Ish-pjesëtarë të UÇK-së merren në biseda informative

uckIsh-komandantë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së në Maqedoni ditëve të fundit janë marrë në biseda informative.

Një ish-pjesëtar i UÇK-së ka informuar për INA se ditëve të fundit është thirrur në bisedë informative nga ana e DSK (Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit) dhe se arsyeja e ftesës ka qenë incidenti i armatosur në postën policore kufitare Gushincë në Karadakun e Shkupit.

Ai theksoi se është  i shqetësuar nga ky veprim i organeve të sigurimit shtetëror dhe se gjithçka po ndodhë vetëm pas këtij incidenti.

“Unë jam ish-pjesëtar dhe sot i jam kthyer jetës normale, duke kryer punët e përditshme. Nuk kemi lidhje me skenare të errëta apo raste siç ishte incidenti në Gushincë. Disa prej nesh ka kaluar tre luftërat e fundit dhe sot i jemi rikthyer jetës normale me familjet tona. Nuk dij çka na shqetësojnë me këto veprime dhe shqetësimi është edhe tek familjet tona.  Apeloj që Ali Ahmeti ta dij se çka po ndodhë.  Ai dhe funksionarët e tij sot po shfrytëzojnë imunitetin dhe funksionet dhe nuk po shohin përtej kësaj dhe se si po maltretohen disa bashkëluftëtarë. Le të stopojnë këtë që po ndodhë dhe mos të hyjnë skenareve të rrezikshme”, deklaroi për INA, një ish-pjesëtar  i UÇK-së.

Një pjesë e tyre duke mos pasur asnjë mbështetje institucionale, kanë marrë avokatët e tyre për t`u mbrojtur dhe për të shmangur çdo lloj tendence të inskenimeve të mundshme.

Ish-pjesëtarë të UÇK-së gjithashtu informojnë se për këto raste kanë informuar edhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Shkup. (INA)

Britania e Madhe kërkon ngritjen e Byrosë së Hetimit

canon cakoBritania e Madhe mbështet dhe inkurajon ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, një strukturë që do të operojë në kuadër të Ligjit për Policinë e Shtetit, por që u vlerësua si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në formën e kaluar më herët nga mazhoranca.

Ky qëndrim i Londrës u shpreh përmes përfaqësuesit të saj në Tiranë, ambasadorit, Nicholas Cannon. Cannon u takua këtë të mërkurë me drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, por me këmbëngulje është kërkuar ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Ju duhet që ta ngrini atë duke kapërcyer pengesat ligjore që t’ju ndihmojmë  me asistencë. Ne besojmë se ngritja e Byrosë së Hetimit do t’i japë një shtysë luftës kundër korrrupsionit” – tha ambasadori.

Drejtori i Policisë së Shtetit u shpreh se po punohet për të gjetur një zgjidhje ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi kapitullin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në Ligjin e Policisë, duke i mbetur bindjes për të ngritur këtë strukturë sipas modeleve më të mira të partnerëve.

Çako shtoi se Policia Shqiptare është në një proces ristrukturimi dhe po i kushtohet vëmendje luftës anti- terror, duke ngritur një Drejtori të posaçme.

Ambasadori Cannon ka  vlerësuar ngritjen e strukturave antiterror dhe ka theksuar faktin se ristrukturimi nuk duhet të mbetet në një institucion të vetëm, por  është kompleks dhe përfshin një sërë hallkash që duhet të funksionojnë bashkë, si Polici, Prokurori e Gjykatë.

Cannon ishte kryediplomati i dytë i vendeve të BE-së që viziton Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Të hënën Haki Çako priti ambasadorin italian Massimo Gaiani, i cili i shprehu vullnetin e Italisë për të mbështetur identifikimin nga ajri të parcelave me bimë narkotike, ashtu siç është bërë vitet e fundit.

/ Top Channel

Strasburg, nis debati mbi rezolutën për Shqipërinë, sipas raportit të Fleckenstein

PEParlamenti Europian ka nisur debatin në seancë plenare mbi rezolutën për Shqipërinë, bazuar në raportin e përpiluar nga eurodeputeti i majtë gjerman, Knut Fleckenstein, i cili mbrojti në Strasburg vlerësimet për punën e deritanishme të Tiranës në zbatimin e 5 prioriteteve kyçe, të nevojshme për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Përfaqësuesja e Presidencës letoneze dhe Komisioneri kroat Mimica përsëritën qëndrimet e shprehura në Komitetin e Jashtëm Europarlamentar, në mbështetje të gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit për dialogun politik, reformat ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal.

I djathti Eduard Kukan këmbënguli për rëndësinë e dialogut konstruktiv politik brenda vendit dhe në rajon, e përmbushjen e reformës së Drejtësisë dhe Administratës Publike. Ai tha se zgjedhjet lokale marrin rëndësi për partitë politike, që të dëshmojnë se zbatojnë parimet demokratike.

Drafti i miratuar me kompromis, paraprakisht muajin e kaluar, pritet të pësojë ndryshime gjatë votimit të së enjtes në seancë plenare, për shkak se PPE dhe grupi liberal vlerësojnë se nevojitet një gjuhë më e ashpër ndaj kryeministrit Rama, për intervistën mbi bashkimin me Kosovën.

Seanca e debatit vijon ende me diskutimet e eurodeputetëve të veçantë mbi “Shqipërinë e Madhe”, papunësinë, azilkërkuesit etj.

Përgatiti: Arta TOZAJ / Top Channel

Situata politike në Maqedoni diskutohet në Kuvend. Bumçi: Shkupi drejt “putinizmit”

Kuvendi ALKomisioni parlamentar i politikës së jashtme ka thirrur për informim përfaqësues të Ministrisë së Jashtme për situatën e tensionuar në Maqedoni.

Sekretari i përgjithshëm Qirjako Qirko në dikasterin e diplomacisë dhe drejtori për Rajonin në të, Bashkim Rama kanë informuar mbi situatën shqetësuese në vendin fqinj, si dhe i janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit për gjendjen e shqiptarëve atje, gjatë raportimit me dyer të mbyllura në komision.

Në vendin që shqiptarët janë faktor shtetformues, paradoksalisht Shqipëria nuk është e përfaqësuar me ambasador, si shkak i bllokimit të diplomatit të karrierës, Fatos Reka, nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Ky fakt është nënivizuar nga kryetarja e komisionit, Arta Dade gjatë pjesës së hapur për mediat.

“Nuk ndërhyjmë në kompetencat që ka presidenti, por është urgjente që Republika e Shqipërisë të paraqitet në nivelin më të lartë, atë të ambasadorit, në ambasadën që ne kemi në Shkup”, deklaroi Dade.

Ndërsa qëndrimi zyrtar për situatën në Maqedoni, ashtu si edhe në raste të tjera është diskutuar me dyer të mbyllura në komision, për shkak të sensibilitetit të çështjeve.

Nënkryetari i këtij komisioni, Aldo Bumçi e shprehu qëndrimin e tij për mediat për atë çka është duke ndodhur në Maqedoni. Ish-ministri i Jashtëm e krahasoi kryeministrin Nikolla Gruevski për politika të ngjashme me ato të presidentit rus, Putin.

“Është shumë e qartë që kriza në Maqedoni nuk ka shkaqe etnike, por është një krizë e krijuar nga zbatimi i putinizmit. Një sistem autoritar që po zbatohet nga qeveria aktuale dhe kryeministri, i cili po kontrollon institucionet e pavarura, median, godet opozitën dhe po zbaton modelin e Putinit në Maqedoni. Një shqetësim i ngritur nga sekretari amerikan i Shtetit dhe zyrtarë të tjerë të lartë perëndimorë, për këtë rrezik të dobësimit të demokracisë në Europën Lindore dhe në Ballkan”, tha Bumçi.

Nëse situata në Maqedoni duket se nuk ka shumë vend për debat mes palëve politike në Shqiperi, emërimi i ambasadorëve mbetet një objekt debati.

Për Aldo Bumçin, ngërçi i mungesës së përfaqësimit të Shqipërisë në Shkup në nivel ambasadori është propozimi, sipas tij, politik i Ministrisë së Jashtme.

Ndërsa vetë presidenti, që ka refuzuar të dekretojë diplomatin e karrierës Fatos Reka, ka deklaruar se nuk i ka dhënë OK-ejin për shkak të mungesës së konsultimit të qeverisë me të për emrat e ambasadorëve, duke bllokuar disa të tillë.

Në ping pongun e procedurave Presidencë-Qeveri, ajo që mbetet fakt është mungesa e përfaqësimit me ambasador të Shqipërisë në Maqedoni, ku shqiptarët janë etni shtetformuese. / Top Channel

Sigal Prishtina bën historinë, “pushton” Ballkanin

KB Sigal PrishtinaSigal Prishtina ka bërë historinë. Klubi më i suksesshëm në vendin tonë, ka fituar titullin e kampionit të Ligës Ballkanike sonte në Samokove te Bullgarisë, duke mundur Rilskin, me rezultat 71-80.

Basketbollistët e Sigal Prishtinës kanë arritur suksesin më të madh në historinë e klubit të tyre dhe në historinë e shtetit tonë.

PLISAT NLOJBallafaqimi mes Rilskit dhe Sigal Prishtinës, është zhvilluar në pranin e rreth 3000 mijë tifozëve, derisa nuk janë kursyer as fyerjet e tifozëve vendëse në adresë të skuadrës së Sigal Prishtinës.

Periudha e parë është mbyll me epërsinë e nikoqirëve katër pikë epërsi (26-22).

Mirëpo, në pjesën e dytë, prishtinasit morën lojën në duart e tyre dhe arritën që të shkrijnë epërsinë e nikoqirëve, duke shkuar në pushim më dy pikë epërsi (36-38).

Basketbollistët e Sigal Prishtinës mjaft mirë e nisen edhe periudhën e tretë, dhe me rezultatin 57-52, mbyllet kjo pjesëlojë.

Kampionia e Kosovës me lojë të bukur ka vazhduar edhe dhjetëminutëshin e fundit, madje, prishtinasit arrin edhe diferencën në dhjetë pikë epërsi (64-54), ndërsa me rezultatin e përgjithshëm 71-80, Sigal Prishtina rrëmbeu trofeun e Ligës Ballkanike në sezonin e dytë të pjesëmarrjes në këtë ligë ballkanike.

Përfundimisht Sigal Prishtina shkruan historinë e re, dhe tashmë festa e madhe ka nisur në kryeqytet, ku është krijuar një festë e paparë në rrugët e kryeqytetit, sidomos tek sheshi “Zahir Pajaziti”.  (rtk)

Ankthi i shqiptarëve të Maqedonisë është rikthyer

GoshinceU bë shumë zhurmë për një ngjarje e cila cilësohet më shumë si inskenim i qeverisë maqedonase sesa diçka që ka të bëjë me realitetin.

Por, si do që të jetë, aksionet e policisë së këtij shteti, rikthyen tek shqiptarët ankthin e ditëve kur Maqedonia u përfshi në konfliktin e armatosur të vitit 2001.

Kjo ndjenjë e përcjell edhe tash familjen Osmani nga Haraçina e cila u përball me një akuzë që e ngarkon kryefamiljarin si të përfshirë në incidentin e ndodhur në Gushincë.

Pasiguria është prezente tek shqiptarët atje që jetojnë me frikën e një aksioni të radhës. Ekipi i RTK-së ka qëndruar në këto zona që pakkush nga mediat shqiptare ka mundur t’i vizitojë.

Ankthi i shqiptarëve të Maqedonisë është rikthyer pas incidentit të ndodhur në Gushincë të Likovës.

Në kërkim të gjetjes së fajtorit nga ana e Qeverisë maqedonase, anëtarët e familjes Osmani në fshatin Bërrnjac të Haraçinës së Shkupit, ishin në shënjestër të plumbave të policisë së këtij shteti.

Kryefamiljari Sylejman Osmani kërkohet nga policia si i dyshuari kyç për sulmin ndaj policisë maqedonase ditë më parë. Kjo ka bërë që edhe anëtarët e tjerë të kësaj familjeje më shumë të qëndrojnë larg shtëpisë.

Duke mohuar çdo akuzë të autoriteteve, ata theksojnë se e gjithë kjo ngjarje është një kurth.

Kryefamiljarja tregon se gjatë bastisjes, policia nuk arriti të gjente asnjë gjurmë që do ta lidhte këtë familje me aktivitete kriminale.

Haraçina e Shkupit njihet si një nga vatrat ku konflikti i vitit 2001 kishte jehonë më të madhe.
Nga kjo zonë e populluar me shqiptar e deri tek brezi kufitar me Kosovën përkatësisht fshati Malinë dhe Brezë, nevojiten deri në 3 orë rrugë.

Megjithëse mungonin kontrollet e policisë, prezenca e tyre gjatë rrugës vërehej në pothuajse çdo 20 kilometra.

Shtëpia e të kërkuarit shqiptar tashmë e është e lirë nga policia.

Ky objekt ishte përdorur nga familja osmani vetëm në sezon vere pasi ka vite janë shpërngulur në Haraçinë të Shkupit.

Lidhur me këtë rast, banorët e paktë të mbetur në mes dy kufijve nuk duan të thonë as edhe një fjalë.

Heshtja ka mbuluar fshatin për të cilin u bë shumë zhurmë. (Valdete Osmani / rtk)

BSH: ekonomia nën potencial

Guvernatori RSHGuvernatori i Bankës Qendrore Gent Sejko paraqet raportin vjetor: Cikli i rritjes ekonomike shënoi një pikë kthese gjatë 2014-s

Në Shqipëri, guvernatori i Bankës Qendrore Gent Sejko deklaroi se ekonomia e vendit po përballet prej disa kohësh me një mjedis të dobët ekonomik, me presione të ulëta inflacioniste dhe një rritje nën potencial

“Duke përjashtuar pagimin e detyrimeve të prapambetura, politika fiskale ka pasur natyrë konsoliduese gjatë vitit 2014 por nga ana tjetër, shkëmbimet tregtare me jashtë nuk kanë gjeneruar impulse pozitive në rritjen ekonomike. Pavarësisht ritmit më të lartë të rritjes, ekonomia shqiptare vazhdoi të mbetet nën potencial. Kjo situatë ka sjellë shfrytëzim jo të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe ka diktuar norma papunësie përtej nivelit ekuilibër”, deklaroi guvernatori Sejko në Komisionin parlamentar të Ekonomisë ku paraqiti raportin për vitin 2014.

Zoti Sejko shpjegoi se “kapacitetet e lira në tregun e punës sjellin rritje të ulët të pagave, të kostove të prodhimit, si dhe të çmimeve finale në ekonomi”.

Gjatë vitit 2014 ekonomia shqiptare u rrit me 1.9 përqind. Guvernatori Sejko tha megjithatë se “Banka e Shqipërisë vlerëson se cikli i rritjes ekonomike shënoi një pikë kthese gjatë vitit të kaluar” dhe se “në vitet në vijim, ekonomia parashikohet të lëvizë në një trajektore rritëse, çka do të mundësojë edhe kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv, në një periudhë afatmesme”.  Sipas zotit Sejko “një pjesë e faktorëve kryesorë që do të mbështesin këtë rritje, si kushtet e lehtësuara të financimit dhe stabiliteti monetar e financiar i vendit, janë tanimë të pranishëm”, nënvizoi guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Koment: Pesë arsye, përse Greqia qëndron në Eurozonë

greqiaQë prej ndërrimit të qeverisë në Athinë një moment krize pasohet nga tjetri. Kaq pranë Grexitit si tani Evropa nuk ka qenë kurrë. Megjithatë ka pesë arsye të forta, që kjo të mos ndodhë, mendon Max Hofmann.

1. Graccident- i nuk është punë e thjeshtë

Në muajt e fundit thuhet vazhdimisht se nëse grekët nuk i bëjnë dot një pagesë FMN-së, janë zyrtarisht bankrot, një automatizëm i pashmangshëm hyn në fuqi. Kështu nuk ndodh. Shefja e FMN-së Lagarde nuk ka për të dalë menjëherë që të shpallë bankrotin. Një gjë e tillë duhet konstatuar formalisht, kjo zgjat së paku disa ditë. Edhe atëherë Lagarde ka akoma hapësirë politike, sikur grekët të zotohen për përmirësim. Greqia largohet kundër dëshirës të të gjithëve “gabimisht” nga Unioni Monetar? Kaq të papushtetshme nuk janë “Institucionet”.

2. Dalja nuk kushton patjetër më pak

Grekët largohen nga Unioni Monetar – po pastaj? Ekzistojnë edhe rreziqet e shumëpërfolura të infektimit. Spekulantët mund të përpiqeshin të shtynin Portugalinë ose Italinë në falimentim. BE është më i përgatitur se disa vite më parë, por këtë askush në Bruksel nuk e përjashton krejtësisht.

Por në çdo rast Bashkimi Europian do ta mbështeste Greqinë edhe më tej në rast largimi, sepse Grexit mund të shkaktonte shkatërrimin e plotë ekonomik të vendit. Pavarësisht nëse Greqia do të ishte pastaj pjesë e BE apo jo, Bashkimi Europian duhet të ndihmonte. Kjo nuk do të ishte shumë më e leverdishshme, se sa mbajtja e grekëve në Bashkimin Monetar.

3. Absurditet gjeopolitik

Pjesë e një Ballkani të paqëndrueshëm, mik tradicional i Rusisë, portë e hapur për refugjatët në Mesdhe, e gjitha kjo është Greqia momentalisht. A duan shtetet anëtare të BE ta çojnë një vend të tillë me të vërtetë në izolim me pasoja të paparashikueshme gjeopolitike? Përgjigja qëndron në semantikën e ditëve të fundit. Shumë politikanë evropianë e argumentojnë ndihmën për Greqinë jo më me arsye ekonomike, por gjeopolitike.

4. Cipras e ka kuptuar më në fund

Ka zëra në Bruksel, që duhen marrë seriozisht, që thonë se takimi i ministrave të pakënaqur të Financave në Riga ka qenë pika e kthesës. Kryeministri grek i lojës së pokerit Cipras e ka kuptuar se nuk ka kartë për të hedhur dhe ka këmbyer negociatorët e rëndësishëm. Me sa duket Trojka do të ketë të bëjë përsëri me njerëz, që kuptojnë diçka nga çështja, dhe nuk bëjnë vetëm ëndërrime ideologjike.

5. Unioni është një union

Sikur Greqia të dilte jashtë, Unioni Monetar nuk do të ishte aleancë e vërtetë. Së paku nga ana psikologjike do të kishte paraqitjen e një shoqate të këmbimi valutor. Joshja për t’u lidhur më fort ekonomikisht dhe sidomos politikisht, do të ishte dobësuar shumë. Kjo do t’i kishte dhënë një goditje të rëndë idesë evropiane të dekadave të fundit. Vendet me peshë në BE do të përpiqen ta pengojnë këtë me të gjitha mjetet. (dw)

Rritet trysnia e ndërkombëtarëve ndaj Maqedonisë

Parlamenti RMInstitucionet shtetërore në Maqedoni nuk reagojnë ndaj kërkesave në rritje për përgjegjësi politike dhe dorëheqje për t’i hapur rrugën hetimeve lidhur me pretendimet nga “afera e përgjimeve” të publikuara nga opozita.

Kryeministri Nikolla Gruevski dhe zyrtarët e tjerë të lartë të kabinetit qeveritar, të gjitha këto pretendime i kanë quajtur “të montuara me ndihmën e shërbimeve të huaja sekrete me qëllimin e vetëm rrëzimin e qeverisë dhe destabilizimin e vendit“.

Pas publikimit të njëpasnjëshëm të aferave të përgjimit janë intensifikuar edhe prononcimet e diplomatëve perëndimorë, të cilët kërkojnë hetim të plotë të rasteve, madje ambasadorja gjermane në Shkup, Kristine Althauzer, tha se bazuar në praktikën ndërkombëtare për raste të tilla jepen edhe dorëheqje për t’i hapur rrugën zbardhjes së rastit. “Sipas standardeve politike perëndimore, pasojat politike janë të pashmangshme në raste të akuzave të përmasave të tilla. Që të jem e qartë, ashtu siç ishte edhe kolegu im amerikan javën e kaluar, pasojat politike përbëjnë, për shembull, dorëheqje si parakusht që të zbatohet një hetim i nevojshëm, transparent dhe i plotë.Vetëm përmes një procesi të besueshëm hetimor, do të mund të ruhet perspektiva euroatlantike e Maqedonisë”, ka deklaruar ambasadorja gjermane Kristine Althauzer.

Qeveria e “shurdhët” ndaj mesazheve të ndërkomëtarëve

Deklarata e ambasadores gjermane është vlerësuar si reale nga njohësit e çështjeve ndërkombëtare. Ata thonë se në situatën e krijuar hetimet nuk mund të bëhen nga pushteti aktual i cili apostrofohet si fajtori kryesor për gjithçka që ndodh në vend.

“Deklarata e ambasadores gjermane po hap rrugën që Maqedonia të futet drejt një procesi, fillimisht me një qeveri teknike e një konsensusi të gjerë dhe pastaj t’i hapet rruga një procesi gjyqësor dhe një zbardhjeje për të parë se çfarë përmbajnë përgjimet. Qëndrimi amerikan dhe ai gjerman është shumë i qartë se kjo qeveri nuk ka më mbështetje dhe e ka humbur legjitimitetin. Vlerësoj se faktori ndërkombëtar nuk do të lejojë që pushteti aktual përmes krizave të ndryshme të mbijetojë politikisht “, thotë Arsim Sinani nga Qendra për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike.

Deklarata e prerë e ambasadores gjermane dëshmon angazhimin më serioz të bashkësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e krizës politike, por paraqet njëkohësisht edhe planin e tyre për kapërcimin e krizës, thotë analisti Xhelal Neziri.
“Izolimi i kësaj qeveria sa vjen e shtohet, të gjitha qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes ia bëjnë me dije se dorëheqja është rruga e vetme e zgjidhjes së krizës, pra dorëheqja e qeverisë dhe prokurorit, mund hapë një mundësi dhe rrugë drejt zgjidhjes legale dhe institucionale të krizës me të cilën ballafaqohet Maqedonia”, vlerëson Neziri.
Për Bojan Mariçiq nga Qendra Maqedonase për edukim europian , mesazhet e Uashingtonit dhe Berlinit, gjithashtu sugjerojnë që qeveria të jetë më fleksibile në bisedimet që zhvillohen në Bruksel. “Këto porosi të bashkësisë ndërkombëtare i kuptoj si porosi ndaj qeverisë që të jetë më fleksibile gjatë bisedimeve, sepse është e qartë se nuk shkojnë mirë. Pasi këto mesazhe përbëjnë tërheqje të vërejtjes se përgjegjësia është e piketuar dhe e qartë dhe në këto bisedime qeveria ka shanse ta mbajë përgjegjësi me qëllim që ta shpëtojë shtetin nga skenarë më seriozë ose më të padëshirueshëm”, shprehet Bojan Mariçiq.
Opozita paralajmron protesta masive

Maqedonia në muajin maj pritet të tronditet nga një protestë masive gjithëpopullore kundër pushtetit të udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski, kështu paralajmëroi ditë më parë lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev. Sipas Zaevit protesta gjithëpopullore është metoda e vetme me të cilën mund të ndryshohet situata në Maqedoni, sidomos pas skandalit të përgjimeve që dëshmoi se në Maqedoni krimi, korrupsioni, kontrolli i mediave, gjykatave, administratës, është nën direktivë të plotë të kryeministrit Gruevski.
Analistja politike Lidija Dimova tha se është optimiste, që protestat e paralajmëruara në maj do të japin rezultat. “Protestat do të jenë gjithëpopullore, mirëpo nuk do të jenë të dhunshme. Nga masovivteti i qytetarëve, të cilët do të shprehin pakënaqësinë do të bindet pushteti dhe regjimi i Gruevskit se i ka ardhur fundi. Skandali i përgjimeve nuk mund të tolerohet, pasi ka rrënuar të gjitha institucionet e shtetit, gjykatat, prokurorinë dhe në përgjithësi sigurinë”, thotë Dimova.

Profesoresha e Institutit për hulumtime sociologjike dhe politiko-juridike Mirjana Najçevska thotë se kjo qeveri mund të ndryshohet vetëm me demonstrata masive si dhe me bllokimin e instituteve. “Kjo qeveri mund të largohet vetëm me mospranimin e gjerë të qytetarëve, me demonstrata masive, me bllokimin e institucioneve.”, vë në dukej Najçevska.

Në Maqedoni po qëndron një delegacion i nivelit të lartë të Komisionit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili po zhvillon të veçuara bisedohet për krizën politike në vend me përfaqësuesit më të lartë shtetrorë dhe përfaqësuesit e partive politike. (dw)

Të zbardhen inskenuesit e rastit të montuar të Sopotit

sopotOrganizata OBRIE kërkon përgjegjësi nga inskenuesit, hetuesit, strukturat e shërbimit sekret, gjykatësit dhe strukturat politike që kanë gisht në rastin e Sopotit.

Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) kërkon përgjegjësi penale dhe politike lidhur me rastin e Sopotit, për të cilin së fundi lideri opozitar Zoran Zaev publikoi faktet dhe dëshmitë për një montim klasik  të këtij rasti gjyqësor.

OBRIE vlerëson se në bazë të parimeve të së drejtës vendore por edhe ndërkombëtare, autorët e këtij montimi monstruoz duhet të përgjigjen penalisht para organeve të drejtësisë.

“Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë montimin e këtij rasti, duke filluar nga hetuesit, strukturat e shërbimit sekret që kanë ushtruar  dhunë dhe inskenim, gjykatësit, prokurorët dhe bashkëpunëtorët tjerë që kanë ndihmuar këtë proces, duhet të përgjigjen penalisht. Përgjegjësi duhet të jap  e lidershipi politik maqedonas dhe shqiptar që ka udhëhequr shtetin  në këtë periudhë kohore, i cili edhe pse i ka ditur faktet ka heshtur përballë kësaj padrejtësie”, vlerëson OBRIE.

Kjo organizatë kërkon të kompensohen viktimat e këtij procesi, të burgosurit nga familja Klaiqi nga fshati Sopot, të cilët për gati një decenie u mbajtën të torturuar fizikisht dhe psiqikisht në kushte mizore në burgjet e Maqedonisë.

OBRIE gjithashtu  kërkon të zbardhen edhe raste tjera gjyqësore të montuara gjyqësore përmes të cilave shqiptarët etnik në Maqedoni janë dënuar me mijëra vite burg.

OBRIE gjithashtu kërkon nga komuniteti ndërkombëtar të ndihmojë në zbardhjen e këtyre rasteve eklatante në të cilat njerëz të pafajshëm ende vuajnë dënime të rënda, të viktimizuar nga një sistem i degraduar i drejtësisë

“Pa u zbardhur dhe gjykuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë këto raste Maqedonia nuk mund të pretendoj anëtarësimin në familjen evropiane. Maqedonia si shtet kandidat për anëtarësim në BE e ka të domosdoshme ti respektoj konventat ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut”, thuhet në fund të reagimit.

Zbardhja e këtij procesi do të duhet të fillojë menjëherë sapo të merret një vendim gjyqësor lidhur me këtë rast. Në Gjykatën e Shkupit më 5 maj është caktuar seanca e radhës për rastin e Sopotit, por nuk dihet se çfarë vendimi final do të pasojë.

Sopoti është rikthye me publikimin e disa materialeve të përgjimeve nga opozita maqedonase, ku dolën shumë të vërteta në një bisedë midis ministres së brendshme Gordana Jankullovska dhe shefit të shërbimit sekret DSK, Sasho Mijallkov, se procesi ishte i montuar dhe se nuk kishte dëshmi dhe prova edhe në MPB.

Sulejman Sulejmani, Hasan Klaiqi, Samet Lutfiu, Shaban Limani, Shaqir Sulejmani, Bashkim Ukshini, Musa Klaiqi, Zenel Klaiqi, Selman Jahiu, i ndjeri Samet Limani dhe Afrim Ukshini ishin  11 personat e akuzuar për këtë rast. Grupi i atyre që kanë qenë në burg kanë mbajt dënimin për 7 vjet, dhe pas rikthimit të hetimeve për shkak të dyshimeve për proces të montuar, ata vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, deri në finalizimin e procesit gjyqësor.(INA)