Bomba e tetë e opozitës, nxori në sipërfaqe keqpërdorimet e Institucioneve shtetërore

Bomba e tetë e opozitës, në të cilat dëgjohen funksionarë të lartë shtetërorë mes të cilëve Jankullovska, Janakievski e Mijallkov nxori në pah të vërtetën mbi zgjedhjet në Maqedoni. Në njërën nga bisedat ministri i Transportit Mile Janakievski, kërkon nga kreu i SPB-së së Strumicës Marjan Nakovski, shtypjen e 300 letërnjoftimeve biometrike.Bashkëbisedimi: Mile janakievski dhe Marjan Nakovski
“Marijan!
Urdhëro ministër.
Abe, duhen rreth 300 letërnjoftime për në Strumicë, a je në rrjedha?
Të përgatiten apo të arrijnë?
Të përgatiten!
Uhhh…”.

Shefi i DSK-së Sasho Mijallkov dhe ministri i transportit Milje Janakievski, bisedojnë për skenarë mbi manipulimin e zgjedhjeve, gjegjësisht hapjen dhe mbylljen e kutive. Janakievski kërkon nga Mijallkov ekspert policie në këtë lëmi.

Bashkëbisedimi: Mile Janakievski dhe Sasho Mijallkov
“Këta që janë, materiali zgjedhor, 4 lista të tilla i gjetëm tashmë, do ti japim atyre që nuk kanë dalë, ti lusim nga dera në derë.
Hmmm.

Të tjerat janë në thasë të zeza. E tani. Janë në thasë dhe janë vendosur në një depo në Komunën Qendër. Kemi çelës prej aty, por…
Të listave zgjedhore?
Po!
Po a e kemi ne listën zgjedhore të plotë?
Jo, jo, jo. Atë që është votuar javën e kaluar. Në atë që janë nënshkruar
Aha…
Që ta dimë se kush ka dalë e kush jo. Për 4 vendvotime i gjetëm. E tani për të tjerat, janë në thasë të zinj. I di ato plastiket që mbyllen? Kur ta heqësh mbyllet vetë. Sikur me patent. Është plastike, dhe është e vulosur.
Mirë.
Të shkojë dikush, nuk e di a keni njerëz të tillë, ta hapin dhe të mos kuptohet që është e hapur?
E tani nuk e di, duhet ta shohim atë mekanizëm. Mua nuk më kujtohet çfarë mekanizmi është ai, por…
E di se si është, sikur plastike, është e gjatë dhe vetëm shtrëngohet si me litar
A, sikur tel ajo?
E, ashtu.
A, e di. Njëra në tjetrën që hyn dhe sikur tel…
Ashtu është, ashtu. Të shkojë dikush prej të tuajve…”

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Kiril Bozhinovski, kërkon nga Jankuillovska që një kundërshtarit politik si hakmarrje t’i digjet kafeneja dhe nga puna t’i largohet bashkëshortja.

Bashkëbiosedimi: Gordana Jankullovska dhe Kiril Bozhinovski
“Mendoj se duhet të fluturoj edhe ai. Tani fillova ta kërkoj se ku punon gruaja e tij, duhet t’i lëmë pa asgjë.
E di, ai është budalla. D.m.th, tani do ta lëshojmë si inspektor.
Edhe atë kafenenë duhet të ja djegim. Dhe kështu. Këto tre punë, duhet patjetër të bëhet kjo.
E di çfarë mendoj unë? D.m.th, ai nuk di të punojë, është i pa aftë. D.mt.h, ai gjithçka që ka e ka nga partia”.

Ministrja e Kulturës Elizabeta Kançeska-Mileska dhe ministri i transportit Milje Janakievski bisedojnë për hakmarrje ndaj familjes së këngëtarit Toshe Proeski, pasi që sipas tyre, familja e Toshes është me LSDM-në. I përfolur në këto biseda ishte edhe Amdi Bajrami, i cili ka siguruar vota nga personat e vdekur që nga viti 2012. Adrian Kerimi

Ish-luftëtarja e UÇK-së shuplakë “komandantëve”

Ish-luftëtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Zona e Llapit, Merita Paqarada gjatë protestës së sotme para Qeverisë, ka kritikuar disa ish-komandantë për të cilët ka thënë se ata kanë lënë anash veteranët e UÇK-së.Sipas saj, kjo që po bëjnë këta komandantë është një turp i madh kombëtarë.

“Unë njoh këtu njerëz, njoh invalid, veteranë, ata që s’kanë bukë të ju japin, ndërsa komandantët të cilët kanë zënë fotele të ngrohta e jetojnë një jetë luksi me bashkëshortet dhe fëmijët e tyre nuk përkujdesen për çështjet tona. Kjo është një turp, turp i madh kombëtarë, turp i Zotit”, ka thënë ajo, transmeton Zëri.

Paqarada, po ashtu ka apeluar komandantët e çdo njësiti, që t’i kontrollojnë edhe njëherë listat.

“A thua gjaku i dëshmorëve, invalidëve dhe gjymtyrët e trupit ndonjëherë do t’ju zgjojnë në ankth dhe ju do të pyetni pse. Mos e pyetni veten, dijeni sepse gjaku i dëshmorëve nuk është ujë dhe gjymtyrët e invalidëve nuk janë gjëra për tu hedhur. Një natë do të zgjoheni në ankth dhe do të dridheni e s’do të keni as frymëmarrje të merrni. Lus komandantët e çdo njësiti që kanë fryrë listat dhe na kanë përulur edhe neve, t’i spastrojnë ato nga nepotizmi dhe që janë krijuar profiter vetanak dhe jetojnë në luks të paparë”, ka thënë ajo. /Zëri/

Policia, kontrolle të rrepta për protestën

Policia ka të dhëna se gjatë protestës së të enjtes mund të qarkullojnë njerëz të armatosur për të krijuar trazira. Nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato deklaroi se do të kontrollohen ambjente dhe persona që dyshohen se do të qarkullojnë armë. “Në kuadër të këtyre masave dhe vlerësimit të disa informacioneve nga institucionet ligjzbatuese, Policia e Shtetit do të ushtrojë kontrolle në të gjitha akset rrugore, si dhe tek persona e mjedise me qëllim identifikimin dhe kapjen e individëve që mund të lëvizin me armë e që mund të synojnë kryerjen e akteve të paligjshme gjatë protestës”, deklaroi Qato.

Qato kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimn e rrugëve dhe u apeloi atyre që të lëvizin me karta identiteti gjatë protestës.

“Polica kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimin e disa akseve rrugore në Tiranë dhe u kujton atyre detyrimin për të qenë të pajisur me dokumente identifikimi e t’ua tregojnë ato agjentëve nëse do t’u kërkohet”, vijoi Qato.

Informacioneve që u referohet nëndrejtori kanë ardhur si nga strukturat e Policisë së Shtetit, ashtu dhe nga ato të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Informacionet e këtij të fundit madje kanë qenë edhe me zona të evidentuara, prej nga mund të vijnë personat më problematikë, si zonat e periferisë së Tiranës apo Durrësit, por edhe zonat e nxehta të veriut të vendit. / Top Channel

Ristani: Rama-Meta në panik nga protesta madhështore

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, deklaroi se ditën e enjte qytetarët shqiptarë “do të ngrejnë zërin e tyre kundër varfërisë, mjerimit dhe arrogancës së dyshes Rama-Meta”. “Meta është akuzuar si porositës i dy vrasjeve, ndërsa Rama si bashkëpunëtor. Këta të dy kanë shtypur dhe terrorizuar njerëzit prej dy vitesh. Askush nuk e ndal marshimin e nesërm”, theksoi Ristani në një deklaratë për shtyp.

“Mazhoranca është kapur nga paniku i protestës së nesërme popullore sepse të dhënat tregojnë se pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë protestë do të jetë madhështore. Mijëra qytetarë do të bashkohen nesër në Tiranë në orën 11 në Sheshin “Skënderbej”, për të ngritur zërin e tyre kundër krimit në qeverisje, kundër pasigurisë, kundër varfërisë, kundër mjerimit dhe kundër arrogancës së dyshes Rama-Meta. I ka zënë paniku Edi Ramën, Ilir Metën dhe lolot e tyre, sepse, janë ata shkaktarët e depresionit të madh ekonomik të vendit dhe inkriminimit masiv në çdo qelizë të shtetit, deri në kupolën më të lartë të tij; I ka zënë paniku, se në sytë e gjithë shqiptarëve, Ilir Meta është sot i akuzuar për porositjen e dy vrasjeve, ndërsa Edi Rama është i akuzuar si bashkëpunëtor; I ka zënë paniku, sepse Edi Rama dhe Ilir Meta, e kanë tradhëtuar popullin, kanë sjellë varfëri, papunësi e skamje, korrupsion, e zhvatje të qytetarëve; I ka zënë paniku sepse kanë shtypur dhe terrorizuar njerëzit çdo ditë prej dy vitesh, dhe tani është radha e popullit sovran që të marrë fatet në dorë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.

“Partia Demokratike i bën thirrje policisë së shtetit të përmbahet brenda kufinjve të ligjit, e mos të reagojë prej panikut e dëshpërimit të dyshes Rama-Meta. Krimi dhe kriminelët janë në gjirin e qeverisjes dhe mazhorancës, jo tek populli. Asgjë nuk do ta ndalë marshimin e nesërm”, shtoi Ristani.

/ Top Channel

LSI, Vasili: Meta nuk e jep dorëheqjen. Fakte tronditëse gjatë orëve në vazhdim

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi në një dalje para mediave se Ilir Meta “nuk do e japë kurrsesi dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Kuvendit për hir të krimit të organizuar”.Zoti Vasili u shpreh kështu një ditë para protestës së PD-së: “Çdo parti është e lirë të protestojë 24 orë në ditë po të dojë për llogari të krimit të organizuar. Është e lirë të përdorë edhe të sëmurë psiqikë për të mbështetur krimin e organizuar, por Ilir Meta nuk e jep dorëheqjen kurrsesi për krimin e organizuar”.

Në fund të fjalës së tij, Petrit Vasili tha se “fakte të reja tronditëse do të bëhen publike gjatë 24 orëve në vazhdim”.

/ Top Channel

PE KËRKON MIRATIMIN E KORNIZËS LIGJORE PËR GJYKATËN SPECIALE

Parlamenti Evropian i bën thirrje formalisht pesëshes së mbetur evropiane që të njeh pavarësinë e Kosovës.Kjo qëndron në rezolutën e miratuar në Strasburg, ndërsa është viti i pestë me radhë që bëhet ky apel.

Nëpërmjet të rezolutës së miratuar kërkohet gjithashtu përshpejtimi i procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ndërsa nga institucionet vendimmarrëse në Bruksel apelohet për nënshkrim sa më të parë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me çfarë do kontribuohet në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Nga ana tjetër deputetet e Parlamentit Evropian kërkojnë nga Prishtina zyrtare miratimin e kornizën ligjore e cila do mundësojë themelimin e Gjykatës Special.

Njëkohësisht, me anë të kësaj rezolutë kërkohet nga autoritetet e Kosovës që të ndërmarrin reformat në sundim të ligjit administrate publike, të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Autorja e tekstit të rezolutës deputetja, Ulrike Lunacek pranoi se ndonëse 5 vite me radhë apelohet tek ato për njohje, këto shtete duket se nuk kanë në plan të lëvizin pozitivisht në këtë drejtim.

Duke iu drejtuar gazetarëve pas miratimit të rezolutës ajo shprehu drojën se do merr kohë e gjatë deri në njohjen nga ana e pesëshes.

Nga ana tjetër ajo ndihet e inkurajuar me prononcimin e Komesarit për çështje të brendshme, Dimitris Avramopoulos në lidhje më liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Ky është lajm i mirë për Kosovën dhe shpresoj të dal i vërtetë, meqë Komisioni Evropian për herë të parë e thotë një gjë të tillë”, tha Lunacek.

Duke tërhequr vërejtjen se pavarësisht disponimit të Komisionit Evropian megjithatë fjalën përfundimtare për këtë çështje do e kenë ministrat e brendshëm të vendeve anëtare, Lunacek theksoi se shpreson se edhe ata të kenë realizuar se fluksi i fundit i imigrantëve ka ndodhë edhe për shkak të ndjenjës e të qenurit të mbyllur.

Liberalizimi i vizave do e eliminoj këtë ndjenje tek kosovarët”, tha Lunacek, duke siguruar se heqja e vizave do e eliminojë gjithashtu edhe problemin e imigrimit ilegal ashtu siç ka ndodhë me shtete tjera të Ballkanit Perëndimor. (rtk)

Ndotja e ajrit dhe shëndeti i fëmijëve

Ndotja e ajrit dëmton shëndetin e fëmijëve dhe shkencëtarët që monitorojnë efektet e ajrit të ndotur në Los Angeles thonë se përmirësimi i cilësisë së ajrit ndikon për një shëndet më të mirë tek moshat e vogla. Rezultatet e kërkimit u botuan në Gazetën e Mjekësisë të New England. Autorët thonë se gjetjet japin shpresë për qytetet e ndotura në të gjithë botën.Shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë së Jugut thonë se cilësia e ajrit është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme në Los Angeles, paralelisht me shëndetin e fëmijëve në pesë komunitete në të cilat është kryer studimi 20-vjeçar.

Ata thonë se niveli i pjesëzave në ajër ra me 50% në këto komunitete, dhe niveli i nitrogjen dioksidit ra me një të tretën.

Shkencëtari James Gauderman thotë se në Los Angeles, ajri më i pastër ka ndikuar tek mushkëritë më të pastra të fëmijëve.

“Kjo është një histori e jashtëzakonshme suksesi pasi pavarësisht nga një trafik i shtuar dhe aktivitetit ekonomik, cilësia e ajrit në zonën e Los Angeles është përmirësuar. Ky studim tregon se si rezultat, zhvillimi i kapacitetit të mushkërive të fëmijëve tanë është përmirësuar ndjeshëm.”

Kjo do të rezultojë në vazhdimësi në më pak probleme frymëmarrjeje dhe të zemrës. Madje, mushkëritë më të mira mund zgjasin moshën mesatare të jetëgjatësisë së fëmijëve.

Këto ndryshime u sollën nëpërmjet veprimit të përbashkët të autoriteteve lokale, shtetërore dhe federale, të cilat ulën nivelin e ndotjes nga makinat dhe shkaktarë të tjerë, thotë shkencëtari Frank Gilliland.

“Ka qenë një përpjekje e koordinuar për të ulur shkaqet e ndotjes gjatë një periudhe të gjatë. Ka qenë një gamë e gjerë veprimi, me makina të përmirësuara, me burime karburanti më të mira me nivel më të ulët sulfuri, me motorë më të mirë në kamionët e tonazhit të rëndë, dhe rregulla më të forta në portet hyrëse. Të gjitha këto së bashku ulën nivelin e ndotjes dhe përmirësuan cilësinë e ajrit.”

Përpjekjet për të ulur nivelin e ndotjes në porte kanë sjellë rezultate të mira, thotë aktivisti mjedisor Mark Lopez, por ai është i shqetësuar për të ardhmen.

“Cilësia e rritur e ajrit është e barazvlefshme me shëndet më të mirë. Pra, nëse do bëjmë hapa prapa në dëm të cilësisë së ajrit, e dimë se kjo do të dëmtojë shëndetin e fëmijëve tanë.”

Qytete në Kinë dhe Indi përballen me nivele shumë më të këqija të ndotjes së ajrit se Los Angeles, dhe shkencëtari Edward Avol thotë se studimi është një mesazh për këto vende.

“Pjesëzat në ajër dhe gazrat që ne studiuam si të rëndësishme për shëndetin në Kaliforninë Jugore, janë shumë të ngjashme me ndotësit në vende të tjera të botës. Kështu që, pastrimi i ajrit në pjesë të tjera të botës, do të sillte të njëjtat përfitime shëndetësore për fëmijët që jetojnë atje.”

Shkencëtarët thonë se vendosja nën kontroll e nivelit të ndotjes sjell përfitime të provuara për fëmijët.

Sfida është si të mbahet ndotja në nivel të ulët. (voa)

Goditja e ISIS – dëshmi në Kongres

Anëtarë të rëndësishëm të ekipit të presidentit amerikan Barak Obama për sigurinë kombëtare u përballën sot në Senat me pyetje të ligjvënësve lidhur me një kërkesë të Shtëpisë së Bardhë për të përdorur forcën kundër militantëve të Shtetit islamik. Muajin e kaluar, zoti Obama kërkoi autorizim për të përdorur forcën me një afat prej tre vjetësh, por pa ndërmarrë luftime të zgjatura tokësore.Sekretari i Mbrojtjes Ashton Carter, Sekretari i Shtetit John Kerry dhe Shefi i Shtatmadhorisë, Martin Dempsey, folën përpara Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Takimi i sotëm ishte pjesë e një procesi të gjatë për çdo autorizim force, që duhet të kalojë nëpër të dyja dhomat e Kongresit, në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, përpara se të marrë miratimin.

Disa republikanë nuk pajtohen me planin e Presidentit për ta kufizuar përdorimin e trupave tokësore. Ata kërkojnë më shumë se kaq. Ndërkaq, një pjesë e demokratëve nuk duan asnjë lloj përdorimi forcash në terren.

Ushtria amerikane po kryen në Irak sulme ajrore që nga muaji gusht dhe në Siri që nga shtatori, duke u vënë në krye të një koalicioni ndërkombëtar kundër grupit militant që ka marrë zona të mëdha në të dy vendet vitin e kaluar.

Një protestues që ndodhej në sallën e senatit e ndërpreu zotin Kerry duke thirrur: “Jemi të lodhur me këtë luftë të pafund. Kjo po krijon më shumë terrorizëm dhe vrasjen e më shumë viktimave të pafajshme.”

Zoti Kerry u përgjigj, duke pyetur se ç’mund të thuhet për vrasjen e gazetarëve amerikanë nga ISIS apo djegien së gjalli të pilotit jordanez, që ai tha se ishin njerëz të pafajshëm.

Deri tani, sipas të dhënave të Pentagonit, koalicioni ka kryer më shumë se 2700 sulme ajrore kundër objektivave të tilla, si pozicione të artilerisë, automjeteve dhe depove të përdorura nga militantët.

Zoti Obama ka thënë se operacione të tilla nuk kanë nevojë për ndonjë autorizim të ri, sepse mbulohen nga një ligj i miratuar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. (voa)

Kurti për socialdemokraci dhe Republikën e tretë të Kosovës

Kosovës i duhet një Republikë e tretë që do të ndërtohet mbi socialdemokracinë, ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë, ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.Këto komente, ai i ka bërë gjatë një debati të organizuar nga Lëvizja Fol në Prishtinë.

Sipas Kurtit, dy Republikat e deritashme, ajo e para luftës dhe Republika aktuale nuk kanë sjellë zhvillim, por kanë krijuar vetëm ndarje në mes të qytetarëve dhe komunave.

Për 15 vjet, ka theksuar Kurti, populli i Kosovës i provoi qeveritë e djathta dhe tash po detyrohet të ikë nga vendi ose të protestojë kundër Qeverisë.

“Duhet provuar socialdemokracia, duhet provuar një Qeveri e majtë. Republika e tretë bëhet përmes socialdemokracisë”, ka theksuar Kurti.

“Zhvillimi duhet të bëhet kryefjala e kursit të ri shtetëror. Përderisa kjo nuk ndodhë, ne do të vazhdojmë të jetojmë në këtë Republikën e dytë në të cilën ekonomia është e dominuar prej privatizimeve dhe nepotizmit. Republikën e tretë ne e shohim si Republikë për zhvillim dhe të njëjtën kohë e shohim si Republikë në të cilën definohen disa parime të reja. Duhet t’i kthehemi vetvetes në kuptimin e zhvillimit dhe sovranizimit”, ka deklaruar ai.

Varfëria dhe papunësia në Kosovë, ka vijuar Kurti, janë pasojë e orientimit dhe modelit të gabuar ekonomik.

Ai ka folur edhe për dialogun në nivelin e lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian.

Ky dialog, sipas Kurtit, nuk po sjell rezultate, por po i thellon ndarjet e brendshme në Kosovë.

Andaj, në vend të këtij modeli të dialogut me Serbinë, Kurti ka theksuar se duhet të vendoset një dialog ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve lokal.

“Ne kemi nevojë për dialog me serbët e Kosovës për zhvillim të përgjithshëm me barazi për secilin, dialog që është i hapur e demokratik e jo i mbyllur e diplomatik sikurse ai në Bruksel me Serbinë”.

“Dialogu aktual është dialog prej lartë, me marrëveshje që do të dështojnë këtu poshtë. Ne mund të flasim me serbët e Kosovës edhe për shtetin e Serbisë, mirëpo ne nuk duhet të flasim me shtetin e Serbisë për serbët e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Në këtë debat Albin Kurti ka ritheksuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votojë themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës që pritet të procedohet javët e ardhshme për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq lidhur me shqetësimet e shprehura nga krerët e partive të koalicionit qeverisës se nëse këtë gjykatë nuk e themelon Kuvendi i Kosovës atë do ta themelojë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, Kurti ka thënë se këto nuk qëndrojnë, pasi që sipas tij, Këshilli i Sigurimit nuk do të merret me formimin e kësaj gjykate. (rel)

“Millosheviqi” në rishqyrtim, “Mihajlloviqi” klandestin

Tabela me emërtimin ” Sllobodan Millosheviq” për njërën nga rrugët e komunës së Ranillugut, nuk qëndron në rrugën për të cilën ishte miratuar ky emërtim nga Kuvendi i Komunës së Ranillugut. Kjo për faktin se miratimi dhe vendimi i Kuvendit të Komunës së Ranillugut nuk kishte hyrë në fuqi, për shkak se kryetari i kësaj komune, Gradimir Mikiq, listën me emërtimet për rrugët në këtë komunë, e ka kthyer për rishqyrtim në kuvendin e kësaj komune, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Sasha Alleksiq, kryetar i kuvendit të Komunës së Ranillugut.

“Ai vendim është kthyer në shqyrtim të sërishëm dhe Kuvendi do ta shqyrtojë atë në fund të këtij muaji”, tha Alleksiq.

Ai ka shtuar se nuk është në dijeni se kush i ka porositur dhe kush i ka shtypur tabelat, në mesin e të cilave ka qenë edhe ajo me emrin e Sllobodan Millosheviqit.

Millosheviq ishte akuzuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për rolin e tij gjatë luftës në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë gjatë viteve të 90-a.

Ai u gjet i vdekur në qendrën e paraburgimit në gjykatën e Hagës më 11 mars të vitit 2006.

Në anën tjetër, në fshatin Rropotovë të komunës së Ranillugut, pranë shtëpisë së kryetarit të komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq, është vendosur një tabelë me mbishkrimin “Rruga: Gjenerali Drazha Mihajlloviq”.

Dragoljub “Drazha” Mihajlloviq, ka qenë organizator dhe ideolog i lëvizjes Çetnike gjatë luftës së Dytë Botërore. Regjimi komunist i ish-Jugosllavisë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore e akuzoi dhe dënoi Mihajlloviqin për bashkëpunim me nazistët dhe për kryerje operacione të spastrimit etnik ndaj popullsisë jo serbe në ish-Jugosllavi nga ana e njësive çetnike.

Në vitin 1946 ai u ekzekutua në Beograd. Viteve të fundit, në Serbi ka pasur tendenca për rehabilitimin e figurës së Drazha Mihajlloviqit.

Lidhur me atë se kush e ka vendosur këtë tabelë dhe kush e ka emërtuar këtë rrugë me emrin e ideologut çetnik, Alleksiq thotë se nuk ka njohuri për këtë:

“Sot, gjithkush mundet të shkojë në cilëndo shtypshkronjë, të shtyp çfarë t’i dojë qejfi dhe ta vendosë aty ku ka dëshirë. Unë vetëm mund të them se vendimi për emërtimin e rrugëve do të sillet për shqyrtim sërish në Kuvend, në fund të muajit”, theksoi Alleksiq.

Megjithatë, ai nuk dha përgjigje nëse emri i Mihajlloviqit ishte në listën e miratuar më parë nga Kuvendi i komunës për emërtimin e rrugëve.

Ai përsëriti se emërtimet e rrugëve do të bëhen sipas vullnetit të qytetarëve të komunës së Ranillugut.

A është vullneti i qytetarëve të kësaj komune emërtimi i rrugëve me emrat e Sllobodan Millosheviqit dhe Drazha Mihajlloviqit?

Stanko Gjokiq, një qytetar i moshuar nga komuna e Ranillugut tha se nuk e dinte se kush kishte vendosur për emërtimet, e as për tabelën me emrin e Mihajloviqit.

“Nuk e di unë. Megjithatë, më pëlqen, sikur të kishte secila rrugë tabelat dhe jo vetëm një”, tha Gjokiq.

Një qytetar tjetër nga Ranillugu, i cili nuk deshi të identifikohej, tha se emërtime e caktuara të rrugëve, nuk duhet të shndërrohen në problem.

“Nuk më intereson për rrugët. Sikur rruga ta kishte edhe emrin e presidentit Rugova, nuk do të ishte problem, e as për Millosheviqin”, tha qytetari serb.

Edhe një bashkëqytetar i tij, i cili po ashtu nuk deshi të identifikohej, tha se për emërtimi i rrugëve është bërë në mënyrë ligjore.

“Këtë e ka miratuar Kuvendi i komunës së Ranillugut. Gjithçka është në rregull. Ky është vullneti i qytetarëve dhe nuk është me rëndësi se si quhet cilado rrugë”, tha qytetari serb.

Ivan Arsiq, po ashtu nga komuna e Ranillugut, vlerëson se emrat e historisë së vonshme, të cilët kontestohen nga cilido komunitet, nuk është mirë të vendosen si emërtime rrugësh..

“Nuk do të duhej fare të vendosen për rrugë emrat e aktorëve të cilët kanë qenë para 15 apo 20 vjetëve. Duhet pritur të kaloj edhe një kohë e caktuar dhe historia do të tregojë për ta. Por, nëse Kuvendi Komunal ka vendosur ashtu, atëherë, atë kuvend e kanë zgjedhur qytetarët dhe ai duhet ta zbatojë vullneti i popullit”, tha Arsiq.

Por, çfarë do të ndodhë në qoftë se shumica e këshilltarëve të Kuvendit të komunë së Ranillugut, edhe në shqyrtimin e sërishëm vendos që ta emërtojë një rrugë me emrin e Sllobodan Millosheviqit, në emër të zbatimit të vullnetit të qytetarëve?

Alleksiq jep ketë përgjigje:

“Unë jam në shërbim të ligjit dhe të zbatimit të ligjit të Kuvendit që përfaqësoj. Unë jam zgjedhur nga ana e popullit dhe jam zgjedhur nga ana e këshilltarëve komunal në pozitën e kryetarit të kuvendit. Unë jam vetëm njëri nga 15 këshilltarët e barabartë të këtij kuvendi. Prandaj, vendimi i shumicës do të jetë përfundimtar”, tha Alleksiq.

Komuna e Ranillugut është krijuar gjatë procesit të decentralizimit të pushtetit qendror, të paraparë me planin e Marti Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Kjo komunë, aktualisht udhëhiqet nga përfaqësuesit e Listës Serbe. (rel)