Apple synon suksesin me produktin e ri

Kompania Apple e zgjeroi në mënyrë të konsiderueshme tregun e saj me një kategori të re të artikujve elektronikë, si ora e dorës. Ende nuk është e sigurt nëse me këto produkte Apple do ta ndryshojë rrënjësisht tregun e konsumatorëve, ashtu siç ka bërë më parë me telefonat inteligjent dhe produktet teknologjike. Megjithatë, ekspertët e biznesit thonë se Apple po jep një shembull se si bizneset të ruajnë rëndësinë e tyre.Asnjë kompani nuk mund të krahasohet me Apple, kur bëhet fjalë për ndikimin që ka me prezantimin e një produkti të ri, qoftë mënyra për të paguar për artikuj, një tabletë më elegante apo më e shpejtë, ose një produkt krejt të ri, si ora e dorës Apple. Redaktorja e CNET, Lindsey Turrnentine thotë se kjo kompani nuk ka frikë të rrezikojë.

“Ekziston një farë rreziku që njerëzit të thonë: ‘Unë e kam telefonin, pse më duhet një objekt i ngjashëm që ta mbaj në kyçin e dorës?’ Ekziston gjithashtu rreziku që jetëgjatësia e baterive të jetë problem”.

Por rreziku ja qenë gjithmonë një aspekt i rëndësishëm i novacionit. Disa thonë se presidenti i Apple Tim Cook, ka pasur sukses në periudhën pas Steve Jobs sepse nuk druhet që të sakrifikojë qëndrueshmërinë, për influencë. Kjo është një nga idetë kryesore të librit të ekspertit të biznesit, Kevin Paul Scott.

“Mesazhi i Apple është që ‘ne mund të bëjmë të njëjtën gjë dhe të mbijetojmë, por zgjedhim të rrezikojmë për gjëra të mëdha për të sjellë ndryshim’. Dhe në këtë mënyrë Apple ka vazhduar të sjellë risi”.

Por Scott shton se Apple ka gjithashtu tre faktorë të tjerë në favor.

“Apple gjithmonë ka aftësinë për të befasuar, kështuqë ka vëmendjen tonë. Së dyti,ata nuk dalin shpesh në publik, kështuqë kur dalin, thonë diçka me vlerë dhe së treti janë idhull për shumë njerëz”.

Me çmime që fillojnë nga 350 dollarë deri në 10 mijë dollarë për variantin e artë, gjasat janë që Apple do të shesë miliona orë kur të dalin në treg më 24 prill. Pavarësisht fitimeve në tremujorin e dytë, John Silva, president i Shoqatës Kombëtare për Ekonominë dhe Biznesin, thotë se suksesi i Apple është provë se novacioni sjell fitime edhe në një ekonomi të dobët.

“Do të thotë që novacioni është i fuqishëm përballë pesimizmit të përgjithshëm dhe se përsa i takon nismave sipërmarrëse, ka shumë ndryshime që po ndodhin”.

Vlera e aksioneve të Apple u rrit me rreth 0.5 për qind pas njoftimit. Javën e kaluar, kompania me qendër në Kaliforni, u bë anëtarja e re e Dow Jones Industrial Average, që do të thotë se çdo luhatje në ecurinë e Apple do të reflektohet në indeksin më të rëndësishëm të aksioneve në botë. (voa)

Robotë që gatuajnë

Jemi mësuar të shohim robotë që kryejnë detyra të ndryshme në bazë të instruksioneve që u janë dhënë. Por robotët që janë në gjendje të mësojnë një aftësi të re duke parë video – kjo është diçka krejt e re që po vihet në provë nga studiues në Universitetin e Merilandit. Korrespondenti George Putiç njofton: Nëse keni vënë një video të recetës së preferuar të gatimit në YouTube, ka shanse që një robot të përpiqet ta ndjekë:

“Në internet ka një sasi kolosale informacioni të prezantuar me video që robotët tanë mund ta përdorin për të mësuar”.

Profesori i Universitetit të Merilandit Yiannis Aloimonos kryeson një ekip që po përpiqet t’i mësojë një roboti si të bëjë detyra të thjeshta që i sheh në video. Për momentin, videot i transmetohen në mënyrë elektronike, thotë shkencëtarja Cornelia Fermuller:

“Fillimisht morëm videot tona, pra xhiruam njëri-tjetrin duke gatuar. Me avancimin e projektit do të kalojmë në video me cilësi të lartë dhe më pas në video amatore me cilësi të ulët”.

Deri tani, roboti Julia mund të nxjerrë sallatën, t’i hedhë vajin dhe ta përziejë. Ajo mëson duke e analizuar çdo detyrë në elementet bazë: merr lugën, sille pranë pjatës, përzieje sallatën, e kështu me radhë.

Julia mund të shohë, të dëgjojë dhe të regjistrojë veprime dhe më pas i kombinon këto elementë për të kryer detyra të ndryshme. Zoti Aloimonos thotë se projekti bazohet në integrimin e këtyre aftësive.

“Si e dëshmojmë këtë aftësi? Duke krijuar programe kompiuterike që përdorin perceptimin, qoftë dëgjimor apo pamor, njohuritë që janë në kompiuter si dhe aftësitë motorike – pra aftësitë për të lëvizur duart e gishtat dhe për të vepruar në mjedis”.

Përse shërben aftësia e një roboti për të kuptuar një video dhe për të ndjekur një program? Zoti Aloimonos thotë se instruksionet e paracaktuara nuk janë elastike:

“Ekziston një sistem vetëm për këtë detyrë. Por nuk mund të bëjë më tepër. Nuk mund ta shfrytëzosh atë sistem që roboti të kryejë një detyrë tjetër, pasi nuk është elastik”.

Ai thotë se një ndër problemet që po përpiqen të zgjidhin shkencëtarët është si ta bëjnë robotin të kuptojë dhe të përdorë njohuritë që ka marrë gjatë kryerjes së një detyre. Një tjetër problem është gjuha:

“Mendoj se do të duhet kohë që robotët të jenë në gjendje të kuptojnë shprehje metaforike”.

Por ai thotë se kjo nuk është e domosdoshme për të krijuar një botë ku robotët të jenë të vlefshëm për njeriun. (voa)

Pse emigrojnë dhe kthehen përsëri gjermanët?

Në Gjermani jo vetëm vijnë emigrantë, por ka dhe mjaft gjermanë që largohen sikurse edhe të tillë që kthehen përsëri. Po pse emigrojnë gjermanët?Gjermanët që emigrojnë dhe ata që kthehen përsëri nga jashtë janë kryesisht të rinj dhe shumë të kualifikuar. Këto janë gjetjet e një studimi mbi emigrimin e shtetasve gjermanë që u prezantua nga Instituti Federal për Hulumtimin e Popullsisë dhe Këshilli gjerman i Fondacioneve për Integrimin dhe Migracionin (SVR) në Berlin. Si në radhët e atyre që largohen nga Gjermania, edhe atyre që kthehen, 70 dhe 64 përqind kanë diplomë universiteti apo shkolle të lartë – pra shumë më tepër se mesatarja e popullsisë gjermane. Për studimin u intervistuan 1.700 vetë.
Në radhët e atyre që emigrojnë dhe kthehen ka sipas studimit një numër të lartë gjermanësh me sfond migracioni. Kryesisht ata largohen nga Gjermania për arsye familjare, por jo në atdheun e prindërve, por në vende të tjera. Në përgjithësi numri i shtetasve gjermanë që largohen nga Gjermania është më i madh se i shtetasve gjermanë që rikthehen. Në periudhën 2009 – 2013 janë regjistruar rreth 710.000 largime nga Gjermania dhe rreth 580.000 rikthime.

Jo patjetër për arsye financiare
Arsyet e përgjithshme për emigracionin janë të shumta. Në krye sidoqoftë nuk janë motivet financiare. Njerëzit që emigrojnë duan kryesisht të bëjnë përvoja të reja dhe të zgjerojnë horizontin e tyre (72 përqind). Arsyet profesionale renditen në vendin e dytë (66,9 përqind), pasuar nga arsyet familjare (50,9 për qind). Vetëm 46,9 për qind emigrojnë për shkak të pagesave më të mira.
41 për qind e emigrantëve duan të kthehen përsëri në Gjermani, kurse një e treta e të anketuarve do të qëndrojë në vendin ku ka emigruar. 26 për qind janë të pavendosur. Motivet e atyre që kthehen përsëri në Gjermani janë të ngjashme me ato për emigrimin. Për 56,5 për qind të tyre luajnë një rol qendror arsyet profesionale, 63,9 për qind thonë se po kthehen për motive familjare.

Jo vetëm humbje por edhe mundësi
Frika se Gjermania e cila demografikisht po plaket mund t’i humbasë përgjithmonë dhe në shkallë të madhe të rinjtë e kualifikuar që shkojnë në vende të tjera, nuk është konfirmuar prej këtij studimi. “Nuk ka shenja për një largim të përhershëm të profesionistëve të kualifikuar nga Gjermania,” tha sociologu Marcel Erlinghagen nga Universiteti Duisburg-Essen. “Emigrimi ka më shumë një natyrë të përkohshme.”
Emigrimi nuk duhet të kuptohet në mënyrë të njëanshme si humbje, por duhet të shihet si një mundësi, tha drejtoresha e qendrë skërkimore SVR, Cornelia Schu. Ata që emigrojnë kthehen me “përvoja e aftësi të reja si dhe me rrjete”.
Prandaj, SVR kërkon nga politika, biznesi dhe shoqëria civile që të përfitojnë nga proceset migratore dhe t’i reggullojnë ato – veçanërisht në lidhje me mungesën e specialistëve dhe të ndryshimit demografik. Në këtë sfond për degë specifike të industrisë mund të nevojiten programe që nxisin mobilitetin për të rekrutuar të rinj të kualifikuar mirë pse për t’i rifituar ata përsëri. (dw)

Kosovës i duhet shumë angazhim nga qeveria e re, ide dhe perspektiva të reja

Silke Krebs, ministre e Shtetit në landin Baden-Württemberg flet në intervistë për DW mbi përshtypjet e fituara nga vizita në Kosovë, gjendjen atje dhe situatën e refugjatëve nga Kosova në Gjermani.DW: Zonja Krebs, duke marrë shkas nga fluksi masiv i refugjatëve, ju bëtë një vizitë në Kosovë së bashku me ministrin e landit Baden Württemberg për Evropën, Peter Friedrich. Cili ishte qëllimi i vizitës?
Silke Krebs: Shtimi i madh i refugjatëve nga shtetet e Ballkanit, sidomos nga Kosova, i çoi kapacitetet tona të pritjes së refugjatëve në limitet e asaj, që quhet e mundshme. Prandaj ne deshëm të krijojmë vetë një përshtypje për gjendjen në vend dhe të kuptonim, se përse kaq shumë njerëz ikin nga Kosova.
Si iu duk gjendja në Kosovë, çfarë mbresash keni marrë nga atmosfera në vend, nga njerëzit, jeta atje? Përse njerëzit duan të ikin, edhe pse dihet se kërkesat për azil nuk pranohen?
Në mënyrë mjaft mbresëlënëse shumë kosovare dhe kosovarë na përshkruan, se si ndjehen të veçuar dhe të mbyllur, sepse ndryshe nga njerëzit e tjerë në Ballkan nuk mund të shkojnë pa vizë në BE. Ka një dëshpërim të madh për shkak të mungesës së ecurisë në ndërtimin e ekonomisë dhe të infrastrukturës publike. Ikja në masë ishte ndoshta edhe një protestë kundër mungesës së perspektivës në vend. Ky sinjal duhet marrë seriozisht në BE dhe në Gjermani. Kosovës i duhet shumë angazhim nga qeveria e re, ide dhe perspektiva të reja, por edhe hapa përpara në luftën kundër korrupsionit dhe keqmenaxhimit, përndryshe zhvillime të tilla mund të përsëriten.
Pas kulmimit të fillimvitit fluksi masiv ka rënë. Sa refugjatë nga Kosova kanë kërkuar azil këtë vit në Baden- Württemberg?
Në vitin 2014 në Baden-Württemberg kanë ardhur 2 788 azilkërkues nga Kosova. Ndërsa vetëm në janar 2015 u parashtruan kërkesa për azil 1.306 nga kosovare dhe kosovarë. Kjo është një e treta e numrit të përgjithshëm të aplikimeve fillestare për azil të të bëra në Baden-Württemberg në janar. Por që nga mesi i shkurtit duket se fluksi i azilkërkuesve nga Kosova ka rënë ndjeshëm në të gjithë Gjermaninë.
Si e përballojnë landi Baden-Württemberg dhe komunat e tij akomodimin e refugjatëve?
Landi dhe komunat muajt e fundit i kanë intensifikuar shumë përpjekjet për të krijuar më shumë vende pritjeje për refugjatë. Megjithatë ne arrijmë në limitet e mundësive tona, si përsa i përket pritjes fillestare, ashtu edhe akomodimit të mëtejshëm. Refugjatët, që vijnë në Baden Württembeg, vendosen fillimisht në qendrat e pranimit të landit. Këtu i kemi zgjeruar shumë kapacitetet në muajt e fundit, nga 2700 vende, që kanë qenë në verën e vitit 2014, në 9000 vende.
Çfarë ndodh me refugjatët e sapoardhur, cila është ecuria e shqyrtimit të kërkesave për azil?
Shtjellimi i procedurave të azilit është kompetencë e feredatës, e thënë më saktë e Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë. Në rastin ideal procedura e azilit duhet të shtjellohet brenda pak javësh. Gjermania po punon në një projekt model për shqyrtimin e kërkesave të njerëzve nga Kosova. Ai mundëson edhe për azilkërkuesit një sqarim më të shpejtë.
A ekziston mundësia për të qendruar dhe për të punuar? Shumë shqiptarë nga Kosova flasin gjermanisht, disa kanë jetuar këtu, a ka mundësi për t’i integtruar ata në tregun gjerman të punës, të cilit i nevojitet fuqi punëtore?
Është interesante, se në bisedat e shumta gjatë udhëtimit në Kosovë nuk pata përshtypjen, se shumë njerëz duan të largohen nga Kosova përgjithmonë. Në fakt është edhe e kuptueshme, fundja kosovaret dhe kosovarët kanë luftuar gjatë për shtetin e tyre. Kryesisht ishte më shumë dëshira, për të kryer praktika, apo një pjesë të përgatitjes profesionale në Gjermani, apo për të pasur mundësi për të punuar një farë kohe në Gjermani. Shumë prej tyre kanë jetuar në vitet 90-të gjatë luftës në Gjermani dhe flasin shumë mirë gjermanisht.
Çfarë masash të tjera mund të marrë landi Baden Württemberg për të ndaluar flukse të tilla refugjatesh?
Së pari mungesa e perspektivës për njohjen e azilit duhet bërë e ditur. Azil politik për njerëzit nga Kosova nuk ka pasur në fakt kurrë në vitet e fundit dhe si rrjedhojë as mundësi për të jetuar dhe punuar këtu përmes kësaj rruge. Ne përpiqemi që procedurat për azil t’i sjkurtojmë sa më shumë të jetë e mundur, me qëllim që njerëzve, që vijnë te ne, t’u japim sa më shpejt qartësi për situatën e tyre dhe të mos u zgjojmë shpresa të kota. Ne duhet gjithashtu të kujdesemi që të pengojmë, që njerëzit të lëshojnë bazën e ekzistencës së tyre në Kosovë duke u bazuar në shpresa të rreme dhe pastaj, pasi t’u jetë refuzuar kërkesa për azil, të kthehen mbrapsht më të varfër se më parë.
Kohët e fundit diskutohet shumë që Kosova të klasifikohet si „shtet i sigurtë origjine“. Kryeministri i landit Baden-Württemberg Kretschmann është kritik ndaj këtij opcioni. Sa funksionon instrumenti i „shteteve të sigurta“, apo duhen gjetur zgjidhje të tjera?
Instrumenti i „shteteve të sigurta të origjinës“ është një instrument, për të përmbyllur më shpejt procedurën e azilit për njerëz, që vijnë tek ne nga vende me kuota të papërfillshme të njohjes së azilit. Ndryshimi i fundit, për shembull me Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë, nuk i ka pakësuar numrat e ardhjeve nga këto shtete, pra nuk ka sjellë ndonjë përmirësim.
Në ç’mënyrë mund ta ndihmojë landi Baden-Württemberg shtetin e ri të Kosovës për të luftuar shkaqet e emigrimit? Ju ishit në Kosovë, në cilat fusha shihni mundësi për mbështetje dhe bashkëpunim?
Patjetër që ne shohim mundësi, që Baden-Württemberg-u të ndihmojë Kosovën. Këtu është fjala më pak për ndihma financiare, se sa për bashkëpunim në profesionet e kujdesit shëndetësor dhe sanitar. Sepse në Kosovë ka njerëz të përgatitur mirë në këto fusha. Por edhe bashkëpunime në përgatitjen profesionale në përgjithësi janë një fushë e mundshme, ku Baden Württemberg-u mund të mbështesë rindërtimin ekonomik të Kosovës. Ne japim me kënaqësi mbështejtje për të bërë bujqësinë më efektive. Dhe ne duam të ndihmojmë sidomos me know-how në administrim dhe qeverisje të mirë. Në përgjithësi jam befasuar pozitivisht nga njerëzit e shumtë, tejet të motivuar, me të cilët munda të flas, edhe të rinj. Atë që mund të bëjmë për të ndërtuar perspektiva më të mira në Kosovë, e bëjmë me gjithë qejf. (dw)

Grabitje spektakolare në Francë

Një grabitje e ngjashme me skenaret e filmave me dedektivë është zhvilluar sot në Francë. 15 persona të armatosur, siç njoftojnë autoritetet franceze, ndaluan dy furgonë që po transportonin bixhuteri të çmueshme, larguan me forcë shoferët dhe vodhën objektet e vlefshme. Hetuesit kanë gjetur furgonët, që ishin djegur dhe braktisur në rrugën që lidh Parisin me Lionin.Asgjë gjurmë nuk është gjendur ende nga bizhuteritë me vlerë prej miliona eurosh, dhe as nga grabitësit që tani janë objekt i një operacioni të gjerë kërkimor nga policia.

Grabitja i ngjan operacioneve që ndërmerrte banda Pantera Rozë, e cila që nga viti 1999, sipas Interpolit, mendohet të ketë grabitur objekte me vlerë 330 milionë euro.

Në Francë kryhen grabitje të shumta bizhuterish, disa prej tyre të realizuara me operacione spektakolare, në mes të ditës dhe në lagjet e zhurmshme të qytetit. Ndoshta për këtë arsye edhe shumë romane e filma policorë e gjejnë frymëzimin në rrugët e kryeqytetit francez. (voa)

Detrez: Mos u besoni atyre që thonë se kujdesen për indentitetin tuaj!

Prof. Raymond Detrez, balkanolog dhe historian, në intervistën për DW, flet për krijimin e shteteve kombëtare dhe zhvillimin e identitetit në BallkanDW: Profesor Detrez, në Bullgari u publikua libri Juaj që i dedikohet identiteteve kolektive parakombëtare në Ballkan, nga fundi i shekullit XVIII dhe fillimi i shekullit të XIX . Cila është teza juaj kryesore?
Detrez: Teza ime kryesore në libër është se para shekullit të XVIII njerëzit në Ballkan e kanë konsideruar veten para së gjithash si të krishterë ortodoksë, ndërsa kombësia e tyre ka qenë një çështje dytësore. Kjo spjegon se përse në këtë kohë nuk përmendet kombësia e “Të përvuajturve të rinj” ( viktimave të pushtimit otoman), pse ortodoksët bullgarë janë martuar me ortodoksët grekë, vllehë, me shqiptarë, madje edhe me arabë, por jo edhe me bullgarët katolikë dhe pomakët. Pse bullgarët në viset urbane janë turqizuar aq lehtë, përderisa ndryshimi identitetit etnik nuk e ka prekur identitetin fetar? Pse shqiptarët, bullgarët, vllehët dhe popujt e tjerë ortodoksë në Perandorinë Osmane, gjatë kohës e kanë përdorur greqishten si “ gjuhë të tyre letrare”. Përse kanë marrë pjesë në kryengritjen greke të vitit 1821, e cila ka filluar si kryengritje e të krishterëve ortodoksë kundër pushtetit osman? Këto janë fakte historike. Jeta kulturore e popujve të Ballkanit para shekullit të XIX, është thellë e zhytyr në religjion dhe të kërkohet në të “kombëtarja” është e pafrytshme dhe qesharake.
Unë nuk them se njerëzit në Ballkan nuk kanë ditur për kombësinë e tyre. Por them se për ta, përkatësia etnike nuk ka pasur ndonjë rëndësi të veçantë. Megjithatë, kjo situatë ka ndryshuar gjatë shekullit XIX. Të krishterët ortodoksë, nga prejardhje të ndryshme etnike, të cilët me shekuj kanë jetuar së bashku pa asnjë problem, që kanë pasur shkëmbim tregtar mes tyre dhe kanë formuar familje të përbashkëta, nën ndikimin e “ Zgjimit kombëtar”, të mbetur pa shpresë u detyruan të përzgjedhin një kombësi-kategori kjo me të cilën deri në atë kohë nuk ishin marrë dhe kjo kategori tani do t’i dallonte nga të tjerët. Një humorist holandez thotë se ka sëmundje nga të cilat njeriu nuk mund të preket nëse nuk i njeh. Kështu është edhe me identitetin kombëtar. Jeton në qetësi derisa nuk të pyesin se cili është identiteti yt dhe derisa nuk të bindin se identiteti yt është ky apo ai dhe se identitetin duhesh ta ruash. Me fjalë të tjera: mos u besoni atyre që ju thonë se kujdesen për identitetin tënd kombëtar.
Cilat janë temat që bëjnë lidhjen e shtetit bullgar të formuar në vitin 1878 me dy shtetet mesjetare bullgare?
Këto lidhje janë shumë të dobëta. Para shekullit të XIX në të gjithë Evropën aplikohen ideologji të ndryshme kombëtare. Disa prej tyre kanë sukses dhe mundësojnë krijimin e bashkësive kombëtare dhe shteteve kombëtare, ndërsa ideologjitë e tjera u treguan si jo frytdhënëse. Komponente e rëndësishme e këtyre ideologjive kombëtare është rrëfimi për shtetin e mesjetës, i cili duhet të rilindë. Por jo të gjitha kombet disponojnë një shtet të tillë. Dhe nëse nuk ke histori të bujshme mesjetare ti je i privuar nga një instrument i rëndësishëm propagandues, por në fund të fundit kjo nuk është aq fatale. Shqiptarët, maqedonasit, letonezët, estonezët, sllovakët, bjellorusët, ukrainasit etj. në të kaluarën nuk kanë pasur shtetin e tyre për t’u marrë me një punë të tillë. Ose në qoftëse ata e kishin, ato shtete mesjetare janë kontestuar nga të tjerët. Megjithatë shumica e tyre tashmë me dekada jetojnë si bashkësi kombëtare.
Në dekadat e fundit të shekullit XIX Rusia dhe Fuqitë e Mëdha po bëjnë përpjekje për të instaluar influencën e tyre në Ballkan. A mendoni se edhe për momentin ekziston një interes i ngjashëm?
Ky proces nuk është ndalur që kurse Fuqitë e Mëdha filluan të merren me Ballkanin. Në kohën e Luftës së Ftohtë, Ballkani ishte i ndarë në sferat e influencës midis Lindjes dhe Perëndimit. Pas luftës së ftohtë, NATO e plotësoi vakuumin që doli pas rënies së bllokut lindor, respektivisht pas shkatërrimit të Paktit të Varshavës. Mund të kuptohet se pse vendet e Baltikut, Çekia, Polonia dhe vendet e tjera nga Evropa Qendrore kërkojnë mbrojtje nga NATO, pasi gjysmë shekulli ato ishin të okpuara nga Bashkimi Sovjetik. Gjithashtu e kuptohet se pse Rusia ndjehet e rrezikuar për shkak të zgjerimit të NATO-s në Lindje. Edhe pse gjatë gjithë historisë së tyre pa ndërprerje kanë bërë luftra agressive, rusët gjithmonë e kanë konsideruar veten si viktima të agresionit të jashtëm. Arsyeja kryesore e konfliktit në Ukrainë është baza detare e Krimesë, të cilën rusët nuk dëshirojnë ta humbin, aq më tepër nuk dëshirojnë që ajo të bjerë në duart e NATO-s.
Prof. Raymond Detrez ( 67vjeç) është Balkanolog, drejtor i Qendrës për kërkime Juglindore në Universitetin Gent, Belgjikë.

Deputetët e VMRO-së ‘peng’ të kambialeve prej 300 mijë euro

Deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë nënshkruar kambiale apo letra garancie në vlerë deri në 300 mijë euro që në rast të braktisjes së partisë do të jenë të obliguarat ti paguajnë. Sipas burimeve të DW-s, kandidati për deputet, por edhe deputeti që nuk ka nënshkruar të njëjtën, është larguar nga lista e kandidaturës dhe nga partia, largimin e të cilit menjëherë e ka legjitimuar kreu i Kuvendit. “Unë kamë nënshkruar kambiale prej 300 mijë eurove, në kundërvlerë në denarë. Atë shumë e caktoi partia. Sipas arsyetimit të tyre, aq do të ishte vlera e shpenzimeve të VMRO-DPMNE-së gjatë fushatës sime. Ata na kanë dhënë kohë të mendojmë, nëse duam ose jo të nënshkruajmë diçka të tillë. Lajmërohen, të thërrasin që të jesh prezent në parti në kohën e caktuar nga ta, në kohë të pacaktuar, përkatësisht në çastet e fundit. Më thanë të shkoja në orën 23 para skadimit të afatit për dorëzimin e listave. Nëse nuk vjen të nënshkrush në terminin e caktuar, së bashku me dëshmitarin, pranohet si tërheqje nga kandidatura dhe nuk të vendosin në listë”, është shprehur një deputet i VMRO-DPMNE-së për DW, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.

Nga VMRO-DPMNE-ja heshtin lidhur me pretendimin e tillë. Alsat M tentoi të marrë prononcim nga disa deputetë të VMRO-DPMNE-së, por asnjëri prej tyre nuk konfirmoi çështjen e kambialeve. Edhe kryeministri Gruevski mohoi të komentonte mbi këtë çështje, duke iu shmangur pyetjeve të gazetarëve. Ndërkohë, Nikolla Dimitrov, Vlladimir Llazareviq dhe Pero Dimshovski në opinion po përfliten si “Treshja Holandeze që dëshiron të shpëtoj VMRO-DPMNE-në”. Ditë më parë, ish ambasadori i Maqedonisë ne SHBA dhe njëkohësisht ish negociator për çështjen e emrit, bëri thirrje për rikthimin e VMRO-DPMNE-së në duar të qytetarëve, ndërsa strukturat udhëheqëse aktuale të saj, i quajti njerëz të cilëve i ka humbur busulla politike. Adrian Kerimi

Greqia masa besimi kundër ‘Irredentizmit’

‘Masat për ndërtimin e besimit’ mes Shkupit dhe Athinës, që u shpalosën në tavolinën e bisedimeve të ministrave të Jashtëm Poposki dhe Kotzias në Riga, janë iniciativë e Berlinit. Kështu pretendon e përditshmja greke ‘Kathimerini’.Sipas gazetës greke, ideja e cila u ngrit nga Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias para dy ditësh, si masë për të luftuar irredentizmin maqedonas është diskutuar prej kohësh, ndërkohë që prapa saj qëndron Berlini zyrtar. Pala greke ka pranuar tashmë këtë iniciativë dhe do të formojë një Komitet në nivel të lartë. “Kathimerini” gjithashtu thekson që edhe Shkupi i është përgjigjur pozitivisht nismës.

Nga Ministria e Jashtme ndërkaq topin ia hedhin Greqisë, duke theksuar se pikërisht ajo ka mbetur peng i figurave mitologjike dhe të kaluarës. Megjithatë, në një deklaratë për Alsat, Ministria e Jashtme thekson se Shkupi mirëpret iniciativën e tillë, por vetëm nëse kjo masë për ndërtimin e besimit, nuk shndërrohet në mjet për ‘blerje kohe’ nga Greqia për të mos zgjidhur emrin.

“Për ne nuk është problem të ndërmarrim masa për ndërtimin e besimit. Ne para 2 vitesh propozuam organizmin e seancave të përbashkëta me të gjitha fqinjët. Kjo nënkupton ndërtim të masave të besimit me Greqinë përmes shkëmbimit të diplomatëve, hapjes së kalimeve të reja kufitare, bashkëpunimit në mes të punonjësve të kulturës, historianëve. Ne jemi të gatshëm ta thellojmë bashkëpunim. Por, kjo të mos shndërrohet në mënyrë për ‘blerje kohe’, bllokim dhe mos zgjidhje të kontesteve”, theksojnë nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë.

Nga ana tjetër, pas takimit të parë me kolegun e tij maqedonas, në margjinat e Konferencës së Rigës, Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias theksoi se për të luftuar politikat irredentiste maqedonase Greqia është e gatshme të ndihmojë në përpilimin e masave për ndërtimin e besimit, si në hap i vullnetit të mirë të palës greke. Semra Jakupi

Doshi e Frroku, ballafaqim para prokurorëve. Frroku: Asnjë dijeni për komplotin

Tom Doshi la pas krahëve eskortën e sigurisë që e shoqëronte për t’u ballafaquar në mesditë me deputetin Mark Frroku, i cili ndërkohë kishte hyrë në organin e akuzës dhjetë minuta para mikut e kolegut të tij. Te dy zgjodhën dyer të ndryshme për të kaluar pragun e akuzës e po ashtu edhe dalje të ndryshme, ndoshta një mënyrë e mirë kjo për t’ju shmangur njeri – tjetrit.

Deputeti Doshi ka insistuar para prokuroreve se ishte vene ne dijeni nga Mark Frroku per planin qe po organizohej kunder jetes se tij, version i cili eshte kundershtuar nga Frroku. Ne nje moment,- thane burimet, – Doshi e ka akuzuar tashmë mbase ish-mikun e tij se nuk po thoshte te verteten. Pas gati dy oresh balle perballe me Frrokun, Tom Doshi preferoi ta lere te pazbuluar sekretin e hetimeve, te nisura per vepren vrasje e mbetur ne tentative.

“Nuk kam asnjë koment, për arsye hetimi nuk jap shpjegime”, tha pas daljes nga Prokuroria, Tom Doshi.

Mark Frroku tha vetem nje fjali teksa po hipte ne makine, se i qendron deklarates se dhene ne daten 6 mars, çka do te thote se Frroku ka mohuar ta kete vene ne dijeni deputetin Tom Doshi per nje plan te mundshem vrasjeje kunder tij. Nderkohe me heret, para grupit te hetimit u ul per te dhene deklaraten e tij edhe deputeti demokrat Mhill Fufi, emri i te cilit doli ne skene nga Tom Doshi se edhe ndaj tij ishte diskutuar per komplot. Por edhe Fufi tregoi respekt me ane te heshtjes, si gjithe zyrtaret e tjere te thirrur, duke mos treguar se çfare kishte rrefyer ne Prokurori.

“Nëpërmjet medias e kam dhënë njëherë një deklarate dhe i kam qëndruar asaj deklarate. Ta lemë drejtësinë të bëjë punët e veta”, tha Fufi.

Prokuroria shprehet ne rruge jo zyrtare se do këqyre edhe pamjet filmike te nje ambienti publik ne te cilin doshi tregon se ka takuar Frrokun ku edhe eshte njoftuar per planin kriminal. Po ashtu me shume mundesi, thane burimet, do kerkohen edhe tabulatet telefonike te te dyve. Nderkohe i kontaktuar nga Top Channel, Frroku theksoi se, ‘me deputetin Doshi ka folur ne telefon 20- 30 here ne dite dhe se Doshi mund te thote ç’te doje e te kerkoje ç’te doje, por une i qendroj versionit tim. S’kam asnje dijeni per kete ngjarje”. Top Channel

Programi i BQE-së për blerjen e obligacioneve shtetërore

Sot Banka Qendrore Evropiane fillon blerjen e obligacioneve shtetërore. Përse ndërmerret ky program?Banka Qendrore Evropiane (BQE) planifikon të blejë borxhet e vendeve të euros dhe të institucioneve publike si Banka Evropiane e Investimeve (EIB) apo banka shtetërore gjermane Kreditanstalt für Wiederaufbau (KfW). Ato të gjitha huazojnë para nga lëshimi i obligacioneve shtetërore, që kanë një afat të caktuar dhe norma interesi fikse. Bonot mund të tregtohen lirisht dhe mund të shiten dhe të blihen në tregjet financiare. Meqë BQE-ka e ka të ndaluar financimin e drejtpërdrejtë të shteteve, ajo mund të blejn bono vetëm në tregun sekondar, d.m.th. nga bankat apo investitorët institucionale. Obligacionet nga Greqia dhe Qiproja fillimisht janë përjashtuar nga blerja. Këto vende duhet të tregojë së pari se kanë përparuar në programet e tyre të reformave. Kësaj i shtohet edhe fakti se Banka Qendrore Evropiane nuk lejohet të blejë më shumë se një të tretën e të gjitha obligacioneve të një vendi.

Çfarë synon të arrijë BQE-ja me programin e blerjes?
Banka Qendrore Evropiane synon të luftojë inflacionin e ulët. Ky sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore Evropiane do të jetë vit vetëm zero përqind, muajt e fundit ai ishte madje dhe negativ. Sipas objektivave të Bankës Qendrore Evropiane kjo kuotë është shumë shumë e ulët. BQE-ja e ka për detyrë të sigurojë stabilitetin e monedhës dhe e përcaktojë tabilitetin si një inflacion “afër, por nën dy për qind” në vit.
Përveç kësaj, Banka Qendrore do të sigurojë që ekonomitë familjare dhe bizneset të mund të marrin më shumë kredi. Kjo bëhet zakonisht përmes reduktimit të normës bazë. të interesit Por meqë kjo vështirë se mund të zvogëlohet edhe më tej (aktualisht është rreth 0,05 për qind), BQE-ja shpreson tani të arrijë një efekt me blerjen e obligacioneve.

Jörg Krämer, kryeekonomist në Commerzbank, mendon se paratë shtesë që BQE-ja do të hedhë në tregje vështirë se do të ndikojnë “në shumë vende të bashkimit monetar në rritjen e kredive për bizneset dhe ekonomitë familjare.” Argumenti i tij: bankat duhet të dëshmojnë kuota më të larta të kapitalit vetiak dhe për këtë arsye do të tregohen të kujdesshme në rastin e kreditimeve të rrezikshme.
Çfarë ndikimi do të ketë vërshimi i parave në treg ndaj kursit të euros?
Edhe shpallja e programit të blerjes çoi në uljen kursit të euros kundrejt dollarit amerikan. Aktualisht, euro është aq e dobët sa asnjëherë tjetër që nga viti 2003. Analistët e Commerzbank presin që blerjet e obligacioneve nga Banka Qendrore Evropiane “do ta dobësojnë më tej euron”. Kjo për shkak se paratë që do të hidhen në treg kërkojnë investime. Prej rënies së interesit bankat në eurozonë bëhen tërheqëse për obligacionet e huaja shtetërore. “Kështu bonot qeveritare të SHBA-së ofrojnë që tani përqindje më të larta interesi sesa bonot e Portugalisë”, thekson Commerzbank. Profesori i ekonomisë Kuester thotë se “rënia e kursit të këmbimit është një efekt i synuar”, sepse për degët eksportuese të vendeve të eurozonës euroja e dobët është si një lloj program stimulimi. Kjo për shkak se mallrat evropiane bëhen më të lira për tregjet e huaja dhe edhe më konkurruese në treg. (dw)