Projekt-ligji për pasaportat e Maqedonisë, a rrezikohen mërgimtarët shqiptarë

Parlamenti i Maqedonisë i dha dritë jeshile propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit të qytetarëve të vendit.

Me këtë, ky projekt – ligj shkon në fazën e dytë, kur pritet edhe miratimi dhe fuqizimi i tij. Deputetët e BDI-së votuan të përmbajtur dhe nuk kundërshtuan këtë projekt – ligj, edhe pse ai ka hapur shume debate dhe dilema se mund të jetë i dëmshëm për mërgatën shqiptare që posedojnë pasaportat e Maqedonisë.

Kontestuese janë pjesët që kanë të bëjnë me adresën, e cila njëlloj sikur me projekt – ligjin për letërnjoftimet mund të jetë i dëmshëm për mërgimtarët, pasi që rrezikohet shlyerja e adresave të tyre të vendlindjes  dhe probleme të tjera që mund të lindin më pas.

Por çka thotë ministrja e MPB-së, Gordana Jankulovska, që sipas saj, me këto ndryshime insistohet të korrigjohen mangësitë në ligjin ekzistues, harmonizim terminologjik dhe juridik dhe për tejkalimin e problemeve që paraqiten në praktikë.

Një nga ndryshimet kryesore është mundësia që qytetarët të aplikojnë për pasaportë dhe ta marrin dokumentin jo vetëm në vendin e banimit, por edhe në vendin ku qëndrojnë, dhe kjo mund të bëhet edhe jashtë nga hapësirat zyrtare të MPB, ndërsa për mërgimtarët nga zyrat diplomatike dhe konsullore. Ajo theksoi se nuk do të ketë dallim në procedurën dhe se nuk do të thotë se një person do të posedojë më shumë se një dokument udhëtimi ose të dhëna të ndryshme.

Me këto ndryshime propozohet edhe shfuqizimi e pasaportës së përbashkët si lloj i pasaportave, zbatimi dhe dedikimi i së cilës është tejkaluar.
Për ruajtjen e kujdesshme të pasaportave, vendosen sanksione për ndonjë humbje ose dëmtim të mëtejshëm. Pronari është përgjegjës nëse dëshmohet se shkatërrimi ishte me paramendim.

Ndryshimet kanë të bëjnë edhe me pasaporta që do të jepen për shtetas të Republikës së Maqedonisë, i cili ka mbetur jashtë vendit pa pasaportë për arsye të ndryshme, si dhe për të sapolindurit e emigrantëve që të mund të regjistrohet në librin amë të të lindurve dhe në këtë mënyrë të merr shtetësinë e Maqedonisë.

Deputetët e BDI-së votuan të përmbajtur. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie Talat Xhaferi tha se kjo është për shkak të dilemave në disa nene nga ligji dhe se për fazën e dytë të miratimit të ligjit kërkon harmonizim të qëndrimeve. Në thelb, tha ai, i mbështesin ndryshimet, por nuk pajtohen me disa dispozita, si ato që lidhen me sanksione për pasaportë të humbur ose të dëmtuar, si dhe për dokumente udhëtimi për fëmijët e lindur jashtë vendit.

E pranueshme për deputetët në pjesën e pasdites së seancës së djeshme parlamentare ishte edhe Propozim ligji për shërbimin e prokurorit publik, për të cilin votuan për lexim të mëtejshëm. Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari tha se bëhet fjalë për një akt të veçantë me të cilin rregullohen çështjet për statusin e nëpunësve administrativë në prokuroritë publike, organizimin e tyre, kategorizimin dhe për herë të parë përcaktohen të drejtat dhe obligimet e tyre, si dhe mënyrat e krijimit të marrëdhënieve të punës.

Parlamenti i dje pasdite miratoi konkluzionin edhe se është i pranueshëm dhe mund të dorëzohet në lexim të mëtejshëm Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor. Ministri Jashari në seancën e mëngjesit shpjegoi se me këtë ligji duhet të rriten kapacitetet e Këshillit Gjyqësor dhe të gjyqësisë dhe të profesionalizmit të tyre.Me ligj parashikohet që mandati i kryetarit të Këshillit të zgjatë tre vjet, me të drejtë për rizgjedhje. (INA)

MASH tërheq matematikën nga matura shtetërore

Ministria për Arsim dhe Shkencë ka ndryshuar vendimin e mëparshëm për maturën shtetërore.

M.A.SH-i sot ka dal me një zgjidhje të re, që lënda e matematikës të mos jetë e detyrueshme për të gjithë nxënësit në shkollat e mesme, por vetëm për nxënësit të cilët janë të regjistruar në gjimnaz dhe të cilët kanë zgjedhur drejtimin matematiko-natyror.

Lajmin e bëri të ditur vetë ministri Abdilaqim Ademi, i cili më tej ka njoftuar se, për ata gjimnazistë të cilët kanë zgjedhur drejtime shoqërore, si edhe për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme profesionale, matematika do të jetë lëndë zgjedhore, përveç gjuhës së huaj. Pra, provimi do të jepet vetëm nëse nxënësi do e zgjedhë atë vetë, në përputhje me vullnetin dhe bindjen e tij personale. Për gjimnazistët që kanë zgjedhur sferën gjuhësore apo artistike, lëndët e detyrueshme në maturën shtetërore do të jenë gjuha amtare dhe gjuha e huaj. (alsat)

Greqia kundër sanksioneve ndaj Rusisë

Cipras

Kryeministri grek, Aleksis Cipras thotë në një intervistë me median ruse se pret “pranverë” në marrëdhëniet me Rusinë. Mediet gjermane citojnë Cipras që lidhjet me Rusinë i sheh që në luftën kundër Gjermanisë hitleriane.

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras ka deklaruar se Greqia nuk i mbështet sanksionet e BE kundër Rusisë. “Ne nuk jemi dakord me këto sanksione. Unë i shoh ato si rrugë pa krye”. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian janë informuar se mbështetja e qeverisë së re greke nuk është e garantuar. Këto Cipras ia tha agjencisë ruse të lajmeve Tass, në një intervistë të cituar sot (31.03.2015) nga “Welt”, “Spiegel” dhe “Tagesspiegel”. Kryeministri grek ka njoftuar Presidentin e BE, Donald Tusk dhe Përfaqësuesen e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini se Greqia do të bëjë rezistencë ndaj zgjatjes së sanksioneve. Moska ka kohë që e pret një rezistencë greke ndaj sanksioneve të BE ndaj saj, si një instrument ndikimi në bashkësi.

Humbjet e ekonomisë greke nga embargoja e Rusisë Cipras i llogarit në rreth 430 milionë dollarë. Moska ka bërë të ditur se do të shqyrtojë javët e ardhshme një përjashtim të Greqisë nga sanksionet ndaj BE, për frutat greke.

‘E ardhme e mrekullueshme’ në marrëdhëniet greko-ruse

Cipras foli për “një pranverë” në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Rusisë, pas raportit “të ngrirë” të mëparshëm. Bazën për afrimin me Rusinë ai e argumenton edhe me luftën e përbashkët të grekëve dhe rusëve kundër Gjermanisë hitleriane. Greqia dhe Rusia kanë paguar taksën më të lartë të gjakut në Luftën e Dytë Botërore, thotë ai në intervistë me agjencinë Tass. “Shtetet tona kanë një të kaluar të shkëlqyer të luftës së përbashkët, ne mund të kemi edhe një të ardhme të mrekullueshme”, tha Cipras.

Intervista bëhet në prag të vizitës në Moskë në 8 prill të kryeministrit Cipras. Në Moskë ai do të takohet jo vetëm me Presidentin Vladimir Putin, por edhe me Patriarkun Kiril, kreun e Kishës Ortodokse ruse.

Cipras është i interesuar edhe të marrë kredi për ekonominë greke nga Rusia. Ai do të shoqërohet në vizitën në Moskë nga ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos. Partia e Kammenosit, Grekët e Pavarur ka marrëdhënie të mira me Moskën. Kjo parti i përmendi kreditë eventuale nga Rusia që pas zgjedhjeve. ‘Tagesspiegel’ citon zëvëvendësministrin e jashtëm grek, Nikos Chountis, i cili thotë se Moska i ka bërë Greqisë oferta për t’i dhënë kredi. Shumë politikanë të qeverisë së re vijnë nga radhët e Partisë Komuniste greke, e cila më parë ka qenë besnike ndaj Moskës. (dw)

Koment: Paniku i arabëve nga Irani

Arabet

Udhëheqësit arabë kanë rënë dakord papritur për krijimin e një trupe për ndërhyrje të përbashkët. Kështu formohet një front i përbashkët kundër epërsisë së Iranit, mendon Loay Mudhoon.

Ajo që tek arabët më të moshuar mund të zgjojë kujtimin e parullave panarabike të kohës postkoloniale në Lindjen e Mesme, të vizionarëve të mëdhenj dhe të ithtarëve të një kombi të përbashkët arab, për brezin e ri tingëllon pak e çuditshme. Fundja realitetet ndërmjet Atlantikut dhe Gjirit duken të zymta. Përçarjet e paarsyeshme dhe rivalitetet destruktive karakterizojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve arabe dhe pengojnë lidhjen e botës arabe.

Megjithatë nga ana thjesht retorike rezultatet e samitit dyditor të Lidhjes Arabe në Sharm el-Sheik të Egjiptit duken shumë ambicioze. Fundja presidentët, mbretërit dhe emirët arabë u morën vesh shumë shpejt për krijimin e një grupi të përbashkët panarabik të ndërhyrjes së shpejtë, për të përballuar kërcënimet aktuale dhe për të mbrojtur sigurinë arabe.

Këto plane ambicioze nuk mund të fshehin faktin se këtu bëhet fjalë thjesht për një memorandum të formuluar në mënyrë të përgjithshme. Sidomos për faktin se pjesëmarrja në aleancën ushtarake është vullnetare dhe nuk është aspak e qartë, se në çfarë kuadri mund të përdorej forca e re ushtarake. Megjithatë duhet theksuar se udhëheqësit arabë kanë demonstruar në fundjavë forcë dhe në radhë të parë unitet dhe vendosmëri.

Frikë nga supremacia iraniano-shiite

Sigurisht që shumë shtete arabe e shohin vetën të detyruar të bashkëpunojnë për shkak të konflikteve të shumta të dhunshme dhe të fenomeneve të shpërbërjes së rajonit. Këtyre i shtohet edhe fakti që forcimi i shpejtë e xhihadistëve të IS në Siri dhe Irak përbën një rrezik ekzistencial për disa shtete të Gjirit, veçanërisht për Arabinë Saudite.

Por në fakt kjo krijesë, që shfaqet si e re, nuk është fillimi i një epoke të re në bashkëpunimin ndërmjet shteteve vëllezër arabë, apo e një rilindjeje të Lidhjes Arabe, e cila prej shumë vitesh konsiderohet si një “tigër letre”, si organizatë e sëmurë pa struktura të dallueshme dhe pa ndonjë rëndësi politike. Ajo është më shumë një reagim i shteteve të Gjirit, të drejtuara nga Arabia Saudite, nga paniku prej triumfit të rebelëve shiitë Huthi në Jemen, të cilët mbështeten nga Irani.

Pas dështimit të politikës saudite në Siri, që kishte për qëllim rrëzimin e regjimit vrastar të Asadit, frika e Riadit nga një supremaci iraniane-shiite në rajon është rritur. Në Irakun pas rrëzimit të Sadamit, Teherani luan gjithsesi një rol të rëndësishëm. Qeveria irakiane mbështetet në ndihmën ushtarake të Iranit. Dhe përmes Hizbollahut Republika Islamike ka në Liban “kalin e Trojës” të fortë për luftë.

Riadi nuk u beson më aleatëve perëndimorë

Në këtë kuadër marrja e pushtetit nga Huthi-t në Jemen përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për monarkinë vahabite. Me forcimin e rebelëve Huthi në oborrin e pasëm të Arabisë Saudite vuloset përfundimisht ngjitja e Iranit si fuqi rajonale. Një marrëveshje e mundshme ndërmjet Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar do të ketë si pasojë që roli i Iranit si fuqi hegjemoniste të pranohet ndërkombëtarisht. Ky rivlerësim strategjik i Iranit do të shkonte paralelisht me zhvlerësimin e Izraelit dhe të Shteteve të Gjirit.

Nga këndvështrimi i elitës përreth mbretit të ri Salman, administrata Obama ka dështuar në frenimin e ekspansionit iranian. Ajo nuk ka ndërhyrë kundër regjimit të Asadit dhe nuk ka ndërmarrë asgjë kundër ndikimit të Iranit. Riadi mendon se nuk mund të mbështetet më te aleatët perëndimorë.

Prandaj nuk është rastësi, që operacioni ushtarak i drejtuar nga sauditët në Jemen përkon me fillimin e fazës vendimtare të bisedimeve bërthamore me Iranin në Lausanne. Dhe nuk është rastësi, që udhëheqësit (sunitë) arabë, të përçarë në mënyrë kronike, janë shprehur për krijimin e një trupe panarabe intervenimi.

Me sa duket nuk është fjala për mbrojtjen e sigurisë arabe dhe të identitetit kolektiv, por për të krijuar një front të përbashkët kundër hegjemonisë iraniane në Lindjen e Mesme. (dw)

Iranit i duhet zbutja e shpejtë e sanksioneve

Dymbëdhjetë vjet zgjat grindja për programin bërthamor iranian. Deri të martën mbrëma duhet të arrihet marrëveshja për shmangien e bombës bërthamore iraniane. Ç’do të thotë kjo për Iranin, shpjegon për DW Walter Posch.

Në Liqenin e Gjenevës ka hyrë në raundin e fundit pokeri i pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë nga njëra anë dhe Iranit ë anën tjetër. Deri të martën në mbrëmje delegacionet kanë kohë për të zgjidhur çështjen, se si mund të sigurohet që Irani ta përdorë energjinë bërthamore për qëllime civile, pa mundur të zhvillojë armë bërthamore. Teherani gjithmonë e ka mohuar synimin për të zhvilluar armë bërthamore dhe kërkon si kompensim heqjen e sanksioneve ekonomike perëndimore. Se çfarë pasojash do të ketë për Iranin përfundimi i suksesshëm i negociatave, shpjegon në intervistë me DW studjuesi austriak i Iranit, Walter Posch.

DW.DE: Le të supozojmë se do të arrihet një marrëveshje dhe në këtë mënyrë edhe heqja graduale e sanksioneve. Si do ndikonte kjo në politikën e brendshme të Iranit?

Walter Posch: Një marrëveshje do të kishte një ndikim jashtëzakonisht të rëndësishëm në natyrën e debatit politik. Me të drejtë do të thuhej: “Shikoni, nëse jemi të moderuar, nëse argumentojmë me arsye, nëse mbështetemi në kuadrot e vjetra dhe me përvojë dhe jo një kokat e nxehta revolucionare, atëherë ne mund të arrijmë suksese me bashkësinë ndërkombëtar.” Në të njëjtën kohë forcat radikale do të përpiqen me të gjitha mjetet, që të flasin keq për këtë marrëveshje dhe për të bërë të qartë se ata janë ende aty dhe jo pa rëndësi.

DW.DE: Përse dikush në Iran duhet të ketë diçka kundër, nëse vendi i afrohet më pranë Perëndimit dhe në këtë mënyrë mund të reduktohen sanksionet?

Walter Posch: Deri tani nuk ka siguri se sanksionet do të hiqen me të vërtetë. Dhe nëse po, cilat do të hiqen? Sanksionet, që janë vendosur për shkeljen e të drejtave të njeriut? Sanksionet që janë vendosur kundër gardës revolucionare? Nuk besoj!

Ata nuk janë përzier me sanksionet bërthamore. Por, po aq e rëndësishme është që iranianët në vitin 1978 kanë bërë një revolucion antiperëndimor. Ata e kanë përmbysur shahun, sepse kanë thënë: Ky sistem i dominuar nga SHBA është i padrejtë dhe nuk na përshtatet ne. Dhe pikërisht kjo traditë ekziston akoma. Dhe këtë logjikë revolucionare iranianët nuk do ta kapërcejnë dot aq lehtë.

DW.DE: A do të mund ta pengonin në minutën e fundit forcat radikale procesin e negociatave?

Walter Posch: Këtë nuk e besoj. Këtë do të mund ta bënin, nëse arrijnë të dëshmojnë se nuk do të ketë heqje të sanksioneve, do të ketë heqje shumë të ngadaltë, ose do të jetë formuluar shumë turbull. Atëherë kundërshtarët do të kishin në dorë diçka të rëndësishme. Përndryshe presidentit Rohani i nevojitet zbutja sa më e shpejtë i sanksioneve. Që do të thotë pastaj edhe për aktorët në perëndim. Nëse marrëveshja bërthamore do të lihet të dështojë, për çfarëdo arsyeje qoftë, atëherë nuk është urgjente me heqjen e sanksioneve.

DW.DE: Nëse tani në rast të një marrëvëshjeje do të ketë lehtësim gradual të sanksioneve, sa kohë do të zgjaste, derisa popullata e gjerë të ndjejë diçka nga progresi?

Walter Posch: Kjo është e vështirë të thuhet sepse ka shumë gjëra të pasigurta. Për shembull, sanksionet prekin ndër të tjera sektorin e naftës. Edhe sikur Irani të mund të shiste përsëri naftë: çmimet në tregun e naftës kanë rënë në mënyrë dramatike. Dhe Arabia Saudite, për mendimin tim, do të kujdeset që çmimi i naftës të mbetet një herë për një herë i ulët. Këtu unë shoh gjënë më të rrezikshme në këtë proces: që zbutja e sanksionive mund të vijë shumë vonë.

DW.DE: A ka në Iran edhe përfitues nga sanktionet?

Walter Posch: Thuhet se disa grupe përfitojnë prej tyre. Ne e njohim ekonomine e sanksioneve prej ekonomivë të tjera, të cilave u janë vënë sanksione. Por më fort peshon zhgënjimi i sipërmarrësve të mesëm iranianë. Këta njerëz vetëm duan të transferojnë paratë, por kjo nuk është e mundur momentalisht. Vetëm duan të bëjnë tregti normale. Ajo që ndërkohë është kaq paralizuese në Iran, është qëndrimi pritës. Si do të jetë marrëdhënia jonë me Perëndimin? Shpresat janë shumë të mëdha, sidomos përsa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Do të mjaftonte, edhe në qoftë se do të lëviznin nga faza e armiqësisë në marrëdhënie vetëm të distancuara. Pritja kryesore është lehtësimi i sanksioneve. Dhe shpresohet edhe se në politikën rajonale do të zbulohen më shumë të përbashkëta me Perëndimin.

Pyetjet i bëri Matthias von Hein

Walter Posch është ekspert për Iranin dhe Lindjen e Mesme në akademinë austriake të mbrojtjes së vendit/ Instituti për sigurinë e paqes dhe menaxhimin e konflikteve

Vazhdojnë negociatat për Iranin

Irani thotë se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me gjashtë fuqitë botërore për një marrëveshje paraprake mbi programin bërthamor të Teheranit, ndërsa duket gjithnjë e më pak e mundur arritja e një marrëveshje kornizë para afatit të mesnatës sonte.

Një anëtar i ekipit negociues të Iranit, Hamid Baidinejad, tha se zyrtarët iranianë do të vazhdojnë të negociojnë derisa çështjet e mospajtimit të zgjidhen dhe të arrihet një marrëveshje.

Shtëpia e Bardhë tha se është e gatshme të vazhdojë negociatat të mërkurën përsa kohë ato të jenë produktive.

Zyrtarët shtuan ritmin e bisedimeve sot për të hartuar një marrëveshje paraprake, ndërsa paralajmëruan se një marrëveshje mund të mos ketë një nga klauzolat e parashikuara më parë.

Anketa: Amerikanët mbështesin bisedimet bërthamore me Iranin

Një anketë e re në Shtetet e Bashkuara tregon se amerikanët mbështesin gjerësisht përpjekjet për të negociuar një marrëveshje që kufizon programin bërthamor të Iranit, edhe pse ata janë skeptikë se kjo do ta pengonte Teheranin të prodhojë armën atomike.

Nga sondazhi Washington Post-ABC News, i publikuar të martën del se 59 përqind e amerikanëve anketuar janë në favor të arritjes së një  marrëveshjeje, ndërsa 31 për qind janë kundër.

Fuqitë botërore – Kina, Franca, Gjermania, Rusia, Britania dhe SHBA, po përpiqen të mos e lejojnë Iranin të bëhet vendi i 10 në botë me aftësi bërthamore. Marrëveshja synon t’i japë botës të paktën 1 vit kohë nëse Teherani përpiqet për të prodhuar një armë të tillë.

E marta ka shënuar orët kritike për arritjen e një marrëveshjeje mbi programin bërthamor të Iranit, brenda afatit të caktuar. Negociatorë nga gjashtë vende po përpiqen që pas 18 muajsh bisedime të arrijnë në një marrëveshje gjithpërfshirëse. Pjesëmarrësit në Lozanë të Zvicrës komentuan të kujdesshëm lidhur me punën që mbetet për t’u bërë për të tejkaluar dallimet ku përfshihen edhe çështjet kohore të marrëveshjes, heqjen e sanksioneve ndaj Iranit dhe reagimet ndaj Teheranit nëse ky vend shkel masat e marrëveshjes.

Sekretari amerikan i Shtetit Jon Kerry tha se negociatorët përballen me disa çështje të vështira ndërkohë që kryenegociatori iranian Abbas Aragchi, tha se një marrëveshje mund të arrihet ndoshta brenda dy ditësh.

“ Personalisht mendoj se nuk ka gjasa për marrëveshje sot. Por, nesër mund të arrijmë marrëveshjen ose arrijmë në përfundimin se një marrëveshje nuk është  e realizueshme dhe negociatat shkojnë drejt një pike tjetër. Megjithatë, ne shpresojmë se ndoshta neser ose ditën që pason, kjo të realizohet.” 

Një marrëveshje kornizë do të pasohet nga negociata të metejme për të hartuar marrëveshjen përfundimtare deri nga fundi i qershorit. Kombet e Bashkuara dhe qeveritë perëndimore kanë vënë disa sanksione duke i kërkuar Iranit që të pezullojë aktivitetet e pasurimit të uraniumit dhe aspekte të tjera të programit bërthamor.

Teherani prej kohësh ka mohuar se po përpiqet të ndërtojë armë bërthamore dhe këmbëngul se programi ka vetëm qëllime paqësore. Irani dhe grupi ku përfshihen Britania, Kina, Franca, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, njihen për zgjatjen e afateve. Ata e kanë bërë këtë dy herë që kur u pajtuan për një marrëveshje rë përkohëshme bërthamore në nëntor të vitit 2013.

Por, Departamenti i Shtetit tha dje se të dy palët janë të përqendruara për të respektuar afatin e së martës për arritjen e marrëveshjes.  (voa)

Programi bërthamor i Iranit

Ndërkohë që afati për arritjen e një marrëveshjeje mbi programin bërthamor të Iranit po afrohet, bisedimet po përqëndrohen rreth centrifugave, uraniumit të pasuruar, dhe reaktorëve me ujë të rëndë. Korrepondenti i Zërit të Amerikës Steve Baragona shpjegon rëndësinë e këtyre elementeve që janë temë kryesore e bisedimeve bërthamore të Perëndimit me Iranin.

Brenda një bombe bërthamore, atomet e uraniumit ose të plutoniumit ndahen.

“Ky proces lëshon energji e cila mbanë  të bashkuar atomin. Është energjia që përbën forcën shpërthyese”.

Barry Blechman është bashkëthemelues i Qendrës Stimson në Uashington. Ai thotë se uraniumi pasurohet kur ai goditet nga një pjesëz e quajtur neutron. Uraniumi ka dy forma kryesore, apo izotope: U235 dhe U238, që është pak më e rëndë.

“Vetëm uraniumi U235 ka potencial shpërthyes. Uraniumi natyror, që nxirret nga toka, përmban më pak se 1 përqind U235″.

Pra uraniumi natyror duhet të pasurohet.

Në këtë proces hyjnë në lojë centrifugat, thotë ish-negociatori Robert Einhorn, i Institutit Brookings.

“Së pari, merret uraniumi në formën e gazit, i cili më pas vendoset në centrifuga të cilat rrotullohen me shpejtësi të lartë. Pastaj izotopet e uraniumit ndahen sipas peshës”.

Por ato ndahen vetëm pak. Pra uraniumi i pasuruar pak shkon në një tjetër centrifugë për t’u pasuruar më shumë. Ky proces përsëritet derisa të arrihet niveli i dëshirueshëm i pasurimit.

“Nëse pasurohet në nivelin 3 apo 4 përqind, ai mund të përdoret për të siguruar lëndë djegëse për një reaktor bërthamor. Por në qoftë se pasurohet në nivelin rreth 90 përqind, atëherë ai mund të përdoret për një bombë bërthamore”.

Irani ka ndërtuar edhe një reaktor bërthamor që mund të funksionojë me uranium natyror në vend të uraniumit të pasuruar.

Ekspertët shqetësohen se ky lloj centrali, që quhet reaktor me ujë të rëndë, mund ta kthejë uraniumin në plutonium, një material tjetër i prodhimit të bombës.

Ndryshe nga uraniumi U235, që pasurohet kur goditet nga neutroni,  U238-a është një lloj uraniumi natyror i cili thith neutronin dhe kthehet në plutonium.

“Kur furnizon një reaktor me këtë lloj uraniumi natyror, ai prodhon një sasi të konsiderueshme plutoniumi nga materiali i shpenzuar. Është shqetësues fakti se ky lloji reaktori është përdorur nga një numër vendesh  për të filluar programin e tyre të armëve bërthamore”.

Ky reaktor me ujë të rëndë mund të prodhojë lëndë kimike që përdoren për trajtimin e kancerit me rrezatim. Me pak ndryshime, ai ende mund t’i prodhojë këto kimikate, por me shumë më pak plutonium.

Negociatorët po përpiqen të gjejnë mënyra për t’i bërë këto ndryshime pjesë të një marrëveshje shumë më të madhe që do të ngadalësonte rrugën e Iranit drejt prodhimit të një bombe bërthamore. Marrëveshja, në qoftë se arrihet, do të vonojë aftësinë e Iranit për të ndërtuar një bombë me të paktën një vit. Kjo do t’i jepte kohë botës për të reaguar. Tre faktorë e mëdhenj janë:

“Largimi i rezervave të uraniumit të pasuruar pjesërisht, kufizimi i numrit të centrifugave dhe masat që ata të mos ndërtojnë centrifuga më të avancuara. Centrifugat që ata kanë përdorur deri tani janë të modelit të vjetër, dhe shumë të ngadalshme”.

Centrifugat më të shpejta do ta shkurtonin kohën e prodhimit të një bombe dhe do të rrisnin shqetësimin e botës rreth programit bërthamor të Teheranit. (voa)

Tidal, platformë e re muzikore online

madona

Madonna, Rihanna, Beyonce dhe Jay Z janë mes muzikantëve të shquar që janë bashkëpronarë të Tidalit, një shërbim i ri që thuhet se është platforma e parë në pronësi të artistëve për muzikë dhe video online.

Kanye West, Daft Punk, Alicia Keys, Jack White dhe Nicki Minaj njoftuan gjithashtu se janë bashkëpronarë të shërbimit streaming që filloi pa zhurmë në tetor.

Alicia Keys tha se artistët shpresojnë se Tidal do të ndryshojë përgjithmonë rrjedhën e historisë së muzikës dhe do të sigurojë qëndrueshmërinë e industrisë.

Hollësitë e këtij shërbimi streaming janë ende të paqarta.

Shërbimi me bazë anëtarësimin – i ngjashëm me atë të Spotify – do të ofrojë muzikë dhe video ekskluzive që përdoruesit mund të hedhin në kompjutera, tableta apo telefona inteligjentë.