optimal të prurjeve, duke ngarkuar maksimalisht fuqinë disponibël gjeneruese për plotësimin e nevojave të konsumatorëve tariforë, ndërsa KESH-i, është në përfundim të një procedure shitjeje për sasitë mbi nevojat e tregut të brendshëm. (voa)