Ndalohen deputetët Doshi e Frroku. Policia ekzekuton njëkohësisht kërkesat e Prokurorisë

doshi froku

Pak më shumë se 3 orë pas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë për lejimin e arrestimit të deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit janë vënë në lëvizje për ekzekutimin e urdhër-ndalimeve për dy deputetët. 

Urdhëri është lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme pak pas orës 15:00 dhe një korrier ka lënë ambientet e Prokurorisë së bashku me urdhër-ndalimin në orën 15:25, për të mbërritur 10 minuta më pas, në 15:35  në zyrat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Policisë së Tiranës i janë dashur vetëm pak minuta për të organizuar planin e ndalimit dhe zbatimin e dy urdhër-ndalimeve thuajse në të njëjtin interval kohor. Dy grupe të forcave “Shqiponja” të shoqëruar nga oficerët e Policisë Gjyqësore dhe prokurorët janë drejtuar, njëra për në biznesin e deputetit Mark Frroku dhe tjetra për në banesën e deputetit Tom Doshi.

Rreth orës 16:30 të dy grupet e efektivëve të policisë kanë qenë në të njëjtën kohë në të dy objektet për të ekzektuar urdhër-ndalimet. Më i lehtë ka qenë ekzekutimi i urdhërit të ndalimit për deputetin Mark Frroku, i cili ka qenë në ambientet e biznesit të tij në zonën e Kombinatit në prani të avokatëve Saimir Visha dhe Genc Gjokutaj.

Janë dashur vetëm pak minuta që prokurorët dhe efektivët e policisë t’i komunikojnë Frrokut akuzën e ngritur ndaj tij dhe më pas të prangosur e kanë shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, rreth 30 minuta më vonë, ndërkohë që avokatët kanë qëndruar me oficerët e policisë për të zbatuar urdhërin e kontrollit të banesës.

Nuk ka qenë kaq e thjeshtë në banesën e deputetit Tom Doshi, pasi ky i fundit nuk ka pranuar të shoqërohet dhe as të kryhet kontrolli i banesës së tij pa ardhur më parë avokati i tij mbrojtës. Në orën që patrullat e policisë ndodheshin në banesën e Tom Doshit, avokati i tij Vladimir Meçi sapo kishte dalë nga zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme, ku nuk kishte mundur të takonte asnjë nga prokurorët.

Gjatë kësaj kohe, deri kur mbërriti avokati, deputeti Tom Doshi ka gjetur kohën për të postuar dhe një status në rrjetin e tij social Facebook, duke deklaruar se “gjendet në banesën e tij në pritje të përballjes me Prokurorinë në gjykatë.”

Pas më shumë se 50 minuta dhe pas mbërritjes në banesën e Doshit të avokatit të tij mbrojtës, rreth orës 17:25 minuta, efektivët e policisë kanë shoqëruar deputetin Tom Doshi dhe me një prej automjeteve të tyre, janë nisur në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

Vetëm pak minuta pas mbërritjes së deputetit Doshi në polici është shfaqur dhe avokati i tij mbrojtës, Vladimir Meçi, i cili është shprehur se do kërkohet lirimi i menjëhershëm në Gjykatën e Lartë, pasi është shkelur Kushtetuta dhe vetë vendimi i Parlamentit.

/ Top Channel

Ish-komandanti serb rrëfen masakrat: Prisnin dhe zienin kokat e kosovarëve

slobo

Sllobodan Jovanoviç, një ndër ish-komandantët e njësive speciale të policisë serbe që kanë kryer spastrime etnike në Kosovë, në një intervistë për televizionin publik kosovar RTK, ka përmendur disa nga krimet më monstruoze që policia serbe ka bërë në Kosovë.

Në çetën e Sllobodan Jovanoviç ishin 150 policë, 10 prej të cilëve ishin kriminelë të nxjerrë nga burgjet.

“Ne ishim 150 policë në çetë. Nga ata, 10 dalloheshin për vjedhje, vrasje e masakra që unë nuk arrija t’i besoja. Nuk konsumonin as drogë e as alkool, por u interesonte pasurimi brenda një nate. Kam patur një rast në Rahovec, me një polic që një shqiptari i preu kokën dhe ia zieu për disa ditë për të nxjerrë tre dhëmbë të artë nga ajo kokë. Këtë e tregoj, sepse kjo më përndjek dhe duhet ta tregoj që ta kem më të lehtë. Pasi e zieu për tre ditë, e mori kokën në shtëpi dhe e bëri llampë tavoline. Ky është tmerr, nuk mund ta kuptoj… Unë nuk e dija çfarë po ziente, mendoja se po përgatiste drekën. Më vonë kur u kthyem përsëri, ai të njëjtën gjë bëri edhe me kokën e një femre, e bëri llampë tavoline. Në shtëpi donte të kishte dy koka. Pas disa vitesh, pas të gjithë këtyre ngjarjeve dëgjova se ka përfunduar në çmendinë, pasi një njeri normal nuk do të mund ta bënte atë që bëri ai”, ka treguar Jovanoviç.

Por krimet monstruoze nuk kishin fund. Mijëra civilë të pafajshëm janë ekzekutuar dhe torturuar në format më çnjerëzore, edhe pse në pjesën më të madhe të rasteve nuk kanë bërë rezistencë.

“Kur ishim në terren na thoshin ‘gomën ose shkrepësen’, çka do të thoshte se ose do të shkatërronim gjithë fshatin, ose do ta digjnim plotësisht. E vrisnin dikë edhe për qejf, nëse ai nuk kishte para. Gjithçka që u shihte syri në terren e grabisnin, asgjë nuk falnin. Por jo të gjithë bënin kështu. Vetëm individët bënin kështu dhe këtë nuk e kuptoj. Komanda e lartë e dinte se çfarë bëhej në terren. Komandantët jepnin urdhër që të shkatërroheshin vendbanimet tuaja, të vriteshin civilët e pafajshëm”, ka thënë Jovanoviç.

Ish-komandanti i njësive speciale ka thënë më tej se, prej këtyre dëshmive është cilësuar si tradhtar dhe se familjes së tij nuk i jepet asnjë shërbim, madje i janë mbyllur të gjitha dyert.

“Shefi i stacionit policor më vendosi në programin e mbrojtjes. Policia më mbron që të mos vritem nga policët. Më kanë kërcënuar që të heq dorë nga dëshmitë. Vukçeviç ka thënë se ai e di që janë të paktën 300 kriminelë lufte që lëvizin lirshëm në Beograd. Ai i fsheh kriminelët e luftës që lëvizin lirshëm në Beograd. Askush në Beograd nuk më mbron, më quajnë armik, më kanë përjashtuar nga të gjitha shërbimet”, ka shtuar Jovanoviç. / Top Channel

Cila ishte ana e errët e pilotit të Germanwings?

cocpit

Në ëndrrat tona më të këqia nuk na e merrte mendja një gjë të tillë, tha shefi i Lufthansas Carsten Spohr. Më parë ai kishte konfirmuar para medieve se piloti i dytë qe mbyllur në kabinë për të nisur rrëzimin e avionit.

Andreas L, piloti i dytë në avionin e Germanwings ishte një njeri që i pëlqenin shakatë. “Të qeshësh sa të të paralizohet fytyra” ishte një faqe që e preferonte ai në Facebook. Sipas informacioneve të gazetës gjermane “Die Welt”, pilotit 28 vjeçar i pëlqenin shakatë që i kalonin pak kufijtë dhe e shkelnin disi etiketën e mirësjelljes. I pëlqente p.sh. që burrat të silleshin si çuna të mëdhenj dhe pilotët si kokëkrisur me zgërdhirje të vazhdueshme në fytyrë.

Po a kishte Andreas L. edhe një anë tjetër, të errët? Probleme private për momentin nuk janë të njohura. Edhe nëse mungon ende siguria për rrjedhën e katastrofës, pyetja tjetër që shtrohet është a vuante piloti i dytë vuante nga sëmundje psikike. Shkollimin si pilot, që e pati nisur gjashtë vjet më parë në Bremen (Gjermani) dhe në Phoenix, Arizona (SHBA), sipas Lufthansas ai e ndërpreu për disa kohë. “Për shkak të problemeve psikike?”, pyetën përfaqësuesit e shtypit në zyrën e Germanwings-it. Një përgjigje për këtë koncerni nuk dëshiron të japë. Në bazë të ligjeve gjermane janë vetëm autoritetet e ndjekjes penale ato që mund të shohin kartelën mjekësore. Ky informacion i nënshtrohet detyrimit për të heshtur të mjekut “edhe pas vdekjes”, thanë përfaqësues të koncernit.

Por pas ndërprerjes së shkollimit si pilot, Andreas L. i ishte nënshtruar sërish një testi shëndetësor dhe një testi nëse ishte i përshtatshëm si pilot. Dhe këtë test e kishte kaluar me sukses.

Kontrolli i fundit për Andreas L.: janar 2015

Në janar 2015, në një kontroll rutinë për sigurinë, Andreas L. ju dëshmua së fundi se ai nuk është i përfshirë në vepra penale ose ekstremiste.

“Ai ishte 100 përqind i aftë për të fluturuar. Rezultatet e tij në fluturim ishin shumë të mira, asgjë nuk të tërhiqte vëmendjen”, u tha sot medieve shefi i Lufthansas, Carsten Spohr. Ai shtoi se në ëndrrat më të këqia nuk ia kishte e merrte mendja se mund të ndodhte një gjë e tillë.

Përvojat e para si pilot, 28 vjeçari i pati bërë me avionë pa motor, që rrëshkasin në ajër të shtyrë nga era. Faqja e klubit të sporteve ajrore Montabaur në Westerwald, ku mësoi ai, për momentin është jashtë sistemit të internetit.

“Ai deshi ta shihte të realizuar ëndrrën e tij, fluturimin”, e përshkruajnë atë shokët e klubit. Kjo ëndërr u kthye me sa duket në zhgjëndërr të tmerrshme paraditen e 24 marsit në Alpet franceze.

Kërkimi i gjurmëve sapo ka nisur. Një prokuror gjerman tha të enjten se ka nisur kontrolli i apartamentit të Andreas L. në Dyseldorf dhe vende të tjera për të gjetur dokumente dhe dëshmi nëse Andreas L e kishte planifikuar më parë aktin e tij. Vështirë është të përfytyrohet si e ndiejnë veten të afërmit e viktimave, tani që mësuan për tragjedinë. Gjithashtu është e vështirë të përfytyrosh si ndihen prindërit e Andreas L., në shtëpinë e të cilëve në Montabaur, midis Frankfurtit dhe Këlnit, lindi më 1987 Andreas L. dhe ku banoi deri në fund. Sipas prokurorit francez, Brice Robin, familja e Andreas L. është nisur për në vendin e rrëzimit të avionit.

Policia e ka bllokuar rrugën që çon në shtëpinë e prindërve të Andreas L. me automjete policie, të vendosura tërthorazi. Për të penguar automjetet e tjera të kalojnë. Shumë ekipe kameramanësh përpiqen të arrijnë në këtë zonë, për të folur me fqinjët. Por banorët janë tërhequr në shtëpitë e tyre. Disa shohin nga pas perdeve ose grilave gjysëm të ulura të dritareve. (dw)

Ndihmës-piloti e rrëzoi qëllimisht aeroplanin

shtepia_Andreas_Lubitz

Është ky versioni shokues që ofron kutia e parë e zezë e avionit tip “Airbus”, që u rrëzua në Alpet franceze. Versioni është publikuar nga prokurori që po heton tragjedinë, Brice Robin, në Marsejë.

Sipas versionit, në fillim dy pilotët po bisedonin, më pas komandanti ka dalë nga kabina, por në kthim e ka gjetur derën të mbyllur dhe është përpjekur ta hapë.

150 pasagjerët që ndodheshin në bord e kanë kuptuar vetëm në momentin e fundit atë që po ndodhte dhe kanë nisur të klithin. Ata ishin viktima të një drame që hap pas hapi po gjen shpjegim.

“Andreas Lubitz, 28 vjeç, me origjinë nga Montabaur, ishte me shtetësi gjermane dhe nuk është sinjalizuar kurrë si një terrorist i mundshëm”, ka deklaruar prokurori Robin.

I pyetur se cilës prejardhje etnike i përkiste, hetuesi nuk ka qenë në gjendje të përgjigjej, por ka përjashtuar për momentin pistën e terrorizmit.

“Avioni ishte në funksion përmes pilotit automatik. Komandanti i tha ndihmësit të tij: ‘Po të lë drejtimin’ dhe më pas shkoi në tualet. Më pas, ndihmësi bllokoi aksesin në kabinë dhe, sipas të dhënave të rekuperuara nga kutia e zezë, ishte gjallë në momentin e impaktit. Për rrjedhojë, mbeti i vetëm në kabinë dhe aktivizoi butonët e zbritjes së avionit”, ka thënë prokurori.

Sipas të dhënave të kompanisë “Lufthansa”, 28-vjeçari kishte nisur punën në këtë grup në shtator 2013 dhe kishte bërë që prej atëherë 630 orë fluturim.

Ndërsa kapiteni kishte mbi 6 mijë orë fluturim dhe ishte piloti i parë i Germanwings që nga maji 2014. Më parë, përveçse për “Lufthansa” kishte punuar edhe për kompaninë “Condor”.

Pas publikimit të fakteve hija e vetëvrasjes por edhe ajo e një atentati kanë filluar të mbulojnë motivet e tragjedisë. Sipas gazetës franceze “Le Figaro”, hetimi mbi sigurinë ajrore mund të kthehet shumë shpejt në një hetim kriminal.

“Hipoteza e atentatit apo ajo e vetëvrasjes së pilotit që mbeti i vetëm në kabinën e pilotazhit mund të marrin më shumë peshë në orët në vazhdim”, shkruan gazeta.

Ndërsa e përditshmja tjetër “Le Monde” pretendon për një tjetër pistë kur shkruan në edicionin e saj online se, ishte komandanti i bordit që ndodhej në kabinë dhe bashkëpunëtori i tij jashtë saj

Zaev: Gruevkski nuk ka shpëtim, dëshmitë e reja do ta detyrojnë largimin e tij

Zaev

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev vazhdon të jetë i bindur se me publikimin e bombave më serioze, të planifikuara për periudhën e ardhshme, Gruevksi do ti thotë lamtumirë politikës. Në një intervistë për televizionin N1 nga Beogradi, partner i televizionit global CNN, Zaevi theksoi sërish se me dëshmitë e reja do të dështojnë të gjitha përpjekjet e Gruevskit për të ruajtur me çdo kusht pushtetin.

“Dorëheqjet janë të paevitueshme. Qeveria kalimtare është e paevitueshme. Nuk ka shpëtim nga kjo. Pasi të publikojmë gjithçka që kemi, përpjekjet e Gruevskit për të qëndruar në pushtet nuk do të kenë sukses”, ka thënë Zoran Zaev për televizionin N1.

Me kërkesë të televizionit, Zaev ka sqaruar përfshirjen e kryeministrit Gruevski në përvetësimin e parcelave në Vodno, përmes of-shor kompanive. Sipas Zaevit, në dëm të qytetarëve të Shkupit, shirita gjelbërimi janë shndërruar në parcela ndërtimi dhe banimi, duke ndryshuar planet urbanistike me porosi të drejtpërdrejtë të Gruevskit. Sipas liderit të LSDM-së, me ndryshimin e destinimit të parcelave në sipërfaqe prej rreth 14 mijë metra katror, vlera e tyre sot ka arritur shumë marramendëse prej rreth 17 milion euro.  Benjamin Arifi

 

Konfirmohet partneriteti strategjik politiko – ekonomik me Rusinë

Qeveria e Maqedonisë ka rikonfirmuar partneritetin strategjik në planin politik dhe ekonomik me Rusinë.

Kjo sot u theksua sot nga zëvendëskryeministri apo njeriu i dytë i Qeverisë, Zoran Stavrevski , cili theksoi se Rusia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm politik dhe ekonomik.

“Rusia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm politik dhe ekonomik, por akoma ka hapësirë për përparimin e bashkëpunimit ekonomik. Me 144 milion konsumatorë, tregu rus është një sfidë e madhe për kompanitë maqedonase”, deklaroi Stavrevski me rastin e shënimit të 10 vjetorit të bashkëpunimit ekonomik Maqedoni – Rusi.

Sipas tij, dyert e Maqedonisë janë të hapura për bizneset ruse. Ai përmendi edhe realizimin e projektit për ndërtimin e gazsjellësit në destinacionin e nisur Kleçovcë  – Shtip.

Në këtë ceremoni u theksuan mesazhe edhe për bashkëpunim strategjik në planin politik dhe ndërshtetëror. (INA)

Ekspertët: Kriza vështirë do të zgjidhet pa një përfaqësues të lartë evropian

Ndërsa palët në Shkup nuk zbardhin asnjë qëndrim lidhur me pjesëmarrjen e tyre në negociatat me parlamentarët evropian që pritet të fillojnë të hënën në Bruksel, analistët thonë se zgjidhja e krizës kërkon vetëm ndërmjetësues të posaçëm të kalibrit të Karl Bildt, Kethrin Eshton apo Mirosllav Lajçak. Sipas tyre, iniciativa e ndërmjetësimit të Parlamentit Evropian përbën një fillim të mirë për t’i ulur në tryezë palët dhe njohur me qëndrimet e tyre, por zgjidhja e krizës kërkon angazhimin e të gjitha institucioneve të BE-së, përfshi shefen e diplomacisë evropiane Mogerini dhe Komisinarin Han.

“Nevojitet një angazhim më i madh politik nga BE-ja që të zgjidhet kriza, prandaj i përmenda Mogerinin dhe Hanin, si përfaqësues të lartë të BE-së, të cilët mund të bëjnë më shumë se sa deputetët evropianë, por edhe shtetet anëtare të cilët duhet të angazhohet më shumë. Sigurisht modeli më i mirë do të ishte angazhimi i një diplomati i cili do të autorizohej nga institucionet e BE-së ta zgjidh krizën në Maqedoni, nga kalibri i Karl Bildit, Kethrin Eshton, Mirosllav Lajçak, njerëz të cilët kanë përvojë në zgjidhjen e krizave në Ballkan dhe besoj se fillimisht preket pulsi dhe vullneti i partive për të biseduar dhe pasi të njihen me qëndrimet e tyre, BE-ja duhet të angazhohet më shumë se sa tani”, deklaroi Bojan Mariçiq, Qendra maqedonase për edukim evropian.

Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane, vlerëson se përvojat negative nga marrëveshjet që u arritëm me ndërmjetësim të euro-parlamentarëve gjatë krizës në vitin 2012 në Maqedoni nuk lënë hapësirë për të shpresuar për një epilog të suksesshëm këtë herë, veçanërisht kur vendi është përfshirë në krizën akoma më të thellë politike.

“Edhe pse u arritën marrëveshje të përkohshme por ato mbeten vetën në dhomat ku u arritën, nuk pamë zbatim të tyre. Unë nuk mendoj se zgjidhja mund të arrihet shpejtë dhe se deputetët evropianë, nga përvoja e deritanishme që kemi madje edhe në situata jo dhe aq të ndjeshme se kanë mundur të ndihmojnë. Mendoj se në periudhën e ardhshme pritet të shohim përfshirje në nivel më të lartë nga BE-ja por edhe nga përfaqësues eminent të organizatave të tjera ndërkombëtare”, tha  Simonida Kacarska, Instituti për Politikë Evropiane.

Ndryshe, Zv/kryemin istri Besimi dhe ministri i jashtëm, Poposki theksuan se në mungesë të zgjidhjes së krizës, Maqedonia rrezikon seriozisht të humb rekomandimin e KE-së për fillimin e bisedimeve aderuese. Semra Jakupi

Piloti i avionit të rrëzuar, ishte bllokuar jashtë kabinës (?)

Aeroplani_gjerman_i_rezuar

Hetuesit francezë kanë filluar t’i analizojnë të dhënat nga incizimi i zërit në kabinën e pilotëve të avionit Germanwings, që u rrëzua në Alpe të Francës, me ç’rast u vranë të 150 njerëzit në të.

E përditshmja New York Times, ka raportuar se dëshmia nga incizimi tregon se njëri nga pilotët ishte larguar nga kabina dhe më nuk ka mundur të kthehej.

“Personi jashtë ka trokitur lehtë në derë, por nuk ka pasur pëgjigje”, i ka thënë një hetues i paemëruar gazetës, duke u mbështetur në incizim, dhe ka shtuar se ”ai pastaj e ka goditur derën më fuqishëm, por pa përgjigje…nuk ka pasur kurrfarë përgjigje nga ana tjetër”.

Ky hetues, ka shpjeguar se “mund të dëgjohet se ai është përpjekur ta thyejë derën nga poshtë”.

Aeroplani i tipit Airbus A320, fluturonte nga Barcelona për në Dyseldorf, ditën e martë, kur u rrëzua në shpatijet e maleve me shpejtësi të madhe, pasi ka rënë për tetë minuta pa dërguar thirrje alarmi.

Një zëdhënës i kompanisë Lufthansa, e cila e operon firmën ajrore të buxhetit të ulët, Germanwings, tha se ka njohuri për raportin e gazetës amerikane dhe ka shtuar se “nuk ka informacion nga autoritetet, që e konfirmojnë këtë raport”.

Kjo kompani tha se “po bën çdo gjë të mundshme për të pasur informacione dhe nuk angazhohemi në spekulime”.

Sips masave të ashpërsuara të sigurisë, pas rrëmbimeve të aeroplanëve më 11 shtator 2001, në Shtetet e Bashkura, autorizimi për ta hapur derën e pilotit mund të bëhet vetëm nga brenda dhe nga piloti.

Byroja franceze e hetimeve, BEA, nuk ka komentuar raportin e gazetës New York Times.

“Ne vetëm kemi qenë në gjendje ta nxjerrim një audio-incizim”, u tha gazetarëve drejtori i zyrës BEA, Remi Jouty.

I cituar nga gazeta amerikane, një zyrtar i lartë ushtarak, i përfshirë në hetime, tha se audio-incizimi kishte lënë të kuptohet se ka pasur një bisedë “shumë të qetë dhe të rrjedhshme” ndërmjet pilotëve në pjesën e hershme të fluturimit.

“Ne ende nuk e dimë shkakun përse njëri prej personave doli jashtë”, tha ky zyrtar dhe ka shtuar se “ajo që është e sigurt është se deri në përfundim të fluturimit, piloti tjetër ishte i vetmuar dhe nuk e ka hapur derën”.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, e kanë vizituar vendin e largët të përplasjes së aeroplanit në Alpet e Francës për të nderuar të 150 njerëzit që e kanë humbur jetën. Shumica prej viktimave ishin gjermanë dhe spanjollë.

Hollande, Merkel dhe Rajoy, i kanë falënderuar ekipet e kërkimit dhe janë takuar me banorët e fshatit, Seyne-les-Alpes, ku po vazhdon operacioni për gjetjen e mbetjeve njerëzore.

Gazeta londineze, Guardian, ka raportuar se grupi prej 16 nxënësve gjermanë dhe dy mësuesve, thuajse e humbën fluturimin, për shkak se një nxënëse kishte harruar dokumentin e identifikimit.

Por, i zoti i shtëpisë ku ajo ishte mysafire, me të shpejtë ishte kthyer prapa e kishte marrë dokumentin dhe e kishte çuar nxënësen në aeroport.

“Kjo është diçka që ta thyen zemrën”, e ka cituar gazeta një zyrtar në qytetin spanjoll, ku nxënësit gjermanë kishin qëndruar në kuadër të një programi arsimor për këmbim nxënësish.  (rel)

Zgjerimi i arsimimit në shkencë

arsimimi

Presidenti amerikan Barack Obama ka premtuar gati 250 milion dollarë për të mbështetur studimet në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, grup fushash ky i njohur shkurtimisht si STEM. Në panairin e shkencës në Shtepinë e Bardhë të hënën, presidenti theksoi rendësinë e përpjekjeve të sektorit privat për të nxitur më shumë nxënës që të ndjekin studimet shkencore.

Presidenti pa nga afër panairin e shpërndarë në disa dhoma dhe u ndal për të diskutuar projektet me nxënësit. Një grup vajzash të vogla i treguan presidentit një shfletues librash me bateri që ndihmon njerëzit e paralizuar ose ata që vuajnë nga artriti.

Një gjimnaziste nga New Mexico i tregoi presidentit se si algat mund të përdoren për të prodhuar një infrastrukturë energjie të qendrueshme me kosto të ulët.

“Janë disa reaksione zinxhir që demostrojnë përftimin e energjisë, dhe kjo bëhet duke eleminuar hapin më të kushtueshëm energjitikë të procesit”, thotë gjimnazistja.

Presidenti u tha të pranishmëve se novatorët e rinj kanë gjëra për të na mësuar ne.

“Këta shkencëtarë dhe inxhinierë të rinj na mësojnë ne pëtej temave specifike që po eksplorojnë. Ata na mësojnë se si të shtrojmë pyetje përballë supëzimeve dhe si mund t’i përmirësojmë gjërat. Ata na kujtojnë se gjithmonë ka më shumë gjëra për të mësuar dhe asnjëherë nuk është herët apo vonë për të zbuluar diçka të re.”   

Mëse 100 nxënës nga 30 shtete amerikane që përfaqësojnë më shumë se 40 organizata dhe olimpiada, morën pjesë në panairin e këtij viti. Presidenti Obama i inkurajoi ata të vazhdojnë përpjekjet e tyre novatore. Por ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të nxisin më shumë të rinj drejt arsimit shkencor.

“ Pesë vjet më parë filluam fushatën “Arsimim për Novacione” për të ndihmuar më shumë nxënës për të eksploruar shkencën, teknologjinë, inxhinierinë dhe matematikën. Kam kënaqësinë të njoftoj kontributin prej 240 milion dollarësh nga biznese, shkolla dhe fondacione në mbarë vendin për të ndihmuar fëmijët të mësojnë në këto katër fusha.”

Presidenti Obama tha se asnjë i ri nuk duhet të humbasë këtë mundësi për të shkëlqyer në shkencë, megjithë mungesën e fondeve. Ai tha se me premtimet e reja për fonde, universitetet dhe korporatat kanë angazhuar deri në 1 miliard dollarë për të ndihmuar në zgjerimin e arsimimit të avancuar në shkencë dhe teknologji në SHBA. (voa)

Miratohet kërkesa për arrestimin e deputetëve. Doshi akuzon prokurorin: Ke manipuluar provat

td

Pas disa orë pyetjesh, përgjigjesh e debatesh, përfundoi mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, që në fund miratoi me konsensus kërkesën e Prokurorisë për dhënien e autorizimit nga Parlamenti për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.

Prokurorët u përballën gjatë me akuzat dhe pyetjet e deputetit Doshi dhe 3 kolegëve të Partisë Demokratike. Ata insistuan të mësojnë akuzat që Prokuroria ka ngritur ndaj deputetit, për të cilin kërkon arrestimin.

Ndërkohë, Doshi akuzoi prokurorin për manipulim të provave dhe tha se ai do të mbajë përgjegjësi. Deputeti kërkoi që Prokuroria të tërheqë akuzën ose të publikojë videon me Durim Bamin.

Ai pohoi se dëshmitari i penduar, Durim Bami, është kërcënuar me jetën e fëmijëve nga një polic me maskë për të mohuar porositjen e vrasjeve, ndërsa akuzoi Prokurorin e Përgjithshëm se e ka shitur.

Nga ana e tyre, deputetët e majtë thanë se nuk është ky komision që e çon në burg Doshin, por fjala e fundit është e gjykatës. Pas dëgjesës me Doshin, Komisioni i Mandateve nisi hartimin e raportit mbi kërkesën e Prokurorisë, raport që do ta votojë Parlamenti.

Ndërkohë, në rendin e ditës së seancës së sotme, kërkesa e Prokurorisë për dhënien e lejes për arrestimin e Tom Doshit dhe Mark Frrokut është pika e dytë e rendit të ditës. Raporti i Komisionit do të hartohet gjatë natës dhe do t’i kalojë seancës në mëngjes për votim.

Parashikohet që dy deputetët të marrin fjalën në Parlament, por mesa duket Frroku do të jetë i vetëm, pasi Doshi konfirmoi se sot nuk do të jetë në seancë.

***

Në nisjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, tre përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Arben Ristani, Eduart Halimi, Kastriot Islami, të mbështetur edhe nga deputeti Tom Doshi kanë kërkuar praninë e medias gjatë punimeve.

“Të respektohet tradita e seancave dëgjimore. Media duhet të jetë e pranishme për efekt transparence. Rregullorja parashikon që seanca dëgjimore të jetë e hapur”, deklaruan deputetët demokratë.

Por përfaqësuesit e Prokurorisë kanë kërkuar një seancë me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor, parashikuar në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale.

Përfaqësuesit e mazhorancës kanë kërkuar nisjen e mbledhjes në bazë të kërkesës së Prokurorisë, por opozita dhe deputeti Doshi kanë kundërshtuar. Pas disa momentesh debate në fund është vendosur zhvillimi i mbledhjes me praninë e mediave.

Në këto kushte, prokurorët thanë se nuk mund të bënin publike detajet nga hetimi për aq kohë sa në sallë ishte e pranishme media. Por deputeti Doshi ka këmbëngulur në leximin e dosjes hetimore, mbi bazën e të cilës janë ngritur edhe tri akuzat kundër tij, ajo e kallëzimit të rremë, dëshmisë së rreme dhe kërcënimit.

“Ndaj meje është kërkuar arrest. Sot nuk ka më sekret hetimor. Sillni provat t’i shohin shqiptarët që të vendoset nëse do shkohet apo jo në seancë”, deklaroi Doshi, duke shtuar se çdo provë është e manipuluar.

Deputeti i Qarkut të Shkodrës u kërkoi prokurorëve të tërheqin kërkesën e tyre, në të kundërt ai do të bënte publike të gjithë bisedën zhvilluar në ballafaqimet me Durim Bamin, për të cilën për herë të parë tha se e ka të regjistruar, edhe pse cilësohet si një sekret hetimor nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Më pas, fjalën e mori njëri prej avokatëve të Tom Doshit, i cili paraqiti para Këshillit qëndrimet e klientit të tij se përse akuzat e ngritura nga prokuroria nuk qëndrojnë.

“Kërkesa e prokurorisë ka ardhur pa kryer hetime të mëtejshme mbi çështjen. Nuk mund të shkelen të drejtat e deputetit edhe nëse ai është nën hetim. Me veprimet e prokurorisë është shkelur parimi kushtetues për barazi para ligjit. Akuzat ndaj deputetit Doshi janë të motivuara nga elementë të politikës, ndaj prokurorët kanë për detyrë të tregojnë se motivimi i tyre është vetëm arsyeja. Gjithashtu, ne kërkojmë të kryhet hetim parlamentar nëse ndaj prokurorisë ka pasur ndërhyrjë nga një institucion tjetër”, deklaroi avokati.

Në fjalën e gjatë para prokurorëve, avokatët e Doshit hodhën poshtë akuzat e prokurorisë. Për të parën, atë të kallëzimit të rremë, ata thanë se klienti i tyre nuk ka bërë asnjë kallëzim te Krimet e Rënda, por hetimet kanë nisur kryesisht. Për akuzën e kanosjes, sipas tyre, nuk ka asnjë fakt që të provojë fajësinë e klientit të tyre, ndërsa për akuzën e deklaratave dhe dëshmive të rreme, thanë që edhe nëse ajo merret si e vërtetë, në asnjë rast një deputet i Kuvendit të Shqipërisë nuk mund të arrestohet për një akuzë të tillë.

Sipas tyre, akuza e Prokurorisë është e nxituar dhe me prapavijë politike prej Prokurorit të Përgjithshëm.

Avokatët kërkuan vlerësimin ‘nul’ të të gjithë hetimit, duke përmendur si bazë të kërkesës së tyre dërgimin e çështjes te Prokuroria e Përgjithshme nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Prokurorët u kundërpërgjigjën duke deklaruar se kalimi është bërë në bazë të nenit 28 të Kodit të Procedurës Penale dhe se te Krimet e Rënda vazhdon faza e hetimeve paraprake.

Në përfundim, fjalën e mori deputeti Tom Doshi. Ai u qëndroi akuzave të mëhershme të ngritura kundër kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe tha se dëshmitarët e çështjes janë manipuluar.

/ Top Channel