Koment: Tërheqja e Islandës është një alarm zgjimi

Duket se jetohet mirë si popull në ishull. E pra Islanda e tërhoqi sërish aplikimin për anëtarësi në BE. Por arsyet e vërteta japin shkas që të gjithë europianët t’i venë gishtin kokës, mendon Christoph Hasselbach.Ishullit në Atlantikun Verior në vitin 2008 i kish ardhur laku në fyt. Një sektor bankar i fryrë artificialisht në valën e krizës financiare mbarëbotërore praktikisht brenda ditës falimentoi duke kërcënuar ta çojë shtetin drejt greminës. Islandezët i përfshiu paniku. Ndonëse pati kredi, ndër të tjera edhe nga FMN-ja, ky vend i veçuar papritur nuk e ndjeu më veten mirë prej splendid isolation, por kuptoi se ishte vërtetë i vetëm dhe i braktisur. Me një ndjesi të tillë islandezët e mposhtën krenarinë për pavarësinë e tyre dhe trokitën në portën e madhe të BE. Kjo e fundit në vitet që pasuan u ndihmoi njëkohësisht disa vendeve anëtare, që ishin gjithashtu të zhytura në borxhe.
Tani Islanda e ka tërhequr kërkesën e vet për anëtarësim. Shumë islandezë, ndonëse indinjohen që qeveria nuk organizoi refrendum për këtë çështje, e kanë të qartë, se edhe me të asgjë s’do ta kish ndryshuar jo-në e tyre. Lamtumira nga BE-ja pra nuk vjen papritur dhe ka kohë që ajo po bëhej evidente.
Të shijohen avantazhet, të shmangen disavantazhet
Si u arrit ky ndryshim i qendrimit? Çështja e peshkimit luan një farë roli, por ndoshta jo rolin më të rëndësishëm. Sepse qysh në krye të herës islandezët e dinin se çfarë valleje po i futeshin. Eshtë e vërtetë: peshkimi është shumë i rëndësishëm për Islandën, dhe ishullit me anëtarësimin në BE do t’i duhej të integrohej në sistemin e kuotave të peshkimit. Nga ana tjetër Islanda është anëtare e Zonës Ekonomike Europiane dhe mund t’i eksportojë pa doganë peshqit e vet në BE. Islanda veç kësaj përmes Bashkimit Nordik të Qarkullimit të Lirë është pjesë e hapësirës Shengen, ku janë hequr kontrollet kufitare. Kjo e lehtëson jashtëzakonisht turizmin – po ashtu një burim i rëndësishëm i të ardhurave. Me fjalë të tjera: Islanda edhe pa anëtarësinë në BE ka një sërë avantazhesh nga lidhja e madhe e shteteve dhe do që të shmangë disavantazhet.

Kush ka para mbetet jashtë

Për disa vite me radhë islandezët i lanë kohë vetes që ta kuptojnë efektin e disavantazheve. Ata p.sh. mundën të shohin, se si BE-ja, e në radhë të parë vendet e Eurozonës, kanë investuar shuma marramendëse në ndihmën për vendet e tjera anëtare të zhytura në borxhe. Në rastin e Greqisë kjo me rezultatin, që ky vend sot nuk është aspak më mirë se sa në fillim të ndihmave, refuzon reformat dhe madje i fyen ndihmësit. Askush nuk do të hyjë në një klub të tillë, nëse kjo nuk duhet patjetër. Islanda në të kundërt ndihmoi në masë të gjerë vetveten në krizën financiare – ashtu siç e kanë bërë edhe vende të tjera në BE – dhe sot është sërish solide. A mendon Norvegjia të anëtarësohet në BE? Jo. Po Zvicra? E përse duhet ta bëjë ajo këtë? A mendojnë suedezët, danezët, apo britanikët që të venë Euron në përdorim? Sot më pak se çdo herë tjetër më parë. Të gjitha këto shtete mund t’i përmbushnin lehtë kriteret. Por ato nuk duan. Ajo që kanë ata të përbashkët është: që të gjitha këto vende kanë mirëqenie dhe orientohen nga konkurrenca.

Frika prej thesit të shpuar
Si rrjedhojë konkluzioni është tmerrues: BE-ja me sa duket është joshës vetëm për të skamurit dhe refuzuesit e reformave. Kush është i zoti ta përballojë, ose qendron jashtë BE-së, ose të paktën ruan monedhën e vet kombëtare duke mos iu dashur të marrë pjesë me pagesa në një thes të shpuar. Të paktën kjo është përshtypja e krijuar. BE-ja do ta kish pritur krahëhapur Islandën. E pikërisht këtu e shohin kleçkën shumë islandezë. Sepse Islanda do të ishte në radhë të parë e mirëseardhur si një mjeshtre pagesash. Por kush është ai që lejon ta shfrytëzojnë? Tërheqja e islandezëve nuk do të mbetet pa efekt edhe ndaj Britanisë së Madhe. Atje euroskeptikët e ndiejnë tani veten të përforcuar në mendimin e tyre, se për vendin e tyre është më mirë të jetë jashtë BE-së, por brenda Zonës Ekonomike Europiane – ashtu si Norvegjia, Zvicra e po ashtu edhe Islanda.

Sikur të kishte më shumë si Irlanda…

Tërheqja islandeze duhet të shërbejë si një alarm zgjimi. Vendet e dobëta në konkurrencë në Jug – e këtu për fat të keq bëjnë pjesë edhe Italia e – pavarësisht pozicionit qendror gjeografik edhe Franca – duhet të përpiqen më shumë. Në të kundërtën dikur do të ndodhë një çarje mes Veriut dhe Jugut. Që solidariteti nuk duhet të jetë i pakufizuar këtë e tregon më së miri shembulli i Irlandës. Ngjashëm si Islanda edhe Irlanda u godit rëndë kryesisht prej bankave të saj të zhytyra në borxhe. Prej ndihmave të BE-së dhe FMN-së dhe pas një programi radikal kursimesh dhe reformash sot Irlanda është mirë dhe shënon kuotat më të larta të rritjes ekonomike në të gjithë BE-në. E meqënëse ra fjala, vlen të theksohet, se atje askush nuk u ankua. Por thjeshtë irlandezët bënë atë që e konsideruan të domosdoshme. Nëse do të kishte më shumë si Irlanda, ndoshta atmosfera në Islandë sot do të ishte ndryshe. (dw)

Rënia e çmimit të naftës dhe ndikimet

Rënia dramatike globale e çmimit të naftës gjatë gjashtë muajve të fundit ka nxitur kompanitë amerikane të naftës që të pushojnë nga puna mijëra punonjës dhe të pezullojnë projektet e shpimit dhe kërkimit. Ndikimi është shtrirë edhe tek firmat e tjera që u ofrojnë shërbime ndihmëse firmave të nxjerrjes së naftës sidomos në shtetet e mëdha të prodhimit të naftës si Teksasi. Siç na njeh materiali në vazhdim, aktivitete të tjera ekonomike po e minimizojnë ndikimin negativ, të paktën për tani.Naftëtarët po përballen me rrezikun e humbjes së vendeve të punës, ndërsa çmimi naftës pëson rënie. Por ndikimi është më i madh në rajone si Alaska apo Dakota e Veriut, ku kostoja e prodhimit është më e lartë se në rajonet naftëmbajtëse të Teksasit jug-qëndror.

Biznesi është shtuar madje edhe në këtë dyqan në Pleasanton, të Teksasit ku naftëtarët blejnë doreza, helmeta dhe paisje të tjera.

Pronari, James Strange, thotë se ndërsa para rënies së çmimit të naftës, blerësit nuk i kushtonin shumë rëndësi çmimit të pajisjeve që blenin, tani tregohen më të kujdesshëm:

“Tani që çmimi i naftës po bie dhe njerëzit po kursejnë, ata po mundohen të kursejnë për mallrat që blejnë”.

Duke mbajtur koston të ulët, disa firma mund të kenë përfitime për aq kohë sa çmimi i një fuçie naftë është mbi 40 dollarë.

Ekonomisti Adam Perdue me Institutin për Parashikimet Rajonale në Universitetin e Hjustonit, studion ndikimin nga ngadalësimi i ekonomisë:

“Buxhetet për eksplorimin dhe prodhimin po shkurtohen nga 10 deri 50 për qind, me shumicën në 30 për qind.”

Ekonomia e Hjustonit, thotë ai, që pati 5 përqind rritje vitet e fundit, do të preket nga shpenzimet e ulta:

“Po parashikojmë 20 mijë vende pune më pak. Ende po parashikojmë rritje ekonomike për zonën e Hjustonit por ajo do të jetë më e ulët, në një ritje normale prej më pak se dy për qind.”

Ngadalësimi po ashtu do të prekë kompanitë që prodhojnë tubacione për kërkimet dhe prodhimin e naftës si dhe kompanitë që transportojnë rërë dhe kimikate për shpimet hidraulike, dhe shumë kompani të tjera të vogla.

Por çmimi i ulët i naftës është nxitës për prodhuesit e artikujve të konsumit që përdorin hidrokarburet për të prodhuar një gamë të gjerë mallrash. Ekonomisti Perdue thotë se ndërtimi i një impianti kimikatesh pranë Hjustonit do të mbajë të punësuar shumë njerëz:

“Shumë prej naftëtarëve që do humbasin punën, do të jenë në gjendje të punësohen tek ky impiant në ndërtim.”

Zoti Perdue thotë se analistët parashikojnë rritjen e çmimit të naftës pas 6 muajve ndërsa mbingopja e tregut nga sasia e madhe e naftës së nxjerrë do të fillojë të ulet. Por ai thotë se, nëse këto parashikime janë të gabuara dhe çmimi i naftës vazhdon të bjerë, ndikimi në Hjuston dhe përgjithësisht në Teksas do të jetë edhe më i rëndë. (voa)

Dimitrov: Në Maqedoni sundon diktatura, nuk mund të priten zgjedhje demokratike

Në Maqedoni sundon diktatura dhe në një situatë të tillë nuk mund të bisedohet për zgjedhje. Shkurt kjo është përgjigjja e Nikolla Dimitrovit, pas apelit të Nikolla Gruevski për të matur forcat në zgjedhje me të gjithë që kërkojnë largimin e tij, si shef i VMRO-DPMNE-së. Duke komentuar qëndrimin e kryeministrit, kryesuesi i të ashtuquajturës “treshja holandeze” në një intervistë për “360 shkallë”, citoi definicionin për “diktaturë” nga enciklopedia britanike.“Diktaturat zakonisht zbatojnë frikësim dhe mashtrim që të arrijnë në pushtet politik. Atë e mbajnë përmes frikës, terrorit dhe shkeljes së lirive të qytetarëve. Gjithashtu, përdorin teknika të propagandës masive që ta mbajnë mbështetjen publike. Elementi kryesor në këto sisteme është se shteti barazohet me partinë, ndërsa partia me liderin. Ideologjia faktikisht është legjitimiteti dhe mbajtja e regjimit. Tani, unë nuk mund të them si do ta definojmë fjalën “terror”, por një pjesë e madhe e këtyre elementeve të definimit, për fat të keq, pasqyrohen në Maqedoni. Ne patjetër duhet së pari, ta zgjidhim këtë problem, ndërsa përzgjedhje do të jetë më lehtë, kur do ta zgjidhim problemin me institucionet”, tha Nikolla Dimitrov, ish-ambasador dhe negociator për emrin.

Ish-ambasadori dhe negociatori për emrin, Nikolla Dimitrov, është pjesë e grupit të cilin e udhëheq edhe ish-zëvendësministri në qeveritë e Gruevskit, Vlladimir Lazareviq, dhe ish-sekretari shtetëror, Pero Dimshovski. Në përgjithësi, ata kërkojnë mbështetje brenda VMRO-DPMNE-së për reforma në parti pa aferës me përgjimet. Grupin e dytë, Forumi i patriotëve të lirë e udhëheq profesori Jove Kekenovski. Ata dje kërkuan falje në emër të VMRO-DPMNE-së për të gjitha veprat e kryera në disa vitet e kaluara, por edhe kërkuan dorëheqja nga shefi i partisë, Nikola Gruevski. Kryeministri edhe njërës, por edhe palës tjetër dje i rikujtoi se në zgjedhjet e fundit partia me të cilën udhëheq ka fituar numër rekord të votave. Gruevski tha se nuk ka asgjë kundër që t’i matë forcat në zgjedhje, duke menduar në zgjedhje të përgjithshme, e jo në ato partiake. Alsat-M

Brukseli është në pritje të veprimeve politike në Shkup

Bashkimi Evropian (BE) ka dërguar sot sërish mesazhe në adresë të autoriteteve të Shkupit lidhur me krizën politike dhe zgjidhjen e saj.“Ne kemi shprehur shqetësimin tonë të thellë nga ajo që është zbardhur sot në vend rreth ndërhyrjes së organeve gjyqësore, lirisë së medias dhe tani edhe për parregullësitë zgjedhore. Presim që institucionet në vend që menjëherë të nisin punën e tyre dhe të mbrojnë vlerat fundamentale”, deklaroi Maja Kocijancic, zëdhënësja e evrokomisionerit për zgjerim të BE-së”, Johannes Hahn.

Sipas saj, Komisioni Evropian përsëriti se funksionarët publik duhet të sillen në mënyrë të përgjegjëshme dhe të marrin përgjegjësi për aksionet e tyre. (ina)

OSBE: Situata gjithnë e më e turbullt në Maqedoni

Çfarë propozon Asambleja Parlamentar e OSBE-së për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.Përfaqësuesi i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore, Roberto Battelli (MP, Sllovenia) sot shprehu shqetësim rreth zhvillimeve gjithnjë e më të turbullta politike në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, informon INA.

Ai vuri në dukje si shqetësuese zhvillimet e vazhdueshme në Shkup janë, mbi të gjitha, mungesa e zgjatur e dialogut konstruktiv në të gjithë spektrin politik.
Përfaqësuesi i posaçëm gjithashtu theksoi nevojën për të ruajtur ligjshmëri, pavarësinë dhe paanshmërinë e institucioneve të vendit, duke promovuar llogaridhënien, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës.

“Si një qytetar i rajonit dhe si një nga shumë njerëz që me të vërtetë kujdesen për përparimin e këtij vendi, unë nxis udhëheqësit politikë të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme – në interes të qytetarëve dhe të vendit” tha Battelli.

Sipas tij, është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhje për krizën e tanishme dhe të punojë për të siguruar një parlament funksional.

Përfaqësuesi i posaçëm gjithashtu i bëri thirrje qeverisë dhe opozitës për të lejuar organet gjyqësore kompetente për të ndërmarrë hetime të shpejta dhe të plota me pavarësi dhe transparencë të plotë.

Në lidhje me akuzat shqetësuese të shkallë të gjerë përgjimin e komunikimeve private, Battelli vuri në dukje pozicionin e AP të OSBE-së në çështjen e përgjegjësisë në sektorin e sigurisë, duke përfshirë shërbimet e inteligjencës, siç pasqyrohet në Rezolutën e saj 2014 mbi Kontrollin Demokratik të publikut dhe Sektorët private të sigurisë.

Përfaqësuesi i posaçëm gjithashtu rikujtoi ekzistencën brenda parlamentit në Shkup të Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së Drejtorisë për Siguri dhe kundërzbulim dhe Agjencisë për Inteligjencë, i përbërë edhe nga përfaqësues të opozitëse. Ai u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë për të bërë përdorimin e plotë të Komitetit për të nxitur përgjegjshmërinë, veçanërisht në kontekstin e pretendimeve të tanishme. (INA)

Bami dhe Doshi sërish përballë, prokurorët ballafaqojnë dy personazhet kyç

Durim Bami, i cili po mbahet i paraburgosur nën masën “arrest me burg” për dyshimet e vrasjes së mbetur në tentativë, u soll në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për t’u ballafaquar me deputetin denoncues Tom Doshi. Procesi i daljes përballë Doshit është kryer jo vetëm sipas standardit pyetje-përgjigje, por edhe me teknikat speciale të hetimit, siç u shprehën burimet.

Kjo, pasi prokurorët vlerësuan gjatë ditës se, nëse të dyja palët do të liheshin vetëm pa grupin e hetimit në bisedë të lirë, ata do të mund të tregoheshin më të sinqertë me njëri-tjetrin.

Por, sikurse thanë burimet jozyrtare, Durim Bami i ka qëndruar versionit të tij dhënë një ditë pas ndalimit, se gjithçka ishte e sajuar dhe e kërkuar nga deputeti Tom Doshi.

Nga ana e tij, Doshi ka këmbëngulur se ndaj tij ka patur një tentativë për ta eleminuar fizikisht, jo vetëm atë por edhe deputetin demokrat Mhill Fufi, referuar edhe rrëfimit të 36-vjeçarit se ishte porositur për t’i vrarë.

Ballafaqimi mes të dyve ka zgjatur deri në orën 11.30 minuta. Ndërkohë që deputeti Doshi la ambjentet e prokurorisë, i shoqëruar nga një eskortë jo vetëm private por edhe nga dy efektivë të RESI-t.

Bami ndërkohë ka vijuar një maratonë të gjatë ballafaqimi me familjarë të deputetit Doshi, seancë që zgjati deri në orën 16. Por prokuroria, siç kanë bërë gjatë këtyre ditëve politikanët që u thirrën për t’u pyetur, kishte vendosur që të ruante sekretin hetimor e për këtë nuk dha asnjë detaj mbi këtë seancë pyetjesh.

Në përfundim të ballafaqimit prokurorët kanë vendosur të zhvillojnë një analizë me njëri-tjetrin, ku edhe do të dalin me konkluzione se cilët janë personat e radhës që do të pyeten dhe çfarë veprimesh të mëtejshme do të zhvillojnë.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme, përveç deklaratës për mediat ku njoftoi çeljen e hetimeve, nuk ka dhënë ende një version zyrtar, ndonëse çështja “Doshi” prej 11 ditësh është çështja më sensitive për publikun. / Top Channel

Komunat e veriut nga një prilli, pa paga

Autoritetet e Qeverisë së Kosovës kanë njoftuar se punëtorët e komunave në veri të Kosovës, që nga 1 prilli do të mbesin pa paga, në qoftë se kryetarët e këtyre komunave nuk e vendosin bashkëpunimin me institucionet qendrore të Kosovës.Për shkak të mos-harmonizimit buxhetor, këtyre komunave u janë bllokuar llogaritë që nga 1 marsi.

Propozimi i këtyre komunave për buxhetin nuk ishte në harmonizim me atë që përcakton Qeveria e Kosovës dhe shuma e mjeteve që është kërkuar nga to ka qenë më e lartë se sa ajo që ishte përshkruar.

Përfaqësuesit e serbëve demantojnë një pohim të tillë.

Bajram Gecaj, zëvendësministër për Administrimin e Pushtetit Lokal, duke folur për Radion Evropa e Lirë, theksoi se në qoftë se kryetarët e katër komunave në veri nuk i përgjigjen takimit me këtë ministri, atëherë që nga 1 prilli as punëtorët e këtyre komunave nuk do të marrin pagat.

“Që nga 1 marsi, komunat veriore nuk mund të bëjnë asnjë pagesë. Ndërkaq nga 1 prilli, nuk do të kenë as rroga. Pasojat vetëm kanë filluar dhe ne shpresojmë dhe besojmë që kryetarët e komunave, në takimin që e kemi thirrur ne, do të vijnë në atë takim, sepse është interesi jo vetëm i tyre, por i qytetarëve të të gjitha atyre komunave veriore”, tha Gecaj.

Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit të komunës së Mitrovicës së veriut, Ksenija Bozhoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Qeverisë së Kosovës “paraqet edhe një presion më shumë” mbi serbët e Kosovës.

“Nëse dikush dëshiron të bëjë diçka, duhet ta shpjegojë pse po e bën, apo më saktë, t’i tregojë nenet e ligjit në të cilat thirret, si dhe të tregojë se çfarë shkeljesh kemi bërë ne që ata të marrin masat, të cilat edhe i kanë ndërmarrë kundër nesh. Gjegjësisht, të marrin masa të njëjta që kanë të bëjnë me bllokimin e llogarive tona. Buxhetet janë ngrirë ose bllokuar pa asnjë sqarim nga Prishtina, pa ndonjë paralajmërim të shkuar, para bllokimit”, theksoi Bozhoviq.

Ajo i ka ftuar autoritetet e Qeverisë së Kosovës, që të tregojnë publikisht se ku stagnon bashkëpunimi.

Bozhoviq, gjithashtu ka konfirmuar se komuna e Mitrovicës Veriore, por edhe komunat tjera në veri të Kosovës, tash e një javë nuk kanë mundur të bëjnë transferim parash, për shkak të, siç e ka quajtur ajo, ‘bllokadës së Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal dhe Ministria e Financave.

Ndryshe, kryetarët e komunave Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë refuzuar takimin të mërkurën, me arsyetimin se po pritet vendimi përfundimtar lidhur me pjesëmarrjen e Listës Serbe në institucionet e Kosovës.

Zëvendësministri Gecaj, ka theksuar se kryetarët e katër komunave veriore nuk i janë përgjigjur kërkesës për takim me ministrinë për Administrimin e Pushtetit Lokal, për të shqyrtuar situatën për harmonizimin e buxhetit.

“Ata nuk na kanë dhënë ndonjë arsye dhe ne u kemi dërguar prapë kërkesën dhe u kemi thënë se jemi të gatshëm të takohemi me ta, kurdo që ata kanë kohë. Ne po shpresojmë që ata do të reagojnë, kurdo që të reagojnë, sepse ata janë kryetar të zgjedhur të komunave të Republikës së Kosovës dhe vërtet duhet që bashkëpunimi institucional të jetë i nivelit të tillë që të mos ketë pasoja për qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Gecaj.

Por, Bozhoviq e quan të pakuptimtë krijimin e kësaj situate, për shkak se sipas saj Kuvendi i komunës së Mitrovicës së veriut, ka sjellë dy vendime për miratimin e buxhetit.

Sipas saj, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk kanë ofruar argumentet bazuara në ligj, për ngrirjen e buxhetit. Megjithatë, ajo thekson se për këtë çështje duhet biseduar.

“Ju bëj thirrje të gjithëve, që të ulen në tavolinë dhe të flasin, në mënyrë që të arrihen vendime dhe përfundime konkrete. Përndryshe, me presione përmes medieve, asgjë nuk arrihet”, theksoi Bozhoviq.

Ajo ka theksuar se mediet kanë paralajmëruar mundësinë e masave të përkohshme në komunat e veriut të Kosovës, por sipas saj, masat e tilla, por edhe shkuarja në zgjedhje të sërishme, nuk i konvenon askujt.

Megjithatë, sipas saj, autoritetet e Prishtinës kanë kërkuar që pagat për arsim dhe shëndetësi të shkojnë përmes buxhetit të Kosovës.

Por, veriu i Kosovës ka refuzuar ndarjet për shëndetësi dhe arsim, sepse plani i Beogradit dhe serbëve të veriut të Kosovës, parasheh që financimi i këtyre fushave të bëhet përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në të ardhmen, i cili duhet të formohet në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.

Ndryshe, komunat në veri,dhe të gjitha institucionet që i ka themeluar komuna, marrin pagat nga buxheti i Serbisë, duke përfshirë këtu punëtorët e komunës, Qendrën e Kulturës, Qendrën për punë sociale, bibliotekën, ndërmarrjet publike komunale dhe institucione të tjera. (tch)

Kosova anëtare e FIBA-s

Federata Ndërkombëtare e Basketbollit pranon Kosovën anëtare me të drejta të plotëFederata Ndërkombëtare e Basketbollit bëri të ditur të premten se Kosova është bërë anëtarja e 215-të e saj.

Vendimi, që u mor gjatë takimit të Komitetit Ekzekutiv të FIBA-s, pasoi pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor të vitit të kaluar.

Në një njoftim të FIBA-s thuhet se kjo federatë tash do të punojë për përfshirjen e ekipeve kombëtare të Kosovës në garat e saj duke filluar nga vera e këtij viti.

Federata e Basketbollit të Kosovës u shpreh shumë e kënaqur me vendimin e FIBA-s. Në një komunikatë të kësaj federate thuhet se “pranimi në FIBA është ngjarja më e madhe në shtatë dekadat e historisë së basketbollit në Kosovë. Ky akt shënon kurorëzimin e përpjekjeve që zgjatën me dekada, por edhe fillimin e një epoke të re, asaj të fuqizimit të basketbollit në Kosovë me ndihmë nga organizata botërore e basketbollit”.

Pranimi në FIBA është përshëndetur edhe nga udhëheqësit më të lartë politikë të Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës. Fakti që ajo nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara vazhdon të pamundësojë edhe pjesëmarrjen e sportistëve të saj në shumë fusha të konkurrencës ndërkombëtare. (voa)

Fan Noli: Si u bëra shkrimtar

Sot është 50-vjetori i vdekjes së Fan Nolit, udhëheqës i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan, ish-kryeministër i Shqipërisë dhe ndër njerëzit më të rëndësishëm të letrave shqipe. Noli erdhi për herë të parë në SHBA në vitin 1906, organizoi kishën autoqefale shqiptare me qendër në Boston, themeloi bashkë me të tjerë Federatën Vatra, shkoi në Shqipëri për të ndihmuar në forcimin e shtetit të brishtë, jetoi për një kohë në mërgim dhe u kthye përsëri në Amerikë në vitin 1931. Në këtë jetë plot peripeci, Noli u bë edhe një penë e fuqishme – shkrimtar, shqipërues, historian e vjershëtor. Për fillimet e rrugës së tij si letrar është folur shpesh, por sot do t’ju sjellim një dokument të rrallë zanor, ku Fan Noli tregon me fjalët e tij se si u bë shkrimtar.Këta shirita të vjetër manjetikë, të regjistruar mbi gjysmë shekulli më parë në Boston, na sjellin me gojën e vetë Fan Nolit një dëshmi të pazakontë – rrugën e tij për t’u bërë shkrimtar. Është një ligjëratë e mbajtur prej tij në Boston në vitin 1961.

Fan Noli erdhi në Shtetet e Bashkuara në fillim të shekullit të 20, pasi kishte punuar si sufler në teatrot shëtitëse greke. Në vitin 1908 ai u shugurua prift në Boston dhe kjo e lidhi ngushtë me shqiptarët e Amerikës.

“Gjatë gjithë këtyre viteve, mu desh të predikoja përpara shqiptarëve. Ata vinin nga fshati, shumë pak prej tyre kishin bërë ndonjë shkollë dhe unë përpiqesha shumë të afrohesha me ta. Mënyra e vetme për t’u lidhur ishte t’u flisje atyre në një shqipe shumë, shumë të thjeshtë. Ata ishin mësuesit e mi më të mirë, sepse më mësuan se si t’u flisja dhe të kuptohesha prej tyre.”

Noli tregon se duke filluar nga viti 1908, iu desh të përkthente libra kishtarë nga greqishtja në shqip. Me ardhjen e Faik Konicës në Amerikë në vitin 1909, ata të dy hartuan një listë librash që duheshin përkthyer në shqip, me dëshirën për t’u dhënë shqiptarëve vepra të letërsisë botërore.

“Metoda ime ishte kjo: për shembull, kur fillova të përkthej Hamletin, unë përktheja pjesët më të bukura të tij, siç ishte monologu i famshëm “Të jesh a të mos jesh”, po kështu me Makbethin dhe Otellon. Më vonë plotësoja pjesët që mungonin. Ngurroja t’i botoja këto përkthime sepse nuk më pëlqenin aq shumë, por gjithmonë përpiqesha t’i korrigjoja.”

Noli tregon për një episod të vitit 1915, kur për arsye financiare kishte mbetur i bllokuar në Vjenë.

“Një ditë takova Norbert Joklin, studiuesin e famshëm të shqiptarëve, profesor në Universitetin e Vjenës dhe i thashë se po përpiqesha të përktheja Hamletin, Makbethin, Jul Qezarin e vepra të tjera. Ai më tha të shkoja e t’i lexoja disa nga përkthimet dhe një mbrëmje ne u mblodhëm në grup disa njerëz bashkë. Veç dr. Joklit ishin edhe dr. Gjergj Pekmezi, Ismail Qemali, njeriu i famshëm që ngriti flamurin shqiptar dhe shpalli pavarësinë në vitin 1912, Fazil pasha Toptani si dhe Faik Konica. U lexova disa pjesë që kisha përkthyer. Dr Jokli foli me entusiazëm dhe më kërkoi që t’i botoja patjetër këta libra.”

Rasti për t’i botuar përkthimet erdhi kur Noli u kthye nga Vjena në Shtetet e Bashkuara. Ai iu lut Vatrës t’i paguante shpenzimet e udhëtimit me premtimin se do t’ia shlyente ato me libra.

“U thashë atyre se nuk mund t’ua shlyeja ato 500 dollarë me para në dorë, por u premtova se, si shpërblim, ata do të merrnin libra prej meje. Kështu, ata morën Otellon dhe Kasollen e Blasko Ibanjezit, romancierit spanjoll të shekullit të 19. Otelloja u botua në vitin 1916, një vit pas ardhjes sime nga Vjena. Libri i Ibanjezit u botua pas pesë vjetësh.”

Më vonë Noli botoi Jul Qezarin, Makbethin, Hamletin dhe Armiku i Popullit nga Henrik Ibsen, Zonja Inger, përsëri nga Ibsen, Don Kishotin e Servantesit dhe Rubairat e Omar Khajamit.

“Në vitin 1921, Koço Tashko, i cili në atë kohë ishte kryetar i Shoqërisë korçare “Arësimi”, mu lut të shkruaja një histori të Skënderbeut. I thashë se do të më duheshin rreth 12 muaj për ta mbaruar dhe ata pranuan. Por pata konkurrencë nga miku ynë i vjetër Kostë Çekrezi, i cili premtoi ta shkruante librin për tri javë dhe jo 12 muaj. Tashkoja shprehu mendimin se askush nuk mund të shkruante një histori serioze të Skënderbeut për tri javë, kështu që kjo punë mu la mua.”

Noli tregon se kur puna po i afrohej fundit, ai mësoi se në Vjenë kishte dokumente arkivore për Skënderbeun, sepse deri atëhere ishte mbështetur vetëm në burime letrare dhe në vepra biografike, si ajo e Barletit. Por atij iu kërkua ta mbaronte librin shpejt, kështuqë nuk mund t’i përdorte arkivat. 20 vjet më vonë, kujton ai, mu desh ta rishkruaja këtë libër bazuar në material arkivor.

“Në vitin 1947 botova librin “Bethoveni dhe revolucioni francez”, që ishte shkruar si tezë për masterin tim në muzikë në Universitetin e Bostonit. Ky libër dhe një përmbledhje vjershash u botuan me paratë që më dhuroi Vatra me rastin e përvjetorit të ditëlindjes.”

Fan Noli erdhi në Shtetet e Bashkuara me një shqipe të thjeshtë, të mësuar në komunitetin shqiptar të Ibrik Tepesë, në Trakën lindore, për t’u bërë më pas njëri ndër lëvruesit më të mëdhenj të gjuhës së tij amtare.

“Mësuesit e mi ishin shkrimtarët e mëdhenj, veprat e të cilëve kisha përkthyer: Shekspiri, Edgar Alan Poe, Servantesi, Ibseni, Omar Khajami dhe nuk duhet të harroj Faik Konicën, një shkrimtar i klasit të parë.” (voa)

Forcat irakiane vazhdojnë ofensivën drejt Tikritit

Forcat irakiane të sigurisë vazhduan sot ofensivën e tyre për të rimarrë kontrollin e qytetit të Tikritit. Luftëtarët e grupit të vetë-quajtur Shteti Islamik janë të rrethuar dhe sipas njoftimeve, kanë filluar të humbasin terren.Zyrtarët në Bagdad vazhdojnë të shprehin besimin se së shpejti do ta marrin plotësisht kontrollin e qytetit, me vlera strategjike dhe simbolike, si qyteti i lindjes së ish-udhëheqësit irakian Saddam Hussein.

Rreth 30 mijë trupa irakiane dhe forca të milicisë shi’ite me mbështetjen e Iranit kanë rrethuar qytetin dhe kanë rimarrë kontrollin e disa zonave, megjithëse mbetet e paqartë se deri ku kanë përparuar trupat.

Ofensiva në shumë fronte, tani në javën e saj të dytë, është ngadalësuar si rezultat i kundërpërgjigjes së luftëtarëve të Shtetit Islamik. Por Ministri i Mbrojtjes Khaled al-Obeidi thotë se operacioni mund të hyjë shpejt në një fazë të rëndësishme. (voa)