Frroku rrëzon Doshin: S’e kam njoftuar për asnjë atentat, s’e di pse më përfshiu

Deklarata e deputetit Tom Doshi, i cili pretendon se është vënë në dijeni nga miku i tij Mark Frroku për një atentat të mundshëm, është hedhur poshtë nga ky i fundit para prokurorëve të Krimeve të Rënda. Një burim pranë Prokurorisë së Përgjithshme tha se deputeti Frroku ka këmbëngulur se nuk ka dijeni, se nuk e ka njoftuar ndonjëherë Doshin për diçka të tillë dhe se nuk e di përse ai e ka përfshirë në këtë çështje.

Me fraza të shkurtra, edhe në dalje të prokurorisë, kur u pyet nga TCH, Frroku pohoi se nuk kishte dijeni për këtë ngjarje. “Nuk kam dijeni. Të gjitha komentet dhe thëniet ia kam thënë prokurorisë”, tha Frroku.

Frroku këmbënguli që të ruante sekretin hetimor duke iu shmangur pyetjeve të gazetarëve. “Si ligjvënës nuk mund të shkel ligjin duke deklaruar këtu thëniet e mia apo të dikujt tjetër. Të gjitha që kam thënë janë në prokurori”, vijoi Frroku.

A është tentuar një komplot ndaj Doshit? “Nuk kam dijeni dhe përsëris se thëniet ia kam thënë prokurorisë”, shtoi deputeti.

Por ky është ende një version jozyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme, pasi askush nga Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk e konfirmon zyrtarisht qëndrimin e deputetit Frroku. / Top Channel

Krerët e shtetit në radhë për të dëshmuar, Meta: Videoja e Tomës nuk është provë

I pari që kaloi pragun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ishte kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. I thirrur nga Akuza për të dhënë deklaratat e tij mbi çështjen “Doshi”, Meta foli para prokurorëve nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 9 e 30. Në dalje të institucionit, i akuzuari kryesor nga deputeti Tom Doshi se kishte porositur vrasjen e tij u shpreh para mediave se nuk ka asnjë provë kundër tij.

“Kam shprehur gatishmërinë, nëse prokuroria do ta shohë të arsyeshme, të bëj ballafaqim me dy akuzuesit e mi, Doshin dhe Berishën dhe me cilindo që pretendon se ka prova që përfshijnë Ilir Metën me këtë çështje. Videon e Tomës me Tomën për provë vetëm Doktori mund ta marrë, ndërsa Toma si person përbën më shumë një antiprovë sesa provë juridike. Videoja e Tomës me Tomën nuk mund të përbëjë provë. Edhe vetë Toma si person është një antiprovë. Megjithatë, unë jam këtu për të respektuar shtetin ligjor dhe për t’iu nënshtruar hetimit në mënyrën më transparente. Ilir Meta vërtet është kryetar i Kuvendit, por nuk ka asnjë ndikim në raport me drejtësinë”, deklaroi Meta.

Me korrektesë i është përgjigjur ftesës edhe kryeministri Rama, duke u paraqitur në orën 12, orar i paralajmëruar më herët. Pasi qëndroi nga ora 12 deri në 13.30, Rama përmes një deklarate i bëri apel prokurorisë që t’i shkojë deri në fund hetimit.

“Koha kur kryeministri i Shqipërisë e trajtonte Prokurorinë si ushqim për qentë ka mbaruar më 23 qershor 2013. Uroj që ftesa për të ardhur sot këtu të jetë shprehje e vullnetit të prokurorisë për ta zbardhur plotësisht të vërtetën e kësaj historie të shëmtuar. Publiku është marrë pëng në këtë histori me personazhe politike, me gangsterë, të cilët aktrojnë në bazë të një skenari që pas serisë së djeshme në Parlament ka vendosur në rolin e protagonistit kryesor të filmit edhe ish-kryeministrin. Çfarëdo të themi ne, ato mbeten fjalë dhe shqiptarët janë të mbingopur me fjalë. Vetëm hetimi i plotë dhe nxjerrja e përgjegjësive ligjore të kujtdoqoftë mund të çlirojnë edhe publikun, por edhe politikën. Unë besoj se e gjithë kjo shëmti e turpshme mund të kthehet në një mirësi për publikun dhe për politikën nëse nxjerr fajtorët që duhet të përgjigjen ligjërisht. Kjo histori e shëmtuar nuk mund të mbarojë si një film dhe jeta politike e shqiptarëve nuk mund të vazhdojë më tutje nga filmi në film”, tha Rama.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri qëndroi para prokurorëve më shumë nga të gjithë. Nga ora 10 deri në 13.30, Tahiri ka përsëritur edhe njëherë gjithçka që dinte për çështjen “Doshi”.

“Unë thashë gjithçka për të cilat jam vënë në dijeni gjatë gjithë kësaj kohe. Ua thashë prokurorëve, duke shpresuar që kjo që bëj unë, që bëjmë ne të gjithë, është ndihma më e madhe për t’i dhënë kohën e duhur dhe mundësitë e duhura prokurorisë që të bëjë hetime të plota dhe të zbardhë gjithçka lidhur me këtë ngjarje. Mua më vjen shumë keq që publiku është ngarkuar me këtë rrëmujë, por është koha për të lënë institucionin që të flasë”, tha Tahiri.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme njofton se për thirrjen e personave të tjerë që kanë dijeni për çështjen “Doshi” është hartuar një grafik kohor. Ende nuk është bërë e ditur në rrugë zyrtare se kur do t’i riniset ftesa ish-kryeministrit Berisha, megjithëse burime anonime u shprehën se ai është kërkuar që të paraqitet ditën e hënë.

Të njëjtat burime pohuan se edhe deputeti demokrat Mëhill Fufi, i përmendur nga Tom Doshi si person ndaj të cilit është bërë plan për ta vrarë, do të paraqitet para grupit të prokurorëve ditën e hënë.

/ Top Channel

Lista Serbe “blen” kohë

Edhe pse përfaqësuesit e Listës Serbe patën paralajmëruar se do të takohen me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qysh në javën e kaluar, për t’u konsultuar lidhur me kthimin ose jo në institucionet e Kosovës, ky takim ende nuk ka ndodhur.Përderisa përfaqësuesit e Listës Serbe thonë se ende nuk e dinë ndonjë datë të saktë se kur do të takohen me Vuçiqin, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka paralajmëruar se ky takim mund të ndodhë në ditët në vijim.

Gjuriq, i ka thënë televizionit publik të Serbisë, se kryeministri serb Vuçiqi “do të bisedojë me serbët e Kosovës, lidhur me presionet politike që po vazhdojnë mbi serbët” dhe se pjesëmarrja e serbëve në institucionet e Kosovës do të mbetet e ngrirë deri në zgjidhjen e këtyre problemeve.

Në anën tjetër, Vladeta Kostiq, kryetar i komunës së Graçanicës, nga Lista Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimin për kthimin ose jo në institucionet e Kosovës, do ta marrin vet përfaqësuesit e Listës Serbe, pas konsultimeve ndërmjet tyre.

Kjo, sipas tij, për faktin se ekzistojnë argumente për dhe kundër një kthimi të tyre në institucionet e Kosovës.

“Për ne janë gjithsesi të nevojshme konsultimet me përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë, do të thotë, me kryeministrin Vuçiq, por edhe konsultimet me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës apo me kryeministrin Isa Mustafa”.

“Kjo për shkak se ekziston marrëveshja e koalicionit dhe disa pika nga kjo marrëveshje nuk janë respektuar. Mendojmë se respektimi i këtyre principeve duhet të jetë në nivelin më të madh dhe në raport me ato konsultime do të varet edhe vendimi i Listës Serbe”, theksoi Kostiq.

Ai shtoi se kjo në përgjithësi nënkupton që Qeveria e Kosovës, të gjitha vendimet, në të ardhmen duhet t’i sjellë në konsultim me Listën Serbe.

Por, njohësi i zhvillimeve politike nga Graçanica, Rangjel Nojkiq, vlerëson se zvarritja e një vendimi nga Lista Serbe, por edhe nga Beogradi zyrtar, më shumë bëhet, siç thotë ai, për të blerë kohë, për shkak se ende nuk janë të qarta disa çështje lidhur me Listën Serbe, statusin dhe konceptin e saj.

“Personalisht mendoj se serbët duhet sa më parë të marrin një qëndrim të qartë, gjegjësisht, të hyjnë në institucione, duke pasur parasysh që qëndrimi jashtë institucioneve nuk sjellë asgjë të mirë. Në institucione, më duket se mund të bëhet shumë më tepër”.

“Por, edhe nëse nuk bëhet diçka, të paktën nga institucionet mund të udhëzohen orientime të qarta dhe sinjale ndaj bashkësisë ndërkombëtare, por edhe ndaj opinionit në Prishtinë, si dhe institucioneve, dhe në këtë mënyrë ta bartin përgjegjësinë te ta”, theksoi Nojkiq.

Ai shtoi se Lista Serbe po e humbë çdo mundësi e arsyetimit se institucionet e Prishtinës po e frenojnë integrimin e serbëve në institucione.

Ndryshe, Kostiq, ka thënë se së shpejti Lista Serbe mund të sjellë një vendim për kthim ose jo në institucione, por nuk ka saktësuar se kur kjo mund të ndodhë.

“Nuk dua të hamendësoj për data, por sinqerisht shpresoj që kjo të ndodhë në periudhë sa më të shpejtë dhe kjo nyje gordianë të zgjidhet, në mënyrë që të fillojmë ta bëjmë punën për të cilën jemi deleguar”, tha Kostiq.

Ndryshe, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë ngrirë përfaqësimin e tyre në institucionet e Kosovës, të nivelit lokal dhe qendror, pas shkarkimit nga ana e kryeministrit Isa Mustafa të Aleksandar Jablanoviqit nga posti i ministrit për komunitete dhe kthim.

Shkarkimi kishte ndodhur për shkak se ky i fundit, me 6 janar, i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. (rel)

Çështja Doshi, pyeten Meta, Rama e Tahiri

Drejtuesit e lartë shtetërorë paraqiten në prokurori. Meta: Gati të ballafaqohem dhe me Doshin e BerishënNë Shqipëri kryetari i Parlamentit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhanë shpjegimet e tyre sot përpara prokurorëve që po hetojnë mbi deklarimet e deputetit Tom Doshi, sipas të cilave ndaj tij kishte patur një plan për ta vrarë dhe se urdhëruesi kishte qenë zoti Meta. Thirrja e tyre nga prokurorët e cështjes u bë pak orë pasi dje morën dëshminë e parë nga zoti Doshi.

I pari që shkeli në prokurorinë e krimeve të rënda ishte kryetari i parlamentit Ilir Meta, personi i cili është akuzuar direkt nga deputeti Doshi se qëndron pas planit që, sipas tij, ishte thurrur për ta vrarë, atë dhe deputetin tjetër demokrat Mhill Fufi. Në përfundim të seancës së pyetjeve zoti Meta tha se u kishte shprehur gatishmërinë prokurorëve të cështjes për të qenë në dispozicion të tyre në cdo moment, qoftë dhe “në rast se prokuroria, do ta çmojë të arsyeshme, të bëj ballafaqim në prokurori me të dy akuzuesit e mi, me zotin Doshi dhe me zotin Berisha dhe me të dy sëbashku dhe me cilindo tjetër që pretendon se ka prova që mund të implikojnë Ilir Metën në këtë çështje”.

Pas tij radha ishte për ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ishte takuar me parë në zyrën e tij me zotin Meta. Ministri i Brendshëm, i cili ka qenë në dijeni të cështjes dhe ka takuar disa herë si deputetin Doshi ashtu dhe Durim Banin, personin i cili dyshohet se do të kryente vrasjet, ka qëndruar përmbi tre orë me grupin hetimor dhe u tregua telegrafik në deklarimet e tij në daljen nga prokuroria: “Kjo që bëjmë ne të gjithë është ndihma më e madhe për t’i dhënë kohën dhe mundësitë e duhura prokurorisë për të bërë hetime të plota dhe të zbardhi gjithshka lidhur me këtë ngjarje”.

I treti në radhë ishte kryeministri Edi Rama i cili tha se uronte që prokuroria të kishte vullnetin e plotë për t’i shkuar deri në fund kësaj cështjeje. “Unë besoj se e gjithë kjo shëmti e turpshme mund të kthehet në një mirësi për publikun dhe për politikën, nëse organi i akuzës bën me vullnet të plotë detyrën dhe nxjerr fajtorët që duhet të përgjigjen ligjërisht, kushdo qofshin. Kjo histori e shëmtuar nuk mund të mbarojë si një film dhe jeta politike e shqiptarëve nuk mund të vazhdojë më tutje, nga filmi në film”.

Por ndoshta më me interes per prokurorët mund të ketë qenë deputeti Mark Frroku, i cili sipas deklarimeve të djeshme të zotit Doshi në emisionin Top Story, ishte personi, i cili i kishte treguar për planin e atentatit, ndërkohë që vetë Frroku, në një bisedë telefonike me gazetarët e televizionit Top Channel, kishte deklaruar më parë se kishte dijeni për ngjarjen aq sa kanë gjithë shqiptarët pasi e kishte mësuar atë kur ishte bërë publike në media.

Përmes një njoftimi zyrtar prokuroria njoftoi dje se ishte thirrur edhe ish kryeministri Sali Berisha, “pas deklarimeve të tij në seancën e djeshme të parlamentit”. Zoti Berisha tha sot se ai nuk kishte marrë asnjë njoftim, ndërsa prokuroria saktësoi më pas se të gjithë do të thirren sipas nevojave të hetimit. Duke folur për gazetarët zoti Berisha theksoi së nuk kishte besim se prokuroria do t’i shkonte deri në fund cështjes: “Përderisa Ilir Meta paraqitet si kryetar parlamenti e vërteta është e pashpresë. Nuk ka shanse”.

Opozita këmbëngul në dorëheqjen e kryetarot të parlamentit dhe ka parlajmëruar edhe një protest të enjten e ardhshme. (voa)

Koment: Dëshira e madhe e Kinës për forcë

Kina sërish do ta rrisë buxhetin ushtarak. Kjo i shqetëson vendet fqinjë, por i shkon përshtat Kinës për vetëdijen e re. Megjithatë Kina mund ta demonstrojë forcën edhe ndryshe, mendon Alexander Freund.Kina definitivisht nuk ka forcë efikase ushtarake. Deri tani Pekini ka vetëm ekonomikisht forcën, për t’u imponuar në botë. Gjithçka përqendrohet tek motori ekonomik kinez, ndërsa Pekini qendron i distancuar ndaj konflikteve të mëdha, të paktën ushtarakisht. Fuqizimi ekonomik deri tani ka prioritetin më të lartë. Por kjo me siguri do të ndryshojë, sepse Kina kohët e fundit po tregohet gjithnjë e më e vetëdijshme – madje mund të thuash: më agresive – në vendimmarrje. Në këtë kontekst bën pjesë edhe fakti, që Kina sërish do ta rrisë ndjeshëm buxhetin ushtarak. Ndonëse disi më pak se vitin e kaluar, Kina prej vitesh investon shuma marramendëse për modernizimin e ushtrisë dhe kjo u ngjall shqetësim jo vetëm fqinjëve të saj. Jo pa të drejtë udhëheqja kineze i referohet faktit, që SHBA-ja shpenzon shumë më tepër për armatimet. Por SHBA-ja e konsideron veten si superfuqia e vetme e mbetur. E pra mos vallë këtu kemi të bëjmë me matjen me dy kute të ndryshme?
Pekini ende e ndien veten inferior ushtarakisht. Vërtetë Kina me 2,1 milionë ushtarë ka si numër ushtrinë më të madhe në botë, ka aviacionin ushtarak më të madh në Azi dhe posedon raketa interkontinentale me pajisje atomike, që mund të arrijnë edhe SHBA-në. Pekini nuk synon vetëm mbrojtjen e vendit, por ka si qëllim ruajtjen ofensive të sferave të interesit. Ndaj Pekini në radhë të parë do të investojë për armët ofensive, në mënyrë që të mund t’i fitojë shpejt konfliktet rajonale. Sa u përket aeroplanmbajtëseve p.sh. kombi krenar deri tani ka vetëm një të vetme, një model të ristrukturuar nga Ukraina.
Mund të thuhet, se është e drejta e kinezëve, që pas fuqizimit ekonomik të kërkojnë të aftësohen edhe ushtarakisht në nivel konkurrues, tek e fundit edhe të tjera fuqi të mëdha vazhdimisht i kanë mbrojtur ushtarakisht interesat e tyre. Amerikanët e SHBA-së e bëjnë këtë gjithsesi. Por tani sërish të njëjtën gjë po bëjnë edhe rusët në Ukrainë.

Edhe ushtarakisht më në fund kryesuese
Por bazuar tek e njëjta e drejtë në të gjithë Azinë po bëhet një armatim gjigand, që duhet të aktivizojë këmbanat e alarmit jo vetëm tek shtetet fqinjë të Kinës apo ata përtej Paqësorit, por tek të gjithë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për tregtinë e globalizuar botërore përmes itinerarit aziatik të anijeve. Por bëhet fjalë edhe për një rritje të mosbesimit në Azi dhe për kapërcimin gjithnjë e më shumë të kufirit drejt zgjidhjeve ushtarakisht dhe jo më me mjete diplomatike të konflikteve. Kjo mund të përfundojë në katastrofë dhe efekti i saj mund të ndihet në mbarë globin.
Sepse qysh tani krahas Kinës po armatosen fuqishëm edhe India e Japonia, Filipinet dhe Indonezia, Vietnami, e në fakt pothuajse të gjithë. E potencial konflikti ka me bollëk. Kryesisht potencial shpërthyes bartin grindjet për male-ishuj më shumë të pabanuar, për të cilat vazhdimisht hedhin benzinë në zjarr forcat nacionaliste në vendin përkatës. Por natyrisht që në këto konflikte është fjala për bazat e peshkimit apo rezervat e munshme të lëndëve të para, e në radhë të parë për sferat e influencës. Kina provokon dhe përmes eskavatorëve ka krijuar anë e mbanë fakte të kryera duke i betonuar atolet si pista tokësore, duke ndërmarrë kryqëzata me anije luftarake dhe duke treguar prezencë në mënyrë demonstrative, nën moton pa shihni këtu: ne kemi ardhur për të qendruar. Kjo diplomaci e eskavatorëve shoqërohet nga një flotë ushtrake gjigante, e cila nuk le më aspak vend për dyshime.
Mes ruajtjes së interesave dhe agresionit
Kina do të ripozicionohet në politikën e sigurisë. Këtu bën pjesë edhe një “ligji ri kundër terrorit”, përmes të cilit t’i lejohet Kinës që të ndërhyjë ushtarakisht edhe jashtë vendit, në rast se kërcënohen shtetasit apo interesat e saj kombëtare. Ndërkohë që edhe Japonia fqinje po planifikon një ligj të ngjashëm. Edhe atje qeveria konservatore-nacionaliste e konsideron kushtetutën jo më të përshtatshme për kohën, në sfondin e kërcënimeve që supozohen – ndër të tjera edhe nga Kina. Kush do t’ia mohojë ndokujt të drejtën për mbrojtje? A nuk duket në rregull në vështrim të parë “ligji kundër terrorit”? Por siç dihet kufijtë drejt agresionit janë të luhatshëm. Edhe këtë e kanë demonstruar ndërkohë rëndom fuqitë e tjera të mëdha.
Rritja e buxhetit ushtarak në Kinë megjithatë nuk do të thotë, se Pekini vërtetë armatoset për një luftë. Ende është koha për t’i shmangur gabimet e së shkuarës. Në shumicën e vendeve aziatike zhvillimi ekonomik luan një rol më të rëndësishëm se grindjet territoriale. Tregtia e gërshetuar fort i pengon përshkallëzimet dhe forcon bashkëpunimin në frymën e besimit. Tek e fundit të gjithë preferojnë të bëjnë biznes. Një ekonomi në lulëzim prodhon mirëqenie. Nëse prej saj përfitojnë mundësisht sa më shumë, gjaknxehtët nacionalistë nuk kanë shans – qofshin ata në Pekin, në Tokio apo në Uashington. Ndaj tani kërkohet maturi, sepse provokimet shumë shpejt mund të dalin jashtë kontrollit. Të qenit i rezervuar nuk duhet të jetë shenjë dobësie. Forca mund të demonstrohet në mënyra të ndryshme. Sepse edhe Kina prej kohësh është një superfuqi. E këtë ajo e ka arritur pa ndonjë armatim masiv. (dw)

ISIS shkatërron qytetin e lashtë irakian

Kreu i UNESCO-s dënoi prishjen e qyetit të lashtë asirian të Nimrudit në Irakun verior nga militantët e Shtetit Islamik, duke thënë se “shkatërrimi i qëllimshëm i trashëgimisë kulturore përbën krim lufte”.Militantët e filluan shkatërrimin e qytetit me buldozerë. Ky është më i fundit mes një serie sulmesh ndaj trashëgimisë historike të Irakut. Zyrtarët thanë se militantët përdorën automjete të rënda ushtarake gjatë shkatërrimit, që filloi pas lutjeve të pasdites.

Ministria e Turizmit e Irakut tha përmes një deklarate se militantët e ISIS-it vazhdojnë t’u kundërvihen dëshirave të mbarë botës dhe ndjenjave njerëzore me sulmet e tyre ndaj qendrave dhe objekteve historike. (voa)

A do të ketë arbitrim ndërkombëtar për krizën në Maqedoni?

Bashkimi Evropian pritet që të angazhohet drejpëtdrejt në zgjidhjen e sitauatës politike në Maqedoni, pas aferave të përgjimit. Treshja europiane së shpejti në Shkup.Nga Brukseli po dërgohen sinjale se së shpejti në Maqeodni pritet të vijë treshja europiane në përbërje Ivo Vajgel- Raportues i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, dhe eurodeputetët Eduart Kukan dhe Riçard Houvit. Shefja e diplomacisë së BE-së Federika Mogherini, duke folur për krizën aktuale në Maqedoni, ka lënë të kuptpohet se vendi tanimë është përfshirë nga destabiliteti.
“Maqedonia është në agjendë ashtu si është në agjendë gjithnjë nevoja për mbështetje dhe ndihmë ndaj shtetetve që janë kyçe për rajonin tonë. Ballkani nuk është as fqinjësi, por është Evropë”, është shprehur Federika Mogherini.
Arbitrim ndërkombëtar?
Fillimisht BDI ka qenë e para që ka kërkuar inkuadrimin e faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Sipas kësaj partie, është i nevojshëm monitorimi dhe ekspertiza ndërkombëtare për situatën, me qëllim të krijimit të kushteve për dialog politik, ku do të diskutoheshin të gjitha variantet për zgjidhjen e krizës, hapur dhe pa prejudikime.
Për kyçjen e faktorit ndërkombëtar në tejkalimin e krizës, pro është shprehur edhe opozita maqedonase. Nënkryetarja e LSDM-së Radmilla Sheqerinska, thotë se partia e saj pret një monitorim aktiv të ndërkombëtarëve gjatë zgjidhjes së situatës aktuale në vend. “Presim monitorim aktiv, veçanërisht në pjesën e gjyqësisë. Nuk do të ketë vetëm monitorim të thjeshtë por presim në këtë fazë prani aktive evropiane, pasi është e rëndësishme për këtë sistem gjyqësor që kemi”, shprehet Sheqerinska.
Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, thotë se në parim nuk ka asgjë kundër idesë për inkuadrimin e faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e ngërçit politik në vend, por gjithnjë sipas tij Maqedonia ka kapacitete institucionale për ta zgjidhur situatën e krijuar. “ Jo tre, po le të dërgojnë edhe 11 eurodeputetë nëse duan, sepse faktet dhe argumnentat janë mirë të njohura dhe kushdo që të vijë, çfarëdo që të shohë, do të bindet në atë që është e vërtetë e që ne ia prezentuam opinionit lidhur me aferën e përgjimeve”, është shprehur kryeministri Gruevski.
Përgjimet – ambasadat presin fakte
Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se Maqedona tanimë nuk ndodhet në konflikt vetëm mes pozitës dhe opozitës, por me tërë komunitetin ndërkombëtar, pasi nga afera e pëgjimeve flitet se janë përgjuar edhe bisedat telefonike të gjashtë ambasadorëve të vendeve më me ndikim në Maqedoni.
Lajmin se në mesin e të përgjuarve janë edhe diplomatë të huaj, i pari e publikoi ambasadori i Italisë, Ernesto Masimo Beleli. Ai thotë se për këtë është njoftuar nga kryetari i opozitës Zoran Zaev.
Ambasadorja e Gjermanisë në Shkup Kristinë Althauser, ka theksuar se nëse pretendimet mbi përgjimin e ambsadaroëve të huaj në vend vërtetohen, kjo do të thotë shkelje e rëndë e Konventës së Vjenës. “Këto janë pretendime shumë serioze, nëse këto pretendime janë të vërteta, duhet të jenë objekt i një hetimi shumë transparent gjithëpërfshirës e të pavarur. Nëse është bërë përgjim i komunikimit diplomatik, në bazë të Konventës së Vjenës, kjo përbën shkelje të rëndë”, ka deklaruar ambasadorja Kristine Althauser.
Diplomati me karrierë Nano Ruzhin thotë se Maqedonia mund të ballafaqohet me nota proteste nëse vërtetohet përgjimi i ambasadave të huaja në vend. Sipas tij Maqedonia jo vetëm që nuk respekton Konventën e Vjenës, por edhe humb besimin e ndërtuar me vendet e tjera. “Maqedonia është shumë e vogël që të lejojë një luks të tillë, pra të luajë me statusin e shtetit dhe etntieteve që jetojnë këtu, përara bashkësisë ndërkombëtare“, shprehet Ruzhin
Qeveria kalimtare si opcion për dalje nga kriza
Ambasadori amerikan në OSBE Danile Baer shpreh shqetësimin nga ngjarjet politike në Maqedoni. Sipas tij ka pohime serioze që vënë në pikëpyetje pavarësinë e mediave, gjyqësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të cilat qeveria është e obliguar t’i mbrojë. Ai thotë se SHBA-ja është e shqetësuar nga ndikimi i qeverisë ndaj mbulimit mediak të situatës aktuale dhe kjo mund ta pengojë debatin për çështje me interes publik.
Pas publikimit të aferave të përgjimit, kanë filluar edhe sinjalet për dalje nga kriza aktuale, përmes formimit të një qeverie kalimtare, në përbërjen e së cilës do të inkuadroheshin personalitete me kredibilitet të fortë politik, por pa bagazh të partive politike aktuale. (dw)

Gruevski: Eurodeputetët të painformuar dhe jokompetent

Kryeministri NikollaGruevski i ka vlerësuar si jo kompetent dhe të pa informuar euro-deputetët dhe zyrtarët e lartë evropian, të cilët një ditë më parë nga Brukseli dhe Berlini përcollën mesazhe të qarta se Maqedonia është e destabilizuar dhe ka një Qeveri autoritare. “Asgjë nuk injoroj, gjithçkaje i qasem seriozisht, të gjitha deklaratat i dëgjoj seriozisht, por jo gjithkush që jep deklaratë është i informuar plotësisht”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

Ndërkaq për deputetin tjetër të Bundestagut, Juratoviq i cili shërbimet e huaja i quajti si arsye të pakuptimta të Qeverisë, Gruevski poashtu e quajti të painformuar.

“Personi me siguri nuk është i informuar sa duhet dhe jep qëndrim politik pa i poseduar të gjitha informatat. Kuptohet që përgjimet janë ilegale, këto që i prezanton Zoran Zaevi”, tha Nikolla Gruevski, Kryeministër .

Deklarata e deputetit gjerman Klaus Bremihse kursi autoritar i Qeverisë cenon integrimin e vendit në BE dhe NATO, nga LSDM është vlerësuar si shuplakë për VMRO-në pikërisht nga partia si motër e kancelares Merkel.

“Karakteristike është edhe ajo që Qeveria tentonte ta liferojë se pas Nikolla Gruevskit qëndron Angela Merkel dhe partia e saj djathtise, gjegjësisht morën shuplakë në fytyrë nga partia e tyre si motër si dhe morën diagnozë se në Maqedoni po forcohet pushteti autokratik”, tha Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.

Propozimin e dalë nga Parlamenti evropian për delegimin e një ndërmjetësi në zgjidhjen e situatës në vend, VMRO, LSDM dhe BDI e kanë mirëpritur por secila, në mënyrën e vetë.

“Jo një, por 11 le të dërgojnë nëse duan sepse faktet dhe argumentet janë mirë të njohura dhe kushdoqë të vijë çfarë do që të sheh do të bindet në atë qëështë e vërteta dhe që ja prezentuam opinionit. Jo një, 11 ose 11 le të dërgojnë ne do ti pranojmë, le të shohin, dëgjojnë, vëzhgojnë dhe le të komentojnë”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

LSDM i shqyrton propozimet e tilla me shumë kujdes për shkak të përvojës së hidhur me komisionin për 24 dhjetorit, kur VMRODPMNE-ja e zhvlerësoi marrëveshjen, në letër tualeti.

“Më shumë kujdes i pranojmë këto angazhime miqësore nga faktori ndërkombëtar. Jo për shkak se nuk besojmë në sinqeritetin e tyre, por përfundimisht shumë vështirë ose aspak nuk besojmë në sinqeritetin e VMRODPMNE dhe Gruevskit”, u shpreh Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.

BDI që është pjesë e koalicionit qeveritar,lidhur me gjendjen e mjerueshme në vend,thotë se mirëpret ndërmjetësimin ndërkombëtar.

“Gjithë këto qëndrime ri konfirmojnë pozicionin e BDI se institucionet në Maqedoni janë para një sfidë të cilën nuk mund ta zgjidhim vetë, por duhet involvim të komunitetit ndërkombëtarë edhe atë në dy pista. Një në monitorim të procesit juridik dhe dy ë ndërmjetësim të dialogut politik duke i lënë të gjitha opsionet e hapura pa paragjykuar cili do të jetë epilogu i atij dialogu politik”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Një ditë më parë, krerët e Brukselit dhanë apelin se Maqedonia, jo vetëm që është zhytur në destabilitet, por BE-ja, para se të ofrojë ndihmën, duhet të marrë garancinë se Maqedonia do t’i rikthehet standardeve evropiane. Arben Zeqiri

Vazhdon harxhimi i parave të qytetarëve për “Shkupi 2014″

Projekti “Shkupi 2014″ vazhdon të gllabëroj miliona euro. Qyteti i Shkupit ka ndarë 318 mijë euro të tjera.Projekti i përmendoreve dhe objekteve të ndryshme “Shkupi 2014″ vazhdon të harxhojë miliona e mijëra euro. Qyteti i Shkupit ka ndarë 318 mijë euro të tjera vetëm për të zbuluar dhe rregulluar pjesën e hapësirës ku është përmendorja e “Filipit II” dhe hapësira pranë Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Derisa këto mjete po harxhohen për këtë projekt qindra milionësh, shumica e lagjeve shqiptare të Shkupit vazhdojnë të jenë në kushte mizore me rrugë të pasfaltuara dhe infrastrukturë katastrofale, të pushtuar edhe nga ndërtimet pa leje dhe ndërtimet që zënë hapësirat e gjelbërta.

Sipas përllogaritjeve të buxhetit të Shkupit vetëm për pjesën që gjenden përmendoret e “Filipit II”, janë harxhuar deri tani mbi 10 milionë euro.

Qeveria e Maqedonisë në buxhetin për 2015 ka ndarë mbi 56 milionë euro për projektet “Shkupi 2014″. Shuma financiare për këtë projekt ka kaluar jozyrtarisht mbi 800 milionë euro, derisa partia në pushtet ka refuzuar një shifër të tillë. (INA)

Çfarë dihet për Marrëveshjen e Drejtësisë Kosovë-Serbi?

Ka kaluar gati një muaj dhe ende pak dihet për marrëveshjen e drejtësisë së arritur në Bruksel.Këtë marrëveshje deri sot nuk e kishin parë deputetët, kryesisht ata të opozitës, raporton KTV.

Përveçse është kundër kësaj marrëveshjeje, deputeti Glauk Konjufca thotë se nëpërmjet saj, me Serbinë po diskutohen çështje të brendshme të Kosovës.

Për qasjen e saj, Qeverinë e kritikon edhe Nisma për Kosovën.

Por, partitë opozitare deklarojnë se ende nuk e kanë pranuar dokumentin.

Zëdhënësi i qeverisë, Arban Abrashi, thotë se dokumentin e marrëveshjes mund ta marrë çdo deputet që shpreh interesim, transmeton koha.net.

Me mënyrën e trajtimit të dialogut nuk pajtohet as Instituti Demokratik i Kosovës. Përfaqësuesit e kësaj organizate kërkojnë transparencë më të madhe në bisedime.

Marrëveshja për drejtësinë u arrit me 10 shkurt të këtij viti në Bruksel dhe nënshkrimin mbi të e vunë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. (telegrafi)