Kryeministri Rama në Bruksel: Të gatshëm të plotësojmë prioritetet

Në përfundim të vizitës një ditore në Bruksel ku takoi Presidentin e Komisionit Europian, Juncker dhe Presidentin e Bashkimit Europian, Tusk, Kryeministri Edi Rama në një komunikim me gazetarët shqiptarë atje iu përgjigj një serie pyetjesh që lidheshin me integrimin e Shqipërisë në Union dhe përplasjet e brendshme me Presidentin Nishani apo ndikimet që mund të kenë ato me Brukselin. TCH: Zoti Kryeministër, në 2014 kur ju nisët mandatin tuaj premtuat se brenda 10 vjetësh Shqipëria mund të bëhej anëtare e BE. Duke patur parasysh situatën gjeopolitike për Europën, më shumë sesa për Shqipërinë, a mendoni se projekti juaj mund të realizohet?

Edi Rama: Unë besoj se Shqipëria mund dhe do të bëjë gjithçka që ka për detyrë të bëjë për të qenë një vend europian, një shtet i standardeve anëtare të BE dhe pastaj do të varet nga zhvillimet në BE, nga dinamikat që sot janë të paparashikueshme, nëse anëtarësimi i Shqipërisë do të jetë për 10 vjet, për më shumë apo për më pak. Në këtë aspekt mund të ndodhë gjithçka, por ajo që ka rëndësi është që ne jemi jo vetëm në rrugën e duhur, por në këtë rrugë të vlerësuar dhe të inkurajuar. Nga të dyja takimet e sotme ne kthehemi në Tiranë me energji pozitive të marra nga këto takime për gjithçka kemi arritur të bëjmë në planin e brendshëm dhe në planin e jashtëm. Në takime morëm vlerësime të larta për reformat dhe hapat e ndërmarra nga Qeveria për modernizimin e vendit tonë.

TCH: A mendoni se përplasja mes Qeverisë dhe Presidentit të Republikës për emërimin e disa ambasadorëve mund të ndikojë në marrëdhënien me Brukselin, për sa i takon rekomandimit të mundshëm, ndoshta jo këtë tetor?

Edi Rama: Unë mendoj që do të ndikojë padyshim jo vetëm në raportet me Brukselin, por edhe në zhvillimin e brendshëm të qëndrueshëm të Shqipërisë përplasja pa asnjë kompromis me krimin në të gjitha format e veta dhe shpartallimi në vazhdimësi i krimit. Kjo forcë deri dje ishte ulur në prehrin e Qeverisë, ndërsa sot është ballë për ballë me Qeverinë dhe po zmbrapset dita ditës, siç tregojnë shifrat dhe mbështetja gjithmonë e më e madhe që ne po marrim në këtë aspekt. Fatmirësisht në Bruksel merren me faktet dhe me shifrat dhe bëjnë krahasimin e qartë midis asaj që ishte dhe asaj që është.

TCH: Zoti Rama, meqenëse keni folur edhe për shifra, a keni marrë ndonjë angazhim për sa i takon fondeve? Ndonjë angazhim më konkret se Konferenca e Berlinit për sa i takon fondeve për rajonin?

Edi Rama: Sigurisht që ne po punojmë dhe duhet të punojmë shumë fort dhe do të varet shumë nga puna që ne po bëjmë dhe nga produktet e kësaj pune që ne do të bëjmë prezente në muajt në vijim për partnerët tanë në BE. / Top Channel

Austria e gatshme për kthimin e azilkërkuesve nga Kosova

Autoritetet austriake e kanë njoftuar Qeverinë e Kosovës, për përgatitjet që po bëhen rreth kthimit të personave që migruan paligjshëm muajt dhe javët e fundit në Austri.Ministrja Federale e Punëve të Brendshme të Republikës së Austrisë, Johanna Mikl-Leitner, ka qëndruar sot në Prishtinë me ç’rast është pritur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa.

Ajo ka thënë se vetëm javët e fundit kishte 1800 kërkesa për azil. Mirëpo, shteti austriak, ka vijuar ministrja Leitner, konsideron që Kosova është një vend i sigurt, kështu që personave që kanë kërkuar azil nuk do t’u njihet kjo e drejtë dhe ata do të kthehen në Kosovë.

Nga kjo valë migrimesh, sipas saj, përfitues janë vetëm trafikantët të cilët manipulojnë me qytetarët për interesat e tyre.

“Kjo valë e migrimit po i dëmton proceset ekonomike në vendin tuaj. Po ashtu, ajo ka ndikim edhe në proceset në Austri. Mesazhi im për shoqërinë kosovare është se nuk është e vërtetë ajo që u kanë thënë, që sapo të vini në Austri do ta keni të pranimin e azilit dhe do ta gjeni një vend pune. E vërteta është që Kosova është vend i sigurt, këtu nuk keni luftë dhe mund të jetoni edhe nëse kushtet e jetesës nuk janë të mira”, ka deklaruar ministrja Federale e Punëve të Brendshme të Republikës së Austrisë.

Në vazhdim, ajo ka thënë po ashtu se po bëhen përgatitje që çdo 14 ditë të organizohen fluturime me aeroplan për kthimin e emigrantëve nga Austria për në Prishtinë. Sipas saj, ka ide që kthimi të bëhet edhe përmes transportit rrugor, por për realizimin e këtij qëllimi do të kërkohet edhe miratimi i Serbisë si vend tranzit.

“Jemi duke diskutuar edhe mënyrën e kthimit dhe riatdhesimit përmes rrugëve tokësore. Por, këtu na duhet diskutim edhe me Serbinë pasi që na nevojitet miratimi i tyre”, ka deklaruar ministrja austriake.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se i përkrahë plotësisht politikat e shtetit të Austrisë karshi këtij problemi. Edhe Mustafa ka deklaruar se Kosova është një vend i sigurt nga i cili nuk ka arsye që të iket në vendet tjera.

“Konsiderojmë që ata e kanë sigurinë e plotë këtu dhe që Kosova është një vend i sigurt. Njerëzit tanë në asnjë rast nuk mund të krahasohen me njerëzit të cilët shpërngulen nga vatrat e luftës si Siria e vendet e tjera. Kërkojmë që qytetarët tanë të kthehen sa më shpejt dhe t’i integrojnë fëmijët e tyre në shkolla, sepse i kanë nxjerrë nga shkollat”, ka thënë Mustafa.

Ministrja Leitner ka konfirmuar se në përgjithësi, gjatë muajve të fundit, në Austri janë bërë 30 mijë kërkesa për azil, ndërsa në Hungari rreth 20 mijë kërkesa.

Një ditë më herët, ajo ka qëndruar edhe në Serbi ku më autoritetet serbe, por edhe ato hungareze kanë diskutuar pikërisht për problemin e emigrantëve ilegalë nga Kosova. Mes tjerash, këto tri vende janë marrë vesh për patrullime të përbashkëta në vijat kufitare si dhe për kthimin e emigrantëve nga Kosova përmes rrugëve tokësore.

Një numër edhe më i madh i azilkërkuesve nga Kosova ndodhet në Gjermani, por edhe nga atje, zyrtarë të qeverisë gjermane ditëve të fundit kanë tërhequr vërejtjen se qytetarëve të Kosovës nuk do t’u njihet e drejta e azilit. (rel)

Parneritet i ri SHBA – Turqi

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë duke krijuar një partneritet për stërvitjen dhe armatosjen e rebelëve të moderuar sirianë për të luftuar grupin terrorist “Shteti Islamik”.Ambasadori amerikan në Turqi dhe Nënsekretari në Ministrinë e Jashtme turke e nënshkruan marrëveshjen në Ankara.

Edhe pse Turqia do të përfshijë mes objektivave edhe forcat e qeverisë së Presidentit sirian Bashar al Assad, Shtetet e Bashkuara thonë se synimi është lufta kundër ISIS-it.

Turqia thotë se stërvitja e rebelëve sirianë mund të fillojë që muajin e ardhshëm. (voa)

Mision policor i BE në Ukrainë?

Policë të BE në Ukrainë: kjo është ajo që dëshiron Presidenti Petro Poroshenko. Ai kërkon ta lidhë BE më fort në kontrollin e armëpushimit. Propozimi gjen pak mbështetje.Policët e BE, tha Poroshenko pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit mund të merrnin një mandat të Kombeve të Bashkuara dhe të mbikqyrnin respektimin e armëpushimit dhe ndoshta edhe kufijtë midis zonës së separatistëve dhe Rusisë.

Ky propozim pritet me skepticizëm të madh në Bruksel. E ngarkuara e BE për politikën e jashtme, Federica Mogherini, deklaroi se në radhë të parë diskutohet zbatimi i marrëveshjeve më të fundit të Minskut, të javës së kaluar. Atje, Ukraina, Rusia dhe Gjermania patën rënë dakord, që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ta vëzhgojë edhe më tej gjendjen në Ukrainë dhe të raportojë për konstatimet e saj. Në OSBE janë të përfaqësuara si Ukraina, Rusia dhe shtetet e BE, ashtu edhe SHBA. Rreth 450 punonjës të paarmatosur të kësaj organizate vëzhgojnë që prej marsit 2014 zhvillimet në Krime dhe në Ukrainën Lindore.

OSBE-ja ka përparësi përpara BE

“Për ne ka përparësi vënia në jetë e marrëveshjes së Minskut. Kjo ka nisur. Ne e pajisim OSBE-në me automjete të blinduara. Ne i vëmë në dispozicion OSBE-së pamje satelitore dhe gjithçka për të cilën ajo ka nevojë”, thotë Maciej Popowski, bashkëpunëtor i nivelit të lartë të shërbimit diplomatik të BE në Riga. Në kryeqytetin e Letonisë aktualisht janë mbledhur ministrat e Mbrojtjes të BE. Vëzhguesit vijnë nga 41 shtete, një pjesë e madhe janë nga shtetet anëtare të BE.

Diplomatë të BE e konsiderojnë me pak gjasa, që në të ardhmen një trupë e armatosur helmetkaltërish të OKB-së nga radhët e BE t’i mbajë larg njëra-tjetrës palët e konfliktit. Një trupë e tillë duhet të përbëhet nga ushtarë të stërvitur, punonjësit e policisë nuk janë të përgatitur për detyra të tilla.

Një mision të paarmatosur policor BE e ka tashmë në Kiev. Që prej korrikut 2014 ai ka dërguar punonjës policie, policë kufiri, gjykatës dhe juristë në Ukrainë. “Ky mision këshillimor interesohet më tepër për ndërtimin e institucioneve, pra për Ministrinë e Brendshme dhe autoritetet policore”, thotë Marcel Popowski. Ky mision me emrin EUAM ndodhet në ndërtim e sipër dhe do të kryejë për dy vjet punë këshillimore me qeverinë në Kiev. Prej vitit 2005, 200 policë të tjerë të BE vëzhgojnë kufirin midis Ukrainës dhe Moldavisë. Një trupë të vogël vëzhguesish BE ka stacionuar edhe në Gjeorgji, ku Rusia mban të pushtuara që prej vitit 2008 rajonet e Osetisë Jugore dhe të Abkazisë.
Misione të tjera BE ka edhe në Afganistan, Kosovë, në zonat palestineze etj.
Diplomatë të BE tërheqin megjithatë vëmendjen në Bruksel se në konfliktet në Ballkan, në fillim u angazhuan masivisht ushtarë të OKB-së dhe të NATO-s. Misioni policor i BE garantoi më tepër ndërtimin civil të vendit. Kurse gjendja në Ukrainën Lindore është tjetër. (dw)

Koment: Vetëm sunitët mund ta mundin IS

Bombardimet e “koalicionit të të vullnetshmëve” të udhëhequra nga SHBA e kanë dobësuar të ashtuquajturin “Shtet Islamik”. Por për ta mundur atë, nevojitet urgjentisht një aleancë e arabo-sunite, mendon Loay Mudhoon.Pa dyshim që sulmet masive ajrore të koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër të ashtuquajturit Shteti islamik (IS) kanë ndikuar dukshëm që të ndalohej fillimisht zgjerimi territorial i pseudo-kalifatit të xhihadistëve. Edhe çlirimi i qytetit verior kufitar sirian Kobane nga luftëtarët irakiano-kurdë Peshmerga do të ishte i paimagjinueshëm pa mbështetjen e sulmeve ajrore amerikane dhe arabe. Këto arritje të pamohueshme e kanë shkërmoqur disi mitin e pathyeshmërisë të të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (IS), por për një fitore të afërt ndaj këtyre ekstremistëve nuk mund të flitet.
Sepse lufta e Perëndimit dhe e arabëve kundër IS ndalohet vazhdimisht: Pas katër muajsh lufte ajrore aleancës i mungojnë objektiva të tjera me rëndësi strategjike, që mund të bombardoheshin. Këtë e vështirëson edhe fakti se luftëtarët e IS kanë kaluar në një taktikë guerilase. Kështu është e vështirë, që ata të luftohen nga ajri.
Aleancë e brishtë kundër IS
Tani duken pasojat e asaj, që “koalicioni i të vullnetshmëve” ndërkombëtarë u nis në luftën kundër Kalifatit të horrorit pa një koncept politik dhe në rradhë të parë pa qartësi lidhur me objektivin strategjik të operacionit ushtarak. Sidomos për arsyen, se ishte e qartë, që terrori i IS nuk mund të luftohet vetëm me mjete ushtarake.
“Koalicioni i të vullnetshmëve” ka qenë në fakt që në fillim i brishtë dhe politikisht kontradiktor. Sepse ai mbështetet në aleatë arabë të dyshimtë si Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit. Kanë qenë ato, që e hapën ideologjikisht rrugën për zhvillimin e të gjitha rrymave xhihadiste në Lindjen e Mesme dhe në luftën e tyre kundër regjimit të Asadit mbështetën forcat radikale në Siri.
Shumë i rëndë mund të jetë në moment fakti, që përfshirja e fuqive të rëndësishme rajonale sunite në “Koalicionin e të vullnetshmëve” nuk ka qenë e mjaftueshme. Kjo duket në atë, që Perëndimit i mungojnë momentalisht aleatët, të cilët do të ishin në gjendje për të drejtuar një luftë efektive tokësore kundër IS në territoret sunite në Siri dhe Irak.
Anëtarët e deritanishëm të koalicionit perëndimor dolën se ishin të gabuarit: Kurdët ndjekin interesat e tyre kryesisht territoriale. Ata i kanë dëbuar arabët vendas nga territoret e pushtuara prej tyre dhe i kanë shpallur ata pjesë të Kurdistanit. Ndërsa milicët shiitë, që mezi kontrollohen dhe skuadrat e vdekjes janë partneri më i paimagjinueshëm, për t’i bërë ballë IS në tokë.
Edhe siguria e Afrikës së veriut është e rrezikuar
Ngaqë xhihadistët e IS shfrytëzojnë kaosin në Libi për të zgjeruar bazën operative dhe për të bërë aleancë me xhihadistët egjiptianë, ata bëhen kërcënim real për sigurinë nacionale të Egjiptit dhe Tunizisë. Prandaj nuk ishte e habitshme që pas prerjes së tmerrshme të kokave të 21 koptëve nga xhihadistët e IS presidenti egjiptian al-Sisi kërkon një rezolutë të OKB-së për ndërhyrje ushtarake ndërkombëtar e në vendín e përfshirë nga lufta civile.
Pikërisht këtë çast duhet të kapë Perëndimi dhe të bëjë çdo gjë të mundshme për të krijuar një aleancë egjiptiano-turko-saudite kundër IS, mundësisht duke marrë në konsideratë islamikët e moderuar, por pa Iranin dhe regjimin e Assadit të diskredituar ndërkombëtarisht. Sepse përfshirja e Iranit do të ishte më tepër kundërproduktive, për shkak të qëndrimit ekstrem antishiit të gati të gjithë xhihadistëve.
Sepse vetëm myslimanët sunitë janë në gjendje të mundin IS dhe të thajnë trungun ideologjik të xhihadizmit. Perëndimi duhet të insistojë në përfshirjen e tyre të vërtetë në veprimtarinë e qeverisë së Irakut. Të tjerë partnerë, më të dobishëm në luftën kundër pseudo-kalifatit IS, Perëndimi nuk ka. (dw)

Ballkani Perëndimor aplikon sistemin gjerman për parashikimin e fatkeqësive natyrore

Qeveria gjermane mbështet me 3,5 milionë euro sistemin e paralajmërmit ndaj fatkeqësive natyrore në vendet e Ballkani Perëndimor.Bashkëpunimi rajonal rezulton çelësi edhe në menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet dhe thatësirat në Ballkanin Perëndimor. Shtimi i këtyre dukurive edhe në rajon, si pasojë e ndryshimeve klimatike, e ka nxjerrë përballimin e tyre në krye të axhendës së bashkëpunimit rajonal. Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi janë angazhuar në realizimin e projektit “Adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike në Ballkanin perëndimor” të financuar me 3, 5 milion Euro nga qeveria gjermane , përmes GIZ ( Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar) Projekti është shumëdimensional dhe përfshin institucione shtetërore qëndrore dhe lokale nga të katër vendet. Projekti filloi para dy vitesh dhe tani është në fazën e tij përfundimtare. Rezultatet e tij të deritanishme, që u publikuan të enjten (19/02/2015) në Tiranë, duken të qëndrushme dhe që vlejnë qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik në rajon.

Jakob Doetsch, menaxheri i projektit, thotë për DW: “Projekti i përgjigjet parashikimit të ndryshimeve klimatike në rajon, me një fokus të veçantë tek përmbytjet dhe thatësira si dy dukuritë më ekstreme të këtyre ndryshimeve. Ai po realizohet në katër vende: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi, nisur nga faktet që ndikimi i ndryshimeve klimatike në këto vende është pothuajse i ngjashëm dhe që lumenjtë nuk kanë kufij kombëtarë, pasi basenet e tyre shtrihen jashtë kufijve të një vendi, p.sh baseni i lumenjve Drin dhe Buna shtrihen në pesë shtete: Mali i Zi, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe një pjesë shumë e vogël në Greqi. Prandaj, ajo që ndodh në një prej këtyre vendeve për sa i takon përmbytjeve apo thatësirave ndikon në atë që ndodh në tre vendet e tjera. Përmbytjet e mëdha që ndodhën në Shqipërinë Veriore në vitin 2010, numri i madh i popullsisë që u prek prej tyre identifikoi bashkëpunimin rajonal si domosdoshmëri jetike për shkëmbimin e informacionit në kohë reale mes vendeve të rajonit para se përmbytjet të ndodhin për t’u dhënë mundësi zonave të rrezikuara të evakuojnë popullsinë dhe shmagin dëmet e mëdha ekonomike” .
Sistemi në funksionim në tetor 2015
Sistemi për paralajmërimin e përmbytjeve është rezultati më i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm i këtij projekti. Ngritja e tij nuk ishte e lehtë. Nga një studim paraprak, në fillim të projektit, u konstatua se prodhohej shumë pak informacion për parashikimin e përmbytjeve dhe thatësirave dhe ai nuk shkëmbehej fare mes vendeve fqinjë. Kjo pasi stacionet metereologjike në të katër vendet e përfshira në projekt ose ishin mbyllur, ose ishin me teknologji shumë të prapambetur. Projekti nisi me reabilitimin dhe ngritjen e gjithsej 32 stacioneve dhe instituteve hidro- metereologjike në katër vendet e rajonit për të mundësuar informacionin dhe shkëmbimin e tij. Në sajë të kësaj ndërhyrjeje tani Shqipëria, Maqedonia,Kosova dhe Mali i Zi mund të prodhojnë informacion dhe ta shkëmbejnë atë mes tyre në kohë reale, duke dhënë kështu mundësi sejcilit prej vendeve të përfshira në projekt të kalkulojë rrezikun e përmbytjeve dhe të marrë masat e duhura. Klodian Zaimi, ekspert i parashikimit të përmbytjeve në Institutin e Gjeo- Shkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, me seli në Tiranë thotë për DW:“ Modeli i Sistemi të Informacionit, Shkëmbimit të tij dhe Parashikimit të përmbytjeve dhe thatësirave, i ngritur nga ky projekt është ai gjerman, që përdoret në pjesën e saj veriore, në Saksoni. Ai u përzgjodh sepse lumenjtë në këtë zonë të Gjermanisë kanë karakteristika të ngjashme me lumenjtë në Ballkanin Perëndimor. Teknologjia është moderne. Në muajt e kësaj vere do të bëhët aplikimi i modelit në nivel rajonal dhe zbatim i tij do të fillojë në tetor. Është një model i hapur, i aksesueshëm për publikun. Thelbi i sistemit është prodhimi i informacionit, shkëmbimi i tij në kohë reale mes katër vendeve të rajonit. Në fazën finale të dhënat prodhojnë automatikisht një sistem alarmi për popullsinë e zonave që janë në rrezik përmbytjesh. Tani jemi pikërisht në këtë fazë dhe po asistohemi nga ekspertë gjermanë. Sistemi në fjalë është i integruar në sistemin kombëtar të sejcilit prej katër vendeve të rajonit. Në Shqipëri tani për tani ai funksionon vetëm për lumenjtë e Drinit dhe të Bunës. Sistemi ka mundësi të parashikojë përmbytjet tri ditë para se ato të ndodhin, kohë e mjaftueshme për të bërë evakuimin dhe për të marrë masat e duhura nga institucionet përkatëse”.

Në Shqipëri ka një rekord përmbytjesh edhe nga lumenj të tjerë si ai i Matit, Shkumbinit, Semanit, dhe së fundi Vjosës. Klodian Zaimi thekson se “ është e domosdoshme që sistemi të ngrihet edhe për këta lumenj”.
Bashkëpunimi rajonal dhe direktiva e BE-së
Parakusht pozitiv për shtrirjen e sistemit të parashikimit të përmbytjeve edhe në lumenjtë e tjerë është ngritja e rrjetit rajonal dhe vullneti për të bashkëpunuar. Merita Meksi, koordinatore rajonale e projektit “Adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike në Ballkanin Perëndimor” thotë për DW : “Bashkëpunimi rajonal ka ardhur duke u forcuar. Ndërtimi i besimit të ndërsjelltë ka kërkuar kohën e vet. Ndarja e informacionit me vendet fqinje ka qënë konsdideruiar tabu. Tani kemi arritur të kemi një përqasje të përbashkët për domosdoshmërinë e shkëmbimit të informacionit në kohë reale. Sejcili nga të katër vendet ka tani një qëndër që merr dhe shkëmben informacion në nivel rajonal. Në të ardhmen shkëmbimi i informacionit pritet të bëhet në mënyrë automatike, nga një qëndër e vetme rajonale.”
Shqipëria përfiton edhe nga të dhënat e Qendrës Europiane për parashikimn e përmbytjeve, me seli në Itali, në Iskia, ku është anëtar Instituti shqiptar i Gjeo- Shkencave, Energjise, Ujit dhe Mjedisit. Si vend aspirant për anëtarëim në BE, Shqipëria ka detyrimin të zbatojë direktivën Europiane për parashikimin e përmbytjeve dhe menaxhimin e riskut që vjen prej tyre. “Të gjitha masat janë marrëë nga katalogu i kësaj direktive. Ndërkohë që bashkëpunimi rajonal për realizimin e sistemit të parashikimit të përmbytjeve për lumenjtë e Drinit dhetë Vjosës i ka hapur rrugën ecjes drejt një marrveshjeje rajonale me katër vendet fqinjë për krijimin e një komisioni të përbashket që mendohet të quhet” Drini River Care group” si është psh komisioni për Danubin apo për lumin Sava“, thotë koordinatorja rajonale Merita Meksi.

Sistemi i parashikimit të përmbytjeve është një investim nga ku përfitojnë qytetarët e rajonit. Merita Meksi thote se “ai duhet shoqëtuar me ndërgjegjësimin e tyre për rrezikun e përmbytjeve dhe zbatimin e ligjit për moslejimin e ndërtimit të banesave pranë lumenjve”
Gjithë sa ka ndodhur në Shqipëri në 20 vitet e fundit: shkatërrimi i shtretërve të lumenjve, i pyjeve dhe mbyllja e syve nga autoritetet ndaj ndërtimeve buzë lumenjve e ka bërë qytetarin më vulnerabel nga ndryshimet klimatike. Kostoja e madhe për përballimin e dëmeve nga përmbytjet po tregon se lejimi ndërtimit të banesave në zonat me rrezik të lartë përmbytjeje kthehet ne bumerang për forcat politike në pushtet që kanë toleruar shkatërrimin e natyrës dhe të tilla ndërtime në këmbim të votave në kohë fushatash elektorale. (dw)

Kosova e gatshme të presë kthimin e migrantëve

Sefedin Kuçi, nga departamenti për shtetësi, azil dhe migrim në MPB të Kosovës, thotë në një intervistë për DW, se Kosova ka nënshkruar me shtete të ndryshme 22 marrëveshje për ripranimin e migrantëve kosovarë.DW: Zoti Kuçi, sa janë të gatshme institucionet e Kosovës të presin fluksin e personave që tashmë është paralajmëruar se do të kthehen në Kosovë, flas nga vala e fundit e migrimit?
Kuçi: Institucionet e Kosovës sa i përket kësaj çështjeje, i kanë të zhvilluara politikat e veta, siç është ligji për ripranim dhe marrëveshja bilaterale për ripranim.
Gjithashtu Kosova ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar, dokument strategjik i cili përshkruan politikat dhe masat që duhen ndërmarrë për sigurimin e riintegrimit të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar, duke u përqendruar në mënyrë specifike në fushat kryesore të regjistrimit civil, shëndetësisë, arsimit, punësimit, mirëqenies sociale dhe banimit si dhe kjo strategji ofron kornizën institucionale për menaxhimin e riintegrimit të personave të riatdhesuar. Në këtë kuadër, ekziston dhe rregullorja për riintegrimin e personave të riatdhesuar dhe menaxhimin e programit të riintegrimit me qëllim që të ndihmojë dhe të mbështesë riintegrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar në Kosovë.
Në këtë kontekst (MPB) është e përgatitur që ky proces të menaxhohet në mënyrë shumë efikase, duke respektuar në tërsi ligjet si dhe marrveshjet bilaterale për rippranim.
DW: Zoti Kuçi, a përfshihet fluksi i fundit i migrimit në programin për riatdhesim, që do të thotë a do të zbatohen kriteret e njëjta për personat që migruan kohët e fundit, sikurse edhe për riatdhesimin e personave, që kanë migruar shumë më herët, ndoshta vite më parë?
Kuçi: Personat të cilët kanë migruar kohëve të fundit, pas kthimit të gjithë janë duke u vendosur në shtëpite / familjet e tyre.
Me që koha e qëndrimit të tyre jashtë Kosovës është shumë e shkurter (disa javë apo muaj) dhe nuk janë shkëputur nga lidhjet familjare, kultura, tradita e gjuha, pas kthimit nuk kanë nevojë për masa të veçanta të riintegrimit, me të cilat masa mbeshteten nga Programi i Riintegrimit të riatdhesuarit të cilët kanë jëtuar jashtë Kosovës për një kohë me të gjatë.
Nga Programi Riintegrimit, secili i riatdhesuar, mund të mbeshtetet me transport deri në komunën e destinacionit si dhe, me që të riatdhesuarit të gjithë pas kthimit janë të papunë, me ndihmen e MPMS dhe UNDP-se ndërmjetësohen në punësim apo ju ofrohet aftësim professional – përgatitje për tregun e punës ( ata që kanë nevojë për një shërbim të tillë) pas regjistrimit të tyre në Zyrën e punësimit në komunën e tij/saj si punëkërkues.
DW: A ka Ministria e Rendit shifra se sa persona kanë migruar vetëm gjatë tre muajve të fundit?
Kuçi: Sipas të dhënave të autoriteteve hungareze, të dhëna këto që ne i kemi kërkuar, thuhet se numri i azilkërkuesve kosovare në Hungari gjatë vitit 2014 ka qenë 21.453 persona. Gjatë janarit të vitit 2015 kanë qenë 10.188 azilkërkues. Këto janë të dhënat zyrtare të dërguara nga autoritet hungareze për personat që kanë kërkuar azil në Hungari. Ndërsa, kalime ilegale të kufirit të Hungarisë gjatë muajit Janar, ka pasur mbi 10 mijë persona. Këto të dhëna gjithmonë flas janë nga autoritetet hungareze. Ndërsa, nga autoritetet gjermane, thuhet se numri i azilkërkuesve nga Kosova vazhdon të jetë i lartë. Gjatë muajit Janar, bazuar në statistikat nga enti shtetërorë për refugjatë, kosovarët renditen në vendin e dytë për nga numri i azilkërkuesve, me gjithsej 3630 kërkesa gjatë muajit janar të vitit 2015. Ndërsa, sa i përket të dhënave dhe llogaritjeve nga enti evropian i statistikave EUROSTAT, në muajin Janar, gjithmonë sipas EUROSTAT, në Gjermani dhe Hungari azil kanë kërkuar 13.700 persona, nga Kosova.
DW: Zoti Kuçi, si funksionon bashkëpunimi i organeve kosovare të rendit me organet e rendit të Serbisë për ta ndalur migrimin e kosovarëve, meqenëse ikja më e madhe po ndodh pikërisht nëpër teritorin e Serbisë, drejt vendeve të BE-së?
Kuçi: Sa i përket kësaj çështjeje, Policia e Kosovës nuk ka kurrfarë bashkëpunimi me organet policore të Serbisë. Jo që ne nuk e dëshirojmë, por nuk ka interes nga pala tjetër edhe përkundër kërkesës që i bëjmë përmes misionit EULEX.
DW: Ç’bashkëpunim keni me vendet e BE-se me të cilat Kosova ka të nënshkruara marrevëshje për ripranim?
Kuçi: Kosova marrëveshjet e ripranimit i ka të nënshkruara që nga viti 2010. Ky bashkëpunim deri tash ka qenë në nivel të mirë. Deri tash Kosova i ka 22 marrëveshje bilaterale të ripranimit të nënshkruara, ku nga to 20 marrëveshje janë të nënshkruara me shtetet anëtare të BE-së dhe zonës shengen dhe deri më tash bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë. Në këtë kontekst mbahen takime te rregullta dhe Ad-hock me (atashetë) e migrimit të Ambasadave të shteteve të BE-së në Prishtinë që kanë të bëjnë me çështje të caktuara te migrimit.
DW: Më intereson të di në mënyrë specifike, në ç’nivel është bashkëpunimi me organet gjermane të migracionit, për faktin që numri më i madh i personave që po largohen nga Kosova, destionacion e kanë Gjermaninë?
Kuçi: Edhe me autoritetet gjermane, bashkëpunimi është i shkelqyeshëm. Ne sic e thash vazhdimisht kemi takime me përfaqësuesit e ambasadës gjermane në Kosovë dhe cdo problem për çështjet e migrimit që kemi apo që mund të kemi e zgjedhim bashkarisht.

Koment: Ne jemi një popull!

Gjermania 25 vjet pas rënies së murit – sa janë afruar gjermano-lindorët dhe gjermano-perëndimorët? Kjo është hulumtuar me porosi të qeverisë federale. Konkluzionet nuk të habisin, mendon Felix Steiner.Ne gjermanët dallohemi për dy veçori: nga njëra anë ne jemi në përgjithësi të saktë, atë që bëjmë e bëjmë me themel. Dhe së dyti ne parapëlqejmë të shtrojmë pyetje për vetveten. Ne druhemi se nuk jemi normalë – dhe vazhdojmë të kemi një raport të çoroditur lidhur me identitetin tonë kombëtar. Le ta pranojmë: asnjë komb tjetër europian nuk është rikthyer para 25 vjetësh tek bashkimi shtetëror, pasi për 40 vjet ka qenë i ndarë në dy shtete me sisteme krejtësisht të ndryshme shoqërore. Por edhe sikur të ketë pasur të tillë: kush tjetër veç ne gjermanëve pas 25 vjetëve të rënies së murit do të autorizonte një projekt studimor, që hulumton vetëm çështjen nëse “Jemi ne një popull?”
Porosinë për këtë punë të zellshme shkencore e ka bërë e ngarkuara e qeverisë federale për landet e reja – një titull ky, që prej kohësh bart një notë anakronike. Iris Gleicke, kështu quhet aktualisht drejtuesja e këtij posti, nuk ka – ashtu si të gjithë njerëzit që kanë poste dhe funksione – asnjë interes, që zyra e saj të duket si e tepërt. E kësisoj ajo e ka prezantuar tani rezultatin e studimit me një fjali të urtësisë Salomoniane: Gjermania ndonëse është “bashkuar, ende nuk është një”.
Çfarë do të thotë “të jesh një”?
Një kundërpyetje, zonja Gleicke: a mundemi dhe duam ne gjermanët vërtetë të jemi “një”? Çfarë do të thotë në fakt – të jesh një? A duhet që ne të kemi të gjithë të njëjtat pikëpamje dhe konceptime të vlerave? A nuk e vlerësojmë ne Bashkimin Europian, pejzazhin kulturor të Europës, pikërisht mbi bazën e larmisë së madhe të saj? A nuk përbën kjo larmi pasurinë e saj?

E pra përse pikërisht në Gjermani duhet të synohet diçka tjetër? Sepse: pikërisht ashtu siç dallojnë pejzazhet dhe imazhet e qyteteve në Bavarinë e Epërme dhe në brigjet e Detit Baltik të Meklenburgut, po ashtu duhet të dallojnë edhe njerëzit, që jetojnë atje. Por jo vetëm kaq: njerëzit duhet të dallojnë, sepse p.sh. ata dallohen si gra apo burra, ose si shvabë apo friesenë, inxhinierë apo ndihmëskuzhinierë, që jetojnë në qytet apo në fshat. Por ata dallojnë edhe, sepse kanë jetuar në Gjermaninë e dikurshme Lindore apo në atë Perëndimore.
Dallimet do të ishin një problem, nëse njerëzit në një pjesë të vendit do ta refuzonin me shumicë sistemin politik të Gjermanisë. Ose nëse ata do të ndienin urrejtje dhe aversion kundrejt “të tjerëve”. Por asnjëra prej këtyre nuk ndodh në Gjermani: shumica dërmuese e gjermanëve janë të kënaqur, i përmbahen demokracisë si formë e shtetit dhe bashkimin e dy shteteve gjermane e konsiderojnë si një fitim për të dyja palët. Atje, ku në të kaluarën ka pasur dallime masive mes Lindjes dhe Perëndimit, tashmë ato janë shuar në mënyrë të dukshme brenda një gjenerate. Ato që ekzistojnë sot ende si dallime, mund të shpjegohen me rrugët dhe përvojat e ndryshme jetësore.
Diktatura dhe ndryshimi i sistemit kanë lënë gjurmë
Një shembull: vetëm 46% e gjermano-lindorëve e konsiderojnë ish-RDGJ (Republika Demokratike e Gjermanisë) si një “shtet totalitar”. Në Perëndim kjo kuotë – jo shumë befasuese – është shumë më e lartë. Një konkluzion i tillë është e kuptueshme që duhet t’u shkaktojë dhimbje viktimave të sistemit të dikurshëm, sepse bëhet fjalë për dekada të jetës së tyre, të së përditshmes së tyre. Nga ana tjetër kushdo, që ka qenë i vetëdijshëm, se po jeton në një shtet diktatorial, duhet të shtrojë pyetjen për implikimin e vet në këtë sistem: çfarë dija unë mbi ato që bënte regjimi? A mos kam qenë edhe unë doras? Përse nuk kam ushtruar rezistencë? Që shumica u shmangen këtyre pyetjeve, është e kuptueshme. Në RFGJ (Republika Federale e Gjermanisë) në vitet 1950-të dhe 1960-të vërehej pikërisht kjo dukuri, sapo bëhej fjalë për shtetin nacionalsocialist – gjë kjo që nuk mund të krahasohet me RDGJ.
Ndaj mesazhi pozitiv i studimit është: tek të rinjtë, që kanë lindur pas rënies së murit, sot nuk konstatohen dallime sa i përket botëkuptimit dhe konceptimit të vlerave. Kjo vlen si për konkluzionet pozitive, ashtu edhe për ato negative – po t’i referohemi p.sh. ksenofobisë ose antisemitizmit. Pikërisht për këtë arsye më së voni pas 25 vjetësh edhe Iris Gleicke do të mund të konstatojë, që ne gjermanët jemi “një”. Unë mendoj qysh sot, ashtu si edhe para 25 vjetësh, se: ne jemi një popull! (dw)

Ambasadori amerikan vazhdon agjendën e takimeve për krizën në Maqedoni

Ambasadori i ri amerikan në Shkup, Jess Baily ka vazhduar agjendën e tij dhe misionin diplomatik në mbështetje të tejkalimit të krizës politike në MaqedoniPas takimeve me liderin e VMRO-s, Nikolla Gruevski dhe liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, ai sot ka takuar liderin e BDI-së, Ali Ahmetin dhe zv.kryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferi.

Në këto takime është biseduar lidhur me krizën e krijuar politike dhe tensionimin e saj pas publikimit të afersë së përgjimeve nga ana e opozitës.

Diplomati amerikan ka theksuar se SHBA do të ndihmojnë Maqedonisë në rrugën drejtë prosperitetit, demokracisë së zhvilluar dhe shtetit ligjor.

Ambasadori Baily tha se SHBA gjithashtu mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE dhe se në realizimin e këtij synimi nevojitet edhe zbatimi i reformave të nevojshme.

Ndërkaq, lidhur me aferën masive të përgjimeve, Ahmeti ka theksuar nevojën e veprimit pa emocione dhe me racionalitet si dhe të përfshirjes sa më të shpejtë të komunitetit ndërkombëtar në lehtësimin e dialogut politik si dhe hetimin dhe procedimin e rastit të përgjimeve masive bashkë më autoritetet vendore.

“Ky shqetësim serioz ka vënë në sprovë institucionet e vendit dhe kapacitetin demokratik, por kjo çështje mund të tejkalohet me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar dhe angazhimin shumë serioz dhe të menjëhershëm të Brukselit, ka shtuar Ahmeti.

Zëvendëskryeministri Xhaferri e njohu ambasadorin Baily për dinamikën e implementimit të obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, duke theksuar se zbatimi i kësaj marrëveshje dhe integrimi në strukturat euro-atlantike, NATO dhe BE, mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. (INA)

Mbetet enigmë shpërthimi i mbrëmshëm para Gjykatës së Shkupit

Policia nuk ka dhënë asnjë informatë shtesë rreth shpërthimit të mbrëmshëm që ndodhi para pallatit të Gjykatave. Të kontaktuar nga ALSAT, nga sektori për punë të brendshme në Shkup, thonë se nuk ka asgjë të re nga rasti i mbrëmshëm dhe se mbeten në informatat e publikuara në buletinin zyrtarë të MPB-së. Në buletin thuhet se rreth orës 19:30 është denoncuar një shpërthim në bulevardin “Goce Dellçev”. “Pjesëtarë të policisë kanë dalë në vend ngjarje ku kanë konstatuar se bëhet fjalë për mjet shpërthyes nga i cili nuk është shkaktuar dëm material si dhe nuk ka të dëmtuar. Janë kryer hetime në vendin e ngjarjes dhe mjeti shpërthyes është marrë për ekspertizë të mëtejshme”, thuhet në njoftim. Policia ka ndërmarrë masa për zbardhjen e më tejme të rastit. Ndryshe ky është rasti i tretë i cili deri më tani mbetet i pazbardhur nga shpërthimet ku cak kanë qenë institucionet më të larta shtetërore.

Paraprakisht u njoftua se persona të panjohur kishin hedhur dy predha në objektin e Qeverisë duke dëmtuar vetëm fasadën e objektit. Policia nuk ka arritur ende të zbulojë motivet dhe as autorët e sulmit ashtu si edhe autorët e dy shpërthimeve që ndodhën në afërsi të stacionit policorë në Tetovë dhe stacionit policorë në Kumanovë në të njëjtën ditë në interval prej disa minutave. Arben Zeqiri