SHSHA kërkon angazhimin aktiv amerikan në krizën në Maqedoni

Shoqata Shqiptaro – Amerikane në SHBA ka shprehur shqetësime lidhur me ngjarjet e fundit në Maqedoni dhe kryesisht me popullin shqiptar.

Kjo organizatë thekson se në Maqedoni dhe pranë saj po thurren skenare të njohura për të shpallur fajtor kujdestar të kohës popullin shqiptar, me tendenca gjoja për destabilizimin e Ballkanit të trazuar.

“Rasti i Gushincës tregon qartë kurdisjen e orës antishqiptare dhe fshehjen e problemeve të rënda politike dhe ekonomike në këtë vend me një të ardhme të brishtë dhe ende në fund të rrugës për kahet e reja të ndarjes nga e kaluara e boshtit pansllavist në hapësirën ballkanike. Duke hedh dritë për aktualitetin politik të sigurisë në Maqedoni, nuk jemi të kënaqur me angazhimin e deritanishëm të BE, që po ledhaton butësisht qarqet qeveritare në Shkup dhe Beograd. Andaj është koha që SHBA të marrin rrolin e zgjidhjes së çështjeve të hapura, si asaj shqiptare në Ballkan. SHBA duhet të bëjë këtë pasi që njihet si kreatore e vlerave të lirive njerëzore dhe demokracisë, e cila hapi rrugën e shtetësisë së Kosovës si një vend me perspektivë evropiane”, thekson SHSHA.

Kjo organizatë në Çikago kërkon urgjentisht zgjidhjen e çështjeve të hapura të shqiptarëve në Maqedoni, duke nisur nga përfshirja e shqiptarëve në bisedime me maqedonasit, hapja e ndryshimeve kushtetuese për ridefinimin e statusit të shqiptarëve si faktor shtetëformues dhe i barabartë me maqedonasit, me të drejtën e tyre për vetëvendosje. Po ua rikujtojmë pushtetarëve maqedonas se Maqedonia është shtet shumëkombësh,shumëkulturash, prandaj ajo nuk mund të konstituohet si shtet demokratik i pranuar nga bashkësia ndërkombëtare,vetëm po qe se mbështetet në këto parime dhe realitetin e kohës”, thekson SHSHA. (ina)

Treni vret 14 emigrantë sirian dhe afgan

hekurudhaProkuroria publike themelore Veles e vazhdon hetimin për fatkeqësinë hekurudhore që ndodhi mbrëmë rreth orës 22:30 në rrugën hekurudhore Veles – Shkup rreth 2 kilometra larg stacionit hekurudhor “Rajko Zhinzifov”, më saktë mes këtij stacioni dhe stacionit Pçinja.

PPTH Veles njofton se nga njohuritë e para të marra nga grupi prej dhjetë personave të cilët nga terreni i pakapshëm i rrethuar me pyll janë afruar deri në binarë për kryerjen e ekspertizës, janë marrë informata se bëhet fjalë për imigrantë nga Somalia dhe nga Afganistani të cilët kanë lëvizur nëpër binarë në grupe dhe në momentin kur e kanë dëgjuar sinjalin e trenit kanë mundur të largohen duke kërcyer nga binarët në hapësirat përreth.

“Sipas deklaratës së makinistit që po drejtonte trenin ekspress nr. 334 që qarkullonte në relacionin Gjevgjeli – Beograd duke udhëtuar në drejtim të Shkupit, pasi e ka kaluar stacionin “Rajko Zhinzifov” pas 50-100 metrave ai ka vërejtur një grup më të madh të njerëzve të cilët qëndronin apo ecnin në binarët e hekurudhës. Në këtë moment makinisti ka tentuar që ta ndalojë trenin intensivisht dhe ka lëshuar sirenën me ç’rast një pjesë e grupit kanë mundur të largohet, ndërsa një pjesë kanë mbetur dhe për shkak të pamundësisë që në një distancë aq të vogël të ndalojë, është përplasur me ç’rast disa edhe janë shkelur. Në një distancë prej 100-150 metrave nga përplasja treni ka ndaluar dhe tani është i paaftë për lëvizje të mëtejme për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga fatkeqësia, shkruan në kumtesën e PPTH Veles.

Prokurori Publik Themelor nga Velesi së bashku me ekipin hetues të SPB e Velesit dhe me një ekip të ndihmës së shpejtë nga Velesi kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe është bërë ekspertizë, me ç’rast është konstatuar se në binarë kanë vdekur 14 persona. Persona të lënduar nuk janë gjetur në vendin e ngjarjes.

*****

Të paktën 14 emigrantë kanë humbur jetën mbrëmë vonë pasi i ka shkelur treni që qarkullonte në hekurudhën Veles-Shkup.

Numri i saktë i viktimave dhe të lënduarve ende nuk dihet, për shkak të terrenit të vështirë, të i cili mund të arrihet vetëm përmes hekurudhës.

Treni, sipas informatave të para, ka përplasur një grup prej rreth 50 vetave, që kanë lëvizur në drejtim të Beogradit, ndërsa hekurudhën kanë pasur udhërrëfyes.
Në vendin e aksidentit kanë arritur ekipe të ndihmës së shpejtë nga Shkupi dhe Velesi. Për inspektim në vendngjarje kanë dalë ekipe të policisë dhe të prokurorisë dhe ekspertë të ndërmarrjes publike të hekurudhave.

Zëdhënësja e policisë së Velesit, Anita Stojkovska, ka njoftuar se trupat e 14 viktimave janë dërguar në morgun e qytetit, ndërsa në stacionin policor janë ndaluar 8 emigrantë. Një grup më i madh emigrantësh kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Informata më të plota aksidentin e rëndë priten së shpejti. Përndryshe, Maqedonia është e njohur si rrugë transite për shumë emigrantë nga vendet e varfra të botës së tretë që nisen për në Evropën Perëndimore. (alsat)

Baily: Rritet shqetësimi i SHBA-ve për Maqedoninë

BailyAmbasadori amerikan në Shkup Jess Baily ka deklaruar se nuk dëshiron të spekulojë se kriza politike po shndërrohet në krizë sigurie.

Ai këtë e theksoi në emisionin “Top Tema” në televizionin Telma në Shkup.

“Nuk dua të spekuloj se kriza politike po shndërrohet në krizë sigurie, por mendoj se është më rëndësi të lavdërojë reagimet e qeta të qytetarëve”, deklaroi ambasadori amerikan.

Ai ka theksuar se administrata amerikane është e shqetësuar me zhvillimet e fundit në Maqedoni

“Mendoj se ne gjithmonë kemi qenë të shqetësuar për këtë. Nëse i kthehemi deklaratave tona do të shihni se shqetësimi jonë nuk është prej sot. Mendoj se shqetësimi ynë po rritet. Ne jemi miq të Maqedonisë, jemi të impresionuar me përparimin e vendit tuaj këto 25 vitet e fundit nga pavarësia. Dëshirojmë që ta shohim vendin tuaj në BE por edhe si anëtare të NATO-s, si një vend i përparuar, me demokraci multietnike. Duke ndjekur krizën, ky është edhe qëllimi të gjithë qytetarëve që i kam takuar, pa dallime partiake, etnike apo religjioze. Ne kështu i qasemi problemit. Jemi të shqetësuar, për shkak se kriza ka dy aspektet shqetësuese: zbardhja e përgjimeve dhe se si ka ardhur deri tek sigurimi i tyre dhe çfarë përmban përmbajtja e tyre, sidomos për disa zhvillime shqetësuese në institucionet vendore”, deklaroi ambasadori amerikan.

I pyetur se a pritet përfshirja direkte e ndonjë diplomati amerikan në cilësinë e ndërmjetësuesit apo lehtësuesit, ambasadori Baily theksoi se SHBA është në kontakt me BE dhe se bashkërisht po bisedojnë për qasje të përbashkët ndaj problemeve.

“Ne dhe partnerët tanë të bashkësisë ndërkombëtare mund të lehtësojmë zgjidhjen dhe jemi të gatshëm për të. Por megjithatë mbetet që liderët e Maqedonisë dhe popullit të zgjidhin këtë krizë, të nxjerrin faktet dhe të bëjnë hapin e duhur drejt ardhmërisë e cila është e përbashkët për të gjithë”, deklaroi Baily.

Duke folur për aferën e përgjimeve dhe rastin “Puç”, ambasadori amerikan ka kërkuar një proces kredibil për zgjidhjen dhe zbardhjen e këtyre rasteve.

Sipas tij, autoritetet qeveritare duhet të ndërmarrin masat e duhura për zgjidhjen e krizës dhe se këto duhet të krijojnë bindjen tek qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtare se bëhet fjalë për hetime të besueshme dhe në anën tjetër respektim të vlerave të BE-së dhe NATO-s.

“Unë si amerikan, mund të them se ne, në raste të ngjashme krizash, kemi pasur nevojë të sigurojmë hetim të besueshëm. Kemi pasur situata kur kanë qenë të nevojshme edhe shkarkime, lëvizje në detyrë të personave të përfshirë, kur ka konflikt interesash, pezullime, madje edhe dorëheqje. Jo me qëllim që të vërtetohet fajësia, por thjesht që njerëzit të vërtetojnë se hetimi do të zhvillohet në mënyrë të besueshme”, deklaroi ambasadori Baily në intervistën e parë në Maqedoni. (N.P/INA)

Aksion policor në Kumanovë, arrestohen tre persona

policia KumanoveSot pasdite ka ndodhur një aksion policorë në Kumanovë me çrastë janë arrestuar tre persona.

Bëhet fjalë për vëllezërit Rexhepi, njëri prej tyre gjegjësisht Rexhep Rexhepi është veteran i tre luftërave asaj të UÇPMB-së, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe UÇK-së.  Rexhepi është edhe invalid i luftës.  Në mesin e të arrestuarve janë edhe dy vëllezërit e tij, Shefket Rexhepi dhe një tjetër i cili është inspektor i policisë.

Familjarët e të arrestuarve thonë për Alsat-M, se gjatë bastisjes policia nuk ka gjetur asgjë në shtëpinë e të arrestuarve.

Aksionin  e kanë konfirmuar edhe nga MPB-ja, mirëpo informata më të hollësishme kanë paralajmëruar gjatë ditës së nesërme.Alsat-M

‘Sopoti’ tema kryesore e ‘bombës’ që shpërtheu në Veles

ZaevLSDM-ja në kuadër të bombës në Veles ka publikuar biseda të tjera telefonike mes funksionarëve shtetërorë, duke zbuluar detaje për rastin e “Sopotit”, për të cilin u gjykuan 11 shqiptarë të fshatit Sopot të Kumanovës. Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska dhe shefi i DSK-së Sasho Mijallkov konfirmojnë se nuk kanë asnjë provë për këtë rast, ndërsa dëshmia e dëshmitarit është marrë me dhunë.

LSDM-ja publikoi një tjetër skandal, të cilin e zbuluan mediat para disa vitesh, por nuk u konfirmua zyrtarisht. Bëhet fjalë për kapjen e djalit të kryeparlamentarit Trajko Veljanovski me drogë të llojit kokainë në Greqi, në kufirin me Maqedoninë.

Nga bisedat e publikuara sot u konfirmua edhe skandali me redaktoren e televizionit Sitell Ivona Talevska, e cila kishte marrë një tender milionësh me kompaninë Vizaris, në pronësi të nënës së saj.

Pasdite në Veles, LSDM-ja organizon një tjetër marsh protestues kundër Qeverisë dhe krimeve të pushtetarëve që publikohen nga bombat. Benjamin Arifi

Orav: KE-ja ka kërkuar hetimin e bisedave të përgjuara

OravKomisioni Evropian qartë ka kërkuar nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë që ta hetojë përmbajtjen e bisedave të përgjuara. Ambasadori i BE-së në vend Orav tha se rekomandimi është shkruar në përgjigjen nga Brukseli ndaj letrës me të cilën Prokuroria Publike kërkoi që ekspertët evropian t’i ndjekin rastet rreth përgjimeve. Komisioni Evropian megjithatë ka refuzuar propozimin të dërgojë ekspertë për shkak se nuk dëshiron të përfshihet në raste individuale. Kërkesa të këtilla të ngjashme, thotë Orav, rregullisht kanë pasur edhe nga qytetarët dhe persona tjerë të përfshire të cilët kanë ardhur në zyrën e BE-së në Maqedoni.

“Nëse përfshihemi në një, atëherë duhet të përfshihemi në të gjitha rastet, ndërsa nuk mund të krijojmë sistem paralel juridik në vend. Por, nëse ndihma jonë është e patjetërsueshme për probleme sistemore, për funksionimin e institucioneve, ndërsa duket se ka probleme sistemore, atëherë ekspertët tanë janë të gatshëm të ndihmojnë aq sa munden. Njëra prej pyetjeve tuaja ishte për përmbajtjen e bisedave të përgjuara dhe letra qartë tregon përmbajtjen e bisedave”, deklaroi Aivo Orav, shef i delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë.

Se gjithashtu edhe ato duhet të hetohen?

“Po. Kuptohet”, u përgjigj shkurt Aivo Orav, shef i delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë.

Çdoherë i rezervuari Aivo Orav në përgjigjen e tij madje kishte ton provokues për letrën. Më saktë për mënyrën se si është dërguar.

“Rrëfimi për këtë letër është interesant. Së pari, morëm deklaratën nga Prokuroria Publike me të cilën thuhet se letra është dërguar, konsideroj se kjo ishte mirë sepse kishim mundësi të jemi më afër kutisë postare për ta pritur letrën”, tha Aivo Orav, shef i delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë.

E tërë përmbajtja e letrës nga zyra e Marko Zvërlevskit dërguar Brukselit dhe anasjelltas, tani për tani është e panjohur për opinionin. Kur arriti përgjigja nga Brukseli në fund të muajit mars, Prokuroria Publike njoftoi se ekspertët evropian nuk do të hetojnë raste. Në një fjali treguan arsyen e njëjtë që e shpjegoi edhe Oravi, gjegjësisht se ekspertët evropian nuk do të përfshihen në çfarëdo procedure individuale penale. Por, në njoftimin e njëjtë të prokurorisë nuk kishte asnjë fjalë se nga Brukseli kanë theksuar se duhet të hetohet edhe përmbajtja e bisedave të përgjuara.Alsat-M

Përparim apo ngecje në dialogun Prishtinë – Beograd?

Kosova SerbiaDialogu politik, i cili po zhvillohet ndërmjet shtetit të Kosovës dhe të Serbisë, në shumë drejtime ka pasur rezultate, madje ka ndihmuar për paqe dhe stabilitet në rajon, deklarojnë përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.

Sipas tyre, në rend të parë, dialogu po shkon në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe vënien e reciprocitetit në bashkëpunim.

Ministrja për Dialogun, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë, se dialogu ndërmjet dy shteteve i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka ndihmuar edhe në normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës, pjesë kjo e banuar kryesisht me shumicë serbe.

“Ka qenë një progres, ka shuarje të disa prej strukturave paralele siç është shuarja e policisë paralele dhe integrimi i policëve serbë në institucionet e policisë shtetërore të Kosovës. Tani po vendoset sistemi unitar i drejtësisë në këto katër komunat veriore dhe gjykatësit dhe prokurorët serbë që kanë punuar ne struktura paralele, e që janë shuar gjatë vitit 2013, po integrohen në sistemin e drejtësisë së Kosovës”, tha Tahiri.

Ajo theksoi se dialogu i Brukselit, i ka mundësuar përparim Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Si ecje përpara në ketë drejtim, ajo përmend marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, e cila pritet të nënshkruhet në muajt e ardhshëm.

“Në lëvizjen e lirë dhe në tregtinë e lirë kemi reciprocitet, kemi njohje reciproke të dokumenteve shtetërore. Në kuadër të bashkëpunimeve rajonale ka një normalizim ku Serbia ka filluar të heqë pengesat për pjesëmarrjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata rajonale”, u shpreh Tahiri.

Ndryshe mendojnë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, parti politike në opozitë. Sipas tyre, dialogun politi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, Kosovës nuk i ka sjellë asgjë të mirë.

Aida Dërguti deputete nga ky subjekt politik, njëherësh nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, thotë se dialogu e ka thelluar ndarjen në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovës.

“Çdo gjë që ka nis me dialogun e Brukselit e ka thelluar ndarjen. Nëse qëllimi fillestar i këtij dialogu ka qenë integrimi i serbëve të Kosovës, praktikisht ka treguar të kundërtën në të gjitha fazat që ka kaluar. Ka vazhduar më tutje me thellimin e ndarjes me krijimin e asociacionit, fondin për veriun e të tjera që është duke shkuar në drejtim të një republike serbe brenda Kosovës”, tha Dërguti.

Dërguti konsideron se si pasojë e dialogut politik është rritur prania dhe ndikimi i Serbisë në Kosovë.

“Prania e Serbisë është rritur edhe në nivel të institucioneve. Tash kemi brenda Kuvendit të Kosovës Listën Serbe, e cila hapur e thotë se nuk e njeh Republikën e Kosovës; përfaqësojnë drejtpërdrejtë interesat e Serbisë brenda Kuvendit të Kosovës dhe janë të interesuar vetëm për çështje të cilat janë në agjendë të Qeverisë së Serbisë, lidhur me interesat e saj brenda Kosovës e të cilat interesa nuk janë në përputhje me interesa të qytetarëve serbë për të vazhduar integrimin e tyre në shoqërinë kosovare”, u shpreh Dërguti për Radion Evropa e Lirë.

Disa nga marrëveshjet e arritura në mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, vazhdojnë të mos zbatohen.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian edhe në takimin e fundit, të mbajtur më 21 prill, që është zhvilluar në Bruksel midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë,Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq kanë thënë se nuk duhet të ketë vonesa në zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pritet të jetë afatgjatë dhe sipas paralajmërimeve që janë dhënë nga Bashkimi Evropian si ndërmjetësues, do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Ky normalizim, nga Brukseli shihet si i domosdoshëm nëse Serbia dhe Kosova duan të jenë një ditë pjesë e Bashkimit Evropian. (rel)

Teleskopi i hapësirës James Webb

Teleskopi i hapsiresMë 24 prill të këtij viti, do të shënohet 25 vjetori i teleskopit Hubble. Ndërsa ai vazhdon të mbledhë të dhëna dhe imazhe, pasardhësi i tij është duke u përgatitur për nisjen në hapësirë. Teleskopi i hapësirës James Webb, që mban emrin e njeriut  i cili drejtoi NASA-n në vitin 1960, është duke u ndërtuar dhe testuar para nisjes së tij në vitin 2018. Observatori, ndërtimi i të cili ka kushtuar 8 miliardë dollarë është projektuar për të zgjeruar njohuritë e marra nga teleskopi Hubble dhe teleskopët e rinj gjigandë në tokë.

 

Teleskopët Hubble dhe Webb kanë shumë gjëra të përbashkëta. Të dy punojnë në boshllëkun e hapësirës, kanë pasqyra që mbledhin dritën nga yjet e largët, përdorin valë radioje për të transmetuar imazhet dhe punojnë me energji diellore.  Ndryshe nga Hubble, Webb është një teleskop me rreze infra të kuqe, thotë shkencëtari i këtij projekti Matt Greenhouse.

“Kjo do të bëjë të mundur që Webb të shohë objekte shumë të lashta, që janë mes objekteve më të vjetra të gjithësisë”.

Dhe për të bërë këtë, teleskopi Webb do të dërgohet 1.5 milionë kilometra mbi atmosferën e Tokës, ndryshe nga Hubble, i cili fluturon në orbitën e ulët të Tokës dhe sheh vetëm segmentet e vogla, të dukshme, ultravjollcë dhe një segment të vogël të spektrit infra të kuq.

“Përmes rrezeve infra të kuqe, ne mund të shikojmë përtej reve të pluhurit në hapësirë që bllokojnë rajonet e errëta ku lindin yjet. Ne mund të shohim tiparet e atomeve individuale të molekulave në hapësirë që do të na ndihmojë të kuptojmë proceset kimike që ndodhin në hapësirë”.

Pasqyra tepër e lehtë e Webb-it është gjithashtu gjashtë herë më e madhe se sa ajo e teleskopit Hubble dhe instrumentet e tij duhet të mbahen në temperatura jashtëzakonisht të ftohta.

“Më shumë se minus 200 gradë Celsius. Nëse temperatura është mbi zeron absolute,  instrumentet lëshojnë dritë infra të kuqe e cila do ta verbonte teleskopin”.

Mburoja nga dielli e teleskopit Webb përmes reflektimit të dritës nga Dielli, Toka dhe Hëna do ta mbrojë teleskopin nga ngrohja dhe bllokimi i sinjaleve astronomike. E gjithë kjo teknologji e sofistikuar e bën Webb-in 100 herë më të fuqishëm se sa teleskopi Hubble.

“Ne kemi disa aftësi të veçanta në këtë instrument që mundësojnë vëzhgimin e deri 100 galaktikave në të njejtën kohë dhe marrjen e spektreve të tyre”.

Tre vjet para lëshimit në hapësirë, teleskopi Webb tani është në fazën e montimit dhe testimit. Zoti Greenhouse thotë se ekipi duhet të shmangë gabimin që është bërë me dërgimin e teleskopit Hubble në hapësirë me një pasqyrë me probleme.

“Një nga gjërat e mëdha që kemi mësuar nga Hubble është se me atë nuk është bërë një test i plotë optik, ku i gjithë Observatori goditet me drita, ashtu siç ndodh gjatë udhëtimit të tij në hapësirë, për tu siguruar që çdo gjë funksionon”.

Ndryshe nga Hubble, Webb nuk mund të riparohet në hapësirë, kështu që ekipi ka vetëm një shans për ta bërë punën mirë.

“Dhe ashtu si me teleskopin Hubble, është e mundur që pasi të mbarojë ky mision i gjatë, ne do të shikojmë prapa dhe do të kuptojmë se  zbulimet më të rëndësishme dhe pyetjet më të rëndësishme nuk do të jenë ato që ne kishim në mendje gjatë projektimit dhe ndërtimit të tij”.

Hubble ka vepruar shumë më e gjatë se sa pritej dhe zoti Greenhouse shpreson që e njejta gjë do të ndodh edhe me teleskopin Webb. Teleskopi i hapësirës, James Webb është një projekt i Shteteve të Bashkuara dhe agjencive europiane dhe kanadeze të hapësirës. (voa)

Operacion antiterrorist në kufirin Pakistan-Afganistan

ObamaNjë operacion i kundërterrorizmit amerikan në janar, shkaktoi aksidentalisht vdekjen e dy pengjeve – një punonjës amerikan i ndihmave dhe një italian – që mbaheshin peng nga al-Kaida në kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit, tha Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Barack Obama kërkoi ndjesë personalisht për incidentin. Në një deklaratë zyrtare thuhej se vdekja e dy pengjeve të pafajshme, amerikanit Warren Weinstein dhe italianit Giovanni Lo Porto, kishte shkaktuar “një dhimbje të jashtëzakonshme”. Të dy ata po punonin me projekte në Pakistan.

“Si President dhe komandant i përgjithshëm, marr përgjegjësi të plotë për të gjitha operacionet anti terroriste, përfshirë ato që morën aksidentalisht jetën e Warren-it dhe Giovannit”, tha zoti Obama në Shtëpinë e Bardhë. Më vjen thellësisht keq për atë që ndodhi, shtoi presidenti. (voa)

 

Rrugëtimi i imigrantëve për në Evropë

Imigrantë nga Afrika dhe vende të tjera po gjejnë rrugë të ndryshme për në Bashkimin Evropian në kërkim të një jete më të mirë. Agjencia Associated Press ndoqi një grup klandestinësh për të dokumentuar përpjekjet e tyre përmes Ballkanit perendimor për në Hungari. Imigrantët filluan ta përdornin këtë rrugë rreth katër vjet më parë. Qysh atëherë, është bërë rruga e dytë më popullore për kalimin në Evropën perendimore, pas asaj të lundrimit për në Itali nga Afrika e Veriut.

Ky grup me më shumë se 40 burra, gra dhe fëmijë arriti në Greqi në fillim të këtij viti, pas një rruge të gjatë e të vështirë nga vendet e tyre për në Turqi. Aty ata paguan 500 dollarë secili për kapërcimin e detit.  Drejtuesi i tyre, një burrë nga Bregu i Fildishtë, ra dakord për të pilotuar anijet e tyre të mbingarkuara nga një ishull grek në këmbim të kalimit të lirë.  Ai po drejton tani grupin përmes Maqedonisë përgjatë linjave hekurudhore.  Destinacioni i grupit është Hungaria, nga ku imigrantët mund të hyjnë në Gjermani, Francë dhe ndonjë vend tjetër të Evropës Perendimore pa vizë apo pasaportë.

“Vërtet duhet të kesh kurajo pasi ka shumë pengesa. Udhëtimi ka shumë aspekte pasi Evropa është e madhe. Mendon se mund të shkosh në Francë, por para se të mbërrish aty duhet të përshkruar me këmbë mijëra rrugëtime,”thotë Jean-Paul nga Bregu i Fildishtë.

Njerëzit në këtë grup janë nga Bregu i Fildishtë, Mali, Kameruni dhe Burkina Faso. Rruga mes të panjohurës është e mbushur me pengesa dhe rreziqe. Por ata thonë se rreziku ia vlen pasi në fund të rrugës ka shpresë për një jetë të re.

“Shumica nga ne jemi nga Afrika dhe kemi shumë probleme në kontinentin tonë – ekonomi të dobët, politikë të dobët, jemi pa punë. Mund të marrësh një diplomë por nuk gjen dot punë,” tregon Fideli nga Republika Demokratike e Kongos.

Frontex, agjencia e BE-së e ngarkuar për të ndihmuar vendet e bllokut të mbyllin kufijtë e tyre poroz, thotë se më shumë se the 43,000 kalime të paligjshme janë bërë përmes vendeve të Ballkanit perendimor në vitin 2014, më shumë se dyfishi nga një vit më parë.

Në dy muajt e parë të vitit, ka patur 22,000 të ardhur në Hungari përmes kësaj rruge.

“Ne e dimë se kur kalojmë kufirin është kundra ligjit. Këtë e kuptojmë. Kur hyn ilegalisht në një vend, ndihesh si kriminel; është një ndjenjë e papërshkrueshme,” tregon Hilarion nga Bregu i Fildishte.

Udhëtimi natën nuk garanton siguri. Pas një ndjekje me elektrik dore, policia maqedonase kapi shumicën e grupit dhe i deportoi përsëri në Greqi.

“Udhëtimi është shumë i vështirë. Nëse do ta dija që ishte kaq i vështirë, nuk do ta bëja. Nuk mund të eci më”.

Kjo grua nga Kameruni të paktën mund të mbajë foshnjen e saj që lindi në Greqi. Një tjetër grua nga Bregu i Fildishtë u nda nga vajza e saj e lindur në Turqi gjatë një ndjekje të policisë maqedonase. Vajza u mor nga një grup imigrantësh që arritën të shkojnë në Serbi.  (voa)